• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2020

100 VJET- Kronikat e jetes…

January 28, 2020 by dgreca

Ne nderim te Jusuf Azemit dhe 100 vjet te jetes ne krah te atdheut…!/

Nga Skender Karaçica/

Ne Çikago te Amerikes,diaspora shqiptare kishte nje feste te veçante,ku,permes ores se shpalimeve e perkujtuan udhen dhe shoket e Jusuf Azemit(1920)qe hidhte drite angazhim i tij per çeshtjen shqiptare ne Ballkan dhe per lirine dhe pavaresine e Kosoves.

Folen dhe folen shoket e udhes ,qe bashke me Jusuf Azemin i kishin kaluar neper Amerike dhe Evrope,per t`i dale ne balle te padrejtesive historike te kohes,kur fqinjet tane me thiken pas shpine na i grablluan tokat tona shqiptare.Foli me emocione burrerie Bardhyl Shatku,i cili nder te tjera ia lexoi biografine e Njeriut te rreshtave te pare,Jusuf Azemi,ne Çikago ,Nju Jork dhe Washington ,per te thene te verteten per popullin shqiptar ne Ballkan dhe per Kosoven.

Te gjithe ne salle me emocione tashti per Plakun me nje shekull mbi supet e tij…!

Flet Jusuf Azemi dhe shpalon kujtimet e tij…Udhe e gjate jete,kronikat dhe historia (sipas Hasan Prishtines)i shkon mbrapa me lavdine dhe nderin qe ia dha Kombit dhe Atdheut Shqiptar!

Kur e takova Mit`hat Frasherin ne Itali,ai na pati thene:Tetova dhe Prishtina do te japin fjalen e fundit per Shqiperine Etnike!
Regjimi antishqiptar serb me kohe i kishte bere planet per shfarosjen e shqiptareve .

Kur e kreva klasen e pese fillore ne gjuhen serbe,mesuesi me doli perpara dhe me tha:Nuk ka shkolle me per ty…shko te baba dhe ndihmoi ne are dhe livadhe …!

Kronikat e jetes se Jusuf Azemit jane te gjate sa vete jeta e tij nje shekull…!

Per te nderuar shekullin e jetes se Jusuf Azemit nga Detroiti kishte ardhur veprimtari Luigj Gjokaj,i cili ne shpalimet e tij theksoi se kur e kishim prane Jusufin nuk kishte as frige dhe nuk kishte kush qe te na shembe …!Ishte ftohte ne Çikago ne vitin 1983 kur ne djelmenia shqiptare kishim ardhur per te protestuar para konsulates ish-jugosllave dhe me vete nuk kishim marre rrobet per kohen e ftohte.Kur me pa se si kisha ardhur Jusf Azemi hoqi pallton e tij dhe me vuri mbi krahet e mi djaloshar dhe,ne keto çaste Luigjit iu mbushen syte me lot…!

Te dielen,Çikago dhe veprimtaret e shumte nderuan 100 vjet te jetes se Jusuf Azemit…!

/Skender Karaçica/fb

(28 janar te motit 2020)

Filed Under: Komunitet Tagged With: Skender Karacica-100 vite-Jusuf Azemi

Kosova, Katër muaj Pas Zgjedhjeve, pa Qeveri të re

January 28, 2020 by dgreca

-Ambasadat e Quint-it – Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një deklaratë të përbashkët sot theksojnë se nuk do të ndërmjetësojnë në negociatat e partive për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës: “Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqëndrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”/

-Në 20 Janar 2020 kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti është dekretuar kandidat për Kryeministër. Ka mbeteur vetëm edhe një javë deri në ditën e skadimit të afatit kushtetues për koalicionin qeverisës/

-Në “Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]” – pika 2 Kushtetuta  përcakton se “Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”, ndërsa, në pikën 4 përcaktohet: “Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

 PRISHTINË, 28 Janar 2020/ Ambasadat në Kosovë të shteteve të Quint-it në një deklaratë dërguar sot nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës  theksojnë se nuk do të ndërmjetësojnë në negociatat për krjimin e Qeverisë së re të Kosovës të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 Tetorit 2019.

Deklarata nga Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara është kjo:

“Në prag të spekulimeve të fundit, ne do të donim të sqaronim qëndrimin tonë në lidhje me procesin e formimit të qeverisë në Kosovë. Siç është cekur në deklaratën tonë të 30 gushtit 2019, ‘Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sygjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë… përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës’. Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqëndrohen në aspiratat e popullit të Kosovës.”

Qeveria e re e Kosovës ende nuk u formua edhe pse po kalon edhe muaji i katërt pas zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019 dhe kaluan dy muaj nga certifikimi i rezultateve të tyre në 27 Nëntor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e kaloi më shumë se një muaj nga seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës mbajtur në 26 Dhjetor.

Në ambinetet e Kuvendit të Kosovës po mbahet sot edhe një takim tjetër ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në negociatat për bashkëqeverisje të kryetarëve të partive Albin Kurti i LVV dhe Isa Mustafa i LDK, si dhe përfaqësuesve të tjerë.

Pas takimit të djeshëm Lëvizja Vetëvendosje njoftonte: “Nuk u arrit marrëveshja. Palët u pajtuan që nesër të zhvillohet një takim tjetër bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë si dhe me Shefen e Misionit të BE-së.

Kanë mbetur edhe tetë ditë deri në skadimin e afatit kushtetues për koalicionin qeverisës”.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës njoftonte: “Në takimin e sotëm kemi shpalosur qëndrimet tona, tashmë të njohura dhe publike për opinionin. Konsiderojmë që këto qëndrime janë të balancuara për të dy palët dhe që i shërbejnë stabilitetit të qeverisjes së vendit”.

Sipas rezultateve përfundimtare të certifikuara nga KQZ, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, LVV me 26.270%  të votave ka 29 deputetë, ndërsa LDK  me 24.548% të votave 28 deputetë. Këto dy parti së bashku kanë gjithësej 57 deputetë dhe u duhen së paku edhe 4 vota tjera për t’i bërë 61, një më shumë se gjysmsa e Kuvendit, për të kaluar në votim Qeveria e re dhe për këtë llogaritet në votat e komuniteteve pakicë joserbe që kanë 10 deputetë dhe pritet të udhëheqin me një ministri.

Partitë shqiptare të koalicionit të kaluar qeverisës sipas deklaratave do jenë në opozitë pasi kishin këtë rezultat në zgjedhje: PDK me 21.234% të votave ka 24 deputetë, AAK me 11.515% të votave -13 deputetë, Nisma dhe AKR që ishin në koalicion parazgjedhor kanë 6 deputetë pasi me 5.002% të votave për pak e kanë kaluar pragun prej 5% për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Lista Serbe me 6.402% të votave ka të 10 vendet e deputetëve në Kuvend të Kosovës të garantuara me Kushtetutë për komunitetin pakicë serb, pasi partitë tjera serbe nuk arritën të fitojnë ndonjë vend deputeti. Kushtetuta e Kosovës komunitetit pakicë serb ia garanton edhe përfaqësimin në Qeveri, ku pritet ta ketë një ministër në Qeverinë e re me numër të ministrive gati të përgjysmuar. Në Qeverinë e kaluar të Kosovës komuniteti pakicë serb kishite tre ministra, njëri prej tyre edhe zëvendëskryeministër.

Në 26 Dhjetor 2019 një zhvillim i papritur ndodhi në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës me propozimin nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti të nënkryetarit të partisë Glauk Konjufca për kryetar të Kuvendit dhe me zgjedhjen e tij edhe me votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënkryetarja e së cilës Vjosa Osmani si kandidate për kryeparlamentare ishte përmendur në negociatat për bashkëqeverisje që deri tani rezultuan pa marrëveshje të dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019, LVV e LDK, të cilat ishin në opozitë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës është e drejtë ekskluzive e partisë ose koalicionit të parë në rezultatin e zgjedhjeve të propozojë kryetarin e Kuvendit.

Por, zhvillimi i papritur  në Kuvend në 26 Dhjetor 2019 e bënë të vështirë apo edhe të pamundur një marrëveshje bashkëqeverisje mes LVV e LDK e zgjedhjen e Albin Kurtit kryeministër, prandaj mund të shkohet në zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme nëse nuk do negociohet edhe më tej e nuk arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje, përfshirë ndarjen e posteve.

Një alternativë tjetër është të provohet që kushdo që arrinë t’i tubojë së paku 61 nënshkrime përkrahëse për t’u votuar të nominohet për kryeministër.

Në 20 Janar 2020 Lëvizja Vetëvendosje në një letër dërguar Presidentit Hashim Thaçi e ka propozuar kryetarin e saj Albin Kurti për mandatar të Qeverisë së Kosovës.

Më pas po atë ditë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi:

“Pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgova zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.”

Pas ditës së sotme mbetet vetëm edhe një javë deri në ditën e skadimit të afatit kushtetues për koalicionin qeverisës.

Në “Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]” – pika 2 Kushtetuta  përcakton se “Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”.

Ndërsa, në pikën 4 të po këtij neni të Kushtetutës përcaktohet: “Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”.

Kosova në 6 Tetor 2019 mbajti zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari-Kosova-4 muaj pas zgjedhjeve-pa qeveri

KUJTESË LETRASH

January 28, 2020 by dgreca

  • MES ARDHJESH DHE IKJESH…/

28 Janar… ditë jete… e së shkuarës dhe e së ardhmes… ashtu si sot… me festat e saj dhe me përkujtimoret e saj… vjen dhe ikën si çdo ditë, sjell dhe merr  dhe lë gjurmët, të dukshme dhe të padukshme si era, që shkrijnë me borën e dimrit, harrohet, por ka ngjarje që s’harrohen, të mëdha, të zakonshme, s’ka ngjarje fare, por dhe na del përpara dhe na vë para syve pllaka mermeri të kujtesës… ja, në 28 janar do të lindëte shkrimtari i madh i shqiptarëve Ismail Kadare, vepra e të cilit do të përhapej nëpër botë, dhe Kardinali i parë shqiptar, Mikel Koliqi, që vinte nga burgjet dhe internimet, në 28 janar “u krijua kardinal” nga Papa Vojtila, po në këtë ditë, muaj dhe vit me Kadarenë, lindi dhe një shkrimtar tjetër, i përvuajtur, që pak e njohin, nga burgjet vinte dhe ai, Reshat Kripa, i cili shpërndante trakte kundër regjimit që kur ishte fëmijë, traktet ishin krijimet e tij të para, s’ka pak që u shua… në 28 janar ndërroi jetë dhe poeti nobelist Joseph  Brodsky në Nju Jork, kishte lindur në Leningrad, edhe ai u dënua se ishte poet.

Do të donim të dinim për të gjithë këto ardhje, që janë të shumta dhe ikje, po aq të shumta, që do të mund t’i përmblidhte 28 janari, po ai që lind s’kupton gjë në ditën e lindjes së tij, vetëm qan, edhe ai që ikën s’ka gojë për atë ditë, vetëm e qajnë.

Si një përmbledhje ndjesish kësisoj, të ngjashme ca me vdekjen dhe ca rilindjen, me ankthet dhe dashuritë, me frikën dhe të papriturat, po sjellim këtu një rrëfim, kreun e parë të burgologjisë “Ferri i Çarë” të Visar Zhitit, daljen e tij nga burgu po në 28 janar… Është si një ardhje nga bota e përtejme…     

Kthimi…

Nga Visar Zhiti

Hapi i parë në tokën e përtejme. Që u lëkund e pasigurt, ndërsaporta e hekurt mbyllej me kërkëllima nga pas. Telat me gjemba të rrethimit i ndjeva të më shponin në mish sikur të më kishin mbërthyer në ta, ndërkaq po u largohesha ngadalë si në ankth. Po më rridhte gjak, jo, jo, rrëke djerse, edhe pse ishte dimër. Fund janari me borën nëpër malet përreth, pjerrinave, mbi rrugë. Ftohtë, por nuk frynte, jo.

Ushtarët… a do të më qëllonin me automatik pas kurrizit nga kullat e larta? Se mos ishte grackë lirimi im?! Se kishte ndodhur edhe ashtu. Kur do të rrëzohesha mbi atë si qefin të leckosur e me baltë, që më ngatërrohej këmbëve? Po lëkundesha unë tani, jo toka, që s’qe më e përtejme. Hodha hapa të tjerë, padurueshëm të ngadaltë, të zbardhëllyer, prej bore, por me buçima, ndoshta të zemrës. Vërtet po ecja i lirë, kaq kështu? E ç’kisha bërë për t’u liruar, ja, plotësova kohën, por koha njëlloj është prapë, as zbrazet e as mbushet, eh, ashtu duhej të ishte… torba ime plot me kohë burgu… ia hoqa ca… u bë e lirë edhe ajo… si unë… kaq lehtësisht… po dija të ecja edhe përtej telave me gjemba… Nga duhej të shkoja? Me çizme llastiku, të prera… Me rrobat e punës, i qethur…

Njëherë thashë të vrapoja me britma, por s’desha të shihnin çmendurinë time të gëzueshme ata që mbeteshin pas, atje brenda. E dija që po më shikonin, siç ndodhte kur lirohej ndokush. (E pabesueshme: ai këtë radhë isha unë!) Me siguri, ata kanë dalë sipër pirgjeve, shkallëve, te sheshi lart, në ndonjë dritare të murrëtyer, pas llamarinave të kuqe, se mos ka ndonjë vrimëz aty, përpiqen të shohin nga ndonjë qoshe ikjen time. Kisha thënë që s’do ta ktheja kokën pas, kuptomëni. Jo pse jam supersticioz, por s’dua që atë pamje drithëruese e të turbullt përmes lotësh ta mbart me vete.

Hodha hapa të tjerë, të pasigurt. Shtrëngova torbën dhe dorën tjetër të lirë e tunda në ajër si për një lamtumirë. Po, po, përshëndeta ç’munda, botën. U pengova mbi një grumbull bore të mbetur. Shiko rrugën, i thashë vetes me zë. Dhe po nxitoja me dalldinë e fëmijës. Nëse do të ndalojë ndonjë kamion, nga ata që ngarkohen me mineral të minierës së burgut ose ai, autobusi i rojave, dhe më marrin, mirë do të ishte. Jo, jo, dua të eci, të zgjat lirinë… derisa të paraqitem… S’kam asnjë lloj dokumenti, i lirë si drurët anash, bredha janë, me copa bore nëpër krahë… i lirë si këta zogj dimërorë, po më ndjekin… a thua vetëm ata…? Në shtëpinë time, larg, do të jetë bërë gati festa e kthimit tim. Eh, kur të mbërrij në mbrëmje vonë. Po pse s’erdhi askush të më marrë? S’pashë te porta e burgut. Ku ta dish… se mos ka qenë aty rrotull dhe… sikur… e pashë… A do të më lënë të iki vetëm? Të ketë ndonjë pusí më tutje, grackë? Kështu do të jetë jeta ime tani…

 Vazhdoja të nxitoja si ujërat poshtë, me një fat të ri. Të isha si ujërat, që s’dinë ç’sistem është, as njohin parti… s’mbajnë përsipër asgjë, vraga goditjesh, katastrofa a beteja. Qoftë dhe të një vetëtime. Por ujërat kanë kujtesë, e di, e mbartin vendin nga vijnë…

 Ndaloi autobusi i vogël i ushtarakëve të burgut. Nuk doja të hipja, por se mos dyshonin, se ai tjetri që u lirua pak përpara meje, ja, ja, i hutuar u fut në autobus… e për mua do të thoshin se kërkon të marrë malet, të arratiset e do të më kthenin prapë. Në burg. Jo, jo, mos o Zot! Sa më shpejt, me vrap, me kalë, me flatra, të mbërrij sonte në shtëpi… Autobusi troshitej gropave. Dy kapterë se ç’po bisedonin me nja dy civilë, zjarrmëtarë të minierës, i kisha parë. Një oficer mori një cigare nga paketa e shoferit. Je i lirë tani, hë, si po të duket? – më pyeti duke buzëqeshur. Buzëqesha edhe unë. Po rrija në këmbë dhe shikoja larg. Edhe i burgosuri tjetër po ashtu. Unë nuk di të lirohem, më pëshpëriti, po ti? As unë nuk jam liruar ndonjëherë…

Një qytetth, ja, në rrëzë të maleve të tjera, plot me pllanga bore, si mburoja të bardha, të rëna nga një betejë qiellore. Me siguri Fushë-Arrëzi. S’kishte porta, as mure rrethuese, ura që ngrihen, ndalesa, kontrolle… tela me gjemba. Ndalëm. Ku të ikim tani? Ku të doni, thanë kapterët njëkohësisht, jeni si të gjithë ne. Merrni vesh? Mos do bankën, kishe lekë në llogarinë e…? Po, thashë i prekur. Eja me ne, ja, aty. Unë dua të shkoj te drejtoria e minierës, tha tjetri, do të marr një vërtetim që kam punuar saldator, kështu më thanë, merre se do të të duhet. Shko andej. Ku? Tek ajo kodra. U pamë në sy. Na duhej njeriu tjetër tani… Më prit, tha, se unë nuk di…

Xhama. Të futem? E pamundur të më ishin rritur flokët që nga burgu deri këtu. Edhe rrobat, si mos më keq, me çizmet e prera me sqepar. Po dhe këta ashtu-ashtu janë veshur. Sportel xhami. Një grua! E vërtetë. Desh më ndali fryma. E bukur. Nuk dija të flisja. Se ç’i thanë. Po, m’i dha të gjitha lekët e mi, që kisha pasur në burg. Ishin sa për një pagë e gjysmë. Duhen, të mos shkoja duarbosh në shtëpi. I kisha harruar. Për ato luftohet, vuajmë. Pse nuk ia putha dorën asaj? Apo që të më kthenin në burg prapë? Sa me dhembshuri më pa. Fliste si nga Jugu. M’u errën sytë. Dola. Njerëz të vegjël në rrugë. Ç’mrekulli, duar të vogla, sy të ndritshëm, ngarendnin. Këpucë të vogla! Fëmijë shkolle. I kisha harruar të vegjlit, ah! Ndala t’i këqyrja. Kaq vjet e vjet shihja veç mure e shkëmbinj dhe fytyra si ato, të gërryeshme njëlloj. U gjenda mes fëmijëve si mes engjëjve tokësorë. U vezullonin edhe britmat, hovnin si ylbere vogëlane, por, ngaqë m’u shmangën dhe e çuan lojën pak më tej, vazhdova çapitjen time deri te një tjetër kthesë, ku kishte mbetur një si zbukurim i Vitit të Ri. Çfarë t’u blija fëmijëve dhe t’ua hidhja përsipër si pelerinë të magjishme? Por u rishfaq çudia.

Kujtova se më shpërtheu zemra, kur filloi të rrihte me shpejtësi të pabesueshme, po dëgjohej edhe jashtë brinjëve, në mesin e të cilave u krijua një bosh i akullt, i thellë. E si të mos shtangia?! Mrekullia përballë, ajo, pa asnjë xham, krejt ndryshe, pa m’u errur sytë: rrëzëllim dhe sorkadhe, fustan, shall i gjatë, floknajë yllësish bore… buzë, sy, gjinj, gjunjë, gjumë, ëndërr tjetër lloj, si liria… Gruaja e bankës? Tjetër? Thesar i botës. E vërtetë prapë? Kurrë s’kisha parë kështu, kaq afër… një hyjneshë! Po afrohej edhe më. Ballë për ballë. Si nuk suleshin drejt saj? U vërvita unë. Si nuk ta putha dot dorën, më fal, të bie në gjunjë, lërmë t’i përqafoj. Ta mbaj kokën në fundin e barkut tënd. Rënkoi. Ajo apo unë? Ramë. E putha ashtu siç nuk dija. Rrugën më shumë. Gurët, gjurmët… Ajo iku. Dhe të tjera ikën qetësisht. Vazhdoja të çuditesha se si duronin njerëzit e s’u hidheshin femrave, sapo i shihnin, të binin sipër tyre, pa fund, që nga burgu e deri në vdekje. Doja të ndiqja gratë, të shihja ecjen e tyre, tundjen trallisëse, si hynin dyerve (bënin dashuri pas tyre?). Dilnin. Nuk kishin frikë se mos i sulmonin kalimtarët. Aq më mirë… Ç’po bëhet tani atje, brenda telave me gjemba? Ndoshta apeli. Tek të gjithë mungon një grua. Bora përreth po më bëhej si shkuma e detit nga doli ajo… Afërdita. Do të shkoj dot në tempullin e saj, aty ku gratë vetëm të jepen? Se unë jam i lirë… Në regjistrin e madh të burgut edhe emrit tim më së fundi do t’i qe vënë viza. Si ajo që bënte lapsi i zi i tualetit në sytë e gruas. Je i lirë tani, më thanë. Komisari a Cerberi te porta më porositi me zë të lartë: “E pe ç’ishte? Më mirë të hash një herë në ditë në shtëpi dhe të mos kthehesh më këtu. Qepe gojën! Turbullirë në sy. Ç’të duhet të bëhesh prapë armik!…” Shihja zinxhirin e çelësave të portës në duart e policit. Po atij që u lirua para meje, çfarë i thanë, po këto? Ç’u bë ai? Humbi…

Do të doja të pija një gotë konjak me lekët e mi. Kisha dëshirë të rrija pranë një banaku me pasqyra dhe bufetiere flokëverdha. Si u thonë, kameriere? Por a ka më klube, apo i kanë prishur si kishat dhe xhamitë? Sa kohë kam pa u parë në një pasqyrë… Tani atje do të jenë në rresht dhe po u lexojnë me zë të lartë, si të marrë, nga librat e diktatorit. Gjoja për riedukim, por në fakt bëhet për torturë… Sa bukur të sillesh si i lirë! Li…brari. Do të ble Fjalorin e madh të Gjuhës Shqipe. Po shitësja guxoi dhe më uroi daljen nga burgu. S’kishte njeri tjetër. Kuptohesha nga vija. “Qenke i ri”, – më tha dhe buzëqeshi. Po unë pse s’ia putha dorën, pse? As këtë radhë. Prisja urdhër? Ja, t’ia kisha marrë atë dorë të bardhë me kujdes, pa e lënduar me kallot e putrës sime, dhe lehtë ta afroja pranë vetes, të përkulesha pakëz e ta puthja. Do të dija, besoj. Jo që të bëja një gjest borgjez a fisnikësh të hershëm, e dija që ishte i ndaluar, por thjesht kisha dëshirë, mall, etje, si ai që bie mbi burime. Dënomëni. Ah, sa i rëndë është një tjetër burg, t’ia filloje prapë nga e para, tmerr e shkuar tmerrit! Pak kanë arrestuar ditën e lirimit? “Po ndill mirë, – iu luta vetes me zë. – Po të mos më dënojnë prapë, do të bie në dashuri shumë shpejt. Lejohet të bien në dashuri me ne? Flokët a do të më bëhen më kaçurrelë, kur të rriten? E vetmja dredhi imja. Po si do të ngjaj? Të pyes për stacionin e autobusit? Qytet i vogël është ky, as qytet jo, një grumbull pallatesh të reja, një rrugë: e gjej vetë. S’do të ketë ndryshuar gjë. Si parullat mureve… me luftë klase: shtypje me çizme staliniane kundërshtarëve, jetë të gjatë diktatorit tonë. Pse nuk erdhi asnjë të më priste? Larg… ja, do t’u shkoj në mbrëmje… E dinin që lirohesha sot? Apo nuk ua kanë çuar lajmin…? Sikur e ndjeva që ishte një nga vëllezërit atje ku presin, te dhoma afër portës së burgut, por s’guxova të shihja… Besoj tani është kthyer ndërresa e parë nga miniera e është nisur e dyta. Do Zoti s’është vrarë askush. Pastaj, vonë, unë do të mbërrij në shtëpi. Do ta hap derën sikur jam kthyer nga një shëtitje… e gjatë, me vite… Po pse s’erdhi askush të më sillte rroba të tjera, që të mos lirohesha me të burgut, dhe trikon time të leshtë, të trashë si pancir, t’ia falja ndokujt brenda? Dimër është. Miqtë duhen më shumë në dimër. Ka një ngatërresë këtu, komanda s’e tregon kollaj datën e daljes, orën jo e jo… se mos shkon drejt kufirit me… jo, jo, në shtëpi. Por a më ndjek kush? Eh, unë njihem menjëherë se kush jam…

– Sa është ora, ju lutem? – pyeta dikë pranë një shtylle. Neoni derdhte një lloj bore tjetër mbi shëtitoren e madhe të kryeqytetit.

U kthye nga ne, na vërejti, e kuptoi ç’ishim (një njeri i çuditshëm që donte të dinte se sa ishte ora, dhe një tjetër si ai, të pazakonshëm, të qethur, me rroba të pista burgu, me çizme…), dhe s’na u përgjigj. Një tjetër ia dha vrapit sa na pa. Ndoshta shkoi të lajmëronte, ose u tremb. Qesha dëshpërueshëm. Po ecnim kuturu. I burgosuri tjetër s’e kishte parë kurrë Tiranën. Ishte arratisur dikur, nga fshati, barí… jetoi ca kohë jashtë dhe u kthye nga malli. Dhe e burgosën menjëherë… Nuk dinte të lirohej këtu. Se mos unë dija. Se si të futin në burg, po… Jemi shumë pranë sundimtarëve, i thashë. Andej janë… Mos më lër vetëm, se nuk e njoh Shqipërinë, më kishte thënë. As unë…

Ndërrova krahun e torbës. Rëndonte mbi shpinë. E kisha plot me burg. Le që do ta mbartja gjithë jetën si një gungë. Vetëm varri e drejton kurrizon. Por burgu s’të ndahet as i vdekur. Po varri i diktatorit nga duhet të jetë? Kudo. Se mos na lë treni, të nxitojmë, se s’ka tjetër.

“Hiç mos çani kryet, krenarë”! – dëgjova një zë të ngjirur pranë. Se kush foli mes kalimtarëve të shumtë. Shkuam për nga stacioni. Edhe qemë lodhur, ndërro autobus, udhëto maleve, sa bukur, pa policë, ishte një oficer përpara, por jo për ne, besoj, pyje, kulla të vetmuara, lokalitete, pastaj treni dhe mbërritëm këtu. Pasdite vonë do të merrnim trenin tjetër për në Jug. Do të zbresësh në shtëpinë time sonte, i thashë shokut tim, kur do të prisnim biletat. Jo, do të vazhdoj, do të iki në fshat, falemnderit. Rri dhe ik nesër. Jo, jo. S’ngula këmbë, ku ta dish si i ka punët?! Megjithëse, aq sa ç’i duheshim njëri-tjetrit tani, vetëm aq donim të ishim, që të njiheshim me njeriun tjetër, jo të burgut.

Dhe vërtet ashtu ndodhi sapo zbrita, na ngazëlleu ky treni tjetër, tërë ata njerëz, si burgu, por kishim zgjedhur një vagon pa drita, i qenë prishur, se dëgjonim që ankoheshin. Në errësirë udhëtarët përballë s’kuptuan ç’ishim dhe nga vinim, kështu na u duk… Rrotat e hekurta gjëmonin, nuk janë ato të vagonëve që shtyjmë në burg. As tunelet nuk janë galeritë e minierave… kur një zë i ëndërrt femre, s’e di ç’i bëri përshtypje nga fjalët e mia, më pyeste shpesh, rrugë e gjatë dhe unë gjërat siç duket, i dija ndryshe, çuditshëm, por vijmë nga burgu, i thashë më në fund. “Ashtu?!”, – dikush iku, ia ndjeva nxitimin, edhe panikun, një dorë më shtrëngoi dorën. Të dy keni qenë në burg? Po. Por shoku im ka qenë dhe në… Suedi, prej andej erdhi… prandaj e burgosën… Suedi? Yyuuu… U liruam. Por edhe ti duhet të kesh qenë në Suedi. Unë jo. Po ti ashtu flet, kurse ai… Po mbërrinim në qytetin tim… stacioni i vogël. Rri nga ne sonte, i thashë prapë shokut të burgut. Jo, do të iki… në shtëpinë time, iu shua zëri. Mbase niset që sonte… për në Suedi, mendova. Ti thosha prapë, ik nesër, e ku ka të nesërme, do të më thoshte U përqafuam. Ndoshta s’do të shiheshim më kurrë…

Grumbulli i vogël i familjarëve të mi, në gjysmëterr, ja, po më priste, ndërsa udhëtarët e paktë nxitonin. Valixhe të errëta… Motra me të shoqin, kunatat, fëmijët e tyre… m’u derdhën me përqafime. Njëri vëlla, po tjetri, i madhi? “S’u takuat me Shpëtimin? Erdhi për ty në burg, me kostumin… Se mos ju ndërruan… – ç’shaka drithëruese – me siguri jeni shkëmbyer rrugës, s’jeni parë.” Ata të komandës telegramin s’ma kishin dhënë.

Morëm rrugën e shtëpisë, fare s’kishte ndryshuar. Gjimnazi… im. I huaj. I pakuptueshëm. Drita të zbehta tej. Qytet pa qytet, i mposhtur, lëndues sa më s’ka.

– Shkojmë të paraqitem në Degën e Punëve të Brendshme, – thashë unë.

– Ka kohë, brenda pesë ditësh duhet, – më thanë.

– Jo, jo, tani natën, se s’dua të dal më, – këmbëngula urtë.

– S’do të ikësh më te burgu? – pyeti një nga mbesat e vogla.

– S’besoj, – buzëqesha

– Kurrë, o Zot! – rënkoi motra dhe më futi krahun.

Kaluam sheshin e shkretë. Fshesaret, ja dy jevga të bukura dhe të trishta, teksa po tymosnin duhan, ndalën punën për të mos na bërë pluhur. Ktheva kokën dhe anash pashë zjarrin e tyre. Ja dhe shtëpia ime, një apartament në një ngrehinë të vjetër dykatëshe, ku tek të gjitha dritaret digjej dritë dhe mes vazove të luleve lëvrinin hije kokësh. Dëgjova zëra: “Erdhi, erdhi, ja…” Ngjitëm shkallët. Po dridhesha. Kërcinjtë po më ngjanin të shkërmoqshëm. Dera e hapur më kanat. M’u hodhën në qafë nëna, fqinjët e paktë – natë është, s’i sheh kush – kushërinj, të panjohur. U ktheva prapë nga nëna ime, që po qante nga gëzimi, e veshur me të zeza si gjithmonë, me flokët-kurorë, të argjenduar. S’dija kujt t’i përgjigjesha më parë:

– Si je?

– Qofshin të shkuara!

– Prit të të puth prapë.

– S’paske ndryshuar fare!

Befas u bë qetësi. Sikur të qenë marrë vesh që më parë, grumbulli i njerëzve u hap për të kaluar unë i pari nëpër korridorin tim, të jetës sime, i njëjtë si dikur, ai dhe jo ai. Nxitova me druajtje drejt fundit të përndritur, ku më priste im atë. I mbështetur në jastëkë në kanapenë e madhe. I bardhë dhe i hequr. I ngrirë. Me leshrat si flakët e një pishtari të ftohur. Vetullrënë. Krahët e thatë të shtrirë somnambul.

– Mirë se ju gjej! – u ngashëreva.

– Bir… – iu përmbyt zëri si i njomur në lagështirën e një shpelle. Edhe zëri ishte i bardhë. Duart e tij po më kërkonin nëpër ajër me drithërimë. I shqetësuar pashë nga të tjerët.

– Nuk shikon, – mërmëritën.

– As pakëz? – pyeta sikur kërkova mëshirë.

– Fare.

– S’më kishit shkruar, – u ankova i tronditur.

– S’donim të të shtonim dëshpërimet.

– Pse? – lëngova. – Pse i verbër…?

Duart atërore, dridhëse, po më kërkonin kryet, e prekën, pastaj mollëzat e mia të nxehta, supet. Ai më shikonte me duar dhe s’fliste dot. S’kishte për ta parë kurrë kthimin tim. I verbër përgjithmonë. Si ta çaja errësirën e tij? Dhe ishte aq i bardhë. I tëholluar, gati i tejdukshëm. Sa i dobët! Me atë kostumin e përhershëm, të zi. E pashë në sytë e palëvizshëm, të shuar. Mu aty i kishin rënë me dru gjatë torturave dikur. U verbua me errësirën time, kur ikja, e tani që u hap dera dhe erdha, ajo dritë nuk ia sillte dot sytë.

Gjindja bënte zhurmë të gëzueshme, donin të dinin për mua. Fqinjët përballë, të përzemërt, i njoha. Dhe ata të katit poshtë… Uronin, dikush merrte një gotë raki, një tjetër një llokume… dhe një karamele, janë me mjaltë…

– Bëj një kafe edhe për mua.

– Ndize një cigare.

– …ta mori të keqen… si të gjithë… kujdes… një punë… nuse…

Unë s’po çmpihesha dot. Në shpirt kështu. S’e dija e s’doja ta besoja se në ditën e lirimit tim do të më priste një plak i verbër, rembrandian, çifuti shëtitës. Po më rridhnin lot, por brenda meje. I ndieja të nxehtë, si pikime qiriu. Do të doja të isha vetëm me të, në qelinë e errësirës së tij. I ndezën cigaren tjetër dhe sytë e palëvizshëm, ah, s’shihnin asgjë të këtejshme, mbase thellësitë, ku ne s’shohim dot e bëhemi verbanë tjetërsoj. Baba, Homeri im i mjerë, lypës drite, i një rrezeje…

 Bisedat e përgjithshme sikur shterën shpejt. S’mund të rrëfehen vitet e mungesës, tërë ai burg, në çastet e para të takimit. Sikur e harrova gëzimin e kthimit… Po vuaja befasinë e verbërisë së tim eti. Prandaj më kishin munguar letrat e tij! “I dridhen duart, – më thoshin të mitë, – s’shkruan dot dhe shikimi sikur po i zbehet.” S’më thanë asnjëherë që i është shuar.

– Asgjë nuk shquan dot? – s’mu durua pa pyetur. – As dritën e ndezur s’e ndien?

– Të pashë ty, – mezi foli. – Mirë se erdhe!

Mos kishte vdekur im atë e s’ma kishin treguar dhe kishte dalë nga varri sa për të më takuar? Nëpër shkallë u dëgjuan ngashërime malli. Po vinte Komola nga Berati.

– Po qan tani, nga që s’deshi ahere, kur të morën, – foli im atë pa lëvizur. – I thoni të pushojë, – sikur iu forcua zëri, si atëherë kur ishte i zoti e bënte humor. U gjallëruan zhurmat e nipërve e të mbesave, të rritur pabesueshmërisht. Po ca që kishin lindur kur isha në burg dhe tani më afroheshin me dhele si mace?! Nëna s’më ndahej.

– Ha, merr dhe nga kjo tjetra, për ty i bëmë. Ty të pëlqejnë. Mos pi më, kurban mamaja, se…

Im atë mbante kupën e rakisë në ajër që ta trokëllinte me timen dhe të të tjerëve:

– Gëzuar!

Po Shpëtimi s’u kthye? Ku të jetë vonuar?

Pas mesnate u vendos të flinim.

– Ta kam regulluar vendin në dhomën tënde, – m’u përgjërua e lumtur nëna. – Siç ka qenë… – shtoi dhe u shkreh sërish në lot.

Pa gabuar, gjeta çelësin e dritës në gjysmëterr, e ndeza dhe e mbylla lehtë derën. Vetëm, si dikur. Por s’isha më ai. Po rrija pa lëvizur. Hodha sytë nga rafti i madh i librave. Shpina e tyre e përbashkët, laramane, e ledhatova si shpinë kali. Fotografitë e dikurshme, statuetat. Dorëshkrimet, e dija, m’i kishin marrë gati të gjitha. Kishin shqyer faqe, pasazhe dhe i kishin mbërthyer në Dosjen e Dënimit. Po të tjerat? …stilografin, stiletat, lapsat nëna ime m’i kishte lënë si dikur. Ashtu të palëvizur, m’u dukën si gishtat e mi të këputur, brenda në një kuti. Do t’i ngjitja dot? Me ç’operacion? Dhe a më duheshin? Mbi tryezën e ulët, një fletë e bardhë e lënë si dikur. U ula të shkruaja poezinë që kisha bërë me mend rrugës së kthimit, kur mbetesha vetëm me mendimet e mia.

Po ditar? A do ta përshkruaja kthimin, malet dhe borën që venitej, muzgun dhe kryeqytetin diktatorial…? Po Shpëtimi pse s’u kthye, ç’do t’i ketë ngjarë te porta e burgut?… Po ai që u lirua me mua, ku do të jetë tani, të ketë marrë udhën e… Suedisë? Mos ia mbathi prapë për andej?… Pse më duket tani sikur kam qenë vetëm fare gjatë kthimit, madje as me veten? Ishte apo s’ishte dita ime kjo? Treni i vonë, rendja nëpër stacione të shkreta… Ah, jo më ditar! Konfiskimi i tij, sidomos përçudnimi që iu bë në hetuesi dhe në gjyq, ma kishin zvetënuar, nuk do ta duroja dot më sinqeritetin naiv. Dhe për se, që të përfundonte prapë në kthetrat e policisë, për të të parë se ç’ndien, kush je, i rrezikshëm dhe pas burgut? Le të iknin ditët si të donin, unë s’do ta ruaja më hirin e tyre. Kujtesa, fosfori i saj… janë hall. Duhej të isha ende në burg, s’ishin bërë 10 vjet, por ja, arrita të lirohesha pak para kohe. Sepse dhe me punë kisha fituar ditë… të miat. Ia kisha rrëmbyer perëndisë së Kronosit dhe kisha ecur nën kosën e tij.

Mënjanova perden. Në xham pashë hënën. Jo, s’ishte më dritë e pikëlluar. Leshraverdhë, gjijashtë…Shtrati im atje në burg është zënë nga një tjetër, që s’fle dot, në natën e parë, përpëlitet dhe ofshan, do të shohë hënën, por ia mbulon një kokë e zbardhëlleme polici. Vëlla… mërmërita me frikë. As ti s’je dot aq i burgosur e as unë s’jam dot aq i lirë. Ndërresa e kthyer natën nga puna bie menjëherë në gjumë si me magji dhe oficeri i rojës, ja tani, i numëron të dënuarit, kufomat e shokëve të mi.

E njëjta natë, gjysmë e lidhur, gjysmë e zgjidhur. Nuk fle dot, po nuk u kthye vëllai…

Tyli i perdes e hidhte hijen mbi divan si tel me gjemba. Ndoshta hija ime aty kishte pritur, e fshehur pas dollapit.Thonë që s’është mirë të shihesh natën në pasqyrë. Zbulova se i ngjaja ende vetes. Dhe, po të vazhdosh të kundrosh veten lakuriq deri matanë mesnatës, po s’pate frikë deri në agim, në pasqyrë të del, po lakuriq, ajo me të cilën do të martohesh.

Nisa të zhvishesha me ngut…

Filed Under: Opinion Tagged With: Visar Zhiti-Kujtese Letrash-Ferri Care

KUVENDI I DETROITIT NUK KA PËRJASHTUAR ASNJË VATRAN ME EMËR

January 28, 2020 by dgreca

– Provokimi që bën ish dega e Washingtonit me emrat e vëllezërve Bytyçi, nuk i shërben frymës së Vatrës. Vatra e njeh dhe e çmon kontributin dhe u është mirënjohës çfarë vëllezërit Bytyçi kanë bërë për Komb e për VATËR.

– Kuvendi ka përjashtuar dy degët e vetëprjashtuara prej 2 vite gjysem- Washington dhe Newuburgh-NY, por vatranët e këtyre 2 degëve janë të lirë që ta dërgojnë anëtarësinë në Qendër,siç kanë bërë një pjesë prej tyre.

-Vatra nuk është marrë me Komisionin e 5 tetorit sepse e konsideron atë të paligjshëm-

            Në portale e rrjete sociale është publikuar një deklaratë e pasaktë e ish degës së Vatrës në Washington DC për përjashtimin e disa vatranëve me kontribut në Vatër, duke përmendur edhe vëllezërit Bytyçi.

              Sqarojmë opinionin se asnjë vatran me kontribut, madje asnjë vatran me emër, nuk është përjashtuar nga Vatra me vendim të Kuvendit, që i zhvilloi punimet me 19 Janar në Detroit. Nëse dikush e sheh veten të vetëpërjashtuar, është punë e tij. Kuvendi, në Vendimin e formuluar, nuk ka përmend emra vatranësh, por ka përjashtuar dy degë të cilat me kohë kanë vetëpërjashtuar veten duke iu kundërvënë qendrës, duke cënuar imazhin e  Vatrës, kanë bojokotuar veprimtari të Vatrës me Komunitetin,-dhe duke mosdërguar as pagesat e anëtarësive prej Qershorit të vitit 2017, edhe pse u është dërguar gazeta Dielli. Jo vetëm kaq, por në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Vatrës, ata kanë sajuar akuza të rreme ndaj zyrtarëve të Vatrës dhe janë përpjekur që të shmangin Vatrën nga Misioni i saj, duke e tërhequr në sherre të brendshme. Kuvendi, në vendimin për përjashtimin e degëve ka vendosë klauzolën e parashikuar në Kushtetutë(Kanunore) që vatranët e këtyre degëve të cilët kanë dëshirën e mirë të qëndrojnë në Federatë janë të lirë ta dërgojnë anëtarësinë në Qendër, derisa të riorganizohen degët në frymën dhe parimet e Kushtetutës së Vatrës.

             Në deklaratë e ish degës citohen emra vatranësh me kontribut, të cilët janë pjesë e të ashtuquajturit Komision i 5 tetorit.Sqarojmë publikisht se nuk ka Vendim për këtë Komision sepse Vatra e konsideron atë të paligjshëm dhe s’mund të merret vendim për një Komision të paligjshëm, i vetëshpallur jasht neneve të Kushtetutës së Vatrës.

I bëjmë thirrje medias që të tregohet serioze dhe të mos ndikojë në përçarjen e kominunitetit se boll i kemi partitë politike qe po perçajne Kombin!

Filed Under: Featured Tagged With: asnje emer-deg aWashington, Kuvendi i detroitit-Perjashtimi

Ismail Kadare mbushi 84 vjeç…

January 28, 2020 by dgreca

…urimi i Presidentit Meta: Shëndet e jetë të gjatë, suksese në krijimtarinë e tij të ngritur!/

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, uron gjeniun e letrave shqiptare, Ismail Kadare, që feston sot 84-vjetorin e lindjes.

Përmes një postimi në “Facebook”, Meta shkruan se kjo është në datë e shënuar jo vetëm për Kadarenë dhe familjen e tij, por për mbarë kombin shqiptar.“Gjeniu i letrave dhe i mendimit shqiptar, simboli i vokacionit tonë perëndimor, Ismail Kadare, kolosi krijues me përmasa botërore, që na bën krenar të gjithëve, feston sot 84-vjetorin e lindjes.

?

Në këtë datë të shënuar, jo vetëm për të dhe familjen e dashur Kadare, por për mbarë kombin shqiptar, i shpreh shkrimtarin tonë Ismail Kadare, urimet më të përzemërta, shëndet e jetë të gjatë dhe suksese të reja në krijimtarinë e tij të ndritur. ”, shkruan Meta.Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.

Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike.Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj.

Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”.

Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga viti 1994, Kadare është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.

Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972).

Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”.Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Ismail Kadare shkroi edhe veprën e njohur “Gënjeshtër nga dashuria e Galdimi ndaj Arife-s”

Filed Under: Histori Tagged With: Ismail Kadare-84 Vjec

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT