• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2020

KUVENDI I KOSOVËS-VJOSA OSMANI ZGJIDHET KRYEPARLAMENTARE, REAGON OPOZITA

February 3, 2020 by dgreca

-Vjosa Osmani tha se për të është një nder shumë i madh që të drejtojë për katër vitet e ardhshme institucion më të lartë në Republikën e Kosovës/

PRISHTINË, 3 Shkurt 2020- Korrespondenti në Prishtinë i Gazetës DIELLI, i cili ndodhet sot në Kuvendin e Kosovës njofton: Kuvendi i Republikës së Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme, sot në mbrëmje, ka zgjedhur për kryetare të Kuvendit Vjosa Osmanin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në krye të Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë votuar 65 deputetë.

Seanca u mbajt me vendim të Kryesisë, pas kërkesës së 42 deputetëve, pasi që kryetari i deritanishëm Glauk Konjufca gjatë seancës së sotme plenare është zgjedhur ministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe pozita e kryetarit të Kuvendit ka mbetur e lirë.

Zgjedhjes së Vjosa Osmanit për kryetare të Kuvendit u parapriu propozimi i grupit më të madh parlamentar të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, atij të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetarja e këtij grupi, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e ka propozuar për kryetare të Kuvendit të Republikës së Kosovës deputeten Vjosa Osmani.

Nga 67 deputetë të pranishëm në sallë, deputetja Osmani mori votat e 65 prej tyre.
 

Me të marrë detyrën, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, në një fjalim të mbajtur para deputetëve dhe kabinetit qeveritar, tha se për të është një nder shumë i madh që të drejtojë për katër vitet e ardhshme institucion më të lartë në Republikën e Kosovës.

Duke falënderuar deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për mbështetjen, Osmani tha se do të jetë një Kuvend që do të vulosë dhe do të mbikëqyrë mirë, por edhe rreptë, punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Pritshmëritë tona dhe të qytetarëve janë jashtëzakonisht të mëdha, prandaj shpresoj se do të na bëni të gjithëve krenarë. Ajo që  mund të them sot se do ta keni përkrahjen tonë të plotë”, tha kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kryetarja Vjosa Osmani tha se nuk do të jetë përfaqësuese e një partie por përfaqësuese e të gjithëve.

“Shpresoj shumë që debati i lirë, debati demokratik, gjuha korrekte ndaj njëri-tjetrit, respekti i ndërsjellë dhe mirëkuptimi, do të jenë shembulli që do ta japim para qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha kryetarja Vjosa Osmani.

Kryetarja e Kuvendit tha se shpreson që secila grua e zgjedhur nga vota e qytetarit do të merret me problemet e vajzave dhe grave në Kosovë.

***

REAGON OPOZITA: PDK: Zgjedhja e Vjosa Osmanit me votat e Listës Srpska është dëshmi se ky koalicion varet nga Beogradi 

Prishtinë, 3 Shkurt 2020 – Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshme thirrjen klandestine dhe pa paralajmërim të seancës për ta zgjedhur kryetaren e re të Kuvendit të Kosovës. Kjo seancë e territ, për të cilën nuk kishte asnjë urgjencë, e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje e LDK, u mbajt pa praninë e opozitës dhe shënon herën e parë të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit pa asnjë deputet opozitar.

Zgjedhja e kryetares së re, e propozuar nga Vetëvendosje dhe e mundësuar me votat e Listës Srpska është e dëmshme për vendin dhe tregon qartë se qeveria VV-LDK jo vetëm që është në koalicion me Listën Srpska, por do të jetë e varur plotësisht nga deputetët e këtij formacioni politik dhe nga vullneti i Beogradit zyrtar. Kjo është edhe një dëshmi se ky është koalicion me Vuçiqin e Radojiçiqin dhe sojin e tyre.

Është për keqardhje se ashtu sikurse filluan pazaret politike për karrige në mes të dy partive, ashtu sonte e përfunduan në mënyrën më të turpshme zgjedhjen e kryetares së Kuvendit të Kosovës, e cila pa votat e Listës Srpska sot nuk do të mund të zgjidhej në këtë pozitë.


Filed Under: Politike Tagged With: Vjosa Osmani- kryetare e Parlamentit-Behlul jashari

KUVENDI I KOSOVËS – ALBIN KURTI PREZANTON QEVERINË E RE

February 3, 2020 by dgreca

-Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti i nominuar për mandatar të Qeverisë së Kosovës ka prezantuar listën e dy zëvendëskryeministrave e të 15 ministrave – nga 6 të LVV-së e LDK-së e 3 të komuniteteve pakicë/

3 SHKURT 2020/ Korrespondenti në Prishtinë i Gazetës DIELLI, i cili ndodhet sot në Kuvendin e Kosovës, raporton se seanca plenare për zgjedhjen e Qeverisë së re e ftuar për në orën 11:00 ka nisur me rreth 45 minuta vonesë, ndërsa në orën 14:40 ka shkuar në pauzë njëorëshe si u tha deri në 15:40 dhe pasi të përfundojë debate do votohet.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti i nominuar për mandatar të Qeverisë së Kosovës ka prezantuar listën e dy zëvendëskryeministrave e të 15 ministrave – nga 6 të LVV-së e LDK-së e 3 të komuniteteve pakicë:

Zëvendëskryeministër i parë – Avdullah Hoti (LDK), Zëvendëskryeministër i dytë – Haki Abazi (LVV), Ministria e Punëve të Jashtme – Glauk Konjufca (LVV), Ministria e Integrimeve Evropiane – Blerim Reka (LVV), Ministria e Drejtësisë – Albulena Haxhiu (LVV), Ministria e Arsimit – Hykmete Bajrami (LDK); Ministria e Financave – Besnik Bislimi (LVV), Ministria e Punëve të Brendshme – Agim Veliu (LDK), Ministria e Ekonomisë – Rozeta Hajdari (LVV), Ministria e Mbrojtjes – Anton Quni (LDK), Ministria e Infrastrukturës – Lumir Abdixhiku (LDK), Ministria e Shëndetësisë – Arben Vitia (LVV), Ministria e Bujqësisë – Besian Mustafa (LDK), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Vlora Dumoshi (LDK), Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – Emilia Rexhepi (nga komunitetet pakicë) dhe Ministria për Kthim – Delibor Jevtiq e Ministria për Zhvillim Rajonal – Ivan Millojeviq (nga komuniteti serb).

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca i LVV i zgjedhur në seancën konstituive në 26 Dhjetor 2019 sot pas hapjes së seancës u tërhoq nga kryesimi dhe në vend të tij pritet të zgjedhet Vjosa Osmani e LDK.

Korrespondenti në Kosovë i Gazetës Dielli, Behlul Jashari, sjell fotografi nga seanca e Kuvendit dhe gjatë një takimi me të propozuarin për ministër Blerim Reka sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari-Albin Kurti-Paraqet Qeverine

Kuvendi i Kosovës sot në seancë për zgjedhjen e Qeverisë së re

February 3, 2020 by dgreca

     -Për zgjedhjen e Qeverisë, Kuvendi i Kosovës mblidhet sot një ditë pa kaluar afati kushtetues prej 15 ditësh. Në “Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]” – pika 2 Kushtetuta  përcakton se “Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”/

-Në 20 Janar 2020 Lëvizja Vetëvendosje në një letër dërguar Presidentit Hashim Thaçi e ka propozuar kryetarin e saj Albin Kurti për mandatar të Qeverisë së Kosovës. Më pas po atë ditë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi: “Pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgova zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 3 Shkurt  2020/  “Zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ëshë pika e vetme e axhendës së seancës së sotme të Kuvendit Kosovar, afër katër muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 Tetorit 2019 dhe më shumë se dy muaj nga certifikimi i rezultateve të tyre në 27 Nëntor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kuvendi i ri i Kosovës mblidhet  për herë të dytë pas seancës konstituive të mbajtur në 26 Dhjetor 2019 dhe pritet që në axhendë të hyjë edhe zgjedhja e një kryeparlamentari tjetër pasi i propozuari nga Lëvizja Vetëvendosje dhe i zgjedhuri para më shumë se një muaji, Glauk Konjufca, pritet të kalojë në post ministri në Qeveri për t’ia liruar vendin Vjosa Osmanit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas një marrëveshje të djeshme për bashkëqeverisje ende të papublikuar të dy subjekteve politike fituese të zgjedhjeve.

Sipas rezultateve përfundimtare të certifikuara nga KQZ, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, LVV me 26.270%  të votave ka 29 deputetë, ndërsa LDK  me 24.548% të votave 28 deputetë. Këto dy parti së bashku kanë gjithësej 57 deputetë dhe u duhen së paku edhe 4 vota tjera për t’i bërë 61, një më shumë se gjysmsa e Kuvendit, për të kaluar në votim Qeveria e re dhe për këtë llogaritet në votat e komuniteteve pakicë joserbe që kanë 10 deputetë dhe pritet të udhëheqin me një ministri.

Partitë shqiptare të koalicionit të kaluar qeverisës sipas deklaratave do jenë në opozitë pasi kishin këtë rezultat në zgjedhje: PDK me 21.234% të votave ka 24 deputetë, AAK me 11.515% të votave -13 deputetë, Nisma dhe AKR që ishin në koalicion parazgjedhor kanë 6 deputetë pasi me 5.002% të votave për pak e kanë kaluar pragun prej 5% për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Lista Serbe me 6.402% të votave ka të 10 vendet e deputetëve në Kuvend të Kosovës të garantuara me Kushtetutë për komunitetin pakicë serb, pasi partitë tjera serbe nuk arritën të fitojnë ndonjë vend deputeti. Kushtetuta e Kosovës komunitetit pakicë serb ia garanton edhe përfaqësimin në Qeveri, ku pritet ta ketë së paku një ministër në Qeverinë e re, e cila ishte paralajmëruar t’i ketë 12 ministri por pritet t’i ketë 15, megjithatë 6 më pak se Qeveria e kaluar që i kishte 21 ministri.

 Në Qeverinë e kaluar të Kosovës komuniteti pakicë serb kishite tre ministra, njëri prej tyre edhe zëvendëskryeministër.

Në 26 Dhjetor 2019 një zhvillim i papritur ndodhi në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës me propozimin nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti të nënkryetarit të partisë Glauk Konjufca për kryetar të Kuvendit dhe me zgjedhjen e tij edhe me votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nënkryetarja e së cilës Vjosa Osmani si kandidate për kryeparlamentare ishte përmendur në negociatat për bashkëqeverisje që deri tani rezultuan pa marrëveshje të dy partive fituese të zgjedhjeve të 6 Tetorit 2019, LVV e LDK, të cilat ishin në opozitë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës është e drejtë ekskluzive e partisë ose koalicionit të parë në rezultatin e zgjedhjeve të propozojë kryetarin e Kuvendit.

Por, zhvillimi i papritur  në Kuvend në 26 Dhjetor 2019 e bënte të vështirë apo edhe të pamundur një marrëveshje bashkëqeverisje mes LVV e LDK e zgjedhjen e Albin Kurtit kryeministër, prandaj mund të shkohej në zgjedhje të tjera të jashtëzakonshme nëse nuk do negociohej edhe më tej e nuk do arrihej marrëveshja për bashkëqeverisje, e cila përfshinë edhe ndarjen e posteve.

Alternativa tjetër është të provohet që kushdo që arrinë t’i tubojë së paku 61 nënshkrime përkrahëse për t’u votuar të nominohet për kryeministër.

Në 20 Janar 2020 Lëvizja Vetëvendosje në një letër dërguar Presidentit Hashim Thaçi e ka propozuar kryetarin e saj Albin Kurti për mandatar të Qeverisë së Kosovës. 

Më pas po atë ditë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi:

“Pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgova zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin e institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.”

Për zgjedhjen e Qeverisë, Kuvendi i Kosovës mblidhet sot një ditë pa kaluar afati kushtetues prej 15 ditësh.

Në “Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]” – pika 2 Kushtetuta  përcakton se “Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”.

Ndërsa, në pikën 4 të po këtij neni të Kushtetutës përcaktohet: “Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”.

Kosova në 6 Tetor 2019 mbajti zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme.

Kosova kishte zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe në 11 Qershor 2017  pas mocionit të mosbesimit – rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga LDK me vota të bashkuara edhe nga partia më e madhe e maxhorancës PDK me opozitën dhe vetëshpërndarjes së Kuvendit në 10 Maj, tre vjet pas zgjedhjeve paraprake të 8 Qershorit 2014, që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.

Zgjedhjet e parahshme të 6 Tetorit 2019 u mbajtën pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. Në mbledhjen e 111-të të qeverisë që e drejtonte, të premtën e 19 Korrikut 2019, kryeministri Haradinaj njoftoi vendimin e tij për të dhënë dorëheqje të parevokueshme, pas ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale në Hagë për intervistim, duke theksuar se nuk dëshironte në asnjë mënyrë të dëmtojë imazhin e Kosovës dhe se para drejtësisë do të përballet si individ, me besim të thellë në pastërtinë dhe drejtësinë  e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për Ramush Haradinajn kjo është hera e dytë e ftesës nga Haga dhe e dorëheqjes nga posti i kryeministrit të Kosovës. Herën e parë Haradinaj dha dorëheqje nga kreu i qeverisë që e drejtoi rreth 100 ditë në 8 Mars 2005, menjëherë pasi u njoftua për ngritjen e aktakuzës dhe të nesërmen iu dorëzua vullnetarisht Tribunalit të Hagës, i cili e shpalli të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës në 3 Prill 2008 dhe përseri në 29 Nëntor 2012 pas rigjykimit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari-Kuvendi-Qeveria e re

Kosova shënoi 30 vjetorin e Nismës për Pajtimin e Gjaqeve

February 3, 2020 by dgreca

-Kryeministri në detyrë Haradinaj mori pjesë në shënimin e 30- vjetorit të Nismës për Pajtimin e Gjaqeve: Kjo besëlidhje e menduar nga intelektualë të urtë, pri nga Anton Çetta, u ndoq nga rinia e Kosovës…Bësëlidhjet shqiptare zakonisht u paraprijnë betejave të ashpra për jetë a vdekje, që nga Kuvendi i Lezhës i marsit 1444, deri te Lidhja e Pejës dhe ajo e Prizrenit, e qershorit 1878, si dëshmi se shqiptarët dinë të bashkohen për ta  mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e Atdheut/

-Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe në pranverën 1999/

Deçan, 2 Shkurt 2020-Gazeta DIELLI/*

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe dhe marrë pjesë në shënimin e 30- vjetorit të Nismës për Pajtimin e Gjaqeve në Lumbardh të Komunës së Deçanit.

Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se pajtimi që nisi këtu në Lumbardh të Deçanit, nga atdhetarët, 30-vjet ma parë, u përqafua në të gjithë Kosovën dhe nga të gjitha shtresat, ngase shqiptarët sikur e parandien se momenti i të vërtetës po afrohej,  e kjo e vërtetë ishte kryengritja e përgjithshme për liri e pavarësi, që u zhvillua nën udhëheqjen e UÇK-së e që e simbolizon komandanti ynë Adem Jashari.

“Kjo besëlidhje e menduar nga intelektualë të urtë, pri nga Anton Çetta, u ndoq nga rinia e Kosovës, nga të burgosurit politikë, nga shumë veprimtarë për të kulmuar me tubimin më të madh që njihet në historinë e shqiptarëve, te Verrat e Llukës, më 1 maj 1990, aty ku u mblodhën gjysmë milioni njerëz dhe ku për pak orë u pajtuan 66 gjaqe e ngatërresa mes shqiptarëve”, shtoi kryeministri në detyrë Haradinaj.

Siç, theksoi ai, bësëlidhjet shqiptare zakonisht u paraprijnë betejave të ashpra për jetë a vdekje, që nga Kuvendi i Lezhës i marsit 1444, deri te Lidhja e Pejës dhe ajo e Prizrenit, e qershorit 1878, si dëshmi se shqiptarët dinë të bashkohen për ta  mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e Atdheut.

“Si dikur komandanti i ushtrisë së Lidhjës, Sylejman Vokshi që i priu përpjekjeve për liri, profesor Anton Çetta u ngrit e tha: “Hajdeni burra, po bëjmë diçka për këtë vend”, duke i pajtuar rreth 1800 gjaqe dhe mijëra plagë e ngatërresa”, u shpreh kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se Anton Çetta ishte unifikues urtak,  zbulues i shpirtit të popullit dhe autoritet moral.

“Ai mbylli plagën ma të shëmtuar tonën, gjakmarrjen, tu i hap shteg paqes shqiptare dhe kthimin në familjen tonë euroatlantike. Pranë profesor Antonit, njeriu  ndihej se kishte vlerë. Për t’u lidhë rreth idesë së çlirimit duhej me e lidhë një pakt, një pajtim mes shqiptarëve, që Profesor Çetta e arriti në mënyrë shembullore”, theksoi kryeministri në detyrë Haradinaj.

Ndër tjerash, kryeministri në detyrë Haradinaj, shtoi se Anton Çetta e ka zbërthyer kodin e fjalës së dhënë, besën, duke i bërë burrat e ashpër me ia shtri dorën hasmit të deridjeshëm, për me u bë vëllëzër të armës, në luftën çlirimtare.

“Republikën e Kosovës e kanë bë intelektualët durimtarë dhe kryengritësit bashkë, sepse dy palët ishin idealista. Dhe sot, shqiptarët, kanë sërish nevojë për idealistë – patriotë ligjorë- që besën dinë ta kthejnë në kontratë shoqërore e konfliktin në debat demokratik. Të bashkuar duhet ta fitojmë betejën për vendosjën e sundimit të ligjit, pa alternative”, deklaroi kryeministri në detyrë Haradinaj.

Në fund të fjalës së tij, kryeministri në detyrë Haradinaj shprehu mirënjohje dhe lavdi  ndaj vajzave e djemve dhe të gjithë atyre veprimtarëve të çështjes kombëtare që u bashkuan këtu në Lumbardh e vazhduan në gjithë vendin. ​

Aksionit për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, filluar nga Verrat e Llukës, i printe profesori Anton Çetta, i cili në 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit te Verrat e Llukës është dekoruar nga Presidenti i Kosovës me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm  Dr. Ibrahim Rugova”  për kontribut të veçantë dhënë gjatë gjithë jetës së tij për paqen, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e vlerave humane.

Tubimi i njohur te Verrat e Llukës, në Deçan, i mbajtur më 1 Maj 1990, ku morën pjesë mbi 500 mijë njerëz, ishte nisma e parë e madhe për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave midis shqiptarëve…Kjo nismë më vonë u shndërrua në lëvizje të rëndësishmë mbarëkombëtare.

Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe në pranverën 1999./b.j/

*Per me shame fotografi shih ne fb Dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari-Kosova-30 vjet-Pajtimi i Gjaqeve

Dy fjalë për gjuhën

February 2, 2020 by dgreca

Nga Anton Çefa/

Është trajtuar gjuha si shprehja më e gjallë dhe prova më e palëkundshme e vijimësisë së  një etnie, çka nuk është gjithnjë e pranueshme, sepse, siç dihet galët hoqën dorë nga përdorimi i keltishtes, ashtu edhe nga gjuha gjermanike e pushtuesve më të vonë teutonë dhe pranuan si gjuhë kombëtare latinishten; popullsia kelte dhe teutone e Francës u bë një popullsi italike, spanjolët, një pjesë e mirë e thrakëve, dakët, mbas disa shekujsh kolonizimi romak i humbën gjuhët  e tyre. Veç kësaj, gjuha në vetvete, nuk është gjithnjë element dallues i personalitetit të një kombi, sepse popuj të ndryshëm si p.sh. francezët e belgjikasit flasin të njëjtën gjuhë; po kështu anglezët, irlandezët dhe amerikanët, etj. 

Nuk ndodhi kështu me ilirët, të cilët, megjithëse pushtimi romak zgjati gjashtë shekuj, nuk humbën gjuhën dhe vetitë e tyre etnike. Ajo u ruajt dhe u zhvillua në gojen e shqiptarit, duke iu përshtatur nevojave të kohëve, dhe erdhi deri në ditët tona, çka shkenca shqiptare dhe ajo botërore e ka pranuar, duke e argumentuar në veçoritë fonologjike, në leksik, në strukturë gramatikore, etj., pra, në rrafsh shkencor linguistik. P.sh. disa emra vendesh, fisesh dhe njerëzish, glosat që na i kanë ruajtur autorët antikë grekë e latinë, disa fjalë që mbahen si huazime ilire në greqishten e vjetër dhe në latinishtën, etj., janë pranuar si fjalë që i përkasin ilirishtes.

Në këtë trajtesë nuk është fjala për argumente të origjinës ilire të gjuhës sonë, por për hershmërinë e asaj gjuhe, që është faza më e lashtë e shqipes e ruajtur e strukur ndër malësitë tona, sidomos në ato të Veriut, është shqipja me reliktet e saj të ruajtura në monumentet më të hershme shkencore e artistike të gjuhës sonë, pra në Kanunin dhe në Eposin e Kreshnikëve; është gjuha që është folur dhe flitet prej malësorëve. Është kjo që do të na krijojë mundësinë të dëshmojmë lidhjen e birësisë me ilirishten, kurdoherë që të kemi në dorë një material të shkruar ilirisht.

 Të izoluar në alpet dhe luginat alpine, të vetëqeverisur me ligjet e tyre, malësorët tanë kanë jetuar të lirë, kanë krijuar një etikë tejet fisnike, e cila i ka shërbyer si kodi i jetës, kod që e kanë konsideruar të shenjtë, sepse e kanë trashëguar prej të parëve, dhe i kanë qendruar besnik brez mbas brezi. Shkurt, ata kanë ruajtur më të pastër se kudo tjetër substancën shpirtërore shqiptare, atë që Çabej dhe njohës e studiues të tjerë e kanë quajtur “shqiptarizmi i moçëm”. Është kjo substancë humane që e ka bërë Durhamin të thotë: “Në vilajetin e Shkodrës jetojnë malësorët, bijtë e vërtetë të shqipes”. 1). Konica, duke kundërshtuar propagandën  greke e serbe që i quante malësorët tanë të Veriut “turmë endacakësh”, shkruante: “Ata janë jo vetëm popullsia më e ngulitur në botë, meqë kanë jetuar në trojet e veta për mijëra vjet, e prandaj janë pikërisht e kundërta e endacakëve, por janë edhe tipi i lartë i burrave dhe i grave si nga pikëpamja fizike, edhe nga ajo morale” 2). Janë ata që kanë ruajtur më shumë se kushdo tjetër gjuhën e të parëve: ilirishten. 

Nëse vërejmë me kujdes gjuhën e kanunit, me të cilën populli ynë ka krijuar dhe ruajtur doke, zakone, norma morale, ligje të pashkruara, etj., të trashëguara brez pas brezi prej kohëve më të lashta të njerëzimit, do të bindemi për aftësitë e tij për t’u shprehur në mënyrë lakonike të thjeshtë e të pastër, gjithnjë të hijshme dhe të rënduar nga kuptimi.

Lashtësia e gjuhës së kanunit dhe vlerat monumentale të saj janë vënë në dukje prej shumë studiuesve. Atë Bernardin Palaj, duke e krahasuar gjuhën e kanunit tonë me gjuhën e ligjeve më të lashta të njerëzimit, ato të Bibles, të Dymbëdhjetë Tabelave të romakëve, të kanunit të gjermanëve, ka shkruar: “Kërkund s’ke me gjetë motërzime aq të gjalla e shprehun ma klasikisht, sa ndër ato shprehjet e shkurtuna mijëvjeçare të kanunit të maleve t’ona. . . . Thanjet e kthiellta të kanunit, të gjitha sa lakonike aq kuptimplote, lmue neper rrymen e shekujvet . . .  i mblon nji msheftësi arkaike, shpesh herë të pakuptueshme prej atij qi nuk leu e s’u rrit në ket botëkuptim të maleve t’ona.” 3). Këtë “msheftësi arkaike” ia jep pikërisht shqiptimi i saj që prej kohëve të hershme e deri në ditët tona në gojën e malësorit. Pothuajse ashtu, është shprehur edhe Koliqi: “Në shka ká të njinjishme ndër fise të ndryshme, ky kanû përmbahet sidomos në nji systhem parimesh morali qytetár e së drejte konstitucjonale të shprehun në nji trajtë edhè mâ të permbledhtë se ligjët lakonike të XII dërrasavet, e kaq të gjalla n’atë stilin e tyne metaforik por të téjpashëm, sá me mujtë m’u vû krahas ligjët metrike të sá vendeve tjera.” 4). 

Interes shkencor paraqesin, në këtë hulli trajtimi, mendimet e studiueses së njohur Nermin Vlora Falaschi, që nëpërmjet dokumenteve epigrafike ka lidhur gjuhën tonë me ilirishten dhe, më përtej, me pellazgishten. Ajo ka vënë në dukje rëndësinë e lashtësisë së gjuhës veriore: “Duke u bazuar mbi dokumentet epigrafike të Ilirisë, me të drejtë mund të pohojmë se Shkodra dhe gjuha që flitet në këtë qytet historik, i ka ruajtur, në pjesën dërmuese të saj, karakteristikat e të folmes së të parëve të saj, të pellazgo-ilirëve.” Dhe më poshtë: “Dëshmitarja më e rëndësishme që e vërteton këtë tezë, është folja “Ȃ”, e cila shqiptohet me theks hundor edhe sot, në disa krahina të Gegërisë, edhe më vonë ndryshohet në “ȂSHT”, duke ruajtur të pandryshuar theksin  hundor. Folja “Ȃ”, ose ajo e “qenies” nuk ka dyshim se është më e rëndësishmja, më e lashta dhe vërtetuesja e një gjuhe. Dhe këtë folje ne e hasim në dokumente epigrafike, jo vetëm të Ilirisë, por edhe në shumë vende të Evropës Mesdhetare.” Dhe, më poshtë: “Foljen Ȃ = asht, toskët do ta shqiptojnë është, ndryshim që ka ndodhur shumë më vonë, prandaj nuk gjindet në dokumentet epigrafike të lashtësisë.” 5).

*   *   *

Nuk di ndonjë studim specifik të kësaj natyre dhe në këtë prizëm trajtimi për gjuhën e kanunit dhe të eposit nga dialektologët tanë. Me  ndonjë shembull, unë po hedh vetëm idenë e kësaj përqasjeje. Në nenet kanunore të Kanunit të Lek Dukagjinit, për të treguar lidhjen birësore të brezave përdorën termat “lisi i gjakut”, “lisi i tȃmblit”, terma tejet të lashta, tejet të bukura, tejet të ngjeshura, dhe, mbi të gjitha, tejet shqipe. Atje thuhet: “Brêzat rrjedhin a prej gjakut a prej gjinis”, “Brêzat e gjakut rrjedhin prej ȃnet të babës; brêzat e gjinis rrjedhin prej ȃnet të nȃnës”, “Rrjedhja e brêzave prej ȃnet të babës thirret ‘Lisi i gjakut”, “Rrjedhja e brêzave prej ȃnet të nȃnës  thirret ‘Lisi i tȃmblit”. 6). Reliktet vazhdojnë në nenet pasuese: “Nip trungu’ a ‘mesë trungu” thirret aj varg mashkujsh a fêmnash, qi rrjedhin prej plangut të babës” 7). “Nip a mesë bijash thirret aj varg mashkujsh e fêmnash, qi rrjedhin prej bijave të martueme”. 8). 

Vetëm këto pak nene ruajnë dhe bartin disa relikte gjuhësore: në fushën e fonetikës: hundorësinë e e-së dhe të a-së, mungesën e rotacizmit; në fushën e morfologjisë: përdorimin e një rrjedhoreje më të lashtë se e sotmja: “prej ȃnet” në vend të të sotmes: “prej anës”; në fushën e leksikut: lisi i gjakut, lisi i tamblit, gjaku, (nip a mesë) trungu, plangu, terma e fjalë që përdoren jo në kuptimin e sotëm. 

Shumë norma kanunore janë dhënë përmes shptehjeve që spikasin për një sens tejet të ngarkuar kuptimi, për hijeshi artistike dhe shpesh për harmoni tingullore, p. sh. “Fjala mort s’ban”, “Kah del shpirti del fjala”, “Fala, s’ta fala, kanuni s’e kapë.”, “Pertè benë nuk shtyhet mllefi”, “Gjaku s’bahet gjobë”, “E mira e përbashkët i paravehet damit të veçantë.”, “Për nji shpi s’lehet m’u tha nji katund”, “ E matmja si e ramja, e ramja si e vramja”, “Krushku-krushk, miku-mik” . Të njëjtën natyrë gjuhe gjejmë tek Eposi i kreshnikëve: “Deka vjen mbas mikut t’pre / deka vjen mbas besës s’thyeme.”, “Besa e burrit, pesha e gurit”, “Trimi trimit gjithmonë besë i nxe”, “Paj për dekë, tha, trimi bre çikë ȃ” (asht, A.Ç.), “Buka jonë, bre shokë, ne na ka vrae”, “Fjalëve lak, lum nana, mos ju jep”, etj. Ky koncentrim kuptimor dhe ky ndërtim lakonik jo vetëm tregojnë lashtësinë, por edhe “vërtet e dëshmojnë shqiptarin syhollë në çështje filozofike”, siç është shprehur Valentini. 

Fatmirësisht, material gjuhësor të gjuhës së maleve, ne e kemi të dokumentuar jo vetëm në të folurit e përditshëm të malësorëve, dhe tek KLD, tek Eposi i kreshnikëve, në krijimtarinë folklorike të tyre, po edhe në “Fjalor i fjalëve të rralla të malësive veriore” (“Fjalorth i ri”), botuar në v. 1941, në serinë e “Visareve të Kombit”,  dhe tek “Fjalori toponomastik”, i botuar pjesë-pjesë në revistën “Hylli i Dritës”, vepra të Dom Nikollë Gazullit, i vrarë  pabesisht, në vitin 1946, në Shkrel, ku shërbente si famullitar.

Kemi në dorë, gjithashtu, edhe një vepër letrare, përkthimin shqip të veprës së romancierit dhe poetit italian Aleksander Manxoni “I Promessi Sposi”, “Të fejuemët”, nga Atë Mark Harapi, një vepër e vëllimshme, e shkruar në gjuhën e rrallë të maleve me të vetmin qellim me e dokumentue atë. Ndoshta, në dorëshkrimet e Atë Mark Harapit ose në materialet e sekuestruara prej tij e të depozituara  në institucionet shkencore, janë ruajtur edhe studimet e tij me vlerë të madhe në fushën e botanikës. Ndër të tjera, me shumë interes është renditja e mbi 120 lloje lulesh e bimësh mjekësore të panjohura fare ndër vende të tjera. Të gjitha ishin të ruajtura dhe të koleksionueme pranë Muzeut të Jezuitëve të Shkodrës, derisa u mbyll në fillim të vitit 1946. 

Si përfundim, themi që faza më e lashtë e e gjuhës sonë është shqipja e ruajtur ndër   malësitë tona, sidomos në ato të Veriut, është shqipja me reliktet e saj të strukura në monumentet më të hershme shkencore e artistike të gjuhës sonë, pra në Kanunin dhe në Eposin e Kreshnikëve; është gjuha që është folur dikur dhe flitet prej malësorëve, është shqipja e veprave të Gazullit dhe Harapit. Është kjo që do të na krijojë mundësinë të dëshmojmë lidhjen e birësisë me ilirishten, kurdoherë që të kemi në dorë një material të shkruar ilirisht.

Referenca dhe sqarime

1). Edith Durham, “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët”, Shtëpia botuuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1990, f. 113.f. 99.

20). Faik Konica, “Vepra”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1993, f.  472-473.

3). Atë Bernardin Palaj, vepër e cituar më lart, f. 55.

4). Ernest Koliqi, “E Drejta e Kanunit Shqiptar dhe E Drejta Rromake” , cituar sipas “albanovaonline.com”.

5). Prof. Nermin Vlora Falaski, “Shkodra dhe gjuha pellazgo-ilire”, në “Seminari i Dytë Ndërkombëtar ‘Shkodra në shekuj”, Shtypur në shtypshkronjën Rozafati, vëllimi II, viti 1999, f. 6.

6).“Kanuni i Lekë Dukagjinit- The Code of Lekë Dukagjini”, Gjonlekaj Publishing Company, N. Y. 1989, & 698- 701

7). Po aty, & 704, f. 141

8). Po aty, & 703, F. 141.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Defa-Dy faale per Gjuhen

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT