• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2018

Individ e turmë

November 15, 2018 by dgreca

 1-Astrit-Lulushi-286x300-2
Nga  Astrit Lulushi/*
1 a Lideri
Nëse gjithë njerëzimi minus një është i një mendimi, thotë Stuart Mill, bota nuk do të interesohej fare për heshtjen e një personi. Një shoqëri vërtet civile do të kuptonte rëndësinë e të drejtave të secilit dhe do t’ia siguronte këto të drejta. Por për momentin bota është e mbërthyer me rregullat e turpshme të turmës, rregullat e shumicës e cila shtyhet larg nga e vërteta. Gjithashtu, nëse do të kishte një shoqëri që e kuptonte rëndësinë e të drejtave të secilit individ, atëherë nuk do të kishim nevojë të ruanim të drejtat tona – sjellim këtu fjalët e John Lennon -Imagjino se nuk ka parajsë
Është e lehtë nëse e provon
Nuk ka ferr poshtë nesh
Mbi ne vetëm qiell.
Kjo bën vetëm të duket se bota ka më shumë liri sesa aftësi për të folur përballë turmës që flet me një zë. Çfarë të drejtash ka turma, që individi nuk i ka? Në një demokraci mendimi i shumicës mbizotëron, dhe individi ka të drejtë të bashkohet me individë të tjerë në çështje publike e politike. Mendimi i tij do të dëgjohet, por nuk do të mbizotërojë. Pra, individi nuk ka ato të drejta që shumica nuk ia jep. Ky është edhe thelbi i lirisë dhe përgjegjësisë që vjen me të. Arsyeja që shumë luftojnë e vdesin është Liria – pohimi se të drejtat nuk vijnë nga leja e të tjerëve, se të drejtat janë një aftësi e ardhur që në lindje dhe askujt nuk mund t’i privohet, përveçse si dënim për një krim, vendim që merret nga një juri e përbërë nga njerës si ai – nëse një person thotë se nuk është fajtor, atëherë nuk është. Por ky nuk është rregulli i turmës e cila vepron bazuar në mendime arbitrare.
*Ilustrimi: Karikature nga Medi Belortaja

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Individ e turmë

Mungesa e Ambasadores së Kosovës Nazane Breca në Drekën Presidenciale në Bernë

November 15, 2018 by dgreca

1-elida-bucpapaj-300x130

Nga Elida Buçpapa/

Me 5 Nentor në Schweizerhof Hotel në Bernë u mbajt Dreka Presidenciale, eventi i përvitshëm i organizuar nga APES, Asosacioni i Shtypit të Huaj në Zvicër dhe Liechtenstein, me praninë e presidentit të Konfederatës Helvetike Alain Berset, personaliteteve të larta nga bota e politikës, gazetarisë, diplomacisë, artit dhe kulturës. Merrnin pjesë Ambasadorë dhe diplomatë nga trupi diplomatik në Zvicër, midis tyre Ambasadori i SHBA, Francës, i Indisë, Rusisë etj. I pranishëm në drekën presidenciale ishte edhe Dick Marty, Daniel De Roulet, Guy Mettan, Christian Campiche, Emil Steinberger, Raphaël Domjan si dhe plot figura të shquara të Zvicrës. Eventi i sivjetëm përkoi edhe me 90 vjetorin e APES, organizatë shumë e rëndësishme e shtypit të huaj, që përfaqësohet nga mediumet më me emer të botës, anëtarë prej gati dy dekadash të së cilës janë edhe tre shqiptarë, botuesit e voal.ch – Voice of Albanians dhe ai i Presheva.jone.

E ftuar në Drekën Presidenciale ishte edhe Ambasadorja e Republikës të Kosovës në Bernë, zonja Nazane Breca…

Në shkurt të këtij viti një grup gazetarësh nga APES, midis tyre edhe ne dy editorët e voal.ch, në prag të festimeve të 10 vjetorit të Pavarësisë bëmë një vizitë të suksesshme në Kosovë, me mbështetjen edhe të qeverisë Haradinaj. Aty u takuam me përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, të administratës publike, me diplomatë të huaj si dhe me trupat e Swisscoy. Në përgjigje të mikpritjes shqiptare dhe të bashkëpunimit bilateral, presidenti i APES, Jean Musy pati kënaqësinë të ftonte, në emrin e APES, Ambasadoren e Kosoves në drekën presidenciale që organizohet çdo vit, e cila paraprihet me një konferencë shtypi të Presidentit me gazetarët.

Ftesën e parë zyrtare drejtuar Ambasadores të Kosovës, APES e dërgoi sikur gjithë të ftuarve të tjerë në fund të muajit gusht. Por ftesa e parë nuk arriti në Ambasadën e Kosovës! Kur përfaqësues të APES mësuan se ftesa nuk kishte shkuar në destinacion,  e ridërguan në ditët e para të shtatorit, pra dy muaj përpara drekës presidenciale.

Sa për parantezë, shërbimi postal i Zvicrës është i shkëlqyer. Nuk ndodh që ti të dërgosh postë e tjetri të mos e marrë! Posta Zvicerane është më  e mira në botë. Në krahasim me 173 vende, Posta Zvicerane zuri vendin e parë edhe në vitin 2018 duke lënë pas postën e Holandës dhe Japonisë. Për herë të dytë me radhë, Zvicra renditet e para në Indeksin e Zhvillimit Postar të vlerësuara nga Unioni Postar Universal (UPU). A mund të mendohet që të mos arrijnë letrat e dërguar me postën e Zvicrës nëpër Ambasada?! Kurrë!

Personalisht kam një eksperiencë me dy ambasadat, perkatesisht të Kosoves dhe Shqiperise, kur kryetari i atëhershëm i shoqates se shkrimtareve shqiptarë në Zvicer u dergoi ftese per promovimin e njërit prej librave të mi përmes e-mailit  dhe çuditerisht as njëra ambasade dhe as tjerta nuk e kishin marre ftesen përmes Postës Elektronike, sikur edhe zonja Ambasadore nuk e mori ftesen per herën e parë përmes Postës së Zvicrës.

Kur ftesa u ridërgua për herën e dytë, zonja Ambasadore e mirëpriti, por, kërkoi ndjesë për mospraninë e saj meqë kishte një angazhim tjetër!

Pashë për kuriozitet në Facebook faqen e Ambasadës të Kosovës në Bernë dhe vura re se dy aktivitetet më të fundit të zonjës Ambasadore ishte vizita në Ambasadën e Turqisë në Bernë më 30 tetor me rastin e 95 vjetorit të ditës kombëtare dhe më 8 Nëntor në Zyrih takimi me Ambasadoret zonja si përfaqësuese të shteteve të tyre në Zvicër.

Pra nga një hulumtim i sipërfaqshëm nuk rezulton qe zonja Ambasadore të kishte impenjime më datën 5 Nëntor të rrangut të tillë që nuk do të mund t’i anullonte dy muaj përpara për të marrë pjesë në drekën presidenciale në nderin dhe praninë e Presidentit të Konfederatës Helvetike z.Alain Berset.

Duke parë stafin e Ambasadës të Kosovës në Bernë, rezulton të ketë tre  Ministra Këshilltarë, dmth në rrang të zvAmbasadoreve.

Pra nëse zonja Breca ishte kaq e impenjuar, kaq e angazhuar, kaq e zënë, do të ishte shumë normale, që në vendin e saj të dërgonte njërin nga tre  Ministra Këshilltarët.

Ambasada e Kosovës nga Schweizerhof Hoteli ku u mbajt Dreka Presidenciale e APES nuk është me shume se 10 minuta në këmbë larg.

Do të ishte një rast i mirë i diplomatëve të Kosovës për t’u takuar me z.Presidentin Alain Berset dhe me të ftuarit e nderuar.

Natyrisht që mungesa e zonjes Breca nuk u ndje fare, por u ndje niveli i përfaqësimit që lë aq shumë për të dëshiruar.

Kur dolëm nga Schweizerhof Hoteli pas Drekës Presidenciale, Berna shkëlqente nga një diell i ngrohtë vjeshtor, ndërsa nëpër qoshka kishin filluar të shisnin gështenja!

Më mirë të shesësh gështenja, se të përfaqësohet keq një vend si Kosova që ka aq shumë nevojë për një diplomaci të nivelit europian!

Kosova, një vend i varfër, me diplomatë me rroga të larta që nuk dihet se me çfarë merren!

Filed Under: Politike Tagged With: Berne, Dreka Presidenciale, Elida Buçpapaj

Eshtrat e Mid’hat Frashërit prehen në Atdhe

November 14, 2018 by dgreca

1 arkivoli supemithatiii-768x5541 ballore

Personaliteti i shquar i kulturës dhe letrave shqipe, Mid’hat Frashëri nga sot do të prehet në Atdhe. Pas mbërritjes së eshtrave nga SHBA si dhe homazheve në Akademinë e Shkencave, eshtrat e tij janë varrosur pranë vëllezërve Frashëri tek Liqeni Artificial, pasi ai ishte nip i frashërllinjve të mëdhenj, Samiut dhe Naimit.Për kthimin e eshtrave nga SHBA për në vendlindje të firmëtarit të pavarësisë dhe kryetarit të Kongresit të Manastirit, Këshilli i Ministrave akordoi fondin prej 3,239,400 lekë, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore.Në një prononcim për gazetarin Erjon Skëndaj,  Kryetari  i Partisë Balli Kombëtar Demokrat Artur Roshi tha se Mid’had Frashëri bashkoi kombin nga ana kulturore. Sipas tij sistemi diktatorial deformoi të vërteten për Mid’had Frashërin.

“ Ky veprim i qeverisë është një ndjesë nga të gjitha qeveritë. Njeriu nuk mund të jetë edhe bashkëpunëtor edhe ta luftojë kundërshtarin. Sistemi diktatorial deformoi jetën kulturore, historinë dhe deformoi edhe të vërteten për kundërshtarin e sistemit, siç ishte Midhad Frashëri. Ne do punojmë për të lancuar profilin e tij të lartë. Mid’hadi bashkoi Kombin nga ana kulturore.  Mid’had Frashëri dha firmën për njehsimin e gjuhës shqiptare. Jemi në një ditë që shpresojmë që shqiptarët do ta marrin vesh profilin e vërtetë të profilit të Mid’had Frashërit”- tha Roshi.

Rama: Të ulë kokën kush e sheh provokim

‘Një mishërim dhe një shërbestar i mëmëdheut sipas kokës së tij’- kështu e konsideroi kryeministri Edi Rama, Mid’hat Frashërin, në një fjalim të gjatë të mbajtur para ceremonisë së varrosjes së eshtrave te tij pranë Liqenit Artificial. Duke ndërthurur në fjalimin e tij, kujtime të ditarit të Frashërit, Rama u shpreh se ata që e baltosën për 7 dekada sot mbajnë buzët rrudhur.

“Farshëri ishte mishërimi i një shërbestari të mëmëdheut sipas kokës së tij. Ai shfaqej si armik natyral sa here tentohej përcarja. Të lë pa frymë pozicioni për dramën e popullsisë shqiptare të camërisë të zhveshura për shkak të etnisë dhe besimit të tyre. Një flamurmbajtës i shënuar i të drejtave të minoriteteve të lirive themelore, pa dallim etnie dhefeje.’ U shpreh Rama në fjalimin e tij,

“Shumë mund të kenë parë arrogancë, kokëfortësi, tërheqje, konservatorizëm apo besëthyerje virtytet e tij e bëjnë një personalitet pa të dytë në hisorinë e elitave të paqëndrueshme shqiptare.’-vijoi me tej kryeministri ndërsa u shpreh se kthimi i eshtrave të tij ishte një detyrim dhe borxh.

“Mid’Hat Frashëri i dha Shqipërisë gjithçka kishte e mundi. Gaboi por në tërë sa bëri nuk nxiti kurrë me penën e tij një krim. Kush e sheh si provokim, bën mirë të ulë kokën e të kujtohet se sa krime bënë ata që shkruan historinë e gjysmës tjeteër të Lumo Skëndos. Kush e sheh këtë arkmort dhe praninë time si kryeministër si revansh ndaj fitimarëve ndërsa përcjellim një figurë shumëdiemensionale, bën mirë të ulë kokën dhe të kujtohet se u rreshtuan edhe vetë kundër atij,   të cilit i shkruante se nuk mund të kemi njerëz që kanë lyer duart me gjak duke bashkëpunuar me pushtuesit.” – vijoi me tej kryeministri ndërsa theksoi se kthimi i eshtrave të tij, të shërbejë edhe si një reflektim.

“Mjaft kemi gjykuar në mungesë. Këtu janë eshtrat e një burri të dënuar në mungesë jo nga një gjykatë por nga gjyqi i historisë së shkruar nga fitimtarët për të poshtëruar të mundurit. Mjaft kemi shpifur, mjaft me shpërdorimin e atyre që nuk janë më. Kthimi i eshtrave nuk i merr askujt historinë, apo aftësinë e arsyetimit. Një varr nuk e mbulon një njeri të vdekur, nëse ideja rron e ngjall shpresa te të tjerët. Gjithë fatkeqësia jonë ka ardhur nga shpërndarja e këtyre fuqive.” -tha Rama ndërsa theksoi se  Mid’Hat Frashëri ishte e mbetet një shembull, ndërsa koha pastroftë baltën që nisëm t’ja pastrojmë sot.

Luzim Basha: Shembull për shumë të tjerë

Kryetari i PD, Lulzim Basha iu bashkua homazheve në nderim të patriotit shqiptar Mid’hat Frashëri, eshtrat e të cilit u kthyen sot në Atdhe.

“Është një nga ditët e rralla, që qëndrojmë para një arkmorti me një sens krenarie, nderimi por edhe kënaqësie. Kënaqësi që u përmbush amaneti i tij, detyrim i madh kombëtar i gjithë patriotëve shqiptarë. Kënaqësi që eshtrat e këtij burri të madh dhe shkencëtari të një dimensioni Europian do të prehen sipas amanetit të tij. Falenderoj deputetin Shehaj, Akademinë e Skencavem kjo ishte gjetja e duhur për ta patur këtu këtë burrë të jashtëzakonshëm. Një shembull që duhet të ndiqet edhe për shumë të tjerë. Eshtrat e cdo patrioti që padrejtësia e dikatuarës gjakatare të Enver Hoxhës i kanë lënë të dergjen jashtë vendit duhet të kthehen e të nderohen në Shqipëri.” – u shpreh Basha në një prononcim të shkurtër për mediat. Duke iu përgjigur interesat të medias, nëse e vlerëson rolin e qeverisë shqiptare në këtë proces, Basha u shpreh se qeveria nuk bëri asgjë përvecse detyrën.

“Vlerësoj iniciativën e historianit Uran Butka si edhe përkushtimin e deputetit Shehaj. Qeveria nuk ka asgjë më pak se detyrimin të kryejë procedurën për nderimin e këtij patrioti të madh”. – përfundoi Basha.

Kush ishte Mid’hat Frashëri, i njohur si Lumo Skëndo:

Mid’hat Frashëri i biri i rilindasit të shquar Abdyl Frashëri, lindi më 25 mars 1880 në Janinë. Ai njihet edhe me pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka. Mid’hati e njohu shumë pak të atin e tij, ngaqë Abdyli vdiq i ri në burg. U rrit në kujdestarinë e xhaxhallarëve, rilindësve të shquar Sami dhe Naim Frashëri. Duke qëndruar pranë tyre, kreu edukimin e plotë akademik në Stamboll. Patriot, njeri i ditur, Mid’hat Frashëri ka mbajtur në zemër amanetin e të atit Abdyl Frashëri, i cili gjatë qëndrimit në burg, u vendos të ekzekutohej nga xhonturqit. Kur u pyetën Abdylin nëse dëshironte të thoshte diçka, ai është përgjigjur: “Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund dhe të sillet kështu siç po sillem unë”. Deri në vitin 1905, Mid’hati punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore, i emëruar drejtor për punë politike të vilajetit të Selanikut. Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX dhe u bë një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare. Mid’hat Frashëri ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut në Manastir, ku takoheshin patriotët shqiptarë. “Pati një rol të ndjeshëm në ruajtjen e kompaktësisë së klubit “Bashkimi” të Manastirit, pas mosmarrëveshjeve ndërmjet gegëve (në pjesën më të madhe dibranë) dhe toskëve, të cilën e ka zgjidhur duke shkuar në Manastir, më 20 shtator 1908, duke shkrirë kryesinë e mëparshme, të cilën e zëvendësoi me Rexhep Hoxhën prej Kallkandelene (Tetovë), zgjedhur kryetar, ish-kryetari Fehmi bej Zavalani kaloi zv/kryetar, ish-zv/kryetari Gjergj Qiriazi u zgjodh anëtar dhe kryesia u përbë nga pesë gegë e pesë toskë.”, rrëfen studiuesi Uran Butka. Gjithashtu ai nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte “Kalendarin Kombiar”, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Më 1901, botoi biografinë e parë kushtuar Naim Frashërit. Në botimet e ndryshme ai përdori edhe pseudonimin Ismail Malosmani.

Në korrik 1908 Mid’hat Frashëri themeloi gazetën “Liria” në Selanik, në vitet 1897-1928, botoi revistën “Kalendari Kombiar”, më 1909 themeloi revistën “Dituria”, në Selanik, pastaj në Kostancë dhe më vonë në Tiranë. Më 1908, mori pjesë dhe u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit. Më 1909, 2-8.09, mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Vlorës më 28 nëntor 1912 si delegat i Përmetit, Elbasanit dhe Pejës dhe nënshkroi Aktin e Shpalljes së Pavarësisë.

Në qeverinë e Ismail Qemalit u emërua Ministër i Punëve Botore. Në kabinetet e Turhan Pashë Përmetit, në vitet 28.05.1914 – 03.09.1914, ishte Ministër i Punëve Botore dhe Post-Telegrafës, ndërsa në vitet 25.12.1918 – 29.01.1920, ishte Ministër pa Portofol. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919 – 1920.

Më 1920 përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, në vitet 1923-1925 ishte ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. Në vitet 1926 – 1939 hapi në Tiranë librarinë “Lumo Skendo”. I përndjekur nga regjimi komunist me akuzën si themelues i organizatës së Ballit Kombëtar, Mid’hat Frahsëri në përfundim të luftës u vendos në Itali e më vonë në Londër, ku krijoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Mid’hati Frashëri nuk u martua. Varrimin e tij në SHBA e kanë organizuar përmes një ceremonie madhështore patriotët shqiptarë. Në gazetën “Flamuri” shkruhej: “Shqiptarët kanë ardhur nga të gjithë vendet nga ku banonin shqiptarët në mërgim, duke shprehur pikëllimin e madh,për ikjen e djalit të Abdylit njeriut të madh, Mithat Frashërit. Tek trupi i tij kanë bërë roje nderi Shefqet Isaraj,Muho Xhakja,Astrit Sako,Braho Husi,Sulo Male,Hysni Aliko,Hajredin Peshkëpia,Skënder Omari,Iliaz Guri,Luan Dosti. Arkivoli ishte i mbuluar me flamurin kombëtar dhe në sallë ishin 200 veta. Kortezhi për në varrezat “Fernchff”. Arkivoli merret në krahë dhe aty kanë folur Sejfi Protopapa,At Paul e V.Rado.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Atdhe, Midhat Frasheri, prehet

Nderim i vërtetë për Mid’hat Frashërin

November 14, 2018 by dgreca

1 dritan Mishto1 VATRANET TEK VARRI I MID'HAT FRASHERIT

NGA DRITAN MISHTO/

Kryetar i Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA/

Festa e Pavarësisë na sjell gjithnjë ndër mend të nderojmë ata burra që me forcën e tyre mendore, qartësinë dhe largpamësinë për një komb shqiptar evropian firmosën dhe vulosën historikisht themelimin e shtetit modern shqiptar.

Por, ky vit, si asnjëherë më parë na ka bërë të evidentojmë njërin syresh, Mid’hat Frashërin, të cilit iu plotësua amaneti për dergjen përfundimtare në tokën mëmë.

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA e ka nderuar dhe do ta nderojë Mid’hat Frashërin për gjithë atë  çfarë ai ka bërë për alfabetin dhe gjuhën tonë të bukur, zbulimin e rrënjëve dhe prejardhjes sonë kombëtare, kontributin e rrallë në letërsinë shqipe, bibliografinë mbi baza shkencore, faktet historike të zbuluara e shoqëruara me argumentë të pakundërshtueshëm, elegancën diplomatike dhe  forcën bindëse, e mbi të gjitha për qëndrimin e tij atdhedashës në luftën e pakompromis kundër komunizmit, gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore, si një e keqe e cila fatkeqësisht na pllakosi për dekada të tëra.

Veçanërisht Federata VATRA nderon dhe kujton me shumë respekt e dashuri Mid’hat Frashërin për marrëdhënien e bashkëpunimin e veçantë që ka pasur me këtë gjigand të shqiptarizmës, si ambasador të saj për të mbrojtur  çështjen tonë kombëtare tek Fuqitë e Mëdha; si të deleguar të Shqipërisë kur arka e shtetit shqiptar ishte bosh, dhe VATRA mblodhi fondet e duhura, apo edhe për kërkesën që Vatranët i bënë të merrte drejtimin e Federatës. Ashtu siç duhet të pranojmë me dhimbje të vërtetën tjetër, që VATRA e pasluftës, për shkak të influencave të qeverisë komuniste të Tiranës, e kritikoi dhe nuk e mbështeti Mid’hatin në nismën e tij me Komitetin Shqipëria e Lirë, aq sa edhe njoftimi i vdekjes së këtij kollosi të shqiptarizmës në Gazetën Dielli ishte i thatë. Por, ne jemi dëshmitarë që dekadat e fundit, VATRA e ka kujtuar dendur e vlerësuar lart Mid’hat Frashërin, aq sa vizitat në varrin e tij, akademitë politike, veprimtaritë kulturore e dokumentare kanë qenë të panumërta. Vetëm vitin e fundit drejtuesit e Federatës dhe përfaqësues të diasporës kanë vizituar tre herë varrin e Tij, duke përfshirë edhe ndarjen dhe homazhin përfundimtar. Fotografia e Mid’hat Frashërit ka zënë gjithmonë vend nderi në zyrat tona.

Ndaj, nisur nga ky raport i veçantë dhe kjo trashëgimi historike, Federata PanShqiptare e Amerikës VATRA shtron me të drejtë pyetjen: Si po kthehet Mid’hat Frashëri në Shqipëri? Në qoftë se vetëm kthimin e eshtrave të Mid’hatit e konsiderojmë të mjaftueshëm, mendoj se bëjmë një vlerësim të pjesshëm. Ndaj pyetja është: A po kthehet i plotë Mid’hat Frashëri në Shqipëri? Unë mendoj se Jo.

Qeveria Socialiste Shqiptare vërtet ndërmori një akt të tillë, por është i papranueshëm vlerësimi i cunguar i figurës së Tij, vetëm si kryetar i Kongresit të Manastirit, ashtu siç shkruhet në njoftimin zyrtar të ceremonisë kryeministrore “Personalitet i Kulturës Mbarëkombëtare” duke lënë në hije tërë pjesën tjetër të aktivitetit të tij patriotik, albanologjik, historik e mbi të gjitha Doktrinën e tij politike.

Rivlerësimi i figurës polidimensionale të Mid’hat Frashërit nuk bëhet me një fjalim Kryeministror, që e merr era e vjeshtës. Ky vlerësim dhe ndjesa ndaj Tij bëhen me platforma institucionale duke filluar nga rishikimi i teksteve historike shkollore e studimore; përfshirja në enciklopeditë e figurave më të ndritura kombëtare; analiza e thellë të sjelljes brilante diplomatike; e nuk gaboj të shtoj përthithjen e doktrinës “Mid’hatiane” në qëndrimet aktuale akademike e politike për të ardhmen e kombit tonë. Duhet pranuar dhe thënë me zë të lartë që koha i dha të drejtë Mid’hatit në luftën pakompromis kundër doktrinës komuniste dhe bartësve të saj, sepse Shqipëria që donte Mid’hati do të ishte një Shqipëri krejt tjetër nga ajo që fatkeqësisht kishim me dekada të tëra. Vetëm kështu ne të gjithë do të jemi të qetë dhe brezat do të njohin Mid’hatin e vërtetë.

E derisa të bëhen të gjitha këto, na mbetet të themi: “Çohu Mid’hat nga varri se erdhën armiqtë politikë me të marrë”!

Filed Under: Featured Tagged With: dritan Mishto, Nderim i vërtetë, për Mid’hat Frashërin

ZGJEDHJET NE SH.B.A. : NJË FITORE E DEMOKRACISE AMERIKANE

November 14, 2018 by dgreca

48 Repishti

Shkruan: Sami Repishti, Ph.D./Dielli

Ridgefield, CT: Me datën 6 nandor, u mbajtën zgjedhjet e zakonshme dy-vjetore për anëtarët e Kongresit Amerikan: Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Anëtarët e Dhomës zgjidhen çdo dy vjet; ndërsa anëtarët e Senatit zgjidhen çdo 6 vjet.; por zgjedhjet e senatorëve bahen për një të tretën (33 anëtarë të Senatit) çdo dy vjet, për rigjenerim të pjesëtarëve. Ma shumë se 113 miljonë votues shkuen në qendrat e votimit. Në vitin 2014 votuen 83 miljonë.  Kjo tregon interesimin e  madh të popullsisë për këto votime. Ka të gjitha arsyet me besue se në këto zgjedhje me një diversitet të madh breznia e re ka qenë vendimtare, dhe një fenomen që nuk ashtë vrejtë për shumë vjet, simbas shenimeve të ekspertëve. Ky zhvillim ashtë inkurajues! Zgjedhjet u zhvilluen pa incidente dhe në një atmosferë të qetë.

Populli voton kur ashtë i bindun se vota e tyne llogaritet dhe ngren peshë. Ka edhe një faktor tjetër: kësaj rradhe votuesët kishin në mend një njeri, Presidentin Donald Trump. Votimet e gjysëm-termit (jo presidenciale) janë një referendum për presidentin; ata gjykojnë punën e tij dyvjeçare.

Megjithëse ekonomia amerikane ashtë e shëndoshë, papunësia shumë e vogël, rritja ekonomike mjaft e madhe mbas zbritjes së taksava prej 1.5 triljonë dollarësh që ngriti konsumin, ajo nuk dha rezultatet e duhuna për arsye të entuziasmit demokratik e sidomos për popullaritetin e ulët të Presidentit Trump. Republikanët humben votat në distrikte ku papunësia ashtë e ulët, ku marrëdhanjet industriale kanë rritë punësimin, distriktet ku u ulën taksat, dhe në zonat e pasuna që përfituen nga taksat; menjëfjalë në distriktet ku republikanët kishin shpresat ma të mëdha.

“Me Trumpin në qendër të vemendjes para kutisë së votimeve, unë mendoj se votuesët ishin të nxitun nga të dy anët, pro dhe kunder” deklaroi Prof. Mia Costa (U. Dartmouth). “Demokracia shpëtoi këte demokraci- një demokraci për të cilën shumë nga ne kanë dhanë djersë e gjak, edhe jetën. Na jemi para dy viteve të vështira. Unë lutem për të gjithë ne, në këte vend të bukur, e të thyem, që unë dashunoj kaq shumë, dhe shpresoj,” shkruente një lexues në rubriken e The New York Times (8 nandor)

Dhoma e Përfaqësuesve zgjodhi 435 anëtarë të ri, me shumicë “demokratë” dhe me elementë të ndryshëm që përfaqsojnë ndryshimet e elektoratit amerikan, dhe janë tregues e zhvillimeve politike të mavonëshme, sidomos të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Nga të rinjtë nën moshën 24 vjeçare, rreth 64 përqind votuen për kandidatët “liberalë”, që kërkojnë arsim falas, punë për të gjithë, dhe sherbim mjeksor të siguruem nga shteti….!

E papritun: 26 kandidatë janë nën moshën 40 vjeçare. Janë 28 anëtare gra, 12 afro-amerikane, dhe 6 anëtarë veteranë ma shumë se në Dhomen e kalueme. Dy gra myslimane afro-amerikane janë zgjedhë për herën e parë në historinë e vendit. Dy indiane origjinale, gjithashtu. Nga shuma e përgjithëshme, 222 janë konfirmue demokratë, dhe 196 kandidatë republikane (17 të papërcaktuemë) . Ma shumë se 100 janë gra nga të dy partitë.

Kështu demokratët marrin shumicën e Dhomës, Kryesinë, dhe drejtimin e 11 komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve. Kryetar i Komisionit për Marrëdhanjet Ndërkombëtare do të zgjidhet kongresisti, mik i shqiptarëve-sidomos i Kosovës,- i nderuemi Elliot Engel, i New York-ut. Kryetari i Komisionit për Çeshtje Judiciare, do të jetë kongresisti Jared Nadler, i New York-ut, mirënjohës i aktit fisnik shqiptar në mbrojtjen e hebrejve gjatë L2B, dhe përkrahës i Kosovës.

Nga zgjedhjet për “Governatorë” të shteteve amerikane, demokratët fituen 7 nga 9 “shtete” ish-republikane. (23 D; 26 R; 1 i papërcaktuem). Governatorët po tregohen ma të aktivizuem politikisht se ma parë!

Republikanët fituen shumicën e Senatit (51 R, 46 D., 3 akoma të papërcaktuemë); ata mbajnë Kryesinë e të gjitha komisioneve senatoriale, si ma parë. Edhe Gjykata Supreme ashtë  me shumicë elementë “republikanë”….! Natyrisht edhe Presidenti.

Figura kryesore ka qenë “personaliteti” i Presidentit Trump. Partia Republikane ka humbë “personalitetin” dhe “identitetin” e saj me nënshtrim  autoritarianizmit të Presidentit. Republikanët deri tashti kanë kryesue të dy dhomat. Me një kontroll të këtill të plotë, partia republikane nën Presidentin Trump, ka dominue skenën politike dhe ka kalue legjislacion që nuk përkrahet nga shumica e popullit amerikan.

Presidenti akuzohet për paaftësi në udhëheqje dhe për krijimin e atmosferës së frikës (globalizmi, emigracioni, terrorizmi islamik etj) e mashtrimit (racizmi, ksenofobia, misogjinia, racizmi etj.), dy aleatët e “fashizmit”. Akoma ma e randësishme, ai akuzohet se ka pranue mbështetjen ruse me damtue kandidaten demokratike Hillary Clinton me mjete të propagandës ruse “fake news” dhe me ndërhymje në proceset e votimit, një subjekt shumë serioz në arenën politike amerikane, që po shqyrtohet nga i ngarkuemi special, gjykatësi Robert S. Mueller III, një nga figurat ma të njohuna në Amerikë për aftësi dhe ndershmëni.

Mbas një hetimi afër dy vjetor, pritet që Z. Mueller të paraqesë Raportin e tij përfundimtar mbi këte problem, i cili i dorëzohet “Speaker”it të Dhomës së Përfaqsuesve për veprim. Kjo “shpatë e Damokleut” ka qendrue vazhdimisht mbi kokën e Presidentit Trump, dhe ka helmue atmosferën politike të vendit për dy vite të gjata. Ka mundësi që “zbulimet” e Raportit të kërkojnë “impeachment” (dënimin) për Presidentin, i cili ka mohue të gjitha akuzat.

Fitorja e demokratëve në zgjedhjet e nandorit ka qenë “… një fitore e mirë për demokratët, por jo një fitore të përshëndetet me fishek-zjarre!” komenton eksperti Tim Storey. Megjithate, zgjedhjet e 6 nandorit 2018 mbyllin “…një episod të errët të epokës sonë të errët” komentonte The New York Times në Editorialin e saj te 30 tetorit.. Që nga viti 2016 dhe deri sot, SHBA drejtohej me sistemin njëpartiak: presidenti, dy dhomat dhe shumica e Gjykatës së Naltë  ishin të gjithë “republikanë”.       Me fitoren e Dhomës së Përfaqsuesve, thyhet sistemi njëpartiak dhe Dhoma fillon kontrollin dhe balancimin e akteve presidenciale dhe kongresiste, simbas Kushtetutës. Ky ashtë edhe aspekti kryesor i fitores së demokratëve në këto zgjedhje. Megjithate, mbetet dyshimi se me dinamiken e re të një qeverisje të ndame do të jetë shumë vështirë me kalue legjislacione mbi problemet kryesore të vendit, dhe të nevojshme për të gjithë.

Atmosfera e helmueme nga grindjet politike krijohet, por nuk sherohet, shpejt.

*****

Cila do të jetë pozita e Partisë  Demokratike në qeverisjen e vendit?

Ekspertët, tue pasë parasyshë perspektivat e një Kongresi të ndamë, na kujtojnë se çdo kongresist sherben interesat e zonës së tij elektorale. Dhoma e Përfaqësuesve, ashtu si edhe Senati ka përgjegjsinë e përgatitjes së legjislacionit për aprovim, ligjët dhe amendamentet; çdo anëtar sherben si pjesëtar i një ose ma shumë komisioneve parlamentare. Dhoma ka autoritetin me fillue aktin e “impeachment” kundër qeveritarëve, dhe sidomos përgjegjsinë me paraqitë ligje për shpenzimet (“the power of the purse”) Ajo gëzon pushtet të madh mbi shpenzimet, një autoritet që mund të shkurtojë-ose refuzojë- çdo ligj që kërkon fonde. Dhoma autorizon deklarimin e gjendjes së luftës me një anmik, dhe arritjen e paqës mbas luftës.

Me shumicën demoktratike, Dhoma do të ketë mundësinë me paraqitë projekt-ligje që detyrojnë senatorët ma marrë vendime që nuk janë popullore tek ata. “Ashtë shumë tërheqse për Demokratët tashti me qenë të aftë me vue në tryezë projekt-ligje që kanë përkrahje popullore; dhe, ma vonë me i dergue ata në Senat, i cili i refuzon”, spjegon Prof. Ross Baker, (Rutgers U.). Demokratët kanë autoritetin e taksimit dhe shpenzimit. Gjithashtu, Kryetari (the Speaker) i Dhomës ashtë i dyti në trashëgimin e Presidencës në rast emergjence,…. mbas N/Presidentit.

Fitorja elektorale e Demokratëve pritej nga shumica e votuesve amerikanë. Ashtë një fakt i konfirmuem nga shumë sondazhe se popullariteti i Presidentit Trump ka ra shumë, dhe se një humbje e këtill paralajmëron humbjen në zgjedhjet e ardhme presidenciale, 2020. Fitorja e nandorit ka qenë hapi i parë.

Mosaprovimi popullor i agresivitetit të Administratës Trump ashtë rritë shumë sidomos me qendrimin jo-parimor të Presidentit, ku urrejtja për kundërshtarin dhe atmosfera e frikës së krijueme qellimisht me mashtrime kanë shkue shumë larg. Një atmosferë e këtill ka ngjallë reagim të fortë, dhe sot, votuesët anti-Trump e quejnë veten “mbrojtës të demokracisë”. Për Presidentin, këto kundërshtarë janë “trathëtarë” dhe “armiq të popullit”…. Edhe “republikanët konservatorë”, kritikë të Presidentit kanë vetëm një shpresë: disfaten e tij, me qellim që të çlirohet Partia Republikane (PR) nga dominimi i tij i plotë. Sot flitet për një “Trump Party” e jo për një “Republican Party”. Një situatë e këtillë ashtë ba e mundun nga qendrimi i disa senatorëve “republikanë” që frikësohen nga “inati” i Presidentit. Në shtypin amerikan lexohen komente ku thuhet se “…shumica e kongresistëve nuk meritojnë postin që okupojnë sepse nuk respektojnë betimin e bamë me mbrojtë Kushtetutën e ligjët e vendit”.

Edhe editori i “Conservative Magazine” shkruen:” Që nga fillimi i Republikës (1776) Kongresi ka veprue si një frenim për çdo president. Por historia do të gjykojë Kongresin e tanishëm për mbrojtje agresive të Presidentit Trump…Kjo që kemi sot ashtë sundimi i një partie politike….”. “ Në se kemi mësue diçka, shkruen Prof. Delbano (Columbia U.), në vitet e Trumpit ashtë se të drejtat mund të rindertohen ose të harrohen. ‘E drejta’ e qartë se çdo qenie njerëzore meriton jetën, lirinë dhe ndjekjen e lumtunisë, do të marrë kohë me zanë vend në mendjet amerikane. Po kthehet me zemrim pyetja e madhe: Kush ashtë një qenie njerëzore? Ne, nuk do të kemi një pergjigje deri ditën kur çdo za ndigjohet para kutisë së votimit!”.

“Demokracia amerikane, simboli shekullor i lirisë dhe zhvillimit të lire, nën Presidentin Trump funksjonon me tone tragjike! Modeli pluralist i këtij vendi ka nevojë për një “ringjallje” dhe për marrjen e masave që tani janë në qendër të vemendjes”, shkruente revista The New Yorker e 30 tetorit. Me mohue se “retorika luftë-nxitëse e Trumpit këto dy vitet e fundit nuk ka nxitë dhunën politike të ditëve të fundit” ashtu si deklaroi N/Presidenti Pence ”ashtë me u bashkue me legjendat agresive të Presidentit Trump, dhe nivelin e tij të mashtrimit”.

Ngjarjet e fundit kanë konfirmue se SHBA që ashtë një komb i madh, ashtë njëkohësisht edhe i zanun rob nga e kaluemja e tij….Vazhdimisht ka dështue me i adaptue institucionet e veta dhe ligjët…veçanërisht “armët” dhe “fjalimet helmuese” në epoken e një egërsie të prueme nga një teknologji e pamend.

Askush në Amerikë nuk e priste një president të këtill si Donald J.Trump….!

“Shkenca dhe historia na mësojnë se njerëzit do të ushqehen dhe do të veprojnë mbi paragjykimet e tyne në formën ma të keqe, kur këto persona janë nen presion të fortë nga shoqënia, ose kur marrin leje nga një autoritet ma i naltë” shkruen Dr. S, Fisko i U. Princeton. (Akoma sot, “kam zbatuar urdhërin pikë për pikë” deklarojnë kriminelët e ish Sigurimit të Shtetit, në Shqipëri, ashtu si nazistët e Hitlerit, një fenomen negativ që na shqiptarët e kemi pësue për 45 vjet me rradhë nën diktaturën e kuqe)

Nga një herë, tragjedia trampiste zbret në nivele komike: afër 5.000 refugjatë, të vorfën që ikin të frikësuem nga zonat e Amerikës latine, shfrytëzohen për propagandë pa princip: ata  paraqiten sikur janë të rrezikshëm për Amerikën (336 miljonë), fuqia ushtarake  dhe ekonomike ma e fortë në botë. Rreziku ashtë i madh thuhet…dhe 15.000 ushtarakë dergohen në kufi (sic!). Presidenti krenohet, popullsia shijon momentin komik….,megjithëse nuk bahet pjesë e komedisë dhe  rrjedhimeve të saja….! E gjithë kjo “histori mjerane” ashtë kurdisë nga Trumpi, e propagandohet, si e përgatitun nga PD-ja…. një shaka që mund të damtojë Amerikën…!

Pyetje si: ”Ç’bahet kështu me vendin tonë? A mund të jetojmë pa frikë në shtëpitë tona, në shkollat tona, në faltoret tona të shenjta?” bahen vazhdimisht mbas masakrës së tetorit në Pittsburg, PA., ku një kriminel “supremacist” i bardhë, simpatizues i Presidentit Trump masakroi 11 hebrej në Sinagogen e qytetit dhe plagosi 6 të tjerë. “Këta hebrej duhet të vdesin” thirri krimineli. Pse? “Sepse ndihmojnë refugjatët në mjerim”. E pabesueshme! “Në se nuk e shuejmë këte flakë në djep, kam frikë se do të pësojmë edhe ma keq” deklaroi rabini Marvin Heir.

Helmimi i atmosferës inkurajon  krimet monstruoze. Çdo lajm i pakandshëm ashtë “fake news”, çdo “fake news” prodhohet nga mediat që quhet nga Trump-i “armik i popullit”. Në një intervistë me stacionin CBS, Presidenti deklaroi:” Unë flas kështu me diskreditue ju (mediat) të gjithëve dhe me ju denoncue të gjithëve, kështu kur shkrueni artikuj negativë për mue, asnjeri nuk ju beson!” “Frikë e mashtrim” si strategji elektorale me metoda fashiste! Trumpi ashtë politikë, dhe politika ashtë ai vetë! Prof. Steve Poll (Columbia U.) mendon se “Ai (Trump) ka pasë sukses me krijue një narrativë ditore, ku ai vetë  ashtë një figurë ditore”.

Jemi para një faze kritike ku forcat e rigjenerimit demokratik janë të vendosuna me përballue valën e autoritarianizmit anti-iluminist të Presidentit. Jo fashizmit ne këte kështjellë të lirisë dhe demokracisë. Ashtë populli amerikan përballë një kundërshtari narsicist që ka nda Amerikën në dy kampe kundërshtare me rrjedhime të paparashikueshme. Kjo nuk mund të pranohet! Fashizmi nuk do të kalojë! Për këte do të luftoj edhe unë së bashku me qindëra miljonë qytetarë amerikanë! Sepse:

“ Vetë karakteri i këtij vendi ashtë në balancë!” deklaronte pakë ditë ma parë ish-Presidenti Barack Obama.

=================================================================

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: E DEMOKRACISE AMERIKANE, Ph.D, Sami repishti, ZGJEDHJET NE SH.B.A. : NJË FITORE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT