• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2020

STIGMA SI FAKTOR PENGUES NË KËRKIMIN E NDIHMËS DHE PËRMIRËSIMIN E SHËNDETIT MENDORË

May 30, 2020 by dgreca

Elvis Popaj, psikolog klinik/psikoterapist pranë Qendrës Shqiptare të Psikoterapisë Konjitiv – Bihejviorale, analizon për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, çështjet e shëndetit mendor në shoqëri si dhe menaxhimin, reduktimin e simptomave dhe përmirësimin e shëndetit mendor te personat e prekur. Me Elvis Popajn bashkëbisedoi gazetari Sokol PAJA.

ÇËSHTJET E SHËNDETIT MENDOR NËNVLERËSOHEN DHE PËRÇMOHEN NGA SHOQËRIA 

Fjala ‘stigmë’ rrjedh nga latinishtja ‘stigmat’ që e përkthyer në shqip do të thotë ‘shenjë’. Termi stigmë përdoret për të përshkruar një fenomen i cili gjykohet negativisht nga shoqëria dhe ndaj të cilit ka shumë paragjykime. Historikisht, çështjet e shëndetit mendorë janë trajtuar nga shoqëria në një mënyrë nënvlerësuese dhe përçmuese – si një ‘shenjë e turpshme’ që personat me çrregullime mendore mbartin. Edhe pse ankthi, gjendjet depresive, varësitë, psikozat, çrregullimet e të ngrënit etj, janë fenomene shumë të zakonshme, sërish është mjaft e vështirë të flitet hapur për to për shkak të stigmës që i rrethon ato. Për të kuptuar sesi lind dhe mbartet stigma në lidhje me çështjet e shëndetit mendorë duhet të shkojmë më herët, qëkur fëmijëve iu transmetohet që të ndjerit e frikës, ankthit, trishtimit apo cdo lloj emocioni tjetër të pakëndshëm, nuk është asgjë tjetër veçsë dobësi, turp apo pazotësi. Nëse fëmija shfaq frikë apo ankth, etiketohet si ‘frikacak’; nëse trishtohet është ‘qarraman’; nëse zemërohet është ‘i prapë’. Në këtë mënyrë, ne rritemi me mesazhin e gabuar që emocione të caktuara janë të papranueshme nga ambjenti përreth dhe si rrjedhim duhet ti fshehim, të mos i ekspozojmë apo ti mohojmë në mënyrë që të ndihemi më të sigurt dhe më të pranuar. Në fakt gjithsecili prej këtyre emocioneve ka një funksion të caktuar: fëmija është i frikësuar sepse ka dicka që e frikëson në ambjentin përreth, është i trishtuar sepse i mungon dikush apo dicka, është i zemëruar sepse nuk po i plotësohet një nevojë e caktuar legjitime. Dhe kur ndodh që këto emocione të intensifikohen më vonë si çrregullime të mirëfillta të ankthit apo depresionit bëjmë cmos që ti maskojmë në mënyrë që të mbrohemi nga gjykimi stigmatizues i të tjerëve apo/dhe i vetes. Në këtë mënyrë personat që përballen me çrregullime të shëndetit mendorë duhet të vuajnë vështirësi të dyfishta: nga njëra ata duhet të menaxhojnë vuajtjen e lidhur me çrregullimin mendorë që po përjetojnë dhe nga ana tjetër duhet të maskojnë këtë vuajtje për të mos u përballur me gjykimin stigmatizues të ambjentit përreth. Në momente të caktuara stigma brendësohet duke u kthyer në një rreth vicioz vetgjykues – në këtë mënyrë gjykimi stigmatizues ‘pse je kështu’, ‘pse ndihesh kështu’, ‘pse nuk bëhesh i fortë dhe ta kalosh këtë gjë’ kthehet në gjykime vetstigmatizuese të tipit ‘pse jam kështu’, ‘pse jam kaq i dobët sa të mos kem kontroll mbi ankthin tim’ duke e përkeqësuar ndjeshëm vuajtjen psikologjike.  

ALARMI I OBSH, 1 NË 4 PERSONA KALOJNË PROBLEME TË SHËNDETIT MENDOR 

E pra, çështjet e shëndetit mendorë janë aq të zakonshme sa sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 1 në 4 persona në botë përjetojnë në një moment të jetës së tyre probleme të shëndetit mendorë. Kjo shifër pritet të jetë akoma më e lartë duke qënë se stigma, nuk i lejon shpesh individët të raportojnë çështjet e shëndetit mendorë hapur nëpër studime të ndryshme epidemiologjike. Një në katër veta do të thotë që në familjet tona, të paktën një prej nesh vuan çështje të shëndetit mendorë për të cilat në shumicën e rasteve nuk merr ndihmën e nevojshme. Studime të tjera pohojnë se rreth gjysma e Amerikanëve (46%) në një moment të jetës së tyre përballen me një vështirësi të shëndetit mendorë, qofshin këto çregullime të ankthit, çregullime të humorit, varësi nga substancat apo çregullime të tjera (Kessler et al, 2005). Pra një në dy persona në Amerikë përjetojnë në një moment të jetës së tyre probleme të lidhura me shëndetin mendorë.

PSE ËSHTË E VËSHTIRË TË FLITET PËR SHËNDETIN MENDOR 

Natyrshëm lind pyetja: përderisa çregullimet e shëndetit mendor janë kaq të zakonshme, përse është kaq e vështirë të flitet hapur për to dhe të kërkohet ndihmë kur po përballemi me to? Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje duhet ti rikthehemi sërish asaj çfarë po diskutonim në fillim: se si shfaqja e emocioneve të caktuara si frika, ankthi, trishtimi interpretohet si dobësi në shumë kultura përfshirë edhe kulturën tonë. Nëse ju referohemi statistikave të mësipërme problemet e shëndetit mendorë janë po aq në mos më të zakonshme se shumë nga sëmundjet fizike që na prekin gjatë ciklit të jetës sonë. Por nga ana tjetër për shumë prej nesh është e lehtë të themi që vuajmë nga gastriti por jo edhe aq e lehtë kur duhet të flasim për ankthin që përjetojmë, është e lehtë të ankohemi për dhimbjet e mëdha të migrenës por jo të flasim për ndjenjat e thella të pavlefshmërisë që vijnë bashkë me depresionin, është e lehtë të qahemi për dhimbje të ndryshme fizike që përjetojmë por jo të flasim për stresin kronik të pranishëm në jetën tonë. 

PËRMIRËSIMI DHE TRAJTIMI I PROBLEMEVE TË SHËNDETIT MENDOR 

Po, a përmirësohen problemet e shëndetit mendor dhe a ka mënyra për ti trajtuar ato? Fatkeqësisht stigma pengon shumë njerëz që të marrin ndihmën e duhur dhe aq të nevojshme kur përballen me çështjet e shëndetit mendor. Sot ekzistojnë shumë disiplina të ndryshme shkencore që ndihmojnë në menaxhimin, reduktimin e simptomave dhe përmirësimin e ndjeshëm të problemeve të lidhura me shëndetin mendorë. Pa u ndalur shumë gjatë tek përshkrimi i gjithsecilës – psikoterapia, medikamentet, ushtrimet fizike, meditimi, yoga etj – janë studjuar gjërësisht dhe vlerësuar si efektive në përmirësimin e shumë prej problemeve të shëndetit mendorë. Psikoterapia, për shembull është një mjet mjaft efektiv jo vetëm në reduktimin e vuajtjes që rrjedh nga prania e çrregullimit mendorë por gjithashtu një mekanizëm efikas që ndikon në rritjen e cilësisë së jetës, rritjen personale, përmirësimin e marrëdhënieve dhe orientimin drejt një jetë më të kuptimshme dhe më të plotë.    

Filed Under: Featured Tagged With: Elvis Popaj, Sokol Paja, Stigma

“Michigan Albanian Americans for Trump”, “fake name”…

May 30, 2020 by dgreca

Replikë Artikullit të z. Martin Vulaj, botuar në gazetën Dielli online, datë 29 Maj 2020:

“The original document of the conversation”/

NGA VALENTIN LUMAJ*

Nuk e njoh në person z. Martin Vulaj, prandaj nuk ndiej asgje tjeter vecse respekt ndaj tij që punon në menyrën e tij të ndershmërisë për komunitetin apo çështjen kombëtare.

Megjithatë unë dua të paraqes disa argumente që bien në kontradiktë me nje pjese nga çfarë shkruhet në artikull:

  1. Letra e derguar zevendes-pesidentit Pence eshte drejtuar nga “Michigan Albanian Americans for Trump”. Ky emer eshte fiktiv apo “fake name”, sepse nje organizate apo shoqate e tille nuk egziston as ne komunitet as e rregjistruar ne County apo askund.
  2.   Adresa e kesaj “Shoqates” qe eshte e shkruar ne leter eshte e residenca personale e z. Gjevalin Gega. A mund t’i shkruhet nen-presidentit te Amerikes gjoja ne emer te  komunitetit shqiptar me nje emer fallco dhe nje adrese te nje residence personale?!                
  3. Kjo leter eshte nenshkruar vetem nga z. Gjevalin Gega me shenimin “Kryetari”.  Une pyes: kryetari i kujt?  Ne ketu ne MI as kemi pare as kemi degjuar te jete themeluar kjo shoqate kaq e madhe me “lideret e komunitetit” dhe kryetar te jete zgjedhur

 z. Gega.

  • Z. Gjevalin Gega nuk perfaqeson askend perveç vetes se tij, ai nuk ben pjese apo perfaqeson asnje shoqate apo grupim te mirenjohur atdhetar ne MI.
  • Lista e “Michigan Albanian Community Leaders” perbehet vetem nga Shoqata Malsia dhe Shoqata Kosova, pasi te tjeret ne liste jane individe qe perfaqesojne vetem personin e vet. Edhe udheheqesit e kulteve fetare perfaqesojne vetem veten e tyre mbasi ata nuk und te perfaqesojne vullnetin politik te anetareve te vet. Po ashtu edhe perfaqesuesit e Televizioneve nuk perfaqesojne shikuesit e televizioneve te tyre.  Ne MI ka shoqata dhe organizata te tjera, te cilat z. Gegaj nuk arrin t’i manipuloje. Permend ketu institucionin e Konsullit te Nderit, Federata Vatra MI, Shoq. Kastrati, Shoq. Dukagjini. Albanian Roots MI, Shoq. Rapsha ne Mergim, etj.
  • Ne kete artikull shkruhet se kjo leter nuk ka lidhje me Peticionin e fundit derguar Presidentit Trump. Faktikisht ka nje lidhje sepse z. Gegaj eshte nje nga nismetaret dhe bashkepunuesit edhe te atij peticioni. Ai ka punuar shume per sigurimin e mbeshtetjes per kete peticion ketu ne Michigan, dhe ja ka arritur qellimit, mbasi ka bindur nje institucion fetar, ndersa dy institucione te tjera  as i ka pyetur as ua ka marre pelqimin. Me aq informacion qe kam, ata jane shume te indinjuar me kete veprim dhe mund te marrin edhe hapa ligjore.
  • Z. Gegaj, si firmetar i dy dokumenteve ne nje kohe te shkurter, i pari supporton Presidentin Trump dhe i dyti e sulmon Presidentin, dhe mohimi i lidhjes me te dytin, krijon nje konfuzion dhe nje opinion per nje dyzim qendrimi apo personaliteti.
  •  Sipas letres te ciles i referohet z. Vulaj, z. Gegaj eshte kryetar i shqiptareve qe mbeshtesin Trump-in, pra i shqiptareve republikane. Fakti  qe e ve ne pikepyetje te gjithe kete leter eshte se z. Gegaj eshte i deklaruar si INDIPENDENT.

Disa pyetje per autorin:

-mbi çfare baze e quani takimin e z. Pence me grupe etnike ne MI si takim special me z. Gega?

-si mund t’i konfirmoni si te verteta fjalet e z. Gega drejtuar z. Pense apo pergjigjen e z. Pence ne ate takim, a ka deshmitare qe e deshmojne kete?

-Kur thoni se “z. Pence u prek ne shpirt nga fjalet e Gjevalinit”, sim und t’a provoni kete. 

-si mund ti konfirmoni telefonatat e z. Tripmacher apo znj. Ahlers me z. Gega? Kush i ka degjuar apo regjistruar?

– Si mund t’a konfirmoni deklaraten e znj Ahler. Meqenese pati nje leter te shkruar, a keni ndonje pergjigje me shkrim apo vetem fjale ne ajer “according to Gegaj”?

-Edhe nje verejtje serioze per Peticion-shkruesit alla-Gjovalin Gegaj, alla-Richard Lukaj etj:

Mos i kompromentoni dhe mos u mundoni te fitoni kredibilitet duke perdorur emrin e bashkesive fetare. Bashkesite fetare nuk merren me politike.  Ka nje konflikt te madh ketu. Nje udheheqes i nje bashkesie fetare nuk mund te firmose nje peticion qe ska lidhje me religjionin, ne emer te gjithe anetare te asaj bashkesie. Udheheqesit fetare mund te merren me aktivitet politik apo kombetar si individ por jo si bashkesi. Sepse normalisht Trump apo Pense kane te drejte te pyesin: Cfare pune kane per shembull kishat apo xhamite te me kritikojne apo rekomandojne çfare duhet te bej apo mos te bej ne punen time si President/Vice i Amerikes?  Prandaj ju mund te shkruani emrin e tyre si individe por jo te bashkesise fetare qe perfaqesojne. Kete ta mesoni sa per kulture te punes tuaj.

Ne pamje te pare mund te duket sikur une kam nje qasje personale me z. Gega. Ne fakt nuk eshte ashtu, per me teper e adhuroj si nje punetor i palodhur dhe familjar i mire. 

E BERA KETE REPLIKE PER TE NDERGJEGJESUAR LEXUESIT, SE Z. GEGAJ APO TE TJERE, ME DASHJE, PA DIJE, PA VETDIJE, ME NAIVITET, PER POPULIZEM APO PER PAK EMER E ASHTU NEN TAVOLINE, PO I BEJNE NJE DEM SHUME TE MADH KOMUNITETIT SHQIPTAR, KOSOVES APO ÇESHTJES KOMBETARE. Prandaj ky reagim le te jete fillim i nje refketimi per te kuptuar gabimet ne menyre qe te  mos perseriten ne te ardhmen.

 “E thëna e së vërtetës nuk sjell ndonjë fitim; po ka një ëmbëlsie më vete, sepse te qetohet vetëdija kur fole ç’duhej të flisje”- ka thene themeluesi i Diellit. Per hater te Konices se Madh, tek Dielli nuk duhet te botohen çfredolloj artikujsh elozhe per individe qe i ndjek nga mbrapa vetem hija e vet.

Filed Under: Opinion Tagged With: fake name, for Trump, Michigan Albanian Americans, Valentin Lumaj

Midis dy teatrove – Et’hem Haxhiademi

May 30, 2020 by dgreca

Shkruan:Shpend Sollaku Noe’/

Në të gdhirë piva një kafe me Et’hemin  e madh. Mbahej mirë. Ai e di ku ndodhet dhe fakti që eshtrat e tij u vidhen të afërmve i kalon shkarazi. 

Nuk është turpi im ai varr i zbrazët në Elbasan, më thotë ndër të tjera. Unë nderin tim nisa ta ndërtoj vetë, që herët. I vura në themelet lirizmin, i ngrita muret tragjikë kur eshtrat e mia ishin ende në formim e sipër. Me tragjedi të mëdha. Ato që do t’i mungonin popullit tim për një kohë të gjatë. Që po e shohin dritën e re pikërsisht së fundi. Falë Hortensias. Falë miqve të panumurt që llava e diktaturës nuk arriti t’i shkrumbëzojë.

Të kemi qenë afër, i them. Edhe kur përmendja e emrit tënd përbënte krim. Të kërkonim, të gjenim, të shpërndanim. Rrezikonim. Pa atë rrezikim do të kishim qenë të pandershëm.

E di, më thotë duke më rrahur shpatullat me sy të njomur.

Kafeja i është ftohur. Por frymëmarrja nuk e tradhëton. Ku jemi këtu, më pyet.

Në Lushnje, i përgjigjem.

Një qytet i pazgjidhshëm prej jetës time më thotë. Këtu në 1928-ën shkruajta “Aleksandri”-n. Kritikët kanë shprehur mendime të ndryshme rreth vendit që kjo vepër zë në krijimtarinë time. Për mua ndërkaq ka një kuptim të vëçantë botimi i saj. Ishte shpresa e përjetësimit. Edhe është. Dhe do mbetet besoj. Ajo që edhe më mban lidhur përjetësisht me Lushnjen tënde.

Lushnjarët të duan, i them. Edhe pse rrugë e insituzione mbajnë ende emra të persekutorëve të tu. E dije që me shumë mundësi je ti ai nëprefekti i një filmi me Tefta Tashkon?

Ah, sot po e dëgjoj. Megjithatë më duket sikur e kam ditur. E shkreta Tefta. Jo vetëm për ikjen e hershme. Por sidomos që nuk arriti të ketë operan e saj. Ndoshta edhe qe me fat. Kushdi çdo t’ikish ndodhur nëse nuk do të kish ikur nga kjo botë që në vitin 1947.

Për fat të mirë apo për të keq, i them.

Fatin varet sesi e lexon. Mua më duket fat i mirë. Sidomos i krahasuar me timin. 

Heshtje e rëndë. Që të dy jemi të përhumbur. Duhet ta thyej unë. Dhe nuk gjej një krismë tjetër veç fjalës “teatër”.

Ah, e dija që do të ma bëje këtë pyetje, më thotë me sytë përdhe. Kujton se nuk më dhëmbi ajo shëmbje me tradhëti e dhunë? Duhet një vepër e madhe ta mbulojë atë turp. Megjithëse besoj qe tashmë do të mbetet një turp historik. 

Unë e kam një zgjidhje, i them, për të tentuar një korrigjim të sjelljes së pushtetit ndaj artit dhe letërsisë.

Et’hemi i mirë m’i ngul sytë.

Është një zgjidhje që mund edhe të tingëllojë si një falje konkrete për ndalimin, burgosjen, fluturimin në mister të skeletit tënd. 

Tragjediani i madh tund kokën me mosbesim.

Dëgjomë deri në fund, i lutem.

Ai behet i gjithi veshë e sy. 

Ç’më thua nëse bëj të plasë si një eksploziv idenë që teatri i ri që do të ndërtohet të ketë emrin “Et’hem Haxhiademi- tragjedian”?

Kush më shumë se ty do të mund ta meritonte atë nder? Është nder i bazuar në talent të pakufishëm, i bazuar në vuajtjet e syrit dhe të penës në terrin e një qelie të egër, në fluturimin përtej jetës prej një dyshimi kurrë të pazbardhur, në humbjen e të mbeturave të një trupi tashmë të ligështuar prej krimit në pushtet. 

“Teatri Et’hem Haxhiademi- tragjedian i madh shqiptar, 1902-1965”. 

Nuk do të ishte e mrekullueshme?  Nuk do të ishte një “kërkojmë falje” e madhe për krime tashmë të paarkivueshme?

Do të vija një javë përpara në Shqipëri për ta festuar atë ditë. Shiritin le ta prisnin ata. Le të merrnin edhe meritat e vënies së atij emri tashmë të shenjtë për letrat shqiptare. Kush më tepër se ty, Et’hem i dashur, do ta meritonte atë nder? Kush do ta meritonte? Kush?

Kafeja e ftohtë nxin mbi tavolinë.

Filed Under: ESSE Tagged With: ETHEM HAXHIADEMI, Shpend Sollaku Noé

REQUIEM PËR MJEDËN DHE MENTORIN

May 30, 2020 by dgreca

Shkruan: Leonora Laçi/

Nuk është hera e parë që shkruaj për një nga studiuesit më në zë të hapësirës shqiptare dhe  qytetit të tij, Shkodrës që krenohet më të. Ai ishte një studiues model, ai dhe Mjeda ishin në simbioz, shkriheshin tek njëri- tjetri, plotësonin njëri-tjetrin. 

Mentor Quku (1939-2014) hynë në atë kategori studiuesish që nuk rrahin gjoksin për ta demonstruar medoemos autorësinë e hulumtimeve të tyre, ndonëse ka bërë një punë kolosale të një jetë të tërë, sërisht ai fshihej pas dom Ndre Mjedës, duke na lënë të kuptohet se vemendja duhet të ishte tek dom Ndre Mjeda dhe jo ai vetë. Atij i interesonte vetëm të vendoste Mjedën në vendin ku i takonte, përfytyronte që Kukeli të bëhej një vend pelegrinazhi dhe biblioteka e Mjedës të sillte studiues nga vende të ndryshme, ai në parim ngriti një institut shkencor, na mësoi se si duhet punuar për të merituar emrin e hulumtuesit.

Nuk më hiqet nga mendja shprehja e tij që më ka shoqëruar dhe udhëzuar përgjatë viteve:- “Sot ti punon për emrin tënd, dhe nesër emri yt do punoj për ty”.

Në maj të vitit 2018 kisha bërë një artikull të shkurtër me titull “Mjedologu dhe pengu i mbetur zvarr”, të cilin po e risjelli shkurtimisht:- “Në ecejaket me bashkëudhëtarët e pandashëm çanten dhe biçikleten e shihje mendueshëm në rrugët e qytetit, tretur në mendime të thella, ashtu si puna hulumtuese që bënte.

Do të shkruaj për njeriun e studiuesin, do të shkruaj për pengun e mbetur zvarrë e për veprën, do të shkruaj për karakterin e fortë, do të shkruaj për thjeshtësinë e tij dhe jo gradat shkencore që ia dhanë në prag të vdekjes, kur ndërkohë ai i meritoi dhe i mori edhe pa ia dhënë zyrtarisht e ceremonialisht, do të shkruaj për stoicizmin e tij dhe jo baltën që i hodhën, do të shkruaj për shkrirjen e një jetë të njeriut për njeriun, për përkushtimin e pashembullt, për vendin në tryezë të tij, të Mjedës, do të shkruaj për nderimin dhe lartësimin që meriton sepse fal tij iu hoq pluhuri i harresës dom Ndre Mjeda dhe fal tij u bë i njohur studiuesi Mentor Quku. Na u krijua përshtypja që do ia dilte mbanë, edhe vetë ai e besonte këtë. Më thirri në telefon disa herë për ta ndihmuar me ca materiale në kompjuter dhe nuk hezitova, ishin ditët më të vështira të tij pasi sëmundja e kishte palosur në shtrat. Gjatë atyre ditëve më tregoi disa blloqe të vegjël që ishin ditare të jetë së tij, ku më kërkoi t’i shkruaja për së dyti e t’i mbaja si dokumentime, pata shansin e artë për t’i bërë një biografi të gjerë, por vazhdimisht ndjehej i lodhur dhe më tha:- “që ta vazhdonim të nesërmen punën.” I kërkova ditarët t’i merrja me vete, nuk pranoi, i konsideroi si relike të shenjta, në fakt ashtu ishin, se kundërshtova dhe ika duke pritur telefonatën që nuk erdhi asnjëherë….

Sa u trishtova ! E bashkë me trishtimin mora si mësim pengun që se di a do të realizohet ndonjëherë.

U ndjeva në faj që nuk insistova për t’i marrë me vete ato ditare edhe sot më kanë ngelë peng për t’ia realizuar të plotë profilin intelektual megjithëse për te flet vepra, ai fliste përmes punës shkencore, ishte mishiruar me Mjedën. Profesor Mentori thoshte shpesh-“ në këtë punë shkencore gjysma tjetër e imja më dha ndihmesën më çmuar”. Pa harruar dhe tre vajzat me familjet e tyre. Zonja e tij Ixhlali ishte një grua dinjitoze që rridhte nga një familje me tradita shkodrane – Çausholli.

Të gjithë jemi kalimtarë të kësaj bote dhe si të tillë duhet të lëmë veprat që të bëhemi të pavdekshëm. Ai u bë, me veprat e tij, me humanizmin, me shpirtin luftarak, me veprimtarinë, me qëndrimet e palëkundura tek e drejta e vet. Si studiues i fortë që punoi e veproi më shumë se profesorët që ngrohin karriget e Instituteve, pasi ai ngrohte karriget e bibliotekave e arkivave, duke e bërë mision “Mjedën” dhe marrë emrin Mjedolog.

Tek Mentor Quku gjeje buzëqeshjen, vullnetin, palodhshmërinë, freskinë si një rilindje të dytë, largpamësinë. Për aq kohë sa e njoha mjaftoi për të kuptuar që luftoi e mbajti jetën me dhëmbë deri në fundin e pashmangshëm. Ishte udhëzues, ndihmues, mik e shok pa i paragjykuar njerëzit.

Studiuesi Mentor Quku na e ka dhënë Mjedën në një format të pazakonshëm, në të cilin është përfshirë një pasuri e madhe dokumentesh, ngjarjesh, sintezash, vlerësimesh, fotografi, fototipe letrash dhe tekste – autografe, si dhe në raste të caktuara edhe versione  tekstesh të krijimtarisë së tij letrare. Këto të fundit madje kryesisht vetëm në nivel të sprovave për një paraqitje të plotë në vëllime të veçanta, sikur duket të jenë projektuar nga autori, pasi të ketë përfunduar edhe vëllimin e dhjetë për Ndre Mjedën.

Puna shkencore e Mentor Qukut u realizua paralelisht me këmbënguljen e udhëzuesit shpirtëror që i dha jetë Kishës dhe Qelës në Kukel. Studiuesi dr.dom Nikë Ukgjini prifti jezuit që është sa hulumtues aq dhe fetar ishte dëshmitari i të gjitha vështirësive nëpër të cilat kaloi realizimi i ringritjes së kishës dhe qelës, që pa vullnetin e këtij të fundit vështirë se do të mund të realizoheshin. Duhet theksuar që dom Nika nuk përtonte ta mprehte lapsin sa herë që Ministria e Kulturës vinte gurë nën rrota, gazetat pritshin me padurim kritikat e dom Nikës. 

Pra pa dom Nikën, Kukeli nuk do të kishte as vazhdimësinë pas ikjes në amshim të mjedologut. Studiuesi dom Nikë Ukgjini e kuptoi si duhet rëndësinë e dom Ndre Mjedës dhe Kukelit duke e çuar përpara paralelisht veprën studimore të studiuesit Quku me autoritetin e tij të famullitarit. Dom Nikë Ukgjini që nga 3 tetori i vitit 2006 është famullitar në Kishën e Kukelit Njesia administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës, kontributi i tij fetar dhe intelektual ka qenë mjaft i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në transformimin e Kishës dhe Qelës së Mjedës, në vende për tu vizituar si muze pa lënë menjëanë bibliotekën e pasur, tavolinën ku ka punuar Mjeda.

Mjedologu Quku vuante vetëm për kohën, që ndoshta s’do të mund t’i mjaftonte për të arritur që ta përfundojë si duhet kolanën e Mjedës. Koha po i fashitej përpara syve me shpejtësi, e ndjeu këtë gjë. Të kapësh kohën ishte e vështirë, prandaj ai gjithmonë ishte në vrap e sipër, deri sa një ditë nuk mundi më të rendte bibliotekave por bëri vrapin e fundit drejt mëshiruesit…

Mjeda dhe Mentori u takuan…

Mentori tashmë qetësisht me kohën ndalur merr përgjigjet që s’mundi t’i marr në botën e vdekshme, zgjidh enigmat që në jetën joreale nuk i zgjidhi dot pasi i duhej përjetësia për t’i dhënë zgjidhje, i duhej Mjeda. Mjeda duke i qenë mirënjohës që e përjetësoi dhe fitoi pavdekësinë, e anasjelltas përmes Mjedës këtë status e fitoi dhe Mentori, e ne morëm leksionin sesi duhet hulumtuar e shkrirë të gjitha energjitë për qellime të larta, për të marrë statusin e studiuesit.

Profesor Mentor Quku u përcoll për në banesën e fundit më 1 qershor 2014 me respektin e një qyteti të tërë, mes miqsh e dashamirësish, intelektualësh, e njerëzish të thjeshtë.”

Shqipëria sot ka më pak shkrimtarë, studiues, poetë, por këto që kanë ngelur le të frymëzohen nga realiteti i mjedologut, historia e tij, që sadopak të lënë gjurmë në botën kalimtare, të ecin në shtigje të reja, të guxojnë për të mos mbetur kalimthi kalimtarë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Leonora Laçi, Mentor Quku, Requiem Per Mjeden

Dr. Linda Ciu në vijë të parë në frontin e Luftës…

May 29, 2020 by dgreca

kundër Coronavirusit në Massachusetts/

Dr.Linda Ciu punon në “Reliant pediatric urgent care” shërbim i urgjencës pediatrike në Worcester, MA, e cila është në vijë të parë të Frontit të Luftës kundër Coronavirusit Covid 19./

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Flet Dr.Ciu e cila ka gjysh Ismet Toton, një intelektual par excellence nga Progonati i Tepelenës, dënuar me vdekje nga regjimi i Zogut, në moshën 32 vjecare.  Në prag të egzekutimit ai shkroi letrën botuar nën titullin “De profundis”: “Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen.”  Drama e vellezerve Toto nuk ka te perfunduar.  Vëllai i madh Ethemi, ish Ministër i Brendshëm në kohën e Zogut, që gëzonte respekt nga Veriu në Jug, u vetëvra i rrethuar, por dhe vëllai tjeter Tahsini u vra gjatë rrethimit. Vëllai i vogel Selaudin Toto, fizikant i shquar themeluesi i Akademise së Shkencave me vartës dhe bashkëpunëtorë të njohur si Sabiha Kasimati etj, dhe deputet në Parlament si Nacionalist, pushkatohet me gjyqin famëkeq të deputetëve në 1947 nga regjimi diktatorial Hoxha.

Dr.Ciu, bota është në luftë pandemike cila është detyra juaj në këtë situatë tragjike?

Detyra jone si mjeke është jo vetëm të ofrojmë ndihmë të shpejtëdhe cilësore për fëmijët e moshave 0-18 vjec, duke lehtësuar kështu repartin e Emergjencës në spitale , por tëmbulojmë dhe shëbimin e mjekëve pediatër në komunitetet për rreth, kur nuk mund të shohin pacientët e tyre, ose mbas orarit të vizitave.

Deri para një viti dhe unë kam punuar si pediatre në shërbimin parësor për 15 vite këtu nëAmerikë.

Ju jetoni në qytetin e Worcester, në Massachusetts, që kur u hap ky virus vdekjeprurës keni qenëe frikësuar për familjen tuaj, ose si e menaxhoni stresin e familjes suaj?

Si mjeke pediatre prej më se 30 vjetësh kur gjysmën e pare të viteve kam punuar në Shqipëri,  kjo nuk është epidemia e parë për mua. Natyrisht niveli i ankthit për vehte dhe familjarët është i madh, por i manaxhueshëm. Nga ana tjetër, kam fatin, që në qendrën ku punoj, nuk ka patur mungesa të materialeve mbrojtëse, dhe kemi organizuar seleksionin e pacientëve dhe mënyrën e ekzaminimit me metoda të reja krijuese, per të pakësuar ekspozimin tonë dhe të personelit ndihmës.

Gjithashtu vajza është mjeke dhe punon tek spitali Mount Sinai ne NYC si geriatre dhe bashkëshorti i saj është drejtori klinik i departamentit të Urgjencës së spitalit, por deri tani nuk janë sëmurur, dhe e manaxhojnë stresin me optimizëm, pa ankth. Bejme face time ditore midis nesh, dhe shpesh rreth orës 7 të mbrëmjes, kam dëgjuar jehonën e duartrokitjeve tënjerëzve për punonjësit e shëndetësisë,nga apartamenti  tyre, që është emocionuese.

Fakti që të gjithë ne, si mjekë, ia kemi dedikuar jetën tonë, shërbimit të njerëzve në nevojë, dhe kemi bërë betimin e Hipokratit, ndihmon që të përballojmëkëto situate të vështira .

Gjatë shërbimit tuaj në shendetësi në këtë kohë keni pasur raste me pacientë shqiptarë?

Në kliniken time nuk kam patur fëmijë shqiptarë që të kenëtestuar pozitiv.

Bashkëshorti im, i cili punon me komunitetin shqiptar në Worcester, ka dëgjuar për disa raste, por jo fatalitete.

Nje lajm I mirë dhe optimist është që vjehrra ime, 87 vjec, u sëmur në Nursing Home, por e kaloi lehtazi.

Nga ana tjetër do të dëshiroja ti përgjigjesha spekullimeve se vaksina e BCG në të kaluaren, te mbron nga virusi. Fatkeqesisht nga studime të fundit (më i fundit studim izraelit ) ka rezultuar se kjo vaksinë nuk ka efekt mbrojtës. Për ne si shqiptarë, që kemi qenë vaksinuar routine, ishte pak shpresëdhënës por rezulton që nuk ka bazë shkencore.

Cilat janë këshillat tuaja si doktoreshe në këtë fushë dhe a mendoni se do të zhduket së shpejti kjo pandemi globale që po merr me shpejtësi jetë njerëzish?

Si mjeke pediatre, në cdo stinë dimri, jemi në kontakt me viruse të rrezikshëm , ku fëmijët janë bartësit dhe vektorët më tëshpeshtë dhe këto viruse kanë semundmëri të lartë ndër të prekur. Pervec gripit stinor, kemi patur stinë ku gripi i derrit apo “bird flu”kanë qenë shumë të rrezikshëm fillimisht, apo dhe epidemi fruthi nga refuzimi i vaksinës.  Shumica e këtyre viruseve nuk përbejnë më rrezikshmëri të lartë, sepse janëpërfshirë në vaksinën e gripit që jep mbrojtje të pjesshme deri 60 përqind, dhe me kalimin e viteve, mbrojtja ka efekt kumulativ.

Deri sa të kemi një vaksinë ndaj covid, duhet të zbatojmë me rigorozit të shtuar rregullat e higjenës, dhe për më tepër distancimin social dhe maskat. Ajri i pastër në natyrë, sidomos me ardhjen e stinëve të buta, do të ndihmojë jo vetëm shëndetin fizik por dhe atë mendor, në këtë pandemi.

Nju Jorku është shteti më i kapur prej fyti nga Coronavirusi si do të parandalohet kjo epidemi që po merr jetë njerëzish?

Nju Jorku është qendër e fluturimeve nga bota dhe njëkohësisht ka dendësi të madhe tëpopulatës, që shpjegon dhe sëmundshmërinë e lartë. Lajm i mirë është që rastet janë në ulje tëvazhdueshme si dhe rastet e paraqitjes në spital apo shtrimeve.

Sistemi mjekësor amerikan tregoi se ka resiliencëtë lartë dhe e përballoi situatën pa patur kolaps apo mungesa ventilatorësh apo shtretërish. Nga ana tjetër sektori privat ju pergjigj shpejt duke shtuar prodhimin për t’u pergjigjur nevojave tështuara per pajisje mbrojtëse apo mjekësore, si dhe industria/shkencëtarët farmaceutike po punojnë me shpejtësi për një vaksinë efikase dhe testime të shpejta sa më cilësore.

Fakti është që numri i rasteve do të ketë ngritje nga rihapja e aktiviteteve, por që do të jenë besoj të përballueshme.

Shpresat jane të mëdha, për një vaksinë të efektshme, gjithashtu së shpejti do kemi dhe rezultate të sakta të studimeve shkencore që po bëhen në spitalet e Nju Jorkut dhe gjetkë , për trajtime sa më efikase lidhur me  parandalimin apo mjekim të hershëm të të prekurve duke evituar kështu format e rënda që përfundojnë në reanimacion.

Nga ana tjetër testimet në Amerikë janë rritur jashtëzakonisht shumë dhe janë në përmirësim të vazhdueshëm cilësor, për tëqenë sa më të saktë, kjo do të lehtesojë dhe parandalimin e një rritjeje drastike të rasteve me rihapjen .

Keni frikë nga ky virus vdekjeprurës se mos ju transmetohet nga të sëmurët?

Natyrisht ky është rreziku ditor për ne, dhe prandaj kujdesi duhet të jetë konstant, duke filluar nga përdorimi i kompleteve mbrojtëse, larja e shpeshtë dhe dezifektimi i duarve dhe sipërfaqeve në mjedisin ku punon, por dhe kujdes i lartë kur kthehesh në shtëpi, që mos të biesh virusin në mjediset shtepiake.  Kujdes në ndërrim të menjëhershëm në një mjedis të caktuar në hyrje, dezifektim i shpeshtë i sipërfaqeve shtëpiake apo larje me temperaturë të lartë të veshjeve. 

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si shqiptare, por dhe si mjeke midis dy kontinenteve?

Shqipëria ka patur raste të ulta në krahasim me rajonin , te lidhura me një mbyllje apo lock down drastik.

Të gjithë e kuptojmë që një mbyllje drastike fillimisht është e kuptueshme për t’i dhënë kohë sistemit shëndetësor të marrëmasa për të siguruar bazë materiale të mjaftueshme për punonjësit

e shëndetësisë që mos tësëmuren, të sigurojë më shumë aparatura dhe mjekime sado pak efikase deri tani për tëparandaluar rastet e rënda dhe numër testesh të bollshme për të gjurmuar sëmundjen dhe parandaluar përhapjen. Këto janënë dorë të qeverisë. Intervali kohor i karantinës absolute ka qenë më se i mjaftueshem per të siguruar kushtet dhe nevojat e mësipërme.

Mbyllja e stërzgjatur nuk është më e dobishme, dhe sidomos sa më i varfër vendi aq më të tejskajshme jane pasojat ekonomike.  Gjithashtu stina e butë duhet shfrytëzuar për efektet positive për shëndetin fizik dhe mendor. Nuk po hyj nëaspektin ekonomik të stërzgjatjes së izolimit, por nga pikëpamja shëndetësore, relaksimi i karantinës padyshim qëshoqërohet me numër rastesh të reja të infektuara , prandaj llogjika e stërgjatjes së izolimit , apo rikthimi tek një izolim drastik është i pakuptimtë dhe abuzues.

Cili është edukimi juaj dhe si i keni ngjitur shkallët e karrierës në mjekësi dhe në Amerikë?

Une kam lindur dhe rritur në Tiranë, filloren e kam mbaruar tek shkolla “Kosova”, pastaj tetevjecaren tek “Fan Noli” dhe gjimnazin tek “Sami Frashëri “ ku kam mbaruar me medaljen e artë , fakt që më mundësoi pranimin në  Fakultetin e Mjekësisë, në 1981-1986.

Fakultetin e Mjekësisë e mbarova me diplomë “shkëlqyer “. 

Fillimisht kam punuar në Spitalin pediatrik në Tiranë dhe më pas u bëra dhe pedagoge e Katedrës së Pediatrisë. Në 1992 kalova në Neonatologji, specialitet që merret me kujdesin e të porsalindurit dhe u zhvendosa në Maternitet. 

Më 1994 pata fatin të fitoj një burse 6 mujore “Fulbright “ dhe shkova për research pranëUSCF -San Francisco nëNeonatologji , që ishte një experiencë e jashtëzakonshme . Më pas u ktheva dhe kam punuar ne Atdhe deri më 1999, gjate kësaj kohe mbrojta dhe doktoratën nëNeonatologji.

Kam qenë anëtare / konsulente e grupit të Organizates Botërore të Shendetit  për mbledhjen e tëdhënave perinatale.

 Në mars 1999 emigruam në USA, me ribashkim familjar nga ana e bashkëshortit.

Mu desh të kaloj provimet për konvertimin e diplomës , që morën rreth 1 vit, dhe më pas bëra 3 vjet specializim ne Pediatri pranë UMASS hospital center.

Kam praktikuar në Massachusetts si pediatre e përgjithshme qysh prej vitit 2004 deri sot.

Ju keni gjysh Ismet Toton, një intelektual par excellence nga Progonati i Tepelenës, dënuar me vdekje nga regjimi i Zogut, si e përjetoi nëna juaj këtë dramë të familjes? Në prag të egzekutimit ai shkroi letrën botuar nën titullin De profundis: “Bota nuk është e atyre që ngrohen. Bota është e atyre që digjen.”  Ai frymëzon përjetësisht gjeneratat me kulturën dhe veprimtarinë kombëtare që na la, ne ndihemi tejet krenar, po ju si e perjetoni dhe transmetoni këtë pasuri kaq të vyer tek pasardhësit tuaj?

Vëllezërit Toto kanë bërë histori , pavaresisht se gjate periudhës së diktaturës nuk janë përmendur, dhe lëvizja e Delvinës që ata kryesuan ishte një kryengritje kundër Zogut, të cilin ata e përkrahën në fillim duke shpresuar qe do të përparonte vendin. Por kur panë që regjimi i tij ishte kthyer në një regjim të korruptuar, diktaturë ku eliminoheshin fizikisht kundërshtarët, dhe kur Zogu vetë rrëzoi qeverinë liberale të Mehdi Frashërit që kishte ngjallur shpresa për reforma dhe përparim, u ngritën kundra tij. është për të qeshur dhe për të qarë se lëvizja e Delvinës u quajt komuniste për kohën nga Zogu dhe nuk u provua dot me fakte dhe më pas u etiketua si fashiste prej diktatorit EH. Në fakt ishe një kryegritje patriotësh me ideale ndoshta dhe utopike për kohën por që dëshiruan përparimin e atdheut më shumë se jetën e tyre. 

Ismeti kishte mbaruar shkollën e Fullcit dhe ishte gazetar, publicist ne revistat më në zë të kohës dhe bashkëpunëtor me Faik Konicën, Branko Merxhanin dhe shkrime kanë qenë të botuara në gazetat e njohura të kohës si Minerva, Iliria, Ora etj, si dhe zyrtar ne qeverinë e Zogut.

Ismeti u denua me varje në Gjirokaster, në moshën 32 vjecare.

Vëllai i madh Ethemi, ish minister i brendshëm, që gëzonte respekt nga Veriu në Jug, u vetëvra i rrethuar dhe vëllai tjeter Tahsini i cili u vra  gjate  rrethimit. Gjyqi në Gjirokastër nuk provoi asnjë akuzë se levizja ishte komuniste apo e përkrahur nga jashtë, por ishte vetëm e drejtuar kundër një administrate me tradita otomane dhe të korruptuar. Ai shpresonte tek “Djalëria” që herët a vonë do të përparonte Atdheun.

Ismeti la pas 3 fëmijë dhe gruan e tij në moshe të re dhe pa pasuri apo prona. 

Fjala e tij “De Profundis” u shpërnda nëpër shkollat e vendit si rrufe pavarësisht, pengesës së xhandarmërisë.

Por për familjen Toto, që u bë bazë e luftës, ku gyshja Envere Toto, u zgjodh në Kongresin e gruas antifashiste, si zv/presidente, fatkeqesitë nuk kishin fund .

Vëllai i vogel Selaudin Toto, fizikant mbaruar në Torino që u kthye të kujdesej për jetimët e vëllezërve në 1944, themeluesi i Akademise së Shkencave me vartës dhe bashkëpunëtorë të njohur si Sabiha Kasimati etj, dhe deputet nëParlament si Nacionalist, pushkatohet me gjyqin famëkeq të deputetëve në 1947.

Mamaja ime Flutura Toto Ciu, ishte vetem 8 vjec kur u var babai i saj Ismeti.

Dhe vetëm 18 vjec kur u pushkatua Selaudini që e konsideronte si figure atërore.

Më pas persekutimi vazhdoi egërsisht, gjyshes nuk i lejuan as te qepte në shtëpi për të ushqyer fëmijët.

Por mamaja, motra dhe vëllai i saj nuk e ulën kokën apo nuk shitën ndershmërinë e trashëguar në familje.

Në vitet e fundit të jetës ajo ma përshkruante me lot në sy momentin si vajtën të vetme, bashkë me motrën , më të vogel  tëpërshëndeste xhaxhain tek dalja tek kinema 17 Nëntori, pas gjyqit ,  kur e hypën në autobuz drejt pushkatimit .

Apo kujtonte trupin e të jatit xhenaze, që vetëm ajo si fëmija më e madhe, e lejuan në dhomë. 

Gjithmonë sillte në mendje se si vuanin për bukë në vitet e pasluftës apo kur  arrestuan vëllanë e vogël në shtëpi me akuzën ‘tentativë arratisje“ dhe vizitat në burg bashkë me gjyshen  

Një libër i plotë me punën dhe veprën e vëllezërve “Toto“ është botuar dy vjet më parë i titulluar “Ismet Toto -Larg dhe afër-saga e një familje”, me parathënien e mbesës së tij Nevila Nika, që hulumtoi si historiane nëpër arkiva gjithë punimet dhe botimet e tij. 

Tri vjet më parë së bashku me vajzën dhe bashkëshortin e saj, morëm pjesë në përkujtimoren e vdekjes së Selaudin Totos si themelues i Insitutit sot Akademia e Shkencave dhe 70 vjetorit përkujtimor të  gjyqit të Deputeteve tek salla e Akademisë së Shkencave në Tiranë.  Aty Ambasada Italiane na dorëzoi ne familjarëve kopjen e disertacionit të tij dhe Diplomës nga Instituti i Fizikës në Torino.

Vajza e mban librin tek koka e krevatit dhe e ka lexuar me shumë dashuri .

Faleminderit Dr.Ciu për bisedën e vlefshme dhe paci shëndet familjarisht!

Bisedoi Keze Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare

29 Maj, 2020 

New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beteja COVID-19, Dr. Linda Ciu, Kozeta Zylo

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 59
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT