• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2020

Osmani forcave të NATO-s:THANK YOU!

June 12, 2020 by dgreca

– Ju na shpëtuat ne dhe shpëtuat civilizimin tonë!

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr. Vjosa Osmani, së bashku me kreun e KFOR-it, ambasadorë të Qunitit dhe deputetë, vendosin lule te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të KFOR-it/

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dr. Vjosa Osmani, komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, gjeneral Michele Risi, ambasadorë të shteteve të Quintit, diplomatë dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, në Ditën e Paqes kanë vendosur lule te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të KFOR-it në sheshin “Nëna Terezë”.

Në një fjalë rasti, kryeparlamentarja Osmani, duke rekapituluar historinë e kësaj dite ka thënë se në Kosovë s’kishte përballje mes dy shtetesh, por kishte konfrontim mes dy botërash.

 “Vlerat tona të lirisë dhe tolerancës po përballeshin me barbarizmin. Këtu vetë ekzistenca e civilizimit tonë po mbahej në teh”, ka thënë zonja Osmani. Sipas saj, Kosova do të jetë gjithmonë falënderuese ndaj aleatëve që i erdhën në ndihmë në luftë.

 “Vetëm kur i shihni gjërat në dritë të atyre vuajtjeve dhe të asaj situate të pashpresë, mund të filloni ta kuptoni se sa shumë jemi falënderues ndaj jush për ndihmën tuaj. Ajo çfarë ndodhi në Kosovë ishte një betejë për shpirtin e civilizimit tonë. Duke na ardhur në ndihmë – duke shpëtuar njerëz të pafajshëm të cilët gjendeshin në kthetrat e një regjimi barbar – ju na shpëtuat ne dhe shpëtuat civilizimin tonë”, ka thënë kryetarja e Kuvendit.

Filed Under: Featured Tagged With: NATO, Thank You, Vjosa Osmani

SHQIPTARËT NË BUDAPEST DHE HUNGARIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19

June 12, 2020 by dgreca

Musa Ahmeti, Profesor Doktor i Shkencave të Mesjetës nga Qendra për Studime Shqiptare në Budapest, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, përballjen e shqiptarëve në Budapest me pandeminë globale dhe situatën në Hungari përgjatë betejës së shtetit ndaj Covid-19. Intervistëdhënë gazetarit Sokol PAJA.

HUNGARIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19

Budapesti është një nga metropolet më të bukura të Europës. Është shumë i veçantë me arkitekturën perandorake mesjetare dhe atë bashkëkohore, me një popullsi të civilizuar me kulturë të lartë dhe shumë miqsore, e cila shquhet për traditën e solidaritetit dhe respektimin rigoroz të ligjit. Qyteti frymon lirshëm me Danubin që e ndan përmes, me urat e bukura që lidhin dy brigjet, dy jetët, të lashtën me bashkëkohoren.Nuk e kishim menduar ndonjëherë që këtë qytet me një mori turistësh, me një gumëzhimë e lëvizje njëzet-e-katër-orëshe ta shikonim të boshatisur: pa lëvizje, pa njerëz, pa turistë, pa studentë e nxënës, pa qytetarë e mysafirë nga të katër anët e botës. Edhe kjo ndodhi! Ndodhi atëherë kur më së paku pritej. Lajmet për përhapjen e një Pandemie në shkallë botërore, në Hungari, në përgjithësi, dhe në Budapest, në veçanti, u pritën me dyshime derisa “kurba” filloi të pushtojë qytete e shtete. Qeveria hungareze mori masa të menjëhershme. Filloi aplikimi i lëvizjeve të kufizuara, gjë e pamenduar ndonjëherë, kujdesi i shtuar dhe përfundimisht mbyllja. Qyteti nuk frymonte më me gjallërinë e mëparshme. Rrugët e bukura, që shkëlqejnë nga pastërtia mbetën bosh! Nuk kishte as edhe një njeri të vetëm, përveçpolicisë. Banorët e Budapestit, filluan të zbatojnë me përpikmëri dhe korrektësi tërë udhëzimet qeveritare. Mbyllja në apartamente, shtëpi e vende të tjera u menduan se do ishin për një kohë të shkurtër, të përkohshme. Nxënës e studentë, punëtorë e bujqër, turistë, mysafirë etj, u mbyllën me një qetësi të admirueshme duke u kujdesur për shëndetin e tyre fillimisht dhe të tjerëve pastaj.

SHQIPTARËT NË BUDAPEST

Ne, një familje shqiptare, e ndodhur mu në zemër të Budapestit (në sheshin e Bazilikës), e përjetuam boshllëkun e pamenduar ndonjëherë, mjaft rëndë. Të mësuar me lëvizje të shumta, me punë në shkollë, universitet dhe angazhime të tjera ditore publike e zyrtare, u ndodhëm të befasuar. Komunikimi me shqiptarët që jetojnë në Budapest e Hungari, ishte vetëm me celularë! (Në Hungari jetojnë rreth tri mijë shqiptarë. Pjesa dërmuese janë bukëpjekës nga Kosova, disa familje nga Shqipëria, një numër i vogël nga Maqendonia dhe Lugina e Preshevës. Në këtë numër nuk janë llogaritur edhe rreth 350 studentë nga trojet shqiptare në të gjitha nivelet e studimeve të cilët janë krenaria jonë). Nga dita e parë e deri me sot, për fat të mirë, sipas informatave që ne kemi, nuk kemi asnjë të infektuar, e as të vdekur në komunitetin shqiptar në Hungari.Nga dritarja e apartamentit shikonim (duke filluar që nga 11 marsi) ardhjen e pranverës! Lulet e gjethet që zbukuronin rrugët dhe Sheshin e Lirisë që e kemi afër. Kjo ishte pakuptueshme për ne, si lulet, gjethet, bari dhe aromat e mrekullueshme pranverore të mos i shijonim dot. Ti shikonim, por mos t’i preknim, mos t’i ndjenim? Fëmijët filluan mësimin në platformën shkollore “Online”  ashtu si edhe Etleva.  Ne, me Etlevën, për të “vrarë kohën” iu kthyem mesjetës. Kjo sikur na bënte të shikojmë Budapestin nga një prespektivë tjetër, të rëndë, të zymtë dhe shumë krenar.

Nuk po kontrollonim kohën, nuk po pajtoheshim me mbylljen brenda apartamentit, por duke parë të tjerët, fqinjët, kolegët, mjekët… policët, e mbanim veten, me shpresë se neser do kemi një “lajm të mirë” që kjo “ëndërr e keqe dhe e papritur” iku. Ditët po iknin njëra pas tjerës, filluan numërimet e të infektuarve, të të shëruarve dhe të vdekurve! (Gjej rastin të shënoj informacionet zyrtate për Hungarinë rreth Pandemisë COVID 19: në karantinë: 8.805 persona, të infektuar: 4.027; të shëruar: 2355 dhe të vdekur: 551). Edhepse vetëm 250 metra larg Universitetit, apo 375 metra larg Danubit, ne filluam të lëshonim imagjinatën tonë, se si ishin apo dukeshin ato… dhe të tjerat, sheshet, rrugët, klubet, parqet, shkollat, këndet e lojërave, palestrat e shumta sportive, llixhat e mrekullueshme me ujin e tyre kurues, metrotë, dyqanet, restorantet… Na dukej sikur nuk kishim qenë ndonjëherë…

LIRIA PAS MBYLLJES

Dhe pas 64 ditësh mbyllje (më duket fjalë e rëndë izolim total) filluam të frymonim! Dalja e parë, ishte e çuditshme! Nuk po mësoheshim me dritën e fortë të diellit, me ajrin që të përkëdhelte me dashuri, sikur dëshironte të largonte tërë ato ditë zymtësi apartamenti. Çuditërisht, bashkëqytetarët ishin tërë me maska, me doreza, me syze (një modë e re do thoshte Hana)… uleshin në distancë, mbanin radhë kudo dhe kishin fituar një durim të pabesueshëm… Kjo na bëri shumë përshtypje. Kishim afër furrtarët hasjanë, miq e shokë të Argit. Na kishte marrë malli për ta, për Kamerin, Dinin e vëllëzërit e tjerë, të cilët gatuanin sipas porosisë për ne dhe të tjerët. Ishin të palodhshëm, të dashur dhe shumë korrektë.

Pamë Danubin nga Ura e Luanëve. Ishte i qetë. Nuk kishte as edhe një anije, varkë apo motoskaf! Nuk e kishim parë asnjëherë më parë të tillë… Buzë tij, qëndronte hijerëndë “Ura e Luanëve,” “Akademia Hungareze” dhe “Kisha e Shën Anës” të ndërtuara nga filantropë e biznesmenë shqiptarë, dy të parat nga familja e mirënjohur Sina dhe e treta (kisha e Shën Anës nga prifti shqiptar Gjergj Vladani). Rrugës, edhepse ishin hequr masat e ndalimit të lëvizjeve, nuk kishte lëvizje, turistë, qytetarë…. Jo vetëm në rrugë e kudo përreth, por edhe në shpirt ndjehemi bosh tha Ina me humorin e saj të hollë.

OPTIMIZËM: UNË JAM RRUGA, E VËRTETA E JETA

U ndalëm para Bazilikës, nga ku shihnim dritaret e apartamentit tonë, duke shikuar mbishkrimin ballor: “Ego sum via veritas et vita. /Unë jam rruga, e vërteta e jeta“ e ndjemë se sa të afërt kishim qenë me Zotin. Tërë kohës, me përkushtim e dëshirë kishim lexuar librat e shenjtë të kohës, por edhe të mesjetës. Dokumentet, dorëshkrimet, inkunabulat, librat antikuarë, të cilët mbushin raftet e bibliotekës sonë. Lexuam edhe mënxyra nga e kaluara që më parë, na dukeshin si përralla. Tani që i përjetuam vetë, besimi në Zotin, në të vërtetën, në shpirtin e shenjtë u bë diçka e kapshme, e afërt dhe e dashur thënë më mirë e pandashme në jetën tonë të mbetur për ta jetuar.Gjatë tërë kohës, prej më shumë se dy muaj (saktë 64 ditë), frika e vdekjes ishte e pranishme te shumica e atyre me të cilët bisedonim. Një frikë nga ajo që nuk kemi qenë të mirë, nuk kemi bërë vepra të mira, nuk kemi respektuar dhe nderuar tjetrin sa duhet, nuk kemi besuar sa duhet në Zotin, po na gërryente nga brenda. Qetësia e vetme ishin librat e shenjtë.

BASHKË GJITHNJË E MË TË FORTË

Jeta, dëshira për të jetuar, u bë një nga qëllimet parësore, duke bërë çfarëdo që na jepte rasti për të mundur të keqen. Solidarizimi, bashkëpunimi, adhurimi u bënë gjëra të përditshme. Ne filluam të kuptojmë dhe shikojmë botën me një sy tjetër. Kjo gjë, sot na bën të ndjehemi, shumë më të përgjegjshëm për besimin, për Zotin, për të vërteten, duke ndjerë se bashkarisht mund të ngadhnjejmë mbi të keqen. I gëzohem qëndrimit të mrekullueshëm të Inës, Argit e Hanës, të cilët me sjellje shembullore na ndihmuan të përballoljmë më lehtë çdo gjë, dhembje, mërzi, dashuri, pritshmëri…

Sot, shikon më pak lëvizje se një vit më parë; shikon bashkëqytetarë që me durim presin radhën në dyqan, në klub, në metro, në bus… kudo:një ves ky i ri i sjelljes së njerëzve i imponuar nga e keqja, që po duket se po bëhet përditshëri.Nga këtu ne ndjekim zhvillimet në Shqipëri e Kosovë e gjetiu. U gëzuam kur morëm informacion se me datën 15 qershor mund të udhëtohet me avion në Tiranë e Prishtinë. Ndjejmë mall, për familjarët, të dashurit tanë, kolegët e punës, stafin, gjuhën… për çdo gjë.

Jeta ka filluar t’i kthehet normalitetit, ngadalë, por me hapa të sigurtë. Rrugët, sheshet, klubet, bibliotekat, arkivat, universitetet, shkollat, muzetë, llixhat… kanë filluar të hapën ose po bëhen gati të hapen.Sjellja e bashkëqytetarëve budapestas është e mrekullueshme! Kemi ndryshuar të gjithë. Ndjejmë përgjegjësi për tjetrin, kuptojmë më mirë hallexhiun, respektojmë më shumë veten dhe ligjin… të gjitha këto, për hir të një të ardhmeje të bukur, të ndritshtme, për hir të jetës!

Filed Under: Featured Tagged With: Prof. Dr. Musa ahmeti, Shqiptaret ne Budapest, Sokol Paja

VATRA NË KOHËN E KORONAVIRUSIT- DEGA NË JACKSONVILLE (NORTH FLORIDA)

June 12, 2020 by dgreca

-Sipas bisedës me nënkryetarin e Vatrës,kryetar i degës North Florida, Adriatik Spahiu-/

Dega e Vatrës në Jacksonville është krijuar nga kryetari i sotëm i saj, njëkohësisht nënkryetar i Federatës z. Adriatik Spahiu me 18 nëntor 2012, 8 vite të shkuara.
Rrethanat e krijimit të degës janë këto: Z, Spahiu i kishte lidhjet shpirtërore me Vatrën përmes gjyshit të tij Asllan Maksut Tolari, i cili ishte pjesë e bordit të degës së Vatrës në Neë Hampshire, që në krijimin e asaj dege. Kur po bëheshin përgatitjet për festimin e 100 vjetorit të themelimit të Federatës Pan Shqiptare të Amerikës “Vatra”, z. Spahiu kontaktoi me editorin e sotshëm të Diellit dhe shfaqi dëshirën që me gjithë familjen të merrte pjesë në festën madhështore të Vatrës në Neë York. Gjatë mbrëmjes gala, u shkel protokolli, dhe Adriatiku e mori fjalën dhe përshëndeti në emër të komunitetit të Floridës dhe u zotua se do të ngrinte degën e Vatrës në Jacksonville. Fjalën e mbajti dhe dega u krijua.
Po si e kanë kaluar vatranët në Jacksonville Pandeminë e Koronavirusit?
Për t’iu përgjigjur pyetjes, biseduam me z. Adriatik Spahiu.
Vatranët që jetojnë në Jacksonville e kanë përballuar Pandeminë pa ngjarje të jashtzakonshme, duke respektuar vendimet dhe urdhëresat e Guvernatorit.
Pyetjes :Nëse ka pasur në radhët e vatranëve apo familjeve të tyre të prekur nga COVID-19, si dhe për gjendjen e komunitetit shqiptar atje- Z. Spahiu përgjigjet: Fatmiresisht nuk ka te prekur as nga vatranët dhe familjet e tyre, as nga komuniteti. Në Jacksonville vazhdon të ndiqet situata e Pandemisë me vëmendje dhe respektohen fazat e rihapjes së bizneseve. Krahasuar me zonat e tjera të Floridës, Jacksonville ka tregues më të ulët, veçanërisht po t’i krahasosh me Miami, apo Palma Beach.
Si paraqitet situate e tanishme në shtetin e Floridës?
– Për numrin e të infektuarëve, Shteti i Floridës renditet i teti(pas Michiganit) me 69 mijë e 100 të infektuar deri në mbrëmjen e së Enjtes, me 11 qershor 2020. Gjatë ditës së enjte u raportuan 1 mijë 698 të infektuar të rinj. Numri më i madh i të infektuarëve i takon Miamit me mbi 20 mijë të infektuar(gjatë së enjtes u raportua për 271 të infektuar të rinj), ndërsa numri i të vdekurëve në të gjithë Floridën deri të enjten, u regjistruan gjithsej 2 mijë e 851 viktima, vetëm të enjten u regjistruan 48 të vdekur. Sërish qëndron në krye Miami me 798 të vdekur në tërësi, më pas vjen Palm Beach me 407 të vdekur, dhe me rreth 8 mijë të infektuar ,ndërkohë që Jacksonville ka rreth 1 mijë e 800 të infektuar dhe mbi 50 të vdekur.
Florida i ka kushtuar kujdes testimit të popullatës duke arritur që të testojë deri tani rreth 1 milion 307 mijë e 728 persona(duke testuar 60 mijë e 888 persona për 1 milion banorë). Gjithësesi beteja nuk ka përfunduar dhe parashikimet janë se deri në tetor numri i viktimave do të rritet.
Spahiu tregon për Diellin se ai dhe kryesia e degës i ka mbajtë lidhjet me anëtarësinë e degës, por edhe me degët e tjera të Vatrës.
Vatranët ashtu si e gjithë masa e qytetrave i janë bindur urdhërave dhe udhëzimeve të karantinës duke mos shkaktuar asnjë problem.
Komunikimet, thotë Spahiu, i kemi patur të rregullta dhe me shoqatat e tjera të komunitit, me qendrat dhe institucionet fetare si dhe me Konsullatat dhe Ambasaden Shqiptare dhe atë të Kosovës.
Pyetjes për gjendjen e anëtarësisë pas Kuvendit të Janarit 2020 në Detroit, Spahiu iu përgjigj: Nuk kemi rënie të anëtarësisë. Dega e Vatres në Jacksonville, si një nga deget më të mëdha të Federatës, vazhdon zgjerimin me antaresime të reja.
Ka kohë që në Jacksonville, ashtu si në të gjithë Floridën, ka filluar rihapja e bizneseve dhe po ecet hap pas hapi sipas udhëzimeve të kalimit nëpër faza.
Gjendja e bizneseve të bashkatdhetarëve, natyrisht nuk është e mirë, pasi janë duke u përballur me veshtiresite dhe pasojat e korona virusit dhe tash pas hapjes ka kufizime.

Për Spahiun situata e vështirë ka mbetë pas dhe ai beson se situate do të vijë duke u përmirësuar. Vështrimi është hedhur tek e ardhmja.
Madje ditën e sotme, 11 qershor, gjatë një konferencë shtypi në Viera, Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, njoftoi se shteti ka hartuar edhe një plan për hapjen e shkollave publike me “kapacitet të plotë” këtë vjeshtë.

Filed Under: Featured Tagged With: Adriatk Spahiu, dalip greca

NDËRROI JETË NË DETROIT RAMADAN SMAJA

June 11, 2020 by dgreca

[Gallery not found]

VATRA MGUSHËLLON FAMILJET SMAJA DHE GRISHAJ/

Redaksia e Gazetës “DIELLI” ka marrë këtë njoftim familjar: Me hidhërim të thellë , Familja Smaja lajmëron të afërmit dhe miqtë se, sot me datën 11 Qershor 2020, kaloi në jetën e përtejme , bashkëshorti dhe babai ynë, Ramadan Maliq Smaja. Lindur në Shkodër me, 5 Gusht 1946 . Ramadani ishte , bashkëshorti i Minire Smaja (Pateriku) , babai i Mirela Grishaj(Smaja), Erin Smaja.Vëllau i Dervish dhe Ruzhdi Smaja, Naxhije Bala(Smaja).
Vjehrri i Alfons Grishaj. Gjyshi i Almit , Gerhardi, Aurora dhe Kevin Grishaj.

Lajmërojmë se, pritja bëhet në Funeralin Wujek Calcaterra , me datën 13 nga ora 9 deri në 12 .
Adressa 54880 Van Dyke Avenue,Shelby Tvp,Mi 48316.
Më pas trupi i të ndjerit do përcillet për në banesën e fundit.
Adresa “Guardian Angel Cemetery” 4701 Rochester Road Mi 48307.
Shpirti i tij pushoftë në paqe!

Z. Elmi Berisha, në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”, në emër të kryesisë, Këshillit, degëve dhe në emër të gjithë vatrannëve  përcjell ngushëllimet më të thella për familjet Smaja dhe Grishaj. I pushoftë shpirti në Paqë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Mirela Grishaj, Ramadan Smaja

LIDHJA E PRIZRENIT-FRYMËZIM PËR BREZAT

June 11, 2020 by dgreca

Trojet shqiptare “nuk janë një shportë me fiq”, për t’ua shpëndarë miqve peshqesh/

                                                        Nga Frank Shkreli/

Sipas një numri burimesh historike, Kuvendi Kombëtar i Lidhjes së Prizrenit u hap më 10 qershor 1878, por jo të gjithë pjesëmarrësit e krahinave shqiptare që duhej të ishin aty mundën të arrinin në kohë.  Sipas historianëve, nga ata që mungonin ditën e parë ishin delegatët e vilajetit të Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin penguar intrigat e valiut turk, Hysen Pashës. Po ashtu, nga vilajeti i Janinës arritën vetëm dy delegatë, njëri nga të cilët ishte Abdyl Frashëri, pasi të tjerët ishin ende në udhëtim.  Si rrjedhim nuk dihet numri i saktë i delegatëve që morën pjesë ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes së Prizrenit.

Thuhet se në hapjen e Kuvendit morën pjesë rreth 110 emra, shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës, sipas burimeve.  Ishin këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë.  Shënohen emra të njohur personalitesh të shquara politike të së kaluarës, por edhe emra të rinj që po hynin në jetën politike të vendit, figura që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Perandorisë Osmane ose që kishin luftuar prej kohësh kundër ushtrive të vendeve fqinje ballkanike.  Objektivi kryesor i pjesëmarësve në Kuvendin e Lidhjes mbarë Shqiptare të Prizrenit ishte përpilimi i një platforme politike me kërkesat e shqiptarëve, që do duhej t’i paraqitej Fuqive të Mëdha para se fillonte punimet Kongresi i Berlinit disa ditë më vonë. 

Në këtë përvjetor, po e kujtojmë këtë ngjarje të madhe historike për Kombin Shqiptar, si dhe pjesëmarrsit në atë Kuvend mbarë-kombëtar – me përvujtëri, modesti dhe me respektin më të madh për burrat e Kombit të Lidhjes së Prizrenit – me ndihmën e Poetit të Kombit, At Gjergj Fishtës, i cili i ka kushtuar Lidhjes së Prizrenit, Këngën e IX të veprës së tij madhështore, “Lahuta e Malcisë”.  Në këtë poemë, Fishta fton Zanën e maleve që së bashku me ‘të, të këndojë në “Lahutë”, ngjarjen historike të shqiptarëve, që është Lidhja e Prizrenit. Ai e fillon vjershën me thirrjen e Ali Pashë Gucisë, “Fill me dalun në Prizren, për me ngreh aty kuvend, e si motit për Atdhe, me lidhë besë me lidhun fe”.  Ali Pashë Gucia qet kushtrimin anë e mbanë trojeve shqiptare për të mbledhur në Prizren, burrat më në shenjë, “Krenët e Shqyptarisë”, të Gegërisë dhe Toskërisë.  Duke iu përgjigjur kushtrimit të Ali Pashë Gucisë, turren kreshnikët e Kombit në qytetin zëmadh të shqiptarëve:

                            M’ato maje të Prizrenit

                            Ku kanë ndejun rend pas rendit

                            Me Ali Pashën në krye të vendit…

                            …Ai nuk asht, more lum vasha

                           Tjetërkush veç se Ali Pasha

                           Që për të drejta të Shqyptarisë

                           Vet ia jep zjarmin shtëpisë,

                           E s’i dhimben nanë as djal:

                           Për to jetën vet e falë.

Në poemën e tij, “Lidhja e Prizrendit” Fishta përmend disa prej krerëve shqiptarë më në zë të asaj kohe, pjesëmarrës në kuvend dhe u këndon atyre si grup i dalluar dhe i zgjedhur ndër shqiptarët e asaj kohe dhe hapësire shqiptare:

                                      “Jo që ka aty burra të tjerë,

                                       Bajraktarë, Krenë e Beglerë

                                       Që për fjalë e për urti

                                       Për trimni, për bujari

                                       Nuk ia lëshojnë vendin kurrkuej

                                       As në Shqipni as ndër të huej…”

Ndër  pjesëmarrësit e njohur në Kuvendin e Lidhjs së Prizrenit, në poemën kushtuar Lidhjes së Prizrenit, Fishta i dedikon disa rreshta Vat Marashit, bajraktarit të fisit të Shkrelit:

                                        “E njaj tjetri ma përtej

                                        Me ata dy mustakë të mëdhej

                                        Me i prekë m’shoq që ka për bri vedi,

                                        Ai nuk ashtë, jo Diomedi,

                                        Por ashtë Bajraktari i Shkrelit,

                                        Si njaj pyrgu m’ball të kështjellit,

                                        Që s’e tremb as topi as shpata,

                                        E i thonë emnit Marash Vata…”

Në Epopenë Kombëtare të Fishtës, “Ora e bardhë e Shqipënisë”, i shef krerët e Shqiptarisë, “Trima në za, burra me nderë”, të mbledhur aty në Prizren – nga mrizet e lartësive të malit më të lartë, Lubotenit, ku e Mira ka ndejën e vet , ndërsa gëzohet dhe thërret Zanën e Sharit –

                                  “Në gjuhë të ambël të Shqyptarit,

                                   Thirrë i paska Zanës së Sharit”, dhe e pyet nëse i njihte ata burra të rreshtuar në Kuvendin e Prizrenit. Zana, disi e habitur para asaj pamjeje madhështore të homeridëve të rinj, kujton se Shqiptarët e mbledhur aty, mund të jenë Akejt e vjetër që dikur kishin “kallur” Trojën ose, ndoshta, mund të ishin Dardanët. Ban buzën në gaz Ora e Maleve dhe i shpjegon Zanës motër se ata nuk ishin:

                                     “As Akejë, as s’janë dardanë,

                                      as vigaj, as katallaj”,

Por ishin pjesëmarrësit heronj shqiptare, ndër ta: Ali Pasha, Marash Vata, Abdyl Frashëri, Prenk Bib Doda, Toptani, Zogolli, Gjetë Gegë Shllaku, Çun Mula, Mar’ Lula, Dod Preçi, Vrioni, Deralla, Shan Deda, Abdullah Dreni…

Ndërsa Abdyl Frashërit, At Gjergj Fishta i jep atij një vend të veçantë duke portretizuar atë kështu në poemën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit:

                            “A e she’ ‘i herë njat burrë zeshkan,
                           Me kollçikë e me fistan,
                           Që m’ a ka synin si zhgjeta,
                           Që m’ i bajn t’ gjith t’u ngjatjeta,
                           E që folka ashtû pa u zé,
                           Herë tue mâtë, mandej tue pré:
                          Që prandej njat fjalë që e flet,
                          Mbreti as Krajli nuk i a shklet:
                          Pse edhè e tij bujare
                          Permendë âsht n’ tokë Shqyptare
                          Për kah pupla e për kah dija,
                          Pá të cilat s’ rron Shqypnija?
                         Ai âsht trimi Frashër Begu,
                         Që gjithkund, ku e qiti shtegu,
                        I la naâm aj Toskënís,
                        Faqe t’ bardhë i la Shqypnís.”

Fishta përcjell në poemën e tij mbi Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit se, ndërsa Ora dhe Zana bisedojnë me njëra tjetrën, Abdyl Frashëri hap Kuvendin dhe flet me një gojtari të shquar, si i përket derës së tij letrare, mbi vjetërsinë e fisit shqiptar, kulturën e lashtë të tij, trimërinë e qëndresën gjatë shekujve, dashurinë për Atdhe dhe për luftërat e racës shqiptare për të ruajtur pavarësinë. Abdyl Frashëri vazhdon fjalën e tij duke bërë thirrje për daljen zot të trojeve shqiptare të sakatuara, për shpëtimin e tokave shqiptare, Hotit, Grudës e Plavë e Gucisë nga Mali i Zi. Ndërsa Bajraktari i Shalës, Mar’ Lula, në interpretimin e At Gjergj Fishtës, i thotë Kuvendit se për të dhe për shqiptarët mbarë, si shkjau, si turku, janë armiq të njëjtë. Në fund, sipas vjershtarit të “Lahutës së Malcis”, Ali Pashë Gucia propozon që nga Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit t’i dërgohej një letër Fuqive të Mëdha të asaj kohe dhe mbretit në Stamboll – “Të shtatë krajlave dhe Mbretit të Stambollës”, duke thekësuar se trojet shqiptare nuk janë as të italianëve, as të ‘hinglizvet, as e francezëvet’, as të gjermanëvet e as e sllavëve, grekëve dhe as otomanëve, këndon Fishta. Ai ka përfunduar vjershën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit, se Mbretit të Stambollit, i cili “do t’ia falë Shkodër e Malci”, Knjazit të Malit të Zi, t’i thuhet se Shqipëria nuk “ashtë një shportë me fiq”, për t’ua shpëndarë miqve peshqesh:

                                “Por ashtë toka e t’Parvet tanë,

                                  Asht Atdheu, po, i Skanderbegut…

                                 Prandej s’ka as Krajl as Mbret

                                 Që ket tokë e falë a e shet…”

A ka sot burra Shqiptaria, që të frymëzohen nga burrat e Kuvendit Mbarëshqiptar të Prizrenit që — mbi të gjitha — të mbrojnë interesat kombëtare dhe të mos shesin, as mos të falin tokat dhe interesat kombëtare të shqiptarëve, përfshirë edhe ato ekonomike, për interesa afat shkurtra personale e partiake? Në këtë udhëkryq të historisë së Shqiptarëve dhe në këtë përvjetor të Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit,

nga do t’ia mbajnë udhëheqsit e sotëm shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë. Si e kanë ndër mend të dalin nga ky qorrsokak në të cilin e katandisur Kombin?  Nga do ta drejtojnë këta sot timonin e fatit të Kombit?  Drejt një rruge pa krye që çon në greminë, në të cilën duket se, me konfliktet aktuale politiko-ekonomike, ata janë nisur sot — apo do të frymëzohen nga bashkimi i burrave të Lidhjes së Prizrenit—duke hequr dorë nga dallimet e thekësuara politike dhe ekonomike drejt horizonteve të reja për shqiptarët, duke rënë dakort për një platformë të re moderne mbarëkombëtare, në përputhje me nevojat dhe interesat madhore të Kombit në shekullin 21.  Një prej kërkesave të Lidhjes së Prizrenit ishte edhe shpallja e një Bese të përgjithëshme në bazë të cilës duhej të pushonin menjëherë të gjitha konfliktet që çonin në hakmarrje midis banorëve të krahinave të përfaqësuara në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit.  A jeni ju gati të deklaroni një paqe politike midis jush, e të lidheni besa-besë, si burrat e Kuvendit dikur, që nam e nder t’i leni vetes dhe Shqipërisë?!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Lidhja e Prizrenit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT