-Vjosa Osmani tha se për të është një nder shumë i madh që të drejtojë për katër vitet e ardhshme institucion më të lartë në Republikën e Kosovës/
PRISHTINË, 3 Shkurt 2020- Korrespondenti në Prishtinë i Gazetës DIELLI, i cili ndodhet sot në Kuvendin e Kosovës njofton: Kuvendi i Republikës së Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme, sot në mbrëmje, ka zgjedhur për kryetare të Kuvendit Vjosa Osmanin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në krye të Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë votuar 65 deputetë.
Seanca u mbajt me vendim të Kryesisë, pas kërkesës së 42 deputetëve, pasi që kryetari i deritanishëm Glauk Konjufca gjatë seancës së sotme plenare është zgjedhur ministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe pozita e kryetarit të Kuvendit ka mbetur e lirë.
Zgjedhjes së Vjosa Osmanit për kryetare të Kuvendit u parapriu propozimi i grupit më të madh parlamentar të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, atij të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryetarja e këtij grupi, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, e ka propozuar për kryetare të Kuvendit të Republikës së Kosovës deputeten Vjosa Osmani.
Nga 67 deputetë të pranishëm në sallë, deputetja Osmani mori votat e 65 prej tyre.
Me të marrë detyrën, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, në një fjalim të mbajtur para deputetëve dhe kabinetit qeveritar, tha se për të është një nder shumë i madh që të drejtojë për katër vitet e ardhshme institucion më të lartë në Republikën e Kosovës.
Duke falënderuar deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për mbështetjen, Osmani tha se do të jetë një Kuvend që do të vulosë dhe do të mbikëqyrë mirë, por edhe rreptë, punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Pritshmëritë tona dhe të qytetarëve janë jashtëzakonisht të mëdha, prandaj shpresoj se do të na bëni të gjithëve krenarë. Ajo që mund të them sot se do ta keni përkrahjen tonë të plotë”, tha kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kryetarja Vjosa Osmani tha se nuk do të jetë përfaqësuese e një partie por përfaqësuese e të gjithëve.
“Shpresoj shumë që debati i lirë, debati demokratik, gjuha korrekte ndaj njëri-tjetrit, respekti i ndërsjellë dhe mirëkuptimi, do të jenë shembulli që do ta japim para qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha kryetarja Vjosa Osmani.
Kryetarja e Kuvendit tha se shpreson që secila grua e zgjedhur nga vota e qytetarit do të merret me problemet e vajzave dhe grave në Kosovë.
***
REAGON OPOZITA: PDK: Zgjedhja e Vjosa Osmanit me votat e Listës Srpska është dëshmi se ky koalicion varet nga Beogradi
Prishtinë, 3 Shkurt 2020 – Partia Demokratike e Kosovës e konsideron të papranueshme thirrjen klandestine dhe pa paralajmërim të seancës për ta zgjedhur kryetaren e re të Kuvendit të Kosovës. Kjo seancë e territ, për të cilën nuk kishte asnjë urgjencë, e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje e LDK, u mbajt pa praninë e opozitës dhe shënon herën e parë të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit pa asnjë deputet opozitar.
Zgjedhja e kryetares së re, e propozuar nga Vetëvendosje dhe e mundësuar me votat e Listës Srpska është e dëmshme për vendin dhe tregon qartë se qeveria VV-LDK jo vetëm që është në koalicion me Listën Srpska, por do të jetë e varur plotësisht nga deputetët e këtij formacioni politik dhe nga vullneti i Beogradit zyrtar. Kjo është edhe një dëshmi se ky është koalicion me Vuçiqin e Radojiçiqin dhe sojin e tyre.
Është për keqardhje se ashtu sikurse filluan pazaret politike për karrige në mes të dy partive, ashtu sonte e përfunduan në mënyrën më të turpshme zgjedhjen e kryetares së Kuvendit të Kosovës, e cila pa votat e Listës Srpska sot nuk do të mund të zgjidhej në këtë pozitë.