• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REQUIEM PËR MJEDËN DHE MENTORIN

May 30, 2020 by dgreca

Shkruan: Leonora Laçi/

Nuk është hera e parë që shkruaj për një nga studiuesit më në zë të hapësirës shqiptare dhe  qytetit të tij, Shkodrës që krenohet më të. Ai ishte një studiues model, ai dhe Mjeda ishin në simbioz, shkriheshin tek njëri- tjetri, plotësonin njëri-tjetrin. 

Mentor Quku (1939-2014) hynë në atë kategori studiuesish që nuk rrahin gjoksin për ta demonstruar medoemos autorësinë e hulumtimeve të tyre, ndonëse ka bërë një punë kolosale të një jetë të tërë, sërisht ai fshihej pas dom Ndre Mjedës, duke na lënë të kuptohet se vemendja duhet të ishte tek dom Ndre Mjeda dhe jo ai vetë. Atij i interesonte vetëm të vendoste Mjedën në vendin ku i takonte, përfytyronte që Kukeli të bëhej një vend pelegrinazhi dhe biblioteka e Mjedës të sillte studiues nga vende të ndryshme, ai në parim ngriti një institut shkencor, na mësoi se si duhet punuar për të merituar emrin e hulumtuesit.

Nuk më hiqet nga mendja shprehja e tij që më ka shoqëruar dhe udhëzuar përgjatë viteve:- “Sot ti punon për emrin tënd, dhe nesër emri yt do punoj për ty”.

Në maj të vitit 2018 kisha bërë një artikull të shkurtër me titull “Mjedologu dhe pengu i mbetur zvarr”, të cilin po e risjelli shkurtimisht:- “Në ecejaket me bashkëudhëtarët e pandashëm çanten dhe biçikleten e shihje mendueshëm në rrugët e qytetit, tretur në mendime të thella, ashtu si puna hulumtuese që bënte.

Do të shkruaj për njeriun e studiuesin, do të shkruaj për pengun e mbetur zvarrë e për veprën, do të shkruaj për karakterin e fortë, do të shkruaj për thjeshtësinë e tij dhe jo gradat shkencore që ia dhanë në prag të vdekjes, kur ndërkohë ai i meritoi dhe i mori edhe pa ia dhënë zyrtarisht e ceremonialisht, do të shkruaj për stoicizmin e tij dhe jo baltën që i hodhën, do të shkruaj për shkrirjen e një jetë të njeriut për njeriun, për përkushtimin e pashembullt, për vendin në tryezë të tij, të Mjedës, do të shkruaj për nderimin dhe lartësimin që meriton sepse fal tij iu hoq pluhuri i harresës dom Ndre Mjeda dhe fal tij u bë i njohur studiuesi Mentor Quku. Na u krijua përshtypja që do ia dilte mbanë, edhe vetë ai e besonte këtë. Më thirri në telefon disa herë për ta ndihmuar me ca materiale në kompjuter dhe nuk hezitova, ishin ditët më të vështira të tij pasi sëmundja e kishte palosur në shtrat. Gjatë atyre ditëve më tregoi disa blloqe të vegjël që ishin ditare të jetë së tij, ku më kërkoi t’i shkruaja për së dyti e t’i mbaja si dokumentime, pata shansin e artë për t’i bërë një biografi të gjerë, por vazhdimisht ndjehej i lodhur dhe më tha:- “që ta vazhdonim të nesërmen punën.” I kërkova ditarët t’i merrja me vete, nuk pranoi, i konsideroi si relike të shenjta, në fakt ashtu ishin, se kundërshtova dhe ika duke pritur telefonatën që nuk erdhi asnjëherë….

Sa u trishtova ! E bashkë me trishtimin mora si mësim pengun që se di a do të realizohet ndonjëherë.

U ndjeva në faj që nuk insistova për t’i marrë me vete ato ditare edhe sot më kanë ngelë peng për t’ia realizuar të plotë profilin intelektual megjithëse për te flet vepra, ai fliste përmes punës shkencore, ishte mishiruar me Mjedën. Profesor Mentori thoshte shpesh-“ në këtë punë shkencore gjysma tjetër e imja më dha ndihmesën më çmuar”. Pa harruar dhe tre vajzat me familjet e tyre. Zonja e tij Ixhlali ishte një grua dinjitoze që rridhte nga një familje me tradita shkodrane – Çausholli.

Të gjithë jemi kalimtarë të kësaj bote dhe si të tillë duhet të lëmë veprat që të bëhemi të pavdekshëm. Ai u bë, me veprat e tij, me humanizmin, me shpirtin luftarak, me veprimtarinë, me qëndrimet e palëkundura tek e drejta e vet. Si studiues i fortë që punoi e veproi më shumë se profesorët që ngrohin karriget e Instituteve, pasi ai ngrohte karriget e bibliotekave e arkivave, duke e bërë mision “Mjedën” dhe marrë emrin Mjedolog.

Tek Mentor Quku gjeje buzëqeshjen, vullnetin, palodhshmërinë, freskinë si një rilindje të dytë, largpamësinë. Për aq kohë sa e njoha mjaftoi për të kuptuar që luftoi e mbajti jetën me dhëmbë deri në fundin e pashmangshëm. Ishte udhëzues, ndihmues, mik e shok pa i paragjykuar njerëzit.

Studiuesi Mentor Quku na e ka dhënë Mjedën në një format të pazakonshëm, në të cilin është përfshirë një pasuri e madhe dokumentesh, ngjarjesh, sintezash, vlerësimesh, fotografi, fototipe letrash dhe tekste – autografe, si dhe në raste të caktuara edhe versione  tekstesh të krijimtarisë së tij letrare. Këto të fundit madje kryesisht vetëm në nivel të sprovave për një paraqitje të plotë në vëllime të veçanta, sikur duket të jenë projektuar nga autori, pasi të ketë përfunduar edhe vëllimin e dhjetë për Ndre Mjedën.

Puna shkencore e Mentor Qukut u realizua paralelisht me këmbënguljen e udhëzuesit shpirtëror që i dha jetë Kishës dhe Qelës në Kukel. Studiuesi dr.dom Nikë Ukgjini prifti jezuit që është sa hulumtues aq dhe fetar ishte dëshmitari i të gjitha vështirësive nëpër të cilat kaloi realizimi i ringritjes së kishës dhe qelës, që pa vullnetin e këtij të fundit vështirë se do të mund të realizoheshin. Duhet theksuar që dom Nika nuk përtonte ta mprehte lapsin sa herë që Ministria e Kulturës vinte gurë nën rrota, gazetat pritshin me padurim kritikat e dom Nikës. 

Pra pa dom Nikën, Kukeli nuk do të kishte as vazhdimësinë pas ikjes në amshim të mjedologut. Studiuesi dom Nikë Ukgjini e kuptoi si duhet rëndësinë e dom Ndre Mjedës dhe Kukelit duke e çuar përpara paralelisht veprën studimore të studiuesit Quku me autoritetin e tij të famullitarit. Dom Nikë Ukgjini që nga 3 tetori i vitit 2006 është famullitar në Kishën e Kukelit Njesia administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejës, kontributi i tij fetar dhe intelektual ka qenë mjaft i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në transformimin e Kishës dhe Qelës së Mjedës, në vende për tu vizituar si muze pa lënë menjëanë bibliotekën e pasur, tavolinën ku ka punuar Mjeda.

Mjedologu Quku vuante vetëm për kohën, që ndoshta s’do të mund t’i mjaftonte për të arritur që ta përfundojë si duhet kolanën e Mjedës. Koha po i fashitej përpara syve me shpejtësi, e ndjeu këtë gjë. Të kapësh kohën ishte e vështirë, prandaj ai gjithmonë ishte në vrap e sipër, deri sa një ditë nuk mundi më të rendte bibliotekave por bëri vrapin e fundit drejt mëshiruesit…

Mjeda dhe Mentori u takuan…

Mentori tashmë qetësisht me kohën ndalur merr përgjigjet që s’mundi t’i marr në botën e vdekshme, zgjidh enigmat që në jetën joreale nuk i zgjidhi dot pasi i duhej përjetësia për t’i dhënë zgjidhje, i duhej Mjeda. Mjeda duke i qenë mirënjohës që e përjetësoi dhe fitoi pavdekësinë, e anasjelltas përmes Mjedës këtë status e fitoi dhe Mentori, e ne morëm leksionin sesi duhet hulumtuar e shkrirë të gjitha energjitë për qellime të larta, për të marrë statusin e studiuesit.

Profesor Mentor Quku u përcoll për në banesën e fundit më 1 qershor 2014 me respektin e një qyteti të tërë, mes miqsh e dashamirësish, intelektualësh, e njerëzish të thjeshtë.”

Shqipëria sot ka më pak shkrimtarë, studiues, poetë, por këto që kanë ngelur le të frymëzohen nga realiteti i mjedologut, historia e tij, që sadopak të lënë gjurmë në botën kalimtare, të ecin në shtigje të reja, të guxojnë për të mos mbetur kalimthi kalimtarë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Leonora Laçi, Mentor Quku, Requiem Per Mjeden

KATER VITE PA MJEDOLOGUN PROF. MENTOR QUKUN DHE PENGU I MBETUR ZVARRË !

May 29, 2018 by dgreca

1 Mjedologu
Nga Leonora Laçi/
Në ecejaket me bashkudhëtarët e pandashëm çanten dhe biçikleten e shihje mendueshëm në rrugët e qytetit, tretur në mendime të thella, ashtu si puna  hulumtuese që bënte.
Do të shkruaj për njeriun e  studiuesin, do shkruaj për pengun e mbetur zvarrë e për veprën, do shkruaj për karakterin e fortë, do shkruaj për thjeshtësinë e tij dhe jo gradat shkencore që ia dhanë në prag të vdekjes kur ndërkohë ai i meritoi dhe i mori edhe  pa ia dhënë zyrtarisht e ceremonialisht, do shkruaj për stoicizmin e tij dhe jo baltën që i hodhën, do shkruaj për shkrirjen e një jetë të njeriut për njeriun, për përkushtimin e pashembullt, për vendin në tryezë të tij,  të Mjedës, do shkruaj për nderimin dhe lartësimin që meriton sepse fal tij iu hoq pluhuri i harresës Dom Ndre Mjeda dhe fal tij u  bë i njohur studiuesi Mentor Quku.1 Mentor Quku
Na u krijua përshtypja që do ia dilte mbanë, edhe vetë ai e besonte këtë. Më thirri në telefon disa herë për ta ndihmuar me ca materiale në kompjuter dhe nuk hezitova, ishin ditët më të vështira të tij pasi sëmundja e kishte palosur në shtrat. Gjatë atyre ditëve më tregoi disa blloqe të vegjël që ishin ditare të jetë së tij, ku më kërkoi t’i shkruaja për së dyti e t’i mbaja si dokumentime, pata shansin e artë për ti bërë një biografi të gjerë, por vazhdimisht ndjehej i lodhur dhe më tha që ta vazhdonim të nesërmen punën.
I kërkova ditarët t’i merrja me vete, nuk pranoi, i konsideroi si relike të shenjta, në fakt ashtu ishin, se kundërshtova dhe ika duke pritur telefonatën që nuk erdhi asnjëherë….
Sa u trishtova !
E bashkë me trishtimin mora si mësim pengun që se di a do të realizohet ndonjëherë.
U ndjeva në faj që nuk insistova për t’ia marrë me vete ato ditare edhe sot më kanë ngelë peng për t’ia realizuar të plotë profilin intelektual megjithëse për të flet vepra, ai fliste përmes punës shkencore, ishte mishiruar me Mjedën. Profesor Mentori thoshte shpesh-“ në këtë punë shkencore gjysma tjetër e imja më dha ndihmesën më çmuar”.  Pa harruar dhe tre vajzat me familjet e tyre. Zonja e tij Ixhlali ishte një grua dinjitoze që rridhte nga një familje me tradita shkodrane – Çausholli.
Të gjithë jemi kalimtarë të kësaj bote dhe si të tillë duhet të lëmë veprat që të bëhemi të pavdekshëm. Ai u bë, me veprat e tij, me humanizmin, me shpirtin luftarak, me veprimtarinë, me qëndrimet e palekundura tek e drejta e vet.
Si studiues i fortë që punoi e veproi më shumë se profesorët që ngrohin karriget e Instituteve, pasi ai ngrohte karriget e bibliotekave e arkivave, duke e bërë mision “Mjeden” dhe marrë emrin Mjedolog.
Jo pak merita i takojnë dhe bashkudhëtarit studiuesit Dom Nikë Ukgjinit që e kuptoi si duhet rëndësinë e Dom Ndre Mjedës dhe Kukelit duke e çuar përpara paralelisht veprën studimore të studiuesit Quku me autoritetin e tij të famullitarit. Dom Nikë Ukgjini që nga 3 tetori i vitit  2006 është famullitar në Kishën e Kukelit Njesia administrative Bushat, Bashkia Vau i Dejes, kontributi i tij fetar dhe intelektual ka qenë mjaft i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në transformimin e Kishës dhe Qeles së Mjedës,  në vende për tu vizituar si muze pa lenë menjëanë bibliotekën e pasur, tavolinën ku ka punuar Mjeda.
Tek Mentor Quku gjeje buzqeshjen, vullnetin, palodhshmërinë, freskinë si një rilindje të dytë, largpamësinë. Për aq kohë sa e njoha mjaftoi për të kuptuar që luftoi e mbajti jetën me dhëmbë deri në fundin e pashmangshëm. Ishte udhëzues, ndihmues, mik e shok pa i paragjykuar njerëzit.
Në udhëtimet e shpeshta drejt Kukelit të Mjedës, nuk harronte të na tregonte me krenari që kishte punuar në shkollën e Barbullushit e pse jo të mos i vihet emri i tij shkollës edhe një bust  t’ia vinin aty.
 Në ditët e Mjedës apo aktivitete të tjera të zhvilluara në Kukel, nga viti 2013 e në vazhdim,  e shihje të heshtur duke u ndjerë i përmbushur që ëndrra për Kishën dhe Qelën e Mjedës në Kukel tashmë ishin të qenësishme dhe vende peligrinazhi. Kishte realizuar ëndrrën në të gjallë të tij, e kishte prekur atë… realitet që vazhdon e do të vazhdojë.
E kjo dëshirë e imja të mos ngelet thjeshtë dëshirë por të bëhet një realitet që atë që nisa të zezë mbi të bardhë ta realizoj një ditë.
Pak biografi
Mentor Quku ka lindur në Bilisht të Korçës më 20 janar 1939. Në vitet  1951-1955 mbaron shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër, në vitet 1955- 1957 përfundoi Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë, në vitet ‘60-‘63 diplomohet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. Punoi mësues në shkolla të ndryshme si në; Kukës, Lezhë, Shkodër.
Ishte drejtor i Muzeut Historik të Shkodrës në vitet 1992-2000, ku inicioi shumë aktivitete shkencore dhe botime të ndryshme. Ishte drejtor i revistës “Kumtari” dhe “Shkodra në shekuj” duke mbledhur studiues nga mbarë trevat shqiptare. Botimet e tij i gjejmë në shumë revista të kohës. Me ardhjen e demokracisë mori pjesë në krijimin e forcës politike “E djathta shkodrane” ku mblodhi rreth saj partitë nacionaliste Balli Kombëtar dhe Legaliteti. Ishte për shumë vite Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Trojet e Arbrit me qendër në Kosovë, mbaj mend udhëtimin e fundit që ai përgatiti grupin për në Prizren me rastin e 100 vjetorit të krijimit të Shtetit Shqiptar, ai më tha në prezencën e grupit të studiuesve:- “kjo vajzë shkodrane do e vazhdoj punën time”, kjo më ngjau si profeci pasi ashtu ndodhi dhe pak kohë më vonë, kryesia e kësaj Shoqate më emëroi në vendin e Mentor Qukut.
Puna shkencore e tij ka  kulmuar me botimet e kolanës “Mjeda”. Mentor Quku, është shembulli më i mirë i punës afatgjatë dhe të durueshme për të na e dhënë sa më të plotë jetën dhe veprën e një shkrimtari. Ai ka dëshmuar se kërkimet dhe sintezat e mëdha historiko-letrare nuk janë çështje e një projekti, doktorate apo konference, po çështje të një jete. Në këtë Kolanë ai na ka dhënë vit pas viti nga 2004-2013 çdo ditë shkrimtarin dhe studiuesin Ndre Mjeda, si dhe veprën letrare e shkencore të tij jashtëzakonisht të plotë në trembëdhjetë vëllime: Mjeda 1 (1866-1888): Rinia, 2004; Mjeda 2 (1888-1899): Albanologu, 2006; Mjeda 3 (1899-1912), i përbërë nga dy libra: Alfabeti, 2007; Liria, 2008; Mjeda 4 (1912-1925): Identitet, 2009; Mjeda 5 (1925-1937): Gjuhëtari, 2010; Mjeda 6, i përbërë nga dy libra: Bibliografia (e Mjedës), 2012; Bibliografia (mbi Mjedën), 2012; Mjeda 7: Bashkekohesit, Tiranë 2005; Mjeda 8: Album, 2010; Mjeda 9, Përmbledhje, 2013 dhe  Proza e Mjedës vell. 1, 2014,  sado kemi menduar se kemi qenë mjaftueshëm të njohur me të.
Përkundrazi, studiuesi Mentor Quku na e ka dhënë Mjedën në një format të pazakonshëm, në të cilin është përfshirë një pasuri e madhe dokumentesh, ngjarjesh, sintezash, vlerësimesh, fotografi, fototipe letrash dhe tekste – autografe, si dhe në raste të caktuara edhe versione e tekstesh të krijimtarisë së tij letrare. Këto të fundit madje kryesisht vetëm në nivel të sprovave për një paraqitje të plotë në vëllime të veçanta, sikur duket të jenë projektuar nga autori, pasi të ketë përfunduar edhe vëllimin e dhjetë për Ndre Mjedën.
Profesor Mentor Quku u përcoll për në banesën e fundit më 1 qershor 2014 me respektin e një qyteti të tërë, mes miqsh e dashamirësish, intelektualësh, e njerëzish të thjeshtë.

Filed Under: Opinion Tagged With: 4 vjet pa Mjedologun, Leonora Laci, Mentor Quku

Mentor Quku, Intelektuali shumëdimensional që solli qytetarinë në politikë

June 1, 2014 by dgreca

Nga Ylli PATA/Ndarja nga jeta, dy ditë më parë e intelektualit të njohur Mentor Quku, ka lënë një boshllëk të konsiderueshëm jo vetëm një jetën e qytetit të Shkodrës, të cilit ai i përkiste, por edhe kulturës shqiptare.
Janë shumë intelektualë dhe studiues shqiptarë që kanë shprehur hidhërimin për shuarjen e profesor Qukut, i cili ka lënë një trashëgimi të rëndësishme shumëdimensionale për vendin.
Mentor Quku, i përket atyre dijetarëve që e konsideronte pasurinë e tij intelektuale si një e mirë që duhet të vihet në dobi të njerëzve, qytetarëve që ai i respektonte dhe u shërbeu.
Një mësues model, që rriti sa e sa gjenerata që nga viti 1954 e deri në vitin 1991, Profesor Mentor Quku, u shërbeu nxënësve të tij duke dhënë në të gjithë Shqipërinë ku punoi, dijen dhe mirësinë e tij intelektuale. U nderua me titullin “Mësues i Merituar”, megjithëse kurrë nuk u pa më sy të mirë nga regjimi komunist.
Si një pinjoll i qytetarisë shkodrane, Mentor Quku, u rreshtua ndër ë parët në zhvillimin demokratik të Shqipërisë, por me një armë ndryshe nga ajo që ishte “modë” në vitet ’90 të shekullit të shkuar, qytetarinë dhe argumentin intelektual.
Mentor Quku, rithemeloi bashkë me disa bashkëqytetarë të tij të djathtën e persekutuar nga regjimi komunist. Pikërisht në këtë pjesë të kontributit të tij, në politikë, profesor Quku la një trashëgimi briliante që u bë precendent i një politike të qetë e qytetare.
Drejtoi një nga partitë më të vjetra në vend, “Ballin Kombëtar” dhe me një vizion perfekt themeloi dhe udhëhoqi një lëvizje qytetare që frenoi revanshizmin dhe hapi bazat për një politikë ndryshe.
Në vitin 1996, Mentor Quku, bashkë me një grup qytetarësh ish-të përndjekur të regjimit komunist themeloi grupimin politik “E Djathta e Bashkueme Shkodrane”, një lëvizje e cila i kthye në pasqyrën morale të shoqërisë, e cila me sjelljen në politikë të disa njerëzve të mirë e të ndershëm rifuti në politikën shqiptare qytetarinë- dhe triumfoi.
Me një fushatë model, udhëheqësi Mentor Quku, fitoi në zgjedhjet e tetorit 1996, duke konkuruar me Partinë Demokratike, e cila ishte më e fortë se kurrë atëherë. Në krye ë bashkisë së Shkodrës zgjidhet Bahri Boriçi, një pinjoll i një familje me emër por edhe një qytetar model. Kur në atë kohë, si reporter i Shkkodrës për një të përditshme kombëtare e pyeta profesor Qukun pse nuk kandidoi personalisht ai u përgjigj: “Misioni im u krye, pasi risollëm në politikë qytetarinë, por unë kam rrugëtimin tim intelektual”.
Profesor Quku, e arriti një objektiv të jetës së tij duke luftuar me qytetari dhe pa e hequr kurrë të qeshurën dhe gazin. Kurrë, asnjë sharje apo fjalë denigruese për kundërshtarët, por vetëm argument dhe doktrinë. Shkodra e kuptoi dhe e përkrahu Mentor Qukun, i cili më pas u tërhoq në jetën e tij intelektuale në vitin 1997 kur politika u egërsua dhe kur argumenti u braktis. Në skenë dolën të fortët dhe mjetet e egra.
Iu rikthye studimeve të tij, atyre të “rëndave” për të cilat ishte angazhuar prej vitesh. Dhe zgjodhi “Gjigandin e pazbuluar” apo ‘Ajzbergun e Kulturës”, të madhin Ndre Mjeda, për ta sjellë tek shqiptarët me gjithçka ka bërë, gjithçka me detaje, pasi Mjeda njihej vetëm për një pjesë të vogël të veprës së tij.
Dhe me një përjekje titanike studimore e arriti misionin e radhës.
Përgatiti dhe botoi plot 14 vepra studimore me një kolanë të plotë të Ndre Mjedës, duke i lënë kulturës shqiptare, një pasuri të jashtëzakonshme.
Mjedisi intelektual i qytetit të Shkodrës, si edhe mbarë komuniteti i studiuesve të letërsisë shqipe, e kanë vlerësuar dhe e çmojnë në mënyrë të veçantë kontributin e Mentor Qukut, puna e të cilit tashmë shërben si referencë e pazëvendësueshme për studimet shqiptare, e në veçanti për studimet mbi Ndre Mjedën dhe mbi veprën e tij. Këtë e dëshmon, së fundi, edhe botimi i numrit të parë të revistës studimore “Mjedologji”, e cila përmban njëzet punime mbi Ndre Mjedën nga studiues të konfirmuar të të gjitha trojeve shqiptare dhe i kushtohet mjedologut Mentor Quku.
Për kontributin e tij, Z. Mentor Quku është vlerësuar me medaljen “Mësues i Merituar” (1991) dhe “Mirënjohje e qytetit të Shkodrës” (2011). Së fundi atij iu akordua edhe titulli ” Profesor Nderi”, i Universitetit të Shkodrës.

Filed Under: ESSE Tagged With: Intelektuali, Mentor Quku, në politikë, që solli qytetarinë, shumëdimensional

Artikujt e fundit

  • “ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË BOTË DHE NË MËNYRË TË VEÇANTË I MËRGATËS TONË KOMBËTARE NË SH.B.A”
  • SHQIPËRIA, LUFTA DHE KRIZA E ÇMIMEVE, SI DO NDRYSHOJNË EKUILIBRAT
  • NË BE ME STANDARDE TË PLOTËSUARA DHE JO ME RETORIKË SARKASTIKE
  • KALATË PELLAZGE TË GANJOLLËS, PECËS E XIBRIT 

  • Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajčák takime në Kosovë
  • BETEJA E FUSHË-KOSOVËS 1389 DHE TRASHIGIMIA E SAJ…! 
  • President Biden and World Leaders Affirm Unity at the G7 Summit in Europe
  • KOSOVA PARA 33 VITEVE, DAULLE LUFTE TË SERBISË NË DITËN E VIDOVDANIT
  • Pikniku vjetor i AADLC dhe shkollës shqipe “Children of the Eagle”
  • Mundësi të barabarta? – Endërra në sirtar!
  • 20 vite më parë, Familja Mbretërore kthehej përfundimisht në Atdhe
  • “UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË
  • DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT
  • Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York
  • Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT