• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2019

Gjenarali Amerikan Qytetar Nderi i Deçanit

March 30, 2019 by dgreca

-Miqësi e përjetshme Kosovë-Amerikë/

-Vendimi për shpalljen “Qytetar Nderi i Deçanit”, për John Boyd, gjeneralin e brigadës së Ushtrisë së SHBA-së, Komuna e Deçanit e ka marrë për të nderuar kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës, mbështetjen dhe fuqizimin e shtetësisë së saj dhe për përkrahjen e Kosovës në integrimet euroatlantike/

– Gjeneral brigade John C. Boyd, shef i stafit të KFOR-it, falënderoi për këtë nderim që iu bë nga Komuna e Deçanit, duke thënë se ky është një nderë për të dhe familjen e tij dhe kjo është një miqësi që do të vazhdoj gjatë tërë jetës/

-Kryeministri Ramush Haradinaj: Shpallja “Qytetar Nderi i Deçanit”, për gjeneralbrigade John C. Boyd, vepër fisnike e Komunës. Thellë i bindur se do ta japim provimin si popull, duke punuar të gjithë për një miqësi të përjetëshme Kosovë-Amerikë/

-Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, shprehu Mirënjohje për gjithë ushtarët e NATO-s që gjenden në Kosovë, SHBA-në, si promovues të paqes dhe garantues të sigurisë me përmasa botërore/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari      

DEÇAN, 30 Mars 2019/ Është zhvilluar sot ceremonia e shpalljes “Qytetar Nderi i Deçanit” të gjeneral brigade i Ushtrisë së SHBA-së, John C. Boyd, shef i stafit të KFOR-it, ku u ritheksua miqësia e përjetëshme Kosovë-Amerikë.

 “Te shqiptari i kësaj treve të Dukagjinit miku është shumë i çmuar dhe është ndër kodet që asnjëherë nuk ka ndodhur të lëndohet, pra kodi i nderit, i respektit që i bëhet mikut. Është mirë që i ruajmë më tutje, por po ashtu është mirë që të mendojmë si t’i ruajmë në kohëra të reja, kur bota po bëhet më e vogël dhe më e lidhur. Sot ne i kemi dhënë një nder një ushtari, në radhë të parë, dhe e kemi bërë bashkëqytetar. Këtë veprim të sotëm duhet ta mbajmë gjallë e në jetë siç na ka hije si shqiptarë dhe siç na obligon nderi i gjeneralit dhe nderi i Amerikës”, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

 Vendimi për shpalljen “Qytetar Nderi i Deçanit”, për John Boyd, gjeneralin e brigadës së ushtrisë së SHBA-së, Komuna e Deçanit e ka marrë për të nderuar kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës, mbështetjen dhe fuqizimin e shtetësisë së saj dhe për përkrahjen e Kosovës në integrimet euroatlantike.

Duke vlerësuar këtë si një ditë të rëndësishme për Deçanin, kryeministri Haradinaj tha se ka ditë që Deçani duket shumë i bukur. 

 “Kjo është një ndër ditët më të mira të Deçanit, një ditë ku rrezon dielli siç i ka hije në vendin tonë, një diell që buron nga zemrat e njerëzve të kësaj toke të Deçanit, që janë më të mirë të mundshëm, një diell që rrezon kaq mirë sepse lidhet me një veprim kaq të mençur të njerëzve të zgjedhur dhe të qytetarëve të Deçanit”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Deçani ka histori parlamentare dhe njëkohësisht ka histori të vlerave të largëta të nderit, që i ruan me besnikëri.

Kryeministri Haradinaj tha se Komuna e Deçanit ka bërë një vepër fisnike duke shpallë qytetarë nderi një ushtar të mirë, gjeneralbrigade John Boyd, një ushtar të Amerikës, i cili në emër të vendit të vet shërben për paqe në Kosovë, dhe njëkohësisht e ka uruar gjeneralin Boyd për nderin që ka marrë nga populli i Deçanit, nga të zgjedhurit pa dallim partie.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se është thellë i bindur se do ta japim provimin si popull, duke punuar të gjithë për një miqësi të përjetëshme Kosovë-Amerikë, duke theksuar se mënyra më e mirë për ta shpërblyer përkrahjen e madhe që i ka dhënë Amerika Kosovës është qeverisja e mirë në Kosovë, krijimi i vendeve të punës dhe respekti për komunitetet etnike që jetojnë në Kosovë.

 “Jam i bindur se nuk do t’i zhgënjejmë miqtë tanë me punët që do t’i kryejmë në Kosovë, duke respektuar vetën, ata që jetojnë me ne, e po ashtu do të dimë t’i respektojmë edhe fqinjët, sepse jemi popull që dimë të respektojmë. Ka një gjë që nuk e fshehim. Populli i Kosovës ka vendosur se kush është. Jemi Kosovë, jemi pjesë e botës të prirë nga Amerika, jemi pjesë e këtyre vlerave dhe për ne jeta përpara është një jetë e një lidhje më të madhe të ndërsjellë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se gjenerali Boyd e ka nderuar jo vetëm komunën e tyre, por tërë Kosovën duke pranuar që të jetë qytetarë nderi i Deçanit, ndërsa shprehu mirënjohje për gjithë ushtarët e NATO-s që gjenden në Kosovë, SHBA-në, si promovues të paqes dhe garantues të sigurisë me përmasa botërore.

Gjeneral brigade John C. Boyd, shef i stafit të KFOR-it, falënderoi për këtë nderim që iu bë nga Komuna e Deçanit, duke thënë se ky është një nderë për të dhe familjen e tij dhe kjo është një miqësi që do të vazhdoj gjatë tërë jetës.

 “Çmoj shumë qëndrimin tuaj që të fokusoheni në zhvillimin ekonomik, sepse ajo është e ardhmja dhe aty duhet të përqendroheni ju dhe qeveria qendrore, në mënyrë që të krijohet mundësia të shfrytëzohen bukuritë e këtij vendi dhe të rinjtë në këtë vend të rrinë dhe të ecin përpara në vendin e tyre”, tha gjenerali Boyd.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama, deputetë dhe përfaqësues komunal të Deçanit.

Filed Under: Kronike Tagged With: BEHLUL JASHARI-John Boyd-Qytetar Nderi

Kosova në prag të vendimit për zgjedhje por a do të bëhet zgjidhja!

March 29, 2019 by dgreca

Nga Nue Oroshi

Përqarjet mbrenda koalicionit qeverisës PAN si duket dalëngadalë po vijnë në kulmin e tyre. Lufta e mbrendshme brenda Qeverisë së Kosovës në mesin e koalicionit Qeverisës e ka arritur pikën kulmore të vlimit.Nga dita në ditë dalin në pah përqarjet politike mbrenda partive që po e qeverisin Kosovën. Marrja me vetvetën e partive politike në Kosovë është duke i kushtuar shumë shtrenjët qytetarit të  Kosovës.Shpesh herë e kam thënë edhe në shkrimet e mëparshme dhe po e përserisë edhe tani se në Kosovë duhet të ndërrohet mentaliteti qeverisës.Fatkeqësisht se tash e shumë vite vëtem ndërrohen emrat e kryeminstrave dhe ministrave por mbetët i njëjti mentalitet qeverisës.

Zgjedhjet mund të mbahën në mes të shtatorit dhe nëntorit të këtij viti por mbetët një dilemë Hamletiane se a do të kemi zgjidhje?! E për të pasur zgjidhje pas zgjedhjeve atëherë 80% e këtyre politikaneve në Kosovë nuk duhet të jenë as deputet e as kryeministra dhe ministra. Me një fjalë nuk duhët bërë riciklimi i politikaneve të vjetër përveç atyre që vërtetë e kanë ruajtur vetveten dhe nuk janë korruptuar dhe kriminalizuar.E sa do të jenë në gjendje partitë politike që të reformohën për një kohë kaq të shpejtë kjo është e pamundur në këto rrethana politike kur të tillët janë në krye të partive politike dhe kanë funksione paralele shtetërore qoftë atë në qeverisje qoftë të tjerët në opozitë.

Dalja e një projekti të ri politikë dhe shpërndarja me të shpejtë në këto rrethana kur janë të bllokuara dhe të kapura mjetët e informimimit  ku partitë politike janë në gjëndje të shpërndajnë miliona euro në fushata të shtrenjta elektorale dhe që ky projekt politik për disa muaj të arrin të dalë si forcë reale politike është vërtetë e pamundur.

Edhe sistemi zgjedhor në Kosovë është shumë i mbrapshtë.Ky sistem zgjedhor i jep mundësi liderit politik që përmes listës të zgjedh të preferuarit e tyre kurse në anën tjetër e fut në një mjegull edhe votuesin.Më mirë do të ishte se nëse është e mundur në aspektin kohor që të bëhet ndryshimi i sistemit zgjedhor,ku parlamenti i Kosovës nga 120 deputet sa ka Kosova të krijohen 60 zona elektorale ku 60 deputet të zgjidhën drejpërdrejtë kurse 60 të tjerë përmes listave në proporcion me përqindjen që marrin partitë politike në zgjedhje duke i shtuar edhe faktin e heqjës se 20 vendeve të partive minoritare.

Zgjedhja e drejtpërdrejtë dhe nëpër zona elektorale do ta forcon përgjegjësinë e deputetit të zonës për faktin se është dalur nga një zonë e caktuar dhe e ka obligim që të mbron interesat e zonës prej nga është votuar.Minoriteve duhet të iu bëhet vëtem një lehtsim politik. Atyre duhet të iu hiqet pragu zgjedhor prej 5% që në proporcion me përqindjen e popullsisë që kanë në Kosovë duhet të jenë përafersisht 5 apo 6 deputet të minoriteteve në Parlamentin e Kosovës.

Edhe Diaspora e Kosovës duhet të ketë përfaqësuesit e vet në Parlamentin e Kosovës.Shkuarja në zgjedhje pa një ligj të ri zgjedhor dhe pa një ligjë të ri që ju ndalon rikandidimin e zgjedhjën të gjithë atyre që në një mënyrë apo tjetër janë të lidhur me korrupsionin,kriminalitetin dhe fitimin e pasurisë në mënyrë jashtëligjore, nuk sjellë asgjë tjetër përveç  ndërrimin e emrave dhe mbiemrave të, kryeministrit dhe ministrave.

E derisa partitë politike po mirrën me vetveten në një rreth vicioz që nuk ka të ndalur tash e njëzet vjet me radhë Kosova fatkeqësisht është duke u zbrazur  nga  dita në ditë.Kjo është një fatkeqësi kombëtare që askush nuk e ka pritur.Të gjithë presim që në Kosovë të ndryshohet skena politike.

Por a do të mundet që ky ndryshim të vjen vetëm me mbajtjën e zgjedhjeve dhe a do të sjellin këto zgjedhje një zgjidhje është një pikpyetje shumë e madhe.Prandaj zgjedhjet dhe zgjidhja e problemit qeverisës që nënkupton ndryshimin e mentalitetit qeverisës që është tash e gati njëzet vjet në Kosovë janë dy botra dhe një mur i madh që i ndan. A mendojnë këta lider politikë në Kosovë se duhet të zëvëndësohen ndonjëherë apo ju ka ngulitur thellë mentaliteti komunistë se në momentin që mërr  një postë politikë duhet të mbetët deri në vdekje aty.

Filed Under: Analiza Tagged With: NUAe Oroshi

MIKLIMI I VEÇIMIT

March 29, 2019 by dgreca

Shkruar nga ANGELO PANEBIANCO

            E përktheu Eugjen Merlika nga “Corriere della Sera”/

            Nuk është e lehtë të hedhësh shikimin përtej sherreve tona të politikës së brëndëshme, por ndërsa ne shohim kërthizën aqpeshimet botërore ndryshojnë shpejt e premtojnë të lënë mënjanë Evropën, sido që të shkojë prova e së vërtetës të votimeve të fundit të majit. Të përpiqemi të shohim përqark pa i u dorëzuar një propagande goditëse që ka pushtuar tashmë edhe politikën ndërkombëtare. Donald Trump-i fuqizohet nga dita në ditë në lidhje me zgjedhjet vendimtare të vitit t’ardhshëm për Shtëpinë e Bardhë. Ekonomia vazhdon të tërheqë, ndeshja mbi “murin” kundër të mërguarvet me Meksikën  shkandullon mjaft amerikanë por i pëlqen votuesve të Presidentit, dhe Partia demokratike, ndërsa duhej të pregatitej për fluturimin e fundit, propozon  një numur të madh kandidatësh të së majtës, asnjëri prej të cilëve nuk duket në gjëndje të pushtojë qendrën politike e të thyejë Trump-in. Politika e jashtëme e SHBA, pastaj, synon në kthimin aq të dëshiruar në shtëpi të djemve që janë duke luftuar në Siri e në Afganistan dhe i pëlqen sanksjonet kundër Rusisë e kundër Iranit. Ashtu siç i pëlqen bejlegu tregtar me Kinën, dhe vetëm një pakicë e kulturuar shqetësohet për mllefet që Trump-i i kushton aleatëve evropianë, jo më aq të bindur. Nuk habit fakti që Angela Merkel e qorton presidentin amerikan që ”po e bën botën në njëmijë copa”, por Kancelarja duket se nuk e kupton deri në fund se veprimi i shpërbërjes është pikërisht ai që Trump-i ka premtuar t’a bëjë që në fillim.

            Brinja e dytë e trekëndëshit të pushtetit që do të qeverisë botën në t’ardhmen e afërt (ose G-3, siç është në modë të thirret) quhet Xi Jinpin. Ai nuk ka zgjedhje për t’i fituar dhe as kundërshtarë të brëndshëm që mund t’a shqetësojnë. Udhëheqja e tij në Kinë është sine die, fuqia e tij qëndron në shpikjen gjeniale hibride të Ten Hsiao Pinit në gjysmën e dytë të Viteve Shtatëdhjetë (t’i bashkëngjiste Partinë komuniste një kapitalizmi pa fre), arma e tij për të shemëruar me Shtetet e Bashkuara qëndron në një aftësi teknologjike mjaft afër asaj amerikane, edhe në fushën ushtarake. Prova qëndron në fushatën energjike të Washingtonit për t’i shtyrë aleatët të heqin dorë nga sistemi i komunikimit G5 t’ofruar nga Huawei. Të paracaktuar në një bashkëjetesë, Amerika dhe Kina do të gjejnë shpejt a vonë një marrëveshje tregtare e teknologjike që do të shmangë luftën mes tyre, por që do të parashikojë një garim të ashpër, siç ndodh edhe sot, për të kontrolluar të tjerët.

            I treti i shoqërisë është Vladimir Putin. Sigurisht jo për fuqinë e një ekonomie ruse gjithmonë e më të brishtë, apo të një miratimi të brëndshëm gjithënjë e më të dobët (megjithëse akoma në shumicë në terma zgjedhore), por më shumë sepse Rusia ruan të vetmin arsenal ushtarak të krahasueshëm me atë amerikan, ka të drejtën e vetos në OKB dhe bën një politikë të jashtëme të paskrupulltë por të efektëshme. Veç asaj Putin, nuk duket se mendon të dorëhiqet për të lehtësuar pasardhjen në Kremlin, siç kishin parashikuar disa vëzhgues të pamatur. Ndoshta halli i tij është se sanksionet perëndimore e shtynë tek mikja, por e frikëshmja Kinë. Durim, boshti me Pekinin është sot një realitet i nevojshëm që duhet të shërbejë për të përballuar fuqinë amerikane, dhe rindërtimi i një pranie të shëndoshë ruse në Lindjen e Mesme është vetëm fillimi i një proçesi rikthimi që sot paraqitet mjaft i dukshëm në Venezuelë, së bashku me Kinën, në Afrikë e në ndihmat e mallkuara që u jep së djathtës skajore evropiane. Rusiagate ndalon synimet e mira të Trump-it, por pikërisht nga Shtëpia e Bardhë ka ardhur së fundi një sinjal kuptimplotë: Moska nuk ka asgjë për t’u trembur nga braktisja, nga ana e ShBA të  traktatit mbi raketat me rreze të shkurtër e të mesme veprimi dhe Amerika do të ishte e gëzuar të tregtonte një tjetër traktat që t’a nënëshkruajë edhe Kina.

            Ja i vizatuar, G-3. Një trekëndësh  i shtyrë nga zotërimi teknologjik, nga vazhdimësia e drejtuesve, e mbi të gjitha nga perëndimi i rendit parardhës që Amerika kishte ndërtuar mbas luftës së Dytë botërore e që kishte si shtylla të saj bashkëpunimin atllantik dhe integrimin evropian. Ajo epokë ka kaluar, së bashku me të gjithë marrëveshjet e traktatet, tregon se beson Trump-i, e nuk do të jenë as Xi Jinpin e as Putin që t’i venë shkopin nën rrota. Do të kthehet, mbi të gjitha nëse Trump-i do të fitojë më 2020  por edhe nëse do të humbasë, do të mbetet një ideologji fuqie dhe sovraniteti (e fuqive, është e qartë) që do të nxjerrë jashtë dere shumëpalësinë mbikombëtare e do të shpallet “liberale” pa qënë. Kështu siç ndodhte në dypalësinë ShBA – BRSS, secili antar i G – 3 do të përshkojë dy shtigje paralele: nga një anë kontrollin e ndjekësve të tij dhe atë të vatrave të paqëndrueshmërisë së përbashkët, nga tjetra një garë të ashpër me dy ortakët në shërbim të interesave dhe synimeve të tij.

            Pyetja që na përket atëherë bëhet kjo: a mundet të mbijetojë Evropa apo secili Vend i vetëm kundrejt “rendit të ri” të detyrueshëm nga trekëndëshi i hekurt? E vetmja siguri është se Bashkimi Evropian rrezikon të paguajë shtrenjtë ndarjet e tij dhe vonesën në temën e mbrojtjes. Perspektiva është të bëhet e papërfillëshme nga ana strategjike dhe të jetë e lënë jashtë  konkurrencës së madhe teknologjike të erës së re. Një Trump i rizgjedhur, nuk do të reshtëte së kërkuari, më shumë se sa bën sot, që Evropa të bëhet e urtë së bashku me individualizmat e hapura ndaj marrëdhënieve dypalëshe me ShBA (por jo me Kinën apo Rusinë).

            Kaq mjafton për të na bërë të kuptojmë se deri në ç’pikë janë larg së vërtetës shpalljet e nacional-populistëve tanë, të verdhë apo të gjelbër pak rëndësi ka, kur lajmërojnë se Evropa e sotme do të “fshihet” nga votuesit e që Italia më së fundi mund të jetë sovrane e të kujdeset për interesat e saj. Nëse shohim në botë, na bëhet të besojmë se votimet evropiane të fundit të majit do të na venë para një alternative të vetme e të padiskutueshme: ndërmjet një sovraniteti të kufizuar evropian, të gatshëm për të luftuar për të gjetur vënd në G-3, dhe një sovraniteti kombëtar, krejtësisht i paqenë, sepse i varur nga marrëdhënie të dyanëshme me të fuqishmit e vërtetë.

            “Corriere della Sera”, 21 shkurt 2019   E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Angelo Panebianco-Miklimi

AlbInfo.ch censuron ambasadorin e Zvicres

March 29, 2019 by dgreca

Një medium i financuar nga Zvicra censuron Zvicrën !

Nga Elida Buçpapaj/  Përpara disa ditësh në Gjenevë, APES organizoi një tryezë të rrumbullakët me temën « Quel avenir pour le journalisme ? » – “Cila është e ardhmja e gazetarisë”. Në këtë debat morën pjesë figura shumë të njohura të gazetarisë zvicerane si Christian Campiche, ish kryeredaktori i La Tribune de Genève Daniel Cornu etj.

“Kur pyes se cila është e ardhmja e gazetarisë”, e nisi fjalën e tij presidenti i APES Jean Musy, “e kam fjalën për gazetarinë e vërtetë, e kam fjalën për ata që krijojnë lajmin, informacionin sipas Nenit.1 të Deklaratës dhe të Drejtave e Detyrave të Gazetarëve, të cilët janë të obliguar ta kërkojnë të vërtetën, për shkak të së drejtës së publikut që duhet ta njohë atë cilatdo që mund të jenë pasojat dhe konseguencat për vetë gazetarin. Dhe këtë detyrim e kanë të të gjithë gazetarët: anëtarët e një redaksie, përkthyesit e pavarur, sipërmarrësit, ata që punojnë freelance apo dhe ata gazetarë që punojnë me kontrata të përkohëshme etj.”, nënvizoi Jean Musy.

Në ndërhyrjen time në këtë debat thashë se kjo pyetje nuk ka vend për gazetarinë në Ballkan, pasi gazetarinë atje e kanë vrarë klientët e politikës, ata që financohen dhe marrin çmime e ndere nga krerët e shteteve të kapura. E kisha fjalën për klientët e politikës në Kosovë dhe Shqipëri, që e kanë transformuar gazetarinë vegël në duart e politikanëve të korruptuar. Këta “klientë -gazetarë” xhepat i kanë plot dhe kanë mbështetje të fortë nga Edi Rama apo Hashim Thaçi, në marrëdhënie krejtësisht perverse dhe antiligjore dhe duke shkelur detyrimet konstitucionale të informimit të pavarur.

Njëri prej këtyre superklientëve të politikës është edhe portali albinfo.ch me qendër në Lozanë, që ka kapërdirë miliona mbështetje dhe subvencione financiare edhe nga Zvicra duke anashkaluar konkurencën e lirë si dhe shkelur Nenin 1 të të Deklaratës dhe të Drejtave e Detyrave të Gazetarëve. Jo vetëm që nuk e ka zbuluar të vërtetën por e ka varrosur atë.

Për shërbimet klienteliste ndaj politikës albinfo.ch ka përfitur mbështetje financiare edhe nga grantet që qeveritë Perëndimore çojnë në Kosovë apo Shqipëri për lancimin e gazetarisë të vërtetë! Për shërbimet klienteliste kryeministri Edi Rama e ka (sh)nderuar albinfo.ch edhe çmimin trofe të diasporës Shqiponja e Artë.

Po ju sjell një ilustrim shumë të freskët dhe eklatant se si albinfo.ch shkon deri atje sa censuron edhe përfaqësuesit e shtetit që e ka mbështetur financiarisht për të bërë gazetari me standart profesional.

Dje në Skënderaj u inagurua një ujësjellës, projekt i qeverisë së Zvicrës me vlerë rreth 1.2 milionë Euro. I pranishëm në këtë aktivitet ishte Ambasadori zviceran në Prishtinë Jean-Hubert Lebet, i cili ishte kritikues dhe i ashpër për keqmenaxhimet e pares publike dhe ndihmave që vinë nga Perëndimi. Ambasadori zviceran në fjalën e tij tha se «Nuk është normale që qeveria e Zvicrës të financojë ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ka të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2,5 për qind e vlerës për veteranët e luftës. (…) Nuk jemi të lumtur të shohim nëse njerëzit marrin këtë status pa ndonjë të drejtë. Do të thotë se, nëse të hollat ruhen dhe nuk financojnë veteranët e rrejshëm, do të ndërtojmë shumë më shumë sisteme të ujësjellësit. Është shumë irrituese të shohim në këtë vend ku ka shumë shërbyes civilë, tri herë më tepër sesa në vendet e rajonit», nënvizoi ambasadori.

I menjëhershëm ishte reagimi kundërvënës i Kadri Veselit, i pranishëm edhe ai në takim i cili, në vend që t’i reflektonte tonet kritike të përfaqësuesit të vendit që ka shpenzuar miliarda ndihma për Kosovën dhe e ushqen Kosoven me oksigjen, pasi 200 mije kosovarët që jetojnë në Zvicër dërgojnë çdo vit 5 miliarde Euro remitanca në vendlindje, përkundrazi iu bëri jehonë luftëtarëve të UÇK-së në Skënderaj prej nga e ka origjinën edhe presidenti kosovar.

Në të njëjtë valë me Kadri Veselin ishte edhe albinfo.ch që ia censuroi tërësisht fjalën Ambasadorit zviceran. (Poshtë keni videon dhe tekstin e botuar nga albinfo.ch)

“Gazetaria censuruese” e stilit të albinfo.ch, shkel mbi të vërtetën dhe manipulon opinionin, ndërkohë që subvencionohet dhe ka carta bianca në shtetet e korruptuara nga kadri veselet, edi ramët apo hashim thaçët.

Kur censurohet përfaqësuesi i Zvicrës, shtetit që kishte financuar projektin dhe që ka financuar edhe albinfo.ch, mendoni se në çfarë degrade ndodhet fjala e lirë dhe gazetaria.

Unë e kuptoj që mediat në Kosovë e Shqipëri iu binden verbërisht regjimeve dhe partive nga marrin financimet, por e shoh skandaloze performancën profesionale të albinfo.ch këtij mediumi që e zhvillon aktivitetin në Zvicër duke përfituar miliona franga mbështetje financiare nga ky vend, përfaqësuesin e të cilit e censuron.

A mund të ketë të ardhme gazetaria kur në vend të informimit të së vërtetës mediume si albinfo.ch përdorin gërshërët e censorit për ta fshehur dhe manipuluar atë ?!

Pyetja ime është retorike!

Filed Under: Politike Tagged With: Ambasadori i Zvicres, Elida Buçpapaj

STUDIMI: DEMOKRACIA E VËRTETË ËSHTË E MIRË EDHE PËR SHËNDETIN E NJERËZVE

March 29, 2019 by dgreca

                                                 Nga Frank Shkreli

Winston Churchilli ka thënë se, “Askush nuk pretendon se demokracia është një sistem qeverisës i përsosur ose i përkryer.  Në të vërtetë, është thënë se demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, me përjashtim të formave të tjera të qeverisjes që janë provuar, nga koha në kohë.”   Me fjalë të tjera, demokracia ka shumë të meta dhe probleme, por të gjitha format e tjera të qeverisjes kanë më shumë probleme dhe të meta, në krahasim me sistemin demokratik, ashtu siç është provuar gjatë historisë së njerëzimit.

Natyrisht se Demokracia e vërtetë nënkupton, ndër të tjera, zgjedhje të lira e të ndershme.  Për mua dhe për shumicën e njerëzve, natyrisht, bazuar në përvojën time, demokracia — pa marrë parasyshë se çfarë ka thënë Winston Churchilli për ‘të, si një sistem politik qeverisjeje megjith të metat dhe sfidat e saja — është forma më e mirë e qeverisjes.   Është sistemi qeverisës më i mirë nga disa pikëpamje, por sidomos përsa i përket respektit që ky sistem ka për të drejtat bazë të njeriut, siç është, ndër të tjera, liria e fjalës dhe liria e fesë, por edhe nga këndveshtrimi i zhvillimit në fushën ekonomike dhe zhvillimit,  përgjithësisht, në të gjitha fushat e tjera të aktivitetit shoqëror.  

Demokracia e vërtetë, në parim, i ofron çdo individi, të drejta dhe përgjegjësi si dhe mundësi të barabarta për të përparuar në një shoqëri të lirë e demokratike.  Demokracia garanton lirinë për secilin individ për të ndjekur lumturinë duke u aktivizuar në çfarëdo veprimtarie që i pëlqen, pa ndonjë detyrim nga askush.   Në thelb të demokracisë është garancia e të drejtave dhe përgjegjësive të barabarta për të gjithë qytetarët, pa dallim.   Për më tepër, në një qeverisje demokratike, degët e qeverisë janë të hartuara në atë mënyrë që të kontrollojnë njëra tjetrën dhe të shërbejnë si forca balancuese ndaj njëra tjetrës, me qëllim për të minimizuar abuzimet me pushtetin politik publik.

Të gjitha këto janë disa të drejta dhe privilegje që një qeverisje demokratike u ofron qytetarëve të saj.

Por, kujt ia kishte marrë mendja se Demokracia, si sistem politik qeverisës është i lidhur ngusht edhe me shëndetin tonë.  Lindë pyetja pra nëse demokracia, si një sistem politik qeverisës – në krahasim me sisteme të tjera politike — ka ndonjë përfitim edhe për shëndetin tonë, përveç disa prej përfitimeve politiko-shoqërore që përmenda më lartë.  A është demokracia e mirë për shëndetin e njeriut?  Disa shkencëtarë dhe hulumtues thonë se po. 

Sipas një studimi të bërë nga hulumtues në tri institucione amerikane: Këshilli për Marrëdhëniet e Jashtme, Fakulteti Mjekësor i Universitetit Stanford, nga Instituti Amerikan për Vlerësimin e Shëndetit – dhe nga Universiteti Bilkent i Turqisë.  Në studimin që kanë botuar kohët e fundit në revistën prestigjoze dhe ndër më të vjetërat mjekësore, Lancet – me zyra në Nju Jork, Londër dhe Pekin — thuhet se demokracia e vërtetë ka lidhje të ngushtë dhe pozitive me shëndetin e njerëzve.  Studimi përfshinë të dhënat nga 170 vende të botës me të ardhura të ulëta dhe mesatare, bazuar në informacionin politik, ekonomik dhe shëndetësor, duke filluar nga viti 1970 e deri në vitin 2016.  Në bazë të këtij studimi, të botuar ditët e fundit, qeverisja demokratike dhe institucionet e saja, duket se ndikojnë më shumë në shëndetin e individëve.  

 “Rezultatet e këtij studimi sugjerojnë se zgjedhjet e lira dhe demokratike janë të lidhura ngusht me shëndetin e njerëzve”, u shpreh Thomas Bollyky, Drejtori i programit shëndetësor botëror pranë Këshillit Amerikan për Marrëdhëniet e Jashtme, i cili edhe kryesoi këtë studim të katër institucioneve të lartë përmendura.  Ata zbuluan se jetëgjatësia e njerëzve është rritur më shpejt në vendet që kanë kaluar në demokraci, duke filluar nga viti 1970 e deri në vitin 2015, në krahasim me vendet që nuk kanë pasur këtë tranzicion demokratik. Gjatë kësaj periudhe, vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare në vendet demokratike, janë pakësuar me 25 %, sipas studimit.   Rritja e shpenzimeve buxhetore për programet që promovojnë institucionet transparente dhe proceset demokratike mund të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit për qytetarët dhe në rritjen e investimeve në fushën e përkujdesjes shëndetsore të një cilësie të mirë, thuhet në këtë studim.

Përpiluesit e këtij studimi thonë se shoqëritë e lira arrijnë përfundime më të mira dhe suksese në fusha të ndryshme, përfshirë shëndetësinë, jo sepse janë më të pasura, por për arsye të presioneve publike që ushtrojnë votuesit ndaj qeveritarëve, për të kërkuar të drejtat e tyre.  Si rrjedhojë, “Pa një trysni të fortë nga votuesit”, për themelimin e institucioneve demokratike që promovojnë përmirësimin e kujdesit shëndetsor për qytetarët, “Sunduesit autokratikë kanë më pak arsye që të financojnë programe për trajtimin e sëmundjeve të zemrës, kancerit ose sëmundjeve të tjera krinike, në krahasim me udhëheqësit e vendeve demokratike”, shprehet Thomas Bollyky, Drejtori i programit shëndetësor botëror pranë Këshillit Amerikan për Marrëdhëniet e Jashtme dhe njëri prej përpiluesve të këtij studimi.

Në thelb pra dhe pa u futur në shifra dhe statistika shkencore, ky studim arrinë në përfundimin se Demokracia e vërtetë është e mirë për zemrën, për shëndetin në përgjithësi, si dhe për jetëgjatësinë e njerëzve në moshë të rritur.  “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë të rëndësishme për përmirësimin e shëndetit të popullësisë, siç duket si rrjedhojë e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së qeverisë ndaj votuesve…Ka më të ngjarë që vendet demokratike të shënojnë përparime të dukshme në fushën e shëndetësisë, në krahasim me vendet autokratike”, thekson raporti, në një kohë kur demokracia po sfidohet kudo, ndërkohë që po shtohen edhe prirjet autokratike anë e mbanë botës.  Sidoqoftë, ky studim, i pari i përmasave të këtij lloji për nga numri i vendeve që përfshihen dhe për nga periudha që mbulon, arrinë në përfundimin se liria politike, zgjedhjet e lira e të ndershme dhe proceset demokratike, në përgjithësi, të pakën kur është fjala për shëndetin e njerëzve, përbëjnë qeverisjen afatgjatë më të mirë, për të gjithë.  Pa Demokraci të vërtetë nuk ka shtet, por nuk ka as shëndet, sipas këtij studimi.  Ja pra, edhe një arsye tjetër pse Demokracia nuk pret!

Filed Under: Opinion Tagged With: FRANK SHKRELI-Demokracia

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT