• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2020

DRITAN ABAZOVIQI SI PËRFAQËSUES I BREZIT TË HUMBUR TË POLITIKANËVE SHQIPTARË

September 2, 2020 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI- Të djelën që kalojë, në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet për parliament të atij venid, të cilat përfunduan një rezultat tepër të ngushtë midis partive politike. Gara kryesore ishte midis Partisë Demokratike Socialiste të Milo Gjukanoviqit – njërit prej kleptokratëve të Ballkanit që ka qeverisur për 30-vjet – dhe partive të koalicionit të opozitës serbe.  Por sipas lajmeve, asnjëra palë nuk ka shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë e ardhëshme, pa ndonjë koalicion të dy tre partishë më të vogëla, siç është ajo e “E Zeza në të bardhë”, që udhëhiqet nga politikani me origjinë shqiptare, Dritan Abazoviq. Varësisht si shkojnë punët, ka mundësi që edhe tre muaj të mos dihet se kush dhe cilat koalicione do të formojnë qeverinë e Podgoricës, duke mos përjashtuar as mbatjen e zgjedhjeve të reja, si mundësi për të dalur nga qorrsokaku i kësaj situate, nëqoftse asnjë nga koalicionet që merren me mend tani – të mos jenë të afta të formojnë qeverinë e ardhëshme – duke detyruar kështu mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Prandaj, dua që modestësisht, të paralajmëroj të gjithë ata, sidomos disa media dhe analistë shqiptarë në Ulqin, në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilët me eufori kanë shpallur tanimë “shqiptarin” Dritan Abazoviq, si “kryeministrin” e ri të Malit të Zi.  Se si një kandidat i një partie që ka fituar katër vende në parlament mund të bëhet kryeministër i një vendi, unë nuk e di, por natyrisht në këtë rast Abazoviq duket se mund t’i bashkangjitet koaliciont të partive serbe, koalicionit të mbështetur nga kisha ortodokse serbe. 

Unë nuk dua ta paragjykojë se kush është Dritan Abazoviq, pasi të gjithë ne, si të drejtë të parë, kemi të drejtën e identifikimit, kush jemi, përkatësisë kombëtare e tjera.   Dritanin, dashtë e pa dashtë, ndoshta e përcakton emri i tij si një person me origjinë shqiptare, por kam lexuar në disa raste se ai e konsideron veten thjesht si një “qytetar”, duke mos thekësuar ndonjë identitet të veçantë kombëtar. Natyrisht, se është e drejtë e tija të identifikohet kombtarisht si të dojë vet, ose aspak dhe vetëm si qytetar, siç ka thekësuar, vazhdimisht.  

Por, ajo që nuk më pëlqen mua është fakti se Abazoviqi, në të vërtetë ka kaluar përtej kufijve të mohimit të identitetit të vet kombëtar si shqiptar, megjithëse flet shqip mirë dhe është me origjinë i tillë,  është hedhur në sulm kundër simboleve dhe personaliteteve më të dalluar të historisë së Kombit shqiptar – përfshir heroin Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotin –Skenderbe.  Me qëndrimet e tija kundër personaliteteve të tilla historike shqiptare, Dritan Abazoviqi u bashkohet krijesave të tjera shqiptare, të “njeriut të ri” të komunizmit, brezit të humbur post-komunist, pa ide, pa kulturë, pa histori dhe pa identitet kombëtar. Megjithse kjo ideologji ka dhënë shpirt në pjesën më të madhe të botës, por jo ndër shqiptarë  — anë e mbanë trojeve shqiptare duke filluar nga Tirana e Prishtina, deri në Ulqin, Shkup e në Manastir. Sulmet kundër historisë, kulturës dhe personaliteteve të mëdha historike të shqiptarëve nga qendra jo miqësore shqiptare, kalojnë në heshtje dhe pa u kundërshtuar nga askush zyrtarisht, megjithëse shpesh vijnë nga kryeqytetet me synime, historikisht, jo miqësore ndaj shqiptarëve.   Mohimi dhe shpifjet ndaj figurave historike të Kombit shqiptar, nga vet shqiptarët, është e pa precedencë në historinë e kombeve. Duke filluar nga Skenderbeu e Nenë Tereza, mohimi i tyre si shqiptarë dhe paraqitja e tyre sikur të ishin me prejardhje sllave, ishte për një kohë të gjatë dhe vazhdon të jetë një rast, si zbavitje e ditës në te(leh)vizionet shqiptare anë e mbanë trojeve — e deri tek kohët e fundit –përfshir debatin dhe baltosjen e shkrimtarëve Ernest Koliqi dhe Martin Camaj nga disa individë të caktuar të këtij brezi të humbur, e krijesave “të njeriut të ri” të komunizmit.    

Duket se në këtë grup të brezit të humbur politikanësh shqiptarë post-komunistë që heshtin përballë këtyre baltosjeve, ose që marrin vet pjesë në debate të tilla kundër identitteit të shqiptarëve, i përket edhe politikani i ri me emër “shqiptar” nga Ulqini nën Mal të Zi, Dritan Abazoviqi.  Këta, në të vërtetë, janë më të rrezikshëm se komunistët dikur, sepse ky lloj njerzish sot na paraqiten si mbështetës të lirisë dhe të demokracisë (me këmish të bardhë e kravate në qafër, thonte dikur Ronald Reagan), ndërsa me komunistët dihej se ku qëndronin.  Por, në të vërtetë, këta të sotmit janë të kundërt, bëjnë punën si komunistët, por në paraqiten si demokratë dhe mbështetës të fjalës së lirë.  Uroj që Dritan Abazoviqi, nëqoftse merr ndonjë rol udhëheqës në qeverinë e re të Malit të Zi, të mos përdoret kundër interesave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe të mos shërbejë si “kal troje” për interesat serbo-ruse në atë vend dhe më gjërë.  Historia shqiptare e shekullit të kaluar dhe e 500-vjetëve më parë është plot shembuj të tillë, fatkeqësisht. Shitja e interesave kombëtare të shqiptarëve po shiten çdo ditë, ditën për diell, ndërkohë që për sulmet e mbrendshme dhe të jashtme kundër identitetit kombëtar as kush nuk i jep pesë pare. 

Në një intervistë para nja një vit e gjysëm, Dritani “shqiptar”, në rolin e historianit, me këmbëngulje e shpallë babain dhe nenën e Gjergj Kastriotit Skenderbe, si serbë.  Dhe thotë se përmendorja e Kastriotit   nuk ka vend në Ulqin. Është më mirë, deklaron ai në intervistën me një televizion serb, t’i ngrihet një përmendore Sevantesit (shkrimtarit spanjol që thuhet se ka banuar në Ulqin për një kohë të shkurtër), ose detarëve të atij qyteti, sipas Abazoviqit, pasi Ulqini është i njohur për detarët e tij.  Në të vërtetë, Abazoviqi këmbguli aq shumë, gjatë asaj intreviste me gazetarin serb,  se prejardhja e Skenderbeut është sllave, dhe se e ama e tij ishte serbe, sa që edhe intervistuesi serb e ndjeu veten të turpëruar, se “shqiptari” Dritan Abazoviqi po e tepronte me historinë e tij shpifëse ndaj Heroit Kombëtar të shqiptarëve, sa i thotë, mjaft me historinë e Skenderbeut dhe ndërron subjektin e bisedës.  Mirë që dikush nuk ka propozuar ndërtimin e ndonjë ndonjë statuje të Nenë Terezës në Ulqin se do ishte tmeruar Dritani me shokë. Sepse permendoren e Gjergj Kastriotit Skenderbe në Ulqin, Dritan Abazoviqi e ka kundërshtuar bazuar, thjeshtë, në qendrimet e tij parimore dhe jo për arsye financiare, sepse diaspora e madhe e atyre anëve ka premtuar fondet, për një përmendore të tillë.

Dihej se ndërhyrja e e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare para zgjedhjeve në Mal të Zi, në mbështjetje të njerës ose tjetrës parti ose koalicion të shqiptarëve në Mal të Zi, vetëm dëm do të bënte. Ja ashtu edhe ndodhi, fatkeqësisht. Por jo vetëm dëm për shqiptarët në rajon, por kam drojë se ndërhyrjet pa kurrfarë ideje e strategjie nga Tirana dhe Prishtina, varësisht se cila qeveri do të formohet në Podgoricë, ka mundësi të ketë pasoja të mëdha gjeostrategjike, jo vetëm për shqiptarët në Mal të Zi,  por edhe për gjithë rajonin dhe më gjerë. 

Dritan Abazoviqi deklaroi mbrëmë se Mali i Zi nuk do të bëhet “Sparta serbe” dhe as një “Krahinë e Shqipërisë e së Madhe”.  Mos ki merak, Z. Abazoviq se për Serbinë e madhe ose Spartën serbe në Mal të Zi, siç po e quan ti, ka kush lufton se është Kisha Ortodokse Serbe, Beogradi zyrtar, përfshir Akademinë e Shkencave të Serbisë, të gjitha këto në bashkrendim me interesat e Rusisë në Ballkan, siç ka ndodhur gjithmonë, historikisht. Fatkeqësisht, për interesat dhe për identitetin e asaj që ti, siç duket me përbuzje e cilëson si “krahina e Shqipërisë së Madhe”, nuk ka kush kujdeset, as në Ulqin e Podgoricë, as në Tiranë e Prishtinë.  Nën periudhën e “artë” të komunizmit, shqiptarët preferonin të ishin “proletarë ndërkombëtarë” – “në anën e duhur të historisë”, sipas dissave. E sot, politikanët shqiptarë të brezit post komunist – që unë po e quaj me këtë rast, brezi i humbur shqiptarë, pasi të tillë duken me fjalë dhe me vepra — preferojnë të identifikohen thjeshtë, si “qytetarë” të Ballkanit dhe të botës, pa identitet, pa heronjë kombëtarë dhe pa figura historike.  Sipas këtij brezi politikanësh “shqiptarë”, është më mirë që, ashtu si edhe në trojet e tjera shqiptare ku janë ndërtuar përmendore për të huajt– turq, sllavë e grekë — në vend të Gjergj Kastriotit Skenderbe, edhe në Ulqin, të kujtohen detarët e Ulqinit dhe shkrimtari spanjoll Servantesit, i cili mos qofsha gabim e ka një statujë në Ulqin.

Shkrimtari malazias Andrej Nikolaidis, i cili thotë se nuk simpatizon as bllokun politik të Gjukanoviqit as koalicionin e opozitës pjesë e të cilës është Dritan Abazoviqi, për “Indeksin kroat”, shprehet shumë pesimist nga përfundimi i zgjedhjeve të fundit në Mal të Zi. Ai madje thotë se Mali i Zi ka mbaruar. Unë nuk besoj se Mali i Zi ka mbaruar, por jam shumë i shqetësuar për ato që mund të ndodhin si përfundim i këtyre zgjedhjeve në atë vend. Jam i shqetësuar se një Mal i Zi pa stabilitet politik dhe pa paqë, i influencuar, ose Zot ruajna i qeverisur nga një koalicion politik i mbështetur nga Kisha Ortodokse serbe me përkrahje të Rusisë –do të ishte një zhvillim tragjik jo vetëm për shqiptarët në Mal të Zi, por edhe për Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe një goditje fatale ndaj përpjekjeve për integrimet eventuale evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.

Sidoqoftë, si një shqiptar, që për një gjysëm shekulli jetoj në Amerikë, por që kam lindur në rrethin e Ulqinit, uroj që paqa dhe stabiliteti të mbretërojnë në ato troje tona, sot më shumë se kurrë, sidomos për bashkvëllezërit tonë shqiptarë të atyre viseve, të cilët siç duket, as sot 30-vjet post-komunizëm nuk po gjejnë paqën e sigurinë për të kaluar një jetë normale. Por që vazhdojnë të largohen nga trojet autoktone shqiptare, kryesisht, për shkak të mohimit të drejtave të tyre bazë të njeriut, përfshir të drejtën e identifikimit kombëtar dhe të njohjes së simboleve dhe të heronjëve kombëtarë, siç është Gjergj Kastrioti Skenderbeu.  Nga udhëheqësit e ri politik shqiptarë, kudo qofshin ata, nuk pritet asgjë më pak as më shumë, se mbrojtja pa kompromis e vlerave dhe e identitetit historik të Kombit shqiptar, përfshir figurat më të njohura të historisë së tij.

https://gazetablic.com/dritan-abazoviq-ulqinit-nuk-i-nevojitet-permendore-e-skenderbeut-nena-dhe-babai-i-tij-kane-qene-serbe/

Filed Under: Histori Tagged With: Abazovic, Frank shkreli, politikan i brezit te humbur

Abazoviq: Mali i Zi nuk do të bëhet as Sparta Serbe, as pjesë e Shqipërisë së Madhe

September 1, 2020 by dgreca

Udhëheqësi i koalicionit zgjedhor “E zeza në të bardhë” në Mal të Zi, Dritan Abazoviq, tha se nuk ka kompromis me interesat kombëtare të Malit të Zi dhe se ky vend mund të zhvillohet vetëm si shtet qytetar, i orientuar për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur.

Abazoviq tha në një konferencë për media në Podgoricë se statusi i anëtarit në NATO dhe pavarësia e Malit të Zi janë çështje të padiskutueshme.

“Nga këto postulate nuk do të lëvizet asnjë milimetër. Kush nuk e do një shtet të tillë, nuk mund të jetë partner i koalicionit ‘E zeza në të bardhë’. Mali i Zi nuk do të bëhet kurrë Sparta Serbe, as krahinë e Shqipërisë së Madhe, as e Serbisë së Madhe, as e ndonjë shteti tjetër”, tha Abazoviq – i cili është shqiptar – dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi.

Fronti Demokratik, një nga anëtarët e koalicionit opozitar “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, që, sipas rezultateve paraprake, ka fituar shumicën e mandateve, e ka kundërshtuar fuqishëm anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe ka thënë se do ta rishikojë këtë çështje kur të marrë pushtetin.

Opozita malazeze ka rënë dakord mbi parimet e qeverisë së re

I pyetur nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë nëse marrëveshja e tri koalicioneve, përfshirë “Të zezën në të bardhë”, parasheh që të mos ketë diskutim për statusin në NATO, Abazoviq u përgjigj pozitivisht.

“Këto janë obligimet tona ndërkombëtare. Nuk mund të ndërtojmë një shtet serioz dhe të mos jemi seriozë në politikën ndërkombëtare. Kjo nuk do të ndodhë derisa të pyetet ky koalicion. Kjo çështje është më e theksuar në Mal të Zi sesa në bashkësinë ndërkombëtare”, tha Abazoviq, për të shtuar se nuk do të ketë ndryshime në kursin e politikës së jashtme, por vetëm përmirësime të segmenteve në politikën e jashtme.

Çfarë ndodh pas zgjedhjeve në Mal të Zi?

Duke komentuar deklaratat e kundërshtarëve të tij, se në koalicion me Frontin Demokratik, do të sjellë në pikëpyetje pavarësinë e Malit të Zi, Abazoviq tha:

“Do të doja të më shikonte në sy ai malazi që mendon se dikush prej këtyre njerëzve, në çfarëdo mënyre, do ta rrezikojë sovranitetin. Ne kemi luftuar për sovranitet, ne ua kemi kthyer qytetarëve sovranitetin”.(Evropa e Lire)

Filed Under: Opinion Tagged With: Abazovic, Mali i Zi, Sparta serbe

Banda Kombёtare Vatra nё Luftёn e Vlorёs

September 1, 2020 by dgreca

Banda hyn ne Vlore. Ne krye Aqif Permeti dhe Thoma Nasi…

“Banda Kombёtare Vatra nё Luftёn e Vlorёs, 1920 dhe krijimi i kёngёs himn “Vlora-Vlora”-

Banda Vatra ne Vlore.

– Dëshmitari i asaj lufte Ago Agaj, në kujtimet e tij shkruan pёr efektin qё shkaktoi ardhja e Bandёs Kombёtare VATRA tek luftёtarёt:… pa le kur u dëgjua, që “Vatra e famshme”, kishte nisur nga Amerika një bandë muzikore të shquar për të ardhur në Drashovicë e për të marrë pjesë në luftë. Atëhere gëzimi i luftëtarëve u rrit dhe më shumё…..

Shkruan: Akademik Vasil S. TOLE

Banda Kombёtare VATRA mori pjesë në Luftën e Vlorës jo thjesht e vetëm me pushkë, por me një instrument muzikor në dorë, i cili provoi se u shndërrua në “armën” e tyre më efikase për të mbështetur çlirimin e Vlorës.Ata shkuan nё Vlorё duke u nisur nga Korça dhe aktiviteti i parafundit i bandës “Vatra” në Korçë, përpara se të shkonin në Vlorë, ishe ai i datës 23 qershor 1920, i cili u organizua si protestë e hapur ndaj masakrave të Italisë në Vlorë. Thoma Nasi, drejtuesi i bandёs kujton: …nuk kishim shumë kohë që ndodheshim në Korçë, kur në qershor të 1920 morëm një lajm alarmues nga forcat luftarake të Vlorës të cilat na kërkonin t’u shkonim për t’i ndihmuar të mbanin lart moralin nga që sapo kishin marrë Tepelenën e Drashovicën – kjo e fundit vetëm rreth 20 milje nga Vlora – dhe tani po luftonin kundër italianëve në kodrat përreth Vlorës.

Kronika e kohës jep këtë dinamikë të zhvillimit të ngjarjeve nё Korçё: … që m’ora 8 në mëngjes, zunë të mbyllen dyqanet dhe populli të mblidhet në boulevard e Shënt Gjergjit. M’ora 9 me flamur të zi në krye të shkrojtur mi te: PROTESTIM KONDRA MASAKRAVE T’ITALISË NË VLORË dhe me bandën Kombëtare “Vatra” vanë para shtëpisë së ish-Qeveritarit Delegat të këtushme, z.Cretin, i cili atere po azëroheshe që të lërë Korçën. Kur dolli Koloneli Cretinper të ipur otomobillë që të shkojë, Banda “Vatra” atere i bie “Marseiëzës”, të cilën e mbuluan duartrokitjet dhe të thirurat rroftë Franca, rroftë Shqipëria. Si mbaroj Banda del Z. Llambi Lapi dhe mban fjalë dyke çpjeguar shkakun e metingut. Thotë se, ky meting u mbajt, për të protestuar kondra masakrave t’Italisë në Vlorë dhe i lutet z. L Kolonelit Cretiu që të dërgojë këtë protestim, të cilin ja dha të shkrojtur, ne Kryeministri Francës Z. Milerand. Si mbaroj fjalën Z. Lapi, Banda i bie “Himnit të Flamurit”, të cilin e mbulojnë duartrokitjet dhe të thirurat rroftë. Me të mbaruar Banda Himnin e Flamurit, z. L Kolonel Cretin shkoj për në Francë në mest të duartrokitjeve dhe të thirurat e popullit rroftë Franca rroftë Shqipëria, rroftë L Kolloneli Kretin[1].

Pas Korçёs, Faik Konica e përshkruan kështu këtë segment të udhëtimit të tyre: …. në rrethet e Vlorës u bashkuan me kryengritësit heroike që leftojin për çlirimin e vendit, edhe topat e italianëve përcuallnë marshet e bandës me nota të forta, të përshkruara në kartë[2].Thoma Nasi thekson faktin se:…kjo luftë epike kishte tërhequr vëmendjen e të gjithë botës dhe midis korrespondentëve që mbulonin luftën, më i shquari ishte Edsel Mowrer i Chicago Daily News dhe Washington Post. Dukej që të gjithë korrespondentët mbanin anën e shqiptarëve guximtarë, trimëria e të cilëve përshkruhej në njoftimet e përditëshme. Duhet përmendur se luftëtarët shqiptarë kishin hedhur gunat e tyre të leshta e të rënda mbi barrikadat e telave me gjëmba dhe kapërcenin mbi to për të terrorizuar italianët. Për më tepër, sapo që italianët i nisnin aeroplanët e tyre, shqiptarët i rrëzonin shumë syresh[3].

Dëshmitari i asaj lufte Ago Agaj, në kujtimet e tij shkruan pёr efektin qё shkaktoi ardhja e Bandёs Kombёtare VATRA tek luftёtarёt:… pa le kur u dëgjua, që “Vatra e famshme”, kishte nisur nga Amerika një bandë muzikore të shquar për të ardhur në Drashovicë e për të marrë pjesë në luftë. Atëhere gëzimi i luftëtarëve u rrit dhe më shumё. Sadoqë nuk ua merrte mendja se si do t’ trembeshin italianët e do të viheshin në ikje me anë të veglave muzikore, të cilat ata i admironon më tepër se c’do gjë[4].

Pas vizitës së parë të bandës “Vatra” në atdhe, dëshira popullore për një muzikë të re, i dha mundësinë Thoma Nasit të kompozonte shumë këngë. Njëra prej këtyre këngëve, në mos më e njohura, ishte kënga “Vlora-Vlora”[5], me fjalë të Ali Asllanit (1884-1966). Peshkop Fan S. Noli e thotë shkoqur se …edhe kënga “Vlora, Vlora”, sikundër e dini është bërë nga një përfaqësonjës i “Vatrës”, të cilin e kemi këtu në mes tonë. Ia dini emrin, por do ta thom, profesor Thoma Nashi[6]. Në kujtimet e Nasit të shumë viteve më vonë, ai ngatërron pa dashje emrin e krijuesit të poezisë së kësaj kënge. Në versionin e tij ai përmend Bajram Currin, gjë që nuk provohet të jetë e vërtetë. Referuar kujtimeve të Hajredin Bej Cakranit: …ata (banda “Vatra” – shënimi ynë”) e bënë dhe ujdisnë vjershnë që kish bërë ato ditë shkronjëtori Ali Aga Asllani dhe e bënë hymn, si frëngjtë asokohe Marsejezën[7]. Pra kënga “Vlora, Vlora”jo vetëm është kompozuar në flakët e luftës, por si e tillë është dëshmia më e prekshme e trashëgimisë shpirtërore që vjen nga Lufta e Vlorës.

Sipas Nasit, një nga çastet më të paharruara të veprimtarisë së “Vatrës” në front më 1920 ishte kur: …pas largimit të italianëve, ‘të gjithë shqiptarët që kishin marrë pjesë në luftë u futën në Vlorë me bandën në krye duke kënduar Vlora, Vlora, bjeri më të lumtë dora! Kënga pati sukses të menjëhershëm dhe brenda pak ditëve u përhap në të gjithë Shqipërinë. Në një nga transmetimet e saj në radio, Dorothe Thompson tha se shqiptarët kur hidheshin në sulm kundër italianëve këndonin këngën Vlora, Vlora. Kjo këngë është bërë një nga klasiket shqiptare dhe ende këndohet sot. Gjëja që më ka habitur e befasuar më shumë është se si këngët që shkruaja arrinin të shpërndaheshin pothuajse brenda natës në të gjithë vendin dhe të këndoheshin e ekzekutoheshin pa nota të shtypura nga orkestrat vendase. Kudo që vizitonim qytete të mëdhenj a të vegjël, popullata vendase do të na përshëndeste duke kënduar këto këngë![8]

Kush nuk i di vargjet e saj?

I.

Jam vlonjat e jam vlonjat,
zhgabën e kam mëm’ e atë,
zhgaba trime dykrenorë
fron’ e saj e ka në Vlorë!
Ref.

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
Bjeri më të lumtë dora.

II.

Vlora trime shqipëtare
si rob jetën s’e do fare,
a do mbetet Shqipëri,
a do bëhet tym e hi!

III.
Jam vlonjat e jam burrë,
s’duron burri zgjedhë kurrë,
jam vlonjat e si vlonjat
do bëj luftë me të shtat’!
IV.
Jam vlonjat dhe trim me besë,
rreth flamurit di të vdesë,
a me hir a me pahirë
doemos do rroj i lirë!

Më 3 shtator 1920 forcat shqiptare me në krye bandën “Vatra” hynë triumfalisht në qytetin e çliruar të Vlorës, gjё e cila provohet edhe nga disa fotografi historike, njё pjesё tё tё cilave i botojmё pёr herё tё parё nё librin “Banda Kombёtare Vatra, njё histori unikale shqiptaro-amerikane”, botim i Akademisё sё Shkencave, 2020. Para se banda të hynte triumfalisht në Vlorë, Gazet’e Korçës e datës 4 shtator 1920, u kujtonte lexuesve të saj se: …triumfi panegjerik i kësaj bande u tregua në Drashovicë, ku me marshet e saj patriotike u dha fuqi të reja luanëve vlonjatë dhe të tjerëve vetëdashës, të cilët me hovet e tyre shtrënguan armikun e djeshëm dhe mikun e sotmë të lërë Vlorën[9]. Korrespodenti i gazetës së Korçës shkruante: …Banda kombëtare “Vatra” arrin atje e cila pritej me padurim të madh nga populli… Më ora 8 në mëngjes u dëgjua zëri i bandës “Vatra” e cila vajti në kazermë ku ushtri e Korçës nënë Ferid Frashërin e priti me armë për nder dhe që andej, bashkë me ushtrinë vajti për të marrë vendin e caktuar përballë monumentit të dëshmorëve[10].

Ngritja e flamurit të fitores në Vlorë u prit me entuziazëm të papërshkrueshëm popullor dhe u bekua me gjakun e 175 dëshmorëve, të 422 të plagosurve[11] dhe të sakrificave të panumërta të popullit vlonjat. Këto sakrifica kishte parasysh kolonel Aqif Përmeti, komandanti i “Trupës vullnetare” tё ardhur nga Amerika sё bashku me bandёn Kombёtare VATRA, kur me mbarimin e luftës lëshoi thirrjen për të mbështetur popullin që vuante nga mjerimi i pasluftës me kёto fjalё”…Vlora sot ndodhet në duar të ushtrive shqipëtare. Por ky vend historik nuk u dorëzua me dashjen e italianëve por u mor me luftë duke derdhur gjak shqiptari për të shpëtuar Vlorën. Ata që ranë dëshmorë të këtij qëllimi, kanë lënë fëmijën, gratë dhe mëmat e tyre në duart tona. Ata dëshmorë sot prehen në gji të Perëndisë, por fëmijes së tyre mbase i dridhet dora e buza për një kafshore bukë. Prandaj që të mos lihen fëmijët e dëshmorëve të vuajnë, duhet çdo njëri që mban emrin shqiptar, pa kursim të japë ndihmën e tij[12].Njё foto e veçantё ёshtё shkrepur nga fotografi Petro Dhimitri mё 3 shtator 1920 nё ditën e çlirimit të Vlorёs ku janё sё bashku 250 vullnetarë nga qarku i Korçës[13], në mes të të cilëve ndodheshin 120 trupat e ardhura nga Amerika dhe pjestarёt e Bandёs Kombёtare VATRA.

Ngritja simbolike e flamurit shenjoi fitoren e luftës. Për ato çaste, në shtypin e shkruar thuhet:…bandat po buçisnin për himnin e flamurit dhe z. Qazim Kokoshi po ngrinte flamurin sipas muzikës[14]. Bëhet fjalë për bandën “Vatra”[15] dhe bandën “Afërdita” të Elbasanit, prezencën e të cilave konfirmohet nga disa drejtime, nder to edhe Syrja Vlora[16] në kujtimet e tij: …dalëngadalë italianët u tërhoqën nga toka e Vlorës dhe, më së fundi, në kohën e caktuar, e liruan krejt vendin duke u transferuar në ishullin e Sazanit. Pas kësaj, me plot gaz e muzikë të luajtur nga banda e Korçës dhe ajo e Elbasanit, i tërë populli festoi i gëzuar e i lumtur. Kështu iu dha fund luftës.(Te plote lexoje ne Gazeten DIELLI ne Print)


[1] Shih: “Metingu për të protestuar kondra masakrave të Italis në Vlorë”, te Gazet’ e Korçës, 23 qershor 1920.

[2] Cituar sipas artikullit “The sweet power of music”, 1920, të shkruar nga Faik Konica.

[3] Cituar sipas leksionit të mbajtur nga Thoma Nasi me studentët shqiptarë të Universitetit të Harvardit, 1960.

[4]Shih “Lufta e Vlorës”, Tiranë, 2002, f. 255.

[5] Kënga “Vlora-Vlora” u kompozua nga Thoma Nasi gjatë Luftës së Vlorës.

[6] Cituar sipas: Fan S. Noli. Vepra 6, Tiranë, 1996, f. 217.

[7] Te: Kujtimet e një firmëtari. Tiranë, 2016, f. 359.

[8] Shih: Thoma Nasi. Ligjërata. 1960.

[9] Cituar sipas: Gazet’ e Korçës, 4 shtator 1920.

[10] Cituar sipas: Gazet’ e Korçës, 8 shtator 1920.

[11] Shifrat janë cituar sipas: Syrja Vlora. Kujtime, nga fundi i sundimit soman në Luftën e Vlorës, Tiranë, 2013, f. 335

[12] Cituar sipas gazetës Koha, Korçë, 7 gusht 1920.

[13] Shih gjithashtu: Syrja Vlora. Kujtime, nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës. Tiranë, 2013, f. 334 (perifr.).

[14] Shih: gazeta Koha, datë 11 shtator 1920, f. 3 (shkrim).

[15] Shih gjithashtu: Enver Memishaj. Emblema e një Epopeje. Tiranë, 2010, f. 367-368.

[16] Syrja Vlora. Kujtime, nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës, Tiranë, 2013, f. 199. Libër i cituar.

Filed Under: Featured Tagged With: Akademik Vasil S Tole, banda e vatres, Lufta e Vlores

KUJTESA- 18 VJET PA BABE TAHIRIN

September 1, 2020 by dgreca

Në Kujtim të Patriotit Tahir Kerrnaja dhe Përpjekjeve për Njohjen e Cështjes së Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Ballkan – (Me rastin e 18 vjetorit të vdekjes)–

Nga: Drita Gjongecaj-New York- Më 4 shtator mbushen 18 vjet që kur u nda nga jeta Tahir Kerrnaja i cili njihej me emrin “Babë Tahiri” apo “Njeriu i Demonstratave”. Tahir Curran Kerrnaja ia kushtoi krejt jetën përpjekjeve për njohjen e cështjes së shqiptarëve në trojet etnike e sidomos Kosovës. 

Ai ishte nga fshati Kerrnajë në zonën e Gashit të Tropojës nga një familje e njohur për tradita patriotike. Megjithëse kjo ishte në të vërtetë familja e nënës sime, për arsye sigurie nga rregjimi komunist, nuk flitej shumë për të në praninë e ne të rinjve pasi, i akuzuar për vepra që nuk i kishte kryer, ai ishte arratisur nga Shqipëria.  

Ndër ato që kisha dëgjuar unë ishte se ai i jepte një rëndësi të vecantë arsimimit dhe, në një kohë kur shumica dërrmuese e popullsisë në Shqipëri ishte analfabete, pikërisht në vitet ‘30 ai kishte ndjekur shkollën Amerikane Bujqësore në Kavajë. Më vonë ai ndoqi edhe shkollën e Kuesturës në Itali. 

Personalisht e kuptova nga afër ndjeshmërinë dhe vlerësimin e tij ndaj arsimimit në verën e vitit 1991 kur ai më dërgon nga Amerika një cantë lëkure cilësore librash, ngjyrë kafe, me shënimin: “… Mos ju ndaj shkollimit se vetëm dituria të con përpara. …”

Deri në atë kohë askush nga familja nuk kishte dijeni për punën e tij madhore në NY në shërbim të kombit e shqiptarëve pasi lidhjet me jashtë ishin të këputura plotësisht. Unë u vendosa në Amerikë në muajt e fundit të jetës së tij, kështu që përvec dy-tre takimeve të shkurtra nuk pata fatin të shpenzoj kohë me të. Ishte fjalëpak dhe më se modest. Duke e quajtur veten thjesht ushtar në cështjen e Kosovës, punën kolosale dhe arritjet ia atribuonte bashkëpunëtorëve e mbështetësve të shumtë të aktivitetit të tij dhe organizatës Rinia Shqiptare e Kosovës në Botën e Lirë (RShKBL) e themeluar nga vetë ai. 

Në rininë e tij në Shqipëri, Tahir Kerrnaja i ishte bashkuar forcave partizane, më vonë forcave nacionaliste dhe kishte shërbyer edhe në kuesturën e Tiranës. Me një akuzë të sajuar nga qeveria komuniste, ai qe dënuar fillimisht me vdekje. Meqë nuk kishte prova dhe duke qenë se asnjë nga dëshmitarët nuk e mbështetën akuzën ndaj tij, vendimi ndryshoi në dënim me burgim të përjetshëm që më vonë përsëri u ul në disa vite. Për afro 10 vjet ai vuajti në kampet e burgjet famëkeqe të Shqipërisë së atëhershme përfshi edhe Kampin e Vdekjes në Kavajë. Vuajtje e tortura të paimagjinueshme përjetoi ai pastaj në ish-Jugosllavi derisa më në fund fitoi statusin e emigrantit politik dhe në vitin 1963 hyri në Amerikë.

Me largpamësi, ai themeloi Shoqërinë RShKBL (Albanian Kosovar Youth in the Free World-AKYFW) dhe mblodhi rreth vetes shumë anëtarë e bashkëpunëtorë me të cilët nuk reshtën punën e organizuar për sensibilizimin ndaj shtypjes së rëndë sllavo-komuniste të shqiptarëve në Kosovë dhe territore tjera në Jugosllavi, kërkesës për mbrojtjen e të drejtave të tyre, si dhe të drejtat e shqiptarëve kudo në trojet etnike. Disa nga bashkëpunëtorët më të ngushtë ishin familja e Musë dhe Shahe [Kerrnaja] Zherka (të vetmit të afërm të tij në Amerikë në atë kohë), Vëllazrit Bytyci (Bitici), Maliq Arifaj, Prof. Dr. Rexhep Krasniqi, Kryetar i Komitetit Shqipëria e Lirë, Prof. Sami Repishti, Prof. Peter Prifti, e shumë e shumë të tjerë. Sic e përshkruajnë, muret e apartamantit i kishte mbushur me parulla, fletëthirrje e pjesë të shkëputura nga gazetat e kohës duke e kthyer banesën e tij në 43 Street në zyrë të organizatës. Në program shkruhej shprehimisht se vullnetarët e këtij grupimi janë të mobilizuar në shërbim të kauzës së kombit shqiptar dhe asaj të ribashkimit nacional shqiptar; se në kushtet aktuale, detyra më urgjente është qartësimi i opinionit publik i pozitës në të cilën ndodhen vëllezërit e motrat kosovare; se veprimet do të zhvillohen në mënyrë paqësore, etj. Vetëm në harkun kohor të një muaji, përgjatë më se 30 vjetëve, fletushkat në anglisht dhe në shqip kapnin shifrën e 4 apo 5000 të tilla të shpërndara. Një aktivitet patriotik në këto përmasa në llojin e vet mbetet padyshim unik jo vetëm për volumin e materialeve, por edhe për kohështrirjen në dekada dhe përhapjen gjeografike brenda e jashtë Amerikës. Njohja e thellë e gjendjes, largpamësia, energjia, trimëria e përkushtimi deri në vetëmohim ishin mbledhur në figurën e Babë Tahirit.

Në aktivitetin e tij në Amerikë, Tahir Kerrnaja mbetet unik edhe si individ në disa drejtime: forma e organizimit të RShKBL, përkushtimi maksimal, shtytja dhe motivimi që u jepte anëtarëve dhe përkrahësve, etj. Qysh me ardhjen në Amerikë e deri në fund të jetës, Tahir Kerrnaja ia dedikoi tërësisht cështjes kombëtare kohën, mundin, biles edhe të gjitha të ardhurat e veta personale që i mbeteshin pas detyrimeve të qirasë e ushqimit. Ai ishte nismëtari, themeluesi, udhëheqësi, dhe propaganduesi i RShKBL. Ishte aktiviteti i mirëorganizuar dhe paqësor i drejtuar nga Babë Tahiri dhe RShKBL i cili i parapriu dhe krijoi kushtet për krijimin më vonë të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (American Albanian Civic League (AACL) dhe Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan (National Albanian American Council-NAAC) të cilat gjithashtu luajtën rol esencial në lobimin ndaj cështjes së Kosovës.

Vetë ish-Presidenti Ibrahim Rugova e ka vlerësuar punën e Tahir Kerrnajës me këto fjalë: “… Duke ndjekur traditën shqiptare, Babë Tahiri u bë lajmëtar i çështjes së Kosovës, u bë burrë i kushtrimit, që nuk pushoi natë e ditë… Babë Tahiri me veprën e tij ishte një pioner i lëvizjes shqiptare në mbështetje të Kosovës në Shtetet e Bashkuara, lëvizje kjo e cila së shpejti u bë aq e fuqishme sa që të siguronte respektin dhe admirimin e Kongresit, të Administratës dhe të popullit amerikan. Me punën e tij, ai përshpejtoi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Tahir Kërrnaja do të mbetet si njëri ndër burrat e shquar të Kosovës dhe të botës shqiptare. Ai e përmbylli shekullin e tij të mbushur me një vepër të shkëlqyer për Kosovën dhe kombin shqiptar. Jemi krenar që e patëm.”       

Në librin e tij “Kosova: Rruga e Lirisë – Roli i Rinisë Shqiptare të Kosovës në Botën e Lirë në Clirimin e Kosovës”, autori Sergio Bitici përshkruan qartë rolin e pakrahasueshëm të Babë Tahirit dhe shton se  “… pa angazhimin e palodhur të Tahir Kerrnajës kjo organizatë nuk do të egzistonte”. 

Tahir Kerrnaja nuk krijoi familje por iu përkushtua Kosovës më gjithë fuqitë e tij. Trupi i tij u cua në Kosovë i shoqëruar nga nipat e tij Hysen Kerrnaja e Kujtim Zherka, bashkëpunëtorë, miq dhe admirues duke plotësuar kështu amanetin e tij për t’u prehur në Prishtinën e lirë.  

Premtime janë dhënë herë pas here që Tahir Kerrnajës do t’i ngrihet një shtatore në Prishtinë por deri më sot nuk ka filluar një projekt i tillë. Të shpresojmë se arsenali i cmuar i punës së tij do të përjetësohet në një mënyrë a formë që edhe brezat e ardhshëm të mësojnë kush ishte Babë Tahiri dhe cili ishte roli i tij në historinë e lirisë së Kosovës.  

http://illyriapress.com/illyria_content/uploads/2017/08/14086442_1192947980770120_8714296445491357976_o-1-640x519.jpg
http://illyriapress.com/illyria_content/uploads/2017/08/6-DSC05656.jpg

Shtator 202

Filed Under: Featured Tagged With: 18 vjet, Drita Gjongecaj, Tahir Kerrnaja

NGA GJERMANIA FLET PER DIELLI DR.ERMAL XHAHO

September 1, 2020 by dgreca

Dr. Ermal Xhaho mjek specialist Otorinolaringolog dhe kirurgji plastike/estetike të fytyrës rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, Gjermaninë në përballje me Covid-19 dhe pasojat në ekonomi, turizëm dhe shëndetin mendor të popullsisë. Ndër të tjera Dr. Ermali analizon edhe sfidën e Shqipërisë përballë pandemisë globale.

Me Dr. Ermal Xhaho bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

SHQIPËRIA DHE BETEJA NDAJ COVID SIPAS DR.ERMAL XHAHO

Shqipëria ka qenë ndër vendet më të kujdesshme përsa i përket masave të marra në fillim edhe pse këto masa nuk ishin shumë demokratike. Me shifrat në rritje mendoj se tashmë po bëhet përsëri një problem global. Një trend në rritje po vërejmë kudo. Shqipëria kapi dy ekstreme, masa drastike për karantinen dhe “harresën“ e përmbajtjes të masave në ditët e sotme. Por gjithësesi nuk është e drejtë të hedhim sytë nga Shqipëria gjithmon me fjalët gabime apo të qënit kritik  ndaj saj. Mendoj që komiteti i eksperteve u referohet sugjerimeve globale dhe nuk mund të flas për një gabim, përkundrazi i përgëzoj të gjithë stafin shëndetësor që pavarsisht kushteve apo vështiresive në sistem, ja kanë arritur të shmangin kolapsin. Ndjehem krenar dhe shumë i lumtur për arritjet e tyre.

COVID-19 NË GJERMANI, SHQIPTARËT NË DUSELDORF

Përsa i përket situatës në Gjermani nuk do ndalem shumë sepse tashmë siç ju kanë informuar dhe kolegët e mi në Gjermani gjendja është e qetë, pavarësisht kësaj të qënit “standby“ tashmë të shoqëron në rutinën e përditshme. Kujdesi i qytetarit ngelet gjithnjë i lartë. Shifrat e infeksioneve të reja në Düsseldorf në krahasim me qytetet e tjera të mëdha në Gjermani nuk janë heterogjene dhe variojnë çdo javë. Për shkak të situatës dhe mungesës së mbledhjeve të unioneve të ndryshme edhe informacionet brenda komuniteteve janë të pakta. Ndërsa nga ana e statistikave nuk kemi statistika të mirëfillta për komunitete të caktuara. Nga eksperienca ime, komuniteti shqiptar këtu nuk ka pasur rritje të infeksioneve të reja, theksoj këtu që ndër të infektuarit mes shqiptarëve ka pasur kryesisht brenda stafit mjekësor që statistikisht shpjegohet me ekspozicionin e lartë ndaj virusit në punë sesa  përkatësisht me komunitetin.

PASOJAT E COVID NË EKONOMINË, TURIZMIN DHE SHËNDETIN MENDOR NË GJERMANI

Pandemia si në çdo vend të botës ka dhënë dhe në shtete shumë të fuqishme ekonomike pasoja të rënda. Një numër i konsiderueshem biznesesh ka zgjatur oraret me punë të pjesshme deri në fund të vitit madje deri në 2021. Ecuria stabile e tregut imobiliar  pritet të ketë luhatje brenda muajve në vazhdim. Liria dhe kontakti social është çelësi kryesor i shëndetit mendor. Duke ditur që ekzistojnë ende frika dhe kufizimet, preket edhe shëndeti mendor. Gjermaninë e karakterizon puna dhe udhëtimet ndërkombëtare në kohën e lirë. Paralajmërimi për udhëtime ka ulur ndjeshëm udhëtimet jashtë vendit, ndërsa në anën tjetër kemi një rritje të turizmit sidomos në Gjermaninë veriore. Mobiliteti në krahasim me vitin e kaluar është ende më i vogël por shpejtësia e rikuperimit është më e lartë. Megjithatë të dhënat kartografike  nuk janë homogjene në të gjithë Gjermaninë.

BETEJA NDAJ COVID-19 DHE PËRJETIMET SI MJEK NË FRONTIN E SË KEQES

Si kundër pandemitë e SARS-CoV 2003 dhe MERS-CoV 2012 ky virus është më infeksioz dhe replikohet jashtëzakonisht mirë në fyt dhe në hundë. Ndërkohë që gripi sezonal ka vdekshmërine 0,1-0,2%, COVID-19 arrin sipas të dhënave të deritanishme 0,8%. Siç e kam përmendur më parë, doktoret Otorinolaringologë për shkak të llojit të egzaminimit fizik (hundë, gojë, fyt) kanë një ekspozim shumë të lartë ndaj Coronavirusit dhe paraqesin rrezik serioz ndaj infeksionit. Sidomos egzaminimi me endoskop ndodh në vendin më të lartë të replikimit të virusit. Një egzaminim i tillë shpesh shoqërohet dhe me një reflex kollitjeje. Një simptomë shumë interesante për mjekët ORL është çregullimi i nuhatjes. Pra një pacient pa simptoma të tjera dhe çregullim nuhatjeje papritmas është pacient i mundshëm i infektuar. Edhe spektri i operacioneve ka një rrezik shumë të lartë. Përsa i përket operacioneve plastike/estetike të planifikueshme numri është ulur ndjeshëm. Ka qenë thelbësore për ne të tregohemi të  përgjegjshëm që të minimizojmë sa të mundemi përhapjen e virusit.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Si fillim përshëndes diasporën dhe veçanërisht lexuesit e gazetës “Dielli” dhe një mirënjohje për punën tuaj intensive në këtë kohë pandemie. Jam krenar që kjo situatë na ka njohur me arritjet e shqiptarëve në të gjithë botën dhe gjithësecili ka dhënë kontributin maksimal në mënyrën e vet. Mesazhi im për lexuesit e gazetës “Dielli“ dhe diasporën në USA është që të vazhdojmë të mos jemi egoistë, të informohemi sa më shumë dhe të fokusohemi në fakte dhe jo në teori konspirative. Përgjegjësia dhe solidariteti na takon të gjithëve. Me ruajtjen e distancimit social, me masat higjenike dhe  mbajtjen e maskave ne fitojmë kohë dhe njohuri. Mos të harrojmë që deri tani në këtë betejë kjo është arma jonë më e fuqishme kundër virusit.

KUSH ËSHTË DR. ERMAL XHAHO 

Dr. Ermal Xhaho është mjek specialist Otorinolaringolog dhe kirurgji plastike/estetike të fytyrës. Studimet e larta i ka kryer në Gjermani  në “Friedrich Ëilhelm Universität” në Bonn dhe jeton në Gjermani që prej vitit 2005. Pas diplomimit ka punuar si mjek ORL në Spitalin Universitar  Ëitten Herdecke “St. Joseph” në Hagen dhe që prej vitit 2017 në “Schön Klinik”  në Düsseldorf. Krahas punëve të shumta vullnetare gjatë studimeve dhe përfaqësues i komitetit të huaj në parlamentin studentor, është drejtues i shoqatës së mjekeve shqiptarë në Gjermani për Landin e Nordrhein-Ëestfalen.

Filed Under: Featured Tagged With: Dr. Ermal Xhaho, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT