• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2019

Misionarja Emine Hoti që reflekton vlera të shqiptarve në Norvegji

November 4, 2019 by dgreca

Nga Bashkim Saliasi/

Që ditën e parë që z Viron Kona më dhuroj librin e shkrimtares, stilistes dhe atdhetares së njohur shqiptare-norvegjeze Emine S. Hoti nisa ta shfletoj faqe më faqe. Në këtë vepër të përgatitur nga shkrimtari i mirënjohur z Viron Kona gjeta dhe mësova mbi jetën dhe veprimtarinë e zonj. Emine një thesar me vlerë që çdo kush që lexon dhe shkruan kërkon të mësoj diçka më shumë rreth krijimtarisë së një poeteje gjithë tharmë pasi e kisha njohur me librat dhuratë të cilat i disponojë jo vetëm në biblotekën time, por edhe në biblotekën e shkollës Vëllazërimi një nder që edhe fëmijët dhe trupa mësimore e kësaj shkolle të njihet me krijimtarinë e zonj. Emine.

Libri kushtuar zonj. Emine është një xhevahir që me shkëlqimin e tij hedh dritë mbi jetën dhe veprimtarinë e shkrimtares që me mund dhe sakrifica ka mundur të përballoj plagën e emigracionit. Me vullnetin e saj të hekurt duke sakrifikuar edhe gjumin ajo arrinë jo vetëm të bëj detyrën si edukatore, por edhe të gjej kohë të të shkruaj poezi dhe të  stiloj veshje kombtare shqiptare. 

Më e bukura dhe me dashamirsja, është xhesti human i zonj. Emine që të gjitha stilimet e saj i jep falas. Me të drejtë shkrimtari Viron Kona e ka quajtur zonj. Emine Marigoja shqiptare e cila shpërndanë vlera jo vetëm në rrethin shoqëror ku ka shqiptarë, por edhe të dashamirësit norvegjez dhe gjetkë.

Nuk dua të bëjë analizë të krijimtarisë dhe shkrimeve kushtuar zonj. Emine sepse ato janë në libër dhe kushdo që është kurioz i mëson nga shkrimet që përmban libri, por dua të tregoj se çfarë më ka mbetur në mendje mua, një lexues i gjithë krijimtarisë së saj

Zonj. Emine në gjithë krijimtarinë e botuar na sjell jetën gjithë sakrifica të cilën arrin ta ndërtoj me shumë mund e djersë dhe këtë mund e reflekton në gjithë krijimtarinë e saj.

Zonj. Emine nuk e njeh frikën, hidhet në lavën e vullkanit dhe prej andej del fitimtare sepse ka cilësit e njeriut me një karakter të fortë që nuk di të mposhtet, por e fiton betejën duke pasur besim në veten e saj.

Nga leximi i poezive të zonj. Emine ndien brizat malore (puhizat, era të lehta gjithë freski) që zbresin në mëngjes dhe në mbrëmje nga mjat e maleve drejtë ultësirave duke i dhënë jetë mjedisit ku galon shumëllojshmëria e jetës njerëzore.

Mesazhet e ngrohta që zonj. Emine përcjell nëpërmjet vargut janë plotë ëmbëlsi dhe të japin ndiesinë dhe kënaqësinë që të jep lumi i Valbonës briskë i ftohtë, por që kur e pi dhe e shijon të ringjallë e të jep forcë.

Vargu në poezitë e zonj. Emine ndriçon si një xixëllonjë që përclell ndriçim në gjithë lëndinën duke u bashkuar me rrezet e arta të hënës që ndihmon që jetë në këtë lëndinë të galojë dhe mos gjej prehje.

Ajo që mua më ka mbetur në mendje është malli për vendlindjen, atë mallë që kush e ka provuar jetën e emigrantit e di se çdo të thotë të vuash dhe të llafosesh natën me hënën e yjet dhe tu tregosh atyre brengën që vuan në shpirtë për të dashurit, atdheun dhe bukën e ëmbël të truallit ku ke lindur dhe je madhuar.

Zonj. Emine duke jetuar dhe punuar në një vend demokratik të zhvilluar siç është Norvegjia në poezitë e saj kërkon që të respektohen të drejtat e njeriut, sepse njeriu duhet të jetë i lirë dhe ta ndërtoj jetën e vet aty ku gjen vetveten në çdo cep të rruzullit tokësor dhe të respektohet dhe të jetë i barabartë midis të barabartve dhe mos të përbuzet.

Së fundi dua të them dy fjalë për autorin që përgatiti veprën Marigoja shqiptare në Norvegji, z Viron Kona. Kemi diskutuar vazhdimishtë në bisedat që kemi zhvilluar hera-herës dhe ai me të drejtë zgjodhi titullin e lartpërmendur sepse një njeri që shkruan, stilon dhe dhuron vlera të kombit të vet duke luajtur rolin e një misionare që nuk e nxit njeri, por vet me vullnetin e saj dhe me dashamirësinë për kombin e vet Kosovën dhe shqipërinë ka supervlera dhe e meriton të vlerësohet nga shoqëria.

Ju falënderoj që më ndoqët dhe i uroj zonj. Emine shëndet dhe sa më shumë shkrime dhe stilime që rrisin vlerën e kombit shqiptar. Urime z Viron kona në botime të tjera.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Emine Hoti-Marigoja Shqiptare-Norvegji

BASHKE NE FESTEN E FLAMURIT…

November 4, 2019 by dgreca

BASHKE NE FESTEN E FLAMURIT/
Federata Pan Shqiptare e Amerikes”VATRA” Festen e Flamurit do ta festoje me Komunitetin ne drejtimin e keshilltarit te Bashkise se Nju Jork-ut z. Mark Gjonaj…Folesi i darkes, Kryetari i Vatres Dritan Mishto.
Rezervojeni te Shtunen, 23 Nentor 2019, ora 7 PM- 12 AM.Bileta e hyrjes$ 50.00.
Adresa:
1 Marina Drive, Throgs Neck, New York, 10465


Filed Under: Histori Tagged With: Darka e Flamurit-Dritan Mishto

Vdekja e së kaluarës zvarritet në të sotmen

November 4, 2019 by dgreca

Nga Albana M Lifschin/

Dje në lagjen tonë vdiq dikush nga silikoza.Një vdekje natyrale është e zakonshme, por jo kjo. Kjo është njëlloj sikur të kanë dënuar më vdekje të parakohshme!
Korridori i madh në formë katërkëndëshi zinte mbi100 ngushëllues. Gra të veshura me të zeza rrinin ulur në karrige njëra pranë tjetrës. Jashtë oborri ishte mbushur me burra e djem të rinj. Sipas zakonit, burrat rrinin mënjanë dhe gratë vajtonin në anën tjetër të mbledhura bashkë. Kush kishte vdekur? Qe një burrë që s’kishte mbushur të pesëdhjetat.
– Nga se? – pyeta unë.
– Nga silikoza. Ka punuar në minierë gjithë jetën e vet.
– Ishte diçka që pritej, – tha një tjetër.
Minatorë vdisnin njëri pas tjetrit nga kjo sëmundje, edhe pse miniera e bakrit qe mbyllur me kohë.
Në Rubik, autobusi i linjës gjithnjë bën një ndalesë pranë urës, përpara një pllake të madhe përkujtimore për një grevë të rreth 400 punëtorëve të minierës në gushtin e vitit 1938, për kushtet e punës, paga më të larta
dhe një ditë pushimi në javë. Ajo pllakë për protestën e punëtorëve ishte aty për të kujtuar se ç’kishin hequr minatorët para luftës. Mendohej të shërbente si një ballafaqim me punën e kushtet e jetesës së minatorëve pas ‘pushtetit popullor’.
Sa minatorë kishin vdekur nga silikoza dhjetëvjeçarët e fundit? Sa i ishin nisur asaj rruge? Pas të tridhjetë e
pesave fillonte kolla. Pata lexuar një skicë të ndjerë për kollën e minatorit. Kolla ishte paralajmërimi i një vdekjeje të ngadaltë. Pluhuri i mineralit ka kohë që ka veshur mushkëritë e minatorëve, të cilëve, nga dita në
ditë, ua merr frymën deri në grahmën e fundit. I pari, i dyti, i treti, i njëqindti, i dyqindi, i pesëqindti i vdekur
nga silikoza. Jetë e këputur në mes. Ata që vdesin janë 40-vjeçarë, 50- vjeçarë… Rubiku! Rubiku! Miniera që
nxirrte bakër, kishte tri fabrika pasurimi. Njëra prodhonte ar që nuk e shihte askush. Male me bark të pasur,
njerëz me bark bosh.
– Një supë, – porosit minatori duke përfytyruar garuzhdën e mbushur plot me supë të ngrohtë.
– Me këto lekë nuk e merr dot supën. I ke mangët.
Ai ndjen fyerjen e krenarisë së vet, që e ka vënë poshtë varfëria.
– Nuk dalin as për një garuzhde supë? – Është i uritur dhe ka ftohtë. – Po për… nënsupë, a mjaftojnë?
E mbaja mend këtë skicë nga një libër dhe më la gjurmë në mëndje dhe në shpirt. A ekzistonte ‘nënsupa’?
Me siguri, thashë me vete, por ajo hahej për ‘supë’.
Supa e minatorit.

– Unë duhet të shkoj, – i thashë Zinës.
– Mirë asht të shkosh për respektin e të vdekurit, por gjithsesi ti je ende e huaj. Nuk ta ve re njeri. Po të ishe
vendase, do të qe ndryshe. Këtu të gjithë janë të njohur me njëri-tjetrin, i gjithë qyteti e përcjell të vdekurin te
varrezat.
“Kështu ka qenë edhe në Tiranë dikur”, më shkoi mua nëpër mend.
– Kur bëhet varrimi?
– Në orën dy pasdite. Po pate për të shku, shko tani.
Ngjita shkallët e apartamentit duke u përpjekur që të përmbaja veten. I vdekuri ishte një i panjohur për mua
dhe familja e tij po ashtu. Por pse më bëhej se e njihja?
Si-li- ko-za! Ja çfarë njihja. Kjo mjaftonte. Ishte pasaporta e të vdekurit, të cilën unë nuk doja ta pranoja. Një
minierë që i kishin mbetur të dukshme vetëm oxhaqet, si një titanik që po fundosej qetësisht. Ndërsa përpara
vetes kish një grusht hekurishtesh, kishte ende forcën t’i vdiste njerëzit e vet.
Kur mbërrita në sheshpushimin e katit pashë që dera e familjes së të ndjerit ishte hapur dykanatësh.
E zonja e shtëpisë, që ishte ulur në mes të dhomës, u ngrit dhe erdhi drejt meje duke zgjatur dorën.
– Zoti ju dhashtë kivet, – shqiptova unë ngushëllimin tipik të krahinës e pastaj u përqafuam. Hyra në dhomën
e mbushur me njerëz dhe ula sytë duke fshirë lotët, qe s’e dija se do të më tradhtonin aq shpejt. Njerëzit thoshin se të ndjerin e kishin mbajtur në spital gjatë, por ishte e kotë, pasi atë e kishte zënë silikoza me kohë.
Ky është vend i pirustëve; pasardhësit e tyre duhej të ishin të pasur. Por ata, mjerisht, janë në programe papunësie dhe presin radhën për të… vdekur. Të paravdekurit njiheshin nga kolla. Me atë kishin ushqyer familjen, kishin rritur fëmijët.
E zonja e shtëpisë u kthye nga unë duke më pyetur se si i kam robt e shtëpisë. Unë ngrita sytë dhe nuk munda
të përgjigjesha. Nxora shaminë e dorës dhe zura të fshija lotët që kësaj radhe filluan të më shkisnin faqeve
pa kontroll fare.
I ndjeri nuk arriti të shihte gëzimet e fëmijëve, djemtë burra, nuset e reja nëpër shtëpi. Njëri prej tyre kishte ardhur nga Italia, kishte sjellë me vete foshnjën dy vjeçe, e cila nuk dinte se përse ndodhej aty, se gjyshin s’e kishte njohur e nuk do ta njihte kurrë, por do të mësonte një fjalë në shqip, ndoshta më parë se shumë fjalë të tjera: sili-ko-za. Gjyshi i saj kishte vdekur nga si-li-ko-za!
– Më falni, – thashë, – ju lutem. E di që s’po e mbaj dot veten, por më vjen shumë keq për humbjen tuaj.
Më duket vdekje e padrejtë, – shtova. – Ai ishte në moshë t’u gëzohej fëmijëve për të cilët bëri një punë kaq të mundimshme, një punë që ia mori jetën.
M’u bë sikur mbi pllakën përkujtimore të minierës vunë një tjetër, ku thuhej se nga kjo minierë që prej
1944 e deri më sot kanë vdekur… mijëra minatorë nga silikoza, por ata asnjëherë nuk bënë grevë për përmirësimin e kushteve të punës, edhe pse kolliteshin, edhe pse e dinin se po vdisnin gradualisht, edhe pse lekët nuk u dilnin as për supë, ndërsa racionin e tyre të qumështit ua ndanin fëmijëve.
(Nga libri “Yjet nuk jane te Kuq” 2013, Albana Melyshi Lifschin)

Filed Under: LETERSI Tagged With: Albana M. Lifshin-vdekja e se Kaluares

EQEREM MUJO NE VATER

November 4, 2019 by dgreca

– Dorëzon në librarinë e Vatrës tri kopje të librit “Thinjat e Atdheut” të publicistit të njohur Eugjen Merlika, mik dhe bashkëvuajtës me Eqeremin/

Miku im, Eqerem Mujo, është një emër i njohur që ka kaluar kalvarin e diktaturës komuniste duke përshkuar ferrin e burgjeve dhe të internimeve. Ai ishte sot në Vatër. Nuk është hera e parë, madje ai është edhe anëtar i Federatës Vatra dhe abonent i gazetës Dielli. Bashkë me vëllanë Fatmirin, që po ashtu ka kaluar përmes burgjeve dhe internimeve si e gjithë familja Mujo, kanë qenë pjesmarrës në disa veprimtari përkujtimore që janë organizuar në Vatër me të përndjekurit politik si për revoltata e Spacit dhe Qafë Barit, për Mid’hat Frashërin e të tjera ngjarje. Sot ai erdhi për të dorëzuar në bibliotekën e Vatrës tri kopje të librit “Thinjat e Atdheut” të publicistit Eugjen Merlika, miku dhe bashkëvuajtësi i tij.

Biseduam me Eqermin edhe për kalvarin e vuajtjeve të tij, për Dosjen që i pat hapë atij Sigurimi i Shtetit Komunist, një dosje voluminoze, e cila qe hapë për të me 25 Korrik 1958 dhe u mbyll me 10 tetor 1991. Përmes dosjes shfaqen agjentë, bashkëpunëtorë,rezidentë, dëshmitarë, shumë prej të cilëve Eqeremi i ka ckodifikuar, por ai është tolerant dhe nuk nxiton që të dalë e të bëjë shpallje publike nëpër gazeta, TV apo rrjetet sociale. Me lejen e Eqeremit tjetër herë do ta shfletojmë dosjen që dëshmon tragjedinë dhe dramën e tij, familjes dhe mbarë shoqërisë shqiptarë në kohën e diktaturës.

Faleminderit Eugjen Merlikes, nje bashkepunetor i kualitativ dhe i palodhur me gazeten Dielli(por edhe me gazeten Illyria, kur une punoja atje), nje vazhdues i denje i gjyshit te tij, vatran e korrespondent i Diellit, Sotir Gjika).Kur editori e falenderoi me shkrim per dhurimin e librave per Vatren, sic ka bere per te gjithe librat e publikuar deri me tani, perfshi edhe ato te Mustafa Krujes, ai I shkroi editorit: “Jam shume i gezuar qe libri im i fundit do te jete ne dispozicion te lexuesve te Vatres. ndjehem dhe un nje pjese e vogel e asaj organizate te lashte ne te cilen ka dhene ndihmesen e vet edhe Gjyshi im, Sotir Gjika, rreth 110 vite me pare. Faleminderit shokut tim te ngushte te feminise e rinise, qe e plotesoi porosine. Falenderime edhe ty, Dalip, per bashkepunimin e gjate ne rreth 20 vite, gjithmone me respekt e konsiderate te ndersjellte, marredhenie shembullore edhe se nuk kemi patur fatin te takohemi fizikisht, edhe se, ne mos gabofsha,jemi njohur ne Lushnje kur ti punoje per Republiken. Shpresoj se Zoti do te na ndihmoje te shihemi perseri.Pershendetjet me te perzemerta.”

Eugjeni

Filed Under: Emigracion Tagged With: EQEREM MUJO -NE VATER-Thinjat e Atdheut-Eugjen merlika

ZHGËNJIME DHE SHPRESA

November 3, 2019 by dgreca

 

NGA EUGJEN MERLIKA/
            Kanë kaluar veçse pak ditë nga vendimi i fundit i Këshillit të kryetarëve të Shteteve e Qeverive t’Evropës së Bashkuar, përsa i përket fillimit të bisedimeve për hyrjen e Shqipërisë e të Maqedonisë së Veriut në BE dhe Jo-ja e Brukselit shkaktoi një valë të gjërë diskutimesh, që përfshinë shoqërinë shqiptare. Me që u bë e njohur se pengesa kryesore, që përcaktoi mohimin e hapjes së bisedimeve, qe Kryetari i Shtetit francez, Emmanuel Makron, i mbështetur nga kryeministrat e Hollandës e të Danimarkës, ai qe emri që u lakua më shumë në bisedat e mjediseve të ndryshme të të gjithë niveleve, duke filluar nga profesionistët e politikës dhe të mediave e duke mbaruar tek qytetarët e thjeshtë në baret e panumurta të qyteteve shqiptare.
            Politikanët e ndryshëm e partitë e tyre përkatëse u munduan të nxirrnin përfitimet  nga ajo ngjarje, për konsum të politikës së brëndëshme. Opozitarët jashtë parlamentit u shquan për lavdërimet në drejtim të presidentit francez, duke ligjësuar kundërshtimin e tij e duke u munduar të “mirëkuptonin” arsyet e tij që, sipas tyre, ishin në të njëjtën hulli të padive që prej kohësh bëjnë rreth “keqqeverisjes”, “lidhjeve të shumicës qeverisëse me krimin”, “korrupsionit mbizotërues” e duke e quajtur vendimin e Brukselit si një dështim të hapur vetiak të kryeministrit Rama, të pasuar me refrenin e kaqë muajve, të largimit të tij nga posti.
            Kryeministri dhe mjedisi i tij vunë theksin mbi problemrt e brëndëshme të BE, viktima të flijuara të të cilave mbetën Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke shpalosur me të madhe se ata i kishin plotësuar deri në një detyrat e tyre. Vlerësimet që erdhën nga shumë anë të Evropës politike, duket se i “shfajësonin” qeveritarët shqiptarë e maqedonas për veprimet e tyre, për më tepër se presidenti francez, në ligjësimin e qëndrimit të tij, u përqëndrua në “problemin e madh” të disa qindra shqiptarëve që paskëshin kërkuar strehim në Francë, madje vuri në dukje se “paska qënë një gabim edhe liberalizimi i vizave, pa filluar zyrtarisht bisedimet”, një vlerësim në kufijtë e qesharakes.
            Të dy këndvështrimet e ndërpretimeve të politikës shqiptare vuajnë nga anësia e subjektivizmi, duke thënë secili vetëm një pjesë të së vërtetës. Në rastin e Opozitës, janë të pajustifikuara lëvdatat për Makronin, në një kohë kur shumë drejtues shtetesh e organizmash evropiane e quajtën pa rezerva opinionin e tij që përcaktoi vendimin si “një gabim historik” të BE në kontekstin gjeostrategjik të Ballkanit e të perspektivave të tij politike. Shfrytëzimi i një fatkeqësie të përbashkët kombëtare, për të fituar kapital politik në luftën e brëndëshme për pushtet, nuk më duket një dukuri e lëvdueshme.
            Por a gjëndet një pjesë e së vërtetës së jetës shqiptare në paditë e Opozitës? Cila është përfytyresa e Shtetit shqiptar në vështrimin objektiv të qytetarëve të tij dhe t’atyre që e shohin prej së jashtëmi? Me keqardhje përgjigja është: jo ajo e dëshëruara dhe e duhura. Nuk mund të jetë i tillë një shtet, në të cilin nuk shihet asgjëkundi bashkërendimi i ideve e i veprimeve nga institucionet e ndryshme të tij, siç është parë kryesisht në këtë vit, kur ishte marrë premtimi zyrtar i Komisionit evropian për hapjen e bisedimeve. Gara për të prishur imazhin shqiptar nga tre përbërësit kryesorë të jetës institucionale si shumica qeverisëse, Opozita dhe Kryesia e Shtetit, ishte e pandërprerë. Pa hyrë  në hollësi të njohura për të gjithë, Shqipëria e vitit në vijim nuk bëri asgjë për të merituar premtimin që kishte marrë. 
            Ritmet e ngadalta e pothuajse të paqena të luftës kundër korrupsionit, të konceptuar nga shumica dërmuese e qytetarëve dhe e opinionit publik si krejtësisht të pamjaftueshme, kundërshtia e vazhdueshme ndërmjet qeverisë dhe presidentit, braktisja e paparimtë e parlamentit nga pothuajse gjysma e të zgjedhurve, vendime të pamenduara deri në ndërpretimin e kushtetutës nga ana e Kryetarit të Shtetit, pa asnjë vlerë praktike, zgjedhje të bojkotuara nga 80% e popullsisë, por të quajtura plotësisht të rregullta, përgjime telefonike që nxjerrin në pah, në mënyrë të pakundërshtueshme, shkelje të rënda ligjëshmërie në proçeset zgjedhore që kalojnë pa asnjë pasojë në sferat e larta të drejtimit, e mjaft dukuri të tjera negative janë pasqyrë e një shteti, klasa politike e të cilit, me gjasë, është e interesuar të fërgohet në dhjamin e saj më shumë se sa të hapet drejt Evropës. Me sa duket kushtrimi i të parëve të gjysëm shekullit komunist vazhdon të jetë i fuqishëm në nënëvetëdijen e drejtuesve të demokraturës pas komuniste, ashtu sikurse edhe në programin e veprimeve të tyre.
            Por, nëse kjo mund të jetë dëshirë e mbuluar e një klase politike, që nuk bën asgjë për të përgënjeshtruar vetveten, përposë demagogjisë e premtimeve të pambajtura, të cilët presin kalendat greke për t’u vënë në jetë, Shqipëria reale, ajo e njerëzve të thjeshtë e të ndershëm e jo e kastave të korruptuara, e vuajti në thellësi të saj përgjigjen negative të Brukselit zyrtar. Shqipëria është e lidhur me Evropën jo vetëm gjeografikisht e historikisht, por edhe shpirtërisht e kulturalisht. Në ndërgjegjen e saj ajo ka vështirësi të pranojë pamundësinë për të sendërtuar ëndrrën e saj të shekujve, për mungesa të klasës së saj drejtuese apo për teka politikanësh t’Evropës. Ajo ka nevojë për Evropën, për përvojën e saj demokratike, për të synuar që me kohë t’arrijë një standart jetese që t’i afrohet asaj të kontinentit, për ndihmat e kapitalet e këtij të fundit, të cilat duhet të ngjallin shpresën se edhe Vëndi i tyre DO TË BËHET. Ajo sheh se, me gjithë përparimet që janë bërë në keta tre dhjetëvjeçarë, në truallin e saj të lashtë ka humbur shpresa për “ditët më të mira”, që profetizonte dikur poeti kombëtar Naim Frashëri. Shqiptarët duan të shohin se mund të jetojnë si evropianë në Vendin e tyre, të sjellin Evropën në truallin e tyre, e jo t’a braktisin atë në kërkim të botës së madhe. Është një aspiratë e ligjëshme, të cilën askush nuk ka të drejtë të mos e përfillë. Por Evropa është edhe sinonim i disa parimeve, rregullave, kritereve, zgjedhjeve, të cilat duhet të jenë të njëjtë për të gjithë në bashkësinë shqiptare e më gjërë, n’atë evropiane.
            Nëntë kushtet që Bundestagu gjerman, në hullinë e respektimit tradicional të rregullave e shprehive të bashkëjetesës, na vuri përpara si shtet e si shoqëri, tregojnë se jemi ende larg parametrave evropianë, se nuk mund të ngrefosemi se i kemi kryer të gjitha detyrat tona, se kemi ende shumë për të bërë, duke filluar nga dialektika normale mes institucioneve, tek respektimi i meritokracisë, tek zgjedhjet e lira e të ndershme, tek njohja e rezultateve të tyre, tek moralizimi i jetës publike, tek hedhja poshtë e kundërvlerave të së shkuarës e njohja e nderimi për vlerat e vërteta të saj, etj, etj. Nëse në këto gjashtë muaj bëjmë përpjekjet e duhura për të plotësuar sendërtimin e atyre kushteve, madje duke shtuar edhe ndonjë nga vetja, mund të shkojmë në takimin e nivelit të lartë të Zagrebit, me shpresa, deri në siguri, se mund të na kumtohet n’atë qytet ballkanik të Bashkësisë hapja e bisedimeve.
            Na e japin këtë siguri pohimet e pjesës më të madhe të Evropës (25 shtete) në këto ditë. Shprehja “gabim historik” u lakua në gojët e shumë shtetarëve të kontinentit të vjetër, nga Kryetari i Komisionit Junker, komisarët Hahn dhe Mogerini, kryeministri italian Konte e të tjerë. Ja si u shpreh ky i fundit në konferencën e shtypit mbas vendimit:
“Shkoi keq. U thashë kolegëve të mij që ky është një takim me historinë. Në 1400 ato treva e ato bashkësi ranë nën perandosinë Osmane. Të nesërmen e luftës së Dytë botërore ranë nën regjimin komunist. Ka një jetë që duan të hyjnë n’Evropë, aspirata e tyre është të hyjnë n’Evropë. Ai i djeshmi do të kujtohet si një gabim historik e për këtë më vjen shumë keq”
            “Evropa, Komisioni, të gjithë ne kemi qënë deri në fund nismëtarë të një projekti reformues. Shpresoj se ky zhgënjim, ky ankth nuk do t’i hedhë në dëshpërim. Italia do të jetë gjithmonë pranë tyre, do t’i mbrojë, do të vazhdojë të jetë afër.”
            Ishte zëri i njërit prej themeluesve të Evropës, njërit nga kryesorët në Bashkësinë evropiane e, si i tillë, një mbështetje shpresëdhënëse për Shqipërinë. Por nuk është i vetmi. Para se të merrej vendimi grupi i Vishegradit (Polonia, Republika Çeke, Hungaria e Sllovakia) kërkoi nëpërmjet një mocioni të veçantë hapjen e bisedimeve për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kryetarja e re e Komisianit, Ursula von der Leyen u shpreh para vendimit, në pajtim të plotë me parardhësin e saj me këto fjalë. “Ka një qëndrim shumë pozitiv, për të njohur përpjekjet që kanë bërë për t’u bashkuar me BE. Këta Vende kanë bërë përparime të jashtzakonshme dhe kanë treguar vendosmërinë e tyre: për ne vlejnë shumë dhe është e rëndësishme që t’u japim atyre një perspektivë të përbashkët.”
            Vendimi negativ i Brukselit u prit me një mos miratim të hapur nga DASH i SHBA. Ai, e quajti si një veprim që dëmtonte interesat e Evropës, duke i hapur rrugë zhvillimeve favorizuese të interesave ruse, kineze, apo turke, në një zonë të rëndësishme të saj. Parlamenti evropian ka votuar për hapjen e bisedimeve, duke theksuar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kërkesat, se Komisoni evropian kishte premtuar dhe bllokimi që u bë mund të çojë në destabilizimin e rajonit. Nga 578 eurodeputetë votuan për rezolutën 412 përfaqësues të grupeve më të mëdha dhe kundër saj deputetët e partive sovraniste dhe euroskeptike. Për hapjen e bisedimeve u shpreh edhe Partia më e madhe, ajo popullore dhe kryetari i atij grupi, gjermani Veber, kandidat i saj për kryesinë e Komisionit.
            Në kaqë vite, në të cilët refuzimet kanë pasuar njëri tjetrin, nuk ka pasur kurrë një kundërveprim kaq masiv në dobi të Vendit tonë, si kësaj rradhe. Pa dyshim kjo është një gjë tepër pozitive, që duhet të davaritë mjegullën eventuale të mosbesimit kundrejt Evropës, duke na bërë të prapësojmë çdo sirenë mashtruese që mund të vijë nga Lindja e të na bëjë t’a shohim t’ardhmen e afërt me optimizëm të ligjshëm. Vlen të shtohet këtu se edhe opinioni publik evropian, nëpërmjet gazetave të tij të mëdha, ka mbajtur një qëndrim të qartë në dobi të Vendit tonë e të Maqedonisë duke e quajtur si kundërprodhues e të dëmshëm për interesat e Evropës vendimin e Brukselit të 18 tetorit.
            Një qëndrim i drejtë, i përgjegjshëm, i urtë, i vetëdijshëm për barrën që ka mbi shpinë politika shqiptare në tërësi, e përshkuar nga një motivim i thellë atdhetar që kalon sipër e mposht shemëritë e vogla e të mëdha politike, së bashku me bindjen e thellë se BE është e vetmja rrugë në të cilën duhet të përshkohen fatet e Shqipërisë, do të plotësonte kuadrin politik të aftë për të thyer çdo lloj mosbesimi të mundshëm kundrejt udhëtimit tonë evropian.
            Për të arritur këtë synim, që do t’ishte sendërtimi i dëshirës shekullore të dhjetra brezave, duke filluar nga Arbërit e Gjergj Kastriotit, politika duhet të bëjë një mea culpa  të thellë e të ndërgjegjëshme, në të gjithë përbërësit e saj, mbasi secili prej tyre ka diçka për të qortuar, për të korigjuar, për të ndrequr në qëndrimin e tij. Ky ndryshim duhet të bëhet në kohë të shkurtëra, mbasi atë në tridhjetë vitet e pas komunizmit e kemi shfrytëzuar shumë keq, jo me përfundimet e pritura. Edhe sot, si para tridhjetë vitesh, mbetet aktual një shkrim i botuar në shtypin e kohëve të fundit të regjimit. Autori ishte një mjek i njohur, një pjestar i elitës së shoqërisë, e shkrimi titullohej: “Në kërkim të kohës së humbur” dhe u quajt si një pishtar ndriçues në natën e gjatë që po linim mbas krahëve. Fakti që po e sjellim ndërmënd me respekt e mirënjohje, dëshmon se nuk e kemi mbajtur sa duhej parasysh e se na duhet përsëri të flasim për “kohë të humbur”, sepse, fatkeqësisht, ajo bisedë ende është aktuale.
            
            Tetor 2019                                                           Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugen Merlika-ZHGËNJIME DHE SHPRESA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT