• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2020

PROF. ARBEN IVANAJ KERKON VËMËNDJE NDAJ SËMUNDJEVE KRONIKE, DHE RRITJE TË KAPACITETEVE DIAGNOSTIKE DHE TË REANIMACIONIT

September 23, 2020 by dgreca

Profesor Arben Ivanaj, Shefi Shërbimit të Hematologjisë, QSUT “Nënë Tereza”, Tiranërrëfen Shqipërinë në përballje me pandeminë globale Covid-19. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, Profesor Ivanaj analizon situatën në Shqipëri pas hapjes së shkollave, ecurinë e infektimeve, trendin e shifrave, dhe apelon për më shumë investime në shëndetësi dhe rritje të kapaciteteve në drejtim të trajtimit të sëmundjeve kronike, rritje të kapaciteteve diagnostike dhe të reanimacionit. Me Profesor Arben Ivanaj bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SHQIPËRIA PËRBALLË COVID-19

Aktualisht në vendin tonë numri i të infektuarve ditorë është mesatarisht 150- 160 në ditë, Shqipëria nuk paraqitet keq për nga numri ditor i të infektuarve, por jo mirë me mundësitë që kemi, dhe paradoksalisht gati të gjitha vdekjet erdhen pas daljes nga karantina. Çfarë do të ndodhë me hapjen e shkollave? Personalisht kam kritikuar që në fillim strategjinë e propozuar nga OBSH, kam qenë më tepër për modelin Suedez, pra kundër mbylljes totale, aktualisht në Suedi ka afërsisht 22 raste për 100 000 banorë, ndërsa në shumë vende të tjera numri ditor i kalon 50- 60 raste në ditë, por ky model kërkon ndërgjegjësim të lartë të qytetarëve dhe ruajtjen e distancimit fizik sa më të mirë. Nga ana tjetër kërkon sistem shendetësorë të aftë t’i përgjigjet sfidave, fatkeqësisht kjo pandemi gjeti të gjitha vendet e papregatitura, këtu bën pjesë dhe Shqipëria. Ushtritë, në përgjithësi janë për një moment të dhënë të historisë, kur të n’a sulmojë armiku, për anologji dhe sistemi shëndetësorë është për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve, kur, në raste mergjence shëndetësore dhe jo vetëm, pra çdo ditë, në këtë kuptim, çdo shpenzim për shëndetësinë nuk shkon kurrë kot. Pa shëndet të mirë asgjë nuk mund të arrihet, këtë duhet të kuptojnë mirë politikëbërësit dhe për  të ardhur në vendin tonë, që modeli Suedez të funksionojë duhet të kemi një sistem shëndetësorë të ngjashëm me Suedinë. Fatkeqëshisht për arsye të mos dashjes dhe të influencës politiko-mafioze, sistemi jonë shëndetësorë, në këto 30 vite, ka ngelë shumë  i prapambetur dhe larg standartit më të mirë të rekomanduar. Hapja e shkollave është e  domosdoshme dhe nuk besoj se do të kemi nje rifillim të pandemisë, ne duhet të mësohemi të jetojmë me virusin, infeksione ka pasur dhe në të kaluarën dhe do të ketë  në të ardhmen, por ne duhet të punojmë fort t’i përgjigjemi sfidave të ditës dhe në të njëjtën kohë të vazhdojmë të ofrojmë më të mirën në drejtim të trajtimit të sëmundjeve kronike, «të zakonshme», kjo situatë duhet të bëhet një mësim i mirë për të gjithë. Duhet të rrisim kapacitetet tona diagnostike dhe të reanimacionit, duhet të rialokojmë fondet publike në drejtimin e duhur, në sistemin shëndetësor ka para,  por përdorimi i tyre është shpesh jo në efiçencën dhe jo në drejtimin e duhur.

TRAJTIMI I PACIENTËVE ME PLAZËM HIPERIMMUNE

Fatkeqësisht nuk ka mjekim të mirëpërcaktuar për të sëmurët me Covid-19, janë disa medikamente të përshkruara si efikase në stade të ndryshme të sëmundjes, si Hydroclorokina, dexamethazoni, remdesivir etj, plazma hiperimmune dhe mbi të gjitha oksigjenoterapia. Plazma hiperimmune është përdorur prej dekadash në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme me rezultate mediokre, përherë të parë është përdorur në  trajtimin e gripit spanioll. Përsa i përket plazmës hyperimmune në  USA janë trajtuar afërsisht 25 000 të sëmurë. Studimet aktualisht flasin se përdorimi i convalescent  plazma mund të jetë benefice. Më 24 mars 2020 u miratuan ga FDA si alternativë mjekimi në kushtet e urgjencës. Janë dy studime (kinez dhe hollandez) aktualisht të randominizuara, të cilat për herë të parë kanë vlerësuar efktin e plazmës hipperimmune në covid19. Parimi i veprimit lidhet me idenë se, të sëmurët të cilët janë të infektuar me covid-19 dhe shërohen, pas 21 ditesh ata kanë prodhuar antitrupa, IgG, të cilat janë efikas kundër virusit. Personat e shëruar, të cilët paraqesin një sasi të caktuar antitrupash kundër covid-19 në semurim e tyre (në gjak), ju kërkohet të dhurojnë plazmën e tyre, e cila është pasur me antitrupa, IgG, kjo plazëm do të përfuzohet te i sëmuri me covid-19,  mendohet dhe është konstatuar në praktikë, se antitrupat lidhin virusin dhe e shkatërrojnë atë,   duke përmirësuar shenjat klinike te të së murit. Aktualisht janë mbi 20 studime, në proces, të randominizuara të cilat priten të japin një tablo të plotë mbi rolin e  plazmes hiperimmune në trajtimin e covid-19. Aktualisht FDA rekomandon përdorimin e  convalescent plazma në tre situata, në stidimeklinike (clinical trial), përdorim i gjërë në  qëndra të caktuara dhe trajtimin e pacientëve të veçantë si alternativë e vetme. Në Tiranë para disa javësh ka filluar prodhimi nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të plazmës hipperimmune dhe përdorimi i saj në praktikën klinike në shërbimet ku trajtohen  të sëmurët me covid-19. Për momentin nuk kemi rezultate të mjekimit, është shpejt, por  në të sëmurët e përdorur, toleranca e mjekimit ka qenë e mirë. Në përgjithësi dhurimi i  gjakut në Shqipëri ka probleme në të kuptuarit e rëndësisë se dhurimit vullnetare të  gjakut, akoma ne nuk jemi të vetmjaftueshëm në gjak dhe produktet e tij. Por ka  pasur gadishmëri nga ish-të sëmurët me covid-19 të dhurojnë plazmën e tyre. 

BETEJA NDAJ COVID-19, NJË PËRJETIM PERSONAL

Ka qenë ditë shumë e vështirë, dita diagnostikimit të sëmurit të parë të infektuar,  dhe shtimi i të sëmurëve me cancer gjaku të infektuar me covid-19, kjo erdhi pas hapjes të  përgjithshme në fillim të qershorit. Pastaj patëm një numër të lartë të personelit të  infektuar, infermirë dhe mjek të pavionit, ditë të vështira, ruajtja dhe vazhdimësia e  trajtimit të të sëmurëve dhe në të njëjtën kohë kujdesi për kolegët dhe infermierët e  pavionit, ishte shumë e vështirë, humbja e  betejës me covid-19 e njërit nga pedagogëve  të hematologjisë, kolegut tonë, ishte një dramë me vete për të gjithë pedagogët e  fakultetit të mjeksisë. Nderim të veçantë për të gjithë personelin mjeksorë të  infektuar dhe veçanërisht për ata të cilët humbën jetën nga ky virus. Kjo pandemi tregoi domosdoshmërinë e investimeve inteligjente në shëndetësi për të qenë gati në shërbim  të të sëmurëve dhe në të njëjtën kohë nxorri në pah dobësitë në përgjithësi të  sistemit shëndetësorë, informimi, edukimi, epidemiologjia, diagnostikimi,  trajtimi dhe marrja në ngarkim të të sëmurëve me sëmundje infektive në përgjithësi, por nga ana tjetër tregoi se, trajtimi i të sëmurëve me kancer, të sëmurëve me sëmundje kronike në  përgjithësi nuk presin të kalojnë emergjencat shëndetësore, mendoj se duhet riparë nga e  para strategjia shëndetësore në përgjithësi, kjo jo vetëm lokale por dhe më gjerë. Kjo pandemi tregojë se dhe OBSH, ka limitet e veta dhe nuk është e aftë të përgjigjet në  kohë të gjitha sfidave të dhëna.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Faleminderit për këtë mundësi. Shqipëria, vendi jonë ka nevojë për të gjithë bijtë e tij kudo ndodhen, Shqipëria nuk është në vendin që i takon, ka shumë probleme, shpesh ne në Shqipëri n’a duket se nuk ka dritë në fund të tunelit, por me dashuri për atdheun dhe  me përkushtim për të ardhmen, me punë dhe vetëm me shumë punë, besoj se  dhe vendi jonë shumë shpejt do të gjejë vendin e vet mes vendeve të zhvilluara. Shqiptarët kanë  parë dhe shohin te shqiptarët e Amerikës, shembullin më të mirë, se me punë mund të  arrihet gjithçka, dhe në përgjithësi shohim te USA mikun e mirë tek i cili mund të  mbështetesh në të mirë dhe në të keq, i cili të gjindet gjithmonë pranë në të gjitha vështërsitë. Faleminderit për mundësinë për të folur me Ju.

Filed Under: Opinion Tagged With: Prof.Arben Ivanaj, Sokol Paja

Vushtrria edhe me Shtatoren e Sheshin Kolonel Ahmet Krasniqi

September 22, 2020 by dgreca

-Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri: Përjetësisë së Kalasë mijëravjeqare të Vushtrrisë, Urës së vjetër të Gurit, krenarisë së qytetit tonë nga sot e përjetë i shtohet kjo shtatore e bukur e kolonel Ahmet Krasniqi, e cila bashkë me shtatoret Adem Jasharit, Hasan Prishtinës dhe së shpejti edhe me shtatoren e Ibrahim Rugovës, ja rrisin vlerat kulturore e qytetare Vushtrrisë, Vicianës sonë të dashur/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*

VUSHTRRI, 21 Shtator 2020/ Drejtues të institucioneve shtetërore të Kosovës, kanë marrë pjesë sot në përurimin e Shtatores së Kolonel Ahmet Krasniqit dhe Sheshit me emrin e tij në qytetin e Vushtrrisë.

Në fjalën e hapje të ceremonisë zyrtare, ku merrte pjesë edhe Garda e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se Koloneli Ahmet Krasniqi ishte ideator e simbol i përpjekjeve për forcim të institucioneve të shtetit të Kosovës e për bashkim të të gjitha forcave në luftën çlirimtare. “Vepra e tij tejkalon ngjyrimet partiake, është më e madhe se që mund të përshkruhet me disa fjali. Koloneli ishte ideator e simbol i përpjekjeve për forcim të institucioneve të shtetit të Kosovës e për bashkim të të gjitha forcave në luftën çlirimtare”, ka thënë Tahiri.

“Kalasë mijëravjeçare të Vushtrrisë, Urës së vjetër të Gurit, krenarisë së qytetit tonë, nga sot i shtohet kjo shtatore e bukur e kolonel Ahmet Krasniqi, e cila bashkë me shtatoret e Hasan Prishtinës dhe Adem Jasharit, e së shpejti edhe me shtatoren e Ibrahim Rugovës, do të ja rrisin vlerat kulturore e qytetare Vushtrrisë, Vicianës sonë të dashur”, theksoi kryetari Tahiri.

Ndërsa Vjosa Osmani kryetare e Parlamentit të Kosovës, pikërisht sot në 22 vjetorin e vrasjes së Ahmet Krasniqit, ka bërë thirrje që të bëhet zbulimi i autorëve dhe urdhërdhënësve të vrasjes së tij.

Zbulimin e kësaj shtatoreje në Vushtrri, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka vlerësuar ringjallje shpirtërore të Kolonel Ahmet Krasniqit. “Dita e sotme për të gjithë ne, për të gjithë ata që ja duan të mirën Kosovës shënon rikthimin e Kolenel Ahmet Krasniqit në vendlindje, shënon rilindjen shpirtërore të Kolonel Ahmet Krasniqit”, ka theksuar kryeministri Hoti.

Ndërsa Anton Quni, ministër i Mbrojtjes që Qeverinë e Kosovës tha se vrasja e Kolonel Ahmet Krasniqit erdhi në momentin kur Brigadat e para operative dhe batalionet e veçanta goditën fuqishëm forcat serbe. “Plumbat e shkrepur në natën e 21 shtatorit mbi trupin e kolonelit ishin plumba kundër lirisë”, ka thënë ministri Quni.

Për veprimtarinë atdhetare dhe ushtarake të Ahmet Krasniqit ka folur edhe ministri i shëndetësisë Armend Zemaj, njofton komuna e Vushtrrisë.

Shtatorja dhe Sheshi Ahmet Krasniqi në Vushtrri u përuruan në 22-vjetorin e vrasjes së tij që ndodhi në Tiranë në 21 Shtator 1998, e cila ende nuk është zbardhur.

***

Edhe në këtë raportim si korrespondent në Kosovë i Gazetës DIELLI – organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA përkujtoj: NË shkollën në vendlindjen e Ahmet Krasniqit – fshatin  Zhilivodë të komunës së Vushtrrisë isha nxënës nga klasa e parë deri në të katërten, udhëtoja nga fshati im i lindjes Strofc, që ishtë afër-fqinj. Për herë të fundit jemi takuar në Prishtinë tek po nisej në udhëtimin drejt misionit të Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

MIRË SE VJEN KOLONEL AHMET KRASNIQI NË VUSHTRRI, VICIANËN ANTIKE!

Fjalimi i Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri:

Madhështia e një qyteti nuk matet me territorin që ka, por matet me trashigiminë kulturore, arsimore e patriotike që krijon ndër breza, e Vushtrria, Viciana antike ndoshta nuk është qyteti më i madh për nga territori, por pa dyshim përgjatë historisë së lavdishme të popullit shqiptar, ky truall së pari i dha Rilindjes Kombëtare Shqiptare ideologun e saj më të madh, Heroin e Kombit Hasan Prishtina, e më pas i dha Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës, Kolonelin e saj, Heroin e Kosovës Kolonel Ahmet Krasniqi, bashkë me të gjithë dëshmorët e rënë për liri.

Fjalimi i plotë!

E nderuara Kryetare e Kuvendit të Kosovës znj. Vjosa Osmani,
I nderuar Kryeministër i Republikës se Kosovës, z. Avdullah Hoti,
E nderuara familje e Kolonel Ahmet Krasniqi,
Të nderuar Nënkryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës,
Të nderuar Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Të nderuar Ministra,
I nderuar Gjeneral i FSK-së z. Rrahman Rama,
I nderuar Guvernator i Kosovës z. Fehmi Mehmeti,
Të nderuar Kryetarë të Komunave,
Të nderuara familje të dëshmorëve të UÇK-së,
Të respektuar veteranë e invalid të luftës së UÇK-së, përfaqësues të shoqatave të dalura nga lufta,
Të nderuar përfaqësues të Kuvendit të Komunës së Vushtrrisë,

Mirë se vini në Vushtrri, Vicianën antike, qytetin e Hasan Prishtinës dhe Kolonel Ahmet Krasniqi.

Madhështia e një qyteti nuk matet me territorin që ka, por matet me trashigiminë kulturore, arsimore e patriotike që krijon ndër breza, e Vushtrria, Viciana antike ndoshta nuk është qyteti më i madh për nga territori, por pa dyshim përgjatë historisë së lavdishme të popullit shqiptar, ky truall së pari I dha Rilindjes Kombëtare Shqiptare ideologun e saj më të madh, Heroin e Kombit Hasan Prishtina, e më pas i dha Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës, Kolonelin e saj, Heroin e Kosovës Kolonel Ahmet Krasniqi, bashkë me të gjithë dëshmorët e rënë për liri.

Jam shumë i privilegjuar që sot zbulojmë bashkë me ju miq të respektuar e bashkë me qytetarët e Vushtrrisë shtatoren e Kolonel Ahmet Krasniqi dhe inagugurojmë sheshin e Kolonelit. Falënderoj të gjithë spektrin politik në Vushtrri që përkrahën me votë në Kuvend të Komunës ngritjen e shtatores dhe sheshit të Kolonelit.

Të nderuara zonja e zotrinjë,

Ahmet Krasniqi, u lind më 15 janar 1948 në Zhilivodë të Komunës së Vushtrrisë.
Kolonel Ahmet Krasniqi është lindur dhe rritur në gjirin e familjes së patriotit të mirënjohur Aziz Zhilivoda. Shkollën Fillore katër vitet e para i kreu në fshatin e lindjes, pastaj e vazhdoi shkollimin në fshatin Hade dhe në Prishtinë. Gjatë viteve të shkollimit dallohet për veprimtarinë e tij patriotike, si bashkëpunëtor i afërt i patriotit të devotshëm, Metush Krasniqi.

Ahmet Krasniqi, ishte ministri i luftës i emëruar nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, në krye të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, Koloneli i UÇK-së, me përgatitjen e tij ushtarake e patriotike ishte tmerri i armikut. Ai u vra në mënyrë tinëzare më 21 shtator 1998 në Tiranë. Pas vdekjes atij iu dha urdhëri Hero i Kosovës.

Koloneli ishte ideator e simbol i përpjekjeve për forcim të institucioneve të shtetit të Kosovës e për bashkim të të gjitha forcave në luftën Çlirimitare. Vepra e tij tejkalon ngjyrimet partiake, është më e madhe se që mund të përkshkruhet në disa fjali.
Vendi që kemi zgjedhur për shtatoren e Kolonelit, pranë institucionit të Komunës së Vushtrrisë, është testament për besnikërinë e Kolonelit ndaj institucionit, ndaj Republikës, sespe ai në të vërtet ishte Ministri i luftës i emëruar nga Presidenti Historik I Kosovës Dr. Ibrahim Rugova dhe u vra nga dora armike sepse punoi fortë për bashkim e çlirim.
Qytetëarë të dashur të Vushtrrisë,
Përjetësisë së Kalasë mijëravjeqare të Vushtrrisë, Urës së vjetër të Gurit, krenarisë së qytetit tonë nga sot e përjetë i shtohet kjo shtatore e bukur e kolonel Ahmet Krasniqi, e cila bashkë me shtatoret Adem Jasharit, Hasan Prishtinës dhe së shpejti edhe me shtatoren e Ibrahim Rugovës, ja rrisin vlerat kulturore e qytetare Vushtrrisë, Vicianës sonë të dashur.

Urime! Lavdi dëshmorëve të rënë për liri! Lavdi Kolonel Ahmet Krasniqi, Zoti e bekoftë Vushtrrinë e Kosovën.

*Me shume foto gjeni ne Facebook-Gazeta Dielli

Filed Under: Featured Tagged With: Ahmet Krasniqi, Behlul Jashari, Shtatorja ne Vushtri

QEVERISJE

September 22, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi

Astrit Lulushi-Në lashtësi, shumica e filozofëve ishin ose në favor të demokracisë ose nuk kishin ndonjë mendim për të. Disa, si Sokrati, Platoni dhe Aristoteli, thuhet se ishin kundërshtarë të demokracisë. Por sa i saktë është ky perceptim?
Shumë pak dihet për atë që Sokrati mendonte për demokracinë. Gjithçka që dimë për Sokratin vjen nga shkrimet e dy studentëve të tij, Platonit dhe Ksenofonit. Platoni në veçanti duket se ka përdorur karakterin e Sokratit si një lloj “bordi” për ide dhe mendime të ndryshme, kështu që, në shumicën e rasteve, kur Platoni i atribuon një ide Sokratit, është shumë e vështirë të thuash nëse është me të vërtetë një nga idetë e Sokratit, një nga ato të Platonit, një kombinim i tyre, ose thjesht një ide me të cilën Platoni po eksperimentonte.
Platoni thotë në Republikën e tij se nuk i pëlqen shumë forma e demokracisë që u krijua në qytetin e tij të lindjes, Athinë. Ai argumenton se qeveria ideale, e përsosur, duhet të drejtohet nga një “mbret-filozof”, një njeri shumë i mençur, inteligjent dhe racional dhe që i merr të gjitha vendimet në dobi të të gjithëve.
Platoni ndoshta do të kishte shumë admirim për qeveritë e shumicës së vendeve moderne demokratike, të cilat veprojnë në një formë shumë të ndryshme nga ajo që ekzistonte në Athinë gjatë kohës së Platonit. Athina në shekullin IV pes ishte një demokraci e drejtpërdrejtë, që do të thotë se qytetarët votonin drejtpërdrejt për të gjitha çështjet. Kjo krijonte problem, sepse shumica e njerëzve nuk i kuptonin çështjet dhe nuk ishin në gjendje të merrnin vendime të informuara për to.
Aristoteli ndonjëherë është portretizuar si armiqësor ndaj demokracisë, por, në fakt, ky është një keqkuptim i teorisë së tij komplekse dhe erudite. Në Politikën e tij, Aristoteli shpjegon se ekzistojnë tre forma kryesore të qeverisjes ideale: Monarki, të cilën ai e përcakton si një qeveri të sunduar nga një njeri (ide e ngjashme me atë të “mbretit filozof” të Platonit), jashtëzakonisht i kualifikuar, i cili sundon për të mirën e të gjithëve; Aristokraci, të cilën ai e përcakton si një grup i vogël i njerëzve më të mirë dhe më të kualifikuar, që sundon për përmirësimin e të gjithëve;
Qeveri kushtetuese, të cilën ai e përcakton si një qeveri të drejtuar nga të gjithë qytetarët e lirë për përmirësimin e të gjithëve.
Aristoteli shprehet se, nga tre format ideale, monarkia është më e mira sepse është më e efektshmja, por ai pohon se të tre format e qeverisjes ndryshojnë dhe korruptohen me kalimin e kohës. Ai shpjegon se një monarki rrëshqet në tirani, dmth., në qeveri e drejtuar nga një njeri vetëm për përfitimet e tij. Një aristokraci kalon në oligarki, që është qeveri e drejtuar nga disa njerëz vetëm për përfitimet e tyre. Më qeveria kushtetuese rrëshqet në demokraci, ose në qeveri e drejtuar nga shumica vetëm për përfitimet e tyre.
Aristoteli arsyeton se nga këto tre forma qeverisjeje, demokracia është e keqja më e vogël, sepse rezulton në numrin më të madh të njerëzve të lumtur; ndërsa tirania është forma më e keqe e qeverisjes sepse rezulton që vetëm një njeri (tirani) të jetë i lumtur. Pra, Aristoteli ishte në favor të demokracisë, jo sepse i pëlqente domosdoshmërisht, por më tepër sepse ishte forma më pak e tmerrshme e qeverisjes që mund të mendonte.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Qeverisje

THAÇI I AKORDON MEDALJE PRESIDENCIALE RICHARD GRENELL

September 22, 2020 by dgreca

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekoroi të hënën mbrëma me Medaljen Presidenciale të Meritave, ambasadorin Richard Grenell, në nderim të kontributit të jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara për dakordimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë do sjellë paqe, stabiliteti ekonomik dhe jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe rajonit”, tha presidenti Thaçi.

Ai falënderoi presidentin amerikan, Donald Trump, për angazhimin në arritjen e marrëveshjes ndërsa nënvizoi se “kjo marrëveshje u bë e mundshme në Shtëpinë e Bardhë dhe ne besojmë fuqishëm se përsëri SHBA-të mund të arrijë marrëveshjen finale politike për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”.

Filed Under: Featured Tagged With: medaljen Presidenciale, per Grenell, Thaçi

Odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë me grup punues për marrëveshjen e Uashingtonit

September 22, 2020 by dgreca

–Grenell: Marrëveshja do të krijojë vende të reja pune–

Odat ekonomike të Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që të krijojnë një grup punues, që do të ndihmojë qeveritë e të dyja shteteve për të zbatuar projektet e marrëveshjes së Uashingtonit nga 4 shtatori, si dhe të ofrojë mbështetje për zbatimin e projekteve të infrastrukturës, energjisë dhe krijimit të vendeve të punës.

Në rezidencën e ambasadorit amerikan në Beograd, Anthony Godfrey, të martën u mbajt takimi i përfaqësuesve të odave ekonomike të Kosovës dhe Serbisë me delegacionin të Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit të Shteteve të Bashkuara.

Në takim kanë marrë pjesë drejtori i Korporatës, Adam Boelher, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell , ambasadori Godfrey, përfaqësuesit e odave të Kosovës dhe Serbisë, Berat Rukiqi, përkatësisht Marko Çadezh si dhe kryetari i Odës amerikane në Serbi, Zoran Petroviq.

Boehler: Normalizimi ekonomik do të thotë investim

Kryeshefi ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler, tha se Kosova dhe Serbia me marrëveshjen për normalizim ekonomik, kanë “të mirën e popullit dhe jo politikës”.

“Dua të shpreh mirënjohjen për Prishtinë dhe Beogradin që kanë vendosur në të mirën e popullit dhe jo politikë sepse në fund të fundit, normalizimi ekonomik do të thotë investim. Kjo nuk është një situatë kur një vend humb e një tjetër fiton”, tha Boehler.

Pas takimit, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se marrëveshja e arritur në Uashington më 4 shtator për normalizim ekonomik, është marrëveshje e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë si dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Temat politike nuk kanë dhënë investime dhe hapje të vendeve të reja të punës. Ajo që do të bëjmë ne është të fokusohemi në prioritetet e projekteve të ekonomisë dhe shumë të tjera”, tha Rukiqi.

Ndërkaq, kreu i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh tha se do të dëshmohet se marrëveshja e arritur në Shtëpinë e Bardhë, ka sjellë stabilitet në rajon.

“Tash kemi një ekip të përbashkët për të mbështetur projektet dhe për të dhënë ekspertizë qeverive tona që të zbatojnë projektet”, tha Çadezh.

Grenell: Marrëveshja do të krijojë vende të reja pune

Ndërkaq, i dërguari i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell, tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi në rend të parë çështjet ekonomike, sa i përket Kosovës dhe Serbisë.

“Ne nuk do të ishim këtu po të mos ishte presidenti Donald Trump, i cili besoi se mund të bëhej diçka ndryshe dhe që beson se ekonomika duhet të jetë në rend të parë”, tha Grenell duke shtuar se shteti nuk krijon vende pune, por sektori privat.

“Ajo që kemi bërë në Uashington është e mrekullueshme, por nuk është e gjitha, ne duam që ju të na mbani përgjegjës dhe ajo që është në letër duhet të kthehet në punë”, shtoi Grenell.

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Anthony Godfrey, e përshkroi vizitën e delegacionit amerikan si një sinjal të fuqisë së marrëveshjes së Uashingtonit, duke shtuar se ata tani kanë arritur një marrëveshje të re që “do të përmirësojë tregtinë, komunikimet dhe përmirësojë standardet e jetesës së njerëzve në rajon”.

Delegacioni amerikan ka arritur në Beograd në orët e vona të së hënës.

Presidenca serbe ka paralajmëruar se Boelher dhe Grenell do të takohen me presidentin dhe kryeministren serbe, për të nënshkruar deklaratën e përbashkët për bashkëpunim ekonomik.

Një dokument të tillë, zyrtarët amerikanë kanë nënshkruar të hënën edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

“Marrëveshja që kemi nënshkruar sot (21 shtator) ka qenë zotim për të përshpejtuar investimet në Kosovë. Ne kemi qenë duke punuar në përgatitjet për mundësitë e asaj që ndodhi disa javë më parë. Kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin tonë dhe kemi projekte në vlerë deri në 1 miliard dollar. Aty përfshihet Autostrada e Paqes, hekurudha, gazi i lëngshëm natyror. Kemi biseduar edhe për mundësinë e investimit në një resort të skijimit. Po ashtu do të ofrojmë mbështetje direkte për bizneset e vogla dhe të mesme”, ka thënë Boehler në Prishtinë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Kosove, Odat ekonomike, Serbi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 42
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT