• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2019

SANDALET

January 10, 2019 by dgreca

1 Memisha.JPG

Pak humor nga Memisha Gjonzeneli

Unë shkoj çdo vit në vendlindje, në qytetin tim të dashur bregdetar Vlorë, në Shqipëri. Megjithëse i larguar, bashkë me vëllezërit dhe prej vitesh banoj familjarisht në Çikago të Amerikës, nuk më ndahet shpirti dhe zemra nga vendlindja, nga Vlora ime e shtrenjtë, qytet  shumë i bukur, i vendosur në një gji të mrekullueshëm të bregdetit Adriatik. Atje, te djali im i xhaxhait, në Skelën përrallore afër Portit, zë me qira një dhomë në Vilën e kushëririt , që ai e  përdor  gjatë muajve të verës, si burim për të siguruar të ardhura për jetesë. Vila është  e bukur, katër katesh dhe mjaft komode për banim. Unë porosit çdo behar një dhomë me ballkon në katin e dytë dhe pamje nga deti. Dhomat janë të pajisura me gjithçka të nevojshme për banim normal si me televizor, kondicioner, frigorifer, dollap, tavolinë, karrige, krevat, etj… Deti është 300m. larg, ndërsa rruga bregdetare, ku qarkullojnë autovetura e autobusë,  jo me shumë se 100 m. Është lagjja ku kam ende shumë të afërt, miq e shokë të çmuar. Dikur, për atë zonë dikush thoshte “te Tezgjahu” (sepse ka pas qenë një ndërmarrje qilimash) e disa të tjerë “te Kanali”, nga që është një kanal, që edhe tani vazhdon të përcjell ujëra të shumta. Ai mbledh gjithë ujërat e pellgut, nisur nga “Fabrika e Çimentos”, po dhe ato të “kanalit të Koloqithit” dhe i shkarkon në thellësi të detit.  E përshkruaj me hollësi atë zonë, se kam mall e nostalgji, ngaqë kam kaluar atje një pjesë të mirë të jetës, sidomos fëmijërinë e dhimbshme. E kam pasur shtëpinë tamam te ish “Turizmi i Skelës” ose te “DOM MARKU”, siç quhej objekti, në kujtim të një prifti të shquar edhe atdhetar.  Godina e turizmit, një përshtatje nga kisha e hershme katolike, ishte  një mrekulli në buzë të detit, mandej e rrethuar nga tre anët me det. Ajo ishte e vetmja shtëpi simbolike në Vlorë, po ndofta dhe në Shqipëri për pozicionin gadishullor.  Atje banuam edhe ne ca kohë. Në vitin 1954 atë e bënë “Klub Popullor” dhe ne na çuan në shtëpinë e Pavllo Bezhanit, që ishte përkarshi, po 400-500m më larg.  Arsyeja që behareve tani banoj po këtu është se më tërheqin kujtimet, ngaqë  gjithë fëmijëria ime ishte nga Moli 1, ose nga “Shtëpia e Shullës” deri te “Moli i Peshkimit”,  zonë kjo që me vonë u quajt  “Plazhi i Ri”. Nuk shkëputesha dot me të kaluarën. Çdo hap që hidhja me kujtonte mijëra kujtime, ca të këndshme e ca të trishtueshme…

Kështu që çdo vit shkoja te Mitati, im kushëri dhe  ai ma ruante dhomën, sado që kishte plotë kërkesa të tjera.

Zakonisht unë shkoj atje në muajin korrik dhe rri deri nga fundi gushtit. Sa mbërrij, lë valixhen në dhomë dhe shpejte dal anës së  detit, të shoh çfarë ka ndryshuar gjatë një viti. Mbasi lodhem nga soditja e gjatë, kthehem në dhome dhe shtrihem e bie në relaks e shoh ëndrra me sy hapur…Në mëngjes ngrihem shpejt. Mbasi mbaroj punët personale, zakonisht në orën 9 deri 12, shkoj  vrap në det  dhe mbas dreke nga ora 3 deri në orën 6 nisem drejt jugut, për nga bregdeti i bukur i Radhimës. Aty lahem te “Akademia” ku si përpara, kur ishim të rinj dhe tani prapë lozin me top, po çuditërisht, pa e ndjerë lezetin e kahershëm. Deti aty ende është i pastër, nuk ka gurë, mbeturina e zhavorr, po vetëm një kanal me ujëra të bardhë dhe rreth e rreth kum i imtë. Aty mblidhemi, dashamirës të vjetër po dhe të rinj dhe bëjmë shaka e humor, çka unë e kam shumë qejf, e pastaj futemi plot kënaqësi në ujët e ngrohtë të detit…

Në një nga ditë e ngrohta plot diell, shkova te vendi ku zakonisht lija rrobat. Gjithmonë unë mbaja veshur një pale sandale të zakonshme, qe i kisha blerë në qytetin e Çikagos këtë behar.  Ato, nuk qenë shumë të bukura, po ishin shumë të rehatshme e praktike, me ngjyrë hiri, që mua me pëlqenin.  Shkova atë ditë, si zakonisht te vendi ku laheshim. Si orientim kishim një varke plastike që e kishin lënë ne anë të detit, ku shpesh dhe herë të tjera, vinim rrobat mbi të. Sa vajta, si zakonisht,  hoqa sandalet dhe i hodha në kum, afër varkës. Aty kish dhe plot shokë të tjerë, të njohur e të panjohur, që po laheshin. Unë, sipas traditës, vajta  buzë detit, futa këmbët në ujë dhe fillova nga logjet e qyfyret, që unë, në natyrën time të çiltër e gazmore, i kam për zemër.

Në këtë kohë më tërhoqi vëmendjen aty pari, një burrë i veshur me rroba pune. Ai bëri një si rreth, rrotull barkës dhe shkoj drejtë e te sandalet e mija: i mori në dorë, i përplasi me njëra tjetrën për t’i shkundur rërën, i bëri bashkë dhe i futi të dyja ndenë sqetull. Unë i shkova menjëherë afër tij dhe i fola me kulturë:

-Zotëri, me leje!

Ai nuk e çau kokën fare…

Unë prapë i them:-Zotëri të lutem! Ai prapë në heshtje vazhdoi të eci. Atëherë, duke e humbur durimin dhe delikatesën u afrova dhe i them:

-Eeej, ty po të flas, qëndro pak!

Ai qëndroi…

-Dy herë të fola dhe nuk mu përgjigje!

-Po, tha ai, po mua nuk me quajnë “zotëri”. Unë kam emrin tim. Askush, nga ata që më njeh, nuk më thotë zotëri.

-Mirë nuk ka problem! Ato sandalet që ke ndenë sqetull mi jep mua, se janë të miat!

– Ik ore burrë me tha, si me të qeshur dhe deshi të ikte.

-Prit mos u nxito! i them unë. Pastaj ai mu kthye:

– Këto vjetërsirat janë të tua?

– Po!- I thash unë. Ai mi hodhi te këmbët sandalet. Unë u mërzita pak.

– Merri! më tha mua dhe deshi të ikte.

-Të të vijë turp! i them unë.

– Çfarë the! tha, ai. Unë prapë:

– Nuk të vjen turp!?

Qeshi si me sarkazëm dhe më tha:

– Ore xhaxho nuk qenke në vete!

– Po pse?- e pyes.

-Këtë zanat, më thotë ai, e kam filluar që kur nuk ngopeshim me bukë. Tani që jam mbi 50 vjeç, nuk më ka ngelur më turp.

 Mora sandalet në dorë dhe po ikja e qeshja. Edhe  ai u nis të iki…

-Dhe dëgjo i thash unë. Këto sandale i more gabim, mbasi nuk të bëjnë, se janë të mëdha! Ai ktheu kokën, si me tallje dhe me tha:

-Mos u bëj merak se unë kam katër djem dhe iku shpejt, pa e kthyer kokën mbrapa. Unë qesha dhe thash me vete:

-Ka lezet! Kur të sqaron kaq mirë hajduti, nuk të vjen keq se të vjedh… 

 

    ÇIKAGO, 27 DHJETOR 2018

Filed Under: Fejton Tagged With: Memisha gjonzeneli, rrefim humoristik, Sandalet

Një veprimtari e bukur përmbyllëse për Vitin e Skenderebeut

January 9, 2019 by dgreca

Në Nju Xhersi u organizua një Konferencë Shkencore për Vitin e Skenderbeut dhe u bë përurimi i poemës dramatike “Gjergj Kastriot Skenderbeu” të aktorit Xhevat Limani/

1 Marigoja1 Filadelfia1 me vajzen1 Ligejruse Filad

Nga Sadik ELSHANI*/

Viti 2018 është shpallur Viti i Skenderbeut në tërë botën shqiptare, sepse shënojmë 550 vjetorin e ndarjes fizike nga kjo botë të Heroit tonë Kombëtar. Po ashtu, shënojmë edhe 575 vjetorin e kthimit të tij në Krujë, për të shënuar kështu periudhën më të ndritur e më të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Me këtë rast në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë u organizuan mjaft manifestime të ndryshme kulturore – artistike, konferenca shkencore, simpoziume, etj. Siparin e këtyre veprimtarive e hapi Akademia Shqiptaro – Amerikane e Shkencave dhe e Arteve me seli në Nju Jork, e cila ne ditën e shtunë më 13 janar në mjediset e Monroe College në Bronx organizoi Konferencën Shkencore kushtuar figurës së Gjergj Kastriot – Skenderbeut me rastin e 550 vjetorit të kalimit të tij në botën e lavdisë së përjetshme. Në këtë konferencë ku mernin pjesë një numër i lakmueshëm i bashkatdhetareve, u paraqit një numër i madh i kumtesave që vinin nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora. Në këtë tubim merrte pjesë edhe një grup veprimtarësh nga shoqata “Bijtë e Shqipes”. Ndërsa një javë më vonë, edhe shoqata “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia organizoi një veprimtari dinjitoze ku u paraqiten disa kumtesa serioze, shoqëruar pastaj me një program artistik dhe koktejin tradicional me pije e ushqime të kuzhinës shqiptare.

Në fillim të dhjetorit morëm një njoftim nga dr. Bexhet Asani, i cili na ftonte që të marrim pjesë në një veprimtari që do te organizohej në Nju Xhersi në fund të dhjetorit, një veprimtari, një Konferncë Shkencore për ta mbyllur Vitin e Skenderbeut. Edhe përkundër angazhimeve tona në punë e veprimtari të fundvitit, ia arritëm që të bëheshim pjesë e kësaj veprimtarie të bukur. Veprimtaria u zhvillua më 28 dhjetor në Pompkin Lakes (Nju Xhersi), në qendrën qytetare, shoqërore (Civic Center) të këtij qyteti. Kjo Konferencë Shkencore u organizua nga dr. Bexhet Asani, sekretar i Akademisë Alternative Pegasiane, zonja Sabije Veseli, kryetare e Shoqatës së Grave Shqiptaro – Amerikane “Marigona”, imami Arun Pollozhani dhe prof. Bashkim Klloboçishta, hulumtues i shkencave historike. Merrte pjesë një grup, ndoshta jo i madh në numër, por i zgjedur i bashkatdhetarëvë – njerëz të artit shkencës e kulturës, kryesisht me banim në Nju Xhersi e Nju Jork. Nga shoqata “Bijtë e Shqipes” merrte pjesë një grup i përbërë nga kryetari Bujar Gjoka, anëtarët e Këshillit Drejtues: Bujar Çela e Sadik Elshani dhe ish nxënësja e shkollës shqipe “Gjuha Jone”, Silvana Çela – vajza e Bujarit.

Këtë konferencë e hapi dr. Bexhet Asani, i cili u dëshiroi mirëseardhjen të pranishmeve dhe pastaj bëri njoftimin për programin dhe mbarëvajtjen e këtij tubimi shoqëruar me një fjalë hyrëse për rëndësinë e figurës së Skenderbeut në historinë tonë kombëtare dhe theksoi: “Për një cerek shekulli Shqipëria dhe Gjergj Kastriot Skenderbeu ishin mburoja e Europës. Kryeheroi i shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeu, për njëzetë e pesë vjet bëri luftë çlirimtare, për njëzetë e pesë vjet bëri luftë ngadhënjimtare, për njëzetë e pesë vjet vigjiloi për të mbrojtur tokat arbërore nga cilido armik që do të sulmonte Arbërinë e shenjtë të mbretit Skënderbe. Gjergj Kastrioti Skënderbeu bëri luftë triumfale. Kushdo që mendon se Skënderbeu mbrojti fenë apo luftoi kundër kësaj apo asaj feje ai nuk mund të jetë as hulumtues, as studiues, as shqiptar, as atdhetar por vetëm tradhtar i atdheut të tij dhe shqiptarizmit.”Ky tubim pastaj vazhdoi me paraqitjen e kumtesave të përgatitura posaçërisht për këtë konferencë. Në vazhdim po japim titujt dhe autorët e këtyre kumtesave:

  1. Prof. Kristaq F. Shabani:
    “Skënderbeu, një histori politike” – Një kumtim paraqitës mbi veprën e Prof. Aurel Plasarit, studiues, përkthyes
  2. Prof. dr. Nebi Dervishi (USHT):
    “MARRËVESHJA E SHKUPIT (27 PRILL 1463) DHE FITORET E SKËNDERBEUT NË VITET 1462-1465”
  3. Prof. mr. sc. Migena ARLLATI:
    POEMË MBI EPOKËN DHE KULTIN E GJERGJ KASTRIOTIT – (Vështrim mbi poemën e Fran Ukcamës: “Gjergj Kastrioti – Heroi kombëtar e shkëlqimtar”)
  4. Dr. Sadik Elshani:
    “SKËNDERBEU I LAVDISË SË PËRJETSHME, MBIJETESA E NJË KOMBI”
  5. Mr. Sabaudin Zhuta:
    OPERA “SKANDERBEG” E ANTONIO VIVALDIT, FRYMËZIM BAROK
  6. Prof. dr. Nebi Dervishi:
    “BETEJA E LIVADHISË” (vjeshtë 1462), me rastin e 556 vjetorit
  7. Dr. Bexhet Asani:
    POEMA “SKËNDERBEU” E RILINDËSIT MAQEDONAS GRIGOR PËRLIÇEV

Për shkaqe objektive autorët e disa kumtesave: Prof. Kristaq F. Shabani, prof. dr. Nebi Dervishi. Mr. sc. Migena Arllati nuk mund të merrnin pjesë personalisht në këtë konferencë, por kumtesat e tyre u lexuan nga zonjat, Sabije Veseli e Sonila Gjona – Fitzpatrick, si dhe z. Shaban Shala. Siç shihet nga vetë titujt e këtyre kumtesave, tematika e kësaj konference ishte mjaft e lërmishme, ndërsa autorët kishin bërë një punë serioze në trajtesat e tyre.

Në këtë veprimtari kushtuar “Vitit të Skënderbeut”u  bë edhe  përurimi i Poemës dramatike “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të dramaturgut dhe aktorit Xhevat Limani, themelues dhe drejtues i Teatrit Shqiptar të Amerikës. Libri u botua në përkujdesjen e prof. Kristaq F.Shabanit i cili është redaktor letrar i veprës. Me këtë rast u lexua parathënia e prof. Kristaq Shabanit: Hëna pesëmbëdhjetëshe e paralajmëroi daljen e poemës dramatike,“GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU”
Për poemën dramatike “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” të artistit Xhevat Limani, fjalën e rastit e mbajti rcensenti i librit, dr. Bexhet Asani, duke theksuar se kjo poemë dramatike është një panegjirik për Heroin tonë Kombëtar.  Me këtë shfaqje të poemës dramatike, “Gjergj Kastriot Skenderbeu, aktori Xhevat Limani gjatë tërë vitit me plot sukses u parqit në të gjitha trevat shqiptare, në shumë qendra të diasporës dhe te arbëreshët e Italisë. Nxënësja Sivana Çela i dhuroi dr. Bexhet Asanit një buqetë me lule dhe recitoi disa vargje për Skendeerbeun. Ishte ky një rast i mirë për kryetarin e shoqatës “Bijtë e Shqipes”, z. Bujar Gjoka që t’i njoftojnte të pranishmit për shkollën e kësaj shoqate dhe për veprimtaritë e shumta që rganizon ajo. Pastaj ne diskutime moren pjese imami Arun Pollozhani dhe z. Naim Balidemaj, të cilët e vlerësuar lart figurën e Skenderbeut si fytyrën më të ndritur të kombit tonë.

Në fund fjalën e mori edhe aktori Xhevat Limani, i cili foli për procesin krijues të poemës dramatike “Gjergj Kastriot Skenderbeu”, duke shprehur dëshirat e kahmotshme dhe motivacionet për hartimin e kësaj poeme. Në vazhdim ai recitoi me një mjeshtri artistike e plot ndjenja disa vargje nga poema e Naim Frashërit, “Skenderbeu”.  Duhet përmendur se në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe drejtori i AA Vision Media and Interpreting Services,gazetari Qazim Doda, i cili e gjiroi tërë veprimtarinë për kanalin e tij në YoyTube. Po ashtu, ai diskutoi në këtë tubim dhe bëri disa njoftime për punën e tij gazetareske në komunitetin shqiptaro – amerikan e më gjërë. Në fund për të gjithë të pranishmit u shtrua  një koktej i pasur me pije e ushqime të shijshme tradicionale shqiptare për të cilin ishin kujdesur zonjat shqiptare. Edhe gjatë koktejit bisedat vazhduan në mes bashkatdhetarëve për Skenderbeun, cështjet kombëtare, gjendjen në trojet shqiptare dhe për disa cështje të komunitetit tonë shqiptaro – amerikan. Kështu mori fund edhe kjo veprimtari përmbyllëse për Vitin e Skenderbeut.

Philadelphia, janar 2019

*Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Sadik Elshani, Skenderbeu, veprimtari, Xhevat Limani

Kosova do udhëheqë fushatën botërore të pastrimit

January 9, 2019 by dgreca

-Ministri Matoshi: Në vitin 2019, Kosova do të udhëheqë dhe koordinojë fushatën botërore të pastrimit/

Kosove-pastrimi-Organizata Let`s Do It World me seli në Tallinn të Estonisë, si anëtar i akredituar në Programin Mjedisor të Kombeve të Bashkuara (UNEP), në dhjetor të vitit 2018, nga 158 shtete ka përzgjedhur Kosovën si fitues të çmimit për fushatën e pastrimit të tokës/

PRISHTINË 9 Janar 2019-Gazeta DIELLI/ Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot është takuar me udhëheqësen e rrjetit Let’s Do It World, Heidi Solba dhe anëtaren e Bordit, Anneli Ohvril.

Gjatë këtij takimi, ministri Matoshi tregoi se në vitin 2019, Kosova do të udhëheq dhe koordinoj fushatën botërore të pastrimit, ku do të jap mesazh ndërkombëtar për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit nga mbeturinat.

“ Ne si vend, pra Let’s Do It Kosova me vendim të Let’s Do It Word dhe e mbështetur nga MMPH-ja në vitin 2019, do të koordinojmë dhe udhëheqim fushatën botërore të pastrimit për shkak të rezultateve që kemi arritur në fushatë për pastrimit të mjedisit. Ky do të jetë shembulli më i mirë për shkak se me 21 shtator, kur do të organizohet Dita Botërore e Pastrimit, ne do të dërgojmë mesazhe nga ky vend. Kjo është një mundësi e mirë për të promovuar Kosovën në arenën ndërkombëtare. Por deri më 21 shtator ne kemi shumë punë për të bërë”, deklaroi ministri Matoshi.

I pari i MMPH-së, tha se gjatë këtij viti, Kosova do t’i jap fund çështjes së mbeturinave përmes investimeve dhe zbatimit të ligjit.

“ Unë besoj që në vitin 2019 është viti ku ne do të ndahemi nga mbeturinat në tersi. Por për të ardhur deri te kjo, ne kemi edhe disa punë për t’i bërë duke mbështetur kështu komunat në infrastrukturë por edhe duke i pajisur me kontejner. Po ashtu ne kemi një memorandum me Qeverinë Gjermane dhe GIZ-in për ndarjen e 7 milion euro për grumbullim të mbeturinave nëpër komuna. Në të njëjtën kohë do të vazhdojmë me zbatimin e Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore”, tha Matoshi.

Ministri Matoshi tregoi se Kosova është përgëzuar nga organizata Let’s Do It Word për punën e bërë gjatë aksionit tre mujorësh për pastrimin e vendit.

“Në takim ne u përgëzuam si vend, si task forcë, si Qeveri, si ministri, si organizata të Shoqërisë Civile për punën që e kemi bërë në kuadër të aksionit ‘Ta pastrojmë Kosovën’. U përgëzuam për numrin e madh të vullnetarëve që kanë marrë pjesë në këtë fushatë. Kjo na bënë të ndjehemi krenar si ministri, si vend, si shoqëri për organizimin që kemi bërë”, ka pohuar Matoshi.

Ndërsa udhëheqësja e Rrjetit të “Let’s Do It World”, Heidi Solba, ka lavdëruar institucionet e Kosovës për punën e bërë me projektin “Ta pastrojmë Kosovën”.

“Jeni duke udhëhequr si shembull në mesin e 158 shteteve që janë anëtare e ‘Let’s Do It World’. Për këtë arsye si rezultat të shkëlqyer që ka ofruar Kosova në këtë drejtim, ju ftojmë të jeni shtet udhëheqës në organizimin që do të ndodh në shtator në gjithë botën. Jemi të nderuar që ministri Matoshi do të jetë pjesëmarrës në konferencën që do të mbahet në Estoni” tha Solba.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe drejtuesi i organizatës “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj i cili vlerësoi të suksesshëm fushatën për pastrimin e mjedisit.

“Është kënaqësi që, më shumë se sa rezultati që është arritur në aksionin e pastrimit të Kosovës ku u larguan 900 deponi, po arrijmë që Kosovën ta bëjmë lajm ndërkombëtar. Kosova është lajm i mirë për shumë vende të botës andaj shpresojmë që të vazhdohet mbarë gjatë tërë vitit duke dhënë lajme të mira”, deklaroi Hasanaj.

Organizata Let`s Do It World me seli në Tallinn të Estonisë, si anëtar i akredituar në Programin Mjedisor të Kombeve të Bashkuara (UNEP), në dhjetor të vitit 2018, nga 158 shtete ka përzgjedhur Kosovën si fitues të çmimit për fushatën e pastrimit të tokës./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, do udhëheqë fushatën botërore, kosova, të pastrimit

GAZETA DIELLI -110-VJETË THIRRJE PËR LIRI

January 9, 2019 by dgreca

1 frank1 GDielli_3071 a Mbahu neno ok.JPG1 Flamuri shenje1 dielli Miting i Madh

Frank Shkreli/

Jemi në prak të Vitit të Ri, 2019.  6 Janari shënoi ditëlindjen e Peshkop Fan Nolit – drejtuesit të parë të organit të Federatës Pan-Shqiptare Vatra — ndërkohë që Gazeta Dielli, siç shënohej për një kohë të gjatë në faqen e parë të saj, “U fillua me 15 Shkurt, 1909”, duke shënuar këtë vit 110-vjetorin e daljes në dritë të “Diellit”.   Emërat e Fan Nolit, Faik Konicës, Federatës Pan-Shqiptare Vatra dhe organit të saj, Dielli identifikohen me periudhën më të lumnueshme të historisë së tyre – një histori kjo që përgjithmonë do të mbetet si periudha që e bëri Shqipërinë.

110 vjetë më parë, ekzaktërisht me 15 Shkurt, 1909 në Boston të Shteteve të Bashkuara doli numri i parë i gazetës Dielli, organ i Organizatës Pan-Shqiptare Vatra, gazetë që edhe sot vazhdon të botohet rregullisht në internet dhe njëherë në muaj del në versionin e printuar. Në ‘të përmblidhen artikujt dhe komentet nga kontribues të ndryshëm, si dhe veprimtaritë më të dalluara mujore të organizatës Vatra dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan.  Gazeta pasqyron rregullisht edhe ngjarjet aktuale anë e mbanë trojeve shqiptare.

Gjatë dekadave është shkruar shumë dhe jam i sigurt se edhe në këtë përvjetor do të theksohet roli që ka luajtur dhe vazhdon të luaj Vatra dhe Dielli në historinë e vjetër dhe të sotëme të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.  Dielli ka shënuar edhe më heret përvjetorë të themelimit të tij si zëdhënse e Vatrës dhe e komunitetit shqiptaro-amerikan.  Më të njohur janë 50-vjetori dhe 60-vjetori i themelimit të Diellit, shënuar nga diaspora shqiptare në Amerikë dhe më gjërë.  Në vend të fjalëve të mia, që i kam shprehur edhe në të kaluarën me raste të tjera, për Vatrën e Diellin, dëshiroj që në këtë përvjetor të Diellit dhe të lindjes së Fan Nolit, të sjell disa komente vlerësuese të Profesor Ernest Koliqit, botuar në revistën e tij Shëjzat, me rastin e 50-vjetorit të themelimit të gazetës Dielli.  Profesor Ernest Koliqi, shkruante se gazeta Dielli nuk ishte thjesht një gazetë vetëm për shqiptaro-amerikanët.  Ai filllon vlersimin e tij të rolit historik të gazetës Dielli, duke theksuar se, “Kush kujdeset, pak a shumë për historinë e vendlindjes, e di rolin kryesuer që ka luajtun kjo fletore në lëvizjet kombëtare.  Ajo e nisi punën e vet me kryefjalën fatlume të Nolit, ‘Një Shqipëri për Shqiptarët’, një moto kjo me të cilën shprehet ai, “Noli ia ndjelli të mirën Atdheut dhe Ora e Kombit mbas pak vjetëve ia fali gjindes shqiptare – tekembramja — një truell të lirë ku ajo të rronte e të zhvillohej si mbas prirjeve të veta landore dhe shpirtënore.”

Ernest Koliqi, botimin e gazetës Dielli dhe themelimin e organizatës Vatra, i lidhë drejtë për së drejti me pavarësinë e Shqipërisë.  “Botimi i Diellit solli themelimin e “Vatrës”, e cila me 28 prill 1912 e shpalli veten si Federatë Pan Shqiptare.  Çdo grumbullim energjishë e veprimtarishë ka uratën e Perendisë dhe buzqeshjen e fatit.  Këtë, na Shqiptarët s’duhet ta harrojmë.  Si të donte Provanija Hyjnore me shpërblye ringjalljen e frymës së vëllaznimit ndër Shqiptarë – mbas gjashtë muajve të themelimit të Vatrës – Shqipnija fitoi pamvarsinë.   Me 28 prill 1912 u krijue Vatra dhe me 28 nanduer po të atij vjeti e puthi rrezja e lirisë flamurin e Skënderbeut mbas 500-vjetësh që ai rrinte i paluem si leckë e pavlerë në terr e në harresë”, shkruante i madhi Ernest Koliqi, në vlerësimin e tij me rastin e 50-vjetorit të botimit të gazetës Dielli, në revistën e tij Shëjzat të vitit 1959, botuar në Romë.

Në vazhdim të editorialit kushtuar 50-vjetorit të Diellit të Vatrës, Ernest Koliqi e ka cilësuar veprimtarinë historike të Vatrës e të Diellit, si një “varg tubzash epiko-lirike”, duke nenvijuar se gazeta Dielli, “përcolli besnikërisht ngjarjet shqiptare dhe botërore të asaj periudhe, gjithmonë e gatshme për të mbrojtur qendrimet e shqiptarizmit”.  Si shembull, Koliqi përmend, në editorialin e tij, një shkrim të gazetës Dielli të 3 qershorit, 1913, ku përshkruhet gjëndja e atëhershme në Ballkan, në të vërtetë shumë e ngjashme me përpjekjet aktuale të Rusisë putiniste për të influencuar ngjarjet atje në interes të saj me qëllim për të dhe për të kontrolluar gjëndjen në Ballkan, përfshirë trojet shqiptare, sidomos për të shkaktuar trazira në Kosovë.  Në atë kohë, gazeta Dielli, sipas Koliqit, i kishte dhënë një paralajmërim botës shqiptare në fillim të shekullit të kaluar se, “Shqipëria nuk duhet kurrë të presë ndonjë të mirë ase ndihmë nga Rusia, se interesat e saj kanë qenë dhe do të jenë kurdoherë për të copëtuar Shqipërinë dhe t’ua shpërndajë copat këlyshve sllavë për fitim të saj.   Programi i Rusisë është që të përfshijë një ditë gjithë shtetet e Ballkanit, të lidhë Detin e Zi me Egjen e me Adriatikun”, theksohej në komentin e Koliqit.

Në 50-vjetorin e Diellit, Profesor Ernest Koliqi vlerësonte se veprimtaria patriotike e gazetës Dielli dhe e përfaqsuesve të Organizatës Pan-Shqiptare Vatra, arrinë kulmin në vitin 1918.   Atëherë kur sipas tij, “Fan Noli ban mrekullina në Europë si delegat i Vatrës.”  Ai nënvijon takimet e Fan Nolit me Presidentin Wilson dhe me ish-presidentin Theodore Roosevelt në Washington, para Konferencës së Paqës në Paris, ku sipas Koliqit, “Noli u përpoq për Atdhe me vetitë e nalta të tija — shpëtoi Shqipëninë asokohe nga cungimi ma i shemtuet”, ndërkohë që përveç mbështetjes së presidentit amerikan Wilson për Shqipërinë, iu shtua edhe përkrahja e Papa Benediktit të XVI për shpëtimin e Korçës dhe Gjirokastrës, shkruante Koliqi në komentin kushtuar 50-vjetorit të botimit të parë të gazetës Dielli, mbi rolin që luajti Fan Noli në rrethanat e atëhershme vendimtare historike për Shqipërinë.

Në komentin me titull, “Pesëdhjetëvjetori i Fletores “Dielli”, botuar në revistën Shëjzat të vitit 1959, Profesor Ernest Koliqi u jep meritën më të madhe për veprimtaritë historike të Diellit dhe të Vatrës, “Dy kampionëve të mëdhej të shqiptarizmit, At Fan Noli dhe Faik Konica…si gërshetuesit kryesorë të veprimtarisë së shkëlqyeshme të Vatrës dhe vatranëve”, por pa harruar, shton ai, as veprimtarët e tjerë të shumtë të Diellit e të Vatrës, si, “Kost Çekrezi, Kristo Floqi, Kol Tomara, Kristo Kirka, Bahri Omari e Sotir Peci”, e të tjerë gjatë dekadave e deri më sot.

Por, ja ku jemi sot. Në çerekun e parë të shekullit 21, gazeta Dielli, më e vjetra ndër gazeta shqiptare, kujton 110-vjetorin e daljes në dritë.  Shumë gjëra kanë ndryshuar, por shumë gjëra gjithnjë vazhdojnë të jenë të ngjashme me situatat e sotëme aktuale politike dhe mediatike, me të cilat përballet edhe sot, jo vetëm Vatra e Dielli dhe komuniteti shqiptaro-amerikan në veçanti, por edhe mbarë shqiptarët në trojet e veta, në përgjithësi. Duket sikur situatat e dikurshme po përsëriten, hallet e vjetra pra, janë prapë të reja, aktuale.  Ende në takimet ndërkombëtare sot diskutohet për copëtim të trojeve shqiptare!!!  Duket sikur sfidat me të cilat përballen shqiptarët s’kanë fund.

Kush do e mirrte me mend se në këtë 110-vjetor të themelimit, nga Amerika e largët, Dielli dhe Vatra kanë ende një rol për të luajtur në mbrojtje të interesave kombëtare të shqiptarëve.   Fatbardhësisht, Vatra dhe Dielli sot kanë një shembull që mund të ndjekin si dhe mësimet e themeluesve të saj – Fan Noli e Faik Konica me shokë – një gurrë e pashterrshme patriotizmi e atdhedashurie.  Prandaj, në këtë 110-vjetor të daljes në dritë të gazetës Dielli, shpresojmë që nga gjiri i brezit të ri të shqiptaro-amerikanëve të dalin patriotë të vërtetë dhe të pa hile si Fan Noli dhe Faik Konica, që të jenë një “shtyllë më e fortë” se kurrë më parë e shqiptarizmit në Amerikë dhe e mbrojtjes së interesave kombëtare në përgjithësi.

Federata Pan-Shqiptare Vatra ka njoftuar se 110-vjetorin e themelimit të organit të saj gazetës Dielli, ka në plan t’a shënojë në mënyrën më të mirë që meriton ky përvjetor.  Urojmë që Dielli, Vatra dhe të gjithë ne – megjithë sfidat dhe problemet që ka përballur komuniteti shqiptaro-amerikan gjatë historisë së tij 100 e sa vjeçare — të mësojmë nga historia e gjatë dhe pozitive e veprimtarisë së këtyre dy institucioneve shqiptaro-amerikane, megjithse jo gjithmonë pa probleme, si dhe nga përvoja e udhëheqsve të tyre të shekullit të kaluar, për të  punuar vëllazërisht, për të mirën e përbashkët në interesin kombëtar, jo vetëm këtu në Shtetet e Bashkuara por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare.  Sidomos në këtë 110-vjetor të gazetës Dielli dhe në kujtim të ditëlindjes së Fan Nolit dhe të veprimtarisë së tij patriotike, i bashkohem thirrjes së Ernest Koliqit që kishte bërë me rastin e 50-vjetorit të Diellit, që, “Bashkatdhetarët e Amerikës, të cilët dijtën të ndërtojnë këtë qëndër të fortë atdhedashunie – duhet sidomos sot të jenë në naltësinë e misjonit historik që u përket, mbasi jetojnë e veprojnë në prehën të Demokracisë së Madhe Amerikane, në dorë të cilës është fati i botës, e prandej edhe i vendit tonë.”

Një thirrje kjo shumë me vend në vitin 1959, por gjithnjë aktuale edhe sot, për Shqipërinë dhe për Shqiptarët kudo – ku sipas shumë vërejtësve, për fat të keq, ashtu siç është shprehur edhe Fan Noli pothuaj para një shekulli, “Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive” (fetare, sociale, patriotike, morale, e idealeve).  Për fat të keq tonin, ky konfuzion i anarkive vazhdon edhe sot, sidomos konfuzioni në fushën morale, patriotike dhe të idealeve.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, GAZETA DIELLI -110-VJETË, THIRRJE PËR LIRI

VATRA MAKES A CASE FOR THE RECOGNITION OF KOSOVA TO THE APOSTOLIC NUNCIO OF ALBANIA

January 9, 2019 by dgreca

1 ambasadori e mire1 Balaj me letra1 a adm ceza treg1 dritani hap1 Lumi shkruan1 a Marko flet1 amb dalip dok1 amb shkruan1 am dera

1 a bashke

By Rafaela PRIFTI/

In his first visit at Vatra’s offices, the diplomatic representative of the Holy See to Albania, Archbishop Charles Brown was warmly received by several members of the Board and the Albanian-American community. On behalf of the Pan-Albanian Federation Vatra, President Dritan Mishto, expressed thanks for the efforts of the papal envoy to improve religious tolerance in Albania and pleaded with him to recognize Kosova’s independence. Archbishop Brown, who is a native New Yorker and served as a priest in a Bronx parish in the late 1980s, served a full term as the Vatican’s Ambassador in Ireland prior to accepting the assignment of Pope Francis to be the Nuncio in Albania in March 2017. During the 1990s he did a lot of work with the Missionary sisters and Mother Teresa personally, which he regards as a spiritual introduction to his current assignment. He spoke fondly about this year and a half in Albania, amidst efforts to know the people and learn the language. Indeed only a few weeks ago, the Archbishop celebrated Catholic mass in Albanian among the Albanian-American community in Washington DC. In his recent assignment, he said that the great discovery of “the preservation of some traditional values of family and respect in Albania that have really disappeared in many other places in the world” is worth-noting. He added that he was with Pope Francis before this last Christmas in Rome, and while talking about Albania, his Holiness reminded him that Albania was the first country in Europe that he visited and “he wanted that to be a sign.” Among the reasons for the Pope’s appreciation for Albania, the apostolic nuncio noted the religious harmony that exists in the country which can be a model for other places and the history of persecution of the faith. Religious believers of different faiths suffered under the time of communism. And that is a great testimony of the triumph of faith over communist materialism. “So for those two reasons, I think Pope Francis has a very special love for Albania and that love is certainly been communicated in a big way to me.” With regard to the issue of Kosova, the papal nuncio reiterated that in the last year or little more than a year, both the Prime Minister and the President of Kosova have visited with the Pope. This is an important issue that we take very, very seriously, he said and opened the floor to questions, most of which focused on Kosova. The successful developer with family origins from Peja, Harry Bajraktari raised the question of Kosova’s recognition by the Vatican and the establishing of diplomatic relations that positively encourage business and development in the country. Zef Balaj of Vatra’s Executive Board pressed for some guidance on the issue of supporting the acceptance of Kosova by the Holy See, which carries significant weight in the diplomatic community. In his response, Archbishop Brown expressed the desire of the Holy See to see a real resolution of the disputes between Serbia and Kosovo, as a condition towards moving forward with a number of issues including recognition. He admitted that at the present time, these are very difficult issues.

On the issue of inter-religious cooperation, the apostolic nuncio singled out the work of a committee of all heads of religious communities, which is very active and has issued joint letters on a number of issues. In the last year, the committee addressed various topics including European integration. When asked about his role, he answered that as the diplomatic link between the Holy See, the Vatican and the government of Albania, his task is to strengthen the relationship between the Vatican and the Catholic Church and the relationship between the Vatican and the government.

Responding to a question on the issue of properties confiscated by communism, he stated that it is a matter that affects the Catholic Church and other religious communities. On this sensitive topic, the Holy See supports and promotes the views of the Albanian Catholic Bishops. The church is not interested in displacing people to try to retain property. Aside from the restitution, there are problems of property title and ownership. The government is working on these complicated issues which are difficult to regulate, added the papal envoy.With regard to opportunities for the young people in Albania, Archbishop Brown said that they are immigrating and have a desire to emigrate in large numbers due to the economic situation. One of the elements certainly is corruption in various sectors of society that needs to be confronted and resolved. The reduction of corruption will produce a situation where there are more opportunities for young people. The government’s efforts to combat the problem of corruption are applauded and supported by the religious communities including the Catholic Church. He added that the European integration is linked to the question of corruption as the integration process moves forward that almost inevitably will require a reduction if not the elimination of corruption.

Bringing the attention back to Kosova, the community activist Harry Bajraktari provided more context to the issue of recognition by the Holy See. He stated that the Serbian Orthodox Church continues to undermine the country alongside the Serbian government supported by their historic allies. In Albania, the Orthodox Church under the influence of the Greek clergy plays a divisive role. Although Albanians are in a great place presently, the undermining efforts coming from various directions are intensifying. While commending the leadership of the Church, he noted that resolving the issue of recognition will help diffuse the rising tensions calling upon the Pope to move this matter forward.

Cezar Ndreu, Executive Council Member of Vatra, brought up to the Archbishop Brown a rare find: photocopied pages from a Benziger publication titled Our Lady of Good Counsel in Genazzano: A History of that Ancient Sanctuary and of the Wonderful Apparition and Miraculous Translation in 1467 of Our Lady’s Sacred Image, from Scutari to Genazzano

 While looking at the pages carefully, the Vatican envoy commented with excitement about the history of the church. The selection from the 1888 publication was donated to the papal nuncio along with the November and December 2018 issues of the newspaper Dielli.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Rafaela Prifti, RECOGNITION OF KOSOVA, THE APOSTOLIC NUNCIO OF ALBANIA, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT