• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2019

“ARMIKU I POPULLIT” MONS. DR. ZEF OROSHI NË DOKUMENTET E MANIPULUARA

May 23, 2019 by dgreca

Shkruan: Leonora Laçi*/

Të merresh me analizimin e dokumenteve komuniste do arrish të kuptosh se sa të pavërteta ka, do të njohim fytyrën e vërtetë të atij sistemi, falsifikimin e historisë, sa pushkatime janë bërë pa fakte konkrete e me gjyqe të inskenuara, sa njerëz kanë vuajtur në burgjet komuniste e sa të tjerë janë internuar për hir të babait, xhaxhait, vëllait, kushëririt etj., Pra përmes këtyre dokumenteve del zbathur e vërteta që komunistët nuk do të donin ta rrëfenin.

Ky studim është mbështetur terësisht në dokumentet arkivore të marra nga arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Arkivi Qendror Shtetërore. Referimi tek këto dokumente ka synim të sjellë një tablo sa më të plotë të fytyrës së regjimit komunist. Ky studim është si një reflektim mbi të shkuarën.

DOKUMENTET PËR MONS. DR. ZEF OROSHIN KANË KËTO ELEMENTË THELBËSORË:

Përfshirjen e klerit katolik në kërkesat për kapjen e tij dhe përpjekjet për ta bindur të dorëzohet;Në dokumentet e referuara vihen re qendrime të ndryshme lidhur me çështjen e tij;

Qendrimi i parë; -Ka rënë në ndeshkim kanonik

Qendrimi i dytë; Veprime te tilla sjellin dam si personave te tyne ashtu edhe mbare Kishes;

Qendrimi i tretë; Nuk ka kryer veper anti-pushtetit;

Qendrimi katërt; Konsiderimin si viktim të reaksjonit dhe shpetimin e tij;

Konsiderimin bandit;

Kthimin e nderit të “klerit”;

1.Përfshirjen e klerit katolik në kërkesat për kapjen e tij dhe përpjekjet për ta bindur të dorëzohet;

Kryetar i Kishes Katolike te Shqipnis, Ordinari i Arqipeshkvis Metropolitane, Dom Bernardin Shllaku në një shkresë të datës 15 mars 1952 mes të tjerash shkruan: “Po si ky veproj edhe D. Nikollë Kimza, para ca kohe, tue e lane famullinë në fatin e vet. Nji veprim i tillë asht jo vetem i damshem per prestigjin e mbare klerit Katolik, por edhe kundra ligjeve kishtare qe e detyrojne famullitarin te jete besnik i popullit e gjithmone gadi me i sherbye popullit qi asht lane nen kujdesin e tij fetar edhe atehere kur i paraqiten veshtiresina.

2.Në dokumentet e referuara vihen re qendrime të ndryshme lidhur me çështjen e tij;

Qendrimi i pare; -Ka rënë në ndeshkim kanonik

Kryetar i Kishes Katolike te Shqipnis, Ordinari i Arqipeshkvis Metropolitane, Dom Bernardin Shllaku në një shkresë të datës 15 mars 1952 mes të tjerash shkruan: “Largimi i nji famllitarit nga detyra pa lejen e ordinarit te vet shkakton pergjegjesi te rand para popullit e para Zotit, kur nji famullitar shkelë ligjin e detyren ndaj popullit a arratiset tue e lanë popullin pa sherbim, vetvetiu ai bjen në ndeshkim kanonik.

Qendrimi i dytë; Veprime te tilla sjellin dam si personave te tyne ashtu edhe mbare Kishes.

Prandej ju njoftojmë se;

I)Do t’i hiqet çdo juridiksjon kishtar ati Kleriku qi largohet nga famullija me qelllim arratisjeje;

II)Se per cdo friksia qi meshtari mund te kete prej ndoj personit apo per cdo fjale alarmuese qi mund te ndigjojne mbi personin e tij te na referohet ceshtja menjihere, tue sigurue se Na kena per te kene gadi me e ndjeke ceshtjen para Organeve Shtetnore ose me e rregullue pa kene nevoja te bajnë si te naltpermendunit, pasi veprime te tilla sjellin dam si personave te tyne ashtu edhe mbare Kishes.”( AQSH, F.132/A, v.1952, D.22, fl 1-2)

Qendrimi i tretë; Nuk ka kryer veper anti-pushtetit

Kryesija e Kishes Katolike te Shqiperise, Episkopati Katolik Shqiptar, në shkresen e datës 20/IV/ 1952:

“Nga ana e kësaj Kryesi janë ba hapa, tue pasë perhere perkrahjen e organeve shtetnore, dhe asht ba cmos, tue dergue edhe nierz per te mujtë m’u takue me te dhe me e bindë që të dorëzohet, mbasi edhe prei organeve shtetnore nuk rezulton të ket kry ndonji veper anti-pushtet.” (…)

Qendrimi katërt; Konsiderimin si viktim të reaksjonit dhe shpetimin e tij

Na tue intepretue edhe mendimin tuej e deklarojmë jashtë rrallve tona per deri sa ai të vazhdojë me qendrue në mal i arratisun. Prandej u sillemi Ju të gjithve, që ju direkt ase me anen e famullitarve të bani cmos m’u takue me te dhe t’a bindeni m’u dorëzue, tue kenë të sigurtë se kushdo që të mundohet në ketë drejtim ka me pas perkrahjen e organeve shtetnore; kushdo prei jush a prei famullitarve asht i lirë, dhe e ka per detyrë të bajë hapa m’u takue me te per kete qellim pse ky asht dhe dishiri i Pushtetit. Perpiquni pra nga te gjitha anët dhe beni cdo sakrific per te shpetue kete meshtar viktim te reakcjonit. P. Kryesinë Kishes Katolike Shqip. Kryetar Bernardin Shllaku ip.

Qendrimi i pestë: Dëshira e Klerit që ta shoh në gjirin e tij

Relacjon(AQSH, F.132/A, v.1952, D.22, fl. 5-6) Mbi tentativen e fundit rreth dorëzimit t’arratisunit Don Zef Oroshit. Njoftue nga Kryesija e Kishës Katolike të Shqipërisë me shkresë Nr.1/7 dt.15/III/ 1952, aratisja e Don Zef Oroshit, ish- famullitar n’Ungrej (Mirditë), Vikari Kapitullar i Djoçezit të Lezhës Don Ndoc Sahatçija tentoi nji takim as së pakut çfaqjen e dishirit të Klerit qi ai të dorëzohej, per me mujtë qi t’i shkote në vesh kjo fjalë. Per këtë qellim Don Ndoc Sahatçija shkoi me dt 24/III/ 1952 n’Ungrej, ku u takue me Vikar Kapitullarin e Abacisë së Mirditës Dom Lec Sahatçija, me nanen dhe motren e t”aratisunit me dhe tjerë pa mujtë me hetue se ku gjindej. Shtye prei dishirit me e pa në gji të klerit t’aratisunin Don Zef Oroshin, peshtetë në shkresen e Kryesisë së Kishës Katolike të Shqipnisë Nr.1/37 dt 20/VI/52.

2.Konsiderimin bandit

Me dt.27/XI/52 e enjte, nder dy meshët qi thamë tu Kisha n’ungrej, popullit qi erdh me shumicë, i foli Don Mark Dushi, i cili nder të tjera tha: “Na vimë nder këto anë t’auktorizuem me qellim me ba nji tentativë të fundit per dorëzimin e t’arratisunit don Zef Oroshi, i cili tash sa muej asht largue prei famullisë së vet e ka dalë në mal. Kjo punë ka ba pershtypje si nder ne qi e kam pasë shok veprimi fetar, si nder qarqe qeveritare, si edhe në mbarë popullin. Bariu i mirë i don delet e veta e ep jeten per to. Krejt perkundra veproi Don. Zef Oroshi. Meshtari katolik do të gjindet në krye të detyrës tue i sherbye popullit besnikërisht, do të mbajë në dorë ungjillin e jo pushken në dam të popullit. Nji klerik i tillë, persa të qendrojë në mal nuk i perket klerit ai asht i perjashtuem prei nesh. (…)Nder fjalime tona e nder takime me popull, pose tentativës per dorëzimin t’arratisunit Don Zef Oroshi, i u ba edhe një demaskim i rrebtë mbi atë qi la famullinë, delet e e veta pështetë kujdesit shpirnuer të tij, e me pushkë në krah, meshtari shetitë malit si bandit.

3.Kthimin e nderit të “klerit”

Marrim lirinë me Ju kerkue sa ma poshtë:

Tue shikjue e interesin e Kishës Katolike të Shqipërisë, e këthimin e nderit të Klerit denigrue me aratisjen e Don Zef Oroshit, ndodhë qyshë në kallndorin e k.v. e interesin privat të ti, morem inisjativen me ba edhe nji tentativë të fundit, si antarë të këti klerit, për të kërkue mjetin e nji takimit me personin në fjalë me ia mbushë menden të dorzohet(…)Më dt.20/XI/1952 e ejte u takuem me Kryetarin e Kishës Katolike Imz.Bernardin Shllaku në Qelen Famullitare të Tiranës, dhe morem aprovimin e Tij. Simbas fjalës së dhanun të Kryetarit të Kishës, kemi nderin me kerkue zyrtarisht:

I.Aprovimin zyrtar e urgjent të kësaj inisjative.

II.Ndihmen dhe perkrahjen morale dhe materjale t’asaj Kryesi. Për sa i përket pikës së dytë prap marrim lirinë me kerkue; ma shprehimisht:

a)mjetet e komunikacionit;

b)porosinë, madje ngarkimin me detyrë të personave fetarë qi do të shenjohen per ket qellim.

c)pajisjen me urdhen-sherbimi të personave fetarë qi do të shenjohen per ket qellim.

Dom Mark Dushi

Famullitar e Dekan i Tiranës (AQSH, F.132/A, v. 1952, D.38. fl.1)

*Pjesë e kumteses të mbajtur në Konferencën Nderkombëtare që u zhvillua më 17 maj nga Autoriteti i Dosjeve.

Filed Under: Histori Tagged With: Leonora Laci- Dr. Zef Oroshi-Armik i Popullit

BASHKI E BAKSHISH

May 23, 2019 by dgreca


Nga Astrit Lulushi/

Bashki e bakshish, kur përmend njërën të kujtohet tjetra, nuk janë e njëjta gjë; e para përfaqëson bashkim të zonave nën një administrim; e dyta, korrupsion, vjedhje të hapur me detyrim ose me dashje të administratës ndaj qytetarëve dhe anasjelltas. Por në realitetin e sotëm bakshish-bashki, ngjasojnë, bashkohen, deri në sinonim, sa të bëjnë të mendosh se rrjedhin nga i njëjti burim.
Bakshish, është fjalë persishte, e huazuar në osmanishte dhe e përhapur në të gjitha gjuhet dhe kulturat e Ballkanit. Në gjuhën shqipe, arabe, boshnjake, bullgare, indiane, maqedonase, rumune, ruse, serbe dhe turke, bakshish do të thotë “me dhënë diçka kundrejt diçkaje tjetër përtej çmimit të kërkuar; në greqisht, bakshish mund të nënkuptojë edhe dhuratë; në gjermanisht dhe frëngjisht është një ryshfet i vogël.
Kur mitologu amerikan Joseph Campbell vizitoi për herë të parë Indinë në vitin 1954, ai u ndesh me një lypje të përhapur, që e quajti Kompleksi Bakshish.
Leo Deuel, shkrimtar, e përshkruan bakshishin si “shpërblim të madh dhe ryshfet, të kërkuar me zor por gjithsesi në mënyrë të pranueshme, në këmbim të një shërbimi.
Një ofertë për perënditë mund të konsiderohet bakshish. Gjithashtu, një person mund të kërkojë bakshish, por pa menduar se po lyp. Në Shqipëri, bakshishi shpesh kërkohet, por edhe ofrohet. Në vendet me korrupsion të përhapur, për shembull, një polic ose një punonjës migracioni ose doganier ose çdo lloj tjetër zyrtarit qeveritar mund ta shpëtojë qytetarin nga arrestimi i ligjshëm ose i paligjshëm, lëshimi i gjobës ose vendosja e një tatimi kundrejt një bakshishi, ryshfeti a pagese nëndorë. Arsyeja që dy fjalë kanë diçka të ngjashme është se ato ngjajnë; janë si dy vija paralele në dukje por nëse zgjaten, bashkohen.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi-Bashki-Bakshish

NJË MONUMENT KUJTESE

May 23, 2019 by dgreca

Ju lutem mësoni nga historia e vërtetë, jo nga historianët e politikës dhe e gënjeshtrës komuniste, mbroni të drejtat dhe liritë e juaja, mbroni fjalën e lirë, mbroni lirinë tuaj pa cënuar lirinë dhe të drejtat e të tjerëve. /

Fatbardha Mulleti Saraçi*/

Në inagurimin e Monumentit që i kushtohet persekutimit, sakrificave dhe qëndresës së popullit të Shkodrës gjatë diktaturës komuniste e realizuar nga skulptori Hashim Kruja.

Është një ansambël monumental për ata që provuan vrasjet, burgjet, internimet, dëbimet masive, vrasjet në kufi.

Një monument kujtese për ata që s’iu dorëzuan frikës, që mbrojtën fjalën e lirë, që u torturuan, u dënuan e u pushkatuan, shumë prej tyre provuan burgjet dhe kampet e punës së detyruar, që i trajtonin si skllevërit e prehistorisë.

Një monument kujtese për Shqipërinë që u mbush me burgje dhe kampe internimi dhe e gjithë Shqipëria u kthye në një burg te madh, në një izolim nga bota, në një varfëri të skajshme dhe me luftën e egër, që familjeve tona nuk iu ndal asnjëherë “Lufta e Kllasore” siç thoshte Uni i Shqipërisë Socialiste.

 E ndanë Shqipërinë në të mirë që ishin vetëm ata, ndërsa pjesa tjetër e popullatës, që u emërtua “e deklasuar” ishte reaksionare dhe nuk kishte të drejta të barabarta me të parët.

Një piedestal për Gruan Shkodrane dhe mbarëshqiptare që përballoi me nder e guxim luftën klasore, që pësoi nga diktatura komuniste, dmth që provoi racizimin komunist shqiptar. Që u shpronsua, iu grabit prona dhe e lanë në mjerim.

Ky piedestal përfaqëson dhe vuajtjen e femrës shkodrane (e mbarëshqiptare), nën diktaturë si bijë, si motër, si grua e në veçanti si nënë, që me trastat në shpinë e mbi supe, eci në borë, në shi e stuhi, duke pritur me orë në dyert e burgjeve dhe të kampeve të punës, të takonin etërit, vëllezërit, burrat dhe djemtë e tyre, përtej hekurave e telave me gjemba, ndërsa për dore kanë fëmijët që sapo kishin filluar të ecnin, tek gjoksi ka foshnjen që po i mëkon qumështin e nënës shqiptare, që edhe pse vuan, ajo triumfoi mbi të keqen, mbijetoi e fitoi pavdekësinë, në vazhdimësinë e jetë, brez pas brezi.

Një piedestal i takon fëmijëve, foshnjeve të kësaj shtrese që u dhunuan duke i internuar në kampe internimi, në veçanti familjet që provuan kampin çfarosës të Tepelenës, ku vdiqën me qindra fëmijë nga mungesa e ushqimit dhe e kushteve higjenike.

Si u dënuan fëmijët shqiptarë të kësaj shtrese, a thua se nuk ishin qytetarë të këtij vendi?!

Ky Monument Kujtese të bëhet pikë referimi për brezat e rinj dhe të reflektojnë, të kuptojnë se çdo të thotë të jetosh në diktaturë, që udhëhiqej nga ideologjia marksiste-leniniste-hoxhiste, që u bë totalitare dhe e futi popullin në përçarje, sepse duke i përçarë i sundoi per pësëdhjetë vjet.

Ju lutem mësoni nga historia e vërtetë, jo nga historianët e politikës dhe e gënjeshtrës komuniste, mbroni të drejtat dhe liritë e juaja, mbroni fjalën e lirë, mbroni lirinë tuaj pa cënuar lirinë dhe të drejtat e të tjerëve.

Mos harroni çfarë ka ndodhur në Shqipërinë socialiste!

Me nderime

Fatbardha

Shkodër, 20 Maj 2019

* E dergoi per Diellin Leonora Laçi

Filed Under: Featured Tagged With: Bardha Saraci-Monumenti i Kujteses-Shkoder

DR. NORBERT JOKL DHE LETRA E AT GJERGJ FISHTËS

May 23, 2019 by dgreca

NGA FRITZ RADOVANI-MELBOURNE-AUSTRALI/

MAJI  1942 … DR. NORBERT  JOKLI /

DR. NORBERT JOKLI- 25 SHKURT 1877 – MAJI 1942/

■DR. Norbert JoklI ishte Albanolog Austriak me prejardhje Hebre…

Ai ka shkrue per At Gjergj Fishten:

■ “… Lahuta e Malsisë e At Gjergj Fishtës, jo vetëm që ka rândësi në pikpamje artistike, por ajo, porsi vêna e mirë që sa mâ shumë vjet kalojnë aq mâ vlerë merr, tue qenë se ajo âsht pasqyra, magazina e kopja besnike e jetës, e shpirtit, e dëshirave e përpjekjeve, e luftës dhe e vdekjes së shqiptarve: me nji fjalë, Lahuta âsht shprehja mâ e kjarta e dokeve të fshatarve, banorë të Maleve të Veriut. E prejse doket e lashta të fiseve malore janë gjykue të zhduken nga tallazet e forta të civilizimit, lexuesi, letrari, folkloristi, juristi e historiani i nesërm kanë për t’ia dijtë për nder në dhetë a qindvjetët e ardhshëm Poetit, i cili në Lahutë të Malsisë na la nji ritrat (portret) të shqiptarit, të përshkruem nga goja e dëshmitarëve njikohsorë, ashtu si këta e gjetën në agimin e Shekullit të XX-të, me atë ndryshim të vogël që shqiptari pësoi ç’prej kohve të largëta të iliro – thrakëve.”

■”Shqipnia pat nji fat t’ madh e t’ jashtzakonshem, shka nuk e paten popujt e tjerë, veçse mbas qinda vjetësh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin përmbi t’gjith, atë, qi u pshtet në popull t’vetin e n’ gjuhen e tij e qi me vjersha t’veta ndezi flak zemrat n’popull, pat zhenin poetike t’At Gjergj Fishtes.

I rranjosur krejtësisht në popullin e vet, At Fishta ka dashtë të përgjonte si flasin burrat e gratë e maleve. Ka marrë prej tyre mënyrat e namëve, të mallkimeve e të urimeve dhe çdo gja e ka shkrij me mjeshtri në poezitë e veta”.

■”Koha e ardhshme ka me dijtë me çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e tij të jenë përkthye ndër gjuhe ma të përhapuna.”

***

Leter e At Gjergj Fishtës OFM:

Shkelqesisë së Tij, Françesko Jakomoni  Luogotenente

■Shkodër, 23 shtator 1939

Shkelqësi,

Mendoj se ma i miri gjuhëtar i gjuhës shqipe në Evropë, asht profesor Norbert Jokli,

me kombësi çifute qi, para Anshlusit, ishte bibliotekar i Universitetit të Vjenës e Profesor gjuhësie në të njajtin universitet.

Tashti, më shkruejnë nga Vjena, se autoritetet lokale i kanë thanë këtij albanologu të shquem të largohet, mbrenda 30 ditësh, prej territorit të Raihut.

Ai, tashma, asht i ndrymë, beqar, me një fat mjaft modest. Atij, natyrisht, i duhet të rropatet me gjetë ndonjë vend, kudo të jetë, sa me jetue. Duket se don me shkue në Amerikë.

Shkelqësi, pa dyshim, do të ishte një fatkeqësi e madhe për gjuhën kombtare shqipe,

në qoftëse ky shkencëtar, me famë europiane, që unë e njoh e që, me autoritetin e tij

të padiskutueshëm, ka mbajtë gjatë interesin e filologëve ma të përmendun për gjuhën shqipe, të jetë i shtrënguem me braktisë Europën.

Kombi shqiptar, i tani, do t’Ju dijë për nder shumë, nëse Shkëlqësia e Juej të mund të gjejë mundësinë t’a bajë me ardhë në Shqipni, tue i caktue aty nji vend, edhe pse jo aq fitimprues, megjithatë të përshtatshëm për famën e tij si shkencëtar e gjuhtar i shquem.

Jam i sigurtë se do t’a merrni në konsideratë dashamirëse këtë propozim timin, që unë e paraqes në emen të të gjithë intelektualve shqiptarë.

Përfitoj nga rasti, për t’Ju lutë të pranoni ndjenjat e respektit ma të madh dhe, me mirënjohje të thellë.

I Shkëlqesisë Suej

i devoçëm e mirënjohës

P. Gjergj Fishta OFM.

***

■Shenim nga F.Radovani: Letra e At Gj. Fishtës per F.Jakomoni botue nga z.Kolec Çefa,

asht një letër e panjohun dhe e pabotueme e At Fishtës, drejtue Françesko Jakomonit, më 23 shtator 1939, shkrue në emen të të gjithë intelektualëve shqiptarë, me të cilën, mbasi shpreh vlerësimin ma të naltë për Dr. Joklin, shfaqë dëshirën që të gjindet mundësia me ardhë Jokli në Shqipni, në ndonjë nëpunësi, të përshtatshme me famën e tij si shkencëtar e gjuhëtar i shquem.

Ja pra, Ky ishte At Gjergj Fishta i Besës, Bujarisë e Burrnisë së “Lahutës së Malcisë”..!

            Melbourne, 23 Maji 2019.

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Norbert Jokl-At Gjergj Fishta

NUK MERR FUND BOTA SE BIE NJË QEVERI…

May 22, 2019 by dgreca

                                              Nga Frank Shkreli/

…madje edhe kur është fjala për një qeveri shqiptare, nuk bëhet nami.  Raste të tilla ka pothuaj çdo vit anë e mbanë botës dhe gjatë gjithës historisë së pas Luftës së Dytë Botërore janë shënuar shumë raste të tilla. E sidomos kur meriton të bie, për arsye korrupsioni e keq-qeverisjes.

Rasti i fundit, si të thuash në mahallë të trojeve shqiptare, ndodhi në Austri, kur fund javën që kaloi, Kancelari Sebastian Kurz shpërbëri koalicionin qeverisës ndërsa bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme, pas dorëheqjes së zëvendësit të tij, Heinz-Christian Strache, udhëheqës i Partisë së Lirisë, një forcë politike që përfaqëson ekstremin e djathtë në atë vend.  Kjo ndodhi, pasi Zëvendës Kancelari i Austrisë, Heinz-Christian Strache dha dorëheqjen të shtunën, ndërkohë që dy gazeta të njohura gjermane, “Der Spiegel” dhe “Sueddeutsche Zeitung”, publikuan pamje filmike ku zyrtari i lartë austriak shfaqej duke i ofruar kontrata shtetërore një investoreje të dyshuar ruse, gjatë një takimi në Spanjë.  Sipas lajmeve, Zëvëndës Kancelari Strache shfaqej në videon e publikuar duke diskutuar mundësitë e dhënies së kontratave shtetërore në këmbim të favoreve.

Si përfundim, Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz shpërbëri koalicionin qeverisës dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohëshme pasi zëvendësi i tij, Heinz-Christian Strache, udhëheqës i Partisë së Lirisë, një forcë politike që përfaqëson ekstremin e djathtë, dha dorëheqjen nga detyra e tij. Pas shpërbërjes së qeverisë, Kancelari Sebastian Kurz, bëri thirrje për zgjedhje të reja të parakohëshme, duke i dhënë kështu fund qeverisë së koalicionit.  Ndërkohë, Presidenti i Austrisë, Alexander van der Bellen tha të dielën që kaloi se propozon një fillim të ri për vendin e tij, duke sugjeruar që zgjedhjet e reja parlamentare të mbahen “sa më shpejt”, në fillim të shtatorit, me qëllim që sipas fjalëve të tija të, “rivendoset besimi i popullit tek qeveria”, ka thënë Presidenti austriak.

Një rast tjetër në mahallë të Shqipërisë është edhe rasti i Italisë ku për arsye të ndryshme, përfshir korrupsionin dhe skandalet ekonomike dhe politike gjatë viteve, qeveritë italiane kanë renë, bien dhe janë shpërndarë shpesh para skadimit të afatit qeverisës.  Në të vërtetë, Italia është e njohur për ndryshim qeverishë si pasojë e krizave të ndryshme politike.  Gjatë pothuaj 70-viteve të fundit, pas rënjes së fashizmit, Italia ka pasur, mesatarisht, një qeveri të re në vit, duke zgjatur në pushtet pak më shumë se një vit.

Megjithëkëtë, ndonëse nuk ësht e rekomandueshme një ndryshim i tillë i shpesht i qeverive, Italia vazhdon si shtet pa trazira të mëdha politike, ashtu siç po vazhdon edhe Austria në këtë ndërkohë.  Nuk bëhet nami pra nëse bie një qeveri e sidomos kur ka arsye, që për shkaqe korruptive dhe keq-qeverisje, të ketë ndryshime në drejtimin e vendit, madje edhe të bier qeveria duke përfunduar në zgjedhje të reja, për cilindo vend qoftë fjala.  Edhe në Shqipëri, si pasojë e trazirave dhe krizës politike që ka pllakosur atë vend, po bëhen thirrje për shpërbërjen e qeverisë dhe të për mbajtjen e zgjedhjeve të lira – si një mënyrë demokratike për të dalur nga ky ngërç politik që po e çon vendin në prak të katastrofës.  Nuk bëhet nami në Shqipëri as nuk merr fund bota nëqoftse- në mungesë të një dialogu të mirëfilltë midis palëve për zgjidhjen e çështjeve me të cilat përballet vendi – të shpërbëhet qeveria, të formohet një qeveri teknike dhe të shpallen zgjedhje të reja.  Mos kini frikë nga sovrani! Bëni më të mirën për vendin dhe Kombin!

Nuk është gjë e re të thuhet se në Shqipëri mbizotëron korrupsioni në të gjitha nivelet e pushtetit dhe të qeverisë.  Këtë e kanë thënë vendasit dhe e thonë edhe ndërkombëtarët. Nuk besoj se ka nevojë për publikimin e ndonjë videoje, ashtu siç ndodhi në Austri kohët e fundit, për të provuar përhapjen e korrupsionit në Shqipëri. 

Në lidhje me skandalin e fundit në Austri, organizata Transparency International (TI) që merret me luftën kundër korrupsionit anë e mbanë botës, u shpreh se një rast i tillë si siç është dorëheqja e Zevëndës Kancelarit austriak Heinz Christian Strahe, pasqyron faktin se sa e lehtë është që të ndodhë abuzimi i pushtetit dhe manipulimi i arenës politike, madje edhe në vende si Asutria, që konsiderohen si shtete që kanë një nivel të ultë korrpusioni.  Transparency International rekomandon, ndër të tjera, një transparencë të vërtetë, sidomos kur është fjala për kontratat e Partneritetit Publik Privat (PPP).  (Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Shqipëria ka nivelin më të lartë të PPPS-s, në Ballkan).  TI bën gjithashtu thirrje për ligje më të forta për financimin e partive politike si dhe për marrjen e masave të bashkrenduara më mirë dhe kundër pastrimit të parave, në nivel ndërkombëtar.  

“Videoja Strache është një shembull se politikanët e korruptuar i konsiderojnë kontratat publike si një mjet për të siguruar favore politike” për miqtë e tyre dhe për veten, është shprehur Drejtoresha e Transparency International, Patricia Moreira. Ajo ka shtuar se, “Anë e mbanë botës, kontratat publike dhe projektet e infrastrukturës janë ndër më të dalluarat që bien pre e korrupsionit.”  Në deklaratën e saj, ajo thekësoi gjithashtu edhe rëndësinë që ka shtypi i lirë në luftën kundër korrupsionit. “Në një vend ku gazetarët nuk mbajnë përgjegjës politikanët për punët dhe veprimet tyre, në atë vend lulëzon korrupsioni”, ka thenë zyrtarja e Transparency International, në një deklaratë me rastin e publikimit të videos që çoi në dorëheqjen e qeverisë austriake të kaolicionit.

Më në fund, orgnaizata që lufton korrupsionin anë e mbanë botës, Transparancy International thekson se videoja Strache nuk duhet të shikohet si një incident i izoluar që përfshin vetëm politikanët, parti ose disa vende, por të shikohet si një problem sistemik korrupsioni që prekë shumë vende, anë e mbanë botës.

Por në shumë raste të botës, e sidomos në vendet që e konsiderojnë veten demokratike, kur përballen me raste të tilla korruptive të përmasave të mëdha në nivelet qeveritare – në interesin kombëtar — ato marrin masat e nevojshme për tu përballur me situata të tilla në mënyrë demokratike – përfshir edhe dorëheqjen e qeverisë, ashtu siç bëri qeveria e Kancelarit austriak, Sebastian Kurz. 

Asgjë në këtë botë nuk është e përhershme, asgjë dhe askush në këtë botë, përfshir edhe një kancelar, një kryeministër ose një qeveri, nuk janë të pazevëndësueshëm dhe as të përgjithëmonshëm.  Por, interesat kombëtare duhet të jenë gjithmonë të pazevëndsueshme dhe të përgjithëmonshëme dhe mbi interesat politike, partiake dhe financiare, qoftë për një zevëndës Kancelar ose një një kryeministër, i cilitdo vend qoftë.  Dorëheqja e një qeverie, në interes të Kombit – përball krizave të pazgjidhëshme politike — është masa më e ndershme, më demokratike dhe më patriotike që mund të marrë një udhëheqës që e do popullin dhe vendin e vet.  Nuk merr fund bota se bie një qeveri…Pyetja me rëndësi është se çfarë vjen pas një dorëheqje të tillë të mundëshme, ashtuqë qeveria e re të mos jetë një riciklim i të vjetrës.

Jam i vetdijshëm se Shqipëria nuk është as Austria e as Italia, por nga ana tjetër, kur marrim parasysh zhvillimet aktuale dhe gjendjen e krijuar atje, e cila me të vërtetë kur e vëren mdje edhe nga larg, një valë e pamëshirshme ndjenjash të kapllon shpirtin dhe mendjen.  Kur njeriu sheh se në mbarë botën gjërat ndryshojnë sidomos përball krizash, veç në Shqipërinë tonë, jo.  Edhe kur ndryshon atje ngjyra e qeverive, fatkeqsisht, duket se mjerimet mbeten të njëjta për atë vend dhe për atë popull.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shkreli-Renia e nej qeverie

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT