• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2020

SUKSESI GJERMAN NË LUFTËN NDAJ COVID-19 DHE SHQIPTARËT NË BERLIN

May 15, 2020 by dgreca

Doktor Ardian Mustafai së bashku me bashkëshorten e tij mjeke Margarita Dalipi-Mustafai rrëfejnë Berlinin ekskluzivisht për gazetën Dielli, New York, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja/

Doktor Ardian Mustafai .

COVID-19 NË GJERMANI DHE PASOJAT

Dr.Margarita Dalipi-Mustafai .

Gjermania në Eurozonë ishte shteti më i suksesshëm në luftën ndaj pandemisë që ka paralizuar globin. Edhe pse shteti gjerman shërben si model shumë efikas në luftimin e kësaj sëmundje, prapë se prapë pasojat janë ndjerë në të gjitha fushat e jetës. Pandeminë Globale të quajtur COVID-19 të shkaktuar nga SARS-CoV-2, pritet ta pasojnë një sërë ndikimesh dhe luhatjesh si shëndetësore, njerëzore, ekonomike, e shoqërore në përgjithësi. Asgjë sdo jetë si më parë. Dëmi në ekonomi, ngadalësimi në zhvillimin e sipërmarrjeve dhe kryesorja humbjet në jetët njerëzore kanë sjellë një shqetësim jo të vogël te popullsia vëndase. Për shkak të menaxhimit të shkëlqyer të krizës që shpërtheu nga pandemia globale, ndërhyrjes së shpejtë të institucioneve, efikasitetit të sistemit shëndetësor dhe planit të masave, bëri që Gjermania edhe pse me numrin më të madh të banorëve krahasuar me shtetet tjera të Bashkimit Evropian, e kaloi me suksese këtë sfidë, bazuar nga numri i të infektuarve si dhe numri i atyre që përfunduan letalisht. Ky sukses u garantua nga fakti se Qeveria gjermane, Ministria e Shëndetësisë së Gjermanisë në koordinim me Institutet e varësisë, filluan testimet masive të popullatës, për detektimin e hershëm të personave që mund të ishin prekur nga pandemia globale. Situata aktuale përsa i përket numrit të të shëruarve spontanisht është në rritje e sipër, duke marrë parasysh se ende nuk ka vaksinë për të kuruar Covid-19. Një tjetër tregues shpresëdhënës në lidhje me të ardhmen pozitive është fakti se numri i të infektuarve nuk ka shënuar rritje të madhe. Sipas rekomandimeve më tëfundit nga autoritet shëndetësore, prej muajit Maj 2020, kemi lehtësime në qarkullimin hekurudhor, atij të transportit publik, hapjen e shumë lokaleve dhe hotelerive të ndryshme, shkollave e çerdheve për fëmije, mbajtjen e manifestimeve të ndryshme, normal në numër të konsiderueshëm të njerëzve. Por ajo që duhet theksuar mbi të gjitha është detyrimi për mbajtjen e maskave në të gjithë Landet e  Gjermanisë.

Gazetari Sokol Paja.

INSTITUCIONET SHTETËRORE NË LUFTË NDAJ COVID-19

Përsa i përket masave të marra nga shteti gjerman për luftimin e COVID 19, qeveria Gjermane në bashkëpunim me institutionet mjekësore të varësisë, që në fillim të janarit të vitit 2020 ka ndërmarrë aktivitete të ndryshme për parandalimin e përhapjes së SARS-CoV2. Institucionet sensibilizuan popullatën nëpërmjet rekomandimeve të dala nga Institutet Virologjike, si Robert-Koch – Institutit me seli në Berlin, po ashtu edhe të tjerëve në vend, duke mbajtur distancën prej 2 metra nga njëri-tjetri, mos dhënien e duarve gjatë përshëndetjeve, mos lejimin e mbajtjes të asnjë lloj manifestimi sportiv, kulturore, social, përdorimin e domosdoshëm të maskave në fytyrë, pastrimin e shpeshtë të duarve, testimi i numrit të madh të popullatës, etj.

SHQIPTARËT NË GJERMANI

Bashkatdhetarët shqiptarë në Gjermani kanë qenë shumë pak të prekur dhe fatmirësisht pa pasoja në jetë të humbura. Nga strategjia e suksesshme e qeverisë dhe nga ndërgjegjsimi i shpejtë bëri që shqiptarët të shpëtojnë paqë. Përsa i përket numrit të të infektuarve shqiptarë në Gjermani, në bazë të të dhënave nga ana e grupeve të punës të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani në të gjitha Landet e Gjermanisë, rezulton të jetë shumë i vogël. Në lidhje me këtë, Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Gjermani u vu në dispozicion për çdo lloj informate apo njoftimi nga ana e mjekësve që t’i shërbejë popullatës shqiptare në Gjermani si udhërrëfyes, në rast infektimi, si ndihmesë se ku ata të orientohen dhe drejtohen për të ndjekur më pas hapat mjekësorë. Përsa sa i përket sferave të tjera, normal që shumë shqiptarë që shërbejnë në Gastronomi e Hotelieri janë të goditur nga kjo murtajë. Ne jemi shpresëplotë se me këto lehtësime të lëvizjeve të njerëzve e rikthimit në jetën normale në Gjermani, do fillojnë të frymojnë lirshëm edhe shqiptarët që jetojnë e punojnë në Gjermani. Hapja e shtetit do ndikojë pozitivisht si ekonomikisht dhe psikologjikisht për qytetarët e kyçyr nga pandemia globale.

TREGUESIT NË VAZHDIM TË COVID-19 NË GJERMANI

Shifrat që vijnë nga Gjermania janë gjithnjë e në përmirësim çka japin shumë shpresë në ecurinë pozitive të luftës së suksesshme ndaj pandemisë botërore Covid-19. Kurba e të infektuarve ka ndryshueshmëri në varësi të ditës dhe javës. Gjersa në fillim të vitit shkalla e infektueshmërisë rritej, ku një person i infektuar mund të infektonte 10 të shëndoshë, pra shkalla1, me kalimin e kohës, shënoi ulje nga 0.6 – 0.7. Parashikimet për shkallën e infektueshmërisë për momentin është vështirë të parashikojmë, pasi në dallim nga dita në ditë, por ajo që pritet të shihet në vazhdim është numri i të shëruarve spontan, gjë që ka shënuar rritje të lartë. Me shpresë që pas këtyre lehtësimeve të kohëve të fundit në lëvizje të njerëzve, dhe hapjen e lokaleve dhe lejimin e manifestimeve të ndryshme, nuk do kemi valë të dytë të infektimit, kjo do na pamundësonte të vlerësonim pasojat e mundshme. Në lidhje me jetët e humbura të qytetarëve gjermanë ndër shkaqet kryesore tëvdekjeve në moshat e thyera kanë qenë shkaqe duke filluar nga ato kardiovaskulare, pulmologjike, diabetike, kanceroze, immunitet të dobët, këta janë më të prekur, ku fatkeqësisht një pjesë pëfundon në ventilimn mekanik me Intubacion, dhe si rrjedhojë përfundojnë letalisht. Kujdesi duhet të jetë jashtëzakonisht i lartë perderisa nuk kemi ende vaksinën në disponim, nuk do mund të themi se kemi arritur sukses në parandalimin apo shërimin e COVID-19, sepse në çdo çast mundet që SARS-CoV2 të infektojë dhe të kthehet në ditët më të këqija të shpërthimit të pandemisë. Përfundimi i një epidemie nga çasti i infektimit çka do të thotë 28 ditë nga i infektuari i fundit si i testuar negativ. Deri tek ky moment magjik, besoj do na nevojitet një kohë e gjatë. Në këtë betejë sa institucionale sa shëndetësore sa njerëzore nevojitet bashkëpunim dhe kujdes i të gjitha hallkave pasi një zinxhir i vetëm nuk mund të bëjë asgjë në luftë me ketë virus agresiv. 

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË SHBA

Nëpërmjet kësaj interviste dua të përshëndes lexuesit e Diellit, komunitetin shqiptar në USA dhe veçanarisht federatën panshqiptare Vatra si një federatë mbarë shqiptare me një rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës, traditës e kulturës dhe promovimin e çdo shqiptari të suksesshëm. Vatra është model i organizimit dhe funskionimit të diasporës shqiptare. Për të gjithë komunitetin shqiptar në USA unë do t’ju bëja thirrje qëtë kenë kujdes të shtuar në këtë betejë të egër me virusin vdekjeprurës. Lexuesve të gazetës Dielli do ju rekomandoja që ruajtja e distancës prej 2 metra të jetë e panegociueshme, të bëhet shpesh larja e duarve, të mos përshendesim me duar, mbajtja e maskave nëpër qytet dhe në hapsirat publike. Sipas të gjitha të dhënave të Instituteve Virologjike deri tek Vaksina do nevojitet të paktën edhe 1 vit kohë, deri atëherë infeksioni nëçdo kohëështë i mundshëm. Prandaj ti përmbahemi regullave të lartë përmendura. Virusin do ta mundim të gjithë bashkë me punë, kujdes mjekësor, distancim social dhe higjienë personale.

KUSH JANË MJEKËT BASHKËSHORTË ARDIAN MUSTAFAI DHE MARGARITA DALIPI-MUSTAFAI 

Dr.med.Ardian Mustafai është nga Tetova e Republikës së Maqedonisë së Veriut, jeton dhe punon me vite në Gjermani si mjek Internist-Kardiologji si dhe në Mjekimin Intensiv me Reanimacion në Klinikën Universitare Ruppiner Kliniken në periferi të Berlinit, si dhe njëherësh është Nënkryetar i parë i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Gjermani. Dr.med. Margarita Dalipi-Mustafai është nga Struga e Republikës së Maqedonisë së Veriut, jeton e punon me vite në Gjermani si mjeke Internist-Nefrologji, si dhe në mjekimin Intensiv me Reanimacion në Klinikën Universitare Ruppiner Kliniken në periferi të Berlinit. Puna e mjekut Ardian Mustafai në diagnostikën Klinike në Kardiologji konsiston në trajtimin e sëmundjeve Kardiovaskulare nëpërmjet Diagnostikës së Ultrazërit të Zemrës, Ultrazërit Transezofageal, Stress-Ultrazërit të Zemrës, Ultrazërit me mjetë Kontrast, Ergometrisë, Kontrollimin e Pacemaker, si dhe Kateterizimit të zemrës si Diagnostikë. Në mjekimin Intensiv kryesisht mjekët bashkëshortë merren me ventilimet mekanike, Intubimet endotraheale dhe Reanimacionet. Puna e doktor Ardianit në Klinikën e Nefrologjisë ka të bëjë kryesisht me Dializimin, Hemofiltracionet, Plazmaferezen, Immunofiltracionet, Biopsisë e Veshkave, si dhe Ultrazërin e Veshkave. Doktor Ardian Mustafai është anëtar i shoqatës së kardiologëve të Gjermanisë. Të dy bashkëshortët janë pjesëmarrës në shumë Konferenca e Kongrese të ndryshme vendore e ndërkombëtare në fushën e mjekësisë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Adrian e Margarita Mustafai, gjermania, Sokol Paja

Fjalë…

May 15, 2020 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/ Arti të mahnit. Dhe fjala ‘art’, në çdo gjuhë është e njëjtë, ndoshta sepse vjen nga një “Aaa!’, që njeriu lëshon kur mahnitet sapo sheh një veprim ose shprehje ose lexon një shkrim që ‘e lënë gojë hapur’. Variantet e saj si ‘artem’ e ‘artistic’, mendohet se kanë ekzistuar që nga themelimi i Romës, rreth 800 vjet pes. Kjo nxit mendimin se ‘art’ nga përtej lashtësisë vashdon të jetojë e pandryshuar dhe në të gjitha gjuhët e botës. Fjala art rrjedh nga Latinishtja “ars”, e cila edhe pse përcaktohet si “aftësi”, përcjell edhe një kuptimin të bukurisë, e cila shprehet me ‘Aaa’.
‘Fjala’, nga një parashqipe ‘spala’, është prodhim i njerëzve të thjeshtë, por që prej 2-3 shekujve të fundit, studimi i saj është kthyer në profesion.
Kur fjala u krijua, duhej të ekzistonin edhe dy veshë për t’a dëgjuar – nga ‘vesh’ rrjedh edhe ‘veshje’ – sepse fjala kalon në filtrin e veshëve, që jo rrallë i japin asaj kuptim të dyfishtë dhe që njeriu e shpreh sipas dëshirës së vet. Pra, e para nuk ishte ‘fjala’, por veshët.
‘Fjala’, pastaj, u bë ‘morfë – morpheme’, që do të thotë ‘më fjalë’, a bashkim fjalësh, dhe prejardhja e saj u vendos t’i jepej arbitrarisht greqishtes së lashtë, duke ia mohuar shpjegimin shqipes së folur.
Por çdo fjalë meriton njē enciklopedi, sepse në formimin e saj përmblidhen jetë e kultura nga më të ndryshmet, si dhe gjurmët e të gjithëve që kanë pasur një kontakt me ‘të gjatë udhës së saj që nga koha-nuk-dihet-se-kur.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Fjale

45 DITË PAS MBYLLJES, ME 15 MAJ, FILLON RIHAPJA PËR 5 RAJONE TË SHTETIT, POR JO NYC…

May 14, 2020 by dgreca

-45 ditë pas mbylljes dhe 75 ditë pas konstatimit të pacientit Zero në New York, do të rinisë fazë-fazë rihapja…

– Faza e parë lejon që rajonet në Upstate dhe pjesën qendrore të rifillojnë operacionet e prodhimit, ndërtimit, kopshtarisë, bujqësisë, si dhe shitjet me pakicë. 

– Në urdhërin e rihapjes nuk përfshihet New York City, Long Island, pasi kanë përmbushur deri tani vetëm katër nga shtatë kriteret…

– Bizneset që do të rihapen do të duhet të zbatojnë masat paraprake të sigurisë të diktuara nga shteti, përfshirë praktikat e distancimit shoqëror për punonjësit dhe klientët, standarde të rrepta të pastrimit dhe kontroll të vazhdueshëm shëndetësor të punonjësve, ruajtjen e distancimit social.

Përgatiti: Dalip GRECA /

Pesë rajone në shtetin e Nju Jork-t do të lejohen të fillojnë një rihapje në faza të njëpasnjëshme të ekonomive të tyre duke filluar nga e Premtja, 15 Maj. Kryesisht do të lejohet ndërtimtaria, veprimtaritë e bujqësisë, kopshtaria, shitjet me pakicë etj. Këtë e deklaroi guvernatori Andrew Cuomogjatë konferencës të së Enjtes, 14 Maj 2020.

Guvernatori e kishte nënshkruar urdhërin e mbylljes qysh me 20 Mars, plot 45 ditë të shkuara, kohë kur me një urdhër ekzekutiv u urdhëruan bizneset jothelbsore të ulnin qepenat, dhe banorët u urdhëruan të mbylleshin në shtëpi dhe të respektonin distancimin social, ndryshe përballeshin me gjoba që varionin nga $500 deri në $1000. Ky urdhër skadon pikërisht nesër, e premte, me 15 maj 2020.

Kanë kaluar 75 ditë që nga momenti kur New Yorku zbuloi rastin e parë të qytetarit zero të infektuar dhe përgjatë kësaj kohe beteja ka qenë e vështirë, kanë humbur deri tani 27 mijë e 426 jetë njerëzoredhe janë infektuar 353 mijë e 96 pacientë, shifër kjo që i le pas të gjithë shtetet e Europës: Spanjën me 272 mijë e 646 të infektuar, Rusinë me 252 mijë e 245, Mbretërinë e Bashkuar me 233 mijë e 153, Italinë me 223 mijë e 96, Francën me 178 mijë e 870, Gjermaninë me 174 mijë e 945 apo dhe Brazilin me 202 mijë e 918 të infektuar.

Faza më e keqe ka kaluar, jetët e humbura nuk mund të rikthehen, dhimbja është e pranishme në mijëra familje njujorkeze, por jeta vazhdon. Tash fillon çmontimi i ngadalshëm i valvulës së sigurisë dhe hap pas hapi rajonet e shtetit do të rihapen, pa hequr dorë nga masat e sigurisë.

Në urdhërin e rihapjes nuk përfshihet New York City, pasi ka përmbushur deri tani vetëm katër nga shtatë kriteret e kërkuara për të filluar rihapjen e tij faze-fazë.

Pesë rajone të Nju Jork-ut në Upstate dhe pjesën qendrore të shtetit kanë përmbushur shtatë standartet e diktuara nga zyrtarët e shëndetësisë për të filluar një rihapje me faza të bizneseve lokale.

Faza e parë lejon që rajonet të rifillojnë operacionet e prodhimit, ndërtimit, bujqësisë si dhe shitësit me pakicë.

Guvernatori bëri apel për të qenë të kujdesshëm. Gjithçka do të varet nga ecuria, gjithçka bazohet në marrjen e masave dhe numrat e të prekurëve.

Ai porositi qeveritarët lokalë për të menaxhuar rihapjen e bizneseve; monitorimin e përditshëm të shifrave, vëzhgimin e pajtueshmërisë së bizneseve me ruajtjen e jetës së punonjësve, marrjen e masave mbrojtëse.

         Problem mbetet ende New York City, që siç tha Guvernatori, ka përmbushur vetëm katër nga shtatë kriteret e kërkuara, prandaj nuk është gati për të filluar rihapjen. Më herët, në fillim të javës, kryetari i bashkisë Bill de Blasio tha se qyteti i tij “nuk është ende i gatshëm për rihapje”. Ai komentoi se: “nëse nuk ndodh diçka e mrekullueshme”, urdhrat e rreptë të qëndrimit në shtëpi në pesë bashkitë e NYC do të mbeten në fuqi deri në qershor”.

Për të filluar fazën e rihapjes, pesë bashkitë e NYC, që mbajnë peshën më të madhe të Pandemisë së COVD-19, si për numrin e të infektuarëve ashtu edhe për numrin e të vdekurëve, do t’u duhet që të raportojnë dy javë rënie në minimum të shtrimeve në spital, të ulin numrin e të infektuarëve, duhet të sigurojnë nën 15 spitalizime të reja me një mesatare tre-ditore, duhet të plotësojnë kapacitetet e shtretërve etj…

Një rajon, që të rihapet, gjithashtu duhet të ketë kapacitete të nevojshme në spitale, të jetë në gatshmëri kujdesi intensive, dhe të plotësojë prag-un e domosdoshëm për Testimet dhe gjurmimin e kontaktit.

 Guvernatori tërhoqi vëmendjen për mosshkujdesje pasi rihapja në faza nuk do të thotë se gjithçka ka mbaruar. Do të thotë që ne kemi nën kontroll problemin për shkak të asaj që bëmë dhe për shkak të përgjegjësisë tonë individuale dhe veprimeve tona individuale, dhe kështu duhet të vazhdojmë edhe tash e tutje, komentoi guvernatori të enjten. Ai tha se 157 pacientë vdiqën për shkak të Covid-19 të Mërkurën, ndërsa të enjten numri i të vdekurëve ishte 136. Situata duhet mbajtur nën kontroll.

-Nëse shihni një ndryshim në shifra, reagoni menjëherë, pa lejuar që virusi të na verë përpara.

“Rihapja me faza nuk do të thotë se problemi është zhdukur,” tha Cuomo të enjten, duke shtuar se vendimet për rihapjen duhet të merren “në një mënyrë të kalibruar”.

Rajonet që rihapen pjesërisht të premten me 15 Maj janë: Central New York, North Country, Southern Tier, Mohaëk Valley si dhe Finger Lakes.

PO SI ISHTE SITUATA E COVID-19 SOT NË BOTË ?

Bota sërish regjistroi një shfër të lartë të infektuarëve duke raportuar për 24 orshin e fundit 92 mijë e 918 të infektuar të rinj, duke e çuar shifrën e përgjithshme në 4 milionë, 518 mijë 574 të infektuar, ndërkohë që u raportuan 5 mijë e 184 të vdekur gjatë 24 orëve, duke e çuar shifrën e përgjithshme të viktimave në 302 mijë e 949 të vdekur. Eshtë raportuar se numri i të shëruarëve në të gjithë botën ka shkuar në 1 milion 703 mijë e 758.

Spanja vazhdon të mbajë vendin e dytë në Botë pas SHBA-ve për numrin e të infektuarëve 272 mijë e 646, ndërsa numri i viktimave së bashku me 217 të vdekur në 24 orshin e fundit ka shkuar në total 27 mijë e 321. Rusia është ngjitur në vendin e tretë në botë për numrin e të infektuarëve me 252 mijë e 245, me një ritëm ditor prej 10 mijë të infektuarish. Mbretëria e Bashkuar mbanë vendin e katërt me 233 mijë e 151, ritmi ditor 3 mijë e 476, ndërsa numri i të vdekurëve ka shkuar në 33 mijë e 614, më e larta në Europë. Italia ka zbritë në vendin e pestë me 223 mijë 096 të infektuar, ndërsa numri i viktimave 31 mijë e 368. Brazili ka një ngjitje të frikshme të kurbës ditët e fundit. Sot atje u raportuan 13 mijë e 761 të infektuar duke e çuar numrin e përgjitshëm në 202 mijë e 918, ndërsa me 835 të vdekurit e sotëm numri i viktimave shkoi në 13 mijë e 761.

Franca ka zbritë në vendin e shtatë me 178 mijë e 870 të infektuar, ndërkohë që ka 27 mijë e 425 të vdekur. Gjermania është pozicinonua në vendin e tetë me 174 mijë e 975, ndërkohë që ka raportuar 7 mijë e 928 viktima.

SITUATA NË SHBA

Ndërkohë që ka filluar rihapja e ekonomisë në disa shtete, shifrat vazhdojnë ta mbajnë Amerikën në vendin e parë për numrin e vdekjeve, numrin e të infektuarëve, por edhe për numrin e të shëruarëve,   udhëheq edhe me testimet e popullatës.

 Gjatë ditës së sotme, 14 maj, u raportuan 26 mijë e 398 të infektuar të rinj, duke e çuar shifrën e përgjithshme në 1 milion 456 mijë e 745. SHBA regjistroi në 24 orët e fundit 1 mijë e 703 viktima, duke ngjitur shifrën e përgjithshme në 86 mijë e 900 të vdekur. Deri tani janë raportuar të shëruar rreth 318 mijë pacientë me COVID-19. Të gjithë shtetet po i kushtojnë rëndësi testimeve, duke regjsitruar deri tani në total 10 milion e 535 mijë e 538 të testuar.

New York-u vijon të mbetet shteti më i infektuar jo vetëm në SHBA, por edhe në Botë me 353 mijë e 96 të infektuar, sot raportoi 2 mijë e 248, ndërkohë që numri i viktimave ka shkuar në 27 mijë e 426, afërsisht aq sa kanë edhe Spanja dhe Franca. Shteti ka kryer deri tani 1 milion e 304 mijë testime dhe po organizon gjurmimin e kontaktit.

New Jersey raportoi sot shifrën më të lartë të viktimave 24 orshe, 219, duke e çuar numrin në total të jetëve të humbura në 9 mijë 946, ndërsa numri I të infektuarëve kap shifrën 143 mijë e 811.

Illinoisi raportoi 136 vdekje në 24 orët e fundit, Massachusetts 167, California 75, Pannsylvania 147, Michigani 73, Texasi 41, Florida 47, Maryland 57, Connecticut 94, Virginia 28, Ohio 52, Indiana 27, Colorado 29, Washingtoni 18, Minnesota 34, Arizona 30, Alabma 23 etj…

Filed Under: Analiza Tagged With: dalip greca, Hapja e New Yorkut

DUKET SE PO TRASHEN PUNËT RRETH TRUALLIT TË SHTËPISË SË NËNE TEREZËS NË SHKUP

May 14, 2020 by dgreca

 – Ka gisht edhe një firmë nga Shqipëria/

Nga Frank Shkreli/

Pardje kisha bërë një analizë modeste mbi njoftimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, (ITSHKSH-së) ndaj asaj që thuhej se është, “Shlyerja e çdo gjurme të shtëpisë së Nënë Terezës”, nobelistes shqiptare, në sheshin e Shkupit.  Unë citova një deklaratë për mediat vendore në Shkup të Shefit të ITSHKSH-së — një ent zyrtar ky i akredituar nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, Z. Skender Asani, në të cilën shprehte indinjatën e tij të thellë për këtë veprim të pa përgjegjëshëm.  Z. Asani e ka e cilësuar shlyerjen e çdo gjurme të shtëpisë së Nënë Terezës në Shkup si, “një sulm ndaj figurës së Nënës Terezë, ndaj veprës së saj të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht, por edhe ndaj admiruesve të saj gjithandej nëpër botë”.

https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-a-e-di-kush-cka-po-ndodh-ne-shkup-me-shtepine-e-nene-terezes-2/

Por, sipas një njoftimi sot nga Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe (shikoni raportin e plotë nga korrespondenti i VOA-s, Isak Ramadani nga Shkupi), trualli nga ku janë shlyer gjurmët e shtëpisë së Nënë Terezës, siç kam njoftuar në një shkrim pardje – e për të cilën Z. Asani njoftoi botën para dy ditësh – trualli në fjalë i qenka shitur “vite më parë” një kompanie nga Shqipëria.  Sipas raportit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, i cili sjell sot një reagim të ri në lidhje me ketë çështje nga Z. Skender Asani, Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, (ITSHKSH-së), raporti I VOA-s thekson në lidhje me ketë çështje reagimin e Kryetarit të Bashkisë së Shkupit, i cili njofton përzierjen e një firme nga Shqipëria, në ketë ndërmarrje, duke thënë:  “Kreu i Shkupit, Petre Shilegov, ndërkaq i kritikon palët që reagojnë tani, sepse ato nuk kishin reaguar vite më parë kur parcela u privatizua dhe iu dha një kompanie nga ana e strukturave të mëparshme qeverisëse.  Zoti Shilegov u tha gazetarëve se, sipas VOA-s se  “Ky lokacion do t’u kthehet qytetarëve”.  Parcela i ishte shitur kompanisë Amadeus Group nga Shqipëria gjatë qeverisjes mbi dhjetë vjeçare të VMRO-DPMNE-së me Nikolla Gruevskin në krye, dhe aty duhej të ndërtohej një kopje e “Shkallëve spanjolle”, ka thënë zyrtari i lartë i Shkupit. “Qeveria e mëparshme e ndërtoi para disa vitesh shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës disa qindra metra larg sheshit, ku ndodhej shtëpia e lindjes së nobelistes dhe shenjtores që ishte prishur nga autoritetet komuniste të kohës me arsyetimin se ishte dëmtuar në tërmetin e vitit 1963”, raportoi sot, Zëri i Amerikës.

https://www.zeriamerikes.com/a/shkup-reagime-ndaj-heqjes-së-shenjave-në-shtëpinë-e-lindjes-së-nënë-terezës/5419732.html

Lind pyetja tani. Kush është kjo kompani nga Shqipëria dhe a ka gisht ajo – drejt për drejt ose tërthorazi — në zhdukjen e gjurmëve të truallit të shtëpisë së Nenë Terezës në Shkup?  Po qeveria shqiptare në Tiranë kishte dijeni për ketë transakcion të blerjes së këtij trualli nga një kompani shqiptare dhe a kishte dijeni Tirana zyrtare se për çfarë qellimi do përdorej kjo tokë eventualisht dhe nëse ishte në plan, ç’prej atëherë, që të shlyheshin gjurmët e shtëpisë së Nënën Terezës në atë vend?  Media shqiptare duhet të bëjë pyetje për ndriçimin e mëtejm të kësaj situate.

Urime Z. Skender Asani, Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, (ITSHKSH-së), i cili po përpiqet t’ia dali në krye kësaj çështjeje dhe të zbulohet se ç’po ndodhë, me të vërtetë, në këtë mes – një zhvillim ky, të cilit të pakën nga një këndveshtrim imi nga këndej oqeanit, nuk i vjen erë e mirë hiç.

Do të ishte një veprim tepër ironik, në mos edhe kriminal, anti-patriotik po se po, që një firmë nga Shqipëria të bëhet shkak i shlyerjes së gjurmëve të shtëpisë së Nenë Terezës në Shkupin, dikurë shqiptar – në përpjekjet e sllavo-maqedonasve për të shlyer gjurmët e identitetit dhe të pranisë historike shekullore të shqiptarëve në trojet e veta. Fatkqesisht, nuk do të çuditesha!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Shtepia e Nene Terezes

SHBA akuzojnë Kinën për vjedhje të pronës intelektuale që lidhet me koronavirusin

May 14, 2020 by dgreca

  • Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo shkruan se Shtetet e Bashkuara dënojnë përpjekjet “e aktorëve kibernetikë dhe operatorëve jo-tradicionalë që kanë lidhje” me Kinën për vjedhjen e pronës intelektuale dhe të dhënave që lidhen me koronavirusin.

– Të mërkurën, Byroja Federale e Hetimeve, FBI dhe Agjencia për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës, CISA nxorën një deklaratë të përbashkët ku tërheqin vëmendjen për ato që i cilësojnë si kërcënime ndaj operacioneve kërkimore mbi koronavirusin nga aktorë që kanë lidhje me Kinën.

Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Kinën për vjedhje të pronës intelektuale amerikane në operacione në përgjigje të koronavirusit.

Përmes një deklarate për shtyp, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo shkruan se Shtetet e Bashkuara dënojnë përpjekjet “e aktorëve kibernetikë dhe operatorëve jo-tradicionalë që kanë lidhje” me Kinën për vjedhjen e pronës intelektuale dhe të dhënave që lidhen me koronavirusin.

“Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Republikës Popullore të Kinës të ndalë këtë veprimtari keqbërëse. Siç thuhet në shënimin paralajmërues të 13 majit, ‘aktiviteti që mund të ketë rezultuar në vjedhje informacioni vë në rrezik identifikimin e opsioneve të mirëfillta kuruese’. Sjellja e Kinës në hapësirën kibernetike është një tjetër reflektim i veprimeve joproduktive gjatë krizës së koronavirusit. SHBA dhe aleatët e partnerët tanë po bashkërendojnë një përgjigje të përbashkët, transparente për të shpëtuar jetë. Ndërkohë Kina vazhdon t’u mbyllë gojën gazetarëve, shkencëtarëve dhe qytetarëve dhe të përhapë dizinformim, gjë që acaron krizën e shëndetit publik,” thuhet në deklaratën e Sekretarit Pompeo, të publikuar në faqen elektronike të Departamentit të Shtetit.

Të mërkurën, Byroja Federale e Hetimeve, FBI dhe Agjencia për Sigurinë Kibernetike dhe të Infrastrukturës, CISA nxorën një deklaratë të përbashkët ku tërheqin vëmendjen për ato që i cilësojnë si kërcënime ndaj operacioneve kërkimore mbi koronavirusin nga aktorë që kanë lidhje me Kinën.

Në njoftim thuhet se FBI-ja po heton ndërhyrjet në infrastrukturën e organizatave amerikane nga “aktorë kibernetikë” që ishin diktuar “në përpjekje për të identifikuar dhe kompiuar në mënyrë të paligjshme pronë intelektuale dhe të dhëna të shëndetit publik që lidhen me vaksina, mjekime dhe testime nga rrjete e persona që punojnë në përgjigje të COVID-19”.

Deklarata e bërë nga FBI-ja dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare nuk ofronte të dhëna të mëtejshme mbi identitetin e organizatave që ishin shënjestruar nga hakerët, apo për identitetin e vetë hakerëve. Ambasada kineze në Uashington i cilësoi këto akuza “gënjeshtra”.

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo ka qenë një ndër kritikët më të zëshëm të administratës Trump, duke akuzuar autoritetet kineze për fshehje faktesh në fillimet e epidemisë së koronavirusit dhe për mos ndarjen e informacionit për rrezikun. Akuzat e ndërsjellta kanë sjellë keqësim të konsiderueshëm të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Pekinit.(Kortezi:Zeri i Amerikes)

Filed Under: Featured Tagged With: Mike Pompeo

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT