• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2019

Kalendar Historik-Shënim i 2 Tetorit 1999

October 2, 2019 by dgreca

Para 20 vitesh, Tetor 1999: Zyra që më dha Qeveria e Kosovës dhe reagimi nga Rusia/

-Korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI Behlul Jashari: Shënim i 2 Tetorit 2019, derisa për librin “Kosova, lufta në lajme” po mbledh raportimet që kam bërë gjatë viteve …/

PRISHTINË, 2 Tetor 2019/ Para 20 vitesh, në vitin historik të lirisë së Kosovës 1999, në 1 Tetor, Qeveria e Përkohëshme e Kosovës, me kryeministër Hashim Thaçin, më dha zyrë në Prishtinë me kërkesën që bëra si korrespondent  i Agjencisë Telegrafike Shqitare (ATSH) – Agjencisë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, edhe si shprehje vlerësimi e mirënjohje për raportimet nga Kosova në vitet e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi.

“Në bazë të kërkesës së korrespondentit të ATSH-së, zotit Behlul Jashari, të datës 1.10.1999 lëshojmë këtë:

LEJE PUNE

I lejohet kësaj agjensie puna në territorin e Kosovës, si dhe vendosja e personelit të saj zyrtarisht në kryeqendrën e Kosovës”, theksohej në dokumentin e lejes së punës dhe dhënies së Zyrës në aneksin e Pallatit Rilindja në Prishtinë, në një ambient ku para luftës ishte e vendosur një bankë. I nënshkruar nga ministri i Ministrisë së Informimit Publik në Qeverinë e Përkohëshme të Kosovës, Bajram Kosumi, dokumenti mu dha pa asnjë pritje në të njëjtën ditë kur bëra kërkesën.

Për ATSH-në raportoja korrespondent nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në Kosovë, e me marrjen e botimin e informacioneve të saj nisëm e themeluam bashkëpunimet e para të medias Kosovë-Shqipëri që nga numri i parë i gazetës së rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, e që nisi të dalë në Prishtinë nga 18 Janari i vitit 1991 dhe sfidonte ndalimin e dhunshëm të gazetës tradicionale të vetme në Kosovë në gjuhën shqipe Rilindja nga regjimi okupues i Serbisë.

Në kohën e luftës në Kosovë, drejtori i përgjithshm i Agjencisë Kombetare-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërise ATSH, Frrok Çupi,  në intervistë për Gazetën Flaka të Shkupit të datës 4-5 Korrik 1998-ditë e shtunë dhe e diel, lidhur me informimin e korrespondentin nga Kosova me vlerësimet më të larta deklaronte mes tjerash:

“Që në momentin kur filluan ngjarjet më dramatike në Kosovë ATSH-ja ka ngritur një redaksi me katër ose pesë veta në Veri, në Tropojë, të cilët informojnë çdo ditë me një buletin të veçantë.

Ndërkohë ne kemi korrespondentin tonë të instaluar në Prishtinë, i cili edhe në sytë e gazetarëve botërorë është shfaqur si një gazetar i saktë dhe me tërë parametrat e gazetarisë.

Kjo është njëra punë që bëjmë për të informuar opinionin. E dyta është se, kemi arritur të kthehemi në një qendër të shtypit botëror që vjen nga bota në Shqipëri. Pjesa më e madhe e gazetarëve të botës, miqësisht ose profesionalisht kalojnë nëpërmjet nesh. U ndihmojmë që edhe bota nëpërmjet burimeve të veta të mësojë se çka po ndodhë në Kosovë.”

Pikërisht para 20 viteve, në 2 Tetor 1999, ATSH dha lajmin për hapjen e Zyrës në Kosovë, të cilin sot e gjejë në anglisht:

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1999/99-10-02.ata.html#04

[04] ATA to open office in Prishtine soon

-Minister Kosumi allows its opening-

TIRANE, Oct 2 (ATA)-The Albanian Telegraphic Agency (ATA) will soon open its office in Prishtine.

The Minister of Information in the Kosova Interim Government, Bajram Kosumi, has approved the request of ATA correspondent in Prishtine, Behlul Jashari, to open an office of this agency in Kosova.

“This agency is allowed to work in the territory of Kosova as well as to officially establish its personnel in the centre of Kosova,” the permission issued by Minister Kosumi says.

The ATA office in Prishtine will temporarily be located in the premises of the former-Diamant Bank, near the Press Palace in Prishtine. It will be further provided with cameramen, operators and others.

The Albanian Telegraphic Agency is the first media of Albania installed in Kosova. /a.ke/lm/

D’Arc Avenue 23, Tirana, Albania E-Mail:

Albanian Telegraphic Agency

E pas më pak se dy javëve, në 15 Tetor 1999, ishte një reagim nga Rusia.

“Vendimin per hapjen ne Prishtine te perfaqesise se ATSH-s eshte veshtire te vleresosh. ndryshe, vecse si nje aksion tjeter i drejtuar per shkeputjen e Kosoves nga Serbia dhe Jugosllavia”, thuhej në fillim të shkrimit të gjatë të “The Voice of Russia”.

Në fund shënohej një si titull tjetër dhe autori: “Lojë me zjarrin (Nga Pioter Iskenderov)”.

Përmbajtja e plotë e reagimit në dokumentin bashkangjitur si fotokopje.

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari- 2 Tetor 1999

2020- 100 VJET NGA KONGRESI I LUSHNJES DHE LUFTA E VLORES

October 2, 2019 by dgreca

                          Nga Vilson Haxhiraj  /

Viti 2020,që po afron, shënon përvjetorin e 100 të Kongresit të Lushnjës, të Luftës së Vlorës dhe të pranimit të Shqipërisë, në organizatën ndërkombëtare, të Lidhjes së Kombeve.Në Lushnje dhe në Vlorë, pushteti vendor ka deklaruar publikisht ambicjen, për të kërkuar nga qeveria, dekretimin  “Festë Zyrtare” të 21 Janarit , përvjetorit të Kongresit të Lushnjes  dhe 3 Shtatorit, përvjetorit të Luftës së Vlorës. Për here të parë pas 29 vitesh, kërkohet  rivlerësim  për ngjarjet historike, dëshmi e  një hopi cilësor, në mendësinë e shoqërisë shqiptare. Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës ,lindën si alarm kombëtar ndaj rrezikut të coptimit të Shqiperisë, ne Konferencën e Paqes në Paris, sipas vendimeve të Traktatit të fshehtë të Londrës, të vitit 1915. Vendi ishte pranë ç’bërjes si realitet politik. Fitimtarët e mëdhenj të Luftës, ishin kundër tij. Të vegjël, të varfër dhe të vetëm,kundër të gjithë botës! Kjo ishte sfida që duhej përballuar  nga shqiptarët, për të siguruar egzistencën e shtetit të tyre!.Është e famshme shprehja e Marksit,”Komunarët e Parisit sulmuan qiellin”,si tregues dhe vlerësim i një akti heroik ekstrem. Por shqiptarët e kaluan këtë cak .Pas fitores të Luftës së Vlorës ,që pati shumë jehonë në botë, gazeta “ DIELLI” do të shkruante: “Kongresistët e Lushnjes dhe luftëtarët e Vlorës, sulmuan vetë Zotin dhe fituan.” Me nota të larta ishte vlerësimi edhe nga shtypi ndërkombëtar. Në analizën e situatës ndërkombëtare të vitit 1920, sukseset befasuese të shtetit të ri shqiptar, do të konsideroheshin, “e pabesueshmja”, “çudia shqiptare” dhe “ mrekullia shqiptare”. Kontributi i Kongresit të Lushnjes në dobi të atdheut, është  i  gjithëpranuar.Ai dhe strukturat shtetërore të dala prej tij, vazhduan dhe mbyllën  me sukses,  punën e nisur  nga Kuvendi i Vlorës dhe qeveria e Ismail Qemalit, krijuan shtetin shqiptar, brenda kufijve të caktuar nga Konferenca e Ambasadorëve ne Londër ,ne vitin 1913 dhe arritën  njohjen ndërkombëtare.Të gjitha këto , në harkun kohor të 22 muajve. Në 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve, duke shënuar një preçedent unik, si i vetmi vend,që pranohej në këtë organizëm, pa u njohur më pare ndërkombëtarisht, qoftë dhe nga një  shtet tjetër. Ishte fitorja e Luftës së Vlorës dhe nota  e qeverisë amerikane, e 6 Marsit, drejtuar Konferencës së Paqes, faktorët madhorë, që mundësuan këtë sukses! Ky pranim, i hapi  vendit rrugën e njohjes ndërkombëtare. Më 9 Nëntor 1921, qeveria britanike,  njoftonte k/ministrin Pandeli Evangjeli, se  “nga ky cast, njeh qeverinë aktuale të Shqipërisë, de jure dhe de facto, qeveri e të gjithë Shqiperisë.” Dy ditë më pas ,erdhi njohja nga qeveria franceze dhe italiane .Në fushën e organizimit shtetëror, Kongresi i Lushnjes i dha vendit, të parin Akt Kushtetues, hartuar nga shqiptarët, modelin bashkëkohor të kontrollit dhe balancës së pushteteve, të parat zgjedhje parlamentare  pluraliste dhe nje plejadë  deputetësh me shumë klas, që dhe sot, mbeten etalon i figurës së  parlamentarit, atdhetar dhe intelektual.  Por Kongresi  i Lushnjes, ishte një ndër fakorët e mëdhenj të fitores, ai i aksionit të madh politik, dipllomatik dhe  administrativ. Faktori i dytë  vendimtar ,ishte Lufta e Vlorës, që përfaqëson aksionin e madh luftarak të shqiptarëve. Fitorja e saj, mundësoi bashkimin e krahinave të Vlorës, Tepelenës dhe Himarës, me pjesën tjeter të vendit, duke e bërë suksesin të plotë. Lufta e Vlorës dhe Kongresi i Lushnjes,  përfaqësojnë  një  unitet  organik, të pandarë. Pa mbështetjen e gjithanëshme të qeverisë së Kongresit, fitorja e Luftës së Vlorës, nuk do të ishte e sigurt. Pa Luftën e Vlorës,  arritjet e Kongresit do të ishin jo të  plota,të brishta dhe të cënueshme. Si çdo ngjarje e madhe, Lufta e Vlorës dhe Kongresi i Lushnjes, kanë patur vëmendjen e studjuesve, që vazhdon edhe sot. Por vulën e madhështisë, mbështetur në kritere shkencore, këtyre dy ngjarjeve ia dhanë studimet e Akademikëve të shquar, Profesorët Aleks Buda ,Kristo Frashëri, Muin Çami ,Marenglen Verli, Arben Puto. Ky i fundit  konsideron, “si  Kongresi i Lushnjes , ashtu dhe Lufta e Vlorës, për nga rëndësia, jane të barabartë, me Aktin e Shpalljes së Pavarësise, në nëntor 1912”.

Mitat Frashëri ka shkruar: ” Vlerësimi i ngjarjeve të mëdha dhe heronjve të tyre, nuk është vetëm cilësi që ushqen virtytin, por edhe  detyrim madhor i shoqërisë dhe i  shtetit ndaj tyre”.Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës , kanë qenë Festa Kombëtare, deri në vitin 1939. Me vendosjen e sistemit komunist, ato nuk u rivlerësuan më si të tilla. Shteti komunist, nisur nga kritere klasore ,vrau dhe persekutoj jo pak  prej drejtuesve të këtyre ngjarjeve. Të tjerët i dënoj, me harresë të qëllimshme. Figura kryesore e Luftes së Vlorës, u bë Selam  Musaj, komandant çete dhe luftëtar i shquar, por larg parametrave dhe kontributeve të anëtarve të Komitetit Mbrojtja Kombëtare dhe komandantëve ushtarakë të Luftës.Ky veprim ,përbën rast tipik të deformimit të historisë, që nuk do të ishte i vetmi. Por “t’i japim Çezarit atë që është e Çezarit ”.Regjimi i shkuar, në funksion të qëllimeve të tij, i vlerësoj me respekt dhe  nderim,  ngjarjet e mëdha  historike ,mes tyre  Kongresin e Lushnjes dhe Luftën e Vlorës. Ato festoheshin çdo 10 vjet nga qeveria, me madhështinë  që  i takon ngjarjeve të mëdha dhe për çdo vit, nga pushteti vendor. Është fakt, që gadi  i gjithë fondi i monumenteve dhe memorialeve të ngjarjeve të mëdha historike, eshtë krijuar në ato vite. 30 vite më pas, kemi një tabllo të kundërt: Rivlerësim të merituar, të pesonaliteteve të Kongresit të Lushnjes dhe Luftës së Vlorës, shoqëruar paradoksalisht, me harresën ekstreme të  vetë ngjarjeve. Është koha për krijimin e kuadrit ligjor, që përcakton mënyrën e festimit të ngjarjeve historike, me dinjitetin e duhur ,që shmang, voluntarizmin, indiferencën, nënvlerësimin dhe harresën. Ky veprim nuk duhet konsideruar gjest kortezie ,por  detyrim madhor ndaj tyre,  sepse  ngjarjet e mësdha historike,kanë formuar identitetin tone kombëtar,janë element thelbësor i krenarisë kombëtare dhe referenca më e mire,për edukimin atdhetar të shtetasve. Jemi në prag të një çasti madhor, të papërsëritshëm! Ështe 100 vjetori, i kurorëzimit të Kongresit të Lushnjes  dhe  Luftës së Vlorës ,me një fitore historike ,vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë dhe të rracës shqiptare! Pa Kongresin e Lushnjes dhe Luftën e Vlorës, do  ishim  kthyer në kurdët e Eurpës, pa atdhe ,pa shtet, pakica nacionale të shteteve fqinjë, nën trysni të egër shtetërore, për asimilim dhe ç’kombëtarizim.Të kujtojmë genocidin serb, mbi popullsinë shqiptare të Kosovës dhe Malit të Zi, vrasjet dhe persekutimin e dhjetra mijëra njerëzve, deportimin e dhunshëm në Turqi, të qindra mijëra të tjerëve. Ky fat, do të ndiqte edhe popullsinë shqiptare të Çamërisë, në Greqi. Pas nënshkrimit të marrëveshjes turko greke te Lozanës, për këmbimin e popullsive, në vitin 1923, dhjetra mijëra çame u konsideruan arbitrarisht turq dhe u deportuan forcërisht në Turqi, ndërsa pronat e tyre, ju dhanë homogjenëve greke, qe vinin nga Turqia. Edhe më i rrezikshëm ishte projekti Italian, për vendosjen në Shqipëri të disa milionë kolonëve. Zbatimi i tij ,do të ishte ç’kombëtarizim i popullsisë se pakët shqiptare. Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës, e shpëtuan Shqipërinë nga kjo katastrofë kombëtare. Falë tyre, kemi atdheun dhe shtetin tone, kemi  identitetin e të qenit shqiptarë.

 Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës, mbyllën me sukses dhe përfundimisht, kapitullin dramatik të shtetformimit dhe hapën kapitullin e ri,  të  ndërtimit të shtetit modern shqiptar. Ato, janë ngjarja  më e madhe dhe më e  rëndësishme  e këtyre 100 viteve!

 Jubiletë e ngjarjeve të medha, japin mundësi për reflektim, për ndreqjen e gabimeve përmes rivlerësimit. Vendimmarrësit shtetërorë, që e kanë këtë tagër, duhet të konsiderojnë seriozisht dekretimin “Festë Zyrtare”, të 21 Janarit dhe 3 Shtatorit .Nga shoqërisë civile ,që ka meritën e madhe të rivlerësimit të individëve të shquar, të lënë në harresë, pritet kontribut i vecantë, për  arritjen e këtij objektivi, ç’ka do të përbënte  sukses kombëtar.

Filed Under: Histori Tagged With: 100 vjet-Kongresi i Lushnjes-Lufta e Vlores-Vilson haxhiraj

NJË MBËSHTETJE HISTORIKE NDËRKOMBËTARE NDAJ LIRISË SË FJALËS

October 2, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Organizata  ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve dhe të lirisë së fjalë, “Reporterët Pa Kufij”, me qëndër në Paris, njofton se, si rezultat i përpjekjeve të saja për të promovuar parimet demokratike dhe lirinë e fjalës në hapësirën e gazetarisë,“online”—20-vende të botës nënshkruan javën që kaloi një marrveshje mbi lirinë e “Informacionit dhe Demokracinë”, në Nju Jork.

Organizata “Reporterët pa Kufij” kishte siguruar vëmendjen, në mbështetje të lirisë së shtypit dhe fjalës së lirë, të udhëheqsëve të vendeve të industrializuara, G-7 që u mbajt kohët e fundit në Francë.  Pasi kishte marrë mbështjetje për këtë nismë nga udhëheqsit më të lartë botërorë të vendeve të industrializuara G-7, “Reportetër pa Kufij”, kishte vendosur që shqetësimet e veta, mbi gjëndjen e keqe të lirisë së fjalës dhe të medias në botë, në përgjithësi, ta paraqisnin edhe në një nivel më të lartë ndërkombëtar, siç është takimi vjetor i Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, i cili posa përfundoi punimet e tija në Nju Jork.

Nja dy javë më parë, përfaqsuesit më të lartë të vendeve anëtare më të industrializuara të botës, e njohur si organizata G-7, janë takuar në mbledhjen e tyre vjetore në Francë për të biseduar mbi një numër çështjesh botërore, përfshirë diskutimin e udhëheqësve të këtyre vendeve, mbi nismën e quajtur “Partneriteti për Informacionin dhe Demokracinë”, paraqitur nga “Reporterët pa Kufij”.  Pas përkrahjes së Presidentit të Francës, Emmanuel Macron të kësaj iniciative, grupi G-7 mbështeti këtë nismë duke thënë se,“Liria e të shprehurit dhe liria e shtypit, që janë gur-themeli i demokracive tona — përparimin e të cilës e kishim konsideruar si të pakëthyeshëm dhe të paprekshëm — në të vërtetë, është pikërisht, kjo vlerë demokratike – që po vihet gjithnjë në dyshim dhe po kërcënohet prapë.”

Pasi siguroi mbështetjen për këtë nismë nga grupi G-7 në Paris para dy javësh, organizata “Reporterët Pa Kufij” vendosi që shteqësimet e tyre ndaj keqësimit të lirisë së medias dhe të drejtës së lirisë së fjalës në nivel botëror, t’i paraqisnin në një nivel edhe më të lartë ndërkombëtar, siç ishte takimi vjetor i Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), pasi kështu e meritonte serioziteti i gjëndjes në të cilën ata e shohin përkeqësimin e lirisë së fjalës anë e mbanë botës.

Si përfundim, organizata për mbrojtjen e gazetarëve dhe në mbështetje të fjalës së lirë, “Reporterët Pa Kufij”, njofton në një informacion për median, se fillimisht, për idenë e saj siguroi nënshkrimin e “Partneritetit Ndërkombëtar mbi Informacionin dhe Demokracinë” nga 20-vende të botës, të mbledhura këto ditë në Asamblenë e Përgjithëshme të OKB-së në Nju Jork.   Kjo organizatë gazetarësh e cilëson si “historike” marrveshjen ndër-qeveritare në mbështetje të promovimit të parimeve demokratike në arenën publike “online”, një nismë kjo e filluar nga “Reporterët Pa Kufij”.

Nisma e propozuar nga “Reporterët Pa Kufij” dhe e nenshkruar nga 20-vende të botës hapë tani rrugën për zbatimin e garancive demokratike në hapësirën e informacionit dhe të gazetarisë “online”.  Njoftohet se, sipas marrveshjes, “Partneriteti Ndërkombëtar mbi Informacionin dhe Demokracinë” — i nenshkruar këto ditë në Nju Jork nga 20-vende të ndryshme –ato janë angazhuar se do të promovojnë përdorimin e lajmeve dhe informacionit të lirë, të besueshëm, të gjithanshëm dhe të pavarur “online”.   Thuhet se marrëveshja në fjalë vendosë disa parime demokratike, përfshirë parimet e neutralitetit politik, ideologjik dhe fetar si dhe siguron transparencën për mënyrën se si funksionojnë burimet e lajmeve dhe të informacionit “online”.  Sipas marrveshjes në fjalë, furnizuesit e lajmeve kanë përsipër përgjegjësinë që të furnizojnë publikun me lajme dhe informacion të besueshëm, të një natyre pluraliste, ashtuqë të mënjanohet “kaosi informativ” që ekziston tani.

Në njoftimin për media të organizatës “Reporterët Pa Kufij”, thuhet gjithashtu se në apelin drejtuar më shumë se 50-ministrave të jashtëm dhe 20-përfaqsuesve të delegacioneve të tjera në Nju Jork e që morën pjesë në themelimin e asja që quhet “Alliance for Multilaterism”, pranë Kombeve të Bashkuara, Sekretari i Përgjithëshëm i organizatës “Reporterët Pa Kufij”, Z. Christophe Deloire – u ka thënë atyre se, “Nëqoftse vendet demokratike nuk vendosin rregullat, në këtë ndërkohë, janë interesat private dhe diktatorët, ata që do të vendosin për ne.  Janë këta – dhe jo parlamentet, ata që deri më tani – kanë vendosur rregullat për hapësirën e informacionit dhe të komunikimit “online”.  Kjo është arsyeja”, ka përfunduar ai, se pse “Kemi nevojë të vendosim një sistem të ri garancishë demokratike, në përputhje me kohën digjitale”, për përdorimin e përgjegjëshëm të hapësirës së shpërndarjes së informacionit dhe komunikimit “online”, në përputhje me parimet demokratike dhe të lirisë së fjalës.

Pritet që nga gjysma e nëntorit të mblidhet në Paris enti i ri “Forumi për Informacionin dhe Demokracinë”,i cili do të inaugurohet nga një koalicion organizatash të pavarura – detyra e të cilit do të jetë që të propozojë parimet mbi të cilat mund të bazohen rregullat dhe mënyrat e rekomanduara të funksionimit të shpërndarjes së lajmeve “online”, në përputhje me parimet e fjalës së lirë dhe të demokracisë, përfundon njoftimi i organizatës “Reporterët Pa Kufij”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli-Mbeshtetje historike- reporteret Pa Kufij

Koha për ndryshime:“ Na u lodh shpirti nga politikanët e këqinj”

October 2, 2019 by dgreca

Zgjedhjet e 6 Tetorit në Kosovë: Kend Nuk Duhet Votuar!/

Shkruan: MRSC. Agim Aliçkaj/
Anëtarë i Bordit Ekzektutiv të LQSHA dhe Këshillit të Vatrës./

Nga takimet dhe bisedat me te afërt, shokë dhe miq të shumtë nga të gjitha nivelet dhe spektri politik, krijohet përshtypja se kësaj radhe, populli i Kosovës është i gatshëm për ndryshime. Siç u shpreh njëri nga ata : “ Na u lodh shpirti nga politikanët e këqinj”.
Situata ekonomike dhe politike është padyshim e vështirë dhe shumë komplekse. Vota e 6 Tetorit është votë e shpresës. Një pjesë e madhe e votuesve veç janë të përcaktuar për partinë e vet. Ekziston shpresa dhe mundësia se ndryshimet do ti bën pjesa e papërcaktuar, deri tash vonë indiferente, me kusht që të del në votime.
Por, votuesit e pavarur në Kosovë dhe diasporë , nuk e kanë të lehtë të vendosin për kend duhet votuar. Procesi i eliminimit negativ në këtë rast mund të ndihmojë deri diku. Nuk duhet votuar kurrsesi ata kandidatë që:
1.Nukë e mbrojnë hapur dhe me forcë integritetin teritorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Është e domosdoshme që kandidati të deklarohet haptas se është kundër ndarjes, coptmit dhe shkëmbimit territorial me Serbinë. Shkëmbimi i territorit nënkupton shkatërrimin e shtetit të Kosovës.
2.Nukë deklarohen kundër bisedimeve pakushte me Serbinë për çështje te brendshme të Kosovës. Serbia është agresore që shkaktoi dhe humbi me turp luftën në Kosovë. Nuk bën të lejohet që edhe mëtutje të sillet si viktimë, duhet insistuar që të kërkojë falje, t’ju ktheje familjeve njerëzit e humbur dhe të paguaj dëmet e luftës. Pavarësia e Kosovës është punë që ka përfunduar para 11 viteve dhe për te ska çka të bisedohet. Pra, bisedimet nuk kanë kurrfarë kuptimi pa njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia, të gjitha shtetet e Europës dhe Kombet e Bashkuara. Mbi të gjitha, nuk bën të bisedohet për të drejtat e minoritetit serb në Kosovë pa biseduar në të njëjtën kohë për të drejtat e popullit shqiptar në Serbi.
3.Tregojnë servilitet dhe dëgjueshmëri ndaj faktorit ndërkombëtarë për çështjet që janë në kundërshtim me interesat kombëtare. Të tillët nuk e kuptojnë se përkrahja eventuale për ta është e përkohshme ndërsa respekti për ta është hiq fare. Ata edhe janë shkaktarë të mbajtjes së një status quo’je të dëmshme për të gjithë dhe prolongimit të zgjidhjes së drejtë të konfliktit shqiptaro-serb. Është fare e qartë se kombi shqiptarë është dhe duhet të jetë i orientuar përgjithmonë nga Amerika dhe vlerat perëndimore. Por, Amerika nuk i don qyqanet dhe servilët. I don dhe përkrahë ata që kanë aftësi dhe karakter të fortë, që dinë çka kërkojnë dhe si ti arrijnë rezultatet.  

Pra, me përfaqësuesit e Amerikës dhe Evropës duhet biseduar me kujdes, respekt, fakte dhe argumente të pamohueshme. Të gjitha këto janë në anën tonë.

4. Për të cilët ka fakte korrupcioni dhe pasurimi të dyshimtë dhe të paligjshëm.
5.Nukë kanë përgatitje adekuate shkollore dhe aftësi të theksuara komunikimi dhe veprimi.
6.Nukë tregojnë humanitet, tolerancë fetare, racore dhe nacionale. Kjo tolerancë ka qenë dhe është njëra ndër vlerat më të mëdha kombëtare shqiptare.
7.Simpatizojnë ende dhe përdorin metodat e veprimit të sistemit të errët komunist anti-shqiptar dhe anti-njerëzorë.
8. Nukë kan program real dhe propozime konkrete për zhvilllimin ekonomik të Kosovës. Gënjejnë haptas dhe premtojnë gjëra qartë të parealizueshme.
9.Nukë promovojnë vlera familjare dhe traditë kombëtare. Sillen në mënyrë të vrazhdë, arrogante dhe të paedukatë.
10. I qesin interesat personale, familjare, klanore dhe partiake para interesave kombëtare.
Votuesit aktiv, të informuar mirë dhe demokracia e vërtetë, janë shpëtimi i Kosovës dhe mbarë kombit shqiptarë.

Nga MRSC. Agim Aliçkaj
Anëtarë I Bordit Ekzektutiv të LQSHA dhe Këshillit të Vatrës.

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Alickaj-Zgjedhjet e 6 tetorit-Kosove-askend mos votoni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT