-70 vjet nga persekutimi komunist në kampin famëkeq të Tepelenës,- viktimat përkujtohen në Vjenë me promovimin e romanit “KrishTlindje në Golgota”te autorit Gjergj Jozef Kola -*
NGA SIMON MIRAKAJ*/ DIELLI
Të nderuar pjesëmarrës, shkëlqesësi ambasadorë.
Është kënaqësi e veçantë për mua të jem sot prezent midis jush për të marrë pjesë në promovimin e Librit Krishtlindjet në Golgotë me autor z.Gjergj Jozef Kola që meriton një falenderim të veçantë.
Të nderuar pjesëmarrës, mbas fitores nga forcat aleate të luftës së dytë botërore , Europa perëndimore filloi rindërtimin e vendit, ndërsa pjesa lindore e në mënyrë të veçantë Shqipëria filloi ndërtimin e kampeve të internimit e burgjeve. Një ndër këto kampe ishte kampi famëkeq i Tepelenes.
Kampi i internimit i Tepelenës shtrihej buzë lumit Vjosë dhe ishte i rrethuar me tela me gjemba . Në këtë kamp të tmerrshëm vdiqën nga mungesa e ushqimit dhe e higjenës 300 fëmijë, të cilët edhe sot janë pa varre si shumë të tjerë. Dhimbja vazhdonte e shtohej më shumë se jo vetëm që nënat humbnin fëmijët, por nuk kishte as arkivol për ta varrosur. Si i mbijetuar i atij kampi po ju tregoj, se një ditë një zonje nga Mirdita i vdiq fëmija dhe s’kishte arkivol që ta vendoste , nëna ime prishi djepin tim mbi të cilin unë bëja detyrat e shkolles, e mes lotëve sajuan një arkivol.
Autoriteti për informim mbi dosjet e ish sigurimit të shtetit ka bërë një punë të lavdërushme, duke mbjellë treqind qepariza, me sponsorizimin e individëve në kujtim të këtyre fëmijve që humbën jetën në atë kamp, por edhe duke e sensibilizuar opinionin publik kombëtar e ndërkombëtar për të njohur tragjedinë që shkaktoi diktatura komuniste. Shpresojmë që ky kamp të kthehet në një kamp muze kujtese.
Zonja e zotrinj, nuk kam ndërmend të ndalem në hollsira për cfarë ka ndodhur në këtë kamp internimi I quajtur kampi I çfarosjes, se ju do ti mësoni kur të lexoni librin, por do tregoj meqense jemi në prag të festës të Krishtlindjeve se edhe aty në kamp festoheshin varfërisht Krishtlindjet Pashkët, Bajrami, e njerzit ja uronin njeri tjetrit festën.
Miku im artisti i madh i humorit, poeti dhe shkrimtari Gjosho Vasia i cili është ndarë nga jeta para pak vitesh, më thoshte një ditë;
-Ti Simon ndoshta nuk e mban mend se ke qënë i vogël, por një natë Krishtlindje një makinë është ndalë sipër kampit të Tepelenës e një djalë me trompë i quajtur Gasper Curçia që edhe ky nuk jeton, zbriti nga makina me trompë në dorë e interpretoi një pjesë të Ave Marias, të gjithë njerzit dolën nga gazerma në oborrin e kampit duke e dëgjuar me sytë e përlotur e durt nga qielli .
Zonja e zotrinj në Shtatorin e 2014 vendi jonë u vizitua nga ati i shejt Papa Francesku, kjo ishte e para vizitë e atit të shejtë në Europë. Kur u pyet nga gazetarët përse zgjodhet Shqipërinë si vizitën e parë në Europë? Papa Francesku ju pergjigj: Zgjodha Shqipërinë për vizitën e parë në Europë jo si vendin më të bukur, jo si vendin më të begatshëm ekonomikisht, por e zgjodha si vendin që ka vuajtur më shumë nga komunizmi.
Historikisht popujt vuajn nga pushtuesit, ndërsa në këtë tragjedi që do ta kishte lakmi edhe Shekspiri e shkaktuan të ashtuquajturit çlirimtarë, duke vrarë me gjyq e pa gjyq, duke burgosur dhe internuar njerzit për të vetmin faj se këta ishin kundra instalimit të diktaturës komuniste, se donin një Shqipëri të lirë e demokratike. Luftrat bëhen për të fituar, ndërsa komunistët fituan për të humbur ,humbes sepse vran Lirin, duke zënë popullin rob, duke e syrgjynosur e sakatosur nëpër kampe internimi e burgje, duke i marrë jetën me akuza fallse. Për fat të keq Shqipëria që zoti e kishte falë aq të bukur siç thotë i madhi Padër Gjergj Fishta, se rreth e rreth kësaj rrokullije si Shqipëria vend nuk ka, por diktatura komuniste këtë vend kaq të bukur e ktheu në një shtet burg.Ka ardhur koha qe ta ndricojme syrin e mendjes e ti themi jo urrejtjes,e ardhmja I takon atyre qe mbjellin dashuri. Të nderuar pjesmarrës ne nuk duam të marrim rolin e heroit por unë dhe bashkëvuajtësit me rrëfimet tona kemi marrë rolin e misionarit të paqes, aq të nevojshëm për njerëzimin e veçnarisht për Shqipërinë. Kujtoj shpesh fjalët e padër Zef Pllumit (Rrno për me tregue).Po ne do të tregojme çfarë ka ndodhur nga diktatura komuniste e cila zhduku ajkën e kombit, vrau fisnikërinë, nuk solli gjë tjetër veç mjerim përçarje e varfëri. Tregimet apo rrëfimet tona të nderuar të pranishem kanë si qëllim të përcjellin mesazh, mesazhin që kjo histori të mos përsëritet më kurrë. Për të patur një të ardhme të sigurt e një demokraci të konsoliduar duhet të njohim e të ballafaqohemi me të kaluarën tonë, të njohim rrugën e vështirë nga kemi ardhur që të dimë te zgjedhim rrugën nga do shkojmë.
Të nderuar të pranishëm Shqiperia është e të gjithëve, është e atyre që flasin e mendojneë Shqip. Ky vend i bekuar nga zoti ka nevojë që të ja shtojmë bukurinë, e ajo zbukurohet duke jetuar në paqe me njeri tjetrin pavarsisht bindjeve politike, se ashtu siç thotë Shejtorja Nënë Tereza: Ne i përkasim njeri tjetrit.
Edhe pse ecem në një rrugë të gjatë e shumë të mundimeshme të mbuluar nga terri i padrejtesisë që shkaktoi diktatura komuniste i thamë jo hakmarrjes,pritëm që drejtesia të thotë fjalën e saj. Fatkeqesisht këtyre njerzve që diktatura I dhunoi padrejtesisht as kush nuk pati kurajo ti kërkojë të falur.
Po përfundoj me thënien e Martin Luter Kingut : Mësuam të fluturojmë si zogjtë, mësuam të notojmë si peshqit por nuk mësuam të jetojmë si vëllezer.
Meqene se jemi në prag të Krishtlindjeve ju uroj: Gëzuar e për shumë vjet Krishtlindjen e vitin e ri. Festa të gëzueshme paçi gjithmonë!
***
* Fjala e z. Simon Mirakaj në veprimtarinë e organizuar në Vjenë me 7 dhjetor 2019 me rastin e promovimit të librit “Krishtlindjet në Golgotë” me autor z.Gjergj Jozef Kola. Në këtë veprimtari morën pjesë të mbijetuar të atij kampi famkeq si: Lek Previzi me djalin (Leonardin), me bashkëshorten Beba, Angjela Vasia me nënën e saj Berina Vasija,Elda Rripaj dhe Durim Xhudo familjarisht.
Në dt.8 u hap ekspozita me pikturat e Leonardo Pervizit që tërhoqi vëmendjen e shumë vizitorve në Qendrën kulturore Quo Vadis pran katedrales në Stefan Plaze. Promovimi i librit u shoqërua me tingujt e Moxartit e Shopen të luajtur në piano ,nga dy pianisët e vegjël shumë të talentuar, fëmijët e autorit Patrik Kola dhe motra e tij.Ndërsa një ndër aktorët e mëdhenj austriak deklamoi pjesë nga libri të përkthyera në gjuhën Gjermane nga autori.
Gjergj Jozef Kola shkroi: Refleksione jete- Dy zoja, dy shqiptare, dy fëmijë të kampit të Tepelenës, për herë të fundit janë taku para 30 vjetësh në dasmën e Angjela Vasija, në Shkodër, takohen prap mbas 30 vjetësh në Vjenë në nderim të bashkshorteve, të cilët ishin e janë edhe pasunia ma e madhe e jetës së tyne e nji pasuni e pavdekshme e kombit shqiptar.
Dy zoja, si zana malit, Berina Kaceli dhe Vasija e Gjuljana Malaj Pervizi, dy shekuj që nuk ka krahë poetik që i përshkruen…sepse asht kultura e arti që e ban diferencën në mes të mirës e të keqes…