• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2020

QENDRA ISLAME & POLICIA E NY, BASHKËPUNIM EDHE NË KOHËN E PANDEMISË

August 10, 2020 by dgreca

QENDRA ISLAME & POLICIA E NY, BASHKËPUNIM EDHE NË KOHËN E PANDEMISË/

Janë të njohura bashkëpunimet mes Qendrës Kulturore Islame Shqiptare në Staten Island dhe Policisë së New York-ut. Edhe gjatë ditës së sotme, e hënë, 10 gusht 2020, në këtë qendër u organizua shpërndarja  e ndihmave ushqimore për qytetarët. Kjo ngjarje u mbajt nga Federata e Chaplain e Shtetit të New York-ut. Dr. David Olivencia. Unifromat blu të policisë ishin mes besimtarëve. Imam Tahir Kukaj falenderoi policinë dhe përcolli një falenderim të veçantë për Chief of Community Affairs: Jeffry B.Maddrey. Disa nga fotografitë gjatë kësaj veprimtarie,  gazetës Dielli iu mundësuan nga bashkëpunëtori i saj, pjesë e veprimtarisë së përbashkët. (Dielli)-Me shume foto gjeni ne Facebook -Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Imam Tahir Kukaj, policia, Qendra Shqiptare Islame

O socialistë të ndershëm shqiptarë!

August 10, 2020 by dgreca

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri-Përmes faqeve të internetit, u njoha me një “xhevahir të rrallë”. Aty lexova informacionin në vijim:

“Lajmi se SPAK ka nisur arrestimet për manipulimet zgjedhore në kuadër të dosjes 339, u shfry shumë shpejt një ditë më parë. Kurse sot, e gjithë historia u bë qesharake, pasi u mësua se SPAK u ka dërguar urdhërarresti dy komisionerëve që kishin dy vite të vdekur. Bashkëshortet e Kasem Lalës dhe Besim Bregut thonë se janë ndierë të fyera kur kanë mësuar se do të vijnë t’u arrestojnë burrat. Kurse rrjeti ka shpërthyer në meme e batuta…” (Citohet sipas: “Plas ironia me SPAK / Nuk vdiqën komisionerët, vdiq reforma…”. Faqja e internetit “Syri”. 29 korrik 2020).

Ky informacion tingëllon sa tragjik, aq edhe komik.

Si qytetar me gjak shqiptari, dëshiroj t’ju drejtohem me disa pyetje gjithë socialistëve të ndershëm, pa përjashtim, pavarësisht nga gjendja sociale që kanë, të cilët jetën e vet e kanë ndërtuar me djersën e ballit, duke mos u molepsur kurrë nga virusi i korrupsionit. Këto janë pyetjet në vijim:

Si shpjegohet që njeriu që keni në krye të partisë, dikur, kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, një pasdite tetori të vitit 2005, para forumit të lartë të partisë, pati paraqitur platformën për t’u zgjedhur kryetar, të cilën forumi ia hodhi poshtë, kurse të nesërmen, si me magji, e zgjodhi kryetar? A dini gjë se cila ishte ajo magji që ndikoi drejtpërsëdrejti në ngritjen e tij në postin e kryetarit të partisë?

A e keni pasur informacionin e duhur para se ta zgjidhnit në krye të partisë? A e keni lexuar letrën e avokatit Ilir Malindi që ia pati dërguar Presidentit para do kohësh dhe që titullohet “Edi Rama një i sëmurë psiqik tepër i rrezikshëm. Ka diagnozën “skizofren agresiv””, të botuar në faqen e internetit  “Kosova sot” të datës 22 maj 2020?

A e dini që Martin Henze, këshilltar për çështjet ekonomike pranë partisë së kancelares gjermane Angela Merkel, CDU, nëpërmjet një postimi në Twitter, i ka bërë një pyetje të thjeshtë kryetarit tuaj?

“A jeni arrestuar dhe burgosur në Francë në vitin 1994 dhe a keni bërë tregti, me ikona të vjedhura?”. (Citohet sipas: Poli Hoxha. “4 dëshmi: A ka qenë Edi (Edvin) Rama i arrestuar në Francë dhe pse e ndryshoi emrin pas akuzës së Nanos?!”. Faqja e internetit “VOAL”. 20 dhjetor 2019).

A e keni ndjekur informacionin e Gjegji Thimos në studion e gazetarit Adi Krasta, ku deklaroi si më poshtë?

“Numri i Ramës i burgosur në Paris AL.1961138/a (Citohet sipas deklaratës së tij në studion e Tv “Syri”, i ftuar nga gazetari Adi Krasta. 30 qershor 2020).

Pra, a e keni ditur që në krye të partisë keni një njeri me probleme mendore dhe që paska qenë i burgosur në Francë, çka nuk e ka deklaruar në kartelën për pastërtinë e figurës?

A jeni të bindur se kryetari juaj nuk gëzon kurrfarë respekti në Kosovë dhe se kjo mungesë respekti ka parahistorinë e vet, për të cilën prof.dr. Enver Bytyçi ka deklaruar si më poshtë?

“Publicistika e tij antiKosovë e viteve 1990 dhe kundërshtimet ndaj Rrugës së Kombit ruheshin në kujtesën e shqiptarëve në Kosovë, ndaj dhe respekti ndaj tij ishte përtokë” (Citohet sipas: Prof.dr. Enver Bytyçi. “Edi Rama është hero i kombit, popullit dhe shtetit të Serbisë”. Faqja e internetit “Kosova. Info”. 04 janar 2020).

A ju ka ardhur zor nga qëndrimi  i kryetarit tuaj kundër ndërtimit të Rrugës së Kombit, qëndrim që e pati shprehur hapur jo vetëm personalisht, por organizoi edhe korin socialist kundër ndërtimit të saj, kur mes atij kori ushtonin zërat e kryeservilëve të tij, si Arben Isaraj, Erion Braçe dhe Fatmir Toçi?  Madje deputeti i Vlorës Arben Isaraj lëshoi një deklaratë vetëposhtëruese. Me këtë rast, publicisti i njohur Rexhep Shahu thekson:

““Më pështyni mua në rast se ndërtohet kjo rrugë!”, -thotë me sigurinë e një bastexhiu zoti Isaraj. E kush do të denjonte ta pështynte deputetin e Partisë Socialiste Arben Isarajin tani? Askush. Por autostrada u bë. U bë një vit para afatit të parashikuar. Ai i gjori mbase pret ndokënd që të shkojë e ta pështyjë” (Citohet sipas: Rexhep Shahu. “Dashuria e vonuar e Edi Ramës për Udhën e Kombit”. Faqja e internetit e gazetës “Bota sot”. 20 qershor 2020).

A e keni pasur bindjen e plotë se merita kryesore për ndërtimin e Rrugës së Kombit i takon Kryeministrit Sali Berisha asokohe, për të cilin një ish-deputet dhe ish-ministër socialist qe shprehur dikur nën zë se ajo Rrugë u ndërtua pikërisht falë këmbënguljes së tij?

A keni pasur kundërshtime për vendosjen e taksës për atë Rrugë nga ana e kryetarit tuaj dhe a shërbeu ajo taksë si një arsye e fortë për lindjen e një mërie të heshtur ndaj kryetarit tuaj nga ana e qytetarëve të Republikës së Kosovës?

A ju pati bërë përshtypje dhe a duhej të revoltoheshit ndaj kryetarit tuaj pas deklaratës në vijim të ish-deputetit, të ndjerit Dritan Prifti, nga foltorja e Kuvendit? Ja deklarata e tij:

“A ka shqiptar, që beson se zoti Edi Rama është i pastrehë? Ai në deklaratën e tij të pasurisë thotë që është i pastrehë dhe ne të gjithë e dimë që Edi Rama është pronar i fshehtë i mbi 200 apartamenteve në Tiranë, sepse flasin ndërtuesit. Taksa e tij e jashtëligjshme është 30 euro metër katror për çdo leje ndërtimi që ka dhënë nga viti 2000 e deri sot. A ka shqiptar që e beson këtë gjë qesharake, që Edi Rama nuk ka shtëpi, që jeton me nënën e vet?” (Citohet sipas: Dritan Prifti. “Edi Rama vetëm me hundë thith tre mijë euro në ditë”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 10 korrik 2010).

A e keni ndier veten ngushtë kur mësuat faktet me përgjime për vjedhjen e votave në vitin 2017, fakte, të cilat i bëri publike gazeta gjermane “BILD”, dhe mes bisedave të përgjuara u dëgjua edhe zëri i kryetarit tuaj?

Si shpjegohet që kryetari juaj, megjithëse ngriti një padi paradoksale kundër gazetarit të gazetës “BILD” për botimin e atyre përgjimeve, më pas mblodhi bishtin dhe u tërhoq?

A jeni alarmuar ndopak kur keni marrë informacionin me titull “Gazeta Gjermane BILD “ekzekuton” Ramën: Shqipëria, vendi në duart e një gangsteri”? (Citohet sipas faqes së internetit “Koha Islame”, 15 maj 2019).

A keni menduar ndonjëherë se kryetari juaj është frikacak, çka e dëshmoi më 21 janar 2011, kur i nxiti  protestuesit të pushtonin kryeministrinë, mes të cilëve pati edhe ndonjë syresh që flamurin kombëtar e flaku në tokë, kurse vetë kryetari u fsheh në kullën përballë piramidës?

Mbyllja e kanalit televiziv “Agon Channel”, si opozitar ndaj kryetarit tuaj dhe e qeverisjes së tij, a nuk dëshmon për natyrën e tij frikacake? Natyrën e tij frikacake a nuk e dëshmon edhe mbyllja e kanalit televiziv “Ora News”, edhe ky opozitar me kryetarin tuaj dhe qeverinë e tij?

A mund të dyshohet se nesër-pasnesër ai mund ta mbyllë edhe kanalin televiziv “Syri”, meqenëse, po ashtu, është në opozitë me kryetarin tuaj?

A jeni të vetëdijshëm që shumën marramendëse prej 110 milionë eurosh, sipas vendimit të gjykatës së Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve të Investimit (ICSID), organ i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, vendim që u mor pas shpronësimit të kompanisë televizive “Agon Channel”, me pronar biznesmenin italian Françesko Beketi (Francesco Bechetti), duhet ta paguajë kryetari juaj dhe jo Banka e Shtetit Shqiptar?

A jeni shqetësuar që kryetari juaj, duke e shndërruar Shqipërinë në Kolumbi të Evropës, siç ka shkruar shtypi i huaj, duke e mbytur me plantacione droge, çka bëri që banorët e zonave fshatare të braktisin kultivimin e kulturave bujqësore, solli si pasojë që një pjesë jo të vogël të zgjedhësve t’i shndërrojë në jeniçerë të vet në pazarin e shitblerjes së votës?

A ju ka shqetësuar zbulimi i korrupsionit të madh dhe tenderi pa rivalë për Unazën e re, çka ishte një përgjegjësi shumë e rëndë që binte mbi kryetarin tuaj?

A mendoni se kryetari juaj e ka shndërruar Shqipërinë në tokën e premtuar të diplomatëve të huaj, të cilët sillen në Shqipëri si zot shtëpie dhe prandaj ndokush prej tyre arrin deri atje, saqë, me sjelljen e vet rrugaçërore, të fyejë rëndë shqiptarët, duke iu ngritur gishtin e mesit, siç veproi ndaj banorëve të Astirit ambasadori i OSBE-së Borchard? A e keni bindjen e plotë se ai diplomat faqezi duhej përzënë nga vendi ynë me teneqe një sahat e më parë, por nuk ka kush ta përzërë se Shqipëria është vend pa zot?

A e keni informacionin e duhur se kryetari juaj është takuar me Vuçiçin në Nish në vjeshtën e vitit 2016 dhe atje kanë biseduar në fshehtësi për ndarjen e Kosovës? A e dini që atë bisedë të fshehtë e ka denoncuar kryetarja e Komitetit të Helsinkit të Serbisë, Sonja Biserko, e cila ka deklaruar si më poshtë?

“Në 2016, në Nish, Vuçiç filloi bisedimet me Ramën për ndarjen e Kosovës…” (Citohet sipas: Sonja Biserko: “Jo Bolton as Grenell, ja kush filloi bisedimet më 2016 për ndarjen e Kosovës”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 06 korrik 2020).

A jeni në dijeni për informacionin që ka dhënë edhe ish-kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj për atë bisedë të fshehtë të kryetarit tuaj me Thaçin dhe Vuçiçin për copëtimin e Kosovës, kur ca muaj më parë ka deklaruar si më poshtë:

“Ndalova grabitjen e 10 miliardë eurove, që do të realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiç dhe Rama, ishin bashkëpuntorë në realizimin e kësaj skeme. Por unë e ndalova këtë grabitje dhe miniera e Trepçes, sot e prej dy muajsh, i përket vetëm Kosovës” (Citohet sipas: “Haradinaj “plas bombën”: Ndalova grabitjen e 10 miliardë eurove. Thaçi, Vuçiç dhe Rama janë bashkëpunëtorë!”. Faqja e internetit “dosja.al”. 17 tetor 2019).

A jeni të vetëdijshëm se me flirtet e nxehta me armikun e egër të Kosovës, Aleksandër Vuçiçin, dhe me argatin e Beogradit Hashim Thaçi, kryetari juaj, ashtu si Enver Hoxha, ka hyrë në rrugën e tradhtisë kombëtare, aq më tepër që Vuçiçi, si ish-ministër i kriminelit Millosheviç, në bashkëpunim të ngushtë me Sheshelin dhe me Nikoliçin, ka qenë hartues i platformës për spastrimin etnik të Kosovës, dhe me nismën që pati ndërmarrë për krijimin e Minishengenit ballkanik, kërkon të krjojë Jugosllavinë e re, edhe me Shqipërinë, siç deklaroi në Beograd më 06 prill 2017? A ju kujtohet konkretisht se çfarë deklaroi Vuçiçi pikërisht në këtë datë? Nëse e keni lexuar në internet, po jua rikujtoj:

“Në intervistën e tij të parë si president, dhënë portalit amerikan “Politico”, në 6 prill, i pyetur nëse me planin e tij për një treg të përbashkët ballkanik ai po përpiqet të rikrijojë Jugosllavinë, Vuçiç përgjigjet pa hezituar dhe në mënyrë pohuese se “Është Jugosllavia e vjetër, plus Shqipërinë” (Citohet sipas: Shaban Murati. “Për të shkundur neojugosllavët e Tiranës”. Faqja e internetit “fax.al”. 10 tetor 2019).

A jeni të bindur se këtë deklaratë për përfshirjen e Shqipërisë në Jugosllavinë neotitiste, Vuçiçi nuk mund ta bënte publike pa miratimin e kryetarit tuaj në bisedat e fshehta që ka pasur me të?

Si i shpjegoni ju flirtet e kryetarit tuaj me argatin e Beogradit Hashim Thaçi? A e dini ju se çfarë ka deklaruar Vuçiçi për Thaçin? Nëse nuk e dini, më lejoni t’jua citoj:

“Radio serbe B92, duke përcjellë një lajm nga Tanjug, sjell deklaratën bombë të Presidentit të Serbisë, drejtuar Hashim Thaçit. Aleksandër Vuçiç e nxjerr zbuluar Hashim Thaçin! Presidenti i Serbisë ia tha këtë deklaratë  Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi gjatë takimit të përbashkët në samitin e Brdo-Brijunit të zhvilluar në Tiranë, Shqipëri. Ja çfarë citon Tanjug t’i ketë thënë Vuçiç Hashim Thaçit:

“Ti Hashim varesh nga ne. Jam duke t’u lutur të flasësh, për të mos thënë atë që ti do apo atë që ti nuk do!”

Vuçiç përsëriti se ai nuk ka folur kurrë për zgjidhje por për arritjen e një marrëveshjeje” (Citohet sipas: “Deklarata e Aleksandër Vuçiçit: Hashimi varet nga ne! Nuk na ka kërkuar kurrë që Serbia ta njohë Kosovën…”. Faqja e internetit “Gazeta Impakt”. 12 maj 2019).

Ky bashkëpunim kaq i ngushtë i kryetarit tuaj me Vuçiçin, për ta shndërruar Shqipërinë në një koloni të Jugosllavisë së re serbiane, a nuk ju kujton bashkëpunimin e Enver Hoxhës me Beogradin, për ta kthyer Shqipërinë në koloni të Jugosllavisë titiste nën maskën e republikës së shtatë? A ju kujtohet fjala e tij në mbledhjen e Byrosë politike të 15 dhjetorit të vitit 1947, ku lexoi thirrjen e mëposhtme?

“…Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin de fakto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur  dhe  aq më pak të ndërtojë socializmin, pa u bashkuar me Jugosllavinë…”  (Citohet sipas: Mërgim Korça. “Ku gënjen Paskal Milo. Replikë me historianin “e nderuar”. Gazeta “Metropol”. 14 korrik 2012).

A jeni të bindur se kryetari juaj po ecën në gjurmët e Enver Hoxhës, i cili vendoste vetë për gjithçka, se populli, sipas tij, duhej të bënte vetëm atë që thoshte partia, prandaj s’ishte e nevojshme të vilej mendimi i tij, aq më tepër që komunistët nuk e dinin se nga bien me adresë referendumet mbarëpopullore?

A mendoni se kryetari juaj ishte i bindur që populli, përmes referendumit, do ta jepte pëlqimin e vet që Shqipëria të hynte në përbërjen e Jugosllavisë neotitiste të Vuçiçit?

Si i kuptoni dhe si i shpjegoni ju flirtet e kryetarit tuaj me Hashim Thaçin, i cili, siç deklaron Vuçiçi, është në shërbim të Serbisë, nuk ka kërkuar prej saj njohjen e Kosovës dhe prandaj, që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ai nuk mund ta padiste Serbinë për gjenocid në Kosvë? Këto flirte a nuk dëshmojnë më së miri se kryetari juaj është kundër ngritjes së padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për ndëshkimin e Serbisë?

A jeni të bindur se gjatë qeverisjes së kryetarit tuaj, populli i thjeshtë është varfëruar deri në atë shkallë, saqë qindra mijë shqiptarë kanë braktisur vendin?

A ju kujtohet  kur kryetari juaj, vitin e kaluar, ishte i ftuar në programin televiziv TG2 të RaiDue në Itali dhe  analisti Italian Alberto Negri  tha se “në vend qarkullojnë 2 miliardë euro para të krimit, që përbëjnë një rrezik,.. se nga vendi janë larguar 500 mijë njerëz”… Nëse njerëzit emigrojnë, do të thotë se aty gjërat nuk janë mirë”? (Citohet sipas: “Gazetari italian “gozhdon” Ramën: Ju jeni establishment, ish-ministri në trafik droge… ”. Faqja e internetit “Syri.net”. 28 shkurt 2019).

A kanë të drejtë njerëzit të dyshojnë se kryetari juaj, me qeverisjen e vet, ka ndikuar dhe vazhdon të ndikojë në rrudhosjen e popullsisë së vendit?

A ju ka shqetësuar informacioni i Departamentit të popullsisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit, duke parë ritmet e ulëta të lindshmërisë dhe ritmet e larta të emigracionit, në vitin 2100 popullsia e Shqipërisë pritet të zbresë në 512 mijë banorë? A e dini se edhe në Kosovë ritmet e emigracionit janë edhe më alarmante po për të njëjtat arsye?

A kanë të drejtë të dyshojnë njerëzit se edhe kryetari juaj, edhe miku i tij Hashim Thaçi po ndikojnë drejtpërsëdrejti në shpopullimin e vendit, çka ka qenë interesi mbinjëshekullor i grekosllavizmit, me pikësynimin final shpërbërjen e kombit shqiptar?

A nuk ju tingëllojnë aktuale vargjet e Fishtës së  Madh “O Perendi a ndjeve / Tradhtarët na lane pa Atdhé / E Ti rrin e gjuen me rrfé / Lisat n’për male kot!”?

A ju kujtohet ligji që aprovoi Kuvendi juaj me deputet njëpartiak, sipas të cilit në Shqipëri ekzistuakan 9 minoritete? A e kuptoni qëllimin djallëzor që fshihet pas këtij ligji me pasoja të gjëmshme kombëtare?

A po ju shqetëson fakti që politika që po ndjek kryetari juaj në Tiranë dhe Thaçi në Prishtinë për shpopullimin shkallë-shkallë të vendit nëpërmjet varfërimit të vazhdueshëm të njerëzve, është duke bashkëpunuar ngushtë me antishkencën, pikërisht për shpërbërjen urtë e butë të kombit shqiptar? A e ndiqni emisionin  televiziv “Gjuha Kozmike” të profesorit Agron Dalipaj? A jeni në dijeni që Anila Omari, bijë dhe mbesë komunistësh, ka botuar një libër me titull “Marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-serbe” dhe ka ardhur në përfundimin se 93% e Fjalorit të gjuhës shqipe është e huazuar? Në një takim, të organizuar nga Fondacioni “Albana” për mbrojtjen e gjuhës shqipe, Profesori Agron Dalipaj ka deklaruar:

“E njëjta gjë që bëhet me politikën kundër shqiptarëve, bëhet edhe në institucionet e gjuhës shqipe” (Citohet sipas: “Fjala emocionuese e studiuesit Agron Dalipaj”. YouTube. 04 tetor 2019).

Në atë takim, Profesori Agron Dalipaj njoftoi të pranishmit se çfarë i kishte thënë Anila Omarit kur e kishte takuar:

“Zonja Omari, deri tani keni arritur ta shpallni shqipen 93% të huazuar. Ka mbetur edhe 7% e Fjalorit pa u shkombëtarizuar. Thjesht çëshje kohe për ju. Ju punën tuaj me pasoja të rënda kundër kombit shqiptar gati e keni përfunduar dhe zyrtarizuar” (po aty).

A e dini se librin e Anila Omarit e ka hedhur në qarkullim Akademia Albanologjike? Po pse hesht Akademia e Shkencave? A jeni në gjendje ta shpjegoni se pse hesht? A e dini se pse kryetari juaj vendosi në krye të Akademisë një komunist të regjur, i cili ka pasur funksione të larta në kohën e diktaturës dhe, si matematicien, nuk ka kurrfarë lidhjeje me gjuhën shqipe dhe me gjuhësinë shqiptare, në vend që të vendoste një gjuhëtar, një historian apo një arkeolog? A duhet të dyshoni se çekani rreh me synim të largët: prania e 9 minoriteteve vërtetuaka se nuk ekzistuaka komb shqiptar, se nuk ekzistuaka gjuha shqipe, se të gjitha fjalët “ua paska vjedhur” gjuhëve të tjera?

Ju lutem miqësisht dhe me shumë çiltërsi, ndokush nga ju a mund ta pyes Anila Omarin se si t’ia bëjmë një figure të shquar të kulturës evropiane, dijetarit gjerman Leibnici (Gottfried Wilhelm Leibniz (1646 – 1716), i cili ka thënë:

“Në qoftë se duam të dimë historinë para Krishtit dhe shkencat e asaj kohe, duhet t’i drejtohemi gjuhës shqipe”?.

A e dini se në mbështetje të politikës antikombëtare të kryetarit tuaj dhe të antishkencës gjuhësore të Anila Omarit me mbështetjen e Akademisë Albanologjike, del Panajot Barka, daullja e shpuar e politikës shoviniste greke, i cili na paska botuar një libër, ku deklaruaka se shqiptarët na qenkan ardhacakë, të cilët otomanët na i paskan sjellë në këto troje. A mendoni se sikur Shqipëria të ishte vend me zot, Anila Omari dhe Panajot Barka duheshin marrë në ndjekje penale?

A jeni të vetëdijshëm se, duke e shndërruar partinë socialiste në pronë të vetën, kryetari juaj ka ndikuar drejtpërsëdrejti që në radhët e saj të lulëzojë arti i servilizmit të neveritshëm ndaj tij, çka ka sjellë si pasojë që krejt partia juaj të kthehet në një universitet servilizmi?

A jeni të vetëdijshëm se ish-deputeti Andis Harasani kishte të drejtë kur deklaronte si më poshtë:

“Në PS është bërë mbizotëruese filozofia e të qëndruarit sa më pranë kryetarit të radhës. Nëse do që të jesh në listë dhe në vend të mirë për deputet, duhet të jesh pranë kryetarit… Shkurt, nëse do të doje një histori vetjake suksesi në politikë, duhet të jesh pranë kryetarit… Në këtë kuptim, shumica e kolegëve të mi të PS-së, ndryshe mendojnë, ndryshe flasin, ndryshe flasin në publik dhe ndryshe flasin në kafene. Tek ata ka mbizotëruar filozofia e kryetarit që mendon se sa kohë ta mbajë trëndafilin në grusht, ka gjithmonë një shans për të ardhur në pushtet, dhe ndaj e shtrëngon aq fort e harron çdo gjë tjetër” (Citohet sipas: Andis Harasani. “Qumështi në diktaturë dhe PS-ja”. Gazeta “Panorama”. 24 qershor 2011). 

A jeni të vetëdijshëm që me heshtjen tuaj keni lejuar që kryetari juaj të shndërrohet në një pronar pushtetplotë jo vetëm i partisë socialiste, por edhe i Republikës së Shqipërisë (siç rezulton nga bisedat e tij të fshehta me Vuçiçin), ndërkohë që vetë anëtarësia e partisë socialiste dhe të gjitha strukturat e saj, janë shndërruar në kopje të anëtarësisë dhe të strukturave të partisë së punës, të cilat rrinin sus para Enver Hoxhës?

Nëse jeni të vetëdijshëm për një gjë të tillë, a mendoni se kjo është një dukuri e shëmtuar që mund të shpjegohet vetëm me dy mënyra: ose korrupsioni në strukturat e larta të partisë suaj, duke filluar që nga kryetari, është kaq i lartë, saqë i ka katandisur të gjithë anëtarët e tyre të notojnë në një të tillë batak të përbashkët, ku është e pamundur që ndokush të guxojë të manifestojë individualitetin e vet, ose mes anëtarësisë së saj mbizotëron ideja enveriste e nënshtrimit pa kushte para njëshit të partisë?

A mendoni se me mënyrën se si i trajton strukturat e larta të partisë dhe sidomos grupin e deputetëve socialistë, të cilët i ka shndërruar në deledeputetë, kryetari juaj ka ndikuar që në atë parti të lindin ca dukuri negative, të dëmshme këto dhe me pasoja  jo të mira për autoritetin e partisë socialiste, si  anarshizmi, dyfytyrësia, hermetizmi, mosmirënjohja, pabesia, servilizmi, vulgariteti?

A mendoni se tingëllon aktual thelbi i përmbajtjes së një artikulli në vijim, të botur gati pesëmbëdhjetë vjet më parë:

“Partia Socialiste nuk është një formacion politik me  ide. Është një grumbull i madh interesash që nuk kanë as filozofi, as ide, as ideologji, pra, asgjë. Partia Socialiste Shqiptare është vazhduesja e Partisë Komuniste. Pjesa më e madhe e anëtarësisë së saj janë komunistët që kanë si kult Enver Hoxhën, por kjo e vërtetë nuk thuhet asnjëherë. Ata janë aty, pra, në PS, sepse nuk e përtypin dot as sot përmbysjen e komunizmit në Shqipëri dhe as në Evropë…” (Citohet sipas: Ilir Yzeiri. “Edi Rama apo heroi pa objekt”. (Gazeta “Metropol”, 04 tetor 2005, f. 13).

Cili ka qenë qëndrimi juaj ndaj ish-deputetes Arta Dade, e cila, në gazetën “Telegraf” të datës 09 mars 2019, ka pasë hedhur idenë për rithemelimin e partisë socialiste? A mendoni se partia socialiste duhet rithemeluar apo duhet themeluar? Në të vërtetë, partia socialiste nuk ka datë themelimi, sepse data 12 qershor 1991 shërben si data e ndërrimit të emrit të partisë së punës në parti socialiste, jo si data e themelimit. Prandaj a e quani të arsyeshme se duhet të themelohet partia socialiste, në mënyrë që në krye të saj të dalë një njeri me integritet të lartë intelektual dhe moral, me vetëdije të lartë kombëtare, i panjollosur nga balta e korrupsionit, që, në postin e kryeministrit, të gëzojë autoritet në marrëdhëniet me fqinjët dhe me Brukselin,  që  rivalët politikë t’i vlerësojë si konkurrentë nëpër fushatat zgjedhore dhe jo si armiq, siç i ka trajtuar dhe vazhdon t’i trajtojë kryetari juaj, i cili ka luajtur një rol mjaft negativ në pakësimin  e numrit të popullsisë, në përçarjen e popullit shqiptar dhe në varfërimin e tij?

Deklarata e kryetarit tuaj pas “fitores” në zgjedhjet e qershorit 2013, a nuk dëshmon për rolin e tij përçarës në radhët e popullit shqiptar? Një publicist i njohur shqiptaro-amerikan shkruante asokohe:

“Ai na përsërit fitoren historike të qershorit 2013, duke i krahasuar votat që mori me “një milion topa, grushte apo shuplaka” që iu dhanë opozitarëve të sotëm.  Por… qenë pikërisht ato zgjedhje që mbushën parlamentin me mediokër, por të pasur, hajdutë, kriminelë me precedentë penalë, të lidhur me trafiqe e të korruptuar, siç e kanë marrë vesh tashmë edhe kalamajt e kopshteve.  (Citohet sipas: Andon Dede. “Kur gjykojmë qeverinë”. Faqja e internetit “alb.spirit”. 23 prill 2017).

A duhej të ishit revoltuar kundër asaj deklarate skandaloze? Sepse topat, grushtet dhe shuplakat përdoren kundër armiqve, jo kundër konkurrentëve politikë. Sepse të tilla mjete, krimineli Enver Hoxha i përdorte kundër shtresës së të përndjekurve politikë, të cilët i trajtonte si armiq të klasës.

Kur ktheni kokën prapa dhe vëreni se ku është katandisur vendi gjatë këtyre shtatë vjetëve që lamë pas, a nuk mendoni se  kryetari juaj  është shkaktari i një tragjikomedie, në të cilën vetë, nën heshtjen tuaj, ka luajtur tragjedinë, kurse ju keni soditur komedinë? Kjo gjendje më kujton një shprehje të bukur të shkrimtarit anglez Oldos Haksli (Aldous Huxley – 1894-1963), i cili ka thënë:

“Në tragjedi ne jemi pjesëmarrës, kurse komeditë vetëm rrimë dhe i soditim”.

Në fillim citova atë informacionin, i cili në titullin e tij përmban fjalinë “Nuk vdiqën komisionerët, vdiq reforma…”. Më vjen shumë keq që doli parashikimi im, të cilin e pata bërë më shumë se katër vjet e gjysmë më parë në një analizë me titull “Reforma në drejtësi: do të mbarset mali dhe do të pjellë një mi”, të botuar në internet më 28 janar 2016. Në atë analizë pata theksuar se refotma në drejtësi duhet të fillojë nga krerët e politikës, deputetët dhe mandej të zbresë në strukturat e sistemit gjyqësor. Kryetari juaj nuk deshi ta niste reformën në fjalë nga politikanët se, faktikisht, ishte kundër saj, prandaj dhe ajo nuk mund të mos dështonte. Gjatë këtyre më shumë se katër vjetëve, kryetari juaj, në bashkëpunim të ngushtë me sejmenët që ka rreth e rrotull vetes, kanë nanurisur popullin shqiptar për reformën në drejtësi, duke u marrë me llafte të kota, për të cilat filozofi gjerman Shopenhaueri (Arthur Schopenhauer 1788-1860) thotë:

“Në qoftë se llafet e kota, të cilat na qëllon rasti t’i dëgjojmë në bisedë e sipër, fillojnë të na bëhen të mërzitshme, duhet përfytyruar se është duke u luajtur një skenë komike mes dy gaztorëve. Ky është një mjet jashtëzakonisht i stërprovuar”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Prof.Dr. Eshref Ymeri, socialistë të ndershëm shqiptarë

HAVZI NELA SI NJË DASHURI TRAGJIKE

August 10, 2020 by dgreca

-Ripublikohet me rastin e 32 vjetorit të vdekjes-

NGA VISAR ZHITI-

Poeti martir, Havzi Nelaj, erdhi sërisht në qytetin e Lindjes, tani në bronz, besnik i vetes dhe i të gjithëve ne. Me një rezëllim të mynxyrshëm si të fitimtarëve moralë, që kanë gjithçka, edhe jetën. Bustin e tij e realizoj skulptori Hilmi Hoxha, mik im kur isha mësues në Kukës, në një fshat të largët. Afër  piedestalit me bustin e Havziut tonë më arrestuan dhe mua dhe më dënuan 10 vjet burg për poezitë e mia. Dhe do ta njihja Havziun në burgun e Spaçit, teksa shtynim vagona në ferr. Më nëpërmendet heshtja e tij e mënçur dhe ajo pak buzëqeshje, që kishte një si dritë të përtejme në terret e nëndheshme.                            

Si një peng mall po sjell një pjesë nga burgologjia ime “Ferri i çarë” dhe fjalët e gruas së tij si një porosi e rrallë shpirti.

      Varja e fundit

Kam lajm nga Havzi Nelaj.                                                                            

Ashtu, si është? Ka shkruar më poezi atje në Kukës(burg)? Pasi u lirua nga burgu e çuan në internim, në Arrën.                                                                                 

Ç’emër, si arnat, si leckat e shpirtit.                                                                         

Ç’vështrim që kishe, të gjerë dhe ëndërrues. Heshtje. S’kisha ndeshur heshtje më rroposëse se tënden. Flisje pak. Pse kemi folur aq pak? Sa keq më vjen tani! Dhe në trup ishe i paktë, me kokën të anuar në njërin sup. Ah, si të varurit! Fytyrë e butë, me një ëmbëlsi trishtane.                                                      

Ike pa leje nga internimi…

Po ti ishe arratisur një herë, kishin frikë prej teje. Kishe dhe një revole, s’dihej ku e gjete, që, në rast rrethimi, të vrisje veten… Dhe ashtu ndodhi, të rrethuan në shtëpinë e dajës, herët në mëngjes. Po flije, kur të zgjuan. Pe policët… Qëllove me revole për të vrarë veten. Ta kapën dorën dhe plagose njërin nga rrethuesit në gojë. Arma ngeci. Vjetërane. T’u hodhën përsipër. Dhe të çuan në gjyq për të të dënuar për herë të katërt, po në atë ngrehinë ku isha dënuar edhe unë, i njëjti prokuror egërshan dhe i kafshët.                   

Për herë të parë ishe dënuar poshtë, në Kukësin e vjetër, të mbytur tashmë nga ujërat e Drinit, në sallën e shfaqjeve të shtëpisë së kulturës. Dramë e vërtetë. Ti, mësuesi i urtë, sapo kishe mbaruar universitetin me mundime dhe guxove e dole kundër prishjeve të tempujve të fesë, ishe për veshjet e bukura popullore, nuk duhen hequr me zor, ç’janë këto kooperativa, the, nuk kolektivizohen shpirtrat. Populli është i sëmurë, shtove. Dhe po të ndiqnin si kundërshtar.                                     

Bashkë më tët shoqe u arratisët. Në piramidën e kufirit le një letër “Lamtumirë, Atdhe i dashtun…” Në Prizren të mbyllën në një hotel. Do të na shërbesh ne, të thanë, bëhu polic. Jam mësues, u the, dhe poet, e kam parim të jetës. Por bëhesh dhe i vdekjes, të thanë. Dhe ju kthyen. Dhe ju dënuan. Ty 15 vjet burg, tët shoqe 10. Të dy 25 vjet. Dhe të ridënuan edhe me 8 vjet të tjerë, prapë si kundërshtar politik. I besoj Zotit, i the hetuesit, liri ka në Perëndim, i the prapë, në Amerikë, Francë, Suedi, Gjermani…

Ku u njohëm ne, miku im, që avitesh midis qiellit dhe tokës, i ëndërrt, në Spaç apo në Qafë-Bar? Në errësirë, nën dhé. Shtynim vagonë si skllevër. Seç më the për poezinë. Me kryet mënjanë, dhembshurisht, si të varurit. Dhe unë të thashë se ç’është një që ka mbiemrin tënd, ai e pati librin tim dhe… nga i njëjti fshat jemi, fis… S’e dija që ti kishe shkruar poezi për të drejtat e njeriut, për Helsinkin, ishe i pari që e përmendje, kur nuk lejohej, në të gjithë poezinë shqipe.

             Fryma e Helsinkit u derdh porsi era,

             na përkëdheli zemrat, çeli si pranvera…

Kishe shkruar dhe në burgun e Burrelit, madje një roman “Bota e bardhë”, po ku është, s’gjendet? Në birucat e Rrëshenit ke bërë poezi me mend, po edhe unë. Dhe për Kanunin se ç’thamë një ditë, se mos ishte ditë, makth, tmerr, të dhashë një libër, më duket. Ja që edhe prilli thyhet, buzëqeshe hidhur. Po pse kemi folur aq pak bashkë? Pse?

Dhe u liruam në të njëjtin dimër, ti në dhjetor, unë mbas pak, në janar. Po ajo borë e ftohtë, po ajo diktaturë. Ti u ktheve në Kukësin tënd, nise të ndërtoje një shtëpi, por të internuan, të çuan andej ku nuk duhej të rrije as me bishat, kështu the, kurse unë shkova prapë në Lushnjë, mbartja tulla si i dënuar, pa asnjë të drejtë tjetër.                                                                                        

Dhe të çuan në bankën e të akuzuarve për herë të katërt e të fundit. Ku ishte jot shoqe? Të erdhi nga pas kudo. Të ulën atje ku kam qenë ulur dhe unë. E pe Kukësin e Ri? A ishte shpirti i qytetit apo qe mbytur me të vjetrin? Ndoshta po ato pranga kam pasur edhe unë ndër duar, se si shtrëngohen, ka një vidhë të trashë, i vënë dhe një dryn të madh si dyerve të birucave. Në cilën ishe ti, në birucat andej, te 9-a isha unë në fillim. Dhe të dënuan shpejt e shpejt. Me vdekje. Me varje.                                                                                                

  Te agjencia e autobusëve ngritën trekëmbëshin, gati afër qendrës së qytetit, ku isha arrestuar edhe unë. Sa herë kisha pritur aty për të ikur larg, në fshatin ku më kishin caktuar mësues. Ja dhe fusha me drurë molle anash dhe më tej mali me emrin Pikëllimë. Mjegull si andej. Fantazma ime avitet që të shikojë. Fantazma jote… zhduket.                                                                         

Gjithçka u krye natën. Pas mesnate. Gusht, zagushi mbytëse. Ca yj të mëdhenj binin mbi qytet si kokrra misri, dora e Zotit i hidhte mbi rrugët dhe tarracat.                                                                                                               

Të sollën te vendi, heshturazi. Si hajdutë. Ah, sa i varfër ishe, me rroba të vjetra. Si të hipën në trekëmbësh? Kush ta vuri litarin në fyt? Çfarë the? Asnjë dëshmi.                                                                                                    

Një lëkundje e fortë lart-poshtë. Terratisje. Ra mali mbi agjencinë e autobusëve, i theu drurët e mollëve anash, dritaret, u shtrembëruan, gulçe, qyteti përpëlitej në litarin e varur në qiell, u këput qielli, njëra këpucë preku gjykatën dhe tjetra komitetin e partisë, po lëkundej nata, i mbylli sytë përgjithmonë, kokëmënjanë, ashtu si ti, po shuhej…                                                  

Zbardhi fytyra e të varurit në të gjitha rrugët. Dhe u thirrën njerëzit për ta parë. Ishin shpërndarë ftesa. O Zot! Si në gjyqin tim.                                                

Midis tokës dhe qiellit ai, i varuri. Lëkundej lehtë, pikëllueshëm. Me kokën mënjanë. Symbyllur. Me qerpikët e zinj si zi e përjetshme. Herë shkonte paksa në të ardhmen, pastaj në të shkuarën, shpatë e drejtë e ngulur tej e tej mbi këdo, nga kryet te këmbët, e pamundur ta shoh, hiqeni.                                                

Ora 11 e paradites digjte si pishtar. Një thikë e ashpër preu litarin. Trupi i Havzi Nelës ra përtokë në fund të trekëmbëshit. Pak fare trup i kishte mbetur, ndërsa shpirti i kishte ikur lart. Me përbuzje të shenjtë.                                                        

Kufomën e çuan te lavazhet e policisë. E flakën në një qoshe. Afër mesnatës e ngritën si një deng. Në një gropë çfarëdo e mbuluan me dhé, gati si më këmbë, ashtu si në varje. Qafa ishte rrjepur. Përsipër hodhën ca shkurre, që të mos kuptohej asgjë. S’duhet të ishte më as i vdekur.                                         

Një vit më vonë do të binte Muri i Berlinit.                                                                                                                                                                                          

FORCA E BUZËQESHJES

Po buzëqeshja jote e hidhur ku kishte mbetur? E gjeta, ishte te jot shoqe. Ajo buzëqeshte si ti, për ty prapë. Kaq shumë njëlloj, mallëngjyeshëm, si drita e syve.                                                                                                                  

Do të desha të tregoja si u dashuruam, më tha ajo.                                                 

Ashtu? Jo për vuajtjet dhe dënimet? Se të gjithë ne flasim si na burgosën, si na vranë, si na hodhën dhé përsipër, si endemi si fantazma, kurse ajo, grua e heshtur, e bukur ende, me hiret e moshës së vonë, dinjitoze, ka vendosur të tregojë se si u dashuruan. Atje në Veri, maleve. E pabesueshme. Vetëm kjo ka rëndësi, më shumë se sa burgjet dhe vdekja.                                                       

Kur të fillojmë të flasim për dashurinë, atëherë kemi fituar…

Filed Under: Politike Tagged With: Dashuri tragjike, Havzi nela, Visar Zhiti

Rihapja e shkollave në Nju Jork, Kur dhe Si?

August 10, 2020 by dgreca

-Flet për Gazetën DIELLI, drejtuesja Drita Gjongecaj-Intervistoi Marjana Bulku-

Marjana Bulku: Situata pandemike e ka vënë jo pak në vështirësi sistemin e edukimit në përgjithësi, a mund të na i specifikoni disa nga pasojat?

Drita Gjongecaj :Në një mënyrë apo tjetër, pasojat e Covid -19 janë ndjerë në çdo fushë. Në arsim, kjo situatë ka prekur drejtpërdrejt tri kategori njerëzish, punonjësit e arsimit, nxënësit dhe prindërit. Duke qenë se nuk ishin të pregatitur për një situatë të tillë mësuesit dukej sikur të ishin në vitin e parë në profesion; atyre iu desh të adaptoheshim menjëherë me një mënyrë krejt të re mësimdhënie, komunikimi me nxënës, etj. Me 1.1 milion nxënës që ka vetëm qyteti i NY, ky ishte një hap vigan. Edhe ana teknike pati vështirësitë e veta… mësuesit vetë patën shumë gjëra për të mësuar dhe për më tepër, u është dashur t’ua shpjegojnë prindërve hap pas hapi (kjo në shkollat fillore) se si të krijojnë një llogari personale me shkollën, si të hyjnë në platformë e deri në detaje të tjera që kanë të bëjnë me dorëzimin e detyrave të përfunduara. Shkollat tetëvjeçare dhe të mesme edhe para Covid -19 kanë qenë në masë të konsiderueshme të përfshira në një system te tillë por jo gjithkund në të njëjtin nivel. 

Marjana Bulku– Cila nga sfidat mendoni se ka qenë më e vështira ; ajo e fëmijëve, mesuesve apo prindërve dhe familjes?

Drita Gjongecaj:Prindërit ndoshta e kanë pasur më të vështirë këtë periudhë. Duke dashur më të mirën për fëmijët e tyre, ata ishin e janë të shqetësuar nëse po bëjnë aq sa duhet për t’u siguruar atyre nivelin e nevojshëm akademik. Mungesa e njohurive në lëndë të caktuara, kufizimet në përdorimin  e teknologjisë për mësim dhe në disa raste deri tek pamundësia për të shkuar në punë ka shtuar stresin dhe pakënaqësinë me situatën. Shumë familje nuk kanë një pajisje elektronike për çdo fëmijë e kjo është tjetër pengesë pasi ata duhet të presin rradhën. 

Mësuesve iu desh të futen drejtpërdrejt në mësimdhënie në distancë pa trainimim e duhur, pa teknologjinë e kërkuar, pa një program se çfarë do t’u mësojnë fëmijëve dhe pa material të mjaftueshme. Përveć Google Classroom, në një kohë shumë të shkurtër arsimtarët u familjarizuan me disa platforma plotësuese për ta bërë mësimin sa më efektiv. Por edhe sot pas 6 muajsh ka nga ata që kanë vetëm njohuri elementare dhe nuk janë në nivelin e pritshmërive të sotme për sa i përket teknologjisë. 

Po t’i referohemi nxënësve, ata u përballën me pasigurinë në plotësimin  e detyrave, shumë herë pa pasur shpjegimin e mësuesit por duke u përpjekur ta gjejnë zgjidhjen me të lexuar. Me moshat e vogla sidomos është e vështirë pasi ata e kanë të kufizuar kohën e vëmëndjes/përqëndrimit në një aktivitet të caktuar. 

Marjana Bulku – Ju jeni drejtuese arsimi, si po mendohet të nisë ky vit i ri akademik?

Drita Gjongecaj:Guvernatori Cuomo deklaroi se shkollat e New Yorkut do të hapen në shtator ndërkohë që distriktet e shkollat duhet të paraqesin një plan të detajuar se si do të procedojnë. Modeli më i mundshëm është ai hybrid, ku gërshetohet mësimi në klasë me atë në distancë (online). Tëgjitha planet duhet të shqyrtohen dhe miratohen nga Departamenti Shëndetësor. Ndonëse ka akoma shumë pikëpyetje në lidhje me rihapjen e shkollave, direktivat e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Centers for Disease Control and Prevention – CDC) do të ndiqen që nga mbajtja e maskave, ruajtja e distancës, dizinfektimi i klasave, etj. 

Departamenti i Arsimit ka nxjerrë disa modele të mënyrës sëgërshetimit të cilat përfshijnë 2-3 ditë mësimi në javë në ambientet e shkollës. Modelet do të kenë variacione të vogla në varësi të numrit të nxënësve duke pasur jo më shumë se 9-12 persona në klasë. Prindërit kanë opsionin e zgjedhjes për t’i mbajtur fëmijët në shtëpi e të marrin mësimet plotësisht online. Atyre u është dërguar një pyetësor për të ndarë shqetësimet e sugjerimet e tyre si dhe për te bërë përzgjedhjen e modelit arsimor. 

Dita e mësimit për fëmijët do jetë paksa më e shkurtër sesa tradicionalisht (8:30 am-2:00 pm). Raportet tregojnë se vetëm 1% e popullsisë është identifikuar aktualisht si e prekur nga Covid-19. Nëse kjo shifër rritet deri në 3% atëhere vendimi i rihapjes sëshkollave do të rishikohet. 

Sa për ilustrim, ky është një nga variantet që mund të përdoret nëshkollat elementare. 

Modeli 1B

JavaE hënëE MartëE MërkurëE EnjteE Premte
 Grupi D (çdo ditë vetëm online)
1Grupi AGrupi AGrupi AGrupi BGrupi B
2Grupi BGrupi AGrupi AGrupi BGrupi B

Pra, nëse ka vetëm dy grupe (A dhe B) që do ndjekin mësimin edhe në shkollë edhe online, Grupi A do paraqitet në shkollë çdo të martë dhe të mërkurë, ndërsa të hënën do të alternohet me Grupin B. Java e parë – Grupi A; java e dytë – Grupi B e kështu me rradhë. 

Ditët tjera (e enjte, e premte dhe e hëna e 2të, e 4t, etj.) Grupi A zhvillon mësimin online dhe Grupi B në klasë. Në modelin e mësipërm nuk ka grup C. Në grupin D janë të gjithë ata nxënës që kanë zgjedhur ta bëjnë mësimin 100% online dhe nuk paraqiten fare në shkollë. Çdo prind ka të drejtë të zgjedhë vetëm mësimin online nëse do dhe mund ta ndryshojë atë në çdo kohë për t’iu bashkuar mësimit në klasë nëse situata përmirësohet. Mësuesit mbi 65 vjeç apo që kanë probleme shëndetësore kanë të drejtë të aplikojnë dhe nëse miratohen do punojnë vetëm virtualisht. 

Me gjithë masat që po merren shqetësimi dhe pasiguria egziston pasi ka raste në Europë apo edhe disa shtete te Amerikës ku situata është rënduar me shtimin e lëvizjeve. Mbetet per t’u parë nëse vendimet do rishikohen kur t’i afrohemi shtatorit edhe pak më shumë. 

Marjana Bulku – Si drejtuese e shkollës shqipe ‘Children of the eagle” jeni përpjekur që edukimin e gjuhës shqipe ta mbani aktiv edhe gjatë vitit të vështirë akademik që lamë pas, sa efiçente ka qenë teknologjia e re e mësimdhënies së gjuhës shqipe në këtë vit të pazakontë?

Drita Gjongecaj: Kjo situatë ndikon pa dyshim edhe punën e shkollave shqipe. “Children of the Eagle” do funksionojë edhe në vazhdim pavarësisht nga sfidat dhe të panjohurat. Të gjithë mësuesit tanë janë të licensuar për mësimdhënie në krejt shtetin e New Yorkut dhe kanë përgatitjen maksimale për të përmbushur nevojat e nxënësve edhe në kushtet e normalitetit të ri. Në të vërtetë, shkolla jonë nuk e ka ndërprerë mësimin as gjatë muajve të karantinës. Përmes platformës Zoom dhe Google Classroom mësimi u zhvillua rregullisht çdo fundjavë. Fëmijët u ndjenë mirë dhe e prisnim me dëshirë takimin javor. Një ndihmë të madhe na ka dhënë Qendra e Botimeve për Diasporën duke na mundësuar edhe shfrytëzimin e materialeve shqip online përveç texteve mësimore që na janë premtuar të vinë në shtator. 

Marjana Bulku– Seminari mbi metodat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë pati një impakt shumë pozitiv në unifikimin e kontributeve në ndihmë të ruajtjes së gjuhës shqipe në diasporë, cila do të jetë ecuria e kësaj veprimtarie kaq produktive? 

Drita Gjongecaj:Seminari  i mësimit të gjuhës shqipe është zhvilluar për dy vjet rrjesht dhe ka sjellë materiale të vlefshme për punën me nxënësit dhe rritjen e efektivitetit. Për arsyet që dihen, Seminari III është shtyrë. Po shikojmë mundësitë e një formati ndryshe në përshtatje me normalitetin e ri dhe po ashtu, kohën kur do të mbahet. Bashkëpunimi sa vjen e bëhet më i gjerë dhe përfshin shkëmbimin e eksperiencës edhe me kolegë jashtë Amerikës. Është bukur të komunikosh mes kolegësh gjithmonë në kërkim të mënyrave të reja që plotësojnë edhe më mirë nevojat e nxënësve, mësuesve por edhe shumë më tepër se kaq.


Marjana Bulku – Ju falemnderit Drita dhe suksese në sfidat e ardhëshme-

Drita Gjongecaj:Faleminderit per intervisten!

Filed Under: Featured Tagged With: Drita Gjongecaj, Marjana Bulku, Rihapja e shkollave në NY

MIRËSIA E KOLEGËVE TË MI

August 10, 2020 by dgreca

Shkruan:Qatip MARA-Nju Jork-

 Bebeka Dhima & Leonidha Dhima-

I njoha në vitet ’70 të shekullit të kaluar në qytetin minator të Selenicës Vlorë. Kolegia e nderuar Bebeka Dhima jepte mësim në gjimnazin “Hajredin Beqari”  dhe bashkshorti saj, kolegu im dashamirës  Leonidha Dhima jepte mësim në shkollën “Todi Koçeli”. Ishin ndër studentët e hershëm që kishin mbaruar universitetin e Tiranës. Në ditët e para që kisha filluar punën shikoja me respekte admiruese perfomancën e tyre  estetike në veshje dhe komunikimin e qetë  e të heshtur paqësor e dashamirës. Kishin krijuar familjen e tyre solide  duke rrezatuar në shoqëri modelin e një familje shëmbullore në edukimin e harmoninë e njësuar bashkshortore. Të dy kolegët ishin një çift i bukur  me shumë kulturë qytetare. U jepja mësim dy djemve  Fredi e Epaminonda, të cilët ishin më të urtë se Urtësia. Kolegu im i dashur, i ndjeri Leonidha Dhima ishte shumë i përkushtuar për familjen.Shpesh më këshillonte  se isha beqar ,që kur të krijoja familjen time vendimarrjen e martesës ta konsideroja përgjegjësinë më madhe të jetës. Duke e respektuar nga mosha e përvoja e jetës kolegun e dashur Leonidha Dhima e konsideroja  si prind dhe vazhdimisht konsultohesha. Në bisedat tona diskutonim problemet e punës mësimore e edukative. Ai kishte zgjuarësi  që shikonte pas malit. Ishte jo vetëm i përgatitur shkencërisht,metodikisht por kishte edhe shpirtin e mirë për të përhapur përvojën në orët mësimore. Ai nuk kishte lakminë apo egon për tu mburrur,por me shumë thjeshtësi të fliste me sinqeritet.Megjithëse ishim në shkolla të ndryshme pak larg njera tjetrës,takoheshim çdo mbasdite në kohën e lirë dhe shpesh organizonim ndeshje futbolli me ekipin e gjimnazit, Shkolla “Qemal Hoxha” dhe “Todi Koçeli”  krijoi ekipin e “Difave” ,ndërsa gjimnazi ekipin e “ Dinosaurëve”. Ndeshjet ishin një garë për të bërë gola,por kishin edhe shumë  humor.

Në vitet më vonë organet e pushtetit të qytetit na caktuan së bashku me kolegun e dashur Leonidha Dhima  të hartonim historikun e minierës dhe të qytetit Selenicë. Në këtë studim të përbashkët organizonim vizita në familjet për të marrë informacione dhe relike për të ndërtuar muzeun e qytetit Selenicë.Kollegu dashur Leonidha Dhima punoi me shumë përkushtim për hartimin e historikut. Me vullnet e këmbëngulje udhëhoqi punën për krijimin e muzeut duke bashkpunuar me piktorët e ardhur nga Vlora. Muzeu doli  me stenda  të bukura estetike dhe me vlera historike. Ditën që do të bëhej përurimi muzeut  i ndjeri Leonidha Dhima do ishte përgjegjësi dhe ciceroni i muzeut,sepse i  takonte se kishte punuar me pasion. Kur shkuam në përurimin e muzeut u shtangëm. Kryetari pushtetit me ashpërsi e largon  nga përurimi të ndjerin Leonidha Dhima duke mos lejuar të ishte përgjegjës e ciceroni muzeut që ishte shpallur Muze I rëndësisë të veçantë dhe përgjegjësi muzeut do punonte me 50% të normës mësimore si mësues në shkollë. Në ato momente e pashë të tronditur kolegun e dashur Leonidha Dhima, i cili e priti me heshtje dhimbje vendimin inaçi të kryetarit të pushtetit.

 Me një revoltë të brendshme të shprehur me sy të zemëruar  kolegu dashur Leonidha Dhima u largua duke vazhduar punën mësues në shkollën “Todi Koçeli”.

Në atë kohë më thërret  kryetari pushtetit e më urdhëroi të merrja çelësat e muzeut. E kundërshtova vendimin e kryetarit arrogant të pushtetit  duke argumentuar se përgjegjës muzeu është kolegu im Leonidha Dhima.

 Kryetari pushtetit më përgjigjet me nervozizëm : “ Nuk mund të jetë përgjegjës muzeu një mësues borgjez dhe po nuk pranon ti ,do të pushojë nga puna.”

Në ato momente sinqerisht ndjeva trishtim  për fjalën denigruese “mësues borgjez” që kryetari pushtetit etiketoi kolegun Leonidha Dhima.Shkova dhe e takova kolegun e dashur Leonidha Dhima, i cili me shumë dashamirësi më këshilloi duke më thënë si një prind i mire : 

“- Qato, shko dhe mere  çelsin e muzeut ,se ne jemi pa përkrahje partie këtu. Më kanë sulmuar shumë dashakeqas që u kam bërë vetëm të mira. Kanë ambicje të sëmurë që unë në kohën e lirë shkova me një kuti të vogël shkrepse ,në të cilën kisha qumësht blete ,tek një miku im që mbarështron bletë. Më raportuan si shfaqe mikroborgjeze ,më thirrën duke më kërcënuar se do të më pushojnë nga puna.”

Disa vite më vonë më emëruan mësues në shkollën “Todi Koçeli”. Kolegu i dashur Leonidhha Dhima më mirëpriti me shumë dashamirësi.

Ndjeja kënaqësi që jepja mësim në shkollën “Todi Koçeli”, punoja me përkushtim e pasion sepse edhe drejtori i shkollës i talentuari  Novruz Abillekaj na vlerësonte punën mësimore-edukative me objektivitet shkencor.Një punë shumë e mirë bëhej me komisionin e lëndëve mësimore duke rritur bashkëpunimin midis mësuesve sipas profileve.Në komisionin e lëndëve histori-gjeografi punohej për rritjen e aftësisë metodiko-shkencore të çdo mësuesi.Kryetari komisionit Leonidha Dhima me thjeshtësi e dashamirësi kontrollonte orë mësimi duke nxitur punën e mirë mësimore edukative.

    Shpesh në komunikim miqësor me kolegun Leonidha Dhima bënim edhe humor.Më erdhi në një orë mësimi gjeografie , ku spjegim kisha temën për Turqinë, e cila jepej me leksione sepse këto tema nuk ishin pasqyruar në tekstet mësimore.Duke folur për kushtet natyrore,zhvillimin ekonomik theksova arritjet e Turqisë në fushën industriale,në bujqësi e blegtori dhe nxënësit më dëgjonin me shumë vëmendje duke mbajtur shënime leksionin që referoja para tyre.Në fund të orës së mësimit kolegu Leonidha Dhima më tha gjithë humor.

 “-Qato fole shumë arritje për Turqinë, aq sa nxënësit do ta kenë mëndjen për të shkuar në Turqi.” Qeshëm të dy miqësisht ,sepse propanganda e partisë i paraqiste vendet kapitaliste  të varfëra e me mjerim social.

       Në atë kohë këndohej kënga  “Bota vdes nga urija, uli çmimet Shqipëria.” Në fakt u ul çmimi i aspirinës.Ishte periudha e vështirë e tufëzimit ku jepej me racion çdo artikuj ushqimor.Sidomos ishte stresuese kur natën zihej radha për të blerë një shishe qumësht. Megjithëse njerëzit ushqeheshin me tollona tregonin dashuri për sistemin socialist, sepse qyteti Selenicës kishte një trajtim më të mirë nga shërbimi i ndërmarrjes së furnizimit të punëtorëve të 

nëntokës. 

Për ta pasqyruar më mirë performancën e mësuesve të nderuar Bebeka e Leonidha Dhima i kërkova ndihmë miku tim të nderuar drejtorit të talentuar Nobruz Abilkaj, i cili me shumë dashamirësi më dërgoi këtë shkrim:

“Dhimbje për ndarjet, respekt për kujtimet

I dashur Qatip,

Më emocionon përkushtimi yt për të përjetësuar kujtimet e së shkuarës, për t’u ridhënë jetë marrëdhënieve me të afërmit, me miqtë, me kolegët.

Këtë herë je ulur në tryezë përballë të ndjerit Leonidha Dhima dhe bashkëshortes së tij të nderuar Bebi (Bebeka). Më ftove edhe mua, më rezervove një karrige pranë jush.

Faleminderit!

Njohja ime me dy mësuesit e nderuar të historisë është shumë më e hershme se sa të vije ti në Selenicë. Më 1 Gusht 1965 u bëra koleg i tyre në kolektivin pedagogjik të Shkollës 12 vjeçare “Haredin Beqari”. 

Nuk i përdorja dot emrat e tyre. U drejtohesha me ndajshtimin PROFESOR dhe PROFESORE. Duke qenë disa vjet më të mëdhenj (Profesor Leonidha, të paktën plus 10 vjet) më joshte përvoja e tyre në jetë, në mësimdhënie dhe në marrëdhëniet me njerëzit.   Sidoqë, Leonidha fliste pak në mjediset me shumë bisedues. 

Bebeka aspak. Vetëm dëgjonte me vëmendje të lakmueshme dhe miratonte me buzëqeshje të lehtë. Në se kishte mendim të kundërt, heshtte duke shikuar me dashamirësi prej nëne biseduesin.

Kam në kujtesë veprimtaritë e përbashkëta jashtë kohës së punës. Leonidha luante futboll me brezin më të ri. Ishte luftarak në mbrojtje. Më 1 Maj 1966, ekipi i 12-vjeçares luajti me përfaqësuesen e Selenicës. Fituam. Sportdashësit veçuan entuziazmin dhe vendosmërinë e Leonidhës që ishte edhe më i moshuari në fushë.  Kjo ishte shfaqje e karakterit të tij të fortë.

Lidhja ime më e ngushtë me Leonidhën u krijua në shkollën “Todi Koçeli”. Për dhjetë vjet resht bashkëpunuam; unë në rolin e drejtuesit të shkollës dhe ai në rolin e drejtuesit metodik të lëndëve shoqërore. Bashkëpunimi qe shumë rezultativ, nderonte punën e atij por edhe timen. I kam qenë përherë mirënjohës Leonidhës, Lutfiut, Violetës dhe mësuseve të ciklit të ulët që bënin punën e tyre dhe nderonin mua në shkollë, në qytet, në rreth, jashtë rrethit.

Kam veçuar një episod që nuk e harroj dot:

Ankohej prindi sepse i kërkohej llogari djalit. U përpoq Leonidha t’i mbushte mendjen se kërkesa e llogarisë ishte për të mirën e nxënësit dhe të familjes. Prindi ngulte këmbë në të tijën.

-Aq mundet djali, aq do i kërkosh. 

-Dakord, derisa ti e do pa sy djalin, do ta plotësoj dëshirën, e satirizoi Leonidha.

-Si? Do i nxjerrësh sytë?!

-Jo, o baba i mirë, jo. Sytë do t’i ketë filxhan por nuk do mundet të lexojë dhe nuk do marrë vesh nga bota.

I kam lakmuar përpjekjet e veçanta për t’u siguruar jetesë sa më të mirë dhe të ardhme të sigurt fëmijëve të tij. Në kushtet që ishim, e arriti mjaft mirë synimin.

Me Bebekën i kam humbur lidhjet para vitit ’90. Informacioni për vitet e saj të pensionit më ka ardh nga e përsosura Edlira, vajza e tyre e vetme.

Për së fundi, Leonidhën e takova në Athinë. Epaminonda, djali i dytë, ishte baxhanak me një fqinjin tim. Aty erdhi profesori dhe u përshëndoshëm për herë të fundit.

Sikur malli dhe respekti të përcillen në botën e përtejme, do i nisja profesor Leonidhës një buqetë të madhe respekti.

Bebekës i uroj pleqëri të mirë dhe pastë gëzime të mëdha në familjet e fëmijëve!

N. Abilekaj”

Mësuesi Leonidha  Dhima me kolektivin pedagogjik “Todi Koçeli” Selenicë

C:\Users\HP\Pictures\T d.jpg

Në rrethin e parë: P. Bombaj,Noke Abilekaj,Leonidha Dhima,Lutfi Mema,T.Mustaka,J. Gajo/

Kur shkova mësues në gjimnazin e Selenicës kisha nxënësen shëmbullore Edlira Leonidha Dhima, bija e vetme me dy vëllezër e familjes intelektuale Bebeka dhe Leonidha Dhima, të cilët si mësues të dashur arsimuan dhe edukuan shumë breza . Janë mijëra nxënës që i kujtojnë me respekte ,mirënjohje e mall mësuesit e nderuar Bebeka Dhima e Leonidha Dhima.

  Ish nxënësja e kolege Natasha Llanja shkruan :

“ -Mësuesit  e dashur dhe të nderuar Bebeka dhe Leonidha Dhima do të mbeten të paharruar në  kujtesën time dhe të motrave të mija. Portreti i bukur i profesoreshë Bebit me buzëqeshjen e embël na e bënte të veçantë, të kendshme orën e historisë. Një ekzaktësi e rrallë në volumin dhe shprehitë e kronikave të kohës që nuk lodhej kurrë duke na shpjeguar. Një edukatore model dhe mike e mirë mësuese Bebi me qetësinë e saj qëndronte pranë situatave ndonjëherë problematike në shkollë, nuk dinte të ankohej, komunikonte fisnikërisht me nxënësit dhe prindërit. Për të githa këto dhe me shumë do të mbetet në kujtesën tonë dhe të brezave dhe qytetarëve të qytetit tonë. Bashkë me bashkëshortin e saj profesorin e nderuar Leonidhën dhanë modelin e një familjeje të  bukur me Edlirën dhe dy vëllezërit e saj. Profesor Leonidha komunikonte lirshëm si prind me nxënësit dhe prindërit dhe qytetarët. Mbahet mend për analizën dhe vlerësimin e historisë  njerëzore. Që atëhere kuptonim në heshtje mospajtimin e tij me varfërinë që mbizotëronte dhe ja kam kujtuar kur jemi takuar mbas  viteve 90′ në M.Jashtme kur erdhi më takoi , ” Zgjati shumë  Diktatura tek ne tha, por shyqyr u shporr “. Sa shumë kujtime, Sa shumë respekt dhe mirënjohje për mësuesit tanë të dashur.Qofshi të paharruar në breza! “  Natasha Llanaj Perpunja .

   Në vitet ’90 të ndryshimit të sistemit politik kolegu i dashur Leonidha Dhima mirëpriti dhe përkrahu lëvizjen demoktarike.Edhe kur sundonte diktatura komuniste  me kolegun e dashur Leonidha Dhima diskutonim në mirëbesim për jetën e vështirë dhe shumë herë me sy kuptonim mendimet për jetën e kufizuar. Kur erdha nga emigracioni i lodhur në Greqi, kolegun e dashur Leonidha Dhima e takova në Vlorë. E takoja shpesh në aktivitetin privat që shërbente për mirëqënjen e familjes të tij. Diskutonim me mall për kohën që kishim punuar si mësues  M[sova me shumë dhimbje largimin nga jeta të kolegut të dashur Leonidha Dhima. I ndjeri Leonidha Dhima  është larguar nga jeta vetëm fizikisht sepse me shpirtin e tij dashamirës jeton në familjen e tij që e donte aq shumë, Është i gjallë në zemrat e djemve të tij Fredi & Epaninonda dhe të bijës të mrekullueshme Edlira Dhima  që është një engjll Hynore e prindërve Bebeka & Leonidha Dhima.

Duke përfunduar këtë shkrim modest shprej ngushëllimet më të sinqerta për kolegen e nderuar Bebeka Dhima ,për djemtë e tij dhe vajzën Edlira Leonidha Dhima,

U prehët në paqe!

Nderim e respekte kujtimit të kolegut tim të paharruar Leonidha Dhima

Qatip Mara

Nju Jork   09 -06 – 2020

Filed Under: Komunitet Tagged With: Bebeka e Leonidha Dhima, Miresia e Kolegeve, Qatip Mara

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 43
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT