• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2020

Ne shqiptarët do jemi Ekrem Bardha vetëm kur do punojmë fort si ai

March 2, 2020 by dgreca

Ndriçim Kullaj/

Faik Konica, në librin e tij “Shqipëria-kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”, e shikonte kështu shkakun se përse shqiptarët nuk janë të aftë ta begatojnë ekonomikisht vendin e tyre:Ndërsa popujt e tjerë i kanë përqendruar energjitë e tyre për të nxjerrë para, për të grumbulluar sende të bukura, ose për të kaluar kohën këndshëm me rrugë të ndryshme, këta njerëz të thjeshtë e të ashpër kanë pasur vetëm një qëllim në jetë dhe e kanë arritur disa herë me çmimin e vdekjes së njerëzve të familjes së tyre: të jenë individualisht të lirë kundër ardhësve. Ky është një program i marrë, që injoron gjërat më të holla të jetës dhe vetëkënaqësinë që rrjedh nga bindja ndaj rregullave të arsyeshme. 

Në qoftë se ka qenë kështu kur shqiptarët ishin të pushtuar, cili është shkaku që shqiptarët nuk i përqendruan energjitë për të begatuar vendin e tyre, kur u krijua shteti shqiptar? Shkaku duhet kërkuar te ajo veti e keqe e karakterit të shqiptarit që përmend Mid’ hat Frashëri, kotësia, të cilën ai e quan si burimin e të gjitha të këqijave për shqiptarët. Nëse ka ndonjë mit që ka qenë produkt i kotësisë së shqiptarëve dhe që i ka dëmtuar më shumë ata, ky është miti se meqenëse toka shqiptare ka pasuri të shumta nëntokësore, dhe shqiptarët flenë mbi flori, atëherë ata do të jetojnë në pasuri me të ardhurat e fituara nga nxjerrja e këtyre pasurive nëntokësore. Pasuritë nëntokësore do t’ i nxirrnin sigurisht të huajt të cilët do t’ i ndanin fitimet me shqiptarët. Disa shqiptarë sigurisht që duhet të punonin me të huajt për nxjerrjen e këtyre pasurive, por me paga shumë të mira. Kjo mendësi i la shqiptarët në gjendje vegjetimi, duke mos punuar mbi tokë, ku, gjithashtu, kishin pasuri të mëdha, toka bujqësore, bregdet, pyje, lumenj. Fan Noli e quante për detyrë që t’ ua hiqte bashkatdhetarëve të tij këto ide të gabuara. Prandaj, ai, në një fjalim të mbajtur në parlament, në 1923, iu tërhiqte vëmendjen shqiptarëve që të mos vegjetonin me shpresën e të ardhurave nga pasuritë nëntokësore, por t’ i viheshin punës për të shfrytëzuar pasuritë mbitokësore:

      Shqipëria ka pasurinë që duket, e cila është përmbi tokë dhe pasurinë që s´duket, nën tokë. Uroj me gjithë zemër që pasuria nën tokë të jetë më e madhe se sa e kujtojmë, po është marrëzi të kryqëzojmë duart e të presim të gjitha të mirat nga kjo pasuri problematike e të lemë të pazhvilluar pasurinë parimtare, e cila sikundër na sigurojnë të gjithë ekspertët e huaj, është e mjaftë për të ushqyer dhjetë herë më tepër ndenjës(banor) se sa ka Shqipëria sot

Këto fjalë që Noli u drejtonte shqiptarëve dhe reagimi i shqiptarëve ndaj tij, ngjajnë shumë me bisedën e Edith Durhamit me malësorët dy dekada para këtij fjalimi të Nolit,   ku Durhami u quajt gënjeshtare nga malësorët kur iu tha se prosperimi ekonomik i një vendi arrihej duke paguar taksa njerëzit me paratë që i kishin fituar duke punuar shumë. Në qoftë se Fan Noli mendonte se mjaftonte që dikush t’iu thoshte me zë të lartë  shqiptarëve, që të hiqnin dorë nga ëndrrat me sy hapur se do të jetonin në begati, pa punuar, me të ardhurat e marra nga shfrytëzimi i pasurive nëntokësore prej të huajve dhe t’i viheshin punës së rëndë për të begatuar vendin, pasi shqiptarët do të zgjoheshin nga ky ëndërrim me sy hapur, ai e kishte shumë gabim, siç e tregoi koha. Sepse shqiptarëve nuk iu pëlqente që të dëgjonin fjalë të tilla që prishnin iluzionet e tyre. Nuk donin ta pranonin se begatimi ekonomik vinte me punë të vështirë. Shumica e shqiptarëve të asaj kohe, ashtu si shqiptarët e sotëm, me punë kuptonin, ose që të gjenin një vend pune shtetëror, ose që të hapnin një dyqan ku të rrinin në karrige duke e kaluar pjesën më të madhe të kohës duke bërë muhabet me të njohurit që hynin e dilnin në dyqan për të vrarë kohën. Mid’hat Frashëri, shkruan për këtë prirje të shqiptarëve në 1923:

      Me mijëra njerëz në vendin tonë thonë se janë tregtarë, tyxharë. Po në të vërtetë janë njerëz pa punë. Hyni në dyqan të tyre, ç’ të shihni? “Tregtari” ynë është shtruar këmbëkryq, me cigar në dorë dhe finxhan’ e kafesë përpara; dimërit ka një mangallë dhe rreth shpuzës bën muhabet me miq. Brënda vlefta e plaçkës “sermajaja” s’kapërcen dy mexhitka: dy okë kripë, njëqint dërhem piper, tri tërkuzë, dy mendile të kuqe, katër qelqe llambe. Dhe me këto plaçkurina fiton dhjetë franga në muaj- në mos dhe në mot-po gënjen veten, të shoqen dhe fëmijët: jam tregtar  

Nëse Mid’hat Frashëri do të shihte qytetet e sotme shqiptare, të mbushur pëllëmbë e dyqane, të cilët kanë një xhiro të vogël ditore, do të thoshte se gjendja nuk ka ndryshuar. Çifti britanik Jan e Cora Gordon, që e vizitoi Shqipërinë nga Tirana, në Jug e në Veri, në 1925, do të vinte re të njëjtën gjë në qytetin e Elbasanit:

Elbasani është pa ekzagjerim një farë dyqani. Me dhjetë mijë banorë që ka qyteti, atje ka pothuajse një mijë dyqane, kështu pra duke zbritur nëpunësit e qeverisë, gratë dhe fëmijët e shumtë në numër, duket sikur çdo person në Elbasan mban një dyqan ose diçka të ngjashme. Mbajtja e dyqaneve nuk ishte barrë ose mundim, në përgjithësi. Përmasa mesatare e një dyqani është afërsisht 3 m i gjatë dhe 2 m i gjerë (afro 6 m²), por me një qira vjetore prej gjashtë stërlina dhe dhjetë shilinga, në kushtet e një konkurrencë të madhe, është problem të arrish që dyqani të mbajë të zotin. 

Elbasani ka ndryshuar që nga ajo kohë vetëm në atë që dyqanet janë rritur në raport me rritjen e popullsisë. Dhe të huajt që vizitojnë Elbasanin sot kanë të njëjtën përshtypje si çifti anglez Gordon. Jo më i paktë se numri i dyqaneve, është numri i kafeneve, në të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe Elbasanin. Shumicën e dyqaneve dhe të kafeneve i kanë dhënë pronarët me qira dhe vetë jetojnë duke e kaluar kohën nëpër kafenetë e tjera. Edhe ata që kanë tokë bujqësore, mendimin e parë e kanë të gjejnë ndonjë mundësi për ta dhënë me qira, jo ta punojnë vetë. Ky është koncepti i vjetër turk i “iradit” për të cilin Mid’hat Frashëri fliste   gjithmonë.

 Historikisht shqiptari është mjaftuar me pak të ardhura financiare, kur ka qenë fjala që ato t’ i fitojë me punë të rëndë nga prona e tij. Sigurisht që shqiptarit i ka pëlqyer të ketë shumë të ardhura financiare, të ketë luks, por me kusht që këto t’ i fitonte lehtë, me anë të plaçkitjes në luftë, ose me anë të hajdutërisë dhe të cubërisë. Edhe sot shumica e shqiptarëve e pëlqejnë pasurimin dhe jetesën luksoze, por jo të siguruar me punë të rëndë, por me veprimtari kriminale, si trafiqet e drogës e të qenieve njerëzore, apo korrupsioni në postet publike. Shqiptari të cilit i duhet të jetojë me punën e vet, mjaftohet në shumicën e rasteve me të ardhura sa për të siguruar minimumin e jetesës.

Mid’hat Frashëri, në 1926, në studimin e tij “Për të formuar karakterin”, thotë se shqiptarët për nga karakteri nuk e pëlqejnë punën e rëndë:

      Por te njeriu dhe sidomos te shqiptari, fle dhe një e metë tjatër: arbëreshit nuk i pëlqen shumë puna e dorës, lodhja e krahut. Jo vetëm që e shikon si një fatkeqësi lodhjen, por e ka për turp punimin. Sot mbase nëntëdhjetë e nëntë përqint e djemve katundarë që frekuentojnë shkollën, janë të bindur se, ay që nxë të shkruajë e të këndojë, më nuk duhet të punojë me krahë. Mësuesi duhet të ketë kujdes që të zhduknjë këtë ide të dëmshme. Duhet të bindnjë nxënësit, se puna është jo vetëm një nevojë, por edhe një detyrë, që s’ ka njeri të përjashtohet prej këtij ligji, që asnjë punë dore, as të mihurit tokën, as të ngarët qetë, as të goditurit mur, as të mbajturët gurë, nuk është turp. 

Shqiptarët që shkuan në emigracion pas vitit 1990 bënë punë të rënda vetëm kur nuk kishin alternativë tjetër dhe pastaj kur i investonin paratë e grumbulluara në Shqipëri, në vend që të hapnin një biznes ku të punonin vetë, sipas profesionit që kishin mësuar në vendin ku kishin qenë emigrantë, ata blinin dyqane dhe lokale për t’ i dhënë me qera, si dyqane, kafene, restorante dhe për të nxjerrë të ardhura në formë “iradi”, siç thotë Mid’ hat Frashëri më lart. Shkurt, shqiptarët, sapo u jepet  mundësia më e parë, heqin dorë nga puna e rëndë, megjithëse nga ajo mund të nxjerrin shumë më tepër të ardhura dhe kërkojnë të jetojnë duke vegjetuar me të ardhurat e qerave.

Është shumë i vogël numri i shqiptarëve të cilët kanë shkuar në emigracion dhe kanë punuar fort, për të ndërtuar biznesin e tyre, me të ardhura të mira dhe pastaj kanë ardhur në Shqipëri jo për të vegjetuar por për të krijuar një biznes që të jetë veprimtari prodhuese. I tillë është rasti i Ekrem Bardhës, i cili pasi vuri pasuri me punë të mundimshme në Amerikë, erdhi në Shqipëri dhe duke punuar fort ndërtoi një platancion të madh me vreshta së bashku me kantinën për prodhimin e verës. Në kujtimet e tij ka një fragment që ndoshta duhet të përfshihet në tekstet shkollore shqiptare për t’ u mësuar fëmijëve dhe të rinjve etikën e punës. Eqrem Bardha shkruan sesi e nisi punën me një restorant McDonalds në Amerikë për t’ i bërë pastaj 18 të tillë:

Për të vendosur rregullin m’ u desh të punoja shtatë ditë në javë nga pesëmbëdhjetë orë ditën. Prej punonjësve të tjerë të lokalit studentët nuk druheshin, ndërsa kur shihnin pronarin në sallë, tregoheshin më të përmbajtur. Më shumë me mirësjellje se sa me urdhra arrita të mënjanoja lodrat e tyre brenda lokalit, shpërdorimet si dhe prishjen e rregullave të mirësjelljes. Si rezultat klientela filloi të shtohej dhe restoranti të frekuentohej më shumë. Megjithatë e ndjeja se kjo nuk ishte e mjaftueshme. Duhej përmirësuar edhe mjedisi i brendshëm, pajisjet, vendosja e tyre. Shpenzova edhe treqind mijë dollarë të tjerë brenda vitit për ristrukturimin dhe zbukurimin e restorantit brenda dhe jashtë, derisa i dhashë formën që dëshiroja. Gjatë një viti humba nga sytë e shoqërisë, nuk dukesha as në xhami, as në kishë, as në Teqen Bektashiane, ku më parë shkoja shpesh të bisedoja me Baba Rexhebin. Jo se nuk kisha dëshirë, por se nuk më mjaftonte koha. Pas një pune 14-15 orëshe në restorant, shkoja në shtëpi që të pushoja sadopak, të mblidhja veten, se të nesërmen do të kisha përsëri një ditë të lodhshme përpara .

Këtu nuk ishte fjala për një emigrant që hapte një restorant, siç ka ndodhur shumë shpesh me shqiptarët në Amerikë, por për një nismë shumë të veçantë, të një shqiptari që me kurajë të madhe i hynte sfidës për të fituar   me punë   besimin e një kompanie me shtrirje globale që kishte një zinxhir ndërkombëtar restorantesh, derisa arriti të kishte një segment prej 18 restorantesh brenda këtij zinxhiri me shtrirje botërore. Dhe ky njeri i mësuar me punë të vështira, pas hapjes së Shqipërisë erdhi këtu për të investuar dhe punuar ashtu siç e kishte zakon, pavarësisht se tani ishte bërë një bos, pra me duart e tij, duke bërë mrekulli siç e tregojnë vreshtat që ngriti nga hiçi në Marikaj pranë Tiranës, dhe kantina e verërave atje. Ai është një biznesmen që ka një veprimtari prodhuese në Shqipëri, që është pikërisht lloji i biznesit për të cilin ka nevojë ekonomia shqiptare. Ai nuk ishte një biznesmen që vinte në Shqipëri nga Amerika për të fituar si të mundte, por edhe një idealist shqiptar që donte t’ u tregonte bashkatdhetarëve një model sesi një biznesmen që vjen nga jashtë vendit në atdheun e tij, siç mund të jetë rasti me shumë shqiptarë që jetojnë në emigracion, mund të krijojë një biznes prodhues, të suksesshëm dhe fitimprurës.   Ne shqiptarët jemi Ekrem Bardha kur punojmë fort, për veten tonë në radhë të parë, por edhe me idealizëm, pa individualizmin destruktiv karakteristik për ne. Mund të ketë edhe raste të tjerë si Ekrem Bardha, por unë zgjodha atë për ta paraqitur si shembull edhe për faktin se kam lexuar librin e tij interesant me kujtime të cilin e kam cituar më lart. Pastaj Ekrem Bardha meriton të sillet si shembull se ai i ka edukuar dhe fëmijët e tij me dashurinë për Shqipërinë, ndonëse ata nuk kanë lindur në Shqipëri. Dhe në sajë të këtij edukimi fëmijët e tij janë shumë të lidhur me Shqipërinë, madje edhe punojnë këtu me projekte të rëndësishme si vajza e tij zonja Donika Bardha.

Ekrem Bardha me biznesin e tij, me vreshtat e tij të gjelbëruara, kuroi me sa mundi edhe një plagë të sotme shqiptare që është shkatërrimi i mjedisit, duke dashur t’ u japë një mësim shqiptarëve se mjedisi duhet mbrojtur si një pasuri kombëtare. Sepse Individualizmi destruktiv i shqiptarëve shfaqet edhe me mungesën e hezitimit që kanë për të bërë shkatërrime të mëdha të natyrës, kur është fjala për të nxjerrë të ardhura financiare të çastit. Ata nuk pyesin se kështu bëjnë një dëm të madh, jo vetëm ndaj komunitetit, por edhe ndaj vetvetes. Kështu sot barinjtë iu venë zjarrin kullotave për t’ i bërë pjellore për një apo dy vjet, pa u shqetësuar se kështu djegin edhe pyje të tërë dhe shkaktojnë rrëshqitje të dheut, duke u shkatërruar shpesh edhe vetë shtëpitë e tyre. Ata marrin zhavorr në shtretërit e lumenjve pa menduar se kështu prishin një mbrojtje natyrore të tokës dhe sjellin si pasojë vërshime të lumenjve dhe erozion të tokës ku kanë parcelat bujqësore dhe truallit ku kanë ndërtuar shtëpitë. Shqiptarët presin lëndë drusore në pyje pa pyetur për dëmin që bëjnë duke shkatërruar pyjet, e me këtë shkaktojnë rrëshqitje të dheut, duke humbur kullotat e tokat bujqësore. Por edhe kjo nuk është një gjë e re në sjelljen e shqiptarit. Në vitet ‘20, At Anton Harapi ankohej se:

      Malcori e katundari nuk e ban mall landën e bimën; e pret, e than, e qet fare, të thuesh për argtim, a për nevojë qi s’ janë nevojë. Për me xjerrë nji tra në mal a në pyllë, aj çon dam njizet tjerë; do me ba nji barrë dru, e than krejt nji bri mali: bariu i ep zjarrmin bjeshkës, e sillet e shikjon me knaqe, si të kish mujtë nji luftë; për me ba nji koshiq thekën, për me xjerrë kullosën e dhetë a pesëmdhet dhenvet, aj nuk ka dert pse zharritet e dermohet nji bjeshkë a nji pyll anë m’ anë. 

Kjo gjë nuk ndodhte vetëm në Shqipërinë e Veriut, por edhe në atë të Jugut dhe në Shqipërinë e Mesme dhe ndodh edhe sot e kësaj dite, në të gjithë Shqipërinë. E për ta vendosur në Shqipërinë e sotme këtë tablo të shkatërrimit të të natyrës që na paraqit At Anton Harapi, nuk na duhet të heqim ndonjë gjë prej përshkrimit të tij, por vetëm të shtojë gjëra të tjera, si furrat e gëlqeres dhe guroret, të ngritura në mënyrë abuzive në kundërshtim me rregullat e ruajtjes së mjedisit, e që shkaktojnë dëme të mëdha.

Një tjetër shprehje e individualizmit vetëshkatërrues të shqiptarëve dhe kotësisë që ndikonte në veprimet e tyre ekonomike, duke u sjellë dëme të mëdha, ishte depozitimi masiv i parasë që bënë shqiptarët sidomos në vitet 1995-1997 në firmat piramidale, me shpresën se do t’ i rrisnin disa herë paratë e depozituara. Pavarësisht se e kuptonin se në fund skema do të dështonte dhe shumë vetë do të dilnin të humbur, secili mendonte se ai vetë do të dilte i fituar. Kotësia nxiste dëshirën për të nxjerrë të ardhura të mëdha pa punuar. Por në fund humbën të gjithë, përveç atyre që i drejtonin këto skema dhe atyre që kishin lidhje me pushtetin.

Kur shtrohet pyetja “Kush jemi ne shqiptarët?” sa i përket ekonomisë dhe punës , përgjigjia nuk është shumë e favorshme për ne. Ne shqiptarët kemi talent për biznes, por nuk na pëlqen shumë puna e rëndë, megjithëse në emigracion kur jemi të detyruar të punojmë fort, tregojmë se dimë ta bëjmë edhe këtë shumë mirë. Ne shqiptarët sidoqoftë vuajmë pasojat e një kulture të gabuar të punës dhe akoma nuk kemi fituar kulturën e duhur të biznesit.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ekrem bardha

KOSOVA SOT DHE ULJA NË BISEDIME ME ARMIKUN

March 2, 2020 by dgreca

Nga MA.Agim Aliçkaj*/

I dashur Ambasador Kosnett,/

Jam krenar që jam shqiptaro-amerikan se e dua atdheun tim Kosovën dhe e adhuroj këtë të ri ku jetoj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqiptarët, kudo ku jetojnë, sinqerisht dhe me gjithë zemër, e duan Amerikën si asnjë komb tjetër mbi tokë. Pa Amerikën nuk mund të ketë bisedime me Serbinë, as zgjidhje të konfliktit shqiptaro-serb dhe as të ardhme për popullin shqiptar. Është mjaft zemërdhënëse kur sheh Amerikën tërërisht të angazhuar përsëri për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare të këtij problemi të madh.

 Faleminderit zoti Ambasador për punën tuaj të madhe dhe mundësinë për të folur me ju lidhur me këtë situatë.

E kuptoj që takimi i sotëm është më shumë për investimet e jashtme në Kosovë, mirëpo pa qëndrueshmërinë politike, nuk do të jetë e lehtë. Si e thatë edhe ju vetë, as Amerika nuk mund të detyrojë biznemenët të investojnë në një vend të caktuar. Janë të pavarur në vendimet që marrin për biznesin.

Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, populli më i lashtë në Ballkan. Pas rënies së Perandorisë Otomane, në 1912, Shqipëria shpalli pavarësinë e saj e cila përfshiu më pak se 40% të trojeve shqiptare. Pjesë të mëdha të territorit shqiptar iu dhanë nga Fuqitë e Mëdha Europiane, të ndikuara nga Rusia, fqinjve grykës, agresivë, shtypës, hegjemonikë, e armiqësorë sllavë e ortodoksë: Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

Për më shumë se një shekull, populli shqiptar nën pushtim ka vuajtur dhe është bërë pre e shtypjes sistematike, të planifikuar me kujdes, diskriminimit, shfarosjes, shpërnguljes dhe asmilimit. Qindra mijëra civilë të paarmatosur shqiptarë dhe familjet e tyre u vranë ose u detyruan me dhunë që të shpërnguleshin në Turqi. Qeveritë serbe në koordinim me kishën ortodokse zbatuan një program të detajuar në pamfletin e përgatitur nga Vaso Cubrilovic me titullin “Dëbimi i shqiptarëve”.

Shqiptarët e kanë provuar që janë një komb paqedashës, tolerant, joagresiv, gjatë gjithë historisë së tyre të lavdishme por të vështirë. Do të doja të përmendja një shembull, gjatë Holokaustit, shqiptarët i bënë ballë Gjermanisë Naziste dhe ia dolën të shpëtojnë që të gjithë hebrenjtë që jetonin apo kishin mbërritur në trojet shqiptare. Jam shumë krenar që i ndjeri babai im, Arif Aliçkaj, ishte pjesë e këtij akti fisnik. Kjo është shpalosur në dy libra, rezultat i punës së madhe të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, të udhëhequr nga ish-kongresisti Joseph DioGuardi dhe gruaja e tij, Shirley Cloyes DioGuardi.

Dy dekada më parë, shteti terrorist komunist i Serbisë, filloi dhe humbi katër luftra mizore, në zemër të Evropës. Përveç diktatorit Millosheviq dhe pak kriminelë të tjerë të luftës, ajo nuk u ndëshkua kurrë për krimet e kryera kundër njerëzimit. Pretendon se tani është bërë demokratike, por ende sundohet nga anëtarë të regjimit të tij vrasës. Synimet e tyre dashakeqëse për të shkatërruar Kosovën dhe të gjithë popullin shqiptar nuk kanë ndryshuar, vetëm sa janë transformuar në metoda të reja veprimi. Serbia po punon hapur kundër interesave të Kosovës, duke nxitur pakicën serbe kundër vendit të tyre Kosovës, ndërkohë që në mënyrë të vazhdueshme shtypin pakicën shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ndërkohë, duke përdorur gënjeshtra dhe propagandë të përditshme e paraqet veten si një “viktimë e pafajshme”. Për shkak të mungesës së pjesëmarrjes aktive amerikane për disa vjet, Europa është munduar ta marrë me të mirë Serbinë, duke u përpjekur që ta nxjerrë jashtë sferës së ndikimit të Rusisë, në kurriz të popullin shqiptar. Ne besojmë fuqimisht se Serbia, nëse nuk mbahet nën kontroll, do të jetë gjithmonë një “kalë Troje”, brenda Evropës, për të promovuar interesat hegjemonike ruse në Ballkan.

Gjatë 12 viteve të pavarësisë së kufizuar, Kosova nuk ka fituar asgjë nga bisedimet me Serbinë. Vetëm ka humbur. Bisedimet për pavarësinë përfunduan me planin e Presidentit Ahtissari. Kosova bëri lëshime maksimale. Pakica serbe mori të drejta e privilegje maksimale si asnjë pakicë tjetër në botë. Pavarësia u njoh nga Amerika, shumica e vendeve evropiane dhe shumë vende të botës. Një dobësim i mëtejshëm i pavarësisë, integritetit territorial, sovranitetit është i papranueshëm. Nuk do të sillte as zgjidhje të drejtë e as përfundimtare të problemit dhe do të ishte kundër interesave të Kosovës, Amerikës, Europës, madje edhe vetë Serbisë. Serbia nuk arrin ta kuptojë se është e verbuar nga urrejtja për shqiptarët .

Qeveria e re e shpresës e zgjedhur nga populli i Kosovës, në zgjedhje të lira dhe demokratike, nuk mund të vazhdojë në të njëjtën rrugë negative. Tarifat ndaj mallrave serbe të vendosura nga Prishtina në nëntor 2018 ishin të nevojshme dhe shumë të justifikuara. Për Kosovën ato ishin të njëjta si sanksionet e Amerikës ndaj Iranit dhe Koresë së Veriut. Jo në të njëjtën shkallë por nuk ka ndonjë ndryshim mes Iranit dhe Serbisë. Diktaturat dhe regjimet armiqësore kuptojnë vetëm gjuhën e forcës dhe presionin e vërtetë ndërkombëtar. Ne e kemi të vështirë ta kuptojmë se pse duhen hequr sanksionet që të kënaqim Serbinë dhe t’i lutemi asaj që të bisedojmë diçka që do të sillte vetëm shkatërrim të mëtejshëm të Kosovës. Përfaqësuesit serbë janë duke e thënë hapur se edhe nëse u plotësohen kushtet, ata nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës. Në këto rrethana, çfarë kuptimi ka të bisedojmë më armikun? Amerika është përfshirë tashmë dhe po kërkon nga Kosova që të heqë pa kushte tarifën. Qeveria e Kosovës nuk ka rrugëdalje tjetër përveçse të pranoi këshillën e mikut të vetëm të vërtetë, SHBA-së. Populli i Kosovës mund ta pranojë vetëm nga dashuria, respekti, dhe besimi te Amerika. Në këtë kuadër, do të doja t’ju drejtoja pyetjet e mëposhtme:

1) Në vijë me deklaratat tuaja dhe të tjera zyrtare nga SHBA për mbështetje të plotë të pavarësisë së Kosovës, jemi kureshtarë, çfarë plani ka SHBA për të bindur Serbinë që ta pranojë?

2) Sa të shqetësuar duhet të jemi për mundësinë që pas këtyre bisedimeve Kosova të përfundojë një shtet i dështuar, jofunksional?

3) A është e shqetësuar Amerika për armatimet e rënda moderne që Rusia po i jep Serbisë?

4) A do të negociohet edhe për të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre të lashta brenda kufijve të Serbisë, në të njëjtën mënyrë si për të drejtat e pakices serbe në Kosovë?

Faleminderit edhe njëherë, zoti Ambasador.

Zoti i bekoftë kombin amerikan dhe kombin shqiptar!

*Fjala e mbajtur në takimin me ambasadorin amerikan në Kosovë Philip S. Kosnett. Autori është Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Shqiptaro Amerikane dhe Këshillit të Vatrës

Filed Under: Featured Tagged With: .Agim Aliçka, Bisedimet me armikun

Pushteti është i juaji!

March 2, 2020 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/ Florida/

Soji më regresiv këto orët e fundit janë ata që hedhin idenë se në protestën e nesërme po suportohet Ilir Meta, jo Presidenti, jo Kushtetuta. Dhe ajo që të habit është fakti se për këta të gjithë janë të tillë, prandaj nuk ia vlen të ngrihen e të dalin nesër në shesh. Ky që po del është një hajdut, ai që po qeveris po ashtu, por edhe ai në opozitë i tillë është.

Ta marrim të mirëqënë këtë, a thua se ky është justifikim për ta lënë kështu evazive situatën në vend. Të paktën nga kjo trio hajdutësh ky i presidencës ka deklaruar publikisht që vendi ka nevojë për një president që ta zgjedhi populli. Jepjani vetes këtë shans dhe kërkojeni në shesh që kjo të bëhet publike, madje filloni të firmosni se mund të jetë pragu i nisjes së një epoke të re që aq të domosdoshme e ka Shqipëria.

Në këto 30 vjet demokraci numrat me shumicë dërrmuese të Kuvendit prodhuan vetëm kriza politike, mendoni se si i dhatë fronin një ushtaraku që ishte duke luajtur domino, por edhe të tjerët që keni sjellur kanë qënë butaforik për shkak të kompetencave false. Rasti më i përkryer është ky aktuali…, shtypi rilindas nuk ka mbetur gjë pa thënë, Rama po tall bythën me të në çdo dalje publike.

Nëse do ishin të sinqertë me ju dhe vendin e tyre sidomos shtypistat duhet të kishin qenë kaq agresivë edhe kur nënshkruan aleancën në Shkodër në vitin 2013. Atëherë kishin të freskët akoma 21 janarin e 2011-ës, por nuk e bënë. Ju mbyllën gojën duke thënë që pa këtë aleancë nuk vihet në pushtet. Madje i dhatë kreun e Kuvendit dhe Iliri nuk ishte hajdut, nuk ishte vrasës, nuk ishte ky që është sot për ju, horri, atentatori, shkelësi i Kushtetutës. Biles, biles e bëtë edhe President për shkak të përvojës dhe eksperiencës në politikë, por edhe si i vetmi për të komunikur dhe bërë pakte si me të majtët ashtu edhe me të djathtët.

Nga ana tjetër ka edhe një shpurë të ashtuqujturish demokratë që edhe pse ka kaluar 30 vjet akoma nuk e kanë kuptuar abc-në e opozitarizmit, sheshi është flori për frymën opozitare. Akoma nuk e kanë kuptuar se opozita nuk është më njëshi, sidomos në kushtet e sotshme, por tërësia e mendimeve sado fort ato ta kundërshtojnë njëri-tjetrin, madje mesatarja e artë del pikërisht nga kjo vlojë.

Nganjëherë opozitarizmi është më shumë se njëshi sidomos kur ai i lëvizë fjalës së dhënë, nuk njeh sakrificën dhe i druhet si dreqi franksioneve brenda frymës. Nuk mund të bësh opozitarin duke thënë po shkoj në pushime, shihemi në vjeshtë kur ta zëmë se studenti proteston, bujku hedh prodhimet në fushë, minatori në grevë, naftëtari po ashtu. Dhe për më keq akoma në një institucion drejtësie flenë me dhjetra dosje përgjimesh ku vetë i madhi është i implikuar në vjedhjen e votës. Një opozitë që fal një skandal të tillë duke shkuar e negociuar me hajdutin ka asgjësuar vetveten. Pa përmendur rënien ekonomike apo borxhin publik, përkrahjen lëmoshë, kultivimin e lëndëve narkotike. Dhe raca më e mbrapshtë janë listat apo listaxhinjtë që mbajtën më këmbë një Kuvend me idenë se po i shërbenin vendit, në fakt i shërbyen xhepit dhe menderes me cektësinë e fshatarit që vuri një kollare dhe u bë akademik. Ata e varën në litar demokracinë e për rrjedhojë vendin duke i dhënë pushtet absolut një dështaku me shallvare që vetëm fyen dhe pështyn lart e poshtë. Shkoni në protestë edhe për të mos parë më kongrese të tillë se ta dini me aq shpenzime sa janë hedhur aty mund të ishin paguar furgonët për ata të dializës.

I shikoni se si rropaten për pak jetë sepse paratë i hanë pankartat dhe sloganet e kongreseve. Madje përbuzni ato forca politike që bëjnë nga 3 ditë kongrese, vetëm vrulle altoparlantësh, përshëndetje propogande arritjesh, kur nuk gjëkundi se çfarë parametrash aktual ka ekonomia jonë, sa është borxhi publik aktualisht, sa janë të ardhurat për frymë, sa është mundësia e punësimit, fermeri, minatori, naftëtari, klima tregtare dhe e investimit. Dhe a e dini përse, se, ne kurrë nuk ngritëm dot ca intstiucione të pavarura si balancim i propagandave të çdo lloj qeverie. Jeta është arithmetikë o njerëz, jo veprat e Edvinit. Dilni dhe nëse dilni mos u ngrini e të ikni duke thënë se do dilni prapë në vjeshtë, por nguluni në shesh dhe jepni vendit pushtetin tuaj.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Levonja

Shqiptarët e Nju Jork-ut festuan“International Language Day “

March 2, 2020 by dgreca

Komuniteti shqiptaro amerikan në Nju Jork festoi për herë të pare “International Language Day “/

Nga Marjana Bulku/*

Shkolla shqipe “Children of the eagle” dhe The Association of Albanian American Dual Language & Culture AADLC me themeluese Drita Gjongecaj në këto katër vite përvojë i ofruan (komunitetit shqiptaro amerikan një ditë festive mes valleve, kostumeve dhe muzikës shqiptare ku kryefjala ishte gjuha shqipe, mbajtja gjallë e saj në Amerikë e kudo ku jetojnë shqiptarët .(Festa i dedikohej ditës ndërkombëtare të gjuhës amtare, ditë kjo që nxënësit (e shkollës shqipe “ Children of the eagle “ kishin zgjedhur ta festonin me MIQTË e saj, ata që e përkrahin në çdo ditë këtë program në misionin e saj e ku padyshim të parët renditen prindërit, mêsuesit, drejtuesit e komunitetit, Televizioni Albanian Culture ,shoqata mike Vatra, Motrat Qiriazi dhe perfaqsite tona konsullore e diplomatike kanë një rol të veçantë.(Festa u çel me himnin amerikan, himnin e këtij vendi mundësish ku edhe gjuha shqipe ka shansintë jetojë përjetë falë iniciativave të bukura dhe vullneteve të forta siç êshtë edhe rasti i Drejtueses Drita Gjongecaj e cila edhe pse e angazhuar në arsimin public, fundjavat e saj ia kushton gjuhes shqipe përmes këtij programi sa gjuhsor po aq edhe kulturor, historik etj.Mjaft bukur u shpalos himni shqiptar nën interpretimin e vogëlushëve të cilët kënduan shqip himnin e të parëve tanë veshur me kostume shqiptare .(Festa u çel me mesazhet e Marjana Bulkut, e cila uroi që Miqtë e Shkollēs shqipe nga viti në vit tështohen sepse kështu e përmes gjuhës dhe punës forcohen komunitetet dhe mbahen gjallë kulturat.(Zonja Drita Gjongecaj solli përmes falenderimeve në skenë mësueset plot me buqeta lulesh dhe mirnjohje të shumfishtë për punën e palodhur të një proçesi që zgjat sa jeta. Pastaj ajo falenderoi të gjithë ata që e bëjnë të mundur këtë program dy gjuhsor dhe multi kulturor ;fëmijët, prindërit e tyre , por nuk la pa përmendur Miqte e përhershëm që edhe pse nuk janë çdo ditë aty ku dija latohet , e japin kontributin e tyre me dashuri dhe përkrahje sistematike siç Konsullata e Kosovës dhe zonja Teuta Sahatqija kanë dëshmuar në çdo kohë .(Kêshilltari Mark Gjonaj, një politikan patriot i cili admirimin dhe vlerësimin për Children of the eagle shprehu çiltërsisht në fjalën e tij e cila u fokusua tërësisht në vlerat historike dhe vitale që gjuha jonë ruan e do të luajë në të ardhmen tonë . Pastaj ai nderoi Shkollën Shqipe” (Children of the eagle “ dhe drejtuesen e saj Drita Gjongecaj me një vlerësim të veçantë dhe mjaft simbolik ku vleresohet kontributi I AADLC dhe shkolles Children of the Eagle ndaj komunitetit shqiptar ne Qytetin e New Yorkut. E veçantë dhe e mirëpritur ishte prezenca e legjislatorit të Westchester, David Tubiolo dhe Vedat Gashi të cilët e përshëndetën këtë veprimtari fëmijësh por që i flet të ardhmes.(Ne emer te Bordit te Legjislatorve te Westchester County, shkolles Childen of the Eagle ata I dorezuan znj. Drita Gjongecaj nje Proklamate ku po ashtu vleresohet kontributi në drejtim të ruajtjes së gjuhes dhe kultures në zonen e Westchester në NY. Misioni i Shkollës Children of the eagle” eshtë promovimi i atdhedashurisë dhe krenarisë për prejardhjen e të parëve përmes ruajtjes së gjuhës shqipe, historisë, traditave dhe trashëgimnisë tonē kulturore, por më shumë se vizioni dhe misioni foli puna dhe arritjet e atyre fëmijëve ku shqipja e rrjedhshme, recitimet e poetëve dhe e mendimtarëve, këngët dhe vallet tona dëshmuan se sa i bukur është ky mision që vazhdon të mbjellë e të vjelë produkte Pune.
Marjana Bulku & Drita Gjongecaj & Children of ?.
Me fëmijët dhe për fëmijët.
Shkurt 2020

*Me shume fotografi shihni ne fb Dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: Dita e Gjuhes amtare, Marjana Bulku

VATRA ËSHTË ME TË ARDHMEN E SHQIPËRISË, PA KRIMINELË DHE DROGË

March 1, 2020 by dgreca

– Deklaratë e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës VATRA për Protestën e 2 Marsit, 2020- /

Federata Pan-shqiptare e Amerikës VATRA, po ndjek me shumë shqetësim situatën e rëndë të krijuar në Shqiperi si rezultat i ozurpumit tërësor të çdo pushteti nga nga Kryeministri Edi Rama.

Për analogji,Kushtetuta Amerikane mbrohet me çdo mjet nga Presidenti i SHBA.

Ndaj i kërkojmë dhe mbështesim Presidentin e Shqiperis në çdo veprim që do të merret për rikthimin kushtetues të institucioneve shqiptare.

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA e konsideron daljen në rrugë të Presidentit dhe bashkimin e tij me popullin si mjeti i fundit për të kthyer pushtetin atje ku ai buron, tek Populli.

Manifestimi i 2 Marsit është fillimi i fundit i një qeverisjeje e cila shpopulloi, varfëroi dhe vrau shpresën e shqiptarëve.

Shqiptaro-Amerikanët janë me të ardhmen e Shqipërisë pa kriminelë dhe drogë, por me dinjitetet dhe prosperitet.

Përshëndetjet më të përzemërta nga Amerika!

Zoti e bekofte Shqipërinë!

Filed Under: Politike Tagged With: Protesta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT