-Ambasadat e Quint-it – Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një deklaratë të përbashkët sot theksojnë se nuk do të ndërmjetësojnë në negociatat e partive për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës: “Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqëndrohen në aspiratat e popullit të Kosovës”/
-Në 20 Janar 2020 kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti është dekretuar kandidat për Kryeministër. Ka mbeteur vetëm edhe një javë deri në ditën e skadimit të afatit kushtetues për koalicionin qeverisës/
-Në “Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]” – pika 2 Kushtetuta përcakton se “Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”, ndërsa, në pikën 4 përcaktohet: “Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 28 Janar 2020/ Ambasadat në Kosovë të shteteve të Quint-it në një deklaratë dërguar sot nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës theksojnë se nuk do të ndërmjetësojnë në negociatat për krjimin e Qeverisë së re të Kosovës të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 Tetorit 2019.
Deklarata nga Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara është kjo:
“Në prag të spekulimeve të fundit, ne do të donim të sqaronim qëndrimin tonë në lidhje me procesin e formimit të qeverisë në Kosovë. Siç është cekur në deklaratën tonë të 30 gushtit 2019, ‘Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sygjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë… përgjegjësia për të ardhmen e Kosovës, për udhëheqësit e Kosovës, dhe për vetë Kosovën, është vetëm e juaja, e popullit të Kosovës’. Ne nuk do të ndërmjetësojmë. Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët politikë në Kosovë që të përqëndrohen në aspiratat e popullit të Kosovës.”
Qeveria e re e Kosovës ende nuk u formua edhe pse po kalon edhe muaji i katërt pas zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019 dhe kaluan dy muaj nga certifikimi i rezultateve të tyre në 27 Nëntor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e kaloi më shumë se një muaj nga seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës mbajtur në 26 Dhjetor.
Në ambinetet e Kuvendit të Kosovës po mbahet sot edhe një takim tjetër ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në negociatat për bashkëqeverisje të kryetarëve të partive Albin Kurti i LVV dhe Isa Mustafa i LDK, si dhe përfaqësuesve të tjerë.
Pas takimit të djeshëm Lëvizja Vetëvendosje njoftonte: “Nuk u arrit marrëveshja. Palët u pajtuan që nesër të zhvillohet një takim tjetër bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë si dhe me Shefen e Misionit të BE-së.
Kanë mbetur edhe tetë ditë deri në skadimin e afatit kushtetues për koalicionin qeverisës”.
Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës njoftonte: “Në takimin e sotëm kemi shpalosur qëndrimet tona, tashmë të njohura dhe publike për opinionin. Konsiderojmë që këto qëndrime janë të balancuara për të dy palët dhe që i shërbejnë stabilitetit të qeverisjes së vendit”.
Sipas rezultateve përfundimtare të certifikuara nga KQZ, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, LVV me 26.270% të votave ka 29 deputetë, ndërsa LDK me 24.548% të votave 28 deputetë. Këto dy parti së bashku kanë gjithësej 57 deputetë dhe u duhen së paku edhe 4 vota tjera për t’i bërë 61, një më shumë se gjysmsa e Kuvendit, për të kaluar në votim Qeveria e re dhe për këtë llogaritet në votat e komuniteteve pakicë joserbe që kanë 10 deputetë dhe pritet të udhëheqin me një ministri.
Partitë shqiptare të koalicionit të kaluar qeverisës sipas deklaratave do jenë në opozitë pasi kishin këtë rezultat në zgjedhje: PDK me 21.234% të votave ka 24 deputetë, AAK me 11.515% të votave -13 deputetë, Nisma dhe AKR që ishin në koalicion parazgjedhor kanë 6 deputetë pasi me 5.002% të votave për pak e kanë kaluar pragun prej 5% për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Lista Serbe me 6.402% të votave ka të 10 vendet e deputetëve në Kuvend të Kosovës të garantuara me Kushtetutë për komunitetin pakicë serb, pasi partitë tjera serbe nuk arritën të fitojnë ndonjë vend deputeti. Kushtetuta e Kosovës komunitetit pakicë serb ia garanton edhe përfaqësimin në Qeveri, ku pritet ta ketë një ministër në Qeverinë e re me numër të ministrive gati të përgjysmuar. Në Qeverinë e kaluar të Kosovës komuniteti pakicë serb kishite tre ministra, njëri prej tyre edhe zëvendëskryeministër.
Në 26 Dhjetor 2019 një zhvillim i papritur ndodhi në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës me propozimin nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti të nënkryetarit të partisë Glauk Konjufca për kryetar të Kuvendit dhe me zgjedhjen e tij edhe me votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënkryetarja e së cilës Vjosa Osmani si kandidate për kryeparlamentare ishte përmendur në negociatat për bashkëqeverisje që deri tani rezultuan pa marrëveshje të dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019, LVV e LDK, të cilat ishin në opozitë.
Sipas Kushtetutës së Kosovës është e drejtë ekskluzive e partisë ose koalicionit të parë në rezultatin e zgjedhjeve të propozojë kryetarin e Kuvendit.
Por, zhvillimi i papritur në Kuvend në 26 Dhjetor 2019 e bënë të vështirë apo edhe të pamundur një marrëveshje bashkëqeverisje mes LVV e LDK e zgjedhjen e Albin Kurtit kryeministër, prandaj mund të shkohet në zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme nëse nuk do negociohet edhe më tej e nuk arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje, përfshirë ndarjen e posteve.
Një alternativë tjetër është të provohet që kushdo që arrinë t’i tubojë së paku 61 nënshkrime përkrahëse për t’u votuar të nominohet për kryeministër.
Në 20 Janar 2020 Lëvizja Vetëvendosje në një letër dërguar Presidentit Hashim Thaçi e ka propozuar kryetarin e saj Albin Kurti për mandatar të Qeverisë së Kosovës.
Më pas po atë ditë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi:
“Pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgova zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.”
Pas ditës së sotme mbetet vetëm edhe një javë deri në ditën e skadimit të afatit kushtetues për koalicionin qeverisës.
Në “Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]” – pika 2 Kushtetuta përcakton se “Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”.
Ndërsa, në pikën 4 të po këtij neni të Kushtetutës përcaktohet: “Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”.
Kosova në 6 Tetor 2019 mbajti zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme.