• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2019

PËR HIR TË SË VËRTETËS….

December 15, 2019 by dgreca

-NË LIDHJE ME DEBATIN PËR TË ASHTUQUAJTURIN PROJEKTLIGJ I “ANTISHPIFJES”/

Nga Frank Shkreli/

Nga Frank Shkreli/

Komisioni i Parlamentit të Shqipërisë për Median zhvilloi javën e kaluar një seancë dëgjimore me disa profesorë të Fakultetit të Gazetarisë për projektligjet e Qeverisë shqiptare që njihen me emrin “paketa antishpifje”.  Në atë seancë u zhvilluan debate të ashpra, pothuaj deri në përplasje midis profesorëve të gazetarisë që kundërshtojnë miratimin e atij projektligji dhe disa deputetëve të Komisionit të medias, duke shkaktuar kështu që disa pjesëmarrës të ftuar si dhe deputetë, të largoheshin nga seanca.  Qëllimi im sot nuk është të flas për meritat ose jo të këtij projektligji, pasi jam përcaktuar, me kohë, kundër kësaj nisme anti-demokratike, siç janë shprehur edhe shumica e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare nga mbarë Evropa.  Unë jam me gazetarët dhe për lirinë e tyre të fjalës dhe të të ushtrimit të profesionit të tyre pa ndërhyrje nga qeveria! Por ajo që më bëri përshtypje dhe që më la një shije të idhët në gojë, ishte deklarata e njërit prej deputetëve socialistë, Z. Musa Ulqini, i cili u shpreh gjatë seancës se, “Ky projekt-ligj nuk ka të bëjë fare me shtypin e shkruar.  Ju bëjë thirrje të gjithëve që jeni këtu të merrni informacion.  Shqipëria ka miratuar në vitin 1997 një ligj për shtypin e shkruar me tre nene.  Kemi aplikuar standardin e Kushtetutës amerikane.  Neni i parë thotë: shtypi është i lirë.  Neni 2 thotë: liria e shtypit mbrohet me ligj. Nuk është ndryshuar….”, ka deklaruar deputeti socialist, gjatë seancës të ënjten që kaloi, në mbështetje të paketës së ashtuquajtur “anti-shpifje” të qeverisë së Kryeministrit Rama. I bëj thirrje deputetit Ulqini dhe të tjerëve që mund t’i referohen lirisë së shtypit në Shtetet e Bashkuara, si shembull për lirinë e shtypit në Shqipëri, se sa për informacion Artikulli i parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, jo vetëm që nuk rregullon me ligj lirinë e shtypit, por, në të vërtetë, ndalon miratimin e ndonjë ligji për shtypin nga Kongresi: “Kongresi nuk do të përpilojë asnjë ligj që shkelë lirinë e fjalës ose lirinë e shtypit….”, thuhet në artikulli e parë.  Neni 1 i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara përcakton tekstualisht kështu: “Congress shall make no law respecting an establishment of religion, or prohibiting the free exercise thereof; or abridging the freedom of speech, or of the press; or the right of the people peaceably to assemble, and to petition the Government for a redress of grievances”.

Kështuqë, ndryshe nga ç’pretendoi javën e kaluar deputeti socialist Musa Ulqini, artikulli 1 i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ndalon rreptësisht miratimin e ndonjë ligji për shtypin nga ana e Kongresit amerikan.  Artikulli i parë i Kushtetutës së Shteteteve të Bashkuara NDALON pra qeverinë që të miratojë ligje që rregullojnë vendosjen e ndonjë feje, ndalon miratimin e ligjeve që rregullojnë ushtrimin e fesë dhe ndalon miratimin e ligjeve që pengojnë ose kufizojnë lirinë e fjalës dhe të medias.  Kjo sa për informacion për antarët e Komisionit parlamentar të Medias, që të mos përdorin standardet amerikane të lirisë së shtypit për të justifikuar qëllimet e tyre djallëzore për kontrollimin e medies shqiptare.

Thomas Xhefersoni dhe Xhejms Madisoni, bashkautorët e Artikullit të parë të Kushtetutës amerikane mbi lirinë e shtypit dhe të fjalës

Në të vërtetë, jam i bindur se të gjithë kundërshtarët e mbrendëshëm dhe të jashtëm të paketës “antishpifje”, të qeverisë Rama do ishin të kënaqur sikur Zoti Ulqini dhe kolegët e tij socialistë në Komisionin e medias të bindin Kryeministrin Rama që Shqipëria të aplikonte vërtetë standardin e Kushtetutës Amerikane për liritë që i akordohen medias dhe gazetarëve në Amerikë.  Por, kjo nuk do të ndodhë, sepse përpjekjet dhe qëllimet e deri tanishme, për projektligjin “antishpifje” të qeverisë Rama dhe të Komisionit të parlamentit të Shqipërisë për Medien, përfshir Z. Ulqini, nuk kanë asgjë të përbashkët me standardet amerikane të lirisë së shtypit dhe të fjalës së lirë.  Këta, i kanë fjalët e mira në publik por kanë gurët në strajcë, thotë një fjalë popullore.  Kanë një fjalor të mrekullueshëm kur flasin për liri e demokraci, sidomos me të huajt.  Njëherë më pat thënë një ish-diplomat amerikan, me përvojë diplomatike në Shqipëri, duke iu referuar përfaqsuesve të klasës politike të 30-viteve të fundit në atë vend, se politikanët shqiptarë, i kanë fjalët e bukura në mbështetje të lirisë dhe të demorkacisë, sikur të ishin Tomas Xheffersona, por veprat i kanë si Enver Hoxha”.  Fjalët e këtij ish-diplomati amerikan mund të jenë ndoshta pak të ekzagjeruara, por në thelb janë të vërteta dhe fatkeqsisht, pasqyrojnë realitetin, sidomos përsa u përket zhvillimeve demokratike dhe zbatimit të drejtave dhe lirive demokratike të shqiptarëve, këto 30-vjetë post-komunizëm, veçanërisht lirisë së medias dhe lirisë së të shprehurit.  Debati aktual, me qëllim miratimin e projektligjit “anti-shqipfje” të qeverisë shqiptare, është një provë e asaj që ka thënë ish-diplomati amerikan, ndërsa deputetët shqiptarë flasin për standardet amerikane të lirisë së shtypit, ndërkohë që mbrojnë një projektligj për medien që nuk ka asgjë të bëjë me standardet ndërkombëtare për medien e leri më standardet amerikane të lirisië së shtypit.

Ekspertët e kushtetutës amerikane thonë se baballarët e këtij Kombi e kanë pasur aq për zemër lirinë e shtypit dhe lirinë e fesë sa që këtyre dy lirive i kanë rezervuar artikullin e parë të Kushtetutës, duke i kushtuar rëndësinë, që sipas tyre, meritojnë këto liri për amerikanët.  Për ne që jetojmë në këtë vend, liria e fjalës, sipas Kushtetutës së këtij vendi, është një parim që garanton lirinë e një individi ose komuniteti, për tu shprehur dhe për të artikuluar pikpamjet ose idetë, pa frikë nga ndëshkimi, cenzura ose nga masa ligjore ndëshkimore nga ana e qeverisë.  Në përgjithësi, fraza “fjala e lirë” ose “liria e të shprehurit”, nënkupton, shprehjen e lirë dhe shpërndarjen e mendimeve dhe të informacionit, pa marrë parasyshë se cili aspekt i medias përdoret, sidomos duke pasë parasyshë teknologjinë e sotëme moderne të shpërndarjes së lajmeve dhe informacionit. Por, nëqoftse deputetët shqiptarë dhe qeveria e Kryeministrit Rama vërtetë janë të interesuar që në Shqipëri të aplikohen standardet e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara për lirinë e shtypit dhe lirinë e të shprehurit, atëherë zgjidhja e këtij problemi është shumë e thjeshtë.  Hiqni dorë plotësisht nga projektligji i ashtuquajtur “anti-shpifje” dhe bazuar në artikullin e parë të Kushtetutës amerikane, mos miratoni asnjë ligj për kufizimin e lirisë së medias dhe të fjalës së lirë, le të vet-rregullohet dhe le të merren gjykatat me shpifjet dhe fyerjet.  Ky është standadi amerikan! Është krejtësisht e pa besueshme se si qeveria dhe parlamenti i një vendi, që mbrenda disa javëve, merr përsipër Kryesinë e Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë, angazhohen pa pikë turpi, para publikut shqiptar dhe para botës, të miratojnë shpejt e shpejt një ligj për medien, që shkel brutalisht të drejtat themelore të njeriut në vend, të mbrojtura nga një mori marrëveshjesh e konventash ndërkombëtare.  Ky është një absurditet shqiptar që është zor të shpjegohet, një paradoks i vërtetë, për të mos thënë një arrogancë përbuzëse dhe mospërfillëse ndaj një organizate ndërkombëtare, e cila si mision të sajin kryesor ka mbrotjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.  Në vend që Shqipëria, në Kryesi të OSBE-së, të jetë një shtet model për vendet e tjera anëtare të kësaj organizate që të zbatojnë angazhimet e tyre për të mos i shkelur të drejtat e njeriut, në përgjithësi, dhe lirinë e medias dhe të fjalës së lirë, në veçanti – Kryeministri shqiptar kërkon, urgjent, miratimin e ligjeve që shkelin këmbë e krye këto të drejta universale themelore të njeriut. Jo më pak se 35 organizata ndërkombëtare nga vende të ndryshme, kryesisht evropiane, së bashku me një numër organizatash të gazetarëve shqiptarë i kanë bërë thirrje, ditët e fundit, Qeverisë Shqiptare ta tërheq paketën anti-demokratike dhe anti-ligjore për kufizimin e lirisë së medias.  Ato thonë se projektligji i ashtuquajtur, “antishpifje” është në kundërshtim të plotë me, “Angazhimet e Shqipërisë në kuadër të kryesimit të OSBE-së dhe në mënyrë të veçantë me nevojën për siguri dhe stabilitet, prosperitet të shtetasve të vendeve tona”.  Siç duket, 35 organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e shikojnë paketën shqiptare të “antishpifjes” edhe si një kërcënim për to, andaj shfaqën masivisht shqetësimin e tyre për efektet negative që mund të ketë Shqipëria — si kryetare OSBE-së në vitin 2020–në zhvillimet demokratike dhe në promovimin e të drejtave të njeriut dhe të lirisë së medias edhe në vendet e tyre.

Ky është artikulli i parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, që mbron lirinë e shtypit dhe lirinë e fjalës, është miratuar më 15 Dhjetor,1791, si një prej 10- artikujve kryesorë që përbëjnë Ligjin e të Drejtave themelore për Amerikanët

Ish Drejtor i VOA-së për Euro-Azinë*

Filed Under: Featured Tagged With: Frank Shkreli-Ligji I antishpifjes

TËRMETI NË SHQIPËRi – TËRMET NË ZEMRAT TONA

December 15, 2019 by dgreca

Shkruan: Prof.  Sami Repishti/

  “ Shkodër,/
Në degëz të mallit tand,/
Luhatet e varun zemra e ime….” /
                                                                 (Poeti në mergim: Anton Çefa)/

Ridgefield, CT- Sot, me të njajtën dhimbje e mall për atdhe, kujtojmë Nanën Shqipëri dhe katastrofën që e ka plagosë randë! Ngushëllimet tona për viktimët.
      Agjensitë e lajmeve shqiptare dhe nderkombëtare njoftojnë se me datën 26 nandor 2019, në territorin e Shqipërisë u ndigjue nji lëkundje e fortë si rezultat i nji termeti në shkallë 6.4 Richter, me epiqendër në qytetin-port të Durrësit dhe në veri të qytetit, zona e Thumanës, dhe qyteti Lezhë. Kjo fatkeqsi ngjau vetëm dy ditë para festimit të programuem për 107 vjetorin e Pavarësisë shtetnore të Shqipërisë. Termeti dhe tragjedia e randë njerëzore përmbysën këto programe dhe vemendja e popullisisë dhe e Qeverisë u përqendrue në marrjen e masave urgjente për ndihmë viktimave të damtueme. Shqipëria ka nevojë të madhe për ndihmë!
    Lajmet që erdhën nga Shqipëria treguen gjanësinë dhe intensitetin e termetit që shkakton, zakonisht, viktima njerëzore dhe dame materiale, kryesisht në banesët e vjetra ose të ndertueme pa plane dhe pa inspektim. Deri tashti, numri i viktimave të vdekun ka arrijtë shifrën 51 (pesëdhjetë e nji) dhe ma shumë se 950 të plagosun, disa prej tyne të plagosun randë. Në disa raste urgjente viktimët jenë transferue në spitale italiane, ku mjeksia e këtij vendi mik ka marrë përsipër detyrën humane të sherimit të tyne. Ndërsa për damet materiale vlerësohen të arrijnë në mijëra pallate dhe banesa private. Rreth 9.000 banorë kanë lëshue shtëpitë dhe kërkojnë strehim kudo që gjindet, pranë individëve ose nga Qeveria. Deri tashti, ata janë strehue në çadra (tenda) të përkohëshme, por me keqësimin e motit vjeshtak gjendja e tyne bahet e padurueshme dhe ka marrë karakter urgjence.
   Shtypi amerikan, dhe sidomos gazeta prestigjioze The New York Times ka shkrue tre ditë me rradhë për termetin dhe damet e tij. Nji rast i rrallë! Televizioni amerikan ka tregue skena të frikëshme të rrenimeve të pësueme.  
    NJi element inkurajues në këte atmosferë deshprimi të justikfikuem ashtë fakti se nji rrymë solidariteti të përgjithëshëm ka lindë dhe ashtë zhvillue në këto ditë zije kombëtare. Mbrenda dhe jashtë Shqipërisë nji popull i tanë ashtë prekë thellë nga përpjestimet e termetit dhe ka fillue fushatën e ndihmës.  “Shqiptaret nga Tirana në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Prishtina në Europë, nga Tetova, Ulqini, Lugina e Preshevës kontribuan në fondet e solidaritetit. Me dhembje të papërshkruar për jetët e humbura, për shkatërrimin apokaliptik në disa zona, kërkoi që të bashkoheni në këte udhëtim të dhimbshëm….” deklaronte KM Rama në konferencën e investitorëve në Turqi. Nji element tjetër ky inkurajues – fryma e solidaritetit nga bota e jashtëme, ndihma nga vende, shoqëni e grupe që kanë bashkënda dhimbjen me fatin e viktimave. Këto kohët e fundit edhe Banka Botënore premtoi nji ndihmë financiare serioze për rindertimin e zonave të damtueme.
     Ashtë nji fenomen i mirëpritun gjesti i fqinjëve tonë italianë, grekë dhe serbë që ofruen ndihmën e tyne që në ditën e parë të katastrofës. Nji qendrim i këtill mendohet se do të jetë nji ogur i mirë për të ardhmen e vendeve tona dhe të marrëdhanjeve ma miqësore në këte zonë të Ballkanit perëndimor. Edhe shtete tjera europiane si dhe disa vende të Lindjes së Afërme kane ofrue ndihmë. Nga ky qendrim solidar lindë edhe shpresa se përkrahja e tyne nuk do të vonohet.
     Nga SHBA, aleatja historikisht strategjike e Shqipërisë, “Zëri i Amerikës” në emisionin e 28 nandorit lajmëron se :” Sot, ashtu si në kohët tjera të vështira, SHBA ashtë në krah të Shqipërisë”. Departmenti i Shtetit Amerikan deklaroi se :” Sot, ne lutemi për familjet e viktimave, si dhe për ata që janë lënduar. Në emër të popullit amerikan, urojmë të gjithë atyre që janë prekur sherim të shpejtë. Shtetet e Bashkuara janë për krah miqëve tonë në Shqipëri….Miqësia SHBA-Shqipëri ekziston si një shtyllë e qendrueshme paqe dhe stabiliteti, dhe ne shpresojmë për shumë vite  tjera miqësie dhe bashkëpunimi, “ përfundon deklarata.
     Gazeta The New York Times e datës 29 nandor, në nji shkrim dedikue termetit në Shqipëri që zen ma shumë se dy të tretat e faqes A8 tregon se punohet intensivisht me shpëtue jetët e viktimave të mbetuna nen rrenojat, megjithëse toka pëson akoma dridhje që frikësojnë. Nji lëkundje ma e fortë se zakonisht, shkalla 5.1 Richter, detyroi pushimin e punës, ndërsa rrugët e qytetit të Durrësit u mbushën me popullsi që lëshojshin banesat nga frika. Shumë ndërtesa u ngritën pa kujdes dhe pa rregull gjatë periudhës së nji tranzicioni të ashpër dhe shpesh herë jo-ligjor, në demokraci që nga viti 1990. Qyteti ka pamjen e rrenimeve mbas nji beteje”.
    Tashti, Qeveria po kujdeset me sigurue strehim të përkohëshëm për viktimët. Personeli teknik i kontrollit të gjendjes së ndertimeve mungon, dhe Qeveria kerkon ndihmë nga bota e jashtëme. Shumë vende europiane, si dhe organet e Bashkimit Europian kanë ofrue ndihmë. “E gjithë kjo, shkruen gazeta e masipërme, ngjet në nji nga vendet ma të vorfëna të Europës, nji vend ku korrupsioni dhe krimi i organizuem mbetet nji problem endemik, dhe termeti vjen në një moment politik të lëkundshëm.” Ashtë fjala për protestat e “opozitës demokratike” që nga mueji shkurt i kaluem, abandonimi i Parlamentit dhe demonstratat masive (të PD-së) që synojshin rrëzimin e Qeverisë së KM Edi Rama, shpesh të shoqënueme me akte dhune të pajusifikueshme, refuzimi nga Bashkimi Europian me hapë diskutimet me Shqipërinë për pranim në këte organizatë, dhe tjera. KM Rama kërcënoi se nji refuzim i këtill mund të shkaktojë trazime në Ballkan, rritjen e nacionalizmit lokal izolacionist, dhe ngritjen(sic!) e problemit të bashkimit kombëtar (Kosovë e Shqipëri) nji aspiratë shekullore e të gjithë shqiptarëve.
     Në Shqipëri dhe në “Shqipërinë lindore” sidomos në Kosovë ashtë krijue nji atmosferë e fortë solidariteti kombëtar që ka afrue dy vendet e Ballkanit Perëndimor. Skuadra ndihmëse të shteteve fqinj bashkëpunojnë me skuadrat shqiptare në operacione për shpëtimi e jetëve sidomos në ditët e para të katastrofës.
     Megjithate, këto përpjekje nuk janë në gjendje me ndryshue situatën për të gjithë ata që kanë humbë gjithçka nga termeti. Për fatin e tyne, nji valë e fortë solidariteti, e pa pame ma parë, u ngrit në Kosovë. “Për Nanën Shqipëri” deklarojnë qytetarët e Kosovës, me sensin e obligimit moral të ndihmës që ata gjetën në Shqipëri, në pranverën e verën e vitit 1999, kur agresioni serb i Millosheviqit dëboi ma shumë se nji miljonë Kosovarë Shqiptarë nga banesët e tyne, jashtë Kosovës, ma të shumtën në Shqipëri. Këtu, në atdheun nanë, ata gjetën strehim e përkrahje deri në ditën e fitores, qershor 1999. “Nana Shqipëri” ashtë thirrja ma emocionale e çdo shqiptari në Shqipëri, në Kosovë, dhe kudo që flitet gjuha e nanës, gjuha shqipe. “Nana Shqipëri” ashte lidhja shpirtënore ma e fortë e ‘dy Shqipërive’ të ndame padrejtësisht.
    Deshmitarë okularë tregojnë për vargjet e gjata kosovare të veturave, kamioneve, dhe paisjeve mekanike që ofruen ndihmë dhe që sherbejnë në punimet e zbulimit e ndihmës  që hyjshin në Shqipëri, shumë prej tyne me flamuj të mëdhej  shqiptarë –kuq-e-zi –  Ndihma të menjiherëshme arrijtën nga Kosova,  Shtypi i vendit njoftoi se nji kosovar bujar ofroi $100.000 dollarë ndihmë, Nji tjetër kosovar dergoi 12 kamionë me ushqim për popullsinë e damtueme. Katastrofa kosovare e vitit 1999 dhe ajo e sotme e vitit 2019 janë dy fenomene negative për natyrën e tyne, por që kanë ringjallë frymën e solidaritetit kombëtar shqiptar; ato janë edhe tregues konkret të unitetit kombëtar shqiptar. Ky solidaritet ashtë hapi i madh drejt afrimit tonë të ndërsjellë dhe të pa evitueshëm kombëtar!
    Nuk ashtë e nevojshme me qenë “andrrimtarë” as të shitemi si “magjistarë” me parapa nji bashkim kombëtar politik të të gjithë shqiptarëve në hapësinen ballkanike. Unë kam bindjen se nji bashkim i këtill ashtë nji eveniment i paevitueshëm historik. Hapi i parë do të jetë pranimi i dy shteteve shqiptare në Ballkan –Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës – si anëtarë të Bashkimit Europian. Në kuadrin e nji Europe të bashkueme, paqësore, të lirë dhe demokratike, afrimi politik i dy republikave paraqitet si nji proces që jo vetëm nuk mund të pengohet, por duhet të përkrahet me qellim që të evitohen konsekuenca të padëshirueshme në Ballkanin Perëndimor. Afrimi ekonomik ekzistues pakëson rolin e sotëm të kufinjve shtetnor. Bashkimi kultural i ngushtë eliminon “ndryshimet” që sot kundërvihen, dhe me kohë përfundon në nji shoqëni shqiptare me synime dhe vlera shoqënore të përbashkëta simbas nevojës së kohës. Koha ashtë në favorin e shqiptarëve. Në nji atmosferë të këtillë, bashkimi politik kombëtar shqiptar nuk paraqet kercënim për fqinjtë, as për Bashkimin Europian. Nji perspektivë e këtillë  konfirmohet edhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e vitit 1998: 
  “Ne, Populli i Shqipërisë….me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar…” (Parathanje)(Theksi im)
     Historikisht shqiptarët nuk kanë pasë nji “perandori” mesjetare të tyne me shtrimje territoriale që përfshinte tokë të hueja, prandej ata nuk reklamojnë “tokët” që kanë humbë gjatë shekujve, dhe nuk aspirojnë në formimin e nji “perandorie” të humbun….si ashte rasti i fqinjëve tonë grekë dhe serbë.
    Nji shenim personal: rreth vitit 2003, me inisiativen e kongresistit amerikan Elliot Engel, (D.N.Y.) nji personalitet politik amerikan që ka studjue pozitën e shqiptarëve në Ballkan dhe ka përkrahë kërkesat e tyne, u organizue nji takim në mes të Z. Andreas Papandreou, Ministër i Punëve të Jashtëme të Greqisë, dhe nji grupi të vogël shqiptaro-amerikanësh të interesuem në përmirësimin e marrëdhanjeve shqiptaro-greke. Njeni nga pjesëmarrësit isha edhe unë. Ministri grek ishte i shoqënuem nga dy ambasadorë grekë. Bisedimi u zhvillue në nji atmosferë të qytetnueme dhe miqësore. Z. Papandreou spjegoi se njeni nga ambasadorët grek (Amb. Londos ?) posa ishte kthye nga nji udhëtim eksplorues në Kosovë, ku kishte takue udhëheqsit kosovarë me qellim eksplorimi të mundësive për kapitalin dhe eksperiencën greke me fillue investimet greke në Kosovë. “Ne i kemi të gjitha, tha ai, kapitalin dhe eksperiencën, dhe jemi gati të ndihmojmë Kosovën në zhvillimin e saj ekonomik.”
    Z. Papandreou na impresionoi të gjithëve për qendrimin e tij mirëdashës dhe për bindjen e tij se duhen përmirësue marrëdhanjet shqiptaro-greke. Ai shtoi: Na e dimë se ky ashtë shekulli shqiptar në Ballkan. Serbia dhe Greqia, vazhdoi ai, plotësuen kërkesat e tyne gjatë shekujve 19 dhe 20. Shqiptarët u zgjuen ma vonë, Tani ata përpiqen të plotësojnë kërkesat e tyne. Kur shikoi ngjarjet e fundit në ish Republikën e Maqedonisë, nuk kuptoj pse kjo republikë nuk jep të drejta të plota për popullsinë shqiptare në atë vend. Ashtë nji e drejtë që ata e meritojnë….. Ma në fund, ai pyeti në se kishim diçka për të thanë. Unë kërkova heqjen e Ligjit të Luftës të vitit 1940 që akoma ruhet në Parlamentin grek. Ai u përgjegj pa hezitue se kemi nji problem me Parlamentin, dhe se ai na siguronte që mbrenda nji viti Ligji do të anulohet. Unë e falënderova. Kolegët e mi shqiptarë vazhduen me pyetje të ndryshme shumica me karakter ekonomik, dhe atmosfera u kthye në nji dialog të hapun për të gjithë.
    Për fat të keq, qeveria greke ra, dhe ministri humbi postin e tij. Sot, ai Ligj absurd ashtë akoma në fuqi dhe nji nga pengesat e mëdha në marrëdhanjet shqiptaro-greke. (Kërkesat tona për ngritjen e problemit çam nuk u inkurajuen….!)
                                              ***
    Ka shumë arsye për inzistim në ngritjen e frymës së solidaritetit tonë kombëtar. Por nji frymë e këtillë kërkon vullnet të mirë dhe zbritjen e tensionit partizan në vendin tonë. Edhe nji fatkeqsi e randë, siç ishte ajo e termetit te 26 nandorit, nuk ushtroj presionin e duhun psikologjik tek “baballarët e kombit” që vazhdojnë avazin e tyne me nji qellim të vetëm: marrjen dhe mbajtjen me çdo kusht të pushtetit qendror. Kjo ka shkaktue vonesën e ndihmës aty ku duhet dhe ka rritë ankesat e popullsisë së damtueme.
   Në fillim, udhëheqsi i PD-së Lulzim Basha dha instruksione për zyrtarët e PD-së që u ngarkuen me dhanë ndihmë për të damtuemët, që të ndihmojshin pa theksue partizaninë e tyne në PD-në. Jam prekë nga ky gjest politikisht korrekt dhe moralisht i detyrueshëm. Në raste të këtilla katastrofësh kombëtare, të gjithë ne, jemi pa përjashtim vetëm argatë të kauzës që sherbejmë. 
    Më lindi pyetja pse Z. Basha akuzonte KM Rama për “150 miljonë dollarë për oligarkët t’i kalohen të damtuemëve nga termeti” simbas shtypit shqiptar. Nji akuzë e këtill nenkupton nji akt kriminel që duhet dënue me ligjë. Në se ashtë e vertetë, Z. Basha duhet të nxjerrë faktet që e provojnë akuzën, dhe ligji duhet zbatue. Në se jo, ai vetëm diskrediton veten dhe humbë kredibilitetin e popullsisë.
    Në të njajtën kohë, nji gazetar shqiptar shkruen: “Termeti që po themelon diktaturën” e cila deri dje ishte e nëndheshme, tani doli krejt në sipërfaqe me përmbajtjet e saja të plota falë arrogancës së (KM)Ramës….(Panorama 6.XII.2019)
    Ndërsa nji koleg i imi nga Tirana, mendimin e të cilit unë çmoj, shkruen: “Si familje nuk patem dam, por edhe ne përjetuam një dramë jo të vogël pa siguri, dhe në pasiguri jetojmë akoma. Në zonat e prekura nga termeti dëmet janë shumë të mëdha. Doli në dritë korrupsioni i shfrenuar i ndertesave, i zyrtarëve që dhanë lejet e ndertimit pa asnjë kriter, ingjinierë zbatues etj. Ndoshta një ditë do të gjejmë qetësi….”përfundon ky mesazh pikëllues që vajton nji gjendje që nuk gjen rrugëdalje!
     Lojë fjalësh! KM Rama i drejtohet edhe nji herë kreut të opozitës, ndërsa shkruen se refuzimi i tryezës së përbashkët nga Lulzim Basha “është një gabim i madh”. Njikohësisht, KM Rama konfirmon se platform e PD-së me 5 pika për të nxjerrë nga kriza bizmenët e damtuem nga termeti në Durrës përkojnë me propozimet e hartuara nga Këshilli Kombëtar i Rindërtimit dhe Ministria e Financave”. “Sot, shkruen nji tjetër gazetar mendje-hapun, “ma parë se gjithçka  ne kemi nevojë për duar të bashkuara për t’i dhenë besim kujdo që e don këte vend” Lindë pyetja: kush ashtë përgjegjës për këte konfuzion të panevojshëm dhe shkatërrimtar?
    Federata Panshqiptare VATRA ka mbledhë dhe dergue nji shumë të mirë të hollash për ndihmë. Nuk kam pa ende as edhe nji rresht të vetëm  falënderimi për këte gjest të bashkatdhetarëve tonë në SHBA. Qendrim që dekurajon.
   “Sepse, ekzistojnë probleme të këtilla si kapja e shtetit, korrupsioni i thellë, si dhe ajo që është evidentuar nga shtypi nderkombëtar, siç është ekzistenca e një narko-shteti….”.  shkruen nji ish ambasador me emën të mirë.
    Jemi para nji kaosi të vertetë në këto ditë katastrofe të vertetë. Nji spjegim që më ndihmoi me kuptue këte situatë e gjejmë në analizën e Z Afrim Krasniqi dhanë Zërit të Amerikë, me 13 tetor 2019 mbi dekriminalizimin. Ai deklaroi:
    “Individët të cilët kanë patur rekorde kriminale kanë axhenda politike, dhe se dinë ku fitohet më shumë, dhe luftojnë për të kapur poste ku fitimet janë më të mëdha. Eshtë shumë interesante se si munden indidvidët që kanë kryer vepra penale në të kaluarën, të kenë kurajo që të kandidojnë për poste të larta drejtuese, dhe si është e mundur që këta fitojnë dhe janë njerëzit e preferuar të udhëheqjes politike…?”
    Përballë nji gjendje të këtill, mendjet e ndrituna duhet të mobilizohen për zgjidhjen e kësaj situate frikësuese!
————-
* Autori ashtë i merguem politik që nga viti 1959.
—————————————————————-

Filed Under: Politike Tagged With: Prof. Sami Repishti- Termeti-Shqiperi- ne zemrat tona

SAKSOFONI I VATRËS PËR GJIMNAZIN ILLYRICUM NË SHKODËR

December 15, 2019 by dgreca

Veçojmë nga Historia e VATRËS/

SAKSOFONI I VATRËS PËR GJIMNAZIN ILLYRICUM NË SHKODËR/

Kur At’ Fishta ishte mysafir në VATËR më 1922 krahas ndihmave monetare, për Gjimnazin Illyricum, u porosit dhe një dhuratë e veçantë, që bëri shumë përshtypje në Shkodër. Revista Hyllii Dritës shkroi gjatë në numrin e marsit të vitit 1923, duke botuar shkrimin me titull: “Federata”Vatra” dhe muzika”, ku lëdonte vatrën dhe Kryeparin e saj Faik Konicën. 

        Kryetarit të Vatrës të asaj kohe, Faik Konicës,i la mbresa shkrimi dhe shkroi në gazetën “DIELLI”të 25 prillit 1923 disa fjalë të ngrohta ku lëvdonte gjimnazin dhe revistën.

Duke iu referuar artikullit “Fedearata Vatra dhe muzika” Konica shkroi:Më këtë titull, Hylli i Dritës, rivista e bukur që botojnë në Shkodër Atërit Franceskanë, në numër të marsit, shtypën një artikull, ku flitet për muzikën dhe për përkrahjen që VATRA i ka dhënë muzikës.

         Faiku kujton: Lexuesit e Diellit do ta mbajnë mend se, një mot më parë, Komisioni i Vatrës i fali një dhuratë të vogël shkollës së madhe që kanë themeluar Franceskanët në Shkodër me emrin Gymnasium Illyricum, e vetmja shkollë me frymë humaniste në Shqipëri, do me thanë e vetmja shkollë që ka për program studimin e vjetërsisë klasike greko-romane. Me shumën që dhuroi Komisioni-dhe të cilën Kuvendi i fundit e pëlqeu me një zë,- u ble një instrument muzike:”Vegla asht një saxophon i bukur i nji zanit fort t’ambël, punue në fabrikë veglash muzikore në Basson  në Paris të Francës. Mbi vegël shihen të ravizueme këto fjalë ”Vatra-Gymnazit ”Illyricum”. Këto fjalë janë marrë nga artikulli i Hyllit të Dritës, i cili përfundonte me këtë frazë:”Edhe na, pra, po lëvdojmë Federatën Vatra e Kryeparin e saj, për kujdes të posaçëm, që diftojnë për zhvillimin e Muzikës në Shqypni, ku mjerisht deri sod ky Art i hyjnueshëm, për shumë do arsye, ka kenë lanë tepër mbas doret. Sod s’ka, jo Muzikë në Shqypni, pse s’ka as qytetni, shkado që të thonë politikanët-karkaleca, ku ma pak, ku ma tepër, ezotikë-shqyptare.”(Përgatiti:D.Greca)

Filed Under: Featured Tagged With: Faik Konica- Sakxophoni i Vatres- Gjimnazi Illyricum-Shkoder

LOJË ME SHTYLLAT E DEMOKRACISË NË SHQIPËRI

December 14, 2019 by dgreca

NGA ASLLAN BUSHATI/

Përvoja e vendeve me demokraci të zhvilluar na mëson se vetëm ndarja shumë e qartë midis pushteteve: legjislativ, ekzekutiv e  gjyqsor (madje edhe mediatik), krijon mundësinë e kontrollit reciprok, ruajtjen e balancave dhe cuarjen e shoqërisë përpara. Ky  është një proces relativisht i gjatë, por që në brendi ai , rritet e zhvillohet  normalisht vetëm kur sejcila shtyllë në vetvete ka pavarsinë e duhur  për të vepruar e çuar punët përpara, por ka edhe kontrollin e shtyllave të tjera.

Por çfarë po ndodh me maxhorancën e sotme (socialisto-rilindase) e ardhur në pushtet që  para gjashtë viteve?

 Lideri i saj Edi Rama si hap i pare nën slloganin e “rilindjes”, e mori PS-në  nën sqetull (sikur të ishte pronë personale e tij), dhe u mbylli gojën  gjithë socialistëve që mendonin pak më ndryshe nga ai. Kështu ska më Ben Blush e Arta Dade që të formulojnë  fort e qartë mendimin e së majtes shqiptare. Pandeli Majko e Musa Ulqini po “ngrohin vezët” duke hedhur ndonjë frazë tharm andej-këndej, por kryesisht duke mërmëritur me vehte. Ditmir Bushati e sheh tendencën e shkarjes në greminë të maxhorancës, por duke qenë i “baltosur” në llumin  gjashtvjecar të qeverisjes , është një zë i vakët e i papërfillshëm. Bartësit e  vërtetë të mendimit politik të së majtës europiane (brenda maxhorancës socialiste) heshtin, vegjetojnë, ulin kokën përpara prepotencës, vulgaritetit ,idiotsisë e sharlatanizmit të kryetarit të tyre Edi Rama. Gjithë ditën, nga mëngjezi e në darkë ai  është i pranishëm në ERTV e kudo tjetër në media me figurë, batuta, veshje qesharake e herë-herë sjellje të papranueshme. Që nga majat e medias, pa as më të voglin hezitim, ja hedh fajin gjithkujt, por kurrë nuk bën autokritikë për dështimet e qeverisë së tij të cilat janë të shumta e të përmasave të mëdha.

 Mbështetja e pamerituar që ju dha  Edi Ramës, këtij avanturieri të  tejskajshëm, bëri që : ekonomia të mos ketë progres, papunësia të rritet, emigrimi i rinisë të bëhet masiv, shëndetsia e arsimi të degradohen, pagat e pensionet të mos rriten, korrupsioni e ryshfeti të kulmojnë në administratën publike në qendër e në pushtetin vendor, PPP-të  vjedhin hapur pasurinë publike, taksat  shtohen e jeta e cdo shqiptari  vështirësohet cdo ditë e më shumë. Për të gjitha këto, por edhe për  shumë  të tjera, kjo e majtë ka përgjegjesi  të madhe  para gjithë shoqërisë shqiptare e cila lypset medoemos të reflektojë duke bërë katarsis në radhë të parë brenda vehtes.

Hapi i dytë i gabuar i Edi Ramës dhe i të ashtuquajturës “rilindje” ka qenë paaftësia e deri dështimi i tyre total, për të zgjedhur e vënë në drejtimin e punëve të shtetit e njerëzve  të painkriminuar, pa vese, me moral e CV  të pastër, me integritet,  intelekt e përvojë pune si: ministra, zëvendësministra, drejtorë të përgjithshëm, ekspertë, specialist etj. Kurse të zgjedhurit e tyre si drejtues të pushtetit lokal,  shpesh qenë pjesë e bandave kriminale dhe e llumit shoqëror. Dështimi i tyre në këto zgjedhje, ka cuar në deshtimin e plotë të njerës prej shtyllave të demokracisë (shtyllës që ata drejtojë vetë), pra shtylla  e  ekzekutivit.

Duke qenë maxhorancë e fortë numurash, “rilindja “, pa ndonjë arsye themelore (ndoshta edhe në mënyrë pak provokuese), vuri në krye të Parlamentit një figurë qëndrore të ish diktaturës ( ish ministrin e brendëshëm). Kjo  solli në fokusin e ish të përndjekurve politik ,PD-së , një pjese të madhe të opozitës dhe të shoqërisë  se, nuk kemi të bëjmë me një rastësi, por me një plan të mirmenduar  të “rilindjes” si pjesë e vazhdimsisë së mentalitetit të regjimit të përmbysur.

Ky mendim erdhi duke u konsoliduar plotësisht kur maxhoranca parlamentare ndërmori hapa konkret duke ju  imponu opozitës parlamentare me të gjitha format, për të kaluar ligje me brendi të papërshtatëshme, jo gjithpërfshirëse (herë edhe të dyshimta),  vetëm e vetëm për ti shërbyer klanit  të saj, packa se ato shpesh bartnin efekte negative  për një spekter të gjërë publik të shoqërisë shqiptare.

Opozita parlamentare, (nga “rilindja” e Edi Rama) u konsideru për cdo nisëm si reaksionare, e fajshme për cdo gjë të së kaluarës dhe nuk ju muar parasyshë asgjë nga propozimet e saj për zbatimin e reformën në drejtësi, reformën teritoriale, ligjet për dekriminalizimin, dekomunistizimin, reformën zgjedhore, buxhetet etj. Kështu duke shprehur ndaj saj jo vetëm indiferencë , por edhe  deri armiqësi, e detyroi ate të braktiste Parlamentin, duke shkatërruar edhe shtyllën e legjislativit. 

Në këtë drejtim (të shkatërrimit të shtyllës legjislativit), gjykoj se është jo me pak faj edhe opozita parlamentare. Ajo bëri një veprim të tejskajshëm dhe të pamenduar mirë, duke vetdorzuar mandatet të cilat përfunduan në shtojcë e paterica të Edi Ramës . Jo vetëm kaq, por kjo lëvizje e gabuar e vendosi opozitën përballë nderkombëtarëve e në radheë të parë, përballë SHBA-së. Pra për shembjen e shtyllës parlamentare (legjislative) “kontributi” negativ është edhe vepër e opozitës.

“Rilindja” duke  patur  tërësisht në dorë Parlamentin , e shtriu metastazën e saj drejt kapjes së plotë të sistemit gjyqsor. Si fillim miratoi disa ligje (në kundërshtim me qëndrimet e  opozitës), por  që i shkonin përshtat  miqve e neopotistave të saj në kuadër të reformës në drejtësi . Më pas shkatërroi  me vetdije: Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe  paralizoi Prokurorinë. Në këtë kuadër nxorri jashtë sistemit gjithë kundërshtarët e saj, dhe projektoi njerzit e saj për të drejtuar reformën dhe përzgjedhjen. Kështu ja arriti ta shkatërrojë tërësisht dhe ta fusi nën ombrellën e saj edhe shtyllën e tretë të demokracisë (gjyqësorin).

Kam mendimin se edhe ndërkombëtarët në Tiranë janë bashkfajtor për shkatërrimin dhe paralizën që i ndodhi  sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Kur them ndërkombëtarët, specifikoj ambasadat e SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së. Ata në asnjë rast nuk janë shprehur me qëndrim të hapur kritik ndaj Qeverisë, “rilindjes” dhe Edi Ramës, kurse ndaj opozitës janë shprehur me terma negative dhe ndonjëherë edhe me arrogancë. Kjo  me fjalë më të tjeshta  do të thotë të jeshë i njëanshëm.

Meqenëse  tashmë “rilindja “ dhe Edi Rama, kanë shtënë në dorë  të trija shtyllat e pushtetit , ja kanë nisur betejës për  Presidencën dhe median e lirë (në se mund të quhet e tillë). Akuzat sipas tyre  janë  se Presidenti Ilir Meta  ka “shkelur” Kushtetutën, dhe se media ka shpërndarë feik njuze (lajme të rreme).

Në se arrijnë që ti fusin edhe këto dy element  brenda ombrellës së tyre , atëherë Shqipëria meriton  të quhej:”Provinca Edi Rama”, qeveria do të quhej:”E naltmadhrisë së tij” dhe qytetarët shqiptar do të quheshin:”Skllevrit e perandorit,.. sulltanit… a pashajt Rama”.

Që të mos ndodh kjo situatë skllavërie: si shqiptarë, si njeriu i gjakut tuaj, si intelektual, si ish ushtarak i lartë i Ushtrisë Shqiptare , si emigrant,  ju bëj thirrje në radhë të parë socilalistëve dhe pastaj gjithë shqiptarëve: braktiseni Edi Ramën në paudhësinë e tij si i paaftë dhe i padenjë për tju drejtuar.Gjeni formulën (pa ndihmën e ndërkombëtarëve) që të shkoni në zgjedhje të lira, të ndershme dhe të  parakohëshme. Zgjidhni cilindo që meriton besimin tuaj (qoftë djathtas apo majtas), vetëm që vendi të shërojë  plagët e tërmetit e     të tranzicionit  dhe të vihet në shinat e  shtetit ligjor, progresit  e prosperitetit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Asllan Bushati- Loje-shtyllat e Demokracise-Loja

LARG INDIFERENCËS

December 14, 2019 by dgreca

Nga Thanas L. Gjika/ L

(Në mbrojtje të z. Agron Tufa)  

         Qëndrimi që mbajmë këto ditë ndaj kërkesës së Z. Agron Tufa, drejtor i “Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit”,  për doreheqje nga detyra dhe kërkim të strehimit politik në Zvicër, tregon se cilës mendësi i përkasim.

         Ata që e mbrojnë këtë intelektual të shquar dhe shkrimtar të talentuar ndaj sulmeve banditeske tëshërbëtorëve të klanit Hoxha i përkasin shqiptarëve me mendësi demokratike të vërtetë (të kuptohemi jo të PD-së e cila nuk reagoi ndaj kësaj ngjarjeje). Kurse ata shqiptarë që shkruajnë e thonë se Agron Tufa është një ballist a fashist, si deputeti Spartak Braho me shokë, u perkasin njerëzve me mendësi të pandreqëshme komuniste, njerëzve me mendësi të kalbur, mendësi që kapitulloi me turp me shembjen e Murit të Berlinit më 1989 dhe fitoren e pluralizmit në Europën Lindore. Shërbëtorët e klanit Hoxha që luftojnë personalitete te shquar të demokracisë shqiptare si Agron Tufa dhe Visar Zhiti me shokë, janë sot po aq qesharakë dhe jashtë kohe sa dhe atëhere kur ngjireshisn duke bëritur se Shqipëria ishte feneri ndriçues i Marksizëm Leninizmit në Europë.

         Të mos mbrosh sot jetën e kërcënuar të z. Tufa nga shërbëtorët e klanit Hoxha që përbëjnëshumicën e klasës sunduese të sotme, është një indiferencë e denueshme…

         Krijimtaria dhe puna e tij e guximshme, si dhe akti i largimit për mbrojtjen e jetës së tij, të bashkëshortes e të pesë fëmijëve duhen përshëndetur prej çdo shqiptari të ndershëm. Vetëm duke dalë hapur në mbrojtje të tij sa më shumë shqiptarë, do të bëhen më të ndjeshëm dhe institucionet e politikës europiane se në Shqipëri sundon neokomunizmi.

         Agron Tufa me veprat letrare dhe me aktivitetin e tij si drejtor i ISKK, e tregoi veten qytetar 24 karatsh. Ai punoi që të nxirrte në dritë dhe t’i dënonte krimet e diktaturës komuniste, si u bë në shumicën e vendeve të Europës Lindore. Mirëpo te ne, shërbëtorët besnike të klanit Hoxha, këta njerez pa moral, këta njerez që kanë lyer duart me gjak shqiptari të pafajshëm, iu turrën dhe ia bënë skëterrë jetën Agronit dhe familjes së tij. Zoti Brokaj e quan pa fakte intelektualin ndriçues Agron Tufa “person të padëshirueshëm, falsifikator, mashtrues, një pinjoll i kolaboracionistëve të dikurshëm… një person delenxhi, provokator, plagjiat, hajdut dhe një i arratisur tashmë turpshëm, i diskredituar para gjithë shqiptarëve.” Dhe i jep këshillë qeverisë: “ta shkrijë atë gjoja institut të drejtuar nga një person i papërgjegjshëm dhe të rishikojë shumë qëndrime në raport me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.”

         Gjithë keto thënie dhe këshilla tregojnë se sa shumë u djegin të vërtetat që ka zbuluar ai institut dhe drejtori i tij, shërbëtorëve qorra të Enver Hoxhës. Si nuk e kupton z. Brokaj se të tilla intervista dhe fjalime mbaheshin në vitet 1945-1953 për të mashtruar shqiptarët se partia po e pastronte atdheun nga ata gjoja armiqtë e tradhëtarët, që nuk ishin tjetër veçse intelektualë properëndimorë dhe nacionalistë atdhetarë.
         Zgjohu z. Brokaj dhe kupto se pa u dënuar krimet e diktaturës komuniste që montuat ju me komandantin legjendar, Shqipëria nuk mund të hyjë në Bashkimin Europian. Ju, dhe të gjithë ata ish-komunistët dhe ish-sigurimsat që jeni sot në pushtet, nuk keni kuptuar ende se nuk kishit të drejtë morale të bënit pjesë në parlamentin pluralist gjoja si deputetë të partisë së re Partisë Socialiste. Ju duhej të ishit larguar nga gara politike se ishit pjesë e partisë që kapitulloi me turp. Ashtu si asnjë nazist nuk u lejua të merrte pjesë në parlamentin gjerman pas kapitullimit të nazizmit edhe ju nuk kishit të drejtë morale të merrnit pjesë si deputetë në parlamentin pluralist. Sunduat 47 vjet me dhunë dhe kapitulluat, tani keni 28 vjet që sundoni si pluralistë, si neokomunistë, por erdhi koha të shporreni nga skena politike, po ashtu me turp. Ata që e luftuan dhe e luftojnë z. Agron Tufa janë njerëz pa moral, kurse ata që e kanë mbrojtur dhe e mbrojnë, janë njerëz me mendesi demokratike të vërtetë.

         Kryeministri Rama, i cili nuk u shpreh në mbrojtje të këtij intelektuali e zyrtari të lartë shtetëror të kërcënuar në mënyrë të vijueshme, tregoi se i ka ardhur koha të japë sa më parë dorëheqjen e parevokueshme. Vetëm ky akt i tij mund të ndihmojë për të shpëtuar Shqipëria nga banditët e kohës së diktaturës që vijojnë të jenë deputetë në parlamentin e sotëm pluralist…

Filed Under: Analiza Tagged With: Thanas Gjika- Mbrojtja-Agron Tufa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 36
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT