• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2020

NIKOLLA P. QAFOKU NJË SHKENCËTAR SHQIPTARO-AMERIKAN QË NA NDERON

July 19, 2020 by dgreca

SHKRUAN:FRANK SHKRELI-

E kam thënë shpesh se komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos këto 30-vjetët e fundit, është rritur dhe është pasuruar me njerëz të dijes, në fusha të ndryshme, përfshirë bizneset e llojllojshme, teknologjinë informative, fushat akademike, mjekësinë dhe shkencën, vetëm për të përmendur disa profesione në fusha me rëndësi, ku pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan po e dallojnë veten, qoftë në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, këtu në Shtetet e Bashkuara.

Një prej tyre është Dr. Nikolla, “Niko” Qafoku, njëri prej pjesëtarëve më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan me arritje kulmore në fushën e tij shkencore, i njohur për veprimtarinë e tij shkencore në Shtetet e Bashkuara dhe më gjërë.  Niko Qafoku, ç’prej vitit 2000, është i punësuar pranë firmës Pacific Northwest National Laboratory (PNNL), në Richland të shtetit Washington, në veri-perëndim të Amerikës. 

Në një njoftim të Institutit Alb-Shkenca, themelues i të cilit është edhe Niko Qafoku, bazuar në burime pranë firmës (PNNL) — thuhet se ditët e fundit atij i janë akorduar dy tituj të lartë të botës shkencore në Amerikë dhe më gjërë.  Njëri prej tyre, është titulli prestigjoz, “Laboratory Fellow”, i kësaj firme të madhe e të njohur amerikane që ajo ofron për shkencëtarët më të dalluar në fushën e veprimtarisë së tyre.  Shkencëtari shqiptaro–amerikan, Niko Qafoku, sipas Institutit Alb-Shkenca – një organizatë kjo me një antarësim prej 250-300 antarësh, studiues shqiptarë në Shtetet e Bashkuara dhe nga vende të ndryshme të botës — ka marrë këto ditë gradën më prestigjoze, si studiues në PNNL (Pacific Northwest National Laboratory), një institucion ky i krijuar dhe financuar nga Departamenti për Energjinë në SHBA”, thuhet mëtej në njoftim.

Njoftimi thekson gjithashtu se, kompania “PNNL u jep titullin “Laboratory Fellow” ose “Battelle Fellow”, atyre shkencëtarëve kërkues që kanë arritur majat e fushës së tyre, e që kanë fituar njohje ndërkombëtare nga kolegët,  por edhe atyre që, njëkohësisht, demonstrojnë vazhdimisht krijimtari dhe prodhimtari të lartë në punën e tyre, në nivelet më të përsosura shkencore të profesionit të vet.  “Jemi krenarë që një nga kolegët tanë më të hershëm dhe i palodhur në Alb-Shkenca, ka korrur suksese në fushën e tij kërkimoro-shkencore.  Është me të vërtetë frymëzuese”, arritja e Niko Qafokut, bashkatdhetarit tonë me shumë vlerë – thuhet me krenari, në njoftimin e botuar në portalin e Institutit Alb-Shkenca, me rastin e avancimit të Dr. Qafokut në pozicionin e “Laboratory Fellow”, në firmën Pacific Northwest National Laboratory (PNNL).  Dr. Qafoku punon në këtë firmë për më shumë se 20 vjet, e ku këto ditë, pra, iu akordua grada më prestigjoze si studiues në PNNL.   PNNL është një institucion që financohet nga Departamenti për Energjinë në SHBA, një ent me shumë rëndësi gjeo-strategjike për sigurimin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.

Disa ditë pas njoftimit të lartëpërmendur, Dr. Qafoku mori një tjeter lajm të mirë për karierën e tij, kur e njoftuan se Shoqata Amerikane e Shkencës së Tokës (Soil Science Society of America) e zgjodhi atë si, “Fellow” të kësaj shoqate, e që është gjithashtu edhe titulli më i lartë që i akordon kjo shoqatë amerikane me reputacion ndërkombëtar, shkencëtarëve të merituar.  Në letrën përshëndetëse, me të cilën njoftohet Dr. Qofaku për seleksionimin e tij për këtë titull prestigjoz, i dyti brenda disa ditëve.  Shoqata Amerikane e Shkencës së Tokës thotë se për titullin më të lartë që i është akorduar Dr. Qafokut, kanë votuar antarët e Shoqatës, bazuar në arritjet profesionale dhe në shërbimin e merituar të tij, si shpërblim për kontributet dhe sukseset e arritura të Nikos.  Dr Qafokut do i akorodohet, zyrtarisht, titulli, “Fellow” gjatë mbledhjes vjetore të shoqatës, ndërkohë që emri dhe fotografia me një biografi të Dr. Qafokut do të vendoset në sallën “Awards Hall of Fame” të shoqatës, gjithashtu një nderim i veçant dhe i dokumentuar për gjithmonë në atë sallë, dhenë fituesve të këtij titulli prestigjoz. 

Tituj të tillë në Amerikë nuk jepen lehtë dhe as nuk sigurohen me miqësi, por bazuar në merita dhe punë të rëndë dhe serioze.  Mbi të gjitha, shpërblime të tilla varen nga sukseset përfundimtare dhe rezultatet e punës, të mirë provuara, të dokumenuara dhe të miratuara nga ekspertët e fushës.  E kam thënë edhe herë tjera, se në Amerikë askush nuk të jep gjë falas, as nepërmjet miqëve, por personat që punojnë rëndë dhe janë serioz në profesionin e tyre, u akordohen me tituj dhe shpërblime të tjera vetëm në bazë të meritave nga dhe firmat për të cilat punojnë shumë shqiptaro-amerikanë të suksesshëm, siç është shkencëtari Dr.Niko Qafoku.

Curricullum Vitae (CV) e Dr. Qafokut është vetëm një prej treguesve se me sa seriozitet, punë të rëndë dhe përkushtim total e ka marrë detyrën, gjatë viteve, Dr. Qafoku.  Megjithëse unë nuk marr vesh shumë nga shkenca, biografia e tij është një dokument i gjallë i performancës dhe provë e veprimtarisë së tij të shkëlqyer në fushën e tij.  Punën dhe profesionin prej shkencëtari të dalluar në fushën e tij të ekspertizës këtu në Shtetet e Bashkuara — ku shpeshëherë njeriu përballet me konkurencë të fortë nga ekspertët më të mirë e më të njohur në fushën e tyre — Dr Qafoku e ka zhvilluar, jo vetëm në ambientet dhe hapësirat e disiplinuara të punës së tij në këtë vend, por edhe në konkurencë me ekspertët më të njohur të fushave të ndryshme shkencore, nga mbarë bota.  

https://energyenvironment.pnnl.gov/staff/staff_info.asp?staff_num=2047

Amerika dhe kompanitë e mëdha amerikane, përfshirë ato shumëkombshet, janë tepër unike në këtë pikëpamje.  Pandaj, sukseset në punë dhe arrijtjet në fushën shkencoro-akademike të Dr. Niko Qafokut, i cili për 20-vjet punon në këtë lloj hapësire dhe ambijenti pune tepër konkurues — meritojnë të vihen në dukje, si arritje të veçanta për një shqiptare-amerikan, që na nderon.  Jo vetëm për meritat e tija që duhet ti thekësojmë si komunitet, pasi janë të rralla–por të nenvijohen edhe si shembull suksesi për rininë tonë shqiptaro-amerikane, për të treguar se me punë të rëndë dhe përkushtim të vazhdueshëm, mund të arrihen majat e suksesit, e pse jo të realizohet edhe “ëndërra amerikane”, për të cilën përflitet aq shumë.  Nënë Tereza ka thënë se, “Zoti nuk kërkon nga ne që të kemi sukses, por kërkon që të përpiqemi” të arrijmë suksesin.  Duket se Niko Qafoku ka bërë më shumë se vetëm të përpiqet.

Dr. Qafoku është me fat që bën pjesë në një grup shkencëtarësh, inixhinjerësh dhe profesionistësh të tjerë nga mbarë bota që punojnë për firmën PNNL, me misionin për të zgjidhur disa prej sfidave më të mëdha me të cilat përballet sot Amerika dhe bota, jo vetëm në fushën e energjisë.  Shkencëtari shqiptaro-amerikan dhe kolegët e tij, sipas firmës ku punojnë, e kryejnë misionin e tyre me devotshmëri, nepërmjet kërkimeve shkencore në fushën bazë të shkencave për furnizimin e energjisë por edhe në mbështetje të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, me objektivin e vetëm për të krijuar një botë e cila është në paqë, më e pastër, më e begatë dhe më e sigurt, për të gjithë.  Shikoni se çfarë ndodh kur mendjet më të zgjuara të botës punojnë së bashku për të zgjidhur sfidat dhe problemet e planetit tonë të përbashkët, thuhet në portalin e firmës Pacific Northwest National Laboratory, për të cilën punon shqiptaro-amerikani Dr. Niko Qafoku dhe e cila i akordoi titullin e lartë, “Fellow” për kontributin e tij shumë të çmuar gjatë viteve. 

Dr. Qafokun e kam takuar pikërisht 5-vjetë më parë në Nju Jork, ku ishim të ftuar me rastin e 90-vjetorit të lindjes të një shqiptaro-amerikani tjetër të shquar, Prof Sami Repishtit — i cili gjithashtu, për shumë dekada, ka lenë gjurmë të pashlyeshme me punën e tij prej edukatori dhe me veprimtarinë e tij të vazhdueshme këtu në Shtetet e Bashkuara. Poe edhe në mbrojtje të çështjes kombëtare dhe të drejtave të njeriut, kryesisht për shqiptarët në trojet tona, por edhe për njerëzit kudo, të drejtat e të cilëve janë shkelur nga diktaturat komuniste dhe despotë e diktatorë të gjitha ngjyrave, anë e mban botës, përfshirë tokat shqiptare.  Me atë rast, Dr. Qafoku më tha se kishte ardhur pasi  për Profesor Sami Repishtin kishte dëgjuar për herë të parë në programet e Zërit të Amerikës, aty nga fillimi i 80-ave.  Kishte ardhur nga ana tjetër e Amerikës, një largësi mjaft e madhe, nga shteti Washington, për të falënderuar dhe për të nderuar profesor Sami Repishtin me rastin e 90-vjetorit të lindjes. Ishte i pranishëm, tha ai, për t’i shprehur Profesorit të nderuar shqiptaro-amerikan, falënderimet e tija për gjithëçka kishte bërë dhe po bën gjithnjë në mbrojtje të kauzave të drejta kombëtare dhe të drejtave të njeriut.  Kishte ardhur që — në emrin e tij personal dhe të kolegëve të tij shkencëtarë shqiptaro-amerikanë, të angazhuar pranë Institutit Alb-Shkenca — për të nderuar Profesor Repishtin, një kolos dhe përfaqësues i shquar i këtij komuniteti këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbijetues i burgjeve famëkeqe të regjimit komunist në Shqipëri, i cili, ka lenë gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve, ka thenë Dr. Qafoku për Prof Sami Repishtin,  

Megjithë angazhimet e tija të mëdha në firmën ku punon, Dr. Qafoku, ndonëse larg nga Shqipëria dhe Kosova, ai dhe kolegët e tij në Institutin Alb-Shkenca – nuk e harrojnë vendlindjen.  Nepërmjet Forumit të Alb-Shkencës ata janë pranë Atdheut dhe në bashkpunim të drejt për drejt me kolegët e tyre në trojet shqiptare.  Rreth 300 intelektualë të fushave të ndryshme shkencëtarësh, që përbëjnë Alb-Shkencën nga diaspora dhe trojet shqiptare, komunikojnë dhe bashkëpunojnë me njëri tjetrin për interesa të përbashkëta dhe për të parë se si – me mundësitë e tyre — mund të ndihmojnë vendlindjen, në këto kohë të vështira.  Në këtë përpjekje, Dr. Qafoku me kolegët e tij kanë organizuar gjatë viteve takime me kolegët e tyre në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku Alb-Shkenca ka degët e veta  — me qëllim për të forcuar bashkpunimin me autoritetet vendore dhe akademike, me qëllim për të zhvilluar programe shkencore, për të cilat si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë aq nevojë.  Nuk jam i sigurt se si kanë shkuar këto komunikime për bashkpunim gjatë viteve të fundit dhe çfarë rezultatesh mund të jenë arritur, por për një gjë jam i sigurt, se nëqoftse këto lidhje nuk kanë arritur sukseset e pritëshme, jam i bindur se kjo nuk ka ndodhur për arsye të mungesës së vullnetit të mirë dhe gatishmërisë së Forumit Alb-Shkenca dhe intelektualëve dhe shkencëtarëve të dalluar të kësaj organizate, si Dr. Niko Qafoku për të ndihmuar — me ekspertizën dhe përvojën e tyre shkencore — Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.

Me arritjet e tija, Dr. Niko Qafoku nderon veten, firmën për të cilën punon, e cila i ka dhënë mundësitë për të arritur majat e suksesit në profesionin e tij.  Por, ai nderon, njëkohësisht, edhe komunitetin shqiptaro-amerikan dhe emrin shqiptar në përgjithësi, në ambientet dhe në qarqet e të këtij vendi të madh, dashamirës dhe, historikisht, mik i shqiptarëve — Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Me këtë rast përshëndesim, sinqerisht, mikun dhe bashkatdhetarin tonë për titujt e lartëpërmendur dhe, njëkohësisht, urojmë që Dr. Qafoku në të ardhmen të korri edhe suksese të tjera në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe miratime dhe çmime në qarqet më prestigjoze shkencore amerikane dhe botërore.  Me punën e tij, Dr. Qafoku nderon edhe emrin shqiptar në Shtetet e Bashkuara.  Edhe për këtë i shfaqi mikut tim, bashkë me urimet dhe përgëzimet e mia më të përzemërta edhe admirimin tim të thellë për titujt prestigjoz si dhe për veprimtarinë e tij shkencore në përgjithësi këtu në Shtetet e Bashkuara.  Duhet të jemi gjithashtu mirënjohës, njëkohësisht, edhe për angazhimin e tij dhe të kolegëve për ndihmën, bashkpunimin dhe kontaktet që mbajnë me vendlindjen, nepërmjet Institutit Alb-Shkenca.  Si një shkencëtar me përmasa botërore, Dr. Qafoku është krenaria e komunitetit tonë shqiptaro-amerikan, ndërkohë që arritjet e tija në Shtetet e Bashkuara dhe ndërkombëtarisht, janë për të gjithë ne frymëzuese dhe për tu admiruar. 

Nik Qafoku

               Dr. Niko Qafoku, Laboratory Fellow Chief Scientist and Team Lead,       

              Environmental Geochemistry, Pacific Northwest National Laboratory

Dr. Niko Qafoku (ulur, i treti nga e majta në rendin e parë), në 90-vjetorin e lindjes së Prof, Sami Repishtit, Korrik, 2015

11760223_954179657980288_8439794909953287012_n

Dr. Qafoku duke mbajtur fjalën e rastit në seminarin kushtuar jetës dhe veprimtarisë së të nderuarit Prof. Sami Repishtit, me rastin e 90-vjetorit të lindjes

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr.Nikolla Qafoku, Frank shkreli, Shkencetari qe na dneron

Vllaznia shpall Tiranen Kampione. Partizani dorezon titullin

July 19, 2020 by dgreca

Nga Albano KOLONJARI-

Tirana u shpall te djelen ne mbremje Kampionia e Shqiperise per sezonin 2019-2020. Bardheblute fitojne titullin kampion pas 11 vjetesh. te gjithe duke mundur Kukesin qe ishte predetentet per titullin kampion, me rezultatin 1-0. Skuadra e Vllaznise luajti me mire se Kukesi dhe e meritoi fitoren. Me humbjen perballe Vllaznise, verilindoret e shikojne veten te ngelin pa trofe. Ne mesjave ata u eleminuan nga Teuta ne gjysemfinalen e Kupes se Shqiperise. Te djelen ne mbremje bene “vet vrasje”, duke humbur nje ndeshje perballe nje Vllaznie qe lufton per te siguruar qendrimin ne Kategorine Superiore. Tashme pritet qe Presidenti i Kukesit Safet Gjici, te shkarkoje teknikun Shehu i cili per Super Sport shprehet se :”Une mendoj se nuk ka asnje lloj rendesie se cfare do te ndodhe me Shehin. Une kam dhene 100%. Une u perpoqa te fus tek Kukesi  fizionomine time te nje ekipi dominant ne fushen e lojes. Lodhja fizike ka qene prezente, kemi zhvilluar cdo tre dite ndeshje. Besoj se Tirana ka patur me shume fat se ne:”. Te paret qe uruan Tiranen per titullin kampion ishin drejtori i Partizanit Olsi Rama, tekniku i kuq Kalari dhe tekniku i Teutes Edi Martini pas takimit Teuta-Partizani 0-0. Rama u shpreh per Gol se:”Uroj Tiranen per Titullin. E paten me te thjeshte se une kisha menduar. Shpresojme qe vitin tjeter te jemi ne kampione dhe trofeu te rrije serisht ne kryqytet.”. Kalari:”I uroj Tiranes titullin Kampion. Kam shume miq aty. Jo vetem brenda skauder por edhe jashte saj. Sic me kane uruar ata vjet i uroj edhe une. Tirana e meritoi titullin kampion.”
Edi Martini:”Tirana ka bere nje sezon te mire, fati ka qene me ta. Jam i kenaqur qe kemi mundur kampionet.”.
Vetem pak caste pas perfundimit te takimit Vllaznia-Kukesi 1-0, Presidenti i Tiranes Refik Halili u shpreh per emisonin Rubrika Sportive se:”
Te them te drejten po e shihnim ndeshjen. Jam shume i gezuar dhe i emocionuar. Nuk pushojne uritem nga te gjitha anet. Jam i gezuar qe arritem te shtojme klubit te Tiranes edhe nje trofe.
Suksesin ja kushtoj te gjithe ekipit dhe ne vencanti tifozeve qe ne kane ndjekur dhe mbeshtetur kudo. Champions ? Kemi piketiar lojtaret dhe brenda 10 ditesh do te jemi te gatshem per blerjet e reja. Ego ka nje kontribut te jashtezakonshem ne fitimin e ketij titulli. Do te ulemi dhe do te flasim se cfare do te behet ne te ardhmen”.
Teuta-Partizani 0-0
Tirana-Flamurtari 2-0
Bylis-Laci 0-3
Vllaznia-Kukesi 1-0
Luftetari-Skenderbeu 0-1

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, kampion, Shpall Tiranen, Vllaznia

Vushtrria, qytet i pasur në kulturë e trashëgimi

July 19, 2020 by dgreca

-Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Qeverisë së Kosovës, Vlora Dumoshi në Vushtrri pritet nga kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, diskutuan për projektet në resorët të cilët i mbulon ministria, në kulturë, rini, sport e trashëgimi: Vushtrria është një qytet i pasur në kulturë e trashëgimi/

-Në faqen zyrtare të komunës shkruhet historia: Vushtrria ose Vicianumi, siç është quajtur përpara sipas emrit të vjetër ilir, është lokalitet antik, që daton qysh nga mesjeta, edhe para Perandorisë Romake, përkatësisht që nga koha e dardanëve/

VUSHTRRI, 17 Korrik 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Qeverisë së Kosovës, Vlora Dumoshi, e shoqëruar nga zëvendësministrat Arber Grabovci dhe Engelbert Zefaj, kanë vizituar Komunën e Vushtrrisë për të inspektuar projektet infrastrukturore në të cilat po investon MKRS-ja.

Ata u pritën nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, me të cilin diskutuan për projektet në resorët të cilët i mbulon ministria, në kulturë, rini, sport e trashëgimi.

Pas takimit në Komunë, Dumoshi e Tahiri vizituan stadiumin e Vushtrrisë, për të cilin MKRS-ja ka projektin që ky terren sportiv të shndërrohet në stadium të kategorisë së dytë të UEFA-së.

“Vushtrria njihet me sportistë e sportiste shumë të mira. Ne si ministri kemi planifikuar të investojmë në stadium. Më parë kemi nisur ndërtimin e tribunave por që kanë mbetur në gjysmë. I kemi paraparë 600 mijë euro për stadium dhe do të punojmë ngushtë me kryetarin dhe komunën që të punojmë në bazë të standardeve të parapara evropiane, duke e përmbushur edhe një prioritet të Qeverisë Hoti, për mbështetjen dhe zhvillimin e sportit në vendin tonë”, tha ndër të tjera ministrja.

Ndërsa kryetari Tahiri e falënderoi ministren dhe MKRS-në për përkrahjen dhe investimin në shumë projekte të cilat janë të mirëseardhura për banorët e Komunës së Vushtrisë. Ai tha se Vushtrria merret shumë me futboll, ka nxjerrë futbollistë të talentuar dhe ka shkolla të futbollit të cilat kanë më shumë se 600 fëmijë, dhe se investimet e MKRS-së në këtë drejtim, shkojnë drejtpërsëdrejti në dobi të tyre.

VIZITA NË SHTËPINË E KULTURËS

Në kuadër të vizitës në Vushtrri, ministrja Dumoshi qëndroi edhe në objektin e Shtëpisë së Kulturës “Hasan Prishtina” ku ministria është duke investuar mbi 1.2 milion euro.

Ministrja Dumoshi tha se Vushtrria është një qytet i pasur në kulturë e trashëgimi dhe se shtëpia e kulturës do të jetë multifunksionale ku do të ketë hapësira për ekspozita, salla koncertale e teatrale, të cilat do të jenë në shërbim të artistëve të Vushtrrisë.

“Jemi në objektin e Shtëpisë së Kulturës ‘Hasan Prishtina’, ku e shohim një punë jashtëzakonisht të mirë të punëkryesëve, që nuk e kemi has deri më tani në këtë inspektimin tonë që po e bëjmë gjatë këtij muaji, por më e mira e kësaj salle është harmonia të cilën e kanë paraparë projektuesit ku janë të përfshira aktivitetet e ndryshme kulturore”, u shpreh ministrja.

Ministrja po ashtu foli edhe për mbështetjen e trashëgimisë në Vushtrri, ku veçoi edhe shtëpinë e Mahmut Agë Gjinollit, e cila shumë shpejt do të hapet për vizitorë dhe do të jetë një pikë referuese turistike për vizitorë të ndryshëm.

Ndërsa kryetari Tahiri e falënderoi ministren Dumoshi për tërë përkrahjen dhe përkushtimin që ka për Vushtrrinë. Ai tha se ministrja Dumoshi do të mbetet në zemrat dhe kujtesën e vushtrriasve për punën e palodhshme që po bën në mbështetje të projekteve të dobishme për Vushtrrinë të cilat do të ndikojnë që Vushtrria të ndryshojë edhe figurën e tërësishme të saj me investimet që MKRS-ja po bën në këtë komunë.

PËRUROHET PALESTRA SPORTIVE NË SAMADREXHË TË VUSHTRRISË

Samadrexha e Vushtrrisë nga sot do të ketë palestrën e saj moderne, investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në vlerë prej 860 mijë euro.

Në një ceremoni të organizuar enkas për këtë ngjarje, u inaugurua palestra sportive në fshatin i cili ka traditë në sport.

Me këtë rast, Ministrja Vlora Dumoshi, e cila ishte në vizitë në Komunën e Vushtrrisë, u shpreh se Samadrexha e ka pasur të nevojshme në palestër të tillë, si një vend që ka traditë në sport.

“Investimi i kësaj palestre që nga fillimi ka qenë i ministrisë, duke filluar nga projekti dhe deri në përfundim, me një kosto prej 860 mijë euro, por përfitimi më i madh shkon tek sportistët, qoftë tek hendbolli, basketbolli dhe sporte tjera. Faleminderit shumë për përkrahjen e djemve, po posaçërisht vajzave, që i shtyni që ato të jenë më të forta dhe të marrin përgjegjësi në çdo hap të jetës”, tha ministrja duke potencuar se prioritet i MKRS-së është zhvillimi i infrastrukturës për të krijuar hapësira të duhura për të gjithë sportistët.

Ministrja Dumoshi tregoi se edhe në vitin e ardhshëm Vushtrria do ta ketë përkrahjen e ministrisë edhe për projekte të tjera që janë në interes dhe në plotësimin e kërkesave të qytetarëve të komunës së Vushtrrisë, për sportistët, për pjesën e kulturës dhe e të trashëgimisë.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, tha se për të është nder dhe krenari, që me përkrahjen edhe të MKRS-së, Samadrexhës po i vënë në funksion një palestër moderne.

“Po i japim përfundimisht Samadrexhës atë që e ka merituar që shumë kohë. Një palestër moderne, një palestër që e bënë krenar jo vetëm Samadrexhën e Vushtrrinë, po krejt Kosovën dhe që i shkon klubit të Samadrexhës, edhe klubit të vashave edhe të djemve, sepse ju me punën e juaj, me sukseset e juaja, me trofetë e fituara për shumë vite për sport, jeni bërë padyshim emblema dhe krenaria e sportit të Vushtrrisë, të krejt Kosovës”, tha Tahiri, duke theksuar se është e rrallë që në një fshat si Samadrexha të ketë kaq shumë klube sportive dhe kaq shumë aktivitete.

Palestrën e sporteve e mirëpritën edhe banorët dhe sportistët e Samadrexhës, duke e konsideruar si një lajm të mirë përfundimin e kësaj palestre. “Një ëndërr e bërë realitet, pasi vitin e ardhshëm bëhen 50 vjet që u themelua klubi i hendbollit i këtij fshati”, u tha nga banorët.

Lëshimin e palestrës në funksion të zhvillimit të aktiviteteve sportive e vlerësuan edhe nga Federata e Hendbollit të Kosovës duke e cilësuar si një objekt modern sporti me standarde evropiane.

Samadrexha është një fshat që ka traditë në sporti që në kohën e ish-Jugosllavisë, kur në ligën e parë të federatës ka garuar klubi i hendbollit, ndërsa tani vajzat e Samadrexhës janë shpallur kampion i Kosovës.

VUSHTRRIA – VICIANUMI SIPAS EMRIT TË VJETËR ILIR, ËSHTË LOKALITET ANTIK

Në faqen zyrtare të komunës shkruhet historia:

Vushtrria ose Vicianumi, siç është quajtur përpara sipas emrit të vjetër ilir, është lokalitet antik, që daton qysh nga mesjeta, edhe para Perandorisë Romake, përkatësisht që nga koha e dardanëve. Viciana në fund të shekullit I para l. K. pushtohet nga Perandoria Romake. Gjatë periudhës së pushtimit romak (I–V) Viciana kishte arritur një zhvillim të konsiderueshëm ekonomik dhe kulturor. Pas shkatërrimit të Perandorisë Romake, Viciana mbeti në kuadër të Bizantit. Pas ndarjes së krishterimit më 1054 në katolicizëm dhe ortodoksizëm, pjesa më e madhe e popullatës së Vicianës ishte katolike. Në shekullin XIV Perandoria Osmane filloi ta pushtojë Ballkanin dhe me këtë edhe Vushtrrinë. Gjatë shekujve XV–XVIII, Vushtrria ishte ndër qytetet më të mëdha në Ballkan, në Perandorinë Osmane dhe qendër e sanxhakut më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane. Gjatë Luftës së Parë Botërore, përkatësisht gjatë viteve 1915–1918, Vushtrria u pushtua nga Austro-Hungaria. Në Luftën II Botërore (1941-1945) Vushtrria me rrethinë i takonte zonës së pushtuar nga gjermanët. Në nëntor të vitit 1944, në Vushtrri u vendos administrata komuniste jugosllave deri në luftën e armatosur të popullit të Kosovës, e organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe ndërhyrja e forcave të NATO-s (mars – qershor 1999) ku përfundimisht më 17 qershor 1999 u çlirua nga Serbia.

MONUMENTE

Kalaja e Vjetër e Vushtrrisë

Kalaja e Vjetër e Qytetit – Monumenti është i ndërtuar në pjesën qendrore të bërthamës së vjetër të qytetit të Vushtrrisë dhe tani gjendet po ashtu në një pjesë gati qendrore të qytetit. Ka mendime se Kalaja e Vjetër e Vushtrrisë është ndërtuar në kohën e JUSTINJANIT I (527-565), në kohën e mesjetës, si dhe në kohën e Perandorisë Osmane e cila mund t’ju ketë shërbyer si han (bujtinë). Ajo ka një sipërfaqe rreth 1.100 m2, pjesë e së cilës është edhe pyrgu me sipërfaqe rreth 100 m2, kurse muret e saj janë të larta 10-12 m, ndërsa trashësia e mureve është 3–4 m.

Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri

Ura e Vjetër e Gurit – Mendohet se monumenti është ndërtuar në antikën e vonë dhe gjatë mesjetës. Ura është e ndërtuar në pjesën veripërendimore ë bërthamës së vjetër të qytetit të Vushtrrisë. Ajo është e gjatë rreth 135 m dhe e gjerë rreth 6 m, e ndërtuar mbi 9 harqe, por sipas gojëdhënave thuhet se i kishte 12 harqe, të cilat janë të mbuluara me dhe. Ura e Gurit gjendet mbi shtratin e thatë të lumit “Silnicë”, uji i të cilit lumë, për shkak të përbërjes pedologjike e ndërroi rrjedhën disa dhjetëra metra në perëndim.

Hamami – (Banjoja Publike) në Vushtrri

Monumenti është i ndërtuar në pjesën veriperëndimore të bërthamës së vjetër të qytetit të Vushtrrisë. Kjo banjo përmendet nga kronikë dhe udhëpërshkrues të kohës, për të cilën mendohet se është ndërtuar në shekullin e XV, nga Gazi Ali Beu. Hamami është një ndër hamamet më të vjetra në Ballkan, i cili ka funksionuar deri vonë pas Luftës së Dytë Botërore. Ai shërbente si banjo publike për meshkuj dhe femra, të cilët pastroheshin me radhë në ditë të caktuara.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Ditet e diaspores, VUshtrria

Rahoveci para 22 vitesh, forcat serbe masakronin shqiptarët

July 19, 2020 by dgreca

-Para 22 vitesh, në korrik 1998 raportoja: Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica…Presidenti Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 19 Korrik 2020/ “Në Kosovë po ndodh Bosnja, në Rahovec po ndodh Srebrenica”, kam raportuar para 22 vitesh, në korrik 1998, për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë (Agjencinë Telegrafike Shqiptare) si dhe për Radio Televizionin Shqiptar.

Në Kosovë, si në shumë fshatra e qytete, edhe në qytetin e Rahovecit ndodhën masakra të forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Në 19 korrik të vitit 1998, si pasojë e një sulmi të forcave serbe, në Rahovec pati shumë të vrarë e të plagosur. Edhe në Tehqen e Sheh Myhedinit janë masakruar shumë gra, fëmijë dhe pleq që kishin kërkuar strehim në këtë institucion fetar.

Te vendi i quajtur “Tuba” u gjetën të masakruar dy profesorë si dhe gjashtë trupa të karbonizuar, identiteti i të cilëve nuk u mësua. Gjithsej u regjistruan 150 persona të vrarë.

Dëshmitarët që kishin arritur t’i shpëtojnë këtij krimi kanë treguar se ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë ekzekutuar civilë shqiptarë arbitrarisht.

Gjatë kësaj ofensive u morën peng, u rrëmbyen e u zhdukën shumë shqiptarë, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë. Organet e pushtetit okupues serb në Prizren, më 22 korrik 1998, në varrezat e këtij qyteti hapën dy gropa të mëdha dhe groposën shumë shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës në Rahovec.

Në raportimet për situatën në Rahovec para 22 viteve, në 23 korrik 1998 në raportin me titull “Shqiptarët e vrarë janë varrosur në dy varreza masive” raportoja se, “forcat serbe kanë hapur, të mërkuren, me eskavator dy varre të perbashketa dhe kanë groposur kufomat e mbledhura nëpër rrugët e qytetit të Rahovecit, afro një orë para ardhjes në qytet të gazetarëve dhe diplomatëve të huaj.

Sipas KMLDNJ (Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut) forcat serbe kanë vrarë mbi 50 shqiptarë, ndërkohë që nuk janë identifikuar ende shumë të vrarë e të masakruar, që kanë mbetur nëpër rrugë, shtëpi, bodrume dhe fusha.

Burime të LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës) në Rahovec besojnë se janë qindra civilë të vrarë, të masakruar, të djegur dhe të plagosur. Shtypi i Kosovës dhe burime të tjera, masakren e kryer nga forcat serbe në Rahovec, e krahasojnë me Srebrenicën.”

Ndërsa, në 24 korrik 1998, po para 22 viteve, raportoja që në titull se “Rugova kërkon mbrojtje ndërkombetare për Kosovën”.

“‘Në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rrezikshme, çdo ditë ka sulme të policisë dhe ushtrisë serbe. Ky është një spastrim i egër etnik, që ka filluar në Kosovë’, tha të premten para gazetarëve në Prishtinë, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Kerkojmë ‘mbrojtje ndërkombëtare për Kosovën dhe popullin e saj dhe të ndalohet përhapja e konfliktit në rajon’, theksoi Rugova.

‘Policia serbe nuk po lejon varrosjen e të vrarëve pas masakrave në Rahovec dhe as ardhjen e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare në Kosovë. Me mijëra shqiptarë janë larguar nga qyteti i Rahovecit dhe rrethinat e tij’, tha Rugova, duke shtuar se, edhe në rajone të tjera të Kosovës ka patur bombardime dhe të vrarë, ndërkohë që vazhdon represioni i policisë serbe.

‘Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe Bashkimi Evropian, po ndërmarrin të gjitha hapat diplomatikë, por edhe ata ushtarakë, që të mos ndodhë Bosnja në Kosovë’, u shpreh Rugova, në pergjigje të pyetjes së gazetareve.
Rugova përseriti qendrimin se ‘zgjidhja më e mirë për Kosovën është Kosova e pavarur me të gjitha garancitë për serbët lokalë dhe një protektorat ndërkombëtar si fazë kalimatare’”.

Në raportimet nëpër vite kam theksuar se, në Kosovë, në vitet 1998-‘99 forcat serbe në sulmet gjenocidale dëbuan mëse 1 milion shqiptarë, shumicën “përtej Bjeshkëve të Nemuna” në Shqipëri, vranë e masakruan rreth 12 mijë, e mijëra të tjerë i zhdukën duke i dërguar e groposur edhe në Serbi, apo edhe duke i djegur.

Sipas të dhënave të bashkësive të familjarëve të të zhdukurve, të të pagjeturve, numri i tërësishëm i të zhdukurve të Kosovës pas luftës së para 21 viteve mbërrinte afër 6.000 veta, mbi 90 për qind prej tyre ishin civilë shqiptarë, të cilët u rrëmbyen, u morën të gjallë në mënyra të ndryshme nga formacionet policore-ushtarake dhe paramilitare të pushtetit okupues serb. Menjëherë pas luftës në Kosovë edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur. Një numër i tyre, rreth 600 janë gjetur të gjallë nëpër burgjet në Serbi.

“Në Kosovë kanë ndodhur krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe akte gjenocide të forcave serbe kundër shqiptarëve”, ka deklaruar eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Prof. Dr. Zejnullah Gruda, në një bisedë që kam zhvilluar.

Ai ka folur mes mijëra e mijëra dëshmive të mbledhura gjatë viteve të okupimit e të luftës, të cilat i shpalosnim nga arkivat e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë. “Janë shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, të drejtës ndërkombëtare të luftës, të drejtës humanitare…”, ka thënë Gruda.
* Fotot i geni ne Facebook-Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Rahoveci para 22 vjet

“VATRA MANHATTAN BRANCH” SI RRUGËTIM PATRIOTIK

July 19, 2020 by dgreca

Agustin Mirakaj, Kryetari i degës së “Vatra Manhattan Branch”, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, projektin patriotik të degës me të re të Vatrës krijuar në New York, Amerikë.

Sokol PAJA – DIELLI

“VATRA MANHATTAN BRANCH” NJË MUNDESI PËR ÇDO PATRIOT SHQIPTAR

“Vatra Manhattan Branch” është dega më e re e krijuar në Amerikë, synimi i sëciles do të jetë përfshirja e intelektualëve shqiptarë patriotë të djathtë me histori suksesi të formuar në New York e më gjërë. Kjo degë e re është vazhdimi i projektit të Vatrës qëndrore nën përkujdesin e veçantë të Kryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra z.Elmi Berisha. Qëllimi i projektit “Vatra Manhattan Branch” është hapja e degëve të Vatarës në çdo shtet të Amerikës. Synimi dhe qellimi kryesor i Vatrës është themelimi i degëve të reja, forcimi i strukturave, konsolidimi i vlerave, mbajtja gjallë e atdhedashurisë, ruajtja e identitetit kombëtar dhe ndërtimi i një raporti të ngrohtë me gjithë diasporën në Amerikë, ku Vatra të shihet si shtëpia e ngrohtë e çdo patrioti shqiptar që jeton e vepron në Amerikë. Ideja e krijimit të degës “Vatra Manhattan Branch” erdhi si nevojë për përfaqësimin e shumë të rinjve e të rejave atdhetar që e duan Shqiperine.Rinia është domosdoshmëri në çdo grupim shoqëror, politik e atdhetar për energjinë e pashterrshme, frymën e re dhe mbi të gjitha shëmbullin e mirë, Vatra po rritet çdo ditë ashtu si edhe sfidat në rritje të përfaqësimit dinjitoz të kombit tonë.

RISITË E FORMACIONIT PATRIOTIK VATRAN “VATRA MANHATTAN BRANCH”

Vatra Manhattan Branch, si formacion i ri patriotik dhe atdhetar nën çatinë e Vatrës qëndrore, synon afirmimin e djemve dhe vajzave të reja që jetojnë e veprojnë në New York, rritjen e përfaqësimit gjinor, përditësimet me çështjet delikate që kalojmë si komb, promovimin e vlerave atdhetare nëpërmjet takimeve, rrjeteve sociale, platformave të ndryshme mediatike, qëndrimeve publike dhe reagimeve në lidhje me tema dhe ngjarje sensitive në historinë tonë. “Vatra Manhattan Branch” si formacion atdhetar, kulturor dhe shoqëror do të mbështesë Vatrën qëndrore dhe të gjitha degët e Vatrës në çdo shtet të Amerikës, do kordinojë qasjen ndaj çështjeve të diplomacisë, historisë dhe veprimit demokratik e patriotik, dhe do të ndihmojë kordinimin e Vatrës me organizatat e tjera shqiptare ne Amerike, per te ofruar kapacitete dhe vlera në përgjigje të sfidave që kalojmë si Vatranë në SHBA dhe si shqiptarë në shtetin amë.

VATRA DHE DIELLI SI INSTITUCIONE ATDHEDASHURIE

Diaspora shqiptare në Amerikë nëpërmjet Vatrës e Diellit ka qenë gjithmonë model për organizimin dhe rolin e tyre patriotik në dobi të çështjes kombëtare. Uroj që si vatran të frymëzohemi me modelin e Nolit dhe Konicës e shumë patriotëve të tjerë, për një Shqipëri të bukur, të fortë, të zhvilluar, dinjitoze në sytë e botës dhe që diaspora nuk e harron asnjeherë. Kjo diasporë prej 1 shekulli ka qenë shembull i shkëlqyer dhe ka ndihmuar shumë në shtetformim dhe lobim për çështjen kombëtare. Mendoj se karakteri diplomatik dhe patriotik i bëjnë Vatrën dhe Diellin institucione të përjetshme atdhedashurie. Vatra në çdo moment të vështirë ekzistencial të kombit tonë ka qenë aty në mbrojtje të interesit kombëtar duke lobuar fuqishëm në kancelaritë perëndimore. Kontributi patriotik dhe serioziteti si Federatë ka bërë që dyert në Washington të jenë çdo herë të hapura për perfaqesuesit shqiptar. Vatra nepermjet perfaqesueseve te saj me te larte ka lobuar me perfaqesuesit e organeve me te larta te shtetit Amerikan per ceshtje te rendesishme kombetare shqiptare.

VATRA NË GARË ME SFIDAT E SHEKULLIT 21

Ashtu si atëdheu ynë i bekuar Shqipëria, edhe shteti ku verojmë e punojmë SHBA përditë ballafaqohen me sfida kombëtare dhe globale. Vatra do të jetë kurdoherë e angazhuar në veprim të çështjes kombëtare shqiptare. Veprimtaria e Vatrës do të fokusohet në modelin e suksesit diplomatik, procesit të lobimit në Wahsington dhe Perëndim, afrimin me shqiptarët patriotë dhe të suksesshëm, promovimin e çdo shqiptari që ka lënë gjurmë në suksesin e shtetit ku jetojmë, dhe në forcimin e institucioneve dhe demokratizimin e jetës në Shqipëri dhe Kosovë. Federata Vatra do të përkrahë shqiptarët dhe ato forca politike apo shoqata patriotike që kanë programe demokratike, zhvilluese dhe që i shërbejnë interesit të bashkëatdhetarëve tanë kudo në botë.

AGUSTIN MIRAKAJ – KRYETARI I VATRA MANHATTAN BRANCH
Agustin Mirakaj ka lindur më 13/11/1976 në kampin e përqëndrimit Gradishtë, Lushnjë ku ka qëndruar dhe jetuar deri në moshën 13 vjeçare. Ato vite kanë pasur një ndikim të thellë në karakterin dhe formimin e tij. Gjate persekutimit nga rregjimi komunist, nëna, vëllai dhe Agustini shikoheshin si armiq të popullit për arsye se babai i tij ishte i dënuar për agjitacion e propagandë nga rregjimi. Gjatë qëndrimit në kamp, Agustini perjetoi persekutim, përbuzje dhe mohimin e të drejtës me elementare për tu shkolluar. Për Agustinin koha kishte ngelur në vend por shpresën për një ditë lirie nuk e humbi kurrë. Ajo erdhi. Mbas rrëzimit të diktaturës në vitin 1991 familja e Agustinit u zhvendos në Tiranë. Aty i jepet mundësia të shkollohet dhe ndërkohë të mbështesë Partinë Demokratike në të gjitha kauzat e saj. Në vitin 1999, mbasi mbaroi shkollën teknike ekonomike, rrethanat politike në të cilat ndodhej vendi e detyruan të largohet nga Shqipëria. Që prej asaj periudhe e në vazhdim, Agustini jeton dhe punon në New York, SHBA. Në NY ka zhvilluar bisnese private në fushën e ndërtimit, perceptimit strukturor, modelimit, rinovimit, dhe konceptimit të hapsirave të brëndshme dhe të jashtme të banimit. Që nga ardhja në Amerikë, Agustini familjarisht është ndër kontribuesit dhe veprimtarët më të mëdhenj në Vatrën qëndrore. Prejardhja e familjes se tij është nga Iballa e Pukës. Gjyshi i tij Kol Bib Mirakaj ka dhënë një kontribut historik për çështjen kombëtare, duke organizuar dhe drejtuar rezistencën anti-komuniste gjatë periudhës së Luftës se Dyte Botërore në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe si Ministër i Brendshëm, me guximin dhe mençurinë e tij, patrioti i madh Kol Bib Mirakaj (gjyshi i Agustinit) arriti të bëjë një gjest humanitar për shpëtimin e hebrenjve të rrezikuar në Shqipëri prej pushtuesve nazistë. Me ardhjen e forcave komuniste/terroriste në vitin 1944, familja Mirakaj masakrohet, burgoset dhe interrnohet në kampet më famkeqë të Shqipërisë. Babai i tij, Mojsi Mirakaj, e kaloi jetën nga mosha 5 vjeç e deri në moshën 52 vjeç në dhjetëra kampe përqëndrimi nga Tepelena e deri në Gradishtë të Lushnjës. Mojsi Mirakaj shihej nga sistemi si reaksionar që vinte nga një familje e lartë patriotike dhe i rrezikshëm për regjimin si djali i Kol Bib Mirakaj, duke u dënuar me 10 vjet burgim për agjitacion e propagandë. Në vitin 1990, mbas rënies së komunizmit, babai dhe familja e Agustinit fituan lirinë. Në vitin 1991, babai i Agustinit Mojsi Mirakaj si dhe vëllai e familjarët e tij u bashkuan me Partinë Demokratike duke e mbështetur në ditët të mira dhe të vështira pa kompromis. Agustin Mirakaj vjen nga një prej familjeve më të nderuara dhe më patriotike në Shqipëri. Emri i kësaj famlije shkruhet me gërma të arta në panteonin e familjeve të mëdha patriotike shqiptare.

Filed Under: Featured Tagged With: Agustin Mirakaj, Sokol Paja, Vatra e Manhattanit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT