• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2020

Zelfina Sela kandidate për deputete në zonën 5, në Maqedoninë e Veriut

July 8, 2020 by dgreca

Bisedoi Keze Kozeta Zylo/

Zonja Sela ju po kandidoni për në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, cilat janë premtimet tuaja para votuesve dhe disa nga vështirësitë tuaja si kandidate?

Shqiptarët si popull autokton në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të dytët në bazë të numrit të përgjithshëm të popullatës pas maqedonasve, duhet të luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, por edhe në të gjitha proceset politike si popull shtetformues. Z.S.

Fillimisht ju falënderoj për punën e palodhshme që bëni, sidomos në këtë kohë fushate ku publikimet që potencohet opozita shihen me sy tendencioz nga pushteti që ka prioritet “kapjen” e mediave.

Po, unë jam e propozuar kandidate në njësinë zgjedhore numër 5 të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga ana e koalicionit “Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa”, ku si dibrane do përpiqem të jem një zë i fuqishëm jo vetëm për Dibrën, por edhe për qytetin e Manastirin, pasi përpos që jam mbesë në Manastir, atje e kam përfunduar shkollimin universitar, por gjithashtu edhe të qyteteve dhe vendbanimeve tjera në këtë zonë si Struga, Ohri, Resnja etj, pasi hallet i kemi të ngjashme.

Premtimi im para votuesve është programi i hartuar në bazë të nevojave të popullit i cili në vete ngërthen këta pika: Shtet për të gjithë; Barazi të plotë për të gjithë qytetarët pavarsisht ngjyrave, etnikumeve dhe konfesioneve; Shtet i së drejtës; Shtet qe kultivon dhe ruan kapitalin njerzor; Zhvillim të barabartë ekonomik dhe teritorial; Shtet zhvillimor të gjelbërt dhe të digjitalizuar; Shtet të integruar në rajon, Evropë dhe botë por edhe shumë projekte të tjera kapitale infrastrukturore që janë nevojë e kohës.

Vështirësitë e zgjedhjeve elektorale janë të mëdhaja dhe në një farë mënyre edhe të çuditshme. Përgjithësisht dallojnë nga sfidat e tjera sepse është një gjendje ku përzihet emocioni, frika, shpresa, dëshira, dhe kur tja shtojmë kësaj se unë për herë të parë ballafaqohem me kësi sfide në politikë kjo e bën emocionin akoma më të fortë.

Shqiptarët kanë  një vend të  rëndësishëm në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut dhe tani në fushatën e zgjedhjeve janë tre parti shqiptarësh, ju jeni nominuar nga Partia Aleanca për Shqiptarët, cili është ndryshimi në programin tuaj midis partisë suaj dhe dy partive të  tjera?

Shqiptarët si popull autokton në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe të dytët në bazë të numrit të përgjithshëm të popullatës pas maqedonasve, duhet të luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, por edhe në të gjitha proceset politike si popull shtetformues. Them duhet sepse jo çdoherë ka qenë kështu, fatkeqësisht. Jo çdoherë numrat e determinojnë edhe rolin që ka një subjekt i caktuar. Ajo që ne pretendojmë dhe mendojmë se dallojmë prej të tjerëve është këndvështrimi ynë konceptual i shtetit, dhe që është njëkohësisht edhe shtylla kryesore e programit e titulluar “shtet për të gjithë”. Kujdes, nuk thash “shoqëri për të gjithë” sepse në botë ka shumë shtete që kanë shoqëri multietnike, por që s’janë aspak demokratike, por them “shtet për të gjithë”, që nënkupton një shtet që të gjithë etnikumet e ndjejnë atë si të vetën. Fatkeqësisht shqiptarët shumë pak e ndjejnë të vetin Maqedoninë e Veriut dhe kjo pastaj bazuar në kauzalitet ndërlidhet edhe me aspektin ekonomik ku një popull që nuk ka besim në shtetin e vet ai edhe mund t’ju ik taksave, nuk investon aty, e shumë pasoja tjera.

Me këtë që them nuk dua t’i akuzoj shqiptarët, por sistemi në të kaluarën ashtu ka funksionuar dhe në instanca të caktuara ka indikacione për të njëjtat veprime edhe sot , psh: Në Maqedoninë e Veriut ndarja buxhetore është diskriminuese dhe jo proporcionale kur vijnë në shprehje vendbanimet shqiptare dhe maqedone, pra sistemi është i tillë që për maqedonët vepron si nënë dhe për shqiptarët si njerkë. Pra, për të mos e zgjatur, ajo që ne si koalicion “Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa” dallojmë nga të tjerët është se ne dëshirojmë ta ndryshojmë kulturën politike të vendit duke vetëdijesuar shqiptarët, por edhe të tjerët për shqiptarët, dhe pastaj duke qenë zëri i tyre në Parlament dhe qeveri ta kërkojmë hisen tonë si shqiptarë aq sa na takon dhe jo aq sa do na japin.

Gruaja shqiptare vazhdon të perballet me mentalitetin meskin të burrit me të fortëa e keni ndjerëju personalisht nëshpinë këtë përbuzje?  Ju jeni e besimit mysliman, veshja dhe mbulimi i kokës me shami ju ka bërë të bëheni pre e sulmeve nga njerëz të ndryshëm që paragjykojnënjerëzit nga veshja dhe jo nga veprat? 

Mund të them lirshëm se unë në rrugëtimin tim, mbështetjen kryesore e gjeta te bashkëshorti që pavarësisht punës së tij, ishte një ndihmesë e madhe për mua në rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Prandaj personalisht nuk kam përjetuar stereotipe të tilla të dhunës ndaj femrës, përkundrazi ai ka qenë motivi im kryesor në çdo cep të jetës. Gjithësesi, sikur të kishte në familjen time diskriminime të tilla, unë sot s’do guxoja të dal edhe kandidate për deputete.

Sa i takon këtij fenomeni, është e vertetë se gruaja shqiptare akoma sot e kësaj dite, në disa vende përballet me mentalitet të tillë denigrues ndaj femrës, por pasi jetoj në Dibër, me krenari të madhe mund të them se populli dibran është popull i kulturuar dhe i arsimuar dhe e ka flakur moti një antivlerë të tillë kundrejt femrës. Në fakt, pjesa e dytë e kësaj pyetjeve, ndërlidhet pak edhe me shqetësimin që e theksova në fillim të intervistës. Duke qenë se jam praktikuese e besimit Islam, në një moment të caktuar të jetës, me dëshirë dhe pa imponim vendosa mbulesën islame ose siç njihet ndryshe – hixhab. Për mua hixhabi është vetëm mbulim i kokës, por jo edhe i trurit, por duke patur një pamje më ndryshe, gjegjësisht një shami mbi kokë, s’mund të them se nuk kam qenë e paragjykuar nga dikushi, megjithatë si karakter jam tolerante dhe falëse, prandaj gjithmonë mundohem t’i arsyetojë dhe gjithmonë e them se ndoshta e kanë nga mosdija.

Mendoj se për të paragjykuar tjetrin duhet ta njohësh mirë atë si person dhe bindjet e tij. Kurse në raport me kandidaturën time politike, ndoshta në instanca të caktuara edhe mund të më penalizojë pak nga ata që s’më njohin, por uroj që të kem rast dhe mundësi që të takojë sa më shumë njerëz, dhe duke më njohur mua dhe programin tim të përfitojë zemrat e tyre dhe votat e tyre.

Nëse ju do të zgjidheni në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut cilat do të jenë prioritetet tuaja për të mbrojtur votën e shqiptarëve dhe si do të bashkëpunoni me deputetët maqedonas për qeverisjen e vendit?

Fillimisht shqiptarët do duhet të dijnë të bashkëpunojnë mes veti para se të bashkëpunojmë me partnerët maqedon. Nëse shihni bllokun maqedon, ato kanë dy parti të fuqishme, ideologjikisht të ndryshme dhe parti të vogla që u bashkangjiten dy të parave. Këto dy parti konkurrojnë me njëra tjetrën dhe pësojnë rotacione në qeveri dhe e gjitha kjo është në dobi të reformimit brenda partiak dhe në fund në dobi të elektoratit të vet. Mendoj se kjo do duheshte të ndodhën edhe me bllokun shqiptar. Në shumë raste kemi dëgjuar se krijimi apo përçarja e një subjekti të caktuar shqiptar është iniciuar nga eksponentë politik maqedon. Kjo nënkupton se politikanët maqedonas çdoherë janë një hap para nesh në strategjitë politike. Për t’u përgjigjur në mënyrë eksplicite, ne jemi për bashkëpunime konceptuale dhe ideologjike brenda bllokut shqiptar, por kur vjen çështja për koalicionime me bllokun maqedonas, të mos bëhet koalicion parazgjedhor, por vetëm pas zgjedhor, me atë parti që përmbush kriteret dhe programin tonë fitues në kampin shqiptar. Pasi për ne pushteti është mjet për realizmin e qëllimit tonë final – avancimin e shqiptarit në të gjitha sferat.

Jemi në Luftë boterore me një armik të padukshem, si po e përballon populli i Dibrës këtë luftë dhe a keni pasur raste vdekjeje ndër njerëz?

Dibra ishte ndër qytetet e para që u përball me armikun e pa dukshem COVID19. Ishte mjaft stresuese situata. Qyteti ishte 5 javë në karantinë dhe njerëzit ishin të frikësuar. Gjithcka pushoi së funksionuari, në qytet hynin vetëm furnizuesit e ushqimeve dhe auto ambulancat, kishte edhe raste vdekjesh. Me e dhimbshme ishte se kufomat percilleshin pa ritualet mortore. Megjithatë popullata dibrane është per t’u mare shembull, ata respektuan te gjitha normat mbrojtese qe i ishin vënë. I lutem Zotit qe te na ndihmojë që sa më shpejtë dhe pa viktima te tjera ta kalojmë këtë kohë pandemie. Prandaj shfrytëzoj rastin t’i apelojë popullit tim që pavarësisht se jemi kohë fushate të kenë kujdes për shëndetin e tyre dhe të ruajnë masat në raport me këtë virus të rrezikshëm.

Cili ë shtë  shkollimi juaj dhe a keni pasur diskriminim në  ushtrimin e profesionit tuaj si shqiptare?

Siç theksova në fillim, unë kam mbaruar shkollimin në fakultetin Bioteknologjik në qytetin e Manastirit, ku dhe jam e emëruar si “Inxhiniere bioteknologe e ushqimit”. Nuk kam mundur ta ushtroj si profesion, jo se jam diskriminuar, sepse jam  shqiptare, por kam ngelur e papunë nga diskriminimi partiak.      

Një diçka që më pengon jashtëzakonisht shumë dhe dua ta ndaj me ju është kritika e oponentëve politik se unë gjoja jam vetëm një amvise e papunë. E vërteta është se duke qenë një karakter që nuk dorëzohet asnjëherë, pamundësia ime për t’u punësuar në profesionin tim si inxhiniere e teknologjisë ushqimore për shkak të vetëm se familja ime çdoherë ka qenë me qëndrime kundër pushtetit të BDI-së, nuk më ka mposhtur asnjëherë, falë edhe ndihmës së bashkëshortit që ka bërë sakrifica të mëdha për kujdesin e fëmijëve tanë, unë arrita të hapi një rrobaqepësi dhe të trashëgojë zanatin e nënës sime dhe me ato fitime të shkolloj fëmijët. Pra ajo që konsiderohet si kritika më e fuqishme ndaj meje është në fakt edhe arma ime më e fortë, gjegjësisht nëse pushteti nuk më vlersoi asnjëherë dhe m’i mbylli të gjitha dyertë e avancimit profesional, kjo nuk më mposhti asnjëherë që të kem aspirata dhe dëshira për të mbijetuar vetë. Rasti im është si historia e shumë të rinjve dhe të rejave që arritën të mbijetojnë në forma të ndryshme, por fatkeqësisht jo të gjithë e kishin fatin që të mbijetojnë këtu prandaj u detyruan të migrojnë për një jetë më të mirë në vendet perëndimore.

Ju flisni një gjuhë të pastër shqipe si e keni ruajtur atë në familje dhe në fëmijët tuaj?

Dibra si qytet në Republikën e Maqedonisë së Veriut është e perbërë nga popullatë kryesisht shqiptare kështu që këtu gjuha shqipe është gjuhë primare.

Autorja e intervistës është drejtore e medias TV “Alba Life”, shkrimtare, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York Ambasador i Kombit.

8 Korrik, 2020

Staten Island, New York

Filed Under: Interviste Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Zelfina Sela

SHQIPTARËT NË MELBURN DHE GABIMI I AUSTRALISË NË TRAJTIMIN E COVID-19

July 8, 2020 by dgreca

Ardian Latifi, Menaxher i eksperimenteve klinike në fushën e Onkologjisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, betejën që po zhvillon Australia ndaj Covid-19, shqiptarët në Melburn dhe rreziku i rikthimit në izolim si pasojë e rritjes së numrit të rasteve nga dita në ditë. Me Ardian Latifin bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

AUSTRALIA NË FAZËN E DYTË TË PANDEMISË COVID-19?

Situata e COVID-19 në Australi në përgjithësi është e mirë përveç qytetit të Melbournit, pjesë e shtetit të Viktorisë ku në tri javet e fundit kemi pasë një rritje të shpejtë të përhapjes së virusit nëpër shumë lagje të qytetit. Për ta pasë një përspektivë më të mirë mbi situatën e krijuar nga pandemia duhet të kthehemi mbrapa në kohën kur fillojë përhapja e Coronavirusit në fillim të marsit të këtij viti dhe numri më i madh i të infektuareve ishte në fund të marsit. Gjatë kësaj kohe, Australia në përgjithësi ka qenë nën masat e rrepta të kufizimit të lirisë së lëvizjes deri në fillim të muajit qershor për pos atyre lëvizjeve të domosdoshme. Deri në këtë kohë Australia kishte më pake se 8,000 persona të infektuar dhe më pak se 100 vdekje dhe shumica e tyre ishin të importuara. Çfare solli dobi në menaxhimin e mirë të situatës me COVID-19 ishte karantina e atyre personave që ktheheshin në Australi për dy javë dhe testet e vazhdueshme që kalojnë mbi 2 million teste me RT-PCR deri më tani. E rëndësishme është edhe fakti që Australia ka kuadro shumë profesionalë, spitale dhe klinika të përgaditura mirë dhe një kordinim sptialor, qeveritar, institucional në përgjithësi të pashoqe nga shumë vendet të botës. Duke parë rezultatin e shkëlqyer, qeveria qëndrore dhe ato lokale morën vendimin për rikthimin e lëvizjes së lirë por me kujdes të qytetareve por jo edhe udhëtime jashtë vendit. Kjo ngutshmëri sikur do ti kushtonte shumë Australisë në muajtë e ardhshëm pasiqë nuk kishte një eliminim total të virusit. Fatekeqësisht, qyteti i Melbournit tashmë është pjesërisht nën masat e rrepta të levizjes së lirë dhe mbi 3000 persona janë të ngujuar nëpër ndërtesat e tyre e të rrethuar me policë që po i ngjason më shumë pamjeve në Kinë pas masave që mori qeveria Kineze atje. Kjo për faktin që kemi dikund më shumë se 100 raste të konfirmuara çdo ditë dhe po tejkalon shifrat e më parshme të valës së parë të përhapjes. Si rezultat kemi 772 raste aktive kryesisht të trasmetuara brënda për brënda komunitetit dhe tashmë Melbourni është në fazën e dytë të infeksioneve dhe plotesisht i izoluar nga shumë shtete të Australisë ku dhe numri i të vdekureve pritet të rriten në javët që vijojnë.

VAKSINA ANTI-COVID NË VITIN 2021

Shembulli i përhapjes së shpejtë në qytetin e Melbournit mund ta shpjegojë më së miri se çfare mund të ndodhë në të ardhmen me virusin. Nga ekspertët në fushën e sekuencimitgenomik të RNA-se, kanë konluduar se ishte një person që u bë burim kryesor për ripërhapjen e virusit në Melbourne dhe me një shpejtësi shumë më të madhe se sa në fillim. Nga të dhënat e fundit supozohet se ky burim erdhi nga një lëshim në kontrollimin rigoroz në një ndër hoteleve ku po mbaheshin të ardhurit nga vendet e ndryshme. Çfarë mund të themi për sekuencimin genomik? Sekuencimi genomik është një analizë që i bëhet mostrave të marra nga pacientët dhe nga rezultete mund të përfundojmë se çfarë dhe sa dryshim kanë nga njëri-tjetri. Në Melbourne, duke analizuar këto të dhëna kemi një pasqyrim më të kompletuar pasi vrejmë një ndryshim të vogël gjatë përhapjes së virusit nëpër faza të infeksionit nga një person tek tjetri. Tjetra është që kemi të bëjmë me një sekuencë të madhe të genomës me mbi 30,000 nukleotide dhe ndryshime e vogla shpeshherë mund të rezultojnë në variacione të shumta dhe mund të reflektojë në ashpersi apo ngadalësim të symptomeve dhe përhapjes. Programi gjenetik i virusit në fjale është përgjegjës për prodhimin e 29 proteinave që janë të domosdoshme për funkionim, shumim dhe përhapje. Për të kuptuar më gjerësisht, në qytetin e Ëuhan-it aso kohë virusi kishte një genome të përafërt në pacientët. Që nga zanafilla, tashmë kemi shumë variacione të COVID-19 dhe si i tillë sfidon çdo trajtim të tanishëm. Si në shumë vende të botës, Australia ende nuk ka trajtim të mirëfilltë ndaj COVID-19. Nga medikamentet e shumta që u përfolen në media dhe kryetarë të ndryshëm botëror siç është hydroklorokuine apo vitamina c nuk janë të aprovuara për përdorim njësoj siç edhe nuk është e ndaluar ibropfofini pasi nuk ka të dhëna të mjaftueshme që përdorimi i tij ka efekte negative. Kurse dexamethasone është ende nën shqyrtim të organeve kompetente nëse mund të përdoret në masë të madhe për trajtimin e pacienteve me COVID-19. Megjithatë, është e rëndësishme të përmendet fakti që ka shumë studime brënda dhe jashtë Australisë që po kalojnë fazat e para të testimin. Me mbi 100 programe studimesh është më se shpresdheënëse një zhvillim i mundshëm i një apo më shumë trajtimesh. Më saktësisht, kemi dy kompani që po bëjnë testimet e fazës së fundit ekperimetale për një vaksinë të mundshme që mund të jetë në përdorim nga fillimi i vitit 2021.

SHQIPTARËT NË MELBURN

Siç e theksova dhe më lart, në Australi në përgjithësi kemi pasur një numër shumë të vogël të infektuareve dhe se nuk kemi ndonjë histori fatale në humbje jete në komunitetin tonë këtu. Kurse në këtë fazë të fundit, jam informuar që kemi disa familje që po e tejkalojnë infeksionin me COVID-19 e që fatmirësisht nuk kemi vdekje deri më tani. Ndoshta kjo për faktin që edhe nuk kemi ndonjë informacion konkret sipas popullsive që jetojnë këtu. Por ajo që dihet është se në shumë lagje të Melbournit kemi shumë bashkëatdhetarë që mund të jenë të mbyllur dhe kjo sigurisht që do të këtë pasoja psikologjike në të ardhmen. Melbourni është vendi më i populluar nga bashkatdhetarët tanë shqiptarë kundrejtë qyteteve tjera dhe shpresojmë që do t’ja kalojmë pa ndonjë viktimë në të ardhmen.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Është më se e domosdoshme që të kuptohet rëndësia e fjalës pandemi pasi vetëm atëherë mund ta kuptojmë edhe rëndësinë e sëmundjes së virusit COVID-19 në njërën anë dhe në anën tjetër mundësinë se si të mbrohemi. Pandemia që tashmë jemi shumë mirë të informuar, në kuptmin e fjalës tregon që është një sëmundje transmetuese që ka kaluar kufijtë botëror dhe egziston një rrezikshmëri e lartë për shëndetin e njeriut e sidomos të pacientëve që kanë edhe sëmundje të tjera shoqëruese shëndetësore. Në këto suaza, duhet ta dimë që në mungesë të trajtimit të mirëfilltë i vetmi opsion për momentin janë distanca nga njëri-tjetri dhe lëvizje të limituara/kushtëzuar sipas domosdoshmërisë.  Ti lëmë anash opinionet dhe propagandat e shumta nëpër rrjete sociale se nga ishte origjina dhe për çfarë arsye ‘u kriijua’ pasi në opinionin tim paraqet një problematike shumë të madhe për dizajnim të qëllimshëm nga njerëz të caktuar siç edhe po flitet shumë kohëve të fundit. E sidomos kur dihet që në ndryshimet gjenetike që janë caktuar shkencërisht konkludohet se një gjë e tillë nuk është e mundur të jetë modifikim njerëzor dhe i qëllimshëm. Unë personalishte kam përvojën time personale gjatë studimeve laboratorike  në ndryshime gjenetike virale por gjithmonë singluare dhe ende jemi larg të kuptuarit e mirëfilltë të modifikimeve gjenetike globale. Shpresa ime është që nga qindra studime klinike që po zhvillohen, jam optimist që mund të kemi një trajtim kuptimplotë dhe shpikjen e ndonjë vaksine. Dhe vetem pasi që të kemi njërën apo të dy opsionet mund të jemi të sigurtë për një të ardhme më të mirë për shëndetin tonë. Mos të bëhemi përgjegjës për përhapjen e virusit duke e ditur që mund të ketë edhe pasoja në vdekjen e baballareve tanë, gjyshërve dhe të dashurve tanë të afërt apo të largët.

Filed Under: Emigracion Tagged With: dr. Ardian latifi, shqiptaret ne Melburn, Sokol Paja

ÇËSHTJA CAMAJ DHE KOLIQI – NËN VËZHGIM…

July 8, 2020 by dgreca

Shkruan: Visar Zhiti/

Ndërsa kisha kujtuar se e kisha mbaruar librin tim “Kartela të Realizmit të dënuar”, ku merrem me letërsinë tjetër, atë që erdhi nga burgjet dhe internimet dhe me ata autorë që u përndoqën, që u dënuan me burgje e pushkatime e një pjesë u arratisën, gjej te “Peizazhet e Fjalës” një shkrim për shkrimtarët e shquar të letërsisë shqipe, Martin Camaj e Ernest Koliqi,, të dy të ikur pasi vendoset diktatura komuniste në Shqipëri. E lexova menjëherë. Jo se ishte e panjohur si çështje. Është folur dhe përfolur kolaboracionizmi i Ernest Koliqit, teksa Martin Camaj është lënë në heshtje dyshuese, duke ua mpakur edhe tani meritat e mëdha të tyre, vlerat themeltare që kanë për letrat shqipe, duke i europianizuar ato dhe duke qenë thellësisht kombëtare.  

Në librin në fjalë, flas paksa edhe për bashkëpunimin e shkrimtarëve me policinë sekrete dhe me Sigurimin e Shtetit; por u ula ta përditësoj këtë kartelë, sipas të dhënave që na u ofruan dje, me gjykimin tim, sipas përvojës nga vij, nga ajo e të persekutuarve, jo nga ajo e persekutorëve.

Ja, kartela:

BASHKËPUNËTORË TË POLICISË SEKRETE

DHE ABUZIMI ME ÇËSHTJEN…

Dhe përsëri rikthehen në fillim, te banalizimi, kalohet në sulme të tjera, të goditen figurat e burgut, simbolet e vuajtjes…

Dhe përflitet deri edhe në media se mjaft nga intelektualët, jo vetëm shkrimtarë të realizmit socialist, por edhe nga të persekutuarit, kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit diktatorial dhe nxirrnin herë pas here emra, edhe kur nuk ishin hapur dosjet, sa ç’është lejuar të hapen tani…

Jo se s’ka të thyer në radhët e të persekutuarve, mbase dhe mjaft, për fat të keq, por së pari duhen goditur diktatura, ata që i thyen dhe si, me ç’tortura dhe të vihen para drejtësisë dhe të drejtën morale për t’i përçmuar, nëse do të duhet, e kanë, së pari, po bashkëvuajtësit e tyre dhe jo ata që ishin pjesë e diktaturës dhe që i vunë me dhunë nën shërbim, jo për çështje kombëtare a në zbulimin e armikut, keqbërësit, etj, por për përçarje dhe dënime të së tjerëve, për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit apo të atyre që donin të arratiseshin e deri në çështje të rëndomta ordinere, të paligjshme dhe të pamoralshme… etj.

Janë përdorur tortura të llahtarshme, fizike dhe psikologjike, uri e rrahje çmendurake, thesi në kokë si në mesjetë, varje nëpër çengela etj., deri te përdhunimet e grave e të vajzave të familjes së atij që i kërkohej bashkëpunimi dhe ku: në prani të tij! Turpi, rënia dhe degjenerimi më parë, e përsëris, janë të atyre që ua kërkuan bashkëpunimin me dhunë viktimave, sesa të vetë viktimave, dhe ndëshkimi që vonon, duhet të nisë tek ata.

Patjetër edhe për bashkëpunëtorët e Sigurimit, cilëtdoqofshin, të veprojë drejtësia, sipas dëmit që u kanë shkaktuar të tjerëve dhe shoqërisë..

Njerëz që qëndruan dhe refuzuan bashkëpunimin me të keqen, për fat ka, dhe nuk janë pak, janë të shumtë dhe atje ku ishte tejet e vështirë, në burgje e internime. Vërtet ishte heroike,  e di në vetë të parë ç’sakrificë e rëndë është.

Lexojmë në shënimet postume që botohen, se edhe studiuesit të shquar Injac Zamputti, me origjinë italiane, i ishte kërkuar të informonte fshehurazi për kolegun e vet, dijetarin Eqrem Çabej. (Që thoshin se kishte qenë në burg, por jo, kishte pasur të shoqen). Profesor Injaci nuk pranoi kurrsesi, por u vetëmbyll e bënte jetë murgu mbi libra, gjithë ankth në pritje të arrestimit, me vite.

Studiuesi i zellshëm dhe korrekt Agron Alibali gjen në arkivat amerikane dokumente dhe i botoi së fundmi që tregojnë përpjekjet për bashkëpunime agjenturore të së huajve si me kritikun nga Kosova Krist Maloki dhe dijetarin Eqrem Çabej, etj, dhe qëndrimet e profesorëve kanë qenë dinjitoze dhe shembullore.

Krist Maloki vinte nga Austria dhe kishte nënshtetësinë e atij vendi; ikte prapë atje, por profesor Çabejin mund ta priste dhe burgu dhe më keq mbase, kur çështjet lidheshin me Enverin.

E vërteta duhet, është e domosdoshme. E vërteta është e rëndësishme. Më rëndësi ka njohja e së vërtetës se sa mbulimi i saj. E vërteta është kokëfortë, por jo studiuesi. Rëndësi kanë dhe qëllimi i asaj të vërtete dhe përdorimi ose shpërdorimi i saj, sa vlen ajo dhe sa ndikon dhe sa duhet, etj, etj. Dokumenti mund të jetë i vërtetë, por s’është ajo e vërteta.

Arrestimin fshehurazi, para se të arratisej, të shkrimtarit të shquar nga diaspora, Martin Camaj, e dëshmon dhe një studiues tjetër, Auron Tare, pasionant i zbulimeve agjenturore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai rinxjerr atë që e ka shpjeguar edhe studiuesi Kastriot Dervishi, dokumentin e vitit 1948, ku 23 vjeçari nga Dukagjini, pasi izolohet forcërisht, sillet në zyrat e Sigurimit të Shtetit dhe merret në pyetje nga kapteri II Fadil Kapisyzi. Pastaj studiuesi Tare e lë të qetë kapterin II dhe e vijon hetimin vetë: ç’ka bërë viktima më pas, ku ka shkuar dhe hamendësime të tjera përtej dokumentit dhe fakteve, pa na zbërthyer si e qysh ka vepruar Sigurimi mbi të arrestuarin, me ç’të drejtë dhe me ç’urdhra, shefat e tij, sistemi, koha, partia, kthetrat, pra lë bishat dhe merret me prenë.

Sipas deklaratës-fotokopje në dosje, Matin Camaj ka pranuar “përfshirjen e tij në ndihmesën për të arratisurit antikomunistë, por në rrëfimin e tij për oficerët e Sigurimit (sa ishin, 2, 5, 10, ndërroheshin me radhë ujqërit, ç’tortura përdornin, etj? – shën. imi) të bie në sy se Camaj ka dëshmuar gjithashtu kundër disa prej mësuesve të vet fretër jezuitë (duhej etërit jezuitë, jo fretërit; shënimi im, V.Zh.), në veçanti Padër Fausti, Padër Dajani, Padër Roza. Duhet thënë se Padër Xhovani Fausti (jezuit italian, – shënimi im, V.Zh.) dhe Padër Danjel Dajani ishin dënuar ndërkohë me pushkatim në gyqin e famshëm të Shkodrës kundër klerit katolik.”

Kaq, vetëm se duhet thënë që “ishin të pushkatuar” dhe jo pse dhe nga cilët? Po gjyqi paskësh qenë i famshëm dhe jo gjyq terroristësh të indoktrinuar? Dhe Camaj dëshmoi kundër mësuesve të tij? Po mbase tha atë të vërtetë, që ia kishin mësuar mësuesit e tij dhe që e pohuan në gjyq se ishin antikomunistë dhe në pushtet kishin ardhur me force një bandë vrastarësh. Mbas 5 ditësh Camaj “doli nga zyrat e Sigurimit të Shkodrës… pasi pranoi të rekrutohej si informator” – na informon studiuesi dhe vazhdon: “në shtator të 1948 (pra mbas 4 muajsh, – shën. imi) Martin Camaj arratiset drejt Jugosllavisë së bashku me një numër eksponentësh lokalë antikomunistë.” Janë 36 veta gjithsej, të rinj dhe burra malësorë, ndoca me gratë me motrat. Ikën dhe do të iknin dhe më pas. Ndryshe si do të mund të shpëtonin?

Jemi para një të vërtete me dokumente virtuale, që s’ka siguri se sa e mbartin ato atë të vërtetë. Dhe tjetër është e vërteta e të përndjekurit dhe tjetër e vërteta e Sigurimit të Shtetit, qoftë dhe në të njëjtat dokumente.

Na sillen për të pasur njohje apo për të arritur një njollosje të re? Nëse e vërteta është një njollë mbi lëkurë, a nuk duhet zbuluar dhe ai që ia bëri atë njollë ose ata? Dhe pse? Dhe kush është më pis, ai që njollosën apo ata që njollosnin? Po kur është plagë thike në mish? Mjeku merret me kurimin e saj, kriminalisti me zbulimin e çështjes, nëse është krim, etj. Studiuesi sjell të vërtetën e plotë, nëse duhet, për ata që u duhet. Hetimet e studiuesit në fjalë janë kapërcime që kanë për logjikë atë që do të donte hetuesi i Camajt, nëse do ta kishin arrestuar prapë.

Për Martin Camajn shkrimtar, autoritet i lartë i kulturës Kombëtare, duhet ditur shumëçka. E mbajtur larg ashtu si ai, e ndaluar dhe e panjohur e gjithë vepra e tij në vitet e diktaturës, ne na duhet zbulimi dhe njohja e vlerave të tij, pastaj, kur ai ishte 23 vjeç ç’bëri Sigurimi i shtetit me të duhet ta dimë, për të ditur dhe kuptuar se ç’bënte Sigurimi i shtetit, deri ku shkonte, ç’bënte me të rinjtë, me intelektualët e ardhshëm, sa dëmtonte vendin për të mbrojtur sistemin, etj.

Gjykoj se Martin Camaj shkrimtar, intelektual europian, është tjetër dhe s’ka asgjë të ngjashme me atë të dosjes së Sigurimit të shtetit, të 23 vjeçarit që u iku për të qenë i lirë dhe që të bëhej ai që u bë. Jeta e tij e mëtejshme dhe vepra nuk duken gjëkundi se kanë qenë në shërbim të Sigurimit të shtetit, të atij aksidenti, rrethanat e të cilit janë të paqarta nga studiuesi, por të qarta nga realiteti. Sigurimi i shtetit ishte shkatërrimtar dhe ai iku.

Tani është rasti dhe koha për të zbuluar dhe gjykuar Sigurimin e shtetit dhe të dënohet ky për dëmet e shkaktuara. Pastaj, e përsëris, të gjykohen dhe bashkëpunëtorët, sa dëm kanë sjellë ndaj të tjerëve, ç’karrierë kanë bërë, sa dekorata e famë morën apo ia mbathën edhe ata maleve, duke marrë arratinë.

Studiuesit që vazhdojnë të përndjekin viktimat dhe jo ndjekësit e atyre barbarë, bëhen pjesë e kësaj përndjekje dhe jo ithtarë të së vërtetës që na duhet.

Është e kuptueshme që ata që arratiseshin nga diktatura e tmerrshme e vendosur në Shqipëri, kudo që të shkonin, s’do të mund të ishin të qetë, as të lirë si emigrantë politikë, sidomos me të dalë në Jugosllavinë e Titos, që ose do t’i kthenin nga erdhën ose t’i mbanin siç do të donin. Ndërkaq përndjekja do të vazhdonte nga Sigurimi i Shtetit fantazmë dhe jashtë, në Jugosllavi, në Greqi e Itali, në Gjermani e deri në SHBA. Kështu del.

Teknologjia sa primitive, po aq dhe barbare e Sigurimit të Shtetit, tani ishte me përvojat e sofistikuara sovjetike dhe naziste dhe nuk përjashtohet dhe mundësia si fillesë e të qenit në shërbim e disa prej të arratisurve, por dhe shkëputja e menjëhershme e tyre, por dhe falsifikimet e dykahshme.

I arratisuri Reshat Agaj në kujtimet e veta “Vëllai i pengut” tregon se me të kaluar kufirin për në Greqi, kërkon atasheun ushtarak amerikan dhe i rrëfehet se e ka dërguar Sigurimi i shtetit, duke i mbajtur peng një vëlla në burg, të cilin para se ta pushkatonin, punonte me kazmë në tunelin sekret që lidhte nëntokë Komitetin Qendror me Kryeministrinë në Tiranë.

Pjetër Arbnori që nga burgu i Burrelit pati guximin e madh të dërgonte një letër lart në shtet, që nuk pranonte asgjë nga ato që mund të kish thënë gjatë torturave, në delirin e vdekjes.

Sigurimi i shtetit gjithsesi synonte përndjekjet dhe terrorin aq sa ishte e mundur edhe jashtë vendit ndaj të arratisurve. Qëllimi ishte, mendoj, i disadrejtimshëm: neutralizimi i armikut të ikur, i kundërshtarit, i veprimtarive të organizatave të tyre kundër sistemit diktatorial komunist në Shqipëri. Kërcënime të vazhdueshme atyre edhe duke u dëmtuar familjet e mbetura në atdhe, përhapjen me mënyra dhe mjete që i di veç Sigurimi, për t’i bërë të dyshimta ikjet dhe qëndrimet në vendet e huaja, në diasporë e më gjerë, duke dekonspiruar apo sajuar, me qëllim përçarjen e mëtejshme të diasporës dhe duke penguar kështu veprimtaritë e shteteve perëndimore, që mund të ndërmerrnin me diasporën kundër Shqipërisë së Enver Hoxhës, përmbysjes së tij.

Sigurimi i Shtetit del se ka qenë hiperaktiv, duke kërkuar dhe arritur dhe zhdukjen fizike të personaliteteve më të spikatur jashtë, jo vetëm politikanë, por dhe shkrimtarë, duke ua ndërlikuar jetën dhe përkushtimin krijues, etj.

Natyrisht, ata s’mund të ishin aq të lirë si azilantë politikë, si shkrimtarë besoj se po. Plotësisht. Vepra e tyre shkencore e albanologjisë dhe ajo letrare ishte në shërbim të gjuhës dhe letërsisë shqipe, realitet shpirtëror shqiptar, mbetet kulturë dhe identitet kombëtar, ndërkaq mund të mos e kenë shmangur përfshirjen e tyre në veprimtaritë e hapura dhe të fshehta kundër sistemit tiranik të Enver Hoxhës së pathyeshëm, sipas nostalgjikëve të tij, kur ai vetë, Enveri, ka qenë dhe ka bërë edhe agjentin, aleatin e dyshimtë dhe kundër-aleatin ende më të dyshimtë, dhe shërbëtorin e të huajve deri në përulësi, vetëm që të sundojë duke e shtypur pa mëshirë popullin e tij, duke dëmtuar shpesh e më shpesh interesat e Shqipërisë.

Shkrimtarët e realizmit socialist të tij ai i përdori dhe i keqpërdori shume më rëndë se ç’mund të bënte armiku. Ai u shprishi dhe më të shenjtën e tyre, krijimtarinë. Vlerat duhen veçuar nga fati i autorit dhe duhen nderuar.

Dhe s’ka pse të turfullohet ndaj konferencave në Tiranë dhe në Prishtinë ku dalin vlerat si shkrimtarë dhe personalitete të kulturës të Ernest Koliqit dhe të Martin Camajt, të cilët bënë art, ku te Koliqi s’ka asgjë fashiste dhe te Camaj s’ka asgjë antikomuniste. Këta ishin estetikisht kundështarë të realizmit socialist. Dhe kur veprat nuk ishin në shërbim të kauzës politike të sistemit, sipas sundimtarëve, ato ishin kundër.

Mendimi kritik i qytetëruar ka etikën e njerëzores dhe jo të vrasësve të saj. Thënë me terma të tanishëm, është në mbrojtje të së drejtave të njeriut dhe nuk njeh si thyerje ato që janë arritur me forcë, me dhunë e tortura, psikike e fizike, ku Sigurimi i shtetit shqiptar ishte lavdimadh deri në tmerr dhe asgjësim në këtë drejtim.

Mendimi kritik i qytetëruar e njeh të vërtetën, madje do të thosha se nuk e ndjen nevojën e kërkimit të saj se ajo është e natyrshme brenda atij mendimi dhe veprimeve të përgjegjshme qytetare, del në mbrojtje të viktimës dhe jo anash e anash apo hapur në mbrojtje të persekutorëve..

Mund dhe duhet të mësohet dhe nga qëndrimi kritik që u mbajt me poetin amerikan Ezra Pound, ndër më të mëdhenjtë e poezisë moderne të shekullit XX në botë, por që ishte me bindje fashiste, madje mbas luftës e nxjerrin dhe në gjyq si të tillë. Por si poet çmohet nga të gjithë bota e kulturës.

“Ka monstra të mrekullueshme, qenie njerëzore që kanë zgjedhur anën e gabuar të historisë me ide kriminale e krime ideologjike, por duke i dhuruar botës njëlloj copëza bukurie me artin e tyre.  Celine ishte antisemit,  Heidegger nazist, Caravaggio vrasës…” – shkruan një shkrimtar i ri italian dhe pyet për Ezra Pound-in nëse është e drejtë të gjykohet për të kaluarën  fashiste dhe jo për veprën e tij.

Shpesh ata janë viktima apo të gabuarit e ideologjive që marrin pushtet tiranik. Ne jemi shumë larg këtij të gjykuari, por dhe të atij realiteti. Shkrimtarët shqiptarë ndërkaq nuk kanë qenë të lirë. Edhe Ernest Koliqi ka shërbyer nën pushtimin fashist, edhe duke i besuar, gjithsesi në totatlitarizëm, kurse Martin Camaj ka qenë i përndjekur i regjimit komunist dhe të dy ikën nga atdheu, por jo nga dashuria për atdhe, as nga meraku për Shqipërinë dhe shërbimi ndaj saj.. Natyrisht këtë s’ka si ta ketë dosja armike e Sigurimit, por vepra e tyre, që  është jo vetëm e bukur dhe me rëndësi, por më shqiptare se ata që dolën në krye të Shqipërisë si fitimtarë dhe e atyre që i shërbyen realizmit socialist të tyre.

Ndërkaq vepra e tyre ka të ardhme. E kundërshtarëve të tyre ka vetëm të shkuar. Duket sikur Sigurimi i mbetur i shtetit vazhdon luftën ndryshe ndaj të ikurve, më parë duke i shpallur dezertorë, tradhtarë, të dënuar me vdekje, kurse sot dhe si të dërguar nga Sigurimi i shtetit, përndryshe të vënë në shërbim të agjenturave të huaja kundër regjimit, që e identifikojnë me atdheun.

Ata studiues agjenturorë do të ishin më të dobishëm, nëse do ta kishin parësore t’i shërbenin të sotmes dhe jo të djeshmes, të na zbulonin me dokumente se si ka vepruar diktatura dhe diktatorët, Sigurimi i tmerrshëm i shtetit ndaj shkrimtarëve dhe artistëve brenda dhe jashtë vendit, me ata vetë, nëse mëtojnë të kalojnë sinoret.

Studimi i asisojshëm i ngjan një hetuesie pas vdekjes me tortura kufomës.

Dosja e shkrimtarit Martin Camaj me ato dokumente ashtu nuk është vepër e tij, por e Sigurimit të Shtetit dhe nuk duhet gjykuar shkrimtari, por kapteri II, oficerët e sigurimit deri te shefi i tyre i lartë, Enver Hoxha. Kjo është vërteta reale.

*   *   *

Shkrimtari nobelist Hermann Hesse thotë në një poezi të vetën: më mirë të të vrasin komunistët, sesa të jesh komunist. E thotë dhe për nazistët. Mund ta vazhdonim, më mirë të të vrasë e keqja, se sa të jesh i keq.

Atëherë kemi ç’të nxjerrim më parë e ç’përgjegjësi. Dhe kurajën e ndëshkimit sipas fajit a dëmit. Shoqëria shqiptare të jetë e aftë që të shpalosë vlerat e larta morale deri në heroizëm tronditës, edhe aty ku janë mbuluar me gjak e baltë e përbaltje. Për vetedukim të tanishëm dhe të së ardhmes.

Nëse do të mundet.

*   *   *

Të gjithë kanë kryqin e tyre mbi shpinë, por disa e kanë në formën e drapër-dhe-çekanit.

(c) 2020, Visar Zhiti. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Filed Under: Featured Tagged With: Visar Zhiti

Luksi shqiptar për tu marrë me Koliqin dhe Camajn

July 7, 2020 by dgreca

Shkruan: Ilir LEVONJA/

Në vjeshtën e vitit 1941 me vendim të Ministrisë së Arsimit në Shqipëri, nisen drejt Kosovës rreth 200 normalistë. Qëllimi hapja e shkollave shqipe, konsolidimi i gjuhës sonë. Njeriu që vendoi quhej Ernest Koliqi një shkodran race e për më tepër anëtar i lartë i një prej Universiteteve më në zë të Europës, si La Sapienza në Romë. Ai i përkiste një qeverie nën Italinë pasi Shqipëria ishte e pushtuar. Ndofta është një nga ndërmarrjet më të vyera pavarësisht faktit se kujt i përkiste kjo qeveri. Por është tmerrësisht e vështirë të kuptohet në Shqipërinë e mendjeve të indoktrinuara. Dhe as ka për tu kuptuar pasi mentaliteti social tek ne është o mendon e bën si mendoj e bëj unë, o je armik i popullit. Pavarsisht se çfarë mendon populli për ty, prapë ti je armik i popullit. Megjithëse po t’i referohesh kohës qeveritarë shqiptarë në qeveritë e varuara ka patur edhe para Mbretërisë, deri në Perandorinë Otomane. Madje kjo operonte e sundonte me ta aq sa pashai a pashallëku është akoma një obsesion në mentalitetit e burrit shqiptar. Por në konceptin bolshevik pushtimi fillon kur ata morën pushkën e dolën malit të luftonin për liri. Dhe kur u intereson atyre nuk do ta kenë për gjë të nxjerrin agjent edhe vet Ismail bej Vlorën a Isa Boletinin e Mitrovicës. Nga ana tjetër e quajnë teze Merkelin, kancelaren e Gjermanisë, si e si të futen në Europë, ndërkohë që rrëmojnë arshivat e shpallin tradhtarët, dezertorë, bashkëpunëtorë të gjermanit deri korifejt e letrave dhe mendimit si rasti Koliqi e Camaj. Megjithëse duhet thënë me zë të lartë që është në strategjitë e tyre të shpikin skupe e të zhysin në të njëjtën kohë cilin do, mjaft që të heqin vëmendjen nga dështimi i tyre. Dhe ja kanë arritur mrekullisht. Gjithë shtypit shqiptar është i përfshirë në një përplasje brinjësh aq sa vetë Ernest Koliqi dhe Martin Camaj do qeshinin po të ishin gjallë. Dihet botërisht që inteligjenca është viktimë e parë e sistemeve diktatoriale. Shqipëria nuk bëri përjashtim. U shpallën armiq deri vet komunistët e kulluar siç edhe është rasti i Petro Markos. Apo Sejfulla Malëshova e plot të tjerë, deri vonë, në të gjitha fushat. Madje shumë prej tyre ndërruan jetë të hidhëruar nga grabitja e partisë a e bindjeve tek revolucioni i masave, si rasti i gjeniut të skenës Kujtim Spahivogli etj. Në fakt ka kohë që ringjallja komuniste po ngre zërin deri për të drejta civile, për gjoja grabitjen e pronës private siç edhe bëri pak ditë më parë djali i ish diktatorit Enver Hoxha. Kurse Petro Markon e degdisën burgjeve vetëm sepse nuk pranoi të futej në një shtëpi të konfiskuar një civili, një qytetari me profesion inxhinjer. Dhe normale, e drejta njerëzore, mirëpo për djalin e Enverit që degdisi e surgjynosi thuajse një qytet me njerëz, bëmat e babait janë legjitime pasi ashtu ishte koha. Kjo ringjallje komuniste e suportuar nga rilindja, vetëm dje publikoi një paçaure me 3 faqe mbi vrasjen e 67 qytetarëve nacionalistë në Golem të Lushnjës, nga Mehmet Shehu me pretekstin se ata kishin armë në dorë dhe bashkëpunuan me armikun. Tre faqe me argumenta e materiale arshive si e si të spostojnë një datë, si e si të nxjerrin bashkëpunëtor me armikun vëllain e gjakut. Si e si ta quajnë normale vrasjen e 67 mendjeve ndryshe, atë që sot nuk ka këmbë të gjalli që nuk e ka dëgjuar postulatin prindëror se, derr bëhem dhe komunist jo. Kanë kohë dhe jo rastësisht, mbulojnë dështimet e halldupit të tyre. Si Koliqi dhe Camaj janë sot pjesë e programeve mësimore në tekstet e mendimit dhe fjalës shqipe. Dhe me meritë. Po ringjallja komuniste nuk duron dot këtë dhe me një gur vret tre zogj, ne, memorien tonë të vlertë, kohën tonë. Do thoni ju ja kanë dalë, sigurisht që po pasi sot çdo faqe personale në internet po merret me faktin a janë agjentë Koliqi dhe Camaj. Një luks shqiptarësh që djegin energjitë me korifejtë e tyre, ndërkohë që ringjallja vë monopol përmes tenderave, rrit borxhin publik, çon vendin në degradim total. Dhe kanë të drejtë se kanë gjetur. Ne nuk u ndamë me komunizmin siç e kërkoi koha, përkundrazi i pranuam pavarësisht kufomërisë së kampeve të riedukimit që i kemi gjithandej.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ernest Koliqi, Ilir Levonja, Koliqi

Kosova dhe Franca thellojnë bashkëpunimin bilateral

July 7, 2020 by dgreca

Paris, 7 korrik 2020- Pas takimit në Elysee, ku ishte pritur nga Presidenti francez Emmanuel Macron, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i ka nënshkruar sot pasdite në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës dy marrëveshje bilaterale Kosovë-Francë.


Nga pala franceze marrëveshjet u nënshkruan nga Sekretari i Përgjithshëm në MPJ, Francois Delattre.
Njëra marrëveshje e mundëson zhvillimin e aktiviteteve në Kosovë të Agjencisë franceze për zhvillim, kurse tjetra e lejon punësimin e anëtarëve të familjeve të diplomatëve.
Me këtë marrëveshje vendosen bazat e bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Franceze për Zhvillim në sektorët si energjia, shëndetësia, sektori i ujit, teknologjia digjitale, trajnimi profesional etj.
Përveç mbështetjes që Franca i jep Kosovës nëpërmjet Bashkimit Evropian, këto dy marrëveshje shënojnë thellim konkret të marrëdhënieve bilaterale në mes dy vendeve.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Francës janë duke përgatitur një numër marrëveshjesh, të cilat dëshmojnë kualitetin e shkëlqyeshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, dy marrveshje, Hoti, Ministria e Jashtme

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT