• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2020

KOSOVA, PAVARËSIM ENERGJETIK…

September 29, 2020 by dgreca

-Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), trup i Rrjetit Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike (ENTSO-E), vendosi që Marrëveshja e re e Kyçjes, e nënshkruar më 30.06.2020, në mes të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe ENTSO-E, të hyjë në fuqi, me ç’rast e bën të mundur pavarësimin energjetik të Kosovës/

-Nga historiku i “autostradës” energjetike Shqipëri-Kosovë: Në 21 Dhjetor të vitit 2013, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri…/

-Marrëveshja në mes KOSTT dhe ENTSO-E – pavarësim elektro-energjetik i Kosovës nga Serbia. Republika e Kosovës del nga Blloku rregullues Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut, për t’iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri/

PRISHTINË, 29 Shtator 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ 

Behlul JASHARI-Korrespondenti i Diellit ne Kosove-

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, njoftoi sot se Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE), trup i Rrjetit Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike (ENTSO-E), vendosi që Marrëveshja e re e Kyçjes, e nënshkruar më 30.06.2020, në mes të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe ENTSO-E, të hyjë në fuqi, me ç’rast e bën të mundur pavarësimin energjetik të vendit tonë.

Më tej, kryeministri Hoti tha se ENTSO-E, vlerësoi që KOSTT ka plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshje dhe është e gatshme të operojë e pavarur nga Serbia, si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Kosovë – Shqipëri.

“Nga e drejta jonë dhe mbështetja e miqve u bë i mundur pavarësimi energjetik”, tha kryeministri Hoti.

Kosova dhe Shqipëria lidhen edhe me “autostradë” energjetike – ky është historiku:

Në 28 Qershor 2016 është finalizuar ‘autostrada’ energjetike, projekti më i rëndësishëm energjetik – Linja e interkoneksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë, e cila ka një gjatësi totale prej 241.1 km, nga të cilat 151.1 km shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 km në territorin e Kosovës, duke i hapur kështu rrugë tregut të përbashkët të energjisë.

Ceremonia e inaugurimit u zhvillua në kryeqytetin shqiptar – në Nënstacionin Tirana 2, me pjesëmrrjen e përfaqësuesve të Shqipërisë e Kosovës.

 Projekti ka vlerën 75 milionë euro dhe u financua nga Qeveria Gjermane përmes bankës KfW nëpërmjet kredive të zhvillimit. Me linjën e interkoneksionit 400 kV, Shqipëria dhe Kosova do të mund të përfitojnë për shkak të kombinimit të burimeve të prodhimit të energjisë. Shqipëria e bazon prodhimin e energjisë në 95 për qind nga hidrocentralet, ndërsa Kosova nga termocentralet.

 Në 17 Dhjetor 2015, në Kosovë u bë  inaugurimi i Projektit “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri” dhe përfundimi i punimeve në linjën interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë. Inaugurimi u bë pasi në “autostradën” energjetike të Kosovës drejt Shqipërisë u bë edhe energjizimi testues i linjës së re interkonektive të tensionit të lartë 400 kV deri në kufi, e cila lidhë nënstacionet Kosova B dhe Tirana 2, duke kaluar nëpër territorin kosovar në zonat e 8 komunave – Obiliq, Vushtrri, Drenas, Malishevë, Rahovec, Gjakovë, Deçan e Junik  dhe të  mëse 45 fshatrave.

Në linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, në pjesën kosovare në fund të muajit Shtator 2015 u përfundua me ngritjen e të gjitha shtyllave elektrike. Ngritja e shtyllës së fundit elektrike – 239 u bë pranë kufirit në Qafë Morinë, ndërkohë që ishin shtruar mbi 50 km përçues elektrikë.

Në 21 Dhjetor të vitit 2013, në praninë e ministrit të Energjetikës dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri, ministrit të atëhershëm të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, dhe ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë në atë kohë, Peter Blomeyer, në hapësirat e Lidhjes Shqiptare në Prizren, në një ceremoni solemne, është nënshkruar kontrata për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri.

Në Forumin e Nivelit të Lartë me temën “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, i zhvilluar në Prishtinë në fillim të Marsit 2016, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe mbështetur nga USAID-i, pjesëmarrësit u pajtuan se një komponentë shumë e rëndësishme për stabilitetin e furnizimit dhe operimit të sistemit është tregu i përbashkët i energjisë elektrike me Shqipërinë.

“Plotësimi i gjenerimit të energjisë elektrike të Shqipërisë – i bazuar kryesisht në hidro dhe i gjenerimit të Kosovës – i bazuar kryesisht në thëngjill, është konsideruar si alternativa më e lirë dhe e sigurt për furnizim të përbashkët të dyja vendeve, duke eliminuar kështu mungesën sezonale”, u theksua në përfundimet e Forumit të Nivelit të Lartë “Siguria e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë”, në Prishtinë.

MINISTRJA HARADINAJ STUBLLA PËRSHËNDET PAVARËSIMIN ENERGJETIK TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj.Meliza Haradinaj Stublla, ka përshëndetur votimin e suksesshëm në takimin e sotëm midis RGCE – ENTSO-E, i cili jetëson pavarësimin energjetik të Republikës së Kosovës.

Në këtë takim u votua hyrja në fuqi e marrëveshjes së kyçjes në mes Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO –E), e nënshkruar më 30 qershor 2020.

“Sukses i plotë, u jetësua pavarësimi energjetik të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë operatorët nga shtetet mike, por edhe nga ato që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që votuan dhe na përkrahen në kuadër të Grupit Regjional të Evropës Kontinentale, që nga sot marrëveshja të hyjë në fuqi”, tha Ministrja Haradinaj Stublla.

Kryediplomatja tha se jetësimi i pavarësisë energjetike për Republikën e Kosovës, është një lajm i rëndësishëm për popullin dhe shtetin e Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe plotësimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

“Shpreh mirënjohjen e thellë Gjermanisë, Francës, Italisë dhe gjitha vendeve anëtare të Grupit Regjional të Evropës Kontinentale. Ky sukses vjen pas një fushate të fuqishme dhe intensive të realizuar me sukses bashkë me miqtë e aleatët tanë. Urime Kosovë e dashur!”, ka deklaruar Ministrja Haradinaj Stublla.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, kosova, PAVARËSIM ENERGJETIK

Në 60-të Vjetorin e një aktivisti të nderuar të Diasporës z.Mark Qehaja

September 29, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo-U nisa nga fshati im i lindjes Tetaj një fshat i thellë në zonën e Nikaj Mërturit për në Tiranë për në shkollën ushtarake “Skënderbej”, me një valixhe druri me çelës ku kisha mbyllur pasurinë time me disa ndërresa dhe disa kokrra mollë që e aromatizonin ajrin përreth.  Aty po projektoja pa ditur të ardhmen time. M.Q.

Gjashtë dekada jetë nuk janë as pak as shumë, e rëndësishme është si i ke kaluar ato gjashtë dekada në jetën tënde.  Ndonëse për njeriun gjithmonë vitet ikin vetëtimthi, përsëri ato ngelen në kujtesë si gurë diamanti që nuk ndryshken kurrë.  Në një ditë të diel në “Taverna Kyclades”, Queens Kryesia e Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skënderbej” organizoi ditëindjen jubilare të z.Mark Qehaja njëherazi dhe kryetar i kësaj shoqate.  Për shkak të Pandemisë botërore numri i pjesëmarrësve ishte tejet i kufizuar prandaj kryesia kishte vendosur që ta organizonte këtë ditëlindje ceremoniale vetëm me anëtarët e kryesisë.  

Në krah të tij qëndronte bashkëshortja e tij fisnike znj.Vera Qehaja e cila është një intelektuale dhe nënë shembullore dhe e devotshme në rritjen e dy fëmijëve të mrekullueshëm si Elisa dhe Denisi të mëkuar qysh në fëmijëri me traditat e mahnitshme të Kombit tonë.  Ceremoninë e ka hapur z.Imer Laçaj n/kryetar i Shoqates i cili i uroi plot përzemërsi dhe mirënjohje 60-të Vjetorin si dhe e vlerësoi punën e tij të palodhur per shoqaten.  Z.Laçaj në emër të kryesisë të cilët ndodheshin në tavoline si Alketa Veshi (sekretare) Nikollë Nilaj, Arta Xhaferri, Faton Zogiani, Glen Nutaj, i dorëzoi z.Qehaja pllakën e mirënjohjes për një kontribut të vyer për drejtimin e shoqatës dhe punën e saj serioze dhe të përkushtuar në Diasporë.  

Me shumë emocion u mirëprit fjala përshëndetëse e z.Qehaja i cili ndër të tjera tha se:  “Më keni nderuar si kryesi me mbështetjen tuaj të vazhdueshme qysh në fillim të krijimit të shoqatës sonë “Skënderbej”me kryetar z.Bashkim Shehu dhe anëtar nderi z.Qemal Zylo.  Tashmë shoqata jonë dëgjohet dhe respektohet jo vetëm në komunitetin tonë, por më gjerë se kaq.  Ai shprehu mirënjohjen e pakufishme për të gjithë anëtarët dhe tha se ma bëtë më të bukur dhe më të paharrueshëm udhëtimin tim 60 vjeçar.

Udhetimi im 60 vjeçar ka pasur zig-zaket e vështirësitë e jetës.  U nisa nga fshati im i lindjes Tetaj një fshat i thellë në zonën e Nikaj Mërturit për në Tiranë për në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”.  Unë nuk i harroj kurrë lotët e nënës kur më përcollën, ishja më i madhi i fëmijëve.  Ecëm në këmbë me babain tim gati pesë orë dhe pastaj me një kamion zbritëm në Bajram Curri me një valixhe druri me çelës ku kisha mbyllur pasurinë time me disa ndërresa dhe disa kokrra mollë që e aromatizonin ajrin përreth.  Aty po projektoja pa ditur të ardhmen time. Lotët nuk i përmbahen kur përmend prindërit e tij të shtrenjtë për të cilët tha se ndihem tejet krenar ngase gjithë mundin dhe vështiresië e shumta i përkushtuan për fëmijët e tyre.  Tani pas 60 vjetësh në Amerikë jam i bekuar nga Zoti dhe se lutjet e prindërve të mi u dëgjuan vazhdoi z.Qehaja.”

Kemi pasur fatin t’i njohim shumë bashkatdhetarë në organizime aktivitetesh, por është shumë krenari kur në krye të këtyre aktiviteteve janë njerëz si Mark Qehaja. Si media 

TV “Alba Life” kemi ndjekur shumë aktivitete të diasporës, midis tyre kanë qenë dhe të z.Qehaja. Ato kane qenë organizime shumë mbresëlënëse pasi ato janë realizuar me plot përkushtim, atdhetarizëm dhe kulturë. Z.Qehaja së bashku me kryesinë kanë ftuar personalitete të shquara të Diaspores si kongresistin Joe Di Guardi, këshilltarin e Nju Jorkut z.Mark Gjonaj, z.Marko Kepi, Presidentin e Organizates “Rrënjët Shqiptare”, ligjvënënsin z.David Tubiolo në Këshillin e Legjislatorëve të Qarkut të Westchesterit, z.Pashko Camaj, zv/kryetar i organizatës më të vjetër shqiptare, e shumë të tjerë deri dhe nga Shqipëria si poetin z.Agim Doci, “Mjeshter i Madh”, z.Paulin Zefi drejtori i Muzeut Lezhë, Dr.Rovena Vata etj.

Ishte gëzim për gjithë anëtarët kur Shoqata Shqiptaro Amerikane “Skënderbej me kryetar z.Bashkim Shehu u mblodh në Manhattan në restorantin “San Marino” për të njohur anëtarët dhe simpatizantët e saj me marrjen e dokumentacionit, miratimin e shoqatës nga departamenti i shtetit të Nju Jorkut si dhe me statutin dhe programin për vitin 2019-të.

Kanë ngelur në kujtesën e shumë pjesëmarrësve aktivitetet si: Festimi i 73 Vjetorit të Shkollës “Skënderbej”, aktivitet me rastin e 550-të Vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, aktivitet në 106-të Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, festimin i 11-të Vjetorit të Pavarësise së Kosovës, aktivitet që nderoi me madhështi Pavarësinë e Amerikës.

Historike do të jenë dy ditë aktivitetet madhështore në nderim të At Gjergj Fishtës, Nderi IiKombit, që kulmoi me Simpoziumin Shkencor për At Gjergj Fishtën pranë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, New York.

Veprim human është mbledhja e fondeve për të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri dhe që u dorëzuan pranë Vatrës, inisiatore për këtë nismë tejet mbështetëse në ndihmë të shqiptarëve.

Në Kosovë z.Qehaja u takua me përfaqsues të Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës si me z.Jashar Ramadani (vëllai i heroit të Kosovës Agim Ramadanit), shefin e kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes, me Kolonel Feriz Trezhnjeva si dhe me këshilltarë të Ministrit të Mbrojtjes etj.

Një veprim bamirës është dhe ndihma qe ka dhënë për të dëmtuarit nga tërmeti i nëntorit në Shqipëri ku z.Qehaja i vizitoi kokë më kokë disa familje të dëmtuara rëndë.

Kryesia e Shoqatës Shqiptaro Amerikane “Skenderbej” vazhdon të jetë aktive dhe në kohën e pandemisë botërore ku janë kryer disa takime në Google Meet dhe nje takim në një restorant në Queens në mjediset përjashta ku dhe u pranuan disa anëtarë të rinj.

Të gjitha këto aktivitete e nderojnë z. Qehaja dhe kryesinë që punojnë me aq përkushtim dhe seriozitet. Sidoqofte ne e festuam thjesht dhe me zemër ditelindjen e tij jubilare dhe ndërkohë urojme nje lider të vërtetë, sepse veprimet e tij janë frymezuese ashtu siç thonë Amerikanët: “If your actions inspire others to dream more, learn more, do more and become more, you are a leader.” … që përkthehet: 

“Nëse veprimet tuaja frymëzojnë të tjerët të ëndërrojnë më shumë, të mësojnë më shumë, të bëjnë më shumë dhe të ecin më shumë, ju jeni një lider.” …

është njerëzore të urosh 60-të vjetorin e një bashkatdhetari në Diasporë aty ku na hodhën fatet dhe ta festojmë së bashku si një familje e madhe.

Gëzuar Mark Qehaja 60-të Vjetorin e ditëlindjes suaj dhe paçi jetë të gjatë!

28 shtator, 2020-New York

Filed Under: Opinion Tagged With: 60 Vjetori, Keze Kozeta Zylo, Mark Qehaja

Gjykata Speciale nuk mund të marrë me vete Shtetin e Kosovës

September 29, 2020 by dgreca

-Rithemelimi i Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë është emergjencë për të shpëtuar Shtetin e Kosovës-

– Meqë Mandati i Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë i ka  mbaruar afati që në Gusht, ajo duhet të rithemelohet urgjentisht dhe t’i jepet një mandat i gjerë me ekspertë të Departmentit të Drejtësisë së Amerikës e me ndihmën e Presidentit Trump.

Nga Ajet Delaj- New York –

Arrestimi i gjygjtarve apo prokurorët që kanë pasur mundësi për ti nxjerrë nga gjykata speciale këto dokumente është domosdoshmëri pasi Gjykata Speciale nuk mund të marrë me vete Shtetin e Kosovës.

Të deklarohet nëse gjykata speciale ështe thyer fizikisht si ndërtesë ose të arrestohen ata që kanë abuzuar me detyrën nuk ka rrugë tjetër për të shpëtuar cfarë mund të shpëtohet.

Këtë duhet ta bëjnë institucionet e Kosovës pasi Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës e në këto kushte Gjykata  Speciale ka konflikt interesi. 

Nuk e kanë  detyrim ligjor organizata e veteranëve të luftës e as gazetarët që të ruajnë dëshmitarët e Gjykatës Speciale.

Zotërinj të Gjykatës Speciale po luani me fatet e Shtetit të ri të  Kosovës dhe këtë institucionet e Kosovës nuk duhet ta lejojnë.

Nëse Gjykata Speciale e Hagës në Kosovë nuk arreston abuzuesit e saj me detyrën  e shenjtë të dhënies së drejtësisë atëherë kjo Gjykatë nuk është e besueshme për askënd në vendimet e saj të mëtejshme.

Unë  i bëj thirrje institucioneve të Kosoves që në bashkëpunim me istitucionet Amerikane të rithemelojnë Gjykatën Speciale së bashku me korigjimin e nevojshëm jo si gjykata për krime etnike por për një gjykatë speciale për të gjitha krimet e ndodhura në Kosovë madje edhe para luftës pasi krime kundër njerzimit futen edhe helmimi i fëmijve të Kosovës .

Së bashku me rithemelimin e Gjykatës Speciale parlamenti i Kosovës të autorizojë Prokurorin e Përgjithshëm të Repuplikës së Kosovës që të fusin nën hetim të tërë stafin aktual të Gjykatës Speciale.

Kriminelët e luftës duhet të përballen me drejtësinë pamvarsisht  se të cfarë etnie janë dhe kur i kanë bërë krimet.

A ka krim më të madh kundër njerëzimit se masakrimi I familjarve të Adem Jasharit duke përfshirë gra e fëmijë.

Politikanë të Kosovës bëhuni serioz e dilni për Zot gjakut të derdhur për lirinë e Kosovës, bëhuni avokatë të martirëve!

   Rithemelimi i Gjykatës Speciale për krimet e ndodhura në Kosovë  me mandat mësë pakti përgjatë 40 viteve të fundit është domosdoshmëri për të shpëtuar Shtetin e Kosovës por edhe për t’i treguar botës se kush janë kriminelët dhe krimet që kanë ndodhur në tokën e Kosovës. 

Gjaku i dëshmorve dhe i të gjithë të pafajmshmëve thërrasin për drejtësi.

Kosova ka nevojë për drejtësi e politika e Kosovës ja ka borxh popullit të Kosovës instalimin e sistemit të drejtësisë .

Do t’ju sugjeroja që t’i kërkoni ndihmë edhe Qeverisë Izrealite pasi institucionet Izrealite kanë një eksperiencë të pashoqe në ndjekjen e kriminelëve që kanë bërë krime ndaj njerëzimit.

 Rithemelojeni Gjykatën Speciale në  bashkëpunim me institucionet Amerikane larg manipulimeve të okupatorve serb e tërë atyre që i kanë larë duart me gjakun e të pafajshmeve, pavarësisht etnisë së kriminelëve.

Pa drejtësi nuk ka shtet demokratik e për shtetin ligjor të së drejtës kanë dhënë jetën djemtë e Kosovës .

Politikanë të Kosovës merrni përgjigjesitë për Kosovën e martirët e saj pasi kriminelët duhet të jenë pas hekurash,ata nuk munden e nuk duhet të përcaktojnë fatin e Kosovës.

Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë duhet të rithemelohet me një mandat shumë më të gjërë në ndjekje të kriminelëve multietnikë për një periudhë më së pakti 40 vjeçare.

Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë është një realitet që askush nuk duhet ta çojë në mendje se mund ta sabotojnë pasi Gjykata Speciale është pazgjithshmërisht me fatet e Shtetit të Kosovës.

Meqë mandati i Gjykatës Speciale të Kosovës në Hage i ka  mbaruar afati që në Gusht është një lehtësi e madhe për ta rithemluar atë me mandate të gjerë e ekspertë të Departmentit të Drejtësisë së Amerikës e ndihmën e Presidentit Trump.

Kjo për mua është rruga e vetme për të korigjuar gabimet e së shkuarës e përcaktuar të ardhmen e shtetit të së drejtës në Republikën e Kosovës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ajet Delaj, GJYKATA SPECIALE, Hage

MINORITETET NË SHQIPËRI E GREQI

September 29, 2020 by dgreca

Nga Besnik Imeri- Greqia, megjithëse në fund të shekullit të kaluar, hyri edhe në BE nuk i njohu minoritetet dhe nuk i njeh as sot e kësaj dite. Sot, BE  i kërkon Shqipërisë t’i trajtojë mirë minoritetet, ndërkohë që Greqisë i “fërkon kokën” që nuk i njeh minoritetet. Ky qëndrim i BE, besoj se e vendos atë në pozita qesharake dhe komike. Shqipëria, në fillim të shekullit të kaluar, sapo u krijua si shtet, i njohu minoritetet menjëherë dhe ka një shekull që është shëmbull në Ballkan për këtë qëndrim të saj.

       Madje, që të jem bindës në këtë drejtim, shëmbullin po e marr para njëqind vjetësh pas Luftës së Madhe, pa e krijuar shtetin e saj, qeveria e përkohshme e Durrësit e Turhan Pashës më 24 janar 1919 i njohu minoritetet. Në pikën nr.6 të programit të saj ajo thotë: “Minoriteteve, që do të përfshihen në kufijtë etnikë të Shqipërisë, do t’u garantohen të njëjtat të drejta që gëzojnë mazhoranca dhe do t’u bëhen konçesionet më të mëdha brenda kuadrit kushtetues dhe të pajtueshme me të drejtat e sovranitetit të shtetit shqiptar. Nga ana tjetër, qeveria e përkohshme do të bëjë ç’është e mundur që të njëjtat të drejta t’u njihen minoriteteve shqiptare, që mund të mbeteshin jashtë kufijve të Shqipërisë së pavarur.”

        Tani shtrohet pyetja, a e bëri të njëjtën gjë Greqia kur u krijua si shtet më 1831, apo edhe më 1835 dhe 1840; ndërkohë që ajo si shtet, përjashto arbanitasit që formojnë trungun e saj, në vetvete është e përbërë nga minoritetet? Pra është një shtet multietnik.

        Qëndrimi i Shqipërisë mbeti i pandryshueshëm, gjë që pas disa vjetësh, kur Shqipëria kishte krijuar shtetin e saj dhe ambasadori ynë fuqiplotë në Greqi, Mid’hat Frashëri, në funksionin e Kryetarit të delegacionit shqiptar, në dhjetor të vitit 1923 raportonte para Lidhjes së Kombeve:

“Më lejoni z.President të shtoj dy fjalë, duke kërkuar në të njëtën kohë që deklarata ime të përfshihet në raportin e seancës së Këshillit.

Shqipëria ka nënshkruar klauzolat që lidhen më minoritetet, me vullnet të plotë…Vendi, që unë kam nderin të përfaqësoj (Shqipëria), u ka njohur minoriteteve etnike, të cilat jetojnë në kufijtë e tij, të gjitha të drejtat fetare, kulturore dhe qytetare. Në këtë pikëpamje, Shqipëria është shteti më liberal i pjesës juglindore të Europës…”

        Qarqet shoviniste greke duke përfituar nga kjo tolerance e shtetit shqiptar që nga viti 1912 dhe këndej, nisur edhe nga ajo shprehja shqiptare, që, “i jep gishtin dhe të marrin krahun”, pretendojnë, se një pjesë e rëndësishme e popullsisë brenda territorit të shtetit shqiptar është greke. Ndërkohë që në vendin e tyre, në Greqi, ata nuk njohin si pakicë shqiptare, për të mos thënë si pjesë përbërse shtetformuese të Greqisë, masën disa milionëshe të arvanitasve, duke i shtuar kësaj edhe masën e madhe qindramijëshe të shqiptarëve të Epirit. Ata pretendojnë për rreth 400.000 deri në 600.000 grekë në Shqipëri. Por po të shikojmë rregjistrimet korekte të shtetit shqiptar, ata nuk janë më shumë se 60.000 greqishtfolës.

        Edvin Zhake duke ju drejtuar rregjistrimit të shtetit shqiptar në vitin 1934 pohon: “Shqiptarët përbënin 97 për qind të popullsisë, popullsia me prejardhje greke 2 për qind, dhe, vllehë, bullgarë, sërbë, ciganë 1 për qind.”

        Shoqata e Vorio-Epirotëve të Amerikës, që është pjesa më agresive e qarqeve shoviniste greke, me në krye klerikët ortodoksë grekë të Amerikës, të cilët, nga ana e tyre, janë maja e heshtës shpuese ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve; vazhdimisht kane ngritur zërin pranë institucioneve amerikane, për gjoja të mos respektimit të të drejtave të të ashtuquajturit minoritet etnik grek në Shqipëri. Ja se çfarë na thotë lidhur me këtë problematikë Edvin Zhake: “…Peshkopët grekë ortodoksë të SHBA në vitin 1981 ngritën pretendime për numrin e pakicës greke në Shqipëri…Komunikata e Departamentit SHBA më 20 prill 1981: “numri më i afërt, por jo plotësisht i saktë, i grekëve në Shqipëri mund të jetë rreth 50.000”… më datë 25.01.1984, mbi bazën e këtyre kërkesave, nënkomisioni i të drejtave të njeriut në Dhomën e Përfaqësuesve në SH.B.A në Vashington D.C mbajti një seancë dëgjimore në Kongres…Ata (peshkopët grekë) pretendonin se 400.000 ortodoksë në Shqipëri ishin grekë…Dokumentat zyrtare të SHBA tregonin se pakica greke në Shqipëri ishte 50.000 persona…Rregjistrimi i popullsisë në Shqipëri i vitit 1989 raportoi një pakicë greke prej 58.758 persona, në një popullsi të përgjithshme prej 3.25 milion banorësh…”.

       Në një raportim që ambasadori ynë në Greqi, Mid’hat Frashëri, i bën Ministrisë së Jashtëme Shqiptare më datë 12 qershor 1925 thuhet: Në njerëz të qarqeve në prefekturën greke të Epirit mbretëron ky mendim; …Greqia ç’kishte për të fituar në Epir të Veriut i fitoi. Grekofonët e Shqipërisë kanë deputetë, shkolla, kisha, funksionarë zyrtarë, liri të plotë civile dhe politike. Edhe Qeverija Shqiptare ka bërë premtim që të miret në kabinet edhe një ministër grek. Pra ne tani nuk kemi më frikë, dhe duam që të shpëtojmë nga elementi shqiptar i Epirit, që të mos mbetet ndonjë kundërpeshë për helenizmën dhe të mundim të punojmë më shpenguar në Shqipëri të Jugësë…”

          Ndërkohë që Greqia, me ndihmën e Europës, para dymbëdhjetë vjetësh (1913) i kishte grabitur Shqipërisë, mbi gjysmën e Shqipërisë së Jugut, Çamërinë, Janinën, Konicën, Follorinën, Kosturin etj. Po kush ishte sjellja ndaj kësaj popullsie shqiptare të pushtuar:

“…Ju grabitën pasuri me vlerë 2.700.000 napolona ar (flori)…Shqiptarët në Greqi nuk kanë të drejtë votimi, s’kanë deputetë, s’kanë të drejtë për shkolla shqipe, xhamitë dhe teqetë janë konfiskuar prej qeverisë greke…Ndërkohë që në Shqipëri kishte të hapura 37 shkolla greke, në Greqi nuk kishte asnjë shkollë shqipe për shqiptarët…”

        Greqia pra, ashtu si ka vepruar në vitin 1925, ashtu vepron edhe sot e kësaj dite. Asnjë ndryshim, as në taktika dhe as në strategji. Në Shqipëri, I ashtuquajturi minoritet grek i ka të gjitha të drejtat. Ndërsa shqiptarët në Greqi, jo vetëm që nuk kanë asnjë të drejtë si shqiptar, si minoritet, por kanë frikë që të thonë që janë shqiptar, pasi persekutohen nga shtetit grek, një klerikokraci ortodokse, apo më saktë një shtet me tipare fashiste me ngjyrime të forta fetare.

        Ka 100 vjet që popullsia shqiptare në Greqi; duke mos folur këtu për deportimin me dhunë, sekuestron e shtëpive, tokave, vreshtave, ullinjve, gjësë së gjallë; dhe, për më tepër, duke mos folur për genocidin grek ndaj shqiptarëve; është në të njëjtën gjëndje, në mos më keq. Sa komikë duken ata politikanë grek sot, që i kërkojnë Shqipërisë të plotësojë standartet europiane. Ata më kujtojnë fabulën, me ujkun që i kërkonte qengjit të mos i pshurrte ujin, kur qengji ndodhej në përrua më poshtë tij. Po BE çfarë roli ka në këtë mes? BE mban anën e ujkut, duke mbështetur me ndërgjegje padrejtësitë që janë kryer ndaj shqiptarëve këto 150 vjet. Ajo është në rolin më hipokrit, dhe, nëqoftëse do ta mohojë këtë, lë të detyrojë Greqinë si shtet anëtar i saj të njohë minoritetet. Në të kundërtën të gjitha llafollogjitë e BE, që sot e kësaj dite u kërkojnë shqiptarëve të sillen mirë me minoritetet, është hipokrizia më e pështirë. 

        Qysh me krijimin e shtetit shqiptar më 1912 dhe deri në ditët e sotme, fillimisht Fuqitë e Mëdha dhe sot BE, i kanë bërë presione të jashtëzakonshme shtetit shqiptar lidhur me trajtimin e minoriteteve. Flasim për trajtimin, se për të njohur, shteti shqiptar është i pari në këtë drejtim, që i njeh minoritetet dhe për këtë nuk kanë se çfarë të thonë. Fuqitë e mëdha dikur dhe shtetet e BE sot, e dinë shumë mirë që trajtimi i minoriteteve në Shqipëri është nga më të mirët. Por tjetërkund “fle lepuri”, qëllimi i tyre ka qënë vazhdimisht që në Shqipëri të njihen sa më shumë minoritete dhe të krijohet mundësia që Shqipëria të shpallet një shtet multientik, ashtu siç po bëjnë edhe me Kosovën. Me këtë mbulohet me gjethe fiku dhe e pëgëra e Europës në vitin e mbrapsht 1913. Por më këtë synojnë shpërbërjen e shqiptarëve si komb dhe jo unik në trojet e tyre etnike.

        Por me që ra fjala, kush janë minoritetet që njeh shteti shqiptar? Janë të ashtuquajtur grekë të Jugut të Shqipërisë, të ashtuquajturit maqedonas të disa fshatrave në Prespë dhe si qershia mbi tortë, dy fshatra të ashtuquajtura malazeze në në fushën e MbiShkodrës. Por së fundmi, qeveria antishqiptare në pushtet ka njohur edhe të ashtuquajturin minoritet bullgar në verilindje të Shqipërisë. E shikoni sa bukur, e gjithë Shqipëria e rrethuar nga minoritetet. Aktualisht,  po punojnë me të gjitha forcat, që Himara, të njihet si minoritet grek nga shteti shqiptar. Gjë që mund të arrihet si rezultat i gjunjëpërthyerjes së shtetit shqiptar.

        Marrim vesh kohët e fundit (2020) se qeveria shqiptare me miratimin e ligjit për minoritetet, dhe në ndryshim të ligjit të mëparshëm ku minoritetet njiheshin vetëm në një territor të caktuar, tani i njeh pa kufizim në të gjithë territorin e Shqipërisë; ndërkohë, që këto tridhjetë vjet, nëpërmjet manipulimit dhe dhënies së shtetësisë greke të shumë shtetasve shqiptarë, Greqia ka arritur të ngre artificialisht numrin popullsisë pakicë greke në Shqipëri. Tani, me këtë ligj që ka miratuar kjo qeveri antishqiptare dhe puthadore e Athinës dhe Beogradit, pakicë greke kemi edhe në Vermosh, mjafton që atje të shkojë dhe të banojë qoftë dhe një greqishtfolës shqiptar, ose një shqipfolës shqiptar por me shtetësi greke.

        Por po bëjmë një pyetje të thjeshtë: Kush janë gjithë këto minoritete brenda territorit të Shqipërisë së 1913? Mos vallë kjo bëhet për t’i nxjerrë të jashtëligjishëm shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të shtetit amë pas copëtimit të 1913? Dhe së fundmi, por jo nga rëndësia, pavarësisht gjuhës që flasin, kush është etnia e vërtetë e këtyre minoritarëve që e kanë rrethuar dhe futur në lak Shqipërinë?

        Qysh në fillim duhet  të themi, se këtu ndodhemi para një mashtrimi të madh. Në Shqipëri nuk ka shumë minoritete, por e shumta ka vetëm një minoritet. Gjuhët e ndryshme që ata flasin, në të vërtetë nuk tregojnë etninë e tyre të vërtetë. Gjuha që ata flasin, në pamje të jashtëme, në formë, krijon përshtypjen e një popullsie të huaj fqinje. Shëmbull këtu, që për mendimin tim, është sqaruar mjaft mirë në pjesën që flasim për vllehtë, është i ashtuquajturi  minoritet etnik grek, që nuk është gjë tjetër, ku siç e pranojnë edhe ata vet (Malqidhis), janë veçse vllaho-grekë, pra kemi të bëjmë vetëm me vllehë të greqizuar. Pra një popullsi dygjuhëshe, që ka humbur gjuhën e vet amtare vllahe dhe ka ruajtur gjuhën e huazuar, greqishten.

       Interesant është fakti, se praninë e vllehëve të greqizuar në Shqipërinë e Jugut me gjuhë amtare vllahishten dhe gjuhë të huaj greqishten, siç e kemi përmendur edhe më parë, e pranojnë edhe vet grekët:

 “..Në rregjistrimin e një pjese të vllehëve grekë të zonës së Kolonjës në vitin 1945 rregjistrohej si gjuhë amtare vllahishtja dhe greqishtja si gjuhë e huaj…Vllehtë grekë të shpërngulur u vendosën në zonën e Lunxhërisë, Zagorisë dhe Pogonit…Në Lunxhëri vllehtë grekë ngritën edhe fshatrat e tyre si Andon Poçi…”

        Pra të gjitha këto të ashtuquajtura minoritete të tjera në Shqipëri, pas vllehëve grekë, hyjnë tek popullsitë dygjuhëshe, të cilat kanë humbur gjuhën amtare, dhe kanë ruajtur gjuhën e huazuar: “maqedonishten”, “bullgarishten”, “malazezen”, “boshnjaken”; të cilat, për hir të së vërtetës nuk janë shumë gjuhë, por janë vetëm një gjuhë, gjuha sllave, në variantet të ndryshme dialektore. Pra kemi vetëm një të ashtuquajtur minoritet etnik sllav. Pra të gjitha këto minoritete kanë huazuar një gjuhë, sllavishten. Por këtu lind kureshtja dhe me të drejtë mund të pyetet: cila ka qënë gjuha amtare e tyre? 

        Për mendimin tim, gjuha amtare e tyre ka qënë gjuha vllahe, të cilën, ata të shpërndarë në shtete të ndryshme sllave, qysh nga Perandoria Romake, e pas ndarjes, ajo Perandoria Bizantine, dhe, më pas ajo Osmane, e kanë humbur atë. Dihet nga të gjithë, që vllehët, për rreth dymijë vjet të shpërndarë në të gjithë Ballkanin, në pjesën më të madhe të  tyre, kanë humbur gjuhën amtare dhe etnicitetin origjinal dhe të vërtetë të tyre. Dihet nga të gjithë që vllehët në Sërbi janë kthyer në Sërbë, në Bullgari janë kthyer në Bullgarë, në Kroaci janë kthyer në kroatë, në të ashtuquajturin Mal të Zi janë kthyer në malazez, në të ashtuquajturën Maqedoni janë kthyer në maqedonas, në Shqipëri janë kthyer në shqiptarë; dhe së fundmi, në të ashtuquajturën Greqi janë kthyer në grekë.

        Tani ku e mbështes unë idenë, se këto  të  ashtuquajtura minoritete në Shqipëri janë thjesht popullsi vllahe, të cilat tufanet e historisë së Ballkanit i kanë shpërndarë në malet dhe luginat, kënetat dhe fushat moçalore të tij. U referohemi atyre që i konsiderojmë si miq të shqiptarëve. Së pari, Milan Shuflait, i cili flet për vllehë të sërbizuar në Mal të Zi, në mal dhe në fusha poshtë; dhe, vllehë të sërbizuar në Pejë dhe Prizren, pra në Kosovë, Ripërsërisim ato që thotë Shuflaj.

“…Pjesë të forta rumunësh (arumunësh ose vllehë), si vazhdim jugor i morlakëve të jugut, shihen në viset e Malit të Zi lindor të sotëm (fillimshekulli i XX-të). Jo vetëm dy maja malesh, Durmitori dhe  Visitori, mbanin në vititn 1330 emër rumun, por edhe në dokumente të vjetra sërbe, që kanë të bëjnë me vise edhe më brenda lindjes (të Malit të Zi), janë plot me emra sllavë me prapashtesën rumune (Gradul, Radul, Bvladul). Vëllazëritë e shumta të barinjve rumunë banuan këtu, u grumbulluan sëbashku, si Piperët dhe Mogushët, ndërmjet lumenjve të Zetës dhe Moraçës dhe dhanë, bashkë më Luzhanët sllavë, material për krijime fisesh malazeze…Origjina e Piperëve malazezë, të cilët sipas kërkimeve të Erdeljanoviqit, janë formuar prej Piperëve dhe prej banorëve shumë të fuqishëm të Zhupës së vjetër të Luzhës dhe prej Mugoshëve rumunë bredhës, atëhere del e qartë origjina e fiseve të treta. Një vëllazëri (1416 “Villa Vllasami” në qarkun e Shkodrës), që ishte një shoqëri barinjsh…Origjinën dako-romane të këtyre rumunëve e jep emri i Mogoshëve (kujtojmë këtu djallin e zi me emrin Dushan Mugosha, i cili mbahej dhe mbahet për sërb nga atatë Kosovës,por që ishte vllah i sërbizuar), të cilët jetojnë edhe sot në shumë vende të mbretërisë rumune (Mogosani, Mogosesci, Mogosoie)…

       Statutet qytetase të Kotorrit të shekullit të XIV i dallojnë qartë kroatët më në veri nga sllavët (Sclavi), të cilët të përzier me rumunë (Vualachi) dhe shqiptarë banonin në afërsi të qyteteve…

        …pastaj sidomos vëllazëria “Vllehët Sremlanë”, që në vitin 1330 banonin afër Pejës. Kjo vëllazëri me emrin e vet ka ruajtur kujtimin në Srijem (Syrmium). Edhe në harkun e veriut të Drinit të bashkuar në Rrethinat e Shkodrës dhe në rrethin e Pukës (Epicaria) kanë mbetur elementë rumunë bredhës…

        Viset ndërmjet Ulqinit, Raguzës, e Prizrenit, nga deti përgjatë Drinit deri në masivin e Alpeve Shqiptare dhe deri në anën e mëngjërt hidrografike të Lumës, formonin në mesjetë një brez të fortë të simbiozës etnike, në të cilin elementi shqiptar e rumun i  barinjve shkrihej me banorët sllavë bujqësorë…

        Manastiri i Shën Arkangjelit afër Prizrenit, i themeluar (1348) nga car Dushani, përfshinte me dekret mbretëror, përveç fshatrave të panumërta, përveç lagjeve e fshatrave shqiptare e vllahe në veri të Prizrenit, edhe një varg të madh fshatrash në Pilotin e Epërm, në perëndim të bashkimit të dy Drinave…

        Sikurse për shkak të plastikës së tokës në zonën dinarike të katundeve të vjetra dhe sllavët iu nënshtruan mënyrës së jetesës së barinjve, kështu u krijua ndërmjet Kotorrit e Prizrenit edhe terminologjia shqiptaro-rumune-sërbe në sferën e blegtorisë dhe bulmetit, e cila kishte bazat e veta paraindoevropiane…në Raguzë 1357 (brença, caseus vllacheschus, caseus Murilachus)…Edhe në dialektet malazeze gjenden mjaft gjurmë të kësaj terminologjie (turin, hira, frus)…

        Vëllezërit Balshaj (Strazimiri, Gjergji i I dhe Balsha i II), duke filluar nga viti 1360 paraqiten si zhupanë në Zetë…I ati i tyre pat qënë një bujar i varfër, i cili në pushtetin e car Dushanit zotëronte vetëm një fshat në Zetë. Balshajt rridhnin nga rumunët ose vllehët, flisnin si arbanët, korespondecën e kryenin sërbisht dhe mbaheshin si trashëgimtarë të mbretërisë sërbe…Në vulën (stemën) e Balshajve shihej  “koka e ujkut me dhëmbë jashtë”; ndërsa shkrimi ishte cirilik…”.

       Nisur nga sa sipër, nuk ka më dyshim, se popullsia e urtë, punëtore dhe paqësore e dy fshatrave tona të ashtuquajtura minoritet malazez në Shkodër, nuk është gjë tjetër veçse një minoritet vllah i sllavizuar. Vazhdojmë më tej. Nuk përbën ndonjë lajm të ri fakti që popullsia e fshatrave të Prespës, që ne e mbajmë për minoritet maqedonas, nuk është gjë tjetër veçse një minoritet vllaho-maqedonas, pra vllehë të sllavizuar; të cilët ishin bujqër të bejlerëve të Korçës, të ardhur aty gjatë perandorisë osmane kushedi se nga ku, por gjithmonë si një popullsi hyzmeqare (Këtë fakt e paraqet shumë mirë në romanin e vet shkrimtari nga kjo zone “Ata nuk ishin vetëm”). Ashtu siç edhe është i ashtuquajturi minoritet grek, një popullsi vllahe e greqizuar e ardhur në Dropull, Delvinë etj gjatë perandorisë osmane, si bujqër të bejlerëve të Gjirokastrës dhe të Delvinës. Pra të mos harojmë, se në këto raste kemi të bëjmë me një popullsi ardhacake në trojet shqiptare, dhe jo një popullsi minoritare të ngulur etnikisht në trojet e veta.

        Nga ato që thotë Shuflaj, edhe ajo pjesë e së ashtuquajtur popullsi sërbe në zonën Pejë-Prizren dhe më gjërë, në të vërtetë nuk janë sërbë; por janë vllehë të sërbizuar. Pra Sërbia dhe BE nuk ka punë me këta “sërbë” të kllonuar, ashtu, si nuk ka punë Greqia dhe BE për ata “grekë” të kllonuar në Jugun e Shqipërisë, ku për të dy palët, e shumta, për ta mund të interesohet vetëm Rumania. Në lidhje me këta “sërbë” të Kosovës më ka tërhequr vëmëndjen konstatimi i Edith Durham, e cila thoshte se pashë një popullatë sërbe punëtore, të urtë dhe paqedashëse. Ku ta dinte Edithi se këta nuk ishin sërbë, por vllehë të sërbizuar, sidomos nëpërmjet kishës ortodokse sërbe. Përfitojmë nga rasti këtu, që ato tipare që Edithi i mendonte si tipare etnike të sërbëve të Kosovës, në të vërtetë janë tipare të popullatës vllahe kudo që ajo ndodhet. 

        Vllehët janë shumë punëtorë, të urtë, paqedashës, bashkëjetojnë paqësisht me shqiptarët, dhe kanë marrë pjesë gjërësisht gjatë Luftës së Dytë Botërore në krah të Luftës Nacional-Çlirimtare, edhe për një aspiratë shumë të rëndësishme, për një çlirim shoqëror, për t’ua marrë token, që ata e punonin, bejlerëve shqiptarë, ashtu si dhe jau morën, dhe sot ata njihen si pronarë në tokat e shqiptarëve. Me të drejtë mund të thuhet: Si mund të ekzistojë një minoritet që nuk ndodhet në tokën e tij, nuk ka tokën e tij, ku të jetë i ngulur. Minoritet pa tokë nuk mund të ketë. Këtë fakt, që këta minoritarë deri në mesin e shekullit të kaluar nuk ishin pronarë të tokës që punonin, por bujq të saj, e tregon edhe Justin Godart: “Kështu 18 fshatra, gjatë rrugës nga Gjirokastra në kufirin grek, flasin greqisht. Ata përfshijnë 400 shtëpi. Por banorët e tyre nuk janë pronarë të tokës, janë fermerë të thjeshtë.”   

        Ndërkohë që shqiptarët sot në Sërbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe Greqi janë në tokat e tyre stërgjyshore të trashëguara brez pas brezi për mijëra vjet.

      Dhe së fundmi, jam i mendimit, se edhe ajo popullsi që konsiderohet si maqedonase apo bullgare, që banon në verilindje të Shqipërisë në një zonë të thellë malore (goran apo gollobordas),  që kryeministri aktual (2019) i dha statusin e minoritetit bullgar, duhet të jetë popullsi vllahe e sllavizuar (bullgarizuar) qysh në mesjetën e hershme dhe që banon aty prej qindra vjetësh. Edhe kjo është një popullsi e urtë, punëtore dhe paqedashëse, mjaft bashkëpunuese me shqiptarët. Mjafton të përmendim, se kjo popullatë në kohën e Skëndërbeut, u bë pjesë e ushtrisë shqiptare dhe luftoi trimërisht kundër hordhive osmane. Gjithashtu, kjo popullatë mori pjesë masivisht në Luftën Nacional-Çlirimtare.

        Fakti që ajo banon në male të larta tregon hershmërinë e vendosjes së tyre aty, ashtu si u vendosën vllehët e tjerë në malet Ballkan të Bullgarisë, malet e Kroacisë, Malit të Zi dhe malet e Pindit në Greqi. Kjo popullatë mund të jetë vendosur aty në kohën e mbretit bullgaro-vllah Ivan Asenit në shekullin e XIII. 

        Vendosjen e vllehëve në Ballkan në malet e larta pas dyndjeve barbare dhe sllave e tregon edhe Enciklopedia Britanike: “Gjithësesi vllahët, “duket se rrjedhin prej banorëve të latinizuar të provincave të epokës romake, të cilët gjetën strehë në malet e larta prej dyndjeve të barbarëve dhe sllavëve””(Enciklopedia Britanike, vëll.12, f.430)

        Pra si përfundim mund të themi që qarqe dhe fuqi antishqiptare në Europë, të cilat duan që Shqipërinë dhe Kosovën t’i kthjejnë dhe t’i trajtojnë si shtete multientinke; ndërkohë që në të vërtetë nuk janë të tillë: Kosova është  99 për qind e banuar nga shqiptarë; ndërsa Shqipëria, 97 për qind e banuar nga shqiptarë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Besnik Imeri, Greqi, MINORITETET, NË SHQIPËRI

KUJTESA- MARK GJO’MARKAGJONI

September 29, 2020 by dgreca

NGA FEDERIK RADOVANI-Ishte nëndori i 1944 kur kapiten Mikel Pjeter Prennushi, shkoi e pyeti Mikun e vet në Prefekturen e Shkodres: “Si mendon o Mark, a t’ ikim apo do të zbarkojnë Aleatët këtu?”

Kapiten Mark Gjo’Markagjoni i tha: “Jo bre, po per dy tre muej do të zbarkojnë Aleatët!”

Në gjysë të Janarit 1945 filluene arrestimet e pushkatimet deri thellë në Kelmend…

Kapiten Marku me vllaun Lleshin e shumë mirditas ishin ngujue në shpella, jo vetem tue u vra e sakatue, po edhe tue ju interrnue edhe familjet fatzeza nder kampe perqendrimi…

Një ditë aty nga nandori 1945, kur u ba një vit që komunistët kishin marrë qeverisjen dhe do të zhvilloheshin zgjedhjet, kapiten Marku i veshun oficer i sigurimit shtetit komunist, me një mik të vetin, shkon në Tiranë dhe hyn në hotel “Dajti” per me takue aty misionin anglez. Takohet rreth një orë me ata dhe bisedon per premtimin që i kishin thanë se mbas dy tre muejsh do të kthehemi prap këtu… Del nga hoteli dhe ikë në Mirditë. Porsa ka dalë forcat e sigurimit kujtohen se “Marku ishte veshë me uniformen e tyne, po kot…”

Mbas pak ditësh në Shkoder arrestohet rrobaqepsi Gasper (Lap) Tirana, e torturohet si pak kush per kostumin që kishte veshë kapiten Marku… Po, Lapi qendron e shpeton per mrekulli tue mos pranue asgja. Në fakt Lapi ia kishte qepë kostumin ushtarak Markut…

Me 13 Qershor 1946 mbyllet historia me vrasjen e kapiten Mark Gjo’Markagjonit në pyjet e Mirditës, mbas një rrethimi nga forcat komuniste. Kapiten Marku ishte djali i madh i Gjonit Markagjonit… Po, kujtimi i Tij mbeti i perjetshem se Ai, i kishte të gjitha shtigjet e hapuna per me u largue nga Shqipnia, po i “premë në besë” si qinda të tjerë, nuk u pat largue me qellim që mos me lanë pushtimin e Shqipnisë nga forcat komuniste jugosllave të Titos që, drejtonin komunistat shqiptarë PKSh… Ndersa familjet e nderueme të Tyne kaluene gjithë jeten në vuejtje, burgje e interrnime… Pak Heronjë ka pasë Shqipnia Trima si Kapiten Mark Gjo’ Markagjoni… Që dha jeten per Shqipninë e Lirë Europjane!

            Melbourne, 28 Shtator 2020. 

Filed Under: Politike Tagged With: Frederik Radovani

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 42
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT