• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2019

Një e shtunë midis Shoqatës Shqiptaro-Amerikane Skënderbej Inc. New York

April 14, 2019 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në Manhattan në kryeqendren e botës në mjediset e restorantit “San Marino”,

Shoqata Shqiptaro–Amerikane “Skënderbej Inc. u mblodh për të njohur anëtarët dhe simpatizantët e saj me marrjen e dokumentacionit, miratimin e shoqatës nga departamenti i shtetit të Nju Jorkut si dhe me statutin dhe programin për vitin 2019-të.

Ish ushtarakë si dhe dashamirës të shoqatës takoheshin dhe bisedonin përzemërsisht me njeri-tjetrin, ata të gëzuar mendonin se takimet midis nesh e sjellin dhe më pranë Atdheun tonë të dashur. 

Moderatorja e programit autorja e këtij reportazhi tha se ka kaluar më shumë se një vit që u mblodhëm për të festuar së bashku krijimin dhe organizimin e shoqatës Shqiptaro Amerikane me bazë nga ish ushtarakë të shkollës “Skënderbej” dhe Akadamia ushtarake, ne u mblodhëm si një shoqatë në radhët e Diasporës që i shërben vetëm Kombit. 

Pas një pune dhe përkushtimi të devotshëm nga ish ushtarakë shqiptarë me në krye z.Bashkim Shehu, ish zv/ministër i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, në post diktaturë, z.Mark Qehaja ish ushtarak në forcat e NATO-s, z.Imer Laçaj ish ushtarak patriot dhe financier i shoqatës,  Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Skënderbej” Inc. mori miratimin ligjor nga shteti i Nju Jorkut.

Që nga mbledhja e themelimit të saj në muajin dhjetor 2017-të kjo shoqatë ka kryer shumë aktiviteteve patriotike dhe kulturore si: U organizuan festimi i 73 Vjetorit të Shkollës “Skënderbej”, aktivitet me rastin e 550 Vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, aktivitet në 106-të Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë si dhe festimin e 11-të Vjetorit të Pavarësise së Kosovës.  Në këto aktivitete nderuan me pjesëmarrjen e tyre ish kongresisti amerikan z.Joe Di Guardi si dhe z.Mark Gjonaj ish Ansambleist dhe Anëtar i Këshillit të Bashkise së Nju Jorkut.

Si bijtë e Gjergj Kastriot Skenderbeut, Heroit Kombëar emrin e të cilit e keni gëzuar qysh në adoleshencë dhe e keni mbajtur me nder dhe kryet lart përpara Atdheut sot në këtë shoqatë ju keni ftuar dhe anëtarë nga jeta civile çka flet për një civilizim dhe qytetari, sepse Gjergj Kastrioti Skënderbej është Heroi Kombëtar është Heroi i gjithë shqiptarëve, është Heroi i bashkimit, ëndrra juaj dhe e gjithë Kombit shqiptar.

Ky emër i madh është si medaljon nderi për të gjithë shqiptarët!

Programi u hap me interpretimin e dy Hymneve kombëtare atë amerikan dhe shqiptar. 

Kryetari i shoqates shqitparo-amerikane Skenderbej Inc. z.Bashkim Shehu, nje atdhetar dhe tejet i përkushtuar për shoqatën përshendëti të gjithë të pranishmit dhe tha se jemi krenar t’ju njoftojmë se shoqata shqiptaro amerikane Inc. Skënderbej mori miratimin nga Departamenti i shtetit të Nju Jorkut, çka na bën t’i shtojmë dhe më shumë përpjekjet për t’ja rritur prestigjin sa më lart shoqatës sonë me emrin e madh të Heroit Kombëtar.  Si kryetar i shoqatës së bashku me anëtarët e kryesisë do të punojmë fort për të zhvilluar aktivitete të ndryshme për të ruajtur vlerat e larta të Kombit.  Shoqata jonë qëkur u krijua e ka pasur si mision për të zhvilluar një sërë aktivitetesh patriotike dhe kulturore duke kujtuar datat më të rëndësishme kombëtare.  Ndonëse kanë kaluar pak kohë me keqardhje them se një grup prej kësaj shoqate iku duke krijuar një shoqatë tjetër me të njejtin emër për shkak të mosmarrëveshjeve dhe pikëpamjeve politike të ndryshme që krijonin.  Sidoqofte është e drejta e gjithësecilit të përfshihet atje ku dëshiron, megjithë përpjekjet tona për bashkëpunim dhe bashkim. 

Z.Bashkim Shehu në emër të kryesisë propozoi për anëtarë nderi të shoqatës kolonel Qemal Zylo dhe Kozeta Zylo, shkrimtare dhe publiciste. Ai vazhdoi se ata si cift janë themelues të TV “Alba Life” dhe shkollave shqipe në New York duke sjellë dhe një biografi të shkurter për punën e tyre plot përkushtim në Diasporë.  Propozimi u mirëprit me duartrokitje dhe u miratua njëzëri nga të pranishmit.

Njohja me statutin e shoqatës shqiptaro-amerikane Skenderbej Inc. u bë nga z.Imer Laçaj ish ushtarak, atdhetar i flaktë dhe i zgjedhur si financier i shoqatës.  Ai paraqiti gjithë nenet e statutit në projektor ku nëpërmjet ekranit sqaroi profesionalisht komentet përkatëse.  Statuti u miratua duke marrë parasysh vërejtjet nga salla.

Në fjalën e tij s.Mark Qehaja n/kryetar i shoqatës pasi iu uroi gjithë pjesëmarrësve mirëseardhjen, me krenari dhe përgjegjësinë që ndjente njohu shoqatën me programin që do të ketë gjatë vitit 2019-të.  Programi përfshinte datat e rëndëishme kombëtare me aktivitetet pëkatëse, aktivitete qe janë zhvilluar denjësisht dhe më parë, ku më duhet të them se ka qenë përkushtimi i devotshëm i z.Qehaja për të zhvilluar me madhështi këto data historike kombëtare.

Programi u miratua nga të gjithë pjesëmarrësit duke marre parasysh dhe vërejtjet nga diskutantët.

Aktiviteti u bë dhe më i pasur kur nxënësja e talentuar Simelba Xhaferi bijë e dy aktivistëve Arta dhe Elton Xhaferi interpretoi poezi si shqiponjë e vërtetë në gjuhën e ëmbël shqipe.

Anëtarja e kryesisë znj.Arta Xhaferi inxhiniere arkitekte si bijë e një ish ushtaraku foli me krenari të ligjshme për të gjithë ata që i shërbyen Kombit me ndershmëri dhe përkushtim.  Ajo tha se do të punojë me kryesinë për zbatimin e statutit dhe t’i rrisim sa më shumë radhët e saj.

Në këtë mjedis përshëndeti përzemërsisht z.Robert Metolli ish ushtarak, pedagog dhe drejtor i qendrës së gjuhëve të huaja në Akademinë Ushtarake.  Me një humor të spikatur përshëndeti z.Gjok Lini ish skënderbegas dhe ushtarak. 

Me plot respekt dhe frymëzim përshendeti nga tribuna z.Fatjon Zagonjari me origjinë nga Kosova. 

Kryetari i shoqatës së mirënjohur “Devolli” z.Odise Salillari iu uroi kryetarit dhe kryesisë së shoqatës punë të mbarë për çështjen kombëtare.  Unë flas plot respekt për të gjithë ushtarakët që kam njohur në Shqipëri dhe Diasporë dhe them se ata kanë qenë njerëz të sacrificës dhe shumë korrekt në çdo drejtim.

Kolonel Qemal Zylo me një karierë të lartë në ushtrinë shqiptare ish shef i teknikës në Drejtorinë e Autokratorëve në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Shef i Katedrës së Autokratorëve në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” dhe profesor i lëndëve inxhinierike, si dhe shef i transportit në Korpësin e Paqes në Tiranë bëri pershëndetjen dhe përmbylljen e programit.

Z.Zylo ndër të tjera sqaroi dhe kritikoi se marrja e dokumentave zyrtare u bë pas një zvarritje të gjatë, për të cilën përgjegjësia bie mbi kryesinë e shoqatës.  Dhe kjo vonesë si dhe disa mospajtime pikëpamjesh dhe qëndrimesh krijoi dy grupime të cilat tani egzistojnë si dy organizata më vehte.  Edhe pse ka pothuajse një kohë të gjatë që punon me të dy grupet për t’i bashkuar siç ishin në fillim të krijimit ku kryetar u zgjodh dhe vazhdon të jetë z.Bashkim Shehu, përsëri vazhdojnë mosmarrëveshjet.  Z.Zylo dhe në emër të kryesisë shprehu dëshirën dhe vullnetin për bashkim me synim që në muajin dhjetor të bëhen zgjedhje të përbashkëta.  Ai vazhdoi se shoqata është jo politike në bazë të ligjit amerikan dhe ne të gjithë mblidhemi për kënaqësinë tonë dhe jo për grindje, politikën t’jua lemë atyre që paguhen për atë punë, megjithëse politikanët shqiptarë vazhdojne të na përçajnë dhe këtu në Diasporë.  Shoqata jonë duhet t’i shëbejë vetëm Kombit dhe të vlerësojë njerëzit më punëtorë dhe më të përkushtuar.

Ai ftoi për anëtarësime të reja dhe uroi që shoqata të ketë jetëgjatësi. 

Anëtarët paguan kuotizacionin përkatës dhe njëkohësisht pati dhe anëtarësime të reja ku më shumë dominonin të rinj dhe të reja.

Me shumë dashuri u festua dhe ditëlindja e z.Esad Seci ish ushtarak, nje anëtar i devotshëm i shoqatës që në fillimet e saj, familjar dhe patriot i përkushtuar.

Ishte një e shtunë e bukur me një atmosferë të këndshme të ngrohtë ku mjaft pjesëmarrës u argëtuan nën tingujt e muzikës së bukur shqiptare.

14 prill, 2019

Manhattan, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Kozeta Zylo-Skenderbej INC.

SOT, DITELINDJA E “GJENERALIT” TE SKENES SHQIPTARE

April 14, 2019 by dgreca

Nga Dalip Greca/*

Sot, 14 Prill është ditëlindja e Pirro Manit. Gëzuar 87 Vjetorin e Lindjes, mjeshtër-Gjeneral i skenës shqiptare!

 Shkodrania Anila Dushi nuk harroi të sillte në Kujtesë dhe ta përcillte urimin për Ditëlindjen e 87-të regjisorit të madh përmes “Pjacës”, ndërsa Gazeta “Telegraf” në Tiranë gjeti një kënd tjetër -kujtese:Rrëfimet e regjisorit korcar Dhimitër Orgocka për-  “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit dhe flokët e regjisorit, Pirro Mani. Reagimet e Enverit: Pse e cilësoi shfaqje frojdiste dhe qëndrimi i njerëzve të partisë në Korçë…Shkrimi vjen nga publicisti Vepror Hasani.

Edhe pse për Pirron është shkruar shumë, mbetet ende për të thënë. Edhe pse ai jeton në Nju Jork, përsëri është i pranishëm në Tiranë. Nga arkivi i Diellit unë po sjell një prej shkrimeve të mi kushtuar Atit të tij,inxhinierit Kosta Mani, i diplomuar në Institutin e famshëm MIT të Bostonit, ku pat studiuar edhe mjeshtri i madh i fotografisë Gjon Mili, i kthyer me Nolin për të ndërtuar Shqipërinë, vdekur në kampin famkeq të nazistëve në Mathauzen…

   ***

– Pirro Mani, Ditlindja dhe Pengu për të Atin Kosta Mani,shoqëruesi i Fan S. Nolit-

Por edhe në një ditë të shënuar si ajo e Lindjes, e shfaq një peng Pirro Mani, mbreti i skenës shqiptare, gjenerali i  regjizurës,Stanislavski shqiptar, është një peng që po e shoqëron për gjatë të gjithë jetës. Edhe tani, kur feston 87 vjetorin e lindjes, kërkesës për një intervistë, ai i përgjigjet shkurtazi: Për mua është shkruar mjaft. Nuk ka mbetur gjë pa u thënë. Por e kam një peng që më rëndon. Dua ta zbraz shpirtin nga brenga e tim eti. Më rëndon shumë ai peng. Më ka ndjekë edhe në skenë. E ke vënë re episodin e gurit  të pendimit tek “Cuca…”? Është krijuar prej meje ai episod duke pasur në mendje fundin e babait tim Kosta Mani. E kam mësuar vonë faktin që ai dha shpirt duke mbajtë në shpinë  pesha të rënda, ja ashtu si guri i pendimit. I zbriste në shkallaren e një galerie si mijëra të tjerë në kampin e vdekjes të Mathauzenit gjatë Luftës së Dytë Botërore.Ma ka treguar ngjarjen një durrsak që shpëtoi gjallë nga kampi i vdekjes…. Ai ishte një nga ata që i shpetuan ferrit të Mathauzenit. Ja si e pat përshkruar ai ngjarjen, qe i pat marre jeten Kosta Manit: Nuk kishte pranuar Kosta te ngrinte “gurin e turpit”, gurin e poshterimit; pas tij vinte guri i varrit. Ushtaret gjermane te kampit i dergonin te burgosurit ne nje humnere te thelle dhe i detyronin qe te ngrinin nga nje gur te madh mbi shpine (si rrase varri) dhe i shtrengonin me pahir qe t’i ngjiteshin te perpjetes. Dhe ata çapiteshin me shpirt nder dhembe me shprese e me gurin e rende ne shpine. Kosta e kishte imagjnuar veten edhe si Krishti edhe si Sizifi ne kete ngjitje. Po perse duhej ta bente sakrificen, kur pas ngjitjes, do ta prisnin plumbat? Pyet Pirro me shume veten se sa te atin! Kosta Mani nuk e kishte ngritur “rrasen e varrit”, gurin e poshterimit. Ata e grinë me plumba. Ai u masakrua me 1945, u shpall deshmor po në 1945, ndersa komunistet e ripushkatuan me 1946, duke e pushkatuar përsëdyti!

KUSH ISHTE INXHINIERI I DIPLOMUAR NË MIT NË BOSTON, KOSTA MANI?

Tregon Pirro: Babai im. Kosta Mani ka lindur në Korçë. Si shumë korçarë emigroi herët në Amerikë. Ka qenë rreth të katërmbëdhjetave kur mori rrugën e kurbetit. Krahas punës vazhdoi edhe studimet. Ka studiuar në Institutin e famshëm MIT të Bostonit, ku pat studiuar edhe mjeshtri i madh i fotografisë Gjon Mili. Është diplomuar për inxhinieri-arkitekturë. Ishte pjesë e Vatrës. Si shumë idealist të tjerë, e la Amerikën dhe u kthye në Shqipëri për të ringjallë vendin, si shumë idealistë të tjerë vatranë. Kishte në xhep diplomën e inxhinierit. Sa i mungonin Shqipërisë inxhinierët si ai!

    Në Shqipëri qe kthyer me Imzot Nolin dhe e kishte shoqëruar atë në udhëtimet që kryezoti i Shqiptarëve të Amerikës kishte bërë në Shqipërinë e Jugut, kryesisht në Tepelenë dhe Gjirokastër. Këtë episod, Pirros ia pat treguar nëna e tij.

Pasi Fan Noli e la Shqipërinë, Kostë Mani nuk e ndoqi pas. I tha Imzotit se Shqipëria kishte nevojë për atë dhe do të qëndronte. Ati i shqiptarisë, Noli i kishte dhënë bekimin. Dhe ai vazhdoi të punoi në Ministrinë e Punëve Botore. Kishte fatin që të punonte me një tjetër inxhinier të zot, me inxhinier Gjovalin Gjadri. Shqipëria ishte me fat se ishin bashkë dy shkolla inxhinierike; ajo amerikane, ku ishte diplomuar Kosta Mani dhe ajo austriake; ku ishte diplomuar inxhinier Gjadri. Të dy ndërtuan ura, rrugë, vila, që i qëndruan kohës.

Pirro përhumbet në rrëfimin e tij: -E mbaj mend mirë rrugën malore të Thethit. Babai më kishte marrë me vete. E kam në kujtesë bukurinë përrallore të Thethit. Ata punonin, unë vështroja bukurinë e egër të maleve dhe pastaj kthehesha i lodhur dhe i kënaqur në çadër. Qe kohë vere. Ishte bukur.

 Edhe Urën e Zogut, urën me harqe, e pat ndërtuar Gjadri me Kosta Manin. Pirro kujton se edhe atje i ati e pat marrë me vete shpesh herë. Madje e mban mend të atin dhe Gjadrin me hartat përpara tek ndiqnin projektin. Kosta Mani ishte kudo ku ndërtohej. Kishte ndërtuar dhe një shtëpi provizore për vete në Tiranë, që priste ta modernizonte kur t’ia kishte ngenë.

   Kosta Mani jepte edhe mësim në Shkollën Teknike të Fullcit. Jepte lëndën e Matematikës. Pirro kujton se i ati lexonte shumë Letërsi. Në bibliotekën e tij ndodheshin libra të Balzakut, Stendalit, Dumas, Tolstoit.

      Kosta ndertoi edhe uren e Kardhiqit ne Gjirokaster. Kjo ure i dha nje fatkeqesi dhe nje dhurate, qe do ta kishte te shtrenjte gjate jetes se shkurter. Gjate punimeve per ndertimin e ures theu kemben. Ku te gjente mjek? E çuan tek nje mjeshtre popullore, qe i kishte dale nami si ortopede e rralle.Mjeshtrja, plaka Dade, jetonte ne Stegopull te Gjirokastres. Muskujt e Kostes sforcoheshin nen dhimbjet e shtrengimeve te plakes, ndersa syte i ishin ngulë ne bukurine e rralle te nje vajze 15-vjeçare; mbesa e plakes Dade. Inxhinieri sheroi njeheresh kemben dhe shpirtin. Vajza bjonde, me emrin e bukur Amali, do te behej “robine” e inxhinier Kostes, i cili e kerkoi sakaq per grua. U martuan me Amaline dhe linden femijen e pare, Pirron, pastaj dhe dy vajzat, motrat e Pirros. Kosta, nderkohe kishte blere nje truall 6 mije m2, ne rrugen “Shen Gjergji” ne Tirane, sot rruga”Ali Demi” dhe aty ndertoi shtepine e tij, qe Pirro e gezon sot (edhe pse eshte ne Amerike shtepia pret te zotin ende). Jeta ecte ne rrjedhat e veta. Shpesh Kosta bridhte neper Shqiperi, ku ndertonte a projektonte. Merrte me vete edhe Pirron e vogel dhe e ushqente me dashuri per kombin, Atdheun e shtrenjte, qe duhej dashur edhe kur ishte kocke e lekure. Ne diten e pushimit fashist, Kosta u pushua nga puna dhe u arrestua me akuzen se kishte hedhur ne ere uren e Limuthit, ate ure qe e kishte bere vete. Kosta kishte shtetesi amerikane, urrente fashizmin, dhe u trondit nga pushtimi i Shqiperise. Dikur hapi nje zyre private ne Tirane, “Stika”, se bashku me inxhinierin Spiro Koleka. Ajo zyre nisi projektet e ndertimit te infrastruktures se Tiranes; projektoi rruge, sheshe; parqe, vila te bukura dy dhe tri kateshe. Kosta projektoi vilen e njohur mbi kodrat e Tiranes, “Baballaret e Teqese” dhe vepra te tjera qe i rezistuan kohes.

Pirro është i bindur se babai ka qenë antifashist në shpirt dhe si i tillë ishte zgjedhë edhe në Këshill. Madje për reputacionin që gëzonte, u zgjodh edhe deputet i Korçës. Gazeta “Tomorri” e asaj kohe i kushtoi hapesire ne kroniken e vet fjales se deputetit Kosta Mani: “Çameria dhe Kosova, jane pjese te pandara te Shqiperise, deklaron deputeti Kosta Mani.” Në kohën e Asamblesë Kombëtare në kohën e pushtimit gjerman, si deputet ishte pjesë e saj. Por Partizanët e qëlluan me top duke shpallë Asambleja Tardhëtare. Si shumë intelektualë të tjerë patriotë Kostë Mani mendoi se Atdheut mund t’i shërbehej edhe nën pushtim. Por atë pjesmarrje nuk ia falën komunistët. Mblidhet qarkori dhe e përjashton Kostën nga Këshilli. Ishte kohë e çmendur, komunistët e akuzojnë, fashistët e arrestojnë, edhe gjermanët, po ashtu e arrestojnë, si njeri të rrezikshëm. Me kë ishte Kosta Mani? Ishte me Shqipërinë. Arrestimi në fundin e dhjetorit 1943 nga gjermanët ishte fatal. Nazistët e syrgjynosën në kampin famkeq të Mathauzenit. Pirro kujton se nëna, që e kishte marrë vesh lajmin e internimit, i kishte shkuar në burg dhe i kishte dhënë një xhaketë nën astarin e së cilës kish qepur nën një arnë 40 napolona flori. T’i kishte për çdo rast, pat menduar nëna. Pirro atë kohë ishte fëmijë 12 vjeç. E ka në kujtesë pamjen e trishtë. Të burgosurit i hipën në kamionë dhe i nisën në mëngjes herët. Imazhi i mbeti në mendje. Në shtëpi prisnin në ankth ndonjë lajm. Shenja e fundit e komunikimit ishte një telegram që ishte nisë nga Kosta. Ishin vetëm tri fjalë: “Jemi në Manastir”! Asnjë lajm tjetër.

E gjithë jeta e Kosta Mani, është një dramë me shumë misterie, një dramë e ankthshme me shumë akte, thotë i biri, Pirro Mani, për të cilin misteriet mbeten të pazbardhura ende edhe sot.

  Hija e të atit dhe shpirti i tij peng nuk i janë ndarë Pirro Manit as këtu në SHBA. Kur erdhën në Amerikë u vendosën në Kolorado dhe më pas në Nju Jork. Shpesh shëtisja me hijen e tim eti. Më dukej se do ta takoja diku….Edhe ai kishte qenë në Amerikë…Më duket se Pirro po mediton….

    Nuk ka heqë dorë nga gjurmimet për të gjetë të dhëna për të atin, që më parë nuk mund t’i siguronte. Mësoi se Kosta Mani nuk ishte i vetëm kur u nis në kampin e vdekjes. Ishin më shumë se 200 të burgosur. Një pjesë i dërguan në Prishtinë, pjesën tjetër në Mathauzen, ku i ra fati të shkonte edhe Kosta. Përmes kërkimeve me shoqatat amerikane-hebraike, u arrit të sigurohen të dhënat e munguara, përfshirë dhe kohën e vdekjes -27 Janar 1945, vendin e  vrasjes, dhe të dhëna të tjera. Madje edhe numrin që mbante në uniformën e kampit të internimit.

             … Lajmi fatal është mësuar pak muaj pas çlirimit të Shqipërisë. Në shtëpi ka shkuar Spiro Koleka, që ka qenë ortak me Kostën në zyrën e projektimeve dhe ndërtimeve “Stika”. Spiro ishte inxhinier i ri asokohe dhe bashkëpunoi me Kostën edhe për të fituar eksperiencë. Ai solli lajmin fatal në shtëpinë e Kostë Manit. Familja shpalli zinë dhe e qau Kostën.

         U shpall dëshmor nga regjimi. Familjes iu dha dhe karta e dëshmorit, por drama e Kostë Manit nuk kishte të sosur. Ashtu si në kohën e italianëve dhe gjermanëve, dhe të komunistëve, secili e sheh si armik.

        Pirro tregon:Më kujtohet se ka qenë një burrë me emrin Faruk, që jetonte në një barakë, diku aty ku ka qenë Ministria e Jashtme. Faruku ka qenë kampion boksi.Ai qe rritur në shtëpinë e Kosta Manit. Kujtoj se Faruku mbante dhe një pistoletë nga që kishte qenë partizan…

   Pirro kujton se po vinte Faruku me nxitim dhe i thotë: Ç’po bën këtu? A e di se po i demaskojnë gratë e familjes Mani?!

Shkova me vrap. Agjitatorët komunist ngrinin zërin në kupë të qiellit për armikun imagjinar.Dhe armiku paskish qenë Kosta Mani që na qenkish shpallë “dëshmor me biografi të keqe” sepse paskish marrë pjesë në Asamblenë tradhëtare!Fronti Demokratik dhe partia nuk mund ta toleronin këtë tradhëti! Ultimatumi i demaskimit ishte i rreptë:Familja armike Mani duhej të largohej brenda shtatë ditëve nga Tirana! Nisën reprezaljet. Pirron kujton se e pezulluan nga puna, ndërsa motrën Marika e hoqën nga puna, edhe motra tjetër Mirela u pezullua nga shkolla. Ua hoqën dhe triskat.Ishte hapur fjala se Kosta nuk ishte vrarë e se punonte si agjent në një shërbim perëndimor!

    Pirro, thotë se pagoi rëndë faturën.Por siç duket, dikur u bindën se të gjitha këto ishin fantazira. Vetë ata e vërtetuan se Kosta ishte egzekutuar në Mathauzen. Mirëpo hija e dyshimit mbeti pezull, kurrë nuk u trajtua më si dëshmor. Jo vetëm kaq por Kostës nuk iu përmend emri as njëherë si një nga inxhinierët e parë të Shqipërisë të diplomuar në SHBA. Pirro ruan një dokument që ka emrat e inxhinierëve që kanë kontribuar në Shqipëri, ku emri i parë është ai i Kosta Manit, pastaj i dy inxhinierëve italianë,i Gjadrit dhe të tjerëve.

Rihabilitimi i të birit të Kostës, Pirro Manit, ndodhi vonë. Fillimisht nuk i dhanë as të drejtë studimi. Kalojnë dy vjet pasi mbaroi shkollën dhe nuk po i dilte e drejat e studimit. Madje mbaroi dhe ushtrinë e më pas e lejuan.Kujton se një ndër ata që e ndihmuan ishte Dashnor Mamaqi.

                         JETA NË NJU JORK

Fillimisht Pirro Mani u vendos në Bronx, në një zonë shumë të populluar nga shqiptarët. Banonte në një apartament modest në zonën e Palham Parkut. I pëlqente pse shëtiste në parkun e madh. Shpesh herë humbiste ne brendesine e parqeve të gjelbërta, meditonte,endej bashkë me personazhet dhe subjektet e veprave të veta që kishte në dorë dhe përhumbte për orë të tëra, pastaj kthehej dhe shkruante…Ka më shumë se 1500 faqe të shkruara, drama, komedi, esse… Ai, vullkani i skenës, që i rrinte ndezur, ka mbetur sërish ashtu, i pashuar, por tani i zhvendosur në fushën e krijimtarisë.

Unë:- Pirro, si e le Koloradon për Bronksin?

Ai:- “Më duket se koha fluturon dhe bashkë me të dhe unë me subjektet e mia. Nuk them se në Kolorado (ku ka jetuar para se të vinte në New York) nuk kishte variante, por këtu nuk e di se si më duket, krejt i veçantë ky Bronksi. Shpesh herë dal diku në kryqëzimin mes Holland Avenue dhe Lydig dhe gjithandej dëgjoj të flitet shqip, dëgjoj kasetofonat e makinave shqiptare të buçasin nga këngët shqiptare dhe shpirti ndjenë një prehje të butë, të kadifenjtë…Më pëlqejnë shumë tablotë e ndërtimeve të vjetra. Pa të vështrosh arkitekturën e këtyre mjediseve ku janë vendosur shumica shqiptare, habitesh; është një hundë e ngritur aty dhe po të shikosh përpara ka një pamje të mrekullueshme; ajo ura e veçantë, trenat që vrapojnë nëpër shina mbi urë, lumi i makinave nën urë, këmbësorët që nxitojnë, ca ndërtesa karakteristike të viteve 50-60′. Po nuk është gjithë kjo mrekullia. A e ke vënë re atë pamjen e ndërtesave në të dy anët e rrugës poshtë urës pasi ke lënë segmentin e rrugës”Nënë Tereza”? Jo? Po aty është një mrekulli e mbetur,që nuk e gjenë tjetërkund. Aty është Amerika e viteve 20- 30-të. Shihe me kujdes se do të mahnitesh”…
Ai sikur ka marrë në dorë penelin dhe vazhdon e skicon pamjen poshtë urës, ndërsa fjalët përshkruese janë poezi e gjallë plot metafora… Pastaj flet për pamjet e kopështit Zologjik, me blerimin e Kopshtit Botanik. Ka bukuritë e veta Bronksi.

“ARTISTI I POPULLIT”, I BIRI I “ARMIKUT TË POPULLIT”!

Ky është Pirro Mani, regjisori i madh shqiptar, shtylla, themeli dhe maja e teatrit kombëtar, aktori dhe regjisori i paarritshëm, Artisti i Popullit, njëkohësisht i biri i ” Armikut të Popullit”; Kosta Manit, dikur emigrant në Amerikë, inxhinieri idealist, që u rikthye të ndërtonte urat e rrugët e Shqipërisë. Paradoksi i absurdit shqiptar, “Artisti i Popullit” i biri i “Armikut të popullit”! Si mund të jetojnë së bashku? Sidomos në kohën e mjegullt të dekorit komunist, ku thika të ulej pas shpine si në tragjeditë e Shekspirit; ku biografia ishte “pasaportë” për gjithçka? Ai që nuk e njeh historinë e jetës së Pirro Manit, (ashtu siç nuk e njihja në detaje edhe unë para se ta takoja një ditë vere në Pelham Park, deri në çastin që nuk kisha lexuar monografinë e shkëlqyer të studiuesit Josif Papagjoni, do ta merrte këtë si një stisje, sajesë gazetareske për t’i dhënë Pirro Manit një dozë persekutimi demode, siç është bërë në modë ndër ne shqiptarët. Por Pirro Mani nuk ka nevojë për sajesa të atilla, emri i tij është aq i rëndë në themelet e teatrit shqiptar sa që nuk ka levë politike që e lëviz prej andej. Pa Pirron regjisor, teatri shqiptar shkërrmoqet, mbetet pa histori…Po teatri ishte mburrja jonë, argëtimi ynë i pakët! Hija e të atit ende trazohet dhimbshëm në trurin e tij, i përzjehet në subjektet e veprave që ka në dorë. Shpesh herë atë hije ia kanë nxjerrë si mur të pakapërcyeshëm në rrugën e jetës për t’i përmbysur ëndrrën e madhe për skenën regjisorit dhe artistit Pirro Manit. Ata, shefat e kuadrit, shpesh i nxirrnin nga sirtarët, hijen e të atit, Kostës, e bënin enkas si për ta trembur, ndërsa ai ngjitej pas asaj hijeje, bëhej njësh me të, këshillohej me të në çaste të vështira, kur ata e paralajmëronin: Në kazëm do të dërgojmë, nuk e ke të pastër biografinë, mos kujto se nuk të njohim! Ose: në Kukës merre vrapin dhe bëj thiatro atje, eduko masat me artin e partisë…

  Dhe Pirro nuk mund të bënte përjashtim nga ligji i biografive, vullneti i tij, fuqia fizike, në situata të vështira i bënë shumë punë. I binte kazmës, ndërsa pasditeve merrej edhe me sport. I ati, edhe pse e pat lënë fëmijë 12 vjeçar, i pati injektuar vullnet dhe dëshirë për punë.

Veçse hija e babait do ta ndiqte këmba këmbës derisa të bëhej dikushi, të bëhej ai emër që peshon aq rëndë sot në teatrin tonë kombëtar. Sidoqoftë rruga nëpër të cilën eci regjisori i madh, Stanislavski shqiptar, qe plot labirinthe; një sekretar partie i tregonte vijën; një shef kuadri e thërriste dhe e paralajmëronte të kishte kujdes se partia ia njihte mirë biografinë; një tjetër vinte gishtin tek buza dhe i jepte këshillën cinike: Shëëëët, dhe rri urtë-ë! Ke talent, por duhet dhe pasaporta e biografisë! Biooografia…mbi të gjitha! Dhe ai luftonte me vetëveten, këshillohej me hijen e babait të dashur, që nuk i pat bërë keq Shqipërisë përveçse e pat lidhur me ura dhe rrugë? Ndonjëherë Pirro ashtu me shpirtin copë e çikë përplasej në ndonjë mejhane dhe aty nën avujt e alkoolit perpiqej të gjente rrugën nëpër labirinthet e gjarpëruara të hamendjeve, por kur ftillohej i thërriste vetes, sidomos pas këshillimit me hijen e Kostës: Punë, Pirro, vetëm punë! Por edhe kur punonte ata nuk i ndaheshin. Dhe përpiqeshin që ta armiqësonin me hijen e të atit… Kur shkonte në gjendje të dëshpëruar, nënë Amalia, zëvrarë shpirtcopëtuar, përpiqej të mos e lëndonte:Përsëri paske pirë, mor bir? ç’të bënë këtë herë?!Me se të ranë në qafë…Ai ulte kokën…

            PAK FAT DHE TALENTI SHPËRTHEU

Po si arriti të çaj nëpër shtigjet e zëna artisti i ardhshëm? Mjaftojnë pak shembuj, për të parë shtigjet, nëpër të cilat nisi e ndrojtur, dhe jo pak herë e rrezikuar ngjitja e Pirro Manit: Rastësia e bën fitues të Konkursit për Liceun Artistik. Edhe tani i duket se gjithçka erdhi si në një ëndërr: Kishte shkuar me dy shokë që do të konkuronin për teatër, thjesht për t’i shoqëruar. E sheh artisti, i miri Besim Levonja, dhe i thotë: -Hajde dhe ti djalë! Pirro e kujton sikur të kishte ndodhur dje ajo rastësi që e çoi tek teatri.

– Çfarë di të recitosh?- e pyet Besimi.

Recitoi ca vargje nga “Bagëti e Bujqësi”. Pastaj atristi e provokon papritmas:-”Gjarpëri, te këmbët e tua!”

Pirro, i trembur, u hodha përpjetë, bëri nja dy salto si atlet dhe kaq.

Të nesërmen emri i tij ishte tek lista e fituesve.Për një çast e harron hijen e babait, por nuk e harronin ata, që kishin çelsat e pallatit të dosjeve …Gjithësesi e mbaroi shkëlqyeshëm Liceun,por ia refuzojnë kërkesën për shkollë të lartë:-”Jo, ti je i biri i kolaboracionistit, Kosta Mani. Në kazëm djalë, të edukohesh njëherë, pastaj shohim e bëjmë!

 Dhe Pirro kishte marrë kazmën dhe duke e ngulur thellë, përpiqej që të nxirrte inatin ndaj absurdit, që ia pat bërë shpirtin copë. Më pas i qethën kokën dhe e çuan ushtar. Por edhe atje nuk hoqi dorë nga ëndrra, teatri.Vunë në skenë komedinë e Besim Levonjës”Prefekti”. Pirro luajti Qazim Mulletin, kurse një ushtar tjetër luajti Hajrijen. Ata që e ndiqnin mbanin shënime në dosjet e tyre për birin e armikut… Por dikur, ata, shefat e kuadrit, sikur i kishte kapur gjumi, ose bënin sikur flinin; rekomandimet e artistëve, ish mësuesve të tij i çelin rrugën për studime në Moskë. Veçse, ata të tjerët, nëpunësit e pallatit të dosjeve, nuk harronin. Pirro Mani do të ndeshej sërish me absurdin: Sapo kishte mbaruar shkëlqyeshëm studimet për regjisurë në Moskë (ku pat shkuar falë dorës së ngrohtë të artistit Besim Levonja, ndoshta dhe rekomandimit të mësuesit të tij, mjeshtrit të skenës, Kadri Roshi, pas peripecive e përplasjeve me hijen e padukshme të të atit, që burokratët cinikë ia nxirrnin sa herë ai synonte një pistë të re vrapimi). Pas studimeve, kur troket në Ministri për emërimin, nëpunësi ia kumtoi pa ceremoni emërimin:

– Në Kukës djalosh! Pirro i shokuar nga ky emërim, pyet më tepër veten se sa shefin burokrat:-Unë në Kukës?

 – Po, atje shko e bëj thiatro!

– Më falni , por unë kam mbaruar për regjisurë teatri. Sikur nuk ka teatër në Kukës.

 Ai, shefi : A je Pirro Mani ti?

-Pirro:Po, unë jam!

Shefi:- I Kosta Manit je ti?

Pirro- Po!

Shefi: Mos e zgjat,shko në Kuëks! Ik nashti se nuk e ke llangar biografinë, merr vesh. Ata po e emëronin në Kukës Pirro Manin që kishte shkëlqyer në Moskë, në vendin e kolosëve të teatrit, ndoshta për ta thyer, që të shpërthente dhe pastaj e dinin ata se ç’të bënin.

SHKËLQIMI NË SKENËN RUSE


Atje në Moskë, fati dhe talenti ia patën përkëdhelur shpirtin artistit të ardhshëm.Ata të dosjeve kishin mbetur larg. Ai që fatlum sepse studioi në shkollën e famshme në Institutin Shtetëror të Artiti Teatror GITIS,ku fitoi diplomën e studentit më të shkëlqyer(pas 40 vjetësh do t’ia sillnin atë diplomë). Fati e ndihmoi edhe pse pati si pedagogë emra shumë të njohur të Teatrit rus, si drejtorin e Teatrit Dramatik të Moskës, udhëheqësin artistik të teatrit “Majkovski”, një ndër regjisorët më të mëdhenj moskovitë dhe atij rus, Aleksej Mihajlloviç Gonçarovin, nxënësin e drejtpërdrejtë të Stanislavskit të paarritshëm, brezit të fundit që qe ende gjallë aso kohe. Pikërisht ky njeri i shquar i teatrit zbuloi tek Pirro Mani, një temperament të veçantë skenik dhe i besoi atij rolin e Edi Karbones tek “Pamje nga ura” e shkruar nga dramaturgu amerikan, Arthur Miler.

Tregon Pirro:- Rolin e Edi Karbones e mora me shumë pasion. Jetoja orë e çast me të. Ky ishte një shans që një herë të troket në derë. Dhe unë e kapa fort dhe s’doja ta lëshoja kurrësesi.

    Pirro Mani i dha Edi Karbones shpirt nga shpirti i tij. Qe një sukses roli i shqiptarit në atë dramë. Të gjitha gazetat e artit, e merrnin në intervista, fansat i kërkonin gjithandej autogarfe. Madje u shkrua se “ky shqiptari e luan më bukur se Sokollovski”, një nga aktorët më të shquar rusë të kohës. Madje u pëlqye në mënyrë të veçantë theksi ruso-shqiptar i Edi Karbnes-Pirro. Ndoshta gjithçka lidhej me faktin se Karbone ishte emigrant Italian në Amerikë, ndërsa Pirro ishte shqiptar student në Rusi. Është e vështirë që të përcjellësh në pak radhë atë jehonë që pati roli i realizuar mjeshtërisht nga Pirro Mani. Njëri prej kritikëve dhe estetët më të njohur rus dhe europian, Allpers, pasi kishte parë shfaqjen “Pamjen nga ura”, qe shprehur: “Më kishte marrë malli ta shoh Mihail Çehovin. Tani që pashë Edi Karbonen e Pirro Manit, mu ringjal Mihail Çehovi.” Dhe Pirro nuk u besonte veshëve që ky kritik i njohur po e krahasonte me një njeri aq të shquar, një nga aktorët më të mëdhenj të Teatrit të Moskës, i arratisur asokohë në Amerikë, ku qe bërë aktor protagonist në Hollyëood. Në një nga shfaqjet “Pamje nga ura ” asistoi edhe ish partnerja e të madhit Aleksandër Moisiu, aktorja e njohur gjermane, Korner. Shprehjet e saj vlerësuese i mbollën gazetarët në kolonat e gazetave moskovite:”Jam e lumtur që takoj këtu në Rusi një aktor shqiptar, nga vendi i Moisiut të madh.” Aktorja, kujton Pirroja, u mallëngjye shumë, madje filloi të ngashërehej në lot duke kujtuar Moisiun e madh. Pirro e sjell edhe tani në kujtesë çastin fatlum të takimit me aktoren Korner, madje ai qe skuqur e qe hutuar ca si shumë kur ajo e pat lëvduar hapur, në sy të të tjerëve:”Më vjen mirë që Shqipëria paska dhe nxënës të Moisiut”. Kur mbaroi studimet, studenti i shkëlqyer Pirro Mani pati oferta konkrete për të qëndruar në Teatrin e Moskës, por ai ishte idealist, dhe si i tillë do të vinte dhe do t’i shërbente Atdheut; ishte idealist siç kishte qenë i ati, i cili duke e marrë Pirron pas vetes nëpër Shqipëri, kur ndërtonte ura e lidhte rrugë, i fliste atij se sa i bukur ishte Atdheu. Atdheu kishte plagë dhe ky, Kosta, përpiqej t’ia shëronte me projektet e veta. Ndërsa i biri, ky artist që kishte ardhur plot ëndrra për teatrin nga Moska, përplasej në realitetin absurd të burokratëve cinikë, të gardianëve të biografive, që ia vrisnin shpirtin me porositë cinike: Kujdes -ë, se ta dimë biografinë!

                            MISIONARI I TEATRIT

Pirro, pas kthimit, përpiqej t’u qëndronte larg shpirtzinjëve të biografive, po s’i shqiteshin ata. Veçse ishte i bindur se ai ishte misionar i artit në përgjithësi dhe i Teatrit në veçanti, dhe nuk duhej të dorëzohej. Pirro Mani do ta tregonte veten në Korçë, ku e emëruan regjisor të Teatrit. Iu fut punës plot pasion. Përsëri thirri në ndihmë Arthur Milerin. Vuri në skenë “Pamje nga ura”, por nuk u rrek që të imitonte ustain e vet rus, zëri i të cilit ende i tingëllonte në veshë “Ti Pirro nuk duhet të na kopjosh ne, t’i duhet të na kthesh krahët”. Dhe Pirro e vuri në skenë “Pamje nga ura”, sipas konceptit të tij, që më vonë do të thirrej me emrin e tij të përveçëm, alla Pirro Mani. Regjisori i ri do ta udhëhiqte vetë trupën në skenë përmes rolit të Edi Karbones të luajtur mjeshtrisht nga ai vetë. Dhe Korça e duartrokiti Pirro Manin. Madje në sallë kishte patur dhe diplomatë e gazetarë të huaj.Të gjithë e pëlqyen spektaklin. Më pas u dëgjuan bishta se shfaqja përcillte frymë revizioniste. Nuk vonoi urdhëri: Të pezullohet shfaqja!

    Pas shkëlqimit kishte ardhë rënia ose siç shprehet Pirro, vetë shkëlqimi kishte rënë në kurth.

Pirro e kujton ngjarjen edhe sot, tek rrezatohet në verandën e shtëpisë së tij të bukur në Harrison, një prej lagjeve piktoreske të Nju Jorkut. Kujton ai: Partiakët e vegjël të periferisë nënqeshnin dhe përkëdheleshin si fitimtarë: Partia kishte qenë syçelë, ata qenë vigjilentë dhe nuk kishin lejuar që të helmatiseshin spektatorët me pikëpamje revizioniste. Pirro e pa veten të goditur, por ende nuk ishte rrëzuar në ring. Fryjnë ndonjëherë erërat e rastësisë dhe si padashje ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve. Një nga të mëdhenjtë e piramidës, Ramiz Alia, shkon në Korçë për konferencë Partie. Ai kishte parë “Pamje nga ura” atjë në Moskë; atje i kishin thënë se një shqiptar e kishte luajtur më mirë se Sokollovski. Dhe ky kishte pyetur partiakët e Korçës: Ku është ky njeri, përse nuk po e shoh këtu? Ata, shërbëtorët e vegjël, që patën fërkuar duart se kishin qenë vigjilent, u ndriti buzeqeshja:- Bëri një shfaqje me gabime të rënda ideologjike, nuk pati sukses, prandaj e hoqëm nga repertori.

-Çfarë gabimesh ideologjike, ajo është shfaqur në Bashkimin Sovjetik. Dhe ata, shërbëtorët e veckël, turravrap gjetën Pirron; duke iu servilosur i dhanë lajmin se e kërkonte i madhi. Pyetja e të madhit të partisë, për çudinë e shërbëtorëve të veckël, qe e papritur : A mund ta bësh gati shfaqjen brenda dy ditësh? Pirro mezi e priste këtë pyetje dhe vrapoi në skenë; e mblodhi trupën dhe pas dy ditësh shfaqja qe gati. Pirro ende i kujton ato çaste të rënda në skenën e passhfaqjes, kur salla ende nuk po guxonte të reagonte. Ai, i madhi qe ngritur dhe i qe drejtuar skenës. Heshtje akulli. Pirros, i binin djersë të ftohta.Ishte në provë. Loja kishte qenë e shkëlqyer, por pritej reagimi i të madhit. Të gjithë qëndronin të ngrire. Heshtja i vriste shpirtin.Mos vallë sërish do të vinte pezullimi? Përsëri akulli do t’ia ftohte shpirtin regjisorit? Ndëshkim?Pirro ndiqte hapat e të madhit që dukej sikur çapitej enkas ngadalë dhe koha sikur nuk shtyhej,sekondat dukeshin orë. Ramizi, pasi kishte mbërritur në skenë e kishte shkrirë akullin vetëm me një fjali magjike që u drejtoi aktorëve: “Ore, unë e kam parë shfaqjen me atë aktorin e madh rus, Sokollovskin, por ky djali juaj sikur luan më bukur”. Kaq u desh, akulli shkriu. Stuhi duartrokitjesh, edhe ata shërbëtorët e veckël servilë, që e kishin zbuluar ideologjinë revizioniste në rastin e pezullimit, tani duartokisnin më fort. Drama “Pamje nga ura” që e bëri aq të suksesshëm në Moskë, që u ngjall pasi e vdiqën në Korçë, korri sukses të jashtzakonshëm. Staticientët kanë shënuar se ajo qe dhënë 50 herë vetëm në Korçë, pastaj në të gjithë Shqipërinë. Pirro ishte shkrirë me Edi Karbonen, ndërsa konceptimi regjisorial i dramës, i mbante të mbërthyer shikuesit. Por guri i sizifit kishte rrëshqitur sërish, dhe ai, Sizifi- Pirro, duhej ta ringjiste. Amerikani Miler dhe drama e tij, kishin hyrë klandestinë në Shqipëri. Edhe pse kishin gjetur mjeshtrin Pirro Mani, qenë të pagëlltitshëm në Shqipërinë komuniste. Realizmi socialist dyshonte në helmin që mund të mbillte. Pas atij suksesi, pas ringjalljes, dramën e pa vetë Njëshi, vetë Enver Hoxha. Zëri i tij kishte ushtuar si bubullimë:-Të ndalohet drama!

Pastaj kishte shtuar:- “S’kam asgjë me aktorin që luan Edi Karbonen, është nga artistët më të mirë që kam parë, por drama është frojdiste.”

– E kishte thënë ai, s’kishte zot që e kthente pas urdhërin. Pas kësaj shfaqja nuk u dha më-psherëtinë Pirro, që s’ka harruar asgjë edhe pse kanë kaluar aq kohë…
Pas kësaj, sërish në shpirtin e artistit, diçka u thye, u bë akull. Ai, i pat dhënë aq shumë prej vetes asaj drame, qe bërë njësh më Edi Karbonen. Këtë lloj thyerje regjisori Mani do ta ndjente shpesh. Fatin e “Pamje nga ura” do ta kishte edhe “Rrethimi i Bardhe” me autor të dramës Naum Prifti.

“RRETHIMI I BARDHË” DHE NGRIRJA E AKULLT, ENVERI NË TEATËR


Shfaqjen”Rrethimi i bardhë” kishte shkuar për ta parë përsëri ai, i madhi, monarku. Pirro Mani nuk e fsheh, në prag të shfaqjes provonte një ankth që nuk i shqitej prej gjoksit.Një parndjenjë e keqe. Ka qenë 26 shkurti i vitit 1964, Enveri, kishte shkelë në teatrin A. Z. Çajupi dhe pas atij momenti qetësia e thellë ishte bërë mbretëreshë e gjendjes. Akullnajë përreth. Acar në sallë. Mpirje në skenë… Çdo të thoshte Zeusi? Konceptimi regjisorial i Manit, rishkrimi i tekstit (siç bënte me çdo pjesë që vinte në skenë) i kishte dhënë shfaqjes një tjetër prirje, e kishte ashpërsuar konfliktin, ndryshe nga shfaqja e Tiranës, ku një tjetër regjisor e kishte vënë në skenë. Pirro shihte reagimin e perandorit atje në llozhë, por asgjë nuk lexohej atje së jashtmi. Ai ishte si mali që s’bzanë. Përmes ankthit shfaqja po shkonte drejt finales. Pirro e ka në mendje ngjarjen: Kishte ardhur finalja e skenës së fundit; një mori duarsh të ngritura lart prej gjeologëve punëtorë, mbetur mes borës, kallkanit dhe grykës së malit, tashmë kishin ngrirë si një gjest mistik, si në një lutje, si një shpresë a fat, a përshpirtje, a klithmë dëshpërimi, teksa aeroplani përsipër kokave të tyre largohej tutje indiferent, sfidues, shurdhan. Mizanskena ishte dëshpëruese. Pirro shihte atë, njeriun Perëndi. Mjaftonte një shenjë e tij dhe gjithçka merrte udhë. Enver Hoxha kishte bërë shenjën; një xhest nervoz.. Kaq mjaftoi që kumti të kapej e të përcillej atje ku duhej. Pirro ka ndjerë një dhimbje brenda qenies së vet; dhe kjo krijesë e tij skenike po thërrmohej çika-çika. Udhëheqësi kishte pritur tjetër gjë, tjetër zgjidhje: ku ishte Partia? Ajo duhej të zbriste nga qielli dhe të mos i braktiste ata fatkeqë që ngrinë kallkan atje majë malesh. Dhe salla duhej të shpërthente : Parti-Enver; jemi gati kurdoherë! Udhëheqësi priste duartrokitje, ndërsa salla kishte mbetur memece, e mpakur nën dhimbjen e efekteve që përcollën ato pamje tronditëse. Arti i Pirros i kishte tronditur, por partia donte atmosferë festive, entuziazëm… Drama u ndalua, urdhëri kishte dalë prej Zeusit. Pirro sërish pësoi goditje; ata përpiqeshin që t’ia merrnin jetën krijesave të tij skenike. Regjisori nuk u tërhoq, djersiti, kafshoi buzët, kur ata turreshin dhe përpiqej me sa mundte të shpëtonte krijesat që mbanin brenda shpirtin e tij.Krahas hijes së biografisë, që përpiqte ta kafshonte dhe një tjetër hije e ndiqte këmba- këmbës: censura. Ndërsa biografia i nxori telashe, që u përpoq t’i kapërcente, gërshëra e censurës ia shëmtonte krijesat, ia deformonte, ia rrudhte. Ai eci me kujdes mes të dyja duke luftuar që të mbijetonte. Dhe mbijetoi ne sajë te talentit të tij të jashtëzakonshëm. Kritika ka shkruar se Pirro Mani u bë figura më përfaqësuese e teatrit shqiptar. Aktori i ndjerë Agim Qiriaqi është shprehur:” Faza e tij e parë ka qenë e shkëlqyer, kurse pas Plenumit të IV të vitit 1973, ai u detyrua të bëjë si shumëkush kompromise me censurën ideologjike e politike të kohës. Megjithatë ai mbijetoi në sajë të talentit të tij të padiskutueshëm. U bë figura përfaqësuese e teatrit. Atë nuk e hodhën dot poshtë, ashtu si edhe Ismail Kadarenë në Letërsi. Në teatër u goditën shumë figura të shquara, si Mihal Luarasi, Kujtim Spahivogli e të tjerë. Pirroja nuk dorëzohej kollaj. Luftonte. Mbijetonte mes vështirësive, kufizimeve, imponimeve. E mbajti në këmbë teatrin për 15 vjet të tjera pas plenumit të IV. Ishte lindur si artist i madh”. Në Korçë ai guxoi dhe krijoi personalitetin e vet skenik në periferi. Shfaqja e dytë që vuri në skenë në Teatrin e Korçës ishte “Këneta”, ku dhe nisi një ndër bashkëpunimet me skenografin e njohur, Agim Zajmi. Regjisori i pasionuar këmbëngulte shumë tek skenografia e vepres që vinte në skenë, e cila jep goditjen e parë tek spektatori. Dhe Pirro e gjente fjalën shpejt me Zajmin. Më pas, po në Korçë, më 1962, Pirroja do të vinte në skenë dramën e Bernard Shout “Vdekja e Blanko Postnet”. Një vit më vonë, më 1963 ai vë në skenë dramën “Vajza pa prikë” vepër dramaturgut rus N. Ostrovski. Repertori pasurohej.

            TROKITJE NË PORTËN E TEATRIT KOMBËTAR


        Atje në Korçë, po binte në sy talenti i regjizorit. Sa do të donte që edhe për të të çelej dera e Teatrit kombëtar, por ajo dukej se i largohej. Dhe ai vazhdonte të punonte më me këmbëngulje. Por një ditë vjeshte të vitit 1962, regjisori Pandi Stillu, e fton të dublonte Pjetër Gjokën në rolin e Lirit tek “Mbreti Lir” i Shekspirit.

   Kujton Pirro: Provat zhvilloheshin në Tetarin “Aleksander Moisiu” të Durrësit për shkak se Tetari Popullor po rikonstruktohej. Në një mbrëmje të zakonshme, gjatë provave, Pjetër Gjoka, “Liri” i Shekspirit, këmbeu fjalë me regjisorin Stillu. Zenka u trash. Pjetri e braktisi skenën e provave. Drejtori i Teatrit Popullor, Xhemal Broja, i kerkoi regjisorit të vazhdonte provën me Pirro Manin. Regjisori, i cili deri në atë çast nuk i kishte ofruar Pirros asnjë provë, e pranoi vazhdimin me dublantin. Pirroja sjell në mendje emocionet e kohës së largët: As vetë nuk e kuptova se si m’u grumbullua brenda vetes gjithë ajo energji, frymëzim i çuditshëm, një zjarmi magjike… Prova qe e suksesshme. Duartrokitjet zgjuan sallën.

-Na befasove Pirro, i tha Loro Kovaçi, tek e shtërngonte në përqafim.

E pyeti regjisori:”A i ke kështu edhe tablotë e tjera?”

– Edhe më mirë, – ia ktheu Pirro. Liri im është në ngjitje dhe arrin kulmin në monologun: “Fryni, erëra! çajini bulçitë! Tërbohuni, fryni!

  Hipi në skenë, ia nisi monologut të Lirit: “Shtërngatë, shfryj, vill zjarr, derdh shi, gjëmo!”… Interpretimi qe i shkëlqyer. Regjisori i entuziazmuar, e kishte harruar zemratën e Pjetër Gjokës. Dublanti kishte qenë brilant.

Kujton Pirro:-Kur mbarova, gjoksi më ulej dhe më ngrihej prej gulçimave të Mbretit Liri. Nuk isha Pirro, isha Liri, i braktisur nga të gjithë. Ata sërish shpërthyen në duartrokitje…

-Atë ditë, kujton Pirro, ishte e mërkurë. Regjisori i tha i entuziazmuar drejtorit se shfaqja do të jepej të shtunën. Sa nuk fluturoja nga gazi i brendshëm që më jepte ai suskses…
Atë natë, aktori -regjisor, thuri ëndërra të bukura; do të vinte në Tiranë, por në mëngjes mësoi lajmin e keq: “Nuk të ka miratuar Ministria. Do të ikësh në Korçë, bile që sot nisu!

“Urdhërin, që s’dihet se nga cilat zgafella kishte dalë, po ia përcillte kolegu.

    I pezmatuar u përpoq të kërkonte ndonjë sqarim. Të paktën të kisha luajtur Lirin, pastaj le të ikja, dukej se i ishte drejtuar më shumë vetes se sa kolegut, por kundërthënia ishte e prerë: Mos e ço ndër mend, kthehu dhe sa më shpejt!

I thanë se Komiteti i partisë i Korçës kishte protestuar për largimin e tij. Nisu që të mos keshë telashe! Ç’ishte kjo këshillë, a urdhër? Pirro edhe sot pyet veten pse rrodhën në atë kahje ngjarjet. Pse pikërisht urdhëri erdhi pasi ai shkelqeu me Lirin? U përpoq të argumentojë me një ndërhyrje: Po largimi im nga Korça ka qenë korrekt. Artistit i duhej të mbijetonte; uli kokën, psherëtima i çau gjoksin, por i duhej të kthehej në periferi. Tirana ende nuk ishte e gatshme ta pranonte. Si duket shefat e zinj ishin të gatshëm për ofensivë. Mos luaj me grerëzat, i tha vetes. Katër vite më vonë, Tirana më në fund e pranoi pas ndërhyrjeve të mjeshtrave të skenës, Kadri Roshi, Sandër Prosi e të tjerë. Ata kishin ngulur këmbë që ai të vinte si aktor. Në fakt ai shkoi si regjisor dhe pedagog i jashtëm në Institutin e Arteve. Do ta pushtonte triumfalisht Teatrin Popullor pas shtatë vjet betejash në Korçë. Në Tiranë nisi me dramën e Kol Jakovës, “Perkolgjinajt”. Iu desh në fillim që t’i hynte një operacioni të thellë dramës, e cila nuk qe ndonjë pjesë kushedi, por Pirro i dha  jetë. I mbante në tension aktorët dhe i nxiste që të jepnin maksimumin. Spektatori e priti jo keq.

Kritika dhe kolegët kanë pohuar se Pirro i dha gjithçka teatrit shqiptar. Në Teatrin Popullor ai u ngrit mbi meskinitetin dhe xhelozitë. Vetëm punë, i tingëllinte në veshë zëri i të atit. Dhe punoi siç dinte të punonte ai. Jo rrallë censura zgjaste duart dhe ia priste me gërshërët e saj të stërmëdha krijesat e tij skenike, por ai nuk jepej, tërhiqej, gjente një detaj tjetër dhe përpiqej që të vinte paqen mes vetes dhe asaj, shtrigës censurë. Le t’i lëmë pak hapësirë penës së drejtpërdrejtë të J. Papagjonit, që e ka përcjellë në pak rreshta thelbin e përballjes së regjisorit me censurën: I dashur Pirro! Sa të vështirë e ke patur, mik i shtrenjtë, t’u dredhoje bishtukëve tymues të censurës me gjithfarë emrash, parimesh të ngrira, raportimesh, komisionesh, diskutimesh.Ti duhej ta dehje qiklopin dhe t’ia verboje syrin gjigand për të shpëtuar krijesën fluturake të fanatazisë, idetë e guximshme dhe flatrimin e mendjes sate pjellore nëpër paradigmat e çuditshme të artit. Duhej dinakëria, por edhe guximi. Ti disa herë u përballe me këtë sy dhe u rrezikove, aq sa mund të të flaknin tej, të shuanin nëpër periferitë e cinizmit dhe zilisë njerëzore, të të humbnin nëpër gropat thithëse të provincës, që ata dinin t’i ujdisnin fort mirë. Dhe s’ishin pak “gojët e shqyera”, krah shtetit dhe pas shtetit. Mirëpo ti, mik i dashur, herë pas here guxoje. Dhe sfidoje. Edhe rrezikoje. Flaka të avitej, ti në flakë futeshe, që të shuaje flakën. Pirro Mani guxoi më tepër se ç’duhej, p.sh. tek “Arturo Ui”. Gjetja e tij ishte fare e veçantë: një kornizë bosh mes portreteve të diktatorëve. Dhe ata, ustallarët e censurës, nuk ishin syleshë. Ata do ta thërrisnin dhe seanca e pyetjeve do të ishte torturuese:-ç’është ajo kornizë bosh? Për kë aludon? Kujt i takon ajo? Hë, fol, për kë e ke sajuar? Dhe Pirro nuk e ka harruar përgjigjen që i dha partiakut të lartë: -Atë që thotë Brehti, se barku nga lindin këto monstra ende s’është shtërpëzuar!

– Leri mor këto- iu hakërrye partiaku i lartë. E di unë, e di, i foli ai më nënkuptim duke i dhënë të kuptojë se e dinte për kë aludonte, por. Ai nuk ia tha, por nënteksti qe i qartë se korniza bosh ishte për diktatorin tonë, për Enverin. Ai, Pirro Mani, nuk mund ta hidhte atë gjetje metaforike skenike, mezi ia kishte pjellë truri në tallazin krijues e sipër.Ka qenë një natë e tmerrshme ajo e pas bisedës me partiakun e lartë. Dyluftimi kishte qenë me nënkuptime e aluzione se pas ideve të tilla të rrezikshme mund të vinte Spaçi a Burreli. Atë natë ai kishte hedhur ca gota për të qetësuar trurin e tallazitur. ç’të bënte? Ta hiqte kornizën? Po ajo përbënte thelbin, si ta flakte ashtu? Vendosi, nuk do ta hiqte! Të dilte ku të dilte. Do të mbahej pas Brehtit, barku i pashtërpëzuar.

 – Më keq do ta kisha po ta kisha hequr, – thotë Pirro. Se po ta hiqja, do të thoshin se e kisha vënë qëllimisht dhe po e hiqja se ma tha ai, partiaku i lartë i nomenklaturës. Pra se jam trembur. Dhe e la. Atë natën e tmerrshme të dyluftimit nuk e heq nga mendja as Pavlina Mani, e shoqja. Sapo i kishte hapur derën, ai nuk i qe përgjigjur pyetjes së saj: Ku ishe?, por e kishte urdhëruar: Shpej, përgatit valixhet!

– Pse?, kishte pyetur ajo.

– Sepse nuk e heq.

 – Kë, nuk heq Pirro?

– Ai: Atë, horrin e horrave, morrin e morrave, Arturo Ui-në. Ajo:-Të lutem, ule zërin, do na dëgjojnë! Ai vazhdonte me batutën e Kadri Roshit në rolin Arturos: “Horri i horrave, morri”. Ky detaj metaforik, korniza boshe, ka qenë një zgjidhje e veçantë, që i ka habitur edhe gjermanët, të cilët kanë ardhur për ta parë realizimin shqiptar. Shfaqja çau pas shumë peripecishë. Shkrimtari Naum Prifti, në librin e tij “Teatri në kohen e krizës” shkruan:”Ranë gjithë pjesët e huaja, me përjashtim të Arturo Ui”, për të cilën u zhvillua një diskutim i fortë brenda komisionit, ku bëja pjesë edhe unë, si inspektor i Ministrisë për teatrin. Megjithëse drama qe thellësisht politike, sepse demaskonte mënyrën se si hypi në pushtet Hitleri, si i vrau shokët e tij atëherë kur nuk i duheshin më, si siguroi përkrahjen e Hidenbergut, edhe ndaj saj u shprehën gjykime të rrepta nga ekstremistët e komisionit.”Brehti nuk i bie problemit në kokë, por merret me aludime. ç’ështe ky trusti i lulelakrës? Pse me lulelakra do të edukohet spektatori ynë? Pse shpie vendin e veprimit në Amerikë?”. E të tjera si këto. Ka qëlluar që mundi i Pirros të shkojë kot, pa shkuar shfaqja tek spektatori. Atij i kujtohet p.sh. drama e Bashkim Kozelit “Si u kalitëm”. Sërish mendja krijuese e Pirro Manit kishte sjellë një gjetje metaforike: Kishte vënë në mes të skenës një lis me rrënjët e tij të ngërthyera, të nguluar fort në tokë. Përreth atij lisi vërtitej e ndërtohej mizanskena. Kur gjithçka ishte gati, shkon Manush Myftiu, i mbledh në drejtori dhe urdhëroi:”Për një arsye, shfaqja nuk do të jepej”. Kaq tha ai, të tjerat nuk ishin për ta. E vërteta qe mësuar ca ditë më vonë kur doli “grupi armiqësor” i Beqir Ballukut dhe i “puçistëve”. Mundi iku kot, po ç’të bënte regjisori? Ishte koha kur partia po shkulte lisa të mëdhenj, si ai i skenës me rrënjë të ngulura fort, ishte koha kur ngryseshe i madh dhe gdhiheshe i vockël, ishte koha kur makinat të rrëmbenin në mesnatë e s’dihej se ku të gjente mëngjesi, në ndonjë qeli, katund të humbur për internim apo në plumb.Kolegët e Pirros qenë bërë viktimë e lançimit të antikulturës; Kujtim Spahivogli e Mihal Luarasi, patën rënë viktimë e vlugut antiart.

– Kujdes Pirro!- këshilloi ai në ato çaste vetëveten.Po kishte raste, që drama tretej para kohe, sapo ishte bërë platforma, sapo ndaheshin rolet, mbërrinte urdhëri:Jo, ndaleni, nuk është për moralin tonë!Tipike për këtë ishte bashkëpunimi me Petro Markon për të vënë në skenë dramën në vargje të këtij shkrimtari, që të gjithë jetën nuk iu ndanë vuajtjet. E rrëfen këtë bashkëpunim të dështuar vetë Petro Marko tek libri i tij “Retë dhe gurët”: Punova gjithë muajin dhe e mbarova dramën. Titullin ia vura “Niku i Martin Gjinit”. U nisa për Tiranë dhe ia shpura Ramiz Alisë që ma kishte dhënë këtë ide. Pas dhjetë ditësh ai më thirri dhe më përqafoi:”I ke rënë në të! Ke bërë një vepër të arrirë”.Patjetër që unë u gëzova, por iu luta që për ta vënë në skenë ta vinte Pirro Mani nga Korça. Erdhi Pirro. Bashkë me Pjetër Gjokën, si ndihmës regjisor, u mblodhëm për të ndarë rolet sipas aktorëve. Aktori i madh i tetarit, Naim Frashëri, kërkonte me insistim të merrte rolin e Nikut.E kisha paraqitur në konkursin e ushtrisë, më dhanë vendin e parë. U botua dhe në revistën “Nëntori”. Filloi dhe Agim Zajmi nga skenografia.Por fermani nga komiteti i partisë i Tiranës, qe i prerë:Pezulloni përgatitjet. Drama është liberale sepse fliste për një lloj degjenerimi të fëmijëve të udhëheqjes (të kohës së Skënderbeut).Petro Marko gëlltiti dhimbjen, por dhe Pirro Mani, nuk e pat të lehtë. Eh, psherëtinë Pirro. Sa shfaqje u censuruan, sa u qethën në skenë, sa më pas, sa mbetën në projekte. I tillë ishte edhe bashkepunimi me Kadarenë për “Pashallëqet e mëdha”. Pirro e pat hedhur në letër mendimin regjisorial, diskutonte me Kadarenë për filmin e ardhshëm, por edhe ai mbeti diku; censura e kishte vdekur që pa u ngritur në këmbë. Kadareja shkruan: “Ishte teatri, me sa duket, që, për shkak të grumbullimit mu në mes të qytetit, provokoi se pari idenë e censurës(I.Kadare- Unaza në kthetra). Pirro Mani do të mbijetonte falë talentit dhe mbijetesa e tij ishte fat për tetarin tonë.. Ndryshe ku do ta gjenim një “Arturo Ui” si ai i Pirros? Po”Gjenerali i ushtrisë së vdekur”? Po “Fytyra e dytë”, po “Kush e solli Doruntinën”, “Epoka përpara gjyqit”, “Prefekti” , “Cuca e Maleve”, “Nata e dymbedhjetë” , “Përmbytja e madhe”, “Furrnalta” , “Besa e madhe”. Mjeshtria e tij, u shtri jo vetëm në teatër e film, por edhe në opera. Vuri në skenë operën “Skënderbeu” , “Komisari” me skenar të D. Agollit, “Kavaleria Rustikana”. Atij i takon nxjerrja në pah e cilësive interpretuese të sopranos së mirënjohur Inva Mula tek opera e Nikolla Zoraqit “Paja” me tekst të arbëreshit Di Maxhio.


                NJOHJA ME PAVLINËN


Jeta rridhte, por Pirro ende kishte mbetur fillikat, ende nuk e kishte gjetur shoqen e jetës. Dhe rasti erdhi. Atë vit qe caktuar kryetar i komisionit për konkursin e pranimit të studentëve të degës për artin dramatik. Aty gjeti shoqen e jetës. Ja si e ka përshkruar J. Papagjoni këtë moment:” Sytë i mbetën mbërthyer pas fytyrës ovale të një vajze të re, zëëmbël, nga Lushnja. I pëlqeu natyra e saj e brishtë, delikatesa, feminiteti, një gjendje emocionale që i gufohej krahërorit. I pëlqeu bukuria, sidomos sytë. Ajo konkuronte për aktore. Kishte zë të veçantë, si të lagur, ankues, madje melankolik. “Ky ishte momenti i parë, më pas gjithçka erdhi natyrshëm.

   Tregon Pavlina për më tej: “U ndodha një ditë në provat që Pirrua bënte me kursin e tretë për aktorë. Pse u ndodha atje? Ju e kuptoni vetë. Pirro vinte gjithmonë pranë meje pas çdo demonstrimi që bënte dhe bisedonte krejt lirisht me mua, jo sikur unë të isha studente. Çuditërisht, ndjehesha shumë e çlirët në prani të tij. Këtë njeri është e pamundur të mos e duash. “U dashuruan, u martuan dhe po t’i shohësh sot ata, nuk e ke të vështirë të zbulosh se janë po aq të dashuruar, si atëherë… Familja u plotësua me dy fëmijët e tyre Bendisin dhe Vetiolen, të cilët ndjehen krenarë për prindërit e tyre, që i dhanë aq shumë skenës shqiptare. Që të katër tashmë jetojnë në New York. Vetiola është kryemenaxhere, ndërsa Bendis pedagog në nje shkollë arti me emër në Nju Jork … Pirro dhe Pavlina janë gjyshër të dashur…

Nipi dhe dy mbesat e urojnë : Happy Birthday Gjyshi!

 Gëzuar 87 vjetorin e lindjes Pirro Mani!

*Per me shume fotografi-shihni ne Facebook-Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Pirro MANI-Dalip GRECA

MISION: KUJTESA DHE E VËRTETA

April 13, 2019 by dgreca

– Libri, dosja dhe djajtë/

Nga Visar Zhiti/

Qëllimi im, i vepës time, sidomos e asaj që kam veçuar si burgologji, ishte kujtesa dhe të dëshmoja një realitet të rëndë nën diktaturë, posaçërisht persekutimin dhe vuajtjen nëpër burgje, gjithmonë të vërtetën time, atë që u shkrua mbi lëkurën time, duke rrokur aq sa mundesha, duke dhënë dhe atë që pashë përreth.                             Do të doja ta kisha veç me dukuritë e së keqes, jo me njerëz të veçantë dhe me emra, por e keqja përhapet dhe ushtrohet nga njerëz dhe emra të veçantë, pra duke qenë e pashmangëshme përplasja, është detyrë të themi të vërtetën, në ndihmë të së mirës së përbashkët e të gjithkujt.                                                                           Do të ishte e udhës që ashtu siç e dënojmë së bashku të keqen e përbashkët, ashtu dhe ta njihnim, duke zbërthyer secili pjesën e vet, atje ku ka patur rol. Të persekutuar dhe persekutorë, të mbanim përgjegjësitë, të dënonim të keqen, qoftë dhe moralisht dhe të punohej për normalitetin, për ringritjen sociale.                               U punua, por mungoi shumëçka, në këtë rast njohja e thellë, “hapja e dosjeve” dhe trasparenca, drejtësia e mirëkuptimi, prandaj dhe e keqja gjeti rrugë dhe forma të tjera dhe vazhdon duke arritur absurde vrastare.                                                                   Së pari është e dëmshme që në zanafillë t’i trajtosh burgjet politike të diktaturës, Spaçin e Qafë Barin, etj, si kampe riedukumi, përkundrazi, ato ishin tmerre, ku ushtrohej dhunë asgjësuese dhe të dënuarit mbaheshin dhe për punë të rënda si ato në miniera duke u shkeluar parimi i parë bazë “shpërblimi sipas punës”, puna jonë grabitej, mbetet ende e papapaguar.                                                         Dhe kush do të riedukonte atje me Makarenkon dhe “Poemën pedagogjike” të tij siç na doli, në burgje s’kishte “të pa edukuar”, ata dinin më shumë se “edukatorët e tyre”, kur së pari në burgje mbylleshin të pa kënaqur me sistemin, disidentë e kundërshtarë, deri dhe heronj siç kishte dhe thjeshtë viktima dhe keqbërës nga ata që po sillte diktatura për t’i degraduar burgjet politike, sa të ishte e mundur më shumë.               Por jemi ende larg këtij debati. Jemi nën sulmet dhunuese, por banale të atyre që kishin profesion dhunën dikur dhe jam i detyruar, jo t’u përgjigjem atyre, as e meritojnë, por t’i shpjegoj sado pak lexuesit.                                                                Ndërkaq janë librat, janë dhe dosjet.

1- Ishte një kohë kur unë isha rob, i burgosur brenda telave me gjëmba dhe dikush më ruante, e kishte punën e policit të mbante mbyllur, madje dhe të më tmerronte, të më bënte të vuaja, të më çonte me dhunë në punë, etj, etj, me vite dhe nëse unë e tregoj këtë sot, që është tjetër kohë, jo e policit por e imja, kjo e shqetëson policin tim, i duket hakmarrje, e tërbon dhe megjithëse ai është tjetër njeri tani, jo polic, vepron po aq dhunshëm si atëhere.                                                                Nuk ka shoqëri normale në botën demokratike, ku të lejohet që persekutorët e dikurshëm të kërcënojnë të persekutuarit e tyre, që shefat e burgjeve të shpifin ndaj viktimave në mbrojtje të krimeve të tyre siç po ndodh së fundmi në vendin tone.              2- Dialogu me djallin është tejet i vështirë, për të mos thënë i pamundur, prandaj dhe Papa Françesku, lideri moral më i rëndësishmi në botë sot, thotë me të drejtë se me djallin nuk dialogohet, ai është tejet dinak dhe keqbërës pa fund…                             3- Në Shqipëri ka bashkëpunëtorë të shumtë të djallit, me dashje dhe pa dashje, të përhapur gjithandej, deri lart, madje dhe të ikur për t’iu shmangur përgjegjësive dhe të vërtetave, duke besuar se mund të jenë fshehur kështu mes atyre që kanë mërguar për një jetë më të mirë apo që nuk kanë duruar dot pikërisht djallin në atdhe.                                                                                                             4- Meqënëse unë kam shkruar libra, ku kam treguar ferrin e burgjeve politike dhe policinë e ferrit, në të cilat kam vuajtur dhe vetë, duke e ndjerë jo vetëm si detyrë të tregoj e të them të vërtetën, por dhe si detyrim për ata që s’janë më apo që nuk tregojnë dot, ndërkaq unë jam dënuar për poezitë e mia, për fjalën dhe kështu ajo u shndërrua në mision.                                                                                                 E di, që krahas admiruesve të shumtë, kam bërë jo pak dhe armiq, madje dhe të rrezikshëm.                                                                                                   Unë nuk kam armiq, nuk dua, ndoca më kanë mua armik dhe jam i detyruar të përballem. Së fundmi ata kanë marrë një revansh të pa skrupullt, duke u dhënë vend mediat e afërta me mllefin e tyre paranojak.                                                           5- Sulmet e tanishme ndaj shkrimtarit Argon Tufa si drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, po dhe ndaj Kastriot Dervishit si ish drejtor i Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nebil Çikës, kryetar i Shoqatës Antikomuniste të ish të Përndjekurve, etj, deri dhe te  qytetarit Urim Gjata, etj, për të mos u hapur në emra të tjerë më parë, jo vetëm që s’kanë asgjë parimore, por veç bëjnë avokatinë e së keqes e janë të pa drejta, vetanake e fyese, shpifje ordinere jo vetëm ndaj atyre që u drejtohen, por ndaj gjithë shoqërisë dhe opinionit qytetar, të dëmshme për të tashmen dhe do të duhej të dënoheshin.                                                   6- Sulmet e këtyre ditëve ndaj bashkëvuajtësve dhe qendrestarëve nëpër burgje, Bedri Blloshmit, Haxhi Baxhinivskit, të sapo vrarë, Kastriot Caushit, Lek Frrokut, Skënder Tufës, etj, si dhe ndaj meje, pa kaluar në emra të tjerë të mëparshëm, janë një përpjekje diabolike për të mbuluar një të vërtetë të rëndë, është tërbimi për të shtypur sërisht revoltën e shpirtrave tanë ashtu si dikur në burgjet e Spaçit e të Qafa Barit, etj.                                                                                                                Përmendja si alibi e emrave të bashkëvuajtësve tanë, ndër më të mirët në burgje si Hajredin Fratari e Sherif Merdani e Namik Ajazi, por dhe Vasil Kati e Nuredin Skrapari e Sokol Ngjela, etj, – që s’janë më, shpërdorimi i mirësisë tonë për mirëkuptim dhe paqe të drejtë, nuk ndryshon gjë në dhunën e padrejtë që u ushtrua ndaj të burgosurve apo në shtypjet e revoltave të tyre duke shkuar deri atje sa të pushkatoheshin njerëz, pra në terrorin shtetëror.                                                 7- Sulmet e herëpashershme ndaj meje, shpifjet vrastare, bëhen me qëllim për të na rrëzuar, jo vetëm mua, port ë vërtetën që ne mbartim, janë hakmarrje e kërcënime për ato që janë shkruar për përndjekjet, dënimet dhe burgjet dhe posdiktaturën, me qëllim që, duke na nëpërkëmbur ne, ata do të janë më të justifikuar.                                                                                                                     Bënë detyrën, thonë. Edhe ne bëjmë detyrën, themi.                                               Për mua po shpif tani mbas 30 vjetësh ai që ka qenë shefi i polisë së tmerrshme të burgut të Qafë-Barit, se, sipas tij tani, unë paskësham qenë “veshi i partisë së tij në burg” dhe për ketë më paskëshin çuar të punoja në ofiçinën e burgut në Qafë Bar(?!). Kurrë. Jo! Unë asnjë ditë nuk kam punuar në ofiçinë, gjë që vërtetohet jo vetëm nga ish të bashkëvuajtësit e mi, por dhe nga dokumentacioni i mbetur i brigadave të punës në burg. Që dhe sikur të kem punuar atje, në ofiçinë, kjo s’përbën ndogjë gjë, i burgosuri shkon ku e detyrojnë, zvarrë, dhe në pushkatim. Në ofiçina kanë punuar dhe të burgosur të ndershëm, që kishin zanat mekaniku.                                                        Në të gjitha vitet e burgut tim, gati 8 vjet, unë vazhdimisht, pa ndërprerje kam punuar si skllav nën tokë, me turne, me kazmë e lopatë në terr, kam shtyrë vagona si i mallkuar. Kjo është e vërtetueshme kollaj dhe nga shumëkush dhe regjistrat e punës në burg janë ende.                                                                                                    Dhe përsëri një tjetër uniformë e dikurshme ushtarake, e spërkatur me piklat e gjakut tonë, e thotë fare lehtësisht, pa përgjegjësi si i pa përgjegjshëm, pa një provë a dëshmi, edhe pse ish punonjës i lartë i diktaturës, mjafton që t’i duhet atij kështu, që unë paskësham qenë bashkëpunëtor i tyre. Jo, asnjëherë. Kurrë. Përkundrazi! Dhe s’kam dalë ndonjëherë dëshmitar. As për atë vetë nuk dua të dal, s’kam kohë për djajtë, është libri, po e deshën, duhet të veprojë shoqëria…                                                    Ua kujtoj dhe atyre që kanë qejf të jetë kështu siç i fanitet kryepolicit, se në dosjen time është gjetur e është bërë publike kartela e refuzimit tim (me neveri) e bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit dhe ajo është e vitit 1989, pra deri atëhere s’kisha pranuar, pastaj diktatura u zhbë dhe ata s’bënin do më spiunë të Sigurimit.              I jap të drejtën kujdo të interesuari të rrëmojë në dosjet e mia, kudo që të jenë dhe e siguroj që s’ka për të gjetur një gjë të tillë, se s’ka.                               Megjithatë unë e përsëris prapë që për bashkëpunëtorët e tyre, spiunët, faji dhe përgjegjësia dhe dënimi së pari duhet të bjerë mbi ata që i thyen njerëzit me hir dhe pa hir dhe i bënë ashtu siç ata nuk deshën dhe pasi i shtrydhën, tani i flakin duke u bërë shumë më të ulët se ata.                                                                                     Kryespiunëve të lartë, meqënëse u duhet të dalin kundër atyre që u qëndruan, shpifin për të kundërtën, duke lenë fshehur ende bashkëpunëtorët e tyre realë, me të cilët dhe u mbajtën.                                                                                               Kurse ëndrra që sheh kryepolici, që ia mbathi në Gjermani, sikur i paska shpëtuar “veshët e mi” në burgun e Qafë-Barit, është një tjetër shpifje neveritëse dhe e dënueshme. S’kam patur kurrë rreziqe të tilla dhe rreziku i vërtetë në burg ishte ai dhe policia që drejtonte, përpjekja për të na bërë si vetja e tyre. Ç’prove ka ai kundër meje përveçse poshtërisë së vet?                                                                                             Unë madje kam gjetur në dosje se jam denoncuar dhe në burg dhe përgatiteshin për ridënimin tim, patjetër dhe prej rrjetit policor të tij…                              8- Burgologjitë e mia “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë” do të jetojnë më shumë se ai e ata që ngritën dhe mbajtën burgjet tona me dhunë dhe hekur. I kam shkruar pas burgut si vepra të kujtesës, kurse në burg kam shkruar poezi fshehurazi, kam dëshmitarë shumë miq besnikë, po përmend nga të gjallët, Hasan Bajo e Maks Rakipaj, Lek Mirakaj e Dine Dine, Esat Çoku, Astrit Xhaferri e Kujtim Prendi, e ku s’i kemi fshehur së bashku, që janë një tjetër sfidë se si arrita t’i shpëtoj kthetrave të policisë së tij, që të paktën shpirti është i pa asgjësueshëm.                                                    Nga shkaku i poezive klandestine, në burg rrija pa bërë rebelin, as heroin, poetin jo e jo, ishte e pamundur dhe e ndaluar rreptëisht. Në heshtje I besoja një të ardhmeje, që dhe pot ë mos ta arrija unë, ajo do të vinte me doemos. Flisnim kundër diktaturës dhe diktatorëve me miqtë e mi besnikë dhe mirënjohës që më mbrojtën mua dhe poezitë e mia, se ato ishin më të shtrenjta se jeta ime, kështu më thoshte bashkëvuajtësi Hasan Bajo.                                                                                   Ne nuk kemi shkruar nga urrejtja, e përsëris, por nga dhëmbja dhe detyra për kujtesën dhe të vërtetën, në nderim të vuajtjes njerëzore, të atyre që qëndruan fuqishëm deri në martirizim, kemi shkruar kundër së keqes, kundër dukurive të saj, dalin emra e bëma të rënda, që sot nuk i durojnë dot ata që i kryen, i kuptojmë dhe duhet të na kuptojnë, rruga më e mirë është distancimi nga vetja e tyre e dikurshme, shpjegimi, në se duan, ndjesa në se duan, por jo jo sulmi i ri ndaj viktimave, për të ridënuar të dënuarit, për të rivrarë të vrarët. Shkrimet tona janë dhe apel që të dënojmë së bashku të keqen, të kaluarën kriminale, se siç thotë Papa Françesku që ne duhet të jemi kundër mëkatit, por jo mëkatarit.                                                    9- Edhe pse flasin dhe veprojnë si ateistë të pandreqshëm, kujtojnë ndonjëherë Zotit, sikur këto janë pësime prej tij, hedhur mbi ne. Jo! Zoti na mbron, na mbron prej së keqes së tyre, por është djalli ai që na sjell dëme e mynxyra, tragjedi vetanake dhe vendit. Prandaj dhe zgjedhin më mirë në qiell se sa mes baltës me djaj. Të shpëtohet ç’mund të shpëtohet.                                                                                              10- Për një higjenë sa më të pranueshme mendore e shpirtërore, që në trutë e atdheut të mos ketë kaq shumë qelb e në gjak kaq shumë helm. Që dhe armiqtë t’i bëjmë vëllezër. Me drejtësi dhe dhëmbje. Por dhe armiqtë të mundohen të mos mbeten të tillë, se dëmtojnë vendin, po aq dhe veten, në mos më shumë.

Filed Under: Opinion Tagged With: VISAR ZHITI-Dosja dhe Djajte

KRYEMINISTRI HARADINAJ: “DIELLI”, DRITË NË KOHËN E ERRËSIRËS

April 12, 2019 by dgreca

– URIMI I KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS Z. RAMUSH HARADINAJ NË 110 VJETORIN E DIELLIT/
Gjatë Darkës Solemne të 110 Vjetorit të Gazetës”DIELLI” Konsullja e Përgjitshme e Republikës së Kosovës, ambasadorja Teuta Sahatçija, përcolli urimin e Kryeministrit të Kosovës z. Ramush Haradinaj.
Ja Letra-uruese, të cilën zonja ambasadore, pasi e lexoi, ia dorëzoi Editorit të Diellit, Dalip Greca.*
Redaksisë së Gazetës”DIELLI”
Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës”VATRA”
New York, SHBA
Prot.Nr. 2424/2019
Datë: 6 Prill 2019
E nderuara redaksi e Gazetës”Dielli”
Të nderuar drejtues të Vatrës
Kam nderin e posacëm, që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal t’ju uroj 110 vjetorin e Lindjes së Gazetës”DIELLI”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA”.
Kjo gazetë, për më shumë se një shekull nuk pushoi së qenurit zë i shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe zë Mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve kudo nëpër Botë.
Gazeta “DIELLI, ashtu siç e ka emrin, paraqiti dritën në kohën e errët, kur Perandoria Otomane ndalonte çdo fjalë shqipe. Ajo ndriçoi rrugën për krijimin e shtetit Shqiptar, avokoi dhe loboi fuqishëm në shtetin amerikan dhe krijoi miqësi që do të zgjasë përgjithmonë.
“Vatra” dhe “Dielli” vazhduan angazhimin e palodhshëm patriotik dhe ndihmën edhe në kohën kur Kosova kalonte kohët më të rënda dhe mbijetonte nën okupimin e egër të regjimit serb.
Ju, shqiptarët që jetoni e veproni në Amerikë, keni qenë dhe jeni krah i ‘Diellit”, kësaj ikone të gazetarisë. Prandaj dua të shfrytëzoj rastin dhe t’ju përgëzoj për angazhimin tuaj të pakursyer, e në veçanti dy personalitete të shquar, z. Harry Bajraktari dhe z. Ekrem Bardha,për kontributin e tyre të jashtzakonshëm.
Ju falenderoj për punën, angazhimin dhe lobimin e palodhshëm që asnjëherë nuk ka munguar.
Urime përvjetorin e 110-të!
Paçit dhe shumë shekuj të tjerë në shërbim të Kombit!
Sinqerisht
Ramush Haradinaj
Kryeministër i Republikës së Kosovës.
* Editori e falenderon Familjen Sahatçija për të gjithë mbashtetjen që i ka dhënë Gazetës si dhe për Kontributin familjar që ambasadorja dhe bashkshorti i saj, Dugagjini,dhanë në fushatën e 110 vjetorit të Diellit.
 

Filed Under: Featured Tagged With: Kryeministrit HARADINAJ

E PERQAFOVA “DIELLI”- N.

April 12, 2019 by dgreca

Nga Shpend Sollaku Noè/

Nëse ka ndonjë gazetë qëi ngjan më shumë emrit të saj ajo është “Dielli”. Në përfytyrimet tona të dikurshme ajo merrte portrete të ndryshme. Ia nisëm duke i dhënë pjekurinë e portetit të Nolit, pastaj ia gjetëm ngjashmërinë tek mprehtësia e Konicës, ia ndoqëm hapin tek bujaria e Athanasit, dhe prapë nuk u nginjëm me të.

   Duheshin hapur krahët më shumë, për ta përfshirë si duhej, derisa rrahjen e zemrës tonë ta gjenim edhe tek shqiptari i skajit më të largët të rruzullit.

   Pasi e tillë është “Dielli”, panshqiptare, ashtu si edhe “Vatra” e mendoi në fillimet e saj: një shpresë e mbajtur gjallë për të rigjetur Shqipërinë tonë edhe kur gjasat ngjanin të shuara. Gjetëm tek rreshtat e saj pjesën e mirë të ajkës së kombit: Kristo Floqin, Christo Dakon, Paskal Aleksin, Dennis Kambury-n, Costa Çekrezin, Bahri Omarin, Loni P. Hristo-n, Andon S. Frashërin, Andrea D. Elian, Nelo Drizarin, Qerim Panaritin, Xhevat Kallajxhinë, Eduard Liçon.

   Në periudhat me re të dendura, edhe pse nuk e pamë, ia ndiemë praninë sidoqoftë, tashmë ajo gazetë flinte nën qerpikun tonë. U deshën të zbrisnin në transhetë e saj Din Derti, Arshi Pipa, Gjon Buçaj, Agim Karagjozi, Agim Rexhaj, Anton Çefa… Prania e “Diellit” pushtonte skutat me të largëta të mugëtirës shqiptare, duke u kthyer në pikëvështrimin kryesor të çështjes kombëtare.

   Nësë edhe ajo bëntë pjesë në lëshimin mesazhit të pavdekshëm: “Mbahu Nëno, mos kij frikë, se ke djemtë n’Amerikë”, në ditët e sotme limfa e re i erdhi prej atdheut që ajo i kish ndihmuar riardhjen në gjirin e kombeve të qytetëruara.

   Sot mund të thuhet me plot gojën: Mbahu “Vatra”, mbahu “Dielli”, aspak frikë, nuk keni vetëm djemtë në Amerikë. Një emër mbi të gjithë: kalëruesi Dalip Greca – rreth tij luftëtarët Veis Belliu, Ilir Levonja, Albert Habazaj, Alfons Grishaj, Anton Çefa, Arben Llalla, Astrit Lulushi Behlul Jashari, Beqir Sina, Elida Buçpapaj, Enver Bytyçi, Ermira Babamusta, Eugen Shehu, Eugjen Merlika, Fadil Lushi, Fahri Xharra, Faik Krasniqi, Faslli Haliti, Frank Shkreli, Fritz Radovani, Gezim Llojdia, Hazir Mehmeti, Ilir Levonja, Kolec Traboini Murat Gecaj, Raimonda Moisiu, Ramiz Lushaj, Reshat Kripa, Sadik Elshani, Sokol Demaku, Shefqet Kercelli e sa të tjerë nga diaspora dhe Shqipëria po përpiqen të shlyejnë borxhin e madh ndaj kësaj gazete të ndritur.

   Djemtë e saj janë afirmuar në lartësinë e duhur të këtij misioni të vështirë: mbjatjen gjallë dhe pëcjelljen brezavë të kësaj tradite tashmë pjesë nëntëdhjetëkaratëshe të historisë ndërshqiptare. Përqafime të nxehta për ditëlindjen e njëqind e dhjetë, “Dielli” ynë. Edhe një tjetër përjetësi.

Juaji Shpend

Filed Under: ESSE Tagged With: Shpend Sollaku Noe'-DIELLI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT