• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2018

Mashtrimet me slloganet e Sorosit për paqe të Hashim Thaçit

August 31, 2018 by dgreca

Nga Enver Bytyçi. /

Duket se një konflikt i hapur po zhvillohet midis presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të renditur në krah të Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj, të radhitur në anën e NATO-s. Pas një takimi që ata patën ditën e djeshme kanë vijuar deklaratat kundërshtuese sa i përket dialogut me Serbinë dhe diskutimit në tryezë të opsionit të ndarjes së Kosovës. Haradinaj është shprehur qartë: “Diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj fuqishëm të qëndroj kundër këtyre ideve shkatërruese dhe u bëj thirrje të gjitha vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare kontribuese për Kosovën, që të kundërshtojnë idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes” Ndërsa Thaçi iu përgjigj sot me slloganin “për paqe”, sllogan të huazuar nga Sorosi në funksion të “kompromisit me falje tërritoresh për Serbinë”! “Të gjitha shtetet perëndimore, aleatët tanë, garantuesit e paqes dhe sigurisë në Ballkan po bëjnë përpjekje dhe thirrje për paqe, stabilitet dhe arritje të marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje nënkupton njohje reciproke dhe perspektivë të sigurt të anëtarësimit të Kosovës në BE, NATO dhe OKB. Por, fatkeqësisht, individë të caktuar në vendin tonë, me veprimet e tyre po tentojnë të krijojnë panik dhe konfuzion. Kosova, përkundër kësaj, mbetet e përkushtuar për dialog dhe arritje të marrëveshjes paqësore përfundimtare. Thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë”, shkruan presidenti Thaçi. Nga deklarata e presidentit duket se kryeministri akuzohet se “ndjell luftën” dhe ai duke akuzuar kryeministrin na hiqet si “njeriu i paqes”! Kështu Thaçi po na shfaqet me degën e ullirit në dorë, sepse dikush e paska gënjyer se kësisoj do të marrë çmimin “Nobel për Paqen” bashkë me Vuçiqin dhe Edi Ramën. Kaq i marrosur është pas lavdisë fallco, sa harron se kompromisi i tij është “thirrje e akt për luftë e dhunë”, ndërsa opsioni që mbron kryeministri është dhe mbetet kusht për paqen. Nëse krerët e shteteve në botë do t’i kishin zgjidhur konfliktet me faljen e territoreve të vendeve ku ato drejtojnë, nuk kish mbet deri më sot asnjë konflikt pa zgjidhje. Cili vend në botë nuk pajtohet me një vend tjetër, kur vendi dhe populli i dhunuar dhe masakruar pranon t’ia flaë territoret e veta vendit agresor e dhunues?! Mesazhi që shfaqet në deklaratën e Thaçit është krejt i qartë: “Territore në këmbim të paqes! Territore në këmbim të integrimit! Territore në kombim të njohjes! Ndërsa dje u dha një fije shprese se presidenti i Kosovës nuk do të flasë më për humbjen e territoreve të vendit, sot ndryshoi melodia dhe filloi përsëri avazin e sulmeve kundër kryeministrit dhe kujtdo tjetri që është kundër faljes së territoreve. Ky është Hashim Thaçi, i pabesë, hipokrit, mashtrues, dhunues dhe imponues me arrogancën e një personi ordiner, por i maskuar me “degën e ullirit”, me sllogaet sorosiste të paqes. Mjeti arrin qëllimin! Ai nuk ka problem të përdorë çdo gjë, çdo mjet, mjafton të arrijë qëllimin e tij për ndarjen e territorit të Kosoëvs dhe ta mbajë fjalën e dhënë ndaj presidentit të Serbisë Vuçiq dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Para këtyre të dyve Thaçi është zotuar se edhe i vetëm do ta ndajë Kosovën. Në fakt ia ka arrit qëllimit. Thaçi e shndërroi Kosovën nga problem ndërkombëtar në një problem serb. Presidenti i Kosovës i hodhi në kosh të plehrave të gjitha përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës dhe kombit shqiptar si dhe ndërkombëtarëve për lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Thaçi është rrjeshtuar pro aleatëve të Serbisë dhe të Rusisë. Shihni sa ashpër rëagon kundër deklaratave që dy ambasadorët britanikë në Prishtinë dhe në Beograd, bëjnë për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës dhe asnjë fjalë nuk thotë kundër ambasadorit francez, i cili vazhdimisht shprehet se “kompromisi do të jetë i dhimbshëm”, duke nënkuptuar humbjen e territoreve nga ana e Kosovës. Nga aleat i NATO-s është shndërruar në aleat të Rusisë, Serbisë dhe miqve të tyre në Europë. Ndërsa Haradinaj mbahet fort në anën e orientimit euro-atlantik. Sllogani për paqen ishte aq i përhapur kur NATO bombardoi Serbinë më 24 mars 1999. Ishte sllogan kundër ndërhyrjes në Kosovë, ishte sllogan i përligjjes së politikave të Milosheviçit! Sot presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po bën të njejtën gjë, po përdor slloganin për paqe në funksion të një prej qëllimeve të Milosheviçit, ndarjes së Kosovës. Ruhuni nga gjarpëri! Gjarpërit i duhet shtyp koka, nëse doni të shpëtoni prej tij! Sa më shpejt ta largoni presidentin proserb të Kosovës nga tryeza e bisedimeve me Beogradin, aq më mirë do të bëhet për Kosovën, për rajonin, për Europën! Sa më gjatë të qëndrojë ai në atë tryezë, aq më dramatike, e pasigurt. madje shkatërruese do të jetë e ardhmja e Kosovës! Tiranë më 31.08.2018

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Enver Bytyci, Mashtrimet e Thaçit, Soros

Revista The Economist ka dekonspiruar planin e vërtetë të Thaçit

August 31, 2018 by dgreca

-Revista prestigjioze britanike, The Economist, ka dekonspiruar planin e vërtetë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për zgjidhjen e problemit mes dy vendeve të tyre. Sipas saj, plani i vërtetë i tyre mund të jetë njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, në këmbim të një autonomie për serbët brenda Kosovës.1 Thaci Vucic

“Fundi i luftërave jugosllave, 20 vjet më parë, ka lënë qindra mijëra njerëz në shtete të cilat ata nuk i konsiderojnë të tyret. E vështirë, thanë paqebërësit: rishikimi i kufijve vetëm do të çonte në më shumë luftë. Si rezultat, nja 120.000 serbëve mbeten në Kosovën me shumicë shqiptare; nja 60.000 shqiptarë jetojnë në Luginën e Preshevës, në Serbi”, shkruan The Economist.

“Udhëheqësit vendës prej kohësh pëlqejnë idenë e një shkëmbimi, por deri së voni Bashkimi Evropian dhe Amerika e kanë hedhur poshtë atë. Kjo ka ndryshuar. Federica Mogherini thuhet se dëshiron një marrëveshje për njohjen e Kosovës nga Serbia para përfundimit të mandatit të saj si përfaqësuese e lartë për punë të jashtme e BE’së, vitin e ardhshëm – dhe një këmbim territoresh mund të jetë një mënyrë për ta arritur këtë”, vazhdon shkrimi i revistës prestigjioze.
“Amerika më nuk e kundërshton idenë, sipas një deklarate të dhënë nga John Bolton, këshilltar për Siguri Kombëtare, më 24 gusht. Ndoshta kjo po ndodh falë entuziazmit trumpian për arritjen e marrëveshjeve, dhe për nacionalizmin”, thuhet më tej në këtë shkrim, transmeton Gazeta Express.“Zyrtarët serbë dhe kosovarë po ashtu janë të vendosur t’i përshpejtojnë gjërat para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, në majin e ardhshëm, sepse ato mund të sjellin një Komision më populist, anti-zgjerim”, vlerëson The Economist.

“Që më shumë se një muaj, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq, po japin deklarata të paqarta për një marrëveshje të mundshme. Këmbimi i paraparë është ai i veriut të Kosovës, të banuar nga serbët, për Luginën e Preshevës në Serbi, por banorët janë të përçarë rreth asaj nëse një gjë e tillë duhet të ndodhë, ose do të ndodhë”, shkruan revista.

“Shumë analistë besojnë se Thaçi dhe Vuçiq në fakt nuk kanë synim ndryshimin e kufijve, por po përgatiten për një marrëveshje në formën e një autonomie për serbët brenda Kosovës, në shkëmbim të njohjes së pavarësisë. Ndonëse që të dyja palët do ta urrejnë këtë marrëveshje, të paktën udhëheqësit e tyre do të mund të thonë se e kanë ruajtur territorin e tyre të çmueshëm”, vazhdon shkrimi i The Economist.

“Por, nëse kufijtë këtu ridefinohen përnjëmend, çfarë do të ndodhë me ato të Maqedonisë, pak kilometra përtej, ku një çerek i popullsisë përbëhet nga shqiptarët? Dhe çfarë do të ndodhë me ato të Bosnjës, ku Millorad Dodik, udhëheqës i serbëve të atjeshëm, që dëshiron pavarësinë nga Bosnja, thotë – duke përdorur gjuhë qëllimisht të paqartë – se serbët e rajonit duhet të nënvizojnë çfarë është e tyre, dhe çfarë është e fqinjve të tyre? I pyetur për rrezikun e një konflikti, Shaip Kamberi, kryetari shqiptar i Bujanovcit, në Luginën e Preshevës, thotë: ‘Ne jemi ne ata që po e hapim Kutinë e Pandorës. Ne jemi vetë kutia!’, përfundon revista shkrimin e saj. /Express/

 

***

The leaders of Kosovo and Serbia talk about swapping land

The Economist, 30 gusht 2018- Their real plan may be to swap Serbian recognition of Kosovo for Serbian autonomy within it

THE end of the Yugoslav wars 20 years ago left hundreds of thousands of people in states they did not regard as their own. Tough, said the peacemakers: redrawing borders would only lead to more conflict. As a result, some 120,000 Serbs remain in ethnic Albanian-dominated Kosovo; some 60,000 ethnic Albanians live in the Presevo valley in Serbia.

Some local leaders have long been keen on a swap, but until recently the EU and America have discouraged the idea. That has changed. Federica Mogherini is said to want an agreement on Serbian recognition of Kosovo by the end of her term as the EU’s high representative for foreign affairs next year, and a land swap could be one way of getting one. America no longer opposes the idea, according to a remark by John Bolton, the national security adviser, on August 24th. Perhaps that is thanks to Trumpian enthuiasm for doing deals, and for nationalism. Serb and Kosovar officials are also keen to hurry things along before European parliamentary elections next May, because they may herald a more populist, anti-enlargement Commission……….(Lexo me shume ne The Economist)

Filed Under: Politike Tagged With: dekonspiron, Planin Thaci, The Economist

Thaçi: Tentime për panik dhe konfuzion, Haradinaj: Jo skenareve te rrezikshem!

August 31, 2018 by dgreca

-Thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë.-

1 Thaci dekPRISHTINË, 31 Gusht 2018-Gazeta DIELLI/  Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi sot se, “thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë”.Postimi i plotë në ‘facebook’:

Të gjitha shtetet perëndimore, aleatët tanë, garantuesit e paqes dhe sigurisë në Ballkan po bëjnë përpjekje dhe thirrje për paqe, stabilitet dhe arritje të marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje nënkupton njohje reciproke dhe perspektivë të sigurt të anëtarësimit të Kosovës në BE, NATO dhe OKB. Por, fatkeqësisht, individë të caktuar në vendin tonë, me veprimet e tyre po tentojnë të krijojnë panik dhe konfuzion. Kosova, përkundër kësaj, mbetet e përkushtuar për dialog dhe arritje të marrëveshjes paqësore përfundimtare. Thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë. HTH

***

Mesazhi i Presidentit erdhi pas nje prononcimi te kryeministrit Haradinaj:

Kosovë-Haradinaj: Nuk duam të hyjmë përsëri në skenarë të rrezikshëm

– Populli i Kosovës është falënderues për angazhimin afatgjatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe vendeve tjera mike të bashkësisë ndërkombëtare në vendin tonë/

PRISHTINË, 31 Gusht 2018-Gazeta DIELLI/  “Kemi paguar një çmim të shtrenjtë për paqen që kemi sot dhe ne nuk duam të hyjmë përsëri në skenarë të rrezikshëm për të rifilluar një ndërhyrje të re të NATO-s”, deklaroi sot Kryeministri i Kosovës,  Ramush Haradinaj.

Ai theksoi se, “diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan” dhe se, “si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj fuqishëm të qëndroj kundër këtyre ideve shkatërruese dhe u bëj thirrje të gjitha vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare kontribuese për Kosovën, që të kundërshtojnë idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes”.

Postimi i plotë i Kryeministrit Haradinajt sot në ‘facebook’:Populli i Kosovës është falënderues për angazhimin afatgjatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe vendeve tjera mike të bashkësisë ndërkombëtare në vendin tonë. Ne jemi gjithmonë mirënjohës për rolin, mbështetjen dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në të gjitha proceset e ndërtimit dhe konsolidimit të shtetësisë së Kosovës, forcimit të institucioneve tona dhe avancimit të paqes dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Për më shumë se dy dekada, populli i Kosovës është përkushtuar të përballet me trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës shkatërruese dhe të kaloi në frymën e pajtimit dhe faljes dhe është jetësisht i vendosur për mbrojtjen, promovimin dhe respektimin e diversitetit në vendin tonë.

Të shtyrë nga objektivi ynë strategjik për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike, ne kontribuojmë në vazhdimësi për një pajtim të qëndrueshëm që lejon rajonin tonë të lëvizë përtej konflikteve të së kaluarës sonë dhe të krijojë lidhje të reja të bashkëpunimit rajonal.

Kemi qenë të vendosur dhe kemi punuar pandalshëm, në veçanti, për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë, duke përfshirë Republikën e Serbisë. Kemi paguar një çmim të shtrenjtë për paqen që kemi sot dhe ne nuk duam të hyjmë përsëri në skenarë të rrezikshëm për të rifilluar një ndërhyrje të re të NATO-s.

Marrëveshja Përfundimtare Ligjërisht e Obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë një hap vendimtar për sigurimin e stabilitetit dhe paqes në rajonin tonë. Njohja reciproke dhe paqja e qëndrueshme duhet të jetë rezultati i vetëm kredibil nga kjo marrëveshje.

Diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon.

Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj fuqishëm të qëndroj kundër këtyre ideve shkatërruese dhe u bëj thirrje të gjitha vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare kontribuese për Kosovën, që të kundërshtojnë idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes.

RH

Filed Under: Politike Tagged With: tentim per panik, Thaci

Zoti Meta, Ju mund të bëheni, President i Gjithë Shqiptarëve

August 30, 2018 by dgreca

Meta-6-e1535099400931Letër e hapur, një vërsnikut tim po edhe gjithë bashkvuajtësve të mi… /*
..
I nderuar zoti President i Republikës,
Ju drejtohem sinqerisht, dhe shpresoj që dikush prej nëpunësve tuaj, t’Ju a dëshmojë këtë qëndrim timin publik, qëndrim të një qytetari i cili në moshën 18 vjeçare, u detyruat të arratiset nga vendi i vet, nga fshati i vet, nga familja e vet. (Pra një kulak diaspore, që të jem korrekt me terminologjinë e vjetër, të arratisë sime.) vendosa t’Ju shkruaj, edhe pse shpesh ne të Diasporës… na thuhet me të madhe se: “S’duhet të merreni me punët e Shqipërisë!!!” Unë do të merrem!Kujtim CekaniNe Foto: Kujtim Cekani/

Të gjithë e dimë, të gjithë e njohim karierrën tuaj drejt postit të Presidentit… pra duam apo s’duam, me dashje apo pa dashje, sot s’do të merrem me gjykimin e rrugës dhe ngjitjes Suaj në pozitën ku jeni sot. Janë njëmijë probleme tjera, që unë do të përpiqem t’i mbledh në një pikë të vetme…
Ndërsa ju shkruaja, ndoqa një intervistë të një qytetari nga Skrapari me mbiemër Dyrmishi, që rrëfente për jetën e vet dhe pashë se Skrapari, kisht njerëz të urtë dhe fisnikë, çka ma lehtësoi shkrimin ndaj jush.

I nderuar President,
E kam ndjekur me emocione kontradiktore përkujtimin e Kampit të Shfarosjes së Fëmijëve në Tepelenë. Ndjeja urrejtje kur shihja të shpërndanit medalje për vuajtjet, pse shpesh mbas shpinës Suaj kohët e fundit kam parë buzqeshjen e diktatorit. Ndjeja përzjerje për zhurmën e padrejtë kur e shihja si shesh ahengu, atë vend vuajtesh dhe viktimash të pafajshme, ku të gjithë duhet të shkojmë si në një varrezë me kufoma hapur; ndjeja dhimbje se ishin mjaft edhe prej atyre që janë historia e gjallë dhe Legjenda e atij Kampi, e që unë dyshoj se vlerat e tyre të larta u keqpërdorën…
Simbas meje, Tepelena është një plagë e thellë e të gjitha vuajtjeve, e të gjitha kohrave.
Unë nuk kam qenë në Tepelenë, por kam qenë në tepelenat e tjera anekënd Shqipërisë… Në atë kamp të vdekjes ka qenë Nëna ime, Gjyshi im, Gjyshja ime, Dajët e mi, Tezet e mia… dhe në kujtimet e mia, rrëfimet e tyre ende sot lëshojnë currilë lotësh. Vërtet i kam me të dëgjuar tragjeditë e atjeshme, por ata, shpirtin i tyre se ç’kanë hequr, kur vdekja iu fliste në vesh me gjuhën e urisë dhe leckave: përditë e përnatë, e di mirë. Unë jam rritur me rrëfimet e tyre, me lotët e tyre, me drithërimat e shpirtrave të tyre, sepse kishin qenë shumë atje dhe sa herë mblidheshin të gëzonin ndonjë festë të vogël, më shumë qanin jetën dhe fatin e tyre tragjik. Dhe jo vetëm të tyre tashmë, por edhe të ne fëmijve, që rriteshim të përjashtuar dhe pa asnjë të drejtë…
Ju zoti President, jeni rritur në një familje tjetër, me një frymë tjetër, ku foto e diktatorit (për ju nuk ishte i tillë) ishte në ballë të murit. Ky ishte fati Juaj, por kur merr përgjegjsi të mëdha në jetë, ai fati i djeshëm, edhe pse mund të jetë fat i sotëm, nuk e lejon që pas shpinës suaj ndër festa të jetë sërish ai!!!
Por le të kthehem te thelbi i problemit që dëshiroj të komunikoj me Ju.
Me dëshirë a pa dëshirë, prania Juaj në Tepelenë, jo vetëm u bë objekt diskutimi, por më futët edhe mua në një krizë të madhe me vehten. Njera anë e imja më thoshte se Ju s’duhet të kishit shkuarr aty, Ju s’kishit të drejtë të shkelnit në atë kamp, ku kanë vdekur rreth treqind foshnja të pafajshme, pa e purifikuar më parë shpirtin Tuaj përmes kërkesës së faljes; Ana tjetër më thoshte, pse jo, edhe Ju ndoshta keni filluar të mendoni ta ndryshoni veten tuaj. Sepse shpesh politika, këshillon gjithnji të përkrahet fryma e ndryshimit, që mos të përfundoni nji ditë në kosh të harresës.
Pikërisht për këtë gjë, Ju drejtohem pikërisht Juve dhe jo ndokujt tjetër.
Eh, sa dua të besoja që është kjo e Dyta, ndryshimi juaj!

I nderuar zoti President,
meqë jemi, pothuaj të një moshe e të një brezi, doja të flisja hapur me Ju. Shpesh delni dhe thoni: Unë jam President i Shqipërisë!
Dakort! Pëlqimi apo mospëlqimi im s’ka asnjë vlerë, vlerë kanë punët tuaja. Pyetja që shtroj unë është: A jeni Ju edhe presidenti im, i tragjedive të mia dhe shumë sivëllezrve të mi, apo thjesht i Partisë suaj, i shtresave që e mbështetën diktaturën dhe veglat e saj; a dëshironi Ju të jeni edhe President i vuajtjeve të atyre njerzve të pafajshëm si unë (më detyruan të marr arratinë 18 vjeçar), i varreve pa emër, e varreve që s’u gjenden kurrë.
A jeni Ju edhe president i familjeve të ish kulakëve, ish ballistëve e nacionalistëve; atyre njerëzve të ndershëm që u detyruan të marrin rrugët e botës, pse në Shqipëri iu grabitën pronat, iu grabitën rininë, iu grabitën të drejtat më elemetare, e tani po ju grabitet edhe vuajtja…?!
A jeni ju President i gjithë shqiptarëve, apo vetëm atyre që mbajnë shallin e kuq në qafë…?!
Ju drejtohem ju zoti President, edhe pse me thënë të drejtën, brenda vetes ende nuk Ju njoh si Presidentin tim…
Do dëshiroja të gaboja për çka po ju shkruaj, po mendoj se jo!
Unë jam betuar me vete, që me komunistët nuk bëj kompromise. Simbas meje sistemi i tyre ka qenë kriminal dhe vepra e tyre s’mund të qëndronte në këmbë pa krimet dhe terrorin. Unë vetë jam një provë e gjallë! Ata na vranë e na prenë (jo me fjalë); ata na i mbyllën dyert e shkollave dhe profesioneve (jo me fjalë), ata na lanë kampeve me nofkën e përbindëshme të armikut edhe ne fëmijëve të vegjël… Nuk është pak besoj, por sot, më duhet t’Ju bëj lëshime. Më duhet të bëj një kompromis me Ju zoti President!
Desha a nuk desha unë, Ju më keni prekur thellë në plagë: Ju keni vënë këmbën në Kampin e Tepelenës! Për mua kjo nuk është pak, dhe në konceptin simbolik, me sinqeritet ua them është shumë:
Shqipëria, në këta 28 vite ka patur edhe presidentë të tjerë: ka qenë Berisha i Parë e i Dytë, ka qenë Mejdani, ka qenë Moisiu, ka qenë Topi, ka qenë Nishani… por ja që fati qe kokëfortë… dhe ka dashur që në Kampin e gjakut të Fëmijve të pafajshëm në Tepelenë të shkelni Ju…!
Kjo më ka tronditur si njeri, si burrë e si prind.

Zoti President,
Unë jam rritur me Tepelenën në shtëpi. Nëna ime sa herë kujtonte Tepelenën, i rridhnin lotët çurg si strehët e kasolles ku jetonim. Ajo kishte shpëtuar nga kthetrat e vdekjes, (ndoshta) edhe për fatin tim, por tmerri që kishte parë atje nuk shqitej nga sytë dhe fjalët e saj. Kishte parë pleq e plaka që jepnin shpirt për një copë bukë; kishte parë gra e vajza që ngarkoheshin në shpinë si mushka, përtej fuqive të tyre; por ajo nuk i harronte dot ata fëmijë të vegjël që vdisnin përditë… Foshnje pa asnjë faj, që shuheshin prej një shteti kriminal, pastaj i varrosnin me një grusht dhe, pastaj i çvarrosnin, pasta i varrosnin diku tjetër… ka parë gra të mbetura pa burra e tani edhe pa fëmijë, që shkulnin flokët e ulërinin nëpër terrin e natës me kujë, gjëra që ajo s’i harroi kurrë.
Zoti President, ju duhet ta kuptoni se unë jam i tmerruar, i terrorizuar sepse jam rritur me këto histori!

Zoti President,
unë e di që kolltuku Juaj është i rehatshëm. Kanë qenë edhe tjerë para Jush e do vijnë edhe tjerë mbas jush. Pra ka parë shumë. Një ditë, edhe ju do ta lini atë post. Por unë mendoj se Ju keni hedhur një hap ndryshe tjerëve, pse këmba juaj ka shkelur mbi plagët tona, si gjurmë shprese.
Atëherë mendoj: Ju keni çelsin të mbeteni në Histori, e të mos flakesh në harresë si paraardhësit e Tu, për të cilët unë personalisht, s’kam ndonjë konsideratë të veçantë për ta.
Jepini postit Tuaj Zoti President, mundësinë që ta kurosh këtë plagë të madhe kombëtare, dil nga “kazanët e Tiranës” dhe prononcohu hapur, jo në mbrojtje të ndonjë interesi meskin, po në emër të një morali të lartë, respektimit të tragjedisë së madhe që u shkaktoi diktatura dhjetra e qindra mijra njerzëve. Ka 60 vjet që është mbyllur Kampi i Tepelenës, dhe njerëzit e kujtojnë sikur të ishte dje… Këtë mos e harroni asnjëherë zoti President! Mund të vriten njerëz me urdhëra dhe dekrete, po Kujtesa nuk vritet as me urdhëra, as me dekrete po as me shtirje!
Shkëmbejeni qetësinë dhe favoret e pushtetit me burrëri dhe atdhetarizmën….
Dënojini krimet e komunizmit dhe bëjeni lanet diktatorin dhe foton e tij që shpesh shetit si hije mbas shpinës suaj…
Ndalojeni me ligj propagandën komuniste dhe lëvdimin e figurave të urryera të saj;
Lufto ta fusësh Historinë e vërtetë të Shqipërisë në gjithë tekstet shkollore;
Nëse ju do të keni guxim të bëni një gjë të tillë, Ju do të ngjiteni në lartësitë e respektit dhe të bëheni Hero i Përjetshëm i këtij vendi,
kështu dhe vetëm kështu Ju mund të bëheni President i Gjithë Shqiptarëve, përndryshe, asgjë më shumë veç një President i rradhës, me ndryshimin se nuk Ju hoqën nga loja e dominove…
Simbas meje, edhe mjaft prej atyre që e duan këtë vend, nuk mund të ketë kurrë President të Gjithë Shqiptarëve, jashtë kësaj llogjike dhe jashtë kësaj platforme!
Më dëgjoni, si vërsnikun tuaj, si njeriun e vuajtjeve të hershme! Kur ti vazhdoje Universitet, unë kapërceva natën, zbathur kufirin. Ti, i mendoje një karrierë të lartë jetës tënde; unë i mendoja vetes një Shqipëri të lirë, ku të mund të kthehesha e t’i gjeja prindët e mi gjallë, dhe jo varre pa emër…
Kështu na ka ndodhur paralelisht të dyve ne! Sot t’i ke shkelur në mortin tim, dhe unë jam i detyruar ta respektoj vendimin tuaj, mjaft të mos jetë farsë, si atyre që u del boja shpejt!
Për mua sot, pasuria më e madhe që mund të këtë Njeriu është Dashuria për vendin dhe tokën e tij. Unë e dua vendin tim, e kurrë s’jam kursyer për të. Besomë në këto që po të them! Të gjithë kemi kohë për të ndryshuar diçka brenda vetes sonë. Betohem për gjënë më të Shtrejtë në Botë, nënën time, që e kam shenjtoren të vuajtjeve, se po të më thosht dikush që: do të jeshë atdhetar e nacionalist i varfër, apo komunist e të keshë pasurinë e më të pasurit të Shqipërisë: më beso, edhe 100 jetë t’i kisha do të doja isha kështu siç jam.
Sepse kur vendin tënd e do me shpirt s’paska pasuri më të madhe, më të shtrenjtë e të pazëvendsueshme!

I nderuari zoti President,
E di që gjithçka që ju shkrova mund t’Ju duket një marrëzi naive, e kjo luftë që bëj me dy gjysmat e mia të vazhdojë edhe përtej kësaj bisede me ju, por nuk prish asnjë punë… Unë jam mësuar me humbjet, e përkohshme, sepse e di që e drejta një ditë, do të jetë në krahun tim…

Ah, kam edhe diçka tjetër, konfidenciale, për Ju zoti President.
Jam martuar pa dasëm… edhe prej rrethanave, po edhe pse s’më bënte zemra të bëja festë në një vend mbushur me varre paemër, në një tokë që ende rënkon. Shpresoj një ditë që kjo gjendje të kapërcehet e atëherë do të bëj një festë të vërtetë. Do ju ftoj edhe Ju në dasëm e kam një sebep të fortë, jam dhëndër në fshatin tënd. Ndoshta deri atëherë do të keshë bërë mjaft, që të jeshë President i gjithë shqiptarëve, ashtu si mendoj unë dhe shumë si unë në këtë vend.
Përndryshe beteja për ta ndryshuar këtë vend për mua e të tjerë do të vazhdojë pa u lodhur kurrë…

Me respekt të ndërdyshtë,
Kujtim Cekani
Gjermani..28/08/2018

  • E dergoi per Diellin Ervin Dine

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Meta, Kujtim Cakani, Leter Presidentit

Tjerrësit e leshit

August 30, 2018 by dgreca

1 GrishajkryetaresNga Alfons Grishaj/

Skajet e larta të horizontit  nuk mund ti kapë çdo lloj syri, ashtu si  Mariana trench nuk mund të arrihet me fije leshi. Po ç’ti bësh , mendimtharët tanë  përdorin shumë fijet e leshit në vend të neuroneve logjike.

Para pak kohe , të persekutuarit politik përdorën një krahasim për vuajtjet e tyre në Kampin e Tepelenës , duke e  quajtur  “Aushvic”. Megjithëse qe një krahasim dhe të gjithë e dinë çdo të thotë krahasim , mendimtharët tjerrës filluan debatin duke bërë lesh e li  problemin delikat që ndan dy botë , atë të krimit kolektiv komunist , me liritë dhe  të drejtat e njeriut .Sot, më duhet tu vë një emër  mendimtharëve , duke i quajtur  “tjerrësit e leshit”. Ata  nuk dinë asgjë tjetër,  vetëm të bëjnë  lëmshe leshi, dhe asnjëherë nuk arrijnë për të realizuar  një punim serioz , për ti shërbyer vetvetes dhe shoqërisë , por  tjerrin  e tjerrin dhe asgjë  në dritë nuk nxjerrin.

Krahasimi i “Kampi Tepelenës” me “Aushvicin” nuk kishte pse shqetësonte “tjerrësit e leshit”, për të  ngjallur zemëratën e mijëra të vuajturve që përjetuan ferrin komunist. Po i kanë provuar ata vuajtjet e tmerrshme që  kanë hequr të përsekutuarit? Jo!

Nëse, mendimtharët kundërshtarë  nuk e kanë përjetuar një ferr të tillë, mbi cilin fakt mbrojnë teorinë e tyre , që Kampi i Tepelenës nuk qe një Aushvic i dytë , kur njërëzit që e kanë jetuar janë të gjallë akoma dhe japin detaje drithëruese? Të jetë kjo një shkarje delitantësh apo një ligësi demagogësh me ngjyrë? Si mund të gjykohet vrasja si ndryshim thelbësor kur është e njëjtja dhimbje dhe që të dyja kampet kanë të njëtën fyrtyrë, tmerr dhe vdekje ?! Atëherë ku  ndryshon thelbi i vrasjes? Tek dhomat me gaz , krematoriumet , vdekja nga  uria dhe torturat  , numri i viktimave apo iligjimiteti i vrasjes?! Unë mendoj,  iligjimiteti i vrasjes përbën thelbin e arsyes krahasuese të objektit dhe jo numri i të ekzekutuarvë dhe forma e vdekjes.

Sa për kujtesë :

Nazistët, fillimisht e nisën  shpagimin për padrejtësinë e Traktatit të Versajës dhe u bënë varrmihësit e saj. Si fillimi i të gjitha diktaturave shpagimi kthehet në etje dhe etja kërkon lumenjë gjaku. Mein Kamf , u mendua të jetë Bibla e gjermanëve dhe nazizmi filozofia e “Racës Ariane” . Në disa Kisha , nazistët hoqën Biblat dhe zevëndësuan me Mein Kamf. Ndërsa  Heidegger kërkoi që ta bënte nazizmin filozofi, ashtu si Lenini, marksizmin.

Komunizmi dhe nazizmi janë si vëllezërit siamez…por me një ndryshim, se komunistët nuk e nisën luftën me kundërshtarët internacionalë për të rivendosur “padrejtësinë” e Traktatit , se nuk patën ndonjë të tillë, por e nisën me çmontimin e vlerave të  civilizimit dhe ligjet e shenjta për të vendosur kultin e komunizmit.E kam shkruar dhe më parë, komunistët  shkallmuan  vlerat  intelektuale kombëtare , pronën dhe  besimin, trekëndëshin  e zhvillimit përparimit njerëzor. Nëse nazizmi qe jetëshkurtër, komunizmi jetoi shumë më gjatë se nazizmi dhe pasojat qenë më të tmerrshme si në këndvështrimin historik e shkencor  dhe në atë njerëzor. Midis tyre shenja barazuese vendoset në çmendurinë e aktit që përbën kultin kafshëror , kult që shkatërron vlerat humane.

Atëherë “tjerrësit…” përse kërkojnë  të ndërtojnë një rrjet pezishke merimange me neurone leshi ?

Mendoj… arsyet  janë dy :

1-Tradicioni dobët lind gjithnjë dashnorët e antivlerës, të cilët nuk e kanë për asgjë të manipulojnë shkallën e krimit si domosdoshmëri vetëmbrojtëse . Dhe si mbrojtës të origjinës  mundohen që me shoshën e fijeve leshit të mbulojnë dritën e diellit, përpjekje kjo që përbën nonsensin dramatik të ripërsëritjes , duke rënë nga krimi fizik   në atë moral.

2-Shikimi i të persekutuarve si qënie  inferiore , që nuk përbëjnë kërcënim hakmarrës për kulturën e tradicionit  krimit . Pra , mund të lozësh me “thëngjinjtë e fikur” se nuk  kanë fuqi zjarri për të  djegur dorën !

Ky është dhe kulmi i pafytyrësisë që e bën dhe më të rëndë çështjen e hapur. Megjithëse asnjëherë nuk kanë  kërkuar të falur për krimet e baballarëve të tyre…vazhdojnë të tallen?! Tallja e mendimtharëve po kthehet në një ritual që sa vjen dhe bëhet më i rëndomtë. Ndërsa të persekutuarit , po ndërgjegjësohen përditë për të ndërruar formën e përgjigjes për dashnorët e antivlerave.

Mendoj se, mendimi me vlerë dhe kritika objektive intelektuale është foleja e arsyes dhe gjeneratori i dijes. Në të kundërten e qëllimshëm,  qenëz bakteriologjike .

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, Tjerrësit e leshit

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT