• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2019

Haradinaj: Po na kërkohet të japim veriun për njohje nga Serbia

January 31, 2019 by dgreca

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përsëritur edhe një herë se heqja e tarifës doganore për mallrat e Serbisë lidhet me njohjen e shtetësisë së Kosovës.1 Haradinaj 3

“Nëse duan të rikthejnë tregun, ne e duam njohjen, nuk jam duke tepruar apo duke u prishur me ndonjë mik, ne po veprojmë ashtu siç vepron bota moderne, më jep njohjen- ta kthejë tregun”, është shprehur Haradinaj gjatë një fjalimi në një akademi përkujtimore në Junik.

Ai ka kritikuar liderët politikë, përfshirë edhe ata që janë në koalicionin qeverisës për shkak të siç ka thënë ai, deklaratave se pezullimi i tarifës duhet të bëhet për të ruajtur miqësinë e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.

Ai rikujtoi ditët kur të ata, sipas tij, pavarësisht kundërshtimeve të SHBA-së, synonin ta shfuqizonin Ligjin për Gjykatën Speciale për krime të luftës.

“Është mirë që ne të jemi të sinqertë me miqtë tanë, me SHBA-në, me Evropën dhe të tregojmë arsyen e marrjes së këtij vendimi. Kur e kemi pasur për vete, që u frikësonim nga Gjykata Speciale, jemi munduar ta rrëzojmë ligjin në Kuvend, edhe unë kam pas dëshirë të shfuqizohet. Edhe ne nuk dëgjonim se amerikanët thoshin se po na ngulni thikën pas shpine. Njerëzit e njëjtë kemi qenë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, të njëjtit kemi qenë”, ka theksuar Haradinaj.

Duke u ndërlidhur me idenë e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për pezullimin e tarifës për 120 ditë, në mënyrë që të vazhdohet me procesin e dialogut me Serbinë, Haradinaj ka thënë se nëse ndodh ky lloj pezullim, atëherë sipas tij, nuk do të ketë më nevojë për taksë.

“Në këtë rast, ai mall që hynë për 120 ditë mbetet këtu për 10 vjet”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës.

Sa i përket mundësisë së arritjes së ndonjë marrëveshjeje eventuale me Serbinë, Haradinaj ka thënë se bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht ka kërkuar nga Kosova “të japë tokë në këmbim të njohjes së pavarësisë se Kosovës nga Serbia”.

“Kanë kërkuar që të jepet tokë. Kanë kërkuar veriun, ku janë minierat, është pasuria. Sot, nuk kryejnë shumë punë, por ndoshta në të ardhmen, janë shumë jetike për Kosovën. Ose është thënë se nëse nuk jepni tokë, jepni një Republikë brenda Republikës”, ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës ka thënë tarifë prej 100 për qind në mallrat ndaj Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës në nëntor të vitit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kundërshtuar këtë masë dhe kanë kërkuar pezullim të menjëhershëm të saj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Haradinaj, kerkojne cerium, per njohje nga Serbia

Thaçi: Nuk mund të refuzohet partneriteti me SHBA-në

January 31, 2019 by dgreca

Presidenti Thaçi: Nga askush dhe për asnjë çmim nuk mund të refuzohet partneriteti me SHBA-në/1 d Thaci

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se partneriteti i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian nuk mund të cenohet nga askush.

“Në asnjë çmim, në asnjë rrethanë nuk do të ketë refuzim të partneritetit, ngase bashkëpunimi strategjik dhe i përhershëm në mes Kosovës dhe SHBA-së, është interes jetik”, ka deklaruar Thaçi. Ai u ka kërkuar partnerëve të koalicionit aktual qeverisës që të diskutojnë dhe të marrin vendimin e duhur në lidhje me kërkesën e SHBA-së dhe BE-së për pezullimin e tarifës doganore të vendosur ndaj mallrave që importohen nga Serbia dhe Bosnja.

Radio Evropa e Lirë: President Thaçi, këto ditë janë zhvilluar disa takime dhe biseda të zyrtarëve amerikanë dhe liderëve politikë të Kosovës. A mund të na thoni se për çfarë është biseduar?

Hashim Thaçi: Unë e vlerësoj angazhimin për takime të përbashkëta të partnerëve të koalicionit, kryetari të Kuvendit, gjithashtu kryeministrit dhe liderëve të tjerë të partnerëve të koalicionit, për hapat e mëtutjeshëm që duhet t’i ndërmarrin institucionet e vendit, në një koordinim edhe më të mirë edhe me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian për të ardhmen e proceseve të rëndësishme dhe jetike për Kosovën. Prandaj, edhe takimi im sot me liderët institucionalë dhe politikë ishte pjesë e inkurajimit për ndërmarrjen e veprimeve të duhura, të mençura dhe strategjike për vendin.

Radio Evropa e Lirë: A është tarifa doganore njëra nga kërkesat?

Hashim Thaçi: Ka qenë vendim i Qeverisë, partnerëve të koalicionit, vendim të cilin partnerët e koalicionit dhe Qeveria janë duke e diskutuar për hapat e mëtutjeshëm.

Radio Evropa e Lirë: President, pse ju keni kërkuar pezullimin e taksës për mallrat nga Serbia përderisa Serbia ende nuk ka hequr dorë nga ofensiva politike ndaj Kosovës?

Hashim Thaçi: Unë as nuk kam propozuar vënien e taksës, as pezullimin e takës. Unë vetëm kam inkurajuar bartësit e institucioneve dhe liderët politikë që të shikojnë kah e ardhmja, kah hapat strategjik që janë me interes jetik për shtetin. Nën një, që të prodhojmë argumente pozitive dhe ndihmuese për partnerët tanë, në veçanti SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, të na ndihmojnë, dhe në asnjë rrethanë t’ua komplikojmë angazhimet e tyre apo të prodhojmë ngjarje negative që ua vështirësojnë partnerëve punën për të na ndihmuar, sepse Kosova mund të ecë përpara dhe mund të ketë sukses vetëm në një koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë pasojash mund të ketë Kosova nëse nuk e mbështetë kërkesën amerikane për suspendim të taksës?

Hashim Thaçi: Në asnjë çmim, në asnjë rrethanë nuk do të ketë refuzim të partneritetit. Dhe është jetike, përtej çdo politike ditore, bashkëpunimi strategjik dhe i përhershëm i miqësisë së thellë mes Kosovës dhe SHBA-së. Askush dhe asnjë agjendë tjetër nuk qëndron mbi interesat e partneritetit strategjik të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pra asnjë person dhe asnjë agjendë tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri ka thënë, deri tash, që nuk do ta tërheqë vendimin, çfarë ndodhë tash?

Hashim Thaçi: U takon partnerëve të koalicionit dhe Qeverisë të ndërmarrin veprimet e nevojshme, por e theksoj, mesazhi im, shikimi kah e ardhmja, veprimet strategjike, veprime të cilat e çojnë vendin drejt liberalizimit të vizave dhe mbështetjes së fuqishme për forcimin e ushtrisë dhe konsolidimin e shtetit në rrafshin e brendshëm dhe atë të jashtëm.

NUK DO TË KRIJOJMË RRETHANA QË E SJELLIN RUSINË NË TAVOLINËN E DIALOGUT

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri Haradinaj, duke paraqitur kushtet për heqjen e taksës, kërkoi një konferencë ndërkombëtare për Kosovën. Sa mund t’i përshtatet Kosovës, tash, një konferencë e tillë?

Hashim Thaçi: Procesi i dialogut udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, e ka mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian, kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen, nuk do të krijojmë rrethana favorizuese që sjellin në tryezë Rusinë.

Radio Evropa e Lirë: Konferenca ndërkombëtare mund ta bëjë këtë (sjellë Rusinë në tavolinë)?

Hashim Thaçi: Kemi besim të plotë në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa involvuar faktorë të tjerë të cilët nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe nuk kanë ndonjë simpati për të ardhmen e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Radio Evropa e Lirë: Vendosja e taksës po vlerësohet se e ka bllokuar edhe procesin e bisedimeve me Serbinë, e cila thotë se nuk do të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr taksa. A mund të dihet kur do të vazhdojnë bisedimet në Bruksel?

Hashim Thaçi: Unë inkurajoj partnerët e koalicionit që të vazhdojnë të diskutojnë dhe të marrin veprimet e duhura, të mençura, të jenë kreativ dhe fleksibil në qasjen e tyre në mënyrë që për Kosovën të jenë dyert e hapura edhe në Uashington edhe në Bashkimin Evropian dhe në vendimmarrje të qëndrueshme dhe të koordinuar. Kur Kosova ka marrë vendime të koordinuara me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian gjithmonë ka dalë e suksesshme. Në rrethana tjera do të jemi një vend, me të vërtetë i harruar dhe i izoluar, gjë të cilën qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë e as politika e Kosovës. Unë dua të kem besim në vullnetin e mirë të bartësve të institucioneve, kësaj radhe në iniciativat e kryeparlamentarit Kadri Veseli, por në të njëjtën kohë edhe në vullnetin e mirë të njerëzve të tjerë.

Radio Evropa e Lirë: A është korrigjimi i kufijve ende pjesë e bisedimeve apo në tavolinën e bisedimeve?

Hashim Thaçi: Delegacioni shtetëror i Kosovës është zgjedhur, ka mandatin e plotë nga të zgjedhurit e popullit e ka mbështetjen time të plotë. Prandaj, të gjitha gjërat që i diskuton ky delegacion në Bruksel do të jenë në një proces transparent dhe diçka e tillë, do të thotë angazhimet e ardhshme do të ballafaqohemi me agjendën që është për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë: Deri tash të gjithë liderët politikë janë deklaruar kundër korrigjimit të kufijve, e dje edhe ish partia juaj, PDK-ja, ka thënë të njëjtën. A mendoni që ideja juaj për korrigjim të kufijve e dëmton rolin tuaj kushtetues?

PËR MARRËVESHJEN VENDOSET NGA KUVENDI DHE ME REFERENDUM

Hashim Thaçi: Të gjithë liderët dhe partitë politike në Kosovë janë për dialog, janë për negociata, janë për një marrëveshje me Serbinë që nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sa i përket substancës së marrëveshjes, që do të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke, me çështjet që do të përfshihen në kornizat e kësaj marrëveshjeje, pra edhe te çështja e të zhdukurve, refugjatëve, trashëgiminë kulturore serbe, zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë, do të përfshihen. Kështu që, për substancën e marrëveshjes mbetet të diskutohet në hapat e mëtutjeshëm.

Radio Evropa e Lirë: Kush e mbyllë këtë proces, ju apo delegacioni shtetërorë që është zgjedhur?

Hashim Thaçi: Këtë proces e mbyll Parlamenti ose referendumi i qytetarëve të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Në letrën tuaj drejtuar presidentit Trump, ju keni shprehur gatishmëri për një kompromis për arritje të një marrëveshjeje të balancuar me Serbinë. Çfarë nënkupton për ju marrëveshja e balancuar?

Hashim Thaçi: Ky dialog nuk është duke u zhvilluar vetëm nga Prishtina me Brukselin dhe Uashingtonin, por është një dialog i udhëhequr nga Bashkimi Evropian me mbështetjen e plotë të SHBA-së. Pra, dialogu me Serbinë. Kështu që e kemi parasysh se duhet të jetë një zgjidhje e balancuar që respekton sovranitetin e Kosovës, të ndodhë njohja e Kosovës, anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Por, në të njëjtën kohë duhet kuptuar se kemi të bëjmë edhe me një palë tjetër në tavolinë.

Kështu që, unë besoj që propozimet e Bashkimit Evropian dhe vullneti ynë, edhe i Serbisë, do të jetë për një marrëveshje që i hap perspektivë euroatlantike edhe Kosovës edhe Serbisë, perspektivë evropiane dhe natyrisht fuqizimin e interesave gjeostrategjike edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe Bashkimit Evropian për paqe të përhershme në Ballkanin Perëndimor.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë është Kosova e gatshme t’i ofrojë Serbisë, si kompromis?

Hashim Thaçi: Mbetet që delegacioni shtetëror i Kosovës të diskutojë për çështjet konkrete në fjalë se cilat çështje do të diskutohen dhe për të cilat mund të gjendet një zgjidhje kreative dhe elegante e pëlqyeshme për të dyja palët.

Radio Evropa e Lirë: A ka përpjekje që komuna ne veri të Mitrovicës të bëhet pjesë e një Mitrovice të bashkuar?

Hashim Thaçi: Gjëra të tilla nuk janë diskutuar. Por, e theksoj se në asnjë çmim, në asnjë rrethanë, dua t’i hedhë poshtë të gjitha dezinformatat qoftë për Gazivodën (Ujmanin), qoftë për veriun e Mitrovicës, qoftë për Trepçën, ato kanë qenë, janë dhe do të mbeten të pacenuara.

Radio Evropa e Lirë: Kosova është përfshirë nga vala e pakënaqësive sociale që manifestohet përmes grevave, a mendoni që para miratimit të ligjit për pagat ai duhet të kthehet edhe njëherë për një debat në mënyrë që të përfshihen pakënaqësitë?

Hashim Thaçi: Pushtetet në Kosovë janë të ndara, Parlamenti i ka punët e veta, Qeveria të vetat, natyrisht edhe Presidenti të vetat. Unë i kuptoj vështirësitë e Qeverisë, e në të njëjtën kohë e kuptoj edhe reagimin e punëtorëve të Kosovës. Por, si president i vendit i ftoj të gjithë për një dialog social, përmes dialogut mendoj që do të gjendet një zgjidhje e pranueshme. Edhe për Qeverinë, për mundësitë e saj edhe për kërkesat e punëtorëve.

Bisedoi: Amra Zejneli-Loxha

Filed Under: Politike Tagged With: Hashim Thaka, i padiskutueshem, Partneriteti me SHBA

Le Petit Journal:Mbreti Zog, shpëtimtar i atdheut shqiptar

January 31, 2019 by dgreca

MBRETI ZOG, PASARDHËS I SKËNDERBEUT DHE SHPËTIMTAR I ATDHEUT SHQIPTAR (PARIS-MIDI, 1935)/1 ZoguNga Aurenc Bebja*, Francë – 31 Janar 2019/

“Paris-Midi” ka botuar, të enjten e 27 qershorit 1935, në faqen n°5, shkrimin e gazetarit të “Le Petit Journal”, Roger Crouquet, dedikuar Mbretit Zog, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

1 Le Roi Zog

Mbreti Zog, shpëtimtar i atdheut shqiptar

 Ai ka realizuar të gjithë programin e tij në një vend të rigjeneruar që dominon në një anë të Adriatikut, « deti Italian », shkruan Roger Crouquet (Le Petit Journal) :

 “Para luftës, Shqipëria, një vend i varfër dhe i paarsimuar, jetonte në një gjendje kolapsi, duke vuajtur gjithashtu në një mjerim të egër. Turqia e Sulltanit kishte lënë shenjën e saj me pushtimin e gjatë dhe qytetërimi nuk kishte depërtuar fare deri në atë kohë në këtë territor të largët, pa lidhje komunikimi me vendet fqinje.

 Por një njeri u shfaq, pasardhësi i këtij Skënderbeu, heroit kombëtar, i cili, nga maja e kështjellave shqiptare, mbajti larg për një kohë të gjatë jeniçerët e Konstandinopojës. Ky burrë, i ri, plot idealizëm dhe i vetëdijshëm për realitetet e jetës, duke dashur vendin e tij mbi të gjitha, donte t’i jepte atij lirinë dhe t’i sillte dobitë e qytetërimit. Program i bukur që më në fund do të gjente realizimin e tij.”

Filed Under: Histori Tagged With: 500 vjetori i Skenderbeut, Aurenc Bebja, Mbreti Zog, Pasardhes, SKENDERBEUT

Rama kërkon çamë me qira

January 31, 2019 by dgreca

1 Rama CametNga Arben LLALLA/

Edi Rama, i cili e kërkoi tepsinë vetëm për socialistët, është shumë i vëmendshëm të gjejë aleanca apo njerëz që dalin tepër si mish i huaj nga lëvizjet e tjera politike. Kujdes të veçantë ai ka për PDIU-në, të cilës që pas zgjedhjeve të qershorit të 2017 është kujdesur t’i gjejë kryetarë të ri, t’i vjedhë votat, t’i shkarkojë deputetë dhe të emërojë deputetë të tij e kështu me radhë. Nuk ia ka dalë dot me Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ndaj ngushëllohet me çfarë mbetet rrugës, sepse opozita është sport i rëndë, se vetë Edi Rama e ka pas thënë.

Së fundmi, qeveria e tij që nuk do e ndante tasin e groshës jashtë Rilindjes, ka emëruar Vjollca Brahon drejtore të Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor. Zonja është e njohur në politikë vetëm pasi u themelua PDIU. Ajo është e vetmja që ia ka parë hairin partisë, sepse e zgjodhën kryetare të Forumit të Gruas, PDIU e emëroi drejtore e Institutit të Sigurimeve Shoqërore – ISSH, Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor – FSDKSH, zëvendësministre e Punës, anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës e kështu me radhë. Shumë kritika të drejta të votuesëve besnikë kanë ardhur në adresë të kësaj partie, falë këtyre njerëzve që përfituan gjithçka dhe nuk e kthyen një herë kokën prapa. Tashmë Vjollca Braho, vazhdon lart e më lart, jo më si përfaqësuese e PDIU-së, por mercenare e rilindur e qeverisë.

Nuk është çudi që Edi Rama të shpikë një tjetër lëvizje a parti si bëri dikur, meqë ende mendon se PDIU-në e gjen e keqja nga fuksat. Bëri dikur aleancë me një Aleancë dhe i numëroi votat me gishtat e njërës dorë, prandaj ku i dihet e provon prapë dhe gjen ndonjë tutkun tjetër me qira.

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, Edi Rama, kërkon çamë, me qira

KUVENDI MBARËKOMBËTAR PËR NGJARJET JUBILARE

January 31, 2019 by dgreca

Tema dhe dilema/

Pas dështimit të socializmit si ideologji dhe rend shoqëror në rrethana të reja shoqërore  ka ardhur koha qe për çështjet mbarëkombëtare përfaqësuesit e shqiptarëve nga hapësira e tyre etnogjeografike të mblidhën së paku një herë në vit në Tiranë, për të trajtuar çështjet preokupuese kombëtare që  janë në favor të avancimit të statusit politik, ekonomik, arsimor dhe kulturor  të popullit shqiptar  në mjediset përkatëse. Një veprim i tillë do të dëshmonte se shqiptarët kanë strategjinë e tyre kombëtare, për të sotmen dhe të ardhmen kur janë në pyetje avancimi i çështjeve përkatëse konformë standardëve  demokratike evropiane, ndërsa data më e përshtatshme është 17 janari që përkon me ditën e vdekjës së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

1-Nail-Draga

Dr.Nail Draga/

Ndonse  po bëhën tri dekada  nga rënia e  sistemit monist organizimet e ndryshme në nivelin mbarëkombëtarë për shqiptarët  në rrethana të reja shoqërore janë për të dëshiruar. Jo se  kanë munguar nismat e tilla, por kanë qenë strukturat qeveritare ata të cilat kanë pasur qasje subjektive, madje duke i injoruar kërkesat e tilla. Nëse deri në vitin 1999 me rastin e çlirimit të Kosovës, një hezitim i  tillë ka mundur edhe të arsyetohej, pas këtij viti përgjegjësia bie kryekëput mbi qeveritarët në Tiranë , sepse është obligim moral i shtetit amë të mbledh përfaqësuesit shqiptarë në takime të ndryshme të nivelit  mbarëkombëtarë.

Rasti i vetëm, 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë

Në këtë aspekt deri më tash përjashtim bënë vetëm shënimi i vitit jubilar i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ishte pikërisht data 17 janar 2012 që mblodhi në Tiranë shqiptarët nga hapësira e tyre etnogjeografike në një takim solemn në  sallën e Kuvendit të Shqipërisë, me rastin e vitit jubilar të shënimit të 100-vjetorit të Shpalljës së Pavarësisë së Shqipërisë.

Dhe një datë e tillë nuk ishte e rastit sepse ajo përkonte me 544 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, duke shprehur një simbolikë e unitetit të shqiptarëve në hapësirën e tyre etnogjeografike. Organizatori, Kuvendi i Shqipërisë ishte kujdesur  që ky solemnitet të jetë i nivelit më të lartë, që u dëshmua me dekorimin e sallës së Kuvendit, ndërsa intonimi i Himnit Kombëtar bashkoi si asnjëherë deri më tash shqiptarët.

Të ftuar shqiptarët nga e tërë hapësira mbarëkombëtare

Dërgimi i ftesave deputetëve shqiptarë nga hapësira etnogjeografike shqiptare për të marrë pjesë në ketë takim solemn, paraqet një ngjarje të shënuar për popullin shqiptar në Siujdhesën  Ilirike, sepse diçka e tillë nuk ka ndodhur nga Lufta e Dytë Botërore.

Ndërsa fjalimet e tyre ishin  në favor të jubileut kombëtar i cili është kremtuar kudo si në hapësirën etnogjeografike shqiptare po ashtu edhe në diasporë.Theksojmë me ketë rast shënimin e këtij jubileu në viset shqiptare në Mal të Zi, me përmasa të jashtëzakonshme si asnjëherë deri më tash, duke mbetur ngjarja ma madhore kombëtare. Dhe nuk ka si të ishte ndryshe sepse shqiptarët kudo që janë, kanë një gjuhë dhe një flamur!

Takimi qe duhet të bëhët tradicional

Ishte ky takimi i vetëm deri më tash, që është vlerësuar si shumë i qelluar, duke qenë një sinjal për të tilla në të ardhmën. Por, jemi dëshmitarë se nga ai vit jubilar kanë kaluar shtatë vite dhe diçka e ngjajshme nuk ka ndodhur më. Një veprim i tillë është për çdo kritikë për institucionet e shtetit amë-Shqipërisë, sepse  takimet e tilla janë të nevojshme të mbahen më shpesh, sepse shqiptarët kanë së çka të diskutojnë dhe të angazhohen për avancimin e çështjeve të ndryshme që janë preokupuese për shqiptarët në ato mjedise ku jetojnë  e veprojnë. Andaj është e nevojshme që përveç seancave solemne të kemi edhe seanca pune, sepse angazhimi në këtë drejtim duhet të jetë preokupim i të gjithë përfaqësuesve të institucioneve tona, sepse çështja kombëtare nuk është pronë e asnjë subjekti politik apo klaneve të ndryshme, por është e të gjith neve.

Pikërisht në këtë aspekt popujt e qytetëruar takimet e tilla i kanë të programuara, sepse në strategjinë e tyre kombëtare, janë të definuar  qartë çështjët të cilat kërkojnë zgjidhje. Një konstatim i tillë vlen sidomos për ne shqiptarët, sepse jemi  autokton në tokën tonë, por mjerisht të ndarë në gjashtë shtete, duke mos anashkaluar edhe ata në diasporë.

Pa nënçmuar ate çka  është arritur deri më  tash iu takon këtyre strukturave qeveritare, apo klasave politike në pushtet, të angazhohen maksimalisht përmes një strategjie kombëtare për avancimin e çështjeve prokupuese për shqiptarët në hapësirën e tyre mbarëkombëtare, sepse çdo brez ka vizionin e vet të veprimit për të tashmën dhe  të ardhmen.

Mungon subjekti për veprimtari mbarëkombëtare

Në mungesë të një subjekti mbarëkombëtar  që si veprimtari parësore do të kishte   shënimin e përvjetorëve  nga historia dhe kultura kombëtare, iniciativa e tillë iu mbetet Qeverive apo ministrive përkatëse si në Shqipëri apo Kosovë. Por, sa janë të përgjegjshëm individet e tillë të cilët mbulojnë ato poste  koha e deritashme dëshmon së mungon vetëdija dhe ndërgjegja kombëtare për të inicuar organizimin e përvjetorëve të ndryshëm me karakter mbarëkombëtar. E pse është e tillë shpjegohet shumë lehtë se me përjashtim të rasteve, të gjithë aty janë emëruar  jo në sajë të vlerave profesionale por të mbeshtetjës partiake, andaj veprimi dhe qendrimi i tyre thënë më se buti lenë për të dëshiruar.

Në vitin që e lemë pas kemi pasur katër jubile të karakterit mbarëkombëtar si: 550-vjetori i vdekjës së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu,140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 110-vjetori i Kongresit të Alfabetit,  dhe 100-vjetori i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës.

Nëse vitin 2018 Qeveria e Shqipërisë e shpalli “Viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu-2018”dhe u organizuan veprimtari të ndryshme shkencore, kulturore e artistike në tërë vendin që duhet përgëzuar, por duhet thënë se ka  munguar iniciativa që diçka e tillë me regji të tyre të organizohej në viset shqiptare në hapësirën etnogjeografike shqiptare. Me këtë rast theksoj në mënyrë të veçantë shqiptarët në Mal të Zi të cilët u angazhuan për shënimin e këtij jubileu me aq mundësi sa kishin, por ka munguar interesimi i shtetit amë, dobësi që nuk mund të arsyetohet më asgjë.

Ndërsa është për t’u çuditur se askush nga Kuvendi i Shqipërisë  nuk u kujtua që në kalendarin vjetor të punës të vendoset për Kuvendin Mbarëkombëtar si obligim moral e kombëtar në këtë vit jubilar të 550-vjetorit të vdekjës së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Por, si duket të deputetet dhe stafi udhëheqës i Kuvendit  mungon reflektimi mbi ngjarjet kombëtare, sepse siç duket janë të zënë me obligime personale e partiake, duke harruar misionin e tyre si përfaqësues të popullit.

Dhe nga një qasje e tillë joserioze  dëshmon se deputetet shqiptarë janë me deficit të vlerave dhe të ndërgjegjës kombëtare, sepse mungon përkushtimi ndaj ngjarjeve madhore nga historia jonë kombëtare.

Punët tona nuk i kryejnë të tjerët

Ju pelqen apo nuk iu pelqën të tjerëve shqiptarët në jubiletë e ngjarjeve madhore të nivelit mbarëkombëtar duhet të jenë së bashku, duke i kremtuar ato ngjarje por edhe analizuar  gjendjen aktuale të popullit shqiptar në hapësirën e tij etnogjeografike, duke sjellur përfundime dhe obligime për të tashmën dhe të ardhmën e tij.

Në rrethana të reja shoqërore duhet eliminuar paragjykimet ideologjike te kohës moniste sepse angazhimi konkret në avancimin e pozitës dhe statusit të shqiptarëve është obligim moral, kombëtar dhe kushtetues i shtetit amë-Shqipërisë, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

(Janar 2019)

Filed Under: Analiza Tagged With: DR. NAIL DRAGA, Kuvendi MbareKombetare, Ngjarje Jubilare

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT