• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2018

PETRIT SKËNDE MBLODHI SHQIPTARËT E USTERIT

October 30, 2018 by dgreca

1 fuati grupore

Nga Fuat Memelli/*1 fuati1Është hera e dytë që brenda një viti mbledh dardharët dhe miqtë e tyre në qytetin e Usterit të Amerikës, i ndjeri Petrit Skënde. Herën e parë na mblodhi në kishën shqiptare” Fjetja e Shën Mërisë”në qytetin e Usterit,  kur i dhamë lamtumirën në muajin shkurt të këtij viti. U mblodhëm përsëri të dielën e fundit të tetorit në sallën e kësaj kishe, por këtë herë për të parë dokumentarin “Njeriu i shkencës dhe i dijes”, kushtuar fizikantit të shquar dhe intelektualit të kompletuar, Prof. Petrit Skëndes. Ishte një dokumentar i bukur i realizuar nga TRSH “Korça”me skenariste gazetaren e këtij institucioni Erjona Pambuku, operator Alban Mborjen dhe montazhier Pirro Gjatën. Për realizimin e dokumentarit grupi realizues pati mbështetje nga drejtori i  RTSH Korçës, Muharrem Meko. Veprimtaria u çel me një përshëndetje nga dardhari, Sotir Minolla, shok fëminie i Petritit, për t’ja lënë më pas vendin dokumentarit. Me gjuhën filmike, u shpalos figura e Petrit Skëndes në “stacionet” e ndryshme të jetës së  tij, që nga fëminia në Dardhë, nxënës i shkollës së 7 vjeçare të Sinicës, i gjimnazit “Raqi Qirinxhi” Korçë, student i shkëlqyer në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, pedagog aty, kontributi në fushën e naftës në zbulimin e vendurimeve të saj me metoda radioaktive, shef sektori e më pas nën drejtor në Institutin e Fizikës Bërthamore, nën kryetar i Akademise së Shkencave, etj. Kujtime të bukura sollën vëllai i tij Koli Skënde që jeton në Dardhë,  bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij, Prof. Doktorët Aleko Minga,  Kostandin Dollani, Fatos Ylli dhe Betim Çuçi. Ishin intervista jetësore, plot mbresa dhe konsiderata për Petritin. Gazetarja Erjona Pambuku, me një përvojë 14 vjeçare në radion dhe televizionin e Korçës, autore e disa telereportazheve dhe emisioneve në këtë institucion, kishte gjurmuar  fakte e dokumenta aty ku ka punuar Petriti si dhe në vendlindjen e tij në Dardhë. Një ndihmesë të veçantë me foto i ka dhënë skenaristes, dardhara e përkushtuar për vendlindjen, Adriana Stefani, të mara nga arkivi të jatit, fotografit të njohur, Niko Stefani.  Mësuam nga dokumentari se Petriti kishte punuar rreth 10 vjet edhe në një kompani të njohur amerikane.

Folën për vlerat e dokumentarit dhe për Petritin, Vaskë Bruko, Klodi Melka, Franklin Zdruli, Andrea Pani, Fato Murraj, ndërsa Adriana Stefani, e cila jeton në Kanada, kishte dërguar një përshëndetje të bukur e cila u lexua aty. Ndër të tjera folësit theksuan se ne si dardharë kujtonim se e njihnim Petrit Skënden, por nga dokumentari mësuam edhe vlera e kontribute të tjera . Mësuam edhe për oratorinë  e tij jo vetëm kur jepte leksione në Universitet por edhe më vonë në vitet e punës, në takime brenda e jashtë Shqipërisë. Mësuam edhe për hartimet e bukur që bënte. Komunikimi i tij shkencor dhe i rrjedhshëm, i cili ishte edhe në disa gjuhë, bindi institiucione të rëndësishme të huaja, siç ishte edhe Qendra e Studimeve Bërthamore në Vjenë, që të jepnin mbështetje në aparatura si dhe  kualifikime për stafin e Institutit të Fizikës Bërthamore. Autori i këtij shkrimi kishte thuruar shpejt e shpejt disa vargje për Petritin dhe i lexoi atë mjedis . Ja disa nga këto vargje:

PRTRIT SKËNDES

………………………………

Një film sot na mbledhur

Ardhur që nga larg

Qëndisur aq bukur

Me dashuri e art.

Në atdheun që e riti

Plot gjurmë Petriti la

I thjeshtë ai mbeti

E gjoksit nuk i ra.

Prehet sot i qetë

Tok me plot dardharë

Veç shpirti ka ikur gjetkë

Të prehet larg, në Dardhë…

Me veprimtaritë e hërëpasherëshme që organizon Shoqata Dardhare  “Bleta” në qytetin e Usterit, i cili  prej 100 e ca vjetësh është bërë atdheu i dytë i dardharëve, mban gjallë jo vetëm dashurinë për vendlindjen, gjuhën shqipe si dhe zjarrin e dashurisë për atdheun. Ajo është bërë kështu edhe një model i komuniteteve shqiptare në Amerikë.

  • PER ME SHUME FOTOGRAFI SHIHNI NE FACEBOOK (dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: Fuatt Memelli, na mblodhi, Petrit Skende, Uster

DOKUMENTA TË AGIMIT TË LIRISË

October 30, 2018 by dgreca

Në vigjilje të 106-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare/2-Frank-shkreli-2-300x183-1-1Nga Frank SHKRELI/

Juve që kini për për fis trimërinë;/

                                   Që keni për memëdhe malet,/

                                   E shtëpi pyjet e lisit. –/

                                   s’e keni marrë vesh akoma,/

                                   që ai njeriu, që do të rroj i lirë,/

                                   s’pret ndihëm nga të huajt!?

                                   Lipset vet të thyej hekurat e tija,

                                   lipset me krah të tija, të rrembejë –Lirinë!!!

(Nga “La Nazione Albanese”, 15 Korrik, 1909)

Në numrin e revistës mujore kulturore “Leka”*, numri 4, prill, i viti 1937 botohej “Memorandumi i Shqiptarvet që kanë Dalun Malevet”, dërguar Perandorisë Otomane.  Memorandumi që mban datën, “Në Shqipnie me 28 të Vjeshtës III, 1910) është një thirrje drejtuar jo vetëm Perandorisë Osmane, por edhe “Botës së qytetnueme të Evropës”, ku shprehen pakënaqësitë dhe padrejtësitë nga “Shqiptarët e Dalun Malevet” dhe në të cilin i paraqiten qeverisë otomane kërkesa specifike si dhe plotësimin  e tyre.  Ata shprehen se, “Me anën e ksaj, na Shqiptarët që gjindemi malevet, po paralajëmorjmë hyqymetin e sotshme të Perandorisë Ottomane si dhe gjithë botën e qytetnueme t’Evropës se i vetmi shkak që na jemi bamun firare edhe kemi dalë malevet ashtë Qeveria Ottomane vetë. Me të vërtetë, po të mos ishim bamun firare, kush na siguron se shumë prej nesh – në mos të gjithë –do të mos ishim varun,do të mos ishim burgosun, ose do të mos ishim bamun syrgjyn si shumë prej shokëve tonë, megjithqë nuk kemi  tjetër faj, përveç se Zoti na ka bamun Shqiptarë dhe na dëshirojmë që të aresohemi me anë të gjuhës  t’onë amtare dhe të vdesim Shqiptarë.”

Malësorët thonë në Memoradumin e tyre drejtuar Qeverisë Otomane dhe “botës së qytetënueme”– në një kohë kur Evropa i quante Shqiptarët njerëz të egjër barbarë e kundërshtarë të çdo përparimi, siç është shprehur At Gjergj Fishta në shkrimin Lot e Gjak  —  se ata nuk kanë dalë maleve për të rrëmbyer ose për të vrarë ndonjë njeri. “Përkundrazi”, theksojnë ata, “Kemi dalë për një qellim të shënjtë për me i kallzue botës se nuk jemi të kënaqun me Qeverinë e sotshme të Perandorisë Ottomane, për me protestue mbe botën e qytetnueme për të gjitha pa drejtësitë që ashtë tue bamë sot kjo Qeveri kundër Kombit Shqiptar dhe për me luftue deri me nji, derisa Qeveria turke të bindet dhe të mbushë kërkimet t’ona.”

 

Në “Memorandumin e Shqiptarvet që Kanë Dalun Malevet”, të vitit 1910, bëhën tri kërkesa kryesore, pa të cilat ata thonë se, “Nuk munt të rrojmë”, e të cilat kanë të bëjnë me lirinë në përgjithësi, ndërsa kërkesat e tjera, sipas tyre, kanë të bëjnë me, “Qetësinë dhe Përparimin e vendit”.  Ata paraqesin këto tri kërkesa kryesore në memorandumin e tyre:

 

1)“Një falje të përgjithshme për të gjithë vëllaznit tonë Shqiptarë, qofshin ata

Musylmanë, qofshin Kristianë, të dënuem për politikë.

2)Liri të plotë për të gjithë Shqiptarët, Musylmanë edhe Kristianë që të aresohen me anën e gjuhës amtare, me shkronjat tona kombtare.

3)Liri të plotë që të hapen të gjitha shkollat shqip të mbylluna prej Qeverisë; liri të plotë për të dalë të gjitha gazetat shqip të ndalume nga Qeveria dhe të hapunit e Shtypshkronjës Shqip që ka mbyllun Qeveria.”

 

Këto ishin tri kërkesat bazë të Memorandumit të malësorve kryengritës të “dalur maleve”, por ata njëherazi  ngulnin këmbë që qeveria otomane — për hir të qetësisë dhe përparimit të vendit të tyre – të plotësonte edhe një numër kërkesash të tjera. Kërkon që mësuesit të mos jenë turq, por shqiptarë, pasi “ata dijnë gjuhën shqipe dhe zakonet e vendit”, dhe që qeveria të jepte, “Urdhër zyrtarisht që gjuha shqip të mësohet nepër të gjitha shkollat që gjënden në Shqipni, jo me shkronjat arabisht, por me shkronjat tona kombëtare.”

 

Duke paraqitur këto kërkesa, natyrisht, se pas pas 500-vjet robërimi otoman, ata kishin si shqetësim kryesor ruajtjen e identitetit kombëtar, të gjuhës e të kulturës shqiptare, por ishin të shqetësuar edhe për mirëqenjen e popullit në përgjithësi dhe konsideronin si të rëndësishëm edhe zhvillimin ekonomik  dhe bujqësor të vendit.  I kërkonin qeverisë otomane, “Të hapi Shkolla bujqësie, tregtare dhe normale në tre ose katër qytete të mëdha të Shqipënisë dhe që të gjitha shkrimet të jenë shqip me shkronjat tona kombëtare.”  Në memorandumin e tyre ata nuk shpreheshin kundër pagesës së taksave, por vendosmërisht kërkonin që ato, “të holla të përdoren për me bamun xhade dhe udhë të hekurta në Shqipni.” 

 

Këto ishin mjaft kërkesa të avancuara për atë kohë, nga një popull i shtypur për 500-vjet. Kërkonin që qeveria otomane, “Të hapi banka bujqësie, të cilat t‘u japin Shqiptarëve të holla për me blemun vegla dhe maqina për me punuem vendin e tyne dhe kështu të mundin të fitojnë për të rrojtur…”

 Madje, i bënin thirrje qeverisë otomane që “të lejojë kapitalin e huaj  të hyjë në Shqipëni, për tregti  e për bujqësi…por që këto kapitale të mos kenë prapa tyne ndonji propagandë të huaj…”

Përveç këtyre kërkesave, Memorandumi përmbante edhe një paralajmërim të fortë për qeverinë otomane dhe për botën tjetër nëqoftse këto kërkesa nuk do të plotësoheshin: “Le t’a dijë mirë e tanë bota e qytetnume dhe veçanërisht Qeveria e Perandorisë Ottomane, se të gjithë Shqiptarët, Toskë e Gegë, nuk do të pushojnë së luftuari për këto tri kërkime, që thamë më sipër…” dhe se , “Të gjithë me anën e kësaj, po e lajmërojmë hyqymetin e Turqisë se e morëm ftesën që na dërgoi, me anë të cilës na jepte haberin se na falë fajin që kemi bamun.?! dhe na këshillon që të zbresim nga malet dhe të kthehemi nëpër shtëpiat tona.”

“Memorandumi i Shqiptarvet që kanë Dalun Malevet”, dërguar Perandorisë Otomane, e që mban datën, “Në Shqipnie me 28 të Vjeshtës III, 1910), vendosmërisht i përgjigjet qeverisë otomane duke i thënë se, “Fjala e jonë e fundit për Qeverinë Ottomane ashtë se nuk kemi bamun ndonji faj dhe nuk do të këthehemi të gjallë në katundet tona derisa kërkimet që numëruam në këtë shkresë do të mos mbushen dhe gjersa të mos marrim siguri të plotë se kurrë ndonjë herë tjetër do të mos shkelen” më, këto liri e të drejta.

*(Burimi: Revista e përmuajshme “Leka”, botim i klerit katolik shqiptar dhe organ i shoqatës LEKA, i themeluar më 9 dhjetor 1928 në Shkodër, shërbente si një revistë mujore kulturore, politike, filozofike, shoqërore, historike, letrare, pedagogjike e folklorike.  Numri i parë doli në qarkullim, në prill të vitit 1929.  Në vitin 1941, botimi i saj u ndërpre përkohësisht, ndërsa në vitin 1942 doli një botim i veçantë   me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. “Leka” do të   botohej deri në vitin 1944.

Filed Under: Opinion Tagged With: dokumenta, Frank shkreli, TË AGIMIT TË LIRISË

Prokurori i Hagës Jack Smith në Kosovë

October 30, 2018 by dgreca

Specialist Prosecutor Jack Smith visits Kosovo/

Specialist Prosecutor Jack Smith is visiting Kosovo for the first time for a series of meetings with international and Kosovo officials.

In the course of his visit, he is meeting, among others, with the heads of international organisations, representatives of EU member states and Kosovo Justice Minister Abelard Tahiri, as well as senior officials in the Justice Ministry.

Mr Smith was selected for the position of Specialist Prosecutor after a process organised by the European Union and appointed by EULEX Head of Mission, Alexandra Papadopoulou. He took office on 11 September.

Mr Smith is a US prosecutor with experience in both high-level political investigations and international criminal investigations.

He succeeded David Schwendiman, the first Specialist Prosecutor and formerly Lead Prosecutor of the Special Investigative Task Force, who stepped down at the end of March when his term as a US Foreign Service Officer expired.

The Specialist Prosecutor’s Office is investigating crimes alleged in the Council of Europe’s 2011 Report Inhuman treatment of people and illicit trafficking in human organs in Kosovo.

 

***

1 Jak Smith1

Hagë, 30 tetor -Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale për Krimet e Luftës në Kosovë, Hagë, Jack Smith, është në vizitën e tij të parë në Kosovë. Ai do të takohet me krerët e organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësitë e huaja, si dhe Ministrin e Drejtësisë Abdelard Tahiri, njofton agjencia e lajmeve “Presheva jonë” duke ju referuar burimeve nga Haga

Mesohet se Prokurori i SHBA Smith u emërua Prokuror i Posaçëm në maj të këtij viti pasi ish avokati i SHBA David Swendiman skadoi mandatin e diplomatëve të SHBA në mars. Ai ishte në detyrë në shtator.

Prokurori i Specializuar e viziton Kosovën për herë të parë për takime me zyrtarë ndërkombëtarë dhe kosovarë.

“Gjatë vizitës, ndër të tjerë ai do të takohet me krerët e organizatave ndërkombëtare, përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së, ministrin e Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri, si dhe me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë”, bëhet e ditur nga zyra për media e Dhomave të Specializuara. Megjithatë nga kjo zyrë nuk është bërë e ditur se kur Smith do të vijë në Kosovë. Smith është prokuror amerikan me përvojë në hetime politike të nivelit të lartë dhe në hetime penale ndërkombëtare.

 Ai është pasardhës i Prokurorit të parë të Specializuar, David Schwendiman  më herët edhe kryeprokuror i Task Forcës Hetimore Speciale, i cili e lëshoi detyrën në fund të marsit, pas përfundimit të mandatit të tij si zyrtar i Shërbimit të Jashtëm të Shteteve të Bashkuara.

Zyra e Prokurorit të Specializuar po heton krimet e pretenduara në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011 Trajtimi çnjerëzor i personave dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Jack Smith, ne Kosove, Prokurori i Hages

Filmat kosovarë dëshmojnë vlerat dhe talentin

October 29, 2018 by dgreca

-Ministri Kujtim Gashi takim  me regjisoret Lendita Zeqiraj, Blerta Zeqiri dhe aktoren Aurita Agushi, protagoniste të filmave, të cilët janë kualifikuar për edicionin e 91-të të çmimeve të Akademisë – Oscar, e cila do të mbahet në Los Angjelos-SHBA/

foto2

PRISHTINË, 29 Tetor 2018- Gazeta DIELLI/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim regjisoret Lendita Zeqiraj, Blerta Zeqiri dhe aktoren Aurita Agushi, protagoniste të filmave, të cilët janë kualifikuar për edicionin e 91-të të çmimeve të Akademisë – Oscar, e cila do të mbahet në Los Angjelos të SHBA-së më 24 shkurt 2019.

Blerta Zeqiri me filmin e metrazhit të gjatë “Martesa”, Lendita Zeqiraj me filmin e metrazhit të shkurtër “Gardhi” dhe Aurita Agushi, aktorja kryesore në filmin “Ajo”, janë filma të cilët Qendra Kinematografike e Kosovës i ka përkrahur financiarisht.

Ministri Gashi u shpreh se ndjehet jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar njëkohësisht që kreativiteti dhe produktiviteti i artistëve të Kosovës po vlerësohet ndërkombëtarisht. Kjo tregon se filmi në Kosovë tashmë ka krijuar një bazë dhe traditë të mirë për gjeneratat që vijnë pas.

 “Tre filmat të cilët janë kualifikuar për Oscars rrugëtimin deri tek ky nivel e kanë siguruar duke fituar çmime të shumta prestigjioze nëpër festivale të shumta ndërkombëtare të filmit dhe kjo tregon për cilësinë dhe vlerat artistike që kanë këto projekte”, tha ministri.“Pas suksesit të filmit ‘Shok’, tani vetëm sa e kemi rritur produktivitetin dhe kjo ka ardhur me rritjen e përkrahjes nga ana e ministrisë për Qendrën Kinematografike të Kosovës, gjë që e kemi paralajmëruar muaj më parë. Buxheti për QKK-në do të dyfishohet për përkrahjen e filmave”, është shprehur ministri Gashi duke thënë se Kosova posedon talente të jashtëzakonshëm si në prodhimin e filmave si dhe në realizimin e tyre.

 Ndërkaq, mysafiret e falënderuan ministrinë për përkrahjen që po jep për industrinë e filmit në Kosovë në përgjithësi. Gjithashtu, ato u treguan mirënjohëse për angazhimin e ministrit Gashi në mbështetje dhe mirëkuptim për njerëzit dhe botën e filmit./b.j

Filed Under: Emigracion Tagged With: Behlul Jashari, Filmat Kosovare, konkurojne per Oscars

PRITSHMËRIA PËR ZGJEDHJET E MESMANDATIT NË SHBA

October 29, 2018 by dgreca

17 asllani

NGA  ASLLAN BUSHATI/

Parë  nga këndshikimi historik, zgjedhjet e mesmandatit (midterm) në SHBA, të cilat bëhen për Senatin dhe Kongresin ,në shumtën e rasteve kanë ndryshuar kahun e balancës së pushtetit vendimmarës. Pra  duke qenë  se aktualisht  është  në  pushtetin ekzekutiv  Presidentit Trump dhe shumica republikane në të dy dhomat e Kongresit , pritet që të ketë ndryshime  duke u bërë shumica demokrate. Kjo  pritshmëri, vërtet do ta vinte në pozita  akoma më të vështira se sa deri tani, drejtimin e ekzekutivit nga  President Trump. Por ky fenomen  nuk është i ri, se ai ka ndodhur në mesmandatet e disa presidentëve  paraardhës . Ndryshimi qëndron në faktin  se më parë  fushata në media ka filluar katër-pesë muaj para nëntorit zgjedhor, kurse për këtë mesmandat ka filluar që ditën pas zgjedhjes në detyrë të Presidentit Trump.

Në gjykimin tim media e zënë pisk nga politika ,në shumicën e rasteve  gjatë ketyre dy viteve është përpjekur të thotë se zgjedhja  e Zotit Donald Trump President i SHBA-së ka qenë një vendim i gabuar. E për ta vërtetuar këtë, ka gërmuar kudo e ka parë  me lupë (lente zmadhuese)  gjithë  historinë jetësore (beckground-in) e Trumpit si njeri, biznesmenë dhe si President. Madje  jo vetëm ka parë, por ka hedhur aq shumë baltë mi te, sa tepria  ka zhvilluar konceptin e “nonsensit” në përmasa të papara.

Kjo situatë mediatike më kujtoi një ndodhi të vogël të vitit 1999 kur kisha filluar punë në një kompani mirmbajtje te godina e unionit 32BJ (me mbi 80 mijë antar). Stafi dhe degë të unionit bënin party (darkë me ushqim e muzikë) të paktën një herë në javë. Në këtë kohë i ashtuquajturi skandali Levinski  ku shigjetohej ish Presidenti Klinton ishte i pranishëm deri në kufijt e mërzisë në TV, radio, gazeta e deri tek bisedat në grupe. Në një nga këto party një grup nga stafi i unionit prej 5-6 vetash më pyetën mu:”Ju si ish ushtarak i lartë në Ushtrinë Shqiptare dhe si resident i ri në SHBA si e gjykoni skandalin e Presidentit Klinton me Monika Levinskin?”. Përgjigja ime ishte: Më është bërë tërësisht e neveritëshme. Por ne se ju amerikanët  keni shkuar në kishë dhe keni  votuar Bill Klintonin si shejt, keni bërë gabim se ai nuk është shejt. Por në se keni shkuar në institucionet e shtetit amerikan dhe keni votuar Bill Klintonin si President i SHBA-së keni bërë gjënë e duhur se ai me të vërtetë është president i suksesshëm dhe për ne shqiptarët edhe hero i lirisë së Kosovës.

Këtë deklaratë timen ja kishin thënë presidentes së unionit e cila në një rast tjetër më tha se shprehja juaj është vërtetë   një  gjetje  interesante. Disa muaj më pas kur Zonja Hillari Klinton ishte në garë për senatore  dhe erdhi në 32BJ ku u përshëndet me qindra antar ndër të tjerët  përfshi edhe me mu. Në këtë rast presidentja e unionit duke buzëqeshur i tha asaj se ky është  Bushati nga Shqipëri  për të cilin ju fola më parë. Zonja Klinton duke buzëqeshur  më tha :”Hi”.

Këtë histori ju a pata treguar disa miqve të mi vatranë, kur filluan të nxjerrin për Presidentin Trump, gjëra  nga jeta e tij privat  të një kohe të shkuar të  15, 20 apo 30 viteve më pare, të cilat  në gjykimin tim ishin shumë të padrejta. Sepse të gjitha këto i pashë si dashakeqe,  herë-herë të neveritëshme, të pa vërtetuar  e me veprim të fortë psikologjik mbi opinionin e përgjithshëm vetëm për ta ulur poshtë figurën e tij.  Askush nuk ka mundur  deri tani,  të argumentojë se Presidenti Trump nuk është i suksesshëm në të gjitha fushat qe ka marrë përsipër në fushatën  e tij zgjedhore. Por  gjithcka bëhet vetëm e vetëm se  duan ta largojnë nga pushteti partinë republikane dhe Presidemtin Trump. Në këtë rast do të  dëshiroja ta përsërisja deklaratën time të vitit 1999 për Presidentin Klinton, por me të vetmin ndryshim që në vend të Klinton të thoja Trump duke pyetur amerikanët se : Ju votuat në kishë për Shën Trumpin apo në institucionet e shtetit amerikan për  Presidentin Trump? Në se keni votuar në kishë, Trump nuk ka asnjë pretendim për të qenë shejt, por në  se keni votuat për Trump president ai është shumë i suksesshëm.

E njejta situatë ndodhi edhe me gjyqtarin Kavanaugh, i cili u baltos në opinionon amerikan  në mënyrën më të padrejtë të mundëshme  me një histori të stisur e të  pështirë  që kur ishte nxënës  në shkollë të mesme. Ai nuk u gjyku ne opinion  për punën e tij shumë profesionale dhe shumë  të suksesshme në disa dekada si  gjyqtar  dhe si shtetar  e intelektual  konseguant në fushën e drejtsisë, por si një objekt dhe si një mundësi, për të goditur Presidentin Trump dhe punën e tij  dhe partinë republikane ,në këtë periudhë të mesmandatit.  Pra shkurt edhe  Kavanaugh u përdor poshtërsisht nga politika  për qëllime politike e jo profesionale. Por ai tashmë  i zgjedhur me shumicën e votave të Senatit Amerikan , do të gjykojë në Gjukatën Supreme të SHBA-së  për të gjithë pjesën vijuese të jetës së tij . Urojme dhe dëshirojmë të jetë i drejtë dhe i suksesshëm në punën e tij si gjyqtar, por edhe ai nuk është votuar për shejt  dhe të mos presim se do ti thonë Shen Kavanaugh.

Askush nuk e di se si do të dalin rezultatet e zgjedhjeve të Nëntorit 2018, ato mund të mos sjellin asnjë ndryshim, ashtu sic mund të sjellin ndryshim vetëm në Kongres , vetëm në Senat ose në të dyja dhomat. Por sido që të jetë demokracia do të funksionojë se të dy krahët e politikës janë të interesuar për këtë. Por në gjykimin tim do të ishte shumë e pa drejtë ti viheshin “gurë në rrota “ Presidenit Trump dhe administratës së tij. Zhvillimi i mëtutjeshëm i SHBA-së, është në interesin e të gjithë amerikanëve për ta bërë Amerikën  më të fuqishme ekonomikisht dhe politikisht e  më të begat për qytetarët e saj. Por kjo është edhe në interes të shumicës vendeve të botës që ekuilibrat botëror të mos prishen, paqa të sundojë e lufta të qëndrojë sa më larg.

Filed Under: Politike Tagged With: asllan Bushati, E MESMANDATIT, ne SHBA, PRITSHMËRIA PËR ZGJEDHJET

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT