• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2019

KAFE- Studentë nga Shqipëria dhe Kosova në Amerikë

October 31, 2019 by dgreca

Nga Ilir IKONOMI*/ Në Uashington, u zhvillua të mërkurën mbrëma me ceremoni festive një program që sjell studentë nga Kosova dhe Shqipëria në Shtetet e Bashkuara.

Janë me dhjetëra studentë, të cilët pasi mbarojnë studimet këtu kthehen në vendet e tyre për të ndihmuar në zhvillimin e shoqërive ku jetojnë.

KAEF quhet Fondacioni Amerikan i Edukimit për Kosovën, të cilit kohët e fundit i është shtuar edhe një program i ri për të sjellë studentë nga Shqipëria.

Siç njofton kolegu ynë Ilir Ikonomi, synimi është që numri i bursave të rritet për të kontribuar drejtpërdrejt në të ardhmen e të dy vendeve.

Fondacioni amerikan i Edukimit për Kosovën, ka sjellë deri më sot mbi 100 studentë, të cilët sot punojnë në Kosovë, në fushat më të nevojshme dhe në disa prej institucioneve të saj më të rëndësishme.

Liridona Osmanaj e cila po mbaron masterin në Universitetin Duke në Durham të Karolinës së Veriut, shpreson që së shpejti të kontribuojë për ndërtimin e vendit të saj.

“Unë besoj se është një ndër profesionet më të rëndësishme, sepse ne jemi një shtet në tranzicion, një shtet në zhvillim“, thotë Liridona.

Ambasadorja e Kosovës në SHBA Vlora Çitaku thotë se gjatë tre dekadave të fundit Kosova ka kaluar nëpër ndryshime mjaft të mëdha dhe në shumë aspekte.

“Ndërtimi i një shteti dhe i një shoqërie është mjaft i komplikuar dhe duhen njerëz të kualifikuar për të patur ndryshim të qëndrueshëm. Jemi me fat që kemi patur kaq shumë kosovarë të rinj që kanë studiuar në universitetet më të mira amerikane. Përmes KAEF-it ne kemi patur mbi 100 studentë, të cilët janë kthyer në Kosovë jo vetëm me njohuritë e tyre por edhe me një etikë shumë të lartë. Ata të gjithë janë bërë përfaqësues të ndryshimit,” thotë ambasadorja.

Studentët përzgjidhen nga më të mirët, në bazë të standardeve më të larta. Ata studiojnë në mbi 40 universitete amerikane, duke përfshirë Harvardin, Columbia, Johns Hopkins, Duke dhe Yale.

Shumica studiojnë administrim biznesi dhe ekonomi por ka edhe një numër gjithnjë e më të madh që po studiojnë drejtësi, marrëdhënie ndërkombëtare dhe gazetari.

Këto bursa janë një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen e Shqipërisë dhe Kosovës.

Nuk është çështja thjesht për të shkolluar një individ. Financuesit shpresojnë se studentët që vijnë këtu do të sjellin një mendim ndryshe kur të kthehen, do të mund të luftojnë korrupsionin dhe të nxisin zhvillimin e ekonomive në Shqipëri dhe Kosovë.

Në SHBA vijnë shumë nxënës nga Shqipëria me programe të ndryshme, thotë ambasadorja e Shqipërinë në Uashington Floreta Faber. Dëshira e tyre e madhe është t’i shërbejnë vendit amë:

“Nëse jo të gjithë, shumica e tyre janë kthyer në Shqipëri. Ata kanë vazhduar studimet në universitetet shqiptare. Gjithmonë i kam bërë pyetjen vetes: A do të rrinë apo do të kthehen? Shumica e tyre kanë vendosur të kthehen.”

Ambasadorja e Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatçija, pati një falenderim për partnerët amerikanë që siç u shpreh ajo, i dhanë Kosovës shansin të jetojë e lirë:

“Janë shumë të rinj që kanë përfituar bursa nga Fondacioni Amerikan i Edukimit për Kosovën apo bursa të tjera. Sot ata po ndërtojnë Kosovën moderne.”

Gaz Gjonbalaj është anëtar i bordit të drejtorëve të fondacionit KAEF. Në fillim ai ka qenë donator dhe përkrahës.

“Çdo vit nga Kosova sjellim 8 studentë. Këtë vit filluam me Shqipërinë, filluam me 10 bursa, duke iu falënderuar Fondacionit të Familjes Biberaj si dhe American Albanian Development Fund,” tha zoti Gjonbalaj për Zërin e Amerikës.

Paula Shehu, njëra ndër aplikantet dhe fitueset thotë se dëshiron që të kthehet dhe të kontribuojë për zhvillimin e Shqipërisë. “Dua të bëj të mundur që të rinjtë të mos largohen nga Shqipëria,” tha ajo për Zërin e Amerikës.

Fondacioni i Familjes Biberaj ka kontribuar me 2.5 milion dollarë për të sjellë në Amerikë studentë nga Shqipëria me bursa masteri.

“Shpresoj që edhe ky fondacion do të zgjasë ashtu si edhe Fondi i Kosovës me vite të tëra. Këta studentë studiojnë magjistratura të ndryshme. E kanë të paguar çdo gjë. Qëllimi është të bëjnë ndryshimin kur të kthehen,” thotë zoti Gjonbalaj.

Vetë zoti Gjonbalaj është një biznesmen i suksesshëm, i cili beson se vjen një moment në jetë kur njeriu duhet t’i kthejë shoqërisë dhe vendit të tij një pjesë të asaj që ka arritur:

“Jam i sigurt se forca është brenda nesh. Nuk është veç edukimi që studentët marrin në Amerikë. Është besimi se gjithçka është e mundur”.(Shihe kroniken te plote ne Zerin e Amerikes www.zeriamerikes.com)

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ilir Ikonomi-Studente nga Shqiperia-Kosova-SHBA

VJENË – PËRMBYLLET ME SUKSES TURNEU I SHAHUT “ARBËRIA OPEN 2019”

October 31, 2019 by dgreca

VJENË – PËRMBYLLET ME SUKSES TURNEU I SHAHUT “ARBËRIA OPEN 2019”

Shkruan: Besim Xhelili, Vjenë/

Përgjatë javës nga 21-27 tetor 2019, nën organizimin e Klubit të Shahut “Arbëria” nga Vjena dhe në bashkëpunim me Federatën e Shahut të Vjenës u mbajt turneu ndërkombëtar i shahut “Arbëria Open 2019 – Edicioni I”. Klubi ka për synim që ky aktivitet të bëhet tradicional, duke pasur parasysh interesimin dhe pjesëmarrjen e madhe të dashamirëve të shahut qysh në këtë turneun e parë.

57 lojtarë të shahut nga 14 nacionalitete të ndryshme u grumbulluan në turneun e shahut “Arbëria Open 2019 – Edicioni I”, nga të cilët 12 ishin lojtarë të vetë klubit. Në një atmosferë të qetë dhe të këndshme shoqërore, garuesit në shah kaluan javën sportive, duke bërë 7 raunde lojërash, të cilat sipas gjyqtarit nga Federata e Shahut të Vjenës, Gregor Neff, kaluan pa ndonjë ngatërresë apo incident. Ai tha se është i kënaqur nga mbarëvajtja e turneut, lojëtarët ishin shumë të përgatitur dhe pjesëmarrësit e tjerë që shoqëruan lojërat gjetën gjithashtu një argëtim të mirë përgjatë turneut.

Mirëpo, si në çdo garë tjetër, më të mirët marrin vendet e para dhe shpërblimet më të shtrenjta. Kështu, vendi i parë i takoi mjeshtrit Nikolaus Stanec me 6 pikë, i dyti Konstantin Peyrer me 5,5 pikë, i treti Johannes Steindl me 5,5 pikë, i katërti Ekaterina Nikanova me 5 pikë dhe i pesti Franziskus Leopold Wagner gjithashtu me 5 pikë. Pastaj u dha çmimi më i mirë për zonjat, i cili i takoi znj. Irina Ivanyuk, çmimi seniori më i mirë i takoi Werner Reif dhe çmimi më i mirë për të rinjtë U 18 i takoi Nathan Cabala. Gjithashtu u ndanë edhe dy kategori çmimesh, për treshen e parë nën 2000 pikë (elo), vendi i parë për Adrian Pirvulescu, i dyti Agron Çika dhe i treti Faruk Mohamed Sayadi, si dhe treshja e parë nën 1800 pikë (elo), vendi i parë Tobias Englisch, i dyti Robert Ernst dhe i treti Peter Meixner. Për të gjithë pjesëmarrësit e tjerë u ndanë mirënjohje dhe çmime të tjera në gjësende si: libra, ëmbëlsira, fruta, shishe të verës etj.

Në fund të këtij aktiviteti u realizua një turne i shpejtë në shah, ku për 5 vendet e para gjithashtu u ndanë çmimet e parapara. Të pranishmit u ndanë të gëzuar, me shpresën që vitin e ardhshëm takohen përsëri në edicionin e dytë të turneut ndërkombëtar që do të realizojë Klubi i Shahut ”Arbëria” nga Vjena. Klubi uron lojtarët për suksese në turne të tjera dhe falënderon përzemërsisht mbështetësit dhe financuesit e këtij tunreut si Rrjetin e Bizneseve të Diasporës Shqiptare për Austri, në krye me z. Yll Blakaj, pastaj ndërrmarjet “Albakopie”, “Blakaj Fenster & Türen, “Timi Trans”, “Alushaj”, “Gashi Fenster & Türen”,  Këshillin Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Austri, si dhe të gjithë anëtarët, që me punën e tyre dhe angazhimin vullnetar e bënë të mundshme mbarëvajtjen e shkëlqyer të këtij aktiviteti kulturor dhe sportiv.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Besim Xhellili-Permbyllet turneu i Shahut- Vjene

EVROPA TË SHOHË INTERESAT E VETA E TË MIRËPRESË SHQIPËRINË DHE MAQEDONINË

October 31, 2019 by dgreca

Nga SERGIO ROMANO/ Corriera della Sera, 27 tetor 2019/ Perktheu Eugjen Merlika/

            Vendet që firmosën Traktatet e Romës në Campidoglio, për krijimin e një tregu të përbashkët, më 25 mars 1957, ishin gjashtë: Belgjika, Franca, Gjermania, Luksemburgu, Italia dhe Vendet e Ulta. Sot janë 28 dhe kanë shtrirë rëndësishëm zonën e bashkëjetesës e bashkëpunimit të tyre. Nuk është çudi që ndonjeri (në këtë rast presidenti francez Emmanuel Macron) të fillojë të pyesë veten nëse ka ardhur çasti për të bërë një pushim e për të marrë frymë. Por kur në Corrieren e 21 tetorit, Maurizio Caprara thotë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk mund të lihen në sallën e pritjes, ai ka të drejtë. I kemi hapur katër kanatash dyert e Bashkimit Vendeve që kishin të tjera horizonte, të tjera perspektiva dhe të tjera koncepte të Shtetit demokratik. Kemi lejuar që ndonjë Vend i Mittelevropës, tashmë antar i Bashkimit Evropian, të vinte në diskutim pavarësinë e pushtetit gjyqësor e të shtrëngonte një universitet të lirë të shpërngulej në një tjetër Vend. Kemi lejuar që një kryeministër (Viktor Orban) të përcaktohet me krenari iliberal.

            A duhet t’i trajtojmë Maqedoninë dhe Shqipërinë me kriterin e të huajve të papregatitur e të papjekur? Ka ardhur çasti në të cilin Bashkimi duhet të sillet në këtë fushë si një Shtet i madh. Nuk kemi vetëm kufij kombëtarë. Kemi edhe zona të ndikimit për të cilat është interesi i ynë t’i mbrojmë e t’i përmirësojmë, lidhje historike që duhen ruajtur e përforcuar. Duhet të kemi kuptuar që nga koha e luftërave jugosllave se Ballkani është dera e shtëpisë sonë dhe që asgjë që ndodh atje nuk duhet të na lerë mospërfillës. Është e vështirë të përfytyrohet se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria (pak më shumë se dy milion banorë e para, pak më pak se tre e dyta), do të bëhen ashtu si Zvicra dhe Finlanda. Nëse nuk do të jenë antarë të Bashkimit Evropian  në kohë relativisht të shkurtëra, do të gjejnë të tjerë mbrojtës e do të kthehen në prirje të përshtatëshme për veprimtari të diskutueshme.

            Italia është shumë pranë atyre trevave për të mos u interesuar për fatin e tyre. Mendoj kryesisht për Shqipërinë. Mbas një pushimi të shkurtër italian, në fillim të viteve dyzet, Vendi qe nën udhëheqjen e Enver Hoxhës një shëmbull i ngrefosur i ortodoksisë komuniste, ku edhe deri Nikita Hrushovi quhej një revizionist i rrezikshëm. Por gjatë atyre viteve, në sajë të programeve të Radiotelevizionit italian, Italia qe dritarja e saj mbi Evropën dhe mbas krizës së Shtetit komunist, Vendi që i dha punë numurit më të madh të qytetarëve të saj. Nuk mjafton. Në mos gabofsha jemi i vetmi Vend që mirëpret në një shesh të kryeqytetit  të saj statujën mbi kalë të heroit kombëtar shqiptar: princit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, protagonist e fitimtar i betejave të mëdha kundër turqëve otomanë në shekullin e XV-të.

            “Corriere della Sera”, 27 tetor 2019         E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Evropa-Shqiperia e Maqedonia- Sergio Romano-Eugjen Merlika

PËR NJË KRYEPROKURORE SHQIPTARO-AMERIKANE

October 31, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

 E kam fjalën për Bude (Buta) Biberaj.Budja i përket familjes së mirënjohur patriotike dhe anti-komuniste shqiptaro-amerikane Biberaj nga Tropoja.   Budja është një prej 8 fëmijve të Hysen e Aishe Biberaj, një familje e ngushtë dhe e madhe, të cilës ajo i përket me 19-nipa e mbesa dhe me 16-stërnipa dhe stërmbesa, pasardhës të brezave të kaluar të familjes Biberaj.  Familja Biberaj me banim në qarqet administrative Fairfax dhe Loudon të shtetit Virxhinia, afër Washingtonit është e njohur tanimë për gjurmët pozitive dhe arritjet e shumta të anëtarëve të saj në fusha të ndryshme, jo vetëm në komunitetin shqiptaro-amerikan por edhe në jetën e përditshme amerikane, në përgjithësi, sidomos në fushën e biznesit, politikës, gazetarisë dhe tani edhe drejtësisë.   E rritur dhe e edukuar në një frymë familjare përgjegjësie për vetveten dhe për të ndihmuar të tjerët në nevojë, të shtypurit dhe të anashkaluarit e shoqërisë — Budja ka zgjedhur profesionin e avokates dhe gjyqtares, pra drejtësinë të cilës Budja ia ka kushtuar gjithë jetën dhe veprimtarinë e saj, fushën në të cilën ajo shpreson dhe është e gatëshme të kontribojë edhe më shumë në vitet e ardhëshme, duke shpresuar në fitoren e saj javën që vjen.

Shumë e njohur si avokate dhe gjyqtare – me një përvojë prej më shumë se 25-vitesh — në zonën e shtetit Virginia ku jeton, ajo ka vendosur që të kandidojë si anëtare e Partisë Demokrate Amerikane për Kryeprokurore e qarkut ose zonës administrative Loudon, në zgjedhjet që do të zhvillohen atje javën që vjen.   Bude Biberaj, për disa muaj tani, ka zhvilluar një fushatë mbresëlënse për këtë post, duke siguruar edhe mbështetjen e gazetës së famëshme të kryeqyteti amerikan, The Washington Post dhe përkrahjen e shumë personaliteteve të politikës dhe drejtësisë amerikane, përfshir edhe ish-Prokurorin e Përgjithëshëm të Shteteve të Bashkuara, në administratën e Presidentit Obama, Eric Holder.

         Eric Holder, ish Prokururi i Përgjithëshëm i Shteteve të Bashkuara

Drejtësi, Barazi, Transparencë dhe Integritet – janë këto katër parimet kryesore në bazë të cilave Budja e ka kaluar jetën e saj private dhe profesionale , deri më tani dhe është e angazhuar që në bazë të këtyre parimeve të vazhdojë të jetoj dhe të veprojë edhe nëqoftse zgjidhet Kryeprokurore e Qarkut administrativ Loudon të shtetit Virxhinia.  Kandidatja për Kryeprokurore Bude Biberaj zotohet se në atë detyrë, ajo do të sigurojë që drejtësia të jetë e barabart për të gjithë banorët dhe për komunitetin Loudon në përgjithësi dhe se ajo si Kryeprokurore dhe zyra që ajo përfaqëson, nëqoftse zgjidhet në këtë detyrë,  do japë llogari para komunitetit për punën që bën.

Në portalin e fushatës së saj thuhet se Budja, gjithë karjerën e saj ka ndihmuar familjet, fëmijtë në nevojë, klientët me probleme të ndryshme, të cilët nevojitnin zgjidhje sensitive, bazuar në përvojë të gjatë në fushën e drejtësisë.  Duke pasur si objektiv përfundimtar zgjidhjen e problemeve bazë, dhe për të krijuar një sistem përkrahjeje për njerëzit në nevojë, me qëllim që incidentet ose krizat të mos përsëritën më.  Bude Biberaj është angazhuar gjatë fushatës për Kryeprokurore se Prokuroria që ajo do të kryesojë, me veprimet dhe vendimet e saja, do të pasqyrojë gjithmonë vlerat e komunitetit që do ta zgjedhë atë me votën e banorëve të atij qarku zgjedhor.

Si mik i ngushtë i familjes Biberaj për pothuaj gjysëm shekulli, unë e kam njohur Budën si një avokate që e merr shumë seriozisht detyrën dhe profesionin e saj, si një mjet për t’i shërbyer mbarë komunitetit me drejtësi dhe integritet, pa dallim.  Arsyeja e vendimit të saj për tu bërë avokate, ç’prej fillimit, ka patur vetëm një qëllim gjithmonë: “për të ndryshuar botën për më mirë”.

Bazuar në seriozitetin dhe disiplinën e saj për punën, duke u bazuar në karakterin e saj, në përvojën, dhe në sukseset e deritanishme të Budes, jam i bindur se ajo do ia arrijë, javën që vjen, kurorëzimit të gjitha përpjekjeve dhe të sukseseve të saja të deri tanishme, duke siguruar detyrën numër një dhe më të lartë të drejtësisë në qarkun administrativ Loudon, të shtetit Virxhinia.

Në editorialin e saj në mbështetje të kandidaturës së Bude Biberajt për Kryeprokurore të qarkut Loudon në shtetin Virxhinia, gazeta e famëshme amerikane, The Washington Post shkruan (duke cituar Robert Jackson një ish-Prokuror i Përgjithëshëm i Amerikës, 80-vjet më parë) se, “Prokurori/ja ka më shumë kontroll mbi jetën, lirinë dhe reputacionin e individit se çdo person tjetër në Amerikë.  Kompetencat e tija janë jashtzakonisht të mëdha”.  Gazeta Washington Post vazhdon editorialian e saj duke shkruar se “Bude Biberaj ka kryer punën e avokates në Loudon për më shumë se 25 vjet dhe ka shërbyer si zëvendës-gjyqtare në gjykatën e kësaj zone dhe si e tillë e njeh mirë krahinën Loudon”.   Këto fjalë, sipas gazetës së kryeqytetit amerikan, nënvijojnë rëndësinë e vendimeve që votuesit e Virxhinies së Veriut (të qarkut Loudon) do të marrin kur të zgjedhin javën që vjen kryeprokurorët në Virxhinia.   Uroj që një nga këta Kryeprokurorë që do të zgjidhen nga votuesit e shtetit Virxhinia, javën vjen, të jetë edhe Bude Biberaj!

Nuk ma merr mendja se në qarkun administrativ Loudon të shtetit Virxhinia të jetojnë shumë shqiptarë me të drejtë vote, që të bëj thirrje të dalin e të votojnë për Kryeprokurore Buda Biberajn, por sidoqoftë, kandidatura e saj është edhe një shenjë tjetër se komuniteti shqiptaro-amerikan – pas sukseseve të shumta, sidomos në fushën e bizneseve të vegjëla –ka filluar të pjeket edhe politikisht dhe juridikisht.  Ndonëse dalngadal, por me hapa të sigurt, kandidatura e Bude Biberaj tregon se, më në fund, komuniteti shqiptaro-amerikan i ka mundësitë dhe individët në fusha të ndryshme dhe si i tillë është i vendosur që të marrë pjesë në procesin politik  dhe juridik amerikan, ashtu siç kanë bërë në kaluarën komunitetet e tjera etnike, këtu në Shtetet e Bashkuara.

Bude Biberaj me ish-Governatorin e shtetit Virxhinia, Terry Mcauliffe gjatë fushatës

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shkreli-Bute Biberaj-Kryeprokurore-Amerikano-Shqiptare

SKULPTORI VASIL RAKAJ, ARTIST DHE PATRIOT

October 30, 2019 by dgreca

Nga Suzana Varvarica Kuka/*

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në këtë vend të madh e mikpritës për shqiptarët, në qytetin Connecticut ndodhet një studio skulpture, në të cilën flitet shqip. Artisti i saj është shqiptar dhe gjuhën e bukur të mëmëdheut e ka të shenjtë. Personaliteti i tij artistik është formuar në Shqipëri dhe shumë subjekte të skulpturave lidhen me heronjtë kombëtarë, ku spikasin Nana Terezë dhe Skënderbeu, të cilët në ditët tona i përkasin botës mbarë.

Skulptori shqiptar Vasil Rakaj jeton me familjen e tij në Connecticut dhe në rrugët e tij ecën çdo ditë. Njëra prej tyre e çon në studion e vet, në hapësirën e së cilës qëndrojnë vepra të përfunduara, punime në proces, vizatime dhe skicëide për veprat e ardhshme, fotografi dhe objekte të ndryshme, të cilët sëbashku krijojnë atmosferën intime të një artisti.   

Vasil Rakaj është shtetas amerikan, u lind në vitin 1954 dhe me origjinë është nga Boga, një vend i pastër, plot ajër e dritë i Alpeve shqiptare.  Në rininë e tij, dëshirën për artin e realizoi me studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, në Tiranë, ku u cilësua nxënës i talentuar. Në vitin 1977,fale rezultateve te larta u pranua pa konkurs të studiojë në Akademinë e Arteve të Bukura,  në Tiranë dhe u diplomua me rezultate të larta, në degën e skulpturës dhe të qeramikës dhe në ateljenë e Skulptorit të mirënjohur Thoma Thomai Dhamo. Në ditët e sotme, në këtë kohë emigrimesh dhe lëvizjes themeltare të lëvizjes së familjes nga një vend i vogël në një vend të madh nuk është e thjeshtë.  Dhe nuk është një fjalë gojë, e më së shumti të bësh artistin është një fat i madh, një ëndër e plotësuar. Vasil Rakaj ka një krijimtari të pasur dhe kjo e bënë të jetë një nga skulptorët e talentuar bashkëkohës shqiptar, që emigroi në SHBA.

Në Connecticut, skulptori Vasil Rakaj punon në studio me një interes për artin që u rrit edhe më shumë, madje interesi për skulpturën u bë shumë më i ndjeshëm si nga vet artisti ashtu dhe nga të huajt. Ai erdhi në Amerikë si një skulptor realist i formuar mjaft mirë në një akademi të rreptë dhe me rregulla të forta figurative. Vasil Rakaj, me qetësinë e brendëshme, vlerësoi më parë profesionin dhe talentin e vet se çdo gjë tjetër që i ofroi Amerika. Kjo bëri që të mos e braktisë skulpturën, profesonin e tij artistik.  

Në studio, Vasil Rakaj modelon argjilën e bronzin, gdhend drurin e gurin.  Jeta e tij artistike nuk ndahet nga jeta e tij sociale dhe të dyja bashkë zenë vend në dy periudha të rëndësishme.  Periudha e parë i përket jetës së tij në Shqipëri, gjatë kohës komuniste dhe krijimtarisë së tij nën diktatin e qeverisjes së sistemit monopartiak. Në këtë periudhë deri në 1990, Vasil Rakaj u edukua me nocionin: “Se atdheu është familja” dhe kjo moto e bëri një individ të ndërgjegjshëm në jetën e tij artistike. Ai u rrit si skulptor realist, punoi si mësues dhe metodist i edukimit figurativ; jetoi në Kurbin dhe krijoi punime arti, të cilat lidhen me temat, subjektet dhe personazhet që sugjeronte arti dhe propaganda e asaj kohe në Shqipëri. Pas rënies së komunizmit, Vasil Rakaj bashkë me familjen e tij, u largua drejt ShBA dhe nisi një jetë të ndryshme nga ajo e atdheut, por duke mos e humbur mallin për të. Në ShBA, në Conneticut fillon periudha e dytë të jetës, ku zhvillon krijimtarinë duke mos e harruar shprehjen e  Volterit: “O njeri! Kurrë mos u lodh për ndihmën që i jep atdheut”.

Nga vitet 90-të e në ditët e sotme Vasil Rakaj punon dhe krijon skulpturë në liri dhe me frymëmarrje të pastër emocionale, duke i`u qasur temave që lidhen me kombin shqiptar. Ai zgjodhi me frymëzim figurën e Nënë Terezës,  të Skënderbeut, të heronjve malësorë. Në ShBA ai vlerësoi personalitetitin e Martin Luther King-ut dhe e modeloi potretin e tij në stil realist. Më pas modeloi një bazament me formë shumë të veçantë dhe portreti – kokë mbi bazamentin e harkuar qëndrojnë në harmoni të plotë. Kjo vepër ruan vlera estetike dhe cilësi të lartë të ekzekutimit artistik. Këto dy cilësi i kanë dhuruar nderim skulptorit ndër personalitetet e vendit ku jeton dhe në komunitetin e përbashkët, që respekton figurën e shquar të Martin Luther King-ut, si lider në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Në këtë periudhë skulptori ka vlerësuar ndjesi dhe përjetime të fenomeneve njerëzore në përshtatje me jetën dhe filozofinë jetësore. Ai krijoi dhe krijon portrete, figura femërore alegorike dhe portrete të njerëzve nga jeta e përditshme. Gjatë procesit krijues skulptori Rakaj nuk e anashkalon subjektin figurativ të një vepre, madje e pasuron me një mendim të vetin.

Në mënyrë ekskluzive, në të gjithë krijimtarinë e Vasil Rakaj dallon arti i tij për të pasqyruar në disa forma figurën madhore të Nënë Terezës. Ajo duket se zë një vend kryesor. Ai e adhuron figurën dhe personalitetin e Nënë Terezës. Ai e respekton dhe është krenar për ekzistencën e saj.  Kjo ka ssjelle një krijimtari të shumtë rreth personalitetit të saj. Në studion e tij në ShBA, në ekspozita dhe në evente përkujtimore që lidhen me atdheun, figura e saj në skulpturën e tij zë një vend të rëndësishëm. Ai e ka gdhendur figurën e saj si shtatore, si bust, si reliev dhe si portret, por edhe si kompozim të skulpturës urbane dhe monumentale. I ka dhënë ngjashmëri në pamjen e jashtme, butësinë psikologjike, karakterin fetar përmes pasqyrimit të ndjesisë së shërbesës dhe të përulësisë. Ai e punoi figurën e saj në Shqipëri dhe ShBA dhe e ka ekspozuar skulpturat e titulluara  “Nënë Tereza”, në dhjetra ekspozita e me sukses në Shqipëri e ShBA. Në Kosovë, skulptura e tij statuja “Nëna Terezë”, e cila është një figurë që shpreh personalitetin e shënjtores, e cila mban me ngrohtësi dhe ngjeshur në trupin e saj një djalë-fëmi, është vendosur në rrugën – pedonale dhe shumë pak metra më në jug se sheshi ku gjendet ekuestri “Skënderbeu mbi kalë” i skulptorit Janaq Paço.  Skulptori e ka punuar figurën e saj edhe në formën e objektit të llojit dhuratë dhe, si të tillë i është dhuruar disa fondacioneve, disa personaliteteve të njohur, të huaj dhe shqiptarë.

Vasil Rakaj është skulptor i formuar mirë dhe kërkesa e tij për tu shprehur me forma dhe volume, ndjesi dhe emocione bëhet e ditur edhe në skulpturën e poetike. Ky mendim imi bëhet i pranishëm në portretin e quajtur “Piskama”, që është një vepër arti befasuese, ku druri është kthyer në emocion dhe volumet minimaliste të tij shkaktojnë tërheqje ndaj publikut, pasi shohim një gjetje artistike, një kokë ekspresive dhe plot ankth.

Skulptori Vasil Rakaj e quan mision fisnik vizitat e herë pas hershme në atdheun e tij, sidomos në qytetin e Krujës, i cili është mjedisi i parë që e mbushi me motive krijimi, të cilat i gjeti në dëshmitë historike, në pasurinë e pafund të dekoreve në kulturën popullore të kostumeve, të gdhendjeve, të ndërtimeve dhe të pozicionit të saj gjeografik e malor. Kruja, qyteti i Kështjellës dhe i Skënderbeut, i dha mundësitë e para të krijimit të figurave që lidhen me patriotizmin, me atdheun, ku kryeson heroi ynë kombëtar. Në krijimtarinë e tij shfaqet figura e lahutës, portreti i Skënderbeut, rievokimi si një gjetje kompozicionale dhe shenjë e trashëgimisë së bashkëjetesës së heroikes me këngët e legjendave, e simbolit të fortë e të lashtë me gjendjen e brendshme emocionale të skulptorit Vasil Rakaj.  Krenaria dhe respekti që ka artisti për figurën e Skënderbeut është një gjurmë artistike e Vasil Rakajt, që e përmbyll me idenë e tij se: “Skënderbeu është simbol kombëtar që lidhet me qytetin e Krujës dhe me të gjitha  trojet ku jetojnë shqiptarë. E kjo do të thotë se ai është simboli im dhe i atdheut ku kam lindur”.  Me këtë mendim dhe ndjesi kombëtare Vasil Rakaj krijon dhe modelon figurën ekuestër të Skënderbeut mbi kalë si një prijës ushtarak e luftëtar. Ai modelon figurën e tij në formën e statujës në këmbë dhe portretin e heroit. Impenjimi artistik i skulptorit ndaj kësaj figure madhore shqiptare, që luftoi në Mesjetë kundra zgjerimit pushtues të osmanëve në Europë, është shumë i madh dhe shkon deri aty sa të realizoj monumentin e tij ekuestër, me përmasa të mëdha.

Në ShBA, në shtëpinë e tij Vasil Rakaj ndau një dhomë, të cilën e ktheu në një muze historik. Në këtë dhomë është krijuar linja historike e zhvillimit ndër shekuj e ndër vite e kombësisë shqiptare përmes dokumentacione të shkruara, fotogafive dhe ilustrimeve. Impenjimi historik dhe artistik kanë krijuar atmosferën muzeore, në të cilën pasqyrohen të gjitha periudhat historike të vendit, ku kanë jetuar dhe jetojnë shqiptarët. Në shek. XXI, të ngresh një muze të vendlindjes në një nga dhomat e shtëpisë është një gjë e rrallë, por kur kjo ndodh në një vend tjetër është një cilësi e patriotizmit që vetëm Vasil Rakaj ka ditur ta materializojë në Connecticut.  Në bashkëpunim me historinë dhe si një historian i vertet ka ndërtuar atmosferën e dëshmive dhe imazheve që ilustrojnë kohën e pellazgëve, periudhën e ilirëve, përpjekjet e arbërve, dëshmitë heroike të Skënderbeut, veprat madhore të Rilindasve shqiptar, që luftuan për Pavarësinë Kombëtare, Luftën e Dytë Botërore dhe shqiptarët që morën pjesë në Luftën nacionalclirimtare, periudhën e gjatë të terrorit komunist dhe fillimet e domokracisë së re shqiptare të vitit 1991.  Ky muze është një perlë e rëndësisë së tij. Së pari për artistin, sepse ka ndërtuar të gjithë Shqipërinë tonë të vogël në një dhomë të shtëpisë së tij, së dyti trashëgimtarët e tij do të rriten me dije dhe dashuri për atdheun dhe së fundmi Vasil Rakaj nuk është thjeshtë një artist kariere por një patriot i ri dhe i vërtet i vendlindjes tonë, Shqipërisë. 

*Dergoi per Diellin-Tome Thercaj

Filed Under: Featured Tagged With: Suzana Varvarica- Skulptori-Vasil rakaj-Artist dhe Patriot

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT