• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2018

Presidenti Thaçi kërkon unitet për të mirën e Kosovës

September 29, 2018 by dgreca

Presidenti Thaçi kërkon unitet për të mirën e Kosovës/1 Thaci flet tek FSK

-Presidenti Thaçi flet para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë, kërkon unitet për të mirën e Kosovës/

-Forca e Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me NATO-n dhe partnerët perëndimorë ka arritur pikën kur është e gatshme të marrë përgjegjësi shtesë, ato të një ushtrie të vërtetë/

PRISHTINË, 29 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka mbajtur një fjalim para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku ka bërë thirrje për unitet në realizimin e aspiratave afatshkurta e afatgjata të Kosovës.

Duke folur pas kthimit nga Nju Jorku, ku ndoqi punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti Thaçi theksoi se ka marrë mbështetje të liderëve botërorë për aspiratat e Kosovës, qoftë për anëtarësim në Interpol dhe liberalizim të vizave, qoftë për formimin e ushtrisë së Kosovës dhe arritjen e marrëveshjes paqësore me Serbinë.

“Në bisedimet me aleatët tanë ndërkombëtarë morëm përkrahje të plotë për projektet tona, si për ato afatshkurta, ashtu edhe ato afatmesme”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se “mbi të gjitha morëm përkrahje për rrugën tonë euroatlantike dhe konfirmim se kjo është rruga e vetme”.Duke folur për hapat e menjëhershëm për anëtarësim në Interpol, presidenti Thaçi u shpreh se “Kosova është përgatitur për Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit” dhe se tani “është me rëndësi që të bëhemi bashkë dhe të gjithë të përkrahim dhe punojmë për këtë synim”.Unitet të spektrit politik, presidenti Thaçi kërkoi edhe në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

”Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret teknike që i ka vënë BE-ja”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se Kosova tani “me të drejtë pret që sa më parë të merret vendimi për heqjen e regjimit të vizave”.

”Është thelbësore që të jemi të unifikuar në qëndrimin tonë, në mesazhin tonë dhe në deklaratat tona”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Të gjithë të flasim me një zë për domosdoshmërinë e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës. Të mbrojmë me një zë interesin e shtetit të Kosovës, të qytetarëve të Kosovës”, shtoi presidenti Thaçi.

Duke folur për synimet afatgjata të Kosovës, anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe në BE, presidenti Thaçi theksoi se është krenar që është president i vendit më pro-NATO dhe më pro-BE në Evropë.

Ai pohoi se Forca e Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me NATO-n dhe partnerët perëndimorë ka arritur pikën kur është e gatshme të marrë përgjegjësi shtesë, ato të një ushtrie të vërtetë.

“Prandaj, të bëhemi bashkë dhe t’i kalojmë në Kuvendin e Kosovës ligjet që i hapin rrugë themelimit të ushtrisë dhe afrimit të Kosovës me NATO-n deri në anëtarësim të plotë”, potencoi presidenti Thaçi.

Ndërsa për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi tha se për realizimin e aspiratës për ulëse në Kombet e Bashkuara, për anëtarësim në NATO dhe në BE, kërkohet që të arrihet marrëveshja paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Është e vërtetë që e kemi merituar që rrugëtimi ynë drejt Kombeve të Bashkuara, drejt NATO-s dhe BE-së, të jetë më ndryshe, më i lehtë, më i shpejtë. Të mos varej më nga marrëveshja paqësore me Serbinë”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se “realiteti rajonal dhe ndërkombëtar imponon arritjen e marrëveshjes për normalizim për të dy shtetet”.

“Unë kam propozuar opsionin e korrigjimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe kam argumentuar se marrëveshja eventuale e korrigjimit paqësor të kufirit me Serbinë, Kosovës i siguron njohjen nga Serbia dhe ulësen në Kombet e Bashkuara. Çfarë është edhe më e rëndësishme, kjo hap mundësi edhe për bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me vendin tonë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Edhe kjo kërkon që në Kosovë, sipas presidentit Thaçi, spektri politik dhe e tërë shoqëria të jemi të bashkuar, të jemi unikë në kërkesën tonë dhe në synimin tonë.

“Të bëhemi bashkë, të sqarojmë se çfarë dëshirojmë të arrijmë, çfarë dëshirojmë të fitojmë, por edhe çfarë jemi gati të paguajmë për të arritur këtë qëllim”.Në fund të fjalimit të tij para pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidenti Thaçi u shpreh se “kryefjala ime sot ishte fjala bashkim”. “Të bëhemi bashkë për Kosovën, për të mirën e Kosovës, për të mirën e çdo qytetari”, kërkoi presidenti Thaçi.

”Të bëhemi bashkë e të shikojmë përtej interesave personale, partiake, elektorale, interesave të ditës dhe të punojmë të gjithë së bashku për Kosovën”, përfundoi ai./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Thaci, thirrje per unitet

Haradinaj në Uashington: Kosova mirëpret investimet amerikane

September 29, 2018 by dgreca

1 Haradinaj

“Zona e Veçantë Ekonomike Amerikane është dëshmi e qartë e përkushtimit të Qeverisë për fuqizimin e partneritetit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”,  tha kryeministri Haradinaj në një takim pune me përfaqësuesit e organizatës “The Heritage Founndation”, të kryesuar nga James Carafano, zëvendës president dhe udhëheqës i Institutit për Siguri Kombëtare dhe Politikë të Jashtme/

UASHINGTON, 28 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/ “Kosova mirëpret investimet amerikane”, ëshë shprehur kryeministri Ramush Haradinaj në Uashington, ku ka folur edhe për vendimin e 26 qershorit 2018 të qeverisë kosovare për themelimin e Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane në Kosovë, në një hapësirë mbi 500 hektarë në rajonin e Gjakovës, qytetit jugperëndimor afër kufirit me Shqipërinë.

“Zona e Veçantë Ekonomike Amerikane është dëshmi e qartë e përkushtimit të Qeverisë për fuqizimin e partneritetit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jemi duke punuar për krijimin e një klime sa më të përshtatshme për të bërit biznes”,  tha kryeministri Haradinaj në një takim pune me përfaqësuesit e organizatës “The Heritage Founndation”, të kryesuar nga James Carafano, zëvendës president dhe udhëheqës i Institutit për Siguri Kombëtare dhe Politikë të Jashtme.Kryeministri Haradinaj informoi Carafano-n për progresin që ka arritur Kosova gjatë qeverisjes së tij, veçanërisht në zhvillimin ekonomik, duke thënë se qeveria ka miratuar Ligjin për Investime Strategjike, ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për reforma fiskale, të cilat krijojnë lehtësira për zhvillimin e biznesit, në të njëjtën kohë ndikojnë në krijimin e një ambienti më të sigurt për investime të huaja direkte dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Duke theksuar orientimin euroatlantik të Kosovës, kryeministri Haradinaj tha se qeveria e Kosovës është duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar përmes shtimit të numrit të njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare me synim BE-në, NATO-n dhe OKB-në.Kryeministri Haradinaj njoftoi për përmbushjen e reformave të gjithanshme, si parakusht për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e Zonës Shengen, e cila do t’i hapte mundësi të reja studentëve, bizneseve, por edhe shoqërisë në përgjithësi.“Qeveria është e përkushtuar për stabilitet politik dhe institucional, përmes forcimit të rendit dhe ligjit, për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit’, tha kryeministri Haradinaj, duke vlerësuar se zhvillimi ekonomik është parakusht i domosdoshëm për zhvillimin demokratik të vendit.

James Carafano, përfaqësues i organizatës “The Heritage Founndation” dhe  zëvendës president dhe udhëheqës i Institutit për Siguri Kombëtare dhe Politikë të Jashtme, vlerësoi të arriturat e Kosovës  në të gjitha fushat dhe shprehu mbështetjen e tij dhe të institucionit që udhëheq për institucionet e Republikës së Kosovës./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, Kryeminsitri Haradinaj, Washington

Mungesa e transparencës e Bashkim Isenit lë shteg që unë si gazetare të dyshoj për keqpërdorim !

September 29, 2018 by dgreca

Nga kush u pagua albinfo.ch për revistën kushtuar turizmit të Shqipërisë “Shqipëria përtej bregdetit”/1-elida-bucpapaj-300x130

Nga Elida BUÇPAPAJ/

Pas botimit të shkrimit tim të dytë hulumtues për projektet dhe paret publike që përfiton albinfo.ch dhe drejtuesi i saj, mora kërcënim se Bashkim Iseni do të më hedhë në gjyq.

Nëse gazetarëve do t’u hiqej e drejta e hulumtimit dhe dyshimit, atëhere e gjithë bota do të ishte një kopje e keqe e shteteve sikur Kosova dhe Shqipëria me sisteme politike kuazi mafioze. Franca, Gjermania apo Zvicra për shembull do të udhëhiqeshin nga liderë si Edi Rama apo Hashim Thaçi, deviza Liberté, Égalité, Fraternité  do ta zëvendësohej me moton korrupsion-klientë- turorë, shteti i së drejtës nuk do të ekzistonte, ndërsa njerëzit e botës të krimit do të bënin ligjin!

Por thelbi i Perëndimit dhe po ashtu edhe Zvicra, Atdheu im tashmë, ku jetoj e punoj prej 23 vitesh, është modeli unik dhe më i mirë i funksionimit të sistemit dhe shtetit të së drejtës. Edhe në perceptimin e korrupsionit, sipas Transparency International, Zvicra gjithmonë është nga shtetet që qëndrojnë në krye të listimit global me koeficent korrupsioni minimal.

Personit që më nisi mesazhin, partnere në projektin balkans.ch me Bashkim Isenin, paçka se ka vetëm tre vjet që ka vënë këmbën në Zvicër dhe pa një CV me performanca konkuruese në fushën e botimit apo turizmit, i thashë “ok, aq më mirë”!

Nuk i frikësohem të vërtetës, pa marrë parasysh se Bashkim Iseni është me “krahë të ngrohtë”, jo si gazetar apo profesionist, se nuk ka fare lidhje me gazetarinë, por si profiter prej rrethanave dhe lidhjeve me politikën shqiptare.

Albinfo.ch u financua nga qeveria zvicerane në vitin 2010, sipas burimeve në shtypin zviceran me 2 milionë franga, për të kryer një mision shumë të rëndësishëm për mirëinformimin dhe integrimin e shqiptarëve. Nuk e ka përmbushur as në mënyrë minimaliste, bile ka shkelur themelin mbi të cilën mbështetet informimi, që është pavarësia dhe paanësia politike.

Kur Ministri i Diasporës Pandeli Majko erdhi këtë pranverë në Zvicër, me shpenëzimet e paguara nga taksapaguesit për të takuar komunitetin, ai e shpërdori paren publike, sepse u takua me një rreth të vogël vicioz pranë PS dhe Edi Ramës, duke anashkaluar komunitetin dhe gazetarët me prejardhje nga Shqipëria, ndërsa nuk harroi të deklaronte se : “albinfo.ch është një platformë model për informimin e diasporës”! Po ashtu premtoi pare. Dhe nuk vonoi, në Parlamentin e Shqipërisë  u votua vetëm nga PS ligji për diasporën ku ligjërohen financimet nga parja publike dhe nga projektet!

Kalimi i ligjit të financimeve është bërë në mënyrë urgjente dhe pa asnjë reagim të opozitës e cila vijon axhendat jashtë Parlamentit !

Gjatë muajve të fundit Bashkim Iseni është shfaqur sikur te jetë organizatori dhe PR i vizitave të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe Ministrave të diasporës të Shqipërisë dhe Kosovës në Zvicër, çka përbën konflikt të hapur interesi sepse cënon direkt pavarësinë politike dhe informuese të portalit të informimit!

Tani më thanë se Bashkim Iseni portalin e informimit albinfo.ch e ka transformuar në një shoqatë.

Bashkim Iseni është xhongler amator, por nuk është as gazetar dhe as botues e as garant i fjalës të lirë.

Bashkim Iseni përfiton trofe, grada, çmime, projekte dhe para nga kryepolitika në Shqipëri dhe Kosovë jo për shërbimet që ai i bën komunitetit, por për shërbimet që ai i bën direkt Edi Ramës, Hashim Thaçit dhe enturazhit të tyre, me mision diabolik dhe të mbrapshtë për të diznitegruar diasporën.

Një nga figurat më emblematike të diasporës shqiptare në SHBA, gazetari dhe veprimtari i mirënjohur Frank Shkreli, që ka drejtuar Zërin e Amerikës në shqip dhe po ashtu Seksionin e Euro-Azisë tek VOA dhe që gjithë jetën ia ka kushtuar informimit të shqiptarëve dhe integrimeve të tyre Euro-Atlantike, në një nga shkrimet e tij më të fundit vinte alarmin për qëndrimin e papërgjegjshëm të qeverive të Tiranës e Kosovës jo vetëm ndaj politikave kombëtare  por edhe ndaj diasporës.

“Diaspora sot, shkruan Frank Shkreli në opinionin e tij: “ÇKA PO NDODH KËSHTU? KAOS I RËNDË NË POLITIKËN KOMBËTARE – është më pak e organizuar dhe më shumë e përçarë se kurrë, fatkeqësisht, falë edhe politikave zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës dhe influencës së tyre në radhët e diasporës këtu në Shtetet e Bashkuara.”

Nëse Frank Shkreli ankohet me të drejtë për përçarjen e diasporës shqiptare në SHBA, po të ishte këtu në Zvicër do të vinte duart në kokë, pasi komuniteti shqiptar këtu është tërësisht i çintegruar, në kaos dhe nën tutelën e duarve të zgjatura e pis të kryepolitikanëve të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët bëjnë gjithçka për të luftuar figurat me ndikim dhe me integritet në diasporë, duke lançuar kopje të llojit të Bashkim Isenit!

Sikur e thashë që në krye, albinfo.ch u subvencionua nga shteti zviceran për të përmbushur një mision fisnik. Bashkim Iseni ka gëlltitur miliona franga. Subvencionimet që ka marrë janë kthyer shpesh herë në debat në parlamentin e Zvicrës, sepse nuk e kanë justifikuar financimin. Bashkimi Iseni pretendon se ka 16 korrespondentë në Kosovë, ndërkohë që është një faqe shumë pak e vizituar në raport me gjithë ato miliona të gëlltitura. Me sajtin modern, me IT, mbulimin webmaster që e ka gjithçka teknikisht të fjalës së fundit albinfo.ch prodhon shumë pak, nuk ka opinionistët e saj dhe mban qëndrime të hapura propolitikës së udhëhequr nga Hashim Thaçi në Prishtinë dhe Edi Rama në Tiranë.

Ndërsa Zvicra shkurton gazetarë në Agjensinë e saj të Lajmeve ATS/SDA, një institucion i shkëlqyer informimi që identifikohet me Konfederatën Helvetike, si është e mundur që të subvencionojë një portal që nuk ka asnjë standart botues dhe konkurues nga ato që kanë mediat në Zvicër?!

Sipas shtypit zviceran, ( nuk kam info të përditësuara)  ku parlamenti zviceran ka shfaqur shqetësimin për paren publike, mësohet se albinfo.ch në vitin 2018 do të subvencionohet nga pala zvicerane me 40% ! Pra 60 % Bashkim Iseni duhet t’i nxjerrë vetë, me punë. Bashkim Iseni nuk di të punojë! Nëse nuk punon, falimenton!

Por Bashkim Iseni është mësuar të bëjë qejf falë subvencioneve, projekteve e granteve! Është “gjuetar” i mbështetjes financiare që Perëndimi jep për Kosovën dhe Shqipërinë, shto tani edhe pares publike që PS  posa ka votuar në Parlament. Parja që Perëndimi e dërgon me projekte në Kosovë e Shqipëri, rikthehet përmes instrumentave që janë në duart e kryepolitikës direkt e në gojën e Bashkim Isenit, metaforikisht në gojën e aligatorit Bashkim Iseni ! Gojën e ka gjigande në fakt, jo për të shpërndarë apo mbrojtur të vërtetën, por për të gëlltitur pare publike ose ndihma që shkojnë në Shqipëri e Kosovë me qëllime të mira por që shpërdoren nga politika!

Po të pyesësh njerëzit rreth tij, ata të dalin me shpatë në dorë dhe të thonë se projektet që merr Bashkim Iseni janë zvicerane! Edhe kur pyeta për projektin më të freskët, botimin e revistës kushtuar turizmit të Shqipërisë “Shqipëria përtej bregdetit”, kështu reaguan – se kjo revistë është mbështetur nga fondacione zvicerane!

Këtu kemi të bëjmë direkt me dizinformim dhe manipulim të fakteve! Zvicra financon me projekte zhvillimi për Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa është pala shqiptare që i kanalizon projektet tek “njerëzit pranë pushtetit politik”. Si në rastin e Bashkim Isenit.

Kam sjellë në vemendje rastin e një projekti Perëndimor në Kosovë në shkrimet pararendëse. Në tetorin e 2016 Leonard Komani, gazetar nga Prishtina e denonconte albinfo.ch dhe një tjetër shoqatë “si grantezhvatës nga diaspora”, sipas të cilit albinfo.ch kishte zhvatur rreth 100 mijë Euro nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) që financohet nga donatorë Perëndimorë, kryesisht ambasada dhe zyra për zhvillim me qëllim zhvillimin e gazetarisë në Kosovë!”

Pra, paret me destinacion gazetarët në Kosovë i rrëmbeu albinfo.ch, “sepse paskish patur në plan të realizonte portrete “të thukta” individësh nëpër Zvicër, Kosovë, Danimarkë, Suedi etj!” Po përse të mos i realizonin portrete të tilla vetë gazetarët e Kosovës lind pyetja?!

Zhvatja, fshehja dhe mungesa e transparencës karakterizojnë edhe projektin më të fundit që ka zhvatur Bashkim Iseni për botimin e revistës për turizmin “Shqipëria përtej bregdetit”!

Rreth botimit të revistës për Turizmin në Shqipëri, ku botues është albinfo.ch, ka terr të plotë informativ, ka mungesë gare, konkurence, ka mungesë dhëniellogarie, ka mungesë të plotë transparence. Si shkuan direkt këto pare në gojën e Bashkim Isenit? As ambasada e Shqipërisë në Bernë nuk ka dhënë asnjë informacion! Në raste të tjera kur e kam pyetur shefin e saj, më ka thënë se nuk ka patur informacione.

Botuesit e voal.ch janë autorë dhe shkrimtarë, me prejardhje nga Shqipëria. Ata nuk kanë marrë asnjë ftesë apo informim për projektin e revistës.

Informacioni erdhi i gjymtuar vetëm kur gjithçka kishte përfunduar, sikur thuhet kur gjithçka ishte bërë fakt i kryer, Fait accompli, kur paret kishin shkuar në gojën e aligatorit dhe revista me 132 faqe, e botuar në mijra kopje, shpërndahet gratis nëpër klube, shoqata dhe ambasadat shqiptare në Zvicër!

Ne si botues dhe shkrimtarë, për dhjetë vitet e fundit kemi botuar 10 libra, me publicistikë dhe poezi, po ashtu në Zvicër prehen eshtrat e Mjeshtrit të Madh, poetit Vehbi Skënderi, tim eti, i persekutuar nga diktatura komuniste, i cili vitet e fundit të jetës i kaloi në Konfederatën Helvetike ndërsa ambasadat shqiptare me një përbërje ose mediokre, ose politike bëjnë veshin shurdh e syrin qorr! Ndërsa huligani Edi Rama për demagogji dhe pafytyrësi i vë avionëve shqiptaro-turkë emra poetësh!

Kjo është situata dramatike në diaspore. Ndaj të njëjtin mendim me Frank Shkrelin, është shumë alarmante, sepse politika e Tiranës dhe Prishtinës në relacione klienteliste e ka shkatërruar tërësisht komunitetin e diasporës në Zvicër.

Zvicra ka qenë modeli më i mrekullueshëm i organizimit të diasporës shqiptare, vendi që diaspora mikpriste Ibrahim Rugovën dhe poetët e Kosovës! Ky model brilant organizimi që kishte marrë mbi supe përgjegjësi të mëdha nisi të rrënohej me vdekjen e Rugovës dhe kur pushtetin politik e mori Hashim Thaçi mjerisht në aleancë me LDK!

Por kam bindjen se diaspora shqiptare në Zvicër ka forca dhe energji që t’i thotë “jo” politikës të kompromentuar shqiptare e çdo lloj relacioni klientelist, të zhyer në llucën e korrupsionit e t’i kthehet organizimeve të saj që kanë në thelb, kulturimin, edukimin dhe integrimin e shqiptarëve. Për të mos qenë nën thundrën e këpucës të një klase politike të korruptuar dhe pa integritet, por përkundrazi qe të ketë ndikimin e saj në vendet e prejardhjes, që mbahen falë remitancave miliardëshe të përvitëshme që kjo diasporë e nderuar dhe e respektuar dërgon në trojet shqiptare!

PS
Po i sjell lexuesit se si qendron voal.ch dhe albinfo.ch në globalrank.
voal.ch e krijuar në vitin 2008, nuk ka marrë asnjë lloj mbështetje, portali mbulohet vetëm me një Hosting dhe është hakeruar pa fund, ndërsa albinfo.ch shpenzon pa fund për modernizimin me fjalën më të fundit dhe ka kapërdirë miliona, por lexuesi kërkon të lexojë se si qendron e vërteta dhe vendss edhe fatin e lexueshmërisë

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj, nga kush paguhet

Shqiptarët dhe Qendra Wilson

September 29, 2018 by dgreca

50-VJETORI I QENDRËS WILSON NË WASHINGTON/

Nga Frank Shkreli/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1

Presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson/

1 woodrow_wilsonMuaji shtator i këtij viti shënoi 50-vjetorin e themelimit të Qendrës së Studimeve Woodrow Wilson në Washington, që njëkohësisht, duke u bazuar në një akt të Kongresit amerikan, kjo qendër shërben gjithashtu edhe si një memorial, kushtuar Presidentit të 28-të të Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilsonit.  Është pra një qendër studimore ndër më të njohurat në Amerikë, por që nuk anon politikisht nga ndonjë parti politike ose ideologji dhe si një qendër akademike, gëzon një reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar, për paanësi, objektivitet dhe si një forum i hapët për debate të hapura politike mbi çështje botërore dhe të mbrendshme.  Studimet, idetë dhe hulumtimet e Qendrës Wilson i shpërndahen Kongresit, administratës dhe komunitetit më të gjërë politik, diplomatik dhe akademik.  Për më tepër, nepërmjet shpërnadarjes së materialeve dhe studimeve në internet, përfshirë mediet shoqërore, materialin dhe studimet e prodhuara nga Qendra Wilson, tani mund t’i lexojnë qindra mijëra të interesuar, këtu në Shtetet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës, përfshirë edhe qeveritarët dhe vendimarrësit e të gjitha niveleve, kudo në botë.  Pasi 50-vjetë më parë, Kongresi e ka krijuar si një memorial kushtuar Presidentit Woodrow Wilson, Qendra siguron një të tretën e buxhetit nga Kongresi amerikan, ndërsa për pjesën tjetër të financimit të kësaj qendre, ajo varet nga ndihmat e publikut dhe të donatorëve, përfshirë fonadacione, korporata dhe individë të ndryshëm, që besojnë në misionin kritik dhe në kontributin e të kësaj qendre studimore.

Qendra Wilson konsiderohet, në përgjithësi, si një memorial kombëtar i gjallë, kushtuar Presidentit Wilson, vepra e të cilit për të ndërtuar një urë midis botës akademike dhe politikës, në interes të publikut, ndërkohë që vizioni i tij, për një bashkpunim më të madh ndërkombëtar, vazhdon të frymëzojë edhe sot njerëzit, kudo.  Në kaudër të 50-vjetorit të themelimit, të martën që vjen, Qendra Wilson do të zhvillojë një debat prej një dite, me eskspertë të njohur amerikanë dhe të huaj, mbi influencën e politikës kombëtare dhe ndërkombëtare që i atribohet Presidentit Wilson, si dhe mbi trashëgiminë e tij, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar gjatë historisë e madje edhe në ditët e sotëme.  Ndër subjektet që do të diskutohen nga ekspertë të njohur në fushat e tyre të ekspertizës, është edhe pyetja nëse — vizioni i rendit botëror të promovuar nga Presidenti i 28-të i Shteteve të Bashkuara fillim shekullin e kaluar — është ende i zbatueshëm edhe sot, përballë ndryshimeve që po ndodhin aktualisht në sistemin dhe në rendin politik ndërkombëtar.  Dhe nëse Amerika dhe bota kanë mësuar gjë, jo vetëm nga sukseset, por edhe nga dështimet e tija si president, qoftë në politikën e brendshme, qoftë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të ish-Presidentit Woodrow Wilson.

Dy javë më parë, Qendra Wilson në Washington shënoi 50-vjetorin e themelimit të saj me një darkë me miqë e dashamirës të ftuar të Qendrës duke nderuar me këtë rast ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit, Dr. Henry Kissinger-in, Senatorin republikan Roy Blunt dhe Kongresmenin demokrat Steny Hoyer.  Dr-it. Henry Kissinger iu dorëzua dekorata, “Fryma e Wilsonit”, e krijuar posçërisht për t’iu dhënë personit i cili personifikon më së miri besimin e Presidentit Wilson se, “Ka shumë zëra që japin këshilla, por ekzistojnë shumë pak zëra që përçojnë vizion.”  Sipas shefes së Qendrës Wilson, Jane Harman, ish-shefi i diplomacisë amerikane e meriton këtë dekoratë, pasi, “Henri Kissinger është i vetmi person, këshillat e të cilit janë kërkuar dhe kërkohen nga çdo president i Shteteve të Bashkuara, nga çdo president i Kinës dhe nga shumë udhëheqës të ndryshëm anë e mbanë botës”, u shpreh ajo.

        SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SHQIPTARËT NË QENDRËN WILSON

Është vështirë të gjëndet ndonjë subjekt, çështje, krizë botërore ose rajonale që të mos jetë diskutuar gjatë dekadave në këtë qendër studimore, qoftë nga ekspertë vendas ose ndërkombëtarë, të ardhur nga të gjitha anët e Amerikës por edhe nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë paraqitur studimet ose kanë ndarë mendimet dhe ekspertizën e tyre me kolegët e tyre amerikanë për çështje të ndryshme të rajoneve nga vijnë.  Zëri i Amerikës gjatë dekadave ka mbuluar shumë debate dhe ka marrë shumë intervista nga eskpertë amerikanë dhe të huaj, të cilët kanë ndarë me dëgjuesit mendimet e tyre, emrat e disa prej të cilëve mund të jenë gjithnjë të njohur për dëgjuesit dhe shikuesit e rregullt të Zërit të Amerikës.

Shqiptarët kanë qenë me fat gjatë viteve sepse Qendra Wilson ka treguar një interesim të posaçëm për fatin e Shqipërisë nën komunizëm, për Kosovën nën pushtimin serb dhe për tëdrejtat e shqiptarëve në përgjithësi.  Për këtë ndoshta nuk është për tu çuditur kur të merret parasyshë roli që ka luajtur Presidenti Wilson në fillim shekullin e kaluar, për shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi i mëtejshëm i trojeve shqiptare, nga fqinjtë grabitqarë.

Gjatë viteve, Qendra Wilson ka mbajtur me dyzina debate e diskutime akademike edhe me ekspertë me origjinë shqiptare por edhe me specialistë të huaj dhe amerikanë që janë marrë me punët e shqiptarëve.   Një ndër të parët i ftuar nga Qendra Wilson ka qenë Dr. Elez Biberaj, aktualisht Drejtor i VOA-s për Euroazinë, i cili kryesisht ka folur aty për Kosovën, por edhe për Shqipërinë, duke ofruar pikëpamjet e tija mbi gjëndjen e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor, bazuar në mire-informimin e tij si gazetar dhe si akademik.  Ndërsa ndër folësit më të fundit shqiptaro-amerikanë, ishte ftuar njëri prej profesorëve të rinjë shqiptar në Amerikë, Dr. Elidor Mëhilli, Profesor i Historisë në universitetin Hunter, në Nju Jork, i cili ka paraqitur librin e tij me titull, “Nga Stalini te Mao: Shqipëria Socialiste në analizën e Dr. Elidor Mëhillit”.  Temat e mbuluara nga këta dhe ekspertë të tjerë shqiptaro-amerikanë në Qendrën Wilson, kanë përfshirë kryesisht çështjet shqiptare në përgjithësi, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve në trojet e veta, pa lenë jashtë as problemet dhe politikat rajonale të Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë prekur dhe prekin gjithnjë interesat e shqiptarëve.  Nga ekspertët e huaj aty ndër të parët që kanë folur për Shqipërinë dhe për Kosovën ka qenë Xhorxh Hoffman, specialistë si Janush Bugajski, Misha Gleni e James Petiffer, pa dashur të përmend edhe të tjerë, si Ross Johnson, Dejvid Binder e shumë të tjerë, përfshirë edhe zyrtarë të lartë të Departmentit Amerikan të Shtetit, si Rosemary DiCarlo, si dhe përfaqsues të dikasterve të tjera  të qeverisë dhe Kongresit amerikan dhe shumë të tjerë, sidomos gjatë krizës në Kosovë në dekadën e1990-ve.  Përveç politikës së jashtme, sigurisë kombëtare dhe diplomacisë ndërkombëtare, në Qendrën Wilson janë ftuar për të folur edhe eskpertë të tjerë, për të diskutuar mbi çështje madje edhe kulturore dhe letrare të shqiptarëve, siç ishte rasti iJohn Cox, profesor i historisë në Universitetin Jezuit Wheeling të Virxhinias Perëndimore, i cili ka shkruar edhe një libër për evoluimin e veprës së Ismail Kadaresë, në kontekstin historik.

Fan Noli ka shënuar se në takimin e tij me Presidentin Woodrow Wilson, para se të nisej për të marrë pjesë në Konferencën e Paqës në Paris, ai i ka kërkuar Wilsonit të shpëtonte Shqipërinë nga coptimi i mëtejshëm i tokave shqiptare në Konferencën e Paqës në Paris.  Wilsoni, ka shkruar Noli, e kishte siguruar atë se “Një zë do të kem në Konferencën e Paqës dhe atë zë do ta përdor në mbrojtje të Shqipërisë.”  Qendra e cila mban emrin e këtij mbrojtësi të madh të trojeve shqiptare — ish-presidentit amerikan Woodrow Wilson – në traditën më të mire wilsoniane, vazhdon edhe sot, 50-vjet pas themelimit të saj, të ftojë dhe të dëgjojë gjithnjë ata ekspertë shqiptarë dhe të huaj — ashtu siç është shprehur edhe vet Wilsoni – zërat e të cilëve përçojnë vision, për të ardhmen e Kombit shqiptar.

Qendra Wilson qendron sot, në këtë 50-vjetor të themelimit të saj, si një memorial dhe një simbol i sukseseve të Presidentit Woodrow Wilson, në fushën e politikës së jashtme, të një idealisti i cili besonte në paqën botërore, në vetvendosjen dhe në sovranitetin territorial të kombeve të mëdha e të vogëla, përfshirë Shqipërinë.  14 pikat e tija të famshme për paqën në botë, ishin një vizion i bashkpunimit ndërkombëtar për lirinë dhe demokracinë e popujve, vizion ky që më në fund ka çuar në krijimin e Lidhjes së Kombeve — para-ardhëse e Kombeve të Bashkuara — përpjekje këto për të cilat ai ishte dekoruar me Çmimin Nobel për Paqë, në vitin 1920.

Në këtë 50-vjetor të themelimit të Qëndrës së Studimeve Wilson në Washington, le të kujtojmë këtë burrshtetas të madh amerikan, Woodrow Wilsonin, zëri vizionar i të cilit ishte vendimtar për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë, duke kontribuar — secili prej nesh, siç ka porositur edhe Fan Noli — “Sadopak për kauzën njerëzore dhe për qytetërimin botëror, me aqë sa kemi mundësi.”

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 50 Vjetori i qendres, dhe Qendra Wilson, Frank shkreli, shqiptaret

Thaçi: Presidenti Amerikan Trump, mbështetje progresit të Kosovës

September 28, 2018 by dgreca

 1 Thaci-Trump2

PRISHTINË, 28 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi,  në një konferencë shtypi sot në Prishtinë pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka folur edhe për takimin me Presidentin Amerikan Donald Trump.

I pyetur nga media, Presidenti Thaçi tha se, nga takimi i shkurtër “mund të konkludojë vetëm atë se Presidenti Trump e njeh Kosovën, e kupton dhe e ndjenë dhe i jep mbështetje progresit të arritur në Kosovë”.

Në 26 Shtator, Presidenti Thaçi ka publikuar foton nga takimi me Presidentin Trump dhe ka shkruar në ‘facebook’: “Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe miqësinë e përjetshme ndërmjet popujve tanë”./b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, President Trump, Presidenti Thaçi, takim

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT