• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2019

Roli i Imzot Gaspër Thaçit në Pukë, në prag të pavarësisë

May 10, 2019 by dgreca

Shkruan:Leonora Laci/
Artikujt për Pukën të Pater Paulin Margjokajt OFM janë mjaft interesante, madje ai vet lë të kuptohet se ishte një libër për Pukën duke e ndarë dhe në kapituj, aty përfshihen dhe ngjarje të krahinave të tjera në periudhen e pavarësisë së Shqipërisë. Artikujt janë të gjatë dhe gjenden të botuar për herë të parë në Hylli i Dritës përgjatë viteve 2011-2012, përmendim këtu; At Paulin Margjokaj, Kontributi i Pukës për Pamvarësi të Shqipnis, në “Hylli i Dritës”, 2011, XXXI, nr. 4, f.14-36. -At Paulin Margjokaj, Kontributi i Pukës për Pamvarësi të Shqipnis, në “Hylli i Dritës”, 2012, XXXII, nr. 1, f.3-11. – At Paulin Margjokaj, Kontributi i Pukës për Pamvarësi të Shqipnis, në “Hylli i Dritës”, 2012, XXXII, nr. 2, f. 3-23.  – At Paulin Margjokaj, Kontributi i Pukës për Pamvarësi të Shqipnis, në Hylli i Dritës, 2012, XXXII, nr. 3, f. 15-26. – At Paulin Margjokaj, Kontributi i Pukës për Pamvarësi të Shqipnis, në “Hylli i Dritës”, 2012, XXXII, nr. 4, f. 84-102.
Më poshtë janë përshkruar pjesë nga “Kontributi i Pukës për Pamvarsinë e Shqipërisë” dhe kjo gjendet në Hylli i Dritës, 2011, XXXII, nr 4. Pater Paulin Margjokaj shpreh shqetësimin e tij që në parathanje ku shkruan: “Sikurse të tana krahinat tjera të malit e të fushës edhe Puka ka dhanë kontributin e vet nder luftat per liri të Shqipnisë. Megjithëkta shohim se fort rrallë âsht gjetë ndokushi qi e ka çekë ket gjâ. Në poemin kombtar Lahuta e Malsisë njiherë të vetme âsht permendë Puka. Edhe âsht aty ku fantazija e poetit kombtar na paraqet në kangen e 25-të (andej kah faqja e fundit; kjo kangë si diehet, âsht mâ e gjata kangë e mbarë Lahutës), se si dy shtriga, qi gjâ pâ bâ s’kishin lânë nder shtatë bajrakët e Pukës, nisen prej Fushë s’Iballes e duen me shkue per në nji log shtrigash dikund atje kahë Kotorret e Reja. Tue kalue neper ajri, kaluer breshkave, dy shtrigat e Pukës- njana thirret Sutë, tjetra Pasutë, po vênë oroe ke po ishin kapë fyt-a- fyt Ora Malazeze me Zanen e Shqipnisë atje në Rrafsh të Dukagjinit. Me nderhymjen e dy Shtrigave, Ora e Malit të Zi e bjerrë mejdanin, kështuqi ushtrija e Mark Milanit jet pa ndihmen e Orës, e Shqiptarët, të perkrahun prej Zanës, e fitojnë luften.Por neve do të na kishte pasë andja me ndie tue u permendë njerz fatoza apor êmna fisesh e bajrakësh prej krahinës së Pukës. Por asnji herë!(…)
 Ai jep detaje të tjera për Lahuten e Malsisë dhe për ngjarjet që pershkruhen aty, por qellim i këtij artikulli është të evidentojë -Rolin e Imzot Gasper Thaçit në ngritjen e flamurit në Pukë. Vazhdon autori në atë që e quan parathënie në faqen 18-19-Kontributi i Pukës për Pamvarësi të Shqipnis, në “Hylli i Dritës”, 2011, XXXI, nr. 4, – “Por na ndoshta shkuem teper gjatë në ket parathanie. Na kjem të ngushtuem me e bâ ket gjâ, qi kshtu lexuesat e fisit t’im, per të cilët po shkruehet kryekrejet ky liber, t’a kuptojnë se per ç’arsye Puka nuk permendet aspak në Lahutë. Sigurisht edhe nga fisi i Pukës kanë rrâ burrat kur i ka lypë kushtrimi, por per kta nuk ka pasë se kush t’i kallxojë ndoj gjâ poetit. Sepse duhet dijtë se Fishta e ká kalue të shumten e jetës së vet në Shkoder. Ktu ai ka pasë rasë me pvetë dhe famullitarët e Malsisë së Madhe, kû si zonë kufijtare me Mal të Zi, u zhvilluen mâ së fortit luftat per çlirim. Mjesá Puka âsht fort mâ larg. Persá i perket Mirditës, âsht e dijtun qi Fishta në Shkoder ka pasë rasë shpesh herë me bisedue me kapidanat e Mirditës qi banojshin në Shkoder. Nuk âsht per t’u çuditë prandej qi Mirdita të permendet aq shpesh në Lahutë e Puka vetem njiherë, dhe atëherë vetem dy shtriga të saja, e jo njerzit fatoza të bajrakve të Pukës.
Unë me ket liber due të qes në shesh qi edhe nder bajrakë të Pukës janë flijue njerzit dhe kanë vuejtë e janë mundue per liri të Shqipnisë. Por neve si pa dashtë kemi kalue nga ngjarje të Pukës e kemi dalë edhe nder çashtje tjera. “Fjala qet fjalen”-si ka pasë thanë i moçmi. Kujtimet e mija në shkrim e siper shkuen tue u zgjanue. Kjo gjâ shpresoj se nuk ká per të kenë e pa-dobi, pse, sa mâ shumë të shkruehet, aq-e mâ mirë âsht. Mjerisht në mergaten shqiptare po shkruehet e po botohet teper pak. Ky liber, si e thotë titulli, merret vetem me disa ngjarje të historisë shqiptare e nuk don të jetë nji histori komplete. Shkrimi i nji historije nder rrethana të vshtira, në të cilat ndodhet çdo mergimtár, âsht e pamundun, mbasi nuk mund të kemi per dorësh dokumentat e nevojshme, dhe bibliotekat e Prendimit nuk janë aq të pajisuna me libra mbi punët e Shqipnisë. E mandej historija mund të shkruehet vetem nga nji grup personash e jo nga nji njeri i vetem.
(…)
 
KAPITULLI I DYTË
NË VEREN E 1912-S PUKA SHKUND ZGJEDHEN TURKE
Në fillim të vj.1912 pat ardhë si famullitar (sherbyes fetar katolik) në fshatin Qelzës prifti i ri Dom Gasper Thaçi, qi mâ vonë pat kenë zgjedhë si Arqipezhgev e metropolit (rybja mâ e nalta e Kishës katolike në Shqipni) në Shkoder. Mbarë Shqipninë e kishte kapë marazi, sidomos ushtrija e mizoritë e Turgut Pashës të kohës së mbrame e kishin shtue jashtzakonisht fort pezmin e popullit.
Mejherë Dom Gaspri ia pat fillue punës, per t’a pregatitë popullin per në luften çlirimtare. Jo vetem në famullinë e vet, por edhe nder bajrakë tjerë shtrihej veprimtarija e priftit plot entuzjazem, i cili pak kohë perpara kishte pasë krye msimet e nalta në Austri. Nder meshtarë qi ishin të tanë nji mendimi me Dom Gasperin, janë per t’u permendë kta dy freten: Atë Tomë Bicaj, famullitari në Berishë, e Atë Danjel Stajka, famullitar në Fierzë. Edhe famullitari i Iballes, qi ishte italjan, bashkëpunote me kolegët e vet për çlirim të Shqipnisë, por emni i tij nuk më kujtohet. Nder mbledhje e bashkime qi organizoi Dom Gasperi nder fshate e bajrakë, pat kenë edhe ajo në mojin marc në shpinë e Frrok Kolë Bajraktarit në Bugjon. Si u tha perpara, nji ushtri e fortë turke-kund 6 mi vetë- ishte në qanderr të Pukës. Kjo ushtri ishte e armatosun me armët më moderne të kohës, e komandohej nga Bedri Beg Qafziu. Në mbledhje me Dom Gasprin e të zo’në e shpisë kû bâhej bashkimi, ishin edhe kta patriotë: Bibë Ndoj Mirakaj, Ndrekë Markiqi, Pjeter Ndue Prendi, Pjeter Kolë Pemati, Ram Nimani, Halil Musa, Kamber Laçi, Marash Mar Nika, Rrust Marvata, Shyt Gjergji, Marash Halili.
Duhet shenjue prej ksaj liste emni i Hasan Musës, bajraktar i Terthores (bajrak i Kabashit). Ky edhe shoku i tij Hasan Neziri (po nga Kabashi), qyshë në fillim e deri në mbarim kjen perherë me Dom Gasprin. Gjithashtu nuk do të harrohet Zejnel Hoxha i Pukës, i cili e kqyri me sy të mirë lëvizjen kombtare qi organizoi Dom Gaspri kundra pushtimit turk.
Gjâja mâ e keqe qi u konstatue në mbledhje, kje disomos kjo: populli nuk kishte armë as municjon, posë pak armve të mshefuna. Per t’a fornizue popullin disi me armë, e muer mbi vedi si kryetar pergjegjës Bib Ndoj Mirakaj, dhe u vendos qi ky bashkë me Frrok Kolë Bajraktarin, Pjeter Ndue Prendin, Shyt Gjergjin nga Fierza, Tush Prendin nga Bugjoni e 60 burra tjerë me u nisë me 1 prillë per në Podgoricë, e atje me i kerkue e me ble armët e municjonet.
Udhtimi per në Podgoricë kje shum i gjatë dhe teper i zorshem. Asnji prej ktyne burrave nuk kishte pasë rasë t’a bajë nji udhtim të tillë, tue kalue neper krahina e vende krejt të panjoftuna. Së parit duhej kalue Drini, pastaj neper Dukagjin e deri në Theth të Shalës, prej ktu neper Shteg të Dhenvet (nji qafë mes Dukagjinit e Malsisë së Madhe), në Bogë, Vrithë, perkrye Katundit të Shkrelit, mandej neper Kastrat e Hot e Grudë, tue kalue Cemin, e eja e del në Tuz. Si po shifet, krejt udhtimi u ba neper male. Kur mbrrijten në Podgoricë, nuk munden me ndreqë gjâ, prandej auktoritetet malazeze të ktushme i dergojnë burra t’onë të Pukës në Cetinë. Në fillim burrat e Pukës u priten krejt mirë prej gjeneral Vasoviqit, sepse ky mendote se kta kanë ardhë në Cetinë per me iu shitë Malit të Zi. Vasoviqi i priti e i gostiti per 6 dit s’ka mâ mirë, dhe mundohej pada dita me ditë me bâ propagandë nder ta dhe u premtojke gjithëshka.
Ai diftohej i gatshem me u dhanë Shqiptarve çdo ndimë, si pare, armë, municjon e gjithëshka të kishin nevojë. Me ket mndyrë mendojke Vasoviqi se po i ban per vedi burrat e Pukës. Por u rrejtë keqas i Cernagorasi. Frrok Kolë Bajraktari e Bibë Ndoj Mirakaj iu pergjegjen joshjeve të Vasoviqit në ket mndyrë: “Na ju a kemi msy e ardhë tek ju me na gjetë armë e municjon dhe na me t’i pague me pare; na nuk kemi ardhë me u shitë dhe as me i bâ trathti atdheut t’one. Na kemi mendue se Turkija âsht nji anmik i jueji ashtu si âsht edhe anmiku i jonë. Prandej, tue e parapá se anmikun e kemi të perbashktë, kemi mendue se armë e municjone na jepni aq sa të mundemi me marrë, e pa kondita. “Vasoviqi u tha burrave t’onë kshu: “pa kondita e dokumenta të nenshkruem asnji gjâ nuk e japim. Ma gjithëkta, mbasi Turkinë e kemi anmik të përbashktë, po u japim 300 copë armë dhe 15 mushka me monicjon, mbasi mushkat i paskeni me vedi, porse keni me i pague të gjitha me pare, falë nuk keni kurrgjâ, dhe qyshë sonte naten pa dalë drita keni me u largue nga Cetina.” Burrat t’onë marrin armët dhe municjonet dhe i paguejn me pare dhe naten dalin prej Cetinet.
Prej 65 burrave qi ishin per ket sherbim, seicili prej tyne u ngarkue me ka 5 copë armë në shpinë, pesha e çdo cope ishte 4 kg e randë. Modeli i ktyne armve ishte: të gjitha petica e novica. E shumta e rrugës, si u tha, kalote neper male e vende shum të vshtira. N’udhtim e siper, kur kanë mbrrijtë në Triepshë Sokol Baci, po nga Triepshi, e ká mbledhë gjith katundin e vet dhe u kanë bâ nji darkë burrave të Pukës dhe nji pritje shum të mirë, edhe u kanë dhanë ushqim per 4 dit dhe i kan percjellë deri qi kanë kalue lumin e Cemit.
Populli i Shtatë Bajrakve pritte me padurim kthimin e njerzve me armë nga Mali i Zi. Pak mâ vonë Bibë Ndoj Mirakaj pat marrë edhe 100 copë armë tinëz në Shkoder. Të gjitha armët e bleme iu shperndanë popullit, i cili kishte do armë të mshefuna, edhe pse ushtrija e Turgutit nji vjetë perpara pat mbledhun sa mujti.
Tashti duhej organizue gjithëshkafja me kuadra në formë zyrtare. Me 12 qershuer Dom Gaspri thirri mbledhje të pergjithëshme te Kisha e Qelzës. U formue nji komitet qandrruer e komitete krahinore. Qandrra e pergjithëshme ishte në Qelzë, nën kryesinë e Dom Gasprit qi ishte truni e zemra e kryengritjes. Dy burrat mâ me randsi, d.m.th. Frrok Kolë Bajraktari e Bibë Ndoj Mirakaj, mund të ndjehen qi kryetarët mâ të naltë e fuqive të pregatituna per luftë. Kjenë caktue edhe komandantat e çetave. Qe êmant e tyne: Halil Musa nga katundi Kabash, Kamber Laçi –Pukë, Marash Halili –Dardhë, Rrust Mar Vata-Dush, Zef Nikolli-Kçirë, Ndrekë Markiqi-Berishë, Dedë Sadrija-Aprripë, Palush Pjetra-Iballë, Tish Toma-Midhë, Çun Pjetra-Kokdodë, Kolë Nikë Alija-Flet, Keqan Qerimi-Truen, Ndue Kukeli-Bugjon, Shyt Gjergji-Fierzë, Marash Mar Nika-Qelzë, Pjeter K. Pemati-Iballë, Naz Hajdari-Bugjon, Pjeter Ndue Prendi-Berishë, Jak Mark Suti-Dush, Ram Nimani-Iballë. Çdo komandant çetet, në diten e parë, kishte nen komanden e vet 75 luftarë. Mâ vonë këto çeta, tue u marrë armë Turqve, u shumuen dhe u banë deri në 100 njerz per çdo çetë. Si u perfundue organizimi, u caktue qi me 1 korrik, naten befas, të sulmohej ushtrija turke nder kazemat qandrrore të Pukës. Në sulmin e parë qi u bâ fort i rrebtë, u vranë shum ushtarë e u mueren shum armë. Naten e parë në ket sulm u vranë n’anen t’one Keqan Qerimi, komandat çetet, si edhe u plagosen 3 vetë tjerë, po komandanta çetet, d.m.th. Ndue Kukeli, Nikoll Zefi e Rexh Frroku, i biri i bajraktarit të Bugjonit. Lufta vazhdoi shum e pergjakshme plot nji muej. Puka ishte e rrethueme. Kur ushtrisë në Pukë i erdh nji ndimë prej Shkodre, e çau rrethimin dhe bani msymje nder katunde e filloi djegjen nder shpija. Ajo dogji në katundin Midhaj 60 shpi, në katundin e vogel Miluer 20 shpi. Ushtrija filloi të plaçkisë popullin dhe hyni me dalë n’Iballe, Bugjon e Berishë, por çetat nacjonaliste ia prenë rrugen ke Lumi i Sapaçit, kû u bâ beteja mâ e pergjakshmja: 8 dit luftë pa u pré. Ushtrija anmike u detyrue me u kthye persri në qendren e Pukës. Ushtrija turke, qi pat shum bjerrje, ishte krejt e disprueme, e rraskapitun dhe e demoralizueme krejtsisht. Me kthimin e ushtrisë në qenderr të Pukës, u bâ nji pushim armësh per kater dit.
Popullit iu bâ thirrja e dytë qi me dalë në luftë kush të jenë burrë per shpi: me pushkë dhe me kmesa e spata. Ksaj here ushtrisë turke nuk mujti me i ardhë mâ ndimë prej Shkodre, sepse Dushi, Kçira e bashkë me Koman, Mlloje, Vjerdhë e Karmë ia prenë rrugen ke Qafa e Fikut, kû u luftue shum rrebtsisht, aqsa ndima turke nuk mujti me dalë aty kû dote, por iu desht me kthye kah kishte ardhë.
Tashti çetat e lirisë pregatiten me i rá edhe njiherë Pukës befas, por pa pritë e pa kujtue po merret vesht se ushtrija turke e Pukës ishte çue e hikë e nisë per Shkoder, tue lanë vetem do xhandarmë. Me ket mndyrë Shtat Bajrakët e Pukës, qysh me daten 8 shtator 1912, ishin të çliruem nga zgjedha turke.
Në fund të ktij kapitulli tash po bijmë nji poezi qi pershkruen mâ gjallë ata shka u tha në prozë nder kto faqet e kalueme. Na po vazhdojmë ktu prap në prozë. Por nuk kaloi shumë, e Puka qi u librue nga Turkija, kishte në shpi Serbët. Qysh me 8 tetuer 1912, njiherë Mali i Zi vetem, mandej Bullgarija, Grekija e Serbija, të trija zbashku me 18 tetuer, i kishin çpallë luften Turkisë. Ishte kjo lufta (e para) ballkanike. Shqipnija ishte në rrezik me u zhdukë krejt nga karta gjeografike. Serbija dote me e ndjehë të veten krejt token qi fillon prej Sanxhakut të Novipazarit (nji rryp të vogel të ktij, vllau i madh i Beogradit ia premton vllaut të vogel Cetinës) e pershinë krejt Kosovë e Metohi e krejt Shqipninë verjore, nemose që prej Shengjinit e deri në Semen apo Shkumbin, simbas marrveshtjes qi do të bâhej ktu në jug me Greki, per të cilen ishte shenjue krejt urtë, pse drojshin se populli po çohet e po u bjen mbas shpinet e po ua prishë krejt planin që kishin. Serbët u shtishin se e kanë vetem me Turki, por ata në të vertetë lakmojnë me pasë nemose tre çerekë të tokës Shqiptare per vedi.
Por po i lâmë kto si gjâ të njoftuna e po bijmë vetem se si në Pukë u ngreh flamuri kombtar e u proklamue zyrtarisht pavarsija prej Turkisë. Dom Gasper Thaçi kishte pasë marrë lajmin prej Ipezhgvit të vet (në Nenshat të Zadrimës) se në Vlonë ishte kenë ngrehë qysh me 28 nanduer flamuri i Shqipnisë. Sa e muer lajmin, plot entuzjazem Thaçi bani gati kryepari e popull e mblodhi sa mâ shum gjind te Kisha e Qelzës kû, mbasi mbajti nji fjalim të flaktë, u dha të gjithve lajmin e gzueshem se Shqipnija ishte çpallë zojë në vedi qysh me daten 28 nanduer. Dom Gaspri merr flamurin kombtar dhe e ngrehë te Kisha e Qelzës. Ishte dita 8 dhetuer 1912 si mbas zakonit, batare pushkësh e percollen ket ngjarje të paharrueshme. Menjiherë kjenë lajmue bajrakët tjerë, e gjithëkund populli ngrehi flamurët shqiptarë dhe e kremtoi me batare pushkësh ket ditë të lumnueshme.
Por bataret e pushkve qi shungulluen së parit në Qelzë, e kishin pasë shti në mendim ushtrinë serbe qi ndodhej në Pukë asë mâ mirë me thanë, ajo ndodhej gjithkund rrugës së madhe që prej Kosove e deri në Lesh; ajo kah jugu bashkëpunote me Malazez në rrethimin e Shkodres. Prej komandës serbe iu lypen Dom Gasprit spjegime mbi bataret e pushkve në Qelzë. Dom Gaspri zgodhi tre burra per t’i dergue në Pukë, te komanda serbe. Emnat e ktyne të treve janë; Nikoll Gjoka prej Qelzet, Marash Mark Nika prej Midhet e Kolë Gjergji prej Dedajsh. Mâ perpara Dom Gaspri i pregatiti mirë kta burra se si do të folshin në komanden serbe. Nji mik i imi m’a dergoi bisedimin e tyne me komandantin serb, qi quhej Kataniq, njashtu si pat kenë botue në rivisten Hylli i Dritës në numer tetor 1937, nga penda e Kolë Bibë Mirakajt. Qe bisedimi fjalë per fjalë nga faqja 466-67 e rivistës së famshme shkodrane:
Komandanti: Çka ka kenë aj danam me pushkë
Gjegja: Kena pasë nji gzim të jashtzakonshem.
Komandanti: Ç’farë gzimi keni pasë?
Gjegja: Na ka ardhë lajmi se tash njimdhet dit âsht ngrehë bajraku i Shqipnisë në Vlonë.
Komandanti: Kû e dini ju?
Gjegja: Kryetari i komitetit t’onë Z. Dom Gaspri ka pasë lajmin prej Ipezhgvit.
Komandanti: Nuk âsht e vertetë. Ipezhgvii e prifti ju mashtrojnë. Në Shqypni jena na e nuk kena me e lshue
Gjegja: Ne Ipezhgvi nuk na ka rrejtë as nuk na rrenë kurr, se nuk âsht i shitun as nuk na shet. E dijmë me siguri se me 28 të mojit të kaluem në Vlonë âsht ngrehë bajraku i Shqypnisë me pelqimin e Krajlnive të Mdha. Prandej na, mbasi tash sa kohë kemi derdhë gjak per me fitue lirinë, duem bashkimin me vllaznit t’onë dhe kemi ngrehë edhe na bajrakun e Shqypnisë tu kisha e jonë.
Komandanti: Pse nuk bâheni me né, qi edhe na luftojnë me qitë Turkun jashta?
Gjegja: Na as nuk jena Turqë as nuk jena Serbë, por jena kenë, jemi e do të jena Shqyptarë. Na e dijmë se Shqypnija ká dalë në vedi me e sundue Shyqptari vendin e vet. Sod kena bajrakun t’onë, per atë do të luftojmë e do të desim. (K.B. Mirakaj, Kryengritja e Pukës rreth vieti 1912, në Hylli i Dritës, 1937, vj. XIII, n 9-10, fq, 466-467. Prej ktij artikulli të Kolë B. Mirakaj kemi marrë edhe ndoj send tjeter të ktij kapitulli).
Po kje se nuk i gjet gjâ kta tre burra as Dom Gasprin, âsht per t’u spjegue prej faktit qi Serbët kishin frigë prej popullit qi ishte i armatosun. Po t’ishin çue Shqiptarët kundra Serbve e kundra Malazezve në luften ballkanik, do t’a kishin pasë fort mâ të vështirë dy shtetet ballkanike në luften e tyne kundra Turkisë. Por mjerisht-duhet me thanë mjerisht- Shqiptarët në luften ballkanike kjen rrêjt keqas e ndêjen asnjanës. Xhelati Turgut e kishte pregatitë ket gjendje asnjanse ase edhe anmiqsore kundrejt Turkisë. Anmiqt t’onë sllavë kishin dijtë s’ka mâ mirë t’a shfrytsojnë ket gjâ. U duk gati-gati sikurse Shqiptarve t’u ishte mbushë mendja qi Serbo-Malazezt kishin hi në Shqipni vetem sa me dbue Turkun e jo me krrucë Shqipninë. Mbi rrethim të Shkodres na bjen rasti të flasim në nji kapitull mâ vonë. Ushtrija serbe qi e kemi lanë në Pukë e në rrugen e madhe qi çon per në Shkoder e Lesh, qysh me 25 shtatuer 1913 ishte krejt jashta kufijve të rij shqiptarë. Ndoshta na bjen rasti t’a thomi edhe njiherë tjeter se gjatë luftës ballkanike Serbët paten mbytë mizorisht qindra e mija Shqiptarësh. Sidomos në Kosovë ata paten bâ namin, sepse ata dojshin me e shfarosë krejtsisht rodin e Shqiptarit në ket krahinë qi ata e quejn aq ambel “Serbija e Vjeter”, e kshtu edhe mundoheshin me e paraqitë edhe nder shkrimet e tyne rrenacake qi ata publikojshin nder gjuhë të ndryshme. E atyne u duel me e mbajë Kosoven per vedi. Edhe në pjesen jugore të Shqipnisë shohim kerditë greke qi djegin e pjekin me qinda katunde shqiptare, e me ket mndyrë ata duen me ia mbushë menden botës se ata vende janë me popullsi greke. Në ket mndyrë ata na e kanë grabitë Çamerinë. Qellimi i Serbve ishte me mbrrijtë sá mâ parë në Durrës. Ky ishte limani qi Serbët me doemos dojshin me e pasë të vetin n’Adriatik. Si dihet, Serbija e atëhershme nuk kishte askurrkund breg detar. Mbas luftet mandej u formue Serbija e Madhe, qi po na e thrrasim Jugoslavi, e muer Detin Adriatik per vedi, posë ndoj cope qi e muer Italija. Me 26 nanduer 1912, në Durrës pat kenë ngrehë flamuri i Shqipnisë në Konakun e Qeverisë dhe pat kenë caktue si Sundimtar Hamid Beg Toptani. Por dy dit mbrapa, shi me 28 nanduer, paten hy Serbët në Durrës dhe hoqen flamurin e Shqipnisë tue ngrehë atê të Serbisë. Mandej ushtarët serbë me çizme shkuen në det të Durrësit e me shpata të çveshuna i bijshin ujit tue brohoritë: Zhvio, zhivio! Por puna erdh e u suell ndryshej se kishin pritë Serbët. Kta kjen ngushtue prej Fuqive të Mdha t’a lanë Shqipninë. Në ket kohë ishin formue gjithëkund neper Shqipni qeveri lokale të perkohshme, pse pritej se per së shpejti do të vite mbreti qi Europa dote me i dhanë Shqipnisë. Edhe në Pukë ishte nji qeveri e perkohshme. Emzot Gjergj Koleci, ipezhgev i Nenshatit (selija e ipeshkvit të Zadrimës) dhe i Pukës, paten kenë nisë prej Qelzës e shkue në qanderr të Pukës. Ipezhgvi ishte i percjellun prej klerit e prej bajraktarve dhe prej nji shumice së madhe popullit. Në Pukë u ngreh zyrtarisht flamuri kombtar. Kaq pernjimend e pat marrë populli të ngrehunt e flamurit, saqi e ruejshin me rend ditë e natë, qi mos të dhunohej e mos të vidhej prej ndonji faqeziut.








Filed Under: Histori Tagged With: Leonora Laci- Imzot Gasper Thaci

Homoeopati në politikë

May 10, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Gjatë gjithë historisë rreth 110 vjeçare të shtetit, shqipëtarët rrallë e kanë vlerësuar pavarësinë e tyre. Dhe të mos e vlerësosh një gjë, është njësoj si ta injorosh, ta shkelësh, të mos e njohësh. Kjo është arsyeja që për çdo krizë a ngërç të brendshëm ata drejtohen tek të huajt dhe pranojnë çdo zgjidhje që u sugjerohet.
Me përjashtim të kongresit të Manastirit, më 1908, për unifikimin e alfabetit, dhe të kongresit Lushnjes, më 1920, për llojin e qeverisjes, të gjitha zgjidhjet e krizave të tjera mbajnë vulën e ndikimit të huaj.
Që në lindje a rilindje, më 1912, Shqipëria doli një shtet i cunguar, zgjidhja më e mirë që fuqitë e mëdha ofruan. Nën ndikimin e Jugosllavisë, më 1941, Partia Komuniste u themelua, jo nga “200 petrita” por nga dy jugosllave të dërguar në Tiranë për unifikimin e grupeve komuniste që ishin vazhdimisht në grindje.
Pas lufte, jugosllavët vazhduan me intetesat e tyre duke ndërhyrë në çdo vendim të shtetit shqiptar. Pastaj filluan të vinin sovjetikët, më pas kinezët, por stalinizmi mbeti. Pas prishjes me ‘ta, Shqipëria u izolua, duke mbledhur rreth vetes të gjitha partitë e grupet renegate komuniste të botës – vendi u zhyt në errësirë, duke u bërë fanar i dritës së kuqe në brigjet e Adriatikut.
Shqiptarët kurrë s’kanë qenë të lirë – ndoshta sepse nuk e kuptojnë ose nuk e duan atë. Eshtë karakteristikë e skllavërisë, si sëmundje morale, për të kërkuar lehtësimin e shtypjes, duke paraqitur një formë më të rëndë të së njëjtës sëmundje. Ky është, në fakt, parimi homoeopatik, që aplikohet në politikë; kundërveprimi i ngjashëm, apo similia similibus, siç thonin romakët. Mbi këtë parim, që vetë shkenca e mjekësisë e ka hedhur poshtë, mbështetet sot politika shqiptare.

Filed Under: Politike Tagged With: ASTRIT LULUSHI-Homoeopati ne politike

Homazh për Said Demnerin

May 10, 2019 by dgreca

Nga Zydi Ali Turdiu/

            Më 5 maj 2019 mbylli sytë në Windsor të Kanadasë, në moshën 99 vjeçare, njeri nga dishepujt e nacionalizmit shqiptar, bashkëpunëtori i gjeniut te kombit, të madhit Mid-hat Frashëri dhe luftëtari për lirinë dhe demkracinë e kombit shqiptar, Said Demneri.

            Nuk besoja kurrë se do të isha unë ai që do të shkruaja këto dy rreshta si homazh për të. Nuk besoja, se deshëm ta kishim përjetësisht pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishte nisur qysh në rininë e tij të herëshme, sepse kishim nevojë për praninë e tij, për mendimin e tij, për fjalën e tij të urtë. Por ai iku. Zoti kishte  vendosur ta  merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ai ishe ndër më të mirët.

            Filozofi i shquar Niçe ka thënë:

            “Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere?  Gjaku”

            Gjaku nuk i mungonte Saidit. Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj. Ai i përkiste familjes së njohur tiranase të Demnerve, një familje e madhe autoktone e kryeqytetit. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira dhe ai mbijetoi  sepse  në  venat  e tij rridhte gjak fisniku.           

Lindi në Tiranë më 9 gusht 1920 në familjen Demneri, një ndër më të mëdhatë dhe të hershme tiranase, me tradita tradiconaliste të cilat i kishte trashëguar dhe zhvilluar më tej me dinjitet. Në vitin 1927 në familjen e tij ndodhi një fatkeqësi. Shuhet nëna e tij e dashur duke  lënë  pesë fëmijë: Mehmetin 15, Fitneten 13, Osmanin 11, Saidin 7 dhe Saliun vetëm 3 vjeç. Dhimbja ishte e madhe. Kjo gjë e tronditi dhe i la një boshllëk në shpirt. E kujton fare pak të ëmën. Pas dy vitesh  i ati, Qazimi, detyrohet të martohet përsëri. Saiti do të thoshte:

            “Kam qenë i vogël, vetëm nëntë vjeç, kur kam parë “nusen e tatës” të nesërmen në mëngjes.”

            Kishte një vullnet të madh për të studiuar. Në vitin 1933 përfundoi arsimin fillor në shkollën “Kristoforidhi”. Në vitin 1934, ndërsa vazhdonte mësimet në liceun e Tiranës detyrohet t’i ndërpresë ato për arsye shëndetësore dhe t’i fillojë përsëri në vitin 1936 por nuk arriti t’i përfundojë pasi në vitin 1943 liceu u mbyll për shkak të Luftës së Dytë Botërore që kishte përsfshirë edhe Shqipërinë. Gjatë viteve të studimit në lice ai tregonte një etje të madhe për botimet e kohës, sidomos ato me përmbajtje historike, ideologjike, artistike si dhe ato nga jeta e personaliteteve të shquar të kohës.. Ishte klient i rregullt i librarisë “Argus” që drejtohej nga Mid-hat Frashëri, alias Lumo Skëndua. Botimet e kohës dhe sidomos  takimet e zhvilluara me Mid-hatin,  e bënë të riun tiranas shumë të ndjeshëm  ndaj ndjenjave nacionaliste, të cilat i përvetësoi me bindje duke u qëndruar besnik gjatë të gjithë jetës së tij.  Biblioteka e tij personale pasurohej çdo ditë me botimet e kohës sa që  raftin ku ai ruante me kujdes dhe shije  librat e quanin “Biblioteka e Said-it”.

            Në këto vite Said Demneri, i brumosur me ndjenjat atdhetare nacionaliste, qysh kur ishte në lice, në moshën 20-22 vjeçare, e kishte të qartë se idetë nacionaliste do të ishin alternativa e vetme për shpëtimin e Shqipërisë si një shtet demokratik me vizione perëndimore, në luftë të pandërprerë me idetë komuniste që po mashtronin popullin e thjeshtë dhe sidomos pas krijimit të Partisë Komuniste nga emisarët serb Milladin dhe Popoviç. Ai lidhet si mishi me thoin me idealet nacionaliste të Ballit Kombëtar, të mishëruar në dekallogun e famshëm të hartuar nga Mid-hat Frashëri dhe intelektualët e tjerë nacionalistë.  Ai e quan liderin e kësaj lëvizje nacionaliste “Gjeniu i Kombit” ne librin e historianit Huran Butka kushtuar këtij personaliteti të madh të kulturës  dhe politikës kombëtare, vazhdues i  nderuar i frashërllinjve të shquar të historisë dhe kulturës.

            Said Demneri ka një meritë të veçantë  në organizimin e batalionit nacionalist “Besnik Çano” që shkoi në Kosovë përkrah vëllezërve kosovarë për të luftuar serbët si dhe për përgatitjen e batalionit të dytë “ Qeramudin Sulo” që nuk arriti të shkonte. Ja si është shprehur për të miku i tij Islam Lleshi:

            “Saidi ishte guximtar, impulsiv, dramatik, vendimtar dhe konseguent  në mendimet e tij, Ai më parë thyhesh sesa përulesh”

            I udhëhequr nga mendimet filozofike të Mid-hat Frashërit ai deklaronte në fillim të intervistës së organizuar  më 4 korrik 1996:  

            “Partia jonë është Shqipëria! Në roberi puna jonë është lufta, në liri lufta jonë është puna. Për mua nacionalizmi është themeli i një kombi. Nëqoftë se një komb nuk qëndron mbi themele të forta nacionaliste atëhere ai është i destinuar të gllabërohet nga popuj të tjerë, çka përbën një proces të gjatë asimilimi dhe persekucioni fizik dhe moral.”

            Kjo sentencë u vërtetua plotësisht gjatë të gjithë periudhës së sundimit të sistemit totalitar komunist.

            Qysh kur ishte në liceun e Tiranës, organizon dhe u mëson të rinjve  idetë nacionaliste si kundërpeshë me idetë e të rinjve komunistë të drejtuar nga Ramiz Alia, shoku i klasës së tij. Formimi politikë dhe aftësitë e tij organizative  e vendosin atë në strukturat drejtuese  të Ballit Kombëtar për Tiranën. Për nacionalistët po bëhej çdo ditë e më tepër e qartë se rreziku më i madh po i vinte Shqipërisë nga propaganda komuniste dhe mbështetja ndërkombëtare që kishte, falë ndarjes së zonave të influencës që ishte bërë në takimin Rosvelt-Çurçill-Stalin, ku Shqipërinë e kishin lënë nën influencën ruse. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes nga komunistët u pa qartë qëllimi i tyre me zhvillimin e një lufte civile kundër forcave nacionaliste, ku sumdonte parrulla “pushteti buron nga gryka e pushkës” që u bë simbol i komunistëve dhe që solli grabitjen e pushtetit nga ata në përfundim të luftës.

            Në vjeshtën e vitit 1944, kur u bë e qartë se Shqipëria kishte rënë nën kthetrat komuniste, Mid-hat Frashëri deklaronte:

            “Ne po humbasim, sepse nuk mund të pengojmë komunizmin që mbështetet e përkrahet deri me vendime ndërkombëtare për zonat e influencës, ku Shqipëria është caktuar zonë komuniste, ndërsa në vend komunistët përdorin dhunën, terrorin, krimet që më shumë do të bien mbi kundërshtarët politikë dhe familjet e tyre.”

            Në kërto kushte, Saidit nuk i mbeti gjë tjetër veçse të merrte rrugën e emigrimit në botën e lirë. Ai i përkiste asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për lirinë. Donte të jetonte i lirë, pa gjemba dhe ferra në rrugën e tij. Donte të jetonte në një botë të vërtetë. Por, për fatin e keq, atdheu kishte rënë në një epokë terrori komunist, në atë epokë kur nuk mund të shprehje dot ato që ëndërroje, ato që të buronin nga zemra e madhe, në atë epokë kur nuk mund të shprehje mendimet e  lira, ndjenjat e shpirtit  të pastër, në atë epokë kur kishe dëshirë për të studiuar dhe nuk të linin të studioje, kishe dëshirë për të punuar dhe nuk të linin të punoje, kishe dëshirë për të jetuar dhe nuk të linin as  të jetoje, në atë epokë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij.

            Kështu drejtues nacionalistë grumbullohen në Shkodër, rreth 200 vetë, dhe më 14 nëntor 1944, me Mid-hat Frashërin në krye u nisën nga Tivari për në Brindizi, me qëllimin e lartë për të vazhduar luftën për lirinë e atdheut. Mid-hat Frashëri deklaronte:

            “Bota duhet ta di se ne bëmë detyrën karshi atdheut dhe qytetërimit. Nuk po largohemi për të shpëtuar veten, por për të vazhduar përpjekjet tona në vendet e botës së lirë që të përgatisim rrugët e shpëtimit të Shqipërisë.”

            Midis tyre ishte edhe Said Demneri. Kështu filloi periudha e endjes që nga Italia në Egjypt, Australi dhe deri në Kanada. Ai ishte i bindur se lufta e tyre një ditë do të kurorëzohej me sukses, se do të vërtetoheshin idetë e tyre nacionaliste. Ai ishte kudo ku e kërkonte detyra, pa u ndalur nga asnjë pengesë apo vështirësi. Ai do të mbante lidhje të vazhdueshme me drejtues të Ballit Kombëtar në emigracion dhe miq të tjerë, duke dhënë mendimet e tij racionale që vlerësoheshin dhe respektoheshin. Ai ishte i ndjeshëm karshi halleve të jetës që i shfaqeshin, për mallin për familjen me të cilën u nda për gati një gjysëm shekulli  dhe falë karakterit të tij dijti t’i përballonte me sukses me një vullnet shëmbëllor. Korespondenca që kishte shkëmbyer me rreth 100  miq të idealit të tij, është një tregues ku lexohet qartë respekti që bashkëqytetarët e tij ruanin për të.

            Por së fundi kohët ndryshuan dhe ai ishte gjithmonë në rradhën e parë të atyre që e mbështetën me konseguencë demokratizimin e vendit dhe në mënyrë të veçantë të atyre që i kishin hequr mbi supet e tyre tmerret e sistemit gjakatar. Përmbysjen e sistemit komunist në fund të vitit 1990  dhe vendosjen e sistemit perëndimor të demokracisë e përjetoi me një entusiazëm të madh. Tashmë rrugët e kthimit në atdhe ishin të hapura dhe ai nuk mund të priste më tepër.

            Më 2 prill 1992 Saidi kthehet në atdhe. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë. Së bashku me nënën time, që ishte motra e Saidit, qëndronim pranë shkallëve të avionit duke pritur që ai të zbriste.  Së fundi ai u shfaq. Nëna, me lotë në sy thërriste:

            “Said i motrës…Said i motrës…!”

            Me një veshje me rroba të lehta për një udhëtim të gjatë dhe me në kokë një qylaf me shqiponjën dykrenore në ballë, ai qëndroi për një çast me shikimin lart, sikur i falej Zotit, pastaj zbriti shkallët  me hap të sigurtë. Nëna ra në krahët e tij ndërsa ai e shtrëngonte fort në gji motrën e dashur. Ishin çaste prekëse dhe mallëngjyese të cilat nuk mund t’i harroj apo përshkruaj kurrë.Nga sytë e nënës vazhdonin të rridhnin lotë të nxehtë gëzimi, ai vazhdonte ta shtrëngonte në gjirin e tij pa derdhur asnjë pikë loti. Karakteri i një burri të fortë.

            Nuk do t’i harroj kurrë fjalët e para që tha:

            “Motër, i falem të madhit Zot që më dha jetë dhe forcë për këtë ditë.E di se keni hequr tepër për shkakun tim. E di se komunistët më kanë quajtur armik, tradhëtar, kriminel. Kam qenë dhe jam nacionalist. Kurrë nuk kam qenë armik, tradhëtar apo kriminel. I falem Zotit të Madhërishëm që ma plotësoi dëshirën dhe u ktheva përsëri në atdhe për t’iu parë dhe takuar juve. Me këtë qylaf me Shqiponjën dykrenore në ballë jam larguar nga Shqipëria dhe me këtë po kthehem përsëri në atdhe. E kam mbajtur dhe e kam ruajtur  me kujdes për gjithë ato vite që isha në emigracion, kudo që kam qenë, me dëshirën dhe shpresën se një ditë do të kthehesha në atdhe me  këtë në kokë.

            Kishin kaluar 48 vjet.  Saidi, i larguar 24 vjeç, kthehet 72. Motrën, nënën time e la 31 vjeç, e gjeti 79. Mua më la 9 vjeç, më gjeti 57. Kështu me rradhë edhe të tjerët. Së bashku me Saidin u kthyen edhe gjashtë emigrantë të tjerë, të gjithë nga krahina e Vlorës. Për njerin prej tyre, i cili ishte invalid në një karrocë me rrota, Saidi na tha:

            “E kemi sjellë nga Windsori i Kanadasë për t’i plotësuar dëshirën që të qëndronte deri në fund të jetës së tij në atdhe.

            Kur Saidi po kryente formalitete zyrtare në sportelin përkatës, njeri nga ata, një burrë i gjatë, më pyeti se çfarë e kisha dhe kur i tregova se e kisha dajë dhe gruaja që ishte në krahët e tij ishte e motra dhe nëna ime, ai më tha:

            Të jesh krenar për dajën tënd!

            Në sheshin e aeroportit kishin ardhur me dhjetra familjarë, miq dhe shokë.

            Në shtëpinë e tij u pritën vizita për dy javë. Pas përfundimit të tyre filluan takimet dhe aktivitetet  me funksionarë të Partisë së Ballit Kombëtar. E shihje në Tiranë dhe në Durrës, Në Shijak dhe në Kavajë, në Shkodër dhe në Elbasan, në Korçë dhe në çdo qytet të Shqipërisë. Megjithëse, për shkak të moshës, nuk kishte më gjallërinë e dikurshme, por niveli i mendimit politik dhe nacionalist  ishte më progresiv dhe më demokratik, mendime që i kishte përvetësuar nga qëndrimi i gjatë në botën e lirë demokratike  perëndimore për 48 vjet. Tek ai ishin rrënjosur vizionet demokratike dhe aspak ndjenjat hakmarrëse ndaj kundërshtarëve politikë. Ndaj ai deklaronte:

            “Historia t’i shërbejë së sotmes dhe jo hakmarrjes. Për botën e kulturuar dhe demokratike, krimi, terrori dhe hakmarrja nuk janë në filozofinë e tyre. Ata që nuk kanë në shpirt  këto parime,  tregojnë moralin dhe karakterin e tyre anti njerëzor, të cilët historia gjithmonë i ka dënuar  dhe do t’i dënojë.”

            Ndaj në mbyllje të këtij homazhi dua t’iu drejtohem gjithë familjarëve të tij:

            . Mos derdhni lot. Nuk është zakon të derdhen lot për burrat e shquar. Atyre u thurren vargje, u këndohen këngë. Saidi ishte një nga këta burra. Ne humbën njeriun tonë më të mirë.  njeriun tonë për fjalën dhe këshillat e të cilit kishim shumë nevojë. Ne sot i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i Madh i Madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes njeriun tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.

            Qoftë i lehtë dheu që  i  ka rënë përsipër!

Filed Under: ESSE Tagged With: Said Demneri, Zyhdi Ali Turdiu

Shpresa për mjekimin e Talasemisë

May 9, 2019 by dgreca

Ne Foto: Autori i shkrimit Alfred Papuciu me drejtoreshen e CAF, Gina Cioffi/

Federata Ndërkombëtare e Talasemisë (TIF), Organizata Botërore e Shëndetësisë (OMS), « Cooley’s Anemia Foundation » në Nju Jork, si dhe shoqatat e Talasemikëve në botë, duke përfshirë edhe shoqatën e luftës kundër Talasemisë në Shqipëri, përkujtojnë ditën e Talasemisë, kësaj sëmundje me bazë gjenetike, të trashëguar, e cila prek dhjetra mijra fëmijë çdo vit në botë

Nga Alfred Papuçiu /

Në çdo 8 maj, kudo në botën e qytetëruar përkujtohet Dita e luftës kundër Talasemisë, kësaj sëmundjeje të shekullit XX dhe të shekullit XXI që është e përhapur në shumë vende të botës. Në këtë ditë, të gjithë ne kujtojmë me përmallim ata fëmijë, adoleshentë dhe madhorë që ditën të përballojnë sëmundjen vite të tëra në vende të ndryshme të botës. Shembulli i tyre dhe hapat që janë bërë vitet e fundit për diagnostikimin dhe mjekimin e kësaj sëmundjeje gjenetike na japin shpresa se në një ditë të afërt do të arrihet të gjendet një kurë edhe për talasemikët. Si anëtar bashkëpunëtor i Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë (TIF) dhe si shqiptar uroj që të gjithë ne në Shqipëri dhe në diasporë të kujtojmë fjalët e shënjtores sonë Nënë Tereza, e cila me modestinë e saj jepte gjithmonë një mesazh human: “Ajo që bëj unë është një pikë uji në oqean. Por, nëse kjo pikë uji nuk do të ishte atje, uji do të mungonte”. Silueta e saj ngjyrë blu e hapur dhe e bardhë njihej kudo në botë dhe fjalët e saj shpesh jepen si postulatë që krijojnë shpresa për të ardhmen e atyre që vuajnë, që kanë një sëmundje kronike, atyre që nuk kanë shumë të ardhura, por që shpresojne për një të ardhme më të mirë.

Federata Ndërkombëtare e Talasemisë (TIF), Organizata Botërore e Shëndetësisë (OMS), « Cooley’s Anemia Foundation » në Nju Jork, si dhe shoqatat e Talasemikëve në botë, duke përfshirë edhe shoqatën e luftës kundër Talasemisë në Shqipëri, përkujtojnë ditën e Talasemisë, kësaj sëmundje me bazë gjenetike, të trashëguar, e cila prek dhjetra mijra fëmijë çdo vit në botë. Shumë njerëz që jetojnë në pellgun e Mesdheut, në Lindjen e Mesme, në Afrikë,  apo në Azinë Jugore,  kanë « veçorinë » e talasemisë në genin e tyre. Ajo ndodhet në këto rajone sepse ndihmon për të mbrojtur portatorët e saj nga malarja. Kjo shihet rrallë në popullsinë e Europës Veriore. Por për shkak të migracioneve, talasemia haset shpesh herë edhe në SHBA, në Kanada, sidomos këto vitet e fundit. Talasemia haset gjithashtu edhe në popullsi etnike me prejardhje të tjera, prandaj nuk mund ta cilësojmë vetëm si sëmundje mesdhetare.

Beta Talasemia është një nga sëmundjet gjenetike më e përhapur në botë. Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë vlerëson se çdo vit lindin më tepër se 100 000 fëmijë, të prekur nga kjo sëmundje në gjendjen homozigote, në mungesë të mjekimit. Prandaj, në një të ardhme të afërt, mendohet të arrihet një terapi sa më e thjeshtë që të jetë e mundur, efikase dhe e zbatueshme për të gjithë. Pra geni talasemik është i përhapur tek popullsitë në brigjet e Mesdheut, në Korsikë, në Itali, veçanërisht në deltën e lumit Po, në Sardenjë, në Siçili, në Greqi, në Shqipëri, në Kretë, në Francë, në Belgjikë, në Liban, në Siri, në Dubai, Turqi, Qipro. Vatra të tjera egzistojnë në Tailandë, në Laos, në Indi, në Kinë, në Filipine dhe në disa rajone të Afrikës. Ata që kanë më tepër genin e talasemisë) ndodhen në Qipro (14 % e popullsisë), në Sardenjë (10 %) dhe në Azinë Juglindore. Për shkak të migracionit, geni gjendet në të gjitha rajonet e botës,, tek 1,5 % të popullsisë botërore, tek 80 deri 90 milion persona. Në SHBA dhe në Bashkimin Europian vlerësohen 15 000 raste, me 1500 fëmijë që lindin çdo vit me këtë sëmundje. Për krahasim, në Amerikë: 0-3% e popullsisë është e prekur nga një mutacion i genit të talasemisë, në zonën e Mesdheut: 2-18% është e prekur, në Europë: 0-19%   është e prekur, në Azinë e jugut 0-11% është e prekur, në Afrikë 0-12% është e prekur, në Paqësorin perëndimor: 0-13% është e prekur. Para disa kohe isha në një konferencë ndërkombëtare lidhur me talaseminë, dhe pashë me sytë e mi mbi 900 talasemikë nga e gjithë bota, vocërrakë, adoleshentë, talasemikë burra dhe gra, të martuar dhe me fëmijë, gjë që nuk mund të konceptohej 20 vite më parë, kur talasemia ishte akoma një sëmundje vdekjeprurëse, ndërsa aktualisht ajo është një sëmundje kronike, që kurohet mirë, me transfuzione dhe eliminues te hekurit (që fatkeqësisht, si pasojë e genit defektoz, grumbullohet në trupin e njeriut).

Në Shqipëri, në bazë të disa studimeve të pjeshme të bëra vite më parë nga departamenti i Pediatrisë janë gjetur rreth 7.1 për qind e popullsisë si portatorë të Mikrocitemisë, genit të Talasemisë. Termi Talasemia vjen nga greqishtja (thalassa (“det”) and -emia (“gjak”) dhe tregon se është një sëmundje karakteristike për zonat bregdetare, tipike për pellgun e Detit Mesdhe. Në Shqipëri ka rreth 300,000 bartës të Hemoglobinopative  (duhet të jenë më shumë, për faktin se vazhdimisht zbulohen raste të reja dhe duke ekzaminuar dhe pjesëtarë të tjerë të familjes që nuk kanë shqetësimë, zbulohen dhe shumë të tjerë). Shpërndarja e bartësve është heterogjene dhe frekuenca më e lartë takohet në zonat e Ultësirës Perendimore: Fieri, Lushnja, Vlora, Saranda, Berati, Kavaja, Shijaku, por dhe në Korçë, Tiranë, Dibër. Qindra qytetarë të Tiranës dhe të Shqipërise i janë përgjigjur thirrjes së Kryqit të Kuq Shqiptar për të dhuruar gjak për mbi 500 fëmijët shqiptarë me hemoglobinopati, ku perfshihen talasemia major, drepanocitoza, talaso/drepanocitoza. Janë tre qendra ekzistuese ku bëhet transfuzioni i masës eritrocitare, e përgatitur për çdo pacient, sipas grupit dhe strukturës se tij, me filter leukocitar. Aleanca për dhurimin e gjakut, nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir META lindi si nevojë për të sensibilizuar e ndërgjegjësuar shoqërinë tonë për nevojën e dhurimit vullnetar të gjakut, për të ngritur solidaritetin për të dhuruar gjak për ata që kanë nevojë e sidomos pacientët talasemikë e për të nxitur vullnetarizmin, sepse dhurimi vullnetar i gjakut mbetet ende një sfidë për ne.

Gjithkush duhet të ketë parasysh se tashmë po punohet shumë në disa drejtime: Puna kërkimore është përqëndruar sidomos në gjetjen e indeve që mund të rrisin prodhimin e hemoglobinës në rruazat e kuqe; Të gjenden ilaçe të reja, sidomos ato që mund të jenë më efikase dhe që merren nga goja;  Transplantimi i palcës së kockës apo i qelizave bazë; Terapia gjenike për të zëvëndësuar genet e Talasemisë me gene normale. Mesazhet lidhur me mjekimin klinik të talasemisë janë të shumta dhe premtuese. Shkencëtarët punojnë në këtë drejtim, por realizimet e tyre do të varen edhe nga pranimi i një mjekimi klinik të përshtatshëm nga ana e vetë pacientëve talasemikë, për të arritur pastaj tek mundësia e një kurimi më të efektshëm.

Në këtë ditë përkujtimore nuk mund të le pa përmendur punën e përkushtuar të hematologëve shqiptarë, laborantëve, personelit mjekësor në përgjithësi, që kanë përballuar dhe u kanë dhënë zgjidhje bashkëkohore problemeve që lidhen me diagnostikimin dhe mjekimin e talasemisë. Nuk mund të rrijmë pa kujtuar me respekt të veçantë Profesor Selaudin Bekteshin. Për dekada të tëra ka drejtuar, fillimisht shërbimin e pediatrisë në spitalin e Tiranës. Ishte profesor Selaudin Bekteshi që themeloi hematologjinë në vendin tonë, ishte ai që gjithë jetën kuroi mijra fëmijë që sot janë rritur e jetojnë, apo kanë krijuar familje; ishte ai që futi në rrugën e hematologjisë, mjekun e shquar, Profesor Enis Boletini që ka qënë nga të parët që përdori diagnozën prenatale. Janë bërë hapa edhe nga Ministria e Shëndetesisë në Shqipëri, si dhe nga mjekët tanë të talentuar hematologë, dhe të fushave të tjera që merren me talasemikët, jo vetem të brezit të kaluar të të ndjerit profesor Selaudin Bekteshi, të ndjerët prof. Enis Boletini, dr Afërdita Gusho, prof. Aleko Vesho, por edhe të mjekëve të tanishëm, prof. Eleni Anastasi, prof. Anila Godo, dr. Albert Zhuzhuni, Dr Pali Xhumari,  Prof. Sulçebe, dr. Vangjelo Grillo (megjithese ishte në Spitalin e Fëmijëve në një pavijon tjetër dhe jo të hematologjisë), zonja Dhoni Adhami, laborante, e urtë dhe tepër e aftë për profesionin e saj, që ndiqte fëmijët talasemikë në Pediatrinë e Tiranës, e shumë të tjerë. Tanimë ka edhe mjekë që i përkasin brezit te ri që janë formuar tek ne ose jashtë shtetit. Të më falin ata mjekë të përkushtuar që për mungesë vendi, nuk i përmend dot të gjithë, por ata gëzojnë respektin e pacientëve dhe prindërve te tyre. Kujtoj edhe të gjithë ata miq e dashamirës të shëndetësisë shqiptare, që sëbashku kishin bërë të mundur ardhjen e centrifugës së parë nga Gjermania, në ato vitet 80-të…Shpreh mirënjohjen e thellë për ata shqiptarë që kanë dhe kanë pasur shpirtin human, jo si « qoftëlargët » që pengonin dhe pengojnë ecjen e shoqërisë përpara, e deri diku edhe të shkencës, kulturës dhe teknikës shqiptare… Flas me admirim për Shoqatën e Luftës kundër Talasemisë në Shqipëri dhe kryetarin e saj, zotin Musa Zenelaj, dhe Fondacionin e Fëmijëve Shqiptarë, të kryesuar nga Dr. Liri Berisha që bëjnë shumë, bashkë me mjekët shqiptarë për t’u dhënë buzëqeshje dhe shpresa për të ardhmen, atyre mijra fëmijëve të mirë, të urtë shqiptarë që jo për faj të prindërve, por për arsye gjenetike, kanë trashëguar sëmundjen e Talasemisë. Kësaj sëmundjeje që nëse në vitet 80-të ishte vdekjeprurëse, tanimë me krijimin e kushteve për transfuzione të rregullta, me një terapi për eliminimin e hekurit, si dhe me parandalimin e problemeve kardiake, hepatike, diabetit dhe komplikacioneve endokrinologjike, është kthyer në një sëmundje që kurohet mirë, jetëgjatësia e të prekurve nga kjo sëmundje është rritur dhe në bazë të të dhënave shkencore, mendohet që pas pak vitesh, të arrihet një kurë. Pra idealja do të jetë terapia gjenike, shpresa më e madhe e këtij shekulli jo vetëm për këtë sëmundje që prek sidomos zonat mesdhetare, por edhe për sëmundje të tjera në botë.

Në shënimet e mija kam shënuar në anglisht edhe fjalët e zotit Panos Englezios, President i Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë (TIF), i cili më shkruante pak kohë më parë :“We were extremely pleased to learn the Albanian Ministry of Health, the health professionals involved in the treatment of patients with thalassaemia and the Albanian national Anti-Thalassaemic Association are now working closely together towards implementing further improvements regarding prevention and treatment protocols for Thalassaemia in Albania.  This is extremely encouraging and soul-satisfying”. Ja u dhashë versionin në anglisht, për të mos bërë edhe unë ndonjë lapsus në përkthimin në shqip të fjalëve të Presidentit të nderuar të TIF: “Jemi shumë të kënaqur kur lexojmë se Ministria Shqiptare e Shëndetësisë, profesionistët e shëndetësisë që merren me mjekimin e pacientëve me talasemi dhe Shoqata kombëtare e Luftës kundër Talasemisë, po punojnë tani ngushtë për të vendosur vlerësime të mëtejshme lidhur me protokollet e parandalimit për Talaseminë në Shqipëri”. Zoti Panos Englezios, një biznesmen i suksesshëm, i respektuar, që megjithëse para disa vitesh humbi djalin e tij, Zhorzh (Georges), vetëm 27 vjeç, vazhdon luftën e tij kundër talasemisë, duke ndihmuar me përvojen e tij, por edhe duke organizuar konferenca ndërkombëtare në vende të ndryshme të botës. Në një mesazh të fundit, drejtuar edhe talasemikëve, personelit shëndetësor, përfshirë dhe shqiptarë,  Panos Englezos ndër të tjera shprehet: “Vetëm duke punuar sëbashku, duke qënë partnerë në përpjekje, ne mund të arrijmë qëllimin e përbashkët: cilësinë më të mirë të mundëshme të kujdesit për çdo pacient me talasemi, kudo që të ndodhet dhe të jetojë ai në botë”.

Sot në  8 Maj mora një  mesazh të ngrohtë urimi nga Drejtoresha Ekzekutive e TIF lidhur me nismën e Presidentit Ilir Meta për aleancën për dhurimin e gjakut për Talasemikët. Ajo më shkruan:

Dear Mr Alfred Papuçiu,

Thank you for your note and many congratulations for this initiative.

Kind regards

Dr Androulla Eleftheriou

BSC, MSc, PhD

Executive Director, Thalassaemia International Federation

Member of the Board of Directors of the International Alliance for Patient Organizations (IAPO)

Federata Ndërkombëtare e Talasemisë që e ka selinë në Nikozi të Qipros bën një punë të lavdërueshme lidhur me diagnostikimin dhe përhapjen e të rejave për Talaseminë që ato të shkojnë jo vetëm në qendrat kryesore të mjekimit, por edhe në fshatra e vende ku nuk ka akoma qendra të specializuara. Në këtë Federatë bëjnë pjesë 91 vende, me shoqatat e tyre të Talasemisë, shkencëtarë dhe anëtarë individualë, mjekë nga Europa e në botë, duke përfshirë edhe nga Shqipëria. Ajo organizon seminare dhe ka një program të gjerë edukimi mjekësor që fillon nga konsultat gjenetike dhe diagnoza prenatale që mund t’u japin familjeve njoftime të plota mjekësore për t’i ndihmuar që t’i kenë fëmijët me shëndet të plotë. Gjithashtu ajo jep herë pas here njoftime të vlefshme lidhur me trajtimin klinik të përshtatshëm për Talaseminë, në të gjitha format e saj. Ekspertë të saj kanë qënë në Shqipëri. Në shqip janë botuar disa libra të saj, ndër të tjera edhe libri “Mbi Talaseminë,” i shkruar nga drejtoresha  e TIF, Dr. Androulla Eleftheriou, i cili është një udhërrëfyes i çmuar për pacientët talasemikë, si dhe për personelin mjekësor. Në këto organizma me prestigj, si TIF dhe « Cooley’s Anemia Foundation »  me staf të kufizuar, ka vullnetarë të shumtë, shkencëtare dhe anëtarë individualë, mjekë në SHBA, Kanada, Europë dhe në botë, duke përfshirë edhe nga Shqipëria. Ato organizojnë seminare dhe kanë një program të gjërë edukimi mjekësor që fillon nga konsultat gjenetike dhe diagnoza prenatale që mund t’u japin familjeve njoftime të plota mjekësore për t’i ndihmuar që t’i kenë femijët në shëndet të plotë. Kur të dy prindërit janë me talasemi minor ose mbartës të talasemisë, kanë 25% mundësi për të lindur fëmijë me talasemi major. Për të zbuluar nëse je apo jo mbartës i talasemisë, mjafton një analizë e thjeshtë gjaku që quhet elektroforeza e hemoglobinës. Kështu, çiftet që kanë origjinën nga zonat që kanë përqindje të lartë të prekjes nga talasemia, duhet patjetër të bëjnë këtë analizë përpara se të vendosin për të lindur një fëmijë. Në rast se vetëm njëri nga çifti është mbartës, nuk ka asnjë rrezik.

Pas Konferencës së Limasolit në Qipro me titull : « Përparime në diagnostikimin dhe trajtimin e Talasemisë », organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Talasemisë, janë organizuar disa konferenca ndërkombëtare për Talaseminë, në Dubai, Singapur, Nju Deli të Indisë, SHBA, Antalia, Athinë etj. Kushdo qe ka ndjekur këto 30 vitet e fundit ecurinë në mjekimin e talasemisë vëren me bindje se e ardhmja do jetë shumë më e mirë. Kalimi nga trajtimi fillestar në atë bashkëkohor: transfuzione ose hipertransfuzione, shoqëruar me eliminues të hekurit, Desferal, L 1, Ferriprox dhe EXJADE ose JADENU të Novartis, multinacionale farmaceutike me bazë në Bazel të Zvicrës, do të krijojë mundësinë e realizimit me sukses të transplantimeve të palcës së kockës, realizimit të terapisë me anën e kordonit ombelikal, si dhe terapive të tjera bashkëkohore. Mund t’u përmënd ish kampionin botëror të tenisit, amerikanin Peter Sampras, i cili ka talaseminë, por ka edhe një ecuri të shkëlqyer të jetës së tij. Kam lexuar shumë artikuj për të, të një njeriu fisnik dhe plot me kurajo. Një shembull i gjallë për ata që vuajnë nga kjo sëmundje gjenetike, por që ndjekin një jetë normale në sajë të mjekimit efikas.

Para disa kohe pata fatin, siç mund ta kishte edhe ndonjë bashkëatdhetar i imi, të takoj drejtoreshën kombëtare të “Cooley’s Anemia Foundation” në Nju Jork. Xhina Cioffi është një grua e thjeshtë, e matur, me tepër përvojë në fushën e talasemisë. Ajo më theksoi: « Kërkimet për terapinë gjenike po vazhdojnë me hapa të shpejta në SHBA, si mundësi për arritjen e një kure për sëmundje të shumta”.”Te drejtosh sëmundjen vetjake, kjo gjë mësohet”, më shprehet miku fisnik i shqiptarëve, prof. Jean-Philippe Assal. Ai vazhdon: “Duhet mësuar pacienti që vuan nga një sëmundje kronike që të drejtojë sëmundjen e vet, të ndihmohet që të jetojë sa më mirë duke e patur atë ». Si krijues në Europë i të parës njësi të mjekimit dhe mësimit për diabetin, ai pastaj u bë pionier i arsimit terapeutik. Drejtor i një qendre bashkëpunimi të OMS-it, ai jep ndihmesën e tij me përvojën e madhe, dhe të Fondacionit të krijuar prej tij, “Fondation Recherche et Formation pour l’Enseignement du Malade” në Gjenevë. Botimi i tij udhërrëfyes “Edukimi terapeutik i pacientëve me sëmundje kronike” është përkthyer në shqip.

Një i sëmurë që di të drejtojë mjekimin e vet shmang komplikimet, përmirëson cilësinë e jetës së vet dhe ka kënaqësinë të jetë më pak i varur nga mjekët, duke e ditur se e ka sëmundjen.  Federata Ndërkombëtare e Talasemisë është shumë e interesuar për gjetjen e rrugëve sa më efikase për të ndihmuar edhe Shqipërine lidhur me diagnostimin e sëmundjes tek pacientët e mundshëm dhe për mjekimin klinik sa më bashkëkohor jo vetëm në zonat e qytetit, por kudo ku kjo sëmundje e shekullit shfaqet, në format e saj minore apo majore.

Diaspora shqiptare, si edhe nje fondacion prestigjioz kanë filluar hapat e tyre për të ndihmuar futjen e teknikës bashkëkohore edhe në ato zona të Shqipërisë ku akoma nuk janë mjetet e domosdoshme për depistimin e sëmundjes, si edhe të mjekimit klinik të përshtatshëm për fëmijët dhe të rriturit. Kardiologu me famë botërore, Prof. A. Kalangos dërgoi para disa kohësh 15 TV dhe 15 DVD për spitalet në Shqipëri, ku trajtohen pacientët talasemikë. Janë përkthyer edhe libra të autorëve me zë si Prof. Alain Golay, Prof. Jean-Philippe Assal, të TIF etj. Hapat e reja që janë bërë në luftën kundër kësaj sëmundjeje gjenetike që janë transmetuar edhe kohët e fundit edhe në Shqipëri, nëpërmjet shkëmbimeve të frytshme me TIF, me Italinë, Greqinë, Francën, Turqine, Qipron dhe vende të tjera të Europës, por edhe gjetiu, me pjesëmarrjen në seminare, kurse formuese, të mjekëve tanë të përkushtuar hematologë, por edhe kardiologë, endokrinologë, apo edhe të personelit tonë kurues në përgjithësi, që lidhen me këtë sëmundje, kanë bërë që të na nxisin të ndërmarrin edhe ne në diasporë, një nismë modeste: një projekt për talasemikët, sidomos në zonat e fshatit në Jug dhe Shqipërinë e Mesme, si dhe ta zgjerojmë edhe në Kosovë e vise. Dr. Androulla Eleftheriou më ka theksuar se Federata Ndërkombëtare e Talasemisë është e interesuar të përfshijë një kapitull lidhur me pacientët me hemoglobinopati kronike, si Talasemia, në librin « Shpresa për të ardhmen » që po përgatis me ndihmesën e madhe të profesorëve të shquar botërorë Jean-Philippe Assal (Zvicër) ; Alan Cohen dhe Xhejms Humbert (SHBA) ; Bernadette Modell (Angli) ; Robert Girot (Francë) ; Fotis Beris (Zvicër) e shumë të tjerë që më kanë dhënë mendimet e tyre të vyera lidhur me mjekimin klinik të Talasemisë dhe hapat e realizuara gjatë këtyre viteve të fundit. Me këtë rast, nëpërmjet gazetës, do të dëshiroja të sillja një mesazh human : Le te shpresojmë se edhe biznesmenët shqiptarë, si edhe qytetarët në Shqipëri dhe diasporë, nëpërmjet këtij mesazhi do të japin ndihmesën e tyre për Shoqatën e Talasemikëve, për Fondacionin e Fëmijëve Shqiptarë . Cdo ndihmë qoftë edhe modeste e bashkëatdhetarëve tanë, kudo që janë, me të holla, me pajisje, me mundësi të ndryshme për talasemikët në Shqipëri, do të mirëpritej nga ana e tyre.

*Anëtar Bashkëpunëtor i Federatës Ndërkombëtare të Talasemisë (TIF)

Bashkëpunëtor i “Fondation Recherche et Formation pour l’Enseignement du Malade” në Gjenevë

Mediator kulturor

Filed Under: Sociale Tagged With: Alfred Papuciu-Talasemia-Shpresa

KUR VIKTIMAT RRËFEJNË HISTORITË E TYRE, STRESOHEN SHKAKTARËT E KRIMEVE

May 9, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë/

“Kur viktimat rrëfejnë historitë e tyre, stresohen shkaktarët e krimeve”, ka thënë disa ditë më parë, Dr. Jörg Lüer drejtor i Komisionit Gjerman “Justitia et Pax” – “Drejtësi dhe Paqe”, si edhe zëvendës drejtor i Fondacionit gjerman “Maximilian Kolbe”, në një intervistë për radion gjermane “Deutsche Welle”. Dr. Lüer flet në intervistën e tij mbi mungesën e ndjekjeve penale për krimet e komunizmit në Shqipëri, ndërkohë që Shqipëria është përfshirë me një valë debatesh dhe një gjuhë denigruese mbi të shkuarën komuniste dhe me (mos)përballimin e shoqërisë shqiptare me atë të kaluar, 30-vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar. “Duhet të kuptojmë”, është shprehur Dr. Jörg Lüer, “se ka viktima, ka fajtorë, kundrues, ka deformime të shumëllojta të personave e të personaliteteve për shkak të përvojës së dhunës. Shkaktarët përpiqen, si rregull nga ana politike në pozicion më të mirë, siç mund ta shohim shpesh, të hedhin pas historinë e të mos ballafaqohen me të. Viktimat, sigurisht janë të lidhura me këtë histori, ajo është një prerje jashtëzakonisht e thellë në jetën e tyre. E kur viktimat fillojnë të artikulojnë historinë që u ka ndodhur, e dimë se kjo u sjell stres autorëve të krimeve e familjeve të tyre”, ka thënë ai.

Shqipëria është plot e përplot me autorë krimesh të periudhës së komunizmit, disa, madje ende shërbejnë në detyra të larta shtetërore, përfshirë parlamentin. Shumë janë larguar nga vendi dhe ashtu të pa penduar vazhdojnë luftën ende kundër viktimave të tyre. Përveç gazetarëve dhe opinionistëve, në këtë debat dallohen edhe profesorë dhe historianë enveristë, madje edhe anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë – apologjetët e një regjimi kriminal – të cilët ende mbrojnë regjimin komunist. Nga pozitat e tyre gjithnjë të larta në shoqëri, me rroga nga taksapaguesit shqiptarë, përfshirë ish-të përndjekurit e regjimit komunist, arsyetojnë krimet e atij regjimi, nepërmjet shkrimeve dhe deklaratave të tyre publike. Kjo është e drejtë e tyre në një shoqëri demokratike që lejon ushtrimin e fjalës së lirë – ndryshe nga regjimi komunist që ata gjithnjë mbrojnë me çdo mjet në arsenalin e tyre të pa moralshëm.

Ajo që nuk i falet politikës dhe shoqërisë shqiptare – një vendi anëtar i NATO-s dhe që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian, është fakti se këta mbështetës të diktaturës komuniste, sot japin mësim nëpër universitete duke edukuar, ose më mirë të themi, duke helmuar brezin e ri post-komunist të shqiptarëve në këtë frymë dhe ideologji komuniste. Ndërkohë që apologjetët e komunizmit, njëherazi edhe anëtarë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, vazhdojnë edhe në “demokraci”, të bëjnë ende ligjet e vendit.

Ndërkohë që në Shqipëri zhvillohet ky debat i pabesueshëm dhe i pakuptueshëm në çerekun e parë të shekullit 21 – në të vërtetë është më shumë një kacafytje – në një vend që aspiron antarësimin në Bashkimin Evropian, ndërkohë që autorët e krimeve të komunizmit ose mbështetsit e tyre, u vërsulen sot viktimave të tyre të pafajshme, 30-vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar. Është kjo një dukuri e paparë në ndonjë vend tjetër ish-komunist të Evropës. Kjo ndodhë vetëm në botën shqiptare!

Në të vërtetë, në Evropën normale post-komuniste, anëtare të Bashkimit Evropian – ndryshe nga Shqipëria anormale që nuk kujton zyrtarisht data të tilla as krimet e komunizmit – organet dhe entet zyrtare dhe jo zyrtare evropiane -– shënuan, javën e kaluar, 10-vjetorin e miratimit nga ana e Parlamentit Evropian, të rezolutës së miratuar (më 2 prill 2009) mbi, “Ndërgjegjen Evropiane dhe Totalitarizmin” (The anniversary of the European Parliament resolution on “European Conscience and Totalitarianism”).

Në njoftimin për media me rastin e 10-vjetorit të rezolutës mbi “Ndërgjegjen Evropiane dhe Totalitarizmin”, botuar më 2 Prill, 2019, në portalin më sipër, thuhet se në atë rezolutë bëhet thirrje për themelimin e një Platforme të Memories dhe Ndërgjegjes Evropiane, në mbështetje të lidhjeve dhe bashkëpunimit midis institucioneve të ndryshme kombëtare, të specializuara në historinë e totalitarizmit, si dhe për krijimin e një qendre pan-evropiane dokumentacioni për viktimat e të gjitha regjimeve totalitare.

“Detyra jonë ndaj viktimave është që të vazhdojmë punën për të kujtuar e dokumentuar krimet e të gjitha regjimeve totalitare dhe të nderojmë të gjithë ata që i kanë kundërshtuar ato regjime. Këto përpjekje janë të përqendruara në të kaluarën, por janë jetike, si për të tashmen ashtu edhe për të ardhmen. Në qoftë se dështojmë të ruajmë dhe të kujtojmë këtë trashëgimi të dhimbshme evropiane, atëherë ne rrezikojmë që të përballemi përsëri me barbarizma të tilla”, është shprehur Dr. Lukasz Kaminski, Presidenti i Platformës së Memories dhe Ndërgjegjes Evropiane, në njoftimin për media, botuar javën që kaloi.

Sa për dijeni, të atyre që mendojnë se në emër të tyre personal ose të partisë që ata përfaqësojnë duan të na paraqesin si “zyrtar” versionin e tyre të historisë së komunizmit, si të vetmen të vërtetë historike të regjimit komunist të Enver Hoxhës, sikur ata kanë monopolin mbi të vërtetën e kësaj historie, Evropa thotë se askush nuk ka monopol mbi të vërtetat historike të asaj periudhe tragjike për Evropën. Ndërsa apologjetët shqiptarë të regjimit enverist, vazhdojnë të mbrojnë tezat e tyre: O me ne ose kundër nesh!

Ndoshta ia vlen, që në këtë 10-vjetor të kësaj rezolute evropiane të kujtojmë disa nga pikat kryesore, për të cilat janë angazhuar vendet që kanë nënshkruar këtë rezolutë. Platforma e Memories dhe Ndërgjegjes Evropiane, thotë se, “Asnjë ent ose parti politike nuk ka monopol mbi interpretimin e historisë, sepse ente ose parti të tilla nuk mund të pretendojnë të jenë objektive”. Për më tepër, vazhdon rezoluta, “Interpretimet zyrtare politike të fakteve historike nuk mund të imponohen nga vendimet e një shumice në parlament”. Sipas rezolutës, “Objektivi themelor i procesit të integrimit evropian është për të siguruar respektin për të drejtat bazë të njeriut dhe për rendin ligjor në të ardhmen”, anë e mbanë kontinentit evropian, ndërsa i konsideron, “Keq-interpretimet e historisë janë shkaktare të politikave përçarëse, të cilat, si rrjedhim nxitin urrejtje dhe racizëm”, thuhet në rezolutën evropiane të vitit 2009.

Rezoluta e Platformës së Memories dhe Ndërgjegjes Evropiane bën thirrje, “Për të kujtuar të shkuarën tragjike evropiane, me qëllim që të nderohen viktimat, të dënohen autorët e krimeve, të bëhen përgatitjet e nevojshme për një pajtim, bazuar në të vërtetën dhe në kujtesën.” Rezoluta thekson gjithashtu se, “Është e rëndësishme që të kujtojmë të gjithë ata që aktivisht kundërshtuan regjimet totalitare, e që duhet të zënë vendin e tyre në kujtesën dhe ndërgjegjen evropiane, si heronj të periudhës totalitare, për dedikimin, besimin, nderin, guximin dhe idealet e tyre”. Në rezolutë shprehet bindja se, “Objektivi përfundimtar i hapjes së dosjeve dhe i pranimit të krimeve të kryera nga regjimet totalitare komuniste është pajtimi, i cili mund të arrihet duke pranuar përgjegjësinë, duke kërkuar falje (nga shkaktarët e krimeve) dhe duke rivendosur një rend të ri moral”, thekson ndër të tjera, rezoluta e Platformës së Memories dhe Ndërgjegjes Evropiane.

Unë kam shprehur vazhdimisht mendimin tim se nuk do të ketë integrim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, në qoftë se shqiptarët nuk ndajnë të njëjtat vlera të historisë së vet me evropianët, pikërisht siç është vlerësimi i paanshëm dhe objektiv i krimeve të komunizmit dhe përballimi me të shkuarën komuniste, ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore. Siç ka thënë edhe poetja e njohur amerikane, Maja Angjellu: “Historia, pavarësisht plagëve të dhimbshme, nuk mund të zhbëhet. Por, nëse përballet me guxim, nuk ka nevojë të përsëritet më”.

Për më tepër, ashtu siç jam shprehur shpeshherë më përpara, sidomos duke marrë parasysh debatet e fundit në Shqipëri mbi këtë çështje – fatkeqësisht sot jam më i bindur se kurrë, se nuk do të ketë as paqe dhe as bashkim midis shqiptarëve, në qoftë se në radhët e tyre nuk ka një përballim të sinqertë me të shkuarën komuniste. Sidomos – për derisa midis tyre nuk ekziston një pikëpamje e përbashkët, ose të pakën, një përafrim pikëpamjesh rreth të shkuarës komuniste si një trashëgimi e të gjithëve, gjë që nevojit dhe meriton, jo kacafytje, por një debat të hapur, jo nga ideologë të partisë, por nga njerëz kompetentë dhe objektiv e të paanshëm – midis shqiptarëve nuk do të ketë as pajtim kombëtar. Por, “Para pajtimit duhet të flitet më parë për mospajtimin dhe lëndimet”, ka thënë para disa ditësh në intervistën me “Deutsche Welle”, Dr. Jörg Lüer, drejtor i Komisionit Gjerman “Justitia et Pax” – “Drejtësi dhe Paqe”, si edhe zëvendësdrejtor i Fondacionit gjerman “Maximilian Kolbe”.

Kjo, fatkeqësisht, nuk ka ndodhur ende në Shqipëri. Nga ky këndvështrim, Shqipëria është shumë larg Evropës dhe në nuk përfill rezolutat evropiane në kujtim të viktimave të komunizmit dhe totalitarizmit në përgjithësi. E megjithatë, të gjithëve, Gëzuar 9 Maji, Dita e Evropës!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli- Viktimat-Rrefejne Historine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT