• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2020

DIABETI I SHEQERIT -2

February 10, 2020 by dgreca

Rubrika Mjeksore e DIELL-it/

Dr Zekri Palushi (MD)-Australi/

(Vijon nga numri i kaluar)

Të dashur lexues të gazetës”Dielli”/

Siç e lamë nga shkrimi i mëparshëm, sot prap po vazhdojmë me DIABETIN e Tipit të DYTË, (Type 2 Diabetes Melitus, -T2DM),- ndërsa dimë që ato me Tip 1,-(Insulin Dependent), kanë një mjekim ma të thjesht e t’përcaktuar, me t’cilët merren kryesisht Specialistë Diabetolog.

Për diskutim dhe ilustrim, kam marrë një rast konkret, dhe kam dëshirë ta trajtojmë së bashku.

Pacjentja ime Ema, 62 vjeçare, qe diagnostikue me T2D (Diabet i Tipit 2), para 3 vjetësh. Qysh atëherë ajo ka pas shumë t’vështirë me kontrollue glukozën (sheqerin) në gjak, dhe mbi-peshën. Gjatë vizitës së fundit ajo më tha se i duhej t’ngrihej shpesh natën, prej gjumit për t’urinuar. Ajo merr Metformin SR 2gr/d, dhe Gliclazide SR 120mg në mbramje. HbA1c para një muaj, e pati 7.6% (60mmol/mol).

Pra arsyja që ajo erdhi sot për konsultë, ishte ri-shikimi i Diabetit dhe shprehja e shqetësimeve kryesore  për të ishin URINIMET e SHPESHTA dhe MBI-PESHA.

Të diskutojmë URINIMET e SHPESHTA: -Siç dimë, T2D favorizon INFEKSIONET bakteriale e fungale në rrugët urogenitale, por në këtë rast duhet të përjashtojmë edhe marrjen e tepërt të KAFEINES, pijeve ALKOHOLIKE, e po kështu të përjashtojmë ndonjë sëmundje të veshkave, dhe HIPERKALCIEMINE (rritja e KALCIUMIT në gjak). Njëherësh s’duhet harrojmë se MBI-PESHA (OBESITY), rëndon Incontinencën Urinare, gjë që mund të jetë edhe shkaku për shpeshtësinë e urinimit në rastin e sajë.

Ndërsa për MBI-PESHËN, (OBESITY), duhet të shikojmë nëse Ema ka ndonjë problem me gjandrrën TYROIDE, Depresionin, Gërrhitje gjatë gjumit (Obstuctive Sleep Apnoea-OSA), si dhe mënyrën e t’ushqyerit. Klasifikimi standart për Mbi-peshën, OBEZITETIN bahet nëpërmjet BMI (Body Mass Index), 25.0-29.9 kg/m2, dhe mbi 30.0 kg/m2. Ema e pati BMI 34 kg/m2, dhe madhësinë e belit 90cm.

Gjatë konsultës, Ema më tregoj se në mëngjez ishte gjithmonë e uritur, prandaj hante edhe një mëngjez të madh, dhe ka fillu me shtue ma shumë në peshë, qysh kur i asht shtue në mjekim GLICLAZIDE. Atëherë, unë mendova se ajo mund të kishte episode të vogla HYPOGLICEMIKE gjatë natës që i shtonin asaj orksin në mëngjez, e si pasojë edhe mbi-peshën. Ema nuk e monitorizonte vetë Glukozën në gjak. Por në pacjentët që marrin anti-diabetik që mund t’shkaktojnë episode HYPOGLICEMIKE, siç janë grupi I SULPHONYLYUREAS, -ku hyn edhe Gliclazide (DIAMICRON),- që Ema asht duke e marrë, duhet të rekomandohet vetë-matja (self-monitoring), e Glukozës në gjak.

Në këtë konsultë, diskutuëm edhe se çfarë Ema mund të bante për të menaxhue peshën, -menagjimi i mirë i secilës PERMIRESON shumë kontrollimin e glukozës në gjak, e po kështu, edhe nivelin e YNDYRNAVE dhe TENSIONIN e GJAKUT (Blood Pressure).  Asht’ pa se në njerëzit që kanë humb 5kg peshë, niveli I HbA1c ka ra deri ne 1% ma poshtë.

Aktivitetet FIZIKE, – të moderume, 150 -300 minuta, apo vigoroze, 75-150 minuta në javë, të shoqëruara me reduktimin e marrjes së eneregjive nëpërmjet ushqimit,-SJELLIN PERFITIME të mëdha, -jo vetëm në uljen e glukozës në gjak, e peshës, por edhe në aparatin KARDIO-VASKULAR  e CEREBRO-VASKULAR.

Pas një diskutimi t’hollësishëm që patëm me Emën, dhe këshillat që i dhashë në lidhje me ankesat kryesore t’saj dhe mjekimin që merrte, me efektet e pa-dëshirueshme të tij,-ku dihet se kur Gliclazide/DIAMICRON (sulphonylurea), jepet së bashku me METFORMINEN, -shoqërohet me një shtim gati 2 kg në peshën, ndërkohë që edhe sheqeri në gjak s’qe i mirë-kontrolluar (HbA1c e saj ishte 7.6%,- mbi nivelin e dëshiruar, që është nën 7.0%, atëherë, vendosëm që Diamicron-nin ta zëvendësonim me një nga përfaqësuesit e një klase të re,-GLP1 (Glucagon-Like Peptide),- si BYETTA (Bydureon), që ndihmon edhe për humbje të peshës.

DIABETI shpesh kërkon kombinimin e dy ose ma shume ilaçeve, -atëherë kur pacjenti nuk arrinë të kontrolloj nivelin e sheqerit në gjak, me marrjen e një, apo dy anti-diabetikëve.

Asht shumë e ransishme që para se t’fillohet mjekimi me anti-diabetikë,-të kontrollohet FUNKSIONI I VESHKAVE, duke matur CREATININE CLEARANCE-n (CrCl),-pasi dozat e ktyne ilaçeve DUHET të kalkulohen në bazë të nivelit të saj.

Krahas zëvendësimit të Diamicron-it, -Emën e referova edhe tek një DIETOLOGE dhe një Fiziollogjist Ushtrimesh (Exercise Physiologist), dhe e këshillova që të vijë për një konsultë pas 3 muajsh.

Kështu pra ajo erdhi, dhe në t’vërtetë dukej shumë ma e kënaqun me vehten, -më tregoj se kishte pa dietologen dhe kishte marrë pjesë në klasat AEROBIKE dhe YOGA, si rrezultat, -kishte humb 7kg, dhe vazhdonte rregullisht me ushtrimet fizike, duke i shtue edhe 30-60 minuta, ecje të lirë, për disa herë në javë. Po kshtu, niveli I HbA1c ishte ulë në 6.9%.

Ç’far asht HbA1c?- Ndryshe quhet Glycated Haemoglobinë, -matet me një analizë gjaku, dhe tregon përafërsisht mesataren e nivelit të sheqerit në gjak, gjatë një periudhe rreth 3 mujore.

Në lidhje me nivelin e HbA1c, -Shoqata Amerikane e Diabetit rekomandon nivelin <7%, -ndërsa Federata Internacionale e Diabetit rekomandon nivelin <6.5%.

Përfundimisht, – megjithse kemi thanë se “Diabeti asht nana e t’gjitha t’kqiave”,-prap se prap, kjo asht në dorën tonë, -nëse jemi të ndërgjegjshëm, të vullnetshëm, të kujdesshëm dhe t’vendosur për t’pas një jetë sa ma t’shëndetshme e të gjatë ë pa vujtje, në mes njerëzve tonë të dashun, duhet së pari të sfidojmë vehten, -duke fillue me ndalimin e MENJEHERSHEM të DUHANIT, dhe kufizimin në maksimum të pijeve alkoholike.

Jeta aktive jo vetëm që ndryshon trupin tuaj, por ajo ndryshon edhe mendjen tuaj, qëndrimin tuaj, dhe çehrën tuaj. Shëndeti asht jo pesha që humb, por JETA që FITON.

Gjanat e mira vijnë tek at që DJERSITIN.   

Mendoj që në shkrimin e ardhshëm të trajtojmë se “Çfarë duhet të dinë diabetikët, në lidhje me URGJENCAT mjeksore që mund t’ju ndodhin, e u KËRCNOJNË JETËN”.

Ndërkohë, nëse keni pytje të ndryshme në lidhje me DIABETIN, -ju lutem mos hezitoni të komunikoni me mue,-nëpermjet Redaksisë së gazetës DIELLI(gazetadielli@gmail.com).

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Zekri Palushi-Diabeti i sheqerit-2

NJOFTIM

February 10, 2020 by dgreca

                                Njoftohen anëtarët e Kryesisë dhe të Këshillit të Vatrës se ditën e Shtunë, 15 Shkurt 2020, në orën 11 para dite, në selinë e Vatrës, do të organizohet mbledhja e parë e strukturave të reja të pas Kuvendit të 19 Janarit. Në këtë njoftim përfshihen edhe kryetarët e degëve sepse janë pjesë të Këshillit të Vatrës. Ju lutem siguroni pjesmarrjen.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Vatra-njoftim-mbledhje

Për kulturën dhe ringritjen shpirtërore …

February 10, 2020 by dgreca

Requiem për  vitin 1997/

Nga Gezim ZILJA/Po mbushen gati 23 vjet nga ngjarjet e vitit 1997, që nuk u zbardhën kurrë megjithëse dihet se vrasësit e ”shpëtimtarët” e Shqipërisë ishin të njëjtit njerëz. Pjesa më e madhe e shkaktarëve të trazirave vitit 1997 janë sërish në majat e pushtetit politik, ekonomik dhe mediatik e vazhdojnë po atë gjuhë urrejtjeje dhe shkatërruese.

“Ju, ju e bëtë! Ju vodhët paratë e popullit. Ju jeni kriminelët dhe shkaktarët e atyre ngjarjeve. Ju i kthyet pushkën popullit. Ju veshët nënat me të zeza,” ulërin njëra palë, duke sjellë shëmbuj, fakte, e veprime të vërteta e të pavërteta të qeverisë dhe institucioneve të asaj kohe. 

“ Ju hapët depot e armëve dhe organizuat revolucionin e armatosur evgjito-fshatar sipas formulës komuniste të marrjes së pushtetit me dhunë. Ju dogjët bashkitë, shkollat e bibliotekat, sulmuat komisariatet, vratë policët dhe bashkëpunuat me bandat e kriminelët…” gjëmon pala tjetër duke sjellë më shumë fakte e shëmbuj të veprimeve të opozitës së atëherëshme të vërteta dhe të pavërteta. 

Të analizosh pas kaq shumë vitesh bardhezi, pa ndjerë pendesë e keqardhje, kur një shtet i gjithë u gjunjëzua, u shpartallua me gjithësej dhe u kthye në tokë të djegur nga bijtë e vet, kjo të ngjall jo vetëm trishtim por edhe një pesimizëm gati të pashërueshëm. Çaste çmendurie ka pasur në kohë dhe periudha të ndryshme edhe në popuj të tjerë, por pas stuhisë vijnë ditë të bukura e shndrit sërish dielli. Pas ngjarjeve të vitit ’97 populli shqiptar priste nga bijtë e vet drejtues, dënimin e dhunës dhe të njerëzve që e shkaktuan, sipas ligjeve dhe Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Dënimi i nja dy-tre caushëve dhe xhepexhinjëve ishte i pamjaftueshëm dhe nuk e vendosi në vend drejtësinë. Qeveritë shqiptare, me klanin e miqtë në njërin krah dhe në tjetrin servilët e intrigantët iu vërsulën Shqipërisë, duke e vjedhur e plaçkitur e dalëngadalë u shkrinë duke u bënë njësh me trafikantët, hajdutët, vrasësit e antishqiptarët. Kjo ndodhi e do të ndodhë në një shoqëri të molepsur e të sëmurë, që nuk analizon kurrë veten e vet, rrugën nga vjen e ku shkon, që shkruan, rishkruan e falsifikon historinë  sipas interesave klanore e partiake, duke e zhytur thellë e më thellë në varfëri e padrejtësi vendin e shqiponjave. Sipas statistikave zyrtare të nxjerra nga Ministria e Rendit për periudhën 01.01.1997 – 15.07.1997 në shkallë vendi janë këto pasoja:

Të vrarë me dashje           875

Të plagosur me dashje      825

Të vrarë aksidentalisht     101

Të plagosur aksidentalisht  278

Policë të vrarë                    43

Policë të plagosur              201

Kush do t’i mbajë në ndërgjegje këta njerëz të vrarë si shkak i shpërbërjes së shtetit, në harkun kohor të gjashtë muajve? Si reaguan qeveritë e post ’97-ës për të vendosur drejtësinë? A kemi ne sot vrasës, zjarrvënës ose bashkëpunëtorë të tyre, në institucionet e larta shtetërore? Për djegien e Bashkisë së Vlorës dhe arkivit u arrestuan mbi 20 persona dhe u shpallën në kërkim shumë të tjerë, të filmuar e dokumentuar gjatë aktit. Të gjithë u liruan dhe disa prej tyre arritën të bëhen shefa policie, prefektë e ndonjëri ministër. Nuk dihet se ç’bëri me atë dosje voluminoze prokurori vlonjat E. H. që lëshoi fletë arrestet atë kohë.  

 Që një grup banditësh të quajtur heronjë  ( Zan Caushi, Albert Shyti, etj.) nga disa gazetarë, zunë faqet e para të revistave e gazetave shqiptare, grabitën bankat e morën njerëz peng në shkëmbim të parave e kuptoj. Po “nuk kuptoj” pse ata iu vërsulën, dogjën e shkatërruan arkivat e shtetit,  muzeumet, bibliotekat, shkollat, universitetet, teatrot, vendet ku ruhej trashëgimia kulturore, duke futur duarte tyre të ndyra deri te Memoriali i Skënderbeut, kur dihet që në ato vende nuk ka para? Atëherë kush i drejtoi andej dhe i pagoi ata? 

Në librin “Skaner 1997”, janë dy foto të pikturave me ngjyra në vaj-kanavacë, 120cmx80cm, të Ismail Qemalit, njëra e grisur me thikë në formën e kryqit dhe tjetra gjithë vrima plumbash. Shkatërrimi i bibliotekës së qytetit të Vlorës, grisja dhe vënia e zjarrit qindra e qindra volumeve, ia kalonte dhe skenave të inkuzicionit mesjetar. Vërtet nuk u hodh në turrën e zjarrit ndonjë Xhordano Bruno, por u dogjën e grisën veprat e qindra shkencëtarëve, shkrimtarëve e poetëve përfaqësues të kulturës botërore dhe shqiptare. Ishte sikur të digjje ata vetë. Ironia dhe poshtërsia shprehej po ato ditë, me gojën e buzët gjithë yndyrë arapashi, të një (jo i vetmi) prej përfaqësuesve të letërsisë shqiptare dhe analist i përditshëm në ekranet e sotme që shprehej më 06.04.1997: “… Kjo që po them ka vlerë për ata që nuk janë informuar së fundmi e nuk kuptojnë gjërësinë e raporteve tona me Vlorën, me këtë Bastijë të Shqipërisë, që na i bëri të prekshme idealet e lirisë, drejtësisë, barazisë e vëllazërimit…” Po të kemi parasysh se ndërkohë në Vlorë i kishin vënë zjarrin bashkisë, komisariatit, prokurorisë, bankës së shtetit, ishin hapur depot e reparteve ushtarake, armët e kriminelëve vrisnin çdo ditë njerëz të pafajshëm e varrmihësit atje në varreza punonin me orar të zgjatur, komenti është i tepërt. 

 A ishin gjithë këto rastësira? Turmat e përfaqësura nga segmente të gangsterëve të dalë nga burgjet dhe të tjerë të hurit e të litarit, të nxitura nga intelektualë të paguar, i vunë zjarrin Shqipërisë dhe u përpoqën të godisnin për vdekje kulturën e historinë shqiptare. Ishte e njëjta dorë ( e shfaqur dhe në vitet ’90-’91) që vepronte në të dy anët e kufirit, që nuk u pa dhe analizua asnjëherë nga organet e specializuara. Politikanët, gazetarët, filozofët, historianët, shkrimtarët e poetët që i hodhën benzinë zjarrit, u shërbyen lloj-lloj larove të huaj,  dhe vunë partinë para Shqipërisë, mirë do të ishte të ulnin daullet e trumpetat e luftës (ata kurrë nuk kërkojnë falje) e të mos shkruajnë e flasin me gjuhën e urrejtjes midis shqiptarëve, duke bërë patriotin e nacionalistin e thekur. Kjo gjuhë mund të jetë në favorin e tyre partiak, personal apo korrenteve të huaja ekstremiste, por kurrsesi në favor të drejtësisë, të përparimit e të ardhmes së popullit shqiptar. Ata duhet të ngjallin shpresën, besimin se ky vend meriton të shkojë përpara, duke i dhënë përparësi rilindjes shpirtërore e të mos shndërrohen si deri sot në vajtojca, (gra që paguhen për të vajtuar të vdekurit) duke bërë, që në shumë emisione televizive, të këndojnë kukuvajkat e korbat, që mbjellin pesimizmin, urrejtjen, kaosin, pasigurinë, duke përjetësuar sundimin e korruptuar të qeverive, për hir të një page mujore disamilionëshe. 

Filed Under: Politike Tagged With: Gezim Zilja

THIRRJA E MID’HAT FRASHERIT PER TE SHPETUAR SHQIPERINE

February 10, 2020 by dgreca

Thirrja e Lumo Skëndos (Mit’hat Frashërit) në L’Humanité (1920) : “Shqipëria në përgjithësi dhe Vlora në veçanti nuk e pranojnë sundimin e Italisë imperialiste !” /

Nga Aurenc Bebja (Francë)/

“L’Humanité” ka botuar, të dielën e 1 shkurtit 1920, në faqen n°3, thirrjen e atdhetarit, shkrimtarit, diplomatit dhe politikanit të shquar shqiptar, z. Mit’hat Frashëri, mbi qëndrimin e Shqipërisë në përgjithësi dhe Vlorës në veçanti ndaj synimit të Italisë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një thirrje për të mbrojtur Shqipërinë/

Në morëm nga një shqiptar i Amerikës, z. Lumo Skendo, një thirrje (shkresë) për pavarësinë e vendit të tij të kërcënuar nga oreksi i Italisë imperialiste. Ne e publikojmë atë për qëllime dokumentare :

“E ngatërrojnë çështjen e Shqipërisë në përgjithësi dhe atë të Vlorës në veçanti me çështjen e Adriatikut.

Çështja e Adriatikut vjen nga një rivalitet midis Italisë dhe Jugosllavisë që debatojnë në brigjet e Istrisë dhe Dalmacisë eshtrat e monarkisë së vjetër austro-hungareze. E para pretendon ta bëjë Adriatikun një det të sajin (mare nostro). Ajo bazon pretendimin e saj në faktin e ekzistencës së kolonive të vogla italiane të rrethuara në një rajon thjesht sllav, si Fiume, Zara, Spalato,duke ngritur kështu pretendime të caktuara të përkatësisë etnike. Por arsyet që shtyjnë Italinë janë arsye të ekspansionizmit dhe sundimit, arsye të një natyre kryesisht strategjike dhe ekonomike.

Por Shqipëria dhe Vlora nuk janë eshtra (relikate) të Austro-Hungarisë. Ka një shtet atje që u njoh si i pavarur nga Konferenca e Londrës e 1912-1913, d.m.th. nga gjashtë fuqitë e mëdha të kohës, përfshirë Italinë. Është e vërtetë që Italia ka ndërhyrë përkohësisht në Vlorë, ky okupim daton që prej dhjetorit 1914 dhe ndodhi për arsye sanitare dhe humanitare, ishte e nevojshme të silleshin ndihma për qindra mijë refugjatë që kishin ikur nga Korça dhe Gjirokastra. Më vonë, z. Sonnino deklaroi në Parlamentin Italian, se vendimet e Konferencës së Londrës ishin ende në fuqi në lidhje me pavarësinë e Shqipërisë, (dhjetor 1915).

Një vit më pas (qershor 1916), gjenerali Ferrero bëri, në emër të qeverisë italiane, shpalljen e famshme të Gjirokastrës, edhe pse kushtet e kësaj deklarate shpesh janë kritikuar nga shqiptarët, Italia njohu megjithatë “pavarësinë e të gjithë Shqipërisë”. 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ata që mendojnë se Vlora – porti i vetëm i sigurt në Shqipëri dhe për këtë arsye me rëndësi jetike për të – do të mbetet pronë italiane (siç do të dëshironte politika e imperialistëve italianë), padyshim që pretendojnë Paktin e famshëm të Londrës (të 26 Prillit 1915) ku Italia u pajtua për ndarjen e Shqipërisë në përfitim të saj (Vlorën dhe rrethinat e saj) me atë të Sllavëve (Shkodrën) dhe atë të Grekëve (Shqipërinë e Jugut), pakti parashikonte, ndër të tjera, edhe krijimin e një shteti të vogël mysliman në qendër.

Por për sa i përket Shqipërisë, Pakti i Londrës, të cilin shqiptarët nuk e kanë njohur kurrë, është anuluar nga deklaratat pasuese të z. Sonnino dhe gjeneralit Ferrero.

Pretendimet e Italisë për Vlorën, si dhe për pjesën tjetër të Shqipërisë, bien në kundërshtim me parimin e kombësive mbi të cilat Italia mbështet pretendimet e saj në Fiume, sepse nëse Fiume ka një koloni italiane, Vlora nuk llogarit, madje as një familje të vetme italiane.

Z. Scialoja, përpara Senatit Italian, më 29 dhjetor 1919, tha : “Ne nuk kërkuam Fiumen, ishte Fiume që deshi të vinte tek ne, si arsye e parimit të kombësive.”

Pra, banorët e Vlorës të cilët nuk janë italianë, kundërshtojnë sundimin italian.

Mbrojtja e Adriatikut për Italinë mund të sigurohet në mënyrë efektive në pritje të demilitarizimit të ishujve dhe detit përreth.

Politika e imperialistëve italianë mbështetet në themele të lëkundura. Shqipëria (përfshirë Vlorën) formon një shtet, pavarësia e të cilit është njohur dhe garantuar nga një akt ndërkombëtar, një shtet i cili nuk ka elemente alogjenike dhe i cili ka më shumë se çdo shtet tjetër të drejtën të themelohet në parimin e kombësive.”

Lumo Skendo

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebaj-Mid'hat Frashëri-Thirrja

Një ditë me prof. Zekeria Cana pranë varrit të Mid’hat Frashërit në New York

February 10, 2020 by dgreca

Prof. Zekeria Cana: Mit’hat Frashëri thithi gjirin e dy nënave – në Janinë dhe në Prishtinë. Lum Toskëria dhe Gegëria që e lindi dhe e rriti.”/

Nga Dalip Greca*/

Nju Jork, 3 Dhjetor 2005- Në amanetin e lënë përsëgjalli, Mid’hat Frashëri pat shkruar:”Mbi varr dua një bllok graniti, të shëndoshë e të fortë dhe, në mes të bregut të vogël, vermëni një qiparis.E dua këtë dru që përçmon vitet dhe i bën ballë Jugës dhe murlanit të marrë, që ngjit drejt qiellit kryet e tij madhështor.

Shpirti im do të jetë i pështjellë në trup të atij dhe do të shoh njerëzit,, këtë botë dhe stërnipët e të sotmëvet….” Po ku është sot trupi i mëmëdhetarit?A mund ta ndjejnë veten të qetë sot ata që udhëheqin Partinë e Ballit Kombëtar, ku amanetin e tij s’po e tret dhe’u? A mund të quhet i kryer misioni i qeverive demokratike, ku ende eshtrat e atdhetarëve”rënkojnë” në dhera të huaj?…

    ****

Tek varri i Mid’hat Frashërit,në varrezat Ferncliff  në Hartsdale, New York,  kam qenë disa herë. Herën e fundit isha atje para gjashtë muajësh, kur u varros aty Luan Gashin, një ndër “ushtarët” e Atdheut, nxënës i shqiptarizëms, që u përgatit në shkollën e  Mid’hat Frashërit-Apostull.Por ftesa që m’u bë të shtunën me 3 dhjetor 2005 për të shoqëruar atje Prof. Zekeria Cana dhe një grup bashkëatdhetarësh që jetojnë në Nju Jork,  e prita me kënaqësi.Nuk e fsheh, m’u bë qejfi që Prof. Cana, që vinte nga Kosova,e kishte vënë në axhendën e vet një vizitë tek varri i shqiptarit të madh, siç kishte vendosur që të dielën, edhe pse qe parashikuar mot i ftohtë me dëborë, do të merrte rrugën drejt Bostonit për të vendosur një tufë me lule tek varri i Fan Nolit. Kanë ardhur shumë shqiptarë të politikës së “madhe” të Tiranës në Nju Jork, por nuk kam dëgjuar ndonjë që së paku të pyes:Ku e ka varrin Mid’hat Frashëri?  

U bëmë një grup jo i vogël, që me tri makina, morëm rrugën për në Hartdsdale.Mikrobuzi ynë ka 8 veta kështu që biseda është më e zjarrtë.Kryetema, natyrisht që është për Mid’hat Frashërin… Ndërsa dëgjoj debatet, në kujtesë kërkoj të gjejë gjurmët e informacionit që kam për Apostullin e Shqiptarizmës dhe them me vete:Përse nuk i kthejnë në Shqipëri eshtrat e shqiptarit të madh, Mid’hat Frashëri? Në makinë me ne është dhe Zija Lepenica, i cili dikur e ka shtruar këtë pyetje publikisht në gazetën Illyria dhe në shtypin e Tiranës, po ishte një zë në shkretëtirë, askush nuk foli, askush nuk shkroi, askush nuk veproi.

Mos vallë ende shihet me dyshim figura e kryeatdhetarit që kishte për Parti Shqipërinë?Kush si ai iu gjend Shqipërisë kur ajo rënkonte nga dhembja e plagëve, kur Europa i priste pjesë nga shtati? Kush me shumë se ai e alarmoi Europën për Çamërinë apo Kosovën? Si s’po kujtohet njëri nga politikanët tanë të shumtë, që kanë 15 vjet që po na e vrasin Shqipërinë nga”dashuria”, që t’i sigurojnë një pëllëmbë tokë atij që gjatë të gjithë jetës e pa veten veçse shërbëtor të Kombit?!. Si nuk u gjet një pëllëmbë tokë në Shqipërinë tonë për një varr, ku të prehen eshtrat e lodhura nga rënkimi në dh’e të huaj të atij që mbeti kryeshërbestar i Kombit?!…

…- Mbërrritëm, dëgjoj kolegun Sina, që kam në krah…Varri i Mid’Frashërit gjendet lehtë; ai është fare pranë zyrave që adminsitrojnë varrezat…Hedh sytë rreth e rrotull dhe provoj të njëjtën ndjenjë boshllëku si herët e tjera:Është një varr i thjeshtë, ku shquhet një pllakë metalike mbi të cilën është shkruar emri, shkronja e parë e Atësisë së tij, A(Abdyli) dhe mbiemri Frashëri. Edhe pse e di se varri nuk përmban asgjë nga amaneti që la i ndjeri që në gjallje, prap një fajësi e pafaj ma vret shpirtin:Amaneti i Mid’hat Frashërit është i pa plotësuar…

Që në gjallje të vet, 35 vjet para se të mbyllte sytë nga ajo vdekje enigmatike, ai e kishte lënë amanetin për një varr të thjeshtë….Unë hedh sytë  përreth si për të gjetur  atë qeparizin për të cilin shkruante Mid’hati në gjallje të vet, por ah, s’është…Dhe shfletoj përmes kujtesës  skicën me titull”Kur të vdes” të shkruar në Sofje, të cilën e pata lexuar  tek”Gjeniu i Kombit” i Uran Butkës: ”Kur të vdes miq, mos mbillni mbi vrrin tim lule që i thanë diell’ i gushtit…mos më vini një shtyllëz më këmbë që e rëzon er’ e veriut.

Mbi varr dua një bllok graniti, të shëndoshë e të fortë dhe, në mes të bregut të vogël, vermëni një qiparis.E dua këtë dru që përçmon vitet dhe i bën ballë Jugës dhe murlanit të marrë, që ngjit drejt qiellit kryet e tij madhështor.

Shpirti im do të jetë i pështjellë në trup të atij dhe do të shoh njerëzit,këtë botë dhe stërnipët e të sotmëvet.

Edhe kur të fryjë veriu i egër dhe të dëgjoni drurin plak të oshëtijë, mos pandehni se era këndon në degët e tij: është zemra ime që këndon e rënkon.

Edhe kur të shihni mbi gjethin e hollë pikëza që shkëlqejnë në diell të një mëngjesi gazmor, mos pandehni se është ves’ e natës:Janë lotët e mi…

Se dua që edhe pas vdekjes, o miq të pritmit, të këndoj e të qesh bashkë me ju, të kem pjesë në gëzimet e në pikëllimet tuaja…”

Sërish pyes veten ën këtë ditë të ftohtë dhjetori: – Po ku është qeparizi që ëndërronte Mid’hat Frashëri? Hedh sytë rreth e rrotull, edhe pse e di që asgjë i tillë nuk është, e kërkoj me këmbëngulje të shoh me sytë e mendjes shpirtin e mosvdekjes…

Prof. Cana duket si i mpirë para varrit të atij burri që e deshi Shqipërinë mbi gjithçka. Ulet ngadalë, fshinë me pëllëmbë pllakën e metaltë, më pas shtrihet së gjati dhe vendos buzët  mbi metalin e ftohtë, ku gjenden shkronjat e arta.Përpiqem që ta fus në kuadratin e aparatit fotografik atë pamje mallëngjenjëse dhe ndjek lëvizjet e këtij plaku të ditur , që e di se si duhet të nderohen heronjtë e kombit.

Pasi e ka marrë veten nga tronditja e parë, Prof. Cana fillon të flasë para burrit të madh të kombit. Ne bëhemi rreth si për të ruajtur fjalët që të mos ia marrë era dhe dëgjojmë fjalët e mençura, të cilat i incizova për t’ia përcjellë lexuesit:

“Sikur që raca jonë është e shkepur në të gjitha skajet e rruzullit tokësor, shumë figura të ndritura të historisë dhe kulturës sonë kombëtare prehen në dheun e huaj. Është një mbyllje sysh në të shumtën tragjike. Kush i vrarë, kush i helmuar, kush i vetëvrarë, kush në skamje dhe i harruar, po edhe i përdhosur nga një regjim i egër –murtajë. Sa vite qëndroi trupi i Konicës i pavarrosur?! Historia e popujve të qytetëruar qorton dhe mallkon vonesën dhe shpërfilljen e baballarëve. Sa eshtrat e tyre presin të mblidhen e pushojnë në tokën arbnore, prej të cilës ata ia kushtuan jetën dhe gjakun.

Të vonuar jemi pranë këtij varri – faltore kombëtare, për të nderuar kujtimin e birit të Abdyl Frashërit, atij veprimtari të flaktë të kombit që shkëlqeu prore në qiellin shpesh të përflakur e të kapluar nga retë e shtrëngatës të truallit shqiptar, figurës së madhe poliedrike të udhëkryqeve historike – të etapës së fundit të Rilindjes, Pavarësisë, Luftës së Dytë Botërore dhe të pasluftës. Një strumbullar që me vullnet të çelniktë e ngulm të madh, urti e mençuri, ka përshkuar udhën me gjemba për të hapur shtigje të reja që çojnë në qafën e malit. Është Lumo Skëndua ai që ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë dhe kulturën e kombit në të gjtha rrafshet ku ka shkelur – si erudit, enciklopedist dhe poliglot.

Sot, përulemi me dhembshuri, krenari dhe respekt të madh përpara varrit të një udhërrëfyesi shpirtndritur, shërbëtari të devotshëm dhe gjithnjë besnik të shqiptarisë, protagonisti të ditënetshëm të historisë, ngadhënjyesi dhe humbësi të madh. 

Jemi këtu jo vetëm për të nderuar këtë burrë të madh të botës shqiptare por edhe për të marrë mësimin e historisë. Ku qenë baballarët tanë të ndritur ku jemi ne, sa jemi dhe ç’jemi sot.

Mit’hat Frashëri thithi gjirin e dy nënave – në Janinë dhe në Prishtinë. Lum Toskëria dhe Gegëria që e lindi dhe e rriti.” Profesor Cana hesht… Një lot i rrokulliset faqeve…Fjalët i tha zemra e Zekeria Canës dhe mua m’u duk se shpirti i mosvdekur i Mid’hat Frashërit rënkoi kur profesori i Kosovës u mpi nga heshtja dhe dhimbja njëherazi…Kumti i tij ishte nisur aty nën dheun e huaj ku rënkonte nga dhimbja dhe malli shpirti i sfilitur i Mid’hat Frashërit….

  • S’mund të rri pa i thënë dhe unë dy fjalë, e thyen heshtjen, Niko Kirka, i lindur në Amerikë, i burgosur në Shqipëri ngaqë e deshte Atdheun jo në mënyrën që e dëshën komunistët, por siç e kishte mësuar Ati i tij, Kristo Kirka, ish konsulli i Shqipërisë në Nju Jork, ish deputeti i Parlamentit Shqiptar me Fan Nolin, që vdiq në burgun e Burrelit….
  • – Dua ta falenderoj Prof. Canën, që u bë inisiator për të na sjellë në këtë takim me të madhin Mid’hat Frashëri. Të tjerët nuk janë kujtuar. Madje edhe kur është diskutuar libri për Mid’hat Frashërin, organizatorët nuk u kujtuan që të bënin ndonjë  vizitë koretzie tek ky varr, ku prehet burri i madh i Kombit dhe të sillnin një tufë lule. Prof. Cana na e dha një mësim; ai na solli këtu(edhe pse kemi qenë edhe herë të tjera), por tani do të jetë mirë që ta kthejmë këtë në një traditë. Të vijmë këtu dhe jo thjeshtë të  sjellim nga një tufë me lule, por çdo 28 nëntor, ashtu si komunistët e demokratët e Tiranës shkojnë tek Varrezat e Kombit, ku monumenti i Nënës Shqipëri, mban akoma yllin e kuq të komunizmit, ne nacionalistët, ta bëjmë traditë, që në Ditën e Shënuar të Flmaurit të vijmë këtu, tek varri i kryetarit të Komitetit Shqipëria e Lirë dhe të bëjmë homazhe. Të njëjtën gjë le ta bëjmë edhe tek Varri i Abaz Kupit, nënkryetar i Komitetit Shqipëria e Lirë…Pyetjes se ç’mendonte për kthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit në Shqipëri, z. Kirka iu përgjegj se kjo është detyrë e shtetit shqiptar.Po diaspora, a nuk duhet të ndërmarrë një nismë të tillë për të trokitur më pas tek shteti?Mirë do të ishte, por ata nuk  janë kujtuar që të sjellin një tufë me lule tek varri i Mid’hat Frashërit, jo më të ndërmarrin një nismë të tillë…U përgjigj z. Kirka…Në këtë varrezë janë edhe varret e nacionalistëve të tjerë të Ballit Kombëtar, të cilët patën mërguar në Amerikë. Madje eshtrat e Zef Palit, u sollën nga Italia këtu për të qenë pranë kryetarit Frashëri.

3 dhjetor 2005,  Ferncliff  në Hartsdale, New York

  • E ribotoj në kujtim të të ndjerit Prof. Zekria Cana dhe të atyre që atë ditë ishin me ne, por sot nuk jetojnë më: Niko Kirka, gazetari Xhaferr Krasniqi, inxhinier Skënder Shkreli.

Filed Under: Featured Tagged With: Dalip Greca-Varri I Midhat Frasherit-Zekria Cana

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT