- Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. nderoi me madhështi Pavarësinë e Amerikës, Atdheun tonë të dytë/
Woodrow Wilson- Fan S.NOLIT:Unë do të kem vetëm një zë në Konferencën e Paqes në Paris, dhe këtë zë do ta përdor për të drejtat e Shqipërisë”. -4 Korrik 1918/
Nga Keze Kozeta Zylo/ DIELLI/*
Me këtë thënie proverbiale të Presidentit Willson të konkretizuar me vepër nuk ka shqiptar që nuk frymëzohet dhe nderon aktin gati hyjnor të këtij presidenti amerikan për Kombin tonë. Si qytetar shqiptaro amerikan nderojmë dhe përkujtojmë çdo vit, me katër korrik Pavarësinë e Amerikës. Është dashuria dhe respekti i madh që kryesia e Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” Inc. e krijuar që më dhjetor, 2017 të me kryetar z.Bashikm Shehu ish zv/minister i mbrojtjes dhe z.Mark Qehaja ish ushtarak në forcat e Natos organizuan aktivitetin në mjediset e restorant “Riccardo” në Astoria, Queens.
Që në hyrje të restorantit të mirëprisnin dy zonja aktiviste të bukura dhe plot elegancë znj.Arta Xhaferri anëtare e kryesisë dhe znj.Jeta Haxhiaj. Salla ishte e mbushur plot e përplot dhe ndrinte nga dekorimet e posaçme për këtë festë nga me të rëndësishmet për popullin amerikan, festë që ka 243 vjet që përkujtohet në çdo shtëpi amerikane.
Ishin mjaft familje ushtarake, anëtare të shoqatës dhe simpatizantë të saj që kishin ardhur për të festuar dhe gëzuar së bashku si motra e vëllezër ngase na lidh gjaku shqiptar. Në këtë festë nderoi me pjesëmarrjen e tij ligjvënësi amerikan nje politikan i karierës në Westchester County z.David Tubiolo.
Programi në nderim të 243 vjetorit të Pavarësisë së Amerikës
Aktiviteti u hap me hymnet Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Shqipërisë, ku të gjithë pjesëmarrësit u çuan në këmbë për t’i shoqëruar të dy hymnet.
Z.Bashkim Shehu Kryetar i Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” mbajti fjalën e hapjes së aktivitetit. Z.Shehu përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe iu uroi atyre ta gëzojmë festën e Pavarësisë së Amerikës. Ne jemi krenar si shoqatë “Skënderbej” që së bashku të festojmë dhe të nderojmë 243 vjetorin e Pavarësisë së Amerikës, vendit më demokratik në botë, vendit që hapi krahët dhe i ndenji në momentet më të vështira Kombit tonë. Ai falënderoi gjithë kryesinë për këtë organizim të shkëlqyer, organizime që tashmë janë bërë traditë e bukur për gjithë shoqatën tonë.
Amerika, Atdheu i dytë i shqiptarëve dhe Pavarësia e saj
Autorja e këtyre radhëve mbajti fjalën kryesore dhe midis të tjerash tha: “shtë nder dhe kënaqësi për mua që kryesia e shoqatës me kryetar z.Bashkim Shehu më caktuan për të mbajtur fjalën kryesore rreth Pavarësisë së Amerikës. Si një qytetare amerikane me të drejta të plota nga Kushtetuta amerikane së bashku me ju kemi se me seç të krenohemi dhe të flasim për Amerikën e cila për të gjithë bashkëkombasit e mi këtu në Amerikë është bërë Atdheu i dytë. Ju e dini mirë se ç’do të thote t’i thuash një kombi Atdheu i dytë, është njësoj në se shumëkush prej nesh e ka provuar për të quajtur dikë si prind të dytë që do të thotë për respektin, ngrohtësinë dhe ndihmën që të ka dhënë prindi i dytë në rast nevoje dhe dashurie. Këtë unë, ju dhe gjithë bashkatdhetarët e mi duke filluar që nga i pari që ka shkelur tokën e bekuar amerikane të dokumentuar që është Kolë Kristofori i cili zbarkoi në Boston në fillim të viteve 1880-të dhe mbahet mend si pioner i grupit etnik shqiptar në SHBA e kanë ndjerë në palcë të shpirtit ndihmën e madhe që ka dhënë Amerika në pikat më nevralgjike që ka kaluar Kombi ynë.
Kombi amerikan u themelua nga trembëdhjetë kolonitë e Britanisë së Madhe, ndodhur përgjatë bregdetit Atlantik. Më 4 korrik 1776, ato nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, që shpalli Pavarësinë e tyre nga Britania e Madhe dhe formimin e një bashkimi te gjitha kolonive.
Shtetet kryengritëse mposhtën Britaninë e Madhe në Luftën Revolucionare Amerikane, luftën e parë të suksesshme të kolonive për Pavarësi. Kuvendi i Filadelfias përpiloi Kushtetutën e tashme të Shteteve të Bashkuara, më 17 shtator 1787; miratimi i saj në vitet vijuese i bëri shtetet pjesë të një republike të vetme me qeveri të fuqishme qendrore. Karta e të Drejtave, e përbërë nga 10 amendamentet e para kushtetuese si garanci e të drejtave dhe lirive themelore qytetare, u ratifikua më 1791.
Amerika ështe nje komb që e identifikojmë me Flamurin me të gjitha të drejtat tona.
Arsyet pse qëndron flamuri amerikan aq lart eshte sepse eshtë krijuar nga përvojat e një populli të madh. Gjithçka për të cilën qëndron Flamuri është shkruar nga jeta e tyre. Flamuri është mishërimi, jo sentimenti, Flamuri është historia, do te thoshte Presidenti amerikan Woodrow Wilson, miku i madh i shqiptarëve.
Më 1945, Shtetet e Bashkuara dolën nga Lufta e Dytë Botërore si vendi i parë me armë bërthamore, anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe themeluese e NATO-s. Fundi i Luftës së Ftohtë dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik e la
SHBA-në si superfuqinë e vetme. Afro 50% të shpenzimeve ushtarake të rruzullit bëhen nga Shtetet e Bashkuara, që vazhdojnë të jenë forcë drejtuese ekonomike, politike dhe kulturore në botë.
Shtetet e Bashkuara janë federata më e vjetër e botës. Janë Republikë Kushtetuese, ku “sundimi i shumicës zbutet nga të drejtat e pakicës, mbrojtur prej ligjit.”
Presidenti i pare i Amerikes është Xhorxh Washington dhe nderohet me një ditë pushimi nga Amerikanët për ditëlindjen e Tij. Amerika luftoi për Lirinë e fjalës, liri që e ka me nenin e kushetutës dhe dënohet me ligj kushdo që ndalon fjalën e lirë, sepse Liria e fjalës është siç thotë Washingtoni si: “Nëse liria e fjalës rrembehet dhe hidhet ne plehra, atëherë heshtja mund të udhëheq, dhe te çon si qengji drejt therrjes tek kasapi.
Të nderuar pjesëmarrës,
Sot ne festojmë 4 korrikun, ditën e Pavarësisë së Amerikes sonë Atdheut të dytë. Me te drejte ju si kryesi vendoset të bënit këtë aktivitet kulturor dhe që duket është tejet i veçantë për nga lloji dhe rëndësia që ka. Të nderuar ushtarake dhe bashkëkombas: Ju dini të vlerësoni dhe të çmoni vlerat sepse kush më shumë se ju e ndjen në shpirt gjakun e popullit të vet që është populli më proamerikan në botë, sepse ne gjithmonë i shprehim mirënjohjen e pakufishme për çfare i ka dhuruar Kombit tonë filluar me Willson ku mbështeti me plot dashuri kërkesat e Vatrës se drejtuar nga Fan Noli kryetar dhe themelues i saj. Kur Atdheu thërriste bijtë e vet emigrantët shisnin deri xhaketën e trupit dhe dërgonin dollarët për të mbajtur në këmbë shtetin shqiptar ku është perjetësuar me vargjet lapidar te Nolit si: “Mbahu nëno, mos ki frikë/Se ke djemtë në Amerikë!”
Ne kurrë s’duhet ta harrojmë historinë, por duhet ta mbajmë të gjallë ne kujtesën tonë dhe të brezave atë çfarë bëri Willson në Konferencën e Paqes në Paris 1919, i cili dënoi ashpër planet gjëmëzeza të fuqive të mëdha dhe mbojti me forcë popujt e vegjël.
Më 4 korrik 1918, Presidenti Uilson tek e takoi Imzot Nolin gjate vendosjes se kurorave me lule tek varri i presidentit George Washington, kerkeses se atit shpirteror te shqiptareve, themeluesit te Kishes autoqefale dhe bashkthemeluesit te Vatres, per te shpetuar Shqiperine qe rrezikohej te zhbehej, i tha se: “Zeri dhe vota ime do te jene ne mbrojtje te Kombeve te vegjel, si Shqiperia”. Pas takimit Noli i shkroi kryetarit te Vatres, Kole Tromares: E takova tre here here persidentit Wilson, te tria heret me tha: Nje vote timen dhe zerin tim do t’i perdor per t’i mbrojte shqiptaret”…
Kjo formulë shpëtimtare karakterizoi qëndrimin e tij ndaj çështjes shqiptare.Diaspora shqiptaro amerikane e udhëhequr nga Vatra organizata më e vjeter shqiptare ka nje rol kyç në Pavarësinë e Shqipërisë nga Konica, Noli dhe burra të tjerë të shquar dhe kjo falë lidhjeve që kishin me presidentin Willson i cili mbështeste parimin e vetëvendosjes.
Emocionuese dhe shume domethënëse është dhe letra e nëntëstudentëve të Vjenës drejtuar presidentit Willson, më 15 dhjetor të vitit 1918, pra 101 vjet më parë. Letrat janë 4 faqe në shqip dhe në anglisht, studentët i luteshin Wilsonit që përpara mbajtjes së Konferencës së Paqes në Paris të ndihmonin Shqipërinë e cila e kishte humbur Pavarësinë.
Studentët që nenshkruan letrën dhe qe t’i kushtonte vetëm 15 minuta nga koha e çmuar, ishin: Remzi Baçe, Jani Basho, H. Hifzi, Nush Bushati, Xhevat Korça, Luigj Kakarriqi, Gjovalin Gjadri, Raku Buda dhe Fuad Asllani.
Një nga paragrafet më të fuqishme të letrës së studentëve dërguar Wilsonit ishte kur ata i drejtoheshin Presidentit te Amerikes me fjalët: “Zotëri! Ju lutemi në emër të djelmërisë shqiptare e të kombit shqiptar, ta merrni këtë komb fatkeq nën mbrojtjen Tuaj”.
Amerika gjithmonë ka qenë në krah të shqiptarëve, përkrahje që kulmoi nëpërmjet Zërit të Amerikës që frymëzoi shqiptarët dhe rrëzoi, përmbysi diktatorin dhe diktaturën që izoloi për dekada një popull të tërë.
Kurrë populli shqiptar nuk mund ta harroje Pavarësisë e Kosovës, më 17 shkurt 2008, me perkrahjen e jashtëzakonshme të Amerikës. Këtë e dimë shumë mirë ne që i përjetuam demonstratat, ecejaket në Kongresin Amerikan, lidhjet me senatorët, sensibiizimin në kolegje ku kishte studentë shqiptarë, krijimin e Batatlionit ‘Atlantiku” që sot është “Nderi i Kombit”, apo fondacionin “Vendlindja thërret” që themeluesin z.Shefki Mexhuani ish drejtor ekzekutiv i Fondit “Vendlindja thërret” për Amerikën dhe Kanadan, njëkohësisht dhe njeri ndër themeluesit dhe organizatorët kryesor të Batalionit “Atlantiku” e kemi pasur pjesëmarrës në aktivitete.
Amerika me politikën e saj parimore po ndihmon shumë në proceset demokratike si duke e anëtarësuar shqiperinë në Nato, më 1 prill 2009 si dhe në të gjitha organizmat Euroatlantike çka e radhisin Shqipërinë e vogël midis vendeve më demokratike dhe më properëndimore.
Amerika për të gjithë shqiptarët është kthyer Atdheu i dytë i tyre, ngase e ka ndjerë në palcë të shpirtit ndihmën dhe përkrahjen e jashtëzakonshme në botë, në kancelaritë perëndimore, e ka ndjerë mikpritjen e saj si dhe progresin që kanë bërë dy shtetet shqiptare në Europë si Shqipëria dhe Kosova.
Shqiptarët sot janë më të ndjerë se kurrë në botë, emri i tyre po lakohet për mirë, emra shqiptarëh të famshëm në art, kulturë, shkencë, politikë po trondisin mediat botërore, çka tregon për një ardhmëri më të mirë dhe për një mbështetje të jashtëzakonshme nga Shtëpia e Bardhë, Kongresi Amerikan dhe populli amerikan. Prandaj me krenarinë e ligjshme si shqiptaro amerikanë e festojmë me madhështi dhe mirënjohje Pavarësinë e Amerikës, Atdheun e dytë të shqiptarëve, status që e ka fituar me punë dhe me veprat e saja konkrete!
Ligjvënësi amerikan z.David Tubiolo nderoi me mirënjohje shoqatën “Skënderbej”, z.Mark Gjonaj, TV dhe Shkollën Shqipe “Alba Life si dhe shoqatën “Devolli”
Në këtë aktivitet festiv nderoi me pjesëmarrjen e tij Ligjvënësi i Westchester County Z.David Tubiolo, me një karierë të shkëlqyer në politikën amerikane.
Zgjedhja e David Tubiolo në Këshillin e Legjislatorëve të Qarkut të Westchesterit, gushtin e kaluar, e pozicionoi atë si personin më të ri në historinë e trupit qeverisës prej 17 anëtarësh.
David_Tubiolo është Ligjvënës dhe është pasardhës i gjeneratës së katërt Yonkers i cili po punon për ta bërë komunitetin Westchester një vend më të mirë çdo ditë. Ai u zgjodh për herë të parë në 2016-të gjatë një zgjedhje të jashtëzakonshme për të zëvendësuar ligjvënësin legjendar të qarkut Bernice Spreckman, ku mori 65% të votave.
Shtëpia dhe zemra e Davidit është në Westchester. Ai ka qene president i Këshillit të Arteve Artistike (UPAC), aktualisht është nënkryetar i Klubit Yonkers të Shkëmbimit, nënkryetar i Këshillit të Komunitetit dhe anëtar i Bordit të Shoqatës Hyatt, Sons of Italy Calandra Lodge dhe keshilltar në Kishën Shën Barnabas.
Ligjvenesi amerikan z.David Tubiolo u mirëprit me duartrokitje dhe brohorrima nga pjesëmarrësit si USA, USA, çka përkonte me 243 vjetorin e Pavarësisë së saj. Ndërkohë grupi i valleve të veshur me kostumet kombëtare interpretuan valle të ndryshme nga krahinat e Shqipërisë, valle që u mirëprit me shumë emocion nga Amerikanët dhe të pranishmit.
Z.David Tubiolo përshëndeti dhe falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që kishin ardhur dhe festonin së bashku duke nderuar Pavarësinë e Amerikës. Ai vlerësoi shumë lart komunitetin Shqiptaro Amerikan, lidhjet e forta dhe të ngushta që mbajnë me Kongresin Amerikan dhe popullin. Diaspora shqiptaro amerikane ka një kontribut të dukshëm në shumë fusha dhe punon me shpirt duke zbatuar ligjet dhe demokracinë amerikane. Une ju falënderoj që më keni ftuar sot këtu dhe të behem pjesë e këtij aktiviteti të rëndësishëm të Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej”. Sot dua të nderoj Shoqatën tuaj për një punë të devotshme që po bëni duke organizuar aktivitete shumë të rëndësishme dhe duke i shërbyer komunitetit dhe Amerikës. Z.Tubiolo vlerësoi gjithashtu me pllakë mirënjohjeje z.Mark Gjonaj, këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut dhe ish Ansambleist i shtetit të Nju Jorkut. Shkollën Shqipe dhe TV “Alba Life” pllakë që u mor nga mësuesit e Shkollës Shqipe si dhe shoqatën e mirënjohur “Devolli” që u mor nga z.Odise Salillari kryetar i shoqatës “Devolli” dhe z.Robert Metolli n/kryetar i shoqatës.
Skena u pushtua përsëri nga nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit. I pari që e hapi programin ishte nxënësi i talentuar Arelt Xhaferri i cili interpretoi poezinë:
“Në Pavarësinë e Amerikës”
Gloria Puli me një shqipe të ëmbël interpretoi poezinë “Atdheu” nga Asdreni. Kelvin Rustani këndoi me plot përkushtim: “Ty Flamur të duam shumë” dhe Çamëria. Enzo Rustani: “Kuq e Zi”. Grupi i Devollit doli në skenë me “Vallja e Devollit” që u interpretua nga nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” si Oresti Salillari, Daniel Hoxha, Ermal Hoxha, Rafael Gjona, Andri Gjona dhe Arelt Xhaferri përgatitur nën kujdesin e mësusese Adelina Laçaj dhe asistentes Adelina Halimi Shehu.
Një Interpretim brilanterdhi nga z.Lek Çelaj qe interpretoi “I Dëbuemi” shkruar nga poeti Kombëtar Gjergj Fishta, çka është një temë që nuk i ikën koha ngase hemoragjia e ikjes vazhdon deri në këto momente, si: “Lamtumirë!-vendet e mija/ Që po zhduken dalë-kadalë/ Gjimon deti,ushton duhija/ Lkundet barka valë mbi valë.
Një përshëndetje e veçantë dhe tejet vëllazërore erdhi nga Shqipëria nga z.Gjovalin Progni i cili falënderoi kryesine dhe të gjithë anëtarët për këtë organizim dhe në shenjë respekti e mirënjohjeje i dhuroi z.Bashkim Shehu dhe z.Mark Qehaja portretin e Skënderbeut dhe Flamurin Kombëtar.
Në këtë aktivitet përshëndetën gjithashtu z.Lambro Guma si më i moshuari 85 vjeç, Gjok Gojcaj, Gjok Lini, Arjan Haxhi i cili interpretoi poezinë për kurbetin “Venë me këmbë e vijnë pa kokë” të shkruar nga ati i tij poeti i mirënjohur Petrit Metushi.
Një surprizë e bukur erdhi për z.Imer Laçaj anëtar i kryesisë dhe financier i shoqatës i cili kishte ditëlindjen, festë jubilare surprizë që u mirëprit me plot emocion nga të gjithë të pranishmit të cilët i uruan jetë të gjatë dhe vetëm suksese në këtë detyrë shoqërore që ka marrë përsipër, detyrë që e kryen me plot përkushtim.
Kryesia dhe të gjithë anëtarët i dhanë një falënderim krejtësisht të veçantë z.Mark Qehaja n/kryear i shoqatës për punën me plot pasion, sacrificë dhe durim që po kryen për shoqatën.
Pjesëmarrësit u argëtuan nën tingujt e DJ-it drejtuar mjeshtërisht nga z.Odise Salillari, argëtim komod dhe vëllazëror si në Atdheun e dytë të tyre në Amerikë.
Aktiviteti u filmua nga TV “Alba Life” me producent z.Qemal Zylo dhe bashkëpunëtor z.Klaudio Mucollari.
- Per me shume fotografi shihni ne Facebook Dielli vatra.Autorja është shkrimtare, publiciste, mësuese dhe themeluese e Shkollave Shqipe në New York