• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2019

PROMOVIM LIBRI NË U.SH. TË TETOVËS

March 19, 2019 by dgreca

-KRONIKE E VONUAR-
“Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm”

  • OLYMPUS DIGITAL CAMERA
  • OLYMPUS DIGITAL CAMERA
  • OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Nga Muhamet Memeti/

Në një nga sallat e leksioneve të Universitetit Shtetëror të Tetovës, dega Gjuhë Letërsi Shqipe organizoi me nismën e Prof. Dr. Salajdin Saliut më 3 dhjetor 2018 promovimin e librit “Një letërsi kombëtare, një atdhe i vetëm” KUMI Tiranë 2018, 460 fq. të Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika i cili jeton në SHBA që nga viti 1996. Morën pjesë studentë dhe pedagogë të letërsisë shqiptare, angleze e franceze si Prof. Ejup Ajdini, Salajdin Memeti,Fatmire Isaku,Fatmir Sulejmani,Arlind Farizi,Suzana Ejupi,etj…
Takimin e hapi zonjusha Adelina Xhaferi, studente e degës Gjuhë Letërsi viti i tretë, e cila prezantoi autorin dhe librin e tij dhe e falenderoi që ai zgjodhi U.Sh. të Tetovës për ta promovuar librin e tij të ri. Më tej ajo ia dha fjalën Prof. Ejup Ajdinit.
Prof. Ajdini në fjalën e tij parashtroi arritjet e studiuesit Thanas L. Gjika, ndihmesën e tij në fushën e studimeve shqiptare me botimin e dhjetra artikujve studimorë dhe të shtatë veprave. Midis tjerash ai përmendi monografitë “Mihal Grameno jeta dhe vepra” DDS Durrës, 2012, 506 fq. që është studimi i parë i plotë mbi jetën e veprën e këtij atdhetari të shquar të pushkës e penës dhe krijuesi të talentuar të gazetarisë, dramaturgjisë, novelistikës e poezisë së Rilindjes sonë e pas saj. Po ashtu ai përmendi biografinë “Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut”, OMSCA-1 Tiranë, 507 fq. dhe dy përmbledhje me studime, artikuj, portrete e kujtime: “Evoluimi ynë kërkon njohjen dhe dënimin e fajit” DDS Durrës 2011, 308 fq. dhe “Mosdënimi i krimit është krim i ri” OMSCA-1 2016, 450 fq.

Prof. Dr. Ajdini u ndal te libri i ri për të cilin u organizua takimi. Ai vlerësoi parathënien që hap librin të hartuar prej Prof. Dr. Sadri Fetiut, ish-drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Studiuesi Fetiu nuk mundi të vinte në këtë promovim sepse ndodhej për vizitë të gjatë në Gjermani pranë vajzës.
Folësi e quajti studiuesin Gjika, një studiues të shquar në fushën e historisë së letërsisë dhe të kritkës letrare, ashtu si e ka quajtur dhe Prof. Fetiu. Ai vuri në dukje se shkrimet e zotit Gjika bien në sy krahas cilësisë dhe për shqetësimet e tij atdhetare mbarëkombëtare dhe për rrugën e zgjidhjes së problemit shqiptar përmes europianizimit të mendësisë sonë dhe të zhvillimit të letërsisë, kulturës, artit shqiptar si një i vetëm pavarësisht se ku zhvillohet: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni a diasporë. Ai e përgëzoi autorin e librit dhe iu lut që të vijë përsëri në auditorët e USH të Tetovës me vepra të reja.
Më tej e mori fjalën Prof. Dr. Salajdin Memeti, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Prishtina ku jeton prej shumë vjetësh me familjen e tij edhe pse ka lindur dhe është rritur në Tearce të Tetovës dhe pati punuar disa vjet si pedagog i letërsisë shqiptare për fëmijë në U.Sh. të Tetovës.
Prof. Salajdin Memeti, pasi vuri në dukje akribinë shkencore të studimeve të Prof. Gjikës që ndjehet si në këtë libër dhe në libra të tjerë të tij, u ndal dhe në disa aspekte të jetës e të karakterit të këtij studiuesi. Duke shfrytëzuar kujtimet e tij nga njohja me Thanas Gjikën që në vitin 1979, kur z. Memeti kishte shkuar me një grup studiuesish nga Kosova për kërkime arkivale e bibliografike në Tiranë pranë Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë së Akademisë së Shkencave. Thanasi, atëhere punonjës shkencor i atij instituti, e pati shoqëruar grupin e studiuesve të vajtur prej Kosovës dhe ishte miqësuar me Salajdinin, Abdyl Kadollin, Abdulla Zymberi, etj. Kjo miqësi vijoi dhe mbas vitit 1992 kur u ndërrua sistemi në Shqipëri dhe u hapën kufijtë.

Prof. Salajdini theksoi se atdhetarizmi dhe ndershmëria kanë qenë e kanë mbetur tipara dalluese të studiuesit Gjika, gjë që bie në sy edhe në shkrimet e mbledhura në këtë libër të ri, të ndarë sipas përmbajtjes dhe formës në artikuj, ese, portrete, kujtime, diskutime, letra, etj. Me të gjithë shkrimet, vuri në dukje folësi, autori përpiqet në rrugë të ndryshme, të ndihmojë lexuesin për të evoluar drejt njohjes së të vërtetës së djeshme e të sotme, për krijimin e një shoqërie tolerante që debaton me argumente dhe që pranon kritikat. Ai ka mundur të nxjerrë në pah vlerat më të mira të analistëve si Avokat Spartak Ngjela, gazetarëve të radios Zëri i Amerikës Astrit Lulushi e Frank Shkreli; të vleresojë qendresën dhe kontributin shkencor të studiuesve shkodranë që punuan gjatë viteve të diktaturës në institutet e Akademisë së Shkencave, urtësinë dhe karakterin shumë punëtor të gjuhëtarit Kolec Topalli, të albanologut Robert Elsie, të regjisorit Dhimitër Anagnosti, vlerat e shumta të shqipërimit me sfond enciklopedik të veprave homerike prej Ilia Ballaurit, arritjet e studiuesve të jetës e veprës së Faik Konicës si Fotaq Andrea, Jup Kastrati, Ilir Ikonomi, Agron Alibali, etj. Gjika ka vlerësuar dhe bemat e veprimtarëve të përndjekur si Myrteza Bajraktari nga Gostivari, Shpëtim Pollozhani nga Struga e Lazër Radi nga Prizreni, etj.
Duke qenë se studiuesi Gjika jeton e punon në qytetin Worcester MA të SHBA-ve, ai është përpjekur të sjellë dhe disa vlera të një vargu biznesmenësh e veprimtarësh që jetojnë në SHBA. Jeta dhe vepra e tyre është per t’u marrë shembull prej mërgimtarëve shqiptarë kudo ku ata jetojnë, por edhe prej shqiptarëve që jetojnë në Ballkanin Perëndimor, të cilët duhet t’i futen seriozisht punës dhe jo të synojnë emigracionin.
Me interes të veçantë, tha Prof. Memeti, më duken dhe mendimet e Prof. Gjikës lidhur me nevojën e evoluimit të mendësisë së artistëve, shkrimtarëve dhe studiuesve të cilët gjatë regjimit diktatorial i shërbyen politikës dhe ideologjisë së partisë shtet. Shumë pak prej tyre shfaqën papajtueshmëri dhe ranë nëpër burgje e kampe internimi. Shumica e krijuesve dhe studiuesve të asaj kohe duhet të pranojnë sot se nuk ishin aspak qytetarë të moralshëm dhe nuk duhet të përpiqen sot për ta paraqitur veten si të përndjekur dhe kundërshtarë të regjimit diktatorial…
Për shkak se disa kopje të librit të Prof. Gjikës u dërguan vetëm një javë para promovimit, studentët nuk patën mundësi që të lexonin shkrimet e librit, prandaj nuk pati diskutantë studentë.

Në fund foli dhe autori i librit, Prof. Thanas L. Gjika i cili theksoi se ndjehej i privilegjuar që ndodhej midis kolegëve dhe studentëve të U.Sh.Tetovë.
“Kam qenë disa herë në Tetovë në vitet 1994 e 1995, tha z. Gjika, dhe vërej se ka ndryshim të madh midis vajzave e djemve shqiptarë të Tetovës që pashë në ato vite dhe ju që po ju shoh sot. Atëhere, më vjen keq ta them, por sidomos vajzat kishin një paraqitje që dalloheshin mjaft prej vajzave maqedone. Ato ishin të veshura pa shumë kujdes, mbanin shami në kokë, kurse djemtë shkonin në klube plot tym ku kishte vetëm meshkuj. Aty ata pinin kafe, pije alkolike e duhan si në mejhanet e dikurshme të kohës së pushtimit asman. Sot ju studente dhe ju studentë të Tetovës nuk keni asnjë dallim nga vajzat e djemtë maqedonas e as nga vajzat e djemtë studentë të universiteteve të Tiranës, Prishtinës, Shkodrës, Korçës e qyteteve të tjerë të botës më të përparuar shqiptare. Edhe te klubi këtu karshi univeristetit pashë djem e vajza të veshur me gusto, që bisedonin e qiraseshin pa drojtje si në mbarë botën perëndimore. Për këtë ju përgëzoj sepse pikërisht ju do t’i jepni shoqërisë mbarëkombëtare shqiptare pamje të njëjtë dhe nivel të njëjtë kulturor e profesional. Kështu, duke krijuar një kulturë e letërsi kombëtare në një gjuhë të përbashkët letrare do të shkojmë drejt Europës së Bashkuar, si një popull i qytetëruar.

Bashkë me falenderimet, ju premtoj, e mbylli fjalën e tij Prof. Gjika, se do të vij përsëri në Tetovën e bukur e mikpritëse, madje me gjithë bashkëshorten dhe vajzën, poetet Julia dhe Ani Gjika, të cilat po punojnë për të hartuar e botuar libra të tyre të rinj.”
Në mbyllje mysafiri dhuroi me dedikim disa kopje të librit të tij për bibliotekën e U.SH. Tetovë, bibliotekën e qytetit, për disa kolegë dhe studentë, si dhe disa kopje per kolegët e Prishtines qe i mori per t’i shpene Prof. Dr. Salajdin Memeti.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Thanas Gjika

MOS E KEQKUPTO DEMOKRACIONË, Z. MILLOSEVIQ

March 19, 2019 by dgreca

Me rastin e 20-vjetorit të sulmit të Nato-s kundër Serbisë

Nga Frank Shkreli

              24 Marsi i këtij viti shënon 20-vjetorin e fillimit të sulmit ajror të Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s kundër objektivave ushtarake të Serbisë. Ishte angazhimi i parë ç’prej themelimit të Aleancës më të fortë ushtarake që ka njohur ndonjëherë historia, me qëllim për të ndaluar krimet e Serbisë, dhunën dhe spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e veta autoktone mijëra vjeçare, në Kosovë.

 “Ka ardhur koha për veprim”, kishte deklaruar Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s Javier Solana, duke njoftuara fillimi e sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë. Ndërkohë që disa minuta pasi kishin filluar bombardimet kundër objektivave ushtarake serbe, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton u shpreh para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se, “Ne dhe aleatët tanë në NATO ndërmorëm këtë sulm pas përpjekjeve intensive dhe të vazhdueshme për të arritur një zgjidhje paqësore të krizës në Kosovë.” Presidenti Bill Klinton tha me atë rast se sulmet ushtarake të cilat sa po kishin filluar, kishin për qëllim realizimin e tri objektivave: për të demonstruar vendosmërinë e NATO-s, për të ndaluar Beogradin që të ndërmerrte ofensiva të tjera ushtarake kundër Kosovë dhe për të degraduar aftësitë ushtarake të ushtrisë jugosllave për të ndërmarrë ofensiva të tjera në të ardhmen.

Përveç pozicioneve ushtarake serbe, sulmet ajrore të forcave të NATO-s kishin si objektiva bombardimin e  ndërtesave qeveritare të Serbisë si dhe infrastrukturën e vendit, në përpjekje për të destabilizuar regjimin e Millosheviqit.

Në përpjekje për të siguruar mbështetjen e Kongresit dhe të popullit amerikan për sulmet kundër Serbisë, Presidenti Klinton e mpronte politikën e tij ndaj Kosovës nga pikëpamja humanitare për shpëtimin e një kombi të vuajtur po se po, por edhe nga pikëpamja gjeostrategjike e Shteteve të Bashkuara. “Ju duhet të vendosni, bashkatdhetarë  të mi amerikanë, nëse jeni ose jo dakord me mua, se në shekullin 21, Amerika si superfuqia e  botës duhet të jetë kundër spastrimit etnik, nëse i kemi mjetet për të bërë një gjë të tillë dhe nëse kemi aleatë që do na ndihmojmë për të bërë një gjë të  tillë në rajonin e tyre. Unë u kërkoj që të bisedoni me fqinjët dhe me miqtë tuaj në lidhje me ketë çështje”. 

Duke iu drejtuar atyre amerikanëve të cilët ndoshta nuk dinin as se ku gjëndej Kosova, Presienti Klinton u bënte thirrje që të shikonin hartën e Evropës dhe të dëgjonin lajmet se ç’po ndodhte në Kosovë. “Mendoni për argumentet e mia dhe merrni në konsideratë nëse jeni dakord me mua ose jo dhe njëkohësisht thoni një uratë për të rinjtë dhe të rejat tona në uniformë, të cilët  do të shkojnë atje për të bërë atë unë që unë i urdhëroj ata të bëjnë si Krye- komandanti i tyre”.

Presidenti Klinton dhe administrata e tij ishin   të vendosur për të ndaluar makinerinë e luftës së Milloseviqit. Klintoni ishte shprehur se, “Nëqoftse Presdienti Millosheviq nuk është i gatëshëm të bëjë paqe, atëherë ne do ia kufizojmë mundësitë që të bëjë luftë.”  Ndërsa zëdhënsi i Pentagonit në atë kohë, Keneth Bacon kishte deklaruar se, “Ne kemi një objektiv ushtarak dhe i cili është që të bëjmë më të mirën që mundemi për të ndaluar sulmet e Serbisë kundër Shqiptarëve të Kosovës, duke shkatërruar infrastrukturën ushtrake serbe. “Planet tona”, shtoi ai, “janë për një fushatë sulmesh ajrore të shpejta dhe të shkatërruese”.

Presidenti Klinton kishte ndërmarrë një fushatë pothuaj demokratike për të bindur popullin dhe Kongresin amerikan se sulmet kundër Serbisë ishin mënyra e vetme për të shpëtuar një popull, e vetmja rrugë për të sjellë paqë në Ballkan dhe në Evropë.  Megjithse kishte edhe kundërshtime ndaj një mase të tillë në qarqe të ndryshme edhe vetë Partia Republikane që ishte në opozitë kishte paralajmëruar Millosheviqin që të mos inkurajohej nga debatet demokratike në Amerikë — në Kongres dhe në media — pro dhe kundër sulmeve amerikane ndaj Serbisë, se debatet nuk ishin shenjë e ligështisë së politikës amerikane, por e arritjes së një vendimi me consensus.

Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve në atë kohë,  republikani Dick Armey nga shteti Texas pat deklaruar, pas një takimi mbi gjendjen në Kosovë me Presidentin Klinton në Shtëpinë e Bardhë, se, “Një prej çështjeve për të cilat të gjithë, pa dallim, jemi dakord, është se ne mund të debatojmë me njëri tjetrin se cila është politika më e mirë dhe rruga që duhet ndjekur në interesin kombëtar, por u pajtuam se do të mbështesim vendosmërisht forcat tona ushtarake që do të marrin pjesë në fushë-betejën e atjeshme”, duke paralajmëruar udhëheqsin serb: “Mos e keqkupto demokracinë, Z. Millosheviq!” dhe vendosmërinë amerikane për të vepruar kundër së keqës, pa marrë parasyshë dallimet ose interesat politike të palëve, sidomos për çështjet madhore, përfshirë ato morale, në fushën e politikës së jashtme dhe atë ushtarake.

Sulmet e NATO-s kundër Serbisë vazhduan për 79 ditë rresht. Me 10 qershor, 1999, operacionet ushtarake ajrore të NATO-s morën fund, kur Serbia nënshkroi një marrëveshje paqeje, në bazë të cilës forcat serbe u tërhoqën   nga Kosova dhe u zevendësuan nga forcat paqëruajtëse të NATO-s.

Me marrjen fund të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë dhe kapitullimit të saj, Preasidenti Bill Klinton mbajti një fjalim drejtuar Kombit Amerikan: Sonte mund të njotoj popullin Amerikan se, “Kemi realizuar fitoren për një botë më të sigurt, një fitore për vlerat demokratike dhe një fitore për një Amerikë më të fortë… agresioni kundër një populli të pafajshëm është ndaluar.”  Duke iu drejtuar drejt për drejt popullit serb, Z. Klinton, u shpreh se, “Ju kini pësuar 79 ditë bombardime, jo për të mbajtur Kosovën si pjesë të Serbisë, por thjesht sepse Z. Millosheviq kishte vendosur që të zhdukte nga faqja e dheut shqiptarët e Kosovës — të vdekur a po të gjallë.”

 “Kjo fitore”, vazhdoi Presidenti Klinton, “sjellë një shpresë të re se kur një popull veçohet për shkatërrim, për arsye të trashëgimisë së tij kombëtare, ose besimit fetar dhe kur ne kemi mundësi të bëjmë diçka për të ndaluar një gjë të tillë, bota nuk do të lejojë një gjë të tillë.”  Pasi falënderoi popullin amerikan  dhe forcat e armatosura amerikane për mbështetjen për këtë ndërmarrje ushtarake, Presidenti Klinton 20-vjet më parë u shpreh se pas fitores ushtarake në Kosovë kundër Serbisë, na pret beteja për fitoren e paqës për shqiptarët dhe për popujt e tjerë të Ballkanit, për të ndërtuar një të ardhme në liri, përparim dhe harmoni për të gjithë.

Presidenti Klinton përfundoi fjalimin e tij drejtuar popullit amerikan duke thënë se, “Amerika përballet me sfida të mëdha të kësaj bote, por njëkohsisht jemi të gatëshëm të përballemi me to. Kështuqë sonte u kërkoj të jeni krenarë për vendin tuaj dhe shumë krenarë për forcat tona të armatosura, sepse në Kosovë ne bëmë atë që duhej të bënim dhe ne e bëmë këtë ashtu siç duhej.”

Në luftën kundër Serbisë, për çlirimin e Kosovës, Shtetet e Bashkuara, pas debateve të shumta demokratike së bashku me Aleancën e NATO-s, kishin përcaktuar qartë qëllimet dhe objektivat që duhej të realizoheshin me sulmet ajrore kundër Beogradit, me qëllim çlirimin e një populli nga zgjedha e një shteti kriminal.  Por në këtë 20-vjetor të fillimit të sulmeve të NATO-s, lind pyetja nëse klasa aktuale politike shqiptare — si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri — ka vendosur ende se si të veprojë në paqe dhe në demokraci, për realizimin e objektivave dhe interesave kombëtare afatgjata dhe afatshkurtëra  të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.  Le të shërbejë 20-vjetori i fillimit të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë si një rast për një reflektim serioz nga mbarë Kombi Shqiptar dhe sidomos nga klasa aktuale politike: nëse 20-vjet më vonë shqiptarët në përgjithësi dhe Kosova në veçanti, janë gati të përballen me sfidat e mëdha, anë e mbanë trojeve të veta, në rrugën historike drejtë një shoqërie me të vërtetë të liri, në paqë e demokraci në vendin e vet. Sot, pas aq shumë vuajtjesh, gjatë shekullit të kaluar, shqiptarët nuk presin asgjë më shumë as më pak se kaq, nga udhëheqsit e tyre. Fati i shqiptarëve sot është në duar të vet shqiptarëve!   Nëse shqiptarët janë të aftë të menaxhojnë fatin e vet, kjo është një pyetje tjetër.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank shkreli

Amerikanët frymëzohen nga jeta dhe vepra e Nënë Terezës (Shën Tereza e Kalkutës)

March 19, 2019 by dgreca

“Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit” – Shën NënëTereza

Nga Klajd Kapinova

BRONX, New York. Amerikanët e vlerësojnë shumë gonxhen e shqiptarëve dhe shën Nënë Terezën e botës. Ajo ishte Qytetare Nderi e SHBA, titull i dhënë shumë vite më parë nga Presidenti republikan Roland Regan, i cili e adhuronte shumë për punën e saj fisinike në shërbim të të varfërve amerikanë dhe botës. Ajo vetëm në New York ka disa shtëpi dhe më së shumti në Bronx dhe Brooklyn…

Duke shëtitur në disa kisha katolike në Bronx, New York dhe shtete të tjera të SHBA-së, kam parë shumë piktura murale me tematikë shqiptaren e madhe të përmasave botërore, të cilat i kam fiksuar me aparat dhe ndoshta ka ardhur koha t’i bëj publike, për bashkëatdhetarët tanë në vendlindje, lexuesit dhe biografët e shën Nënë Terezës, të cilat po i ofroj të shoqëruar me shkrimin e mëposhtëm.

Ajo ishte dhe mbeti e Shenjt

Tek figura e saj humane evidentohet si element plot vlerë unisimi mes filozofisë së saj humane, përkushtimit shpirtëror, duke dhuruar kompleksin e ndjejave që quhet mirësi njerëzore si veprim, ku, karakterizohet gjithçka si përkushtim, ndjenjë dhe mesazh filozofik, shoqëror e rezatues.

Kjo strukturë vlerash, projekton Atë, jo si moralizuese, por si objekt human, që mishëron diçka më shumë. Ajo, krijoi një filozofi sociale, me një kurs tokësor, me qëllim; kujdesin tokësor dhe jo pranimin e vuajtjes në emër të shpëtimit të shpirtit me një botë tjetër.

I shtrenjtë është ai njeri, i thirrur nga Zoti, në gjithçka që bënte derisa Zoti e mori në krahët mikpritës të Tij.

Butësia, buzëqeshja, identifikohen me devocion ndaj asaj shtrese më të varfër midis më të varfërve, më të përbuzur, mdis të përbuzurve, më të uritur midis të uriturve, njerëzve të braktisur si mbeturina të mbeturinave.

Ajo, u shtriu dorën e përjetshme të mirësisë. I mori në krahët e saj të ngrohtë, duke u thënë mos u merzisni, unë do t’ju mbaj me ngrohtësinë prindërore. Buzëqeshje, lumturi shpirtërore dhe ngrohtësi shoqërore u fali me gëzim përherë Nënë Tereza.

Si një mesazhere humane biblike, shenjtore e gjallë dhe e prekshme, Ajo sillte e përhapte atë gonxhe jete të mrekullueshme si vetë emri i saj, atë dashuri njerëzore kaq të zbehur gjatë shekullit XX, kur përbuzja, mjerimi, lufta e pakuptimta, kërcenin valle si në shtëpinë e tyre.

Një ushtri e vërtetë dashurie

Thjeshtësia, ishte bashkëudhëtare në jetën në shërbim të të varfërve, të sëmurëve me lëbrozë, antikapatëve, jetimëve, të moshuarëve, që padrejtësisht ishin braktisur nga aparaardhësit e tyre, fakirëve të Indisë, me të cilët gjithë jetën ndau vuajtjet e kësaj bote.

E donte thjeshtësinë, sepse njerëzit me të cilët punonte u dhuronte mirësinë me përkushtimin mbinjerëzor, duke ua dhënë me ëmbëlsi aq të dashurën fjalë të nënës – Dashurinë.

Ajo është lart në Qiellin e pavdeksisë së përjetshme, në atë banesë që e ëndrronte drejt lumturisë së pasosur në paqe. Ajo është ulur në tryezën e shenjtorëve të historisë së krishtërimit dhe po kuvendon për jetën tokësore me të cilën ajo u shkëput me dëshirë.

Në sintezë është mirë të thuhet

Është e vërtetë se shqiptarët ndër shekuj, janë ndeshur me të keqen dhe kanë dhuruar vazhdimisht mirësinë.

Për më tepër, ndër shekuj, besa, mikpritja, qëndresa, fjala, etj., si institucione të traditës popullore, mbetën kode morale, juridike, etike, kushtetuese, etj., të cilat, së bashku shpalosin veoritë e genit shqiptar, atë kumt e formulë magjike shekullore, që humbet në mugëtirat e lindjes së njerëzimit, të transmetuar nga brezi në brez, nga vitet në shekuj.

Edhe fjala, si varg konstitucional, ka me vete esencën e mëshirës, e cila në ballafaqim mendor të shqiptarit shprehet me një semantikë të veçantë, duke pohuar njëherazi bujarinë, dhurimin, dhënien e vetës, flijimin për të tjerë.

Purifikimi i shpirtit njërzor dhe mbushja e vullnetit të tij me dashurinë dhe përkushtimin për të bërë vetëm mirë, e për t’ju ndodhur pranë atij që vuan, se i kërcenohet vdekja, i është gjymtuar trupi, e turturon sëmundja, i mungon dashuria njerëzore, e tmerron braktisja e shoqërisë apo e shpërbën vetmia torturuese, janë abetare të virtytit terezian, të cilat mishëruan njerëzoren e pamëkatuar dhe bënë që hierarkia e lartë shtetërore të përkulej e të bënte apel përballë trupit të saj pa jetë, duke kërkuar një kod të ri moral.

E kësisoj, ky dhurim, kjo fjalë, ky flijim për gjakun shqiptar ka përmasa që kalon kufijtë e lindjes, duke pushtuar hapësira e vizione të reja përjetimi.

Dhe Shqipëria e vogël gjeografikisht, a nuk i dhuroi njerëzimit figura të mëdha krenarie, qofshin këto perendorë të tillë, si Konstandini i Madh me origjinë ilire, që në vitin 313 pas Krishtit, nxori Dekretin e Milanos, tek sanksionoi krishtërimin si fe zyrtare?

A nuk u përpoqën të parët e krishterë ilirë, tek të cilët kemi edhe martirët e parë të krishtërimit, si: shën Lauri, shën Flori, shën Asti (emrat e të cilëve përmenden në librin e njohur “Martyriologun romanum”, të cilët në kohën e perendorit Adrian në Ulpianë të Dardanisë, dy gurëgdhendësit (të parët shën Lauri e shën Flori) i mbysin në pus, për të mohuar fenë e Krishtit?

A nuk janë ndjekësit më të mëdhenj, në kohën, kur kisha po legalizohej si institucion shpirtëror, perandorët e gjakut ilir, në mënyrë sistematike përmes Decit, Aurelianit, Dioklecianit, bëjnë që të derdhet gjaku i fatosave të krishterë kudo?

Sa kontrast i madh!

Mirëpo kjo trevë e begatë dhe konkretisht nga Salona (Vlora), në vitin 183 mbas Krishtit, dhuron edhe një papë me emrin Gain, të pa zbardhur deri tani nga historiografët kishtar shqiptar.

E gjithsesi, bota e krishtërë dhe kisha në veanti, gjatë kësaj periudhe ballafaqohet edhe me herezi të shumta që të parë në prizmin njerëzor, kanë mundur të jenë edhe fatale. “Mirëpo, këtu shihet Provania Hyjnore dhe elementi Hyjnor i Kishës.”, -sintetizon studiuesi i shquar akademik prof.dr. Zef Mirdita, pedagor i historisë antike në Universitetin e Zagrebit.

Por historia është e lavdishme, sepse të tillë e bëjnë njerëzit në Tokë, duke kulmuar më tej me një nga prelatët më të mëdhenj të krishtërimit papa Klementi XI (Gjon Albani), i lindur nga prindërit me origjinë të trungut të mirëfiltë shqiptar në Urbino, duke qenë kësisoj i 250-i papë në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Ai, ishte përkrah papëve të famshëm, si: Gjoni XII, Gregori VII, Piu V, që kishin sukses në organizimin kishtar, etj.

Por të mos harrojmë se lutja e famshme dhe e mbarë krishtërimit “Te Deum”, është shkruar dhe kompozuar nga një peshkop shqiptar. Po shën Jeronimi ilir (340-420), që përktheu Shkrimin e Shenjtë (Bibla) në latinisht?

Kësaj radhe, Zoti me fisnkëri për Shqipërinë dhuroi plot bujari një Nënë të Madhe, që shquhej për nga forca shpirtërore deri në kufijtë e shenjtërisë.

Dhe kjo ishte Nënë Tereza e Kalkutës, e lindur në dekadën e parë të shekullit XX. Sa dorëlëshuar jemi treguar ne shqiptarët, sa shumë kemi dhuruar si komb deri aty, sa i falem njerëzimit Nënë Terezën!

Ajo u bë e famshme sa trimëria dhe vendosmëria e Heroit Kombëtar Gjergj Gjon Kastriotit legjendar, që si Atlet i Krishtërimit, u bë mburoja e civilizimit evropian, ndërsa Nënë Tereza e Kalkutës së mjerë, u bë mburojë dhe histori e gjallë feje, përkushtimi, duke ndryshuar fytyrën e botës së mjeruar.

Nëna, jetoi në varfëri, me të varfërit midis më të varfërve, duke përjetuar tërësisht filozofinë e Krishtit. A nuk u shndërrua ajo si e tillë se qe shqiptare?

Të gjitha këto janë pyetje me përgjigje shembullore të popullit shqiptar. Një Nënë prej gjak shqiptari, që do të lindte trupvogël e imët dhe shëndetlig, do të vinte një ditë që të shpërthente si një trëndafil i mrekullueshëm, të kthehej në trëndafil të dashurisë, duke u dhuruar skamnorëve dashuri të përjetshme.

Gonxhja tronditi botën, duke i apeluar, se kjo substancë e shformuar është pjesë dhe produkt i shoqërisë së sotme, që kontraston me qytetërimin.

Në fund të shekullit XX, Ajo rizgjon imazhin e Jezusit të Nazaretit dhe aksioni i saj human mori sendertim real, duke shpalosur tipare krejt unikale.

Ku ta dinte babai i Nënë Terezës, ky tregtar i thjeshtë shqiptar, se para thjeshtësisë së bijës së Tij, do të përuleshin me respekt të thellë mbretër, presidentë, prelatë të kishës dhe të gjithë besimeve fetare në botë!

Në historinë e botës plot vuajtje të ndryshme, si i lajmëruar prej një fuqie Hyjnore, ai vuri emrin e thjeshtë, por kuptimplotë gonxhe dhe gonxhja, si një syth trëndafili, nuk mund të rrijë plotësisht e tillë.

Ajo kërkonte me ngulm dritën dhe dashurinë. Ajo është një dhuratë e Zotit për t’i shërbyer me përvujtëri vetëm Atij. Me jetën dhe veprën e Saj, na tregoi, se do gjë është e mundur me Zotin. “Mbani qetësinë e zemrave, meditoni, sepse atje do të takojmë Krishtin, sepse edhe ne mund të ecim të takojmë Zotin tonë”- i porosistë bashkëudhëtaret e “Misionit të Dashurisë” kryemurgesha Nënë Tereza. Jeta pa vepra është e kotë, se veprat pa lutje janë të papërkryera.

Ajo nuk është e shkëputur nga universi shqiptare

Mbretëresha e humanizmit, e pëllumbit të paqes tokësore, nuk kishte se si të mos ishte shqiptare. Ajo është pjesë e hershme e genit shqiptar.

Rastësia nuk e solli atë që të lindte në këto troje me tradita të pastra, në këto treva ilire të lashta, aty, ku, kanë zanafillën e tyre kozmike erërat që sollën agimin e lindjes së qytetërimeve më të lashta se sa vetë historia e kontinentit të plakur të Evropës; aty ku ngjizi miti dhe legjenda, kënga e vaji, ninulla e fosnjes mitologjike, aty ku morën udhë shtrati i besimeve dhe drita e dijeve, filozofia e jetës dhe e vdekjes.

Gonxhja erdhi në jetë, në fillim të shekullit tonë, kur ende nuk kishte shtet shqiptar politikisht të krijuar dhe u largua nga kjo botë e zhurmshme në fund të shekullit, duke i mbyllur sytë në një vend të largët nga Atdheu, por shumë të dashur prej saj, atje, ku në saj të veprës që ajo realizoi, shnderrimin e madh të vetes dhe të moralit njerëzor në përmasa të tilla tronditëse, si rrallëkush tjetër.

Në tryezën e shenjtorëve të Romës do të ftohet të kuvendojë në paqe, mirësi dhe dashuri Hyjnore edhe Nëna e të gjithë Nënave.

Ndoshta, edhe një Nënë që po shëron plagët e nipave dhe mbesave të atyre shenjtorëve, që përfaqësojnë për nga origjina shtetet ku ato kanë lindur.

Tashmë Nëna në Shqipëri, është një institucion me vlera dashurie ndaj të gjithë atyre, që kërkojnë të triumfojnë mbi kulturën e vdekjes, për t’i dhënë dritë e shpresë kulturës së jetës.

Në rrugëtimin e Saj, mbështjellë me një frymë universale, krijoi mitin e shenjtit, të profetit të luftës kundër mjerimit, të engjëllit mbrojtës, që komunikoi me botën hyjnore, të shpresës dhe të guximit për një jetë më të lumtur.

Pamteoni i njerëzve të shquar, që me veprën e tyre të shumanshme kanë manifestuar virtyte të larta njerëzore dhe forcën inspiruese për bashkësinë sociale me mungesën tokësore të Nënë Terezës, pësoi një zbrazje të thellë e të gjërë.

Kur individë të tillë unikal lënë pas një filozofi, një moral dhe një përkushtim nga dishepujt, Ata (në këtë rast) Ajo, njëherësh gjenden në majë të panteoneve të vlerave universale të njerëzimit, duke rrëzuar njëherësh pseudovlerat.

Ajo me shpirtin e paqes ka bërë mrekulli. E shpirti i mrekullueshëm qe Nënë Tereza. Dhe shpirti e njohu, jetoi me Nënë Terezën, që ishte një njeri i tillë. “Çdo njeri ka lindur shenjt, por duhet të dëshiroj dhe t’a dëshmoj”- ka përkufizuar Nënë Tereza.

Gonxhja,. besonte shumë në familje si një bërthamë solide, që duhet ruajtur nga tjetërsimi i demtuesve mëkatorë.

Familja shtonte Ajo, aty lind, krijohet dhe vazhdon t’i jepet shoqërisë, kur shpesh takohej me të rinjtë shqiptarë.

Nënë, kam etje, dua të ha, të pi, kam ftohtë…

Nënë, kam etje, nënë dua të ha, nënë dua të pi, nënë kam ftohtë, nënë jam sëmurë, nënë o NENE, i thërret fëmija, i riu, i braktisuri, plaku që rënkon nga plagët e gërbulës, në çastet e hidhërimit e të gëzimit.

Mirëpo binomi Njeri-Nënë, që kërkon ndihmë, është një nyje e pazgjidhshme në çastet e hidhërimit të madh, në vuajtje e dhimbje.

Për njerëzimin dje dhe sot nëna është një titull, një ofiq, një gradë, një mision e mbi të gjitha një mesazh jete, buzëqeshjeje, gëzimi e hareje.

Në çdo gjuhë të botës, ajo është fjalë e parë dhe më e dashur që kanë mësuar të gjithë njerëzit në këtë planet, por në shenjë dhembshurie e dashurie të pakufi, ajo ka kuptimin e oksigjenit për çdo qënie njerëzore.

Ajo, me shpirtbutësinë bujare, përmes duarve të rreshkura që kanë pritur e përcjellë për shumë dekada miliona fëmijë në buzë të vdekjes së sigurtë.

Vdekjen e të sëmurëve e ka larguar, duke mëkuar dashuri njerëzore, për ditë të tëra në krye të të lënduarve, ka lidhur miliona plagë, sikurse u ka mbyllur sytë pranë një vdekje të qetë natyrale tek i përkdhelte me uratë në dorë.

Ajo ka ofruar jetën e ka larguar vdekjen e etur për flirte mjeranësh, në çdo kënd të globit; ka dhënë frymë, duke ngrohur trupat e ngrirë në borë pa përkujdesje.

Në shtegtimin e saj të gjatë, si ikonë e gjallë që adhurohet me dashuri nga të gjithë, është ledhatuar, ndjerë nga miliona njerëz, duke ndezur qiriun e dritës së përjtshme.

Njerëzimit iu dorëzua e gjallë, duke dhuruar trupin, zemrën, mendjen, fjalën, frymën, jetën e saj dhe gjeneroi me forcë dashurinë, këtë gonxhe të mrekullueshme të fshehur thellë në skutat e shpirtrave njerëzorë.

Postulatet e saj janë të thjeshta në formulim, por janë të thekuara si ide: “Nuk ka paqe pa dashuri”, “Nuk keni bërë pak nëse keni dhuruar buzëqeshje”, “Po, dashuria është e vërtetë dhe ju takon juve!”

Duke u endur e palodhur, Nëna e botës arriti ta gjejë, ta këputë këtë gonxhe dhe ua dëshmoi si shembull jetësie, se kjo është dashuria në Hyjin dhe njeriun, që Ai vëtë krijoi për të përballuar mirësitë e natyrës që përsëri vetë i dhuroi. Njerëzorja, autentike është institucioni më i lartë, më i pastër, më human dhe se institucionet e tjera, si: shteti, propoganda, ceremonitë, janë të vonshme, e jo të sinqerta përballë humanizmit dhe dashurisë.

Kur shihte bebe të vogla, vraponte që t’i përkthelte dhe i merrte në krahët e saj të ngrohtë, duke u dhuruar dashuri me një buzëqeshje fisnike.

Gonxhja – Nënë, kishte një optikë tjetër, kur vraponte nën moton, se dhimbja e tjetrit zbutesh kur kujdesesh për te, dhe kujdesi kryehet kur vetë jeton thjeshtë e bashkë me te.

Ajo shihte frikë nga vdekja ndaj edhe jetoi gjatë. Veshja e thjeshtë dhe këmbët e zbathura me sandale, asnjëherë nuk qenë garniturë moralizuese, por sfidë stoicizmi.

E komentonte gjithnjë fjalën “Kam etje” (“I’m thirsty), për dashurinë e njerëzve, ashtu sikurse e thotë Krishti në kryq.

Ajo bëri atë që bënte me dashuri, i jepte ujë të uriturit, veshte të zhveshurit, mëkonte me ngrohtësi prindërore më të braktisurit.

Dhe këtë rit e përsëriti për shumë dekada, duke sfiduar përherë moshën e vet, sëmundjet e njëpasnjëshme që e shoqëruan kudo, dhe mbi të gjitha kohën që jetojmë.

Nënë Tereza është poezia e jetës, poezia njerëzve të varfër.

Ajo u shpall shenjtneshë, por nëse altari shpirtëror, do të mbaj në koleksionin e tij si brilant emrin Shenjt, altari i vërtetë i prekshëm tokësor, human, bartë Nënë Terezën e vërtetë, e cila duket tashmë e shpërndarë si eter në veprën e misioneve të Saj, të cilat me stoicizmin e tyre janë plazmor si specie tereziane, aq të mirëpritura e të respektuara…

Nënë Tereza në Harlem, Bronx dhe Brooklyn, New York

Në dy qytetet e mëdha të New York City, Bronx me 2.2 milion banorë dhe Brooklyn me 2.4 milion banorë, ka disa shtëpi të motrave të Nënë Terezës, që shërbejnë edhe sot për të varfërit, të pastregët, të sëmurët, të braktisurit, jetimët etj. përkujdesi i motrave është i madh e i vazhdueshëm. Ajo ka udhëtuar disa herë nga New York në Romë dhe anasjelltas edhe pse shpesh nuk ishte mirë me shëndet, sikurse tregon mjeku i Nënë Terezës, Dr Patricia Aubanel. “Pra, ne e konsiderojmë këtë si një mrekulli”.

Ajo rrezikonte shëndetin e saj të dobët duke fluturuar nëpër botë për të vizituar njerëzit e varfër në Harlem, të cilët i donte shumë. Një herë Nënë Tereza po ecte me Princeshën Diana në rrugët e Bronx-it.

Kështu ajo hapi misionin e saj të parë në vitin 1970, në East 145 St. në jug të Bronx-it.

Në vitin 1997 Nënë Tereza qëndroi në Misionin e Bronx-it për disa javë dhe gjatë muajve maj – qershor të vitit 1997 ajo u takua për herë të fundit me Princeshë Diana. Muaj më vonë, bota po mbante zi të dy ikonat, të cilët vdiqën vetëm pesë ditë larg.

Misioni më vonë e zgjeroi shërbimet e tij në Harlem, ku drejton një strehë për gratë dhe Brooklyn, ku ka një shtëpi për nënat e pamartuara.

Në vitin 1985, urdhri i Nënë Terezës hapi një shtëpi në Greenëich pacientët me AIDS dhe të shtëpi tjetër për të pastrehët në Newark (New Jersey). “Në ato ditë nuk mund t’i tregoja askujt që po merrej me njerëzit me AIDS,” kujton Gene Principe, 85 vjeç, i cili ka qenë vullnetar me misionet e Nënë Terezës që nga viti 1983.

Principe kujtoi një vizitë që ajo bëri në Harlem disa vjet para se të vdiste. Ishte pas një stuhie të madhe dëbore, dhe pastruese e borës kishin ende shumë punë hapur rrugën në Ëest 127th Street.

“Dy djem të rrugës vrapuan në makinë,” tha Principe. “Ata e kapën dhe e shoqëruan atë. Ajo që më bëri përshtypje më shumë ishte se këta djem kishin kaq shumë dashuri dhe respekt për të…” (James Keivom, New York Daily News)

Në vitin 2010, me rastin e ditëlindjes së 100-të, mbështetësit kërkuan të nderonin ikonën e ndjerë me një shfaqje të dritës së Empire State Building, por zyrtarët ndërtesës gjigande nuk dhanë aprovimin e tyre, ndezi kritika të ashpra në mëdia. Refuzimi asokohe preku shumë komunitetin e madh katolik në SHBA dhe shtetin e New York-ut.

“Si një ndërtesë në pronësi private, ESB ka një politikë specifike kundër ndriçimit të figurave fetare ose kërkesave nga fetë dhe organizatat fetare”, tregon Anthony Malkin, CEO i ndërtesës dhe presidenti i saj.

Literatura:

1. Who was Mother Teresa? 5 Facts about Mother Teresa, acton.org‎

2. Mother Teresa of Calcutta, America Magazine Jesuit Revieë‎

3. Tony Marcano, May 28, 1997, Mother Teresa Has Quiet Day At Her Convent in the Bronx, May 28, 1997,

4. Leonard Greene, Harlem, the Bronx and Brooklyn held special places in Mother Teresa’s heart, New York Daily News March 9, 2016)

5. Chelsia Rose Marcius and Larry Mcshane, Bronx man who served as a driver for Mother Teresa during her visits to New York, NYDaily News, March 15, 2016.  

6. Amanda Marinaccio, Dedication set to honor Mother Teresa, Bronx Times, October 21, 2011.

7. Allerton Ave mural of Mother Teresa inspires neighbors, New York Bronx News

Filed Under: Politike Tagged With: Klajd Kapinova

KRISHTERIMI DHE ISLAMI – BEJLEGU I MIRËKUPTIMIT

March 19, 2019 by dgreca

Shkruar nga Bruno Forte  (Ipeshkëv i Chieti-Vasto, Itali)

E përktheu nga italishtja Eugjen Merlika         

            Pak më shumë se tridhjetë vjet më parë, Samuel P. Huntington, në librin “Ndeshja e qytetërimeve dhe rendi i ri botëror”, kishte përcaktuar fushën e betejës globale të shekullit XXI në kundërshtinë mes qytetërimeve, të njehsuara me botët e mëdha fetare, mbas konflikteve ndërmjet kombeve, tipike të shekullit XIX, dhe atyre ndërmjet ideologjive, që kanë shënuar shekullin e XX. Duket se i jep të drejtë politologut amerikan “lufta botërore me copa”, shpesh herë e paditur nga Papa Francesku, aq më tetër se në të besimet fetare kanë një përgjegjësi të rëndësishme. Ja sepse një mirëkuptim ndërmjet Krishterimit dhe Islamit, si ai i shprehur në Abu Dhabi, 4 shkurtin e kaluar në “Dokumentin mbi vëllazërimin njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën e përbashkët”, të nënëshkruar nga Ipeshkvi i Romës dhe nga Imami i Madh i Al – Azhar-it, Ahmed Muhamedal Tajib, përbën një shpresë dhe një premtim për të gjithë. Në Dokumentin do të donja të vinja në dukje disa parime frymëzuese, që e bëjnë, mes të tjerash, një frut shumë të lartë të Konçilit Vatikani i II.

            I pari është ai i solidaritetit universal ndërmjet qënieve njerëzore përpara misterit të të njëjtit Zot. Teksti e sjell me një fjali të thjeshtë e të rrasët: “Feja e bën besimtarin të shohë tek tjetri një vëlla për t’u mbështetur e për t’u dashur”. Nëse të krishterët do të rigjejnë në këto fjalë zemrën e “urdhnimit të ri” të Jezuit, besimtarët myslimanë nuk mund të mos ndjejnë jehonën e karakterit themelues të Atij që është shëmbulli i shkëlqyer i “atij që fal e mëshiron”, siç pohon fillimi i Kuranit duke kumtuar Zotin. Tejet e rëndësishme është pasoja etike e këtij parimi: “Cilido që vret një njeri është njësoj sikur të kishte vrarë gjithë njerëzimin e kushdo që shpëton njërin është njësoj sikur të kishte shpëtuar mbarë njerëzimin”. Nuk mund të ishte më i prerë dënimi për çdo formë të dhunës, një jehonë e “Mos vrit”, të përbashkët për të dy fetë ( Es. 20, 1 e Mt. 5, 21-22 dhe në Kuranin vargu 32 i Surës 5).

            Për të frymëzuar tekstin e Abu Dhabit është parimi i bashkëbisedimit, që është në bazën e konceptit conçiliar të marrëdhënies Kishë – botë: katolikë e myslimanë së bashku “deklarojnë të pohojnë kulturën e bashkëbisedimit si rrugë”. Refuzohet sigurisht çdo formë irenizmi të thjeshtë apo me një qëllim të fshehtë, as nuk mohohet se sa shumë dhuna e ushtruar  në emër të Zotit, gjatë historisë, ka përdhosur urdhnimin hyjnor. Pikërisht për këtë, është shumë domethënëse të pohohet: “Ne, besimtarë te Zoti, në takimin e fundit me Të e në Gjykimin e Tij, duke u nisur nga përgjegjësia e jonë fetare e morale, nëpërmjet këtij Dokumenti, i kërkojmë vetes sonë dhe Drejtuesve të botës, arkitektëve të politikës ndërkombëtare e t’ekonomisë botërore, për t’u zotuar seriozisht në përhapjen e kulturës së tolerancës, të bashkëjetesës e të paqes.”

            Duhet vënë në dukje parësia e njohur etikës dhe përmasave shpirtërore të jetës: “Përkeqësimi i etikës, që kushtëzon jetën ndërkombëtare dhe dobësimi i vlerave shpirtërore dhe ndijës së përgjegjësisë….. ndihmojnë në përhapjen e një ndiesije të përgjithëshme zhgënjimi, vetmije e dëshpërimi, duke i drejtuar shumë të bien…. në integralizmin fetar, në skajshmëri e fondamentalizmin e verbër”. Bëhet fjalë për një pohim të vyer, që ve në rojë nga rreziku, gjithmonë në pritë për çdo qënie njerëzore, të braktisë horizontin e fundit, për t’u përthyer në masat e shkurtëra të lakmisë dhe etjes për pushtet.

            Kundërhelmi është për katolikët e myslimanët rizgjimi i “i ndijës fetare dhe nevoja për të ringjallur atë në zemrat e brezave të rinj”, duke bërë front të përbashkët kundër prirjeve egoiste e kundërshtuese, që janë në bazën e radikalizmit e të skajshmërisë. Teksti është i një vendosmërie absolute: “Dënojmë të gjitha praktikat që rrezikojnë jetën si gjenocidi, aktet terroriste, zhvendosjet e detyruara, trafikun e organeve njerëzorë, dështimet, vetëvrasjet e politikat që mbështesin gjithë këto gjëra”. Shumë i prerë është pastaj pohimi që detyron të ndahet emri i Zotit dhe besimi në Të nga çfarëdo forme dhune: “Ne i kërkojmë të gjithëve të heqin dorë nga instrumentalizimi i feve për të nxitur urrejtjen, dhunën, skajshmërinë dhe fanatizmin e verbër e të mos vazhdojnë të përdorin emrin e Zotit për të ligjësuar veprimet e vrasjeve, të përzënieve, të terrorizmit e të shtypjes. E kërkojmë për besimin tonë të përbashkët tek Zoti”.

            “Jo”-së rrënjësore kundrejt dhunës së përsëritur n’emër të fesë teksti i shton, pastaj, “po”-në kundrejt lirisë fetare e të ndërgjegjes si “e drejtë e çdo njeriu”. Deklarata të bëra – thotë teksti – duke i dhënë zë “katolikëve dhe myslimanëve të Lindjes e të Perëndimit” e të drejtuara jo vetëm besimtarëve, por çdo personi që ndjehet plotësisht njerëzor: a do të dijmë të pranojmë të gjithë një bejleg të këtillë?

            “Corriere della Sera”, 14 Shkurt 2019

E përktheu nga italishtja Eugjen Merlika         

Filed Under: Analiza Tagged With: Bruno Forte

Ndihmëssekretarja Amerikane e Shtetit Madison në Kosovë

March 19, 2019 by dgreca

-Donacion për Agjencinë Kosovare të Forenzikës dhe takime në Prishtinë/

-Kryeministri Haradinaj falënderoi Ndihmëssekretaren Madison dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhënë Kosovës në të gjitha periudhat duke vlerësuar se ndihma e pakursyer e SHBA-së është e nevojshme edhe në këtë periudhë të shtetndërtimit dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të saj/

PRISHTINË, 18 Mars 2019-Gazeta DIELLI/ Ndihmëssekretarja e Shtetit e SHBA-ve për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimin e Ligjit (INL), Kirsten D. Madison, po viziton Kosovën.

Ndihmëssekretarja do të dorëzojë një donacion për Agjencinë Kosovare të Forenzikës dhe do zhvillojë takime në Prishtinë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka pritur sot në takim Ndihmës Sekretaren për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) të SHBA-së, Kirsten Madison. 

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar Ndihmëssekretaren Madison për të arriturat e Qeverisë, për zhvillimin ekonomik të vendit, prioritetet në forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, luftën kundër korrupsionit,  narkotikëve dhe delikuencës, riatdhesimin dhe tema tjera me rëndësi për vendin.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj falënderoi Ndihmëssekretaren Madison dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën dhënë Kosovës në të gjitha periudhat duke vlerësuar se ndihma e pakursyer e SHBA-së është e nevojshme edhe në këtë periudhë të shtetndërtimit dhe forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të saj.

Kryeministri Haradinaj gjithashtu ka falënderuar Ndihmësekretaren Madison për kontributin e SHBA-së në forcimin e mekanizmave të sigurisë në vend, veçmas në asistencën për policinë, Gjykatat dhe Prokurorinë, ndihmë kjo që ka rezultuar me ngritjen e kapaciteteve të vendit në këto institucione.

“Falë ndihmës tuaj, të dhënë në vazhdimësi, ne sot kemi institucione kredibile dhe të cilat kanë shënuar suksese në vend por edhe në partneritet me institucionet e huaja”, ka thënë Kryeministri Haradinaj, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së vendit, në progresin e vazhdueshëm në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe sigurisë./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Bell Jashari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT