• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2019

MEDIA PËR DEMOKRACINË

May 2, 2019 by dgreca

GAZETARIA DHE ZGJEDHJET NË  KOHËRA TË PËRHAPJES SË INFORMACIONIT FALS/

Me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit./

Nga Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë/

Kjo është tema e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit sivjet që shënohet me 3 maj. Çdo vit, anë e mbanë botës, kjo ditë i kushtohet lirisë së shtypit dhe parimeve bazë të saj. Është një ditë e shpallur si e tillë, në mbështetje të lirisë së shtypit nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), në vitin 1993. OKB-ja ka mandatuar organizatën UNESCO që kjo datë të shënohet çdo vit, për t’i kujtuar mbarë botës se liria e shtypit është e pazëvendësueshme për demokracinë, dhe për respektimin e të drejtave themelore të njeriut, pa dallim. Si një ent i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, organizata UNESCO, ka si mision të saj të veçantë, “Promovimin e përhapjes së lirisë së fjalës dhe ideve, nëpërmjet fjalës së shkruar dhe imazheve, në mbështetje të medias së pavarur dhe të sigurisë fizike dhe profesionale të gazetarëve.”

Kjo ditë shërben gjithashtu si një rast për të informuar qytetarët mbi shkeljet e lirisë së shtypit – duke u kujtuar atyre se në shumë vende të botës censurohen botimet, gjobiten dhe mbyllen gazetat e revistat, ndërkohë që gazetarët, redaktorët dhe botuesit e tyre sulmohen, kërcënohen, burgosen e madje edhe vriten, si përfundim i profesionit të tyre. Qëllimi i kësaj dite botërore, në mbrojtje të lirisë së shtypit, është edhe për të inkurajuar nisma të reja në mbështetje të lirisë së medias dhe në përgjithësi për të vlerësuar gjëndjen e lirisë së shtypit në botë.

3 Maji, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe UNESCO-s, shërben gjithashtu si një kujtesë për qeveritë e ndryshme, që të respektojnë lirinë e shtypit, duke zbatuar angazhimet e tyre që kanë marrë përsipër, ndaj lirisë së medias në vendet e tyre, bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare që ato kanë nënshkruar. Por, kjo datë është gjithashtu edhe një ditë reflektimi edhe për vetë gazetarët dhe profesionistë të tjerë të kësaj fushe, mbi çështje të lirisë së shtypit, me të cilat përballen në kryerjen e detyrës së tyre, përfshirë ushtrimin e etikës profesionale të gazetarëve.

Dita Botërore këtë vit do të shënohet, përveç të tjerash, edhe me një konferencë ndërkombëtare që po mbahet në Adis Abeba të Etiopisë, e që do të përqëndrohet në rolin e medias në zhvillimin e lirë të zgjedhjeve dhe rolit të saj në mbështetje të demokracisë në përgjithësi. Përveç kësaj konference ndërkombëtare, në këtë ditë do organizohen anë e mbanë botës edhe programe të ndryshme kombëtare dhe rajonale, për të theksuar rëndësinë e lirisë së shtypit dhe zbatimit të parimeve bazë të ushtrimit të fjalës së lirë për të gjithë. Njëkohësisht, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është edhe një rast për të vlerësuar gjendjen e lirisë së shtypit anë e mbanë botës, për të mbrojtur median në përgjithësi nga sulmet ndaj pavarësisë së saj nga qeveritë autoritare dhe grupe të tjera, në bashkëpunim me qeveritë, dhe për të kujtuar sakrificën dhe për të nderuar gazetarët, të cilët kanë humbur jetën në krye të detyrës.

Themelorja e mandatit dhënë UNESCO-s nga Organizata e Kombeve të Bashkuara është mbështetja ndaj lirisë së shtypit dhe lirisë së fjalës, duke besuar se këto liri – si pjesë e lirive bazë të njeriut — ashtu si dhe pavarësia dhe pluralizmi në fushën e medias, janë thelbi i demokracisë së vërtetë, i mirëkuptimit të përbashkët dhe i sigurimit të paqes, në shoqëri dhe në botë.

Në mesazhin e tij me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, për vitin 2019, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Z. Antonio Guterres u shpreh se, “Liria e shtypit është jetike për paqen, drejtësinë, për zhvillimin e vazhdueshëm demokratik dhe ekonomik, si dhe për mbrojtjen e të drejtave bazë të njeriut. Asnjë demokraci nuk është e plotë” shtoi ai, “nëqoftëse nuk ka informacion transparent dhe të besueshëm. Informacioni i lirë, objektiv dhe i paanshëm, “Është gurthemeli për ndërtimin e institucioneve të pavarura dhe mjeti për të mbajtur udhëheqësit qeveritarë, përgjegjës për veprimet os mos veprimet e tyre”, ka thënë ai në mesazhin e tij, duke theksuar më tej se, “Kjo është e vërtetë, veçanërisht, gjatë fushatave zgjedhore” që sivjet është edhe fokusi i Ditës Botërore të Lirisë së shtypit, nënvijoi kryetari i OKB-së. “Faktet dhe jo gënjeshtrat duhet të udhëheqin votuesit kur zgjedhin përfaqësuesit e tyre…”, theksoi Z. Guterres, ndërsa shprehu shqetësimin e tij të thellë, në lidhje me sulmet dhe dhunën që ushtrohet ndaj gazetarëve, anë e mbanë botës. Sipas UNESCO-s, tha udhëheqësi i OKB-së, pothuajse 100 gazetarë janë vrarë gjatë vitit 2018 dhe me qindra të tjerë janë burgosur, ndërsa nga viti 1994 e deri më 2018 janë vrarë gjithsejt 1307 gazetarë. Kur përfaqësuesit e medias bëhen objekt i dhunës, atëherë shoqëritë në përgjithësi e pësojnë rëndë nga sulmet që i bëhen lirisë së fjalës, përfundoi ai mesazhin e tij, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.

Antonio Guterres

Audrey Azoulay

Ndërsa Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s Audrey Azoulay në mesazhin e saj me këtë rast e cilësoi lirinë e shtypit si gurthemelin e shoqërive demokratike. “Të gjitha shtetet, të gjitha kombet fuqizohen nga përhapja e lirë e informacionit, nga debati dhe shkëmbimi i lirë i opinioneve. Në një kohë mosbesimi dhe përpjekjesh për të sulmuar shtypin dhe gazetarinë, është e domosdoshme që të garantojmë shprehjen e lirë të mendimeve, nepërmjet shkëmbimit të lirë të ideve dhe informacionit, bazuar në të vërtetat”, është shprehur zyrtarja e lartë e UNESCO-s, në mesazhin që shpërndau në emër të entit që ajo udhëheq.

Në këtë Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit, unë dua të kujtoj njërin prej dekanëve më të njohur të gazetarisë amerikane, të ndjerin Edward R. Murrow, një gazetar me integritet dhe influencë, i njohur jo vetëm në Amerikë, por anë e mbanë botës, si mbrojtës i fakteve dhe i të vërtetës në ushtrimin e gazetarisë. Për një kohë, ai ka kryesuar Entin Amerikan të Informacionit, (USIA) pjesë e të cilit ishte edhe Zëri i Amerikës (VOA), ku kam pasur nderin dhe privilegjin të punoja për 30 vjet. Fjalët dhe shkrimet e tija i konsideronim si udhëzuese dhe frymëzuese në punën tonë të përditshme: “Tradita amerikane dhe etika amerikane kërkojnë prej nesh që të jemi të drejtë dhe të themi të vërtetën. Por, arsyeja më kryesore për këtë është se e vërteta është propaganda më e mirë dhe gënjeshtrat janë propaganda më e keqe”, është shprehur ai. “Që të bindim të tjerët, ne duhet të jemi të besueshëm, e po të duam të jemi të besueshëm, atëherë duhet të themi e të shkruajmë të vërtetën”, ka thënë Edward Murrow, i cili gjithmonë insistonte se platforma e gazetarisë duhej të ishte, pa përjashtim dhe në të gjitha rrethanat, objektive dhe e paanshme.

Në mesashin e saj, Drejtoresha e UNESCO-s Audrey Azoulay, u bëri thirrje shteteve anëtare të organizatës që ajo kryeson si dhe shoqërisë civile dhe organizatave profesionale të medias, anë e mbanë botës, që të festojnë lirinë e shtypit dhe të drejtën për të qenë të mirë-informuar, pasi sipas saj, liria e shtypit dhe e vërteta e informacionit, janë jetike për zhvillimin normal të çdo shoqërie demokratike.

“Ne nuk mund të trillojmë lajme të mira për të justifikuar praktikat e këqija (qeveritare)”. Edward R. Murrow

“Një komb delesh do të ketë së shpejti një qeveri ujqërish”. Edward R. Murror

“Asnjë udhëheqës autoritar nuk mund të terrorizojë një komb, por nëqoftëse të gjithë jemi bashkëpunëtorë të tij, atëherë një gjë e tillë është e mundur”. Edward R. Murrow

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli-Media dhe Demokracia

KOMUNITET- NJOFTIM MORTOR-

May 2, 2019 by dgreca

– KA NDËRRUAR JETË NË NJU JORK EJËLL PREÇ GJINI(ZAGREDA) /1925-2019-/

Familja Zagreda dhe miqtë e saj kanë njoftuar komunitetin se ka ndërruar jetë me 1 Maj 2019 EJËLL PREÇ GJINI(ZAGREDA). Shërbimet Funerale për të ndjerin do të organizohen ditën e Shtunë me 4 Maj 2019 nga ora 2 .P.M.- 9 .P.M. në Farenga Brothers, që ndodhet në adresën:
920 Allerton Avenue, Bronx, NY 10469.
Sipas dëshirës së Tij në të gjallë, varrimi do të bëhet në Vendlindje, ditën e Martë me 7 Maj , 2019 në fshatin Reç, Ulqin.
I ndjeri la në pikëllim djemtë: Kola dhe Gjergji, Vajzat Roza, Victoria dhe Mrika, 15 nipa e mbesa, 19 stërnipa e stërmbesa dhe familjen e gjerë Zagreda.
Federata Pan Shqiptare e Amerikës VATRA dhe Gazeta DIELLI i përcjell familjarëve ngushëllime!

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ejell Prec Gjini-Zagreda

Vatra dhe Dielli, Autoriteti më i Lartë moral i Botës Shqiptare

May 2, 2019 by dgreca

– Ne, jemi sot më të vendosur se kurrë ndonjëherë më parë që të lexojmë me përgjegjësi të lartë qytetare mesazhin e etërve tanë Nolit e Konicës, për të mbajtur me çdo kusht peshën e rëndë që na ka vënë historia mbi shpinë për të dërguar çështjen shqiptare drejt destinacionit të zgjidhjes së plotë. Dhe në këtë drejtim Vatra dhe Dielli janë autoriteti më i lartë moral i botës shqiptare….

NGA DRITAN MISHTO*

Të nderuara Zonja dhe Zotërinj,

I Nderuar z. Editor i Diellit, Dalip Greca dhe Editore e Seksionit Anglisht znj. Rafaela Prifti,

Të nderuar z. Harris, Drejtor në Bibliotekën e Kongresit Amerikan, Dr. Elez Biberaj, Drejtor në Zërin e Amerikës, Prof. Nicholas Pano si edhe ju studiues shkencorë, profesorë dhe lektorë,

Të nderuar Anëtarë të Kryesisë së Vatrës, Anëtarë të Këshillit të Vatrës dhe Kryetarë të Degëve,

Të nderuar përfaqësues të Organizatave të Komunitetit,

Të dashur vatranë dhe bashkëatdhetarë kudo që ndodheni.

Më lejoni që në emër të Federatës Panshqiptare të Amërikës VATRA të deklaroj të hapur Sesion Shkencor kushtuar 110 vjetorit të Gazetës Dielli.

Ne jemi të lumtur që sot Gazeta Dielli feston këtë përvjetor me madhështi dhe me një respekt të padiskutueshëm ndër lexuesit bashkëkohorë, madhështi e respekt të cilin jo vetëm simotrat e saj të shuara gjatë rrugës së vështirë të jetës, por edhe gazeta të kombeve të tjera do ta kishin zili.

Dua që në emër të Federatës VATRA të kujtoj me respektin dhe mirënjohjen më të madhe editorët ndër vite të Gazetës sonë: Fan Noli, Faik Konica, Efthim Natsi, Paskal Aleksi, Kristo Floqi, Kristo Dako, Dennis Kamburi, Kostë Çekrezi, Bahri Omari, Loni Kristo, Andon Frashëri, Aqile Tasi, Refat Gurrazezi, Andrea Elia, Nelo Drizari, Peter Çiko, Qerim Panariti, Peter Prifti, Bilal Xhaferri, Athanas Gegaj, Xhevat Kallajxhi, Eduard Liço, Arshi Pipa dhe Anton Çefa. 

Përpara një viti u nda nga jeta Presidenti i Nderit i Federatës VATRA z. Agim Karagjozi, të cilit i takon merita e madhe e ribotimit të Diellit në cikël të pandërprerë periodik dhe përzgjedhja e Editorit tonë z. Dalip Greca, të cilit në emër të Kryesisë së Federatës VATRA dua t’i shpreh publikisht respektin dhe mirenjohjen më të madhe që me një punë tej çdo parashikimi arriti ta mbajë Gazetën Dielli në nivelin e një tempull të vërtetë të mendimit bashkëkohor shqiptar.

Unë jam shumë krenar dhe i lumtur që pas Kuvendit Historik të vitit 2017 dhe ngritjes së Federatës sonë në një stad të lartë tashmë, ne kemi edhe Editoren e Seksionit Anglisht znj. Rafaela Prifti të cilën e falenderoj publikisht për punën e saj të shkëlqyer.

Të dashur bashkëkombas,

Ne, jemi sot më të vendosur se kurrë ndonjëherë më parë që të lexojmë me përgjegjësi të lartë qytetare mesazhin e etërve tanë Nolit e Konicës, për të mbajtur me çdo kusht peshën e rëndë që na ka vënë historia mbi shpinë për të dërguar çështjen shqiptare drejt destinacionit të zgjidhjes së plotë. Dhe në këtë drejtim Vatra dhe Dielli janë autoriteti më i lartë moral i botës shqiptare.

Ne të ecim përpara me ritëm të shpejtë sepse gara jonë nuk është me të shkuarën apo edhe me atë çfarë ne vetë po bëjmë, por gara jonë është me atë që koha na kërkon të bëjmë. Dhe nuk jemi këtu sot për vehten tonë, por jemi këtu që fëmijët tanë të mos maten me punët tona, por me kërkesat e kohës që ata do të jetojnë. Unë, si kryetar i Federatës VATRA, Editori, Kryesia, Këshilli dhe anëtarësia jemi të vendosur dhe të palëndur në objektivat tona.

Së fundi, edhe njëherë, i shpreh këtij auditori falenderimet më të sinqerta për pjesëmarrjen tuaj këtu dhe jam i bindur në suksesin e këtij sesioni shkencor dhe se produkti i tij është një bazë e fortë për Diellin e nesërm.

Rroftë Gazeta Dielli

Rroftë Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA

Zoti Bekoftë shqiptarët kudo që ndodhen

Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës

* Përshëndetja e Kryetarit të Vatrës, z. Dritan Mishto në Seminarin kushtuar 110 vjetorit të themelimit të Gazetës”DIELLI”, 6 prill 2019.-Botoi Dielli ne Prind-Prill 2019

Filed Under: Emigracion Tagged With: Dritan Mishto-Fjalimi-6 Prill 2019

KOSOVA PËRKUJTOI 20 VJETORIN E RËNIES SË HEROIT AGIM SELMANAJ

May 1, 2019 by dgreca

20 VJET NGA RENIA E HEROIT AGIM SELMANAJ

Kryeministri Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, me rastin e 20-vjetorit të rënies së Heroit të Kosovës, Agim Selmanaj-


Gllogjan, 1 maj 2019- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, bëne homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, me rastin e 20-vjetorit të rënies së Heroit të Kosovës, Agim Selmanaj.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, para të pranishëmve të shumtë, deputetë, kryetarë komunash dhe përfaqësues tjerë të shoqërisë, tha se, ka nderin që sot t’i bashkohet homazheve aty ku pushon Agimi dhe dëshmorët e heronjtë e tjerë të Kosovës. 
“Bëhet fjalë për një familje, që ndër breza iu kushtuan lirisë. Këtu kemi babën, axhallarët, të cilët ishin të burgosur politikë, ishin në luftë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se, Agimi ishte që në ditët e para të luftës dhe në njësitet e para në Gllogjan.

Lavdi për Agimin, lavdi të gjithë të rënëve për liri!

Një fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se, në këto ditë, anekënd Kosovës, janë duke përkujtuar dhe nderuar dhimbjen dhe sakrificën e të rënëve të Kosovës, që ranë në altarin e lirisë.
“Jemi sot këtu, në Gllogjanin e lirisë, në Gllogjanin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Gllogjanin e Luanit, Shkëlzenit e të dhjetëra dëshmorëve të tjerë, për të kujtuar një hero të Kosovës, një djalë të ri, Agim Selmanaj. Agimi nuk ishte më shumë se 20 vjeçar dhe në vend që të merrte mjetet e mësimnxënies, atij iu desh që të merrte në duar armët e lirisë. Sepse kjo ishte thirrja e atdheut. Në vend që të gëzonte jetën, ai u desh të jepte jetën për lirinë e Kosovës. Ky është çmimi i sakrificës sonë, ky është çmimi i shtetit tonë”, theksoi kryeparlamentari Veseli. 

Ai shtoi se të gjallëve sot, kjo sakrificë, si amanet i këtyre njerëzve, dëshmorëve e të rënëve si Agimi, nuk i lë që për asnjë hap, për asnjë milimetër të lëvizin prapa. 

 “Ta ruajmë këtë shtet të cilin e kemi sot dhe të punojmë edhe më shumë, duke e dashur atë, duke punuar ndershmërisht, duke punuar më shumë, që ta zhvillojmë, duke u dhënë mundësi bashkëmoshatarëve të Agimit, sot 20 vjeçarë, të kenë perspektivë edhe më të mirë në shtetin e vet, në tokën e vet. Të gjithë bashkëluftëtarët duhet të ndihen krenarë me veprën e tyre dhe të punojnë më shumë për vendin”, tha kryeparlamentari Veseli.  ​
Në emër të familjes së Heroit Agim Selmanaj, foli deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rasim Selmanaj, i cili falënderoi të gjithë për nderimin që po i bëjnë Heroit, por edhe gjithë familjes.

Filed Under: Kronike

THAÇI: MARRËVESHJA KOSOVË-SERBI, E PAMUNDUR PA ROLIN VENDIMTAR TË SHBA

May 1, 2019 by dgreca

Gazeta DIELLI: Dy fjalimet e Presidentit Thaçi në Samitin e Berlinit/

THAÇI: MARRËVESHJA KOSOVË-SERBI, E PAMUNDUR PA ROLIN VENDIMTAR TË SHBA

-Fjalimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Samitin e Berlinit lidhur me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë/

Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni që edhe njëherë të them se nuk mund ta theksoj mjaftueshëm rëndësinë e këtij takimi të sotëm, i cili po ndodh në një periudhë shumë delikate për rajonin, dhe sidomos të relacioneve tepër të tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përkundër faktit se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ngjan një maratone shumë të vështirë dhe plotë pengesa, unë them që dialogu mbetet rruga e vetme për të arritur paqe dhe pajtim.

Për më tepër, marrëveshja e vitit 2013 dhe të gjitha marrëveshjet tjera të arritura pastaj, kanë përmirësuar jetën e qytetarëve të dy shteteve.

Fatkeqësisht, jo të gjitha marrëveshjet e arritura janë zbatuar në tersi.

Serbia ka dështuar të zbatoj marrëveshjen për Energji, atë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) dhe ka pamundësuar hapjen e urës  mbi lumin Ibër të Mitrovicës, e cila bashkon qytetin e ndarë dhe qytetarët.

Gjithashtu, me veprimet e veta destruktive, Serbia ia ka pamundësuar Kosovës që ta zbatoj në praktikë Marrëveshjen për Themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Ekipi Menaxhues për hartimin e draft statutit të Asociacionit i cili përbëhet nga përfaqësuesit e komunitetit serb që jeton në Kosovë, në përputhje me udhëzimet dhe rekomandimet e Serbisë, ka dështuar në mënyrë të qëllimshme që ta kryej punën e vet në përputhje me marrëveshjen.

Sigurisht, Serbia vazhdon të akuzoj Kosovën për mos zbatimin në praktikë të kësaj marrëveshje, mirëpo të gjithë duhet ta kenë të qartë se institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme që implementimi i saj të ndodhë pa asnjë vonesë, mirëpo gjithnjë në përputhje me marrëveshjen dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Besoj se të gjithë e keni të qartë se pse Serbia nuk dëshiron që Asociacioni të themelohet ashtu siç e parashikon Marrëveshja dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Qëllimi është i qartë, Serbia dëshiron që në pjesën veriore të Kosovës, të themelohet një Asociacion i Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive, i njëjtë me modelin e Republikës Serbe në Bosnje. 

Një gjë e tillë nuk mund të ndodh në Kosovë dhe sot e ritheksoj përsëri që nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe as nivel të pushtetit të tretë.

Tani me lejoni të kthehem pak tek situata aktuale rreth dialogut dhe mundësitë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare.

Të gjithë jemi dëshmitarë se dialogu aktualisht është i bllokuar.

 Janë disa faktor që kanë sjellë këtë situatë të pashpresë, por unë po theksoj vetëm disa.

 Së pari, Serbia në mënyrë të njëanshme e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës për prodhimet serbe të vendosur nga Kosova.

Ky veprim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin kryesor udhëheqës të dialogut i cili është respektuar që nga viti 2011, që nënkupton se dialogu është i pakushtëzuar.

 Vendosja e taksës ka qenë një vendim i domosdoshëm dhe legjitim si reagim ndaj shkeljeve të përsëritura e të dokumentuara të CEFTA-s nga ana e Serbisë. Si i tillë, ai mbetet  në fuqi.

Së dyti, më lejoni të them se përpjekjet tona të përbashkëta për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, janë minuar dhe kundërshtuar në mënyrë të pakuptueshme nga disa drejtime. Përkundër vullnetit të ndërmjetësueses së dialogut znj. Federica Mogherini, dhe gatishmërisë sime dhe Presidentit Vucic për të punuar seriozisht drejt një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse, ka munguar përkrahja në aspektin ndërkombëtar por edhe në atë rajonal.

Faktori ndërkombëtar, në mënyrë specifike, shtetet e Qunitit, SHBA, Anglia, Gjermania, Franca dhe Italia nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Kjo përçarje, ka pasur reflektime tepër negative në spektrin politik në Kosovë dhe si rrjedhojë, kemi pasur qëndrime kundërthënëse dhe vështirësi të mëdha në themelimin e Ekipit Negociues gjithëpërfshirës në Kosovë.

Me gjithë respektin e madh për ju Kancelare Merkel, President Macron, unë jam skeptik se një marrëveshje gjithëpërfshirëse finale mund të arrihet në rast se shtetet e Quinitit nuk janë të bashkuara dhe në rast se nuk flasin me një zë.

Për më tepër, ju të gjithë e dini se marrëveshja është e pamundur pa rolin vendimtar të SHBA-ve.

Së treti, shtetet fqinjë në rajon, me ndonjë përjashtim të vogël, nuk janë dëshmuar aspak ndihmuese ndaj përpjekjeve tona.

Kështu, derisa në takimet tona bilaterale ata i kanë mbështetur përpjekjet tona për marrëveshje, e vërteta e hidhur është se në takimet që kanë zhvilluar me shtetet e Quinitit duke përfshirë Gjermaninë dhe Francën, shtetet nga rajoni kanë shfaqur kundërshti (në këndvështrimin tim të pabazuara) ndaj arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse.Kundërshtimi thelbësor i disa shteteve të Quintit kundër përpjekjeve tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse (dhe i shteteve te lartpërmendura nga Ballkani Perëndimor), është arsyetuar dhe fokusuar në një çështje të vetme, atë të demarkimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo në disa raste të korrigjimit të kufirit.

Kjo është bërë në mënyre të qëllimshme, për të rritur frikën se gjoja ne po përpiqemi të ndryshojmë kufijtë në Ballkan, se gjoja ne duam kufij përgjatë vijave etnike, etj.

Kundërshtarët politik në Kosovë më kanë akuzuar se gjoja unë jam për ndarjen e Kosovës, kurse disa diplomatë perëndimor për kinse krijimin e kufijve etnik të ri në Ballkan.

Këto pretendime kanë qenë dhe janë të gabuar plotësisht.                

Atyre që janë ngutur të më sulmojnë kaq ulët duke u fshehur pas disa parimeve të keqpërdorura, u them se nëse sot kemi frikë nga e vërteta dhe sillemi kinse si parimor pa ofruar zgjidhje, duke preferuar ngrirjen e konfliktit ne vend te zgjidhjes se tij, nesër mund te përballemi me opsione tejet destruktive që çojnë ne ndarjen apo krijimin e një Republike të re Serbe në veriun e Kosovës.

Ne kemi punuar për një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila ndër pikat e shumta që do të trajtoj, duhet të ketë edhe një pikë të veçantë për demarkimin e kufirit e cila do të duhej të bëhej nga ekspertët e kësaj fushe. 

Unë jam i sigurt se pavarësisht faktit se kur dhe si do të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, demarkimi i kufirit ndërmjet të dy shteteve është thjesht i pashmangshëm. Këtë e dimë nga eksperienca jonë me Malin e Zi, por ketë e dimë edhe nga vetë eksperienca e Kroacisë me Slloveninë apo e Shqipërisë me Greqinë për kufirin detar (dhe në mos gaboj edhe për atë tokësor).Sido që të jetë, kam frikë se momentumi pozitiv që ka ekzistuar vetëm disa muaj më parë, është duke humbur dhe jam skeptik se mund të rikthehet shpejt.

Mirëpo Kosova mbetet e përkushtuar ndaj këtij procesi dhe spektri politik kosovar, është plotësisht i unifikuar në qëndrimet e veta.

–          Ne jemi konstruktiv dhe të gatshëm për dialog të pakushtëzuar në çdo moment.

–          Sovraniteti shtetëror i Kosovës është dhe mbetet i pacenueshëm.

–          Serbia duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe të heq dorë nga cenimi i sovranitetit tonë.

–          Kosova nuk do të bëj asnjë kompromis me Serbinë në këmbim të njohjes.

–          Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe në Kosovë duhet të themelohet në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, respektivisht ligjet e Kosovës.

–          Pretendimet apo ëndrrat e kujtdo qoftë se në Veri të Kosovës mund të themelohet një Asociacion me kompetenca ekzekutive, e modelit të Republikës Serbe, nuk do të realizohen kurrë.

–          Nuk mund të ketë një zgjidhje të modelit Gjermano-Gjerman dhe të një sovraniteti të dyfishtë.

–          Kosova i ka përfunduar të gjitha kompromiset e veta duke pranuar Planin Gjithëpërfshirës të Ahtisarit.

–          Kosova në mënyrë të përgjegjshme dhe legjitime, do të interesohet dhe përkrahë aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës.

Kosova është e gatshme për marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare për normalizim dhe pajtim me Serbinë.

Ju faleminderit për vëmendjen Tuaj!

*****

RELACIONI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË ËSHTË I VETËKUPTUESHËM

-Fjalimi i Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në Samitin e Berlinit lidhur me pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal/

Zonja dhe zotërinj,

Qysh në fillim më duhet të theksoj, se përkundër faktit që kanë kaluar 20 vite nga përfundimi i luftërave në Ballkanin Perëndimor, pajtimi i plotë ndër-etnik dhe ndër shtetëror, ende duket i largët, pavarësisht progresit të bërë.

E njëjta situatë reflektohet kur është në pyetje edhe bashkëpunimi rajonal, pavarësisht iniciativave të shumta të ndërmarra deri më tani, duke përfshirë procesin e  Berlinit. 

Procesi i integrimit në BE pothuajse është tërësisht i bllokuar.

Perspektiva evropiane për Kosovën mbetet vetëm një frazë e mirë për veshët e cila vazhdon të përsëritet, por asgjë më shumë. 

Realiteti i sotëm në Ballkanin Perëndimor, nuk përputhet aspak me pritjet tona dhe ndoshta edhe me ato të BE-së.

Përkundër faktit që shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, i ka dhënë fund procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, paqja në rajonin tonë ende mbetet e brishtë.

Jo stabiliteti aktual në marrëdhëniet e Kosovës me shtetet fqinje në rajon, së pari është rezultat i mosnjohjes dhe sjelljes armiqësore e Serbisë, dhe së dyti, mosnjohja e pavarësisë nga Bosnja dhe Hercegovina.

Serbia në mënyrë të vazhdueshme ka vazhduar ta cenojë dhe minojë sovranitetin shtetëror të Kosovës.

Për çudi, sjellja armiqësore dhe anti-evropiane, nuk e ka frenuar rrugëtimin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE. 

Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, po shkakton probleme të mëdha për rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës. 

Kjo situatë ka mundësuar që pesë shtetet anëtare të BE-së, të mos e njohin ende Kosovën. 

Si rrjedhojë, legalisht dhe praktikisht Kosova e ka të pamundur të bëj hapa konkret për anëtarësim në BE dhe NATO.

Si përfundim, marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë janë vazhdimisht të acaruara, ekzistojnë barriera të shumta për lirinë e lëvizjes për qytetarët dhe mallrat.

Dialogu i filluar në vitin 2011, përkundër rezultateve të prekshme, tani është i bllokuar nga Serbia, e cila e ka kushtëzuar vazhdimin e tij me heqjen e taksës.

Kushtëzimi i dialogut nuk ka guxuar të ndodhë në asnjë rrethanë, sepse dialogu nuk mund të kushtëzohet nga asnjëra palë.

Ky ka qenë parimi udhëheqës i pashkruar që nga fillimi i këtij procesi.Në anën tjetër, pak a shumë, për shkak të ndikimit negativ të Serbisë, marrëdhëniet e Kosovës me Bosnje dhe Hercegovinën janë në nivelin me të ultë të mundshëm.

Nuk ekziston lëvizja e lirë për qytetarët e të dy vendeve, dhe rrjedhimisht as për mallra. Ka një situatë tepër paradoksale, BE-ja ka hequr vizat për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa kjo e fundit ende e mban në fuqi regjimin e vizave për kosovarët.

Lehtë mund të ndodhë që BE-ja t’i heq vizat për qytetarët e Kosovës, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina të vazhdoj edhe me tutje.

Zonja dhe zotërinj,

Përkundër këtij realiteti të tendosur, sigurisht që ka pasur progres në relacion me shtetet tjera fqinjë në rajon.Në rend të parë, është tepër e rëndësishëm që Kosova dhe Mali i Zi kanë arritur të ratifikojnë marrëveshjen ndër-shtetërore për shënimin e vijës kufitare / demarkacionin.

Kjo çështje ka qenë thelbësore për vendosjen e marrëdhënieve të mira reciproke.

Për më tepër, për Kosovën, demarkimi i kufirit me Malin e Zi, ka qenë kriteri i fundit për liberalizimin e vizave nga BE-ja.Mirëpo për fatin tonë të keq, realiteti i sotëm dëshmon se ky ka qenë vetëm një premtim mashtrues.

Kosova padrejtësisht mbetet vendi më i izoluar në Evropë.Komisioni Evropian kishte rekomanduar liberalizimin e vizave në maj të vitit 2016.

Unë nuk e kuptoj se përse qytetarët e Kosovës që janë populli më proevropian në rajon, diskriminohen në këtë mënyrë.

Maqedonia e Veriut është gjithashtu shtet fqinjë me të cilën kemi bashkëpunim, qarkullim të njerëzve dhe mallrave në mënyrë të papenguar.

Nuk kemi asnjë çështje të hapur dhe e kemi mirëpritur marrëveshjen e Prespës dhe jemi mbështetës për anëtarësimin në NATO dhe BE.

Ndërsa, relacioni i Kosovës me Shqipërinë është i vetëkuptueshëm.

Ne jemi vëllezër dhe si dy shtetet të pavarura, duam që të bashkohemi nën ombrellën e përbashkët të BE-së dhe NATO-s.

Sllovenia dhe Kroacia, janë shtete mike të Kosovës në rajonin tonë.

Marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi ekonomik janë në nivel shumë të kënaqshëm.

Ne vetëm kërkojmë, që këto dy shtete të avokojnë dhe përkrahin shumë më tepër Kosovën dhe shtetet tjera të rajonit, në mënyrë që të përshpejtohet realizimi i aspiratave tona për anëtarësim në BE dhe NATO.

Zonja e zotërinj,

Në një situatë të tillë të marrëdhënieve tona ndërfqinjësore, shumë iniciativa të mira që kanë dalë edhe nga Procesi i Berlinit, kanë mbetur pa u realizuar.

–           Progresi drejt themelimit të zonës ekonomik rajonale, tregtisë së lirë, konektivitetit, e mbi të gjitha pajtimit, do të mbetet i pamundur apo vetëm minimal, për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

–          Për aq kohë sa një gjë e tillë nuk ndodhë, ndikimi i palëve të treta në rajonin tonë, respektivisht ndikimi i Rusisë dhe Kinës do të jetë i vazhdueshëm.

Kjo situatë e keqe në rajonin tonë, nuk mund të tejkalohet vetëm me deklarata dhe premtime abstrakte.

Duhen vendime të guximshme nga shtetet e rajonit të cilat nuk do të ndodhin për aq kohë, sa nuk ka vendime të guximshme dhe strategjike nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj.

Gjermania dhe Franca kanë mundësi ta marrin lidershipin për këto vendime të guximshme mirëpo se a do ta bëjnë një gjë të tillë apo jo, mbetet në vullnetin e tyre.

Faleminderit për vëmendjen tuaj!

Filed Under: Opinion Tagged With: Dy fjalimet e Thacit-Berlin - Prill 2019

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT