• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2019

Kosova-Rugova, vizione Lirie e Pavarësie para çerek shekulli

September 22, 2019 by dgreca

Kosova-Rugova, vizione Lirie e Pavarësie para çerek shekulli

-Vizionet e parashikimet në lëvizjen e luftën drejt Lirisë e Pavarësisë,  për të cilat fliste Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova edhe në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar pikërisht para çerek shekulli janë realizuar gjatë viteve: “Një mbrojtje për Kosovën…një protektorat ndërkombëtar” erdhi me ndërhyjen shpëtimtare të forcës më të madhe planetare – NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendosjen e administratës së Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin e madh të lirisë 1999. “Dhe, kjo kontribuon në realizimin e pavarësisë, për të cilën është deklaruar populli i Kosovës”, shprehej Presidenti Rugova…dhe pavarësia u shpall në 17 Shkurtin historik 2008 dhe u njoh deri tani nga 116 shtete të botës…

-Gazeta DIELLI intervistën me Presidentin historik Rugova e riboton të plotë sot pas çerek shekulli – ashtu si u botua të hënen e 26 Shtatorit 1994,  në gazetën e përditshme të rezistencës në Kosovë “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia  të gazetës tradicionale shqiptare kosovare Rilindja/

– Gazeta DIELLI sjell sot edhe një verison në anglisht të intervistës së botuar po para çerek shekulli nga media tjera:

“Not a passive, but an organized Resistance”
President Rugova says in interview with ATA./

PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS RUGOVA, INTERVISTË PARA ÇEREK SHEKULLI: POLITIKË GLOBALE QË SA MË PARË TË BJERË MURI MES SHQIPTARËVE

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 22 Shtator 2019/ Vizionet e parashikimet në lëvizjen e luftën drejt Lirisë e Pavarësisë,  për të cilat fliste Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova edhe në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar pikërisht para çerek shekulli janë realizuar gjatë viteve: “Një mbrojtje për Kosovën…një protektorat ndërkombëtar” erdhi me ndërhyjen shpëtimtare të forcës më të madhe planetare – NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendosjen e administratës së Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin e madh të lirisë 1999. “Dhe, kjo kontribuon në realizimin e pavarësisë, për të cilën është deklaruar populli i Kosovës”, shprehej Presidenti Rugova…dhe pavarësia u shpall në 17 Shkurtin historik 2008 dhe u njoh deri tani nga 116 shtete të botës…

 “Politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”, ishte titulli i intervistës ekskluzive që kam zhvilluar pikërisht në 22 Shtatorin e para 25 viteve me Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, në trevjetorin e Referendumit për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur me votim pro 99,87%/, të mbajtur nga 26 deri në 30 Shtator 1991.

Referendumin që pasonte Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990,  Presidenti  Rugova e vlerësonte “një akt që e afirmoi tutje dhe një garanci për realizimin e pavarësisë”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

Me Presidentin Rugova bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, në Prishtinë, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.

Kjo ishte intervista e parë e një Presidenti të Kosovës për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – ATSH, për të cilën raportoja si korrespondent në Kosovë nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare e presidenciale.

Intervista e Presidentit të parë të Kosovës marrë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare në atë kohë u botua nga shumë media kombëtare e ndërkombëtare. Ashtu si u botua pikërisht para 25 viteve, të hënen e 26 Shtatorit 1994,  në gazetën e përditshme të rezistencës në Kosovë “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia  të gazetës tradicionale shqiptare kosovare Rilindja, intervista me Presidentin historik Rugova ribotohet e plotë sot pas çerek shekulli nga Gazeta DIELLI dhe  është kjo:

MBITITULLI: Intervistë e Presidentit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova dhënë Agjencisë Telegrafike Shqiptare

Titulli:POLITIKË GLOBALE QË SA MË PARË TË BJERË MURI MES SHQIPTARËVE

—

NËNTITUJT: Bëjmë një rezistencë mjaft të organizuar, kemi arritur të mbijetojmë, të organizojmë jetën tonë, prandaj në saje të kësaj edhe i kemi ikur asaj më të keqes. – Në planin ndërkombëtar, ideja për mbrojtje ndërkombëtare të Kosovës shqyrtohet. – Shpresojmë se serbët një ditë do të ndryshojnë vetëdijen e tyre politike dhe do ta kuptojnë edhe ndryshe çështjen e Kosovës, pra edhe siç e kuptojnë shqiptarët, e jo vetëm siç dëshirojnë ata ta kuptojnë në një mënyrë mitike e mitizuese. – Dialogu me serbët gjithsesi në prani të faktorit ndërkombëtar. – Ideja për lidhje konfederale të Kosovës me Shqipërinë u prit mirë në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. – Me hapjen e problemeve me Shqipërinë, Greqia dëshiron ta zvogëlojë çështjen e Kosovës dhe t’i ndihmojë disi Serbisë në këtë plan. – Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale është një akt që e afirmoi tutje çështjen dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës. – Shqiptarët në Maqedoni duhet të dalin në zgjedhje në koalicion. – Zgjedhjet në LDK ishin shumë të suksesshme në planin e vazhdimësisë, unitetit e konsolidimit

—

Prishtinë, 25 shtator (ATSH)

Presidenti i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, në një intervistë që i dha Agjencisë Telegrafike Shqiptare, flet për shkallëzimin e represionit e të terrorit në Kosovë, për shmangien e konfliktit e mbrojtjen ndërkombëtare për Kosovën, tendencat greke për destabilizim të Ballkanit e në raport me Shqipërinë e shqiptarët, politikën globale shqiptare e për bashkëpunimin me Shqipërinë, idenë e lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë, zgjidhjen e çështjes shqiptare në të gjitha trojet etnike në ish-Jugosllavi, për zgjedhjet në LDK – partinë më të madhe shqiptare në Kosovë, dhe për çështje të tjera aktuale. Intervistoi: Behlul JASHARI. (Kjo është intervista e parë e një presidenti të Kosovës për ATSH-në)

PËRDITSHMËRI REPRESIVE QË NGRITË TENSIONET NË KOSOVË E NË RAJON

Zoti President, institucione e asociacione ndërkombëtare (si Amnesty International në raportin e fundit etj.) kanë shprehur brengosje e shqetësim për shkallëzim të përshpejtuar të represionit e të terrorit në Kosovë. Çfarë është situate shikuar nga afër, si përditshmëri e popullit të Kosovës?

-Në Kosovë qe sa vite e kemi një përditshmëri represive, represion sistematik, që shkallëzon apo përshpejtohet edhe me ngjarje të ndryshme, siç i kishim vrasjet edhe këta dy muajt e fundit dhe momente të tjera të rënda. Është një represion masiv në Kosovë, dhe, natyrish, i ngritë tensionet politike këtu dhe në rajon. Represioni veçmas është shprehur pas largimit të misionit të KSBE-së nga Kosova. Prandaj, kërkojmë praninë ndërkombëtare në Kosovë, e po ashtu kushtëzimin e sanksioneve kundër Serbisë e Malit të Zi edhe me Kosovën.

Institucione e asociacione ndërkombëtare e kanë të njohur çështjen e Kosovës, sidomos Amnesty International, e cila ndjek situatën, më duket, prej 81-shës, e këtej, sidomos këto vitet e fundit. Situata ndiqet po ashtu edhe nga Federata e Helsinkit nga Vjena, pasaj nga Helsinki Uaç i SHBA-ve dhe nga mjaft institucione të tjera ndërkombëtare. Ne përshëndesim çdo interesim dhe angazhim ndërkombëtar për çështjen e Kosovës.

REZISTENCË E ORGANIZUAR PËR TË MBIJETUAR

Ka kohë që Kosova jeton midis një gjendje lufte të pashpallur dhe të një paqeje të paqenë. Në këtë front dhune, siç e quani ju, si u arrit, që, megjithatë, Kosova dhe shqiptarët t’i shmangen konfliktit të hapur dhe të jenë faktorë të krijimit të stabilitetit në rajon?

-Flitet se në Kosovë është një paqe e këtij apo atij lloji. Do të kisha thënë se, megjithatë, është më mirë që ekziston një gjendje e tillë sesa të ndodhte ajo më e keqja. Mundësinë e një konflikti kemi arritur ta evitojmë në saje të politikës që kemi ndjekur deri tash, rezistencës paqësore dhe të një rezistence politike, njëhohësisht në saje të popullit të Kosovës, i cili nuk i ka pranuar provokimet. Populli ka dhënë mjaft sakrifica deri tash, qoftë me maltretimin, me situatën represive, pastaj me vrasje të ndryshme. Mund të them se nuk është një rezistencë pasive, siç komentohet shpesh. Pra, është një rezistencë mjaft e organizuar, kemi arritur të mbijetojmë, të organizojmë jetën tonë, prandaj në saje të kësaj edhe i kemi ikur asaj më të keqes.

Po ashtu, situatën në Kosovë duhet ta shikojmë në bazë të situatës në të gjitha rajohet e ish-Jugosllavisë, sepse është një rajon i mbërthyer në luftë, me fronte të hapura në Bosnjë, në Kroaci, pastaj në Kosovë me një front të dhunës dhe të represionit. Pra, në këtë kontekst, Kosova ka kontribuar që të ruhet një lloj stabiliteti dhe të shpëtohet substanca, masa njerëzore shqiptare në Kosovë.

GREQIA NUK KA TË DREJTË

Tendenca të reja të destabilizimit të rajonit u shfaqën kohëve të fundit edhe nga ana e Greqisë. Si i vlerësoni këto tendenca në raport me Shqipërinë, po edhe me Kosovën e shqiptarët, përgjithësisht?

-Për fat të keq, Greqia qe një kohë paraqitet si faktor destabilizues në Ballkan, mund të themi mbas Serbisë. Prandaj, ne kemi kërkuar disa herë nga Greqia edhe si anëtare e Bashkësisë Evropiane të kontribuojë për marrëdhënie më të mira fqinjësore me Shqipërinë dhe me popullin shqiptar në përgjithësi. Nëse këtë mund ta interpretojmë si një lidhje me Serbinë, qoftë direkte apo indirekte, mund të them se kjo bëhet me qëllim që të minimizohet çështja e Kosovës në planin ndërkombëtar. Sot çështja e Kosovës po depërton në këtë plansiçështje që don zgjidhje në bazë të vullnetit të popullit të Kosovës. Ndërsa, me hapjen e problemeve me Shqipërinë gjithsesi Greqia dëshiron, dhe një herë e them, ta zvogëlojë çështjen e Kosovës dhe, mund të themi, t’i ndihmojë disi Serbisë në këtë plan. Mirëpo, Greqia nuk ka të drejtë. Kemi të bëjmë me një minoritet të vogël grek në Shqipëri, i cili, edhe më parë ka gëzuar një vistër të drejtash ashtu si të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Ndërsa sot, pas ndryshimeve demokratike, gjithsesi janë më të avancuara ato të drejta dhe do të avancohen vazhdimisht siç e ka realizuar dhe e premton qeveria shqiptare dhe presidenti Berisha. Prandaj, i bëj edhe një apel Greqisë që më tutje të ndikojë në qetësimin e situatës në Ballkan.

PROTEKTORATI QË E KËRKOJMË NUK ËSHTË QËLLIM FINAL

Për shkak të situatës së rëndë në Kosovë dhe rreziqeve të përhapjes së konfliktit edhe në Jug, Ju keni kërkuar shumë herë mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën. Në ç’formë do të ishte e mundshme ajo mbrotje dhe çfarë është qëndrimi ndërkombëtar lidhur me këtë kërkesë?

-Ne kemi kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta, mandej të bisedohet me serbët për ardhmërinë e Kosovës. Në këtë mënyrë, shpresojmë se serbët një ditë do të ndryshojnë vetëdijen e tyre politike dhe do ta kuptojnë edhe ndryshe çështjen e Kosovës, pra edhe siç e kuptonë shqiptarët, e jo vetëm siç dëshirojnë ata ta kuptojnë në një mënyrë mitike e mitizuese.

Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim. Po shtoj edhe me këtë rast se ka disa keqkuptime në opinionin kosovar. E, duhet ditur se protektorati apo administrata civile nuk është qëllim final, por është vetëm një mjet legal i së drejtës ndërkombëtare dhe në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara për të qetësuar një rajon apo një territor, siç është Kosova, që të gjendet një zgjidhje pa luftë dhe pa konflike. Dhe, kjo kontribuon në realizimin e pavarësisë, për të cilën është deklaruar populli i Kosovës.

BISEDIMET SHQIPTARO-SERBE GJITHËSESI NË PRANI TË PALËS SË TRETË

Krahas gatishmërisë së kahershme shqiptare, kohëve të fundit janë shtuar edhe insistimet ndërkombëtare për dialog midis Prishtinës e Beogradit. Çfarë janë mundësitë dhe gjasat e fillimit të këtij dialogu?

-Ne, qe sa kohë, jemi përcaktuar për bisedime, për dialog, për marrëveshje me Serbinë. Po, Serbia nuk ka treguar interesim. Ne u përpoqëm t’i shfrytëzojmë edhe institucionet ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, siç ishte Konferenca e Londrës, e Gjenevës, ku ekziston Grupi i veçantë punues për Kosovën. Biseduam për disa probleme konkrete, para dy vjetëve, siç janë arsimi, masmedia, shëndetësia, por nuk arritëm kurrëfarë rezultatesh.

Tash për tash flitet për mundësitë e një dialogu dhe për këtë falënderoi bashkësinë ndërkombëtare, vendet e Bashkësisë Evropiane dhe vendet e treta, si ato skandinave, Austrinë, etj. Pastaj, SHBA-të janë të interesuara që të fillojë ndonjë bisedim, ndonjë dialog. Deri tash zyrtarisht nuk kemi pasur indikacione nga pala serbe, por shpresoj se edhe ajo do të bindet një ditë dhe do të bisedojmë, të gjejmë zgjidhje, qoftë në kuadër të institucionit ndërkombëtar, siç është Konferenca e Gjenevës, apo ndonjë tjetër. Por, ne gjithësesi kërkojmë një palë të tretë të autorizuar për dialog. Kur them të autorizuar mendoj që ky grup apo bosht shtetesh që është aktualisht në Grupin Kontaktues për ish-Jugosllavinë, që është tash për tash i koncentrar në Bosnjë, SHBA-të, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, pra nga ky grup të gjendet një palë e autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do të udhëheqte dialogun. Dhe, ky nuk është ndonjë kusht nga pala shqiptare, siç e paraqet Serbia duke dashur ta eliminojë palën e tretë, por, kjo është më shumë teknikë e dialogut, e bisedimeve, dhe kurrgjë më shumë. Dhe, në këtë drejtim ne insistojmë.

PROJEKTI I LIDHJEVE KONFEDERALE TË KOSOVËS ME SHQIPËRINË LEHTËSON ZGJIDHJEN

Në kuadër të propozimeve e modaliteteve për zgjidhjet e mundshme për Bosnjën e ish-Jugosllavinë, ideja Juaj për mundësinë e lidhjes konfederale të Kosovës me Shqipërinë pati mjaft jehonë. A mund të lidhet kjo ide edhe me integrimet e dëshiruara kombëtare dhe me rikomponimet e paralajmëruara në Ballkan?

-Mua më vjen mirë që kjo ide pati jehonë dhe u prit mirë kështu në opinionin ndërkombëtar, po ashtu edhe në atë diplomatik dhe shtetëror. Një ide e tillë do të lehtësonte zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Siç kam thënë, nëse legalizohen lidhjet konfederale tash aktualisht mes serbëve të Bosnjës e Serbisë,  atëherë patjetër duhet të legalizohen edhe për shqiptarët.

Siç dihet, në opcionin e tretë të Dokumentit – Deklaratës së Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, të aprovuar më 1991, qëndron edhe kjo – lidhjet konfederale apo bashkimi me Shqipërinë. Por, tri opcionet e atij dokumenti varen nga ndryshimet e kufijve të brendshëm dhe kufijve të jashtëm të ish-Jugosllavisë. Prandaj, një projekt i tillë i lidhjeve konfederale të Kosovës me Shqipërinë është më afër mendësh dhe mund të realizohet. Natyrisht, kjo do të lehtësonte shumë gjëra në integrimet shqiptare, në integrimet ballkanike e në integrimet evropiane, që janë një proces dhe duhet t’i shikojmë si një proces.

Dokumenti që e përmenda më parë, është një dokument vërtetë me një vizion që na ka drejtuar deri tash në punën tonë të përgjithshme, të partive politike, edhe në krijimin dhe punën e institucioneve të Kosovës.

POLITIKA GLOBALE SHQIPTARE PO REALIZOHET

Shpesh theksoni politikën globale shqiptare, çfarë është kjo politikë e realizuar në praktikë dhe në këto kushte të ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij?

 -Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare edhe ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që i ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët, nuk po shkoj më tutje, pas vitit 1912, pastaj 1918, sidomos pas ’45-tës, pra për herë të parë bashkëpunojmë në planin politik. Dhe, natyrisht, në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Do të thotë e kemi një vizion se çka duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se një politikë globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte. Për shembull, me politikë globale shqiptare mendojmë që sa më parë ky mur mes shqiptarëve të bjerë.

Po ashtu politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen e shqiptarëve në planin ndërkombëtar. Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj brenda dhe jashtë e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët. Kjo gjithësesi është një bazë, një element që premton realizimin e aspiratave shqiptare në përgjithësi. Besoj, shumë gjëra janë dëshmuar deri tash. Dhe, kur të kryhen disa punë tash, që i kanë rënë brezit tonë, do të bëhet një politikë globale shqiptare edhe më e madhe, edhe më e frytshme.

DOKUMENT I UNITETIT E INTEGRIMIT SHQIPTAR

Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi edhe nëpërmjet një dokumenti të përbashkët kanë shprehur kërkesat dhe opcionin për zgjidhje, pos për Kosovën, edhe për çështjen shqiptare në Maqedoni e Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në Mal të Zi. Cila do të ishte zgjidhja optimale në këtë moment?

-Tashmë e thashë se ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar. Atëherë kur e nxorëm këtë dokument, që ka validitet edhe sot, opcioni i parë, nëse nuk ndryshojnë kufijtë e brendshëm, ishte një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë, që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale. Të gjitha këto pjesë shqiptare, të themi kështu, kanë deklarimin e vet, të popullit, referendumin në Kosovë, në Maqedoni, në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë dhe Memorandumin në Mal të Zi, që ka edhe vlerën e një referendumi.

Prandaj, në bazë të situatës që e kemi, ne qëndrojmë në realizimin e opcionit të parë, do të thotë punojmë në pavarësimin e Kosovës dhe që shqiptarët në Maqedoni të realizojnë të drejtën e popullit shtetformues në atë republikë. Po ashtu edhe shqiptarët në viset e tjera etnike në ish-Jugosllavi të realizojnë të drejtat, për të cilat janë deklaruar.

Në këtë plan janë realizuar mjaft gjëra praktikisht. Mos të harrojmë se në Preshevë e në Ulqin partitë shqiptare e kanë marrë pushtetin lokal. Ai është hap i parë, edhe pse tash komunat nuk kanë ndonjë pushtet as në Maqedoni, as në Preshevë e as në Ulqin, u bë ai centralizimi, që para shthurjes së ish-Jugosllavisë, kur filluan t’u merren kompetencat komunave. Tash ato kompetenca janë reduktuar edhe më shumë.

Ndërsa në Kosovë, ne, edhe pse të okupuar, kemi organizuar jetën tonë, kemi afirmimin e çështjes, projektit të pavarësisë. Në Maqedoni kemi hyrjen – prezencën në instiucione, gati të gjitha komunat shqiptare i kontrollojnë shqiptarët. Prandaj, është një punë, një proces, do të thotë edhe këtu janë realizuar gjëra praktike dhe pragmatike që shihen, janë rezultatet që shihen e që preken.

NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE DUHET TA FUSIM KOMPROMISIN

Si kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish-Jugosllavi, çfarë qëndrimi mbani lidhur me pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhjet e paralajmëruara në Maqedoni?

-Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare aprovon dokumentet kryesore dhe një strategji globale. Si kryetar i këtij Këshilli, që kam një përgjegjësi edhe si president i Kosovës, mendoj se shqiptarët në Maqedoni duhet të dalin në zgjedhje në koalicion, përkundër atyre grindjeve të vogla që kanë ndodhur, që janë pak a shumë normale në proceset e zhvillimeve politike të një partie. Prandaj, gjithsesi duhet të zënë më shumë vende në Parlament, e pastaj le të përcaktohen ato mes partive apo grupeve të ndryshme politike. Ne duhet të fusim në jetën politike shqiptare kompromisin, ju lutem, jo vetëm marrëveshjen, jo vetëm marrëveshje të ngurta, fikse, insistime fikse. Patjetër duhet ta fusim kompromisin, sepse kompromisi është një prej elementëve të demokracisë.  Dhe, të lirohemi prej asaj që e kemi jetuar në një sistem, ku kompromisi është kualifikuar negativisht. Prandaj, sot na duhen kompromisi, marrëveshja, falja e gabimeve, etj. Të gjithë flasin, dhe shumë mirë që flasin, për një ide, për çështjen kombëtare, por çështja kombëtare është shumë praktike. Prandaj në situatat e pluralizmit, në situatat e marrëveshjeve, insistoj në një kompromis dhe shpresoj se partitë politike shqiptare në Maqedoni, edhe pse ka pak kohë, do të gjejnë forcë dhe mundësi që të dalin së bashku si një bllok në zgjedhjet në Maqedoni. Është me rëndësi në këtë moment të zënë sa më shumë vende në Parlamentin e Maqedonisë. Masa shqiptare atje ekzison dhe nuk bën t’a humbim përfaqësimin, të drejtën e përfaqësimit në Parlamentin e Maqedonisë.

Të mos harrojmë se pa marrë parasysh vështirësitë që i pati, Grupi parlamentar shqiptar gjatë kësaj periudhe katërvjeçare në Maqedoni ka arritur mjaft, e ka afirmuar çështjen, edhe në institucione ndërkombëtare, edhe në institucionet e asaj republike, edhe në institucionet shqiptare në përgjithësi, edhe në jetën politike shqiptare.

LDK-ja TREGOI UNITETIN QË I DUHET PATJETËR KOSOVËS NË KËTË SITUATË

Me zgjedhjen dhe konstituimin e Kryesisë së LDK-së, kësaj jave, praktikisht përfunduan zgjedhjet në partinë më të madhe dhe më me ndikim të shqiptarëve në Kosovë. Si i vlerësoni ato, si dhe tendencat për diskreditim të LDK-së e të partive të tjera shqiptare?

-Këto zgjedhje, edhe para një viti në planin lokal – nëpër degë e nëndegë të LDK-së, ishin mjaft pozitive. Pastaj patëm një vonesë për shkak të rrethanave në të cilat veprojmë, sepse nuk është lehtë sot që të mbash një tubim të madh siç ishte Kuvendi i LDK-së në këtë situatë kur është i ndaluar çdo tubim publik për shqiptarët. U mbajt Kuvendi dhe ai tregoi një unitet, një konsolidim.  Pastaj këto ditë edhe Kryesia e LDK-së u zgjodh. Këtë e shoh si një sukses të madh të zhvillimit të kësaj partie, e cila e ka edhe barrën e një pushteti në Kosovë. Pra, është një kryesi e vazhdimësisë, kryesi e konsolidimit, siç ndodh në çdo parti, dhe, edhe një herë tregoi se LDK-ja është një forcë dhe një fuqi e madhe, e organizuar dhe relevante në Kosovë dhe në botën shqiptare.  Nuk është më partia në fillimet e saj, tash vërehet një lloj profilizimi i kësaj partie, dhe këtë duhet ta shikojmë si një proces normal. Është vështirë të flasim sot për profilizim partiak në Kosovë, sepse në këto kushte të okupimit është shumë vështirë, edhe çdo parti, ndoshta edhe më e vogla, e ndien barrën e interesave kombëtare, të interesave shqiptare në përgjithësi. Por, si një organizim i madh LDK-ja, megjithatë, tregoi se është një parti e fortë, di çka don, forcohet nga brenda, është parti që afron njerëzit e vullnetit të mirë për të bërë diçka. Dhe, kjo përgënjeshtroi edhe mjaft spekulime të ndryshme që mundohen sot t’i mëvishen lëvizjes shqiptare në Kosovë, në radhë të parë LDK-së, pastaj partive të tjera politike, me diskualifikime se nuk janë demokratike, jo e majtë, jo e djathtë etj. Siç dihet, me të majtën rreth Kosovës është manipuluar shumë, me mijëra njerëz kanë pësuar për këtë. Të gjitha këto bëhen me qëllim. Për shembull, janë munduar ta shpallin LDK-në edhe si parti terroriste, e çka jo tjetër.

Përkundër të gjithave, edhe kësaj radhe u tregua një unitet, një koncenzus, një bashkim partiak, një unitet që i duhet patjetër Kosovës në këtë situatë. Dhe, besoj se kjo do të ndikojë pozitivisht në jetën politike shqiptare në Kosovë dhe në jetën politike shqiptare në përgjithësi.

VIZIONI I ARDHMËRISË SË SHTETIT TË KOSOVËS

Ju lutem për një koment për Deklaratën Politike që e miratoi Kuvendi i Dytë i LDK-së, veçmas për vizionin për të ardhmen e Kosovës?

-Deklarata Politike e Kuvendit të Dytë të LDK-së është një dokument në vazhdën e dokumenteve të tjera, që i kemi pasur, që nga Programi i LDK-së, pastaj Deklaratës së përbashkët të të gjitha partive politike shqiptare. Në këtë Kuvend dhe në deklaratën që e aprovoi u theksua më shumë organizimi i ardhshëm i shtetit të Kosovës, që e kemi edhe në Kushtetutën tonë – një shtet i popujve të barabartë, i qytetarëve, me një ekonomi të lirë të tregut, i hapur ndaj botës. Një shtet, ku nuk do të lejohet, pas kësaj situate që e kemi, revanshizmi ndaj të tjerëve. Shtet me të gjitha garancitë për të gjithë popujt që jetojnë në Kosovë, ku askush nuk do të trajtohet si minoritet. Është kjo një ide, një projekt, që vërtetë hasi në mirëkuptim dhe në përkrahje. Sepse, në këtë situatë në Ballkan të flasë njeriu për një perspektivë kombëtare qytetare është shumë vështirë, kur, për fat të keq, qarkullon ajo fantazma e çmendive të ndryshme, të konfrontimeve në këtë kohë. Ky ishte edhe një rezultat i Kuvendit të Dytë të LDK-së, dhe, natyrisht, punojmë në këtë plan.

REFERENDUMET SHQIPTARE U RESPEKTUAN NË LONDËR

Populli i Kosovës u deklarua për një shtet të tillë edhe me Referendumin për pavarësi, pikërisht në shtatorin e para tre vjetëve. Ju lutemi edhe për një koment në përvjetorin e kësaj ngjarje madhore.

-Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale, që u mbajt me sukses në ditët e fundit të shtatorit të vitit 1991, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Pas Deklaratës kushtetuese e Kushtetutës së Republikës ajo tregoi në mënyrë plebishitare vullnetin dhe dëshirën e popullit, që ishte vijëzuar në dokumentet e mëparshme. Ky referendum ka rëndësi edhe shqiptare edhe ndërkombëtare, si akt i deklarimit të popullit të Kosovës. Pas tij pasuan edhe referendumet në viset e tjera shqiptare. Pasuan edhe zgjedhjet e lira, shumëpartiake, si një materializim i pushtetit që del nga ky referendum dhe nga situata e përgjithëshme e Kosovës. Pra, është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen.

Mbase pse jemi në situatë të rëndë, shpesh nuk po i vlerësojmë disa akte që i kemi bërë, që janë më afër. Prandaj, dua të them se me referendum, për herë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u deklaruan para opinionit ndërkombëtar për interesat e tyre, për interesat globale, sepse asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Dihet se edhe më parë është biseduar për deklarime të tilla, por nuk janë lejuar nga bashkësia ndërkombatare. Për shembull, gjatë vitit 1918 e gjatë viteve që pasuan, gjatë Konferencës së Versajës, etj., kur definitivisht vihen këta kufij, që, për fat të keq, i kemi edhe tash, pastaj as në ’45-tën nuk ka pasur mundësi populli i Kosovës të deklarohet. Prandaj, këto referendume janë momente mjaft, mjaft të rëndësishme, dhe mund të them se u respektuan në Konferencën e Londrës ’92, sepse atje u thirrën shqiptarët e Kosovës si reprezentim, edhe shqiptarët e viseve të tjera. Do të thotë, ishte ai hap i vogël, por mjaft i rëndësishëm i këtyre deklarimeve që i bënë shqiptarët.

INTEGRIMET SHQIPTARE EDHE NË INFORMIM

Zoti President, Ju falënderojmë për këtë intervistë.

-Faleminderit. Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri.

***

SHËNIM I SOTËM, 22 SHTATOR 2019: Shtëpia e shkrimtarëve, që ishte shndërruar edhe në seli Presidence e institucionesh tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të okupuar e të panjohur ndërkombëtarisht, mund të vëzhgohej edhe nga dritaret e ndërtesës kryesore të Policisë në Prishtinë, që atëherë ishte serbe pas suprimimit antikushtetues e të përgjakshëm me kushtetutën e tankeve të autonomisë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje. Në zyrën e Presidentit Rugova, në atë shtëpi, intervistën e incizova me dy kasetofona, jo vetëm për siguri teknike, por edhe për siguri të tjera. Njërin nga incizimet ia lash këshilltarit të Presidentit Rugova, Xhemail Mustafa, për çdo rast, meqë ishte droja se kur të dilja nga ajo shtëpi, që mund të ishte edhe e përgjuar,  rrugës do më ndalonte policia serbe dhe do konfiskonte kasetofonët me intervistën.

Ishte kohë e ndalesave dhe e okupimit të egër dhe vështirë ishte të ruhen e shpëtohen gjërat me vlerë për shqiptarët e Kosovën.

Në atë kohë gazeta e vetme e përditshme shqipe në Kosovë, “Bujku”, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, gazetë e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktimtë fuqishëm properëndimor euroatlantik, dilte nga 18 Janari i vitit 1991, pasonte dhe sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia  tëgazetës tradicionale kosovare Rilindja. Që atëherë nisëm edhe bashkëpunimet me ATSH-në, të parat bashkëpunime të një media të Kosovës me një media të Shqipërisë.

Intervista me Rugovën, e realizuar në 22 shtator, e botuar në gazetën “Bujku” të Prishtinës në 26 Shtator 1994, edhe në ATSH u dërgua me ndonjë ditë vonesë, me telex-in, që ishte mundësia e vetme e lidhjes, dhe me shumë vështirësi, në atë kohë nga Prishtina e Kosova me Tiranën e Shqipërinë.

Raportimet me lidhje telexi për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, parlamentare e presidenciale, të 24 Majit 1992, ku Rugova u zgjodh President i  Republikës, shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë.  Zyra e telexit në ambientet e gazetës “Bujku” në katin e pestë të Pallatit të Shtypit Rilindja në Prishtinë u bë edhe Zyra e korrespondentit të ATSH-së në Kosovë, edhe si një përfaqësi e parë e Shqipërisë në Kosovë, prej nga bëheshin edhe komunikime tjera Prishtinë-Tiranë.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari-Vizioni i Rugoves- 25 Vite me pare

Orakulli i Apolonisë në Optikën e Herodotit dhe Frakulla Sot

September 22, 2019 by dgreca

Esse nga Aristotel MICI/

Pikërisht të birin e Evensit nga Apolonia, Deifonin, kishin marrë me vete Korinthasit si parashikues për flotën helene- Herodoti/

Aty, në Apoloni, del asfalt, një si dhe pis i zi, si currila, që shpërthejnë nga toka….dhe jo larg këtij vendi është një zjarr, që  qendron i ndezur vazhdimisht-Aristoteli/

ARISTOTELI/

Apolonia  – Magna urbs at gravis (Qyteti i  madh dhe hijerëndë)-Ciceroni

CICERONI

Në qytetin e Apolonisë është një vend i qujtur Nympheum, ku gjendet një shkëmb që nxjerr zjarr dhe nën të rrjedhin burime të vakta dhe asphalt.-Straboni.

STRABONI

Ajo që më çuditi më shumë në Apoloni është zjarri i madh që del pranë lumit Vjosa dhe që nuk përhapet në tokën rreth e rrotull .Kur bie shi, ky zjarr shtohet dhe ngrihet lartë. Për këtë ky vend quhet Nymfe, madje këtu ka pasur dikur edhe një Orakull.- Dio  Kassius/


Dio  Kassius /

 Duke u mbështetur në veprën e Herodotit[1], na bëhet e qartë dhe e kuptueshme se Orakulli i Apolonisë, për nga rëndësia vjen me një herë pas Orakullit të Dodonës dhe atij të Delfit. Kjo ide përftohet sidomos nga leximi i librit të Nëntë të veprës së Herodotit. Ngjarja, që na tregon autori lidhet vetiu me Orakullin e Apolonisë, i cili, si Orakull i njohur, me siguri do t’i ketë pas dhënë dhe më shumë emër qytetit të lashtë. Subjekti i rrëfimit ka në qendër bariun Evenius, si edhe të birin e tij. Nga ky episod mund të zbresim pastaj me hamendje edhe në fshatin Frakull sot, si pjesë e hinterlandit të Apolonisë, që shtrihet pas kodrave të Pojanit dhe të Levanit.

Ishte koha kur ushtria persiane kishte pësuar disfatë me ushtrinë helene në Platea dhe po bëheshin përgatitje për shpeditë detare në Jon. Ushtria helene komandohej nga Leutikidi, kurse persianët nga komandanti i tyre, Mardoni. Me këtë rast helenët bënë flijime nën drejimin e parashkuesit Deifon, të birit të Eveniusit nga Apolonia. Veprim ky që nënkupton një dimension shenjtërie, që rriste famën e qytetit të atëhershëm. Këtë ide Herodoti na e tregon përmes ndodhisë së Eveniusit, ku gati si në një mith, na rrëfen se si i kishte ardhur Eveniusit dhuntia hyjnore e profecisë nga dëshira e perëndive.

Babait të këtij Dejfonit, Eveniusit, siç shkruan Herodoti, i ndodhi një ngjarje, të cilën po e tregoj: Në Apoloni ka një grigje delesh që i është përkushtuar Diellit. Ditën ajo, grigja, kullot përgjatë lumit,[2] që rrjedh nga mali Lakmon, dhe shkon përmes territorit të Apolonisë dhe derdhet në det pranë portit të Orikut. Natën grigjën e ruajnë burra të zgjedhur nga familjet më të pasura dhe më fisnike. Zgjidhnin nga një roje për çdo vit. Rëndësia e kësaj grigje delesh për njerëzit e Apolonisë i detyrohet profecisë së një orakulli.

.  Delet e asaj grigje e kalonin natën në një guvë që është disi larg qytetit. Këtu ky Eveniusi ishte zgjedhur të ruante delet. Po një herë atë e kaploi gjumi, tek po i ruante ato;  ndërkaq  erdhën ujqërit, që hynë në guvë dhe i shqyen rreth gjastëdhjetë dele. Kur u zgjua Eveniusi, ai pa se ç’kish ndodhur, por heshti dhe nuk i tha kurrkujt për këtë, sepse mendonte t’i zëvendësonte me dele të tjera që do t’i blinte.. Mirëpo s’ia doli dot ta fshihte ndodhinë nga banorët e Apolonisë. Ata e morën vesh dhe përnjëherësh e çuan para gjyqit dhe e dënuan me humbjen e shikimit, sepse kishte fjetur kur duhej të ruante delet.  Menjëherë, mbasi e verbuan Evensin, delet e grigjës nuk pillnin më qingja dhe toka u shterpëzua dhe nuk jepte më fryte. Në Dodonë dhe në Delfi, kur pyetën orakujt për shkakun e kësaj fatkeqësie, që u kishte rënë në krye, morën të njëjtën përgjigje: se ishin fajtorë që e kishin dënuar pa të drejtë Eveniusin, rojtarin e grigjës së shenjtë, sepse perënditë i kishin dërguar vetë ujqërit; dhe ato do të vazhdonin të hakmerreshin derisa populli i Apolonisë ta shpërblente për të keqen  që i bënë, me çka do t’u kërkonte dhe do ta caktonte ai vetë. Kur Apoloniatët ta bënin këtë, dhe vetë perënditë do t’i jepnin Eveniusit një dhuratë, për të cilën shumë njerëz do ta konsideronin atë të bukur.

Këto përgjigje, që ju dhanë orakujt, apoloniatët i mbajtën të fshehta dhe ua besuan disa bashkëqytetarëve të tyre ta kryenin porosinë e Zotit. Këta qytetarë e përmbushën porosinë në këtë mënyrë: shkuan tek Eveniusi, që ishte ulur mbi një bankë, u ulën pranë tij dhe filluan të flisnin me të dhe më në fund, i shprehën keqaerdhjen për fatkeqësinë e vet; pastaj e pyetën të verbërin çfarë do t’u kërkonte apoloniatëve, sikur ata të donin ta dëmshpërblenin për të keqen që i kishin bërë. Eveniusi, që s’kishte dëgjuar gjë për Orakullin, tha se do të ishte i kënaqur me disa ngastra toke (dhe përmendi emrat e qytetarëve që e dinte se i zotëronin dy ngastra më të mira në Apoloni) , po ashtu dinte se   kishin edhe shtëpi, që ishin më të bukurat e qytetit.  Nëse do t’ia jepnin këto, shtoi Eveniusi, nuk do t’u mbante më mëri dhe do të ndihej mjaftueshëm i dëmshpërblyer. Kështu tha, ndërsa miqtë që i ishin ulur prane iu përgjigjen: “Mirë, Evenius!  Populli i Apolonisë do të japë këtë dëmshpërblim për verbimin tënd, për t’iu bindur asaj që i kanë thënë orakujt”. Kur Eveniusi e dëgjoi të vërtetën dhe e kuptoi se ia kishin hedhur, u zemërua shumë. Po, sidqoftë, banorët e Apolonisë, ua blenë pronarëve tokën dhe shtëpitë që kishte zgjedhur dhe ia dhuruan atij. Pak kohë më pas ai mori dhuntinë hyjnore të profecisë dhe kësisoj ai u bë njeri i famshëm.(Herodoti, Lib.IX- Parag.94 [3]-)

            Pikërisht të birin e këtij Eveniusit, Deifonin, e kishin marrë me vete korinthasit si parashikues për flotën helene.[4] – Lib. IX-  Parag. 95.

Duke lexuar këtë rrëfim të Herodotit për bariun e grigjes së deleve, që i ishin përkushtuar Diellit, kuptojmë se Apolonia qe bërë një qendër e njohur edhe për arsyen, se pranë saj atëherë ndodhej ky Orakull. Për këtë anë të famës le të kemi para sysh dhe faktin se të birin e Eveniusit, Orakullit të Apolonisë, Deifonin, e marrin Korinthasit si parashikues të flotës helene në betejën e tyre kundër persianëve. Pra, Kështu na del se ky Orakull duhej të vinte për nga fama, pas atij të Delfit dhe Dodonës, gjë që i rriste edhe më shumë emrin qytetit për ato kohë.

Qëllimi ynë gjatë shoshitjes së kësaj ngjarjeje nga vepra e Herodotit nuk është të tregojmë përmasat e kultit të Orakullit të Apolonisë, po të pohojmë pa mëdyshje ekzistencën e një shenjtëroreje pranë qytetit antik, që ka qenë funksionale qysh nga Lufta Greko-Persiane, koha e Herodotit, shekulli i pestë Para Krishtit, deri në sundimin e perandorit Karakalla, shekulli i tretë Pas Krishtit, sipas shenimeve të historianit Dio Kassius. 

Ndërkaq, tek arsyetojmë për vend-ndodhjen e Orakullit të Apolonisë, nisur kryesisht nga ana gjuhësore, mbështetur  në evolucionin fonetik  të tingujve të emrit “Orakull”, lokalizimin e tij  e gjejmë si më të përshtatshëm në fshatin Frakull. E kemi  këtë ide duke parë evoluimin fonetik zanores “O” në konsonantet  buzoro-dhëmbore  “V” dhe pastaj në “F”:  Orakull,    Vrakull,  Frakaull.  Shenojmë se  kjo dukuri fonetike e kthimit të  tingullit “v” në  “f” ndihet ende në disa të folme edhe sot, po edhe në gjuhën e shkruar, siç ëshë rasti tek elegjia e  Fan Nolit për Bajram Currin, ku ai shkruan: Dif dragoi  i Dragobisë. Edhe Noli, siç shihet në poezi, nuk e ka pëdorur fjalën  div si në fjalorin e gjuhës  së sotme, pra  me shkronjën  “v” në fund, por ka pëlqyer trajtën me  bshkëtingëlloren “ F “  dif, gjë që ka analogji fonetike me  rastin  evoluciot te fjalës  Orakull në Vrakull  dhe pastaj në Frakull; kështu, këtu, nuk kemi bëjmë me një rastësi, po me një “rregull” fonetik të kaherëshëm. 

 Ka dhe historianë që Orakullin e Apolonisë e përfytyrojnë diku pranë Nymfeut të përflakur, që rrinte i ndezur dhe nuk shuhej kurrë, po digjej me gazin, që dilte nga nëntoka. Aroma e gazit si eter i krijonte, një gjendje kontemplative Orakullit, që i jepte frymëzim fantazisë së tij për të rrëfyer parashikimet.

 Ky mendim për Orakullin e Apolonisë na përforcohet më shumë, kur lexojmë autorët e lashtësisë. Kështu filosofi i famshëm i antikitetit, Aristoteli, kur rrëfen për Apoloninë, ai shkruan se “aty, në Apoloni, del asphalt, një si dhe pis i zi, si currila, që shpërthejnë nga toka….. dhe jo larg këtij vendi është një zjarr, që qendron i ndezur vazhdimisht”[5]. Mbase këto pamje të perflakura, tok me madhështinë e përgjithshme të qytetit, do t’i kenë pas bërë aq  përshtypje oratorit të shquar romak, Ciceronit, i cili shkroi për Aploninë fjalët lapidar:  Magna urbs et gravis(Qytet i madh dhe  hijerëndë).  

 Po ashtu, kohë më vonë, historiani i Perandorisë Romake Straboni[6],  në veprën e trij gjeografike, kur përshkruan viset e Ilirisë, tregon : “Në qytetin e Apolonisë  është një vend i quajtur “Nympheum”, ku gjendet një shkëmb, që nxjerr zjarr dhe nën të rrjedhin burime të vakta dhe asfalt”[7]

Për më tepër, këtë konstatim na e jep në vepren e vet, rreth dy shekuj më vonë edhe historiani tjetër romak, Dio Kassius[8]. Ka rëndësi të theksojme se ky autor, tek përshkruan viset e Ilirisë bregdetare, mbetet i mahnitur me pamjet e mrekullueshme  të Vjosës, duke e cilësuar atë me fjalët “the prophetic power of the river Aoos. (fuqia profetike e lumit Vjosa – versioni anglisht)”[9].  Kurse për panoramën e Apolonisë ai do të shkruante i surprizuar, për çfarë po i shikonin sytë:  “Ajo që më çuditi në Apoloni më shumë se çdo gjë është zjarri i madh, që del pranë lumit Vjosa dhe qe nuk përhapet rreth rrotull… madje afër tij ka gjelbërim dhe pemë, që lulëzojnë. Përveç kësaj, kur bie shi, ky zjarr shtohet dhe ngrihet lartë. Për këtë arsye ky vend quhet Nymfe, dhe, dikur aty ka qenë edhe një Orakull.”   

Për analogji me këto të dhëna flet edhe një gojëdhanë se diku në një bregore të Frakullës ndodhej një vend i quajtur Shkëmbi Dragoit, thirrej ashtu ngase prej një zgavre të tij , si gojë e shqyer kishte pas dalë avull.

Kështu, nisur nga mendimi, që e lokalizon këtë Orakull në Frakull, dhe, se pranë Orakullit supozohet Nymfeu i Apolonisë, mund të bëjmë me hamendje konfigurimin e anës lindore të këtij qyteti antik. Dhe për ta plotësuar më mirë këtë imazh, le të kujtojmë një frazë të Herodotit lidhur me grigjen e deleve kushtuar Diellit: “….grigja kullot për gjatë lumit, që rrjedh nga mali Lakmon, shkon përmes territorit të Apolonisë dhe derdhet në det pranë portit të Orikut”-( Lib.IX- Parag.93)

Deduksioni i parë që nxjerim nga pohimi i mësipërm i Herodotit është se lumi (duhet kuptuar lumi Vjosa) nuk ka pas kaluar aq pranë Apolonisë, po  përmes territorit të Apolonisë, mbase rreth nëntë ose dhjetë kilometra larg qytetit antik, siç është konkretisht distanca midis Pojanit dhe Frakullës

 Deduksioni i dytë është se lumi drejtimin e ka pasur nga lindja drejt jugut për t’u derdhur pastaj në detin Adriatik. Atëherë Orakulli i Apolonisë dhe Nymfeu i saj do të gjendeshin në të djathtë të lumit, në hapësirën midis Frakullës dhje Pojanit të sotëm. Nga ky kënd-vështrim, Frakullës sot, duke u mbështetur në shkrimet e autorëve antikë, mund t’i bëhej një zgjatim i hartës arkeologjike të Apolonisë. Dhe kështu, përfytyroj, sikur në një bregore, ose në një ledh, mbi një pllakë të zakonshme çimetoje, të gdhendeshin shkrimet e autorëve të lashtësisë, që cituam më sipër, atëherë, fjala “Frakull” nga një emër toponimk i zakonshëm fshati, do të merrte edhe një tingëllim historik prej antikitetit, që lidhet vetiu me Orakullin e Apolonisë, që po e zgjojmë nga gjumi shekullor, përmes veprës së Herodotit. 

Po i mbyll këto shenime rreth librit të Herodotit me idenë se  gjuithe vepra e tij madhore është një burim informacioni historik, jo vetëm për rreth botës së gjërë antike, po edhe për lashtësinë e trevave pellazgjiko- ilire, ku janë rrënjët e etnogjenezës sonë mbarë- kombëtare. Gjithësesi, kur mbaron së lexuari veprën e Herodotit, kupton dhe optikën e tij për pellazgët, të cilët ai i gjen qysh nga koha e civilizimit Kreto-Mikenas e deri tek ndeshja e tyre me Argonautët në ishullin e Lemnosit, nga Lufta e Trojës, e deri te Lufta Greko-Persiane, nga koha e Orakullit të Dodonës e deri tek Orakullli i Apolonisë.  Dhe ndërkaq, më së fundi, duhet theksuar se në shekujt që erdhën pas Herodotit, të tjerë historianë do të sillnin vlera të reja me veprat e tyre, “që do ta bënin historinë një mësuese të vërtetë të jetës, po Herodoti, që hodhi hapin e parë serioz dhe të dinjitetshëm në këtë rrugë, do të meritojë përjetësisht epitetin “babai i historisë, siç e ka cilësuar me të drejtë Ciceroni”[10].

Massachusetts

5 Gusht – 2019

*[1] A.Minga, Herodoti, Historitë,  botimet IDK,  f.13


[1] Historiani i  parë i antikitetit helen, 484 – 425, para Krishtit..

[2] Merret me mend se ky lumë duhet të jetë Vjosa e sotme

[3] Herodoti, Historitë, Libri  Nëntë, Parag.94.

[4] Herodoti, Historitë, Libri i  Nëntë, Parag. 95.

[5] N.Ceka, Apolonia e Ilirisë, Tiranë, 2008, f. 196

[6]Straboni, historian i Perandorisë Romake, (64 Para Krishtit-24  pas Krishtit).

[7] Strabo, Geography, translation of Horace L. Jones, Harvard University Press, Vol.. 7 – f . 265- MCMLIV

[8] Dion Cassius, autor romak, (155-235, pas Krishtit)

[9] Fergus Millar,A Study of  Casius Dio, Oxford, 1964, p.180.

[10] A.Minga, Herodoti, Historitë,  botimet IDK,  f.13

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Aristotel Mici-Orakulli i Apolonise- Optika e Herodotit

Qameti nga Tërmeti dhe nga Hyqymeti

September 22, 2019 by dgreca

Nga Rafael Floqi /

Paniku ka mbërthyer vendin, pasi një total prej 15 tërmetesh është regjistruar që prej pasdites së te shtunës. Lëkundjet sizmike kanë vijuar të jenë aktive në mënyrë konstante në detin Adriatik. Megjithatë, vetëm tri prej tërmeteve kanë qenë të fuqishme, mes të cilëve njëri arriti magnitudën 5.8 Rihter dhe intensitet mbi 7.5 ballë, i lokalizuar 30 km në veri të qytetit të Durrësit. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, ky është tërmeti më i forti i shënuar në vend në harkun e 20-30 vjetëve të fundit. Këto tërmete të njëpasnjëshme kishin si epiqendër qytetin e Durrësit, por u ndjenë edhe në kryeqytet, ku raportohen me dhjetëra të lënduar dhe dëme të shumta materiale.

Në total, Ballkani dhe Adriatiku janë prekur nga 32 lëkundje sizmike në 24 orët e fundit. Nga ky bilanc, efektet janë ndjerë në 10 shtete, ku pasojat më të rënda kanë qenë në Shqipëri.

Presidenti Meta paradokohe artikuloi shqetësimin e një tërmeti eventual dhe kur i kërkoi qeverisë masa gatishmërie për të qenë e gatshme që t’u gjendet pranë e në ndihmë qytetarëve! Natyrisht, tërmeti as nuk mund të parashikohet dhe as mund të ndalohet. Por ja qe ndodhi. Si e dinte Meta pyeteni, Megjithatë vështirë ta dinte se ai nuk është Nostradamus. Gjithësesi, kjo nuk do të thotë se qytetarët nuk duhet të qëndrojnë vigjilentë pasi tërmeti është një prej fenomeneve që nuk mund të parashikohet nga shkenca.

Meta në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare kërkon informacion nga institucionet përkatëse rreth kësaj dukurie natyrore, nisur nga deklaratat e sizmiologut grek Akis Tselentis., drejtor i Institutit Gjeodinamik Obsarvatori Kombëtar i Athinës. Sizmiologu Tselentis pat paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës. Për shkak të karakteristikave të veta sizmike vendi ynë është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Europë. Prandaj Shqipëria është një vend i kërcënuar nga kjo dukuri natyrore. Pyetjet që bënte Meta kishin të bënin me kapacitetet tona për përballimin dhe masat e marra , nëse vendi ynë do të goditet nga një tërmet i përmasave të tilla. Çfarë masash janë marrë apo do të merren për të reaguar në kohë dhe për të minimizuar pasojat e mundshme në nivel qëndron dhe vendor?

Natyrisht ndodhja e tërmetit është hipotetike. Por çfarë mund te ketë ditur Meta?  Po Meta e ka ditur se për herë të parë, Fondi i Emergjencave Civile iu akordua Ministrisë së Mbrojtjes, e cila nga 1 janari 1918 u bë institucioni përgjegjës për përballimin e tyre. Deri këtu në rregull, Për përballimin e emergjencave civile në vitin 2018 Këshilli i Ministrave ka parashikuar një fond prej 479 milionë lekësh, afërisht 4.5 milionë dollarë. 1.8 milionë dollarë prej këtij fondi përbëhet nga zëri shpenzime kapitale, ndërkohë që në funksion të përballimit financiar të situatave të emergjencës është parashikuar pjesa tjetër prej afro 2.8 milionë dollarësh. Për 2019 nga gjithë hulumtimet e mia nuk gjeta në shtyp një fond , por vetëm një lajm për ndryshimet ne strukture ku Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile do të transformohej në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Ndryshimi nuk prekte vetëm emërtimin e institucionit por edhe strukturën dhe funksionet. Gjatë diskutimeve për projektligjin e “Emergjencave civile” zëvendës ministri i Mbrojtjes Petro Koçi, tha se ky ndryshim bëhet për ti sjellë institucionit më shumë autoritet, për rritjen e kapaciteteve dhe përgjegjësive. Sipas relacionit të draftit, ndryshimi në organikë ndikon në mënyrën e qasjes së fatkeqësive natyrore, si puna për identifikimin dhe parandalimin e emergjencave.  Ky ligj i jep një qasje tjetër trajtimit të fatkeqësive. Nga trajtimi reagues pasi ndodh fatkeqësia në një qasje tjetër ku përfshihet identifikimi, monitorimi, vlerësimi dhe parandalimi i risqeve që sjellin fatkeqësitë. Lutemi te jete ashtu, por këtë duken vetëm si fjalë të përgjithshme.

 Natyrisht tërmeti nuk ndalohet dhe vështirë se parashikohet, por pas tërmetit duhet dhe mund të reagohet. Dhe qeveria e ka për detyrë të reagojë. Të reagojë menjëherë e me të gjitha kapacitetet për të evidentuar çka ndodhur e për të marrë të gjitha masat në ndihmë të të dëmtuarve!

Një tërmet i ri i fortë i magnitudës 4.9 ndodhi menjëherë pas mesnatës. Epiqendra e tij ishte përsëri në Detin Adriatik, dy kilometra në juglindje të Durrësit. Tërmeti, i ndjerë qartë edhe në Tiranë, i befasoi anëtarët e qeverisë ndërsa ata ishin live në TV për të diskutuar ne lidhje me bilancin dhe  dëmet e shkaktuara nga tërmeti i pasdites. Qeveria ishte në një seancë të jashtëzakonshme. Mbledhja u zhvillua në mesnatë, pasi Rama mbërriti në Tiranë nga Frankfurti, ku ndodhej për t’u nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në një mbledhje të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Kjo lëvizje e kryeministrit tregon përgjegjësi. Por përgjegjësia e tij kalon për tej kësaj.

Ai u kërkoi prefektëve Në mbledhjen me prefektët e qarqeve për të vlerësuar dëmet pas tërmeteve, kryeministri Edi Rama u kërkoi përfaqësuesve që ta spostojnë vëmendjen në Durrës, pasi dëmet janë edhe më të mëdha. ë gjithë ju të spostohen në Durrës me një synim: Çdo familje që hyn në atë rrethin e parë të stresit dhe që gjatë natës ka qëndruar jashtë, të kontaktohet. Mbi atë hartë të të dhënave që ka prefektura të bëhet një shpërndarje e forcave dhe çdo familje të kontaktohet për të dëgjuar dhe për tu dëgjuar. Ju të gjithë dhe strukturat atje të policisë së shtetit, bashkë me strukturat e pushtetit vendor dhe mirëqenies sociale të shpërndahen në mënyrë të strukturuar për të mos krijuar rrëmujë që t’i shkojmë një familje 3 herë dhe asnjëherë një tjetre. Ky është objektivi. Rama i kërkoi prefektëve që të kontaktojnë çdo familje që është prekur nga tërmetet. Ky mund te ketë efekt psikologjik dhe vetëm aq

Në fjalën e saj prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari tha se grupet e punës janë duke vijuar punën për vlerësimin e dëmeve. Suzana Jahollari: Pikat më problematike në Tiranë ishin në njësinë administrative nr.5. Aty kemi ngritur qendrën e pritjes së njerëzve në mënyrë që tata të kenë ku të adresohen për ndihmën mjekësore. Kemi ngritur 4 çadra nga Bashkia dhe nga policia e shtetit në pikat më problematike të Tiranës. Në Tiranë janë rreth 244 banesa të dëmtuara dhe 24 pallate janë të prishura. Afërsisht ne patëm 110  qytetarët që vendosëm në çadra dhe 90 në qendrat sociale që ofronte bashkia.

.Në Durrës gjendja paraqitet e normalizuar. Aktualisht  ka 188 shtëpi të plasaritura, 2 shkolla dhe 9 pallate të plasaritura. Problem prefekti i Durrësit tha se janë shtesat në pallate, sidomos në pallatet e amortizuara.

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u shpreh: Edhe shtëpitë e pushimit qoftë e policisë së shtetit dhe ushtrisë që janë të pajisura për të pritur shumë banorë dhe janë gati. Durrësi duke qenë edhe më pranë është edhe më i prekur dhe dëmtuar. Duhet një punë shumë e mirë e të gjithëve për t;ju gjendur pranë të gjithë qytetarëve sidomos në Durrës

 Në disa zona të qytetit të Durrësit energjia elektrike u ndal ndërsa në Tiranë banorët u evakuuan pas dëmit të raportuar. Mediat shpërndanë një foto të një pallati ku dukej se një shtesë anësore ishte ndarë në mes. Mirë që s’kishte rënë. Cilësia e ndërtimeve te kohëve te fundit shpesh nuk ka marre parasysh normat anti-tektonike. Në rrugët e kryeqytetit, njerëz të frikësuar mbetën në rrugë edhe gjatë natës.

Nisur nga tërmeti i ndodhur sot dhe dëmtimeve që janë shkaktuar në banesa, ambiente publike dhe biznese, Ministria e Financave dhe e Ekonomisë ka reaguar për masat e marra. Në një njoftim për mediat, Ministria njofton se strukturat e saj në varësi janë në gatishmëri të plotë dhe po ndjekin të gjithë situatën në kohë reale. MFE po bashkëpunon me të gjitha ministritë e linjës, pushtetin vendor dhe strukturat e tjera që janë në terren, për t’u informuar mbi dëmet e shkaktuara nga kjo dukuri natyrore.

Edhe pse këto struktura po evidentojnë dëmet në terren, është ende herët për të llogaritur efektet financiare të këtyre dëmeve. Gjithashtu, ministria e MFE, siguronte se dispononte të gjitha fondet e nevojshme për të përballuar situatat e shkaktuara nga fatkeqësi të tilla natyrore. Por sa janë këto fonde nuk thuhet. Natyrisht qe demet qysh tani është veshtarë të inventarizohen.

Si institucioni, që ka në varësi Inspektoriatin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, MFE po koordinon gjithashtu me pushtetin vendor, kompanitë e ashensorëve dhe administratorët e pallateve për rritjen e ndërgjegjësimit për të bërë verifikimin e gjendjes së tyre teknike, pas situatës së krijuar nga tërmeti. Kjo është një masë e mirë. Por fondi rreth 3 milionë dollarësh duket i ulët duke iu referuar dëmeve thuajse të përvitshme të shkaktuara nga përmbytjet pa shtuar këtu tërmetet. Tërmeti i Floqit për shembull  tregoi se sa shpejt reagoi qeveria. Në Floq 6 muaj pas tërmetit qe riparuar vetëm një shtëpi, të cilën me 30 gusht kur e vizitoi Rama shpejt e shpejt nga 125 shtëpi të rrënuara gjithsej.

Aq me tepër qe tërmeti i së shtunës, sipas autoriteteve, ishte më i forti i 20-30 viteve të fundit. Fondi i emergjencave qe u ul me 5 here mjafton për te riparuar vetëm 2 pallate dhe jo gjithë ato dëme. Nga ana tjetër atashimi i Fondit te Emergjencave pranë Ministrisë se Mbrojtjes është bërë më tepër për të justifikuar investimet e kërkuara në masën 2  për qind te GDP-se, për Mbrojtjen për anëtarësim në NATO, sesa për të qenë në gatishmëri ne rast fatkeqësisht sipas se njëjtës strategji siç u atashuan zjarrfikëset forcave të ushtrisë. 

Vete Rama dje pohoi se ishte marre vete dje me dritat e Stadiumit të Durrësit dhe kritikoi prefektit të qarkut të Durrësit, Roland Nasto, kryeministri Edi Rama, sa i përket menaxhimit të situatës në këtë qytet. Nuk bëhen zgjidhjet e emergjencave me politika vullnetariste, por duhet te ishin marre masat me kohe. Shume mire qe masat u morën  Kështu që sot stadiumi duhet të jetë i hapur dhe i pajisur për mbrëmjen me të gjithë strukturën akomoduese. Janë afro 700 shtretër në konvaleshencën e Mbrojtjes dhe të Ministrisë së Brendshme në dispozicion, tha kryeministri.

Inxhinieri, Erjon Softa si ish-drejtor i INUK, i tha medias, se në Shqipëri nuk kemi institucione të përcaktuara që kontrollojnë cilësinë e punimeve.  Oponencën e bën një person i punësuar në subjekt, supervizori i punimeve i kontraktuar nga vetë firma e ndërtimit” .Pra vetë Ali e vet kadi. Këtë besoj ta ketë ditur edhe Meta ashtu siç mund te ketë ditur edhe problematikën e ndërtimeve të larta në bregdet. ku nuk rekomandohen ndërtime shumë të larta për shkak edhe të strukturës së tokës. Nga na tjetër mund ta ketë ditur se ka rrugë në raste evakuimi, për të nxjerrë një xhenaze e jo më për tërmetin.

Tërmetet më të fuqishëm që kanë goditur Shqipërinë janë regjistruar zyrtarisht duke nisur nga viti 1851, kur si pasojë e lëkundjeve në Berat humbën jetën 400 persona dhe shumë të tjerë u plagosën.  Tërmeti më i fundit me viktima ka ndodhur në Shkodër, më 15 Prill 1979, ku një tërmet 8 ballë shkaktoi 40 të vdekur dhe dëmtoi 17.118 shtëpi Tërmeti i fundit i fortë është regjistruar në Tiranë në janar të 1988-ës, ku dëmet kryesore ishin në fshatrat Arbanë dhe Petrelë.

Duke iu kthyer edhe një here profecisë se Metës, me te cilën dikush, ironizoi dje ne rrjetet sociale. që presidenti te nxjerri një dekret te ndaloje tërmetet. Natyrisht askush nuk mund te parashikoje saktë tërmetet, por presidenti duke pare situatën e kishte te qarte shqetësimin, ndoshta i duhej një diçka e madhe për të qenë në qendër të vëmendjes, por detyrë e qeverisjes është të ketë gati masat kur të ndodh fatkeqësia.

Si do të përgjigjet tani ministria Spiropali kur e ironizonte Metën se “: Qamet fizik përmes tërmetit nuk ndodhi, por edhe për këtë presidenti të jetë sigurt që nuk do të ndodhë”! Ky ishte reagim i rëndomtë i Elizës, par tani kjo nuk është çështja. As Meta në Durrës nuk u mor me këtë. I pyetur nga gazetaret ai tha këtë Jemi në kushte emergjence?  Meta: Jemi në kushtet e një vigjilencë të vazhdueshme dhe të përhershme se jetojmë në një rajon problematik. Është e rëndësishme të jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjitha vendet fqinje sa i takon shërbimeve sizmologjike në mënyrë që të jemi të përgatitur për çdo situatë.

Sot, nuk ka më nevojë që shqiptarët të shikojnë sesi kryeministri bën dhe inxhinierin e ndërtimit e specialistin e ndërtimit e të gjitha specialitetet e botës në vend që të bëjë detyrën e tij të organizimit dhe të organizimit të strukturave, të cilat kanë përgjegjësi shtetërore për të mbajtur situatën në kontroll dhe për të kaluar pasojat.

Në radhë të parë, përderisa ky tërmet është i këtyre dimensioneve, i këtyre përmasave, i cili ka shqetësuar edhe opinionin ndërkombëtar, kryeministri njëherazi informon që figura të mëdha shtetesh janë preokupuar për këtë çështje, reagimi i parë do të ishte shpallja e emergjencës civile. Kur do të shpallet emergjenca civile? Çfarë situate më të rëndë presin shqiptarët sesa kaq? Të një tërmeti kaq të rëndë, të paparë! Së dyti, Kryeministri nuk ka nevojë të na lodhë me show, me biseda, me teorira të sigurimit të banesave, sot që kemi një hall koke, siç thonë shqiptarët. Po të thotë se cilat janë paratë në dispozicion të kësaj situate, sa milionë janë në dispozicion të kësaj situate?

Çështja është tani që ndodhi Qameti dhe Tërmeti, si do të veprojë Hyqymeti?

Filed Under: Featured Tagged With: Rafael Floqi- termeti-Hyqmeti-Qiameti

…MENDJE

September 22, 2019 by dgreca

…MENDJE/
Nga Astrit Lulushi/Puna më e vështirë në botë është të mendosh, prandaj edhe shumica i shmangen. A i keni parë njerëzit sesi vrapojnë pas posteve për karierë, gjoja të udhëheqin? Shtete të reja, si Shqipëria, kryesisht vuajnë nga kjo sindromë.
Ikja e trurit nga vendi vazhdon. Ata që qendrojnë mbahen jashtë kastës së privilegjuar; ndërsa të tjerët nuk mendojnë, sepse u duket punë e rëndë. Por edhe pse ta bëjnë, kur për të ecur “përpara” nevojitet vetëm nje copë letër e blerë, ku në krye të saj shkruhet “Diplomë”.
Vendose veten në këtë pozitë për të parë në sy një të vërtetë kaq të fortë dhe njëkohësisht kaq abstrakte, por edhe penguese, dhe të mos skuqesh e tërhiqesh nga gjithë kjo “punë”. Atëherë e kupton se çfarë donte të thoshte ai me fjalët: “Askush nuk mund ta shohë Zotin ballë për ballë dhe të jetojë”.
Një njeri përpiqet të bëjë karierë (kështu e quan karieristi punën për t’u ngjitur në pushtet). Lëre të punojë pa u shqetësuar, papushim, në këtë drejtim. Kohën për të menduar ai e quan të humbur, koha për ‘të nuk ekziston. Megjithatë, mendimet fluturojnë para tij.
Gjithë të tjerët e kuptojmë këtë të vërtetë, disa në mënyrë të zbehtë, që herët a vonë merr formë dhe shfaqet e pastër. Nuk ka gjë më të mirë sesa mendimi i kthjellët. Del përjashtë, por nuk e gjen, futesh brenda dhe je aq larg sa në fillim.
Duket sikur të duhet vetëm qetësia dhe leximi për të kapur mendimin. Pastaj, në një moment, dhe pa paralajmërim, vjen e vërteta. Një dritë e caktuar endacake shfaqet, dhe ky është dallimi që donim. Por, siç thonë, “orakulli vjen sepse njerëzit kishin mbushur faltoren”. Duket sikur ligji i intelektit i ngjan ligjit të natyrës. Frymëzimi papritur shfaqet, dhe po aq shpejt skadon. Mendja është si një tokë e hapur që duhet punuar dhe jo të mbahet e djerë, gati për ta shitur.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi-Mendje

MASKARADA TAHIRI

September 21, 2019 by dgreca

NGA ASLLAN  BUSHATI/ Shoqëria shpesh është e prirur që nëpërmjet përfaqsuesve të saj në legjislativ ta kthej në ligj një fenomen a dukuri shoqërore, që për  një kohë të caktuar konsiderohet e dëmshme ose më së pakti jo e “shëndetshme”për masën e qytetarëve. Kjo ka të bëjë me kohën, traditën, mentalitetin, rrethanat e brendshme e të jashtme, shkallën e zhvillimit e të emancipimit shoqror dhe shfaqjen e dukurive të reja, të cilat shtyjnë të vjetrat për në “arkiv”.

 Kur shoqëria e tejkalon  fazën  e caktuar kohore mundet që ligjin edhe ta shfuqizojë, por për sa  kohë që ligji është në fuqi, shkelja e tij  gjithmonë shoqrohet me ndëshkim. Kur ligji nuk është më, shoqëria nuk mund të “qesh” me zhbërjen e tij, sepse ai në kohën e vet ka mbartur  një “avokati” për qëllimin e veprimtarinë e shumicës.

E thënë më thjeshtë: sot kultivimi, manipulimi, transporti, tregtimi dhe përdorimi i hashashit (marjuanës) në Shqipëri është i ndaluar. Nesër mund të lejohet përdorimi me kufizime  ose edhe pa asnjë kufizim. Por e sotmja me të nesërmen ndahen me ligje dhe kohët s’mund ti“hanë bukën njera tjetrës”. Ai që dje dhe sot  është marrë e merret me hashash, duhet të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi. Nesër mund të jetë ndryshe në se ligji ndryshon.

Në 2016-tën Shqipëria pothuaj u mbush e gjitha me hashash, duke u bërë problem serioz edhe për Europën. Ministër i Brendshëm (që kontrollonte e menaxhonte teritorin) aso kohe ishte Saimir Tahiri. Ai jo vetëm nuk e ndaloi këtë fenomen të paligjshëm me strukturat vartëse, por në masmedia u paraqitën shumë prova e fakte se ai vetë ishte pjesmarrës me këtë veprimtari të paligjëshme. Në këto kushte  ai duhej të ndëshkohej, dhe jo siç u vepru që  me një mijë marifete të mbrohej  që nga Kryeministri, Parlamenti, PS-ja , gjykata e një pjesë e medias.  

Gjyqi i zhvilluar kundër tij këto ditë ishte një maskaradë e vërtetë, që do të mbahet mend gjatë për dështimin spektakolar të drejtësisë. “U mbars mali e polli një mi”, thotë populli. Pra Tahiri (i akuzuar për trafikim ndërkombtar droge  e krijim të grupeve kriminale), ndëshkohet për shpërdorim detyre, a por.. kalhane të tjera.Turp!

Por për këtë turp, unë kam disa pyetje per Kryeministrin, Qeverine e Parlamentin:

–  Pse shumica  parlamentare nuk e miratoi kërkesën e prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit, kur ajo u kërku zyrtarisht?

– Pse kontrolli i banesës së tij u bë me tri ditë vonesë? Mos vallë prapa kësaj fshihet prishja e provave për ate dhe eprorët e vartësit e tij?

-Pse u ndërruan prokurorët që kërkuan arrestimin e Tahirit? Ishin të paaftë apo mund të zbulonin edhe kupolën që drejtonte veprimtarinë e hashashit?

– Pse prokurorët e rinj nuk morën dëshminë e ish Shefit të antidrogës së Vlorës oficerit Dritan Zagani i cili publikisht ka folur gjatë (me fakte e prova) për këtë çeshtje? Mos dëshmija e tij fundoste Saimir Tahirin dhe ky i fundit  në rrokullimë e sipër mund të merrte me vete kupolën kriminale?

-Gjetja në makinën e shoferit të Saimir Tahirit e një sasie eurosh (mbi 800 mijë) dhe dy patentave të tij pse nuk iu bashkangjit procesit si pjesë e parave të drogës?

-Gjyqtarët që dhanë produktin e shëmtuar gjyqsor pas një “shtërzimi’ shumë orësh në dhomën e konsultimit ,e kanë kaluar vetingun apo akoma janë nën trysninë e politikës  dhe veçanërisht të Kryeministrit e të shpurës tij mafioze?

-Për përfaqsuesit ndërkombëtar në Tiranë, të cilët kanë harxhuar kaq shumë mund, djersë e fonde monetare, a ishte kjo një drejtësi e pritur prej tyre? Dhe a e kanë parë ata testin e përceptimit të publikut bërë nga emisioni “Opinion” në TV Klan, ku mbi tetëdhjetë përqind e të anketuarve nuk e përkrahin  vendimin e gjykatës për procesin Tahiri?

Farse, gënjeshtra, mashtrime, hedhje hi syve, vjedhje, korrupsion, kontrabandë, shkatërrim i arsimit, shëndetsisë e proceseve zgjedhore dhe arratisje pandalesë e trurit intelektual kombëtar e rinisë, kjo është medalja e Qeverisë Rama.

Kam patur edhe ndonjë rezervë për qëndrimet e PD-së dhe të opozitës në këtë periudhë gati njëvjeçare, por tashmë kam prirjen të besoj se në çdo gjë që ajo ka thënë e ka ngritur ka qene e eshte e drejte. Nisur nga ky perceptim, si qytetar i thjeshte, si emigrant, si ish ushtarak i larte ne Ushtrine Shqiptare, ju bej thirrje gjithe miqve, vatraneve, dashamirve e bashkombasve , qe kane te njejten pikpamje si une, te mbeshtesim opoziten per te shpetuar demokracine dhe te ardhmen e Shqiperise.

Filed Under: Politike Tagged With: Asllan Bushati-Maskarada Tahiri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT