• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2018

Çështja shqiptare ende në udhëkryq

October 31, 2018 by dgreca

– Interesat e mëdha nuk pyesin për miqësira, paratë trazojnë botën-/

1 Nuri Dragoj.JPG

Nga Nuri Dragoj/Këto ditë mediat kanë shkruar dhe folur për miliona euro që Greqia financon për kishin ortodokse, për politikën, median, për sektor të ndryshëm të rëndësisë së veçantë, të cilët në një farë mase e kanë penguar ecurinë e punëve në Shqipëri. Plot 20 vjet më parë, në parlamentin serb iu kërkua Millosheviçit të pakësonte financimet e fshehta në Shqipëri, por ai u përgjigj se po të mos ishin ato 40 milionë dollarë me të cilat paguhen 6 mijë vetë, Shqipëria nuk do të ishte në atë gjendje, që Serbia mund ta merrte me shoqatën e gjahtarëve të Beogradit. Ditët e fundit kryeministri grek pranoi se janë miliona euro që hyjnë në mënyrë të fshehtë në Shqipëri, por nuk tregoi sa shqiptarë paguan me ato para, 6 mijë, sa Millosheviçi apo më shumë. Me këto para Kisha Ortodokse Shqiptare e ka zbehur autoqefalinë e saj, shkollat greke vazhdojnë të fusin në gjakun e fëmijëve helmin e helenizmit, ngaqë edhe dhe programet e tyre nuk kontrollohen. Janë bërë dhjetra “lapsuse” në tekstet e historisë dhe gjeografisë, duke e paraqitur territorin shqiptar grek, madje në Shqipëri janë botuar edhe harta që e sjellin kufirin grek pak më këtej vijës Venizello, deri në Shkumbin. Asnjë pasojë për ata që kanë bërë këto “lapsuese”. Lind pyetja: Pse nuk u botua ndonjë hartë me “lapsuus” që ta çonte kufirin shqiptar tej Janinës, deri në Artë? Sespe Athina ka zot, ndërsa këtu shetisin lirisht të gjitha llojet e kafshëve të pyllit.

Në fund të vitit 1942, ministri i Jashtëm anglez i shkruante kryetarit të misionit anglez Greqi-Shqipëri, se në Tiranë kemi 518 njerëzit tanë që i paguajmë me vite, pa i venë në punë. Tani ka ardhur koha dhe i kemi venë në lëvizje. Janë me ndikim të fuqishëm në popull. Po Italia, Greqia, Serbia sa paguanin me rrogë? Besoj se nuk ka nevojë të dyshojmë për shkaqet e vëllavrasjes midis shqiptarëve gjatë luftës.

Personat që financohen nga Serbia, Greqia e të tjerë, vështirë të bëhen publikë, pasi këto shtete kanë në dorë edhe çelësin e këtij mospublikimi. Të paktën, qeveria shqiptare me strukturat e veta duhej të merrte masa për të mos i lejuar në sektorë strategjikë të politikës, diplomacisë, sigurisë kombëtare, ushtrisë dhe ekonomisë. Natyrisht nëse mundet ta bëjë një gjë të tillë. Një masë e tillë do të frenonte shkatërrimin e Shqipërisë, pasi janë këto para që e kanë shpejtuar me hapa maramendëse procesin e helenizimit në jug të vendit; që sollën varrezet greke duke u dhënë vendin e pameritur; që ndërtuan manastirin në pikën më strategjike të jugut të Shqipërisë, në Grykën e Këlcyrës; që lejuan devijimin e Vjosës me 6 metra kub ujë në sekondë, për të ndërtuar Athina hidrocentralin e Pigait; që po realizojnë marrëveshjen e detit në dëm të interesave tona kombëtare; që nuk lejojnë ndërtimin e rrugës së Frashërit, vendit të shenjtë për shqiptarët, të shenjtërisë patriotike dhe madhështisë së bektashizmit atdhetar.

Në Shqipëri kush u shërben të huajve nderohet, në vend që të ndëshkohet. Ata kanë pushtet dhe para, guxojnë të bëjnë gjithçka pa iu dridhur syri. Gati 155 vjet më parë, studiuesi gjerman, Fallmerayer, duke folur për tradhtinë e Moisiut, i cili i mundur nga Skënderbeu u bashkua me turqit dhe, pas një viti, erdhi sërish në Shqipëri (1457), ku u prit me nderime, rifitoi postet honorifike dhe pronat e konfiskuara. Për këtë ai thotë: “Tradhtia te shqiptarët falet shpejt e lehtësisht, si një nga mëkatet që rëndojnë më pak”. Sami Frashëri pak më shumë se 130 vite më parë thoshte se Shqipëria do të bëhet kur shumica e shqiptarëve të bëhen shqiptarë. Mesa duket vazhdojmë të vuajmë të njëjtën dilemë e cila na ndjek si hije hap pas hapi.

Mithat Frashëri, në një artikull të botuar në revistën “Diturija” nr. 2, korrik 1916, thotë se armiqtë e Shqipërisë, dëmin më të madh na e bëjnë duke përdorur shqiptarët për interes të tyre. Pra “të ligën më të madhe e sjellim vet, duke u bërë vegla e të huajve, e atyre armiqve që na kanë pështjellë si një rreth prej flake”. Më tej ai thotë se nuk është mirë që njeriu të shaj veten e vet, por në këtë rast është fjala për qortim, të hapim sytë dhe të shohim më mirë për t’u shëruar nga kjo sëmundje e rrezikshme. Sipas Mithat Frashërit, tendenca për të gjetur një mik, që të na marrë nën mbrojtje, nuk është dhe aq shpresdhënëse, pasi po nuk deshe veten, nuk ka si të dojë dhe të ndihmojë tjetri. Po të bëhemi të zot e të bashkuar, edhe armiku druhet dhe detyrohet të na respektojë, në të kundërt ai tenton të zhvasë sa më shumë prej teje. Ajo që thotë Mithat Frashëri 102 vjet më parë, ndodh edhe sot. Qortimet e tij vlejnë në ditët tona për të gjithë ne. Ja çfarë shkruan ai: “Mos rrini si Buda të kënaqur prej kotësisë dhe mefshtësisë suaj; mos u madhështoni pse krihni leshrat dhe dini të vishni kollaro të zbardhura me niseshte. Hyni në prekje me popullin, njihni dhe studioni shpirtin e tij, ndritoni dhe ndihni mendjen e tij. Mos i flisni fjalë të kota, mos i epni mendime të dëmshëm, mos e bëni gjendjen e gjorë më enarshike dhe më të egër nga ç’është. Po shikoni ta zbutni, t’i epni ndjenja njerëzore, parime dhe virtyte shoqërore, ta bëni të butë dhe të mirë, të mëshirshme dhe të dashur”. Mësoheni të shmangi cmirën dhe egoizmin, sedrën e rreme dhe inatin e tij; bëjeni që të dhurojë, të fal, të dojë dhe të mëshirojë; të shkoj me shokun dhe me vëllanë. Me një fjalë të bëhet miku dhe dashamiri i Kombit e i truallit, dhe jo armiku i tij”.

Në atë kohë ai i drejtohej rinisë që të merrte në dorë frenat për të udhëhequr fatin e kombit, të mos shohin vetëm të metat por edhe virtytet e shqiptarëve, të mos dekurajohen nga mangësitë, por të mobilizohen për të shmangur veset dhe për të fituar më shumë dashuri. Edhe sot shpresa mbetet te rinia, po te cila rini? Të rinjtë po e braktisin Shqipërinë. Të rinjtë shohin zbrazëti shpirtërore, sepse vendin e komandojnë banditët, hajdutët, se zgjedhjet vidhen, se në administratë mund të punësohesh vetëm nëse u ke shërbyer pushtetarëve, nëse u ke dhënë sa më shumë vota. Për të ndershmit nuk ka vend.

Globalizmi dhe rreziqet për Shqipërinë

Shpesh kur flasim për mbrojtjen e interesave kombëtare, hasim në disa kundërshti, të cilat mbulohen me vellon e globalizmit, të shuarjes së kufijve dhe më gjerë. Paratë e pista, bëjnë që përfituesit e tyre të mos e bëjnë të qartë, nëse këto qëndrime janë nga naiviteti, apo shkak i porosive të dhëna, i një strategjie jo fort të kamufluar, për të mos e bërë kombin shqiptar.

Iluzioni i gabuar se demokracia i shoi kërcënimet territoriale, është i gabuar. Sindromi i globalizmit është me rrezik të madh për fatin e kombit shqiptar, madje për këtë shkak, në këtë drejtim, bëhen financime të mëdha. Sot çështja shqiptare është më e kërcënuar se kurrë. Ballkani edhe pse shpreson të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, është njëkohësisht dhe objekt i ndonjë krize më të thellë dhe krijimit të ndonjë vije zjarri me pasoja të paparashikueshme.

Tri vite më parë sekretari i Shtetit Amerikan ngriti zërin në senat për rrezikujn rus në Ballkan, të përplasjes së Lindjes me Përëndimin, duke bërë fjalë edhe për një vijë zjarri Serbi-Kosovë-Mali i Zi-Maqedoni. Vijë zjarri pikërisht në ato shtete që aspirojnë të bëhen pjesë e NATO-s dhe BE, gjë të cilën nuk e dëshiron Rusia. Kjo deklaratë ka kaluar thuajse në heshtje nga politikanët ballkanik, nga media. Mund të jetë për arsye se nuk është kuptuar, se është quajtur një shaka apo shashkë politike, sepse të gjithë vuajmë nga sindromi i globalizmit. Por në të vërtetë nuk është kështu. Akademia e Shkencave të Maqedonisë, në enciklopedinë e vet, i konsideron shqiptarët të ardhur vonë, pas shekullit të 9. Qeveria maqedone nënshkruan me Greqinë Marrëveshjen e Psespës, në të cilën e shuan gjuhën shqipe. Me këtë dokument pajtohet edhe politika shqiptare, madje punon për miratimin e saj me referendum, për ta çimentuar që të mos shkulet kurrë. Kancelarja Merkel e ka theksuar me forcë rrezikun e ndikimit rus në Ballkan. Këtë vit, duke folur nga Maqedonia, ajo përmendi termin “rrezik lufte”. Presidenti Tramp bëri fjalë për një rrezik lufte në Ballkan, ku mund të përfshihet Mali i Zi e Shqipëria. Pra theksoi se Ballkani vazhdon të jetë një vullkan, i cili mund të shpërthejë nga çasti në çast.

Termi “Kemi NATO-n” “Na mbron Amerika”, “Iku koha e luftës” e të tjera, tashmë duken si të tejkaluara. Luftrat nuk janë ndalur kurrë. Luftrat lokale për interesa madhe e strategjike të të mëdhenjëve mbeten përherë të ndezura. Është vërtetë fat që ne kemi Amerikën. Fat që jemi pjesë e NATO-s dhe duhet të bëhemi pjesë aktive e mbrojtjes prej saj të interesave në Ballkan. Por njëkohësisht nuk duhet të harrojmë dhe interesat madhore nuk e kursejnë luftën. Sërbia e ka refuzuar hyrjen në NATO. Beogradi u shpreh kundër sanksioneve të BE ndaj Moskës dhe ende nuk e ka njohur Kosovën. Pikërisht se shihet ky rrezik, politika gjermane ka lëshuar kërcënimin se pa njohur pavarësinë e Kosovës, Beogradi duhet ta harrojë anëtarësimin ne BE.

Por këto, edhe pse janë në favor të çështjes shqiptare, nuk mjaftojnë. Ne duhet të zgjohemi, të mos i pranojmë paratë e psita që na afrojnë dhe të punojmë për këtë komb. Interesat madhore nuk pyesin për aleanca, për anëtarë grupi, pasi e dimë çfarë bëri Rusia në Çekosllovaki në vitin 1968, e dimë dhe agresionin tjetër rus ndaj Ukrahinës dhe aneksimin e Krimesë rrethe 4 vite më parë. Nga historia dimë shumë, dimë dhe që ajo përsëritet.

Në vitin 2015 u bë fjalë për krijimin e një aleance midis Rumanisë, Sërbisë dhe Bullgarisë, një aleancë e pakuptimtë në aspektin politik, ekonomik e diplomatik, pasi bëhet fjalë për copëtim të vendeve ballkanike. Kjo aleancë është si një mur ndarës. Ajo të kujton aleancat e vitit 1912 midis fqinjëve të Shqipërisë, që ishin kundër interesave të shqiptarëve. Tashmë Gjermania i ka thirrur nën armë gjithë forcat e afta, Suedia po ashtu, Franca ka bërë të njëjtën gjë. Anglia e ka forcuar sistemin ushtarak dhe në shumë shtete të fuqishme është rritur buxheti i luftës. Po të kërkojmë që të hedhim vështrimin në histori, nuk do të thotë se jemi nacionalistë të pandreqshëm, por që të tregohemi vigjilentë, të duam vendin tonë, t’i kthehemi vetes, përgjegjësive individuale dhe kolektive, në mënyrë që të nxjerrim mësim nga e kaluara, që të mos e pësojmë përsëri në të ardhmen, duke cunguar kombin, në vend të bashkimit të tij. Nuk kanë vlerë fajësimi i Europës, as nënshtrimi ndaj saj, por duhet të punojmë shumë dhe seriozisht për konsolidimin kombëtar, me qëllim që të mos na përsëritet e kaluara. Ende nuk është kuptuar si duhet nga politika shqiptare, brenda dhe jashtë vendit, se pa pasur qëndrime të përbashkëta për çështjet kombëtare, pa funksionuar si një tërësi kombëtare, punët nuk do të na shkojnë si duhet.

Historikisht trojet shqiptare janë copëtuar nga fqinjët me mbështetjen e Fuqive të Europës, të cilat kanë pasur si synim ta shuajnë Shqipërinë nga harta e kontinentit, edhe pse ajo popullohet nga një prej popujve më të vjetër. Copëtimi i Shqipërisë nuk ka pasur asnjë bazë historike, por u bë që Serbia, Mali i Zi dhe Greqia, të përligjnin lakmitë e veta ndaj trojeve shqiptare. Pastrimi etnik ndaj shqiptarëbe ka nisur që në luftën ruso-turke (1877-1878), ndërsa pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-1913), qeveritë e Beogradit, Cetinës dhe Athinës, filluan dëbimin e shqiptarëve nga trojet shekullore etnike dhe i dërguan të mërgonin në Turqi, sa më larg prej kufijve të tyre.

Ndihmën ta kërkojmë duke punuar

Shqiptarët e mbetur pa të drejtë përtej kufijve të Shqipërisë londineze, trajtohen me ashpërsi. Prania e shqiptarëve në Greqi është e hershme. Ata banojnë në ato troje prej mijëra vjetësh, troje të cilat janë në vazhdimësi të pandërprerë me territorin e Shqipërisë, pavarësisht nga kufijtë që u vendosën në vitin 1913. Çështja çame mbetet e hapur, por e paaktualizuar sa duhet dhe as si duhet nga shteti shqiptar. Problemi i pronave të shqiptarëve në Çamëri ka mbetur i pazgjidhur. Të pazgjidhura janë dhe problemi i njohjes të të drejtave dhe lirive kombëtare të shqiptarëve që jetojnë aty. Çështja çame kërkon trajtim politik dhe jo të shërbej për t’u fshehur nga politika për hir të “marrëdhënieve të mira me Greqinë”. Çështja çame mbetet njëra nga pikat kyçe, që mbajnë pezull marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, kur dihet se pa u zgjidhur drejt çështja çame, nuk mund të ketë marrëdhënie të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.

Trajtimi i shqiptarëve si pakica kombëtare në Maqedoni dhe Malin e Zi, nuk është i shkëputur nga mosgjetja e gjuhës së përbashkët të udhëheqësve të shqiptarëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Bashkësia ndërkombëtare u angazhua për një “marrëveshje historike” ndërmjet shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve, por duhet pranuar se Marrëveshja e Ohrit nuk i promovoi shqiptarët si popull autokton, me tiparet e theksuara demografike të numrit të tyre dhe të koncentrimit të lartë dhe të gjerë në trojet e veta etnike, si dhe të përbashkëta jetësore në këtë republikë. Ata u trajtuan si “pakica kombëtare”, madje pa i përmendur fare, përveç se në kuadër të “bashkësive” që përbëjnë “shtetin shumetnik”, edhe pse shqiptarët, në fakt, përbëjnë grupin më të shquar etnik tek i cili është rritur vetëdija se ai është subjekt politik që, krejtësisht i barabartë me popullin maqedonas, ka të drejtë të jetë bartës i sovranitetit dhe shtetformues. Për këtë shkak Marrëveshja e Ohrit nuk e eliminoi shkaktarin themelor të krizës në Maqedoni-trajtimin e shqiptarëve si minoritet. Edhe pse këtë vit u mundësua të pranohej gjuha shqipe si gjuhë zyrtare, u pranua nga qeveria, po bëhen të gjitha përpjekjet që ajo të mos realizohet, pasi e bllokoi Presidenti i Maqedonisë dhe në Marrëveshjen e Prespës nuk u zu fare në gojë.

Vetëm duke u çliruar nga koncepti “e dinë të mëdhenjtë”, “puna e shqiptarëve është në dorë të Amerikës” e plotë slogane të tjera, duke realizuar zgjedhje me të vërtetë të lira e duke punuar me përkushtim, me një strategji të qartë të zhvillimit ekonomik e social brenda vendit, duke nxjerr në drejtim të sektorëve të ekonomisë por dhe të politikës njerëzit më të ditur dhe më të përkushtuar për çështjen kombëtare, në vend të atyre që dinë më shumë hile dhe bërtasin për interesin personal, do të mund ta bëjmë Shqipërinë.

Më shumë se kurrë, tani është koha të bashkohemi në një zë, të mos biem pre e kurtheve të diplomacive që punojnë kundër bashkimit të kombit shqiptar, të mendojmë dhe të veprojmë si një trup i vetëm, si popull dhe si komb, pasi në rrethanat e tanishme vihet re një fenomen që kërkon të menaxhohet mirë. Është koha kur, nga njëra anë, duket se po rritemi si popull, pasi Kosova është duke e konsoliduar pavarësinë, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe po bënë përpjekje për të marrë statusin e kandidatit për në Be, nga ana tjetër, ende po na kërcënon rreziku që të tkurremi si komb, për shkak të egërsisë diplomatike të vendeve fqinje, të mbështetura nga fuqi të tjera, që i bashkojnë me ta lidhje shpirtërore dhe ato të besimit fetar shekullor. Kjo duket qartë në kërkesat e dy shteteve fqinje, Greqisë dhe Serbisë, të cilat kanë mëse dy shekuj që vazhdojnë të kërkojnë me ngut rrëmbimin e pjesëve nga trupi i kombit tonë, madje duhet thënë se atë çfarë kanë kërkuar, e kanë realizuar.

Shqipëria, si shtet amë, duhet të interesohet më shumë për mbarëvajtjet e etnive shqiptare jashtë kufijve aktualë, të ngrejë zërin për më shumë të drejta për ta, të kërkojë që të zbatohet parimi i vetëvendosjes së popujve. Nuk ka arsye pse të mbeten kaq të vetmuar, me mungesën e së drejtës për bashkim kombëtar. Nuk duhet të ushqejmë mendimin se në BE nuk do të shkojmë të gjithë bashkë, si një komb, por copa-copa, fshat më fshat, aty ku jemi dhe siç jemi, pa kufij e pa identitet. Kështu nuk mund të shkojmë kurrë në BE. Nuk duhet të mendojmë se çdo gjë e ka në dorë Amerika, por ta ndihmojmë Amerikën me kërkesat tona, duke shtruar probleme, duke thirrur për të drejtat tona, me qëllim që ajo, Amerika, të gjejë shkas për të ndërhyrë dhe për t’u interesuar.
Po nuk qau fëmija, nuk i jep gji nëna. Kjo shprehje, filozofi e popujve, ka në themel shumë të vërteta.

Hulumtimi për të gjetur rrugët e duhura për çështjen e pazgjidhur shqiptare, i takon politikës dhe, në radhë të parë, politikës brenda Shqipërisë aktuale. Aktualisht, vihen re përpjekje të Europës për të bërë një korrigjim me rastin e Kosovës dhe njohjes së pavarësisë së saj, por nuk do të dëshironim që drejtësia e vonuar të na vijë si një “drejtësi e cunguar”. Shpërbërja e ish Jugosllavisë nxori në pah çështjet e pazgjidhura kombëtare në këtë pjesë të Europës, e veçanërisht nxori në pah çështjen e pazgjidhur të kombit shqiptar. Çështja shqiptare kërkon një vëmendje më të madhe ndërkombëtare, me përgjegjësi të plotë historike e politike, kërkon vetëndërgjegjësim të faktorit ndërkombëtar për pozitën kombëtare të shqiptarëve sot, dhe për falsifikimin e historisë së tyre nga pushtuesit fqinjë. Por jo gjithçka duhet pritur nga Europa. Në radhë të parë, edhe pse ajo e di, ne duhet t’i shpjegojmë asaj dhe shteteve të tjerë, jashtë këtij kontinenti, të vërtetën tonë historike, të një kombi që nuk e ka merituar kurrë këtë qëndrim.

Duhet pranuar që politika dhe diplomacia jonë nuk ka argumentuar të drejtën tonë për vetëvendosje, të ligjshme politikisht dhe juridikisht. Kjo për faktin se Shqipëria nuk ka diplomaci. Lexoja një dokument ku ambasadori austriak në Londër ishte gati i trashëguar, stërgjyshi ambasador në Londër, gjyshi po ashtu, me pas babai, i biri të njëjtën gjë dhe së fundi nipi kryente po detyrën e stërgjyshit. Sepse ata e shohin diplomacinë si profesion që kërkon njohje të thella, ndërsa në Shqipëri ndërrohen qeveritë dhe emërohen diplomatë njerëz që nuk dinë fare se çështë diplomacia.

Ne e dimë mirë që kjo Europë ka përligjur ndryshimin e kufijve me dhunë e genocid në mjediset heterogjene etnike dhe, nga ana tjetër, mohon vetëvendosjen e shqiptarëve në hapësirën e tyre homogjene etnike. Me gjithë pendimin e saj, ende nuk shihen lëvizje të qarta në drejtim të zgjidhjes së çështjes shqiptare. Duket se ka një mëdyshje në gjykimin dhe vendimin e tyre, mëdyshje e cila diktohet nga presioni i vendeve të interesuara për të mbajtur peng shqiptarët dhe nga të tjerë si Rusia, që vazhdojnë të ndihmojnë skllavëruesit e shqiptarëve me të gjitha forcat dhe mjetet.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: ceshtja shqiptare, ende në udhëkryq, Nuri Dragoj

NDËRROI JETË NË NJU JORK DEDË ELEZAJ , FUNERALI TE PREMTEN

October 31, 2018 by dgreca

34 Dedaok.JPG

Nju Jork, 31 Tetor 2018- Mbrëmjen e 30 tetorit ndërroi jetë në Nju Jork ne moshen 78 vjecare, veprimtari i komunitetit shqiptar, anëtar i Federatës VATRA Dedë Elezaj. Vdekja e Dedës la në pikëllim të thellë bashkëshorten Ariana Elezaj , dy djemte Nick dhe John; dy vajzat Dea dhe Teuta si dhe dhe vëllain Gjergji me bashkëshorten Vera; si e vellain Tomë.

Funerali per te ndjerin Dede Elezaj do të mbahet ditën e premte, më 2 nëntor 2018, në Yorktown Funeral Home, ne adresen 945 East Main Street, Shrub Oak, NY 10588, nga ora 2 deri në 9 të mbrëmjes.
Trupi i të ndjerit do të varroset në Vendlindje. Diten e Shtunë, më 3 nëntor 2018, trupi i të ndjerit do të përcillet në vendlindjen e tij, ku do të bëhën shërbimet në Shtëpinë Funerale në Shënkoll të Ulqinit, më 4 nëntor 2018, nga ora 17-22 dhe të hënën më 5 nëntor, nga ora 10-13, kur do të varroset në varrezën familjare, te Kisha e Shënkollit…
Vatra i shpreh ngushëllimet më të thella Arianës, djemeve dhe vajzave si dhe të gjithë Familjes Elezaj, miqve dhe të njohurëve.
(Dielli)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Deda Elezaj, nderroi jete

Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme për dialogun me Serbinë

October 31, 2018 by dgreca

1 Kuvendi

Kuvendi i Kosovës ka filluar me seancën e jashtëzakonshme në lidhje me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Për mbajtjen e seancës u vendos në Kryesinë e Kuvendit pas kërkesës Lidhjes Demokratike të Kosovës, të mbështetur nga 42 deputetë.

Në emër të LDK-së, parti kjo që ka kërkuar këtë debat, shefi i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti kërkoi mbështetjen e deputetëve për të miratuar një rezolutë me të cilën presidentit Hashim Thaçi do t’i pamundësohej të negociojë me Serbinë çështjen e kufirit të Kosovës.

Ai tha se qasja e presidentit që në negociata me Serbinë të diskutohet çështja e kufirit, është jokushtetuese dhe e dëmshme.

Hoti tha se presidenti Thaçi është duke mashtruar kur thotë se ka mbështetje ndërkombëtare për idenë e korrigjimit të kufijve. Ai e ka quajtur korrigjimin e kufjeve ide të Beogradit dhe Moskës për të penguar zhvillimin dhe fuqizimin e subjektivitetit të shtetit të Kosovës.

“Dëmet tani janë bërë për këto veprime të presidentit. E para, është krijuar pasiguri e madhe qytetare, ekonomike dhe sociale si asnjëherë më parë. Vlerësimet tregojnë se pakënaqësia e qytetarëve ka arritur nivelin rekord, me mbi 80 për qind të qytetarëve që janë të pakënaqur me rrjedhat politike në Kosovë. E dyta, janë stopuar të gjitha aktivitetet e diplomacisë të Kosovës dhe të shteteve mike për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Është e qartë se këto veprime të presidentit janë anti-kushtetuese”, tha Hoti.Sipas Hotit, rishikimi i kufjeve të Kosovës, nënkupton ribërjen e shtetit të Kosovës.

LDK propozoi që dialogu me Serbinë të vazhdojë pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme dhe pas formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniq, tha se kjo parti politike e përkrahë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se duhet konsensus politik për të përfunduar këtë proces.

“Ne jemi pro dialogut, si mënyra më e mirë për arritjen e qëllimeve tona si shtet, por në asnjë mënyrë nuk do të lejohet cenimi i sovranitetit dhe i shtetësisë së Kosovës, i integritetit territorial të shtetit tonë, i funksionimit unitar të shtetit dhe të kushtetutës së Republikës së Kosovës. Po ashtu çfarëdo marrëveshje që do të mund të arrihet me Serbinë, nuk mund të jetë e vlefshme pa u ratifikuar me votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se janë vetëm spekulime ato që thuhen sa i takon ndarjes apo ndryshimit të kufijve.

Korrigjimin e kufirit, Krasniqi e quajti ide të rrezikshme dhe tha se do ta dëmtojë Kosovën në procesin e bisedimeve duke krijuar argumente pikërisht në favor të oponentëve që janë kundër Kosovës dhe që dëshirojnë ndarjen e vendit.

Në emër të koalicionit qeverisës, Memli Krasniqi ka dhënë disa propozime të cilat, sipas tij, duhet të jenë baza e çfarëdo rezolute që do të nxjerrë Kuvendi pas debatit të sotëm. Në mesin e pikave është mbështetja e procesit të dialogut me rezultat final, njohjen reciproke.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se me çdo kusht duhet që presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi t’i kufizohen temat për të cilat ai mund të bisedojë në Bruksel.

Konjufca ka propozuar që në rezolutën e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës të përfshihet edhe një pikë përmes së cilës presidentit Thaçi i ndalohet që të takohet me përfaqësuesit politik nga Serbia dhe t’i ndalohet që të marrë vendime në emër të Kosovës.

“Për herë të parë një president i ka kontestua kufijtë e vet. Kjo ja mundëson Serbisë që t’u thotë faktorëve ndërkombëtarë që për Kosovën diçka nuk është në rregull dhe që dialogu po vazhdon, prandaj kjo me të vërtetë i ngadalëson dhe i jep një goditje të pakthyeshme edhe procesit të njohjeve të Kosovës, sepse nëse krejt njohjet kanë ndodhur për shkak se Kosova po e kompleton shtetin e vet, tash për një moment edhe drejtimi politik i temave ndërron të cilat ne i flasim në Kosovë. Kjo është një favor i jashtëzakonshëm për Serbinë”, tha Konjufca.

Ai tha se hapja e çështjes së kufijve përpos problemeve politike që i ka shkaktuar, shkakton edhe dëme ekonomike, pasi asnjë investitor nuk dëshiron të shkojë në një vend ku ende diskutohet për kufij.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Kadri Vesli kërkoi që të gjitha subjektet politike së bashku të ulën dhe të krijojnë një rezolutë, platformë për dialog.

Veseli u shpreh se nëse arrihet një konsensus dhe subjektet politike ulën së bashku për të dalë me një qëndrim të përbashkët, atëherë sipas tij, edhe presidenti Hashim Thaçi do të respektojë çdo pikë të rezolutës që do të mund të votohej për dialogun me Serbinë.

“Ejani ulemi bashkërisht edhe njëherë. Ndahen grupet parlamentare, ulën, e konsumojmë debatin, krejt deputetët flasin, deri në fund për mos i me i mbetur borxh askujt, por ajo çka është kryesore, një marrëveshje duhet ta kemi sot. T’i dërgojmë një mesazh një të riu në Kosovë, një ndërmarrësi në Kosovë, një partneri të Kosovës se Kosova e ka një qëndrim”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, i cili është emëruar nga Qeveria për të udhëhequr ekipin negociator të Kosovës, ka thënë se kërkesa e ekzekutivit për t’u bërë bashkë, nga opozita duhet të shihet si nivel i ngritur i përgjegjësisë.

“Qeveria e Kosovës nuk ka nevojë që të vijë dhe të lusë Kuvendin për të zhvilluar negociata. Por, kjo çfarë ne po bëjmë sot, po duam një format tjetër, që të jemi të përgjegjshëm, sepse nuk ka pasur nevojë që të vijmë këtu për të kërkuar as votë as asgjë për të zhvilluar negociata sikur që ka ndodhur në të kaluarën, por rezultatet i kemi keq. Qeveria e përgjegjshme e Kosovës, po dëshiron, ka dëshirë, duhet që Parlamenti i Kosovës, të gjitha grupet, të jemi bashkë dhe ky proces të jetë edhe transparent edhe i përgjegjshëm dhe në fund me rezultat pozitiv”, theksoi Limaj.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, u ka bërë thirrje partive opozitare dhe atyre në pushtet që të angazhohen në gjetjen e një forme të përbashkët për harmonizuar një rezolute.

“Në rast se këto tri i shkrijmë në një, atëherë unë jam i sigurt që del një e gjetur e mirë dhe i japim mandat ekipit tonë negociues, po ashtu i dërgojmë edhe përfaqësuesit nga partitë e tjera opozitare dhe të shkojmë si njerëz, sikur e patëm te ushtria unitetin e përbashkët, ta kemi edhe në dialog me Serbinë. Ata zotërinjtë janë duke ecur me të madhe në avans para Kosovës. Kurse Kosova nuk është duke avancuar në çka i kërkohet”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj tha se Kosovës aktualisht nuk i duhet rezolutë, por platformë për bisedimeve. Molliqaj ishte kritik si ndaj opozitës ashtu edhe ndaj Qeverisë.

“Kosova nuk ka më nevojë për rezolutë, sepse siç po e shihni, asnjë nga rezolutat nuk po dallon, as e opozitës as e pushtetit e as e opozitës. Kosova sot ka nevojë që të mbërrijë dhe të ndërtojë platformë për dialogun. Pse nuk po ndodh kjo? Sepse opozita po thotë meqenëse Qeveria nuk i ka votat për dialog, ne duam zgjedhje legjitime. Pse po i dëshiron zgjedhjet? Për të shkuar në pushtet. Prapë legjitime. Pse s’po i dëshiron Qeveria ose pushteti zgjedhjet? Prapë për të qëndruar në pushtet. Edhe kjo legjitime. Por, në anën tjetër duhet thënë sot se dikush dëshiron zgjedhje para dialogut e dikush dëshiron zgjedhje pas dialogut e mundësisht deri në fund të mandatit”, tha Molliqaj.

Molliqaj tha se rezoluta e propozuar nga LDK-ja dhe Vetëvendosje nuk do të ketë asnjë lloj efekti politik.

Mbajtja e një seance me të njëjtën kërkesë ishte provuar edhe javë më parë, por kishte qenë e pamundur për shkak të mungesës së kuorumit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar kohë me parë se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ai do të paraqesë idenë e tij, siç e quan ai, të “korrigjimit të kufirit”. Sipas presidentit Thaçi, kjo ide nënkupton bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Republikën e Kosovës.

Filed Under: Analiza Tagged With: dialogu, korniza, Kuvendi i kosoves

Hetime për vrasjen e minoritarit grek

October 31, 2018 by dgreca

 

Gjykata

Prokuroria e Krimeve të Rënda nis të mërkurën hetime për humbjen e jetës së minoritarit grek Kostandin Kacifa gjatë shkëmbimit të zjarrit mes tij e policisë. Incidenti ka shtuar retorikën nacionaliste në Tiranë e Athinë.

Nga Ani Ruci/ DW

Me kërkesë  të Prokurorisë së Krimeve të  Rënda, trupi i pajetë i minoritarit grek, 35 vjeҫarit Kostandin Kacifa, ka mbërritur të martën në mbrëmje ( 30.10.2018) nga Gjirokastra në morgun e Tiranës për ekzaminime të detajuara nga mjekësia  ligjore. Hetimet pritet të fillojnë sot, e mërkurë (31.10.2018). Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bënë me dije se nuk është lejuar pjesëmarrja e hetuesve grekë pasi kjo ndalohet me ligj.

Një deklaratë e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme në Tiranë bëri me dije të martën, se hetimi do të bëhen nga ”Prokuroria Shqiptare, që është institucioni i vetëm që kryen hetim të pavarur për ҫdo vepër penale që ndodh në territorin e Shqipërisë”.  Ministria e Jashtmne Greke përmes një deklarate zyrtare thekson se  “presim nga autoritetet e Shqipërisë një sqarim të plotë të rrethanave, në të cilat një qytetar grek humbi jetën e tij dhe ndërmarrjen menjëherë të hapave të duhura”.

Policia e shtetit në një njoftim për shtyp bëri me dije se Kostandin Kacifa humbi jetën gjatë një shkëmbimi zjarri me tij dhe policisë, të dielën e kaluar (28.10.2018) në fshatin Bularat, në Gjirokastër, të banuar nga minoriteti grek, kur gjatë festimit të Festës Kombëtare të Greqisë, ai shtiu me armë kundër policisë dhe nuk iu përgjigj thirrjeve të saj për t’u dorëzuar. Kostandin Kacifa jetonte në Athinë, kishte dy nënshtetësi, shqiptare dhe atë greke, dhe kishte ardhur në fshatin e tij, Bularat, për të marrë pjesë në Festën Kombëtare të Greqisë, që zhvillohet ҫdo vit edhe në fshatrat e minoritetit grek për të përkujtuar 28 Tetorin 1941, kur Greqia hyri në Luftën e Dytë Botërore, kundër pushtimit fashist të Musolinit, të kryer nga territori i Shqipërisë, e pushtuar në vitin 1939.

Ende nuk dihen motivet Kacifa qëlloi fillimisht në ajër dhe pastaj kundër policisë. Mediat e Tiranës raportojnë që Kacifa ishte anëtar i grupit të djathtë ekstremist në Greqi, “Agimi i Artë”.

Tensione, incidente dhe retorikë nacionaliste në Athinë dhe Tiranë

Hetimet pritet  të zbardhin ngjarjen e rëndë. Ato zhvillohen nën hijen e incidenteve në Athinë kundër shqiptarëve, retorikës nacionaliste dhe episodeve të përdorimit të gjuhës së urrejtjes në të dyja vendet fqinjë që ndoqën këtë ngjarje. Mbi 200 vetë protestuan në mbrëmjen e të martës ( 30.10.2018 ) në Athinë dhe dogjën flamurin shqiptar. Në një tubim tjetër para parlamentit grek protestuesit kanë bërë thirrje për hakmarrje dhe kanë hedhur parulla anti-shqiptare të tilla si “Të gjithë shqiptarët  jashtë nga Greqia”. Një agjenci udhëtimi me bileta për Shqipëri, u sulmua në Athinë me bomba zjarri të prodhuara në mënyrë artizanale. Anëtarë të grupit ekstremist të djathtë të Greqisë ” Agimi i Artë”, protestuan para Ambasadës  shqiptare në  Athinë, duke bllokuar një rrugë kryesore të kryeqytetit grek.

Në Tiranë, në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi “,  gjatë një ndeshjeje kombëtare futbolli, një ditë pas incidentit , u vendos  parulla raciste, antigreke, “Një grek më pak, një bastard më pak”  që u dënua ashpër nga Federata Shqiptare e Futbollit.  Presidenti i Republikës , Ilir Meta i quajti” të papranueshme dhe të dëmshme” veprime të tilla. Autoritetet e dy vendeve kane bërë thirrje për të mos politizuar rastin dhe shmangur retorikat nacionaliste.

Albanien Außenministerium in Tirana (Mimoza Dhima)Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, Tiranë

Pyetja kyҫ: Humbi jetën në shkëmbim zjarri apo u ekzekutua?

Për autoritetet shqiptare, Kostandin Kacifa humbi  jetën gjatë shkëmbimit  të zjarrit me Forcat RENEA (Reparti i Neutralizimit të Elementit të Armatosur). Sipas komunikatës zyrtare të Policisë së Shtetit , pasi shtiu në ajër me armë në qëndër të fshatit  Bularat, kur sapo kishin filluar festimet, ai  iu kundërvu patrullës së policisë që u drejtua atje nga vinin të shtënat. Komunikata  vë në dukje se Kacifa u fsheh në periferi të fshatit nga ku qëlloi për rreth 30 minuta pa pushim forcat RENEA-s derisa humbi  jetën në shkëmbim- zjarri. Ministria e Jashtme  e Greqisë reagoi ndaj vdekjes së tij duke e quajtur ” të papranueshme që një operan policor të rezultojë me humbjen e një jete njerëzore”.

Politikanë të OMONIA-s, Partisë së Minoritetit grek  në Shqipëri e quajnë ” jo profesional dhe të tepruar” reagimin e RENEA-s. Në shtypin e Athinës është ngritur pyetja : A humbi jetën Kacifa gjatë shkëmbimit të zjarrit apo u ekzekutua nga RENEA? Nga përgjigja që do t’ia japin kësaj pyetjeje hetimet varet ulja apo ngritja e tensionit nga incidenti në fjalë.

Incident që tensionon marrdhëniet  e trazuara greko-shqiptare 

Edhe pse në Greqi jetojnë rreth 600 mijë emigrantë shqiptarë, edhe pse në Shqipëri  jeton minoriteti grek, marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të trazuara.  Dy palët deklarojnë që emigrantët shqiptarë dhe minoriteti grek janë ura miqësie, por në menyrë kronike faktorë prej pranisë së tyre në Greqi dhe Shqipëri, kanë lindur dhe lindin incidente që tensionojnë herë pas here marërdhëniet dypalëshe. Dy vendet fqinjë dëshërojnë të hapin një kapitull të ri mes tyre, por procesi po ecën shumë ngadalë dhe incidente të tilla e ngadalësojnë edhe më shumë.  Një nga marrëveshjet simbol të një kapitulli të ri, si ajo për Detin Jon mbetet e bllokuar.

Filed Under: Politike Tagged With: Hetime per vaasje, minoritari grek

ANKAND POLITIK

October 31, 2018 by dgreca

1-Astrit-Lulushi-286x300-2-2

Nga Astrit Lulushi/Në letërsi, si në dashuri, njeriu habitet nga ajo që të tjerët zgjedhin. E njëjta gjë ndodh edhe në politikë. Objektivi i njeriut në jetë nuk është që të hidhet në anën e shumicës, por të mos gjendet në radhët e të çmendurve. Ky synim humbet. Ka njerëz sot që rendin pas shumicës, jo për t’iu shmangur pjesës së çmendur, por janë të dehur me interesin e tyre. Politika është arti i rrëmbimit të votës, si një ankand sendesh të vjedhura. Partitë premtojnë të mbrojnë secilin nga tjetri. Të shtyrë nga partitë, të përçarë, njerëzit harrojnë qëllimin, energjitë e veta i shpenzojnë në luftë kundër çështjeve pa rëndësi dhe dëshirat e shumicës orientohen kundër pakicës a opozitës. Kjo është historikisht e provuar. Të fituarit sigurojnë për veten e tyre atë që kanë planifikuar. “Demokracia u kry!”, thonë ata. Por kjo gjendje nuk zgjat shumë. Demokracia e tyre shpërdoron, korruptohet, përfundimisht rrëzohet dhe vritet. Sepse nuk ka pasur kurrë demokraci të tillë që nuk ka vrarë veten. Shembulli më i freskët janë të ashtuquajturat republika herë demokratike, herë popullore, pastaj socialiste, fjalë që në thelb shprehin të njëjtën gjë, por përfaqësojnë asgjë nga ato që thonë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ankand Politik, Astrit Lulushi

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT