• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2019

“KRISHTLINDJET NË GOLGOTË”

December 14, 2019 by dgreca

-70 vjet nga persekutimi komunist në kampin famëkeq të Tepelenës,- viktimat përkujtohen në Vjenë me promovimin e romanit “KrishTlindje në Golgota”te autorit Gjergj Jozef  Kola -*

NGA SIMON MIRAKAJ*/ DIELLI

Të nderuar  pjesëmarrës, shkëlqesësi  ambasadorë.

Është kënaqësi e veçantë për mua të jem sot prezent midis jush për të marrë pjesë në promovimin e Librit Krishtlindjet  në Golgotë me autor z.Gjergj Jozef  Kola që meriton një falenderim të veçantë.

Të nderuar pjesëmarrës, mbas fitores nga forcat aleate të luftës së dytë botërore , Europa perëndimore filloi rindërtimin e vendit, ndërsa pjesa lindore e në mënyrë të veçantë Shqipëria filloi ndërtimin e kampeve  të internimit e burgjeve. Një ndër këto kampe ishte kampi famëkeq i Tepelenes.

Kampi i internimit i Tepelenës   shtrihej buzë lumit  Vjosë  dhe  ishte i rrethuar me tela me gjemba  . Në këtë kamp të tmerrshëm   vdiqën nga mungesa e ushqimit  dhe  e higjenës 300 fëmijë, të cilët edhe sot janë pa varre si shumë të tjerë. Dhimbja vazhdonte e shtohej më shumë se jo vetëm që nënat humbnin fëmijët, por nuk kishte as arkivol për ta varrosur. Si i mbijetuar i atij kampi po ju tregoj, se një ditë një zonje nga Mirdita i vdiq fëmija dhe s’kishte arkivol që ta vendoste , nëna ime prishi djepin tim mbi të cilin unë bëja detyrat e shkolles, e mes lotëve sajuan një arkivol.

Autoriteti  për informim mbi dosjet e ish sigurimit të shtetit  ka bërë një punë të lavdërushme, duke mbjellë treqind qepariza, me sponsorizimin e  individëve në kujtim të këtyre fëmijve që humbën jetën në atë kamp, por edhe duke e sensibilizuar opinionin publik kombëtar e ndërkombëtar për të njohur tragjedinë që shkaktoi diktatura komuniste. Shpresojmë që ky kamp të kthehet në një kamp muze kujtese.

Zonja e zotrinj, nuk kam ndërmend të ndalem në hollsira  për cfarë ka ndodhur në këtë kamp internimi  I quajtur kampi I çfarosjes, se ju do ti mësoni kur të lexoni librin,  por do tregoj  meqense jemi në prag të festës të Krishtlindjeve se edhe aty në kamp  festoheshin varfërisht  Krishtlindjet Pashkët, Bajrami, e njerzit ja uronin njeri tjetrit festën.

Miku im  artisti i madh i humorit, poeti dhe shkrimtari  Gjosho Vasia                                                                                  i cili është ndarë nga jeta para pak vitesh,  më thoshte një ditë;

-Ti Simon ndoshta nuk e mban mend se ke qënë i vogël, por  një  natë Krishtlindje një makinë është ndalë  sipër kampit të Tepelenës e një djalë me trompë i quajtur Gasper Curçia që edhe ky nuk jeton, zbriti nga makina me trompë në dorë e interpretoi një pjesë të Ave Marias, të gjithë njerzit dolën nga gazerma në oborrin  e kampit  duke  e dëgjuar  me sytë e përlotur e durt  nga qielli .

Zonja e zotrinj në Shtatorin e 2014 vendi jonë u vizitua nga ati i shejt Papa Francesku, kjo ishte e para vizitë e atit të shejtë në Europë. Kur u pyet nga gazetarët përse zgjodhet Shqipërinë si vizitën e parë në Europë? Papa Francesku ju pergjigj: Zgjodha Shqipërinë  për vizitën e parë në Europë jo si vendin më të bukur, jo si vendin më të begatshëm ekonomikisht,  por e zgjodha si vendin që ka vuajtur më shumë nga komunizmi.

Historikisht popujt vuajn nga pushtuesit, ndërsa në këtë tragjedi  që do ta kishte lakmi edhe Shekspiri e shkaktuan të ashtuquajturit  çlirimtarë, duke vrarë me gjyq  e pa gjyq,  duke burgosur dhe internuar njerzit për të vetmin faj se këta ishin kundra instalimit të diktaturës komuniste, se donin një Shqipëri të lirë e demokratike.  Luftrat bëhen për të fituar, ndërsa komunistët fituan për të humbur ,humbes sepse vran Lirin,  duke zënë popullin rob, duke e syrgjynosur e sakatosur nëpër kampe internimi e burgje, duke i marrë  jetën me    akuza fallse. Për fat të keq Shqipëria që zoti e kishte falë aq të bukur siç thotë i madhi Padër Gjergj Fishta, se rreth e rreth kësaj rrokullije si Shqipëria vend nuk ka, por diktatura komuniste këtë vend kaq të bukur e ktheu në një shtet burg.Ka ardhur koha qe ta ndricojme syrin e mendjes e ti themi jo urrejtjes,e ardhmja I takon atyre qe mbjellin dashuri.  Të nderuar pjesmarrës  ne nuk duam të marrim rolin e heroit por unë dhe bashkëvuajtësit  me rrëfimet tona  kemi marrë rolin e    misionarit  të paqes, aq të nevojshëm për njerëzimin e veçnarisht për Shqipërinë. Kujtoj  shpesh fjalët e padër Zef Pllumit (Rrno për me tregue).Po ne do të tregojme çfarë ka ndodhur nga diktatura komuniste e cila zhduku ajkën e kombit, vrau fisnikërinë, nuk solli gjë tjetër veç mjerim përçarje e varfëri. Tregimet apo rrëfimet tona të nderuar të pranishem  kanë si qëllim të përcjellin mesazh, mesazhin  që kjo histori të mos përsëritet  më kurrë. Për të patur  një të ardhme të sigurt e një demokraci të konsoliduar duhet të njohim e të ballafaqohemi me të kaluarën tonë, të njohim  rrugën e vështirë nga kemi ardhur që të dimë te      zgjedhim  rrugën nga do shkojmë. 

                     Të nderuar  të pranishëm Shqiperia është e të gjithëve, është e atyre që flasin e mendojneë Shqip. Ky vend i bekuar nga zoti ka nevojë që të ja shtojmë  bukurinë, e ajo zbukurohet  duke jetuar në paqe me njeri  tjetrin  pavarsisht  bindjeve politike, se ashtu siç thotë  Shejtorja  Nënë Tereza: Ne i përkasim njeri tjetrit.

        Edhe pse ecem në një rrugë të gjatë e shumë të mundimeshme të mbuluar nga terri i padrejtesisë  që shkaktoi diktatura komuniste i thamë jo hakmarrjes,pritëm që drejtesia të thotë fjalën e saj. Fatkeqesisht  këtyre njerzve që diktatura I  dhunoi  padrejtesisht   as kush nuk pati kurajo ti kërkojë të falur.

Po përfundoj me thënien e Martin Luter Kingut : Mësuam të fluturojmë si zogjtë, mësuam të notojmë si peshqit por nuk mësuam të jetojmë si vëllezer.

Meqene se jemi në prag të Krishtlindjeve ju uroj: Gëzuar e për shumë vjet Krishtlindjen e vitin e ri. Festa të gëzueshme paçi gjithmonë!

***

* Fjala e z. Simon Mirakaj në veprimtarinë e organizuar në Vjenë me 7 dhjetor 2019 me rastin e promovimit të librit “Krishtlindjet  në Golgotë” me autor z.Gjergj Jozef  Kola. Në këtë veprimtari morën pjesë të mbijetuar të atij kampi famkeq si: Lek Previzi me djalin (Leonardin), me bashkëshorten Beba, Angjela Vasia me nënën e saj Berina Vasija,Elda Rripaj dhe Durim Xhudo familjarisht. 

Në dt.8 u hap ekspozita me pikturat e Leonardo Pervizit që tërhoqi vëmendjen e shumë vizitorve në Qendrën kulturore Quo Vadis pran katedrales në Stefan Plaze. Promovimi i librit u shoqërua me tingujt e Moxartit e Shopen të luajtur në piano ,nga dy pianisët e vegjël shumë të talentuar, fëmijët e autorit Patrik Kola dhe motra e tij.Ndërsa një ndër aktorët e mëdhenj austriak deklamoi pjesë nga libri të përkthyera në gjuhën Gjermane nga autori.

Gjergj Jozef Kola shkroi: Refleksione jete- Dy zoja, dy shqiptare, dy fëmijë të kampit të Tepelenës, për herë të fundit janë taku para 30 vjetësh në dasmën e Angjela Vasija, në Shkodër, takohen prap mbas 30 vjetësh në Vjenë në nderim të bashkshorteve, të cilët ishin e janë edhe pasunia ma e madhe e jetës së tyne e nji pasuni e pavdekshme e kombit shqiptar.
Dy zoja, si zana malit, Berina Kaceli dhe Vasija e Gjuljana Malaj Pervizi, dy shekuj që nuk ka krahë poetik që i përshkruen…sepse asht kultura e arti që e ban diferencën në mes të mirës e të keqes…

Filed Under: Featured Tagged With: Simon Mirakaj- KrishTlindja ne Golgota-Vjene-Kampi i tepelenes

PARANOJA

December 14, 2019 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ/ DIELLI/

            Të gjithë ata që kanë mbajtur kanarina dhe gardalina në kafaz kanë vënë re një gjë shumë domethënëse, që,  kur njerëzit në grup kanë  bisedime të nxehta, ato cicërojnë më tepër se kurrë. Kjo për arsye se zogjtë  nuk e durojnë dot zhurmën e kuvenduesve në ekstazë se u duket kakafoni e tmerrshme. Zogjtë sikur u thonë: “O njerëz, jeni të shëmtuar, mizorë e grindavecë! Kokëbosh…! Nuk mund t’ ju dëgjojmë fare!” Dhe kur “njeriu” është moskokëçarës ndaj sjelljes së tyre, sjelljen e çuditëshme e kthejnë në një protestë vetëvrasëse, egërsohen deri në atë shkallë sa vetshkulin puplat, fillojnë “grevë urie”  deri në akt sublim. 

            Kujdestarët e mirë të shpendëve e kuptojnë menjëherë protestën dhe e korigjojnë pakujdesinë me një rregull shembullor për të mos u përsëritur më. Kurse paranojakët, përpiqen për t’i vënë në gjumë shpendët duke i mbuluar me vello të errët, biles dhe duke i kërcënuar për t’i nxjerrë jashtë: “Pushoni! sh…!, ose ju flaka jashtë të ngordhni në akull!”

            I tillë është njeriu paranojak, padron deklamativ i tokës dhe i ajrit, që nuk dëgjon cicërimat e pastra. Ai nuk kuptohet dot gjatë fazës prodromale. Nuk kontrollohet dot as me rezonanca magnetike. Po dallohet në fazën aktive, nëpërmjet sjelljes së përditshme,  pozicionit që i beson, bisedave, skripteve etj. Mentaliteti i sëmurë ia verbon panoramën reale në sensin deobjektiv.   

            Si  për shembull: 

            Një bujk në fushë e quan veten  arkitekt  në  ndërtim. 

            Një peshkatar e quan veten gjuetar pylli. 

            Një këngëtar melodioz mendon se zëri është dije dhe jo dhuratë, duke e ngatërruar dhuratën argëtuese si filozofi, dhe pa e kuptuar se midis akustikës së zërit dhe mendimit të thellë, ka një oqean në mes. 

            Një doktor patolog paraqet studimin: “Zhvendosja e pllakave tektonike në shëmbjen e ndërtesave shekullore.”

            Sipas shembujve të shkurtër që përmenda më lart, paranoja është treguesi që i jep mundësinë peshkatarit të gjuajë me kallam në pyllë, bujkut të krekoset si arkitekt i ndërtesave postmoderne, këngëtarit të shfaqet si filozof në avullin e ahengut…, doktorit patolog,  të paraqitet si gjeni në sizmologji.

            Në këtë këndvështrim, shpendëve u mbeten dy detyra , e para , t’ua lëshojnë  vendin shqiponjave për të ndërgjegjësuar paranojën . E dyta  ,  të shijojnë ozonin duke kundruar nga lart sfumimin e “arkitekturës postmoderne” të bujkut, transformimit e zërit të këngëtarit në “filozofi progresive”,  peshkatarin  si “gjuajtës i lëmyshkut në pyll”, dhe… doktorit,  vorraxhi modern! 

Filed Under: Opinion Tagged With: Alfons Grishaj-Paranoja

ZAKONI I LAROVE TE PENËS….*

December 14, 2019 by dgreca

… laro të pendës… do me thënë i japin me qira pendën e tyre(emrin e tyre) çdo njeriu, i cili u hedh një kockë, pasi u dëfton me gisht një shenjë, u flak një këlbazë me një kuletë, dhe i lë të “punojnë”…

  • Disa njerëzve u ka rënë erë kërrmë; dhe nga çdo çip e prej nga çdo ngjyrë, rendin shpirt-skllav, që kanë uri dhe etje për poshtërsi, lënë zanatin e tyre dhe duke u bashkuar me larot e pendës, bëhen laro të pendës dhe vetë.…

…..Ata që kanë studiuar pak frëngjishten e vjetër, do të kenë vënë re se në kohërat e shkuara ka patur në Francë një soj njerës që quheshin “valets de plume”, domethënë hyzmeqarë të pendës. Njerës të pasur që kishin bujq-skllevër vinin ndonjë që të mësonte të shkruante nga prifti i vendit, dhe skllavi nxënës bëhej pastaj hyzmeqar i pendës, shkruante mbi gjunjë dhe duke u dridhur, urdhërat e të zot.

   Në Shqipëri, ku rastet e historisë, -dhe aspak dëshira e popullit,- e çliruan vendin dhe po e shtërngojnë me zor të modernizohet shpejt a vonë, në Shqipëri leu një zanat i çuditshëm, më i poshtër se ai i hyzmeqarëve të pendës:-zanati larove të pendës! 

Gjith’ ata njerës, të cilët, po të kish mbetë Shqipëria siç ka qenë, do të ishin bërë laro, do me thënë njerës të paguar, për të ndihur në vrasjet e në grabitje, mbetën pa punë; dhe që të mos rrinë pa bukë, ndërruan formën e veprimit të tyre, dhe nga laro të pisqollës, u bënë laro të pendës, do me thënë i japin me qira pendën e tyre të mykur çdo njeriu i cili u hedh një urdhër, a një kockë, pasi u dëfton me gisht një shenjë, u flak një këlbazë me një kuletë, dhe i lë të “punojnë”.

       Disa njerëzve u ka rënë erë kërmë; dhe nga çdo çip e prej nga çdo ngjyrë, rendin shpirt-skllav, që kanë uri dhe etje për poshtërsi, lënë zanatin e tyre dhe duke u bashkuar me larot e pendës, bëhen laro të pendës dhe vetë.…

*Shkrimi u mor hua nga “Tryeza e Kryetarit të Vatrës”-Faik Konica, pasi fenomene të pendës mercenare dhe të papërgjegjshme po shfaqen shumë kohët e fundit edhe në diasporën shqiptare të Amerikës. Botuar në Gazetën Dielli, 28 Mars 1923.

Filed Under: Opinion Tagged With: Faik Konica-Larot e Penes

VATRA me hijen e rándë të Nanës së Madhe

December 14, 2019 by dgreca

 Shkruan: Valentin Lumaj*/

 “Zjarri në vatër është aq i shenjtë, sa një nga betimet më të zakonshme ndër shqiptarët është: për këtë zjarr”. (Faik Domenik Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 391)./

            Sigurisht, Konica shprehej kështu për zjarrin në vatrën e shtëpisë së shqiptarit si mjet të shenjtë jetese. Por si në çdo vatër edhe në Vatrën tonë Pan-Shqiptare, egziston një zjarr, pa të cilin fjala Vatër nuk do të kishte kuptim. Por cili zjarr po djeg më shumë në Vatrën tonë të përbashkët, zjarri i ndokujt si mjet jetese, zjarri çakmakëve që po nuk u shua të djeg gjithë shtëpinë, apo zjarri i atdhedashurisë që na ngroh zemrat dhe na mbledh të gjithëve përreth si një familje e madhe.  

            Secili në Vatër t’a bëjë diferencën dhe të pyes veten se cilit zjarr po i fryn. 

Patriotizmi dhe nacionalizmi ishin “ashket” që ushqyen këtë zjarr qysh nga shkëndija e parë. Këto ndjenja tëzjarrta të atdhedashurisë bashkuan shqiptarët rreth Vatrës. Prandaj, si dikur, ashtu edhe sot, ajo çfarë i bashkoi, duhet dhe t’i mbajë bashkë shqiptarët e Amerikës.  

            Vatra është krijuar dhe egziston si nevojë kombëtare, jo si luftë për pushtet. I vetmi pushtet dhe forcë e Vatrës është uniteti. Të gjithë duhet t’a kuptojmë se Vatra nuk funksionon ndryshe. Etërit e Vatrës, Noli dhe Konica, kishin kundërshti jo te vogla në mes tyre, por në drejtimin e Vatrës treguan klas.

            Vatra është një asset i çmuar kombëtar, aq i çmuar sa ç’është Flamuri apo Pavarësia.  Vatra nuk është dhe nuk duhet te konsiderohet nga askush shtojcë e ndonjë  qeverie, partie, kompani biznesi, për të bërëkarrierë apo si trampoline. Sigurisht që mund të ketë ndonjë që mendon se në Vatër mund të marrë pak vlerëapo të bëjë pak emër. E kundërta duhet te ndodhi; kushdo që aderon ne Vatër, sidomos ata që kanë ambicje për të qenë në krye të saj, në qendër apo degë, duhet që me personin e vet, t’ja shtojnë vlerën Vatrës. Kështu ka qenë, kshtu duhet të jetë.

             Vatra nuk është personifikim i një individi. Mendoni Vatrën me një njeri… një vetmi e madhe. Vatra nënkupton bashkim, bashkëpunim, mirkuptim dhe paqe. Kjo nuk është shumë e vështirë për t’u arritur, nëqoftë se tek njeri-tjetri ne shohim anët positive dhe jo negative. Duhet që të na bashkojë e mira ndër ne dhe jo të kërkojmë të keqen ku të jetë e ku mos të jetë që të na ndajë. Në këtë tregim metaforik më poshtë, një nënëkishte dy djem, njërin bojaxhi dhe tjetri shiste çadra. Nëna e shkretë kurre nuk kishte gëzim; kur binte shi ankohej, “e mjera unë se me mbeti bojaxhiu pa punë”,  kur kishte diell: “e mjera unë se çadraxhiu nuk shet çadra”. Normalisht po ta shikonte nëna nga një këndvështrim ndryshe, do të gëzohej si për shi edhe për diell. Prandaj, edhe ne e zgjedhim vetë të jemi pozitivë apo negativë, të vlerësojmë apo të paragjykojmë, të shohim te mirën apo të keqen tek njëri-tjetri. 

            Po marr si shembull Vatrën e viteve te fundit. Dr. Gjon Buçaj, një njeri i ndershëm, patriot dhe figurë respektuar në Diasporë, e drejtoi për 8 vite Vatrën, e cila pati rritje dhe aktivitete të shumta në shërbim të kombit. Po ashtu, z. Dritan Mishto, një djalë i shkëlqyer, intelektual dhe aktivist me eksperienca pozitive të gjithanshme, drejtoi Vatrën në dy vitet e fundit, e cila po ashtu njohu vetëm suksese. Do të ishte e ndershme për ne që t’ua vlerësojmë dhe t’i falenderojmë shumë për punën e vyer vullnetare që kanë bërë. Po a patën të dy ndonjë gabim, patjetër që patën, që sidoqoftë është njerëzore. Aty ku punohet edhe gabohet. Asnjë nga ne nuk është perfekt apo hyjnor. Rëndësi ka që Vatra ka ecur përpara.

            Rigjallërimi dhe ringritja e Vatrës në vitet e fundit erdhi me përhapje të gjerë të degëve Amerikë dhe Kanada. Shtimi i degëve dhe i anëtarësisë solli për rrjellojë edhe shtimin e mendësive, ambicjeve the lakmive tëndryshme, gjë që në prizmin demokratik është normale. Konkurenca dhe debati i brendshëm është i nevojshëm dhe i shëndetshëm. Anormalja fillon nëse dikush vjen me axhenda te tjera, jashte moralit original të Vatrës, jashtë etikës apo kur konfliktet dhe  inatet personale infektojnë grupin dhe kthehen në probleme kolektive. 

            Harxhohen shumë energji në drejtime të gabuara dhe çështje të vogla. Duam të gjejmë gjipërën në kashtë, bërtasim ujku, ujku, ndërsa në Shqipëri çakejtë bëjnë kërdinë. Detyra jonë si Vatranë është, që vetem në kohë zgjedhjesh të shpallim idetë, kritikat dhe ambicjet tona, të garojmë ndershmërisht, me kulturë dhe paqësisht të presim rezultatin. Pas zgjedhjeve të gjithë duhet që t’i shtrëngojmë dorën njëri-tjetrit, t’i bashkojmë rradhët rreth kryetarit dhe kryesisë së re, që për dy vitet në vazhdim, t’ua bëjmë rrugën të lehtë e të mbarë në shërbim të kombit.

            Diaspora dhe atdheu kanë shumë çështje ku ne duhet që t’i përqëndrojmë energjitë tona:

  -Degradimi i ekonomisë dhe i të drejtave të njeriut në Shqipëri, kriminalizimi i tejskajshëm i mënyrës sëjetesës, korrupsioni që ka kapur çdo segment të administratës shtetërore, emigrimi dhe dëshira në masë e shqiptarëve për t’a braktisur atdheun përgjithmonë apo siç thirret ndryshe vrasja e shpresës. 

  -Mbështetja ndaj shtetarëve të Kosovës për të mos lejuar ndarjen e saj, mbështetja në fazat e saj integruese nëBE apo bashkimi kombëtar me Shqipërinë. 

  -Përfshirja në program e një plani, platforme apo rregulli të veçantë per hapjen e shkollave shqipe në të gjitha degët saj. Forcimi ekonomik i shqiptarëve në Diasporë, po të gërshetohet me një vullnet te mirë të Kryesive të degëve, do t’a mundësonte plotësisht hapjen e klasave të gjuhës shqipe. 

  -Rritja e anëtarësisë me anë të thithjes së rinisë studentore, dhe elementit të ri. Rinia gjithmonë sjell frymë të re, që nganjëherë është vështirë të adoptohet. Sidoqoftë gërshetimi i elementit të ri me përkrahjen e veteranëve, mirënjohja dhë respekti ndaj “të vjetërve” do t’a çonte Vatrën në një standart të ri zhvillimi dhe emancipimi. 

  -Hartimi i një strategjie, që Vatra te jetë përfaqësuësja dinjitoze, legjitime dhe e vetme, jashtë çdo dallimi krahinor, fetar apo politik, (përpos ideologjive nazi-fashiste apo komuniste) për të gjithë shqiptarët e Amerikës së Veriut. Egzistojnë dhjetra grupime dhe shoqata atdhetare, krahinore, fetare, kulturore, intelektuale etj., tëcilat  veprojnë veçmas ne Amerikë. Ky numër kaq i madh reflekton dëshirën e madhe të shqiptarëve për t’u organizuar, për të vepruar, për të bërë diçka të mirë. Duhet të përshëndeten shqiptarët për këto organizime dhe normalisht edhe një vepër e vogël në shërbim të komunitetit apo atdheut është një vepër e mirë. Por një vepër e madhe është edhe më e mirë. Veprat e mëdhaja kërkojnë njerëz mendjendritur dhe vizionarë, kërkojnëbashkim. A është komuniteti shqiptar në Amerikë i bashkuar. Unë mendoj se jo. Shumica e festave apo traditave të nivelit kombëtar organizohen veçmas.

Për shembull, festa e Flamurit muajin që shkoi u festua bujshëm në New York, Michigan e gjetkë, por të ndarë në grupime e “principata”. A nuk është ky Flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, i cili bashkoi principatat 575 vite më parë?! Një festë e Flamurit e përbashkët, padyshim do të ishte një vepër më e mirë, do të tregonte forcë dhe unitet.

            E mora këtë shembull për të shpjeguar sa i nevojshëm është bashkimi i shqiptarëve në Diasporë. Nevoja për një njësim të Diasporës është më ë madhe se kurrë. Situatat e reja gjeostrategjike që po kalojnë shqiptarët në tokën amë në ballkan kërkojnë këtë bashkim. Vatra mund dhe duhet që t’a kryej këtë rol, më e vjetra, më e mira dhe me një histori të lavdishme. 

            Vatra ka hijen e rándë tē Nanës së Madhe. Shqiptarët e Amerikës duhet të unifikohen me Vatrën.

Valentin Lumaj

Michigan më 13 Dhjetor 2019.(Autori eshte anetar i Keshillit te Vatres)

Filed Under: Politike Tagged With: Valentin Lumaj-Vatra-Hija-Faik Konica

RASTI I PUBLICISTIT DHE SHKRIMTARIT AGRON TUFA

December 14, 2019 by dgreca

                      NJË PËR TË GJITHË – TË GJITHË PËR NJË- RASTI I PUBLICISTIT DHE SHKRIMTARIT AGRON TUFA /

Unë e kam thënë shpesh atë që kam menduar dhe mendoj për lirnë e fjalës dhe të medias në Shqipëri dhe për përpjkekjet e vazhdueshme të qeverisë, përfshir paketën “anti-shpifje”.  Është kjo një përpjekje që është këthyer tani në një tragji-komedi, sepse qeveria e ka vendosur tanimë se versioni i saj do të miratohet në parlament, ndërkohë që, sa për sy e faqe, Komisioni parlamentar për media organizon sesione dëgjimore, ku ka ftuar edhe përfaqsues të medias shqiptare si dhe përfaqsues ndërkombëtarë, gjoja për të dëgjuar mendimet e të gjithëve në lidhje me këtë çështje.  

Në këtë mënyrë, qeveria dhe Komisioni parlamentar i paraqesin sesionet dëgjimore si një ushtrim i demokracisë së vërtetë, megjithëse vendimi për këtë çështje është tanimë një “fait accompli”, punë e kryer, nëqoftse OSBE-ja, Këshilli i Evropës, Bashkimi Evropian dhe OKB-ëja dhe ambasadat me influencë në Tiranë nuk ndërhyjnë për të ndaluar miratimin e këtij  projektligji, që jo vetëm është kërcënim për gazetarët gazetarët shqiptarë dhe lirinë e tyre, por është edhe një rrezik serioz për lirinë e shprehjes për shqiptarët, në përgjithësi. 

Na thonë se procesi për miratimin e këtij ligji të ashtuquajtur “paketë anti-shpifje” është “demokratik”, sepse, siç tha edhe deputeti socialist, Z. Musa Ulqini,në sesionin e së ënjtës, debati për “paketën anti-shpifje”, sipas tij, është në përputhje me demokracinë dhe me ligjet e vendit dhe se për këtë ligj po konsultohen me të gjitha grupet e interesit.  Ftesa e është një gjë, por vullneti dhe dëshira për të përfshirë mendimet e tyre në përpilimin e këtij projektligji është diçka tjetër.   Arroganca e qeverisë shqiptare për të miratuar me urgjencë këtë propjektligj – që kundërshtohet nga të gjithë të interesuarit dhe që bie në kundërshtim të plotë me të gjitha standardet ndërkombëtare, në vigjiljen e marrjes së Kryesisë së OSBE-së nga Shqipëria, është diçka që nuk mund të shpjegohet ndryshe veç si një provokim.

Duhet shënuar se shumica e përfaqsuesëve të medias shqiptare si dhe ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që ky projektligj, në draftin aktual, të hidhet në shportën e plehrave të historisë dhe të fillohet nga zero, ashtuqë projektligji i ri të jetë në përputhje me marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare mbi lirinë e fjalës dhe të medias, nënshkruese e të cilave është edhe Shqipëria. 

Këto shqetësime të ndërkombëtarëve dhe të organizatave të ndryshme shqiptare pasqyrojnë faktin se pothuaj të gjithë janë kundër të ashtuquajturës, “paketë anti-shpifje” të qeverisë Rama.  Por megjith këto kundërshtime, nuk besoj se qeveria Rama e ka ndërmend të tërhiqet nga “paketa  antishpifje” dhe jam i mendimit se sesionet dëgjimore të Komisionit parlamentar të medias janë vetëm një “Shou” mediatik për qëllime të mbrëndshme dhe të jashtme.  Është e qartë se as qeveria shqitare dhe as Komisioni në fjalë nuk po kërkojnë konsensus në lidhje me këtë projektligj.  Vetëm ndërhyrja serioze e ndërkombëtarëve mund të bejë efekt për të ndaluar këtë çmenduri.  Ndërkombëtarët duhet të këmbngulin për të njëjtat standarde për lirinë e medias dhe të fjalës së lirë – që ata gëzojnë në vendet e tyre — edhe për Shqipërinë.  Mos u tallni më me këtë vend të vogël dhe me ketë popull të varfër!

Për organizatat e gazetarëve shqiptarë dhe për të gjithë ata që janë të interesuar në lirinë e fjalës dhe të shprehurit në vend kam këtë këshill: hapni sytë se ç’po ndodhë.  Ky është një projekt-ligj, i cili nëqoftse vërtetë miratohet në parlament, ju përfaqsues të medias shqiptare, por edhe të tjerët të angazhuar në komunkim me publikun, do jeni të parët që do ia “pini çorbën”.  Nëqoftse nuk e mbroni, vërtetë me bindje dhe besim të plotë të drejtën dhe lirinë tuaj si profesionistë që jeni, si grup dhe si individë.   Sepse kur i mohohet liria dhe të drejtat e njeriut, madje edhe një shqiptari të vetëm, atëherë ato i mohohen të gjithë shqiptarëve, pa dallim.

Të nderuar gazetarë shqiqptarë.  E admiroj vendosmërinë tuaj të deritanishme për të mbrojtur këto të drejta për veten dhe për të tjerët dhe jam shumë i shqetësuar për rrethanat politike nën të cilat ushtronin profesionin tuaj fisnik çdo ditë.   Por këto të drejta dhe liri nuk mund të mbrohen në izolim, duke iu referuar një rasti të vetëm, siç është projektligji i paketës së ashtuquajtur “antishpifëse”.  Fjala e lirë duhet të mbrohet çdo ditë dhe në të gjitha rastet, pa dallim.   Më duket si hipokrit fakti se deri më sot nuk kam parë ndonjë përpjekje serioze, në mënyrë institucionale, si ente dhe organizata jo qeveritare që jeni, të tregohet ndonjë mbështetje të fjalës së lirë për akademikun Agron Tufa, deri dje Drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe të pasojave të Komunizmit.  Siç dihet tani, Z. Tufa u detyrua të arratisej nga Shqipëria për të kërkuar azik politik në një vend të Evropës, si pasojë e kërcënimeve ndaj tij dhe familjes, madje edhe nga figura të njohura të politikës shqiptare dhe të jetës publike.  Kërcënime me jetë!  Unë nuk besoj të ketë shkelje më serioze të lirisë së të shprehurit se kërcënimi me jetë ndaj Z. Tufa ose kujdo tjetër për rasye të punës akademike dhe publicistike të tij.  Mbrojtja e jetës  dhe e të drejtave të qytetarëve duhet të jetë obligimi dhe përgjegjësia e parë e qeverisë, përfshir mbrojtjen nga kërcënimet me jetë ndaj shtetasve e sidomos ndaj zyrtarëve të shtetit.  Por kur qeveria nuk e bën këtë, si në rastin Tufa, atëherë dikush tjetër duhet të ngrejë zërin. 

Rasti i Z. Agron Tufa është një precedent i rrezikshëm dhe një kërcënim serioz ndaj ushtrimit të lirisë së fjalës në Shqipëri, jo vetëm për akademikë si ai, por edhe për të gjithë ju si gazetarë dhe përfaqësues të ushtrimit të fjalës së lirë, në përgjithësi dhe pa dallim.  Liria e fjalës e Z. Tufa është aq e vleshme sa edhe liria ime dhe e çdo njërit prej nesh si gazetarë dhe si e tillë duhet të mbrohet nga të gjithë.   Mohimi i lirive dhe të drejtave të njeriut të një shqiptari, cilido qoftë ai, janë mohim i të drejtave dhe lirive të të gjithë shqiptarëve.   Çdo mbrojtës i fjalës së lirë, përfshir gazetarët, duhej të deklarohej në mbrojtje të së drejtës që Z. Agron Tufa të punojë dhe të krijojë i  lirë në Atdheun e tij, pa kërcënime dhe pa ndërhyrje nga politikanë. 

Nëqoftse shteti nuk e ka vullnetin dhe autoritetin moral të mbrojë të drejtën e individëve të shquar të shoqërisë, si publicisti dhe shkrimtari Z. Agron Tufa nga kërcënimet me jetë, atëherë kush do ta mbrojë atë?  Nëqoftse ju gazetarët– ushtruesit dhe mbrojtësit e fjalës së lirë – nuk e bëni këtë, atëherë kush?  Nesër mund tu vijë radha ju.  Për ndryshe nuk mund të pretendojmë se besojmë dhe duam një demokraci ose një “Shqipëri si e gjithë Evropa”, e cila siguron dhe mbron lirinë e fjalës.  Shqipëria me një liri dhe demokraci të pjesëshme nuk është Shqipëria që duan shqiptarët kudoqofshin ata.  Të pakën unë, nuk e dua një Shqipëri që dënon ushtrimin e fjalës së lirë me arratisje dhe me kërkim azili politik, në fillim të shekullit 21.  Arratisjen e Zotit Tufa e kujtojmë si një relikt të luftës së ftohtë. Kishim menduar – por siç duket gabimisht –se periudha e arratisjeve dhe azileve politike kishte perënduar në Shqipëri me shembjen e komunizmit zyrtar!

Mbrojtja e lirisë së fjalës dhe lirisë së të shprehurit për publicistin e arratisur dhe azil-kërkuesin Z. Agron Tufa nuk është hiç më pak e rëndësishme se liria e veprimit për të gjithë gazetarët shqiptarë – liri e cila pritet që me miratimin e projektligjit antidemokratik të ashtuquajturës “paketë antishpifëse” të qeverisë Rama, të shkelet brutalisht për të gjithë, ashtu siç u dhunua kohët e fundit liria për shkrimtarin dhe publicistin Agron Tufa.  Mbrojtja e lirisë së fjalës për Z. Tufa duhej të ishte aq serioze dhe parimore– si nga organizatat e gazetarëve shqiptarë ashtu edhe nga ndërkombëtarët — sa është edhe lufta e drejtë që po bëhet kundër miratimit të ashtuquajturës “paketë antishpifëse” e qeverisë shqiptare.  Parimi, një për të gjithë dhe të gjithë për një, vlen sot më shumë se kurrë.  

NGA Frank Shkreli/

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shkreli-Rasti I Agron Tufes-Te gjithe bashke

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 36
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT