• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2018

Prometeu – heroi mitologjik dhe kulturor i njerëzimit modern

June 26, 2018 by dgreca

Gladiola Jorbus

Nga Gladiola Jorbus/

Në këtë epokë dixhitale, ku frymojmë nën trysninë e sprovave të pambarimta, njerëzit shpeshherë nuk po gjejnë më kohë të shohin thellë brenda vetes. Po jetojmë në një botë që “lëviz shpejt”, ndërsa informacioni brenda saj, lëviz akoma më shpejt. Kujtesa jonë ka rënë pre e një imuniteti të brishtë, sepse ne marrim aq shumë informacione, saqë harrojmë lehtësisht ngjarjet dhe risitë e djeshme, duke i zëvendësuar me të sotmet që pretendojnë të rrëmbejnë vëmendjen tonë. Kështu, shpejtësia e informacionit bën që lajmi i mëngjesit të shndërrohet në histori, para se të zbresë mbrëmja.

Shoqëria bashkëkohore synon të harrojë kuptimin autentik të fjalës mit, në kundërshtim total me tezën se mitet përforcojnë vlerat tona morale dhe kanë rëndësi vendimtare në formimin qytetar. Miti është një produkt shoqëror i cili pasurohet në kohë dhe ripërmasohet, pa e humbur strukturën origjinale.

Në shoqërinë e sotme, miti shërben si një model për të justifikuar sjelljen njerëzore, prandaj ne mund t’i konsiderojmë mitet, si ide që orientojnë mendimin dhe sjelljen sociale, drejt shpjegimit të qartë të realitetit.

Mitologjia greke rrëfen, se në një kohë të largët sa nuk mbahet mend, perënditë e pavdekshme jetonin në malin Olimp; teksa në tokë qëndronin qeniet mjerane e të vdekshme: bimët, kafshët dhe njerëzit. Perënditë ishin të kënaqur me jetën e tyre atje lart, kurse njerëzit mbijetonin këtu poshtë.

Një ditë, Zeusi vendosi të shpërndajë disa dhurata apo virtyte për speciet e ndryshme të tokës dhe këtë detyrë, ua ngarkoi dy vëllezërve të oborrit të tij: Prometeut dhe Epimeteut. Ky i fundit pa marrë në shqyrtim mendimin e vëllait të vet, nisi nga zbatimi i detyrës. Luanit i dha guximin, kalit shpejtësinë, dhelprës zgjuarsinë, etj. Kur mbaroi me të gjitha dhuratat që Zeusi i kishte dhënë për qeniet e tokës, u kthye i lumtur në shtëpi dhe i tregoi Prometeut se sa mirë e kishte kryer punën. Ndërkohë që po bisedonin, vëllezërit u ndërgjegjësuan për një fakt të rëndësishëm: Epimeteu nuk i kishte dhënë asgjë njeriut. Për më tepër, ata nuk kishin më asnjë dhuratë për të shpërndarë …

Lindi pyetja: ç’ mund të bënin ata të dy? Regjimi despotik i Zeusit ishte i pajustifikueshëm për Prometeun, i cili ndjente dhembshuri të madhe për njerëzit, ndaj vodhi një shkëndijë zjarri nga karroca e artë e Heliosit (Diellit), ndezi me të një pishtar dhe ua dorëzoi atyre. Për këtë arsye, këta të fundit, pa qenë nevoja të jenë të shpejtë apo të fortë si kafshët e tjera, mundën të “dominonin” natyrën, pasi njohën shkencën dhe teknologjinë.

Zeusi i zemëruar, për t’u hakmarrë ndaj Prometeut e dënoi këtë të fundit, duke e lidhur pas një shkëmbi në Kaukaz dhe dërgoi një shqiponjë t’i hante mëlçinë. Tragjedia më e madhe ishte fakti se Prometeu duke qenë gjysmëtitan e gjysmëperëndi, vetvetiu ishte i pavdekshëm, dhe mëlçia e tij ripërtërihej çdo ditë, ndaj shqiponja rikthehej që të ushqehej, sërish me të. (Nga pikëpamja anatomike, mëlçia është organ i brendshëm i njeriut, me ngjyrë të kuqe të mbyllët, që gjendet në anën e djathtë të pjesës së sipërme të hapësirës së barkut, nën diafragmë dhe që kryen funksione të rëndësishme për formimin e gjakut, për prodhimin e lëngut të tëmblit etj. Ndërkohë në Greqinë e Lashtë, mëlçia mendohej se ishte vendi ku pulsonin emocionet njerëzore ).

Në këtë mënyrë, Prometeu me sakrificën e tij sublime, u bë mbrojtësi i madh i njeriut para perëndive, të cilët i quan një grup libertinësh (persona të caktuar, në veçanti burra, të dhënë pas kënaqësive sensuale, pa marrë në konsideratë parimet morale), më të shqetësuar për mirëqenien e vet personale dhe për argëtime, se sa për të zhvilluar një bashkëjetesë paqësore e të drejtë.

Nga ana tjetër, njeriu numëron dy cilësi të rëndësishme: inteligjencën dhe aftësinë për të krijuar struktura të reja rreth tij. Ne kemi meritën e jashtëzakonshme të përshtatjes së natyrës me nevojat tona. Qenia njerëzore, në sajë të përpjekjeve dhe të punës ka bërë përparime të mëdha, që do të thotë se në shumë raste, ajo mund të modifikojë natyrën dhe të përmirësojë kushtet e jetesës. Prometeu na dha vetëm një mjet, sepse përpjekjet e pareshtura kanë qenë përbashkësi e të gjithë njerëzimit. Falë punës dhe vendosmërisë, qeniet njerëzore kanë shenjuar nivele të kënaqshme të mirëqenies anembanë botës.

Me zhvillimin e shkencës ne jemi bërë gjithnjë e më praktikë, por shumë herë ky pragmatizëm ka qenë në dëm të humanizmit tonë. Duket sikur jemi shndërruar në skllevër të objekteve materiale dhe arritjeve të njëpasnjëshmë. Në botën tonë perpetuum mobile, arritja e një qëllimi është vetëm pika e fillimit për të përqafuar qëllimin tjetër. Ky përcaktim na klasifikon si “qenie të pakënaqura”, që  gjithmonë duam të shkojmë më tej, duke i shndërruar arritjet tona në trampolina, për të vazhduar të pangopur drejt majave.

Ndaj është e rëndësishme, të ndalemi një çast që të reflektojmë dhe të kënaqemi me ato që na përkasin apo që kemi arritur. Përndryshe do të shëmbëllenim si disa Sizifë fatkeqë, që çdo ditë shtyjmë gurin e radhës për ta ngjitur në mal dhe pas rënies së tij fatale, e gjejmë veten duke e rifilluar ngjitjen, nga e para; duke jetuar një jetë monotone, pa  shijuar asgjë…

Ne duhet të mësojmë nga Prometeu, pasi ai rrezikoi për ardhmërinë e njeriut, duke u armiqësuar me kryeperëndinë olimpike, Zeusin shungullues. Në pamje të parë, duket sikur perëndia-titan pësoi një disfatë të tmerrshme, pasi u dënua në përjetësi, por fatmirësisht, ai u çlirua nga Herakliu grek apo Herkuli romak.

Figura e Prometeut nuk u shpall humbëse, sepse emri i tij është skalitur me gërma të arta në historinë e njerëzimit, duke u përkujtuar si simbol i vetësakrifikimit, i pathyeshmërisë, i përparimit, i durimit dhe i ndriçimit të mendjes njerëzore. Sot e gjithë ditën, statuja e tij, me peshë tetë tonëshe, e praruar në bronz dhe e krijuar nga Paul Manship në 1934, ngrihet në Rockefeller Center’s Lower Plaza, në Nju Jork duke i risjellë vazhdimisht në kujtesë njerëzimit modern, mitin antik dhe heroin kulturor e sfidues të të gjitha kohërave.

Emri Promete personifikon një qenie të guximshme dhe të rrallë. Duke iu referuar modelit të tij, njësoj si titani mitologjik, edhe ne duhet të tregohemi të patrembur, joegoistë dhe të ndërmarrim rrezikun për të  mbrojtur parimet e vlerat tona, si dhe për të ndihmuar ata që ndodhen në pozita inferiore e të pafavorshme.

Siç shprehej dhe Isaac Asimov, shkrimtar amerikan dhe profesor i biokimisë: “Çdo përparim teknologjik mund të jetë i rrezikshëm. Zjarri ishte i rrezikshëm që në fillim, po kështu (edhe më shumë) ishte fjalimi – të dy janë ende të rrezikshëm në ditët e sotme, por qeniet njerëzore nuk do të ishin njerëzore pa to “.

Filed Under: ESSE Tagged With: Galidola Jorbus, Heroi mitologjik, Prometeu

RRËFIMI-SFIDAT ME DIKTATURËN…

June 26, 2018 by dgreca

SFIDAT  ME DIKTATURËN KOMUNISTE TË  BIRIT TË KROPISHTIT VLORË, QEMAL HADËR REXHAJ/

1 qemal Rexhaj

Qemal Hadër Rexhaj/

Në familjen fisnike kropishtjote Vlorë Hadër Mahmut Rexhaj ,nëna e dashur Hajdine Veli  Rexhaj, kishte pritur me gëzim lindjen e djalit të shtrenjtë Qemal Hadër Rexhaj në 25 mars  1941,por gëzimi familjar nuk zgjati shumë,sepse kishte filluar stuhia e luftës së klasave ndaj familjes fisnike të Hadër Mahmut Rexhaj. Në gushtin e vitit 1943  ,pasi ishte prishur “Marrëveshja e Mukjes”  ishte pushkatuar pa gjyq nga PKSH djali 24 vjeçar Isuf Hadër Rexhaj dhe mizorisht ishte zhdukur trupi tij. Kalvari persekutimeve kishte vazhduar me egërsi duke arrestuar kryefamiljarin Hadër Mahmut Rexhaj.

Pas pushkatimit të djalit të tij 24 vjeçar,prindi Hadër Mahmut Rexhaj ishte arrestuar dhe në vitin 1944 e kishin dërguar në burgun e tmerrshem të Gjirokastrës. Në qelitë e errëta të burgut me lagështirë ishte sëmurë rëndë nga turbekulozi. Kishte kryer një vit burg dhe ishte liruar nga biruca e vdekjes. I sëmurë kishte shkuar në familje. Pas tre muaj qëndrimi te familja e tij e dashur ishte arrestuar përsëri. Diktatura komuniste me hanxharin e luftës së klasave e kishte dënuar me 10 vjet  burg, Në kushtet e vështira të burgut  ishte  përkeqësuar shëndeti nga sëmundjet e shumta. E kishin shtruar në spitalin e burgut Vlorë.  Pas 6 muaj jetë të mjeruar në skëterrin e burgut  në korrik të vitit 1945 kishte dhënë shpirtin tek Zoti, kishte vdekur në spitalin e burgut mes vetmisë,trishtimit e dhimbjes në vetmi,sepse asnjë pjestarë të familjes nuk pa në çastet e fundit të jetës. Por nuk mjaftoi me kaq dhimbja,sepse diktatura nuk e njeh dhimbjen njerëzore,por vetëm etjen për pushtetin për të sunduar me hekur e gjak. Familja nuk ishte thirrur për të parë fëmijët baban në ndarjen nga jeta e hidhur. Tragjedia është se nuk dihet ku ishte varrosur. Edhe sot fëmijët e tij nuk e dinë ku ndodhen eshtrat e babait të tyre Hadër Mahmut Rexhaj.

Ende kur nuk kishin kaluar tre muaj nga vdekja e kryefamiljarit Hadër Mahmut Rexhaj, dora e errët e diktaturës komuniste kishte masakruar djalin 14 vjeçar Fari Hadër Rexhaj, i cili si fëmijë ruante bagëtinë e familjes në livadhet e korijet e fshatit Kropisht.Në tetor 1945  djali 14 vjeçar Fari Hadër Rexhaj nuk ishte kthyer në shtëpi.Bagëtia ishte kthyer pa të zotin që i kulloste dhe i ruante për të përballuar jetën ekonmike.Kur bagëtia kishte shkuar në shtëpi ishte shqetësuar nëna hallemadhe Hajdine Rexhaj, e cila kishte njoftuar burrat e fisit Rexhaj të kërkonin djalin Fari Hadër Rexhaj,sepse fëmijët e tjerë ishin të vegjël nën moshën 10 vjeçare. Kishin dalë për të kërkuar burrat e fisit Rexhaj dhe e kishin gjetur të vrarë me sëpatë në kokë. Një krim makabër kundër jetës së një fëmije 14 vjeç.tregonte egërsinë e partisë komuniste që ishte parti terroriste e komanduar nga sllavët e beogradit titist, të cilët prishën “Marrveshjen e Mukjes” për të ndezur luftën civile që shqiptarët të vriteshin me njeri tjetrin dhe të mos krijohej Shqipëria etnike”.

Nëna Hajdine Rexhaj së bashku me fisin Rexhaj kishin përcjell me dhimbje në banesën e përjetshme,fëmijën 14 vjeçare Fari Hadër Rexhaj. Ata ishin  trishtuar shumë që kryefamiljari Hadër Mahmut Rexhaj dhe djalit tij 24 vjeçar Isuf Hadër Rexhaj  u kishin zhdukur trupat diktatura komuniste.

Nëna heroinë Hajdine Rexhaj në moshën 30 vjeçare kishte mbetur me 6 fëmijë jetim, të cilët ishin në moshë të mitur, vajza e madhe 10 vjeç dhe e vogëla foshnjë në djep. Nënë Hajdineja ishte përballur jo vetëm me vështirësitë ekonomike për të rritur me mundime 6 fëmijë,por duhej të përballonte luftën e egër të klasave. Kuçedra komuniste nuk ishte ngopur me vrasjen e tre pjestarëve të familjes,por kishte marrë vendimin për ta nxjerrë nga shtëpia e banimit. Ja kishin marrë shtëpinë duke e përshtatur për shkollë fshati për disa vjet. Nënë Hajdine Rexhaj me shumë optimizëm si grua trime u qëndroi me burrëri të jashtëzakonshme vështirësive. Ishte detyruar për të rritur 6 fëmijë jetim  të punonte në ndërmarjen rruga ura në mirëmbajtjen e xhades  Sherishtë Drashovicë Kotë.

Në fëmininë time kur shkoja me prindërit e mi në shtëpinë e saj e shikoja që bisedonte me lotë në sy. Ajo kujdesej me shumë dashuri për djalin e saj të shtrenjtë Qemal Rexhaj, e shikonte si dritën e syrit të saj. Kur shkoja në shkollën fillore në lagjen Dosaj , djali shtrenjtë i nënë Hajdine Rexhaj, Qemal Rexhaj kishte hedhur trup me shpatulla të gjera,i fortë fizikisht dhe respektone me shumë dashuri nënën Hajdine. Kur vazhdoja shkollën e mesme shkoja shpesh në lagjen Komlysh dhe takohesha me shumë dashamirësi me birin kropishtjot,shokun e dashur si vëlla Qemal Rexhaj, i cili ishte në moshën e bukur të rinisë,sapo kishte moshën 24 vjeçare. Ishte me energji të forta fizike dhe shpirtërore.Me tingujt e fisarmonikës që i binte pasditeve tregonte shpirtin e tij melodioz që dashuronte jetën. Ishte i pari që kishte blerë radion me bateri  duke treguar kulturë për ta shijuar jetën dhe për të sfiduar hijet e luftës së klasave. Në fshehtësi njerëzit e diktaturës thurnin intriga për ta shpalluar armik. Fytyra e tij e qeshur me zërin e embël shprehte botën e tij dashamirëse për të jetuar me harmoni në shoqëri e miqësi. Punonte në punët më të vështira

Kur fillova  punën mësues në Kropisht në shtator 1965 shoku e miku im Qemal Rexhaj ,më takonte vazhdimisht duke shprehur gëzimin që isha mësues në vendlindjen tonë.Ishte shumë dashamirës për organizimin e veprimtarive kulturore. Edhe pse nuk kishte mbaruar shkollë të lartë ishte i zgjuar me vizione të qarta për të jetuar në mënyrë aktive e të kulturuar. Ndonëse lufta e klasave e survejonte për bisedat që do zhvillonte,por ,ai, ishte i guximshëm për të përballuar çdo provokim që i bëhej. Ishte i sinqertë për të thënë të vërtetën. Nuk e duronte padrejtësinë dhe fodullëkun e disave që ishin të veshur me autoritetin e partisë e pushtetit komunist ,të cilët me ligësi e gjurmonin se si ta ndëshkonin si armik.. Dhe nuk vonoi dita  që do ta shpallnin armik. Ishte 15 gushti vitit 1966 ,kur partia e pushteti fshatit Kropisht me ndihmën e institucioneve shtetërore të diktaturës komuniste e shpallën armik për ta izoluar edhe nga shoqëria. Shpallja armik ishte hapi i parë i ligësisë sepse synimi organeve të diktaturës komuniste ishte burgosja e birit të vendlindjes Kropisht Qemal Rexhaj..

Shoku e miku im Qemal  Rexhaj shprehu keqardhje me dhimbje kur mua lufta e klasave me shpifjet e spiunve të saj më dënoi duke më pushuar nga puna si mësues dhe më ndëshkoi duke më shpallur armik të punoja në tunelet me brigadën e të “deklasuarëve”.Punonim bashkë në hapjen e galerive të tuneleve që nuk kishin masa sigurie. Me ndjenjën tij humane vëllazërore më jepte optimizëm për të përballuar vështirësitë. Me energji fizike të pashtershme punonte pa u lodhur. Me humorin që përdorte në biseda më largonte mërzitjen. E gjithë brigada me të ashtuqajturit “të deklasuarit”, ishin shumë të dashur,më rrethonin me shpirtin e dashamirësisë,por me Qemal Rexhaj kisha lidhje shpirtërore të sinqerta që nga mosha e fëmijërisë e rinisë dhe kuptoheshim me sy pa folur.

Në bisedat tona nuk merreshim me jetën e të tjerëve,por diskutonim hallet familjare në përballimin e jetës me punë e ndershmëri. Shkoja në lagjen Komlysh dhe nëna e urtë e dashur Hajdine Rexhaj shprehte gëzim sapo të shikonte. Ajo nënë e rallë e vrarë në shpirtë nga lufta e klasave mundohej të sakrifikonte edhe jetën e saj për jetën e të birit të shtrenjtë Qemal Rexhaj.I kishte plagët  të freskëta të humbjes së jetës dhe të zhdukjes të trupit të bashkshortit të saj Hadër Mahmut Rexhaj. Edhe pse kishin ikur në mënyrë trishtuese tre jetë njerëzore të familjes, burri saj,babai me dy djem të masakruar nga regjimi komunist,Nëna Hajdine me qetësi e butësi qëndronte e fortë përballë shqetësimeve të sulmeve të luftës së klasave kundër djalit të saj të shtrenjtë Qemal Rexhaj. Skenarët e shpifjeve,intrigave të përfaqësuesve të partisë e pushtetit e kishin ndjekur hap pas hapi djalin e saj Qemal Rexhaj.

Kur unë isha larguar nga vendlindja   ishte zbatuar skenari për burgosjen Qemal Hadër Rexhaj me qëllim që edhe djalin e vetëm të nënë Hajdine Rexhaj ta eliminonin,ashtu si kishin bërë edhe me babain e vëllërzërit e tij. Vdekja është ligji natyrës. Të gjithë janë të vdekshëm. Askush nuk i shpëton vdekjes sepse jetën na i merr Zoti. Pse duhet që robi ti marrë jetën robit?!  Pse kjo urrejtje midis bashkfshatarëve kropishtjotë ?.!

Kalvari vuajtjve të birit të Kropishtit Qemal Hadër Rexhaj është me shumë ngjarje të hidhura që duhet roman për ta shkruar, por po bashkangjisë në këtë shkrim informacionin që më dërgoi shoku e miku im Qemal Rexhaj. Kam shumë vite pa e takuar,por nëpërmjet internetit u lidhëm dhe i kërkova pak informacion e foto për familjen e babait të tij Hadër Mahmut Rexhaj, të cilin ai nuk pati fatin ta njihte,të merrte përkëdhelje e ladhatime atërore,sepse ishte foshnjë kur babai tij ishte arrestuar  e burgosur e humbur edhe trupi tij nga diktatura komuniste.

Midis të tjerave më shkruante:

-“  Kalvari  i vujtjeve të mia është i trishtushëm dhe i tmershëm ,por po të përmend disa më kryesoret. Në 15 gusht të vitit 1966 me cilësuan armik i popullit duke më privuar nga çdo e drejtë njerëzore.Në prill të vitit 1968 më shpronësuan nga statuti që gëzonin bashkëfshatarët e mi.Dënim im ishte i pa mbështetur në ligj e Kushtetutë.Kisha 1 lopë e 10 krer të imta. Më lanë vetëm 5 krer të imta dhe më dërgonin ku ishte puna më e veshtirë duke hapur tunele kot me kot.U izolova krejtësisht dhe u detyrova të blija një radjo ku të informohesha e të argëtohesha me emisjonet e asaj kohe.por kjo mi shtoi problemet duke më akuzuar se ishja perëndimor e i mbaja sytë andej.

       Çdo gjë që ndodhte në fshat në kundërshtim me pushtetin vendor akuzoheshna unë.Kur nuk venin të  rejat e fshatit në aksjon.përsëri akuzohesha unë.Kur çalonte puna në fushatat e korrje shirje përsëri  fajtori ishja unë armiku i klasës.E shumë e shumë gjera të tjera që të kujtohen edhe ty kur të dënuan e të sollën të hapje tunele së bashku me ne të deklasuarit.

      Më e tmershmja ishte në shkurt të vitit 1969 . Në një mbledhje zyre pushteti , më kërkuan të bëhesha vegël e të denoncoja kush vidhte.Kur unë i kundërshtova e nuk pranova . Dy përfaqësues të këshillit popullor Kropisht,që udheëhiqnin pushtetin popullor në atë kohë , nxuarën revolen për të më vrar. Fatmirësisht revolen ua hoqa nga dora dhe ua hodha poshtë .Për këtë vepër penale më dënuan me 5 vjet heqje lirie. Fal ndërhyrjes së dajove të mi që ishin me përbërje të mirë politike për atë kohë, bëra vetëm një vit burg në Borsh të Sarandës.U lirova në 10 prill të vitit 1970.Mbas ardhjes time në shtëpi, si për çudi më vjen përfaqësuesi pushtetit për urim duke më kërkuar dhe falje që nuk më vrau dot.Duke vazhduar kjo luftë erdhën vitet 1990.Gjërat ndryshuan në një farë mënyre. Mua më jepet vula e këshillit të fshatit.U mundova që bashkë me  fshatarët kropishjotë ti kishja të gjithë njësoj duke mos përdorur mëllefe e inate për të shkuarën time. Me ato pak ndihma që na vinin mundohesha ti ndaja në mënyrë të drejtë .Por kjo nuk është pjesë e imja, u takon të tjerëve ta vlerësojnë. Me kaq i respektuari vëlla dhe shoku im po e mbyll këtë histori. Me respekte Qemal Rexhaj”                     

1 qemali dhe gruaja

Qemal Rexhaj me bashkshorten Aenta Rexhaj

Duke e lexuar informacionin që më dërgoi miku im Qemal Rexhaj, shikoi e ndjejë shpirtin e tij demokrat human që të kaluarën e hidhur nga diktatura komuniste nuk e përdori për urrejtje apo hakmarrje ndaj atyre që e kanë persekutuar e burgosur, por me zemërgjerësi në kohën që ndryshuan sistemet politike dhe mori detyrën e Kryeplakut të fshatit,me vulën e pushtetit kishte punuar me ndershmëri,pa përdorur mëllefe apo inate për të kaluarën.E përshëndes nga larg me respekte e mall dhe i uroj jetë të gjatë me shumë gëzime.

Qatip  Mara

Nju Jork  25 qershor 2018

Filed Under: Fejton Tagged With: Qatip Mara, sfidat e Diktatures

Gëzojeni Taulantin votojeni dhe kënaquni me ‘të

June 26, 2018 by dgreca

Ilir Levonja

Nga Ilir Levonja/

1) Ti Taulant je një çiban që nuk e ke shokun. Mjerë ai vend që të jep rrogën. Mjerë ai popull. Dhe mjerë ai popull që pi birra e shikon kampionat botëror kur ti e shokët e tu doni të bëni ekonomi me pastrim parash, drogë, armë dhe me konsiparacione si puna e riciklimit dhe kampeve të refugjatëve. Je një mashtrues gramafon që ngele duke qeverisur vetëm duke gërrvërrur gjithë ditën dy emra, Lulin dhe Shkelzenin. Je ne qeveri o hajvan, kapi. I ke prangat, i ke birucat, i ke xhandarët. Je në qeveri për të vënë drejtësi, rritur mirëqenien e ndalur zbaticën e shqiptarëve nga vendi i tyre. Nuk është opozita që të pengon në çeljen e negociatave. Le të lobojë sa të dojë, se, sytë vetes i nxjerr… po, si i bëhet hallit kur opozita thotë avionë me drogë në Divjakë. Dhe ti i thua shqiptarëve se janë mushkonja. Si i bëhet halli kur thotë se kontenier toyotash po futen me euro për t’u pastruar dhe ti nxiton e kërcen se t’u prishën planet e policisë tënde. Po të ishte opozita. Dhe nëse vërtetohet kjo, ti dhe kasta jote meritoni burgun, mjaft tu përmëndësh bojkotin dhe të tjera zullume si 21 janari a mosnjohja e zgjedhjeve gjatë gjithë kohës tënde si opozitar. Toyotën, Taulant… atë, shiko. Shikoji mirë, jemi kreu i mafies në Itali, Angli, e Holandë. Ia bëm vetes këtë peshqesh. Tani do na duhen shekuj ta fshijmë. Një dru e shtrembër prish barrën. Mund të kesh 99% familje të mira, shqiptarë të zot që punojnë fort. Dhe vërtet ka. Njoh edhe këtej e matanë. Por sa para bën kur një minimakinë kapet plot me euro kesh. Janë paratë e drogës që vinë e të shpëlahen në pika suksesin tënd ekonomik dhe shtetit të fort.

Por le të sqarojmë shqiptarët në disa çështje…, jo ty dhe Edi Ramën. Shakaxhiun e përparimit. Ai që vjet e tentoi të mbyll akademinë e shkencave, dje inauguron bustin e një shkencëtari si Eqerem Çabej. Dhe një bust thërrime, jo statujë se ato i do për veten. Po … për shqiptarët.

2) Shqiptarë, një grup komisionerësh nga këshilli europian, u kanë bërë thirrje qeverive anëtare të europës për çeljen e negociatave me vendet e ballkanit perëndimor. Këtu përfshihet edhe vendi ynë. Ku për momentin një qeveri krejt e pa sigurte dhe e falimentuar, po përpiqet t’ja faturojë gjithçka opozitës. Me një lloj logjike propogandë si lobimi a mosdakortësimi në ligje a të ashtuqujtuara reforma etj. Eshtë absurditet sidomos kur bëhet fjalë për unionin europian i cili e di fare mirë se qeveria aktuale shqiptare ka votat e mjaftueshme për të bërë si të thuash, çfarë t’i dojë qejfi. Aq më tepër me një opozitarizëm shqiptar zemër vrarë për shkak të kalkulimeve  dhe manipulimeve duke ofruar një front ”liderësh” të tipit Ndoka a krahu i Zemunit. Mjerë ai shqiptar që beson se sot është ose do të jetë pikërisht opozita shkaku i mos çeljes së negociatave këtë të enjte. Këshilli europian, në thelb është një union sa ekonomik aq dhe strategjik. Jo më kot Anglia doli nga unioni. Duket bajate por e vërtetë, një pjesë e konsiderueshme e taksapaguesve anglezë, shkonin për të mbyllur gropat e korrupsionit, drogës dhe krimit të organizuar. Kjo i indinjonte ata pasi shikonin se u rrudhej buxheti i shërbimeve sociale duke shtrenjtuar faturat e të tjera.

Gjatë fushatës se Brexit në Anglinë e para dy viteve, shumë qytetarë deklamonin se ato para mund të investoheshin në sistemin shëndetësor, jo në firot e vendeve të lindjes së mesme. Sado antinjerëzore të na duket, është e drejtë e tyre, janë paratë e tyre.

3) Sot vet Europa është në një konflikt të brendshëm, por krejt të zbuluar. Në shumë vende po fitojnë radikalët ose partitë me bindje konservatore. Rasti më i fundit Italia… Kjo për shkak të dyndjes së emigrantëve të luftrave civile që pasuan menjëherë pas pranverës arabe. Paralelisht kur shikon se në kabinetet perëndimore, shefat e qeverive ikin e vijnë, sikur gjimnazistët, aq sa përshembull Gordon Brown a David Cameron duket se i përkasin së shkuarës, një të shkuare tepër të largët. Jo, ishin në detyrë para pak vitesh, tashmë janë qytetarë të thjeshtë. Kurs ne ballkan, liderët e rrotacionit dhe stanjacionit kanë çimentuar pushtetin. Megjithëse, sado nuk na vjen mirë, disa syresh bëjnë përjashtim si Serbia, Mali i Zi, Kroacia a Greqia. Dhe mos u çudisni kur ndonjë nga këto, qoftë Serbia a Maqedonia mund edhe të futen përpara nesh. Ne akoma çirremi me pesë emra dhe nuk e kuptojmë dot demokracinë. Jemi dëshirues të devizës së Bosforit një burrë i vetëm të qeverisi. Shanci i madh i joni, në një farë mënyre është edhe ”fitorja” e së djelës e Erdoganit në Turqi.

Sot vetëm vendjet e lindjes kanë pjellur magjistar të tillë sa edhe mashtrimin mund ta bëjnë realitet me firmë dhe me vulë kombëtare. Turqia nuk bëri përjashtim. Europa priti më kot, pasi u regjistrua fronti më i gjerë opozitar dhe të gjitha kalkulimet të çonin të paktën në një balotazh. Fronti opozitar më i gjerë duke shpresur edhe tek vota e kurdëve. A mund ta votojnë kurdët Erdoganin? Asesi! Megjithatë padishahu i Ankarasë fitoi bindshëm dhe një shpurë e mirë shqiptarësh iu  gëzua sikur të kishin rilindur. Dhëntë Zoti që fanatikve të Hollandës, Francës etj…, iu shtohet inati karshi Erdoganit e na ofrojnë një vend aty në perëndim. Aty ku realisht e kanë vendin ilirët e Ilirisë ata të Teutës e Gentit, jo ata të Hajrullahut e Baftjarit.

4) Gjëja tjetër që e bën Europën apo faktorin konservator është pikërisht informaliteti dhe lufta kundër krimit a drogës. Pa asnjë diskutim korrupsioni i lartë në raport me fuqinë prodhuese. Në fakt ne si Shqipëri jemi një gropë e zezë. Kjo në lidhje me fondet, investimet. Dhe kjo pikërisht për lidhjet tashmë të verifikuara të politikës me krimin e organizuar. Dhe më thelbësorja, që i mban lidhur fort këto lidhje, është mungesa e rrotacionit politik, hapja e krahut. Një sëmundje që ka nevojë për karantinë të fortë. Duke e kuptuar mirëfilli se edhe në Sqhipëri rruga drejt një burrë të vetëm që bën ligjin, është shumë e preferuar. Aq më tepër kur shfleton historinë tonë me diktaturën e proletariait dhe luftën e klasave.

Megjithatë dilema europiane është pikërisht përplasja e idesë pro dhe kundër refugjatëve të lindjes. Që do ndërtohen kampe në ballkanin lindor për strehimin e refugjatëve nuk diskutohet. Në një farë mënyre kjo është ajo çfarë vendet e rajonit tonë duhet të paguajnë. Duken kohë të vështira, por si do që ta kthejmë çështja e çeljes së negociatave nuk ka është në atë pikë që ne t’i imponohemi Europës. Apo në pretendimet bajate të Taulantit dhe vet Edi Ramës mbi opozitën. Por në faktin se i duhet të paguaj një faturë tepër të rënduar pikërisht për mos t’iu nënshtruar plotësisht epidemisë së sëmundjeve të vendeve të ballkanit perëndimor. Si korrupsionit, drogës, krimit dhe stanjacionit politik të liderëve një burrë i vetëm bën ligjin në gjithçka.

Ta gëzoni Taulantin, votojeni dhe kënaqueni me zgjeburinat që nxjerr goja e tij.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gëzojeni Taulantin votojeni, Ilir Levonja, kënaquni me 'të

Presidenti Ivanov nuk e dekreton Marrëveshjen për emrin e Maqedonisë

June 26, 2018 by dgreca

-Në bazë të Kushtetutës, në rast të mosdekretimit, ligji sërish kthehet për votim, dhe nëse sërish votohet, atëherë presidenti është i obliguar ta dekretojë, në të kundërtën bën shkelje ligjore./1 IvanovPresidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov ka vendosur të mos e dekretojë Marrëveshjen për emrin “Maqedonia e Veriut”, të arritur mes qeverive të Maqedonisë dhe Greqisë, me të cilën zgjidhet kontesti prej dy dekadave e gjysmë.

Në arsyetimin e presidentit thuhet se marrëveshja është antikushtetuese dhe se çdo zyrtarizim, sipas kreut të shtetit, paraqet vepër penale.

“Nuk kam mandate të nënshkruaj dekretin për shpalljen e ligjit për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Një nga shtyllat e politikës programit tim zgjedhor nga viti 2014 është se nuk pranoj ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim ndryshimin e emrit kushtetues. Nuk pranoj ide apo propozime që do të rrezikonin identitetin nacional maqedon, veçoritë e kombit maqedon, gjuhën maqedone dhe modelin maqedonas për bashkëjetesë”, thuhet në komunikatën e presidentit Gjorge Ivanov.

Sipas tij, Marrëveshja për emrin është në kundërshtim edhe me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, pasi në to sipas Ivanovit, flitet për “dallime rreth emrit të shtetit dhe jo për dallime siç flitet në këtë marrëveshje”.

Marrëveshja, thuhet më tej në komunikatë, nuk ka bazë kushtetuese dhe nuk është ratifikuar në përputhje me Kushtetutën.

“Sipas nenit 118 të Kushtetutës së Maqedonisë, marrëveshjet ndërkombëtare që janë ratifikuar në përputhje me Kushtetutën, janë pjesë e rendit të brendshëm juridik…Ligji për ratifikimin e marrëveshjes është në kundërshtim me nenet 51, 118 dhe 119 të Kushtetutës”, thuhet në komunikatë.

Presidenti Ivanov vlerëson se marrëveshja e sjell Maqedoninë në pozitën e shtetit të nënshtruar dhe të varur nga një shtet tjetër, përkatësisht nga Republika e Greqisë.

“Sipas nenit 308 të Kodit Penal, qytetari që e sjell vendin në pozitën e të nënshtruarit apo të varësisë ndaj ndonjë shteti tjetër, do të dënohet me së paku 5 vjet burg. Zyrtarizimi i kësaj marrëveshjeje krijon pasoja juridike që janë bazë për vepër penale”, vlerëson kreu i shtetit.

Marrëveshja për emrin ishte ratifikuar nga Kuvendi i Maqedonisë të mërkurën e kaluar dhe për të kishin votuar 69 deputetë.Në bazë të Kushtetutës, në rast të mosdekretimit, ligji sërish kthehet për votim, dhe nëse sërish votohet, atëherë presidenti është i obliguar ta dekretojë, në të kundërtën bën shkelje ligjore.

Filed Under: Politike Tagged With: emri I Maqedonise, jo dekretiert, Presidenti Ivanov

JAVA KULTURORE E SHQIPTAREVE TE MAQEDONISE NE SHBA

June 26, 2018 by dgreca

JAVA KULTURORE E SHQIPTAREVE TE MAQEDONISE NE SHBA-NE NDERIM TE VITIT TE HEROIT KOMBETAR/
1 Skenderbeu
 
Njoftohet komuniteti shqiptar se Instituti per trashigimi kulturore dhe shpirterore i Shqiptareve te Maqedonise ne bashkepunim me komunitetin Fetare, ne nderim te Heroit Kombetar Gjergj Kastrioti Skenderbe, Organizon Javen e Shqiptareve ne Amerike.
Ja program:
Me 1 korrik 2018 ne qendren Kulturore “Nene Tereza” prane Kishes “Zoja e Shkodres” ne Nju Jork ne Oren 12.00 do te promovohet libri per Katoliket e Maqedonise-Monografia e Komunitetit Katolik si dhe filmi dokumentar per Pjeter Bogdanin.
Ne mbremjen e dates 1 Korrik ne ora 19 00 veprimtarite do te vazhdojne tek qendra kulturore e Maqedonise ne Manhattan, ku do te hapet Ekspozita e Katolikeve te Shkupit.
 
2 Korik 2018
 
Qendra e Protestanteve.
Ne ora: 19 00 Protestantet do te shpalosin librin e Protestanteve she 550 vjetorin e vdekjes se Skenderbeut.
 
3 Korik 2018
 
Veprimtarite ne Qendren Islame
-Promovimi i librit Shkupi dhe Xhemijetit.
Sesion shkencor: per Xhemijetin dhe Shkupin.
7 Korik 2018,
Dita e Komunitetit Bektashian.Veprimtarite organizohen ne VATER.
-Prezentimi i rugetimit 12 vjeçar deri ne fitore te te drejtave te komunitetit Bektashi ne Maqedoni, ne gjykaten Nderkombetare per te drejtat e njeriut ne Strasbourg.
-Shpalosja e Librit: The light of guidance.
-Foto ekspozite 480 vjetori i Teqes Harabati Baba dhe nje Dokumentar.

Filed Under: Featured Tagged With: Java e Kulturës, ne Nju Jork, te shqiptareve te Maqedonise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT