• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2019

REGJIMI QË VRET MËSUESIT KA VRARË JETËN E KOMBIT

July 2, 2019 by dgreca

Rikujtim mësuesit e shkolluar në Austri të vrarë  nga komunizmi -/

“ Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerët”-Faik Konica /

Shkruan: Hazir MEHMETI, Vjenë /

evolucion

Zhvillimi evolutiv i njeriut rrjedh paralel me specializimet specifike të korës së truri, si baza organik e vetëdijes dhe të mësuarit. Orientimi në të mësuar varet  nga shoqëria njerëzore në etapat e zhvillimit të tij. Ato vende ku dijes, pra mësimit, iu kushtuan kujdes, u zhvilluan si shoqëri duke ndikuar në zhvillimi e shoqërisë njerëzore shekujve. Kështu është edhe sot e gjithë ditën, ato shtete që investojnë në dije (mendimin njerëzor, shkencë, art…) janë prijëse të rrjedhave të përgjithshme në botë, edhe të forcës.  Pra, të kuptuarit e dijes si forcë, e ngritë nivelin e sigurisë së shoqërisë, kombit dhe shtetit.

valët e rrjedhave 

Kombi dhe shteti shqiptar, mjerisht, asnjëherë nuk e kuptoi drejtë këtë sintagmë kohe të domosdoshme për të ardhmen e tij. Përkundrazi, arsimi ishte hallka më e anashkaluar dhe persekutuar materialisht, politikisht e fizikisht. Nëse i japim një vështirim rrjedhave të shkollës shqiptare shekullit “të pavarësisë” do të shohim dhe tmerrohemi me qëndrime të gabuara dhe kriminale të regjimeve që nga lindja e gjysmë shtetit shqiptar ( gjysmë shtet territorial dhe funksional). Periudha pasluftës së Dytë Botërore do karakterizohet me ristrukturimin e shkollës shqiptare, mjerisht ristrukturim ideologjik komunist antinjerëzor dhe antikombëtar. Në territoret shqiptare të pushtuara nga sllavët filloi lejimi i mësimit në gjuhë shqipe, por i bazuar në parimet ideologjike komuniste serbosllave në çdo shkronjë programore. Pozitive ishte, se do mësohet edhe  në gjuhën shqipe, kjo u pa në rrjedhat e deritanishme në Kosovë dhe Maqedoni.        

Pikërisht nga ky fillim dolën mësues të arsimuar duke thithë edukatë e dije nga rrethi i tyre kombëtar i përvuajtur shekujve. Ata nuk pyetën shumë për plan programin zyrtar serbosllav, por mësuan dhe ligjëruan mbi tabanin kombëtar duke formësuar mësues  e mësuese me vetëdije të lartë kombëtare që sot janë figura nderi në historinë e shkollës shqiptare dhe historinë kombëtare.    

armiq e miq
           Derisa në trevat e pushtuara shqiptare bëhej luftë për mbijetesë të shkollës, thyerjen e vetëdijes  së mbrapshtë patriarkale, religjioze konservatore, propagandës negative të armiqve, në Shqipëri instalohej sistemi diktatorial komunist duke ndjekur, persekutuar, internuar e vrarë mësuesit përparimtarë kryesisht të shkolluar në vende të ndryshme të botës. Këta mësues të edukuar në frymën demokratike të mendimit dhe ideve, nuk u pajtuan me kursin dhe kahen e proklamuar nisur nga sistemi totalitar.  Shumë prej tyre ngritën zërin e tyre mospajtues, disa heshtën në heshtjen që flet dhe vret ide të mbrapshta. Të gjithë gradualisht e pësuan dhe sot rreth tyre mësohet përmes kartonëve dokumentues të gjyqeve, burgjeve dhe internimeve. Pësuan ata së bashku me familjet e tyre, pronat e tyre.       

… a vritet mësuesja! 

Mësuesja, Marie Toçi i shkruan nënës: ”Unë po vdes sot”. Xhelatët e kuq e menduan artin e krimit  më i urryer n botë; e futen mësuesen e re  në thes së bashku me macen e egër deri në vdekjen e saj. Sa kriminel mund të jetë shqiptari ndaj njeriut të tij.         

“dekorata e kthimit në Atdhe”!!

 Shumë nga mësuesit dhe intelektualët që studiuan në Austri u kthyen në Atdhe, dhanë ndihmë të madhe në arsim, shkencë e kulturë. Shumë prej tyre të edukuar me kulturë e dije perëndimore nuk u pajtuan me sistemin komunist që po instalohej në Shqipëri. Ata u dënuan në forma të ndryshme. Në këtë shkrim, në shenjë respekti të veprës së tyre e cila buronte nga ndjenja kombëtare patriotike, po japim emrat e disa prej tyre sadopak në shkundje të harresës sonë.  
             Mësuesi dhe intelektuali i lindur në Prizren,Kolë Margjini, arrestohet nga enverianet në Shkodër ku jetonte. Kjo nuk mjafton, ata ua dorëzojnë serbeve të cilët pas torturave çnjerëzore e pushkatojnë. 

Torturat ndaj mësuesve vizionar ishin mizori  “brenda kufirit dhe jashtë tij” ishin të pa përshkruara  për nga përmasa dhe për nga arsyeja çmendurake e njeriut tonë.  Safet Butka, njeri atdhetar nga familja atdhetare u detyrua të vetëvritet nga zhgënjimi i tij me sistemin dhe njerëzit e tij që po vinin në pushtet pas gjithë asaj lufte që kishte bërë. Zef Malaj, nuk u pajtua kurrë që Shqipëria të heshtë ndaj çështjes së Çamërisë e të Kosovës dhe territoreve tjera shqiptare të copëtuara. Për këtë nga enveristët dhe klika e tij u cilësua si “Anarkist konfuz” dhe duhej të dënohej me çdo kusht, dënim e internim tërë jetën, prej tyre i kalon 23 vjet në burg nga 60 vjet dënim. Mësuesi i cili solli jetë pedagogjike e didaktike moderne nga shkollat  gjermani Fadil Gumani, dënohet dhe pushkatohet mizorisht. Ethem Haxhiademi ishte ndër pjesëmarrësit e mbledhjes themeluese të Lidhjes së Shkrimtarëve, u arrestua  në mes të natës, në shtëpinë e tij, kur ishte duke korrigjuar hartimet e nxënësve. Ai  ishte  mësues i letërsisë në Shkollën Normale të Elbasanit, duke e sjell në Tiranë, ku qëndron në hetuesinë  muaj të tërë mes torturash të tmerrshme. Kur kryetari i gjyqit ushtarak shqiptoi dënimin e tij me vdekje (sipas Abdulla Memes , i cili ishte dënua edhe ai në seancën gjyqësore  me te), Ethem Haxhiademi me plot gojën thirri: “ Rroftë Shqipëria!”. 
       Vargu i mësuesve të dënuar që kishin studiuar në Austri vazhdon tragjikisht me të njohurin   Dr.Venemin Dashi i cili u dënua 20 vjet burg dhe iu konfiskua e tërë pasuria. Dr. Dashi u dha jetë në gjuhën shqipe veprave madhore të studiuesve me famë botërore të veprave albanologjike nga Georg Von Hahn, Mayer. Kraitscher. Ky do shpërblehet nga shteti shqiptar dënim me vdekja! 

Poeti i madh i lirikës Lasgush Poradeci u la të´ në gjendje të mjerueshme ekonomike, në burg me emrin shtëpi, deri në vdekje. Syleman Harri u dënua me një shekull e një vit burg. Mësuesi tjetër i talentuar i cili po ashtu studioi në Austri, Hivzi Xeka, dënohet me 15 vjet burg. Ibrahim Babamusta  arrestohet e burgosët qëllimisht nga pushteti, të cilin fatbardhësisht gjyqi e nxjerr të pafajshëm. Izet Bebeziqi, mësues dhe intelektual i përmasave evropiane lihet të jeton në gjendje të mjerueshme ekonomike deri në vdekje. Skendër Luarasi nga pushtetarët u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve edhe pse ishte njëri nga themeluesit e saj. Mësuesi tjetër i shkolluar në Austri Qani Panariti  arrestohet dhe pushkatohet.  Intelektual i madh i përmasave evropiane, veprimtar dhe luftëtar për lirinë kombëtare, Xhevat Korça, u dënua për jetë, derisa vdes në burg. Dr. Xhevat Korça, njeriu që ngriti lartë figurën e Skënderbeut shkencërisht me disertacionin e tij, “Tri pyetje nga jeta e Skënderbeut”. përkthyes i librittë John Reed-it “Dhjetë ditë që tronditën botën“.Ai haptas i tha katilit të quajtur Mehmet Shehu se: “E urrej komunizmin  duke e njohur teorinë dhe praktikën e saj në Rusi”.

Xhafer Belegu, intelektual i patriot, autorin e veprës së përkryer “Lidhja e Prizrenit”, e dërgojnë për punë të detyruar në bujqësi. Shembull kulmor në piramidën e krimit komunist është dënimi i Dr. Sokrat Dodbibibës i cili sapo doktoron në Universitetin e Vjenës kthehet në Atdhe duke dhënë kontribute madh në ekonomi dhe financa. Ai është i njohur në historinë kombëtare si njeriu që ktheu thesarin e shtetit shqiptar në nëntorin e vitit 1943 dhe makinës së shtypjes së monedhave, të grabitur nga Italia. Për gjithë këto vepra kombëtare nga regjimi komunist u dënua me 30 vjet burg, i konfiskohet  pasuria, i shkatërrohet familja. Vdes në burg nga uria dhe torturat.   Historia e  intelektualëve, e veçanërisht e mësuesve shqiptar, është e dhimbshme aq sa edhe katandisja e shtetit shqiptar në vepra kriminale ndaj kombit shqiptar. 

Jo pa argument Faik Konica thotë: “ Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerët”. 

Filed Under: Fejton Tagged With: Hazır Mehmeti- Mesuesit e Vjenes

4 KORRIKU-SHQIPTARET DHE FESTA E AMERIKES

July 2, 2019 by dgreca

  • Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. nderoi me madhështi Pavarësinë e Amerikës, Atdheun tonë të dytë/

Woodrow Wilson- Fan S.NOLIT:Unë do të kem vetëm një zë në Konferencën e Paqes në Paris, dhe këtë zë do ta përdor për të drejtat e Shqipërisë”.  -4 Korrik 1918/

 Nga Keze Kozeta Zylo/ DIELLI/*

Me këtë thënie proverbiale të Presidentit Willson të konkretizuar me vepër nuk ka shqiptar që nuk frymëzohet dhe nderon aktin gati hyjnor të këtij presidenti amerikan për Kombin tonë.  Si qytetar shqiptaro amerikan nderojmë dhe përkujtojmë çdo vit, me katër korrik Pavarësinë e Amerikës.  Është dashuria dhe respekti i madh që kryesia e Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. e krijuar që më dhjetor, 2017 të me kryetar z.Bashikm Shehu ish zv/minister i mbrojtjes dhe z.Mark Qehaja ish ushtarak në forcat e Natos organizuan aktivitetin në mjediset e restorant “Riccardo” në Astoria, Queens.  

Që në hyrje të restorantit të mirëprisnin dy zonja aktiviste të bukura dhe plot elegancë znj.Arta Xhaferri anëtare e kryesisë dhe znj.Jeta Haxhiaj. Salla ishte e mbushur plot e përplot dhe ndrinte nga dekorimet e posaçme për këtë festë nga me të rëndësishmet për popullin amerikan, festë që ka 243 vjet që përkujtohet në çdo shtëpi amerikane.  

Ishin mjaft familje ushtarake, anëtare të shoqatës dhe simpatizantë të saj që kishin ardhur për të festuar dhe gëzuar së bashku si motra e vëllezër ngase na lidh gjaku shqiptar.  Në këtë festë nderoi me pjesëmarrjen e tij ligjvënësi amerikan nje politikan i karierës në Westchester County z.David Tubiolo.

Programi në nderim të 243 vjetorit të Pavarësisë së Amerikës

Aktiviteti u hap me hymnet Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Shqipërisë, ku të gjithë pjesëmarrësit u çuan në këmbë për t’i shoqëruar të dy hymnet.

Z.Bashkim Shehu Kryetar i Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” mbajti fjalën e hapjes së aktivitetit.  Z.Shehu përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe iu uroi atyre ta gëzojmë festën e Pavarësisë së Amerikës.  Ne jemi krenar si shoqatë “Skënderbej” që së bashku të festojmë dhe të nderojmë 243 vjetorin e Pavarësisë së Amerikës, vendit më demokratik në botë, vendit që hapi krahët dhe i ndenji në momentet më të vështira Kombit tonë.  Ai falënderoi gjithë kryesinë për këtë organizim të shkëlqyer, organizime që tashmë janë bërë traditë e bukur për gjithë shoqatën tonë.

Amerika, Atdheu i dytë i shqiptarëve dhe Pavarësia e saj

Autorja e këtyre radhëve mbajti fjalën kryesore dhe midis të tjerash tha: “shtë nder dhe kënaqësi për mua që kryesia e shoqatës me kryetar z.Bashkim Shehu më caktuan për të mbajtur fjalën kryesore rreth Pavarësisë së Amerikës.  Si një qytetare amerikane me të drejta të plota nga Kushtetuta amerikane së bashku me ju kemi se me seç të krenohemi dhe të flasim për Amerikën e cila për të gjithë bashkëkombasit e mi këtu në Amerikë është bërë Atdheu i dytë.  Ju e dini mirë se ç’do të thote t’i thuash një kombi Atdheu i dytë, është njësoj në se shumëkush prej nesh e ka provuar për të quajtur dikë si prind të dytë që do të thotë për respektin, ngrohtësinë dhe ndihmën që të ka dhënë prindi i dytë në rast nevoje dhe dashurie.  Këtë unë, ju dhe gjithë bashkatdhetarët e mi duke filluar që nga i pari që ka shkelur tokën e bekuar amerikane të dokumentuar që është Kolë Kristofori i cili zbarkoi në Boston në fillim të viteve 1880-të dhe mbahet mend si pioner i grupit etnik shqiptar në SHBA e kanë ndjerë në palcë të shpirtit ndihmën e madhe që ka dhënë Amerika në pikat më nevralgjike që ka kaluar Kombi ynë. 

Kombi amerikan u themelua nga trembëdhjetë kolonitë e Britanisë së Madhe, ndodhur përgjatë bregdetit Atlantik. Më 4 korrik 1776, ato nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, që shpalli Pavarësinë e tyre nga Britania e Madhe dhe formimin e një bashkimi te gjitha kolonive.

Shtetet kryengritëse mposhtën Britaninë e Madhe në Luftën Revolucionare Amerikane, luftën e parë të suksesshme të kolonive për Pavarësi. Kuvendi i Filadelfias përpiloi Kushtetutën e tashme të Shteteve të Bashkuara, më 17 shtator 1787; miratimi i saj në vitet vijuese i bëri shtetet pjesë të një republike të vetme me qeveri të fuqishme qendrore. Karta e të Drejtave, e përbërë nga 10 amendamentet e para kushtetuese si garanci e të drejtave dhe lirive themelore qytetare, u ratifikua më 1791.

Amerika ështe nje komb që e identifikojmë me Flamurin me të gjitha të drejtat tona.  

Arsyet pse qëndron flamuri amerikan aq lart eshte sepse eshtë krijuar nga përvojat e një populli të madh.  Gjithçka për të cilën qëndron Flamuri është shkruar nga jeta e tyre.  Flamuri është mishërimi, jo sentimenti, Flamuri është historia, do te thoshte Presidenti amerikan Woodrow Wilson, miku i madh i shqiptarëve.

Më 1945, Shtetet e Bashkuara dolën nga Lufta e Dytë Botërore si vendi i parë me armë bërthamore, anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe themeluese e NATO-s. Fundi i Luftës së Ftohtë dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik e la 

SHBA-në si superfuqinë e vetme. Afro 50% të shpenzimeve ushtarake të rruzullit bëhen nga Shtetet e Bashkuara, që vazhdojnë të jenë forcë drejtuese ekonomike, politike dhe kulturore në botë.

Shtetet e Bashkuara janë federata më e vjetër e botës. Janë Republikë Kushtetuese, ku “sundimi i shumicës zbutet nga të drejtat e pakicës, mbrojtur prej ligjit.”

Presidenti i pare i Amerikes është Xhorxh Washington dhe nderohet me një ditë pushimi nga Amerikanët për ditëlindjen e Tij. Amerika luftoi për Lirinë e fjalës, liri që e ka me nenin e kushetutës dhe dënohet me ligj kushdo që ndalon fjalën e lirë, sepse Liria e fjalës është siç thotë Washingtoni si: “Nëse liria e fjalës rrembehet dhe hidhet ne plehra, atëherë heshtja mund të udhëheq, dhe te çon si qengji drejt therrjes tek kasapi.

Të nderuar pjesëmarrës,

Sot ne festojmë  4 korrikun, ditën e Pavarësisë së Amerikes sonë Atdheut të dytë. Me te drejte ju si kryesi vendoset të bënit këtë aktivitet kulturor dhe që duket është tejet i veçantë për nga lloji dhe rëndësia që ka.  Të nderuar ushtarake dhe bashkëkombas: Ju dini të vlerësoni dhe të çmoni vlerat sepse kush më shumë se ju e ndjen në shpirt gjakun e popullit të vet që është populli më proamerikan në botë, sepse ne gjithmonë i shprehim mirënjohjen e pakufishme për çfare i ka dhuruar Kombit tonë filluar me Willson ku mbështeti me plot dashuri kërkesat e Vatrës se drejtuar nga Fan Noli kryetar dhe themelues i saj.  Kur Atdheu thërriste bijtë e vet emigrantët shisnin deri xhaketën e trupit dhe dërgonin dollarët për të mbajtur në këmbë shtetin shqiptar ku është perjetësuar me vargjet lapidar te Nolit si: “Mbahu nëno, mos ki frikë/Se ke djemtë në Amerikë!”

Ne kurrë s’duhet ta harrojmë historinë, por duhet ta mbajmë të gjallë ne kujtesën tonë dhe të brezave atë çfarë bëri Willson në Konferencën e Paqes në Paris 1919, i cili dënoi ashpër planet gjëmëzeza të fuqive të mëdha dhe mbojti me forcë popujt e vegjël.

Më 4 korrik 1918, Presidenti Uilson tek e takoi Imzot Nolin gjate vendosjes se kurorave me lule tek varri i presidentit George Washington, kerkeses se atit shpirteror te shqiptareve, themeluesit te Kishes autoqefale dhe bashkthemeluesit te Vatres, per te shpetuar Shqiperine qe rrezikohej te zhbehej, i tha se: “Zeri dhe vota ime do te jene ne mbrojtje te Kombeve te vegjel, si Shqiperia”. Pas takimit Noli i shkroi kryetarit te Vatres, Kole Tromares: E takova tre here here persidentit Wilson, te tria heret me tha: Nje vote timen dhe zerin tim do t’i perdor per t’i mbrojte shqiptaret”…

Kjo formulë shpëtimtare karakterizoi qëndrimin e tij ndaj çështjes shqiptare.Diaspora shqiptaro amerikane e udhëhequr nga Vatra organizata më e vjeter shqiptare  ka nje rol kyç  në Pavarësinë e Shqipërisë nga Konica, Noli dhe burra të tjerë të shquar dhe kjo falë lidhjeve që kishin me presidentin Willson i cili mbështeste parimin e vetëvendosjes. 

Emocionuese dhe shume domethënëse është dhe letra e nëntëstudentëve të Vjenës drejtuar presidentit Willson, më 15 dhjetor të vitit 1918, pra 101 vjet më parë.  Letrat janë 4 faqe në shqip dhe në anglisht, studentët i luteshin Wilsonit që përpara mbajtjes së Konferencës së Paqes në Paris të ndihmonin Shqipërinë e cila e kishte humbur Pavarësinë.

Studentët që nenshkruan letrën dhe qe t’i kushtonte vetëm 15 minuta nga koha e çmuar, ishin: Remzi Baçe, Jani Basho, H. Hifzi, Nush Bushati, Xhevat Korça, Luigj Kakarriqi, Gjovalin Gjadri, Raku Buda dhe Fuad Asllani.

 Një nga paragrafet më të fuqishme të letrës së studentëve dërguar Wilsonit ishte kur ata i drejtoheshin Presidentit te Amerikes me fjalët: “Zotëri! Ju lutemi në emër të djelmërisë shqiptare e të kombit shqiptar, ta merrni këtë komb fatkeq nën mbrojtjen Tuaj”.

            Amerika gjithmonë ka qenë në krah të shqiptarëve, përkrahje që kulmoi nëpërmjet Zërit të Amerikës që frymëzoi shqiptarët dhe rrëzoi, përmbysi diktatorin dhe diktaturën që izoloi për dekada një popull të tërë.

Kurrë populli shqiptar nuk mund ta harroje Pavarësisë e  Kosovës, më 17 shkurt 2008, me perkrahjen e jashtëzakonshme të Amerikës. Këtë e dimë shumë mirë ne që i përjetuam demonstratat, ecejaket në Kongresin Amerikan, lidhjet me senatorët, sensibiizimin në kolegje ku kishte studentë shqiptarë, krijimin e Batatlionit ‘Atlantiku” që sot është “Nderi i Kombit”, apo fondacionin “Vendlindja thërret” që themeluesin z.Shefki Mexhuani ish drejtor ekzekutiv i Fondit “Vendlindja thërret” për Amerikën dhe Kanadan, njëkohësisht dhe njeri ndër themeluesit dhe organizatorët kryesor të Batalionit “Atlantiku” e kemi pasur pjesëmarrës në aktivitete.

Amerika me politikën e saj parimore po ndihmon shumë në proceset demokratike si duke e anëtarësuar shqiperinë në Nato, më 1 prill 2009 si dhe në të gjitha organizmat Euroatlantike çka e radhisin Shqipërinë e vogël midis vendeve më demokratike dhe më properëndimore.

Amerika për të gjithë shqiptarët është kthyer Atdheu i dytë i tyre, ngase e ka ndjerë në palcë të shpirtit ndihmën dhe përkrahjen e jashtëzakonshme në botë, në kancelaritë perëndimore, e ka ndjerë mikpritjen e saj si dhe progresin që kanë bërë dy shtetet shqiptare në Europë si Shqipëria dhe Kosova.

Shqiptarët sot janë më të ndjerë se kurrë në botë, emri i tyre po lakohet për mirë, emra shqiptarëh të famshëm në art, kulturë, shkencë, politikë po trondisin mediat botërore, çka tregon për një ardhmëri më të mirë dhe për një mbështetje të jashtëzakonshme nga Shtëpia e Bardhë, Kongresi Amerikan dhe populli amerikan. Prandaj me krenarinë e ligjshme si shqiptaro amerikanë e festojmë me madhështi dhe mirënjohje Pavarësinë e Amerikës, Atdheun e dytë të shqiptarëve, status që e ka fituar me punë dhe me veprat e saja konkrete!

Ligjvënësi amerikan z.David Tubiolo nderoi me mirënjohje shoqatën “Skënderbej”, z.Mark Gjonaj, TV dhe Shkollën Shqipe “Alba Life si dhe shoqatën “Devolli”

Në këtë aktivitet festiv nderoi me pjesëmarrjen e tij Ligjvënësi i Westchester County Z.David Tubiolo, me një karierë të shkëlqyer në politikën amerikane.

Zgjedhja e David Tubiolo në Këshillin e Legjislatorëve të Qarkut të Westchesterit, gushtin e kaluar, e pozicionoi atë si personin më të ri në historinë e trupit qeverisës prej 17 anëtarësh.

David_Tubiolo është Ligjvënës dhe është pasardhës i gjeneratës së katërt Yonkers i cili po punon për ta bërë komunitetin Westchester një vend më të mirë çdo ditë. Ai u zgjodh për herë të parë në 2016-të gjatë një zgjedhje të jashtëzakonshme për të zëvendësuar ligjvënësin legjendar të qarkut Bernice Spreckman, ku mori 65% të votave.

Shtëpia dhe zemra e Davidit është në Westchester. Ai ka qene president i Këshillit të Arteve Artistike (UPAC), aktualisht është nënkryetar i Klubit Yonkers të Shkëmbimit, nënkryetar i Këshillit të Komunitetit dhe anëtar i Bordit të Shoqatës Hyatt, Sons of Italy Calandra Lodge dhe keshilltar në Kishën Shën Barnabas.

Ligjvenesi amerikan z.David Tubiolo u mirëprit me duartrokitje dhe brohorrima nga pjesëmarrësit si USA, USA, çka përkonte me 243 vjetorin e Pavarësisë së saj.  Ndërkohë grupi i valleve të veshur me kostumet kombëtare interpretuan valle të ndryshme nga krahinat e Shqipërisë, valle që u mirëprit me shumë emocion nga Amerikanët dhe të pranishmit. 

Z.David Tubiolo përshëndeti dhe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që kishin ardhur dhe festonin së bashku duke nderuar Pavarësinë e Amerikës.  Ai vlerësoi shumë lart komunitetin Shqiptaro Amerikan, lidhjet e forta dhe të ngushta që mbajnë me Kongresin Amerikan dhe popullin.  Diaspora shqiptaro amerikane ka një kontribut të dukshëm në shumë fusha dhe punon me shpirt duke zbatuar ligjet dhe demokracinë amerikane.  Une ju falënderoj që më keni ftuar sot këtu dhe të behem pjesë e këtij aktiviteti të rëndësishëm të Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej”. Sot dua të nderoj Shoqatën tuaj për një punë të devotshme që po bëni duke organizuar aktivitete shumë të rëndësishme dhe duke i shërbyer komunitetit dhe Amerikës.  Z.Tubiolo vlerësoi gjithashtu me pllakë mirënjohjeje z.Mark Gjonaj, këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut dhe ish Ansambleist i shtetit të Nju Jorkut.  Shkollën Shqipe dhe TV “Alba Life” pllakë që u mor nga mësuesit e Shkollës Shqipe si dhe shoqatën e mirënjohur “Devolli” që u mor nga z.Odise Salillari kryetar i shoqatës “Devolli” dhe z.Robert Metolli n/kryetar i shoqatës.   

Skena u pushtua përsëri nga nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit.  I pari që e hapi programin ishte nxënësi i talentuar Arelt Xhaferri i cili interpretoi poezinë: 

“Në Pavarësinë e Amerikës”

Gloria Puli me një shqipe të ëmbël interpretoi poezinë “Atdheu” nga Asdreni. Kelvin Rustani këndoi me plot përkushtim: “Ty Flamur të duam shumë” dhe Çamëria.  Enzo Rustani: “Kuq e Zi”.  Grupi i Devollit doli në skenë me “Vallja e Devollit” që u interpretua nga nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” si Oresti Salillari, Daniel Hoxha, Ermal Hoxha, Rafael Gjona, Andri Gjona dhe Arelt Xhaferri përgatitur nën kujdesin e mësusese Adelina Laçaj dhe asistentes Adelina Halimi Shehu.

Një Interpretim brilanterdhi nga z.Lek Çelaj qe interpretoi “I Dëbuemi” shkruar nga poeti Kombëtar Gjergj Fishta, çka është një temë që nuk i ikën koha ngase hemoragjia e ikjes vazhdon deri në këto momente, si: “Lamtumirë!-vendet e mija/ Që po zhduken dalë-kadalë/ Gjimon deti,ushton duhija/ Lkundet barka valë mbi valë.   

Një përshëndetje e veçantë dhe tejet vëllazërore erdhi nga Shqipëria nga z.Gjovalin Progni i cili falënderoi kryesine dhe të gjithë anëtarët për këtë organizim dhe në shenjë respekti e mirënjohjeje i dhuroi z.Bashkim Shehu dhe z.Mark Qehaja portretin e Skënderbeut dhe Flamurin Kombëtar.

Në këtë aktivitet përshëndetën gjithashtu z.Lambro Guma si më i moshuari 85 vjeç, Gjok Gojcaj, Gjok Lini, Arjan Haxhi i cili interpretoi poezinë për kurbetin “Venë me këmbë e vijnë pa kokë” të shkruar nga ati i tij poeti i mirënjohur Petrit Metushi.  

Një surprizë e bukur erdhi për z.Imer Laçaj anëtar i kryesisë dhe financier i shoqatës i cili kishte ditëlindjen, festë jubilare surprizë që u mirëprit me plot emocion nga të gjithë të pranishmit të cilët i uruan jetë të gjatë dhe vetëm suksese në këtë detyrë shoqërore që ka marrë përsipër, detyrë që e kryen me plot përkushtim.

Kryesia dhe të gjithë anëtarët i dhanë një falënderim krejtësisht të veçantë z.Mark Qehaja n/kryear i shoqatës për punën me plot pasion, sacrificë dhe durim që po kryen për shoqatën.

Pjesëmarrësit u argëtuan nën tingujt e DJ-it drejtuar mjeshtërisht nga z.Odise Salillari, argëtim komod dhe vëllazëror si në Atdheun e dytë të tyre në Amerikë.

Aktiviteti u filmua nga TV “Alba Life” me producent z.Qemal Zylo dhe bashkëpunëtor z.Klaudio Mucollari.

  • Per me shume fotografi shihni ne Facebook Dielli vatra.Autorja është shkrimtare, publiciste, mësuese dhe themeluese e Shkollave Shqipe në New York

Filed Under: Featured Tagged With: Keze Kozeta Zylo-4 Korriku-Skenderbej

Bota është skenë

July 2, 2019 by dgreca

Bota është skenë-William Shakespeare
(shqipërim nga Astrit Lulushi)

Bota është skenë e madhe/

Me të gjithë njerëzit aktorë/

Për secilin ka hapësirë/

Dhe role për të luajtur. /
Shtatë moshat, quhet shfaqja;/
Në fillim është foshnjëria/

Me të qara e nevoja/

Shpesh kot e pakuptim/
Por këtë njeri s’e di. /
Pastaj vjen fëmijëria/

Me zhurmë e prapësira/

Me fytyrën që ndrit

Nisesh ngadalë si kërmilli

Pa dëshirë për në shkollë.

Pastaj vjen dashuria,

Me psherëtima e balada

Për atë që do

Por s’ke guxim t’ia thuash. 
Dhe vjen koha për ushtar

Betime të ndryshme merr

Nderin vë në ballë

S’lë njeri ta prekë

I shpejtë, gati për grindje

Mbi të tjere kërkon të dukesh

Pa marrë parasysh rrezikun

Edhe mbi top hidhesh.

Pastaj vjen drejtësia

Barku i madh të duhet

Një kapele e mirë në kokë

Një vështrim të rëndë

Dhe një mjekër formale.
Mosha e gjashtë ndërron;

Pantallonat të gjëra bëhen
Sepse ti ke rënë

Syzet të varen në hundë 

Vë një çantën nën sqetull

Të dukesh i ri e i mbajtur

Në një botë që s’pyet ç’je. 

Kur mbërrin në këtë fazë

E sheh se je pafuqi e i plakur

Dhe nisesh përsëri drejt fëmijërisë.
Skena e fundit që e mbyll këtë histori

Është fëmijëria e dytë dhe harresa

Pa dhëmbë, pa sy, pa shije

Pa të gjitha ke mbetur.

***

E pashprehur
Nga Astrit Lulushi/

Lufta ndryshon shumë gjëra
Në art, në jetë dhe mes tyre,
Shpresohet, shumë nga idetë
Për çfarë janë a s’janë “intelektuale”.

Udhë të thella ka në det
Gjurmët e atyre që kaluan nuk njihen
Por nga koha e errët njeriu doli
Rrugëve të botës duke u endur –
Kullat Babele që ata ngritën
Me re të bardha i mbuluan
Kur ti mendon se u shembën
Ato vazhdojnë të na sundojnë
Me natë u mbuluan të gjitha.

Mediokri flet vazhdimisht flet
Dhe njerëzve u duket i mençur
Ç’të bëjnë, të presin 40 vjet
Apo të enden në shkretëtirë
Në këto orë të tmerrshme
Kur atdheu humbet nga sytë
Dheu u rrëshqet nga këmbët.

Zot, vetëm Ti ke mbetur
Mësoji si të luten
Jepu edhe një herë zemër
Vetëm ajo nuk di të tallet.
Shpatën e së Vërtetës
Të parët e tyre e kishin
Kur Ti ishe Zot-Prijës;
Lëre të çajë terrin
Lutja e tyre e pashprehur,
Sepse, ndërsa shpirtërat
Janë në errësirë
Ata e dinë se Ti je atje.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Asrit Lulushi- Shakespeare-Bota është skenë

Audrey Glover: Reforma zgjedhore e domosdoshme

July 2, 2019 by dgreca

Autoritetet vendase të vendosin ҫfarë do bëjnë me rezultatet e 30 qershorit, thotë ekskluzivisht për DW, Ambasadorja Audrey Glover, drejtuese e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it në Zgjedhjet Lokale 2019./

Audrey Glover me korrespondenten e DW, Ani Ruci-DW/

DW: Ambasadore Glover, si do ta përshkruani  ju në tërësi, procesin elektoral për zgjedhjet lokale, që u zhvilluan të dielën më 30 qershor, e kam fjalën që nga maji kur misioni juaj mbërriti në Shqipëri dhe deri në ditën e zgjedhjeve?
Audrey Glover: Nuk ka mbaruar ende gjithë cikli i procesit zgjedhor. Jemi duke parë me shumë interes ankimimet, që janë pjesë shumë e rëndësishme e procesit zgjedhor. Jam shumë e kënaqur që në zgjedhjet e të dielës vështirë se pati ndonjë akt të rëndë dhune. Zgjedhjet u zhvilluan qetë dhe në rregull, gjë që është shumë e mirë, duke marrë në konsideratë se sa shumë dhunë ka patur në zona të ndryshme të vendit, sa të dhunshëm kanë qënë muajt e fundit. Por përderisa procesi zgjedhor nuk ka mbaruar, ende nuk mund të përshkruaj atë në tërësi. 
DW:  Çfarë pasojash solli për votuesit bojkoti i 30 qershorit nga PD, më e madhja parti në opozitë dhe partitë e tjera opozitare, jashtë parlamentit?
Audrey Glover: Kandidatë për Kryetarë Bashkie garuan pa konkurrentë përballë. Kam folur me disa kandidatë që nuk patën kundërshtarë… ata më thane, se kjo gjë largoi disi interesin nga zgjedhjet, kur nuk ke asnjë përballë, asnjë kundër, kjo ndikon në performancën e kandidatit, sa bindës është. Në 31 bashki nga 61 nuk pati kandidatë kundërshtarë. Votuesit në këto bashki nuk patën mundësi të bëjnë zgjedhje, në kuptimin e plotë të fjalës.
DW: Pamundësoi bojkoti i opozitës pluralizmin e zgjedhjeve, tipar i zgjedhjeve demokratike? 
Audrey Glover: Përcaktimi i zgjedhjeve varet nga autoritetet e këtushme, varet se ҫfarë kanë ndërmend të bëjnë si rezultat i kësaj situate. Ne mund të nxjerrim në pah, të tregojmë se si ishte situata, por janë autoritetet e Shqipërisë që do të vendosin se ҫfarë do të bëjnë në të ardhmen, si pasojë e bojkotit të opozitës dhe zgjedhjeve pa kundërshtarë.
DW: A prodhoi kjo situatë presion mbi votuesit?  Nëse po.. ҫfarë ndikimi pati presioni tek votuesit? 
Audrey Glover: Kemi të dhëna që ndaj votuesve u ushtrua presion nga të gjitha palët politike. Por është e vështirë të vlerësosh ndikimin e presionit mbi votuesit, Ka shumë akuza që Partia Demokratike u bëri presion qytetarëve që të mos votonin dhe Partia Socialiste u bëri presion që të votonin dhe… në disa raste të mos votonin. Vëzhguesit afatgjatë kanë shumë pak informacion të drejtëpërdrejtë nga individë që u vunë nën presion. Ka patur pak raste, kur njerezit që punojnë në bashki janë vënë nën presion për të mos votuar. Por ka edhe shumë raste presioni ndaj të cilave nuk janë ngritur akuza.
DW: A janë të pazakonta zgjedhjet e 30 qershorit ? Kjo ështe hera e tretë që ju angazhoheni në misionet ndërkombëtare vëzhguese të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri?
Audrey Glover: Mospjesëmarrja e opozitës është e pazakontë. Por zgjedhjet janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Për zgjedhjet e 30 qershorit do të varet nga autoritetet e Shqipërisë se ҫfarë do të vendosin të  bëjnë me rezultatet e tyre.
DW:  Zgjedhjet janë të ndryshme por standartet europiane dhe ndërkombëtare për zgjedhje demokratike janë të njëjta apo jo?
Audrey Glover: Po, sigurisht. Të gjitha vendet anëtare të OSBE-së kanë nënshkruar angazhimet e tyre lidhur me standartet e zgjedhjeve demokratike. Por, është shteti, autoritetet e këtushme që do të vendosin se ҫfarë do të bëjë me zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk na takon ne të vendosim. Ne do të shkruajmë raportin dhe do të bëjmë rekomandime.  
DW: Ju kuptoj, por gjetjet e misionit që ju drejtoni kanë padyshim vlerë edhe për atë sesi do të vendosin autoritetet e Shqipërisë. Pra me këtë arsyetim cili është qëndrimi juaj?
Audrey Glover: Në raportin tonë përfundimtar do të ketë vlerësime dhe opinione të pa anshme për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.
DW: A sollën  argumenta shtesë, a vërtetuan zgjedhjet lokale të 30 qershorit, se kryerja e reformës zgjedhore në Shqipëri është e domosdoshme dhe  një orë e më parë?
Audrey Glover: Kryerjen e reformës zgjedhore e kemi rekomanduar prej një kohe të gjatë. Shqipëria duhet  të ketë një sistem drejtësie që të funksionojë si duhet, të ketë Gjykatën e Lartë dhe më e rëndësishme të ketë Gjykatën  Kushtetuese. Kjo do të jetë pjesë e rekomandimeve edhe kësaj here në raportin tonë final. Për Shqipërinë është e rëndësishme të ketë një sistem ligjor dhe gjyqësor, që funksionon si duhet.
 
Intervistoi: Ani Ruci 

Filed Under: Interviste Tagged With: Audrey Glover-Reforma e domosdoshme

Macron: Do të bllokoj çdo përpjekje për zgjerim të BE-së

July 2, 2019 by dgreca

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se do të bllokojë çdo përpjekje për zgjerimin e Bashkimit Evropian, derisa ky i fundit të kalojë nëpër reforma të thella.Deklarata vjen pavarësisht paralajmërimeve se shtyrja e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të minojë stabilitetin në rajonin e Ballkanit.

“Do të refuzoj çdo lloj të zgjerimit përpara një reforme të thellë të funksionimit tonë institucional”, tha Macron të hënën, pasi udhëheqësit e BE-së dështuan të plotësojnë pozitat e larta në bllok për pesë vjetët e ardhshëm.

Komisioni Evropian ka rekomanduar që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriuttë hapin negociatat e anëtarësimit me BE-në.

Por, Këshilli i ministrave BE-së, muajin e kaluar, e ka shtyrë marrjen e vendimit të tillë për në tetor.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, ka paralajmëruar në muajin maj se çdo dështim për të nisur negociatat së shpejti “mund të minojë stabilitetin dhe të shkurajojë seriozisht reformat e mëtejshme”.

Filed Under: Politike Tagged With: Macron-Bllokim-Zgjermit te BE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT