• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2019

Lufta e re ose lufta kaotike

October 15, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1) Ky është një term që po i dedikohet sot luftës në Siri. Ose më saktë invazionit të befasishëm të ushtrisë turke në veriun e Sirisë së shkatërruar nga lufta civile. Një ndërhyrje ushtarake që përpos viktimave në njërin vend është kthyer në një rit ushtarak triumfi deri tek ekipi i futbollit të Turqisë. Njëmbëdhjetë djem që pas një goli nderojnë ushtarakisht para botës a njerëzimit. Ndërkohë në Sirinë e shkatërruar viktimat nuk njohin moshë a gjini. Dhe pamjet e masakrave mizerjes etj., janë bërë virale në internet. Ndërkohë pikëpyetjet janë nga e gjithë bota, çfarë bëhet me kurdët a sirianët? Përse u tërhoq Amerika? Si dhe çfarë kërkon Turqia? Po ne shqiptarët përse bëhemi palë? Përse nuk e lexojmë konfliktin në interesin tonë kombëtar?

2) Aty nga viti 2012 shteti i Bashar al Asadi-t ose Siria, po kërcënohej nga një shtet paralel, ai ISIS-it. Një seri lëvizjesh që tronditën sistemet e njëshave me të ashtuquajturën pranvera arabe. Kryesisht në veri të vendit ku dominohej nga popullata kurde. Thuajse pa mbrojtjen e qeverisë, kurdët e Sirisë krijuan strukturat e para ushtarake. Flitej se i përkisnin partisë popullore të kurdëve apo Oçalanit. Të cilët arritën të bëjnë aleancë me qeverinë amerikane atë kohë kur president ishte Barack Obama. Amerika u kërkoi të ndërronin emrin për shkak se Turqia i njihte si terroristë dhe për më tepër mban të ngujuar në burgun e ishullit Imral liderin e tyre Abdullah Oçalanin. Kësisoj këto struktura kurde me emrin njësitë për mbrojtjen popullore u shëndërruan në milicia kurde. Kjo dëshmonte në të njëjtën kohë fundosjen e Sirisë në një luftë civile. Frontet ishin mes ISIS-it (shtetit islamik), ushtrisë së Bashar al Asadit, dhe milicisë kurde. Një luftë që vazhdon edhe sot ku skemat tashmë janë botërore, një Siri e shkatërruar me kampe refugjatësh në ishujt e Greqisë, Turqisë dhe maunet plot në tregun e zi europian.

3) Amerika nuk është tërhequr plotësisht. Por është një detyrim elektoral i presidentit aktual në lidhje me luftrat apo popujt që sipas tij nuk dinë gjë tjetër veç të bëjnë luftra.  Luftrat e pafundme në konceptin Trump, adaptohen tek ne në atë shprehjen po këta nuk deinë gjë tjetër veç të hanë kokat me njëri-tjetrin. Trump para pak ditësh pati një bisedë të gjatë me presidentin e Turqisë, Erdogan. Fill pas kësaj bisede urdhëroi edhe tërheqjen e trupave amerikane të cilat ia lanë kompetencat milicisë kurde në ruajtjen e rendit, territorit dhe kampeve ku mbaheshin robërit e shtetit islamik, ISIS. Mirëpo Erdogani duket se kishte mëndje tjetër, kjo shpjegohet nga indinjata e Trumpit i cili ka vënë në lëvizje grupet e punës për planifikimin e sanksioneve karshi Turqisë.

4) Çfarë kërkon Erdogani të demonstrojë…

Eshtë pa asnjë diskutim ëndrra Kurdistan që ai do të vrasi. Janë një etni prej afro 35 milion. Një truall i copëtuar në katër shtete, Turqi, Irak, Iran, Siri. Po t’i shtosh edhe etnitë rreth vendeve më përtej Turqisë, Sirisë, Iranit e Irakut, diasporën ku grupimin më të madh e ka në Gjermani etj., kap shifrat e 40 milion banorëve. Nga ana tjetër kurdët kanë sot arritje dhe në vende si Irani apo Iraku janë kthyer në faktorë të rëndësishëm ekonomik. Irbili përshembull është një motor ekonomik në Irakun verior. Në vitin 2017 mbajtën një referendum popullor për shkëputjen nga Iraku. Mendoni sikur një referendum i tillë të mbahet në Turqi, ku sipas censusit të vitit 2006, jetojnë plot 12 milonë kurdë. Erdoganit që rri në pushtet me votat rurale, që burgos a dëbon mendimin ndryshe, kur vret e pret kundërshtarin turk nuk ka pse i dhimbset demokracia, të drejtat dhe lirët e individit sidomos kur bëhet fjala për kurdë e armenë. Por edhe me gjerë, për më tepër ku shumë analistë e konsiderojnë si një sulltan të kohëve moderne.

Referendumi i kurdëve në Irak, shtatorin e 2017-ës dëshmoi një gjë, prespektivën e një shteti të ri, Kurdistanit. Shtetin e mohuar shekujsh.

5) Kur kurdët e Irbilit mbajtën një referendum në shtatorin e 2017-ës, për të drejtën e tyre autoktone, Erdogani ironizoi se nuk bëhet një shtet fët e fët, me këtë rast përmendi edhe Kosovën, shtetin e dytë të shqiptarëve. Madje solli si argument mosnjohjet nga shumë shtete të rajonit e më gjerë, ku pa dyshim Serbia, Palestina dhe Izraeli. Nga ana tjetër shqiptarët sot krejt angllish me historitë a mizoritë e sundimit 500 vjeçar i japin botës së lindjes një vëmendje të theksuar dhe futen në ca konflikte palësh mes Erdoganit, Mahmud Abasit apo Netanjahut. Ca nga praktikimi së prapthi i islamizmit, ca nga injoranca dhe ca nga prirja anarshiste karshi njeri tjetrit e sigurisht vendit të lodhur luftrash ku për pasojë jetojnë sot të ndarë në pesë shtete. Megjithëse janë po aq armenë, po aq kurdë, po aq çifutë, nderojnë luftën e klasave të Erdoganit, u dhimbset Abasi që nuk njeh Kosovën, vriten për Netanjahun, madje i çojnë ushtarë shtetit islamik të ISIS-it duke u bërë pjesë e konflikte orientale dhe duke ia bërë në kokë vendit të tyre. Ndaj sot nuk është e rastësishme që nga një përllogaritje e përciptë paratë e taksave të shqiptarëve investohen në 78% në blerjen e telenovelave turke, pjesa tjetër për spektakle mondane pasarelash dhe ca thërrime në krijimtarinë autoktone. Kjo nuk ka asnjë domethënie tjetër që unifikimi kombëtar nuk ka për të ndodhur sa kohë që duam më shumë Erdoganin, Mahmud Abasin, Netanjahun, apo shtetin islamik të ISIS-it. Ndaj nëse sot lufta e Sirisë quhet si lufta kautike, Shqipëria po jeton kohën kautike. Dhe kur nuk do veten për së pari, je me plot gojën, plaçkë për të tjerët.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja-Lufta Kaotike

PAPA GJON PALI II

October 15, 2019 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

PORTRETI  I  TIJ  REFLEKTOI  GJITHKUND  DRITEN !/

Tue fillue që në kohën e Gjergj Kastriotit Skenderbeut e deri në ate moderne, ku çdo çast diskutohej kenja ose moskenja e tansisë sonë toksore si Shtet, roli i Vatikanit ka kenë gjithmonë vendimtar për fatin tonë. Unë nuk kam në mend me ba përsëritjen e atyne fakteve historike në lidhje me këte që thashë, as përsëritjen e atyne ngjarjeve ku diskutohej se kujt i përket Korça apo Gjinokastra, Kosova apo Çamëria, Hoti apo Gruda, Himara apo Vorio Epiri, por do të cilësoj se rishikimi dhe rivlersimi i të gjitha momenteve kyçe për fatin e Shqiptarve dhe i Tokës së Tyne që thirret Shqipni, asht i lidhun për Eshtnat e Klerit Katolik Shqiptar, gjithmonë besnik ndaj Papës dhe Vatikanit që në ekzistencën e Katoliçizmit në Shekullin e Parë të Epokës së Re. Kjo besniki e Klerit dhe e ndjekësve të Besimit Katolik në Shqipni asht vlersue dhe vlersohet nga të gjithë Papët e Kishës Katolike. Merita historike i përket Alpeve sëpse, Ata e kanë pague ma shtrenjtë se kushdo qendresën tue fjetë me armë në nënkrejsën shekullore të cungës apo të gurit palatuem, gja që e dëshmon gjaku i derdhun rrëkajë ndër ato vise.

Në Vatikan Kardinali Vojtila vjen Papë mbas 445 vjetësh të kenjes italian. Ardhja Tij me 16 Tetor 1978 si Papë në Vatikan nga Polonia kur endè zgjedha komuniste asht mbi Popullin Polak dhe, që në vitin 1980 Ai tha se, karrshi tokave të lame me gjak Shqiptarësh në Jugun e Italisë n’Otranto, ku u bane betejat e famëshme kundër pushtuesve turq, “asht prap sot një popull i vogël që po vuen shumë nga diktatura tjetër, asht Populli Shqiptar, për të cilin unë lutem përditë.”

Ardhja Papë e Gjon Palit II ka dy shpjegime me shumë vlerë për me u kuptue sësa i Madh qendron Portreti i Tij në Historinë Botnore: Ai vjen nga një vend ku vazhdon me kenë komunizmi stalinjan në pushtet dhe, asht një Kardinal Vojtila që e ka provue até mbi shpatullat e Tija. Ai vjen në Selinë Botnore të Katoliçizmit Dymijvjeçar në Romë kur komunizmit totalitar “Ai i zbuloi anën shpirtnore të Njeriut”, Ky dhe vetëm Ky asht misteri i Madhështisë së Tij, sëpse askush para Tij nuk ka mujtë me kuptue anën shpirtnore të Njeriut në sistemin totalitar e, me i zhbërthye prangat e tiranisë komuniste barbare me tri fjalë të vetme:

“NON ABBIATE PAURA !”, “MOS KENI FRIKË !” sëpse, Ai njeh parimin filozofik të historisë: “Kur një Popullit i ikë frika, shpejt Atij i vjen LIRIA !” dhe, mbas takimit me Regan në Qershor 1987, Vojtila shpartallon komunizmin ateist me Kristjanizëm… pra, pa gjakderdhje dhe vetem me paqë, por jo me paqë nën kamxhik dhe kallashnikov…

Kujtoni për një moment takimet dhe bisedat me Regan dhe Gorbaçov. Asnjë takim nuk asht ba në bazat e rraketave, bunkeret, nëndetëset apo zonat e fluturimeve kozmike, por në dhomën e pritjes së Papës Gjon Pali II, në një tavolinë kuadrate, të lëmutë, të bardhë, të pastër dhe të shndritëshme siç ishte Ai vetë, ku, mbështetëshin vetëm katër duer…që porsa lidheshin Burrnisht njena me tjetrën: “Nënshkruenin marrveshje paqe e dashnije të pakufi për mbarë Njerzimin!”Ky ishte Papa Polak Karol Vojtila që ndryshoi Historinë!

Ky ishte Ai Burrë “që lutej çdo ditë për Popullin Shqiptar dhe për të Shqiptarët e të gjitha Besimeve…” Ky ishte Ai Burrë që do të thente akujt shekullor të Adriatikut dhe do të shpartallonte Perdën e Hekurt gjysëm shekullore të komunizmit, acari siberian i së cilës na kishte izolue nga krejt Bota Europjane Përparimtare!”…. Ky ishte Polaku Vojtila, që kur Bashkimi Sovjetik kërcënoi Poloninë për këto lëvizje demokratike atje, Ky deklaroi: “Nëse një ushtar sovjetik do të shkelin kufinin polak, unë do të çveshëm si Papë dhe do të shkoj me luftue për Lirinë e Atdheut tem!”

Ai dinte me çmue Lirinë dhe Pavarësinë e Popujve të gjithë Botës e, jo, pa qellim tha në Kathedralën e Shkodres së dhunueme: “Historia endè nuk e ka njohë atë që ka ngja në Shqipni. Pra, të dashtun Shqiptarë, drama e juej duhet me i interesue gjithë kontinentit Europjan! Asht e domosdoshme që Europa mos të harrojë!”…

Asnjëherë fjalët e Vojtilës nuk do të quhen kujtesë, as në historinë e Shqipnisë dhe as në ate të Europës, por asht një vërejtje e randë që Papa i bani Europës, dhe Historisë së saj: “Historia endè nuk e ka njohtë ate që ka ngja në Shqipni..” Por, nuk mjaftohet me kaq, mbasi Ai e di se Europa kjoftë edhe pjesërisht nuk asht aq e paditun për çka asht ba tek na, prandej, fati i Shqipnisë nuk duhet të mbesin në dorën e “një pjesës” së Europës, po “drama e juej duhet me i interesue gjithë kontinentit Europjan!”, pra “duhet”, asht detyrë, asht kusht e jo mundësi, që mundet ose jo, po, prap ma e percaktueme “Asht domosdoshmeni që Europa mos të harrojë!”…

***

E, çka mos të harrojë? Të mos harrojë të tashmen por, as të shkumen, sëpse, këtu, asht fjala pikërisht për vendin që mbrojti Ate Europë nga invazioni turk, po, që Ajo, shtihet se “ka harrue”.., ose ma mirë me thanë se ban sikur e ka harrue…

Ja, pra, kjo asht “domosdoshmenia” e Shqipnisë së Lirë dhe Demokratike!

E në darkë asht po, Ai, Papa Gjon Pali II, që përballë Mikut të Vet Gjergj Kastriotit Skenderbeut, në sofren bujare e mikpritëse Shqiptare, me 25 Prill 1993 në Tiranë, tha:

●”Shqipni qëndro në naltësinë e kësaj Beteje të Madhe!”…

“Në vendin tuej të vishkulluem mashumëse asnjë vend tjetër nga përsekutimi asht e thjeshtë me gjetë gjurmët e Katakombëve të lashta Kristjane dhe t’arenave ku, dëshmitarët e Krishtit hidheshin me dhunë për me ushqye bishat. Këtu kje një luftë e ashpër kundër Fesë, simbas një vije dogmatike të një programi shoqnor dhe politik, i mbështetun nga ideologjia komuniste. Dukej sikur mjeti ma i domosdoshëm për me realizue e trumbetue “Parajsën në tokë” kje tue i mohue njeriut atë forcë që e lidhë me Krishtin, forcë kjo rreptësisht e dënueme si një “dobësi e pandershme për njeriun”.

Në të vërtetë kjo forcë e pame jo me atë sy ishte ma shumë dishka shqetësuese për ata, ashtu si e treguen faktët. Përsoni njerëzor në të vërtetë me energjinë që vjen nga Feja nuk lejon lehtësisht të hidhët në anonimatin kolektiv.

Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit. Asht e vërtetë se edhe në Përandorinë Romake janë ba përndjekje të ashpra ndaj të Krishtenëve, por atëherë ishte fjala për Shtet i cili në emën të një Feje, asaj pagane, luftonte ata që mbështetshin Ungjillin e Krishtit.

Kurse këtu, Shteti asht përpjekë me shue çdo shprehje fetare në emën të një ateizmi radikal, të mbështetun në një sistem universal dhe përgjithësues.

E gjithë kjo ndodhte në një kohë kur askush nuk mund të ndërhynte për me mbrojtë dinjitetin e njerëzve që u ishte mohue gjithshka, tue i çveshë deri nga ma “njerëzorja”, liria e tyne. Drama e Juej Shqiptarë të dashtun zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht  e domosdoshme që Europa mos t’Ju harrojë.

Dhe në fakt ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue, për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e, madje, e domosdoshme, por me një kusht, që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen…

Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vëpruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithshëm. ●Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vllavrasëse të ulta e të pakuptim…”

***

Europa pra, duhet ta dijë o sot, ose kurr: Pikrisht, kur Shqipnia edhe i perket Asaj…

●Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vllavrasëse të ulta e të pakuptim…”

Mendoj se, Bashkimi Europjan sot i kujton mirë Fjalët e Papës Gjon Pali i II..!

                Melbourne, 15 Tetor 2019.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fritz Radovani-Papa Gjon Pali II

LDK- LVV DREJT NJË PROGRAMI TË PËRBASHKËT QEVERISËS

October 14, 2019 by dgreca

-Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa takohet me Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova. Njoftim mbi temat kyçe politike në vend dhe për vazhdimin e takimeve të grupeve punuese të LDK-së me ato të LVV-së për përafrimin e programeve të të dy partive drejt një programi të përbashkët qeverisës/



PRISHTINË, 14 Tetor 2019-Gazeta DIELLI/ Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa gjatë ditës së sotme është takuar me Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së dhe Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Temë diskutimi ishin procesi i zgjedhjeve parlamentare më 6 tetor, situata aktuale politike në Kosovë dhe diskutimet për përbërjen e Qeverisë së re.

Kryetari Mustafa e njoftoi znj. Apostolova për qëndrimet e LDK-së mbi temat kyçe politike në vend dhe për vazhdimin e takimeve të grupeve punuese të LDK-së me ato të LVV-së për përafrimin e programeve të të dy partive drejt një programi të përbashkët qeverisës.

Gjithashtu kryetari Mustafa e falënderoi BE-në për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës në të gjitha proceset shtetformuese.

Znj. Apostolova falënderoi kryetarin Mustafa për mikpritjen dhe inkurajoi LDK-në të vazhdojë të ketë rol konstruktiv në zhvillimin e vazhdueshëm të Kosovës.

Të pranishëm në takim ishin edhe nënkryetarët e LDK-së Agim Veliu e Lutfi Haziri, anëtari i Kryesisë dhe zëdhënësi, Besian Mustafa dhe anëtarja e Kryesisë, Vlora Dumoshi.

Filed Under: Analiza Tagged With: LDK-Vetevendosja-Program I perbashket

SHËRBIMET FUNERALE PËR 17 VJEÇARIN ALTIN NEZAJ – TË MARTËN, VARRIMI TË MËRKURËN

October 14, 2019 by dgreca


NJOFTIM MORTOR NGA FAMILJEA NEZAJ ME VLLAZNI/

 Familja e Xhevdet e Syzana Nezaj, nga familja e Halil Uke Nezaj,njofton komunitetin se shërbimet funeral për djalin e tyre të dashur, Altin Nezaj, i moshës 17 vjeç, që humbi jetën në një aksident tragjik, do të organizohen ditën e MARTË, 15 Tetor 2019, nga Ora 2.00 .P.M.deri në 9 .P.M, në Shtëpinë mortore:
F. Rugghiero & Sons Inc. Funeral Home, që ndodhet në adresën:
 
732 Yonkers Avenue
YONKERS, NY 10704
Tel: 914-375-1400
 
Varrimi do të bëhet ditën e Mërkurë, 16 tetor 2019, në Kensico Cemetery, në adresën:
273 Lakeviwë Avenue
Valhalla, NY 10595
 
Federata Pan Shqiptare e Amerikës VATRA dhe Gazeta “DIELLI” ngushëllon familjen Nezaj për humbjen tragjike të djalit të tyre të dashur, Altinit! I pushoftë shpirti në Paqë.

Filed Under: Politike Tagged With: Altin Xhevdet Nezaj-Nderroi Jete

“Graviteti i shpirtit” promovohet në New Jersey

October 13, 2019 by dgreca

Merrma kockën bëma gur në vënd të tij të rëndojë/ Gur e kockë ta ngrejë kështjellën/ mënçuri të pagëzojë/ Merrmi flokët bëji udhë, të lehta t’i ketë këmba/ Shtegun e tij mban shtegtari, po të jetë e drejtë bota/ Merrma dorën bëma hartë, që të mbaj pesë kontinente/ Gishtërinjtë ura bëmi, të lidh ndarjet e kësaj bote!  E.Mitre/

Nga Keze Kozeta Zylo/

Librat e vërtetë janë mikpritësit më të sinqertë dhe më bujar, sepse të mbledhin rreth oxhakut ku prushërojnë mesazhet që frymëzojnë dhe ngrohin shpirtrat e lexuesve që e adhurojnë librin dhe poezinë.

Në një të shtunë me plot diell që të lëbyrte sytë, autorja Mitre e librit “Graviteti i shpirtit” mblodhi miqtë dhe dashamirësit e saj për të promovuar librin e parë me poezi.  Shtëpia e bijës së saj të ëmbël dhe plot kulturë Marinelës një shkencëtare në NYU na priste me gjithë komoditetin dhe dashurinë për të festuar së bashku këtë ditë të bukur poetike.

Ndërsa përshëndeteshim me njeri tjetrin syri shpesh më ndalonte në bredhat e gjelbër të oborrit dhe ata më bëheshin më depërtues në lëkurën time ndërsa brenda dhomës dukej një pemishte që çlironte oksigjen si dhe filiza të rinj që flladisnin këtë mjedis elegant. 

Midis miqve të shumtë ishte dhe Pastori amerikan Steve Galegor së bashku me bashkëshorten e tij fisnike Melaninë që e flasin gjuhën shqipe më bukur dhe më saktë se shumë shqiptarë të lindur në Mëmëdheun tonë. 

Në jetë kam pasur vetëm një mik të vërtetë dhe të sinqertë, librin”, do te shkruante Volteri për shprehjen dhe bashkëbisedimin e fjalës më të epërme estetike midis.

Libri “ Graviteti i shpirtit” ka mesazhe hyjnore dhe unë si redaktore dhe autore e parathënies jam ndalur për të rrokur fort këtë thesar brenda parajasës shpirtërore të shkruar nga poetja Mitre.  Shumë popuj në botë kanë traditat e tyre me librin, por mua si grua, shkrimtare më ka pëlqyer shumë tradita e Kaltalonjës në Spanjë, ku çdokush që blinte libër i dhurohej një trëndafil.  

Në fakt në kohët e sotme në botë po ndodh e kundërta shumica e shkrimtarëve që shkruajnë libra i falin dhe natyrisht autorëve s’ju dhurohet trëndafil, por më e keqja i mbyt pluhuri, dhe këtu nuk e kam fjalën për librat mediokër, por për libra që ja vlen t’i kesh shok zemre.

Por ne lexuesit ose të dashuruarit e librit s’duhet të heqim dorë kurrë nga librat,  pasi është I vetmi mjet që ka edukuar miliona breza në botë, është e vetmja dashuri imagjinare që e përkëdhel me sy, e prek me duar dhe belbëzime buzësh dhe mrekullohesh në se vërtetë është mrekulli dhe nuk zhgënjehesh…

Poetët bëhen shërbestar dhe misionar te Paqes, të humanizmit dhe të ndryshimeve cilësore sigurisht ata penëartët si autorja që na mblodhi së bashku në New Jersey.

Nga fjala e poetes Mitre

Besoj se ndjenja më e fuqishme që të shtyn të shkruash është ndjenja e DHIMBJES shpirtërore.

Përmes emocionesh të veçanta ju falenderoj nga zemra për mbështetjen me pranine tuaj sot ne perurimin e vëllimit tim të parë me poezi “Graviteti i Shpirtit”. Falenderoj bashkëshortin tim të mrekullueshëm, dhe femijët për mbështetjen e vazhdueshme në krijimtarinë time, vajzën dhe dhëndrin që hapën shtëpinë e tyre për këtë ngjarje, djalin tim Andin që është dhe redaktori i përkthimeve të mia. 

Kam rastin këtu të falenderoj poeten, shkrimtaren dhe gazetaren e talentuar e të mirënjohur, zonjën Kozeta Zylo për mbështetjen e pakursyer si simotër poete me redaktimin e këtij vëllimi, për analizën e thellë letrare që do ta gjeni në parathënien e librit, si dhe botimin e kësaj kritike në gazeta të ndryshme online dhe te printuar filluar me gazeten e dashur “Illyria”. Gjithashtu falenderoj shtëpine botuese ‘Dyrrah” dhe botuesin e saj shkrimtarin e njohur Viktor Canosinaj, për botimin cilësor të librit, piktorin durrsako-amerikan, Dashamir Gurabardhi, për pikturën e kopertinës dhe fotografin Arnie Braeske. Ky libër është rezultat i një pune këmbëngulëse, pothuajse prej një dekade, ndaj dhe është një ngjarje e rëndësishme për mua.  Besoj se secili prej jush është kurioz të dijë se cili ka qënë rrugëtimi im në krijimtarinë letrare?

Poezia dhe të shkruarit është një thirrje e brëndshme e imja që në adoleshencë, një pasion i hershëm që e kam mbartur qe në tetëvjecare, e kam vazhduar krijimtarinë pak në shkollë të mesme dhe universitet. Nga këto do të kujtoj një detaj që më ka mbetur në mëndje. Isha në vitin e tretë të shkollës së mesme kur profesori i anglishtes, i huaj, na kërkoi që të shkruanim një hartim për luftën civile në Amerikë dhe dicka për Abraham Lincoln. Dija shumë pak për Abraham Lincoln. Kisha lexuar në një libër të vjetër anglisht të tim eti. Shkruajta 10 faqe për këtë temë. Pas një jave profesori pasi i korigjoi erdhi në klasë dhe i shpërndau. Kujtoj që prisja me ankth kur u zgjaste të tjerëve hartimet. U duk pa fund ajo pritje. Në fund i mbeti në dorë hartimi im. Ai tha: Ky ështe hartimi më i mirë, pasi e lexoi para klasës u afrua tek banga ime dhe kur ma dha në dorë më tha “Një ditë ti do të bëhesh shkrimtare.”  Po kështu pedagogu i letërsisë anglo-amerikane në universitet. 

Mendimi dhe besimi që më ndolli fjala e tyre më ka ndjekur deri më sot, sepse rezonoi me atë çka fshihej nën lëkurën time. 

Ata zbuluan ëndrrën time, që tashmë sapo ka filluar të realizohet. 

Disa poete më kanë pyetur: përse nuk keni shkruar më parë?Ka një shprehje: “Ëndrra jote nuk ka datë skadence. Merr frymë thellë dhe përpiqu përsëri ta realizosh atë.” Kjo ka qënë mantra e frymëzimit tim gjatë këtij dhjetëvjeçari të fundit. 

Ka disa arsye përse nuk kam shkruar më parë: 

1. Jeta ime ka qënë një rollerkoster me ulje ngritjet e saj, me vështirësi që më kanë vënë në grib të saj, dhe papritur jam gjëndur në një situatë kur më është dashur talent për të mbijetuar, jo më për të shkruar. Ndaj edhe nuk kam shkruar për shumë vite, zëri im kam heshtur; heshtja më ka shërbyer si kollonë ku mbështetesha, ka qenë mburoja dhe streha ku kam mbështjellur forcën dhe besimin për të mbijetuar. Përmes vargjeve të këtij vëllimi jam munduar të hedh artistikisht ndjenjat dhe emocionet e mia rreth këtij rollërkosteri, por edhe më shume. Poeti apo krijuesi arrin të transmetojë gjithshka që ai kap jo vetëm përmes shqisave por edhe duke kapërcyer limitet e tyre, arrin te zbulojë atë që quhet transedentale. 

Secili e jeton legjendën e jetës së tij në mënyra të ndryshme, por e rëndësishme për mua ka qënë posedimi i një shpirti pafundësisht kurajoz për ta dashur jetën edhe kur ajo më është thërmuar para syve. Jam e bindur se ju do ta gjeni të shprehur këtë shpirt kurajoz sidomos në poezinë “Egzistenca”.

2. Arsyeja tjetër është se: Krijimtaria letrare të vë në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me lexuesin sidomos kur je në moshë të re, dhe natyrshëm të ndjek ajo ndjenja e frikës dhe pasigurisë në se ajo që do të krijosh është e maturuar deri në atë pikë sa të komunikojë vlerë për lexuesin. Ka disa poezi që kam shkruar dhe nuk janë më sepse kanë qënë thjeshtë eksperimente. Të shkruarit nuk kërkon vetëm talent, por edhe një kulturë të përgjithshme. Duhet të lexosh e të pasurohesh me dije vazhdimisht në mënyrë që të sjellësh diçka të re në krijimtarinë tënde. 

3.  E fillova procesin e të shkruarit me shkrime teknike pas vitit 1996, pasi mbarova një vit studimesh pasuniversitare në New York University, më shumë shkrime teknike: si grante që janë financuar nga donatorë të ndryshëm në Shqipëri dhe Amerikë. Gjithashtu kam bërë studime shkencore të botuara në të dyja vendet. Një nga pasionet e mia të hershme është edhe fusha e përkthimeve. Kam rastin të përmënd këtu se vitin e kaluar u botua në Amazon dhe në Shqipëri, romani “The King’s Shadow” i autorit Viktor Canosinaj, që e përktheva në anglisht, të redaktuar nga djali, Andi Mitre. Po ashtu kam përkthyer libra teknike, artikuj dhe poezi të cilat kanë parë dritën e botimit.

Çfarë u bë shtysë për të filluar përsëri?

Më të shumtat e poezive të këtij vëllimi janë shkruar gjatë këtyre viteve të jetës në Amerikë. Jeta si emigrante na vë para vështirësive të mëdha, dhe për ne që kemi emigruar në moshë madhore, të ekzistuarit midis dy botëve, asaj çfarë kemi lënë pas, vendlindjen, familjen, gjithë atë arkiv të krijuar për 45-50 vjet dhe bota e re që gjejmë, ku nuk është e lehtë të integrohesh, është një sfidë e pashmangshme. 

Mësimet e nxjerra nga periudha tranzitore, që kalon në kufirin midis shkëputjes me të shkuarën dhe bashkimit me të ardhmen janë të thella. Këto eksperienca na bëjnë të kalojmë përmes një transformimi të brëndshëm dhe udhët që na hapen nganjëherë na çudisin. Trajektorja e jetës është si një lumë që rrjedh nga mali deri sa përfundon në det të hapur. Në këtë lumë jete është e rëndësishme të investigosh udhët që të çojnë në destinacion. Të ndjekësh ëndrrën tënde do të thotë të shkosh në destinacion. Dhe duket që unë sapo kam arritur atje.

Besoj se ndjenja më e fuqishme që të shtyn të shkruash është ndjenja e DHIMBJES shpirtërore. Historikisht poezitë e para që janë shkruar janë poezi vajtimi- për humbjen e njerëzve më të dashur, pikërisht që nga dhimbja lind nxitja për të shkruar, për tu ngritur për ta mundur atë. Kam shkruar “Elegji për Dhimbjen”. Vëllimi poetik “Graviteti i Shpirtit” hapet me poezinë “Kam Mall” , Mjellmë bëmë të fluturoj, përmbi breg të Adriatikut/ lotin e kripur ta lëshoj/mbi parvazin e braktisur…e cila është frymëzuar pikërisht nga malli për atë që kam lënë pas krahëve, familjen, atdheun, Durrësin tim të dashur, detin me të cilin jam e lidhur ngushtë, nga ndjenja e dhimbjes që rrjedh prej dashurisë për diçka apo dikë që na mungon. Por poezia është edhe këngë gëzimi dhe admirimi për të bukurën, për shprehjen e ndjenjave delikate. E tërë bota është e mbushur me poezi. Natyra në këtë muaj Tetori është vetë poezia në magjinë e saj, me gjethet që ngjyrosen dhe përflaken  në shtegtimin e tyre të fundit.  Në eksperiencat e shumëllojshme jetësore, unë kam vlerësuar dhe i jam mirënjohëse mundësive që më janë dhënë për të mësuar dhe për tu rritur si njeri dhe si poete. Do përmënd miket e mia amerikane, Eileen Erikson, poete, dhe Ethel Lee Miller, shkrimtare, që më kanë nxitur për të shkruar, për të mësuar e për tu zhvilluar në artin e të shkruarit. Mua më është dashur vetëm ti ndjek dhe të provoj veten. Prej vitesh aderoj rregullisht në grupin e shkrimtarëve të Montclair NJ, të cilët përbëjnë një thesar në ndihmë të rrugëtimit tim krijues.

Si poete dhe spiritualiste, kam gjetur paqen, qetësinë dhe frymëzimin përmes meditimit, ndërsa me veprat e poetëve të famshëm Whitman, Shakespeare, Edgar Ellen Poe, Emily Dickinson, Maya Angelou, Migjenit dhe Fishtës, dhe mësuesve shpirtërorë dhe filozofë të mirënjohur botërorë si Wayne Dyer, Mark Nepo, Lao Tzu, Martha Nausbaum, kam zbuluar ushqimin aq të pasur për mëndjen dhe shpirtin. Veprat e tyre më kanë frymëzuar për të hedhur në letër mendimet dhe refleksionet e mia mbi kompleksitetin e dimensioneve njerëzore dhe jetësore. Si emigrante, jo pak herë ndjehemi vetëm, dhe unë e kam përdorur vetminë time për të shkruar, e për tu pasuruar shpirtërisht. Kisha nevojë për vetminë time, ajo më ktheu tek vetvetja dhe për rrjedhojë më realizoi atë ëndërr që e kisha kyçur brënda shpirtit. 

Çfarë përfaqëson për mua ky vëllim poetik?

Vëllimi poetik “Graviteti i Shpirtit” është një shprehje e vetevetes në mënyre artistike, pra është një zë poetik autentik. Përmes poezive unë jo vetëm kam zbuluar veten time në thellësi, kam hequr atë mantelin tokësor, dhe kam sjellë tek ju profilin tim shpirtëror, por për më shumë kam përcjellë zërin tim tek lexuesi. Për rrjedhojë duke i transmetuar emocion lexuesit mes vargjeve të shprehura me një gjuhë të përzgjedhur, mundohem ta bëj atë për vete që ajo që shpreh ti depërtojë në shpirt, dhe të zgjojë tek ai atë ndjenjë rrënqethëse, që e bën të përlotet apo të gufojë nga kënaqësia, duke ndjerë se është vërtet pjesë e asaj eksperience, njësoj sikur të zgjohej nga një ëndërr e ëmbël apo dëshpëruese.  Ky vëllim autobiografik, për larminë e tematikave që trajton është ndërtuar në 13 pjesë. i përngjan “një guri të çmuar me shumë prerje” ku secila prerje është një pjesë e jetës që kam përjetuar; janë pikërisht ato ndjenja, mendime, shqetësime, refleksione trille, fantazi, vegime, për njerëzit më të dashur dhe për botën me problematikat e saj; janë malli dhe dashuria, jeta dhe vdekja, gëzimet dhe hidhërimet, frika dhe pasiguria, pakënaqësia dhe revolta, që vijnë në këtë vëllim të gjitha sëbashku dhe shprehin emocionalisht pëlhurën e jetës të endur në kohë dhe hapësirë, në rritje dhe ndryshim. Në një farë mënyre prerjet e këtij guri të cmuar janë ato që më japin trajtën e të qënit njeri.  Poezia për koncizitetin në mendime është e vështirë të kuptohet. Të lexosh poezi do të thotë ti vesh frenat vetes, të mos bësh asgjë tjetër. Të lexosh poezinë është një akt koshient. Prozën mund ta lexosh shpejt, por poezia nuk ta lejon këtë lluks. Ajo të thotë ”Lluksi jam unë.” Ajo të kërkon të ndalesh, të fokusohesh, jo vetëm në varg, por edhe në fjalë. Në poezi çdo fjalë ka vlerë, ka peshë emocionale dhe peshë mendimi. Ndaj, do t’ju lutesha që kur të lexoni këtë vëllim poetik, të mos mundoheni të gjeni shpjegim në çdo mendim, sepse Poezia është më shumë një pjesëz shpirti. Poezia është art bohemian, elitar, është shprehja më sipërore e ndjenjave shpirtërore, “është pasioni dhe e vërteta, është ajka e shijimeve” (I.L.) që ndihmon në transformimin e shpirtit, për ta ndricuar atë e për të krijuar një botë më të bukur. Përse ky titull “Graviteti i Shpirtit”? A është titulli një alegori apo shpirti vërtet ka gravitet?  Ne jetojmë në një botë plot mistere, vetë ne, shpirti ynë, mëndja jonë, jemi një mister që pret të zbulohet po prej nesh. Shpirti është energji.Çdonjëri prej nesh ka një gravitet të brëndshëm, të ndërthurur me gravitetin hapësinor. Nëse ne nuk do tërhiqeshim nga forca e gravitetit do të ishim duke fluturuar tani.Për të shpjeguar titullin unë do ti referohem disa mendimtareve të ndritur të dijes njerëzore, mësuesit shpirtëror Gary Zukav, psikoanalistit Carl G. Jung,  Hymnit Gnostik mbi shpirtin, dhe filozofit, poetit dhe shkrimtarit shqiptar, profesorit Isuf Luzaj.

Çfarë është “Shpirti” sipas Gary Zukav?  Shpirti është esenca jonë më e fuqishme dhe e qëllimshme, është epiqendra e gjithshkaje që një njeri përfaqëson. Kur personaliteti bëhet njësh me shpirtin atëherë punojnë për të realizuar atë thirrje të brëndshme që gjithsecili prej nesh ndjen brënda vetes. Me këtë vëllim poetik personaliteti im është përputhur me shpirtin për të realizuar ëndrrën time për të qënë një libër.

Çfarë është “Shpirti” sipas Carl G. Jung? 

“Shpirti” thotë Carl Jung “është intelekti tokësor, është psiqika, është pavetëdija kolektive, është vetëdija dhe gjysëmvetëdija”, pra Carl Jung e zbret shpirtin në tokë. Carl. G. Jung i referohet Heraklitit, “Filozofit që Qan”, cili shprehet se shpirti nuk është gjithmonë lart. Kur ne shpërbëhemi, ai zbret poshtë dhe rëndohet, duke qënë i rëndë ai shndrrohet në ujë. Uji është simbol i psiqikës, i shpirtit, kështu që rruga drejt shpirtit të çon te uji, tek kjo pasqyrë e ujit ku secili njeri do të shikojë refleksionin e fytyrës së tij. Rrjedhimisht, njeriu duhet të ndjekë rrjedhjen e ujit, të zbresë poshtë në thellësi të tij për të kërkuar thesaret e tij e për ti ngritur ato më pastaj lart. 

Cila është Historia e Hymnit Gnostik mbi “Shpirtin”?  “Një djalë u dërgua me mision nga prindët e tij të kërkonte një perlë që kishte rënë nga kurora e mbretit në fundin e një pusi të thellë, që e ruante një dragua, në tokën e Egjyptianëve. Djali vendosi të shkojë të gjejë perlën, por zhytet në uje ne thellësi të pusit derisa në fund të tij gjen perlën dhe ia fal atë hyjnive.”

Çfarë shkruan profesor Isuf Luzaj mbi shpirtin e poetit?

“Kur poeti i mbarsur nga emocioni, nga bukuria, nga dashuria, po njëlloj nga dhëmbja, vetmia, tragjedia, deziluzioni e të tjera ndjenja, vihet të shkruajë një poemë, qoftë ai poet mistik si Dante, i apasionuar si Lamartini, ose materialist si Omar Khajami, i dëshpëruar si Jorge Luis Borges, realist si Robert Frost apo Witmani, cilido nga këto yje të shpirtit fisnik, kur filloi të shkruajë vargun e parë sigurisht që tha “Nëm mundësinë të ngjitem në eksperiencën fetare më të lartë, në një bashkim mistik me Unin tim,” Si konditë e këtij bashkimi, shpirti duhet të kalojë nëpërmjet një periudhe të errësirës dhe dhembjeje për të arritur të krasisë ferrat dhe drizat e qenies lëndore, për tu ngjitur në sferat qiellore.” (Isuf Luzaj).  Ka një paralelizëm midis Gary Zukav, Carl Jung, Hymnit Gnostik, dhe profesorit Isuf Luzaj, ka një lidhje logjike të brëndshme ku të gjitha këto interpretime pohojnë se shpirti ka gravitet dhe na çojnë në përfundimin se që të jemi të sukseshëm dhe të arrijmë të realizojmë atë thirrje të brëndshme duhet që ne si personalitete të punojmë në përputhje me shpirtin, të kërkojmë në vetëdijen kolektive, në koshiencën dhe subkoshiencën personale, në psiqikën tonë dhe të ambjentit që na rrethon, të futemi thellë në pus për të nxjerrë perlat që janë në fund të tij. Këtu qëndron edhe thelbi i titullit të vëllimit “Graviteti i Shpirtit”. Pikërisht kjo ka ndodhur me mua, kam kërkuar thellë në pusin e shpirtit tim për të nxjerrë këto perla që t’jua bëj dhuratë juve sot për ti shijuar. Ndaj shkruaj “Graviteti i shpirtit është ajo bërthama, brënda çdo qënieje njerëzore apo forca e rëndesës së shpirtit, ku të gjitha fijëzat e jetës ndërthuren me njëra tjetrën dhe gjejnë vetveten. Ndjeje gravitetin e shpirtit tënd sepse ai të zbut dhe të mban të njësijshëm.”“Graviteti I Shpirtit” përbën gurin e themelit të rrugëtimit tim letrar. Të shkruarit tashmë është një pjesë e pandarë e jetës time. Kam në dorë vëllimin e dytë me poezi në anglisht dhe një vëllim tjetër me poezi në shqip. Në këtë ditë të përkryer Tetori, e rrethuar nga familja, nga ju miq e dashamirës, në këtë promovim, hedh sytë në të shkuarën dhe të sotmen, dhe shoh që jam në mes të kaq shumë gjërave të bukura, që nuk i kam provuar ndonjëherë të gjitha bashkë në të njëjtën kohë, ndaj edhe i jam mirenjohëse jetës për gjithcka që më ka dhuruar. Unë besoj se ka një rregullator, ka një energji të fuqishme universale e pandarë nga energjia jonë personale, e cila akordon sinfoninë e jetës së gjithesecilit. Pikërisht ky besim më vë në paqe të plotë shpirtërore dhe më bën të pranoj se jeta është perfekte me gjithë kompleksitetin e saj diversiv, se gjithcka që më ka ndodhur dhe më ndodh në jetë ka qenë e destinuar për mua. Me realizimin e këtij vëllimi poetik unë ndjehem e kompletuar, e përmbushur, e shëndetshme, dhe e dobishme. 

Autoren Mitre e përshëndeti me një urim special dhe plot dashuri e mirësi e bija e saj Mariela Mitre.

Përshëndetën gjithashtu në këtë mbasdite poetike znj.Elida Priftanji Collaku, e cila lexoi edhe kritën letrare të shkrimtarit të mirënjohur Robert Martiko.

Shumë prej pjesëmarrësve si bashkeshorti i autores Thomas Mitre, Zhani Joanidhi, Dhimtraq Papando, Lule Istrefi, Adelina Llupa, Raimonda Hysolli, Denisa Nuzi, Anne Cakoni dhe Kristina Haxhia e uruan autoren duke thënë fjalë miradie sidomos ata që e njihnin që nga shkolla e mesme e gjuhëve të huaja.  Disa prej tyre lexuan poezi të ndryshme nga libri i autores ku te ngeleshin ne mendje vargjet nga poezia “Merrma shpirtin” si: Merrma gjakun, bëma zjarr, të përfshijë prag e derë/ Nga gjumi të zgjojë të vdekurit që të ngrihen dhe një here/ Merrma lotin, plagët laju, kalorësve të Skëndërbeut/ Ku janë fshehur, ku janë tretur sot trimat e mëmëdheut/ Merrma kockën bëma gur në vënd të tij të rëndojë/ Gur e kockë ta ngrejë kështjellën/ mënçuri të pagëzojë/ Merrmi flokët bëji udhë, të lehta t’i ketë këmba/ Shtegun e tij mban shtegtari, po të jetë e drejtë bota/ Merrma dorën bëma hartë, që të mbaj pesë kontinente/ Gishtërinjtë ura bëmi, të lidh ndarjet e kësaj bote!

Autorja Mitre kishte dy gëzime në një ditë, ditëlindjen e saj dhe promovimin e librit që ia uruam miqësisht në këtë ditëkrejtësisht të veçantë për autoren. 

E shtuna e librit na tërhoqi këndshëm me poezitë e dhuruara nga autorja Mitre, sepse është një libër si vetë titullin që ka “Graviteti i shpirtit” që ashtu si graviteti që është forca me të cilën një planet ose një trup tjetër tërheq objekte drejt qendrës së tij, ashtu dhe libri “Graviteti i shpirtit” i mbajti të gjithë pjesëmarrësit në orbitë rreth diellit metaforik.

12 tetor, 2019- New Jersey

*Per me shume fotografi shih ne Facebook(dielli vatra)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Kozeta Zylo- Ermira Mitre-Promovim ne NJ

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT