• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR THRRET ATDHEU, ISH PRESIDENTËT PËRGJIGJEN, SË BASHKU

December 4, 2020 by dgreca

Nga Frank SHKRELI- Kryetari i Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve me akronimin CDC, paralajmëroi vendin se për tre muajt e ardhëshëm, Shtetet e Bashkuara mund të përballen me krizën më të madhe shëndetësore që kemi parë deri tani.  Drejtori i CDC, Dr. Robert Redfield u bëri thrirje amerikanëve që të dyfishojnë masat e kujdesit duke vendosur maskën, që të  praktikojnë higjienën duke larë duartë dhe duke ruajtur distancën me njëri tjetrin.  “Realiteti është se Dhjetori, Janari dhe Shkurti do të jenë të vështirë”, duke shtuar se, “në të vërtetë kjo periudhë mund të jetë koha më e vështirë në historinë e shëndetit në këtë vend”, paralajmëroi Kryemjeku amerikan.

Këshilltarët e entit qeveritar amerikan, US Food and Drug Administreation (FDA) do të takohen me 10 Dhjetor për të diskutuar nëse do të rekomandojnë përdorimin e vaksinës anti-Covid-19 të prodhuar tanimë nga kompania Pfizer e që thuhet se është 95 % efektive në parandalimin dhe trajtimin e virusit të përhapur anë e mbanë botës.

Problemi është se megjithë përparimin në prodhimin e vaksinës nga Pfizer dhe kompani të tjera, si dhe megjithë provat e bëra deri tani se vaksina është 95% efektshëme, ka shënja se madje edhe përball rreziqeve që paraqet virusi Covid-19 për amerikanët dhe për botën, një përqindje e konsiderueshme njerëzish – të cilët kanë frikë nga efektet negative anësore që mund të ketë vaksina — janë shprehur se do të hesitojnë  ose do të kundërshtojnë të marrin vaksinat kundër Covid -19. 

Të shqetësuar nga ky reagim nga një përqindje e amerikanëve ndaj vaksinës anti-Covid-19,  tre ish-presidentët amerikanë, Bill Klinton, Xhorxh Bush dhe Barak Obama njoftuan se për të bindur amerikanët se vaksina anti-virus është e sigurt dhe se lufton virusin, kanë vendosur të marrin vaksinën “live” në televizion, menjëherë pasi të jetë aprovuar, për tu përdorur,  nga entet përkatëse të Qeverisë Federale të Shteteteve të Bashkuara, me qëllim për të inkurajuar ata që dyshojnë në përfitimet që vijnë nga vaksina kundër virusit Covid-19.

Former Presidents Obama, George W. Bush, and Bill Clinton pose for cameras during the 2017 Presidents Cup at Liberty National Golf Club in Jersey City, New Jersey.

Familja Bush, historikisht, ka qenë gjithmonë e para për fushata të tilla për të promovuar kauza me rëndësi humanitare dhe shëndetësore, në raste fatkeqësishë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.  Në të kaluarën, përpjekjeve të familjes Bush u janë bashkanagajitur edhe ish-presidentët e tjerë, përfshir Klintonin dhe Obamën.  Siç ishte rasti, 3-vjetë më parë, kur 5 ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara, republikanët Xhorxh H. W. Bush i vjetër, Xhorxh W. Bush i ri dhe demokratët Xhimi Karter, Bill Klinton dhe Barak Obama,  u bashkuan për të themeluar, “Apeli i Një Amerike”, me qëllim mbledhjen e fondeve urgjente për viktimat e uraganit Harvi në shtetin Teksas dhe të uraganit Irma, në shtetin Florida.  Apeli i “Një Amerike” ishte një thirrje e përbashkët nga pesë ish-presidentët amerikanë me qëllim për të inkurajuar bashkqytetarët e vet që të mbështesin përpjekjet për rimbkëmbjen e viktimave të uraganit Harvi në Teksas dhe uraganit Irma në Florida, si pasojë e  fatkeqësive natyrore, që patën shkaktuar vërshime të mëdha shkatërruese,  para tre viteve, në pjesën jugore dhe jug-perëndimore të Amerikës.

Përhapja e virusit Covid-19 këtë vit është një fatkeqësi shëndetësore e përmasave historike, jo vetëm këtu në Shtetet e Bashkuara, por edhe anë e mbanë botës.  Është vërtetë një situatë emergjente kombëtare që kërkon mirëkuptim due bashkpunimin e të gjithë elementëve të shoqërisë, sidomos të enteve qeveritare vendimarrëse, por edhe të politikës dhe të figurave kombëtare, siç janë ish-presidentët amerikanë.

Nuk është se këta politikanë të lartë amerikanë – në rolin e tyre dikur si presidentë dhe tani si ish-presidentë – të mos kenë gjithnjë ndryshimet politike dhe partiake midis tyre — por është traditë në këtë vend, që në raste emergjente kombëtare, siç është përhapja e Covid-19, pikpamjet dhe qëndrimet politike lihen mënjanë, duke u bashkuar për të përballur, si është më mirë, sfida të tilla që prekin të gjithë shtetasit e këtij vendi, pa dallim, status shoqëror ose politik.  

Një bashkpunim si ky midis zotërinjve Obama, Bush e Klinton për të ndërgjegjësuar shoqërinë amerikane të marrë vaksinën kundër Covid-19 kur të aprovohet, përfundimisht, nga entet përkatëse amerikane për të treguar publikisht se është e sigurt për tu marrë kundër virusit i ka rrënjët në historinë e herëshme të republikës amerikane.  Kjo nismë nga ish-presidentët amerikanë,  është tipike e politikës amerikane – që tregon se për këto figura të politikës amerikane – qoftë në detyrë, qoftë në pension — interesat e kombit dhe nevojat e popullit përball një fatkqësie shëndetësore dhe sfidash siç paraqet Covid-19  për botën dhe për Amerikën,  janë gjithmonë mbi interesat personale, ekonomike, politike dhe partiake.

Ish-presidentët amerikanë, Bush i riu, Obama e Klinton po bëjnë detyrën e tyre humane dhe patriotike për të ndërgjegjësuar bashkatdhetarët e vet ndaj seriozitetit që paraqet kjo pandemi, nga e cila deri më tani, fatkeqësisht,  në Shtetet e Bashkuara kanë gjetur vdekjen mbi 250.000 veta.

Frank Shkreli

Hurricane Relief

Filed Under: Featured Tagged With: Atdheu, Frank shkreli, presidentet, se bashku

…Dhe topin nuk ka kush ta rrotullojë

September 10, 2020 by dgreca

Përgatiti: Alban Kolonjari-

“Ne faktikisht kemi vendosur që nuk do të përfshihemi në kampionatin e superiores gjatë këtij sezoni” ,shprehet Koço Kokëdhima, Presidenti i Apollonisë së Fierit në emisionin “Procesi Sportiv”. Klubet e Super Ligës shqiptare duhet të zbrisnin në fushën e lojës me datën 12 shtator 2020. Por një gjë e tillë nuk ka për të ndodhur. Në faqen e saj zyrtare FSHF, nuk ka asnjë njoftim zyrtar se kur do të fillojnë takimet e Super Ligës. Përveç kalendarit futbollistik, asnjë lajm tjetër.Por a është e drejtë që ndeshjet e Super Ligës të mos luhen dhe kampionati të mos fillojë. Përpara se të analizojmë vendimin e “Presidentëve” të Kategorisë Superiore le të lexojmë kërkesat e tyre:

1-Të ulet TVSH në masën 6%.

2.Të falen gjobat dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura.

3- Efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite.

4-Te miratohet Ligji i vërtetë i Sponsorizimeve, në vend të mashtrimit të qeverisë, që sot propagandohet si Ligj Sponsorizimi për Sportin.

5-Të apelojmë komunitetin e futbollit shqiptar, që debuton brenda e jashtë kufijve tanë shtetërorë, bashkësinë e sporteve të tjera, inteligjencën dhe shoqërinë shqiptare, të bashkohen me luftën tonë të drejtë e të ligjshme.

Ok. Kërkesat e tyre për një minutë po i quaj shumë të drejta. Por pyetja që shtrohet është:”me ç’të drejtë “Presidentët” marrin përsipër të ndalojnë futbollin e luajtur në Shqipëri”?. Mos u çudisni me pyetje time. I vetmi klub privat në Shqipëri është Partizani. Nëntë klubet e tjera nga 10-të të Kategorisë Superiore, janë klube që ende varen nga Bashkitë dhe kanë Presidentë Sponsorizues duke përfshirë ketu edhe klubet e Kategorisë së Parë dhe asaj të Dytë. E theksoj edhe një herë President Sponsorizues. Këta Presidentë kërkojnë:”Te miratohet Ligji i vërtetë i Sponsorizimeve, në vend të mashtrimit të qeverisë, që sot propagandohet si Ligj Sponsorizimi për Sportin”. Presidentët nuk janë të qartë se çfarë është:”Ligji i vërtetë i Sponsorizimeve” dhe ku çalon Ligji për Sponsorizimin në Sport. Ku është ndryshimi midis ligjit ekzistues dhe ligjit që ata propozojnë  dhe pse nuk bëhet publik ky ligj. Sot duhet të flasim me fakte dhe jo të rrahim ujin në hava. Në bazë të formulës: “President sponsorizues” shumë klube në Shqipëri, kanë pasur probleme të mëdha finaciare dhe klube me emër në futbollin shqiptar, Luftëtari, Flamuartari, Lushnja, Besa, etj luajnë në kategori të ulta. Kur merr përsipër të drejtosh një klub me finacat e tua në bazë të sponsorizimit, do të thotë që i ke dalë për zot të mbulosh të gjitha shpenzimet e klubit, kontratat e futbollisteve, pagat e tranjerëve, të punojsëve të klubit, etj. E gjithë shuma e sponsorizuar raportohet në shtet, dhe ky i fundit duhet të ulë taksat e biznesit privat që ky President Sponsorizues drejton. Jo në pak raste klubet e futbollit në Shqipëri kanë përfunduar në zyrën e zgjidhjes së konflikteve, si pranë FSHF, por edhe në FIFA, pikërisht sepse këta presidentë nuk kanë respektuar kontratat që kanë me futbollistët. Por ata që dënohen në këtë rast janë klubet shqiptare, dhe jo Presidentët.  Ateherë me të drejtë shtrohet pyetja:Pse Presidentët vazhdojnë të kembëngulin tek ligji i sponsorizimeve dhe nuk shikojnë mundësinë e krijimit të klubeve 100% private siç është Partizani?. Të kuqtë janë i vetmi klub në Shqipëri që kanë të drejtën që të kërojnë:”uljen e TVSH në masën 6″. Presidentët Sponsorizues këkrojnë:”Efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite”. Në të gjithë botën (lojtarët në këtë rast), ata që janë në marrëdhenie me punën paguajnë tatimet e tyre në bazë të të ardhurave por edhe sigurimet shoqërore në mënyrë që nesër të kënë mundësinë e një pensioni dhe këtë Presidentët e dinë mirë, ata duhet të paguajnë një pjesë të këtyre taksave sipas ligjeve në fuqi. Ligjet në Shqipëri janë. Problemi kryesor qëndron në atë që unë personalisht e quaj:”bajraktarizimi” i futbollit shqiptar, ku një person i vetëm merr përsipër të drejtojë një klub i vetëm. “Unë jam sponsori, unë jam Presidenti, unë vendos”. Shpenzimet në futboll, por edhe në sportet e tjera, janë të mëdha dhe një përson i vetëm sado i pasur qëtë jetë e ka të vështirë të mbulojë gjithçka dhe për më tepër në Shqipëri, ku të ardhuart nga sporti janë shumë të vogla në raport me shpeznimet. Imagjinoni që shpëtim i vetëm për klubet shqiptare janë pjesmarja e tyre në kompeticionet europiane. Klubet shqiptare fërkojnë duart kur arrijnë të marrin të ardhura nga UEFA. Une mendoj që i vetmi shpëtim për futbollin në Shqipëri është privatizimi i klubeve shqiptare dhe krijimi i shoqërive aksionere. Tirana, Vllaznia, Teuta, Flamurtari etj kanë simpatizanë të cilët kanë biznese të fuqishme në Shqipëri, dhe që kanë dëshirë ti afrohen futbollit, por që qëndrojnë larg, pasi “mullari” me problemet finaciare të trashëguara nga klubet për vite me rradhë bëjnë që ata të mos jenë pjesë e një revolucioni sportiv në Shqipëri siç është privatizimi 100% i klubeve shqiptare.  Problemt finaciare janë krijuar nga ish presidentë apo edhe presidentët aktualë, të cilët me të drejtë kërkojnë që në rast privatizimi klubi, shuma që ata kanë sponsorizuar tu merret parasysh dhe ata të jenë pjesë e shoqatës aksionere që do të krijohet. Lëmshi i krijuar është vështirë të zgjidhet. Tirana vuajti për sezone me rradhë borxhin e akomuluar nga ish presidentët, por rregullimi i finacave po i jep shpresë klubit bardheblu për kalimin e situatës. Por klube të tjera, si Flamurtari, Vllaznia, Elbasani, Dinamo etj, duhet të gjejnë me shumë kurajo në të mirë të futbollit, formulën e faljes, çfarë do të thotë ata që kanë sponsorizuar deri tani duhet të heqin dorë nga kërkesat e tyre, në mënyrë që klubi dhe futbolli shqiptar të kenë mundësinë të ecin përpara. Deri sa trokitën në dyert e klubeve me dëshirën për të sponsorizuar duhet të gjejnë edhe dëshirën për tu larguar. Ndërsa Skëndërbeu është një lëmsh që vetëm ata që drejtojnë duhet ta zgjidhin në favor të futbolldashësve korçarë. “Ne do të protestojmë me qytetari e vendosmëri në bulevardet e Shqipërisë dhe nuk do të kthehemi më në fushat e blerta të stadiumeve, pa u përmbushur kërkesat tona. Ne do të bëjmë të njohur për opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar gjendjen katastrofike të klubeve shqiptare për shkak të politikave të gabuara e të papërgjegjëshme të shtetit dhe qeverisë shqiptare”, shprehet , Presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima. Në fakt zgjidhja nuk është kjo. FSHF dhe klubet shqiptare janë pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s. Ish miku i Kryeministrit Rama dhe sot opozitar i “flakë” e Tij, Koço Kokëdhima e di mirë që UEFA mund të ndërshkojë klubet shqiptare për mos rifillimin e kampionatit. Koço Kokëdhima e di mirë, që futbolli nuk luhet për portofolat e Presidentëve Sponsorizues, por për futbolldashësit. Dhe për më tepër çdo veprim politik i klubeve shqiptare do të ishte i prapanueshëm nga UEFA. Nga ana tjetër Kryeministri Rama, ka heshtur përballë kërkesave të Presidentëve të Kategorisë Superiore, të cilët janë të organizuar në Ligën Profesioniste të Shqipërisë ku bëjnë pjesë vetëm 10-të ekipit e Kategorisë Superiore.

DRITAN KADIA SEKRETARI I LIGËS PROFESIONISTE, shprehet për Vision Plus se:”Ky është një vendim unanim i të gjithë presidentëve të klubeve dhe ata i qëndrojnë fortë këtij vendimi. Arsyet pse natyrisht janë bërë dhe publike. Ata parasisht kushteve të vështira në të cilën ata punonin para pandemisë, koronavirusi ia thelloi dhe më shumë problematikat e tyre dhe me ndryshimet ligjore që bëhen për sponsorizime ata prisnin të kishin  lehtësira. Kjo gjë nuk ka ndodhur . Theksoj ligji vlen për të gjitha sportet dhe jo vetëm për futbollin.” Nga ana tjetër edhe shtëpia e futbollit shqiptar FSHF që organizon kampionatin hesht. Deri në përfundim të kësaj heshtje, topin nuk ka kush ta rrotollojë në Shqipëri. 

Filed Under: Sport Tagged With: Alban Kolonjari, Klubet e Superliges, presidentet

Trump dhe Putin bëjnë “hapat e parë” për përmirësimin e marrëdhënieve

July 16, 2018 by dgreca

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, thanë se kanë bërë “hapat e parë” për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të tyre.

1 trump-Putin takimi

Dy presidentët u takuan të hënën në Helsinki të Finlandës, në samitin e parë prejse Trump ka marrë detyrën në janar të vitit të kaluar.Putin i cilësoi bisedimet si “shumë të suksesshme dhe të dobishme” dhe tha se ai dhe Trump diskutuan për kontrollin e armëve, konfliktet në Siri dhe Ukrainë, tregtinë dhe çështje të tjera.

Në konferencën e përbashkët për media, pas katër orë bisedimesh, Putin tha se Trump ngriti çështjen e ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet në SHBA, më 2016, dhe përsëriti mohimin e tij për ndërhyrjen e Moskës.Në përgjigje të pyetjes së një gazetari, Putin tha se ai ka dashur që Trump t’i fitojë zgjedhjet, sepse i nominuari i Partisë Republikane ka shprehur dëshirën për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë.Trump tha se iu adresua Putinit drejtpërdrejt në lidhje me akuzat për ndërhyrje në zgjedhje dhe se ata kaluan “një pjesë të madhe të kohës” duke folur për këtë çështje.

Trump nuk ofroi detaje dhe nuk la të kuptohet se ka pasur ndonjë rezultat specifik nga ky diskutim.

Me këmbënguljen e një gazetari, Trump tha se Putin ka qenë “mjaft i fuqishëm” në mohimin e tij.Ai po ashtu përsëriti se nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së tij dhe Rusisë dhe tha se hetimet e zyrtarëve amerikanë në këtë çështje kanë shkaktuar “dëm serioz”.Presidenti amerikan u vu nën presion shtesë për të sfiduar Putinin, rreth ndërhyrjes së dyshuar, pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi më 13 korrik se një juri e madhe ka akuzuar 12 zyrtarë të inteligjencës ruse për piraterimin e kompjuterëve të Partisë Demokratike në SHBA dhe publikimin e emalileve të vjedhura dhe të informacioneve të tjera, gjatë fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara.Ka pasur po ashtu thirrje për anulimin e samitit në Helsinki, por Trump e mbrojti atë, duke thënë se diplomacia është vendimtare dhe se “dialogu produktiv” me Moskën është një gjë e mirë për SHBA-në, Rusinë dhe pjesën tjetër të botës.

Trump: Me Rusinë kemi 90% të armëve bërthamore
Ju lutem të prisni
 Të dy presidentët shprehën po ashtu dëshirën për bisedime për kontrollin e armëve.Putin tha se është e rëndësishme që të nisë dialogu për armët bërthamore dhe se ai ka bërë propozime konkrete në këtë fushë. Ai po ashtu tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara duhet të bisedojnë për zgjerimin e Traktatit START të vitit 2010, i cili ka vënë kufizime të reja mbi madhësinë e arsenalit bërthamor të të dyja vendeve.Ka qenë ky samiti i parë dypalësh i liderëve të të dyja vendeve qysh në prill të vitit 2010. Përpara takimit, Trump tha se shpreson se SHBA-ja dhe Rusia do të përfundojnë me “marrëdhënie të jashtëzakonshme” dhe se “bashkëpunimi me Rusinë është një gjë e mirë, jo një gjë e keqe”. Ai po ashtu tha se hetimet e agjencive amerikane mbi ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, i kanë përkeqësuar rëndë marrëdhëniet e Uashingtonit me Moskën.

“Marrëdhëniet tona me Rusinë nuk kanë qenë kurrë më të këqija, falë shumë viteve të marrëzisë dhe budallallëkut të SHBA-së dhe tani ‘gjuetisë së shtrigave’”, shkroi Trump në Twitter, duke iu referuar hetimeve që po bën këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller.

Ministria e Jashtme e Rusisë, e cila i ka akuzuar kundërshtarët e brendshëm të Trumpit dhe establishmentin amerikan për pengimin e përpjekjeve për përmirësimin e marrëdhënieve, e pëlqeu postimin e Trumpit.

Gjatë një takimi me presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto, përpara takimit me Putinin, Trump tha se se “NATO nuk ka qenë kurrë më e fuqishme dhe kurrë më e bashkuar”.

Komentet pasuan samitin e tensionuar të aleancës në Bruksel, më 11 dhe 12 korrik, ku vendet anëtare janë pajtuar që të rrisin shpenzimet në mbrojtje, nën presionin e Trumpit.

Përgatiti: Valona Tela-RFL

Filed Under: Analiza Tagged With: permiresohen marrdheniet, presidentet, Takimi, Trump-Putim

POLITIKA E JASHTME DHE FUSHATA PËR PRESIDENT TË SHBA

September 8, 2016 by dgreca

 

1-frank_shkreli

Nga Frank Shkreli/

Deri tani,  politika e jashtme dhe roli i Amerikës në botë nuk ka dominuar aq sa duhet debatin politik të fushatës presidenciale midis kandidates së Partisë Demokrate Hillary Clinton dhe kandidatit të Partisë Republikane Donald Trump.  Por ka giasë se javët e fundit të kësaj fushate për president të dominohen nga çështje me rëndësi të politikës së jashtëme, por edhe mbi rolin që Shtetet e Bashkuara kanë luajtur tradicionalisht në punët botërore gjatë pothuaj 100-viteve të fundit.

Zakonisht, gjendja ekonomike në vend dhe programet e kandidatëve për përmirësimin e saj, ato pra që cilësohen si “çështje të kuletës” (pocketbook issues), janë çështjet që vendosin se cili kandidat do fitojë në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare në nëntor, me fjalë të tjera cili është kandidati më i mirë që do të përmirsojë jetën ekonomike të familjeve amerikane.  Por duke marrë parasysh se megjithëse rritja e ekonomisë amerikane nuk është në nivelin që duhej të ishte, prapë se prapë ka shenja që tregojnë se ekonomia nuk është në krizë.  Sidomos kur të merret parasysh fakti se papunësia ndodhet në një nivel të ultë prej 4.9 për qind, në krahasim me katër vjet më parë kur papunësia ishte mbi 8 për qind. Rroga ndoshta nuk janë në nivelin e dëshirueshë, por të pakën njerzit mund të gjejnë punë po të duan.  Niveli i papunësisë midis 5 dhe 6 për qind, konsiderohet si normale këtu në Shtetet e Bashkuara.  Në këtë moment pra, duket se ekonomia nuk është një çështje me rëndësi dërmuese që do të shtyjë votuesin të votojë për njërin ose për tjetrin kandidat, por do të jenë një numër çështjesh përballë të cilave gjëndet Amerika, përfshirë politikën e jashtme, politikën mbrojtëse dhe të sigurirmit kombëtarsi dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë. Do të jetë vlerësimi i votuesve amerikanë se cili ndër kandidatët do të jetë më i zoti dhe cili prej tyre ka përvojën dhe parimet dhe vendosmërinë e nevojshme për të mbrojtur interesat e vendit në fushën ndërkombëtare përballë sfidave të tanishme dhe të ardhëshme gjatë mandatit katër  vjeçar.

Dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, kur votuesit amerikanë do të zgjedhin presidentin e tyre për katër vjetët e ardhëshme, bota duket se është në një gjëndje kaotike.  Presidenti/tja e ardhëshëme e Shteteve të Bashkuara, që në ditën e parë të mandatit do të përballet me një botë aspak stabile.  Vërejtësit e çështjeve ndërkombëtare paralajmërojnë re të zeza në horizontin ekonomik dhe politiko-ushtarak ndërkombëtar gjatë viteve në vijim.  Gjëndja në Lindjen e Mesme vazhdon të jetë lamsh e rrëmujë, pa ndonjl shpresë zgjidhjeje në një të ardhme të afërt.  Flirtimet e fundit të dy autokratëve evropianë presidentit turk, Erdogan me presidentin rus Putin, janë shkak shqetësimesh serioze për NATO-n në përgjithësi dhe për implikimet e këtij flirtimi për krahun jug-lindor të aleancës perëndimore, në veçanti.   Shqetësues dhe me rrjedha të pa-parashikueshme është edhe vendimi i votuesve britanikë për të dalur nga Bashkimi Europian, si edhe rritja e tensioneve politike dhe ushtarake në Azi midis Kinës dhe fqinjve të saj dhe rritja e tensioneve politike në Europën Lindore si rrjedhim i politikave agresive të Rusisë së Vladimir Putinit.  Përfshirë Korea  e Veriut dhe Iranin nuklear, janë vetëm disa prej çështjeve të menjëhershme me të cilat do të përballet udhëheqsi i ardhëshëm amerikan, përveç krizave të pa parashikueshme botërore të viteve të ardhëshme.   Historikisht, ka ndodhur që presidentë të ndryshëm amerikanë — republikanë dhe demokratë — të kenë shpenzuar më shumë kohë duke u marrë me krizat dhe konfliktet ndërkombëtare se sa me punët e mbrendshme dhe me nevojat e përditshme të qytetarëve amerikanë.

Kandidati republikan Donald Trump sheh një hapje në këtë mes që ai po përpiqet ta shfrytëzojë në vazhdim të fushatës së tij, duke paraqitur politikën e jashtme të administratës së Presidentit Obama — pjesë e të cilës ishte edhe Hillary Clinton si Sekretare Amerikane e Shtetit — si të dështuar.

Por problemi i Trump-it është mos përvoja e tij në fushën e politikës së jashtme dhe asaj ushtarake. Ai është i pa sprovuar në këtë fushë, ndërsa kritikët e tij janë të shqetësuar në lidhje me temparamentin e tij në marrëdhëniet me të huajt.   Donald Trump, nëqoftse siguron fitoren në nëntor – do të jetë presidenti i parë në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara, pa kurrfarë përvoje në fushën e politikës së jashtme dhe ushtarake, madje pa asnjë përvojë as në ndonjë administratë qeveritare.  Duke marrë parasyshë rëndësinë e politikës së jashtme si dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në botë, një shumicë amerikanësh – përfshirë këtu edhe një numër ish-zyrtarësh republikanë të diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare — janë shpallur kundër kandidaturës së Z. Trump, të shqetësuar pikërisht për mungesën e përvojës së tij në këtë fushë.

Ndërsa Hillary Clinton konsiderohet se ka më shumë përvojë në fushën e diplomacisë, falë shërbimit të saj si Sekretare amerikane e Shtetit dhe senatore – skandali me e-mailat e saja ka bërë që jo vetëm kundërshtari i saj politik për president Trump, por edhe vërejtës të tjerë të kritikojnë ashpër përvojën e saj në fushën e diplomacisë, duke thënë se mos kujdesi i saj në përdorimin e komunikimeve të fshehta përbën, sipas tyre, një rrezik ndaj sigurimit kombëtar të Shteteve të Bashkuara.  Pse u shlyen dhe çfarë fshihej në to është një pyetje që po shkakton kokëçarje për Zonjën Klinton si dhe probleme në lidhje me besueshmërinë ndaj  në përgjithësi, në radhët e votuesve amerikanë, përfshirë edhe vetë demokratët.

Është e pamundur të parashikohet se cilin prej kandidatëve, Hillary Klinton apo Donald Trump, do të zgjedhin votuesit amerikanë në fillim të nëntorit.  Por mbetet për tu pa nëse çështjet e sigurimit kombëtar dhe të politikës së jashtme amerikane do të jenë çështjet kryesore ose faktori kryesor që votuesit amerikanë do të përdorin për të vendosur se për cilin kandidat për president do të votojnë më 8 nëntor, 2016.  Por një gjë është e sigurt. Duke marrë parasyshë statusin që gëzojnë sot Shtetet e Bashkuara si fuqia numër një në botë, zgjedhja e cilit do prej tyre — për mirë ose për keq – dhe politika e tyre e jashtme që eventualisht do të ndjekin,  do të ketë pasoja të thella jo vetëm për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, por për mbarë botën.  Le të shpresojmë që kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara të jenë të vetdijshëm të këtij fakti.

Filed Under: Featured, Politike Tagged With: Frank shkreli, Fushata, Politika e jashtme, presidentet

Artikujt e fundit

  • AMBASADOR BLERIM REKA VIZITON VATRËN TË MËRKURËN NË ORËN 2 PM
  • PROF.DR. ZYMER NEZIRI LIGJËRATË NË VATËR TË ENJTEN MË 30 MARS ORA 6.30 PM
  • “Fëmijët shqiptarë të Kosovës – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë 1981 – 1999”
  • BOKSIERI SHQIPTAR KRISTIAN PRENGA — NJË MOMENT KRENARIE PËR TË GJITHË SHQIPTARËT KUDO
  • Dashuri dhe vdekje – Fati tragjik i prindërve të Karl Thopias
  • Kryeministri Kurti: Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë
  • Kosovë-Homazhe te Memoriali në Izbicë
  • Kryetari Glauk Konjufca takoi Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar
  • DR. ELONA SHEHI, A STORY OF SUCCESS AND INSPIRATION IN NEW YORK
  • Albania
  • 1 Prill “Bashkë për Drejtësi”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
  • Kryeministri Kurti përkujtoi 40 të vrarët në masakrën e lagjes “Dardania” në Pejë
  • JA PËRSE PUTINI NA KËRCËNON TË GJITHËVE NE
  • KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI
  • What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT