• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2018

Dy botë…sa afër…sa larg!!!

July 17, 2018 by dgreca

1 alma Lico2

BRENGE – Vallë, a do të bëhet ndonjëherë Shqipëria, atdheu i të gjithë shqiptarëve?/

Nga Alma LIÇO/

Të ulur në sediljet e përparme të tramvajit, po ndiqnim qetësisht rrëshqitjen e njëtrajtshme mbi shinat mes platformave të mbuluara nga dëbora. Për shkak të mosnjohjes së gjuhës gjermane, prania e tim shoqi, më ofronte një relaks dhe siguri të veçantë.

Sapo kishim lënë pas stacionin Kirchheim – Rathaus. Flokët e bardhë preknin lehtas  xhamat  e dritareve, për t’u shformuar butësisht, e krijuar më pas bulëza të shëndritshme uji, të cilat rrëshqisnin ngadalë përgjatë tyre. Ato bulëza të kristalta, tentonin të krijonin gropëza të vogla në sipërfaqen e shkrifët të dëborës që shtrihej njëtrajtshmërisht përgjatë shinave.

Disi të përgjumura, para syve tanë dukej sikur fluturonin godina mbresëlënëse të stilit “Gotik”. Çatitë e tyre të pjerrta, ishin zbardhur pjesërisht nga dëbora. Dritaret e papafingove, fasadat dhe ballkonet e mahnitshëm, shpalosnin vlerat arkitektonike të ruajtura me aq kujdes e dashuri.

Dhjetë minuta më pas, tramvaji u ndal në stacionin  “Montpellierbrücke”, i cili ndodhej disa minuta larg qendrës së Heidelbergut. Zbritëm nxitimthi prej tij, për të mbërritur orarin e caktuar të takimit në njerën nga zyrat e rregjistrimit. Isha ndër banoret më të reja të atij qyteti.

Ndonëse kisha çadër me vete, preferova të mos e hapja. Dëshiroja të kisha kontakt të drejtpërdrejtë me qiellin e përhimtë, që ngjasonte i mbuluar nga një vello e bardhë që shtrihej mbi supet e tij gjigande. Doja të shijoja freskinë e kristaleve të dëborës, që si flutura të bardha më preknin e përkëdhelnin fytyrën. U mjaftova me kapuçin e xhupit që vendosa për të mbrojtur flokët, si dhe mbylljen e kujdesshme të zinxhirit të çantës së dorës.

Disa metra më tej, dalluam semaforin me llampë të kuqe. Ecëm drejt tij. Sakaq, dy vajza bjonde ishin ndalur e po prisnin sinjalin e blertë. Çantat shumëngjyrëshe që mbanin mbi supe, ishin nga ato që përdoren për të vendosur librat e shkollës. Spontaniteti dhe çiltërsia rinore dallohej lehtësisht në sjelljen e tyre. Me sa dukej ishin përfshirë në një bashkëbisedim të këndshëm, pasi herë pas here qeshnin hareshëm.

Drita e gjelbërt e semaforit na ftoi të kalonim në anën tjetër të rrugës. Buzë trotuarit ndodhej godina me zyrat e rregjistrimit. Fasada prej xhamash të errët i jepte asaj një hijeshi të veçantë, duke krijuar një kontrast të magjishëm me bardhësinë rreth e rrotull.

Disa minuta më pas, mbërritëm në hollin që ndodhej në pjesën e pasme të saj. Ajo ishte një sallë e ngrohtë, në të cilën ishin vendosur disa tavolina dhe karrike për personat që duhej paraprakisht të merrnin kontakt në sportelet e informacionit. Në krahun e djathtë të saj zhurmonin lehtësisht, në mënyrë ritmike dy aparate fotokopjimi. Aty pranë ndodheshin zarfa të madhësive të ndryshme, letra dhe një kuti postare, të gjitha këto në shërbim gratis të qytetarëve. Dallova katër-pesë persona të ulur qetësisht, teksa prisnin të pulsonte numri i tyre në monitorin që ndodhej përkarshi. Ishte mëse e dukshme se i përkisnin nacionaliteteve të ndryshme.

E rrethuar nga një ambient komod e mikpritës, mezi u kujtova të çvishja xhupin, i cili në atë sallë të ngrohtë ishte vërtet i tepërt. Nuk kaluan as dy minuta të ulur në ndenjëset pranë zyrës ku ishte planifikuar takimi ynë, kur një vajzë e këndshme, e veshur thjeshtë, na ftoi në zyrën e saj.

Pasi na uroi mirëseardhjen, u ul para kompjuterit dhe vijoi me proçedurën e rregjistrimit. Pyetjet që drejtonte, ishin të shprehura me një ton të kujdesshëm e miqësor.

Ishte kontakti i parë imi me një zyrë në shtetin gjerman. E mësuar me arrogancën fyese dhe sorollatjen denigruese të nëpunësve të institucioneve të vendit tim, isha befasuar nga ai trajtim aq njerëzor që po na ofrohej. Syve të saj të vëmendshem nuk i shpëtoi kjo gjë, dhe si për të qartësuar habinë time, u shpreh:

-Zonjë, unë ndodhem këtu për t’ju shërbyer, pikërisht për këtë paguhem.

Sado që dëshiroja të mos kujtoja trajtimin mizor, të shtrirë në vitet e mundimshme të një jete të mbushur me fshikullime dhe privacione, përballja me një model krejtësisht të ndryshëm, në një vend të huaj, që nuk më detyrohej aspak, ma bëri të pamundur këtë gjë. Në atë mozaik vuajtjesh e padrejtësish të pësuara, para syve të mi u çfaqën padronët e zinj të diktaturës dhe post diktaturës. Endërroja të ishte ndryshe, por më kot, hijenat ogurzeza të së kaluarës së largët, por dhe asaj të afërt,  ishin bashkëqytetarë të mi………….

……Ishte një ditë vere, kur drejtori më telefonoi se më priste urgjentisht në zyrën e tij. E parandjeva se diçka të keqe do të më komunikonte. Madje e prisja. Muajt e fundit ishin hedhur në rrugë shumë kolegë dhe miq të mi. Një furtunë e çmendur kundër gjithë atyre që nuk militonin për partinë e ardhur rishtas në pushtet, kishte përfshirë çdo qelizë të administratës shtetërore. Ndonëse puna që bëja nuk kishte aspak lidhje me politikën, kjo gjë nuk i pengonte ata, pinjollët e ricikluar të diktaturës, të shtypnin e përjashtonin nga e drejta dhe nevoja për të punuar e jetuar, të gjithë ata që nuk ishin shërbëtorë apo mbështetës të tyre. Në atë gjueti shtrigash që kishte nisur e nuk dinte të ndalej, në atë luftë të padrejtë përjashtuese, ashtu siç vetëm komunistët dijnë ta bëjnë, mbase më kishte ardhur rradha mua. Ndjehesha e pambrojtur, e angështuar, e fyer, ndërkohë që prisja ekzekutimin e dënimit tim të pa apelueshëm.

Hamendësimi nuk më “zhgënjeu”. Me një vetpërmbajtje vështirësisht të kontrolluar trokita në derën e zyrës së tij. Pa pritur të më përgjigjej, e hapa atë, dhe pasi shqiptova një “Mirëmëngjes” të thatë, u ula në njerën nga karriket që ishin vendosur përballë skrivanisë. Po prisja të më bënte të ditur përse më kishte thirrur. Disi nervoz, me sy gjysëm të ulur, të fiksuara pa asnjë kuptim mbi një stilolaps të vendosur mbi disa shkresurina të hedhura kuturu,  me një ton hipokrit, më tha:

-Motra! Nuk mund të vazhdosh më funksionin që kryen. Të tillë e kam urdhërin. Ti e di, kështu e kanë këto punë……….

Heshti për një çast. Dukej qartasi që nuk kishte mbaruar. Mezi po gëlltisja neverinë e asaj konfidence të pështirë  dhe tërësisht të pavend….Motra…..Unë motra e tij???… Cili vëlla do të sillej kësisoj??

I jargavitur, më tej vijoi……Ekziston një mënyrë që mund të vazhdosh punën, por duhet të paraqitesh një kërkesë transferimi prej këtu, në një funksion tjetër të një niveli  më të ulët…….kupton????……..Jam i bindur se do ta vlerësosh këtë sugjerim miqësor……po pres ta përgatisësh sa më parë këtë kërkesë dhe të ma sjellësh …..

Pasi shqiptoi këto fjalë,  mori një pamje disi triumfale. Mbase priste ta falenderoja për mundësinë “e artë” që po më ofronte. Duhej të ndjehesha e lumtur dhe mirënjohëse për propozimin fyes që më ofrohej si një lëmoshë mjerane. Ngriti sytë drejt meje, dhe po priste….. Çuditërisht, dukej mëse i sigurt se do pranoja pa hezitim propozimin e tij …….fundja, nuk isha e para që bëhesha viktimë e këtij  kalvari të turpshëm….kompromis për bukën e gojës….shumë e thjeshtë për të……e kishin pranuar përulësisht, shumë hallexhinj përpara meje. Kishin rënë të ngratët në këtë lloj gracke bllokuese, për t’u hedhur më pas pabesisht në rrugë,  por me një status e nivel shumë më të pafavorshëm nga ai që mbanin më parë. Dy herë të mashtruar e viktimizuar.

Ai burrë rreth të pesëdhjetave, në atë moment m’u duk i vogël, gati i padukshëm. Mjegulla e pabesisë e kishte shformuar tërësisht atë. Ishte shëmbëlltyra e skllavit mjeran të ideologjisë mizore të idhujve të tij, të cilët ideuan dhe zbatuan me zell në dhjetëra vite luftën përçarëse e vëllavrasëse të klasave. Ndjeva një pështjellim që po më merrte frymën. U ngrita nxitimthi nga karrikja, dhe prerazi i thashë se nuk kisha asnjë arsye të kërkoja me vullnetin tim “të lirë”, transferimin në një punë me status e pagë më të ulët.

– Bëni ç’të doni – i thashë, dhe tërhoqa derën pas vetes…………

Ashtu siç pritej, disa ditë më pas, më përjashtuan nga puna, duke më ndërprerë për rrjedhojë  edhe të ardhurat e përballimit të jetës modeste që bëja. Kësisoj, iu bashkova armatës së të papunëve që endeshin pa dobi me vite gjykatave, në kërkim të së drejtës së tyre të shkelur nga shteti dhunues neodiktatorial. Për gjithë ata të pashpresë, epilogu i kësaj lufte të pabarabartë mbyllej me një valixhe të mbushur me lot, zemërim e zhgënjim….majë një avioni apo trageti…..për t’ja mbathur  larg, larg.

…..Sakaq, nëpunësja gjermane kishte përfunduar detyrën e saj, dhe me të njejtën dashamirësi e mirësjellje, më ofroi një çantë me mbishkrimin “Willkommen”. Brenda saj ndodhej një katalog me pamjet më të bukura të qytetit. Me sa duket, këto dhurata simbolike, me mesazhe të vyera mbështetjeje dhe mikpritjeje njerëzore,  i rezervoheshin të gjithë banorëve të rinj të tij.  Kisha fatin të isha njera prej tyre dhe ta shijoja me emocion atë trajtim njerëzor të munguar.

Sakaq, dëbora e kishte ulur intensitetin e saj. Një diell që herë çfaqej e herë zhdukej pas reve të përhimta, i jepte asaj një vezullim të veçantë. Ndjehesha e ngazëllyer për eksperiencën emocionuese të asaj dite. Madje e mallëngjyer. Në mënyrë të pashmangshme, ajo ballafaqohej me padrejtësinë e vendit ku linda dhe kalova mes vuajtjeve dhe privacioneve gjithë jetën time.  Me një shtrëngim në zemër dhe vaj të kapërdirë, më mundonte dhe vijon të më trazojë pyetja e dhimbshme, për të cilën nuk arrij të formuloj dot një përgjigje:

-Vallë, do të bëhet ndonjëherë Shqipëria, atdheu i të gjithë shqiptarëve?????

 

Filed Under: Opinion Tagged With: a do te behet Shqiperia, Alma LIÇO, Atdhe, i gjithe shqiptareve

MISIONARI TRACKI DHE SHQIPNIA

July 17, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 Alfons_Tracki

DON ALFONS TRACKI  (1896 – 1946)/

DOSJA 1885…18 KORRIK 1946/

Njoftohët Drejtoria e Sigurimit të Shtetit në Tiranë, me shkresën  nr. 902/7: “…në bazë të vëndimit të dhënë me datën 17 korrik 1946, u ekzekutuan kriminelët : Llesh Marashi, Kol Ashiku, Nikoll Preng Dedaj dhe Don Alfons Tracki. I pari në litar. Dënimi i tyre në përgjithësi është konsideruar me vend nga i gjithë opinjoni. Vetëm për priftin Don Alfons Tracki, propaganda e klerit bëri që të kishte më tepër diskutime, kështu që u fol se si Don Alfonsi nuk e meritonte dënimin me vdekje, mbasi s’ishte kriminel, por u dënua si klerikal. Në anën katolike është ndjerë dhëmshuri për këtë.

                                                  Shef i Seksionit Shkodër(Zoji Themeli) d.v.

Në dokumentin e Sigurimit të Shkodres mungon emni i të pushkatuemit Kel Abati.

  • Don Alfonsi asht le nga prindët Jozef e Marta Tracki, në vitin 1896 në Breslau. I ati ishte oficer i gardës mbretnore. Don Alfonsi kishte edhe dy vëllazën të tjerë, Hansin dhe Gjergjin, që u vranë në Luftën e Dytë Botnore, ndërsa motra e tij Kordola mbas vitit 1944 nuk dihet ku ka përfundue. Alfonsi i ri, pa mbushë 17 vjet, vjen ushtar në Shqipni me forcat Austro-Hungareze. Mbas luftës vëndos me qëndrue këtu, pikërisht, kur Breslau i kalon Polonisë. Në natyrën e tij dallohet kjartë gërshetimi i karakterit të vendosun gjerman me besimtarin katolik polak. Lè në një anë armët e hekurta dhe rrokë armën ma të fuqishme të njerzimit, tue u ba përjetësisht ushtar i Krishtit në armatën Shqiptare. Ai e admiroi këtë armatë sëpse asht pikërisht ai kler që një vit maparë, bashkë me të gjithë atdhetarët Shqiptarë kishte ngritë nalt edhe njëherë flamurin e Gjergj Kastriotit, tue i ba të ditun botës se Shqiptarët janë këtu. Në Shqipni formon lidhje të ngushta miqësore me meshtarët Shqiptarë Don Kolec Prennushi, At Pjetër Meshkalla, vëllaznit Gazulli, që simpatizojnë Lëvizjen e malësorëve të Veriut kundër Zogut. Don Gjoni u var nga Zogu, ndërsa Don Nikolli u dënue me katër vjet burg në Gjinokastër. Për këtë lidhje edhe Tracki u nxuer jashtë nga Shqipnia nëpërmjet të Musa Jukës, i cili nuk e shihte me sy të mirë grumbullimin e rinisë shkodrane rreth Trackit. Ndërhymja e Bajraktarit të Shkrelit, Vat Marashi tek Zogu, e rikëthen Trackin në Shqipni, me kusht mos me qëndrue në Shkodër. Ai shkoi në qendrën malarike të Velipojës ku banonin malësorë të ramë nga Alpet. Në një kohë të shkurtë Ai mësoi mirë gjuhën shqipe gja e cila bani me u hy në zemër fshatarëve. Në Velipojë hapi një shkollë ku pergatiti disa Meshtarë dhe fshatarë të dijtun e studjues, nder të cilët asht kenë edhe Prof. Ndue Zef Toma.

Pasioni dhe njohja e zakonëve të Malësisë e vëndoste në krye të vendit, mbasi shumë shpesh, malësorët kishin nevojë për mendimin e priftit ndër kuvendët e tyne.

Merrej me pajtim gjaqësh dhe ishte kudo ku lypej me u shmangë vëllavrasja. Kjo arësye e shtyni shpesh me ndërhy edhe pranë organëve qeveritare për me shpëtue ndonjë që binte në duert e komandave naziste gjermane. Hausdingu e ftoi me shkue me ata…

  • Tracki ju përgjegj: “Jo, nuk vij me ju, mbasi nuk kam ardhë në Shqipni për qëllime politike, as ushtarake dhe, as si pushtues. Këtu unë kam Atdheun e dytë, Shqipninë, të cilit, i kam shërbye si Meshtar dhe këtu, due të vdes si Shqiptar!”. Ata ikën, ndërsa Tracki qëndroi këtu. Tracki nga Breslau në shpella të Maleve të Veriut…

E, pse? Për ata që njohin zonën e Shllakut asht e kjartë vuejtja dhe sakrifica që ka ba Tracki. Zoji Themeli, kryetar i Seksionit Mbrendshëm të Shkodrës më 31 dhetor 1945, njofton Drejtorinë e Mbrojtjës së Popullit në Tiranë: “Ju njoftoj se përveç Dom Alfons Trackit që gjindet në këtë qark, nuk ka elementa fetarë me kombësi gjermane.”

Në mes të natës së 12-13 shkurtit 1946, kur forcat e Ndjekjës nisën për në Dushman, mbasi ishte ba një vrasje atje gabojnë rrugë. Koha e keqe me shi kishte vështirsue kalimin. Prrojet kishin shpërthye. Brigada merr drejtimin kah shtegu i shpellës, jashtë së cilës atë natë bante roje Ndoc Jakova. Në shpellë ndigjohen disa krizma armësh që u shuen shpejt. I pari i ndigjoi Gjergj Vata, i cili i zgjoi shokët nga gjumi dhe po prisnin sinjalin prej Ndocit për me veprue. Nuk ndihej asgja. Mendojnë pse Ndoci nuk po i ban me dijtë, shka ndodhi!?.. Vrojtojnë me kujdes jashtë dhe vërejnë se aty afër ndigjohen ecje këpucësh ushtarake, që ushtojnë pak prej natës e pak prej gurve të kalldramit të rrugës. Pergatitën me ça rrethimin nga një shteg që nuk njihëj nga Ndjekja. I pari prinë Gjergj Vata, mbasi dinte shtigjet, ndersa të tjerët u nisën mbas tij.

Don Alfonsi nuk pranoi me marrë atë drejtim pa shkue deri tek vendi ku ishte Ndoci. Gjergji ka kundërshtue tue parashikue pritën. Don Alfonsi ishte i vendosun me shkue kah Ndoci, parandjente dishka të keqe dhe u nis. Kur mërrinë tek vendi gjenë Ndocin e plagosun randë… ishte i zhytun në gjak. Ndoci e njeh… Don Alfonsi i jep të zgjidhun, e kungon dhe e vojon, i çon kokën nga balta e pellgu i gjakut, e mbështetë për parzëm, i ban Kryq dhe qëndron me té derisa Ndoci jep Shpirt… Si një babë i mirë që shtërngon fort djalin  e vet në fund të jetës. Afrohën forcat e Ndjekjës. Don Alfonsi nuk lëvizë nga vendi, madje, u thotë: “Afronju, mos kini frikë se nuk kam armë, tashti ejani kur të doni se unë e kreva detyrën teme!…” E lidhën  me litar dhe e sollën rrëshanë në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës. Aty ra në duert e një krimineli fanatik, i pa ngopun me gjak klerikësh, tek katili Fadil Kapisyzi që për pesë muej nuk la gja pa ba në trupin e Trackit.

At Konrrad Gjolaj, nxanës i Trackit tregon në librin e Tij “Çinarët”, Klerikët që ka pasë përgatitë mësuesi Misionar Don Alfonsi në Shqipni para vitit 1945:

  1. Don Mark Xhani, masakrohet në Sigurim të Mirditës në 1945; 36 vjeç.
  2. Don Dedë Maçaj, pushkatohet ushtar në Permet, në 1947. 27 vjeç.
  3. Don Mark Bicaj, i mbytun në Sigurim, në 1948, 37 vjeç.
  4. Don Dedë Malaj, i pushkatuem buzë liqenit Shkodres në 1959, 42 vjeç.
  5. Don Ejëll Deda, vdes i torturuem në burg në vitin 1948, 31 vjeç.
  6. Don Mark Hasi, vdes mbas 21 vjetësh burg në Ballsh, në 1981, 60 vjeç.
  7. Don Nikoll Gjini, vdes mbas 24 vjetësh burg, në 1987, 76 vjeç.
  8. Don Anton Muzaj, vdes nga torturat e Sigurimit në 1948, 29 vjeç.
  9. Don Ndue Soku, mbas 10 vjetësh burg vdes në 1976, 54 vjeç.
  10. Don Lazer Sheldija, vritet nga Sigurimi shqiptar në USA, në 1988.
  11. Don Injac Gjoka, dënohet 10 vjet burg.
  12. At Konrrad Gjolaj, dënohet 20 vjet burg.
  13. At Zef Pllumbi, dënohet 25 vjet burg.

At Konrrad Gjolaj, në librin që i kushton Mësuesit vet Don Alfons Tracki, jo vetem na jep Portretin e plotë të Tij, po edhe virtytet e një Misionari gjerman që i kushton jeten e vet Popullit Shqiptar. Në fundin e Nandorit 1944, kur gjermanët po iknin nga Shqipnia, në Velipojë vritet një ushtar gjerman. Pasojat dihen…

Rreshtohen per vrasje nga forcat gjermane 100 Burra nga Velipoja… Po, askush nuk dinte cili asht vrasësi. Shkon i thirrun prej malsorëve nga Shkodra Don Alfonsi dhe bisedon me oficerat gjerman, të cilët i bindë se vrasësi “nuk ishte Shqiptar”…

Të 100 Burrat lirohen dhe shkojnë shndosh nder shtëpijat e veta…

Per me shfarosë Burrat e Velipojës, loja e vrasjes së “ushtarit gjerman” ishte pergatitë dhe zbatue nga forcat komuniste jugosllave… Fati me e zbulue Misionari Tracki…

  • Po varrin ku e ka Ky Burrë që punoi, edukoi dhe shpetoi sa jetë Shqiptarësh edhe nder kampet naziste !? – Ate nuk e dijmë, se Ky ishte gjerman po, edhe Klerik Katolik…

Me kohen po zhduken jo vetem Veprat e mira të Këtyne Figurave të Mëdha… Po, edhe Emnat e Atyne që nuk kursyen as jeten per kenjen e Popullit Shqiptar n’ Europë!

Nga një bisedë me të Ndjerin Gjenarin Topalli në vitin 1996, më ka tregue: “Se, një ditë, kur punonte në gropat e gelqeres mbas Murit Gjakut, të Vorreve të Rrëmajit, Ai kishte mujtë me futë në një thes shumë Eshtna të pushkatuemish nën çinarët e Vorrezave. Ata Eshtna i kishte ruejtë me shpresen e një dite, që mund të vertetohen të kujt janë? Kishte besim se Ata janë pikrisht të Asaj gropë ku asht hjedhë i vramë edhe Don Alfons Tracki.

Vendi i Eshtnave të nesermen asht kthye në gropë gelqerje, po Gjenarini thesin e kishte futë në një vend të sigurt në pritje të varrosjes së Tyne…”

Po, kriminelët gjaksorë që nuk lane gja pa i ba Shqipnisë, ua lane trashigim krimin dhe vrasjen.., fëmijve të tyne bashkë me “rilindjen” e pushtetit !

  • Një etje e madhe me zhdukë Figurat e Mëdha Atdhetare me pikpamje Europjane!

***

Ah Shqipni, Shqipni…

Nuk mërrijte kurr me kuptue,

Se nga Vermoshi e deri poshtë në Greqi,

Sllavët komunistë nuk ngopen tue t’ pa t’ veshun zi…

E çka asht ma e keqja, “shqiptari” Shqiptarin.., do me zhbij…

            Melbourne, Korrik 2018.

Filed Under: Opinion Tagged With: DHE SHQIPNIA ..., Fritz radovani, MISIONARI TRACKI

Amarcord për dy poetët e Librazhdit

July 17, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Ilir Levonja

1 Memorial genc Leka e Blloshmi

1) Më 17 korrik të vitit 1977 u pushkatuan dy krijues të rinj, Genci Leka dhe Vilson Blloshmi. Pra plot dyzetë vite më parë. Kësisoj është një përvjetor i madh. Ashtu siç jemi mësuar ne me datat e tilla kyçe. Dy krijues që në një qytet provincial si Librazhdi, mëkonin artin modern, konceptin mbi lirinë e metaforës dhe përdorimin e saj. Në fakt ishin prirje normale për dy të talentuar, ndryshe nuk ka se si je i tillë kur nuk eksperimenton. Se bota e poetikës është dhe hileqare e madhe, të fut në kurthin e saj duke të të mbushur mendjen se je ne rregull, je poet dhe ti bluan fjalë, poezi fjalë, jo metaforë. Megjithëse e vërteta e madhe qëndron kur ajo lëviz mes përmes maleve të mendimit, jo përmes fjalëve. Se i bie të jesh si ai fëmija motak që luan njëzetë e katër orë me të njëjtat lodra.  Më poshtë po sjell ca fakte  që na nxjerrin sytë,  për të kuptuar këtë shëmtinë e vërtetë tonë, në asgjësimin e njëri-tjetrit nga e ashtuquajtura lufta e klasave. Nuk ishin më shumë se, i pari Vilsoni 29 vjeç dhe i dyti Genci 36. Dispononin bibliotekë personale me një numër ekzplarësh nga letërsi shqipe dhe botërore prej 700 syresh. Kush ka pak njohuri raftesh librash, e kupton menjëherë se çfarë do të thotë kjo për dy intelektualë të rinj. Çfarë domethënie ka një pasuri e tillë në raport me ato bibliotekat e shkollave. Plot 39 jeniçerë të diktaturës së proletariatit u angazhuan për thurjen, ngritjen, shpalosjen e intrigës, akt akuzës për agjitacion kundër pushtetit popullor. Dhe më ulta akoma, si hajdutë dhe sabotatarë në kalbëzimin e patates. . Plot 39 persona u paguan…, llogaritini vetë orët e punës, nga viti 1975 kur u futën në rrethin e kuq. Po tu shtohet edhe numri i deshmitarëve, shifra shkon në 139. Megjithëse flitet për një lloj parashenjimi të mëhershëm, për shkak të prejardhjes së tyre nga familje të deglasuara etj.., deri në natën e 17 korrikut kur dhe u pushkatuan. Madje thuhet se në ato orët e fundit kur po afrohej  ekzekutimi, në qelinë përbri, mbanin me hape gjumi a kushedi se çfarë lloj droge në një gjumë të thellë, vëllain e Vilsonit, Bedri Blloshmin. Thuhet se të parin qëlluan Gencin. Jo rastësisht e qëlluan keq. Kur ky ulërinte nga dhimbjet, aty përbri i kërkonin Vilsonit të pranonte akuzat e stisura. Të pranonte të bëhej bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit në mënyrë të atillë që t’i falnin jetën. Thuhet se se që të dy ishin copash nga torturat, copash… Kjo ndodhte në 17 korrik 1977, pra si sot, plot 40 vjet më parë. Nuk fakt nuk ishin armiqtë e popullit, por dy mësues të Normales dhe Pedagogjikes në Elbasan. Dy institucione kulturore me bagazh gjuhësh të huaja dhe njohje të letërsisë për t’u admiruar. Ishin armiq të sajuar, aq në modë të diktaturës së proletariatit dhe luftës së klasave. Pjesë e atyre martirëve që Shqipëria nuk kishte asesi pse t’i bënt kurban.

2) Teksa i hodha një sy shtypit tonë, vura re se kjo poshtërsi sociale e shqiptarëve, e jona, nuk përkujtohet asgjëkundi. Jemi të përkryer për të mbuluar të pëgërat tona si puna e maces me hirin. Edhe pse të gjitha këto fakte vinë nga arshivat e shtetit tonë, dhe janë vetëm një e njëqinda e mënxyrave, pasi ky është një opinion i cekët, më shumë është indinjatë…., ne kurrë nuk u skuqëm. Kjo e ka shpjegimin në atë koeçidencën ironi kur njëri nga pjestarët e familjes Blloshmi shkoi tek avokati i popullit për një ankesë… Dhe gjeti aty në tavolinë, persekutorin, ish hetuesin e vet.

Në qenësi duhej të ndodhte si një pajtim i madh kombëtar me tiparet të faljes prej hebreut karshi holokaustit. Por nuk është e tillë. Ashtu siç edhe nuk është rastësi pozita e xhelatit me viktimën. Demokracia u kthye në një dëm të madh kombëtar qysh kur revoltat studentore u bënë pronë e teseristave të partisë së punës. Ndaj sot i gjen kudo, sa majtas dhe djathtas…, të gjithë persekutorët. Pa asnjë ndjesë publike, por të bindur se kanë bërë detyrën. Ashtu siç gjen një shpurë poetësh, që shkon e thuruin fjalë, jo mendime në inagurimin e një shtatore të vakët për Havzi Nelën. Nga ana tjetër janë simpatizues të xhelatëve dhe ekzekutuesve të poetit. Kjo është cekëtinë fjalësh dhe asesi një akademi vlerash poetike.

Dhe me që ra fjala e shtatoreve, edhe kjo e Gencit me Vilsonin, brenda logjikës përtokë sërisht. Edhe pse martirët kanë me hak monumentet…, por tek ne, siç edhe e kam theksuar, kultura jonë e mbrapshtë ia dedikon ato xhelatëve, kurse shtatoret viktimave të tyre. Thjesht sa për të kaluar radhën… pasi liria, fjala, pushteti, paraja, qielli, të gjitha janë të tyret. Kurse për viktimat veç toka dhe nëntoka.

Filed Under: Featured Tagged With: Amarcord, e Librazhdit, Ilir Levonja, për dy poetët

Trump dhe Putin bëjnë “hapat e parë” për përmirësimin e marrëdhënieve

July 16, 2018 by dgreca

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, thanë se kanë bërë “hapat e parë” për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të tyre.

1 trump-Putin takimi

Dy presidentët u takuan të hënën në Helsinki të Finlandës, në samitin e parë prejse Trump ka marrë detyrën në janar të vitit të kaluar.Putin i cilësoi bisedimet si “shumë të suksesshme dhe të dobishme” dhe tha se ai dhe Trump diskutuan për kontrollin e armëve, konfliktet në Siri dhe Ukrainë, tregtinë dhe çështje të tjera.

Në konferencën e përbashkët për media, pas katër orë bisedimesh, Putin tha se Trump ngriti çështjen e ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet në SHBA, më 2016, dhe përsëriti mohimin e tij për ndërhyrjen e Moskës.Në përgjigje të pyetjes së një gazetari, Putin tha se ai ka dashur që Trump t’i fitojë zgjedhjet, sepse i nominuari i Partisë Republikane ka shprehur dëshirën për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë.Trump tha se iu adresua Putinit drejtpërdrejt në lidhje me akuzat për ndërhyrje në zgjedhje dhe se ata kaluan “një pjesë të madhe të kohës” duke folur për këtë çështje.

Trump nuk ofroi detaje dhe nuk la të kuptohet se ka pasur ndonjë rezultat specifik nga ky diskutim.

Me këmbënguljen e një gazetari, Trump tha se Putin ka qenë “mjaft i fuqishëm” në mohimin e tij.Ai po ashtu përsëriti se nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së tij dhe Rusisë dhe tha se hetimet e zyrtarëve amerikanë në këtë çështje kanë shkaktuar “dëm serioz”.Presidenti amerikan u vu nën presion shtesë për të sfiduar Putinin, rreth ndërhyrjes së dyshuar, pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi më 13 korrik se një juri e madhe ka akuzuar 12 zyrtarë të inteligjencës ruse për piraterimin e kompjuterëve të Partisë Demokratike në SHBA dhe publikimin e emalileve të vjedhura dhe të informacioneve të tjera, gjatë fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara.Ka pasur po ashtu thirrje për anulimin e samitit në Helsinki, por Trump e mbrojti atë, duke thënë se diplomacia është vendimtare dhe se “dialogu produktiv” me Moskën është një gjë e mirë për SHBA-në, Rusinë dhe pjesën tjetër të botës.

Trump: Me Rusinë kemi 90% të armëve bërthamore
Ju lutem të prisni
 Të dy presidentët shprehën po ashtu dëshirën për bisedime për kontrollin e armëve.Putin tha se është e rëndësishme që të nisë dialogu për armët bërthamore dhe se ai ka bërë propozime konkrete në këtë fushë. Ai po ashtu tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara duhet të bisedojnë për zgjerimin e Traktatit START të vitit 2010, i cili ka vënë kufizime të reja mbi madhësinë e arsenalit bërthamor të të dyja vendeve.Ka qenë ky samiti i parë dypalësh i liderëve të të dyja vendeve qysh në prill të vitit 2010. Përpara takimit, Trump tha se shpreson se SHBA-ja dhe Rusia do të përfundojnë me “marrëdhënie të jashtëzakonshme” dhe se “bashkëpunimi me Rusinë është një gjë e mirë, jo një gjë e keqe”. Ai po ashtu tha se hetimet e agjencive amerikane mbi ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, i kanë përkeqësuar rëndë marrëdhëniet e Uashingtonit me Moskën.

“Marrëdhëniet tona me Rusinë nuk kanë qenë kurrë më të këqija, falë shumë viteve të marrëzisë dhe budallallëkut të SHBA-së dhe tani ‘gjuetisë së shtrigave’”, shkroi Trump në Twitter, duke iu referuar hetimeve që po bën këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller.

Ministria e Jashtme e Rusisë, e cila i ka akuzuar kundërshtarët e brendshëm të Trumpit dhe establishmentin amerikan për pengimin e përpjekjeve për përmirësimin e marrëdhënieve, e pëlqeu postimin e Trumpit.

Gjatë një takimi me presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto, përpara takimit me Putinin, Trump tha se se “NATO nuk ka qenë kurrë më e fuqishme dhe kurrë më e bashkuar”.

Komentet pasuan samitin e tensionuar të aleancës në Bruksel, më 11 dhe 12 korrik, ku vendet anëtare janë pajtuar që të rrisin shpenzimet në mbrojtje, nën presionin e Trumpit.

Përgatiti: Valona Tela-RFL

Filed Under: Analiza Tagged With: permiresohen marrdheniet, presidentet, Takimi, Trump-Putim

GJOKOVIQ, FITUES NE WIMBLEDON 2018

July 16, 2018 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI- Melbourne-Australi/

1 Gjokovic

NOVAK GJOKOVIQ  FITOI  TITULLIN  E  69/

 15 KORRIK 2018: WIMBLEDON  LONDER…/ ORA 23.10’ Tenisti Novak GJOKOVIQ ishte perballë tenistit Kevin ANDERSON.  Shkallat e mërritjes së Tyne deri tek finalja e Wimbledonit nuk ishin pa vështirsi.  Perballja me lojtarët e njohun të Botës së tenisit ishte nder ma të fortat e këtyne viteve.  Ishin afrue Kupës Wimbledonit Federer, Nadal, Gjokoviq, Anderson dhe Isner. Novak Gjokoviq u ndesh me Nadal dhe fitoi me rezultatin: 6-4; 3-6; 7-6; 3-6; 10-8.  

Ndersa, Kevin Anderson fitoi kunder Federer me rezultatin: 3-6; 6-7; 7-5; 6-4; 13-11.

Kjo do të thotë që finalja e Wimbledonit ishte meritë e ardhjes aty e dy tenistëve të cilët e mbyllen ndeshjen Finale me rezultatin 6 – 2; 6 – 2; 7 – 6 (7 – 3), të fitueme nga Gjokoviq. Gjokoviq asht edhe fitues i maparshem, ndersa Anderson ishte hera e parë si finalist.

Ndeshja ishte me të vertetë e bukur dhe me momente që terhiqte vemendjen e shikuesit deri në brohoritje dhe duertrokitje edhe per lojtarin kundershtarë me lojen e tij. Sot nder fushat e tenisit botnor shohim gjithnjë publikun e apasionuem mbas një lojtari… Po, në raste të tilla nuk mundesh me qendrue indiferent ndaj momenteve vendimtare kur me një mjeshtri sportive dhe shumë të bukur loja ndryshon edhe ekujlibrin e saj. Forca e një lojtari ndoshta, dikur ishte sasia e asis që bante njeni apo tjetri. Ndersa sot, asht edhe mjeshtria e mbajtjes së topit në fushë derisa njeni nga lojtarët fiton piken e lojës… Nuk ishte asgja e pa parashikueme mbasi lojtari Anderson, shkelqen në teknikë kalimi topit në fushen e kundershtarit, tue shfrytzue cepet ansore të fundit fushës.

Gjokoviq në këte ndeshje ka fitue titullin e 69 të kampionit në karrieren e tij si tenist. Ardhja e Tij mbas një periudhe me probleme shndetsore dhe, fitoria e kunorzueme me Kupen e Kampionit të tenisit në Wimbledon, na ngjallë dëshiren per fitore të tjera nga Novak Gjokoviq, tue i urue edhe shndet të plotë per kampionatet e ardhshme!

Suksese per Ju i nderuem Novak Gjokoviq, per arritjen e majave të fitores, që nuk janë të panjohuna per Ju! Suksese dhe shndet z. Nole Gjokoviq!

            Melbourne, 16 Korrik 2018.

 

Filed Under: Sport Tagged With: FITOI TITULLIN E 69, Fritz radovani, NOVAK GJOKOVIQ

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT