• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2019

E PABESUESHME POR E VËRTETË

April 21, 2019 by dgreca

  • MENDIME PËR LIBRIN ME KUJTIME TË PIRO MILKANIT/
    Nga Thanas L. Gjika/

E kërkova me qejf librin me kujtime të regjisorit P. Milkani “E pabesueshme por e vertete”. Titulli më nxiti të shpresoja se brenda librit do të gjeja mendime e refleksione të sotme për jetën e autorit gjatë diktaturës komuniste, kur i shërbeu si shumëkush politikës së partisë shtet. Shpresova mos gjeja aty katarsën e tij, që do të përbënte për mua diçkanë “e pabesueshme” për këtë intelektual, që u turr me aq mëri kundër z. Agron Tufa, pasi ky kërkoi që filmat e realizmit socialist të mos shfaqen më në të gjithë stacionet tanë televizivë, por vetëm në disa prej tyre, shoqëruar me një stampë dhe një diskutim hyrës prej specialistësh për të vënë në dukje vlerat dhe antivlerat e tyre.
Për shoqërinë tonë sot është shumë e vlefshme puna për të zbuluar e dënuar krimet e kohës së komunizmit. Kjo është “e vërteta” e madhe e kohës sonë, kohë kur duhet luftuar për ta shkëputur shoqërinë shqiptare nga nostalgjia ndaj kohës dhe politikës së PKSH / PPSH-së. Mirëpo në mbarim të librit u ndjeva i zhgënjyer sepse nuk gjeta përpjekje për katarsë, pra nuk gjeta “të papriturën” që shpresoja. Libri, si ka thënë Petrit Ruka në parathënie, lexohet shpejt sepse është shkruar bukur, por duke i munguar mesazhet e shëndoshë, ngjan me një kokër të bukur arre që ka pak bukë të thatë brenda, arrë fyçkë. Të vijosh të shkruash sot me mburrje për filma si “Dasma”, “Zonja nga qyteti” “Shoqja nga fshati” etj, pa shprehur një qëndrim kritik ndaj përmbajtjes së tyre tepër të politizuar, ku autorët (skenaristi, regjisori) kanë lustruar jetën e popullit tonë në kohën e diktaturës komuniste, është një qëndrim jashtë kohës, është arratisje nga e sotmja.
Një intelektual kur merr përsipër të shkruajë një libër, sidomos libër me kujtime, ka si detyrë ta ndihmojë lexuesin për t’u mirorientuar në kohën kur shkruhet vepra, pra ta ndihmojë lexuesin që të përfitojë nga bëmat e mira dhe nga gabimet e autorit. Mirëpo regjisori Milkani nuk ka marrë përsipër një detyrë të tillë misionare, por vetëm tregon thjesht episode të ndryshme nga jeta e tij e mbushur me përkëdhelira.
Piron e pati përkëdhelur jeta: në fillim duke u dërguar për studime universitare në Pragën e kulturës austro-hungareze, më tej duke punuar si operator e pastaj si regjisor në Kinostudion “Shqipëria e Re”, më tej duke u martuar me vajzën e bukur e të zgjuar Margarita Kristidhi, një intelektuale me formim liberal properëndimor, e më tej duke dërguar pas dështimit të diktaturës në Pragë si ambasador të Republikës së Shqipërisë, ku u takua disa herë me disidentin e madh Vaclav Havel, një nga intelektualët më të shquar të botës, etj.
E papritur për mua ishte dhe fakti se në libër nuk gjeta shprehjen e mirënjohjes ndaj babait të tij, të cilin nuk e përmend fare. Shumë korçarë e dijnë faktin se kur Pirua ishte gjimnazist 13-16 vjeçar babai i tij qante kur dëgjonte se pushteti i Enver Hoxhës “arrestonte e dënonte pa të drejtë bijtë më të mirë të Korçës”, epitete me të cilët ai cilësonte intelektualët që ishin formuar në Perëndim dhe tregëtarët që e kishin krijuar pasurinë duke punuar ditë e natë me sakrifica. Të tilla skena nuk i paskan lënë përshtypje regjisorit të ardhshëm, sepse droga partiake që mori më vonë ia shleu nga kujtesa emocionet e ankesat kundërkomuniste të babait të tij. Madje as mendimet e veprat disidente të V. Havelit, nuk përmenden askund, sepse duket se ato nuk kanë rëndësi për të. Ky President i Republikës Çeke, kur ambasadori i RSH u sëmur e ra në komë, u interesua drejtpërdrejt për mirëtrajtimin e tij në spital, por Pirua nuk gjen vend në libër për të shprehur falenderim të veçantë ndaj këtyre gjesteve humane të tij.
Mosmirënjohje m’u duk edhe fakti që ky kineast i përmend regjisorët Gëzim Erebara dhe Kujtim Çashku thjesht si bashkëregjisorë të filmave “Ngadhënjim mbi vdekjen” dhe “Ballë për ballë”. Këta kolegë i dhanë atij ndihmën konkrete në rrugë praktike për të zotëruar profesionin e regjisë, gjë që ai nuk pati mundësi ta merrte në shkollën e Pragës, ku studioi vetëm për operator. Ata e meritonin një mirënjohje si mjeshtra mentorë të tij, që e kthyen nga operator në regjisor, pra që i dhanë zanatin.
Aty këtu autori nuk ka nguruar të shprehë lavdërime të panevojshme për vete, madje një herë, kur tregon për xhirimet e filmit “Ballë për ballë” thotë se e ndjeu veten komandues më të madh se Napoleon Bonaparti. Nga ky delir e çliroi kamarjerja e hotelit të Vlorës, kur i tha se nuk duhej të kërkonte shërbim jashtë radhe, sepse dhe ai ishte një klient si të tjerët…
I shkrova këto mendime duke pasur parasysh se autori mund të shkruajë e botojë dhe një libër të dytë me kujtime. Jeta e tij ka qenë vërtet e pasur me njohje vendesh, njerëzish, mentalitetesh të ndryshme, me lexime e përkthime veprash. Për këtë unë shpresoj se kërkesa ime për t’i shërbyer si duhet së sotmes e së ardhmes së shoqërisë shqiptare, mund ta ndihmojë gjatë krijimit të librit tjetër. Lexuesi atje është mirë të gjejë jo vetëm një formë tërheqëse, por edhe mendime dhe ide të shëndosha për të dënuar politizimin e veprave kinematografike, gjë të cilën mendoj se ai mund ta bëjë po t’ia vërë vetes detyrë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Thanas L. Gjika-Pirro Milkani

ZEF PERNDOCAJ NË SPITAL

April 21, 2019 by dgreca

Ne Foto: Ne dasmen e vajzes: Zef Perndocaj me zonjen Mire, vajzen dhe djalin/(Dielli-arkiv)

–  LUTJE PER VATRANIN QË PËR GJYSËM SHEKULLI VURI SHPIRTIN DHE ZEMRËN NË VATËR!/*

Vatrani që ka më shumë se gjysëm shekulli në Vatër, Zef Përndocaj, të Mërkurën me 17 Prill 2019 në mesditë udhëtoi drejt Detroitit për t’i kaluar Pashkët tek vajza.

 Në një telefonatë para nisjes me Editorin e Diellit ai tha se do të qëndronte një javë në Detroit dhe më pas do të kthehej sërish në Nju Jork. Por ky udhëtim qëlloi i pafat për Zefin. Pasi arriti në shtëpinë e vajzës në mesditën e së mërkurës, disa orë më pas, rreth orës 10 të mbremjes, ndërsa bisedonte lirshëm, ai pësoi Stroke dhe me urgjencë e shtruan në spital, ku vazhdon të jetë nën shoqërimin e  familjes dhe të miqëve. Zefin nuk mund ta lëvizin prej andej, pa u stabilizuar gjendja në të cilën ndodhet.

Lutemi që Zefi ta kapërcejë sa më shpejt situatën në të cilën ndodhet! Me zemer e shpirt jemi prane tij dhe familjes!

Zefi Përndocaj  edhe pse është në pension nuk e ka ndërprerë aktivitetin dhe kontributin në Vatër. Ai kontrbuoi edhe fushatën për 110 vjetorin e Diellit; ishte pjesë e veprimtarive të Vatrës, mori pjesë në promovimin e librit të historianes Eleni Kocaqi në Vatër me 13 prill 2018, ndërkohë që mori pjesë edhe në Konferencën  kushtuar 110 vjetorit të Gazetës DIELLI. Zefi ka dhënë gjithcka për Vatrën.

Miku ynë, Lutem për ty,  unë dhe Familja!

Për ata që nuk e njohin Zef Përndocën, po përcjell një shkrim që kam shkruar për Zefin kohë të shkuara, ne numrin special te DIELLIT, kushtuar 100 vjetorit te Vatres, Prill 2012

   ****

ZEF PËRNDOCAJ, SHPIRTIN DHE ZEMRËN NË VATËR

          Nga Dalip Greca

Zef Përndocaj është një ndër ata që ka vënë shpirtin dhe zemrën  në Vatër per më shume se pesë dekada. Edhe pse nuk klasifikohet tek biznesmenët, edhe pse ka punuar  gjatë të gjithë kohës në punë të vështira, ku mezi nxirret dollari, ai për më shumë se 50 vjet nuk u është ndarë vatranëve të tjerë që kanë dhuruar  për Vatrën, madje ka prirë duke hequr kursimet e familjes. Gjatë shfletimit të rekordeve të Vatrës, emri i tij nuk mungon në asnjë prej fushatave, që në 60 vjetorin e Diellit dhe pas Zef Përndocaj ka emrine  tij dhe përkrah emrit edhe shifrat e dhurimit.Edhe  në botimet e Vatrës dhe të Diellit Përndocaj ka dhuruar krahas vatranëve të tjerë. E gjeta emrin e tij edhe tek “Flamurtari i Kombit”, libri kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Nolit, ku shifra e dhuruar nga ai është sa dyfishi i mesatares  së çdo dhuruesi, edhe tek lista për botimin e librit të Beqir Metës ka dhuruar $ 1000(një mijë dollarë), për  ringjalljen e Diellit me rastin e 100 vjetorit ishte nga ata që e mbajtën premtimin, dhuroi  3 mijë dollarë, për 100 vjetorin e  Vatrës $ 2 mijë , përveç një tavoline të rezervuar e të paguar që në fillim ($2500) , përveç $ 500 për një faqe në Journalin e 100 vjetorit, me rastin e fatkeqsisë natyrore në zonat e Veriut të Shqipërisë  dhuroi $ 1000(një mijë). Natyrisht nuk janë vetëm këto shifrat e dhurimit, ai ka 50 vite që dhuron. Shpirtin dhe zemrën Zef  Pëndocaj, në plot kuptimin e fjalës, i ka vënë në Vatër.

  Dikur në një artikull të botuar në Dielli për kontributet e z. Përndocaj pata shkruar: Zef  Përndocaj, anëtari i bordit të Federatës Pan Shqiptare të Amerikës ”Vatra”, një ndër vatranët e devotshëm, e mbajti premtimin që pati marrë në Këshillin e “Vatrës”,  që u mblodh pas festimit të 100 vjetorit të gazetës “Dielli”, në gusht 2009. Ndër ata që premtuan (Zef  Përndocaj ishte ndër të paktët që e mbajti fjalën) për të kontribuar  me dhurime për të ringjallur gazetën e themeluar 100 vite të shkuara nga shqiptarët e Amerikës, me editor të parë Fan S. Noli e më pas Faik Konicën. 3 mijë dollarë për Zefin ishin shumë se ai nuk ka biznese, por zemra dhe shpirti vatran, e nxitën që ta jepte dhe ta mbante atë premtim.Veprimin e dhurimit e kreu në heshtje, pa bujë. Sikur të mos kishte marrë sinjal editori nga z. Agim Karagjozi  se  z.Përndocaj kishte bërë fakt të kryer fjalën e dhënë, ndoshta dhe këto radhë nuk do të ishin shkruar. Zefit nuk i pëlqen buja, as mburrja, ai thotë se me aktin e tij ka bërë detyrën si vatran.

    Nuk është hera e parë që  Zef Përndocaj bën dhurime të tilla bujare. Sa herë që “Vatra” është ndodhur në nevojë, pa marrë urdhër nga askush, përveçse nga zemra, ai ka ofruar kontributet e veta. Sa herë që “Vatra” ka organizuar fushata në ndihmë të çështjes së Kosovës, apo për kontribute në Shqipëri a komunitetin e këtushëm, Zefi sërish ka qenë i pari.

Në “Vatër” Zef Përndocaj ka vënë shpirtin e vet antikomunist dhe atdhetar. Ai iku prej Shqipërisë pas përgjakjes së familjes dhe fisit nga diktatura komuniste dhe sapo erdhi në SHBA, e gjeti strehën kombëtare tek Vatra. Ka më shumë se pesë dekada që e ngroh shpirtin në zjarrin mëmëdhetar të Vatrës shqiptare.

  Ardhja e Zefit në Amerikë ka kaluar përmes një kalvari tepër të vështirë. Nuk i harron vuajtjet dhe terrorin, që nuk iu ndanë familjes së tij nga sistemi komunist. Për  shumë kohë babai i tij u end maleve i përndjekur nga brigadat speciale të ndjekjes. Familja u internua në Lezhë, në Berat, bashkë me të tjerët ishte edhe gruaja e axhës me tri vajza të vogla. Që pa hapur sytë,  fëmijët u ndeshën me vuajtjet e ferrit. Babai i tyre, axha i Zefit, ishte vrarë në mal më 3 maj 1948. Më pas familja u internua në kampin e tmerrshëm të Tepelenës.

     Pas daljes nga burgu(ishte dënuar që në dhjetor 1944), babai i tij, u vu sërish në shënjestër. Këtë herë akuza ishte se u jepte mbështetje dhe ushqime forcave parashutiste që kishin zbarkuar për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës. Emri ishte rrethuar  me ngjyre të kuqe, por nuk dorëzohej antikomunisti i vendosur. Baba Ndue e kishte marrë sinjalin se i qe afruar rreziku dhe se këtë herë e priste plumbi. Ishte e vërtetë se ai qe takuar me Gjin Gjonaj, parashutist dhe e pat furnizuar me ushqime. Vetë Zefi, edhe pse ishte fëmijë 12 vjeç, iu desh që të dilte malit, së bashku me të atin dhe axhën në shtator 1951. Ai provoi në mal përveç rrezikut të jetës edhe vujatjen prej të ftohtit të dimrit të ashpër të maleve, edhe urinë.

      Një ditë u mor vendimi për ta kaluar kufirin. Ishin 19 veta në grup. Pasi studiuan vendkalimin, me shumë mundim dolën  në Zogaj. I dërguan fillimisht në Gjakovë.Më pas në një kamp refugjatësh në Pejë, ku qëndruan 3 muaj. I zhvendosën në Gjilan për 3 vjet. Më pas në Vushtri, ku vëllai, Biba, ilegal shkon drejt e në Beograd dhe pasi hyn në ambasadën angleze, merr formularët për t’i plotësuar për të ikur në Perëndim. UDB-ja u informua dhe i burgosi, atë dhë shokët. Katër muaj qëndroi në qeli. E dërgojnë në kampin e rrezikshëm të Gerovës. Pas disa kohësh edhe babën e dërgojnë në Gerovë. Pas vuajtjeve në kamp, u erdhi koha për të dalë në Itali.

Po Zefi? Fati i tij e drejtojë në tjetër rrugë. Ai filloi shkollën në Gjilan, për të vazhduar më pas në Vushtri. Pas shumë ndërhyrjesh , pengesash, presionesh, arrin që të shkojë në Prishtinë për ta vazhduar atje shkollën. Aty përfundoi gjimnazin. Më pas nisi studimet në  Universitetin e Prishtinës në fakultetin Ekonomik, ku arriti që të kryente dy vjet. Aty fillojnë e shtohen vështirësitë dhe pengesat e vëna nga UDB-ja për arsye të refuzimit të bashkëpunimit me ta. Kur do të jepte provimet e vitit të tretë, e çojnë në aksion për ndërtimin e autostradës Beograd-Shkup. Sapo e përfundon aksionin, kërkon të kthehet në Universitet, i vënë një tjetër pengesë, të shkojë për të përballuar pasojat e tërmetit shkatërrues që rrënoi Shkupin. E kundërshtoi urdhërin, por si tani i kujtohet kur Branko Millosheviç, komandanti i brigadës i tregoi dosjen e përndjekjes dhe survejimit prej UDB. Cfarë të bënte? Nuk mund të kundërshtonte; vendosi të shkojë. Edhe pse ishte nga më të dalluarit në aksion, edhe pse kontribuonte në sportin e volejbollit, edhe pse kishte qenë më i dalluari në aksione, ai trajtohej keq financiarisht, madje nëse të tjerët  merrnin pagesën e studentit prej 24 mije dinarë në muaj, atij i jepnin vetëm 12 mijë, duke pritur që të reagonte, të pranonte bashkëpunimin, por ai kurrë nuk e bëri. Presioni behej per ta thyer, por ai kurre nuk u perkul. Punonte fort me qëllim që një ditë të gjente mundësinë e ikjes në Perëndim. Momenti i erdhi. Në nëntor 1966 doli në Itali përmes Triestes. Më pas shkoi në Romë, ku qëndroi 5 muaj. Me 11 prill mbërriti në New York. Fillimisht u vendos në Bronks. Kontaktet me Vatrën i vendosi me 28 Nëntor 1967, kur është edhe anëtarësimi i tij. Kujton se ishte mysafir i Gjon Kadelit në darkën e Flamurit. I pëlqeu atmosfera atje dhe iu gëzua frymës kombëtare, që përshkonte festën. E kishte ëndërr që të bashkohej me vatranët dhe u gëzua shumë kur i thanë se mund të  bëhej vatran, mjafton që të pranonte Kanunoren. Më pas ai u bë një vatran aktiv, dhurues, veprimtar, anëtar bordi, kryetar i degës së Nju Jork-ut etj. Ndër miqtë e tij në Vatër, veçon z. Agim Karagjozi, zonjën Nexhmije Zaimi, Mahmud Cungun, Peter Ktona, Ymer Doda, Avdulla Kaloshi, dr. Hamdi Uruçi, dr. Gjon Buçaj, Jonuz Ndreu e të tjerë. Ndjehet i nderuar që ka qenë pjesë e Vatrës dhe që ka dhënë kontributin me një grupim atdhetarësh, që i bashkonte çështje kombëtare. Vatra, thotë z. Përndocaj, ka kaluar çaste të vështira. Ajo ishte në shënjestër të  Sigurimit tëTiranës dhe UDB-së. Ai kujton se  një grup vatarnësh e mësynë Vatrën, ndoshta me porosi të Ramiz Alisë, deshën ta merrnin. Përndocaj e kujton mirë atë moment, kur një grup, që dikush i kishte manipuluar, duke u mbledhur  një kuotë simbolike anëtarësie, s’kishin qenë më parë anëtarë përveç organziatorit, dhe kërkuan të bëheshin pjesë  në zgjedhjen e delegatëve për në Kuvend. Ai grupim ia arriti t’i diktonte degës së Nju Jork-ut që të ndryshonte sallë për takimin dhe u përpoqën  që të manipulonin duke diktuar fryëm e tyre. Mbaj mend, thotë ai, se drejtuesin e takimit(Chairman), që u zgjodh me votat e mysafirëve të paftuar, u përpoq ta godiste me shkop Xhemal Lajçi, një nacionalist i njohur. Pra pat një tension, por fryma e shëndoshë e Vatrës fitoi mbi manipulatorët. Kjo është e vërteta për atë që ka deklaruar dr. Gjon Buçaj se Ramiz Alia u përpoq të vinte dorë në Vatër, spjegon Zef Përndocaj.

Zef Përndocaj ndjehet krenarë që ka më më shumë se 50 vite që i shërben Vatrës.

Filed Under: Featured Tagged With: ZEF PERNDOCAJ-DALIP GRECA

Kosovë-Festa e Pashkëve, festohet e urohet për shumë mot

April 21, 2019 by dgreca

Uojnë drejtuesit institucionalë e politikë të Kosovës, me mesazhet për besimtarët e krishterë dhe Ipeshkëvin e Dioqezës Prizren-Prishtinë, Dodë Gjergji/

PRISHTINË, 21 Prill 2019-Gazeta DIELLI/ Festa e Pashkëve me urimet për shumë mot festohet në Kosovë, e urojnë edhe drejtuesit institucionalë e politikë, me mesazhet për besimtarët e krishterë dhe Ipeshkëvin e Dioqezës Prizren-Prishtinë, Dodë Gjergji.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehet se në këtë të diel të Pashkëve katolike të gjithë besimtarëve të krishterë ua uroj këtë festë të shenjtë. 

“Shumë gëzime dhe shumë lumturi në familjen e çdo besimtari! Si simbol i ringjalljes dhe i ngadhënjimit të së mirës mbi të keqen, uroj me gjithë zemër që Pashkët të forcojnë edhe më tej ndjenjat e mirësisë dhe besimin në vlera tona, si dhe të shtojnë dashurinë dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet gjithë qytetarëve tanë!”, shkruan në mesazh presidenti i Kosovës, Thaçi.

Kryeministri Ramush Haradinaj në urimin e tij shkruan se, Pashkët, për mijëra vjet i kanë bashkuar shqiptarët në vendin e vet rreth vlerave të tyre unike. 

“Kjo ditë, që na rrëfen mrekullinë e ringjalljes, të ngadhnjimit të jetës mbi vdekjen, na kujton se në thelb, sakrifica për të mirën dhe të drejtën është virtyti më i lartë jetësor. Uroj që në këtë ditë të bekuar për besimtarët katolikë, ta ngrisim ndjenjën e respektit për të tjerët dhe t’ua shtrijmë dorën atyre që kanë nevojë. Ipeshkvit të Kosovës Imzot Dodë Gjergjit, të gjithë shqiptarëve të besimit katolik, si dhe miqve ndërkombëtarë, gëzuar dhe për shumë mot Festën e shenjtë të Pashkëve!”, shprehet kryeministri i Kosovës, Haradinaj.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan: “Uroj nga zemra besimtarët e krishterë: Gëzuar Pashkët! Le të sjellë kjo festë e shënuar sa më shumë mirësi, gëzim dhe begati për ju dhe të afërmit tuaj! Paqja dhe harmonia mbizotëroftë në familjet tuaja!”.

Në Kosovë Pashkët festohen nga besimtarët e krishterë, urohen edhe nga qytetarët e besimeve të tjera që edhe marrin pjesë në festime./b.j/

PROGRAMI I FESTËS SË PASHKËVE 2019 NË KATEDRALEN SHËN NËNË TEREZA NË PRISHTINË 

Dioqeza Prizren-Prishtinë, ka bërë të ditur programin e kremtimit të Festës së Pashkëve 2019, që do të kremtohet në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.  

PROGRAMI:

VIGJILJA E PASHKËVE, e shtunë,  20 prill: 

Mesha Solemne/Qëndore e Pashkëve, do të kremtohet në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, në ora 21:00, të cilës do t’i prijë Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, SH. T. Imzot Dodë Gjergji. Në mbarim të meshës, do të ndahen vezë të pashkëve për fëmijë dhe të pranishëm. Kjo meshë do të transmetohet drejtpërdrejt nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

DITA E PASHKËVE, e diele, 21 prill:

Ora 11:00: Mesha në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

(Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, do të kremtojë meshën e Ditës së Pashkëve në Katedralen Zoja Ndihmëtare në Prizren, në ora 11:00).

Ora 17:00: Mesha në Katedralen Shën Nënë Tereza, Prishtinë (anglisht)

Ora 18:00: Mesha në Kishën e Shën Ndout në Ulpianë, Prishtinë.

PRITJA SOLEMNE E PASHKËVE

E Diele, ora 19:00 – 20:00: Pritja Solemne për Pashkë në Qendrën “BogdaniPolis”, që gjendet poshtë Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë, e cila organizohet nga SH. T. Imzot Dodë Gjergji.

Për shumë mot Pashkët!

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari

Pèrjetësisht…

April 21, 2019 by dgreca

Në gjurmët e një një romani të pabotuar /

Nga Reshat KRIPA/

Arbëri  qëndronte në qoshkun e tij  në sallë, duke pritur mbërritjen e avionit që do ta çonte në një botë tjetër dhe meditonte. Meditonte  dhe ëndërronte rrugën plot hithra e ferra nëpër të cilën kishte kaluar jeta e tij. I kujtoheshin brengat që e kishin shoqëruar vite me rradhë. Kishte shumë pasione. Donte të bëhej jurist, gazetar, mjek, inxhinier, artist, shkrimtar apo çfardo tjetër gjë që të mundesj. Por fati e kishte dënuar që të mos arrinte asnjë nga majat e ëndërruara. Zhgënjimin e haste në çdo hap të jetës.

            Qysh në klasën e parë të shkollës fillore, kishte filluar të shkëlqente figura e këtij individi dhe kjo e shoqëroi gjatë gjithë rrugës së jetës. Me gjithë intrigat dhe presionet që i bëheshin,  ai çante gjithmonë përpara në rrugën e vështirë. Përfundoi shkollën e mesme me rezultatet më të larta që mund të arriheshin. Rruga për më lartë ishte e mbyllur për të. 

Mendja  e  tij   fluturonte   në   të   kaluarën e   largët.  I përfytyrohej gjyshi i tij, Luan Dauti, që kishte qenë një nga pjesëmarrësit e lëvizjes së madhe që u kurorëzua me fitoren e pavarësisë më 1912. I përfytyrohej dita e 28 nëntorit kur gjyshi kishte qenë pjesëmarrës i Kuvendit të Madh Historik, përkrah burrave të tjerë të shquar të kombit. I kujtohej gjithashtu edhe pjesëmarrja e tij në Kongresin e Lushnjes dhe luftën e 1920-ës që hodhi në det italianët.

I shfaqeshin këto dhe ndjente dhimbje kur shikonte që askërkund  nuk gjendej emri i gjyshit, nuk pasqyrohej aktiviteti i tij. Ishte interesuar disa herë, madje edhe në instancat shtetërore, por kudo kishte marrë të njëjtën përgjigje: “Nuk ka qenë pjesëmarrës”. Një gjë e tillë e revoltonte, pasi atij i kishin folur për aktivitetin e gjyshit shumë burra të moçëm, moshatarë me të, që e kishin njohur mjaft mirë.

Një dite shkoi në Shtëpinë Muze të Pavarësisë.  U  zhyt në  analet  e ngjarjes  më  të 

madhe të vendit, ditës së 28 nëntorit 1912. Shikonte fotografitë e asaj ngjarjeje historike. U ndal në njerën. Ishin  një grup personalitetesh  të njohura të asaj periudhe. Mirë po gjyshi mungonte dhe, çuditërisht, ai e kish parë këtë fotografi me të gjithë pjesëmarrësit midis të cilëve edhe gjyshin e tij që e ëma e ruante ende në sëndukun e saj. Vuri re se aty mungonin edhe figura të tjera që kishin qenë protagonistë të ngjarjes. E kuptoi se ishte bërë një retushim i figurave duke u zëvendësuar me disa të tjerë që as u ishte dëgjuar emri ndonjëherë. Këto retushime i vërejti edhe në Muzeun Historik të qytetit. I njëjti retushim lidhur me Kongresin e Lushnjes dhe Luftën e Vlorës. Gjyshi i tij  mungonte.

Një gjë e tillë e habiste. Përse të fshiheshin nga faqja e historisë këta personazhe? Shkoi në shtëpi dhe u ul në bisedë me të ëmën. Ajo i tha:

  • Bir,  jetojmë në  një  botë  të  çuditshme.  Kjo  është  Shqipëria  e sotme. Kujdes 

bir.  Hiqi këto mendime. Lerja kohës t’i zgjidhë. Unë jam e sigurtë se një ditë ato do të dalin në dritë dhe   ti do  t’ia arrish  asaj  dite. Tani për  tani  hesht. Dhe Arbëri heshti.

            Këto i shfaqeshin në përfytyrimin e tij. I shfaqej rruga e jetës së  tij. Para syve i dilte jeta e familjes. Në mënyrë të veçantë i kujtohej vdekja e gjyshes nga nëna, që banonte së bashku me ta, kur për ta përcjellë në banesën e fundit, mezi u mblodhën pesëmbëdhjetë deri njëzetë vetë, ata më të afërmit.. I shfaqeshin miqtë dhe shokët që e kishin shoqëruar gjatë gjithë periudhës së jetës. I kujtoheshin ata që, me gjithë kushtet e jetës, e kishin ndihmuar të mbijetonte, por i kujtoheshin  edhe  ata  që,   me   cmirën dhe  egoizmin,  mundoheshin   me   të   gjitha mjetet  ta 

pengonin në rrugën që ndiqte dhe  këta  ishin shumica 

që  druheshin prej  tij  si djalli nga temjami.

Në këto çaste i kujtohej një fragment nga romani “Njeriu që qesh” i Viktor Hygoit:

Nganjëherë, kur fëmijës i bien në kokë sprova  të   rëndaqë në moshën më  të  njomë, në skutat e fshehta të shpirtit   të  tij, lind një   farë   peshoreje, një   peshore  e llahtarshme, me të cilën ai peshon punët e kësaj bote. Duke   e   ndjer   veten    të   pafajshëm, ai  iu nënshtrua fatit  pa bërë zë. Nuk  u  qa aspak. Ai  që  s’ka përse të qortohet, nuk qorton të tjerët.

Edhe ai, si heroi i romanit, kishte kaluar sprova shumë të rënda, por me karakterin e tij kishte mundur t’u bënte ballë dhe të dilte faqebardhë nga e gjithë ajo rrokopujë. Jeta e kishte mësuar se si të ishte njeri, si të reagonte, kur i shfaqeshin të papritura të hidhura dhe si të ruante të  paprekur qytetarinë. Për të gjitha këto, e ndjente veten krenar për gjithçka kishte vepruar.

Këto i dilnin para syve, ndërsa priste në aerodromin e kryeqytetit ardhjen e avionit që do ta ndante nga atdheu i tij.. Përse po largohej  tani që, më në fund, sistemi totalitar ishte përmbysur? Kjo pyetje  e mundonte së tepërmi. Ishte para një dileme: A po vepronte drejt? 

                                                                                                      *          *          *

Sokolin, të atin, Arbëri nuk kishte pasur fatin  ta  njihte. Ai kishte lindur kur i iati kishte fluturuar në botën e përjetshme. Sokoli ishte një burrë i njohur në tërë krahinën si një jurist i shquar. Kishte mbaruar fakultetin juridik në universitetin e Sorbonës në Paris në vitin e fundit të monarkisë. 

Gjatë Luftës së Dytë  Botërore  ishte renditur  në  anën  eforcave nacionaliste duke qenë një nga figurat e njohura të saj. Kur rrjedha e luftës nxori në pah fitoren e  forcave komuniste, nuk tentoi të braktiste atdheun, pasi nuk mendonte kurrë që me përfundimin e luftës do ta arrestonin dhe masakronin me tortura të tmerrshme të cilat  do t’i  merrnin  jetën. Në atë  kohë,  ishte vetëm tridhjetë vjeç. Ishte fundi i vitit të dytë të pasluftës.

Arbëri kishte lindur tre muaj  pasi i  ati  kishte shkuar  në botën tjetër. Kështu ai u rrit në gjirin e nënës së tij, Afërditës. Ajo kishte mbaruar  institutin pedagogjik “Nana Skanderbeg”, që para lufte quhej “Nana Mbretëreshë”. Rezultatet ishin të shkëlqyera, por rrugët për të vazhduar studimet e larta  ishin mbyllur. Mentaliteti qe ekzistonte në atë kohë në Shqipëri ishte i tillë që femrat që mund të studionin jashtë shtetit ishin shumë të pakta. 

Qysh kur vazhdonte vitin e fundit të shkollës së mesme ishte njohur me Sokolin me të cilin ishte dashuruar dhe, pas përfundimit të luftës, ishin martuar. Në atë kohë, ajo ushtronte profesionin e mesueses së letërsisë në shkollën e mesme të qytetit. Arrestimi i të shoqit dhe shuarja e tij në qelitë e burgut ndërruan fillin e jetës së saj. Ishte fundi i gushtit kur u paraqit për të filluar punën pas pushimeve verore. E njoftuan se nuk mund të fillonte si e papërshtatshme për edukimin e brezit të ri. 

  • Mami,  kur do  ta  takojmë babin? –   pyeste  Arbëri i vogël të ëmën.

            Tashmë ai ishte vetëm tre vjeç dhe nuk arrinte të kuptonte se përse shokët e tij i kishin të dy prindërit dhe ai jo. Afërdita  nuk  dinte si  t’i  përgjigjej. Ajo nuk mund t’i tregonte se ati i tij i kishte mbyllur sytë në terrin e qelisë por, edhe sikur ta bënte një gjë të tillë, ku arrinte mendja e tij foshnjore të kuptonte se çfarë  ishte qelia  dhe  torturat. Kishte  vendosur që këtë t’ia tregonte vetëm kur të arrinte moshën e pjekurisë.

  • Babi yt   ka fluturuar  në  qiell, –   i   tha ajo  dhe   i  tregoi  një fotografi   ku   ai  

kishte  dalë duke brohoritur me duart lart, me rastin e një manifestimi popullor. 

–  Një ditë edhe  ne do të vemi atje dhe do të jetojmë së bashku.

  • Urra! – thirri djaloshi gjithë gëzim.
  • Urra! – thirri edhe nëna  dhe mori  të  birin në  krah duke  e përqafuar  fort.  Nga  

sytë filluan  t’i rrjedhin lotë të nxehtë.

            Para syve i dilte Sokoli që i fliste me një pasion të madh për idenë që kishte përqafuar dhe për programin e saj. Ishte një program demokratik, i njejtë me atë të shumë vendeve  të tjera të Europës. Madje i kishte prurë edhe një kopje të atij programi, i përpiluar nga një prej figurave më të shkëlqyera të nacionalizmit shqiptar. Këtë kopje ajo e ruante ende. E kishte lexuar disa herë dhe vazhdonte ta lexonte gjithmonë.          

I kujtohej, kur ai fliste për këtë program duke e krahasuar  me parimet  e  revolucionit frëng,  që i kishte mësuar në universitetin e Sorbonës. Afërdita lexonte dhe pyeste: Përse  e vranë?  Çfarë  krimi kishte  kryer? Mos  vallë është  krim të  përqafosh të  tilla  parime demokratike europiane?

            Këtyre pyetjeve nuk ishte në gjendje t’u kthente përgjigje dhe kjo pasi tani ishte koha kur përplasja ndërmjet forcave që vepronin në vend kishte arritur kulmin e saj. Ishte koha kur “fitimtarët”,  për të mbajtur  pushtetin, ishin të gatshëm të hanin jo vetëm kundërshtarët e tyre politikë, po edhe njeri-tjetrin duke mos marrë parasysh as traditat e vendit dhe as lidhjet familjare. Ishte koha kur pjestarët e së njejtës familje spiunonin njeri-tjetrin. Një terror i paparë ushtrohej kundër atyre që mendonin ndryshe. Në këto çaste iu kujtuan vargjet e një poeti të njohur të krahinës së saj:

             Djali babën, baba djalin, bën ta zërë e ta përzërë,

            Që ta pjek në hell të gjallë, t’i pres mishin megërshërë.”

Për të mbijetuar, Afërdita  ishte  detyruar të  shiste  disa nga gjërat e çmuara që kishte në  familje si dhe të ndihmave që dërgonin familjarët e saj nga një qytet tjetër. Kështu mundi ta përballonte jetën bashkë me të birin. Por erdhi një ditë dhe ato mbaruan. Nga shtëpia e tyre e kishin dëbuar, një vilë e bukur dykatëshe, duke e mbyllur në një dhomë të vetme në periferi të qytetit. Mendoi t’i drejtohej kryetarit të qytetit. I kërkoi takim dhe ai e priti. I paraqiti gjendjen e saj. I tregoi diplomën e maturës. I tregoi edhe për të shoqin që kishte vdekur në burg. 

  • Kjo  është gjendja   ime, – i   tha, –   në   rast se    nuk   më  jepni   punë,  atëherë 

merrmëni dhe  mua dhe mbyllmëni atje ku mbyllët tim shoq dhe lereni fëmijën tim të shuhet.

            Kryetari e dëgjoi dhe qëndroi  për disa  çaste  në heshtje. Nuk dinte  si  të përgjigjej. 

Iu kujtua direktiva e ardhur nga lart sipas së cilës nuk duhej lejuar kurrë që në arsim të punonin individë nga klasat e përmbysura. Një gjë e tillë ishte e pamundur. Shkroi diçka në një letër dhe ia dorëzoi duke i thënë:

  • Shkoni poshtë në zyrën e punës

–     Faleminderit! – u përgjigj Afërdita dhe u  largua.  

Hapi letrën dhe lexoi:

  • Sistemojeni në punë!

Në  zyrën e   punës  e priti   përgjegjësi  i  saj. Ishte   një person i  zbritur nga  skuta 

më  e largët e rrethit që  nuk  e kishte parë ndonjëherë qytetin me sy. Pjesëmarrja në rradhët e “fitimtarëve”, ku kishte kryer edhe nje kurs kundër analfabetizmit, e kishte ngritur në atë rang që gëzonte. 

  • Pa   tregona pak   autobiografinë tënde,  moj shoqe!-   tha përgjegjësi.

            Afërdita në fillim heshti. Nuk dinte si të vepronte. Së fundi, vendosi dhe i tha të vërtetën. Ai buzëqeshi hidhur dhe i tha:

  • Qenke   klasë   borgjeze    zotrote! E   mbani  hundën   lart   ju.  Megjithatë, pushteti  

popullor  nuk i  le njerëzit të vdesin  për  bukë   si   shteti borgjez.  Do   të  shkosh   të   punosh   

si pastruese në shkollën e mesme “Dëshmorët e Lirisë”.

            Afërdita shtangu. Nuk e priste nje gjë të tillë. Dikur ajo kishte qenë profesore e letërsisë në atë shkollë që më parë mbante emrin e një personaliteti të lartë të  gjuhës, por që fatkeqësisht, gjatë luftës, ishte lidhur  me lëvizjen  nacionaliste dhe,  pas përfundimit  të  saj, ishte ekzekutuar edhe ai si armik i popullit.

            Përgjegjësi plotësoi shkresën dhe ia drejtoi Afërditës;

  • Merreni dhe filloni punë.

Afërdita hezitoi.

            Nuk ju pëlqen, –  vazhdoi përgjegjësi i zyrës. – Natyrisht ju  borgjezët  nuk  e  ulni kollaj hundën, por sot këto nuk ju shkojnë. Doni ta merrni fletën e punës apo jo?

            Arroganca e tij e habiti. U mendua  disa  çaste. Së fundi,  mori  fletën  dhe  u  largua.

Të  nesërmen u  paraqit  në drejtorinë  e  shkollës. Drejtor   ishte   një  ish-kolegu   i   

saj,  Andrea. Kur lexoi fletën e punës ai shtangu.  Për disa minuta të tëra  mbretëroi heshtja. Së fundi foli:

  • Ikni dhe kthehuni pas disa ditësh.
  • Mos  u  mundoni,  është  e  kotë,  –   i  tha  Afërdita  duke e  kuptuar  se qëllimi  

i  tij ishte  të bisedonte diku më lart për ta vendosur në pozicionin e mësueses.

  • Ikni  dhe kur  të  ktheheni e  bisedojmë,  –  përsëriti drejtori.

Ai   ishte  i   bindur   se  duhej   të   ishte bërë  diçka  e pamenduar nga  ndonjë individ që  nuk e  njihte personalitetin e saj. Mendonte se me ndërhyrjen e tij do ta korigjonte këtë gabim.

 Afërdita u   largua,  por thellë,  në   ndërgjegjen e  saj, mendonte se   tentativa e  Andreas  do të ishte e kotë. U  kthye pas  tre ditësh. Drejtorin e gjeti në një gjendje të papërcaktuar. Me kokën ulur dhe me një zë të dridhur që mezi i dilte, i tha:

  • Më falni!
  • Asgjë,  faleminderit juve për  gjithçka! –   u  përgjigj ajo

                          *    *     *

            Ditën e parë, kur u paraqit e rrethuan ish-nxënësit e saj.

  • Zonja  mësuese, u kthyet  përsëri?  –  thërrisnin  ata  të gëzuar. 

Afërdita   nuk iu  përgjigj. I  përshëndeti dhe  u  drejtuapër në  drejtori. Drejtori sa  e  

pa uli kokën dhe nuk po fliste. 

  • Erdhët? – i tha së fundi.-    Po, – foli ajo me një zë të qetë.

            Ai vazhdonte të heshte. Andrea i  kishte kryer  studimet e larta në Vienë.  Gjatë luftës familja e tij ishte lidhur me lëvizjen nacional-çlirimtare. I ati, doktor Roberti, kishte qenë mjek në një spital partizan. Ishte një figurë e njohur në të gjithë krahinën. Ishte specializuar si kirurg.  Dikur, në kohën e mbretërisë, kishte punuar  si këshilltar në një ekip mjekësor italian që kishte ardhur për të ngritur një qendër shëndetësore në qytet. Kishte fituar një emër   të mirë  në   specialitetin    e  tij.  Shumë qytetarë  kishin shpëtuar nga vdekja në sajë të tij. Sidomos nuk përtonte të shkonte edhe kur e kërkonin për mjekim për ndonjë të plagosur gjatë luftës. Kudo që të ndodhej ai merrte çantën me mjetet e nevojshme dhe nisej menjëherë. Kështu që kishte fituar simpatinë e shumicës së qytetarëve.

Andrea kishte bashkëpunuar me njësitet guerile të qytetit. Kështu që  e emëruan drejtor të shkollës së mesme. Por ai kishte një koncept tjetër  nga drejtuesit e  tjerë  të institucioneve të ndryshme. Ishte bashkuar me lëvizjen, pasi kishte bindjen se ajo ishte forca më reale për të ndërtuar një Shqipëri demokratike. Realiteti i pasluftës e kishte zhgënjyer në një farë mase, por besonte se kjo ishte për shkak të paaftësisë së  disa drejtuesve  dhe  që  me kalimin e viteve do të

rregullohej.

Ishte martuar me Elvirën, arsimtare edhe ajo, shoqe e ngushtë më Afërditën.  Nga martesa u kishin lindur  dy  fëmijë, një vajzë, Vojsava,  dhe  një djalë, Petriti,  moshatar  me Arbërin.

Tani qëndronte me kokën ulur dhe nuk dinte si të përgjigjej. I njihte mirë aftësitë e saj ndaj nuk arrinte të kuptonte se përse të vepronin kështu me të. Kishte  biseduar  me disa  nga personalitetet që merreshin me kuadrot e qytetit, por te asnjëri nuk  kishte gjetur  mbështetje. Madje njeri prej tyre i kishte thënë me një zë të ulët:

  • Përse   e  fut   veten  në këto  ujëra,  mos kërkon  të mbytesh edhe ti?

            Kështu që heshti  dhe nuk  vazhdoi  më gjatë.  Por , nga përbrenda, e mundonte ndërgjegja.

  •  Andrea… –  e zgjoi  nga  mendimet ku ishte  zhytur  Afërdita.

Ai   e  ndërpreu  duke   ngritur   pëllëmbën e   dorës   duke dashur  t’i  thoshte që  të 

heshte. U ngrit dhe i bëri shenjë që ta ndiqte. U drejtuan për te banjot e shkollës. Atje i tregoi një kovë, një fshesë dhe një shkop të mbërthyer në një dërrasë rreth së cilës ishin mbështjellë disa lecka dhe që shërbente për të larë dyshemetë.

  • Këto janë mjetet e tua të punës, –  i tha me një  zë që mezi i dilte  nga goja  dhe  u  

largua.

Afërdita    nuk   pati   kohë    as   ta    alënderonte. Kështu   filloi punën e  re.  Në fillim  

pastronte  kur nxënësit ishin në pushimet e orëve të mësimit ose kur largoheshin për në shtëpi. I vinte turp t’u dilte para syve. Edhe nxënësit e shikonin me keqardhje. Nuk kuptonin se si ish-mësuesja e tyre tani ishte shndërruar në një pastruese të thjeshtë. Megjithatë sa herë që e takonin  e   përshëndesnin  “mirëmëngjes zonja mësuese”.

            I vetmi   që   mundohej  mos   ta   përfillte,  duke  e  parë shtrembër, ishte  Demiri, një  mësues që mbante detyrën e sekretarit të partisë për shkollën. Ai e  trajtonte si një armike të klasës. Më tepër e tërbonte krenaria me të cilën ajo e përballonte. Qëllimisht shpesh herë e kthente  për  të kryer  pastrimin për të dytën herë pasi gjoja nuk e kishte kryer mirë, megjithatë ajo me kokën lart vazhdonte punën e  saj.

  • Përse   nuk  përgjigje,  mos   vallë je memece?  –   i thërriste ai.

            Ajo e vështronte në sy dhe pa folur largohej për në punë. Heshtja ishte arma e  saj  në këtë  duel.  Kjo e tërbonte më tepër sekretarin

                                *    *     *

Vitin e tjetër Arbëri dhe Petriti filluan klasën  e  parë të shkollës shtatëvjeçare. U ulën  që të  dy në një bankë. Zoti u kishte falur një inteligjencë të jashtëzakonshme. I kapnin  shpjegimet që  jepte mësuesja dhe  përgjigjeshin aty për aty pa u menduar fare. Kjo bëri që shpejt të dilnin në krye të shokëve dhe shoqeve. Ata kishin një natyrë të veçantë. Asnjëherë nuk dinin të grindeshin apo të ngatërroheshin me shokët. Mësuese kishin Elvirën, mamanë e Petritit, e cila i trajtonte njësoj si të gjithë nxënësit e tjerë të klasës.

            Elvira rridhte nga një familje intelektuale që gjatë luftës kishte mbajtur një qëndrim asnjanës, pa u përzierë me asnjë krah. I ati ishte një tregtar çerturinash që me punën e tij mbante familjen e përbërë nga ai me bashkëshorten dhe dy fëmijët, Naimin, që ishte më i madhi dhe që kishte mbaruar për financë në Itali dhe punonte në drejtorinë e  financës së komitetit ekzekutiv, si dhe Elvirën, Nga paraardhësit e tyre kishin përfituar një shtëpi  ku  banonin  dhe  një dyqan  të 

vogël ku i ati ushtronte aktivitetin e tij. 

Ishte viti 1952,  dyzet vjetori i pavarësisë kombëtare. Andrea mendonte që, me këtë  rast, 

me një grup mësuesish dhe nxënësish të shkollës të vinin në skenë një dramë me temë patriotike  nga e kaluara e vendit. Për këtë kishte zgjedhur një  dramatizim të romanit  “Lulja e Kujtimit” të  Foqion Postolit, vënë në skenë dhjetë vite më parë në  shkollën “Nana  Skanderbeg”,. Ai mendonte se dramatizimi duhej të ishte më impulsiv gjë që, sipas tij, i kishte munguar atij të mëparshmit. Mendonte që   ngjarjet  e  atij dramatizimi t’i përshtateshin plotësisht këtij përvjetori. Kështu që duhej ripunuar. Por ishte në dilemë se kujt t’ia ngarkonte ripunimin e tij. Vetë kishte mbaruar për matematikë. Mesuesit e letërsisë së shkollës nuk i dukeshin të përshtatshëm. Donte ta bisedonte me të shoqen, Elvirën.

Trokiti porta.

  • Hyni! – thirri ai

Dera u hap dhe hyri Elvira. Andreas i çeli fytyra.

  • Sa mirë që  erdhe,  –  i  tha.  –  Ty  të  kisha ndër  mend. Dua   të   bisedojmë pë një   çështje.

Dhe i  tregoi  projektin e   tij  duke kërkuar opinionin e  saj. Elvirës  i  shkrepi  diçka  në 

mendje.

  • Unë   kam  një   mendim, por  nuk e  di nëse të  duket  i   arsyeshëm. Personi   më  i  

përshtatshëm  për atë rol është Afërdita.

  • Afërdita? 
  • Po.  A ju  kujtohet   se   me   sa  pasion  recitonte  poezitë  e   autorëve te   medhenj  

shqiptarë dhe  të  huaj, kur u shpjegonte nxënësve për ta? Dukej  si një aktore e vërtetë, madje ajo e ka luajtur këtë rol edhe para dhjetë vitesh, kur ishte në vitin e fundit të shkollës “Nana  Skanderbeg”.

            Heshtja pasoi fjalët e Elvirës. Andreas iu shfaq para syve një skenë e para shtatë viteve ku Afërdita, në përvjetorin e poetit Vaso Pasha, në mes të një grumbulli kolegësh recitonte me pasion:

“Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë, 
              Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
 
             Asht tok’ e jona, prindt na e kanë lanë
 
             Kush mos na e preki, se desim t’tanë
                    

  Desim si diqnëburrat qëmotit 

 Dhe mos marrohna përpara zotit.“

            Uli kryet dhe qëndronte i  heshtur. Elvira  kishte të  drejtë. Por, a do të mundesh?

  • Pse mendohe? – i tha ajo
  • “Të   rrosh  a   të   mos rrosh?”  –   përsëriti Andrea  monologun  e  Hamletit  pa 

e gjetur enigmën e këtij  problemi. 

–    Në këtë dilemë jam edhe unë. Ti më kupton. 

–    Mendoje dhe vendos, –  i tha Elvira.                                                                                  Andrea  ndodhej me  të  vërtetë para  një  dileme. Karakteri   i  tij e shtynte që  të pranonte  propozimin e Elvirës, por  një zë  i brendshëm i fliste:                                                                  – Mos   u   nxito!  Thellohu, shqyrtoje   mirë  rastin dhe  pastaj vendos!   Mendo pasojat

Ky  mendimi   i   fundit    e  shqetësonte   më    tepër. I  dilte para   syve   refuzimi që   i  

kishin  bërë personat me të cilët kishte biseduar për kërkesën e tij për kthimin  e  Afërditës si  arsimtare. Por i dilte para syve edhe një rast tjetër me të cilin  ishte  ndeshur kohët e fundit. Një miku i tij, drejtor i një punishteje  rrobaqepësie, kishte emëruar në postin e brigadieres së repartit të këmishave  për gra dhe burra një grua që kishte përfunduar një kurs rrobaqepësie dhe ishte shumë e talentuar. Ajo me fantazinë e saj kishte projektuar disa tipe këmishash që kërkoheshin tepër nga tregu. Por, për fatin e  keq, vëllai i saj ishte dënuar me dhjetë vjet burg për agjitacion e propagandë  Një gjë e tillë kishte bërë që ta shkarkonin nga detyra e   drejtorit duke e detyruar së fundi të largohej nga ndërmarrja.

            Këto mendonte edhe Andrea në ato çaste. Mos vallë edhe ai do të kishte të njëjtin përfundim? Çështjen e  bisedoi edhe  me  të atin. Roberti  po  e dëgjonte  me  vëmendje, në heshtje. Së fundi i tha:

  • Dëgjo  mor  bir.  Në botë  ka  tre lloje  njerëzish. Të   parët  janë ata  që  i venë vetes  

një qëllim  dhe nuk tunden nga ai parim, natyrisht kur ai  është i  arsyeshëm  dhe moral. Çfardo rrethane që t’u paraqitet ata nuk lëkunden nga parimet. Duan  të urdhërohen vetëm nga vullneti i tyre dhe askujt tjeter. Duan të udhëhiqen nga arsyeja e tyre dhe askujt tjetër. Duan të drejtojnë veten dhe jo t’i drejtojnë të tjerët. Duan të vendosin vetë dhe jo të vendosin të tjerët. Me  pak   fjalë,   duan  të   jenë dikushi, duke marrë parasysh çdo lloj çmimi që duhet të paguajnë.

Të  dytët janë sharlatanët, hipokritët, servilët, që janë gati të shesin moralin e tyre për një post apo përfitim jo të ligjshmën. Ata nuk kanë fytyrë, nuk kanë ndërgjegje, janë kthyer në kameleonë. Për fat të keq, ata i gjen me shumicë në botën e sotme  dhe  me veprimet  e  tyre bëjnë  që  jeta të  mos shkojë në rrjedhën e saj. 

            Kurse të tretët janë një tip i veçantë nga dy të  parët. Tek ata mbizotëron urrejtja për çdo kundërshtar dhe që i ka bërë egoistë, sadistë, kriminelë. Ata janë të gatshëm të përdorin mjetet më mizore për të arritur qëllimet e paracaktuara. Ndjejnë kënaqësi. kur shohin të derdhet gjaku i tyre. Kjo është e vetmja ndjenjë që iu zotëron zemrat dhe kjo i bënë ata që të jenë më cinikë. Kështu, mor bir,  pyete  ndërgjegjen tënde  se  cilit grup i përket dhe vepro siç të thotë ajo.

Nuk foli më, por për Andrean kishte folur mjaft. Vendosi të vepronte. I dërgoi Afërditës   të   paraqitej  në    drejtori.  Kishin  përfunduar   orët   e mësimit. Nxënësit   dhe   arsimtarët ishin larguar.. Afërdita, si zakonisht, po kryente pastrimin e shkollës. U habit me këtë  thirrje.

  • Përse? – pyeti veten e saj.

Kur hyri   në   drejtori  dhe    kur pa  se  atje ishte   edhe   Elvira, ndjeu   një   lehtësim. 

Ndruajtja i  kishte kaluar.

  • Urdhëroni,  zoti  drejtor! –  i  tha. 

Ishte hera e parë që i drejtohej me këtë emërtim 

  • Mos    m’u    drejtoni   më   zoti drejtor.  Unë   kam   një emër.   Kemi  vite që  jemi 

kolegë. 

            Qëndruan disa çaste në heshtje, pastaj Andrea vazhdoi:

  • Ju e  dini  se  po   afron    kremtimi   i    dyzetvjetorit   të    shpalljes   së  pavarësisë.  

Me  këtë rast  së bashku me Elvirën kemi menduar që të  vemë  në skenë  dramatizimin  “Lulja e Kujtimit” dhe kemi menduar që përpunimin e tij ta bëni ju, madje edhe të luani rolin e Olimbisë si dikur  para dhjetë  vitesh.

            Afërdita shtangu. As që i kishte shkuar kurrë ndër mend  një  propozim i tillë.  Ajo,  një patruese shkolle, të  kthehej  në rolin e   një  shkrimtareje dhe  aktoreje  teatri. Një ndjenjë  e  çuditshme filloi  ta pushtojë.  Para syve i doli fëminia e saj, kur pasioni kryesor ishte të bëhej një aktore  e  njohur. Iu kujtua historia kur dhjetë vjet më parë drejtoria e shkollës kishte organizuar, sikurse tani, shfaqjen e romanit “Lulja e Kujtimit”, dramatizuar nga një figurë e njohur. Afërditës i kishin dhënë rolin e Olimbisë. Në fund të shfaqjes të gjithë e kishin duartrokitur nxehtësisht interpretimin e aktores së re, madje nëpër gazetat e kohës kishte filluar të shkruhej se ajo do të bëhej një aktore e madhe. Ngjarjet e mëvonshme e  kishin shndërruar rrjedhën e jetës së saj. Ajo, nxënësja e shkëlqyer e shkollës “Nana Skanderbeg” kishte përfunduar si  një pastruese e thjeshtë shkolle.

            Ndaj ishte në dilemë. Një zë i thoshte se duhej ta pranonte, pasi vetëm kështu mund të realizohej ëndrra e fëmijërisë për t’u bërë dikush, ndërsa zëri tjetër i pëshpëriste se kjo ishte e pamundur sepse  duhej  të shikonte  edhe  pozicionin në të cilin ndodhej.

  • Do më lejoni të mendohem? – i tha drejtorit

Ai nuk e kundërshtoi dhe kështu u ndanë.

                               *    *     *

  • Përse mendohe? –  e pyeti e ëma Afërditën.
  • Sepse jam në udhekryq, – ishte përgjigja.
  • Dhe  ti nuk  je  në gjendje  ta  zgjidhësh? 
  • Ndodhem   midis    dy    rrugëve,   njera    të  shpie  në   parajs dhe  tjetra   në  ferr.

Rruga  e  ferrit  është   e   hapur dhe mund   të   shkosh   kur   të   duash, ndërsa   për  të shkuar  nëparajsë   duhet     të    kalosh   nëpër   gërxhe   dhe shkrepa  që  duhet mund dhe vullnet për t’i kaluar.

  • Po ty,  a  mos vallë  të  mungon ky  vullnet?  Dikur Migjeni shkruante:

               0 vullnete të ndrydhuna!

               0 vullnete të shtypuna!

               Shkundni prangat të mbrapshta! 

               E me britmë ngadhnyese,

               Me hove viganash, dëshirash flatruese,

               Turniu në të gjitha anët dhe poshtë në dhe zbritni

               ndosht’ aty keni për të gjetë fillin e një hymni,

  • Vullnetet  e   mia   janë  ndrydhur,  Unë   nuk    kam   forcë    që    t’i    shkund    ato,  

siç  thotë  poeti. Ç’mund  të bëj unë për t’u çliruar nga kjo ndrydhje? A mundem vallë? Migjeni shkruante:“Shkundni prangat të mbrapshta”! Por a kam unë fuqi për  këtë?

  • Folmë bijë, folmë! Tregomë ku qëndron çështja.

Afërdita i  tregoi  për   propozimin  e drejtorit  të  shkollës. I tregoi edhe  pse   hezitonte 

ta pranonte. Ajo  ishte  bashkëshortja e një të vdekuri në burg si armik i  popullit, ndaj i  ishte mohuar  edhe  e drejta e profesionit. Si do ta priste publiku daljen  ne skenë?

            Nëna ndenji disa minuta pa u përgjigjur. Së fundi tha:

  • Mos   u   druaj   bija    ime. Pranoje    propozimin. Ti  e    ke  luajtur  edhe  disa vite  

më  parë atë  rol dhe dole e shkëlqyer, megjithëse ishe ende e re. A të kujtohet se si të ngritën në krah spektatorët? Tani ke rastin t’u tregosh se cila je. Mos e ul  kokën. Askush nuk mund të thyejë krenarinë tënde.

            Afërdita vendosi. Të nesërmen i tha Andreas se pranonte.

  • Rrofsh Afërditë! Të siguroj se kjo do të jetë kthesa  e rugës  tënde në jetë.
  • A thua?
  • Sigurisht.  Të  premtoj  se   shpejt  do  të  arrish  në  vendin që meriton
  • Faleminderit!  

Afërdita  u  kthye   në   shtëpi   dhe hapi   romanin.  Para  syve  i  dilnin skenat  e  tij. I 

dilte Dhimitri,  një djalë i ri që punonte si kryeshërbëtor në dyqanin e  zotit  Kristo dhe  dashuronte  vajzën e  tij  të vetme, Olimbinë, e cila edhe ajo e donte. Për këtë arsye zoti Kristo së bashku me sekretarin e tij, Nikon, bënin plane për ta larguar  nga Korça duke e dorëzuar në duart e qeverisë turke si njeri kryengritës dhe që kishte marëdhënie me shqiptarët jashtë Shqipërisë.

Dhimitri, i   paralajmëruar nga  Olimbia, largohet  dhe  niset për  në  Manastir ku  njihte  mjaft kryengritës. Mirëpo ishte natë e egër dimri dhe atij i del një tufë  ujqërish, të  cilët ia  shqyejnë kalin. Ai vetë mezi shpëton gjallë me ndihmen e kryengritësve të asaj ane që vepronin atje. 

Në këtë kohë në Korçë përhapet lajmi se Dhimitrin e kanë shqyer ujqërit. Kur e  mori  vesh këtë Olimbia dëshpërohet aq shumë sa luan mendsh dhe mbetet ashtu gjashtëmbëdhjetë muaj, deri sa një ditë “Lulja e Kujtimit”, që ia kish falur Dhimitri,  i ngjall asaj kujtimet e së kaluarës dhe e sjell në vete. 

Ky subjekt i doli para syve Afërditës. I dukej i ngjashëm  me fatin e saj   me  Sokolin. Edhe  atë  e kishin rrethuar ujqërit dhe e kishin gllabëruar, madje nuk kishte asnjë varr ku ta vajtonte apo t’i çonte një tufë me lule. Në vend të “Lules së Kujtimit” ajo kishte fotografinë ku ai kishte dalë duke  brohoritur  me duart lart.

Interesant, – mendonte  Afërdita, –  edhe  atëherë kishte cmirëzinj që përpiqeshin të shkatërronin ëndrrat e të tjerëve.

Dhe sillte ndër mend intrigantët e kohës në të cilën jetonte.

            U ul dhe filloi  të  punojë. Mori dramatizimin e  parë  dhe  filloi  ta rilexojë. Atje  ku mendonte se skenari  çalonte bënte ndonjë korigjim apo shtesë. Ishte zhytur në botën e fantazisë. Për të nuk ekzistonte më asgjë përveç ngjarjeve të dramës.  Ambienti rreth e rrotull nuk ekzistonte. E ëma e shikonte dhe mundohej t’i fliste për ta shkëputur nga kjo gjendje por me kot. Ajo kishte humbur në botën e saj. Së fundi e përfundoi.

            Të nesërmen ia dorëzoi dramën Andreas. Ai i hodhi një sy shpejt e shpejt dhe i tha:

  • Faleminderit, të lumtë! Ke bërë një kryevepër.

Menjëherë   filluan    përgatitjet    për    shfaqjen.   Andrea  bisedoi me  një   regjisor  të  

njohur   të  qytetit i  cili  mori përsipër  vënien    në    skenë. U   zgjodh   edhe   ekipi   realizues 

skenaristë,kompozitorë, piktorë. Uzgjodhën gjithashtu edhe interpretuesit. Rolin e Olimbisë e mori Afërdita ndërsa atë të Dhimitrit, një mësues i ri, Skënderi, që kishte ardhur atë vit në këtë shkollë. Rolet e tjera u caktuan nga rradhët e maturantëve.

            Andrea kishte vetëm një dyshim. A do ta lejonte praninë e Afërditës sekretar Demiri? Ai e dinte opinionin e tij për pastruesen. Por fati e ndihmoi. Demiri kishte shkuar për një kurs partie në kryeqytet. Kështu që rruga ishte e hapur.

                                                 *         *          *

Së   fundi,  erdhi   edhe   dita  e   festës  së madhe. Qyteti zhurmëronte nga brohotitjet e banorëve që derdheshin rrugëve dhe nga fjalimet e autoriteteve, midis të cilave edhe ajo e përfaqësuesit të lartë të ardhur nga kryeqyteti. Tingujt e bandës së qytetit mbulonin zhurmat e njerëzve. Në mbrëmje shfaqja e dramës së mirëpritur. Turmat drejtoheshin drejt sallës së teatrit që u mbush plot e përplot. Në galerinë qëndrore, përfaqësuesi i lartë i ardhur nga Tirana, Sekretari i Parë i Partisë, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv  dhe kuadro të tjera. Midis tyre edhe Demiri që kishte përfunduar kursin. Në galeri ishte ulur edhe drejtor Andrea. Në shfaqje kishin  ardhur edhe nëna e Afërditës me Arbërin e vogël.

Shfaqja filloi. Në skenë Dhimitri me Olimbinë,  një  çift të dashuruarish që dukej  sikur do  ta  përpinin njeri-tjetrin. Salla  i shikonte me admirim. Në  galerinë  qëndrore filloi një lëvizje.                                           

  • Kush   ia  ka   dhënë   këtë rol  asaj?  –   iu   drejtua Demiri Andreas.

 Spektatorët  që   ishin   pranë  galerisë   kthyen    kryet. Sekretari  i Parë   i    bëri shenjë  Demirit që të  heshte. Andrea bëri sikur nuk e dëgjoi.

            Shfaqja vazhdonte. Skena  tjetër. Zoti Kristo dhe  sekretar Nikua bëjnë plane për ta dorëzuar Dhimitrin tek autoritetet turke.  Olimbia i dëgjon dhe i lutet të atit por ai nuk tërhiqet, atëherë lajmëron të dashurin i cili largohet nga qyteti.  Së fundi shfaqet një lajmëtar që sjell lajmin e kobshëm, Dhimitrin e kanë shqyer ujqërit. Një klithnë  therrëse  dëgjohet. Është  Olimbia  që këlthet. Salla pret e shtangur rrjedhën e ngjarjes. Zëri  i  saj buçet me duart lart:

  • O Zot, ku je?

Para   syve   nuk  kishte  më sallën  e teatrit. Ajo  kishteluturuar në  botën e saj.  Nuk  ishte më Dhimitri partneri i saj. I dukej sikur ai ishte Sokoli i rrethuar nga një turmë ujqërish që mundoheshin sejcili t’i shkëpusnin ndonjë copë nga trupi i tij.

  • Ndaluni,  ndaluni! –   thirri   në  mes  të   lotëve që   rridhnin   si  lumë.  –    Mos ma merrni  Sokolin tim!

            Një e qeshur histerike shpërtheu nga buzët e saj. Salla, e ngritur në këmbë buçiti  nga duartrokitjet e zjarrta. Midis tyre ndihej me fort zëri i një fëmije. Ishte Arbëri që brohoriste për nënën e tij.

  • Mbylleni perden!  – Thirri Demiri,  por  atë  nuk  e  dëgjoi   askush.  Duartrokitjet e 

publikut e mbuluan zërin e tij. Sekretari i Parë  i bëri përsëri shenjë që të heshtëte.

            Së fundi shfaqja përfundoi. Turma të tëra spektatorësh u derdhen në skenë për të përgëzuar regjisorin dhe aktorët dhe në mënyrë të veçantë Olimbinë. Tufa me lule i drejtoheshin asaj. Në këtë  çast mbërriti Demiri që e kapi për krahu dhe  e  nxorri nga  skena.  Atje u përballë me  Andrean i  cili  ndërhyri dhe ia hoqi nga duart.

  • Lëshojeni! –  i tha,  –   suksesi i kësaj shfaqje  është pikërisht kjo. 

E  pruri përsëri  në  krye të skenës. 

            Ovacionet ishin të jashtëzakonshme dhe vazhduan për një kohë të gjatë.

  • Faleminderit! – i tha Afërdita.
  • Faleminderit juve! – u  përgjigj Andrea. –   Ishit ylli  i shfaqjes.

Së bashku me nënën dhe Arbërin u nisën për në shtëpi. Andrea i përcolli deri  te porta.

            Të nesërmen, nën drejtimin e Sekretarit të Parë të Partisë së Rrethit, u zhvillua mbledhja në Komitetin e Partisë. Merrte pjesë edhe delegati i ardhur nga kryeqyteti si dhe të gjithë sekretarët  e   partisë së  ndërmarrjeve  dhe shkollave  të  rrethit. Kishte edhe disa kuadro  te tjera të  ftuar  dhe midis  tyre  edhe Andrea. Tema ishte bilanci i punës së kryer për përgatitjen e kremtimit të  festës  së dyzetvjetorit të pavarësisë.

            Raportin kryesor e mbajti Sekretari i Parë. Ai foli e foli për gati një orë për punën e kryer duke lavdëruar kuadrot drejtuese që kishin përgatitur festën duke e konkretizuar këtë me shembuj të ndryshëm. Shfaqjen e dramës nuk e përmendi fare duke e lënë qëllimisht në heshtje Në fund falënderoi përfaqësuesin e ardhur nga Tirana për ndihmën e dhënë.        

Filluan diskutimet. I pari u ngrit Demiri.

  • Të dashur   shokë!  Jam    plotësisht    dakord   me   të    gjitha  ato  që  ngriti shoku  

Sekretar  i Parë por dua të ndalem në një pikë që nuk u përmend fare në raport. E kam fjalën për shfaqjen e organizuar nga shkolla “Dëshmorët e Lirisë” dhe personalisht nga drejtori i saj, shoku Andrea Goranxi, i pranishëm në këtë mbledhje. Unë nuk arrij të kuptoj se si shoku Andrea ngarkoi për interpretimin e rolit kryesor një person të deklasuar, i shoqi i së cilës ka vdekur në burg ku kryente dënimin e merituar si armik i popullit. Pikërisht për këtë asaj i është hequr edhe e drejta e ushtrimit të profesionit të mësueses. Mendoj  se  sot   shoku  Andrea duhet  të  na  japë 

shpjegime përse e mori këtë vendim.

            Andrea u ngrit nga vendi ku ishte ulur  dhe dalëngadalë u drejtua për te podiumi  ku  mbaheshin diskutimet. Qëndroi  disa minuta në heshtje dhe pastaj filloi:

  • Më lejoni të nderuar shokë  t’ju tregoj arsyet  e   mia   

përse  ndërmora një  veprim  të  tillë. Dhjetë  vjet  më parë,  më  28 nëntor 1942, në zjarrin e luftës për liri, drejtori i shkollës “Nana Skanderbeg” në kryeqytet, heroi i popullit Astrit Çeliku organizoi shfaqjen e kësaj drame. Rolin kryesor, atë të Olimbisë ia besoi Afërdita Ndrecës që më vonë do të merrte mbiemrin Dauti, atëherë nxënëse e vitit të fundit të shkollës.. Suksesi ishte i jashtëzakonshëm sa i tërboi fashistët. Si raprezalje ata arrestuan drejtor Astritin dhe e pushkatuan. Në kujtim të kësaj ngjarjeje mendova të përsërisja shfaqjen e kësaj drame. Mendova se më mirë se shoqja Afërditë këtë rol nuk mund ta luante askush tjetër. Mendova se ajo do të përsëriste suksesin e dhjetë viteve më  parë dhe  nuk  gabova Shtoj  se  ajo është punonjëse e shkollës sonë me detyrën e pastrueses të cilën e kryen më së miri dhe pa u ndjerë apo ankuar. Suksesi ishte i jashtëzakonshëm dhe ju të gjithë e patë. Ovacionet e publikut nuk kishin mbarim.

  • Po  kur  ajo thirri   “Mos ma merrni sokolin tim”   çfarë   donte të   thoshte?  Mos iu  

kujtua  i shoqi, Sokoli, që vdiq në burg si armik populli? Mos  vallë  donte ta ngjallte atë? – pyeti me një zë të ashpër Demiri që nga vendi.

  • Jo  i  dashur  Demir,  ky  ësht ë  një epitet  që   përdoret shpesh  në  gjuhën tonë  për  

të  treguar madhështinë e heronjve tanë dhe Afërdita e përdori atë për të treguar madhështinë e Dhimitrit.     

Demiri  heshti. Andrea  e përfundoi ligjëratën me fjalët:

  • Jam  i  gatshëm  të  përgjigjem  para  çdo lloj   vendimi  që    do   të  mendoni   ju.  Ju 

falënderoj që  më dëgjuat dhe më falni për kohën e konsumuar.

            Mbledhja vazhdoi edhe me disa  diskutime të  tjera.  Në fund e mori fjalën i deleguari i kryeqytetit  që në mbarim të fjales së tij tha;

  • Përsa   i  përket  çështjes  që u  diskutua  këtu le  të merren organet kompetente.

            Me kaq mbledhja mori fund.   

                               *     *      *

                  Ditët që  pasuan vazhduan të  qeta. Secili kryente  punën e   përditëshme. Dukej  sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Por kanalet e fshehta vazhdonin të punonin. Një ditë prej ditësh, Resuli, dikur shok shkolle me Sokolin dhe tani operativ i sigurimit të shtetit, duke kaluar pranë saj, iu   drejtua  dhe   me   një zë  të  qetë  që  shprehte përzemërsi  i foli:

  • Puna e mbarë1

Afërdita   e   vështroi   në   sy  e  habitur. Një e  dridhur i   përshkoi   trupin. Megjithatë,  

për  mirësjellje, iu përgjigj me të njejtën mënyrë:

  • Mbarë paç,  ju faleminderit!

Resuli ndaloi hapat dhe vazhdoi po me të njejtën mënyrë:

  • Pashë  shfaqjen tuaj  dhe  ju   shkëlqyet   me  rolin   që  interpretuat  dhe   t’ju  them  

të  vërtetën më vjen keq që jeni një pastruese shkolle, kur duhej të ishit një artiste e madhe.

            Afërditës i dukej sikur para syve kishte fytyrën e një hipokriti madje, edhe më keq, atë të një gjaksori

  • Unë   tani   e   kam   zgjedhur   profesionin tim,  –   iu përgjigj  –  Këto   janë  fshesa  

dhe  kova. Nuk kam pretendime për më tepër.

  • E  keni  gabim, –   nguli  këmbë  Resuli. –   Atë  zgjidhje  jua   dhuruan  rrethanat   e

jetës,  por që janë në dorën tuaj të rregullohen. Po deshët ejani ndonje ditë në  zyrën  time  dhe  të 

bisedojmë për rrugën e zgjidhjes.

            Kaq foli  Resuli dhe  u  largua, duke patur  në buzë  një buzëqeshje që nënkuptonte shumë gjëra.

  • Hipokriti, – tha me vehte  Afërdita, – kujton se do  ta  harroj krimin e tij.

Përsëriste fjalët e tij dhe kishte bindjen se prapa tyre fshihej diçka tjetër. Një zë i brendshëm i thoshte se vajtja në zyrën e tij do  të  ishte shkatërrimi  moral  i saj.  Këtë  dyshim ia   shtonte   edhe f akti   se   ai kishte  qenë  personi që  kishte  arrestuar Sokolin                                    Në mbrëmje e bisedoi me t’ëmën. Edhe ajo i  shfaqi nje mendim të dyzuar. 

  • Sot  moj bijë,  –  i  tha ajo,  –  jetojmë  në  një  botë  të  çuditshme. Jemi  të  rrethuar  

nga  njerëz të cilët nuk e dimë nëse janë  engjëj apo  djaj. Një zot e di vetëm këtë. Nuk e  di  sitë të them. Vepro si  të thotë ndërgjegja  jote.

            Pas  disa   ditësh   u  takua  përsëri  ballë për  ballë  me Resulin.

  • A u menduat? – i tha ai

Afërdita  nuk   i    ktheu  përgjigje. Mendoi   ta   bisedonte   edhe me  Andrean. I   shkoi 

në zyrë. E  dinte që ai largohej i fundit prej shkolle.

  • Ç’e mirë të solli? – pyeti ai duke i buzëqeshur.
  • Ndodhem  para një  dileme  të madhe –   i tha.   

I    tregoi  propozimin   e   Resulit. Andrea   e  dëgjoi    me   vëmendje. Pasi   u  mendua 

për   disa minuta vazhdoi:

  • Në   të   njejtën   dilemë    jam    edhe    unë. Nuk   besoj   të  jem më  drejtor  i  kësaj  

shkolle dhe nuk e di se ku do të më degdisin.  Kjo është Shqipëria në të cilën jetojmë.

            Në të vërtetë Andrean e kishin thirrur disa herë në Komitetin e Partisë për t’i bërë presion se përse e kishte ngritur aq lart atë që ishte e dënuar të punonte si pastruese. Por deri tani nuk ishte marrë asnjë masë kundër tij. Megjithatë këto nuk ia tha Afërditës.

  • Nëqoftëse do  të  më dëgjosh   mua, –  i  tha  më   në   fund   –  mos  shko .

Afërdita e vendosi. Tashmë hezitimet dhe iluzionet ishin zhdukur.

            Erdhi   edhe  dita e  përfundimit të vitit shkollor. Drejtor Agroni organizoi  një  ceremoni 

me këtë rast ku u zhvillua edhe ndarja e deftesave. U lavdëruan dhe u nderuan me flete nderi të gjithë  nxënësit  e shkëlqyer sipas klasave. Midis tyre edhe Arbëri e Petriti.

Afërdita po kthehej në shtëpi. Papritmas, pa e kuptuar se nga ia behu Resuli.

  • Dua të bisedoj me ju –  i tha. 

            Ajo e mori me mend se çfarë donte të bisedonte  ai  por, tashmë ajo e kishte të qartë qëndrimin që  do të  mbante. Këtë  e kishte vendosur qysh kur kishte biseduar me Andrean.

  • Mua    sinqerisht,  si   një   shok  i   vjetër i  Sokolit,  më vjen  keq  që  një   femër  e  

nivelit  tuaj, të vazhdoni të punoni si një pastruese  e  thjeshtë, kur duhej  të  ishit një  arsimtare  e degjuar apo një aktore e shkëlqyer.

            Afërdita ndjeu neveri për fjalët e  shprehura  prej tij.

  • Pastaj? – e ndërpreu. 
  • Mendoj  se   është   vepruar   gabim   në   rastin   tuaj  dhe   kjo  për faj    të   ndonjë 

dritëshkurtri  që  nuk ka ditur se si të veprojë me ju si dhe disa rrethanave të tjera të kushtëzuara nga pozicionimi i një individi në kushtet e krijuara në vendin tonë.

  • Pastaj?/ – përsëriti Afërdita
  • Kjo  gjë  mendoj   se   duhet   korigjuar. Vendi  ynë   sot  ka  nevojë  për  kuadro   si  

ju.  Por, për  të bërë këtë korigjim duhet të kontribuoni.

  • Pastaj? – tha Afërdita për të tretën herë.
  • Ju   duhet  të   tregoni   se   jeni  e   gatshme   për  të   ndihmuar   në   vijën   politike

që  ndjek vendi  ynë. Sot ka ende njerëz që në një mënyrë apo tjetër mundohen të pengojnë ecjen përpara të shoqërisë socialiste dhe ne duhet t’i zbulojmë ata. Duhet t’ju tregojmë  vendin. Ju mund  të  na ndihmoni  në  këtë drejtim. Unë jam në pritje.

  • Ashtu?
  • Po  ja  duke biseduar  me  njerin  apo tjetrin, duke blerë   mendimet e   tyre  dhe   në  

rast  se  ndonjë  shprehet   kundra ta denonconi. Kështu do të kontribuoni në eliminimin e tyre dhe bashkë me ta edhe të ideologjisë së tyre të dështuar. Synimi ynë është   krijimi  i  njeriut   të ri  me  parimet e  reja  të shoqërisë socialiste,

Heshtja pas kësaj ligjërate vazhdoi gjatë. Afërdita, duke e vështruar në sy iu drejtua;

  • Keni gabuar adresë.! Më falni por duhet të largohem.
  • E  keni  menduar  mirë? –   kërcënoi   Resuli. Toni   i   zërit  të   tij   tani  kishte  

ndryshuar. Ishte  toni  injeriut që  është  mësuar të urdhërojë të tjerët

  • Plotësisht  – ishte përgjigja.

U ndanë pa u përshendetur.

                                            *          *           * 

Afërdita u kthye në shtëpi dhe u mbyll  në  dhomën e  saj.  Donte të qetësonte  nervat që i ishin ngritur për shkak të debatit me Resulin. Kjo gjë i ra në sy nënës e cila e ndoqi nga prapa dhe kur e pa që po rrinte e menduar i tha:

  • Bijë, çfarë të mundon?
  • Ndërgjegja ime. – ishte përgjigja.
  • E përse?
  • Sepse nuk arrij dot të gjej rrugën që duhet të ndjek.

Nëna e vështroi drejt e në sy dhe me një ton solemn i deklamoi vargjet:

           Megjithëse drita ishte dikur kaq e ndritshme

           Tashmë nuk mund ta shoh,

           Megjithëse asgjë nuk mund të sjellë pas ndriçimin në bar

           Lavdinë në lule

           Nuk mund të vajtojmë, por do të gjejmë

          Forcën në çka mbetet pas.

  • A  e  di   kush  i   ka    shkruar?   William Wordsworth  në  “Ode mbi   intimitetet   e  

pavdekësisë nga kujtimet e fëmijërisë së hershme“. A të kujtohet  fëmijëria  jote e  herëshme? Sot ti nuk mund të shohësh ndriçimin e dritës së dikurshme. Vuri veshin çfarë shkruan poeti:

            Nuk mund të vajtojmë, por do të gjejmë

           Forcën në çka mbetet pas

A ke mundësi të gjesh  forcë  për  ta përballuar? Unë  besoj se  po,  ndaj ngrehu  dhe vazhdo të jetosh.

            Fjalët e nënës e gjallëruan Afërditën. Një ndjenjë tjetër kishte pushtuar zemrën  e  saj. Nga  obori aty pranë u dëgjua zëri i Arbërit që qeshte me të madhe së bashku me disa shokë të tij.  

  • Keni  të  drejtë, –  tha, – ti  më  deklamove  vargjet e Wordsworthit,  ndërsa  unë  ato  

të   Alfred  Tennysonit   nga poema “Enoch Arden”:

   E dashur Anë, çelu, ngushëllohu,

  Vështro fëmijën, dhe gjer sa të kthehem,

  Mbaj rregull në shtëpi se unë do të iki,

              Për mua mos ki frikë.

E   dëgjon  të  qeshurën  e Arbërit? E pra unë, në  këtë errësirë ku jetojmë, do të luftoj që kjo e qeshur të mos pushojë nga goja e tim biri dhe do ta gjej këtë forcë.

            Me kaq biseda mori fund.

            Kaloi muaji i parë i pushimeve. Një mbrëmje, ndërsa kthehej në shtëpi, takoi Andrean. U përshëndetën miqësisht. 

  • Ejani të ulemi të pimë një kafe, – e ftoi ai.

U     ulën       dhe     ndërsa     kamarieri     shërbente     kafen,   shkëmbyen   bisedat     e  

zakonshme  që bëhen në këto raste. Më pas hynë në temat që i ngacmonin përbrenda.

  • Një   hije  më është   qepur  nga   prapa  dhe  nuk  më  le  të   qetë,  – tha  Andrea. –  

Mundohem  ta largoj por ajo nuk më ndahet. Më shfaqet kudo ku ndodhem. Ja edhe tani është këtu, në këtë bar. E keni në të majtën tuaj. Ktheni kryet me kujdes dhe vështrojeni.

            Afërdita bëri sikur po kërkonte diçka në xhepin e majtë të xhaketës. Në fund të  sallës dalloi një të panjohur që po pinte kafe duke vështruar drejt tyre.

  • E   patë? Është  ai   i   zakonshm i  që   po   më   ndjek qysh   prej  ditës kur  dhamë 

shfaqjen.

            Afërdita i tregoi se në të njejtat pozita me  të  ishte edhe ajo. I tregoi edhe për përgjigjen që i ktheu Resulit.

  • Ky është fati  ynë. Jemi të  detyruar  të jetojmë  nën  këtë ankth. – i tha.
  • Së shpejti do t’ia dëgjojmë avazin, shtoi Andrea.                                                                         Në    të   vërtetë   avazi   u   dëgjua   në shtator me  fillimin e  vitit të  ri  shkollor.

Andrean e  kishin pushuar si drejtor dhe emëruar mësues në një shkollë shtatëvjeçare, ndërsa Afërditën e kishin transferuar në ndërmarrjen bujqësore të qytetit.           

Filed Under: LETERSI Tagged With: reshat kripa

Punë e veprim

April 21, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/
Fama dhe nderi janë binjakë, si Kastori dhe Polluksi në mitologji, njëri i vdekshëm dhe tjetri jo. Ky është krahasimi që Arthur Shopenhauer i bën Famës dhe Nderit.Fama, në kuptimin e vërtet, është e pavdekshme, sepse ka edhe famë që nuk zgjat më shumë se 15 minuta. Nderi është vëllai që vdes.Nderi ka të bëjë thjesht me cilësi që çdo njeri mund t’i ketë në rrethana të njëjta; Fama ka të tjera merita që nuk i ka çdo njeri. Nderi shtrihet aq sa njeriu di: Fama vrapon më tej dhe e bën njeriun të marrë çdo njohuri që ndesh udhës së tij. Kur njeriu udhëton, gjithmonë ka diçka për të treguar.Çdo njeri mund të thotë “jam i ndershëm”; por shumë pak mund të deklarojnë se janë të famshëm; Fama i takon vetëm njeriut me vyrtyt dhe që ka bërë diçka jo të zakonëshme, një punë. Kështu për Famën ekzistojnë dy udhë të hapura. Për veprimin këshillohet zemra dhe guximi; për punën, mençuria dhe vullneti. Secila udhë ka parësitë dhe mbrapësitë e veta. Ndryshimi kryesor midis tyre është se veprimi ikën, ndërsa puna mbetet. Ndikimi i veprimit, pavarësisht sa fisnik, zgjat shumë pak; por puna e një gjeniu është ndikim i gjallë, me përfitime e mirësi për brezat. Ajo që mbetet nga veprimi është kujtesa që me kalimin e kohës dobësohet e shtrembërohet – varet nga indiferenca e njerëzve – derisa në fund shuhet, nëse nuk ndërhynë historia, e cila e fosilizon për brezat që vijnë. Punët janë të pavdekshme në vetvete; në shkrime e libra mund të jetojnë përgjithmonë. Nga Aleksandri i Madh njerëzimi kujton emrin e tij, por Platoni, Aristoteli, Homeri e Horaci janë gjallë me librat e tyre.Të rrallë janë autorët që e shohin famën e tyre; sa më të rëndësishme të jenë veprat e tyre, aq më pak gjasa ka që të jenë të tilla. Seneka thoshte se fama ndjek meritën ashtu si trupi lëshon hijen e vet, herë përpara e herë mbrapa, herë të gjatë, herë të shkurtër. Historia e artit dhe letërsisë në përgjithësi tregon se arritjet e mendjes filimisht nuk priten mirë. Arsyeja është se ashtu si njeriu që priret të pëlqejë së pari ato gjëra që plotësojnë nevojat e çastit, edhe lexuesi vlerëson ato gjëra që plotësojnë shijet e kohës së tij. Kur John Milton (1608 – 1674) botoi poemen Lycidas, ishte bashkēkohēsi i tij Samuel Johnson, kritik i njohur, që e hodhi poshtë duke thënë se “fjalia është e ashpër, rimat e vargjeve janë të pasigurta dhe numrat janë të pakëndshëm” dhe u ankua se “në këtë poemë nuk ka asnjë natyrë, sepse nuk ka të vërtetë, nuk ka art, sepse nuk ka asgjë të re. Poema Lycidas që John Milton ia kushton mbretit Edward, sot cilësohet si kryevepra e parë dhe poema më e mirë e letërsisë angleze, ndërsa kritikët bashkëkohës të tij e hodhën poshtë. Kështu, kur një kokë dhe një libër përplasen, nuk është libri që tingēllon bosh, thotë Shopenhauer (1788 – 1860).

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT