• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2019

Lamtumirë Dëshmores së Kombit!

May 10, 2019 by dgreca

I jepet lamtumira nëntetares Zarife Hasanaj e cila humbi jetën më 6 maj nga një shpërthim me minë në Letoni, ku ndodhej në kuadër të misionit të NATO-s. U prehsh ne paqe heroina jonë, u prehsh në paqe në Altarin e Dëshmorëve të Atdheut, nga ku frymëzohemi të mbajmë të shenjtë amanetin e të rënëve, Shqipërinë e lirë, shtëpinë tonë të përbashkët.

Pas apelit të fundit dhe një minute heshtje, familjarë, të afërm e miq, por edhe personalitete të larta shtetërore i dhanë lamtumirën e fundit nëntetares që vdiq në krye të detyrës

Nëntetarja Zarife Hasanaj, Dëshmore e Atdheut u përcoll sot me nderime për në banesën e fundit në Varrezat e Dëshmorëve.

Arkivoli që mban trupin e Dëshmores së Atdheut iu drejtua rreth orës 13:50 monumentit “Nënë Shqipëri”. Ndërsa flamuri kuq e zi që e mbulonte iu dorëzua të atit, i cili nuk ka mundur t’i mbajë dot lotët.

Arkivoli që mban trupin e Dëshmores së Atdheut iu drejtua rreth orës 13:50 monumentit “Nënë Shqipëri”. Ndërsa flamuri kuq e zi që e mbulonte iu dorëzua të atit, i cili nuk ka mundur t’i mbajë dot lotët.(Fotot:Kortezi: LSA)

Filed Under: Featured Tagged With: Zarife Hasanaj-Lamtumira

Vasfije Krasniqi Goodman mori çmimin Kim Bok-dong për Paqe për vitin 2019

May 10, 2019 by dgreca

Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, u përzgjodh për të marrë çmimin Kim Bok-dong për Paqe për vitin 2019.

Ky çmim ndahet nga Këshilli Korean për Drejtësi dhe Përkujtim të Çështjeve të Skllavërisë Seksuale Ushtarake nga Japonia, dhe nderon individët apo organizatat që punojnë për të zgjidhur çështjen e dhunës seksuale gjatë luftës dhe për të siguruar të drejtat e grave në konfliktet e armatosura anembanë botës.

“Vasfije Krasniqi Goodman është e angazhuar në ndërgjegjësimin e njerëzve lidhur me përdhunimet gjatë luftës ndërsa është edhe personi i parë që ka ndarë publikisht historinë dhe traumën e saj të dhunës seksuale, që kishte përjetuar gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Këshilli Korean për Drejtësi dhe Përkujtim të Çështjeve të Skllavërisë Seksuale Ushtarake.

QKRMT-KRCT @QKRMT

VASFIJE KRASNIQI – GOODMAN: FITUESE E ÇMIMIT KIM BOK-DONG PËR PAQE 2019@VasfijeKrasniqi aktiviste e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, e cila avokon për të mbijetuarit e dhunës seksuale në nivel global, është fituese e Cmimit Kim Bok-dong për Paqe.

Zonja Krasniqi – Goodman u përdhunua nga forcat serbe kur ishte 16 vjeçe. Që atëherë, thuhet në njoftim, ajo ka vazhduar angazhimin për vënien para drejtësisë të kryesve të kësaj vepre, ndërsa ka marrë pjesë në ngjarje të ndryshme duke përfshirë fjalimet publike, si në fushatën “Bëhu zëri im” përmes së cilës synohet ngritja e vetëdijesimit për këtë çështje.

Përveç që ka përfaqësuar zërin e të mbijetuarve të dhunës seksuale, nga koha e luftës në Kosovë nëpër shumë konferenca e simpoziume ndërkombëtare, ajo ka dhënë dëshmitë e saj edhe para Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara dhe së fundmi para Kongresit Amerikan.

Ende nuk dihet numri i saktë, por besohet se mijëra ishin viktima të përdhunimeve nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Thuhet se numri i tyre mund të jetë rreth 20 mijë, por numri i saktë mbase nuk do të mësohet kurrë dhe rrëfimet rreth tyre deri vonë ishin shumë të pakta për shkak të frikës nga stigmatizimi.(kortezi-Zeri i Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: Vasfije Krasniqi Goodman -Kim Bok-dong

Protesta e opozitës, SHBA: Refuzoni dhunën

May 10, 2019 by dgreca

Në Shqipëri ambasada e Shteteve të Bashkuara i bëri sot thirrje mbështetësve të opozitës që në protestën e thirrur nesër prej saj në Tiranë, “të refuzojnë dhunën për të siguruar një protestë paqësore dhe konstruktive”

Protesta e nesërme e opozitës është e 12-ta që prej muajit shkurt kur ajo u largua nga parlamenti duke hequr dorë nga mandatet e deputetëve të saj. Shpesh në protestat e organizuara në Tiranë janë rregjistruar përplasje të dhunshme me policinë e cila ka përdorur dhe gazin lotsjellës për të shpërndarë manifestuesit.

Në deklaratën e saj ambasada amerikane thekson se “përgjatë muajve të fundit, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve kanë ushtruar të drejtën e tyre për të protestuar paqësisht. Megjithatë, në çastin kur një protestë paqësore njolloset nga një akt dhune, qoftë edhe nga një individ, qëllimi demokratik i protestës kompromentohet. Është e paligjshme dhe jo demokratike të kryesh akte dhune, përfshirë edhe shkatërrimin e pronës”, nënvizon deklarata.

Opozita kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare që të përgatisë zgjedhje të parakohshme, ndërsa ka parlajmëruar se nuk do të lejojë organizimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Nga ana e saj shumica ka përsëritur se nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve vendore dhe se ato do mbahen në datën e caktuar.(VOA)

Filed Under: Komente Tagged With: Ambasada Amerikane- Tirane-Protesta e Opozites

Olsi Beçi, fotografi i suksesshëm që u bë kineast…

May 10, 2019 by dgreca

Olsi Beçi-Foto nga Pirro Beati/

Nga Dr. Ermira Babamusta /

Olsi Beçi është një nga personazhet e famshme të televizionit shqiptar, fama e të cilit ka shkuar përtej kufijve të Shqipërisë. Olsi ia ka dalë të fitojë një emër në Shqipëri si fotograf dhe kineast i talentuar. Para se të bëhej i njohur për publikun shqiptar në shkallë kombëtare nëpërmjet emisioneve të suksesshme të TV Klanit si “E Diela Shqiptare” dhe “Kënga Magjike”, Olsi Beçi e filloi karrierën e tij në Itali si fotograf para 10 vitesh. Pas rikthimit në Shqipëri, cilësohet si një nga fotografët më të mirë dhe avancon karrierën e tij në art dhe film duke bërë filma dokumentarë. Pas pjesmarrjes dhe suksesit të tij në programin televiziv “E Diela Shqiptare” bashkë me gruan Ariola, bëhen dy personazhe shumë të njohur dhe të dashur për publikun shqiptar.

Një nga filmat e tij që bëri bujë në skenat botërore dhe festivalet ndërkombëtare është filmi “The Other Face” me regjisore Arsa Gashi. Filmi mori çmimin e skenarit të kinemasë botërore “World Cinema Screenwriting Award” në Festivalin e Filmit të Amsterdamit.

Një tjetër film dokumentar po aq i suksesshëm i tij është “Childhood held hostage” (Fëmijëria e Mbajtur Peng) që u nominua për çmimet Kult dhe Doku Fest. Ndërsa në 2019 u vlerësua me çmimin “Ekselencë në film” dhe “Video më e Mirë” për Eko Movie 2019, për mbrojtjen e kauzës “Lumenjtë e pastër”. Pasi korri sukses me çmimet e para në festivalet kombëtare shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, Olsi Beçi debutoi me projekte ndërkombëtare në skenën botërore. Ia vlen për t’u përmendur video-projekti për Lonely Planet, një bashkëpunim me Leon Cika, për turizmin e huaj në rivierën shqiptare si dhe projekti kulturor për mbrojtjen e monumenteve të lashta bizantine në Shqipëri. Si dhe bashkëpunimet me UNICEF, Google, dhe NATO e bënë akoma edhe më të njohur.

“Me Leonin kemi shumë vite që bashkëpunojmë në disa projekte mjaft të rëndësishme si për artin, kulturën dhe filmin shqiptar. Kemi marrë pjesë si juri në shumë aktivitete si edhe kemi konkuruar me punën tone artistike në disa galeri. Në veçanti projekti për Lonely Planet që kemi bërë së bashku ka qenë me shumë rëndësi për Shqipërinë sepse e caktoi vendin tonë si një ndër 10 destinacionet botërore për t’u vizituar. Kjo ka ndihmuar në zhvillimin e sektorit të turizmit në Shqipëri duke i dhënë një imazh cilësor vendit para botës. Dhe me të vërtetë Shqipëria është një qendër kulturore turistike me një pasuri të madhe kulturore dhe historike. Ndjehem krenar që me projeket e mia si për Google dhe NATO kam përfaqësuar Shqipërinë në arenën botërore,” tha Olsi Beçi.

Sot Olsi Beçi respektohet dhe adhurohet në Shqipëri por edhe në botë për fotografitë e tij mahnitëse dhe stilin e dokumentarit dhe videove të stilit film. Mënyra se si Olsi Beçi i tregon historitë përmes filmave dokumentarë është shumë unike. Ai din se si ta mbaj audiencën të mbërthyer në ekran në emocionet e personazheve, duke shpalosur teknikën dhe stilin e tij prapa kamerës. Olsi është një fotograf i preferuar për Vipat dhe celebritetet e njohura shqiptare si dhe është një filmbërës mjaft i talentuar. Është nominuar Videografi më i Mirë (Best Cinematographer nga VIP Magazine dhe Artisti i Vitit 2019 nga NY Elite Magazine. Po ashtu ka fituar çmimin Ekselencë në Kinemane dhe Televizionin Shqiptar (Excellence in Albanian Cinema and Television) nga Albanian Excellence, Arritje në Art nga Nato (Award for Art Achievement) si dhe arritje të shkëlqyer artistike dhe ekslenencë në art (Outstanding Artistic Achievement and Excellence in Arts) me rastin e ditës botërore të OKB-së të kreativitetit dhe inovimit.

“Për vitin 2019 jam i angazhuar me disa projekte të rëndësishme në Europë dhe Amerikë. Jam i lumtur të jep pjesë e jurisë Miss Universe Albania; fotograf dhe juri te Ekspozita ndërkombëtare e Gruas të Suksesit Shqiptar që do organizohet nga nga Albanian Excellence në qershor 2019. Si dhe do jem pjesë e ekipit prestigjioz si fotograf zyrtar i festivalit International Filmmaker Festival of New York në maj 17-21, 2019. Po ashtu do jem pjesë sërish e projektit NATO Run kësaj rradhe në Budapest në tetor 2019 si fotograf/videograf dhe producent. Shpresoj që nëpërmjet artit tim të përcjell te publiku emocione të fuqishme, kënaqësi dhe mesazh inspirimi,” shtoi Olsi Beçi. 

Filed Under: Kulture Tagged With: Olsi Beçi-Dr. Ermira Babamusta

CHARLS TELFORD ERICKSONI DHE SHKOLLAT E TIJ NË KAVAJË

May 10, 2019 by dgreca


Charles Telford Erickson (1867 – 1966) /

Nga Adil FETAHU/

Kush ishte  Ericksoni

Charles Telford Erickson (1867 – 1966)  ishte  një  misionar i kongregacionit (protestan) i cili shërbeu në disa vende, e më së shumti dhe me përkushtimin më të madh shërbeu në Shqipëri (prej vitit 1908 – 1927), por aktivitetin dhe angazhimin për çështjen shqiptare nuk e ndërpreu deri në vdekje. Ai erdhi me familje në Shqipëri, në vitin 1908, jetoi në kushte të vështira,  me vuajtje, skamje, rreziqe e sakrifica si shumica e  shqiptarëve të asaj kohe. Ai i njohu më së miri nevojat e shqiptarëve: për arsim, ekonomi, zhvillim, shëndetësi, afirmim ndërkombëtar dhe punoi me zell  e përkushtim për ta ndryshuar gjendjen për të mirë. Edhepse kishte ardhur si misionar për çështje fetare, kur e pa se populli dhe vendi ka më shumë nevojë të ndihmohet në fusha tjera se sa në lëmin e fesë, në një konferencë të zhvilluar  në Bordin e Misionit, në Boston, e kishte thënë me gojë e me shkrim  se: “Gjëja e fundit për të cilën ka nevoja Shqipëria e vitit 1908 ishte – evangjelizmi”. Në këtë kontekst, edhe punoi për hapjen e shkollave për të arsimuar të rinjët (djemë e vajza), hapi ferma dhe institut bujqësor për të dhënë shembull se si përparohet bujqësia. Janë të njohura Shkolla Bujqësore Shqiptaro-Amerikane e Kavajës dhe Shkolla e Vajzave në Kavajë dhe në Tiranë, të cilat u happen (1925) falë angazhimit të Ericksonit dhe punuan deri në kohën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Ericksoni ishte drejtori i parë i Shkollës Bujqësore Shqiptaro-Amerikane, i zgjedhur nga Trusti (Bordi i të Besuarëve) në Boston (më 26 qershor 1924). Shkolla Bujqësore arriti te kishte 300 ha tokë, kishte fermë model, lopë, dele e shpezë të racave të ndryshme, hardhi rrushi, kopshte perimesh. Kishte traktor e mjete tjera pune bashkëkohore, kundrejt parmendes  që përdorej në bujqësinë shqiptare.  Atë që mësonin në teori, nxënësit e zbatonin në praktikë, duke dhënë shembull se si punohet me masa agroteknike dhe çfarë rendimentesh nxirrën me to. Ndërkaq, në Shkollën e Vajzave mësohej për mjeshtri të ndryshme: punëdore, tekstil, ekonomi shtëpiake, arte shtëpiake,  kopshtari, higjenë, shëndetësi,  e lëndë tjera, në teori dhe praktikë, për të ngritur nivelin e aftësisë dhe kulturës së femrave në shtëpitë shqiptare, me moton  që Ahmet Zogu ia kishe thënë Ericksonit, se ”Nuk ka komb që ngritet më lart se sa graria e vet”, kur i kishte propozuar që së pari të hapej Shkolla e Vajzave.

Ericksoni gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, u angazhua aktivisht në shumë fusha. Ishte anëtar nderi  i Delegacionit Shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1919-1921), bashkë me Mehmet Konicën dhe Mihal Turtullin. Ishte përfaqësues i posaçëm (komisioner) i Shqipërisë në ShBA, derisa midis dy shteteve nuk ishin krijuar marrëdhënie diplomatike (28 korrik 1922), pastaj ishte diplomat i ShBA-ve ne Shqipëri.  Gjatë kohës sa mbahej Konferenca e Paqes në Paris,  Ericksoni i kishte propozuar pesidentit Wilson që Amerika ta merr protektoratin  mbi Shqipërinë,  për ta mbrojtur nga apetitet e shteteve fqinje, deri sa të mëkëmbet,  konsolidohet, zhvillohet e forcohet  si një demokraci e mirëfilltë. Në vitin 1945 ishte përfaqësues  i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, në Konferencën e Kombeve të Bashkuara,  në San Frncisko. Angazhimin e tij për çështjen shqiptare nuk e pushoi kurrë,  në forma, mënyra dhe me mjete të ndryshme, duke shkruar e dërguar letra e memorandume Departamentit të Shtetit, presidentëve, diplomatëve, shtypit, radios etj,

Me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri, në Shkollën e Vajzave të Kavajës u kishte mbajtur një fjalim, si tribuni më i përkushtuar i traditave dhe çështjes shqiptare.   Fjalimin e tij e ka lënë në dorëshkrim, dhe për ta parë lexuesit se me çfarë patosi  shprehej  për historinë dhe traditën shqiptare, këtu po e botojmë në tërësi atë fjalim (nxjerrë nga libri biografik i Mal Berishës: “Jeta e jashtëzakonshme e amerikanit Charles Telford Erickson, kushtuar Shqipërisë”, libër ky që ia vlenë të lexohet nga të gjithë shqiptarët). Ja përmbajtja e plotë e fjalimit  autentik të lënë në dorëshkrim, të titulluar “Shtëpia shqiptare”:

“Të dashura vajzat e mia të Shkollës së Kavajës,

Si gjashtë vjet më parë në këtë vjeshtë, kur u ktheva nga Amerika me kontigjentin e parë të punonjësve për shkollën e djemve, e takova Lartmadhërinë e tij Mbretin Zog I, i cili në atë kohë ishte President i Republikës së Shqipërisë. Pasi shkëmbyem komplimentet e zakonshme, ai më habiti me këtë pyetje:

  • Cilën shkollë do të fillojmë të parën?

Kështu, pasi Mbreti më bëri këtë propozim, pas një tavoline prej druri pishe, rreth së cilës ishim ulur në verandën e shtëpisë së tij modeste në Durrës, tek e vështronim detin, unë ia shtriva dorën dhe i dhash BESËN se do ta bëja shkollën e vajzave të parën, edhepse kisha sjellë gjithçka për shkollën e djemve. Kjo është arsyeja përse shkolla ekziston edhe sot. Ju duhet të falënderoni Mbretin tuaj për këtë, sikundër edhe për shumë gjëra të tjera të mira që gëzoni sot në Shqipëri.

Çdo shkollë, me synim që të përmbushë qëllimin e vet duhet të ketë një ideal përcaktues që i prin, pa marrë parasysh a është ky mësim, detyrë e shtëpisë, pushimi juaj aktiv, jeta juaj shoqërore… Të tëra këto duhet të mbështeten prej një ideali të njëjtë që fisnikëron dhe i jep dinjitet çdo gjëje që bëni. Për këtë shkollë unë kam pasur gjithmonjë një ideal të vetëm, dhe ai është që ju të bëheni mbajtëset më të mira të shtëpive të kombit.

Shtëpia në Shqipëri përfaqëson bazën shpirtërore të kombit. Brenda saj kultivohen virtytet më fisnike të kombit. BESA, e cila e ka bërë shqiptarin një burrë që t’i besohet që nga ditët kur  shërbente në Gardën Pretoriane të Perandorëve të Romës, deri në ditët e sotme, është një virtyt i edukuar brenda shtëpisë shqiptare. Virtytet e grarisë shqiptare, të cilat e kanë mbajtur të pastër dhe të panjollosur shatërvanin e jetës së kombit nëpër shumë shekuj, edhe pse kombi ishe varrosur prej racave dhe perandrive të hueja, është një virtyt i shtëpisë shqiptare. Ai është një prej virtyteve më fisnike që mund të gjenden në ndonjë pjesë të botës. Shpirti i mrekullueshëm i mikpritjes, i afruar me të njëjtën bujari si për të huajin që troket në derë, edhe për njeriun e afërt të gjakut, është një virtyt që haset rrallë në botën moderne që rend me shpejtësi dhe prandaj duhet ruajtur dhe kultivuar brez pas brezi. Nderimi dhe respekti i të rinjëve për të moshuarit, fëmijëve për prindërit dhe gjyshërit e gjyshet, vendi i nderit i të vjetrit në familje, janë lule të mrekullueshme në kopshtin e bukur të shtëpisë së shqiptarit, e cila nuk duhet të lejohet të vyshket kurrë ose të çrrënjoset prej zakoneve moderne, të cilat po i ndihmojnë kaq shumë prishjes së shtëpisë.

Kështu, të dashura vajza, po flas me ju sot siç flet babai me fëmijët e vet. Andaj ju kërkoj që të mbani parasysh përherë këto parime, shtëpinë shqiptare, e cila ka ardhur tek ju prej qindra brezash, njëri pas tjetrit. Kaq e rëndësishme është kjo për mua, sa që, nëse më del se me ato që mësoni në shkollë dobësohet kjo shkallë vlerash sadopak, do të më bënte të mendoja nëse kam bërë mirë apo keq që e hapa shkollën. Unë më mirë do ta mbyllja shkollën dhe të mos e hapja kurrë më. Unë dua që ju të mësoni këtu vetëm se si t’i bëni këto virtyte edhe më të mira në jetën e kombit. Unë dua që ju të mësoni se si ta bëni shtëpinë tuaj jo vetëm një vend mikpritjeje, por  një shtëpi të rehatshme, të shëndetshme për ju dhe fëmijët tuaj të bukur, të pastër dhe të hijshëm. Unë dua që ju të mësoni se si t’i  siguroni fëmijët që do të lindni të jetojnë dhe të shmangni numrin tmerrësisht të lartë të vdekjes foshnjore, që po e tronditin memëdheun nga zhdukja e fryteve të sapolindura, aq të bukura.  Dua që ju të mësoni se si ta bëni jetën vetë një gjë të këndshme, të mbushur me gaz e hare, me këngë e gëzime, një bukuri brenda mendimeve dhe ndjenjave tuaja. Dua që mjedisin e jetës suaj ta bëni sa më të këndshëm. Unë shpresoj se shpejt do të vijë dita për Shqipërinë kur frika e hershme tmerruese, mizoritë dhe shtypja e përjetuar në shekuj do të fshihet nga faqja e dheut, nga vet kujtesa dhe nga emri i kombit dhe secili do të marrë përsipër deri në fund përgjegjësitë e tij e të saj dhe të punojë për ngritjen e standardit të jetës për këtë komb të nderuar.

Unë jam i lumtur që po bëhen rregullime për të filluar një klasë përgatitore, kështu që vajzat e klasës së pestë mund të vijnë dhe të mësojnë gjuhën angleze, në mënyrë që të mos humbim kohë kur të vijë koha për klasat e tjera.

Mua më është ndaluar prej drejtoreshës së shkollës, zonjushës Cam, të bëj lëvdata për atë dhe stafin e saj. Ajo mendon se e vetmja lëvdatë e vlefshme është ajo që shpreh në vetvete punën e bërë për rregullimin e jetës së vajzave. Kështu, duke (mos) iu bërë lëvdata mësuesve dhe drejtoreshës, po ju kursej që të shihni në fytyrat e këtyre vajzave të lumtura, të shëndosha, të bukura dhe t’i lëmë ato vetë ta tregojnë këtë histori të drejtimit të mençur të shkollës. Ju vajza do të vlerësoni pas disa vitesh, shumë më shumë sesa tani, se çfarë nderi dhe privilegji keni patur t’ ishit nën kujdesin e zonjushës Cam, zonjushës Miss Evans, Miss Smith dhe të tëra ato me të cilat keni mësuar së bashku në tërë këto vite.

Edhe një fjalë dhe do ta mbyll. Ekziston përshtypja nga jasht se Amerika banohet pothuajse e tëra prej milionerëve. Në të vërtetë ka më shumë njerëz në  Kavajë sesa milionerë në Amerikën e 123 milionë njerëzve. Fondet që e kanë mbështetur këtë shkollë nuk kanë ardhur nga njerëzit e pasur, as prej milionerëve, por prej njerëzve të thjeshtë, të cilët, në pjesën më të madhe, si dhe njerëzit tuaj, e fitojnë bukën e gojës me shumë sakrifica. Edhe ajo çfarë japin, e japin me sakrifica të mëdha. Unë mund t’ju tregoj shumë raste heroike të sakrificave të tilla. Për shembull, atë të një gruaje që po vdiste nga turbekulozi në një spital. Ajo pasi pa se nuk i duheshin paratë për vete, m’i dërgoi mua kursimet e saj të pakta..Poashtu, një zonjë e vjetër, e cila kishte kursyer tre vjet për të blerë një kapelë, kur dëgjoi për nevojat tona, m’i dërgoi mua në vend se ta blente atë. Asaj iu duk më e vlefshme kjo ndihmë sesa kapela; apo të vajzave të një shkolle, të cilat vendosën të mbledhin para për një konvikt veror këtu tek ju, i cili me shpresë do të ndërtohet vitin që vjen. Ato, në vend se të hanin pulë dhe akullore të dielave si përpara, pranuan t’ ziejnë lakra dhe paratë e kursyera i dhanë për fondin e konviktit.

Kështu, mbani mend të dashura vajza se ju jeni të lidhura së bashku në këtë jetë jo vetëm nëpërmjet familjes, fqinjëve, mësuesve dhe shoqeve të klasës në shkollë, por edhe me një shoqëri të mrekullueshme e të shkëlqyer njerëzish në Amerikë, të cilët janë disa mijëra, që mendojnë për ju, luten për ju, ju duan ju dhe sakrifikojnë për ju gjërat e domsodoshme të jetës, vetëm e vetëm që ju të keni mundësi për t’u rritur drejtë një grarie të bukur dhe të vlefshme, të bëheni drejtuese të gjinisë suaj të kombit dhe,mbi të githa, të ndërtoni shtëpi të bukura.                                                                             

Ericksoni i juaj”

* * *

Ericksoni bashkë me gruan dhe katër fëmijët e tyre kishin ardhur në Korçë në vitin 1908,  në kohën kur  nga Korça kishin ikur për në Amerikë mijëra korçarë.  Sa punoi e jetoi në Shqipëri, Ericksoni i njohu për së afërmi dhe i përjetoi të githa vuajtjet, skamjen, rreziqet, mentalitetin, virtytet, veset  dhe u bë njeriu më i dashur dhe përkrahësi më I madh i shqiptarëve. U angazhua dhe kontribuoi në fushën e arsimit, kulturës, shkencës, bujqësisë, historisë,  politikës, diplomacisë. Ai edhe pasi u kthye në Amerikë, nuk pushoi së vepruari për çështjen shqiptare deri në vdekje.

Për famën që kishte arritur, në vitin1928,  Ericksoni kishte hyrë në librin e njerëzve më të shquar të botës. Ai njeri meriton të kujtohet gjithmonë për sakrificat që ka bërë dhe kontributin që ka dhënë për çështjen shqiptare.

Për nderë të tij, Shkolla Profesionale Bujqësore në Golem, mbanë emrin: Charles Telford Erickson, në të cilën nxënësit janë te ndarë në tri drejtime profesionale: agrobiznes, veteran dhe ekonomi. Më 31 mars 2019, u inaugurua objekti i ri i asaj shkolle, e cila ka një histori prej vitit 1925 dhe është mire që mbanë emrin e themeluesit dhe drejtorit të parë.

Filed Under: Histori Tagged With: Charls Erickson-Adil Fetahu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • …
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT