NGA ASLLAN BUSHATI/ Shoqëria shpesh është e prirur që nëpërmjet përfaqsuesve të saj në legjislativ ta kthej në ligj një fenomen a dukuri shoqërore, që për një kohë të caktuar konsiderohet e dëmshme ose më së pakti jo e “shëndetshme”për masën e qytetarëve. Kjo ka të bëjë me kohën, traditën, mentalitetin, rrethanat e brendshme e të jashtme, shkallën e zhvillimit e të emancipimit shoqror dhe shfaqjen e dukurive të reja, të cilat shtyjnë të vjetrat për në “arkiv”.
Kur shoqëria e tejkalon fazën e caktuar kohore mundet që ligjin edhe ta shfuqizojë, por për sa kohë që ligji është në fuqi, shkelja e tij gjithmonë shoqrohet me ndëshkim. Kur ligji nuk është më, shoqëria nuk mund të “qesh” me zhbërjen e tij, sepse ai në kohën e vet ka mbartur një “avokati” për qëllimin e veprimtarinë e shumicës.
E thënë më thjeshtë: sot kultivimi, manipulimi, transporti, tregtimi dhe përdorimi i hashashit (marjuanës) në Shqipëri është i ndaluar. Nesër mund të lejohet përdorimi me kufizime ose edhe pa asnjë kufizim. Por e sotmja me të nesërmen ndahen me ligje dhe kohët s’mund ti“hanë bukën njera tjetrës”. Ai që dje dhe sot është marrë e merret me hashash, duhet të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi. Nesër mund të jetë ndryshe në se ligji ndryshon.
Në 2016-tën Shqipëria pothuaj u mbush e gjitha me hashash, duke u bërë problem serioz edhe për Europën. Ministër i Brendshëm (që kontrollonte e menaxhonte teritorin) aso kohe ishte Saimir Tahiri. Ai jo vetëm nuk e ndaloi këtë fenomen të paligjshëm me strukturat vartëse, por në masmedia u paraqitën shumë prova e fakte se ai vetë ishte pjesmarrës me këtë veprimtari të paligjëshme. Në këto kushte ai duhej të ndëshkohej, dhe jo siç u vepru që me një mijë marifete të mbrohej që nga Kryeministri, Parlamenti, PS-ja , gjykata e një pjesë e medias.
Gjyqi i zhvilluar kundër tij këto ditë ishte një maskaradë e vërtetë, që do të mbahet mend gjatë për dështimin spektakolar të drejtësisë. “U mbars mali e polli një mi”, thotë populli. Pra Tahiri (i akuzuar për trafikim ndërkombtar droge e krijim të grupeve kriminale), ndëshkohet për shpërdorim detyre, a por.. kalhane të tjera.Turp!
Por për këtë turp, unë kam disa pyetje per Kryeministrin, Qeverine e Parlamentin:
– Pse shumica parlamentare nuk e miratoi kërkesën e prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit, kur ajo u kërku zyrtarisht?
– Pse kontrolli i banesës së tij u bë me tri ditë vonesë? Mos vallë prapa kësaj fshihet prishja e provave për ate dhe eprorët e vartësit e tij?
-Pse u ndërruan prokurorët që kërkuan arrestimin e Tahirit? Ishin të paaftë apo mund të zbulonin edhe kupolën që drejtonte veprimtarinë e hashashit?
– Pse prokurorët e rinj nuk morën dëshminë e ish Shefit të antidrogës së Vlorës oficerit Dritan Zagani i cili publikisht ka folur gjatë (me fakte e prova) për këtë çeshtje? Mos dëshmija e tij fundoste Saimir Tahirin dhe ky i fundit në rrokullimë e sipër mund të merrte me vete kupolën kriminale?
-Gjetja në makinën e shoferit të Saimir Tahirit e një sasie eurosh (mbi 800 mijë) dhe dy patentave të tij pse nuk iu bashkangjit procesit si pjesë e parave të drogës?
-Gjyqtarët që dhanë produktin e shëmtuar gjyqsor pas një “shtërzimi’ shumë orësh në dhomën e konsultimit ,e kanë kaluar vetingun apo akoma janë nën trysninë e politikës dhe veçanërisht të Kryeministrit e të shpurës tij mafioze?
-Për përfaqsuesit ndërkombëtar në Tiranë, të cilët kanë harxhuar kaq shumë mund, djersë e fonde monetare, a ishte kjo një drejtësi e pritur prej tyre? Dhe a e kanë parë ata testin e përceptimit të publikut bërë nga emisioni “Opinion” në TV Klan, ku mbi tetëdhjetë përqind e të anketuarve nuk e përkrahin vendimin e gjykatës për procesin Tahiri?
Farse, gënjeshtra, mashtrime, hedhje hi syve, vjedhje, korrupsion, kontrabandë, shkatërrim i arsimit, shëndetsisë e proceseve zgjedhore dhe arratisje pandalesë e trurit intelektual kombëtar e rinisë, kjo është medalja e Qeverisë Rama.
Kam patur edhe ndonjë rezervë për qëndrimet e PD-së dhe të opozitës në këtë periudhë gati njëvjeçare, por tashmë kam prirjen të besoj se në çdo gjë që ajo ka thënë e ka ngritur ka qene e eshte e drejte. Nisur nga ky perceptim, si qytetar i thjeshte, si emigrant, si ish ushtarak i larte ne Ushtrine Shqiptare, ju bej thirrje gjithe miqve, vatraneve, dashamirve e bashkombasve , qe kane te njejten pikpamje si une, te mbeshtesim opoziten per te shpetuar demokracine dhe te ardhmen e Shqiperise.