• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2020

DON LUSH GJERGJI- Edhe një mik, vëlla, bamirës, kaloi në amshim!….LEKE GOJÇAJ

August 5, 2020 by dgreca

In memoriam -/

Lekë GOJÇAJ- Edhe një mik, vëlla, bamirës, kaloi në amshim!/

Don Lush Gjergji gjate promovimit te librit ne VATER.

Edhe një mik, vëlla, bamirës, kaloi në amshim – Lekë GOJÇAJ. Ky njeri, shqiptar, i krishterë, familjar,  së bashku me vëllanë  tashmë të ndjerin Pash Gojçaj (2018), ishte i shquar dhe dalluar  si mërgimtar në SHBA-në, jo vetëm për punë dhe sukses  personal, familjar, por mbi të gjitha për angazhimin dhe veprimin në dobi të  çështjes  tonë kombëtare shqiptare.  

Ishte “njeri zotni”, si thotë Populli ynë, me tipare, karakteristika dhe virtyte të veçanta dalluese dhe treguese: mikrpritës, bujar, gojtar, traditor, guximtar, largëpamës, mbi të gjitha shpirtbardhë dhe zemërmirë. Çdo takim, ndejë, bisedim, veprimtari me të ishte një kënaqësi dhe begati, dhuratë e Zotit, sa që të “detyronte” ta duash dhe ta nderosh një Njeri të traditës tonë shqiptare – “malësore”, por edhe të kohës dhe rrethit ku jetonte dhe vepronte, pra, të aktualitetit tonë.  

Qysh nga vitet 90-të, kur Shqipëria së fundi ishte hapur pas diktaturës së egër komuniste – ateiste, ndërsa Kosova ishte në gjendje tejet të vështirë, shumë të rrezikshme, me batica dhe zbatica të paparapara, me rreziqe të ndryeshme, me thyerje të mëdha politike, shoqërore, kulturore dhe shpirtërore, vëllazërit Lekë dhe Pashk Gojçaj, ndër të parët nga SHBA-ja u bashkërenditen me prijësin tonë historic Dr. Ibrahim Rugovën në kërkimin e zgjidhjes me mjete paqësore jo-dhunore. Ata së shpejti u bënë bashkëpunëtorë dhe përkrahës të tij,  të Popullit tonë në Kosovë dhe më gjerë. 

Njohuritë, pasuritë,  jetën, miqësitë e tyre i vunë në shërbim të të mires së përbashkët, të mbijetesës sonë, dhe një pjesë të rëndësishme të jetës dhe të veprimtarisë, ia kushtuan bashkëpunimit me miqtë tanë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke dhënë gjithnjë dhe gjthçka ishin dhe kishin për Popullin tonë. 

Mishërimi i kësaj strategjie dhe bamirësie  erdhi në shprehje nëpërmjet Nënës Tereze, si pasojë e logjikshme dhe natyrore  e nderimit, falenderimit dhe imitimit të saj në botën tonë shqiptare.  

Vëllezërit Lekë dhe Pashk GOJÇAJ, të frymëzuar nga feja dhe të përkrahur nga Dashuria në zbatim,   ata i mbushën shumë sheshe dhe rrugë në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, me shtatoret e Nënës Tereze. Nëpërmjet kësaj, edhe më mirë të themi, ata mbushën shumë mendje dhe zemra me vlerat dhe virytet e saja – tona, me traditë dhe lashtësi shekullore ilire, arbërore dhe shqiptare. 

Emrat e tyre janë të shkruar jo vetëm në mendjen e shumë shqiptarëve, por edhe më shumë në zemra dhe ndërgjegjie, sepse ata edhe më shumë  kanë dëshmuar fisnikënërinë, bujarinë, mikpritjen, bamirësinë, si stil jete dhe veprimi, duke  pasur dhe kultivuar gjithnë dhe kudo ide dhe ideale të larta shpirtërore, kulturore, kombëtare dhe fetare shqiptare. 

Dhe së fundi angazhimi në ndërtimin e Shenjtërores dhe Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë, që ishte sfidë për të gjithë ne, për vëllezërit Lekë dhe Pashk Gojçaj ishin rast i mire i bashklëpunimit, vëllazërisë dhe dëshmisë se çdo shqiptari, pa dallim vendi apo feje, që dëshmon para nesh dhe mbarë njerëzimit që ne në Nënën Tereze e kemi gjetur vetveten dhe të vërtetën, jetën dhe dashurinë, flijimin dhe dhurimin, si mundësi për të jetuar dhe për të vepruar me dashuri dhe për dashuri. 

Edhe në këtë fushëveprim  vëllazërit Lekë dhe Pashk Gojçaj  nuk kursyen asgjë, për të qenë pjesë aktive dhe bamirëse, si bijë shpirtëror të Shën Nënës Tereze, të Popullit tonë. 

Në emër të Imzot Dodë Gjergjit, ipeshkvit të dioqezës Prizren – Prishtinë (të Kosovës), të klerit dhe besimtarëve tanë, shprehim ngushëllimet tona të krishtera, të përcjellura me nderime, falenderime, uratë dhe dashuri. 

Për këto dhe shumë vepra tjera të mira,  që Zoti i di dhe I shpërblen, të ndjerin Lekë Gojçaj e shpërbleftë me paqe, dritë, jetë dhe lumturi të amshuar, ndërsa familjen e dashur dhe të nderuar Gojçaj, miqtë dhe dashamirët e tyre dhe tanë,  me ngushëllime të krishtera.     

Kush mbjellë në dashuri, do të korrë në lumturi. 

Pushoftë në paqe!  Prishtinë, 5 gusht 2020       

Filed Under: Featured Tagged With: don Lush Gjergji, Inmemoriam, Leke Gojcaj

TË NJOHIM ARTISTËT TANË: XHEMA NOVA

August 4, 2020 by dgreca

Valltarja beratase, mbi 50-të vjetë në skenë duke interpretuar vallet e ndryshme popullore.

Nga Pierre-Pandeli Simsia-New York*- Siç e kam shkruar edhe herë tjetër, në mesin e viteve 80-të jeta kulturore artistike në Berat ishte e larmishme, në kulmin e lulëzimit të saj.

Estrada Profesionise e qytetit, me qendër në Pallatin e Kulturës “Margarita Tutulani”, që për vite e vite me radhë mbante mbi supet e saja përgjegjësinë për t’i dhuruar spektatorit të mrekullueshëm e të kulturuar beratas dhe atij mbarëshqiptar humorin, këngën, folklorin e pasur beratas, me aktorë profesionistë të mirënjohur të talentuar:

Krahas Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani” ku interpetonin artistët profesionistë të talentuar, një tjetër qendër e rëndësishme kulturore për kohën ishte edhe Pallati i Kulturës “TEKSTILISTI” i njohur ndryshe Kinoklubi i Kombinatit të Tekstileve.

Pallati i Kulturës “TEKSTILISTI” shumë shpejt që nga krijimi i tij në fundin e viteve 70-të, luajti një rol kryesor në zbulimin e talentëve të rinj për të dhënë më pas kontributin e tyre në aktivitetet e ndryshme kulturore artistike në Berat.

Kryesisht, artistët e Kinoklubit, ishin punonjës në Kombinatin e Tekstileve në Berat që, krahas punës së tyre në kombinat, aktivizoheshin edhe në aktivitetet artistike: muzikantë, këngëtarë, valltarë, aktorë, duke e bërë Kinoklubin të ishte          një tjetër qendër arti kulture, jo vetëm për punonjësit e kombinatit të tekstileve, por mbarë qytetarët beratas.

Humori që sillnin aktorët amatorë punëtorë, këngëtarët, valltarët tekstilista, ishte i larmishëm.

Vallet e bukura qytetare beratase, valltarët amatorë të talentuar nën drejtimin e mjeshtrit koreograf Ferbent Shehu, me kostumet karakteristike, me shumllojshmërinë e ngjyrave të tyre, patën jehonë dhe sukses të madh brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Një ndër valltaret e talentuara me kontribut të madh mbi 50-të vjeçar në skenat e ndryshme jo vetëm në shfaqjet e Kinoklubit, por në të gjitha aktivitetet e ndryshme kulturore artistike brenda dhe jashtë Beratit, është edhe valltarja Xhemalie Nova, ose siç njihet Xhema Nova.

Siç shprehet edhe vetë artistja që dëshiron të quhet përveç emrit të saj edhe emri i ndritur i babait të saj të nderuar Iljas Nova.

Xhemalie Iljas Nova është lindur, rritur, banuese në lagjen “VAKËF”, nji lagje ndër më të vjetrat e qytetit madhështor për nga pamja dhe pozita gjeografike, në qytetin me lindjen  më të bukur dhe rrezëllitës të Diellit dhe çfaqjen më spektakolare të Hënës së Re 15 ditëshe, që me madhështinë e saj nxjerr vetullën sipër malit të Shenjtë të Perëndive mbi TOMOR, në qytetin pellazgjik të bardhë të një mbi një dritareve, në qytetin e rrugicave me kalldrëm ku nuk mungojnë lulet aromëmirë në saksitë e ndryshme, në qytetin e çajmeve, siç i themi ne beratasit pulëbardhave apo mjelmave mbi Lumit Osum, të  të dy “vëllezërve” TOMORRIT dhe SHPIRAGUT dhe bukuroshes, “të dashurës” së tyre KALAJA, sipas legjendës. 

Në qytetin e valles së bukur burrërishte “Valle dyshe beratase” të elegancës së valles femërore  interpretuar me mjeshtëri dhe finesë , nga zonjat valltare të qytetit si shtojzavallet sikur ardhur nga antikiteti , porsi Zanat e malit zbritur  nga vrulli i dashurive, në qytetin e këngës më të bukur: “Kur hyj në Mangalem, në zemër më pikon” në Beratin turistik.

Si çdo prind edhe prindërit e artistes Xhema Nova, i rritën të nëntë fëmijët e tyre me të gjitha virtytet e larta njerëzore.

Ata prindër të mirë, punëtorë, të lodhur nga jeta, që punonin sakrifikonin çdo gjë vetëm e vetëm që fëmijët e tyre të shkolloheshin, por, që edhe ata fëmijë ditën t’ua shpërblejnë mundin dhe sakrificën prindërve të tyre, u shkolluan, punuan, kontribuan në sektorë dhe profesione të ndryshme.

Që në fëmijërinë e saj të hershme, prindërit e artistes Xhema Nova dalluan talentin e saj, dashurinë që ajo kishte për të kërcyer, për të vallëzuar, madje, mamaja e saj e ndjera Xhevrie Nova, edhe ajo e talentuar në interpretimin e valleve të ndryshme popullore dhe interpretimin e këngëve të ndryshme e thoshte shpesh, bija ime Xhema ka është lindur duke kërcyer. Që kur Xhema ishte ende foshnje, që në muajt e saj të parë pas lindjes, kur e lante beben e vogël në govatën e drunjtë, si për çudi, foshnja Xhema, bashkë me lëvizjet e trupit të saj, lëvizte edhe gishtat e duarve sikurse bëjnë valltaret gjatë kërcimit.

E tërhiqte shumë muzika bijën time foshnjë Xhema, jo vetëm kur unë e laja në govatën e drunjtë, por edhe kur e shtrija për të fjetur në djepin e drunjtë, sapo radio transmetonte muzikë, Xhema bënte lëvizje të trupit sikur donte të kërcente, thoshte e ndjera, mamaja e Xhemës, Xhevria.

Shikonte grupet e ndryshme artistike të asaj kohe, veshjet e tyre karakteristike popullore që jepnin shfaqje në qytet dhe, dëshironte edhe ajo të ishte si ato vajza, ato gra të bukura me ato veshje popullore, të ngjitej në skenë, të kërcente si flutura, siç i dukeshin asaj në fëmijërinë e saj. Dhe, sapo shkonte në shtëpi, madje edhe kur ishte vetëm, sajonte veshtje të ndryshme, fustane me pala nga mamaja e saj dhe si një flutur e lehtë vallëzonte nëpër shtëpi duke kënduar njëkohësisht.

Një tjetër mësuese e nderuar në Berat, e ndjera Marianthi Vongli, dalloi edhe ajo tek vogëlushja Xhema e bukur, e shkathët, talentin e saj për të vallëzuar…

Dhe, prindërit e saj të mrekullueshëm, nuk mund t’ia ndrydhnin talentin bijës së tyre; e regjistruan në shtëpinë e pionierit të qytetit.

Valltarja e vogël në atë kohë, tërhoqi vëmendjen jo vetëm të mësueseve që po e përgatisnin por edhe të vetë qytetarëve beratas tek e shikonin në koncertet e ndryshme që jepeshin në atë kohë nga grupet artistike të fëmijëve.

Pas mbarimit të shkollës ku u specializua për tekstil, krahas punës në Kombinatin e Tekstileve në Berat, Xhema Nova u aktivizua në Ansamblin Artistik “KINOKLUBI”

Duke parë talentin e saj për vallen e bukur popullore, interpretimin e saj plot finesë dhe elegancë, koreografi i talentuar i ansamblit, i ndjeri Ferbent Shehu, mendoi se valltarja Xhema Nova duhet të ishte valltarja kryesore në çiftet valltarë bashkë me një tjetër valltare të talentuar, Neta Saveta.

Që nga ajo këhë, nga fëmijëria e saj dhe deri në ditët e sotme, artistja Xhema Nova nuk është shkëputur nga profesioni i saj, vallja, që e do kaq shumë, që e interpreton mjeshtërisht.

Një jetë të tërë në skenë duke dhënë kontributin e saj si artiste  jo vetëm në Pallatin e Kulturës së Beratit, jo vetëm në Pallatin e Kulturës “TEKSTILISTI” por edhe me “Grupin Karakteristik të Këngës Qytetare Beratase” duke dhënë koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Artistja Xhema Nova edhe pse mbi supe mban vitet e moshës së saj, ajo vazhdon të jetë aktive në çdo aktivitet që zhvillohet në Berat.

Para pak kohësh, grupi artistik i Beratit, organizoi spektaklin mbresëlënës “DASMA BERATASE” me pjesëmarrjen e qytetarëve vendas dhe turistëve të huaj që kishin ardhur në Berat.

Edhe në atë spektakël, artistja Xhema Nova mbajti edhe ajo peshën kryesore në atë “dasmë” duke interpretuar mjeshtërisht.

Artistja Xhema Nova mbetet ikona e artit koreografik beratas.

Kontributi i madh që artistja Xhema Nova ka dhënë për vite e vite me radhë, duke shpalosur artin, folklorin e pasur qytetar beratas dhe atë shqiptar nëpërmjet interpretimit të saj koreografik, e vlerësuar edhe si valltarja më e mirë e festivalit, e rendisin në majat e larta të artit, kulturës beratase.

Respekte, vlerësime, mirënjohje artiste e talentuar Xhema Nova.

*Me shume foto i gjeni ne Facebook Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: artistja beratase, Pierre-Pandeli-Simsia, Xhema Nova

Botë iluzion

August 4, 2020 by dgreca

NGA ASTRIT LULUSHI-Ishte Botë e bukur atëkohë – thonë nostalgjikët – botë që nuk e kanë njohur, sepse flinin nën dafina a mbuloheshin me lavditë e prindërve – ata janë të vetëdijshëm me dhimbje (e vetmja dhimbje) për distancën e tyre prej saj dhe për shpresën e shpresës për ta dëshiruar përsëri. Por shumë të tjerë nuk janë aq të sigurt se do t’a donin edhe një herë atë botë tejet të lodhshme. Vështirë se do të dëshironin të zhyteshin në pasiguritë e jetës së periudhës nënkomunizëm. Në një ekonomi të pamjaftueshme, uria ishte e pashmangshme. Në një politikë vëllavrasëse, lufta e klasave ishte e pandalshme. Në mungesë të njohurive të vërteta shkencore nuk kishte mbrojtje ndaj viruseve e ideve të reja, përveçse me mjete drastike (policë e izolim).Si në kohën e mesjetës, ku luftërat ishin operacione të vogla – ushtri të vogla, armë të thjeshta – fushat e betejave ishin vende të tëra dhe rrënimi ishte mjaft mizor. Njerëzit nuk mund të mos dridhen nga ashpërsia e sistemit policor të asaj kohe, siç dridhen gjithashtu nga faji dhe terrori i futur në psikikë në emër të një ideje të zbritur nga malet; është thjesht iluzion i krijuar nga poetë romantikë e shkrimtarë të komunizmit të gjysmës së dytë së shekullit XX, që mendonin se mund të merrnin të mirën e një bote dhe të linin jashtë të këqijat e saj.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Botë iluzion

MARTIN LUTHER KINGU DHE ADEM DEMAÇI BARTËS TË VLERAVE TË PËRBASHKËTA TË LIRISË

August 4, 2020 by dgreca

 “Askujt nuk i shërben urrejtja…” (Adem Demaçi)/

 Nga Frank Shkreli-Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës kujton dy gjigantë të tjerë drejtave të njeriut — një shqiptar dhe një amerikan: Dr. Martin Luther King-un dhe Adem Demaçin, si dy kampionë të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore për të gjithë njerëzit, pa dallim dhe kudo. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka filluar të  botojë, nepërmjet portalit të saj facebook, një seri të veçantë, për të kujtuar personalitete të njohura të së kaluarës nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Kosova, të cilët gjatë jetës dhe veprimtarisë së tyre kanë mbështetur vlerat e përbashkëta të dy popujve, mbi të gjitha lirinë dhe demokracinë. 

 Në njoftimin e dytë të kësaj serie, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka vendosur të kujtojë ikonat e të drejtave të njeriut, Dr. Martin Luther King-un nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disidentin e njohur shqiptar, Adem Demaçin nga Kosova. 

Javën që kaloi, përfaqësia diplomatike amerikane në Prishtinë, e filloi këtë seri njoftimesh të vlerave të përbashkëta duke kujtuar dhe duke krahasuar Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e parë të Kosovës dhe kongresistin amerikan Xhon Luis, i cili ndërroi jetë kohët e fundit, në moshën 80-vjeçare — e të cilët u përkujtuan si udhëheqës shembullorë me influencë dhe frymëzues të shoqërive, jo vetëm në vendet ku ata kanë jetuar dhe vepruar, por edhe në mbarë botën.

                      Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Philip S. Kosnett

Ashtu siç kam njoftuar edhe në shkrimin e javës së kaluar mbi këtë subjekt, kushtuar Dr. Ibrahim Rugovës dhe Kongresistit John Lewis, duket se ky projekt ka për qëllim, jo vetëm të theksojë vlerat e përbashkëta midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, por edhe për të venë në dukje personalitetet nga të dy vendet, të cilët kanë lënë pas këtë trashëgimi të pasur vlerash të përbashkëta lirie e demokracie, por edhe si një mjet për të forcuar edhe mëtej marrëdhëniet tona, nepërmjet këtyre vlerave dhe personave, të cilët sa ishin gjallë ishin bartësit e këtyre vlerave kombëtare dhe universale. 

Ambasada amerikane jep një përshkrim të shkurtër të Dr. Martin Luther King-ut dhe Adem Demaçit, këtyre dy burrave të dalluar të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, për të shpjeguar, shkurtimisht, arsyen dhe meritat që i kanë dalluar ata, si dhe vlerat për të cilat ata kanë luftuar, për veten dhe popullin që ata kanë përfaqësuar.  Në epokën që ata jetuan e vepruan, këta dy burra — njëri amerikan e tjetri shqiptar — u dalluan si heronjë dhe udhëheqës me influencë në përpjekjet e tyre për sigurimin e të drejtave civile dhe të drejtave bazë të njeriut — njëri në Shtetet e Bashkuara, e tjetri në Kosovë, por zëri i të cilëve u dëgjua edhe përtej kufijve ku ata jetonin e vepronin. 

Për të paraqitur Adem Demaçin, ikonën e të drejtave dhe lirive në Kosovë, Ambasada amerikane në Prishtinë pasqyron një citim frymëzues të tij mbi rëndësinë që kishte liria për të:  “Nëse ne, vërtetë, e duam lirinë, ne duhet të jemi vet krijuesit e lirisë sonë.  Faktori i brendshëm është elementi parësor për të fituar lirinë, ndërsa faktori i jashtëm është i dorës së dytë.  Ky është ligji i jetës që nuk ndryshon dhe nuk do të ndryshojë për hir të askujt, madje më pak për hir të vetes sonë. ” (Adem Demaçi)

Në faqen e rrjetit social Fejsbuk të Ambasadës amerikane në Prishtinë thuhet se Adem Demaci ishte një aktivist, shkrimtar dhe veprimtar i shquar në mbështetje të drejtave të njeriut.  Ai kaloi 28 vjet në burgje të ndryshme të ish-Jugosllavisë komuniste, si pasojë e mbrojtjes pasionante të drejtave të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve.  Mbi të gjitha, thuhet në atë njoftim, ai mbeti kundërshtar i betuar i politikës së hakmarrjes dhe urrejtjes kombëtare.  Demaçi paraqitet si simbol i ndarjes së vlerave të lirisë, së bashku me veprimtarin e njohur amerikan të drejtave të njeriut dhe të drejtave të civile për afrikano-amerikanët dhe të tjerë, Dr. Martin Luther King.

Në portalin e ambasadës amerikane në Prishtinë thuhet se Martin Luther Kingu ishte një nga mbështetësit më të njohur të shekullit XX për bërjen e ndryshimeve shoqërore dhe politike, pa dhunë.  Përmes aktivizmit dhe fjalimeve të tij të zjarrta dhe frymëzuese, ai ka luajtur një rol kryesor në dhënien fund të ndarjes ligjore të shtetasve afrikano-amerikanë nga të bardhët dhe të padrejtësive të atij sistemi, këtu në Shtetet e Bashkuara.  Ai ishte gjithashtu edhe arkitekti i Aktit të të Drejtave Civile, të vitit 1964 dhe Aktit për të Drejtat e Votimit.  “Kam një ëndërr që katër fëmijët e mi të vegjël, një ditë do të jetojnë në një komb ku ata nuk do të gjykohen nga ngjyra e lëkurës së tyre, por nga përmbajtja e karakterit të tyre.”  Ishte kjo një ëndërrë që u realizua me votimin me shumicë të amerikanëve – të bardhë dhe afrikano-amerikanë – të Presidentit Barak Obama (2009 to 2017) në detyrën më të lartë të Shteteve të Bashkuara, por që ende mbetet shumë për tu bërë.

Martin Luther King ka shkruar mbi lirinë, në “Letrën nga Burgu Birmingham” në vitin 1963: “Ne jemi të vetdijshëm nga përvoja jonë e dhimbshme se liria nuk jepet kurrë vullnetarisht nga shtypësi.  Ajo duhet të kërkohet me këmbëngulje nga të shtypurit”, citohet të ketë shkruar nga burgu i qytetit Birmingham të shtetit Alabama, Martin Luther Kingu, mbi vlerën dhe rëndësinë që ai i kushtonte lirisë, për veten dhe për komunitetin që ai përfaqësonte dhe për të drejtat e të cilit luftonte ditë e natë.

Amerikani Martin Luther King dhe shqiptari nga Kosova, Adem Demaçi – të cilët mund të konsiderohen edhe si dy ndërgjegje të dy popujve tanë — ishin dy personalitete që u pasqyruan nga Ambasada amerikane në Prishtinë, jo vetëm si shembuj bartës të vlerave të përbashkëta midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës – por edhe si ikona të lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë, të cilët do të mbahen mend dhe do të kujtohen si personalitete me influencë dhe si frymëzues në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë së vërtetë edhe për të tjerët – madje edhe përtej kufijve të vendeve të tyre.

Sa ishte gjallë, Adem Demaçi kërkonte nga shqiptarët që të përpiqeshin të gjejnë pikën e përbashkët: “Që të bashkojnë dijen, kulturën, arsimin dhe sidomos të kultivojnë midis tyre frymën e tolerancës”.  “Askujt nuk i shërben urrjetja…”, ka këshilluar Adem Demaçi. 

Martin Luther King: “Jeta jonë fillon të marrë fund, kur heshtim për gjërat e rëndësishme”, siç janë liria dhe demokracia e vërtetë, për të gjithë njerëzit dhe pa dallim.

Martin Luther King: “Më në fund, ne nuk do të mbajmë mend fjalët e armiqëve, por do të kujtojmë gjithmonë heshtjen e miqëve tanë”, përballë shkeljes së këtyre të drejtave për liri e demokraci.

Martin Luther King: “Paqa e vërtetë nuk është, thjesht, mungesa e tensioneve, por është prania e drejtësisë së vërtetë”, në një shoqëri.  

Pa drejtësi të vërtetë nuk ka paqë as harmoni!

Frank Shkreli

     ..                           Dr. Martin Luther King                              

Adem Demaçi

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Martin Luther King

JO KOSOVË, POR DARDANI, NEGOCIM POR JO PREKJE E INTEGRITETIT TERRITORIAL

August 4, 2020 by dgreca

ELENI KOCAQI FLET EKSKLUZIVISHT PËR DIELLIN: JO KOSOVË , POR DARDANI, NEGOCIM POR JO PREKJE E INTEGRITETIT TERRITORIAL-

  • Elena Kocaqi: Grup legjitim pune për dialogun Kosovë-Serbi, jo negociata koncensionare për interesa personale, grekët në shumice janë me origjinë shqiptare. …

Intervistoi për Diellin Eneida Jaçaj-New York-

Eneida Jaçaj

Historiania Elena Kocaqi, njëherësh pedagoge në Universitetin e Durrësit, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli”, ka folur për çështje shumë të nxehta dhe tejet delikate, si dialogu Kosovë-Serbi, ndryshimi i emrit Kosovë, marrëdhëniet me Greqinë, si dhe ndikimi rus në Ballkan. Studiuesja e historisë ka deklaruar se duhet të ngrihet një grup i posaçëm legjitim pune, për të mbikëqyrur dialogun Kosovën-Serbi. Por, sipas saj, që të ngrihet një grup i tillë pune, duhet të zhvillohen zgjedhje të reja, pasi qeveria e Abdullah Hotit nuk ka mandat nga populli për këtë.  Elena Kocaqi kërkon që në dialogun Kosovë-Serbi të mos negociohet integriteti territorial i Kosovës, pasi pavarësinë ia dha Amerika, si dhe politikanët të mos i lëshojnë Serbisë koncensione për interesa të tyre personale. Kocaqi kërkon që emri Kosovë të ndryshojë në Dardani, pasi emërtimi Kosovë është emër sllav. Sa i takon Greqisë, Elena Kocaqi deklaron se grekët janë ne shumice shqiptarë ortodoks,  ndërsa shtoi se Tirana zyrtare nuk është aspak serioze për të diskutuar çështje delikate me shtetin grek.   

 -Pas një periudhe shkëputjeje, më 16 korrik u rikthye sërish në skenë dialogu Kosovë-Serbi. Çfarë prisni nga dialogu Kosovë-Serbi 2020, dhe si e shihni rolin e SHBA-BE në këtë fazë kaq delikate të dy vendeve?

Dialogu Kosovë -Serbi deri më tani ka dështuar, për shkak të trajtimit të vendit nga klasa politike si domen personal. Klasa politike në Kosovë ka vënë në diskutim integritetin territorial të vendit. Kjo klasë i kaloi Maqedonisë si dhuratë dy mijë e pesë qind hektar tokë dhe Malit të Zi tetë mijë e dy qind hektar tokë dhe, në tentativën e  fundit për  t’i dhënë Veriun Serbisë, ajo u ndalua nga faktori ndërkombëtar. Pra, dialogu dështoi në Uashington, sepse disa politikanë të marrë vesh me Serbinë në mënyre të njëanshme jo vetëm preknin integritetin e vendit, por edhe gjithë ekuilibrat gjeo-strategjikë në Ballkan, dhe kjo prekje është e palejueshme nga Fuqitë e Mëdha. Për Kosovën nuk është e dobishme të shkojë në dialog me Serbinë, vetëm duke i lëshur koncesione asaj. Pala shqiptare duhet të bëjë zgjedhje të reja; të nxjerrë një qeveri legjitime, dhe kjo qeveri të ngrejë një grup pune që do hartojë edhe një plan pune për negocim. Grupi i punës duhet të mos negociojë kurrë pavarësinë, si dhe integritetin territorial, dhe kur them për integritet e kam fjalën jo vetëm për moslëshim territori, por edhe për mos krijimin e enklavave serbe brenda vendit. Pavarësia dhe integriteti u vendosën nga lufta e NATO dhe Amerikës në 1999, dhe klasa politike nuk ka asnjë të drejtë t’i negociojë ato.Autonomia territoriale që aplikohet në kuadër të BE, është standard evropian dhe më ketë standard problemi i të drejtave të serbeve është i mbyllur. Në vend të kësaj, Kosova duhet të kërkojë dëmshpërblim lufte dhe zgjidhjen e problemeve të tjera që ka me Serbinë. Madje, Kosova duhet të kishte paditur Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare, dhe vonesa është e pajustifikuar. 

-Ju keni kërkuar ndryshimin e emrit të Kosovës, ne Dardani. Çfarë mund të na thoni më tepër për prejardhjen e vërtetë të emrit Kosovë? Sa do të ishte i realizueshëm ky ndryshim, dhe si do të pritej nga Serbia?

Emri Kosove është emër sllav, pasi po të shohësh vetëm në google map në të gjithë botën sllave ka disa vendbanime me emrin Kosovë. Të identifikosh shtetin shqiptar me një emër sllav apo dhe ta deklarosh si kosovar, kjo është e papranueshme. Vilajeti i Kosovës u krijua nga Osmanët me insistimin e Rusisë në vitin 1877, me qëllim që gjithë ky territor t’i kalonte shtetit serb me fallcifikime historike,  ku një nga shkaqet e pretendimit është edhe emri saj sllav. Deri vonë, ai rajon shqiptar është quajtur Dardani dhe është e papranueshme mbajtja e një emri të tillë, Kosovë. Serbia nuk do pranojë ndryshimin, sepse asaj me ndryshimin e emrit i bien të gjitha pretendimet për të. Aq kohë që mbahet  një emër sllav, aq kohë edhe do vazhdojnë pretendimet. Me ne shqiptarët ndodh çudia!! Sllavët na imponojnë emrat e tyre në tokën tonë dhe na marrin emrat ilir, siç është edhe rasti i Maqedonisë, ku të vetmit maqedonas aty janë shqiptarët dhe jo sllavët. Ndryshimi është vullnet politik dhe kryhet brenda ditës nëse politika do të donte. Edhe sikur të kishte në të ardhmen një bashkim politik Shqipëri- Kosove, janë disa rajone të lidhura me shqiptarët si Dardani, Epir, Maqedoni, Iliri që duhet t’i mbajnë këto emra sepse me to ruajmë origjinën dhe identitetin tonë etnik.

-Eksponentë të njohur në fushën e diplomacisë kanë deklaruar se Rusia ka shtuar ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor, duke dashur të pengojë integrimin e këtyre vendeve në NATO dhe BE. Si e shihni ndikimin e Rusisë në Ballkan qoftë dhe në të ardhmen, dhe cilat janë interesat gjeo-politike të Putinit ne ketë rajon? 

Rusia e ka pasur zonën e vet të interesit Ballkanin, dhe ishte ajo që krijoi nga hiçi shtetet ortodokse në Ballkan në shek e XIX dhe i zgjeroi ato në trojet shqiptare, ne emër të pan sllavizmit. Edhe sot vazhdon t’i ketë ato interesa.

-Keni deklaruar se grekët dhe shqiptarët kanë të njëjtën prejardhje. Pra, nuk ka komb grek, por vetëm shqiptar. Ku e bazoni deklaratën tuaj?

Të dhënat historike tregojnë se fiset antike në Peloponez dhe Atik ishin nga origjina Pellazg dhe Ilir si shqiptarët sot. Gjuha që quhet greke antike është gjuhë teknike, por mbi baza pellazgjishten apo shqipen, pasi shohim që homerishtja afrohet me shqipen e dialektit gegë sot dhe vet Ilida fillon me fjalën Mini, mënia, -meria. Grekët modern në 1821 ishin shqiptarë ortodoksë dhe vllehë ortodoksë, dhe në revolucion nuk ka asnjë kryengritës që të jetë grek nga origjina, por janë shqiptarë, madje, shqipja është folur në Parlament në atë kohë. Shqiptarëve iu vendos gjuha e kishës dhe vet Greqia ka ndërruar për dy shekuj 3 herë gjuhën zyrtare. Në 1923 u dëbuan myslimanët e Greqisë  ndër ta shumica shqiptarë, dhe u sollën ortodoksë nga Azia, dhe ky ishte spastrim fetar dhe genocidal mbi kombin shqiptar. Greqia është një bashkësi fetare dhe jo etnike, pasi quhesh grek se je ortodoks dhe flet gjuhën teknike nuk ka rëndësi fare se çfarë etnie je. Ata të detyrojnë të lësh etninë dhe mos të flasësh gjuhën mëmë siç ndodh me shqiptarët në Greqi, që nga arvanitët dhe ata të emigruar, të cilët nuk kanë asnjë shkollë për të mësuar gjuhën shqipe. Madje, me këtë politikë, Greqia po tenton të asimilojë edhe vet Shqipërinë. 

-Shpesh herë në politikën shqiptare është debatuar për ligjin e luftës me Greqinë. Zyrtarë të lartë të shtetit grek e kanë mohuar se ekziston ende ligji i luftës, pasi sipas tyre është rrëzuar që në vitin 1987. Megjithatë, nuk ka transparencë të plotë sa i takon këtij ligji. Por, a ekziston vërtet një ligj lufte mes dy vendeve?

Dy vende anëtare në NATO nuk mund të kenë ligj lufte, sepse neni 5 i Traktatit të NATO sanksionon mbrojtjen kolektive. Ligji i luftës, një ligj aspak real duhet të ishte me Italinë aq kohë sa ishte lufta, dhe me mbarimin e luftës nuk kishte pse të ekzistonte as me atë. Ndërsa mbajtja e një ligji lufte me  Shqipërinë një vend i pushtuar, është justifikim për të sulmuar dhe për të shkelur të drejtat e shqiptarëve, në kuadër të një politike agresive. Juridikisht nuk ka dhe nuk mund të ketë ligj lufte, thjesht është presion mbi naivët politikë të Tiranës. 

-Si e shihni rolin e politikës së jashtme shqiptare sa i takon çështjes çame në pergjjithesi, varrezave çame, si dhe çështjes së detit me Greqinë. A po tregohet serioze dhe aktive pala shqiptare për të diskutuar çështje kaq te rëndësishme me Greqinë?

Tirana zyrtare as i ka fare në axhendën politike këto çështje në lidhje me Greqinë. Tirana zyrtare sillet si shtet vasal dhe jo si vend i pavarur. Asnjë lloj autoriteti politik të reciprocitetit nuk ka treguar Tirana këto 30 vjet. Mendoj se duhet ndryshuar sjellja politike e Tiranës, dhe duhet një mbështetje nga miqtë tanë ndërkombëtarë.

-Vrasja e ushtarit ekstremist grek Kostantinos Kacifas nga forcat RENEA, duket sikur i acaroi  marrëdhëniet me Greqinë. Megjithatë, si i parashikoni në të ardhmen marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë?

Ishte një akt kundër shtetit shqiptar! Kudo në botë të qëllosh me orë të tëra mbi forcat e sigurisë së vendit, sigurisht në zjarr e sipër do të ekzekutohesh. Ishin qarqet ekstremiste naziste ato që shkaktuan probleme, dhe që qeveria shqiptare as duhet t’i kishte lejuar te hyjnë, por që me pas i shpalli non grata. Rol në acarimin e  situatës luajnë edhe ata që vet shpallen pjesë e minoritetit, sepse marrin fonde pasi e kane bërë një lloj biznesi këtë çështje. Atyre u intereson acarimi i situatës, sepse u shtohen fondet që përfitojnë me pa të drejte nga taksa paguesit grekë. E ardhmja e marrëdhënieve është vetëm reciprociteti, si e vetmja bazë në marrëdhëniet midis shteteve të pavarura, parim ky që nga antikiteti. 
-Është hedhur më herët teza për një Shqipëri Natyrale, Shqipëria e vitit famëkeq 1913, ku kufijtë e saj u copëtuan për interesa të Fuqive të mMëdha. A do të sillte trazira në Ballkan nëse do të thelloheshin përpjekjet për një Shqipëri Natyrale?

 Shqipëria natyrale nuk është ajo e 1913, por ajo e 1800-ës që fillon në Mesdhe dhe mbaronte në Dalmaci. Kur mbërrijmë në 1913, Shqipëria ishte copëtuar disa herë, në fillim me krijimin e shteteve ortodokse ballkanike që i morën asaj gjysmën e popullit dhe pjesën më të madhe të territorit, me copëtimin e 1878 ku u zgjerua Serbia dhe ai final i 1913, ku Shqipëria u ricopëtua sërish. Pra, nga Shqipëria e vërtetë kanë mbetur vetëm disa copa që duhet t’i ruajmë. Shqipëria dhe Dardania duhet ta kishin filluar procesin e  bashkimit ekonomik pa dogana e taksa dhe pa pengesa në rrugë.  Pastaj kalohej në një bashkim politik federativ pa asnjë problem. Ndërsa shqiptarët në shtetet e tjera duhet të luftojnë për të drejtat etnike si në Maqedoni, Greqi, Turqi, Mal të Zi dhe Serbi. Diaspora në Amerikë mund të luajë rol në proceset në boten shqiptare, duke qenë e bashkuar në formën e një lobi përtej interesave egoiste. Kjo diasporë luajti rol të madh edhe në sabotimin e tentativës për copëtimin e Kosovës, dhe ka mundësi të bërë më tepër në këtë drejtim. Politika Amerikane është miqësore ndaj vendit tonë, dhe ne shqiptarët duhet t’i jemi mirënjohës shtetit amerikan për sa ka bërë për ne. Ndaj faktori shqiptar në Amerike duhet të lobojë fort, dhe kjo bëhet me bashkëpunim shoqatash dhe regjistrimin e popullsie shqiptare aty, si dhe me qëndrim unik të përbashkët kur vjen puna tek interesi kombëtar. 

Filed Under: Featured Tagged With: ELENI KOCAQI, Interviste, kosova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • …
  • 43
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT