• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2019

PRESIDENTI AMERIKAN CLINTON NË KOSOVË PËR FESTËN E LIRISË

June 10, 2019 by dgreca

Presidenti Amerikan Bill Clinton në festën e 20 vjetorit të lirisë së Kosovës, do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, i cili do mbahet ditën e mërkurë, 12 Qershor 2019, në Prishtinë në Sheshin “Skëndërbeu” në orën 11:00/*

-“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s të saponisur në 24 Mars 1999/

-Më pak se një vit para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në 29 Maj 1998 Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Bill Clinton/

-Në 5 Mars 1999, një takim i Presidentit Rugova me të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit Clinton, Senatorin Amerikan Robert Doll, ishte edhe një paralajmërim lirie/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 10 Qershor 2019/ Kosova feston jubileun e 20 vjetorit të lirisë, përgjithmonë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike. Edhe ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, do t’i bashkëngjitet popullit të Kosovës në shënimin e 20 viteve të lirisë, dhe do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.

“Në 12 Qershor 2019 Kosova shënon 20 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s. Ne jemi duke shënuar këtë përvjetor historik të Kosovës bashkë me miqtë dhe aleatët tonë me të cilët ndajmë vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë. Njëkohësisht, ne po nderojmë të kaluarën tonë dhe vizionin tonë për paqe të qëndrueshme”, deklaroi sot Këshilli Organizativ.

Tubimi Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë mbahet ditën e mërkurë, 12 Qershor 2019, në Prishtinë në Sheshin “Skëndërbeu” në orën 11:00.

 “Ftojmë të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në tubimin qendror, dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi për të falënderuar Presidentin Clinton për lidershipin e tij në ndërtimin e paqes në Kosovë dhe përkrahjen e tij të vazhdueshme për paqe dhe stabilitet në tërë rajonin”,  thekson njoftimi i dërguar sot nga Këshilli Organizativ për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.

 Ky Këshill dje njoftonte se ish-Sekretarja e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright, do t’i bashkëngjitet popullit të Kosovës në Ceremoninë Shtetërore për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.

 Në këtë pranverë të 2019-tës u bënë 20 vjet nga 24 Marsi 1999 – Dita kur ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s, forcës më të madhe planetare, kundër terrorit e gjenocidit, i hapi shteg lirisë së Kosovës.

Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli mbi caqet e forcave kriminale serbe shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton,  derisa nga Shtëpia e Bardhë  i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të  NATO-s.

Raportimet që bëja në ato rrethana lufte dëshmonin se forcat serbe vazhdonin fushatën për dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova. U dëbuan afër një milion shqiptarë, shumica në Shqipëri. Më shumë se 12 mijë arrinte numri i shqiptarëve të vrarë e masakruar, edhe të groposur në varreza masive, në mëse 5 mijë arrinte numri i të zhdukurve, qytetet dhe fshatrat shqiptare digjeshin e plaçkiteshin nga forcat ushtareke, policore e paramilitare serbe të Milosheviçit, kasapit të Ballkanit, që pas vitesh përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.

Ende pa kaluar tre muaj nga fillimi, bombardimet përfunduan në 10 Qershor 1999, pasi një ditë më parë ishte arritur  Marrëveshja e Kumanovës mes NATO-s dhe Beogradit për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të Alancës Veriatlantike në Kosovë.
Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, erdhi në 12 Qershor 1999. Në mëngjesin e asaj dite të lume, në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë duke kaluar kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, drejt Prishtinës, e të nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morin-Vërmicë, drejt Prizrenit…

Edhe në atë ditë e orë  historike një lajm tjetër të madh se në Kosovë po ndodhte liria e raportoja drejt Tiranës – në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të NATO-s  që kalonte kufirin jugor në Han të Elezit drejt Grykës së Kaçanikut…

Më pak se një vit para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në 29 Maj 1998 Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin Amerikan Bill Clinton. Pas takimit Rugova deklaronte: “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”. Ndërsa, Clinton kishte theksuar se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.

Në 5 Mars 1999, një takim i Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova me të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të SHBA Bill Clinton, Senatorin Amerikan Robert Doll, ishte edhe një paralajmërim lirie. Takimi shumë i rëndësishëm u mbajt në Shkup, pasi regjimi kriminal okupator serb e kishte pamundësuar në Prishtinë.

Ishte koha kur konferenca ndërkombëtare për Kosovën – Konferenca e Rambujesë, e nisur në 6 Shkurt 1999,  u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.

Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova,  në Prishtinë i kthyer nga Rambujeja e para nisjes përsëri për atje drejt Parasit në një konferencë shtypi në 5 Mars paralajmëronte nënshkrimin  para 15 Marsit 1999 të Marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën një ditë më vonë dha miratimin edhe Kuvendi Republikës së Kosovës së Deklaratës së 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990. Në konferencën për shtyp ku ishte edhe korrespondenti tash i Gazetës DIELLI, Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…

Presidenti Amerikan Bill Clinton, në 1 Nëntor 2009, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar. 
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, ka thënë Presidenti amerikan Clinton. 
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.

 Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

*Me shume fotografi gjeni ne Facebook-Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Presidenti Clinton-12 Qershor-ne Kosove-Behlul Jashari

DARDANËT FITOJNË- KOSOVA TURPËRON BULLGARINË NË SOFJE

June 10, 2019 by dgreca

Kosova e vogël turpëron Bullgarinë e madhe në kryeqytetin e vet në Sofje. Djemtë dardanë kanë triumfuar me rezultatin bindës 3 me 2. Një fitore shembullore që na bënë të gjithëve krenarë, jo vetëm Dardaninë e Rugovës, por edhe të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë. Madje është një shemull edhe per sjkuadrën kuq e zi, që nuk po e gjenë veten.
Fitorja në Sofje kundër Bullgarisë, me të cilën patën barazuar në shtëpi, dhe barazimit tjetyër në Podgoricë, një barazim që mund të kishte qenë fitore, skuadra Dardane, është në rrethin e 3 skuadrave pretendente për kualifikim në grupin përkatës.
Ka qenë Milot Rashica që me golin e tij bëri të hesht stadiumi i Sofjes për të shkuar më pas në barazimin prej bullgarëve.

 Pjesa e parë përfundoi me rezultatin e barbartë 1:1. Janë bullgarët që kalojnë në epërsi me golin e dytë, 2 : 1, por për Dardanët mendon Vedat Muriqi, që me kokë barazoi rezultatin  2:2.

Kur po mendohej se Kosova do të kënaqej me rezultatin e barabartë në ndeshjen e tretë radhazi për kualifikimet e Europianit, ka qenë Elbasan Rashani që ka bërë të heshtin tifozët bullgarë për të tretën herë, goli i fitores erdhi në minutën shtesë. Kanë qenë më shumë se një mijë tifozë kosovarë që kanë udhëtuar nga shtete të ndryshme të Europës për të mbështetë skuadrën dardane. Tash skuadra dardane ka 5 pikë në tri ndeshje dhe radhitet në vendin e tretë pas Anglisë së madhe dhe Cekisë. Le të shpresojmë se dardanët edhe mund të kualifikohen.(dg)

Filed Under: Sport Tagged With: Kosova-Bullgaria- 3 me 2

Pavlefshmëria e dekretit të Presidentit mund të vendoset vetëm me vendim gjykate

June 10, 2019 by dgreca

Konstitucionalistja Aurela Anastasi, në intervistë eksluzive për Deutsche Wellen thekson se vlefshmërinë ose jo të shfuqizimit të 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale e vendos vetëm Gjykata.

DW: Prof. Anastasi a është në përputhje me Kushtetutën shfuqizimi nga Presidenti Meta, i datës 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve lokale të radhës, pra i dekretit të mëparshëm të firmosur nga vetë Presidenti?

Prof. Aurela Anastasi: Në këto kushte mund të them paraprakisht, që Kushtetuta, në nenin 92/gj ka parashikuar kompetencën e Presidentit të Republikës për të caktuar datën e zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor. Kushtetuta nuk parashikon kompetencën e Presidentit për të shfuqizuar datën e zgjedhjeve. Mendoj se jo pa qëllim Kushtetuta i jep kësaj kompetence një karakter pozitiv ose konstruktiv.

Data e zgjedhjeve ka rëndësi thelbësore për mbarëvajtjen e vetë zgjedhjeve dhe në mënyrë të veҫantë, për respektimin e parimit kushtetues të zgjedhjeve periodike, si dhe të mandatit kushtetues të organeve të zgjedhura nga populli. Nga kjo pikëpamje mendoj se caktimi i datës së zgjedhjeve është një mjet i domosdoshëm kushtetues për të garantuar zgjedhje periodike dhe për të garantuar respektimin e afatit 4-vjecar të mandatit të organeve vendore. Presidenti i Republikës është garant i datës së zgjedhjeve, në mënyrë që ajo të caktohet në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit.

Kur është fjala për zgjedhjet e përgjithshme, për Kuvendin, Kushtetuta e Shqipërisë, në neni 65 t ka parashikuar qartë rregullat për caktimin e periudhave zgjedhore dhe thirrjen e zgjedhjeve. Për zgjedhjet vendore Kushtetuta nuk shprehet. Por është Kodi Zgjedhor, si një burim i të drejtës kushtetuese, që i referohet këtij neni të Kushtetutës edhe për zgjedhjet vendore. Pra, afatet kohore për zgjedhjet vendore rregullohen bazuar në Kushtetutë, sipas rregullit që zgjedhjet zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt, e cila i paraprin datës së përfundimit të mandatit. Në kushtet kur mandati i organeve vendore përfundon në datën 10 Korrik, periudha zgjedhore e parashikuar në Kodin Zgjedhor, përfundon në datën 30 Qershor 2019. Një datë tjetër, do të na shpinte në një situatë që nuk është parashikuar as nga Kushtetuta, as nga Kodi Zgjedhor, pra në një situatë të pabazuar në akt ligjor.

DW: A është në përputhje me Kushtetutën reagimi i Kryeministrit Rama, se pavarësisht shfuqizimit të datës 30 qershor nga Presidenti Meta, zgjedhjet lokale do të zhvillohen pikerisht në këtë datë?

Prof. Aurela Anastasi: Në krye të herës, duhet thënë që Z. Rama në këtë rast, nuk legjitimohet të flasë si Kryeministër i vendit, por si kryetar i njërit prej subjekteve zgjedhore, Partisë Socialiste, ose koalicionit përkatës zgjedhor. Në këto kushte, ai nuk mund të marrë vetë vendime si Kryeministër ose Qeveri. Kjo është pavarësia zgjedhore që ka krijuar Kushtetuta. Por, ҫdo subjekt zgjedhor ka të drejtën e aksesit në institucionet e ankimimit. Në këtë rast, duke parë edhe jurisprudencën e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, që aktualisht nuk është funksionale, mendoj se dekreti i Presidentit të Republikës mund të ankimohet në Gjykatën Administrative, si gjykatë kompetente për të shqyrtuar pajtueshmërinë e aktit të Presidentit të Republikës me Kodin Zgjedhor.

DW: Prof. Anastasi, sapo përmendët mungesën e Gjykatës Kushtetuese. Në situatën e re politike, të krijuar nga anullimi i datës 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve lokale dhe kundërshtia e kryeministrit Rama, cili është ngërҫi që sjell mungesa e kësaj Gjykate?

Prof. Aurela Anastasi: Gjykata Kushtetuese mund të ishte një mjet ankimi më tej, për një proces të rregullt ligjor. E rëndësishme është që në Shqipëri ka një mjet ligjor ankimimi funksional, siç është Gjykata Administrative.

DW:  A mund të ngrihet dhe të funksionojë Gjykata Kushtetuese, le të them psh, brenda një jave?

Prof. Aurela Anastasi: Mendoj se nuk mund të ngrihet. Procesi i zëvendësimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të ikur nga vettingu, ka ecur me ritme shumë të ngadalshme. Kur nuk kemi ende kandidatura që vijnë nga gjyqësori, nuk mund të themi se përbërja e plotë e kësaj Gjykate do të jetë një gjë e shpejtë. Sidoqoftë, ezaurimi i mjeteve që ekzistojnë jep mundësinë për një vendim të formës së prerë të Gjykatës Administrative.

DW: A është e ligjshme që maxhoranca socialiste por edhe parti parlamentare të spektrit të djathtë ta konsiderojnë nul shfuqizimin e 30 qershorit dhe të vazhdojnë fushatën elektorale për të zhvilluar zgjedhjet lokale në këtë datë?

Prof. Aurela Anastasi: Pavlefshmëria e dekretit të Presidentit mund të vendoset vetëm me vendim gjykate.

DW: Cilat janë hapat e mëtejshme, që mendoni se palët duhet të hedhin, në respekt të Kushtetutës? 

Prof. Aurela Anastasi: Nga pikëpamja e prognozës kushtetuese, pa hyrë në analizën se si erdhëm deri këtu, në radhë të parë duhet të them se operatorët politikë kanë detyrë t’i rikthehen rendit kushtetues. Presidenti i Republikës ka detyrë ta garantojë këtë rend, si një organ kushtetues i paanshëm.

Natyrisht, mbështetur në aktet kushtetuese dhe ligjore, palët mund të kërkojnë edhe zgjidhje me karakter politik si dialogu, marrëveshjet politike, të cilat për hir të së vërtetës, në raste të ngjashme, të mëparshme, i kanë shërbyer kompromisit politik, duke cënuar respektimin e Kushtetutës dhe të ligjit. Mendoj se arritja e një Konvente Kushtetuese midis subjekteve zgjedhore do të ndihmonte në parandalimin e situatave të tilla në të ardhmen. Reforma Zgjedhore është gjithashtu, e nevojshme.

Intervistoi: Ani Ruci

Konstitucionalistja Prof. Dr. Aurela Anastasi është pedagoge e të Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Tiranës, dhe e angazhuar si avokate në Qendrën për Nisma Ligjore dhe Qytetare në Tiranë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Aurela Anastasi- Dekreti i Presidentit-Gjykata

PRESIDENTI META ANULON 30 QERSHORIN, PS KERKON SHKARKIMIN

June 10, 2019 by dgreca

Nga Ani Ruci/ *Në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi të hënën paradite, (10.06) Presidenti, Ilir Meta firmosi para mediave dekretin e anulimit të zhvillimit të Lokaleve 2019, më 30 qershor dhe theksoi se pa „dekretimin e një date tjetër ato nuk mund të zhvillohen”.

Duke iu referuar neneve të shumta të Kushtetutës, Ilir Meta argumentoi anulimin e datës 30 qershor “në përmbushje të detyrës primare kushtetuese si President: garantimin e unitetit të popullit, mbrojtjes së vlerave dhe parimeve demokratike të sanksionuara në Kushtetutën e Shqipërisë”.

Zgjedhjet pa opozitën – fiktive, të rreme, nxisin konflikt social

Presidenti Meta solli në vëmendje krizën politike që po përjeton Shqipëria që nga heqja dorë e deputetëve opozitarë prej mandateve të tyre parlamentare, protestat dhe mos pjesëmarrja e opozitës në Lokalet 2019; gjë që do t’i bënte këto zgjedhje „fiktive dhe të rreme” vuri në dukje Meta. Ai përmendi se partitë opozitare kanë fituar 48,6 % të votave në Lokalet 2015.

“Zhvillimi i zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në 30 qershor 2019, pa pjesëmarrjen e opozitës, që përfaqëson së paku gjysmën e elektoratit shqiptar, cënon disa parime kushtetuese që gëzojnë mbrojtje të posaçme kushtetuese”, theksoi Presidenti Meta, duke patur parasysh të drejtën themelore për të zgjedhur dhe respektimn e parimit të pluralizmit politik.

Albanien Präsident Ilir Meta (DW/A. Ruci)

Ai tha se „mospjesëmarrja në zgjedhje e rreth gjysmës së votuesve, krijon rrezikun e një konflikti civil dhe thyerje të rendit kushtetues.” „Anulimi i datës së zgjedhjeve më 30 qershor, është mjeti i vetëm emergjent për zgjidhjen e krizës së rëndë politike dhe parandalimin e një përshkallëzimi të pakontrolluar të saj” theksoi presidenti shqiptar.

Meta theksoi, se „partitë opozitare nuk kanë shprehur vullnetin politik për mos pjesëmarrje në zgjedhje, por mbështetur në fakte dhe të dhëna, kanë ngritur shqetësimin se ato nuk do të jenë të lira dhe të ndershme”

Krizë parlamentare dhe kushtetuese

Presidenti Meta vuri në dukje se Shqipëria ndodhet edhe në krizë kushtetuese: prej një viti vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe së fundmi as Gjykatë të Lartë. „E gjithë kjo gjendje, është shumë shqetësuese dhe rrezikon seriozisht stabilitetin demokratik të Shqipërisë, për faktin se mekanizmat kushtetues që mbajnë nën kontroll dhe garantojnë ndarjen dhe balancimin midis pushteteve nuk janë funksionalë” tha Meta.

Një argument tjetër i rëndësishëm i Presidentit Meta është edhe mos cënimi i perspektivës europiane të Shqipërisë. „Integrimi Evropian i vendit, prej gati tre dekadash ka qenë dhe mbetet Objektivi Kombëtar i të gjitha forcave politike dhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Nëse, sot në vitin 2019, do të zhvilloheshin zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës, kjo jo vetëm do bllokonte ҫdo hap përpara në këtë drejtim, por do të përcillte një mesazh të gabuar dhe aspak të vërtetë tek të gjithë partnerët ndërkombëtarë se Shqipëria është e orientuar drejt një qasje tjetër, të ndryshme nga ajo që ka zbatuar deri më tani” theksoi ai.

Albanien Präsident Ilir Meta (DW/A. Ruci)

Meta bëri me dije se në konsultim me forcat politike do të firmosë dekretin presidencial për një datë tjetër të zhvillimit të Lokaleve 2019. Pas firmosjes së dekretit për anulimin e datës 30 qershor për Lokalet 2019, në prani të gazetarëve, Presidenti Meta, e mbylli konferencën re jashtëzakonshme për shtyp duke formuar me duar simbolin e shqiponjës. PS pas dekretimit të Metës për shfuqizimin e datës 30 qershor, deklaroi se të enjten, (13.06) do të nisë në Parlament procedurat për shkarkimin e tij.

*DW

Filed Under: Analiza Tagged With: Presidenti Meta- anulon 30 Qershorin-PS nis shkarkimin

Festohet 141 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

June 10, 2019 by dgreca

-Në vitin 2003, kur festohej 125 vjetori, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit  me Dekoratën Hero i Kosovës/

-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj: Sot shënojmë 141 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një nga momentet kyçe të historisë dhe kthesë për kahen politike të vendit, për liri dhe pavarësi/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRIZREN, 10 Qershor 2019/ Në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, zhvillohen sot veprimtarit të shënimit të 141 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“Sot shënojmë 141 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një nga momentet kyçe të historisë dhe kthesë për kahen politike të vendit, për liri dhe pavarësi. 
Vendimet e kësaj date, që u morën për vilajetet shqiptare në atë kohë, u bënë trase e rrugës tonë të deritashme dhe realizimit të aspiratës dhe të drejtës tonë shekullore”, shprehet kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në 20 vitet e lirisë në Prizren e në qytetet e tjera kosovare aktivitetet e përvjetorëve të Lidhjes Shqiptare vijojnë me festimet e ditëve të çlirimit, duke nisur me Ditën e Lirisë e Paqes – 12 Qershorin, ditën kur në vitin 1999 forcat shpëtimtare të NATO-s nisën të hyjnë në Kosovën e shkatërruar nga lufta, me mëse 12 mijë shqiptarë të vrarë e 6 mijë të zhdukur, afër një milon të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë, me 400 qytete e fshatra të djegura. Gjatë luftës forcat serbe kanë djegur edhe Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili u rinovua në Kosovën e lirë.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare janë shënuar tradicionalisht në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit nga regjimi serb.  Edhe në atë kohë veprimtaritë kushtuar Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i kam raportuar vit pas viti për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, duke nisur si korrespondenti i parë nga Kosova i mediave të Shqipërisë – nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë.

Në 10 qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa ishim në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare bashkë me ekipin e gazetës së përditshme  të rezistencës “Bujku”-Rilindja  u ndaluam nga policia serbe në Prizren, e cila po na mbante në shënjestër të armëve dhe na mori e asgjasoi fotot – filmat e aparatit fotografik, por kurrë nuk arriti të ndalojë aktivitetet dhe raportimet për Lidhjen Shqiptare.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë festohen në liri vetëm nga Qershori i vitit 1999, i hyrjes së forcave shpëtimtare të NATO-s.

 “Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Jemi krenarë me Lidhjen e Prizrenit që reflekton edhe në kohën tonë për të mire”, shprehej Rugova para 16 viteve dhe theksonte se, “Lidhja e Prizrenit ishte përcaktuar për t’u inkuadruar me shtetin e vet shqiptar në botën perëndimore”.

Atëherë, në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershori, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit historik Rugova. Ditën e parë, ai njoftonte se ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova, Shqipëria, viset e diaspora shqiptare, si dhe nga vende të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova. 

 “Kufiri i ëndrrës” ishte reportazhi futuristik që kam shkruar në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha. Në atë reportazh në kohë të rënda okupimi paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”, ku do shkonte edhe personazhja e nisur nga jugu-Janina drejt veriut të “kufirit të ëndrrës” – Mollës së Kuqe…

Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.

I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.

Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.

Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë 20 vjet nga Qershori 1999 dhe të pavarur tashmë 11 vite nga 17 Shkurti 2008, të njohur deri tani nga 116 shtete të botës.

DEKORATAT E PRSIDENTIT RUGOVA NË 125 VJETORIN E LIDHJES SË PRIZRENIT

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në vitin 2003 ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të LSHP dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vasko Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, bënte të ditur Presidenti.

 Theksohej se dekorimi i tyre është në procedurë e sipër sepse duhet përgatitur. Presidenti i Kosovës, po kështu, për herë të parë ka dekoruar 37 personalitete të njohura shqiptare dhe vende të ndryshme të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

  
Presidenti Rugova tha se Dekorata Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit u jepet personaliteteve të njohura të shqiptarëve të Kosovës dhe institucioneve me motivacion për kontrbut në të mirë të shtetit të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, për bashkëpunim dhe mirëkuptim për shqiptarët dhe integrime shqiptare si dhe për integrimin evropiane e evroatlantike.

Kjo Medalje do t’u jepet edhe personaliteteve të jashtmem, miq të e Kosovës dhe të popullit shqiptar për kontributin e tyre nëndriçimin e historisë, kulturës dhe jetës së shqiptarëve dhe personaliteteve që e ndihmojnë progresin e Kosovës, tha me këtë rast presidenti Rugova.

  
  
Të dekoruarit me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, para 15 viteve, janë këto personalitete:


Kosovë:

Idriz Ajeti,

Mark Krasniqi,

Fehmi Agani,

Adem Jashari,

Ali Hadri,

Imzot Nikë Prela,

Anton Çetta,

Mehmet Gjevori,

Zekeria Cana,

Pajazit Nushi,

Sabri Hamiti,

Rexhep Ismajli,

Muhamet Shukriu,

Eqrem Kryeziu,

Jusuf Gërvalla.


SHBA:

Xhim Xhema,

Sami Repishti,

Xhozef Diogardi.


Maqedoni:

Shukri Rrahimi,

Ali Aliu.


Mali i Zi:

Mehmet Bardhi,

Ferhat Dinosha.


Preshevë:

Riza Halimi.


Itali – arbëreshët:

Antonio Bellushi


Shqipëri:

Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu,

Eqrem Çabej,

Ismail Kadare,

Bujar Hoxha,

Azem Hajdari,

Naltmadhnia e Tij Leka I-rë,

Ernest Koliqi.


Nga bota:

Noel Malkolm,

Mishel Ruks,

Robert Elsie,

Leonard Foks.


Nga tradita:

At Gjergj Fishta,

At Shtjefën Gjeçovi.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari-Lidhja e Prizrenit-141 VJET

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT