• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2018

Pasuria ime më e vyer është liria e vendit tim

November 4, 2018 by dgreca

1Marjana-Bulku

Nga Marjana BULKU/

Gjergj Kastriot Skënderbeu , ky lider shqiptar i njohur ndërkombëtarisht dhe i pranuar historikisht nga shqiptarët si një rast unik që arriti ti bashkonte ato si rrallkush, vjen këtë herë krejt ndryshe në veprën ” Naltësimi i Iskanderit” nga Benjamin Disrael, dy herë kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar (1868 dhe 1874-80.) , përkthyer mjeshtërisht nga studiuesi Mal Berisha. Kur Patricia Nugge ekspozonte rreth 37 libra për Skënderbeun, antikuare autorësh të ndryshëm, nuk di nëse e dinte që një prej ish -kryeministrave të vendit të saj kishte shkruar pikërisht këtë vepër tërësisht letrare në vitin 1833 ”The Rise of Iskander” e cila vjen e përkthyer nga një  ish ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, studiuesi dhe autori i disa veprave me karakter historik, biografik, shënime, ketë herë me një profil tjetër atë të përkthyesit Mal Berisha. Kishte mjaftuar një udhëtim nëpër Mesdhe ku natyrisht Shqipëria dhe historia e saj e kishin nxitur Disraelin për këtë vepër por pa dyshim efekti Bajron i cili Shqipërinë në vargjet e tij e konsideron “vendin ku lindi Iskanderi” , janë mbase kēto disa arsyje më shumë për një trajtim të tillē ku rrëfimi rrjedh përmes përshkrimeve , dialogjeve dhe ngjarjeve që përshkojnë pothuaj tërë Mesdheun.

Vepra përshkrohet nga romantizmi i kohës ku sfondi letrar ndërton një hero me shpatë e përkrenare, betejash e dyluftimesh po ku brenda të cilit jetojnë edhe ndjenja lirike e njerëzore , dashurie e raportesh me miq, të dashur e kundërshtarë që veprës i japin një dimension të ri , të panjohur më parë , atë të heroit i cili jeton midis ndjenjës për Idunën  detyrimeve ndaj atdheut e ku triumfon kjo e dyta.

Në fakt po t’u referohesh kërkimeve pothuajse nuk ka asnjë histori zyrtare mbi martesën e Skënderbeut dhe aty ku shkruhet pak aludimet dhe pasaktësitë intensifikohen por dihet që kronologjitë historike mbi Skënderbeun kanë në themel Marin Barletin,Gjon Muzakën, Fan Nolin ku përmendet Marina me të cilën lidhet dasma e Skënderbeut nē vitin 1451.

Disraeli ka sjellë një vepër ku sfondi historik nuk mungon duke u bërë prezent  përmes personazheve reale(Gjergj Kastrioti , Hyniadi i Hungarisë,Princ Mehmeti II , sulltani i ardhshëm Faith,

pērmes toponimeve gjeografike si; Petrela,Kruja, Kështjella e Justinianit, Fusha e Kallishtës, Kulla e Babelit, si dhe mjaft përshkrime realiste të mjediseve , veshjeve të cilat e bëjnë të gjallë ngjarjen . ” Qilimat persianë , kolltukët e kadifenjtë, banjat në formë guaske , apo çatitë dritpërçuese” vizatojnë edhe kohën se kur zhvillohet ky idil , ku nuk mungon realizmi, aksioni, trilli.

Mal Berisha na ka sjellë Skënderbeun të zbritur nga kali , më njerëzor se kurrë, në raportet e tij me miqtë, kundërshtarët , ndjenjat,  veprimet. Është pikërisht ky hero – njeri që i ka munguar lexuesit shqiptar i cili është mësuar ta shohë  Skënderbeun midis legjendës dhe historisë , gjithmone një hero në dyluftim. Vepra na sjell gjithashtu një tjetër qasje , tashmë të një politikani të shquar britanik i cili para se të jetë i tillë ishte shkrimtar  dhe gazetar , publicist dhe autor i disa veprave prandaj trajtimi i Skënderbeut prej tij konsiderohet si avantazh për ne si komb i vogël me udhëheqës gjurmët e të cilëve i njeh, ruan , çmon dhe përçon mes veprash Europa . “Vepra gjithashtu është risi për përkthyesin e saj Mal Berisha i cili duke i qëndruar besnik tekstit ka sjellë një dialog të zhdërvjellët përmes të cilit lexuesi i vëmendshëm kupton karakteret në vepër , ata realë që i njeh historia dhe ato jorealë që e plotësojnë atë. Naltësimi i Iskanderit” vjen si një vepër më shumë në kolanën e gjatë të veprave kushtuar Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skenderbeu ku atmosfera e luftës është gjithmonë prezente edhe pse ka trill, kështjella, fate princeshash, burgime ëndrrash, tablotë e luftës nuk mungojnë” turq të masakruar, kodra të mbushur me turq që ikin , epiriotë që i ndjekin, fusha të shtruara me trupa të vdekur, armë pa zot, çadra e flamuj, re tymi që bëjnë hije mbi ta”  Përshkrime tē tilla të gjalla nuk mund të jenë  pjesë e trillit por me siguri ato janë pasojë e historive që Disraeli falë natyrës së tij kërkuese e studjuese ka shfrytëzuar për të sjellë një vepër të tillë që lexohet nga çdo brez tashmë edhe në gjuhën shqipe.

Dialogjet dhe rrëfimet, përshkrimet dhe përsiatjet e ndjenjave konfigurojnë thelbin patriotik të veprës çka ravijëzohet përmes fatit dhe disfatës, betejave të drejta dhe të padrejta dhe që prevalon në fjalët e Iskanderit ” Pasuria ime më e vyer është liria e vendit tim” .E dukshme , e nëndheshme , gjithmonë prezente , angazhimi patriotik u fal heronjve realë dhe jo realë të kësaj vepre letrare energji të pafundme njerëzore , përçimi i të cilave edhe 550 vjet më vonë përcjell dimensione sa historike e patriotike po aq edhe humane gjithmonë e më aktuale në terrenin shqiptar e kudo ku jetojnë ato. A mund të konsiderohet vepra si një dokument më shumë mbi atë figurë historikë tashmë unike në historinë tonë?! Mendimi im është po edhe pse vepra është letrare konflikti historik është aty, protagonistët e saj gjithashtu dhe për më tepër vendet , kalatë , udhëtimet Kruja na e bëjnë sfondin historik të epokës së Skënderbeut më prezent se kurrē.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mal Berisha, Marjana Bulku, Naltësimi i Iskanderit

VATRA DHE KOMUNITETI, HOMAZHE TEK VARRI I MID’ HAT FRASHËRIT

November 4, 2018 by dgreca

– Me homazhet e veçanta, VATRA përveç nderimit për personalitetin e Tij, synon që figura e Mid’hat Frashërit të përcillet në atdhe e kristaltë, e papërlyer dhe e pakeqpërdorur nga Politika dhe Qeveria Shqiptare./

3 Frasheri Mithat

– VATRA me kënaqesi do të përfshihej në organizimin e një ceremonie dinjitoze, me pjesëmarrje të gjerë të drejtuesve të diasporës së vjetër dhe të re, me qëllim nderimin më të lartë për këtë figurë kombëtare, duke filluar që nga vendi, mënyra e procesionit, akademia shkencore, apo përbërës të tjerë protokollarë, por nuk mund të bëhet as pjesë, as fasadë në një ceremoni të cunguar të minutës së fundit-

Rivarrosja në Shqipëri e trupit të Atdhetarit Mid’hat Frashëri është në parim një ngjarje madhore për rivlerësimin e figurës së Tij dhe duhet trajtuar me përgjegjshmëri si e tillë nga të gjithë aktorët pjesëmarrës në këtë proces.

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA ka pasur vazhdimisht në programin e saj nderimin e kësaj figure gjigande të kombit tonë, si nëpërmjet akademive shkencore ashtu edhe në respektin e mirëfilltë duke vizituar varrin e Mid’hat Frashërit tre herë vetëm vitin e fundit. Ndërsa në përpjekjet tona për rivarrosjen e Tij në Shqipëri, duam të veçojmë dhe falenderojmë Dr. Skënder Murtezani, Kryetar i Degës së Vatrës në Queens, i cili ka qenë në krye të kësaj nisme duke mirëargumentuar rëndësinë e prehjes së trupit të Atdhetarit në vendin për të cilin Ai dhe Frashërllinjtë shkrinë tërë jetën.

Fatkeqësisht, rrjedha dhe mënyra e organizimit të homazheve qeveritare në Nju Jork ka ngritur disa pikëpyetje që për Federatën VATRA janë të rëndësishme, ndaj kemi pritur me durim dhe qetësi për të marre një qëndrim përfundimtar.

Dihet raporti i veçantë i Federatës VATRA me Mid’hat Frashërin:

– Mid’hat Frashëri ishte ambasador në Zvicër i emëruar nga Vatra, në kohën kur Vatra kryente rolin e shtetit të vdekur.
– Mid’hat Frashëri u thirr nga Kuvendi i Vatrës më 1919 që të drejtonte Federatën.
– Më 1920 Mid’hat Frashëri erdhi pranë Vatrës si i dërguar i Qeverisë Shqiptare për të organizuar Huan Kombëtare, kur Vatra mblodhi rreth 198 mijë dollarë për ti ardhë në ndihmë shtetit shqiptar që rrezikonte falimentimin.
– Më 1919 vatranët e Detroitit i kërkuan Mid’hat Frashërit që ti përfaqësonte në Konferencën e Paqes…

Pikërisht për këto e fakte të tjerë, duhet që Federata Vatra të ishte aktore e rëndesishme në këtë proces, dhe jo fasadë.(Padashur të largojmë vëmendjen, risjellim në kujtesë edhe faktin se si u tentua të keqpërdorej VATRA në Samitin e dështuar të Diasporës në Tiranë, dhe koha na dha plotësisht të drejtë në qëndrimin dhe largpamësinë tonë. Një pjesë e diasporës shqiptare të Amerikës u keqpërdor si fasadë në atë Samit dhe vazhdon të përdoret edhe sot për qëllime të qeverisë…)

Por, vlerësimi i cunguar i figurës së Mid’hat Frashërit nga Qeveria Shqiptare, vetëm si kryetar i Kongresit të Manastirit, duke lënë në hije tërë pjesën tjetër të aktivitetit të tij patriotik, diplomatik e kulturor nuk është në përputhje me vlerësimin e Federatës VATRA për këtë figurë kombëtare dhe VATRA nuk mund të pranojë të jetë pjesë, e përsërisim në gjykime të cunguara për qëllime politike.

Nga ana protokollare, ceremonia është akoma e paqartë dhe akoma nuk ka një program të shpallur publikisht, përveç një ftese me 5 radhë të shkruara, që mbanë firmën e ambasadores.

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra, për shkak të seriozitetit të saj dhe profilit historik nuk mund të bëhet pjesë e programeve të minutës së fundit dhe të nxituara, ashtu siç në tërësi po zhvillohen këto ngjarje. Për shumë arsye të cituara në hyrje të këtij materiali, VATRA me kënaqesi do të përfshihej në organizimin e një ceremonie dinjitoze, me pjesëmarrje të gjerë të drejtuesve të diasporës së vjetër dhe të re, me qëllim nderimin më të lartë për këtë figurë kombëtare, duke filluar që nga vendi, mënyra e procesionit, akademia shkencore, apo përbërës të tjerë protokollarë.

Ndonëse Federata VATRA është e paqartë për rolin e Organizatës Jofitimprurese, përfaqësues të së cilit janë mirëpritur disa herë  në zyrat tona,  duket sikur ata janë pajtuar me vlerësimin e cunguar qeveritar që po i bëhet figurës së Mid’hat Frashërit dhe nuk kanë gjetur kurajon të ngrihen në nivelin e duhur për përgatitjen e duhur ceremoniale dhe për vlerësimin shumëdimensional të Mid’hat Frashërit.

Natyrisht Vatra do ta nderojë Mid’hat Frashërin përpara se trupi i tij të niset drejt Shqipërisë. Drejtuesit zyrtarë të Federatës Panshqiptare Vatra do të kryejne homazhe të veçanta përcjelljeje tek varri i  Mid’hat Frashërit, duke shprehur respektin dhe nderimin më të thellë  për figurën shumëdimensionale të Gjeniut të Kombit dhe njërës prej vlerave më të mëdha edhe të vetë Fderatës VATRA. Me homazhet e veçanta, VATRA përveç nderimit për figurën e Tij, synon që figura e Mid’hat Frashërit të përcillet në atdhe e kristaltë, e papërlyer dhe e pakeqpërdorur nga Qeveria Shqiptare.

Federata VATRA, zyrtarisht nuk do të marrë pjesë në homazhet e cunguara qeveritare duke u distancuar nga çdo tendencë për përdorimin e figurës së Mid’hat Frashërit për qëllime politike dhe mosprezantimin e plotë të veprës e veprimtarisë së tij kombëtare. Nisur nga anëtarësia e saj e gjerë, VATRA mendon se ndjesitë për pjesëmarrje në këtë ceremoni janë tërësisht individuale dhe se askush nuk ka të drejtë të përmendë, përfaqësojë dhe abuzojë me emrin e Federatës VATRA.

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA është e bindur se ashtu si edhe në raste të tjera të mëparshme, koha do t’i japë të drejtë qëndrimit tonë, thelbi i të cilit është moslejimi i përdorimit të emrit të Federatës VATRA në veprimtari ku ka qëllime të përfitimeve politike.

 

Filed Under: Featured Tagged With: homazhe, Mith'had Frasheri, tek varri, Vatra

Demonstratat e vitit 1968 në kujtimet e një pjesëmarrësi

November 3, 2018 by dgreca

50 vjet nga demonstratat e vjeshtës së vitit 1968, kur për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët hodhën kërkesat për flamurin e lirë kombëtar, Kosovën Republikë, për kushtetutë dhe vetëvendosje në viset shqiptare nën pushtimin jugosllav, duke u përballur me regjimin e rreptë policor në trojet e tyre në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi/

1 Shaqir-Salihu-220x1651 demonstratat 681 a Mirenjohje ShaqirShaqir-Salihu-kopertina-768x500

Shkruan Shaqir Salihu/Uashington*

Një nga pjesëmarrësit në aksionet liridashëse të viteve 60 e që u kurorëzuan me demonstratat historike të 1968-ës ishte edhe mësuesi i ri në atë kohë dhe veprimtari nga Lipjani, Shaqir Salihu, ndoshta i vetmi i dënuar i lëvizjes së viteve 60 që jeton sot në Amerikë. Ai është ish-nëpunës në seksionin shqip të Zërit të Amerikës. Këtu ju sjellim kujtimet e tij rreth atyre ditëve të lavdishme.

Qëllimi i demonstratave përmblidhej më së miri në betimin e atdhetarëve që bënë organizmin e tyre.

“Jam i gatshëm që sot e tutje të punoj në mënyrë të organizuar për çështjen e atdheut, të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar. Për këto ideale jam i gatshëm të jap edhe jetën dhe nuk i frikësohem as burgut, as torturave e as vdekjes.”

Sivjet mbushen 50 vjet nga demonstratat e vjeshtës së vitit 1968, kur për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët hodhën kërkesat për flamurin e lirë kombëtar, Kosovën Republikë, për kushtetutë dhe vetëvendosje në viset shqiptare nën pushtimin jugosllav, duke u përballur me regjimin e rreptë policor në trojet e tyre në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Këto protesta shënuan një ngjarje të rëndësishme historike të përpjekjes së rinisë dhe të tërë popullit shqiptar për liri, pavarësi e bashkim kombëtar, ashtu siç ishte e tërë Lëvizja Kombëtare Shqiptare që nga viti 1912 e deri në Luftën fitimtare të UCK-së 1997-2001.

SI U ORGANIZAUN DEMONSTRATAT?

Protestat filluan gjatë tetorit në Rrafshin e Dukagjinit, të organizuara nga grupi i studentëve të Shkollës së Lartë Pedagogjike (SHLP) në Prizren. Pas Prizrenit dhe Therandës, protestave iu u bashkua edhe Peja me rrethina më 19 tetor 1968. Demonstrata disaorëshe, ndër më të mëdhatë në atë kohë, filloi nga shkolla e dikurshme normale “Ali Kelmendi” në Arbneshë (Ish-Vitomiricë), prej nga kolona me flamuj kombëtarë vazhdoi rrugën në drejtim të gjimnazit “11 Maji” ku organet e pushtetit të Pejës u përpoqën ta ndalnin. Në sheshin afër komunës, para disa mijëra të pranishmëve, u lexuan kërkesat, krahas brohoritjeve shumë të gjata për flamurin kombëtar, për Kosovën Republikë dhe për vetëvendosje në viset shiptare nën pushtimin jugosllav. Organet e sigurimit dy herë tentuan për marrjen e flamurit me dhunë por nuk patën sukses. Flamuri u vendos në mbrëmje në pikën e nisjes, në Arbneshë, në ndërtesën e Shkollës Normale. Gjatë nëntorit u organizuan protesta edhe në Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Besianë e Gjilan. Pika kulmore ishte demonstrata e 27 nëntorit në Prishtinë, në të cilën pati të vrarë dhe shumë të plagosur. Demonstrata të ngjashme u bënë edhe në dhjetor në Tetovë, kurse në korrik të vitit 1969 edhe në Ulqin.

Demonstratat e vitit 1968, 50-vjetorin e të cilave shënojmë sivjet (2018), me plot të drejtë mund të quhen historike, sepse pas atyre ditëve të lavdishme koha filloi të llogaritej në “Kohën para demonstratave” dhe në “Kohën pas demonstrave”.

Pesëdhjetë vjet më parë unë isha në mesin e protestuesve që vërshuan rrugët anekënd Kosovës për t’i thënë “Mjaft”pushtuesit serb. Protestat u organizuan dhe u zhvilluan në rrethana jashtëzakonisht të vështira në kohën kur regjimi komunist ende vazhdonte trysninë dhe kërcënimet kundër popullit, duke ngulfatur e pamundësuar çdo aspirate liridashëse të shqiptarëve. Mirëpo populli ynë nuk pranoi t’i nënshtrohej pushtuesit sllav dhe nuk u zbraps nga rruga e drejtë.

Protestat e vitit 1968 dëshmuan homogjenitetin, unitetin dhe pjekurinë tonë si popull për t’i mbrojtur interesat tona kombëtare. Ato u bënë front i rezistencës së masave të gjera kundër pushtuesit jugosllav. Demonstratat dhanë kushtrimin për avancimin e statusit politik e juridik të Kosovës në nivel kombëtar dhe shtruan kërkesën e barazimit të këtij statusi me atë të kombeve dhe kombësitë e tjera në Jugosllavinë e atëhershme.

Demonstratat shkundën themelet e Beogradit dhe tërhoqën vëmendjen  dhe sytë e botës demokratike nga ne, duke aktualizuar kërkesat tona. Ato çorrën maskën e një sistemi të rremë, shtypës e diskriminues dhe i dëshmuan botës së qytetëruar e demokratike se në Kosovë kishte lëshuar shtat një brez që ishte i aftë të mobilizohet e të luftonte për interesat kombëtare shqiptare.

Ndonëse u shtypën brutalisht , demonstratat ishin të suksesshme sepse në vitet që pasuan ne siguruam të paktën disa të drejta në lëmin e arsimit e të kulturës, si themelimin e universitetit të parë në gjuhën shqipe në Kosovë, të drejtën për të përdorur flamurin tonë kombëtar, shpalljen e gjuhës së njësuar dhe në fund edhe ndryshimet kushtetuese të vitit 1974. Mirëpo fatkeqësisht u dëshmua edhe një herë se mbetej shumë për t’u bërë për të fituar të drejtat e njëmendëta politike.

Parë në retrospektivë, demonstratat e vitit 1968 shënuan fillimin e fundit të Jugosllavisë. Ato simbolizojnë zanafillën e kërkesave tona madhore e të drejta, të cilat pas 30 vjet vuajtjesh, sakrificash e luftërash përfunduan me realizimin e ëndrrës sonë shekullore, shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Kam qenë i pari veprimtar nga Lipjani i burgosur politikisht në vitet 60. E mbaj mend si sot; më 16 shkurt të vitit 1966 më arrestuan para nxënësve të mi në oborrin e shkollës fillore “Stanko Buriç” në Magurë , ku punoja si mësues.

Në fund të vitit 1968 më morën në burg përsëri sepse menjëherë pas demonstratave u pata dërguar letra të hapura udhëheqësve shqiptarë të Kosovës, ku u bëja thirrje që t’i mbështesnin kërkesat e drejta të studentëve, të ishin më vigjilentë ndaj shkeljeve të interesave kombëtare, të mos e dënonin rininë përparimtare, por t’i përkrahnin protestat e vitit 1968.

Më vonë doli në shesh se dy nga këta udhëheqësit e atëhershëm të Kosovës, Veli Deva dhe Orhan Nevzati ia kishin dorëzuar UDB-së (Ministrisë së Brendshme Jugosllave) famëkeqe kopjet e letrave të mia. Ndërkaq doli që Fadil Hoxha nuk e kishte bërë një gjë të tillë. Përmbajtja e letrave u zbulua publikisht gjatë gjykimit tim nga gjykatësi Nazmi Juniku (kryetar i Gjykatës së Qarkut në atë kohë).

Letrat e mia u gjykuan si kërcënim ndaj zyrtarëve të lartë krahinor dhe për këtë u dënova me dy vjet burg në bazë të Nenit 116 të ligjit penal jugosllav. Para gjykimit më mbajtën plot 5 muaj në burgun hetues në Prishtinë. Në muajin maj të vitit 1969 dola para gjyqit dhe pas shpalljes së dënimit kërkova  nga gjykatësi të më lironte për t’u mbrojtur nga liria.

Në gusht të vitit 1969, vetëm tre ditë para se të më merrnin prapë në burg, një nëpunëse patriote që punonte në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës e që më vonë mësova se quhej Fatime Syla, më lajmëroi në korzon e Prishtinës ku isha duke shëtitur me dy miq të ngushtë: Idriz Gërvallën dhe Shaban Haxhiun, që të dy studentë në Fakultetin e Drejtësisë në Prishtinë, se e kishte parë vendimin për arrestimin tim. Ajo më informoi se lënda ime ishte bërë e plotfuqishme dhe se pas tri ditësh organet e pushtetit do ta zbatonin vendimin e  gjyqit, pra do të vinin për të më arrestuar.

I ballafaquar me dilemën për të zgjedhur mes kalbjes në kazermat e pushtuesit dhe arratisjes nga atdheu im, vendosa të marr rrugën e hidhur të kurbetit, e cila pas shumë peripecive me solli në tokën e Linkolnit, në Amerikë, ku jetoj edhe sot.

Sot kur sapo kam mbushur 76 vjeç, ende më kujtohen ato ditë të bujshme dhe zgjojnë në mua ndjenjën e krenarisë që edhe unë pata fatin të jem pjese, sado e vogël, e atyre ngjarjeve që nuk harrohen.

Për veprimtarinë time në Kosovë, komuna e Lipjanit më ka nderuar me një mirënjohje.

*Autori eshte anetar i deges se Vatres ne Washington

Filed Under: Histori Tagged With: Demonstratat e vitit 1968 në kujtimet, e një pjesëmarrësi, Shaqir Salihu

Dua LIPA, tre çmime në Spanjë

November 3, 2018 by dgreca

Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, ka fituar tre trofe në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Los 40 Music Awards” në Madrid të Spanjës.Për këngën “New Rules”, Dua është shpërblyer me çmimet Artistja më e mirë ndërkombëtare, Albumi më i mirë ndërkombëtar dhe Kënga më e mirë ndërkombëtare.Para se t’i merrte këto çmime, Dua shkëlqeu në një fustan shumëngjyrësh derisa parakaloi në tepetin e kuq të ceremonisë.

Filed Under: Kulture Tagged With: DUA LIPA, tre çmime në Spanjë

RRUGETIMI I KACIFAS DREJT HUMNERES

November 3, 2018 by dgreca

Ja rruga ekstremiste që ndoqi Kostandin Kacifas/ Fotot me grupet paramilitare naziste*/

1 Kacifas2 Komand, i Kacifas me flamurin e Autonomis2014, Kacifas me G.V, Gumenic, rep.i forcave specialeKostandinas

Nga Arben LLALLA/ DIELLI/

Veprimet ekstremiste të Kostandin Kacifas dhe të grupacioneve të tjera ekstremiste greke e gjejnë frymëzimin tek deklaratat kërcënuese ndaj Shqipërisë të Presidentit grek Prokopis Pavlopulos, tek ministri i mbrojtjes Panos Kamennos, tek deputetët e Kuvendit të Greqisë, të cilët e bëjnë këtë sa herë që u jepet mundësia të mbajnë fjalime kërcënuese për aneksimin e jugut të Shqipërisë. Çështja e veprimeve të Kacifas lidhet pikërisht me përkrahjen pa rezerva që i jep shteti grek elementeve ekstremistë greke ndaj shqiptarëve dhe njerëzve të besimeve të ndryshme. Lexoni deklaratat e shpeshta të drejtuesve të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Greqisë.

Greqia financon dhe nxit këtë politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve kudo, në librat shkollorë, në paradat ushtarake, madje në shërbesat e kishës ortodokse. Nuk është populli grek ai që nxit, por janë institucionet shtetërore të Greqisë që edukojnë dhe nxisin popullin grek ndaj shqiptarëve.

Më tej, mediat greke nën udhëheqjen e Ministrisë së Informacionit dhe Propagandës i japin kahe tjetër çdo ngjarje që ka të bëjë me Shqipërinë dhe shqiptarët. Rreth 90% e gazetarëve grekë janë pjesë e nxitjes së urrejtjes së grekëve ndaj shqiptarëve.

Por, në të vërtetë dy popujt kanë më shumë gjëra që i lidhin ngushtë me njeri-tjetri se i ndajnë. Grekët dhe shqiptarët kanë martesa midis tyre më shumë se me çdo popull tjetër. Ajo Greqi që ulërin me urrejtje ndaj shqiptarëve, atëherë përse kurorëzon me mijëra martesa midis tyre?

Rasti i ekstremistit Kostandinos Kacifas, i cili me armën e tij vrasëse terrorizoi banorët fshatit Bularat nuk është një rast për t’u harruar, as për t’u justifikuar prej grekëve si akt heroik.

Kacifas ishte një figurë e njohur në strukturat e policisë sekrete, në trupat speciale ushtarake, sepse ishte arrestuar më 2008 si anëtar i një bande narko-trafiku. Këto dy viteve të fundit ai ishte tepër aktiv në manifestimet kundër marrëveshjes greko-maqedonase dhe greko-shqiptare. Pra, Kacifas i përkiste ideologjisë raciste të grekëve, të ushqyer me propagandë nga partia naziste “Agimi i Artë” dhe i përkrahur nga institucionet sekrete të Greqisë.

Kostandinos Kacifas i përket grupit të policisë dhe ushtrisë sekrete për Autonominë e Veriut të Epirit, pra aneksimin e jugut të Shqipërisë duke ia bashkangjitur Greqisë.

Akti i parë që ai është shfaqur me uniformën ushtarave me moton për “Autonominë e Veriut të Epirit” i përket vitit 2014, pra me rastin e 100 vjetorit të aneksimit të jugut të Shqipërisë. Kacifas bashkë me katër pjesëtarë të forcave speciale ushtarake u fotografuan në repartin ushtarakë në Gumenicë me parrullën “Autonomi për Veriun e Epirit 1914-2014”. Ky grup stëvitej dhe udhëhiqej nga oficeri i trupave speciale greke G.V., pjesëtar tjetër ishte F.B.

Në vitin 2016 ky grup është parë në jugun e Shqipërisë duke kontrolluar terrenin. Komandanti i tyre G.V. është fotografuar në një lapidar të dëshmorëve partizanë të Shqipërisë duke nderuar me tre gishta, shenjë që përdoret nga çetnikët serbë.

Më tej, ky grup është stërvitur në terren në Gumenicë me veshje ushtarake të forcave speciale dhe zyrtare të Greqisë me flamurin e Autonomisë. Kostandin Kacifas ka qenë mbështetës edhe të grupit të sigurimit të partisë naziste të “Agimit të Artë”, si dhe mbështetës i grupit të paramilitarëve të grupuan në “Legjionet e Shenjta 2012”.

Për të gjitha këto veprime Kacifas dhe grupi ku bënte pjesë kanë patur mbështetjen zyrtare të Greqisë.

Greqia është një vend i vogël, me një popullësi e barabartë në Ballkan me shqiptarët. Shekulli XXI po tregon se popullsia në Greqi po shkon drejt tkurrjes dhe jo më kot rreth 100 mijë shqiptarë kanë fituar shtetësi greke.

Grekët prej 70 vitesh kanë frikë për rikthimin e pronave të shqiptarëve nga Çamëria. Ligji i Luftës, i cili qëndron si hanxhar mbi kryet e shqiptarëve dhe si një re e zezë në marrëdhëniet greko-shqiptare është akti më absurd në botën demokratike, NATO e BE.

Prandaj një zgjidhje paqësore e Çështjes Çame, ku shteti grek do të hiqte si fillim Ligjin e Luftës me Shqipërinë, do të lejonte çamët në grupe të organizuar të vizitojnë varret e të parëve, shtëpitë gjysmë të rrënuara, do të ishin hapat kryesorë që do të ndikonin pozitivisht në psikologjinë e mirëbesimit tek dy popujt. Këto veprime nuk janë të pamundura, nëse vërtetë tek klasa politike e dy vendeve ekziston dëshira për paqe dhe miqësi duke thënë dhe mbrojtur të vërtetën.

Ne Foto: 1- Kostandin Kacifas

2- Komand, i Kacifas me flamurin e Autonomise se te ashtuquajturit Vorio Epirit

2- Viti 2014, Kacifas me G.V, Gumenice, rep.i forcave speciale.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, DREJT HUMNERES, RRUGETIMI I KACIFAS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT