• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2018

Drama e të ikurve, atdheu …kjo dashni e shumfishtë!

August 14, 2018 by dgreca

Nga Marjana BULKU/

1Marjana-Bulku“Zogj të bukur këndojnë me hare,/
Po zëmra do më plasë mua në gji./
I helmuar e shkoj jetën te ky dhe:/
Mërzitem në katund, në vetëmi./

Tërë shkëlqim m’hapet përpara deti,/
Që zgjon te trutë e mi mendime shumë,
Zëmra m’u shqerr nga tmerri mua të shkretit,
Aq sa vetëm pushoj kur bje në gjumë.

Arbria matanë detit, na kujton
Se ne të huaj jemi te ky dhe!
Sa vjet shkuan! E zëmra nuk harron
Që ne turku na la pa Mëmëdhe…

Hakmarrja na jep shpresë e na ndriçon,
Por fryn era dhe akulli më zë,
Se ç’ka qenë Arbëreshi po harron:

Dhe s’i vjen turp aspak, po rri e fle.”

Vargjet e Serembes përtej mallit poetik përcjellin dramën e shumfishtë të shqiptarit mërgimtar. Kur syri i lexuesit të kuptojë dramën e tij , të ndjejë mallin , vetminë, parehatinë, ankthin e së nesërmes ,atëherë do të kuptojë edhe peshën historike të këtyre vargjeve që e thonë pareshtur fjalën e vet ,ka qindra vjet që flasin e thërrasin po a kuptohen?!

Kur syri i lexuesit të shohë dramën e shqiptarit pa atdhe këtej dhe andej ndarjeve që na largojnë, mbase këto vargje do ia këndojë vetes e do ndalojë ikjen e gjatë e gjatë që nuk ndalet.

Kam takuar mjaft të ikur këtyre viteve dhe kam ndjerë se këto vargje janë universale. Më kanë thënë se nuk ka lumturi më të madhe për një komb që i bën vend bashkombësve të vet. Kam parë se si përloten burrat në mërgim duke cituar se” kur të vdes dita e vdekjes tju shkruhet jo ajo biologjike por dita kur lanë atdheun”.Kam parë se si largësia nga atdheu shndërrohet në dashuri për të , e veshur me mall, e dëshirë për rikthim, me akte e vullnete reale për tia vizituar bukuritë e dukshme dhe të padukshme atij

vendi  prej nga ku ka 500 vjet që iket .Ia kam

përsëritur vetes Seremben dhe kam

provuar se vrullin, energjitë dhe ndjesitë e bukura ti fal veç vendi yt.Kur  largoheshin miqtë qoftë edhe larg province drejt kryeqytetit , boshllëku kulturor ndihej shumë më fort se hapat në udhët ku shtoheshin udhëkryqet.A e ndjenë këtë zbrazëti hapësirat tona gjithnjë e më të ngushta, të varfra ,të brishta?! Mungesat që flasin , ikje që ulërijnë, kthime që veniten e thirrje që s’dijnë çfarë të lusin …hidhni sytë kah vargjet e Serembes që nuk e humbin kurrë vrullin e mallit dhe dashurisë. Kur të kuptoni dashurinë …do ndjeni mallin dhe kur të ndjeni

mallin do kuptoni dramën e trefishtë të të ikurve pa atdhe .Ata që ikën e me vete morën andrrat me siguri që andrra e zhgjandrra lanë pas por më e madhe është drama e atyre që lanë pas ,atje në atdheun e zbrazur!

E kur të kuptoni dramën e të ikurve ,atdheu i tyre i dashur ka me qenë dashnia juaj e shumfishtë.

Marjana Bulku (Gusht 18)

Filed Under: Opinion Tagged With: Atdheu, Drama e të ikurve, Marjana Bulku

Kosovë-Veprimtari në Ditën Botërore të Rinisë

August 12, 2018 by dgreca

2dita Rinise-Instalacion dhe performancë artistike duke “kompletuar Flamurin e BE-së me mesazhin që Kosova është gati për liberalizimin e vizave”/

3 Rini-“Hapësira të Sigurta për Rini”. Kjo moto është rekomanduar për qeveritë  në mbarë globin nga Asambleja e Përgjithshme e OKB/

PRISHTINË, 12 Gusht 2018-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë po zhvillohen sot veprimtari për DitënBotërore të Rinisë – 12 Gushtit, të nisura me ceremoninë e hapjes në Bulevardin Nëna Terezë, kume mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit shoqata kulturore “Molla e Kuqe” dhe organizata joqeveritare “Access” organizuan instalacionin dhe performancën artistike  duke “kompletuar Flamurin e BE-së me mesazhin që Kosova është gati për liberalizimin e vizave”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se, shteti i Kosovës, të rinjtë, duhet t’i kenë dyert e hapura për në Bashkimin Evropian “Jam shumë i bindur që ky aktivitet sotëm koincidon edhe me kriteret dhe ato që shteti i Kosovës i ka plotësuar kushtet për t’i pasur dyert hapur në Bashkimin Evropian”, theksoi ai.

Ministri Gashi shprehu besimin se ky vit të jetë viti kur të rinjtë e Republikës së Kosovës që padrejtësisht kanë pas probleme me lëvizjen e lirë, të jenë të lirë, të barabartë me të gjithë të rinjtë e Evropës.

Pjesë e veprimtarive ishte debati me shoqërinë civile për mundësinë e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen të Rinisë, përmes motos “Hapësira të Sigurta për Rini”.

Kjo moto është rekomanduar për qeveritë  në mbarë globin nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit të qeverisë së Kosovës theksojnë edhe se, ky koncept ka promovimin e hapësirave të sigurta për të rinjtë dhe synim i Departamentit të Rinisë është të ofrojë mundësi të shumta, kreative dhe të sigurta, për të gjithë të rinjtë pa dallime racore, gjinore, fetare ose prejardhje kulturore, për të kontribuar lirshëm në komunitet.

“Kur të rinjtë kanë hapësira të sigurta për t’u angazhuar, ata mund të kontribuojnë në mënyrë efektive në zhvillim, duke përfshirë paqen dhe kohezionin social”, është një nga mesazhet e veprimtarive, të cilat vijojnë edhe gjatë pasditës dhe përmbyllen në mbrëmje. Në një nga këto veprimtari, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se papunësia e të rinjve dhe mungesa e lëvizjes së lirë janë sfidat kryesore për të rinjtë e Kosovës.

“Qeveria është e përkushtuar për të adresuar sfidat me të cilat përballen sot rinia jonë, duhet të fokusohemi në reformat në arsim, të rinjtë tanë të kenë mundësinë që të jenë konkurrentë për tregun e punës në vend dhe jashtë”, theksoi ajo. /b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Veprimtari, ne diten boterore, të Rinisë

Realiteti në Rumani dhe ai në Shqipëri

August 12, 2018 by dgreca

Ilir-Levonja-300x298Nga Ilir Levonja/

Ileana Anghel travelled all the way from her home in Spain with her husband to take part in the demonstration.

“We want to see modern roads and schools and above all to not have to pay bribes to the left and right,” she told AFP.

Teksti i mësipërm është shkëputur nga njoftimet e agjencisë franceze AFP, mbi situatën në Rumani. Konkretisht nga e premtja e javës që shkoi, me një inisiativë të emigrantëve, a diasporës, shoqëria rumune sot proteston. Pra ka plot tre dite. Protesta që kanë hasur në dhunën e forcave të rendit dhe në indinjatën e një presidenti të dyzuar në qëndrime, garantit të Kushtetutës së vendit. Po t’i referohemi fjalëve të Ileanës emigrante rumune në Spanjë, ajo midis të tjerave thotë se, erdhëm nga Spanja për të protestuar sepse duam ta shohim vendin tonë  jo vetëm me rrugë e shkolla moderne, por gjithandej…, mjaft duke paguar haraçe sa për të majtën po aq edhe për të djathtën. Në fakt Rumania edhe pse një vend anëtar i komunitetit europian renditet e fundit. Kjo në raport me ekonominë e vendeve të tjera. Korrupsioni ashtu si në gjithë vendet ish bllokut socialist kap shifra alarmante. Kësisoj shoqëria rumune ka humbur plotësisht besimin tek klasa politike aktuale, me një fjalë si tek e majta ashtu edhe tek djathta. Ndofta është vazhda e asaj pranvere europiane që shkërmoqi hirearkitë a oligarkët e klasave politike tradicionale që pas luftës së dytë botërore, në vende si Italia, Greqia, Hungaria, Austria etj. Nisën si një protestë paqësore, por që mori rrjedhë tjetër. Aq sot numri i të lënduarve kap shifrat e 150 qytetarëve. 

A ka lidhje e gjitha kjo me Shqipërinë, pasi shpesh i referohemi lëvizjes së minatorëve të karpateve në Rumani, më 1989, menjëherë pas shembjes së murit të Berlinit. Pra ishte Rumania ajo që filloi pranverën ballkanike. Megjithëse gjatë gjithë këtyre viteve Rumania ka protestuar me pjesmarrëmarrje për tu admiruar. Mjaft të kujtojmë protestën kundër rritjes së korrupsionit në shkurtin e vitit 2017-të. Ishin rumunët, shoqëria civile…Dhe a mundet që emigrantët shqiptarë, a e ashtuquajtura diasporë të kontribuoj në Shqipëri. Kam përshtypjen se jo dhe arsyet janë të shumta. Në përgjithësi shqiptarët akoma nuk e kanë kuptuar se  mirëqenia dhe të drejtat e njeriut janë thelbi i demokracisë. Po ta kishin kuptuar do ishin ndarë nga diktatura e proletariatit ashtu si rumunët me Çausheskun. Por nuk u ndanë, përkundrazi sigurimi i regjimit dhe sekserët e partisë së punës morën në dorë frenat e demokracisë.  Asnjë Çaushesk nuk u dënua…, jo më të varej publikisht. Kësisoj ne shqiptarët mbahemi akoma tek ideologjia dhe kjo demonostrohet herë më herë nga mendësi o je me mua o je armik. Nuk ka asnjë shenjë, a një fije frymë ku të shohësh përshembull se llogaritë a bilancet vjetore të një qeverie të kenë efekt tek shoqëria. Jemi dru në këtë drejtim. Rroftë iksi apo ypsiloni. Asesi, mjaft të jesh besnik i Ramës, Bashës, Metës dhe kaq. Nga ana tjetër është katërcipërisht e verifikueshme që mes shqiptarëve në vendin amë dhe atyre emigrantë ka një raport jo miqësor. Edhe pse emigrantët kanë qënë dhe janë motori i ekonomisë së vendit…, ata shihen si objekt përfitimi, madje tallje, paragjykohen, sa, një polic dogane në vend të mirëseardhjes të shikon vëngër nga duart. Emigrantët përfliten dhe përgojohen sikur kanë kapur qiellin a botën, qoftë edhe për shërbime të imta personale. Kur i thashë dikujt, këtu, po pse edhe gojën do shkosh të rregullosh në Shqipëri, mu përgjigj… Po çfarë të bëj, me ato që do paguaj këtu, po ndihmoj vëllain …, pa punë, pa asgjë vet i gjashtë. Më dhëmbi zemra dhe mu mbushën sytë me lot. Ashtu siç njoh edhe të tjerë që marrin kredi me interesa të larta si e si të ndihmojë motrën pa katandi e asgjë e tjetër. Dhe kur thonë ndonjë mendim, për vendin që u dhëmb, gjykohen me përçmim. Megjithëse nuk thonë aspak, veç realitetin…. që, po ta thonë troç, në raport me vendet ku jetojnë dhe ku shohin me sytë e tyre se si bëhet politika përshembull në Suedi, ta dini që ai parlamentari shqiptar duket një zog gomari kur thotë shkodrani. Ndofta kjo e gjitha ndodh edhe nga një farë urrejtje a zilie që kemi karshi njëri-tjetrit. Dhe diaspora këtej është e ushqyer fort nga dy rryma, po te kemi parasysh ata që u larguan në vitet 90-të…, të parët ishin ata që u kish ardhur në majë të hundës nga regji, të dytët ata që kishin frikë se mos ndëshkoheshin nga pushteti i ri. Kësisoj edhe këtej ka akoma plot mendje që thonë lëri të vrasin veten se nuk ndreqet ai vend. Ashtu si ka plot të tjerë që hanë, edukohen, martohen, bëjnë bashkime familjare në botën e kapitalizmit dhe bëjnë duvanë e Enver Hoxhës. Dhe këtë jo se nuk duan kapitalizmin, por janë deri në asht me urrejtje karshi vëllait. 

Nuk e di se kur do të marri fund kjo, por si shoqëri edhe ne duhet të heqim dorë nga idhujt. Merrni përshembull reformën në drejtësi, pastrimi fillon nga vetvetja. Shoqëria jonë u pajtua menjëherë me një reformë gjyqtarësh, jo të atyre që drejtonë vendin. Kjo është mangësi humnerë. Ose merr të opozitën, demonstroi vullnet në një çadër, kërkoi protesta për muaj me radhë. Dhe në fund, bash në pikun ku mori kuptim opozitarizmi, la shoqërinë mënjanë dhe mori një post fiktiv në arsim e rend. Nuk ka më pse nuk më pëlqen mua, kur unë ashtu e kur unë kështu, por ka rezultat. Jep, nuk jep, hap krahun. Kjo është demokracia…, kurse në Shqipërinë time, tënden, tonë populli i shikon si Enverin dikur, këta që kakarisin ditë e natë për patriotizëm dhe veç patriotë nuk janë.

Filed Under: Featured Tagged With: dhe ai në Shqipëri, Ilir Levonja, Realiteti në Rumani

E mira është pakicë

August 12, 2018 by dgreca

1-Astrit-Lulushi-286x300-2Nga Astrit Lulushi/

Nga mosrespektimi i ndjenjës lind mënyra cinike e jetesës – arsye pse disa më shpejt zemërohen sesa kënaqen. Dhe kjo nuk është pasojë gjeografike, as ndikimi i klimës, siç përpiqen ta justifikojnë, por shihet si efekt i shkeljes, shtypjes, mohimit, dhunimit e mosrespektimit të ndjenjave për shumë kohë, ndaj çdo moshe, çdo ditë, pa ndërprerje, e kthyer në traditë, që vazhdon edhe sot.

Është privilegj mbretëror për të bërë mirë dhe për të folur keq, këshillonte Sokrati, si të thoshte se, nëse nuk je gjendje të bësh mirë, të paktën mos bëj keq. Ndërsa hekuri gërryet nga ndryshku, kështu edhe ziliqarët konsumohen nga pasioni i tyre. Por edhe një qeveri mbulohet nga dështime, kur nuk është në gjendje të dallojë njeriun e mirë nga i keqi. Është e çuditshme që ne ndajmë grurin nga byku dhe miellin nga krundet, por lejojmë a zgjedhim pikërisht njerëzit e këqinj të zënë poste shtetërore e në parlament. Kjo është njësoj si të vësh bast për gomarët në vend të kuajve në garën mes tyre.

Nuk është sëmundja, por mjeku – dora e keqe e qeverisë që mund ta hedhë një popull të tërë në dëshpërim dhe eufori, duke prekur thellë cilësinë e jetës së tyre. Një nga avantazhet e filozofisë është se njeriu është në gjendje të zhvillojë biseda me veten.

Kur Diogeni iu lut dikujt për një pallto të re, përgjigjia që mori ishte – Mbulohu mirë me atë që ke. Të  çrrënjosësh atë që ke mësuar gabim është më e vështirë sesa të mësosh diçka të re. Prandaj pak vetë vërtetë heqin dorë nga ajo që dikur kanë mësuar shtrembër, duke mbetur pjesë e të keqes. Eshtë më mirë të jesh me një grusht njerëzish të mirë duke luftuar kundër të këqijave se me ushtrinë e njerëzve të këqinj që luftojnë kundër një grupi njerëzish të mirë. Kur shumë njerëz iu lavdërojnë, pyet veten – çfarë gabimi kam bërë? Le të jetojnë bijtë e armiqve në luks. Ju bëni aleatë njerëz që janë të guximshëm dhe të drejtë, me ‘ta është virtyti – armë që nuk mund të merret.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi, E mira është pakicë

SHQIPËRIA, VENDI I PARË ISH-KOMUNIST QË KA NËNSHKRUAR MARRVESHJE USHTARAKE ME SHBA

August 12, 2018 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1Nga Frank Shkreli/

Javën që kaloi, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe disa ditë më vonë Krye-zëdhënsi i NATO-s, Z. Piers Cazalet njoftuan se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri, pikërisht në Kuçovë, bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor me fondet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në partneritet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, ku NATO do të investojë fillimisht mbi 50-milion euro, për të modernizuar bazën ajrore të Kuçovës.

Duke shkruar mbi këtë subjekt javën që kaloi, kam thënë se baza ushtarake në Kuçovë, është e pagëzuar si bazë e NATO-s dhe ashtu duhet të jetë pasi Shqipëria është anëtare e denjë e kësaj aleance të madhe ushtarake, por shqiptarët duhet të jenë të vetdijshëm se pa shtytjen dhe pa miratimin e Shteteve të Bashkuara, nuk do flisnim sot për një bazë ushtarake të NATO-s në Shqipëri dhe madje kam drojë as për antarësim të Shqipërisë në NATO.  Kam thënë gjithashtu se, historikisht, Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi nuk kanë aleat më të mirë strategjik, ushtarak dhe diplomatik se Shtetet e Bashkuara.

Megjithse njerzit mund të kenë harruar, por e vërteta është se ky interesim, në fusha të ndryshme, i Shteteve të Bashkuara për Shqipërisë dhe për shqiptarët është pasqyruar dhe thekësuar që në vitet menjëherë pas shëmbjes së komunizmit në Shqipëri.  Marrëdhëniet ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kanë parë vetëm rritje gjatë pothuaj 30-viteve të fundit, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në Mars të vitit 1991, marrëdhënie këto që falë historisë, ishin të natyrshme midis dy kombeve, pas rënjes së diktaturës komuniste në Shqipëri.  Shtetet e Bashkuara kanë qenë vendi më entuziast në mbështetje të Shqipërisë për antarësimin e saj në NATO.  Ishte ky një proces i gjatë dhe i ngadalshëm në zhvillimin e marrëdhënieve ushtarake midis dy vendeve kryesisht për arsye të problemeve të mbrendshme politike në Shqipëri,  por që në të vërtetë procesi ka filluar me vizitën e parë  të delegacionit të forcave të armatosura të Shqipërisë në 1990-at, një proces ky që më në fund kulmoi në antarësimin e Shqipërisë në NATO, në vitin 2009.

Zyrtarë të lartë amerikanë gjatë viteve kanë thënë se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Shqipërinë si një shtet partner dhe vend mik, marrëdhënjet me të cilin, Washingtoni i ka vlerësuar shumë.  Ç’prej rivendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve më 15 mars, 1991 — pas një ndëprerjeje prej një gjysëm shekulli nga regjimi komunist— edhe Shqipëria, mbrenda mundësive të saja, e ka dalluar veten me fjalë dhe me vepra, si një prej aleatëve më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara, jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe me bashkpunimin në arenën ndërkombëtare.

Vizita e parë në Washington e një Ministri të Mbrojtjes të Shqipërisë ishte vizita e të ndjerit Safet Xhulali dhe delegacionit të tij ushtarak në fillim të 1990-ave.  Unë pata marrë pjesë si përkëthyes në takimin e parë zyrtar midis delegacionit të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë dhe zyrtarëve të lartë të Pentagonit ku të dy palët, biseduan në hollësi mbi gjëndjen e atëhershme të forcave të armatosura të Shqipërisë, si dhe mbi marrëdhëniet e ardhëshme dhe për bashkpunimin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes.  Pjesa më e madhe e bisedimeve me atë rast, iu kushtua  luftërave në Ballkan dhe aftësive ushtarake të palëve, por mbi të gjitha u bisedua mbi aktualitetin ushtarak në territorin e ish-Jugosllavisë, mbi rolin dhe aftësitë e forcave të armatosura serbe që kishin ndezur Ballkanin dhe të cilat priteshin që — pas luftërave në Bosnje dhe Kroaci, të fillonin edhe masakrimin e popullësisë shqiptare në Kosovë, ashtu siç, në të vërtetë, edhe ndodhi.

Por si filluan marrëdhëniet ushtarake midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë që çuan në antarësimin e Shqipërisë në NATO më 2009 dhe në ndërtimin e bazës së parë ushtarake të NATO-s jo vetëm në Shqipëri por edhe në mbarë Ballkanin Perëndimor ?  Ishte një proces i gjatë, por që ia vlente.

Ishte Tetori i vitit 1993 kur Washingtoni nënshkroi një marrveshje ushtarake me  Shqipërinë, vendi i parë ish-komunist me të cilin Shtetet e Bashkuara kishin nënshkruar një marrveshje të tillë. Si diçka e jashtzakonshme, duke marrë parasyshë marrëdhëniet ose mos ekzistendën e marrëdhënieve deri atëherë midis Tiranës dhe Washingtonit — në atë kohë ky lajm bëri bujë duke u pasqyruar në organet më të njohura të shtypit amerikan, si Nju Jork Tajms dhe Washington Post. “Marrveshja e parë e këtij lloji e Shteteve të Bashkuara me një shtet ish-komunist”, shkruante  David Binder në gazetën Nju Jork Tajms, “është nënshkruar më 8 Tetor nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Les Aspin dhe më 14 Tetor në Tiranë, është nënshkruar nga Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Safet Xhulali”, njoftonte gazeta e njohur e Nju Jorkut.  Në marrveshjen ushtarake midis dy vendeve shprehej, “Gatishmëria e të dy palëve për të zgjëruar marrëdhëniet mbrojtëse dhe ushtarake midis dy vendeve.” Koloneli Adem Çopani, këshilltari ushtarak i Presidentit të atëhershëm, Sali Berisha, gjëndej ato ditë në Washington për të biseduar mbi hollësitë e marrëveshjes. Jo vetëm që kjo ishte marrveshja e parë ushtarake e Washingtonit me një prej vendeve ish-komuniste më të egra, por Shqipëria ishte gjithashtu edhe vendi i parë ish-komunist që kishte kërkuar gjithashtu të antarësohej në NATO.  Ka qenë Presidenti Sali Berisha ai që kishte bërë lutje për antarësimin e Shqipërisë në NATO, por fatkeqësisht u desh të pritej deri në vitin 2009 që Shqipëria, më në fund, të antarësohej zyrtarisht në Aleancën e Atlantikut Verior, NATO, duke finalizuar kështu përpjekjet, prej pothuaj dy dekadash dhe duke realizuar gjithashtu edhe aspiratat mbarëshqiptare për antarësimin e Shqipërisë në Aleancën më të fuqishme që ka njohur ndonjëherë bota.

Pak më vonë, gazeta e kryeqytetit amerikan, Washington Post i kishte cilësuar marrëdhëniet ushtarake shqiptaro-amerikane – midis ushtrisë më të pasur dhe më të fuqishme në botë dhe një ushtrie të vogël e të varfër — si një “lidhje dashurie ushtarake”,  (a military love affair), ndërkohë që citonte një oficer ushtarak amerikan, i pyetur për zhvillimin e shpejt të lidhjeve ushtarake me një vend ish-komunist, të ketë thënë se “Jemi prekur thellë nga ‘sindroma shqiptare’  – nga një dëshirë e madhe për t’i ndihmuar këta njerëz”, është shprehur oficeri i lartë amerikan.  Washington Post theksonte gatishmërinë e Shqipërisë për këto marrëdhënie duke shkruar se Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha u kishte venë në dispozicion Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, përdorimin e të gjitha bazave ushtarake të Shqipërisë, duke thënë se, “Ne i mirëpresim Amerikanët. Ata janë çelësi i sigurimit tonë”, citon gazeta amerikane, ish-Presidentin Berisha.

Ndërsa gjatë një vizite në Tiranë, në vitin 1995, ka raportuar gazeta Washington Post, Kryetari i Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, Gjenerali Xhon Shalikashvili, u ka kujtuar shqiptarëve se interesimi i Shteteve të Bashkuara për fatin e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, e ka zanafillën tek Presidenti Woodrow Wilson, i cili ndërhyri në mbarim të Luftës së parë Botërore për të shpëtuar Shqipërinë.  “Sa i kënaqur do të ishte Wilsoni po të kishte mundësi të vizitonte sot Shqipërinë dhe të shikonte realizimin e gjallë të ëndërrës duke parë ushtarakët e rinjë amerikanë, krah për krah, me shokët e tyre shqiptarë, duke ndërtuar një të ardhëme besimi, miqësie dhe partneriteti midis dy vendeve tona”, është shprehur ish-ushtaraku i lartë amerikanë para zyrtarëve më të lartë ushtarakë të Shqipërisë, në vizitën e tij në Tiranë në vitin 1995.

Besoj se Wilsoni do të ishte shumë i kënaqur edhe sot me njoftimin se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri, pikërisht në Kuçovë, bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor, ku ushtarakët amerikanë e shqiptarë do të punojnë se bashku në mbrojtje të paqës e begatisë në Shqipëri dhe më gjërë. Por jo vetëm Wilsoni do të ishte i kënaqur për këtë zhvillim, por të gjithë ata — shqiptarë dhe amerikanë që ua duan të mirën marrëdhënieve midis dy vendeve tona—e të cilët kanë punuar për një kohë të gjatë për forcimin e marrëdhënieve të ngushta dhe miqësore shqiptaro-amerikane, si në fushën ushtarake ashtu edhe në fushën diplomatike dhe politike midis dy popujve gjatë çerek shekullit të fundit.  Janë përpjekje këto të cilat kanë ndihmuar që kombi shqiptar të zejë vendin që i takon, jo vetëm në radhët e kombeve europiane, por njëkohësisht edhe në përforcimin e rolit të Shqipërisë në arenën ushtarako-diplomatike ndërkombëtare.  Shpresojmë që ndërtimi i bazës ushtarake në Kuçovë, si baza e parë ajrore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, të jetë vetëm fillimi i zhvillimeve të mëtejshme në forcimin dhe zgjërimin e këtyre marrëdhënieve.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, marrveshje ushtarake, SHBA-Amerike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT