• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2019

Në mbrojtje të Agron Tufës

December 16, 2019 by dgreca

-Prej 1997 Ambasada e Shqipërisë në Bernë është në duart e ish-nomenklaturës /

–Për djeni Departamentit të Punëve të Jashtëme të Zvicrës, – DFAE – EDA…Zonjës Amanda Bennett, Drejtore e VOA, Zërit të Amerikës/

Nga Elida Buçpapaj /

Arsye për këtë shkrim është kërkesa për azil politik e shkrimtarit të njohur Agron Tufa, i cili pas kërcënimeve të vazhdueshme nga eksponentë të lartë të shtetit shqiptar, detyrohet të japë dorëheqjen nga posti i Drejtorit ekzekutiv i Institutit për Studimin e Krimeve dhe pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKPK), vend që e ka mbajtur me shumë dinjitet dhe përgjegjshmëri.

Agroni Tufa thotë se këtë hap e ndërmori pas kërcënimeve direkte me jetë nga ish-sigurimsat që “do më vrisnin”, thotë Agroni ” siç ekzekutuan në mënyrë mafioze dëshmitarin Haxhi Baçinozi në mars të këtij viti”.

Gjithë opinioni shqiptar e kujton vrasjen e Haxhi Baçinozit në praninë e të birit dhe menjëherë pas saj, gjithë shtypi u mbush me lajmin e rremë se “Haxhi Baçinozi u vra sepse kishte borxhe”!

Në fakt Haxhi Baçinozi, ish i burgosur politik nga regjimi komunist, u vra sepse do të dëshmonte për krimet e një kryepolici në burgun e Spaçit që torturonte të burgosurit.

Kryepolici i diktaturës, Edmond Caja që prej gati 30 vjetësh është shtetas i Gjermanisë e do të përballej me dëshmitarin Haxhi Baçinozi, sot duhej të ishte i dyshuar kryesor për ndikim në vrasjen e viktimës që e torturonte në burgjet komuniste dhe që u vra pa dëshmuar.

Vrasja e Haxhi Baçinozit tregoi fuqinë që kanë sot në shtetin shqiptar ish Sigurimsat dhe nëntoka e ish regjimit diktatorial që i ka duart të lyera me gjak viktimash. Haxhi Baçinozi tentoi të dëshmonte të vërtetën e krimeve të diktaturës dhe u vra barbarisht.

Po ta shohësh nga hierarkia, Agron Tufa është shumë më i rrezikuar se Haxhi Baçinozi, tashmë i vrarë, pasi institucioni që drejtonte ai, e fuste në shina shtetërore zbardhjen e krimeve të diktaturës që shoqëron dekomunistizimin.

Jam dëshmitare se Agron Tufa ka gati 3 vjet që kërcënohet në mënyrë permanente nga vetë shteti dhe nga media që ka në dorë ish Sigurimi.

Spartak Braho, deputet i Partisë Socialiste (PS), njëri nga ata që udhëheq këtë linçim publik të Agron Tufës është një ish gjyqtar i kohës së diktaturës që ka dhënë dënime me vdekje; Sabit Brokaj, ish minister i diktaturës dhe ish deputet e ish minister i mbrojtes i PS shkon deri aty sa e kërcënon Agron Tufën, se do ta ndjekë këmba këmbës për t’ja shkatërruar jetën.

Pra njerëz të shtetit shqiptar të lidhur me ish regjimin totalitar po e përndjekin Agron Tufën edhe kur ky u largua nga Shqipëria. Agron Tufa i detyruar paraqiti dorëheqjen tek krerët më të lartë të shtetit, të cilët, sa ishte Agroni aty, nuk ndërmorën asnjë masë sigurie jete as për të dhe as për familjen. Pra, Agron Tufa u përball i vetëm me falangat e skuadroneve të ish Sigurimit, që janë pjesë e shtetit dhe e pushtetit, pa marrë parasysh se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s!

Sabit Brokaj, shkon deri aty, sa kërkon që Ambasada e Shqipërisë në Bernë të bëjë gjithçka që “Agron Tufa të mos e marrë statusin e azilantit politik në Zvicër”.

Ja çfarë shkruan Sabit Brokaj ekzaktësisht: “Unë i pari, (dmth Sabit Brokaj – shpjegimi im – E.B.) por edhe të tjerë mendoj se do të bëjmë të pamundurën që edhe atje ku ka kërkuar azil politik të mos gjejë vrimë ku të futet…. Prandaj ambasada jonë në atë vend, por edhe ambasada zvicerane në vendin tonë, duhet të ngrenë alarmin dhe të mos i japin strehë një njeriu të tillë. Ua bëj këtë apel këtyre ambasadave publikisht. Por edhe vendeve të tjera ku ai mund t’ia mbathë sërish .”

Shikoni sa kriminale është thirrja e Sabit Brokajt! Po të ishte Shqipëria shtet demokratik, prokuroria do të duhej ta merrte nën hetim menjëherë!

Natyrisht Ambasada e Zvicrës në Tiranë nuk ndikohet nga histeri e tillë kriminale e tipit të Sabit Brokajt. Mjafton të kujtoj se Zvicra i dha azil politik Dritan Zaganit, ditën që Edi Rama, me kostum kryeministri, vuri këmbën në Konfederatën Helvetike në vizitë zyrtare, ndërsa qeveria e tij e kishte shpallur Zaganin “most wanted”.

Sa për Ambasadën e Shqipërisë në Bernë, më duhet të hedh dritë se prej vitit 1997, ajo drejtohet nga njerëz me lidhje eksplicite me ish diktaturën që kanë vijuar karierën në tranzicion pa u konvertuar kurrë!

Të mbetur të pakonvertuar prej urrejtjes, do të thotë që viktimat e diktaturës të vijojnë edhe sot t’i trajtojnë sikur regjimi totalitar, pra si armiq të komunizmit dhe të komunistëve.

Unë dhe bashkëshorti im Skënder Buçpapaj, të dy shkrimtarë, gazetarë dhe botues kemi përvojë personale prej falangave të ish diktaturës që gjatë këtij tranzicioni gati prej tre dekadash janë të integruara në të gjitha qelizat e shtetit shqiptar deri në krye të Ambasadave duke minuar demokratizimin e vendit .

Ambasada e Shqipërisë në Bernë ka patur Ambasador Leontiev Çuçin, ish anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë (KQPPSH) dhe ministër i kohës të Ramiz Alisë, më pas deputet i PS i emëruar nga kjo forcë politike.

Ambasada e Shqipërisë në Bernë ka patur për dy mandate rresht Ambasador Mehmet Elezin, ish kryeçensor i diktaturës dhe kandidat i KQPPSH, i cili ka vijuar në Zvicër kursin e vjetër kur e mbronte me fanatizëm vijën e Partisë të Punës nga ndikimet e ideologjisë borgjeze dhe bartësit e saj. Mehmet Elezi ishte emëruar Ambasador i Republikës të Shqipërisë në Bernë direkt nga Sali Berisha. Mehmet Elezi nuk kishte asnjë atribut moral që ta meritonte këtë post, bile nuk ishte as eksponent i Partisë Demokratike.

Qendrimi armiqësor dogmatik që shfaros pluralizmin dhe nuk i toleron zyrtarët publikë apo gazetarët të përmbushin misionin e tyre sipas standarteve të Perëndimit shprehet në dy mënyra: Ose si Sabit Brokaj dhe Spartak Braho kundër Agron Tufës, ose duke aplikuar nga Ambasadat luftë të heshtur, ku të dy metodat i shërbejnë varrosjes të sistemit demokratik.

Ambasada e Shqipërisë në Bernë me largimin e Mehmet Elezit drejtohet nga Ilir Xhelil Gjoni, pra i biri i një eksponenti të njohur të diktaturës dhe nipi i Hysni Kapos, numri dy i nomenklaturës diktatoriale komuniste.

Në dhjetor të vitit 2013 i kam drejtuar një letër të hapur Presidentit të Republikës të Shqipërisë Bujar Nishani që të mos e dekretonte Ilir Xhelil Gjonin, jo se kisha fakte kundër tij, por e shihja të mjaftueshme që kishte lidhje të forta gjaku me ish regjimin dhe nuk ishte distancuar prej tij. Mblodha edhe shumë firma dhe ia paraqita edhe këto Presidentit Bujar Nishani, i cili nuk i mori parasysh dhe e dekretoi Ilir Xhelil Gjonin, ndërsa i njëjti Bujar Nishani nuk do të dekretonte Ambasador në Vatikan një ish të burgosur politik si shkrimtari i njohur Visar Zhiti.

Ambasadorët me skeletë në dollapë kanë mbetur të njëjtë sikur në ditët e egra të diktaturës. Nëpër Ambasada ata kanë vijuar luftën kundër “armiqve” të ish regjimit diktatorial, duke përdorur lloje të tjera vrasjesh.

Natyrisht Zvicrën nuk e bëjnë dot kurrë Shqipëri, por duke shpërdorur detyrën e zyrtarit të lartë publik ata shkaktojnë dëme të pallogaritëshme, duke përçarë komunitetin e duke sjellë e mbjellë frymën e luftës të klasave kur diktatura e konsideronte diasporën Mërgatë Qyqesh.

Dorëheqja e Agron Tufës nga detyra pas tre vjet linçimi është kambanë alarmi.

Kur Agron Tufa është larguar nga Shqipëria, më tepër se kurrë, sot bëhet i nevojshëm demokratizimi i vërtetë i Shqipërisë që si kusht sine qua non kërkon dekomunistizimin e shtetit.

Po të analizohet kariera e ish eksponentëve të diktaturës në tranzicion si Spartak Braho e Sabit Brokaj me shokë apo e trashëgimtarëve të ish regjimit, do të vihet re se rrëzimi i diktaturës nuk ka ndikuar aspak negativisht dhe nuk ua ka prishur aspak karierën e shkëlqyer  si zyrtarë publikë as bijve të ish- nomenklaturës, pa kurrëfarë merite,  as ish Sigurimsave apo personave që me firmën e tyre direkt apo indirekt jane pushkatuar njerëz të pafajshëm.

Mjafton të shohësh karrierën e shkëlqyer politike të Ilir Xhelil Gjonit pas 1992, për të parë se në Shqipëri nuk ka ndryshuar asgjë.

Prej 1992, Ilir Xhelil Gjoni ka qenë deputet i PS, Ministër i Brendshëm dhe Ambasador, ndërkohë që ka bërë specializime në vendet e BE dhe SHBA, ndërsa viktimat e regjimit diktatorial janë endur nëpër botë për të gjetur një strehë. A ka cinizëm më të madh!

Kur iu drejtova Presidentit të Republikës me Letër të Hapur, nuk e paragjykova Ilir Xhelil Gjonin, por kisha parasysh standartet etike të një shteti demokratik. Ilir Xhelil Gjoni nuk kishte merita personale, ai ishte i zgjedhur politik, por që nuk i kishte denoncuar kurrë krimet e diktaturës dhe nuk ka treguar kurrë me veprime se është konvertuar, pra ka mbetur në shekullin e shkuar.

Kjo është situata dramatike që mbretëron në shtetin shqiptar dhe ambasadat e këtij shteti!

Dekomunistizim do të thotë të prishet kjo “status quo”. Agron Tufa u përpoq që, duke respektuar standardet Perëndimore, t’i aplikonte ato standarte edhe në Shqipëri, çka ishte mision i pamundur.

Dekomunistizim nuk do të thotë t’i shpallësh armiq luftëtarët e luftës Antifashiste sikur spekulojnë kërcënuesit e Agron Tufës, por të pastrosh sistemin nga figura të përlyera sikur veproi Gjermania menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore kur bëri denazistizimin.

Një vend anëtar i NATO-s nuk duhet që të ketë në pikat kyçe të institucioneve të shtetit njerëz me lidhje eksplicite me të shkuarën dhe të pa distancuar nga krimet kundër njerëzimit që ka kryer regjimi totalitar.

Lind pyetja e përse nuk vijnë në krye të shtetit shqiptar, përfshi edhe në krye të Ambasadave njerëz me bindje politike qofshin të majta apo të qendrës, por që janë figura të pastra dhe të respektuara ?

Lind pyetja e përse në historinë kontemporane, ku jemi të gjithë dëshmitarë, të pas rrëzimit fake të diktaturës, shtetin e kanë në dorë të njējtët njerëz ose me lidhje me regjimin totalitar ose me skeletë në dollapë ose të lidhur me mafien?

Kjo është situata dramatike në Shqipëri dhe ngjan e pashpresë!

Këtë e tregon edhe akti i dorëheqjes i Agron Tufës, i cili deri në minutën e fundit si Drejtor i ISKPK, shërbeu me dinjitet, duke patur si kauzë standartet Perëndimore të sistemit, ku dekomunistizim do të thotë themele të shëndosha të shtetit të së drejtës, që të garantojë jetë të denjë për qytetarët, pa marrë parasysh preferencat politike.

Por lufta e shtetit, (se Spartak Braho dhe Sabit Brokaj me shokë identifikohen me vetë shtetin shqiptar) ndaj një personi të vetëm, që është Agron Tufa tregon se në çfarë degrade ndodhet sot Shqipëria! Është e patolerueshme që Spartak Braho dhe Sabit Brokaj me shokë të jenë shtetarë të një vendi anëtar i Aleancës Veri-Atlantike.

Degrada bëhet edhe më kritike kur shtypi i lirë në Shqipëri është nën pranga. Dhe pa shtyp të lirë e të pavarur nuk mund të pretendohet për ndryshime.

A do të ketë drejtësi për Haxhi Baçinozin që në diktaturë e mbajtën të burgosur nën tortura ndërsa në vitin 2019 e njëjta diktaturë e vrau në sy të të birit!

Kujtoj Zërin e Amerikës më 1990-1992 se si i trimëroi Shqiptarët.

Shqiptarët sot janë të varfër, të mjeruar, pa shtet të së drejtës dhe të frikësuar.

I gjithë populli është vulnerabël, elitat janë vulnerabël. Agron Tufa i trimëronte shqiptarët! Kriminelët me pushtet, (ish segmente të diktaturës), në një shtet anëtar të NATO-s e detyruan Agron Tufën që të largohet dhe tani e kërcënojnë se do ta ndjekin këmba këmbës deri në Zvicër apo kudo që të kërkojë strehë !

Le të mendojë secili si për veten e tij, nëse nuk ka një vend pune, nëse nuk e ka strehën e sigurt, nëse nuk ka drejtësi, a mund të jetojë në atë vend?

E vërteta është se Agron Tufa, qoftë edhe një njeri i vetëm i tronditi dhe ua luajti themelet kriminelëve me pushtet. Agron Tufa u përpoq e bëri gjithçka që të ndryshonte diçka dhe si përgjigje mori linçimin nga falangat me ndërgjegje të pistë, të ndyrë gjatë diktaturës që sot vijojnë të kenë pushtetin dhe synojnë ta mbajnë me çdo kusht duke i fshehur krimet e diktaturës dhe duke kryer krime të tjera.

Një popull vulnerabël kërkon energji pozitive, kërkon që të ketë mijra si Agron Tufa; por kur vendit i ikën edhe një i vetëm, atëherë çfarë do të bëhet me këtë vend?

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj-Ne mbrojtje- Agron Tufa

NJË LETËR NGA KANADAJA DHE TRI SKICA NGA EGLANTINA MANDIA

December 16, 2019 by dgreca

Letra më tronditi. Kisha kohë që nuk kisha informacion rreth shkrimtares Eglantina Mandia, që jeton në Kanada. Më kishte dërguar librat e saj për bibliotekën e Vatrës dhe rrallë ndonjë shkrim. Letra më tronditi; jemi kaq afër dhe nuk e mësuam lajmin e përkeqësimit të shëndetit të saj? Me çfarë merremi në 24 orshin e çmendur të mbushur me lajme të trilluara,me shpifje e biografira të stisura, ku mbizotërojnë mllefi, smira dhe xhelozia për jetën e karrierën e tjetrit dhe harrojmë shëndetin e miqëve. O Zot, pse kaq të mllefosur ne shqiptarët? Po jeta është fare e shkurtër, aq e shkurtër sa harrojmë përkohshmërinë tonë në këtë jetë boshe….

Letra ishte fare e shkurtër: Z.Dalip,përshëndetje,e gëzuar festat që po vijnë!

Për një kohë të gjatë kam qenë e sëmurë,e tani jam më mirë.

Po ju dërgoj tri skica, në qoftë se u pëlqejnë botojini,duke i korigjuar më parë.

Gjithë të mirat, për Ju e familjen,

Miqësisht,Eglantina

I përcolla një mesazh mirësie fisnikes Eglantina dhe i lexova me një frymë tri prozat e shkruara bukur, që për kënaqësi të lexuesëve po i publikoj me urimin: Të shkuara ! Zoti të ruajtë Eglantina!

           ***

MIRËSE TË GJEJ JETË!

NGA EGLANTINA MANDIA      

Pas një kohe bajagi të gjatë munda më në fund të kaloja nga hospice në 6038 Empress Street,Windsor, Ontario.

Ditët që kalova aty ishin të vështira po edhe disi ngushëlluese,për qetësinë, shërbimin,kujdesin dhe dedikimin e personelit shëndetësor ndaj të sëmurit në kohën e fundit të jetës së tij.

HOSPICE është ndërtuar mbi parimin e Nënë Terezës.Një spital i veçantë si të qe një hotel me pesë Yje edhe për familjarët që jetonin së bashku në apartamente me të dashurit e tyre  në ikje,ku çdo ditë ishte e fituar, çdo lindje dhe perëndim dielli e bekuar.

Dhe binin këmbanat pa pushim: Dig…,Dong… Dig… Dong!

Për cilin binin këto këmbana!?

QETËSI E TEJDUKËSHME

Nga vijmë e ku vrapojnë kështu si ROBOTË këta njerëz?

Askush të vërtetën nuk e di. Mjegullnaje e tëra!

AISBERGU  e çau TITANIKUN Mes per mes. Katastrofë e rrallë që u prish gjumin natën plot ëndërra njerëzisë.

   ***

Mbrëmë erdhi një fertyme e çmendur që u shkuli krahët Atavareve,ndërsa këmbanët me kujë binin pa pushim!Stuhi,errësirrë,trungje të lashtë u kthyen përmbys,si në ditën e qametit apo gjyqit të Madh.U duk se u përmbys JETA,pra kjo jeta jonë njerëzore u thërmua si një krisral.

Po jo aspak! “I ra gurit dhe e çau,i ra njerit dhe duroi”

BRAVO  O NJERI që je NJERI!

Pa pritur Atavare Diellorë ndritën kaltërsisht.Dhe erdhi kjo ditë e re, kësmet i  ri

Qoftë nga më të bukurat në Botë

Bota është shumë e madhe sigurisht,veçse është fjala për atë botën,thesar jete,që mban sejcili prej nesh,bota eterike e shpirtit.

E sot ia behu kjo ditë me dielli…Gëzojeni këtë ditë si zgjim pranvere. Qoftë e bardhë e bukur si sytë e SESILES,që flasin pa folur,e mençme shumë kjo amerkane,6 muaj si  të qe 6 vjeç.

E shpirtit i jep pakëz dritë perëndije,siç thotë edhe Poeti ynë, kombëtar,Naim bej Frashëri,se këta poetët kanë cilësinë të kapërcejnë ylberet 7 ngjyrash e të përtrihen, si Zogu Fenikas, sa herë bëhen hi e pluhur.

E këmbanat bien e bien!

Le të bien sa të çahen këmbanat prej tunxhi!

Gjithëçka e ripërtrirë këlthet me zërat njerëzorë.

PYLLI ËSHTË PYLL, ripërtihet vetë, dalin e kurrë s’mbarojnë filizat e rinj .

 FËMIJËT{engjëjt e Botës }këndojnë  e kurrën e kurrës, s’pushojnë:MIRËSETËGJEJ ,O JETË, O DIELL, O DRITË,BUKURI, DASHURI

***

II

LOKJA E LEZES

Çdo ditë e kurdoherë, njeriu  rritet e plaket tu nxanë!

 Lokja e Bjeshkëve të Nemura mund ta quajë atë Fisnike, veshur me xhubletë,afro 90 vjeçare me celular në dorë,dhuratë nga  çika, më e vogla e trembëdhjetë fëmijëve të saj,LEZE,që ajo i thërriste përtej largësive:RREZE,.PRA RREZE DRITE!

Që të jemi më konkretë,Kjo LOKE,jetonte në vise të moçme Shqiptare..pikërisht atje ku rrëfehej histori e Ymer Agë Ulqinit e na kujton atë qytetin e bukur shqiptar,ULQININ, një nga stolitë  e rralla të anëdetit shqiptar,të banuar kjejt nga shqiptarë,e të shkëputur nga trungu ynë , bashkë me Tivarin,me vendimet famëkeqe të Berlinit,më 1878..

Pra kjo LOKE ,hyri krejt rastësisht në shtëpinë time në Windsor, ON. Canada, kur Leze rrezja pat arrdhur për një vizitë familjare e urimi: SHËNDET E GËZIME!

 Fjalë e bukur apo jo?

Thotë Lezja:

Unë Loken e kam nënë ,motër shoqe,..E kam kuptuar me të vërtet çdo të thotë NËNË,kur kam lindur djalin tim,që tani është 16 vjeçar.E kam lindur me operacion.Vështirë e kam pas.Po të mos isha këtu në Kanada,as unë as djali e as fëmijët e tjerë nuk do të ishin.Vend i bekuem thotë Lokja ime atje tek bjeshkët tona me ujë burimi e liqene të kaltër… të kaltër.

 Si sytë e tu ,Leze!

Ehh sytë e mij.

Pse i ke kaq të trishtuar sytë? Pyes vogëlushen time 6 vjeçare,me sy blu,blu.

Përse zemra ime e vogël.

Fëmijët ,ëngjëjt e botës kurrë nuk duhet të lindin me sy kaq të bukur blu me vështrim prej të rrituri,sikur të kenë jetuar shumë jetë,sikur brenda tyre xixëllonjat mos  të jenë lodra të ndritëshme,sikur nga tej largësive mos të bien meteorët,apo kometat!

Unë qesh me fat që më priti Kanadaja me krahë hapur,kur  na përzunë si të padëshruar,emigrantë të fëlliqur,pa din e pa iman ..

 Ne u mblodhëm në kishat tona e iu lutëm Zotit!

Siç bënin në kullat tona ,ku xhubleta e LOKES,ishte streha jonë!

TI JE ME TË VËRTET NJË RREZE E BUKUR DRITE LEZE!

Dhe LOKJA JOTE ËSHTË NJË MONUMENT I GJALLË ME CELULARIN, DHURAT NGA TY NË 85 vjetorin e saj…

FALEMNDERIT

                             ***

III

DITË PRILLI

 Meditime ndërmjet Kontinenteve me Oqeanet në mes,pra ndarja e Atlantidës.

Ditët më të bukura të vitit në atë trevë me aromë lulesh e bari të gjelbërt.Filizat të njomë  bulojnë në palcën e sytheve, që gëlojne brenda trungjeve  të ullinjve përballë detit të lashtë sa vetë lashtësia.

Është e pabesueshme fryrja e kërcitja e bulëzave plot tingëllima zërash e fjalësh belbëzake,të herëshme edhe ato sa rrënjët e jetës mbi të cilën zotëron një zeth i njomë, i ëmbël  si rrjedhja e qumështit të mëmës, që thërret:

”O SHQIPËRIA IME!TI KE PAS  KENUN NJË ZONJË E RANDË.

BURRAT E DHEUT TË THOJSHIN NANË!”

NANË,NANË,NANË!Ç’PO NDODH KËSHTU ME TY,  O E BUKURA IME?!

Ngjarjet janë të ngjashme po aq sa edhe të pangjashme jo vetëm në Shqipërinë tonë të vogël ,po edhe në të gjithë botën e madhe dendësohen retë e zeza.

Bota e madhe andej e këtej kontinenteve shkundej nëpërmjet ëndërrave e shpresave, thatësirës, tërmeteve, krizave ekonomike ,luftërave, që s’kanë të mbaruar,traktateve, që kurrë  s’ përfundojnë, ku peshkaqenët kërkojnë gjah tek të vegjëlit,të dobëtit,të uriturit,të pambrojturit,ku qetësia në bunace nuk është, veç një pauzë e shkurtër midis Shilles e Harribdes me zërat e Sirenave mashtruese! 

Një makth ku të gjithë enden në  mjegullën e dendur njerëzia e nuk e dallojnë as e gjejnë më njeri jatrin.

Thonë se të gjitha sherret në këtë dynja i ndjellin bukuroshet,aq të lakmuara, po edhe të mallkuara njëkohësisht,aq sa edhe luftërat shkaktohen nga një dashuri apo tradhëti që nga koha e Elenës së Spartës, shkaktare e luftës së Trojës me Greqinë, nga pabesia e saj!

Histori tepër të pabesuara kalorsiake,kokëteri burrëro, që i a qërruan sytë të ziut NARCIST ,në çastin, edh që duhej t ‘i kish më të hapur se kurrë,megjithëse në ato treva në breg të detit mbi shkëmb,  këndohej edhe një këngë:’Kapiten i ri, si bora ne mal,unë ty s’ndërroj kurrë, as me një gjeneral”!

Po kush ta dëgjonte?

Të shurdhërit apo të verbërit e ditët e bukura të Prillit,në Mëmëdheun e dashur,plot mjegullime e mekje qesharake krejt  të kota tragjikomike?

ZOT I MADH DHE I VËRTETË KIJ MËSHIRË PËR NE!…..

Filed Under: ESSE Tagged With: Eglnatina Mandia-Letra dhe tri skica

Për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët këto ditë dhjetori në Zvicër

December 16, 2019 by dgreca

Shkruan: ALFRED PAPUÇIU*/

Shkas për këtë shkrim në këto ditë para Krishtlindjeve, u bë miku im nga Kosova, Samiu. Atëherë, duke mbajtur në krah djalin e tij, Gentin, që shihte varur në mur flamurin kombëtar, ai më dhuroi ndër të tjera një kasetë me muzikë të artistes sonë të Popullit, Vaçe Zela. Nuk e di, por në mbrëmje e dëgjoja me vëmendje zërin melodioz të Vaçes, ato këngë të viteve ’60-’70 dhe m’u kujtua koha kur ajo këngëtare me atë zë kumbues e të fuqishëm i këndonte Atdheut të saj, Myzeqesë, ku ka lindur e jetuar, të gjitha trojeve shqiptare. M’u kujtua edhe miku im, ish-bashkënxënësi, inxhinieri Budjoni, të cilin e takova rastësisht në Florida ku është vendosur me familjen e tij. Ai më pyeti atëherë për Vaçen, për shëndetin e saj dhe unë të them të drejtën nuk dija më shumë se ai, megjithëse Vaçe Zela banonte në Zvicër. Ndoshta puna, hallet e përditshme nuk na kanë lejuar të takohemi me të gjithë njerëzit në Zvicër e mbi të gjitha me një artiste të madhe, e cila e ka kohën e kufizuar dhe nuk është me shëndet të mirë. Ndoshta një rast do të ishte një ditë feste ku të ftoheshin shkrimtarë, piktorë, studentë, punëtorë të nderuar, që për vite të tëra jetojnë në Zvicër. Natyrisht, shqiptarët shkojnë te njeri-tjetri dhe bisedojnë për hallet e tyre, e megjithëse larg, diskutojnë me dashamirësi edhe për vendin e tyre, Shqipërinë, për të afërmit, për shokët e tyre.

Në këto ditë dhjetori, më kujtohen edhe miqtë e Shqipërisë, personalitete të fushave të ndryshme, të cilët nga mënyra se si komunikojnë me shqiptarët, qoftë në takime zyrtare apo sipas ftesave në familjet e tyre, tregojnë interes për Shqipërinë, si dhe kanë respekt për të gjithë ata shqiptarë që japin ndihmesën e tyre në një mënyrë ose një tjetër për vendin e vet. Edhe tani, pas pasojave të tërmetit. Kadri Avdullahi, që banon në Gjenevë, më shkruan nga Tirana se solidariteti i bashkëbesëlidhësve po pasqyrohet kudo me ndihmat që po vijnë nga shumë vende të botës. Ledi Ikonomi më dërgon çdo ditë njoftime mbresëlënëse. Robert Rakipllari, i “Panoramës”, e ka gazetën me njoftime për ndihmat që do japë Europa, Amerika dhe vende të tjera dhe për organizimin e Konferencës së Donatorëve. Gjergji Biba më shkruan për solidaritetin e bashkëbesëlidhësve kudo në botë. Njoftime që të mallëngjejnë.

A mund të mos përmend piktorin e talentuar, të ndjerin Bujar Marika, i cili në çdo ekspozitë pikture që ka organizuar në Zvicër, Gjermani, Francë e gjetiu apo që piktura të tij janë depozituar edhe në muze të SHBA-ve, gjithmonë e ka përmendur prejardhjen e tij nga Shqipëria dhe ka qenë krenar për këtë? Më kujtohet si sot kur studentë të shumtë që studiojnë në Gjenevë, vunë mbi ballkonin e ndërtesës ku banojnë, si dhe në stadium, flamurin shqiptar, ditën kur Shqipëria luajti në Gjenevë me Zvicrën. Nuk mund të ri pa përmendur kujtimet e Tafil Boletinit, këtij atdhetari të përkushtuar, i cili e vuri jetën e vet në shërbim të kombit e atdheut, si demokrat, pa menduar për interesin vetjak, por për njerëzit e thjeshtë edhe gjatë kohës kur ishte në Fier. Në këto ditë dhjetori, pas pasojave të tërmetit, të përkushtuarit Hasan Barmeta, Erlind Llupo dhe bashkëshortja e tij, Jorida dhe Roel Zoga, dhe shumë të tjerë, kanë filluar punën për të pritur në muajin prill 2020, klientët e parë që do të vijnë të pushojnë në plazhet tona të bukura të Golemit apo bregdetit tonë nga Saranda në Velipojë.

A mund të ri pa përmendur në këto çaste, André Crettenand, i cili tregon më tepër se 500 vite të historisë të Zvicrës, te libri i tij “Zvicra – zbulimi i një Kombi”? Kam lexuar shumë libra për arritjet e këtij vendi të vogël, gjatë tri dekadave të jetës sime në Zvicër, që e kam përshkruar disa herë, me sipërfaqe afro dyfishi i vendit tonë, që Rilindasit tanë e kanë menduar edhe për Shqipërinë tonë, por edhe për Kosovën martire. Por t’ju them të drejtën, ky libër më ka bërë të mendoj edhe për kombin tonë, që ka vlera dhe pasuri natyrore shumë më tepër se Zvicra, një bregdet të virgjër, në një pjesë të territorit të saj dhe njerëz punëtorë dhe paqedashës. Prandaj u nisa për udhë dhe vendosa ta përkthej në shqip këtë libër të përkryer, të një gazetari të njohur zviceran.

“Helvétia është një mit, – shprehet autori. -Zvicra është një markë. Por si u krijua si vend, i populluar nga tetë milionë banorë, krenarë, me gjithë ndryshimet e tyre, me flamurin e tyre me Kryqin e Bardhë që njihet kudo? Dhe si arrin ajo të mbetet aq e begatë, duke qëndruar me vetëmohim, jashtë Bashkimit Europian që e rrethon? Që nga brigjet e liqenit Leman deri te fusha e Grütlit, në lartësitë e Zvicrës qendrore, deri te luginat e Valesë, te rrëpira deri në kufijtë italofone të Tessin. Identiteti i Zvicrës kudo është ngritur në virtyt. Por kujdes. Kjo lumturi e të qenit zviceran, shpesh e karikaturizuar nga ata që e vëzhgojnë nga jashtë me zili, gjithashtu meriton një diagnozë kërkuese”.

A mund të mos përmend profesorin e dëgjuar zviceran, anëtarin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Jean-Philippe Assal, i cili në një ceremoni për nder të tij, përmendi të parën Shqipërinë, nga vendet ku ka mbetur i impresionuar dhe janë realizuar projekte në fushën e shëndetësisë, si dhe do të realizohen edhe në të ardhmen? Nuk mund të ri pa përmendur edhe të ndjerin, muzikologun Marcel Cellier, pjesëmarrës në Festivalin Folklorik shqiptar, i cili me nagrën e tij ka realizuar emisione aq mallëngjyese për Shqipërinë në “Radio Suisse Romande”, disa muaj me radhë. Apo i madhi, kineasti Freddy Buache, i cili mbeti i impresionuar nga vizatimi i portretit të tij, prej kineastit shqiptar, Bujar Kapexhiut, gjatë ditëve të filmit shqiptar, në Kinematikën zvicerane në Lozanë? Shkrimtarja e dëgjuar zvicerane, Marie-Luce Dayer, me të cilën po përgatis një vëllim tjetër dygjuhësh me titull “Në krahët e shqiponjës”, pas “Karuzelit të ëndrrave”, botuar në shqip, e njeh Shqipërinë dhe shqiptarët nga shkrimet dhe bisedat me shqiptarët, nga Ismail Kadare, nga respekti që ka krijuar për fëmijët shqiptarë, të cilëve u ka dhënë me dashuri mësim. Çdokush që kalonte vite më parë në Rrugën e Elbasanit, nuk mund të mos ndalte shikimin te shkrimtarja zvicerane, profesoresha Francine Koch, autore e librit “Fëmija shqiptar me sy të zinj”, një libër mbresëlënës, me përshtypje vetjake gjatë vizitave në Shqipëri, që ndërmori në vitet 1994-’97. Atë libër që unë e përktheva në shqip, me shumë dëshirë, ato ditë dhjetori. Më kujtohet një darkë, kur ishim ftuar nga Francine Koch në një festë të organizuar në Gjenevë për Shqipërinë. I gjithë mjedisi ishte me plot fotografi nga Shqipëria, fëmijë zviceranë dhe shqiptarë, edhe nga Kosova, të gëzuar kërcenin së bashku. Kudo kishte flamurë shqiptarë. Një simbol i madh që na krijonte përshtypjen se ishim në Shqipëri apo Kosovë, në tokën tonë. Nuk mund të harroj humanistin Musa Zenelaj, i cili ishte i përkushtuar deri në fund të jetës së tij, për t’ua bërë sa më të lehtë jetën pacientëve që vuanin nga talasemia në Shqipëri. Në sa e sa konferenca ndërkombëtare kemi marrë pjesë me të, organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Talasemisë, TIF, ku ai ngrinte zërin për të ndihmuar Shqipërinë me ndihmesë teknike për pacientët e shumtë talasemikë. Ai vazhdonte këtë rrugë pas përpjekjeve të profesorëve Selaudin Bekteshi, Enis Boletini dhe Afërdita Gusho, që gjithë jetën e tyre u përpoqën t’ua bënin sa më të lehtë jetën pacientëve shqiptarë.

Krahas këtyre vlerësimeve për personalitetet e huaja dhe shqiptarë, më kujtohen mbresat e atyre ditëve të dhjetorit, kur ishprofesori im i letërsisë, fisniku Nonda Bulka, na ftoi të zhvillonim mësimin në kodrat e Liqenit të Tiranës. Një çast i paharruar atë ditë të bukur, që besoj se u kujtohet të gjithë shokëve dhe shoqeve të mia të universitetit. Më kujtohet dhe profesori i paharruar, Vedat Kokona, i cili ditëve të dhjetorit ngjitej me ne në këmbë në malin e Dajtit, me gjithë moshën e tij atëherë, mbi 60-vjeçare. Ai na shpjegonte me dashuri e erudicion letërsinë frënge dhe fliste me admirim për korifenjtë e asaj letërsie, veprat e të cilëve i përktheu gjatë gjithë jetës së tij. A mund të ri pa përmendur të paharruarin Reis Malile, tepër njerëzor, që një ditë dhjetori nuk harronte të na dërgonte, megjithëse ishim larg atdheut, përshëndetje dhe urime për Vitin e Ri që do të vinte. Më kujtohen ato ditë dhjetori të vitit 1959, kur im atë i paharruar, Tuni Papuçiu, duke pasur mbështetjen e shkrimtarit Bedri Dedja dhe shumë shkrimtarëve e piktorëve të tjerë, përfshirë edhe piktorin e shquar Agim Faja, punonte deri natën vonë, me devotshmëri, mbi bocat e revistës “Fatosi”, për të nxjerrë numrin e saj. A mund të ri pa përmendur akademikun Bedri Dedja, i njohur botërisht në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë, i cili me gjithë moshën e tij mbi 70-vjeçare nuk reshte pa shkruar edhe nga Nëshateli i Zvicrës, ku vinte herë pas here, për vocërrakët e Shqipërisë kudo që ishin, që ta mbajnë gjallë gjuhën amtare dhe dashurinë për vendin e tyre. Romani i tij i ri që titullohet “Sikuriada, ose Kalamajtë e pallatit tim-3”, i redaktuar në mënyrë të përkryer nga bashkëshortja e tij, Pandora Dedja, i drejtohej, siç thoshte vetë autori, popullit të kalamajve, jo vetëm me ngjarje të vërteta e përralla, por edhe me një program se si ata do ta shndërrojnë e përparojnë atdheun e tyre të dashur, kur të rriten e të bëhen gra e burra, deputetë, ministra e kryeministra, presidentë, prefektë, kryetarë bashkie, drejtorë, inxhinierë e artistë. “Përrallat e Zvicrës” që unë i përktheva profesorit të nderuar në frëngjisht, lexohen nga vocërrakët shqiptarë, zviceranë dhe gjetiu. A ka krenari më të madhe se të jesh shqiptar, kur lexon shkrimet e shkruara me dashuri për Shqipërinë dhe shqiptarët nga Bajroni, Robert d’Angely e qindra të tjerë? Ne jemi krenarë që i përkasim një populli që gjuha e tij është një nga gjuhët origjinale indoeuropiane më të vjetra dhe që ka mbetur e paprekur me gjithë invazionet e shumta të huaja. Një gjuhë që vazhdojnë ta flasin e mësojnë fëmijët shqiptarë në Zvicër, Amerikë, Gjermani, Kanada etj., e mijëra të tjerë, falë edhe kujdesit të autoriteteve të këtyre vendeve. Këto ditë dhjetori, na bëhet zemra mal kur kujtojmë solidaritetin e përkryer pas rënies së tërmetit në Shqipëri, të një populli që ka pasur Nënë Terezën si bashkatdhetare. Të respektosh dhe të duash vendin tënd, të punosh me devotshmëri për të kudo që je, është një shenjë dinjiteti dhe emancipimi. Të tillë janë miqtë, shokët, të afërmit e mi kudo janë, në Zvicër, Sunio, Toronto, Nju Xhersi, Nju Jork, Florida, Las Vegas, Berlin, Bordo, Londër, Stamboll, Stokolm, Romë, Shqipëri etj., etj.. Prandaj, në këto çaste, duhet flakur tej fryma e klaneve, e futjes së pykave midis bashkatdhetarëve kudo që janë, e shpërndarjes së fletushkave apo e letrave anonime kundër bashkëkombësve nga ana e njerëzve dështakë dhe arrivistë, që vegjetojnë ende edhe pak edhe nëpër rrugët e Europës apo botës. Në fakt, ata nuk i shërbejnë kombit, por prishjes së frymës së kohezionit, të dashurisë për njëri-tjetrin, ata i shërbejnë kthimit të një kohe që ka perënduar njëherë e përgjithmonë. Do të ishte me mend që ata të kujtojnë se jetojnë në vende si Zvicra apo edhe gjetiu, ku bashkëjetojnë me zviceranët apo popujt e këtyre vendeve, shumë përfaqësues nga popuj dhe shtete të ndryshëm të botës, të cilët identitetin e tyre kombëtar e ruajnë me ligje. A nuk duhet të marrim shembull nga shumë popuj të vendeve të tjerë, që janë detyruar të largohen nga vendi i tyre, jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe për të punuar dhe jetuar edhe në një shtet tjetër, qoftë edhe për disa vite, dhe që e duan njëritjetrin, bashkatdhetarin e tyre, e ndihmojnë njëri-tjetrin dhe me sa kanë mundësi japin ndihmesën e tyre me investime për shtetin e tyre amë? Por kjo do të arrihet nëse krijohet një frymë solidariteti apo mbështetjeje nga të gjithë ata që e ndiejnë se edhe diaspora shqiptare, kudo që është, të afrohet dhe të bëhet e ndërgjegjshme për fatet e një kombi të lashtë dhe që nuk mund të zhduket kurrë, me gjithë anatemat apo pykat e ndonjë keqdashësi të kohëve moderne. Fatet e Shqipërisë dhe të Kosovës, mund të mbrohen nga të gjithë shqiptarët kudo që janë, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare apo politike, si dhe nga miqtë e tyre të shumtë në botë. Ky meditim personal përçohet i tëri nga mbresat e mia të sinqerta jetësore, nga dashuria dhe malli për atdheun, nga synimi për të sjellë si një shqiptar i thjeshtë një mesazh human.

Gjenevë, më 15 dhjetor 2019

*Titulli i redaksise. E dërgoi për Diellin, autori. E falenderojme.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Alfred Papuciu- Shqiperia-Kosova- ne Zvicer

Tiparet fashiste që demonstroi “antifashizmi” serb, maqedonas dhe malazez ….

December 16, 2019 by dgreca

  • Tiparet fashiste që demonstroi “antifashizmi” serb, maqedonas dhe malazez në qëndrimin ndaj popullit shqiptar të Kosovës me vise gjatë Luftës së Dytë Botërore/

Shkruan: Prof. Dr. Muhamet Shatri*/

Lufta e Dytë Botërore dhe zhvillimet e saj krijuan kushte të reja gjeopolitike në Ballkan dhe në trojet etnike shqiptare. Gjatë kësaj lufte Kosova me vise e tjera shqiptare të robëruara nga sllavët e jugut u pushtuan nga Italia, Gjermania dhe Bullgaria dhe u ndanë në mes tyre. Në bisedimet rreth ndarjes u theksua se kriter themelor për përcaktimin e kufijve të rinj do të ishte përkatësia kombëtare e popullsisë, ndonëse nuk u respektua plotësisht, parim ky që ishte shkelur shumë nga Fuqitë e Mëdha gjatë caktimit të kufijve të Shqipërisë jo vetëm në këtë kohë.

Bashkimi me Shqipërinë, edhe pse jo i plotë, ishte bashkim kombëtar që u krye në rrethanat e konfrontimit dhe të konfliktit botëror. Duke konfirmuar këtë të vërtetë studiuesi Patrick Moulton shkruante se ”është ironi e fatit që në këtë kënd të errët të Evropës, vetëm fashizmi ndreqi atë që ishte dhe vazhdoi të jetë padrejtësi”.

Udhëheqja e PKJ që në fillim të luftës kishte kristalizuar vijën politike e ushtarake, të gjenocidit ndaj antishqiptarëve dhe e kishte përpunuar e programuar në format e metodat më të sofistikuara për zbatimin e saj.

Udhëheqja e Partisë Komuniste Shqiptare (PKSH), nën diktatin e emisarëve të Partisë Komuniste Jugosllave (PKJ), që në fillim pranoi vlerësimet globale të PKJ për Shqipërinë si ”arterie kryesore të imperializmit italian në Ballkan dhe si bazë e kundërrevolucionit dhe e shtypjes së Lëvizjes Nacionalçlirimtare (LNÇ) të popujve të Ballkanit”. Ajo nuk i njohu kufijtë e caktuar nga Italia, Gjerma­nia dhe Bullgaria, jo se me këtë ndarje kishin mbetur shumë treva shqiptare jashtë shtetit amë, por pse këta kufij ishin vendosur nga pushtuesit fashistë, dhe siç propagandonte ajo, u shërbenin atyre. PKSh theksonte se ”zgjerimi i Shqipërisë është parullë e fashizmit dhe e tradhtarëve të vendit, për të ngjallur ndjenjat shoviniste, për të forcuar armiqësinë e popullit tonë me popujt fqinjë jugosllavë e grek dhe për ta larguar atë nga lufta”.

Zhvillimi i Lëvizjes Antifashiste për shkak të përvojës së hidhur nën pushtetin serbo-jugosllav, si dhe për faktin se idetë komuniste vinin nga Rusia, projektuese e zbatuese e platformës dhe e strategjisë shekullore antishqiptare, nuk patën mbështetje në popullin shqiptar të Kosovës dhe të  viseve të tjera shqiptare të pushtuar nga sllavët e jugut. Prandaj, komunistët shqiptarë të Kosovës dhe të viseve për rreth, përfshirë këtu edhe ata të ardhur nga Shqipëria, mbetën deri në fund të luftës ujdhesë e izoluar në detin e komunistëve sllavë dhe përpjekjet e pjesës së tyre atdhetare për jetësimin e idealeve të çlirimit kombëtar në bashkëpunim me armiqtë shekullorë ishin një utopi.

Për jetësimin platformës se çlirimit dhe të bashkimit kombëtar të shqiptarëve, me përkrahjen e Italisë dhe të Gjermanisë, vepruan dhe luftuan Komiteti Kosovës, Lidhja Popullore Shqiptare dhe sidomos Lidhja e Dytë Shqiptare e Prizrenit, e cila nga shtatori i vitit 1943 deri në gjysmën e dytë të nëntorit të vitit 1944 arriti të mbronte pjesën më të madhe të Shqipërisë se Sipërme, përfshire edhe një pjesë të Sanxhakut. Por një pjesë e tij, përkatësisht bërthama e Lëvizjes Nacional Demokratike (grupi i irredentës në krye me Selman Rizën), duke ndjekur përcaktimin programatik e rilindësve, e shihte vendin e Shqipërisë në botën demokratike perën­di­more dhe nuk bashkëpunoi me shtetet fashiste.

Komunistët jugosllavë, ndonëse i thërrisnin shqiptarët që ti kundërviheshin fashizmit, nuk ishin të kënaqur me demonstratat antifashiste, që u organizuan në Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare gjatë viteve 1941-1943. Atyre nuk u pëlqente pse këto demonstrata përkujtonin përvjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në analizën që Komiteti Krahinor i Partisë Komuniste për Kosovë e Metohi (KK i PKJ)  u bëri këtyre demonstratave u kritikua pjesëmarrja e komunistëve dhe e veprimtarëve shqiptarë të Lëviz­jes Antifashiste në to dhe u nënvizua se ky aktivitet kishte qenë i njëanshëm dhe në dobi të inte­resave të nacionalizmit shqiptar.

Udhëheqjes jugosllave nuk i konvenonte as angazhimi i shqiptarëve të Kosovës me vise në “Lëvizjen Nacional Çlirimtare” (“LNÇ”). Ajo donte që ata të mos faktorizoheshin nëpërmjet “LNÇ” dhe t’i shpallte të gjithë bashkëpunëtorë të fashizmit për t’i zhdukur apo të shpërngulur më dhunë nga Kosova.

Në këto rrethana vazhdoi propaganda edhe denigrimi i shqiptarëve të Kosovës, e cila u mbështetë fuqimisht edhe nga udhëheqja e PKSH. Kështu Enver Hoxha në letrën drejtuar sekretarit të Komitetit Qarkor të PKJ për Rrafshin e Dukagjinit, Ismet Shaqirit, në prill të vitit 1944, shkruante se Kosova është bazë e reaksionit shqiptar e jugosllav” dhe se kundër tyre duhet luftuar pamëshirshëm. ”Nga Kosova, theksonte ai, do të rekrutohen një numër i madh forcash, të cilat armiku do t`i dërgojë kundër partizanëve të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë”. Prandaj, ai u bënte thirrje formacioneve partizane kosovare që të bëjnë çmos për vëllazërinë e popujve të Jugosllavisë, për t`u bashkuar në luftën e përbashkët dhe për t`u ruajtur prej grackave, të cilat do t`ua bëjnë shovinistët duke i nxitur në grindje reciproke.

Në tetor të vitit 1944, me kalimin e formacioneve të Ushtris Nacionalçlirimtare të Shqipërisl në Kosovë e në Jugosllavi, u vendosen lidhjet e ngushta e të vazhdue­sh­me midis tyre dhe reparteve partizane kosovare e jugosllave. Nuk ka dyshim se kalimi u bë në kohën kur udhë­heqja e PKJ-së kishte përcaktuar përfundimisht qëndrimin e saj për të ardhmen e viseve shqip­tare. Përpara këtyre qëndrimeve dhe presioneve u gjunjëzua plotësisht edhe udhë­heqja e PKSH, e cila jo vetëm që nuk mundi të shtrojë problemin e të ardhmes së Kosovës e të viseve të tjera shqiptare, por që nga Plenumi i Beratit vuri në pikëpyetje edhe ekzis­ten­cën e Shqipërisë si shtet i pavarur.

Nga ata tjetër, udhëheqja e PKJ e përçmonte deri në skajshmëri aleaten e saj duke theksuar se pushteti që u vendos në Shqipëri nëpërmjet Luftës Antifa­shis­te Nacional­çlirimtare ishte ende i dobët dhe i pa konsoliduar. Prandaj, sipas saj shteti i ri shqiptar nuk mund të ekzistonte dhe të hynte “në rrugën e ndër­timit të shoqërisë socialiste” në rast se atij do i bashkohej edhe Kosova dhe Rrafshi i Duka­gjinit, popullsia e të cilave “kishte mbajtur qëndrim armiqësor gjatë Lëvizjes Antifashiste. Propagandën denigruese të udhëheqjes së PKJ e mira­tonte edhe Hysni Kapoja, komisar i Korparma­tës I dhe anëtar të KQ të PKSH-së kur u shtronte   komisarëve të të dy brigadave të dërguara në Kosovë si detyrë parë­sore: ”Të popullarizohet miqësia e popullit shqiptar me popujt e Jugosllavisë” etj, pa përmendur me asnjë fjalë të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje dhe për statusin e Kosovës pas lufte, e mos të flasim për çështjen e bashkimit me Shqipërinë.

Përkundër faktit se repartet e UNÇSH kishin ardhur me ftesën e udhëheqjes së PKJ  që t’u ndihmonin maqedonasve, serbëve dhe malazezëve për ripushtimin e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare, atdhetarët e këtyre trevave nuk pranuan të vazhdonin luftën kundër vëllezërve të tyre nga Shqipëria. “Me zemër e me pushkë jemi me ju, deklaronin udhëheqësit e forcave atdhetare dhe jemi gati që edhe pushkët tona t’i bashkojmë në luftë kundër gjermanëve, por gjithnjë kemi frikë nga forcat serbe, sepse serbët janë të pabesë”. Ata njëkohësisht shprehnin edhe drojën se mos brigadat shqiptare i tradhtonin. Megjithatë, “shqiptarët u vëllazëruan shpejt me shqiptarë” dhe, pas 28 tetorit të vitit 1944, luftimet në Kosovë u zhvilluan pothuaj plotësisht vetëm kundër forcave gjermane.

Në gjysmën e dytë të vitit 1944 formacionet partizane të Serbisë filluan sulmin frontal për ripushtimin e Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare. Shtabi Kryesor i Serbisë në Proklamatën e gushtit të vitit 1944 drejtuar shqiptarëve të Kosovës i akuzonte dhe kërcënonte njëkohësisht: ”Ju deri më tash keni qenë të mashtruar prej gjermanëve dhe u keni ndihmuar. Ata ju kanë hedhur në luftë për llogari të vet në Mal të Zi, në Maqedoni dhe më në fund në Shqipëri. Në këtë mënyrë ju jeni bërë pjesëmarrës në krimet që ka bërë okupatori gjerman. Së bashku me pushtuesit fashistë ju keni ngritur dorën kundër popujve fqinjë, dhe në këtë mënyrë keni bërë turpin më të madh. Për shkak të qëndrimit të këtillë, ju deri më tash nuk keni fituar të drejtën të jetoni në barazi dhe vëllazëri me popujt e Jugosllavisë”.

Propagandës thellësisht armiqësore e shumë denigruese për shqiptarët si shovini­stë e kriminelë, i printe gazeta “Borba”, organ i KQ të PKJ-së, e cila në nëntor të vitit 1944 shkruan­te se në Kosovë pas 6 prillit të vitit 1941 serbët dhe malazeztë kishin jetuar nën shtypjen e sho­vi­nis­­tëve shqiptarë, që i shndërruan këto treva në arenë të tmerrshme të vrasjeve dhe djegieve”. Si­pas saj, ata ishin reaksionarë e shovinistë, që kishin bashkë­pu­nuar si popull me pushtuesit e huaj dhe që si të tillë duhej të jepnin llogari. Sipas kësaj logjike shqiptarët duhej të përgjigjeshin për krimet e fashizmit, për gjendjen e popullsisë jugosllave në Koso­vë dhe në viset tjera shqip­tare në kohën e pushtimit, etj.

Udhëheqja e PKJ përdori të gjitha mjetet për të diskredituar e njollosur popullin shqiptar, që do t’i shërbente për të justifikuar zbatimin e planeve dhe të proje­kteve të vjetra anti­shqip­­tare. Për shqiptarët nuk vlente asnjë lloj ligji dhe ata nuk mund të ishin të barabartë me popujt e tjerë të atij vendi. Kështu me Ligjin e amnistisë, më 20 tetor 1944, xhandarët, nëpunësit e financës, të policisë, oficerët dhe të gjithë pjesëmarrësit e njësive çetnike të Drazha Mihaj­llo­vi­qit, kriminelët e të gjitha ngjyrave, jo vetëm që u amnistuan, por atyre u jepej njëko­hë­sisht mundë­sia për t`u futur në aradhet partizane, dhe ashtu si më parë, me kokardën çetnike, tani me yllin pesëcepësh të vrisnin ”kundër­revo­lu­cionarët shqiptarë”. Ligji mbi amni­sti­në që ishte i vlefshëm për të gjithë popujt, nuk shërbente për shqiptarët. Asnjëherë nuk u tha zyrtarisht se edhe nga radhët e shqiptarëve kishte elementë të gënjyer nga demagogjia e okupa­torit fashist, siç u tha për popujt tjerë, në veçanti për popullin serb.

Propaganda komuniste jugosllave ishte në funksion të përpjekjeve për spastrimin etnik të Kosovës dhe të trevave të tjera etnike shqiptare, që u forcua prej tetorit 1944, duke u justifikuar si luftë kinse kundër ”kundërrevolucionit” dhe mbetu­ri­nave të tij. Ai filloi në zonat periferike, por shpejt u shtri në mbarë trevat shqip­tare. Këto veprime luftarake, veç formave të tjera, u shoqë­ruan edhe me projek­tet antish­qiptare të Vasa Çubrilloviqit,  ”Problemi i pakicave në Jugos­llavinë e re”, dt. 3. XI. 1944 për pas­tri­min etnik të Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit, Fushës së Pollogut e të trevave të tjera etnike shqiptare, nëpër­mjet shfarosjes dhe shpër­ngul­jes së shqipta­rë­ve e serbizimit të këtyre trevave.

Masakrat kundër shqiptarëve në rajonin e Karadakut të Shkupit filluan në vjeshtë të vitit 1944 nga Brigada VIII e Preshevës, Brigada XII serbe e Bujanocit, Aradhja Parti­zane e Shkupit dhe një batalion i ushtrisë bullgare. Këto njësi vranë, plagosën, keqtrajtuan dhe plaçkitën shumë shqiptarë të kësaj ane.

Fushata e terrorit antishqiptar u shtri edhe në rajonin e Kumanovës e të Preshevës. Nga mesi i nëntorit të 1944-ës aty u ekzekutuan shumë shqiptarë nga Presheva dhe rrethina, si dhe nga Malësia e Gjilanit dhe e Bujanocit. Masakra të ngjashme u bënë edhe në fshatin Novosellë e Epërme, në Zarbincë etj., nga Brigada XVII maqedonase dhe nga repartet e OZN-as.

Kjo praktikë zbatohej edhe në trevat e Maqedonisë Perëndimore dhe mori përmasat e terrorit dhe të gjenocidit të organizuar. Për këtë qëllim u krijuan burgje e kampe të përqendrimit jo vetëm në qytete, por edhe në qendrat më të vogla, në zonat e dislokimit të reparteve të shumta ushtarake dhe të OZN-as. Në Tetovë, në stacionin e Monopolit të Duhanit, u mbyllën, më 17 nëntor të vitit 1944, rreth 1000 veta, midis të cilëve shumë pleq dhe fëmijë nga qyteti dhe fshatrat përreth, një pjesë e të cilëve u likuiduan mizorisht. Kampe u ngritën edhe ndërmjet Dibrës dhe Gostivarit dhe nëpër viset tjera të Maqedonisë shqiptare. Këto veprime i mbështeste edhe përfaqësuesi i Stabit Suprem të Ushtrisl Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë (UNÇJ), Svetozar Vukma­no­viq-Tempos, i ndodhur atëherë në Maqe­do­ni. Sipas urdhrit të tij në gjitha kampet e përqendrimit pushkatimet, sipas listave të përpiluara më parë nga repartet e OZN-as, ua lanë vendin masakrave me proce­durë të shpejtë.

Edhe depërtimi në Kosovë dhe në trevat shqiptare të reparteve të ushtrisë bullgare u shoqë­rua nga veprimet arbitrare mbi popullin shqiptar. Sipas raporteve të asaj periudhe nga terreni, në Mitro­vicë e në Vushtrri, repartet e ushtrisë bullgare kryen grabitje, vjedhje, keqtrajtime, rrahje vrasje të shqiptarëve dhe dhunime të grave me çarçaf. Vetëm në fshatrat Dërvar, Dobërllukë dhe Kçiq të Vushtrrisë, gjatë ditëve të fundit të nëntorit 1944, u vranë 22 veta.

Vlen të theksohet se formacionet ushtarake serbe që depërtuan në Kosovën e sotme mbanin primatin në veprimtarinë e tyre kriminale antishqiptare. Madje disa reparteve që u dër­guan në rajonin e Kaçanikut iu dha direktiva që të “vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë”, ndërkaq në planin më të gjerë formacionet ushtarake të Serbisë kishin për detyrë “ta pastronin Kosovën nga bandat fashiste dhe të dënojnë zullumqarët”. Në përputhje me këtë përcaktim kriminal antishqiptar Shtabi i Divizionit të 46-të Serb, në raportin e 17 nëntorit 1944, dërguar Kor­parmatës XIII të UNÇJ-së, veç tjerash, vinte në dukje se ”të gjithë meshkujt në sektorin e Gjilanit dhe të Prishtinës ishin të mobilizuar në repartet e armikut dhe kishin marrë pjesë akti­visht në luftë kundër nesh së bashku më gjermanët”.

Veprimtaria kriminale e antishqiptare e ushtrisë jugosllave dhe e OZN-as u shtua pas qëndresës së armatosur në Ferizaj, Rahovec, Janjevë, Gjilan dhe anë e kënd në trevat shqiptare, që shërbyen si pretekst për t’i shndërruar trevat shqiptare në një kasaphanë të vërtetë.

Populli shqiptar i Kosovës dhe i trevave të tjera etnike ishte i vetëdijshëm për misionin e reparteve jugosllave dhe i priti ato me zjarr. Mirëpo, fatkeqësisht këtë nuk e dinin, apo nuk donin ta dinin udhëheqësit e Shqipërisë dhe disa nga drejtuesit e reparteve të UNÇSH-së që erdhën në Kosovë. Për të kuptuar këtë realitet, ata nuk i ndihmuan as vërejtjet e shumta të popullit, si të njerëzve të thjeshtë ashtu dhe të kryepleqve e të parisë së vendit dhe insistimi i tyre se Kosova dhe trevat e tjera shqiptare nuk duheshin lënë në dorë të të huajve.

Propaganda jugosllave i kishte mashtruar aq shumë disa nga komisarët e zëvendës-komi­sa­rët e UNÇSH, sa që ata i kërcënonin me plumb ”kosovarët reaksionarë”, madje edhe ushtarët e vet nëse shtronin çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Kështu, zëvendës-komisari i Brigadës XXV të UNÇSH-së, Spiro Pano, më 17 dhjetor 1944, i shkruante KQ të PKSh, se ”Brigada XXV përbëhet nga luftëtarë të Malësisë së Gjakovës, të Hasit e të Kosovës, që janë shovinistë të tërbuar. Ata propagandojnë me ngulm se Kosova e trevat e tjera janë shqiptare dhe duhet të bashkohen me Shqipërinë.”

Mirëpo, një pjesë e drejtuesve të reparteve të UNÇSH-së kishin qëndrim tjetër fare. Ata nuk mund ta kuptonin përse autoritetet jugosllave i kishin shpallur Kosovën me vise baza të okupatorëve fashistë, vëllezërit e tyre armiq të ”vëllazërimit” shqiptaro-jugosllav dhe ”çerdhe të reaksionit”. Aq më pak e kuptonin pse shtabet e tyre para se të vinin në Kosovë ishin porositur : ”të mos bihet në pozitat e disa njerëzve, pasi në zonat ku shkojmë (lexo në Kosovë) shovinizmi (mendohej në atë shqiptar, sepse atë jugosllav as që guxonin ta zinin në gojë (shënim i autorit), ”është i zhvilluar gjer në krime”. Dhe shtabet e brigadave të UNÇ të Shqipërisë, në vend që t` i merrnin në mbrojtje shqiptarët, urdhëronin vartësit e tyre që ”t´u jepnin goditje të fortë masave shqiptare për t`i ndarë nga drejtuesit kriminelë”.

Më 9 dhjetor 1944, SHS i UNÇJ-së urdhëroi largimin e reparteve të UNÇSH-së nga Kosova dhe kalimin e tyre në Sanxhak dhe në Bosnjën Lindore. Me këtë veprim, udhëheqja jugosllave donte t’i kishte duart e lira për të vepruar në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare. Pas largimit të brigadave të UNÇSH-sëdhuna dhe terrori u përhap edhe në Rrafshin e Duka­gji­nit. Një nga krimet më të shëmtuara në këto anë e përbën masakra e 22 dhjetorit 1944 kundër familjes së Rexhep Halit Bardhecit në fshatin Muzhevinë (Muzakaj) të komunës së Istogut. Aty sadi­zmi arriti kulmin, kur një nga ushtarët serbo-malazez pasi ngriti djepin e fëmijës 7 muajsh, e qëlloi atë me automatik. Në pjesën jugore të shtëpisë njëkatëshe brenda kopshtit të saj u varro­sën 12 anëtarët e masakruar të kësaj familje. Shpëtoi vetëm një vajzë 6 vjeçare që arriti të fshi­hej në turrën e druve. Dhe e gjithë kjo u bë në shenjë hakmarrjeje për plagosjen e një partizaneje, që u godit nga i zoti i shtëpisë kur mbronte familjen.

Këto të dhëna konfirmohen edhe nga raportet e reparteve të UNÇSH-së, që u kthyen në këto anë nga Sanxhaku, ku thuhet se repartet serbo-malazeze pa asnjë kriter kanë vrarë njerëz. Vrasjet dhe pushkatimet janë kryer aq mizorisht, sa janë marrë fëmijë të vegjël dhe pa menduar fare, janë vrarë dhe janë lënë mbi tokë të pavarrosur. Nga ana e tij, Shtabi i Brigadës III të UNÇSH-së theksonte se ”në disa vende kufomat ishin lënë jashtë”. “Në Istog kemi gjetur 7 të vrarë, kufomat e të cilëve po i hanin qentë”. Derisa ndodhnin këto, kryetari i Këshillit ”Nacional Çlirimtar”  të Kosovës i zgjedhur në Bujan, Mehmet Hoxha, u zu keqas me Shtabin e Brigadës III të UNÇSH në Pejë, sepse drejtuesit e këtij forumi kishin lejuar familjet për të varrosur 30 të masakruarit shqiptarë në atë qytet.

Në ditët e para të janarit të vitit 1945 forcat ushtarake dhe ato të OZN-as, pasi e arres­tuan Gani Kryeziun, duke u thënë se do t’i dërgonin në Pejë, i nxorën nga kulla e Sylej­man Krye­ziut 22 luftëtarë të Ganiut dhe 4 ithtarë të tij. Në rrugë e sipër, në fshatin Hereç të Deça­nit, i zbri­tën nga kamioni dhe i mbytën që të gjithë. Dëshmitarët Malë Shyti nga Berisha dhe Zenel Ade­mi nga Gashi, që patën fatin të shpëtojnë, kanë lënë dëshmi rrëqethëse për këtë ngjarje tragjike.

Më 15 janar të vitit 1945 në fshatin Fierzë (ish Novosellë) të Pejës repartet e Brigadës IV Kosovare pushkatuan 22 banorë të fshati dhe 5 të tjerë nga fshatrat përreth.

Plaçkitjet, dhuna e gjenocidi përfshiu edhe Plavën e Gucinë, si dhe trevat e tjera shqiptare në Mal të Zi ku u dallua sidomos Brigada I e Bokës dhe ajo VI Malazeze. Kundër kësaj veprimtarie të shëmtuar kishte protestuar pranë Misionit Ushtarak jugosllav në Shqipëri edhe Tuk Jakova, i cili sekretarit të këtij misioni, Nijaz Dizdareviqit i pohonte se ”shokët tuaj malazezë tregojnë urrejtje ndaj shqiptarëve” dhe si pasojë “urrejtja kundër Jugosllavisë është përhapur tek gati tërë populli shqiptar në Mal të Zi”.

Edhe shqiptarët e këtyre trevave u shpallën ballistë e bashkëpunëtorë të okupatorit. Kundër tyre u ndërmorën ekspedita shfarosëse nga Tivari e deri në Ulqin, Plavë e Guci, Rozhajë e Pazar të Ri. Në shënjestër të OZN-as dhe të ekspeditave antishqiptare u vunë veprimtarët dhe pjesëtarët e familjeve të njohura shqiptare, të cilët u likuiduan në mënyrat më mizore.

Pushteti ushtarak i vendosur në Kosovë më 8 shkurt 1945 ishte i njëjtë me pushtetin që i ishte imponuar popullit shqiptar më 1912 dhe më 1918 dhe shërbeu për t’i mohuar atij të drejtat e ligjshme, të fituara me gjak dhe të garantuara me Kartën e Atlantikut të Fuqive të Koalicionit antihitlerian. Një diktaturë e tillë ushtarake qe vendosur më parë se në Kosovë edhe në Banat, Baçkë dhe Baranjë, territore në të cilat shumicën e popullsisë e përbënin hungarezët dhe gjer­ma­nët. Me vendosjen e Pushtetit Ushtarak fushata e ndjekjes dhe e terrorit antishqiptar u fuqizua dhe mori përmasa të gjera.

Për t’i pasur duart e lira në zbatimin e terrorit dhe të gjenocidit mbi popullin shqiptar, udhëheqja jugosllave gjatë marsit të vitit 1945 mobilizoi me dhunë forcën më vitale të shqiptarëve “për ta dërguar në Frontin e Veriut dhe Veriperëndimit në luftë kundër trupave gjermane”. Shumë prej të rinjve shqiptarë të mobilizuar në brigadat kosovare ose në radhët e njësive të tjera jugosllave u likuiduan prapa krahëve, ose në sektorët më të vështirë të luftimeve. Gjurmë e mbresa të thella e tronditëse lanë masakrat masive në Tivar, Goricë dhe ekzekutimet masive anë e kënd trevave shqiptare dhe tokave të Jugosllavisë.

Përkundër qëndrimit nënshtrues të njësiteve të UNÇSH-së ndaj atyre jugosllave largimi i tyre nga këto anë ndikoi në përkeqësimin e gjendjes dhe rrethanave. Tani kur udhëheqja jugosllave kishte konsoliduar pozitat e veta dhe kur gati tërë Jugosllavia ishte çliruar, prania e ushtrisë shqiptare në këto treva përbënte një faktor kërcënues. Prandaj Josip Broz Tito, për të dalë nga gjendja e papëlqyer, inskenoi nevojën e ndjekjes së ”bandave reaksionare ” drejt jugut, drejt Greqisë. Për këtë qellim, ai kërkoi ndihmën e atyre forcave të Shqipërisë që ende ishin në Kosovë. Udhëheqësja shqiptare u pajtua edhe me këtë kërkesë. Në prill të vitit 1945, forcat e UNÇ të Shqipërisë u larguan nga rajonet e Mitrovicës dhe të Vushtrrisë në drejtim të Gjilanit dhe të Ferizajt. Prej andej, në verë të po atij viti, ato forca u dis­lo­kuan në trevat shqiptare në Maqedoni.

Përkundër pranisë së brigadave të UNÇSH-së në trevat shqiptare të Maqedonisë vazhdoi dhuna dhe terrori. Në kujtesën e shqiptarëve në Maqedoni ruhen kujtimet më të hidhura, për veprimtarinë e njësiteve ushtarake, OZN-as dhe të administratës maqedonase që i bashkonte antish­qipta­rizmi.

Në fund të vitit 1945, kur dhuna dhe terrori nuk kishin të ndalur, forcat e UNÇSH-së u detyruan të largoheshin nga territori shtetëror i Jugosllavisë, duke kaluar në përmjet të zonës e Korçës e të Prespës. Populli shqiptar i këtyre anëve e ndjeu po aq rëndë sa edhe ai kosovar tërheqjen e ushtrisë së vet dhe mbetjen nën sundimin jugosllav, që u bë me pëlqimin e udhëheqjes së PKSH. Është ky një shembull sui generis që ushtria e shtetit amë të ndihmojë forcat e armatosura të armiqve shekullorë (të Jugosllavisë) për të ripushtuar pjesët më të çmueshme e më të dhimbshme të atdheut, të mbetura padrejtësisht jashtë kufijve të vitit 1913. Si rrjedhim, vazhdimi i dhunës dhe terrorit mbi pjesën e popullit shqiptar në Kosovë dhe vise të tjera për ndisa dhjetëvjetësha e mbajti të ndezur zjarrin e frymës se qëndresës dhe të luftës për liri e pavarësi, e cila mori intensitet sidomos në vitet e 90-ta dhe kulmoi me Luftën Çlirimtare të viteve 1998-1999, me të cilën mori fund pushtimi Kosovës nga Serbia. Por, Maqe­donia shqiptare, Kosova Lindore, Plava Gucia dhe Malësia e Tuzit, bregu i detit prej Tivarit në Ulqi­nin, bashkë me Sanxhakun mbeten në sundimin e huaj.

*Dergoi per Gazeten Dielli-Nue Oroshi.

Filed Under: Analiza Tagged With: Prof.Dr. Nue Oroshi-Tiparet fashiste-Antifashizmi sllav-Serb-Malazez-maqedonas

HISTORIA – MOLLË SHËRRI. DERI KUR?

December 16, 2019 by dgreca

“Detyra e vërtetë e historisë është të paraqesë ngjarjet, së bashku me idetë, e t’i lerë vërejtjet përkatëse dhe përfundimet lirisë dhe së drejtës së gjykimit të secilit”- FRANCIS BACON (1560 – 1626), filozof, letrar e burrë Shteti anglez/

Shkruan: Eugjen Merlika/ DIELLI/

            Ditët e fundit të nëndorit qenë dramatike, pjesërisht tragjike, për shqiptarët, në një betejë të pabarabartë me një tërmet të fuqishëm që shkaktoi viktima njerëzore e dëme të mëdha në banesat e qytetarëve. Në këtë atmosferë të trishtuar, një lajm i papritur tërhoqi vëmëndjen e jetës kulturore: prof. Agron Tufa, kryetar i Institutit për studimet e krimeve dhe të pasojave të komunizmit, dha dorëheqjen nga detyra e, së bashku me familjen, u largua nga Shqipëria për të kërkuar strehim politik në Zvicër. Kishte tridhjetë vite që nga akti i largimit të shkrimtarit më të njohur të gjysmë shekullit të fundit, Ismail Kadaresë, në prag të tjetërsimit të sistemit, që Shqipëria nuk ballafaqohej me një dukuri të tillë, e cila nuk duhej të përbënte ndonjë lajm, mbasi në këto vite qindra mijra nënshtetas të saj e kishin braktisur në kërkim të një mënyre të re jetese në Vende të tjera, afër e larg saj.

            E veçanta e dukurisë Tufa ka të bëjë me motivin shtytës të veprimit që është kushtëzuar, jo nga ndonjë prirje e shkrimtarit për të kërkuar një jetë më të këndëshme në Zvicrën e ëndërruar prej dhjetëvjeçarësh nga bashkatdhetarët e tij, por nga një domosdoshmëri për të siguruar jetën e tij dhe të familjes nga trysnitë, kërcënimet e rreziku që i kanosej. “Për shkak të pranisë së madhe në institucionet qëndrore të shtetit të ish oficerëve operativë të sigurimit të shtetit, un pra kalova në një konfrontim të hapur publik i cili pastaj, për fat të keq, mori natyrën e përqëndruar të një kryqëzate sulmesh kundër meje personalisht, duke u shoqëruar me shpifje, shantazhe, kërcënime, deri tek kërcënimet me vdekje. Këto lloj formash të presionit e frikësimit mbërritën deri në një moment kur u dendësuan dhe un ndjeva një rrezik për jetën time dhe të familjes, deri sa u bë e papërballueshme dhe e padurueshme pasi kisha bërë më parë përpjekje për të gjetur drejtësi në institucionet ligj-zbatuese, në gjyqet që pata hapur ndaj këtyre personave me të kaluar tërësisht të përzishëm në diktaturën komuniste të Enver Hoxhës. Këto qenë arsyet përse ika.”

            Kjo është tablloja shpjeguese e arsyeve që shtynë një qytetar të elitës shqiptare të braktisë atdheun, e shpjeguar në një intervistë të marrë nga Zëri i Amerikës prej publiçistit e studjuesit të mirënjohur Ilir Ikonomi. Është një tabllo e errët që vazhdon të shërbejë si sfond i jetës shqiptare, në të cilën lëvizin si fantazma të patrazuara hijet e së shkuarës diktatoriale, njerëzit e pjesës më besnike të regjimit, ata të ish Sigurimit të Shtetit. Në këtë kontekst, kundërshtia e hapur ndërmjet drejtuesit të një institucioni kulturor dhe disa përfaqësuesve të jetës politike, bëhet e mprehtë e gjen shkas të shpërthejë në lëmin e ndërpretimit të historisë të së shkuarës, veçanërisht asaj të luftës së Dytë botërore. Çuditërisht kjo periudhë vazhdon të mbetet tabu e paprekëshme, llogorja e fundit ku ngujohen politika dhe studimi historik, e kyçur si një vazo Pandore e mbyllur hermetikisht me bindje të parafabrikuara e të përjetëshme.

            Pak kohë më parë, në Kuvendin e Shqipërisë, u paraqit për miratim një projekt-ligj, i firmosur nga dhjetë deputetë të P.S., që synonte të kufizonte rrezen e studimit të Institutit për krimet e komunizmit në periudhën 1945 – 1991. Ky projekt-ligj është ende në pritje të miratimit dhe ideatori i tij, Spartak Braho, vërsulet kundër kryeministrit, duke u shprehur kështu: “Rama ka pesë muaj që ka bllokuar Kuvendin për ndryshimin e ligjit të Institutit që kam propozuar un e disa deputetë të tjerë që e ndalon Institutin e Tufës të merret me periudhën e luftës 39-44. Kulmi!””

            Inkuizitori bashkëkohor Spartak Braho i jep të drejtë vetes të vendosë se çfarë duhet të studjojë e të nxjerrë në dritë një institut që është ngritur e mbahet nga Shteti, për t’i zbuluar opinionit publik shqiptar historinë e atyre viteve të luftës, të bazuar në dokumenta të vërtetë. “Në relacionin që e shoqëron projekt-ligjin, socialistët argumentojnë se Partia komuniste është krijuar më 8 nëndor 1941 dhe në programin e saj nuk ka pasur elementë diktatorialë, ndaj harku kohor i L.A.N.Ç.-it nuk mund të jetë pjesë e studimit të ISK, sepse instalimi i diktaturës u bë pasi komunistët morën në dorë qeverisjen e Vendit.”  

            Arsyetimi foshnjarak në mbrojtjen e kësaj teze fut ujë në të gjitha anët. Nuk mban parasysh se si u themelua Partia nga të dërguarit e Komitetit qëndror të P.K.J., cila qe organigrama e saj që la jashtë drejtimit komunistët më të vjetër, fillimin e veprimeve luftarake në vjeshtën e 1942, kur Shqipëria ishte pushtuar që në prill 1939, lidhjen e këtyre veprimeve me sulmin e Gjermanisë hitleriane mbi B.S., zëvendësimin e frymës së bashkëpunimit mes të gjitha forcave antifashiste të Pezës e të Mukjes me mbizotërimin dhe njëanshmërinë e partisë komuniste, të futur nën sqetullat jugosllave, mospërfilljen e theksuar kundrejt problemit kombëtar të bashkimit të trojeve më 1941, që arriti deri në dorëzimin e Kosovës Jugosllavisë nëpërmjet ndërhyrjes së brigadave partizane shqiptare, frymën e terrorit në luftën civile për të dalë si të vetmit fitues e pushtetarë etj. Simbas tezës së sipërpërmendur kjo maqinë lufte, e përkrahur edhe nga misionet angleze dhe amerikane që, deri atëherë, “shtronte çështjen e çlirimit të Vendit, rivendosjen e pavarësisë kombëtare dhe ndërtimin e një rendi demokratik në Shqipëri”, sa hap e mbyll sytë, më 30 nëndor 1944, “mori në dorë qeverisjen e Vendit duke vendosur detyra, ndërmjet të cilave: eliminimi i kundështarëve politikë, qeverisja e re, hartimi i kushtetutës, reforma ekonomike”, duke shfaqur në gjithë veprimtarinë e saj katërcipërisht tiparet e një diktature, ndër më gjakataret e Lindjes evropiane. Vetëm një logjikë e mangët, në të gjithë përbërësit e saj, mund t’a ndajë me thikë një periudhë historike me të gjitha bëmat e saj e të vendosë veton mbi studimin e një pjese të saj.

            Prandaj çdo sulm ndaj studjuesve që nuk njëjtësohen me njëanshmërinë e historiografisë zyrtare komuniste e paskomuniste, aq më tepër siç është rasti i detyrës zyrtare që kishte shkrimtari Tufa, është një shkelje flagrante dhe e papranueshme e fjalës së lirë dhe e së drejtës së shqiptarëve për të mësuar historinë e vërtetë të gjyshërve të tyre. Nuk ka periudha “të blinduara” në asnjë lloj historie. Prandaj dhe aktet më të fshehta të praktikave qeveritare, kudo në botën demokratike, kanë një kohë të përcaktuar, me mbarimin e së cilës arkivat hapen, duke u bërë objekt studimi për këdo që i kushtohet kërkimit shkencor në dobi të njohjes publike. Çdo orvajtje për të ecur kudër këtij parimi të rëndësishëm të fushës studimore është i prirur për të dështuar me turp, pavarësisht ligjeve të veçanta që diktaturat, kudo në botë, mund të miratojnë me qëllime të caktuara.. Shqiptarët që e kanë kaluar gjysmën e shekullit e mbajnë mënd mirë dekretin shtetëror komunist për “mbrojtjen e monumenteve” më 1990. Si duket të përmalluarit e tij duan t’a shtrijnë atë në studimet historike ende sot, mbas tre dhjetëvjeçarëve.

            Por ajo që duhet të jetë krejtësisht e dënueshme, jo vetëm nga vetëdija demokratike e kombit tonë, por edhe nga vëmëndja e detyrueshme e organeve shtetërore ligj-zbatuese, është fakti i përdorimit të metodave mafioze të fshehta e të hapura për të denigruar e frikësuar profesor Tufën, me qëllim që ai të mos kryejë detyrën e tij qytetare e zyrtare, botimin e dokumentave të veprimtarisë terroriste të komunistëve, gjatë luftës, kur ata janë të vërteta. Në të kundërt secili studjues mund të paditet për mashtrim e t’i nënshtrohet ligjit, krejt ndryshe nga praktika gjysëmshekullore e tjetërsimit dhe shtrembërimit të historisë që ka qënë një kostante e njohur e kohës së regjimit. Dijnë diçka n’atë drejtim mjeshtrat e retushimeve të fotografive në kohë të ndryshme, për të mos folur për futjen e armëve tek kisha e Fretërve në Shkodër e dhjetra e qindra episodesh të sajuara për të përndjekur gjithë atë pjesë të popullsisë që quhej kundështare e regjimit.

            N’atë hulli të trashëguar, sot Spartak Braho shprehet: “Unë i pari, por edhe të tjerë, mendoj se do të bëjnë të pamundurën që edhe atje ku ka kërkuar azil politik të mos gjejë vrimë ku të futet dhe do t’a denoncojmë zyrtarisht si një hajdut dhe me vese tejet të rrezikshme shoqërore.”. Madje një ish ministër, Osman Murati, në postimin e tij në facebook e shton dozën duke shkruajtur: “Nëse bajga Tufa do të proçedohej për krimin e akuzës që i u ka bërë heronjve dhe dëshmorëve të luftës Nacional – Çlirimtare dhe gjykata do t’a dënonte me vdekje, un do të propozoja që të bëhesha autori që t’i jepja plumbin kokës.”. Ish ministri mjeran që, gjatë viteve tetëdhjetë, zbuloi ujin e ngrohtë duke i këshilluar shqiptarët të pinin kafe elbi, ashtu sikurse kryetari i tij, Alia, për të ngrënë bar, mbase nuk e di se në Evropën demokratike dënimi me vdekje ka dhjetëvjeçarë që është hequr. Besoj se fjalët e tyre, ashtu si dhe të tjerëve që bashkëndajnë mendimin me ta, nuk do të kenë asnjë vazhdim në dëm të shkrimtarit dhe familjes së tij, veçse në fantazitë e tyre të sëmura nga urrejtja, por vetë prania e tyre në shtypin e shkruar ose on-line, aq më keq në sallat e institucioneve, përfaqëson reliket e dëmshme të një mendësie të vjetër, të ushqyer me gjakun e vuajtjet e dhjetra mijra viktimave të pafajshme të sistemit të tyre.  

            Largimi i Agron Tufës, të cilit si bashkatdhetar i uroj mbarësi në jetën e re, është një ngjarje e trishtuar që errëson përfytyresën e Shqipërisë, që nuk mund e nuk duhet të jetë ajo e “despotizmave të rinj”, por e një Vendi me standarte të larta në mbrojtjen e të drejtave të njeriut e të parimeve liberale të qytetërimit perëndimor. Heshtja e institucioneve, madje dhe e ambasadave të Vendeve perëndimore është një dukuri tejet shqetësuese, mbasi le përshtypjen se shkaqet që shkaktuan atë largim duhen quajtur rutinë e zakonshme e mund të kenë të drejtë qytetarie në këtë Shqipëri.

            Dhjetor 2019                                                                 

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika-Historia-Molle sherri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 36
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT